• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prezantohet Agjenda shtetërore për shënimin e 15- vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Manifestimit të 25- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

February 9, 2023 by s p

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku prezantuan në një konferencë për media, Agjendën shtetërore për shënimin e 15- vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Manifestimit të 25- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendëskryeministri Bislimi tha se 25- vjetori i Epopesë dhe 15- vjetori i Pavarësisë, janë festa jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë. ‘’Jasharët i vunë gurët e themelit, firmëtarët i ngritën shtyllat me Pavarësinë, e neve që vijmë më pas e kemi për detyrë të ngremë muret e Kosovës si vend i qytetëruar, demokratik, punëtor, ku avancon kultura dhe ekonomia.’’ tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Qeveria e Republikës së Kosovës, po përkujdeset që të kemi një program të begatë dhe të denjë për këto data.

Më poshtë, fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit që keni gjetur kohën të jeni këtu,

I nderuari ministër Çeku,

25 vite më parë gurthemeli i Kosovës tonë u vendos në Prekaz, me zemrat e zjarrta të Jasharëve që u flijuan për liri. Nuk kishte mundësi tjetër. Dekadat e shtypjes ishin edhe dekada e rezistencës, të lara me gjakun e dëshmorëve e martirëve tanë. Prandaj, Jasharët që e nisën epopenë nuk ishin as të papritur e as të çuditshëm. Por ishin përfundimi logjik i përballjes së rezistencës me pushtimin, ishin fillimi i fitores.

E 15 vite më parë në Prishtinë u ngritën shtyllat e Kosovës tonë, me pavarësinë dhe me kushtetutën republikane e parlamentare. Deputetët e asaj legjislature dhe firmëtarët e pavarësisë, do të mbeten në histori, sepse Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm.

Sivjet, e kemi një vit jubilar. Është 25 vjetori i Epopesë dhe 15 vjetori i Pavarësisë. Festa këto jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë. Jasharët i vunë gurët e themelit, firmëtarët i ngritën shtyllat me Pavarësinë, e neve që vijmë më pas e kemi për detyrë të ngremë muret e Kosovës si vend i qytetëruar, demokratik, punëtor, ku avancon kultura dhe ekonomia. Rilindasi Sami Frashëri njëherë ka thënë “Liria është thelb i shpirtit dhe i mendjes”.

Meqenëse këtë vit do të shënojmë përvjetorin jubilar të 17 shkurtit dhe 5, 6 dhe 7 marsit, Qeveria e Republikës së Kosovës, po përkujdeset që të kemi një program të begatë dhe të denjë për këto data. Me vendim të Kryeministrit Kurti, me 13 dhjetor është caktuar Këshilli Organizativ për shënimin e këtyre dy datave dhe mua më është besuar kryesimi i tij. Ndërsa bashkëkryesues dhe përgjegjës për barrën kryesore të punës u caktua ministri Çeku.

Anëtarë të Këshillit Organizativ, u caktuan edhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, ministrat Mehaj, Nagavci, Murati, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, përfaqësuesja nga Presidenca e Republikës së Kosovës, znj. Donjeta Miftari, komandanti i FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari dhe drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, z. Shkumbin Ahmetxhekaj.

Më vonë, Këshillit i janë bashkangjitur edhe ministri Sveçla dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, z. Muhamet Bilalli. Që nga muaji dhjetor, Këshilli ka zhvilluar takime dhe ka caktuar grupin punues të nivelit teknik ku dhe është punuar plani 30 ditor, i mbushur me aktivitete të lloj-llojshme të cilat do zhvillohen jo vetëm në Kosovë, por edhe gjithandej botës.

Filed Under: Politike

Rusia-2023, fillimi i fundit të Ariut të rraskapitur!

