• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZUAR 7 MARSIN – DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË, NË SHKOLLËN SHQIPE “URA” NË NOVARA

March 7, 2023 by s p

Blerina Lika, mësuese e gjuhës shqipe në shkollën shqipe “Ura” në Novara të Italisë, në një rrëfim ekskluziv për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon me detaje punën edukative e patriotike për mësimin e gjuhës, kulturës, historisë e traditës shqipe në Novara dhe aktivitetet sociale e kulturore në dobi të komunitetit shqiptar në Novara të Italisë.

SHKOLLA SHQIPE “URA” NË NOVARA TË ITALISË

Në shkollën tonë janë formuar dy klasa, kuptohet në mosha të ndryshme si në grupin  parë ashtu edhe në grupin e dytë. Kemi vepruar kështu, pasi kemi fillestarë në mosha  të vogla, por kemi fillestarë edhe në grupin e dytë, të moshës më të rritur 12-17 vjeçare. – Si mësues për klasën fillore mosha 7-12 vjeçar kemi mësues të profilit e cila ka kryer  ciklin e ulët në Tiranë znj. Leonora Dyrmishi dhe për klasën e të rriturve është Eglantina  Likaj e cila ka kryer fakultetin e Gjuhë Letërsisë.  Mësimi zhvillohet një herë në javë ditën e shtunë mbasdite, gjatë të cilës nuk bëhet çdo  javë mësim gramatike, lexim apo abetare, por ato ndërthuren me dy mësuesit e tjerë të  cilët janë Enea Canaj mësuesi i Histori-Gjeografisë dhe mësuesi i kantos Artan Lika, të  cilët shpesh herë ndryshojnë sado pak ato dy orë që zhvillohen. Zhvillohen dy orë nga  45 minutëshe e ndërmjet orës ka pushim, bashkëbisedim me fëmijët, lojra etj. 

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “URA” SI PIKË REFERENCIALE PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR NË NOVARA

Shkolla shqipe “Ura” lindi si ide dhe projekt afatgjatë i Shoqatës “Ura”. Ajo hapi dyert  e saj me 3 shkurt 2018. Ndihmesë të madhe kemi gjetur nga anëtarët kryesorë të shoqatës “Ura”, Enea Canaj, Osjon Osja, Saimir Mella, Etleva Lika, Enkelejd Marena  etj. Si Mësues atë vit ishte znj. Marsela Vreko e diplomuar për Gjuhë – Letërsi në  Tiranë, të cilën gjej rastin ta falënderoj shumë për punën plot përkushtim e pasion që  bëri atë gjysëm viti shkollor. Për ne ky ishte vit i parë e sigurisht, kishte vështirësitë e  sfidat e veta, prandaj edhe falënderimi për Marselën, e cila tani është zhvendosur në një  qytet tjetër të Italisë, është kuptimplotë, pasi kurorëzua jo vetëm me mbarimin e  programit në gjysmën e qeshorit, por pati rezultate tek fëmijët, të cilët dinin të  shkruanin, të lexonin e flisnin, të komunikonin lirshëm në shqip. 

Si libër, metodë mësimdhënieje është përdorur për herë të parë njërën nga abetaret e  miratuar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, autorët Prof. Dr.Mimoza Gjokutaj, Prof.  Dr. Shezai Rrokaj, Prof.Dr. Islam Krasniqi dhe Saranda Kumnova, më pas ajo është  alternuar edhe me metodën “Doracakët” e Ministrisë së Arsimit të Kosovës e përshtatur  për mësimin plotësues për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare për diasporën, të cilën  e përdornin shumica e shkollave në diasporë në Europë ( Zvicër, Austri, Gjermani,  Suedi dhe, së fundi, edhe në Itali). Siç shihet vite më parë libri për mësimin e plotësues  për gjuhën dhe kulturën shqiptare për Diasporën nuk ishte përcaktuar mirë. Librat në fillim i kemi siguruar privatisht, pastaj nëpërmjet konsullatës shqiptare në  Milano është siguruar pjesa me e madhe e materialit shkollor. Në 2018 krijohet Lidhja e mësuesve për diasporën në Itali e në krye zgjidhet Arjana  Kosova e cila për 3 vite me radhë na ka ndihmuar në lidhje me librat dhe rregjistrimin  e mësuesve. Tani kemi në përdorim librin e miratuar nga të dyja Ministritë e Arsimit Kosovë Shqipëri dhe kjo përbën një lehtësi dhe arritje, sepse kjo tregon që jemi më të  organizuar dhe kemi krijuar dalëngadalë një traditë. Në qeshor të vitit 2019 krijohet Qendra e Botimeve për Diasporën e cila luan rol  kryesor tashmë që nga krijimi I saj e deri tani për librin e abetares, librat jashtë  shkollor në dy gjuhë si fjalorët, por edhe përrallat në dy gjuhëshqip – italisht,gjermanisht, frengjisht, anglisht, dhe duke arritur në atë Abetaren e unifikuar që kemi sot e cila është e miratuar si nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë edhe të  Kosovës. Doja të nënvizoja mbas krijimit të Lidhjes së mësuesve të diasporës shqiptare për Italinë , të cilët na kanë ndihmuar për marrjen e materialeve shkollore. Është krijuar edhe Këshilli Koordinues i Diasporës ku për shkollat e diasporës është përfaqësuesi I Italisë mësuesi I palodhur z. Dritan Mashi. Librat tashmë sigurohen duke komunikuar diret me ambasadën në Romë apo konsullatat Bari e Milano, për Milanon është zonja Luljeta Çobanaj Oficere për diasporën. Në lidhje me bashkëpunimin me prindërit, si fillim ai ishte i vakët, pasi nuk na  njihnin, por duke biseduar me ta dhe duke bërë edhe ne aktivitete të ndryshme në  qytetin tonë, duke marrë pjesë në çdo seminar në të cilët merrnim edhe eksperiencat e  tjera të kolegëve, duke publikuar ato në facebook, prindërit u bindën që fëmijët pikë  së pari janë në dorën e sigurt,por edhe kuptuan që fëmijës i duhet gjuha amtare, sepse ajo i jep atij identitetin dhe vetëdijen se nga vjen prej nga dhe ndihet edhe më i sigurtë  në vendimet që ai do të marri në jetë. 

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË  ITALI 

Kësaj çështje do t’i përgjigjem me risjelljen në vëmendje të një eksperience timen si Blerinë:  Kisha pak muaj që kisha ardhur në Itali dhe, kuptohet, ndryshimi i vendit, ndryshimi i gjuhës  së komunikimit të bën të ndryshosh edhe mendime, dhe fatkqësisht emigranti në muajt e parë  është në udhëkryq. Isha bërë nënë e një vajze bukuroshe me emrin Arjona (E kishim menduar  

me tim shoq që fëmijët tanë edhe pse në dhe të huaj do të kishin emra shqiptarë) -kartvizita e tyre – emri shqiptar. Takimi i parë me pediatrin dhe këshilla e tij: “Zonjë, foli shqip vajzës!”,  “fol,komuniko me fëmijën tënd në shqip”… Pse? Sepse, sipas tij, kështu, unë si  nënë i jepja fëmijës tim qetësinë, ëmbëlsinë dhe dashurinë,… dhe pastaj vazhdoi: “italishten do e mësojë në kopësht”. Janë të rrallë mjekët, mësues që të japin një këshillë të tillë, e cila për mua më ka vlejtur  jashtë mase. Fëmijët që në lindje për të mos thënë që në ngjizje, fillojnë të kuptojnë: ato e ndiejnë nëse  jemi të lumtur apo jo; ato e ndiejnë nëse jemi ne si prindër të qetë apo në ankth, dhe e  shprehin në mënyrat e tyre. Gjuha ame, pse? Nëse flisni me fëmijën tuaj në atë gjuhë që ju e përvetsoni më mirë, i jepni  atij një bazë të sigurtë për mësimin e gjuhës tjetër ku jetoni, por edhe të gjuhëve të tjera. Truri  i një fëmije është si një sfungjer, që përthith sa më tepër informacione sa është i vogël ne  moshë.  

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË PIEMONTE? 

Në fillim, kur u themi miqve tanë italianë që është hapur që në vitin 2018 një shkollë për  mësimin e gjuhës shqipe, janë paksa skeptikë, besojnë se nuk i duhet gjë brezit të dytë të  emigrantëve shqiptarë, pasi mund edhe t’i pengojë në mësimin e gjuhës italiane. Ato harrojnë  se edhe italianët ndër vite kanë patur emigrim në Argjentinë, USA, Gjermani, Belgjikë dhe  fëmijëve të emigrantëve u është dashur gjuha italiane. Sot, siç e dimë, shumë nga nipërit e  emigrantëve të atëhereshëm janë të famshëm. Po ka edhe mbështetje dhe përgëzime, si rasti  që përmenda më sipër të pediatrit të vajzës sime që na bindin se me të vërtetë po bëjmë diçka  të mirë për fëmijët tanë. Nga ana tjetër, institucionalisht autoritetet italiane na kanë ndihmuar dhe madje kanë qenë të  pranishëm në aktivitetet tona si shoqatë dhe si shkollë.  