February 9, 2023 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Në kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit & NATO-s, kam ndjekur me përgjegjësi shtesë 350 ditë luftime në fushbetejën e Ukrainës: “10-ra konferenca të Këshillit të Atlantikut, Institutit të Luftës në WDC, panele me Ekpertë/personalitete të sigurisë në Washington, Bruksel, Qëndrën Marshall, Gjermani, Londër, Paris, Kolegjin e NATO-s Romë, etj”. Në shtesë të dhjetra publikimeve me fokus këtë subjekt, po paraqes një përmbledhje strategjike rreth 2022 si dhe pritshmëritë për 2023.
I. Rreth 78 vite mbas fitores mbi nazifashizmin si dhe 32 vite mbas rrëzimit të murit të Berlinit dhe kur kampi lindor me në krye BRSS “u shkërrmoq në paqe”, lufta si koncept si dhe agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të një vendi sovran, pothuaj kishin dalë “jasht mode” nga doktrinat ushtarake, terminologjia e Institucioneve shtetërore, Instituteve, Akademive të sigurisë globale, rajonale, kombëtare, etj.
Prandaj viti 2022 do të skalitet në memorjen e historisë së njerëzimit si viti i riciklimit të ndërmarrjes kriminale të luftës në Europë. Mbas përfundimit të luftës II-të botërore në 8 Maj 1945, më 24 shkurt 2024, regjimi Putinit j’u rikthye përqasjes neo-naziste të ndryshimit të kufijve shtetërore, statuskuosë, hartës dhe balancave gjeopolitike nëpërmjet agresionit ushtarak ose fuqisë së armëve vrastare.
Luftën nuk e bëjnë armët por njërzit me mendje të deformuar. Prandaj duhet ri-theksuar fortë se edhe kjo luftë nuk është kurrësesi mes popullit Rus dhe Ukrainas, por kundër të keqes së përbashkët dhe oshilacione staliniste të Putinit.
Makineria ushtarake e Putinit e nisi agresionin, me konceptet e vjetra; nxorri nga depot armatime dhe paisje ushtarake të ndyshkura; me vlerësime euforike të inteligjencës, me objektiva dhe pritshmëri perandorake (nënkupto ëndrra paranojake) por rezultoi e humbur, e rraskapitur, e izoluar dhe e diskredituar në fund të vitit 2022.
Kështu pasi, përgjatë 2022 Rusia humbi 40% të teritoreve të pushtuara (përfshi Kherson-in e shpallur si pjesë të Mëmës-Rusi), la në fushëbetejë 120 mijë të vrarë, kostoja financiare e kaloi 3 Trilion Euro (2 herë më shumë së Prodhimi i Përgjithshëm Neto (PPN) për 2022 =1.7 trilion); dëshpërim të moralit të ushtrisë dhe kohezionit të kombit Rus; tërësisht e rrakapitur në humbjen e epërsisë si dhe të iniciativës strategjike!
Gjatë vitit 2022, Rusia u izolua nga mbarë bota e qytetëruar: “ndër 194 vetëm 4 shtete terroriste njohën fillimin e kësaj aventure neo-naziste; për shkak të kësaj lufte rrezikon përjashtimin nga 5-shja vendimarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB dhe në mos herët jo shumë vonë, Putini dhe Gjeneralët e tij do të përgjigjen për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare.
Ndërsa për edhe më keq, Putinin e refuzojnë t’i japin dorën edhe leaderët autokrat të Azis Ju-lindore dhe aleat tradicional të Rusisë. I kanë mbetur aleat vëtëm regjimet terroriste Irani, Korea e Veriut, apo së fundmi Junta e Malit, pas masakrave të së cilëve jo rastësisht janë mercenarët Wagner të Putinit (të njejtët në Ukrainë)!