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË ITALI

Roli i shqiptarëve dhe pesha e tyre në Itali është shumë i rëndësishëm pasi tashmë pas 32  vitesh shqiptarët nuk janë vetëm punëtorë të thjeshtë, por kemi mjek, avokat, muzikant lirik  apo jo, sipërmarrës, përfaqsues në komunë, bashki apo parlamentin rajonal. Dmth si shqiptar  janë të mirëintergruar në shoqërinë italiane. Në Itali, shqiptarët janë të tretët pas rumunëve e  marokene, por që është komuniteti më i integruari në shtetin italian. Shkolla shqipe “Ura” lindi si pasojë e nevojës së dosmosdoshme për t’i trasmetuar gjuhën e  kulturën tonë antike fëmijëve tanë të lindur jashtë atdheut. Shpesh herë me shoqatën kulturore  “Ura” kemi marrë pjesë në aktivitetet e saja sidomos të festës së flamurit 28 Nëntor. Vit pas  viti fëmijët tanë ishin të mësuar të mësonin ndonjë këngë apo vjershë rreth kësaj feste të cilën  do ta recitonin posaçërisht atë ditë. Më vonë, stafi i shoqatës Enoglin Canaj, Osjon Osja,  Saimir Mella, Etleva Lika, Enkelejd Marena hodhën idenë e hapjes së shkollës, gjetjes së  ambienteve, mësuesit dhe nxënësit. Marrja e librave të para është bërë fillimisht me baza  vullnetare, kemi blerë libra kur kemi qenë në Shqipëri…pastaj ka ardhur lidhja sa më shpejt  me konsullatën e Milanos për t’i kërkuar materialet. Ishim pak vonë, prandaj librat na erdhën  pas hapjes së shkollës. Kështu, librat e parë janë siguruar privatisht nga Eno Dule, Kryetari i Shoqatës “Ura”, në  Tiranë dhe me dt 3. Shkurt 2018, Shkolla e gjuhës shqipe “Ura” u hap. Mësuesit Marsela  Vreko e Eraz Ahmetaj dhe Artan Lika vinin të jepnin mësim fëmijëve nga qytete të ndryshme  e gjitha në mënyrë vullnetare. Sic shihet shkollat shqipe në Itali kanë mungesë organizimi si nga ana e shtetit tonë por edhe  të shtetit italian pasi, si komunitet I huaj hyjmë tek e drejta e mësimit të gjuhës amë siç e kanë  shtetet si Austria, Gjermani, Zvicra, ku mësimi bëhet në shkollën shtetërore në vendin ku  jeton dhe mësuesi paguhet për aq orë që punon. 

AKTIVITETET E SHKËLQYERA TË SHKOLLËS SHQIPE “URA”

Një muaj pas hapjes së shkollës mësuesi i muzikës së bashku me kolegët e tij profesionistë,  në bashkëpunim me shoqatën “Ura” organizuan një koncert lirik dhe i gjithë fondi i mbledhur  nga shitja e biletave të koncertit shkuan në ndihmë të shkollës. Pastaj ka ardhur pjesëmarrja e një grupi nxënësve në mësimin didaktike “Gjurmë Shqiptare”  në Vjenë, në Muzeun e Armeve për të parë përkrenaren dhe shpatën e heroit tonë Gjergj  Kastrioti Skënderbeu, dhe për të vënë kurora në varrin e inxhinierit Karl Gega, në konkursin  e diturisë për gjuhën e kulturën shqiptare në Asti, në festivalin e këngës së fëmijëve të  diasporës në Prishtinë, pjesmarrja e mësuesve të shkollës në te gjitha seminaret e mësuesve  të diasporës shqiptare në Prizren, Regio Emilia, Bologna, Tiranë, Milano etj.  Në këto dy vitet fundit shkolla fatkeqësisht ka bërë dhe nuk ka bërë mësim. Mësimi on-line  për grupin e parë ka qenë pak i vështirë, sepse siç e dijmë të gjithë, gjuha shqipe është e  vështirë dhe do përqendrim, fëmijët kanë një botë të mrekullueshme, por përqendrimi  sidomos në mësimin online, ishte i vogël. Gjithsesi është marrë një bazë e cila do të përforcohet në vijim me të përcaktuar vendin e  ndodhjes dhe stafin pedagogjik. Suela Jupa, Eglantina Likaj, Leonora Bejko, Artan Lika. Për të mos ju marrë kohë më tepër programit ju themi. Ne e duam vazhdimësinë e gjuhës sonë ne çdo vend e shpresat tona për mbarëvajtjen e saj  janë tek ju. Ndaj në emër të shkollës shqipe “Ura” ju ftoj të sillni fëmijët tuaj në mënyrë që gjuha e të  parëve tanë, kultura dhe tradita shqiptare të përcillet ndër breza. 

GJUHA AMË ËSHTË IDENTITETI  IM DHE I FËMIJËS TIM KUDO QË TË SHKOJË

Mesazh patriotik diasporës shqiptare në Amerikë, nuk e di më duket vetja e vogël përpara  shkollave shqipe në USA dhe aktiviteteve të tyre. Unë thjeshtë them nuk duhet të  demoralizohemi ndaj asnjë pengese që hasim në procesin e mësimdhënies së kësaj gjuhe  hyjnore. Do kemi mungesa të nxënësve në klasë, do kemi moskokëçarje nga ana e prindërve  duke na thënë “nuk ka se ç’i duhet fëmijës tim gjuha shqipe”, unë thjeshtë them “ne nuk  dijmë se çfarë do të bëhet në të ardhmen time e as fëmijëve të mi” gjuha amë është identiteti  im dhe i fëmijës tim kudo që të shkojë.