Gjatë vitit 2022, Rusia-Putiniste i humbi betejat për të testuar kohezionin mes 30 vendeve të NATO-s duke kërcënuar edhe me “gazin si armë gjeopolitike”; për të sfiduar rendin global të sigurisë, kufijtë gjeopolitike dhe interesat Euroatlatike. Në të kundërt, mbi 30 miliard € armatim dhe pajisje ushtarake moderne, flasin fort për kohezionin e përforcuar dhe mbështetjen kritike të Alancës Transatlantike.
Gjatë vitit 2022, Rusia (keq) dështoi në shpresën dhe përpjekjet për të hapur një front të ri lufte duke frymëzuar grupet kriminale, axhendën e pushtetarëve të korruptuar dhe ekstrenistët e tipit Dodik në Ballkan apo duke ricikluar oshilacionet e Millosheviçit në Beograd për të kërcënuar me agresion ushtarak ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës si dhe ndaj prezencës së NATO/KFOR (mbas marrëveshjes ushtarake të Kumanovës – 06/1999).
Nga ana tjetër, agresioni i Rusisë-Putiniste ndaj sivranitetit të Ukrainës i dha një mësim të madh mbarë njerëzimit pasi konfirmoi se paqja nuk është një dhuratë e përjetshme. Thënë këtë shpresoj që kjo luftë do të ulëras si sirenë alarmi për të mbajtur zgjuar Institucionin e mos-haresës së krimeve të luftës si dhe mesazhit të 6 milion martirëve (jo viktimave !) hebrenj të Holokaustit “kurrë mos harroni = never forget”.
Viti 2022 konfirmoi se agresioni ushtarak i Rusisë-Putiniste, nuk është i adresuar vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por siç e nënvizoi Presidenti Ukrainës Zelensky në fjalën e tij historike në Kongresin Amerikan: “mbetet një kërcenim serioz ndaj rendit global të sigurisë ndaj kufijve të demokracisë, vlerave perendimore interesave Euroatlantike (USA/NATO/BE)”!
Në përmbledhje, fundi 2022 ishte vetëm fillimi drejt humbjes turpëruese që e pret Rusinë -Putiniste gjatë 2023 për pushtimin e Ukrainës si dhe e diskretitimit të luftës neo-naziste në përballjen me fuqinë e vlerave demokratike, fuqinë ushtarake, forcën e kohezionit dhe solidaritetit të Aleancës Transatlantike.
II. Vitin 2023, Rusia-Putiniste e ka nisur me një përpjekje të dëshpëruar të ariut të rraskapitur ose e bishës së plagosur rëndë në një vit luftime. Ajo ka shpallur fushatën e hakmarrjes së madhe kundër Ukrainës dhe perëndimit. Edhe pse mund të arrijë disa objektiva operacionale në terren, por e parë në kontekstin e oshilacioneve të humbësve, do të përfundojë si përpjekje kamikaze, e ngjashme me atë të Hitlerit në Prill 1945, i cili në fundin e tij shpalli mobilizimin edhe të mbi 10 vjeçareve, duke e marrë zvarr kombin Gjerman në një avendure vetëvrasëse.
Ukraina për 2023 po/do përballet me heroizëm për të mbrojtur territoret e rimarra, për të mbajtur inisjativën strategjike dhe për të vijuar mësymjen deri në ri-kthimin e statuskuosë së Krimesë para 2014.
Gjithësesi, të gjithë e panojmë se fati i luftës është i ndërlidhur nga mbështetja e USA/NATO, etj me armatime moderne (sa më shpejt edhe më mirë). Prandaj në konferencën ekonimike të Davozit, liderët e mbarë botës e ritheksuan fortë se: “vetëm kohezioni i botës demokratike si dhe mbështetja me armët moderne do të sigurojë fitoren përfundimtare të luftës nga ana e Ukrainës”.
Kështu me nisjen e vitit 2023, SHBA, UK, Gjermania, etj kanë konfirmuar dërgimin e tankeve (Abrams, Challenger & Leopard 2/1) të gjeneratës se fundit, të cilët do të vendosin fatin e luftës në tokë (fillimisht 140 tanke, ndërsa paketa e plotë 350). E tmerruar nga supermacia në manovër dhe fuqinë e zjarrit të tankeve të perëndimit, Kremlini po përdor deri qasje të bandave terroriste si p.sh duke stimuluar ushtarët me 70.000 € për çdo tank Leopard, etj!
Gjithësesi duhet thënë se ka befasuar Greqia që edhe pse zotëron rreth 350 Leopard2 dhe 500 Leopard1, ka konfirmuar se nuk do tu bashkohet 12 vendeve të NATO-s për të dërguar tanke në Ukrainë. Ndërsa shumë keq është pritur edhe qëndrimi “cinik” i Presidentit të Kroacisë në raport me qasjen e Zagrebit Zyrtar ndaj pavarësisë së Kosovës apo luftës në Ukrainë ..?!
E lexuar si kosto financiare, paketa e mbështetjes e USA dhe vendeve të NATO-s (sisteme Patriot, Dronë,Tanke të gjeneratës së fundit, etj) shkon me shumë se 70 miliard €. Ndërsa para 3 ditësh, Liderët e BE në Samitin hisorik të Kiev-it, konfirmuan që ndihma financiare gjatë 2023 do të jetë 18 miliardë €, pa përfshirë mbi 7 miliard € nga Norvegjia. Pra në total lufta apo për më mirë, fitorja e Ukrainës do të mbështetet nga perëndimi me rreth 100 miliard € për vitin 2023.
Nga ana tjetër, shifrat e jashtëzakonshme financiare flasin për vëndosmërinë e perëndimit deri në fitoren e Ukrainës. Ndërkohë që është konfirmuar edhe mbështetja për anëtarësimin në BE dhe në NATO, siç i konfirmoi BBC, ish-Kryetari Komitetit Ushtarak të NATOs, Presidenti i sapo zgjedhur i Çekisë Gjeneral ® Pitr Pavel.
Por dilemat për fundin e luftës dhe përkujdesje e shtuar janë rrjedhojë e armëve bërthamore që trashëgon Rusia (5977 njësi kundrejt 5428 USA; 290 Franca; 225 UK) me të cilat kërcënon se do “ti bëjë gjëmën qytetërimit”. Por gjykoj se “nëse do të guxonte” Rusia do të listohej si “shtet terrorist” dhe do të ndëshkohej/t në mënyrë shëmbullore nga USA/NATO, ndërsa Putinistët si nazistët do gjykoheshin: “për krime kundër njerëzimit” !
Duke e lexuar këtë përmbledhje me “sytë” e kolegëve në Washington, Bruksel, Londër, etj vijojmë ende të besojmë fort, që “2023 është fillimi i fundit të Ariut të plagosur shumë rëndë nga përballja me Ukrainën martire”. Po ashtu, gjatë vitit 2023 Rusia do të gjynjëzohet e diskretituar edhe në përballjen me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s, si dhe me kredibilitetin dhe interesat gjeopolitike të demokracisë të Aleancës Euroatlantike!
Do ishte e padrejtë të mos e përshëndesnim rolin aktiv, peshën dhe imaxhin e Republikës së Shqipërisë, si rrjedhojë e përfaqësimit krah SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB si dhe për mbështetjen e pa kushtëzuar të vendimarrjeve në NATO dhe kontributeve me shumë se modeste që RSh vijon ti japë Ukrainës.
Në shtesë, me statusin e ekpertit në peshimin e impakteve të luftës ndaj interesave të sigurisë kombëtare, do ti këshilloja faktorët shtetërorë të Tiranës Zyrtare që: “humbja e luftës, izolimi dhe diskretitimi ndërkombëtar si dhe kolapsi ekonomik që e pret Rusinë në vitin 2023, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në Rajon është një rrethanë e artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimarrjeve të mëdha me SHBA, NATO & UN si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare në Rajon, Mesdhe, etj“!
Zoti e bekoftë paqen jo vetëm në Ukrainë, fuqinē ushtarake dhe Aleancën e vlerave Transatlantike si dhe interesat kombëtare të RSh.
* Ekpert për SK, Rajonin dhe NATO,
Zv/Pesident i Këshillit të Atlantikut,
Anëtar i Bordit “Istrael House”, si dhe Ish:
Këshilltar i Presidentit të RSh & Zv/ShShPFA,
Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO.