KUSH ËSHTË MËSUESE BLERINA LIKA

Blerina është një vajzë shkodrane, tani grúa, nënë, e cila ka studiuar në Universitetin e  Shkodrës, për Drejtësi. Pas diplomimit, në fillim ka punuar si ndihmës avokate dhe pasi ka  marrë titullin “Avokate” dhe ka punuar po në qytetin e lindjes për 7 vite. Duke patur shoqëri  të përbashkët, njihet me bashkëshortin e saj Artan Lika dhe vendosin të krijojnë familjen në Itali, ku erdhën në jetë dy fëmijë Arjona dhe Adri. Në shkollën shqipe “Ura” ajo kryen punën  e koordinatores, programimi i orëve të mësimit, komunikimi me institucionet shtetërore të  Kosovës e Shqipërisë në Itali, dhe kuptohet ndihmon në çastin kur ndonjë nga mësueset  mungon.  

Filed Under: Politike Tagged With: blerina lika, Sokol Paja

Kryeministri Kurti në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare

March 6, 2023 by s p

Prekaz, 6 mars 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu, Kryetarin e Kuvendi, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke kujtuar sulmet në Prekaz dhe pas nderimit që iu bë familjes Jashari për flijimin dhe sakrificën sublime për shtetin e Kosovës, kryeministri Kurti tha se para 25-vjetëve, tre breza të Jasharajve luftuan tri ditë rresht, për çdo minutë në betejë këtu në Prekaz me mijëra forca policore të Serbisë, që e kishin rrethuar kullën e shtëpinë e Jasharajve në mënyrë të shumëfishtë, me ç‘rast, të udhëhequr nga kryekomandanti Adem Jashari, ranë heroikisht gjithsej 59 veta.

Kryeministri Kurti e quajti Prekazin kryeqytet të kryengritjes dhe tha se kthehen e rikthehen aty për ta kujtuar e përkujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i dha hovin vendimtar UÇK-së dhe më pas mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë.

“Sot, ndërtojmë institucione demokratike, bëjmë zhvillim ekonomik, pa harruar asnjëherë se kujt ia kemi borxh këtë liri e këtë mundësi, që të ecim përpara”, u shpreh kryeministri Kurti.

Pas homazheve te varrezat, kryeministri Kurti së bashku me presidenten Osmani dhe kryekuvendarin Konjufca, anëtarë të kabinetit qeverisës dhe përfaqësues tjerë të kuvendit, vizituan odën e Jasharajave, ku u pritën nga kryefamiljari Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jasharit. Aty, me këtë rast, presidentja e vendit i ndau Rifat Jasharit medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Deklarata e plotë e Kryeministrit Kurti:

Para 25-vjetëve, tre breza të Jasharajve luftuan tri ditë rresht, për çdo minutë në betejë këtu në Prekaz me mijëra forca policore të Serbisë, që e kishin rrethuar kullën e shtëpinë e Jasharajve në mënyrë të shumëfishtë, me ç’rast, të udhëhequr nga kryekomandanti Adem Jashari, ranë heroikisht gjithsej 59 veta.

Ne kthehemi e rikthehemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare këtu në Prekaz për ta kujtuar e përkujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i dha hovin vendimtar UÇK-së dhe më pas mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë.

Sot, ndërtojmë institucione demokratike, bëjmë zhvillim ekonomik, pa harruar asnjëherë se kujt ia kemi borxh këtë liri e këtë mundësi, që të ecim përpara.

Gratë e burrat, pleqtë e të rinjtë e fëmijët e Jasharajve i kujtojmë me mall, me pikëllim e me dhembje, por edhe me krenari, dashuri e admirim.

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Filed Under: Politike

Goditje për pluralizmin dhe demokracinë

March 3, 2023 by s p

Sokol Paja/

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Tiranë rreth situatës në Partinë Demokratike në Shqipëri është një vendim kritik për demokracinë, pluralizmin dhe kohezionin politik në Shqipëri. Në një kohë që shqiptarët presin një opozitë të fortë dhe të bashkuar për të luftuar të keqen që i qeveris prej afro një dekade, ky vendim gjyqësor shkatërron në themel juridiksionin mbi partitë politike dhe veprimtarinë e lire të partive politike në një shoqëri e shtet demokratik. Ky vendim gjykate përbën një ditë të keqe për drejtësinë dhe demokracinë në Shqipëri. Padrejtësisht opozita dënohet nga një gjykatë që çështjen lehtësisht mund ta kishte gjykuar muaj më parë. Loja gjyqësore me rishqyrtim në shkallën e parë të çështjes nuk bën asgjë tjetër veçse i zgjat jetën keqqeverisjes në pushtet, korrupsionit, gjynjëzimit të shtetit para krimit, shpopullimit të Shqipërisë, varfërisë së Shqipërisë e shqiptarëve dhe mbi të gjitha shkatërron pluralizmin politik në Shqipëri. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit në Tiranë është shkatërrues për opozitën pasi vjen në kufijtë e skadimit të afatit ligjor për t’ua regjistruar si subjekt politik në Zgjedhjet Lokale të 14 Majit. Të pengosh opozitën të regjistrohet në zgjedhje është minim i demokracisë. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për një opozitë gjithëpërfshirëse, të fuqishme, konkuruese, të bashkuar me alternativa e zgjidhje që përmirësojnë jetesën e shqiptarëve, kthejnë sundimin e ligjit, garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha ndalin plagën kombëtare të shpopullimit të Shqipërisë. Opozita është mision, është ndërgjegja morale e kombit, është oksigjen i demokracisë.  

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

“Zëri i Amerikës”: Tiranë, opozita në protestë, në Apel procesi për “vulën” e PD

March 3, 2023 by s p


Protesta e opozitës në Tiranë
Protesta e opozitës në Tiranë

Zeri i Amerikes: https://www.zeriamerikes.com/a/6988204.html

Në Shqipëri, opozita nisi pas mesditës protestën e radhës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa në Gjykatën e Apelit po zhvillohet seanca e procesit gjyqësor që do të përcaktojë juridikisht se cilat janë strukturat udhëheqëse të Partisë Demokratike. Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga zoti Lulzim Basha. Por ndaj këtij vendimi u bë ankimim nga kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj.

Qëndrimi i sotëm i Gjykatës, do të jetë përcaktues për të qartësuar se cili nga dy grupimet e Partisë Demokratike, do të përfaqësohet me siglën e kësaj force politike, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Nëse Gjykata nuk do të shprehet sot me vendim, atëherë me gjasë, do të jetë grupimi i udhëhequr nga zoti Alibeaj, që do të përfshihet në garën elektorale, si Partia Demokratike, ndërsa zotit Berisha do t’i duhet të gjejë një alternativë tjetër, siç ndodhi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, kur kandidatët e tij, garuan nën siglat e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” e rregjistruar nga LSI dhe Partia Demokristiane. Afati për rregjistrimin e forcave politike garuese në zgjedhje skadon më 6 mars.

Zoti Berisha është shprehur se protesta e sotme nuk ka lidhje me procesin në gjykatën e Apelit, ku sipas tij nuk ka asnjë bazë ligjore për të njohur si palë zotin Alibeaj. Ai ka deklaruar se opozita ka nisur një “revolucion demokratik paqësor” pasi sipas tij “nuk ka rrugë tjetër për përmbysjen e kësaj kufome politike që quhet Edi Rama, i cili ka arritur në një stad, që përbën rrezik real për çdo shqiptar”.

Edhe gjatë protestës së sotme, ku morën pjesë disa mijëra mbështetës të opozitës, zoti Berisha theksoi se “qëllimi i revolucionit është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve. Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale”, deklaroi ai, duke ju drejtuar me një thirrje të gjitha shtresave të shoqërisë që t’i bashkohen atij.

Edhe ish presidenti Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë, u shpreh se zoti Rama “nuk ka më asnjë justifikim, se kush ja ka fajin për këtë shkatërrim që i bëri shtetit, për këtë shkatërrim që i bëri shoqërisë sonë, për këtë shkatërrim që i bëri shumë familjeve shqiptare, me plagët më të rënda sociale… Ndaj të gjithë së bashku të vazhdojmë në rrugën tonë, protesta dhe zgjedhje, zgjedhje dhe protesta”, u shpreh ai.

Filed Under: Politike

Marrëveshja Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një hap të rëndësishëm…

March 2, 2023 by s p

Albin Kurti

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të dashur qytetarë të Republikës,

Jam sot para jush për t’ju informuar e raportuar për takimin e fundit të nivelit të lartë në kuadër të Dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e që siç e dimë u mbajt të hënën e kësaj jave, pra me 27 shkurt. Takimi ishte ftuar zyrtarisht nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell me dy pika të agjendës. E para, formalizimin e pranimit të Marrëveshjes Bazë të propozuar nga Bashkimi Evropian, e të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, e dyta, fillimin e diskutimeve për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Më lejoni të theksoj që shpeshherë ka një keqkuptim sa i përket këtyre dy dokumenteve. BE-ja e ka propozuar zyrtarisht vetëm një dokument, Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Plani i zbatimit do të duhet të negociohet, dhe negociatat për të nuk kanë filluar ende.

Në takimin e nivelit të lartë të datës 27 shkurt, isha pjesëmarrës në dy lloj takimeve. Fillimisht, bilateral, me Përfaqësuesin Borrell dhe Lehtësuesin Lajçak, dhe, pas kësaj, në takimin trilateral ku prezent ishte edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq. Në takimin trilateral, unë i ofrova Bashkimit Evropian nënshkrimin zyrtar si kryeministër i Republikës të Marrëveshjes Bazike, të cilën do të duhej ta nënshkruante edhe Përfaqësuesi Borrell edhe presidenti Vuçiq dhe e njëjta të miratohej në një samit të Këshillit Evropian. Propozimin tim për ta nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen e refuzoi menjëherë presidenti i Serbisë. Refuzimi i tij ishte i natyrës kategorike, gjë që e bëri publike edhe ai vet pas daljes nga takimi. Më lejoni të sqaroj që qëndrimi i Përfaqësuesit Borrell, siç u tha edhe në deklarimin e tij për media, është që ky dokument nuk do të diskutohet më; pra, ka një format të finalizuar dhe për këtë arsye ai është shpallur në ueb-sajtin zyrtar të Bashkimit Evropian. Të dy palët janë pajtuar me një pozicion të tillë, por kjo nuk nënkupton që palët e kanë pranuar zyrtarisht marrëveshjen. Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dy palëve, fillimisht, sipas procedurës së kontraktimit ndërkombëtar të shteteve. Refuzimi për ta nënshkruar nga ana e Serbisë është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen, rrjedhimisht nuk kanë gatishmëri për t’i dhënë formë obligative juridike e ndërkombëtare marrëveshjes së tillë.