Filed Under: Politike

Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur

February 6, 2023 by s p

Nga Harry Bajraktari/

Dita e shpalljes së padisë për zyrtarin e lartë të FBI-së, në SHBA ishte një ditë e trishtuar për Shqipërinë dhe demokracinë e saj.

Përzierja e drejtpërdrejtë apo edhe indirekte e kryeministrit Edi Rama, këshilltarëve apo të njohurve të tij në skema pagesash të paligjshme, ka bërë që Shqipëria të përflitet për keq. Emri i saj po lidhet me fjalën “korruptim” përpara opinionit amerikan, në një kohë kur ka nevojë për reklamë të mirë, për investime nga jashtë për përkrahje për çështjen e Kosovës e të tjera.

Shpallja e padisë dhe fillimi i gjyqit kundër ish-eprorit të kundërzbulimit në Zyrën e FBI-së në New York, zotit McGonigal tregon se pavarësisht të gjithave sistemi i drejtësisë në SHBA funksionon. U krye një hetim ndaj një njeriu me shumë lidhje dhe gjykata do të vendosë nëse është fajtor.

I takon tani drejtësisë shqiptare të qartësojë nga pikëpamja e ligjit shqiptar nëse zyrtarët dhe qytetarët e e Shqipërisë janë përzjerë në korrupsion dhe kanë shkelur ligjin.

Rama ka thënë publikisht që e ka pasur mik McGonigalin Nga padia del se miku i Ramës ka vendosur nën hetim një lobist të Partisë Demokratike. Gjithashtu miq të përbashkët të tyre kanë paguar deri në 225,000 dollarë zyrtarin e FBI-së.

Këto fakte vijnë erë e keqe. Kjo mund t’i kushtojë politikisht Edi Ramës në raportet e tij me Amerikën. Mirëpo, vetëm organet e hetuesisë dhe gjykatat shqiptare mund të përcaktojnë nëse është shkelur vërtet ligji shqiptar.

SHBA ka investuar prej vitesh që të reformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Tani është momenti që reforma të tregojë frytet e saj. Synimi ka qenë gjithmonë që njerëzit më të fuqishëm të mos jenë sipër ligjit. Nuk ka provë më të mirë për SPAK-un dhe Byronë e Hetimeve sesa ky rast korrupsioni që prek edhe sigurinë e Amerikës për të dëshmuar pavarësinë si rezultat i reformës.

Kjo nuk është thirrje për ta futur në burg Edi Ramën, por thirrje që organet e drejtësisë të sigurohen që ligji shqiptat nuk është shkelur si u shkel ai amerikan.

Të dy Personat A dhe B, të cituar në paditë e ngritura ndaj zotit McGonigal janë shqiptarë, një prej tyre këshilltar i kryeministrit. Çdo vend me një sistem normal drejtësie do të fillonte një hetim zyrtar formal për t’u siguruar se nga ana shqiptare nuk ka shkelje ligji. Askush nuk duhet të presë që Amerika të vrapojë mbas shkelësve të ligjit tonë. Ajo ka investuar që Shqipëria të jetë vetë e zonja të ndëshkojë korrupsionin dhe krimin në vend. Nëse nuk është ky rasti për të vepruar atëhere kur është?

Opozita shqiptare tani dyshon se edhe shpallja “non-grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha është ndikuar nga niveli i korruptimit në nivele të tilla të larta apo se hetimi i lobimit nga Partia Demokratike ka qenë i motivuar politikisht. Si mund të