Më lejoni ta ripërsëris që ka një dallim të madh ndërmjet, në njërën anë, pranimit të një teksti të një marrëveshjeje si një dimension simbolik, dhe në anën tjetër, pranimit për t’i ndërmarrë obligimet juridike ndërkombëtare të saj. E para është pa asnjë pasojë juridike e politike dhe ka natyrë simbolike. E dyta ka pasoja juridike dhe politike, të gjitha në nivelin ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Serbisë e ka refuzuar të dytën, pra po refuzon ta pranojë marrëveshjen si kuadër i detyrimeve ndërkombëtare të obligueshme për palët në të drejtën ndërkombëtare. Arsyet e refuzimit të tij nuk meritojnë komentim nga ana ime, por, natyrisht, do të duhej të ishin një pikënisje mbi vlerësimin racional e utilitar të pyetjes se për kë është e favorshme një marrëveshje e tillë e për kë jo. Unë ju sugjeroj që të mos prodhoni argumente në diskursin publik që janë sa të pakuptimta edhe të dëmshme e në linjë me ata që e kundërshtojnë marrëveshjen në shtetin fqinj tonë verior. Ata që thonë që kjo marrëveshje nuk ka njohje de facto e kanë barrën e provës të faktojnë se pse atëherë atë e refuzoi me nënshkrim zyrtar të saj presidenti i Serbisë; ata që thonë që kjo marrëveshje nuk është e përqendruar në rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura, duhet të mendojnë se pse atëherë presidenti i Serbisë e konsideron nënshkrimin e saj si shkelje e ‘vijave të tij të kuqe’?!

Më lejoni të ju them që Marrëveshja Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme, ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve të pavarura. Ajo bazohet në parimin e barazisë së sovranëve, respektin për integritetin territorial, pavarësinë, heqjen dorë nga pengesat për anëtarësim të Republikës sonë në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin e misioneve diplomatike përmes ambasadorëve të rangut të plotëfuqishëm, njohjen e simboleve shtetërore, të pasaportave, e kështu me radhë. Marrëveshja mundëson një projekt paqeje e cila e sekuencon në kohë dhe e shndërron në një obligim ligjor arritjen e një marrëveshjeje finale. Marrëveshja i hap rrugë Republikës sonë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare, me e rëndësishmja përmes pranimit të kapacitetit ligjor për t’u anëtarësuar në NATO dhe nënshkrimin e një Partneriteti për Paqe me NATO-n ku për herë të parë Ushtria e Kosovës shndërrohet në aleat, partner shtetëror të NATO-s, anëtarësimin në dhjetëra konventa ndërkombëtare, statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e kështu me radhë.

Në anën tjetër kam vërejtur që ka edhe shumë keqkuptime e informacione të pavërteta në lidhje me disa nga pikat e marrëveshjes. Më lejoni të ritheksoj që premisa bazë e imja si kryeministër është që nuk do të lejoja të negocioja asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues e ligjor të Republikës, apo diçka që synon territorializimin, mono-etnicitetin apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Asnjë nga këto, asnjëherë. Gabimet politike, historike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, përkundrazi do të bëj përpjekje maksimale që ato gabime politike, historike të qeverive të kaluara t’i eliminoj, apo së paku t’i reduktoj substancialisht që të mos jenë pengesë për karakterin e qëndrueshëm demokratik e unitar të Republikës sonë. Shumë detaje nuk mund t’i them, por mendja e shëndoshë e ka të lehtë t’i kuptojë ato nga një lexim i thjeshtë i veprimeve dhe teksteve që i kam pranuar.

Në këtë pikë, psh. me lejoni të theksoj që i vetmi nen ku ka një problem në këtë Marrëveshje është ajo që lidhet me obligimet e trashëguara, e për të cilat ka një konsesus ndërkombëtar që ato duhen zbatuar. Ajo është pika 10 e Marrëveshjes, neni 10 i Marrëveshjes, në fjalinë e fundit të tij, e cila e përmban normën që ‘të gjitha’ marrëveshjet e Brukselit duhet zbatuar.

Megjithatë, këtë ju duhet ta kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë, dhe paqartësisë që e shoqëron tërësinë, e jo si diçka të veçantë ndaj një elementi të një marrëveshjeje, natyrisht që e kam fjalën këtu për marrëveshjen Thaçi-Daçiq të vitit 19 prillit 2013, të ratifikuar në këtë Kuvend me mbi 80 vota, e të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq të 25 gushtit 2015 mbi Asociacionin. Pra, Marrëveshja Bazë nuk i veçon elementet por i vendos ato në një normë të tipit ‘kategori’; dmth unë e kam pranuar që ekziston një ‘thes me marrëveshje’, dhe për t’i zbatuar rreth 40 marrëveshje njëherë duhet të sigurohemi që ato do të zbatohen sipas rrjedhjes së tyre kohore, e gjithashtu, vetëm ato për të cilat ka një autorizim kushtetues e ligjor në Republikën tonë për t’i zbatuar. Prandaj edhe kur thuhet që duhet të zbatohen lexojeni fjalinë deri në fund sepse nuk thotë që vetëm duhet të zbatohen. Nëse më pyesni a duhet zbatuar ato që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen sepse janë ratifikuar e miratuar nga qeveritë e legjislaturat e mëhershme, përgjigjja ime është PO POR vetëm nëse zbatohen të gjitha dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese e ligjore të Republikës sonë, duke respektuar demokracinë, barazinë, të drejtat e njeriut e simetrinë. Nuk lejoj përjashtime, veçime apo fokusime në një. Kaq mund të them për këtë pikë tash për tash.

Më lejoni t’ju garantoj gjithashtu që asgjë e re, e cila nuk ka qenë e pranuar katërcipërisht në marrëveshjet e kaluara nuk do të pranohej, nuk është negociuar, dhe nuk është përfshirë në Marrëveshjen Bazike. Të gjithë ata që thonë se ne paskemi pranuar një element të ri në Marrëveshjen Bazike janë të keqinformuar, ose ju mungon racionaliteti në vlerësim. Nëse do të flisja më shumë do ta dëmtoja pozicionin negociator të Qeverisë sonë.

Për fund, më lejoni të theksoj që Qeveria ime është e gatshme të shkojë në çdo takim të nivelit të lartë të ftuar nga Përfaqësuesi Borrell, dhe një gjë të tillë do ta bëjë edhe për takimin e radhës në qytetin e Ohrit ku, për koincidencë, ka një marrëveshje për pajtim që bazohet në standardet dhe udhëheqjen e Bashkimit Evropian e mbi të cilën premisë mbase në gjashtë shtetet në Ballkanin Perëndimor edhe do të mund e do të duhej të krijonim reciprocitet.

Po i adresoj edhe dy gjëra të rëndësishme që edhe sot këtu, por edhe këto ditë janë ngritur.

Sa i përket qëndrimit që ‘overcome the past’ është falje e krimeve të Serbisë, ose është braktisje e ballafaqimit më të kaluarën. Më lejoni të theksoj që ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë. Një ndër insistimet kryesore të mia ka qenë që një marrëveshje bazike pa elementin e drejtësisë tranzicionale nuk mund e as nuk guxon të bëhet. Nocioni ‘overcome the past’ përbën, përkundrazi, një detyrim për palët që të adresojnë të kaluarën e jo ta harrojnë atë. Përndryshe, do të titullohej ‘forget the past’ ose ‘disregard the past’. Nocioni ‘overcome the past’ është konceptualisht dhe literalisht, në origjinal, i quajtur gjermanisht ‘vergangenheitsbewältigung’ e i cili përbën metodën gjermane të të adresuarit të drejtësisë tranzicionale pas luftës së dytë botërore. Ky është koncepti. Ai bazohet në një sistem të drejtësisë tranzicionale që ka për qëllim ta thotë të vërtetën për të kaluarën, ta luftojë revizionizmin e së vërtetës, dhe t’i ndjekë e t’i dënojë ata që kishin përgjegjësi për të kaluarën. Pra, jo që Marrëveshja Bazike nuk amniston e as nuk fal asgjë, por, përkundrazi, ka për qëllim të adresojë të kaluarën përmes mjeteve të civilizuara që kanë për qëllim luftën ndaj kriminelëve që kanë kryer krime lufte, theksimin e së vërtetës, mbrojtjen e narracionit të viktimave, dhe edukimin e brezave të rinj mbi bazën e drejtësisë për të kaluarën. Kjo jo që nuk është harresë, e as tejkalim i së kaluarës, por theksim i saj dhe ndërtim i së ardhmes duke e adresuar të kaluarën përmes përgjegjësisë shtetërore-juridike, morale e kulturore. Dhe, le ta ritheksoj që tekstet që i kemi tash për tash janë vetëm në anglisht edhe atyre do të ju përmbahemi. Tekstet do të përkthehen në fund, njëherë dakordohemi për tekstet në anglisht siç janë. Pra, kjo është sa i përket ballafaqimit me të kaluarën.

Tjetra, është keqleximi sa i përket çështjes së statusit. E dëgjova deputetin Abdixhiku, ai tha që është hapur çështja e statusit ose që është neutrale. Së pari më lejoni të ua tregoj kontekstin dhe çfarë saktësisht po shkruan se duhet të lexoni me përpikëri. Para katër vjetëve ish Presidenti Trump i ka dërguar letër ish Presidentit Thaçi ku e ka përdorur togfjalëshin “njohje reciproke“. Para dy vjetëve, këtë e ka bërë Presidenti aktual Biden, “njohje reciproke“. Shtrohet pyetja pse ata nuk kanë thënë njohja e Kosovës nga Serbia por “njohja reciproke“? Sepse në thelb nuk mund ta njohësh një shtet që nuk të njeh pa u nënshtruar në riokupim. Rrjedhimisht, të dy Presidentët neve na kanë treguar që aktualisht e kemi gjendjen e një mosnjohje reciproke, dhe nga mosnjohja reciproke ne duhet të kalojmë në njohje reciproke. Përndryshe, ata do të shkruanin duke thënë Serbia ta njeh Kosovën dhe kaq. Dhe, këtu nëse e vëreni në fjalinë e katërt të preambulës thuhet “including on the status questions”, çështjet jo çështjen siç tha deputeti Abdixhiku. Çështjet, pse? Sepse qysh në takimin e parë kur kam qenë në Bruksel me Presidentin Vuçiq te zyra e Borrelit, në mes të qershorit të vitit 2021, unë kam thënë “Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë”, qysh në fillim. Ai tha Serbia nuk e njeh Kosovën. Unë thashë “Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë”, në përputhje me dy letrat e dy presidentëve amerikanë, mosnjohja reciproke. Tash këtu keni “status questions”, a e dini pse? Faktorët ndërkombëtarë e dinë shumë mirë që nuk është në pyetje pavarësia e Kosovës , por në thelb kushtetuta konfliktuoze është ajo e Serbisë. Nëse ka ndonjë shtet në Ballkanin Perëndimor që e ka statusin e pacaktuar është pikërisht Serbia. Unë atë Kushtetutë se pranoj dot, sepse në fjalinë e dytë të premabulës Kushtetuta e Serbisë thotë që “Kosova është pjesë integrale e Serbisë“. Unë nuk mund ta pranoj atë. Pra, nga mosnjohja reciproke duhet të kalojmë në njohjen reciproke. Ata e kanë dëgjuar Serbinë duke thënë që se njeh Kosovën por e kanë dëgjuar edhe Kosovën duke thënë që nuk e njeh Serbinë. Prandaj e keni “status questions”, plural, shumës deputeti Abdixhiku. Mos thuaj çështja, çështjet, pyetjet. Është shumës. Nuk është “status question”.

Dhe, çështja e fundit është sa i përket nenit 7.

Nga pikëpamja ime, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si marrëveshje e trashëguar nga vitet 2013 dhe 2015 është në nenin 10. Në nenin 7 flitet për komunitetin serb, i cili nëse nuk jam gabim përmendet mbi 10 herë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe kategorikisht janë dy gjëra të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në Planin e Ahtisarit, edhe një duzinë herësh përmendet në Kushtetutën e Republikës.

Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet garantuar “në përputhje”, po e ritheksoj, “në përputhje“ me konventat e Këshillit të Evropës. E vetmja konventë e Këshillit të Evropës që rregullon aspekte të të drejtave të komuniteteve jo-shumicë është Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave, e cila tashmë është pjesë e Kushtetutës së Kosovës (neni 22). Nuk ka konventë tjetër. Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetë-menaxhim i tillë është ajo që tashmë Kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor nuk ka asnjë referencë specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetë-menaxhim i tillë, përderisa tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës. E kjo pra nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i i respektit për të drejtat individuale (joterritoriale) të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre. Pra, këtu nuk kam dhënë asgjë: ajo që kam premtuar e pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas nenit 22 të Kushtetutës, e cila e ka pjesë të saj Konventën Kornizë. Kushdo që thotë që kjo është një përbërës shtesë, apo që nënkupton diçka shtesë, e ka gabim ose kështu rezonojnë në fqinjin tonë verior armik. Një komunitet siç është ai serb – e komuniteti serb është komunitet që njihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës – nënkupton një dimension social, jo-territorial, jo-institucional dhe jo-politik, të një tërësie të individëve. Nuk ka komunitet pa individ, por individët mund të bëhen komunitet social, jo-territorial, jo-institucional, jo-politik. Konventa Kornizë ka subjekt individët, që janë pjesë e grupeve minoritare, dhe ashtu është kuptimi edhe i nenit 7 të Marrëveshjes Bazike. Pra, nuk ka asgjë më shumë sesa që tashmë ekziston: do me thënë, neni 22 i Kushtetutës dhe e gjithë ajo që është pjesë e nenit 22 të Kushtetutës është referencë për të drejtat individuale të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, e njëri prej tyre është natyrisht edhe ai serb. Do me thënë njohje të të drejtave të njeriut që janë të natyrshme në një demokraci liberale, siç është e drejta në gjuhë, në arsim në gjuhën e tij/saj, e drejta për t’u punësuar pa diskriminim, e të tjera, për anëtarët e komunitetit serb, gjë që është tashmë garancion kushtetues e ligjor në shtetin tonë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë
  • HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT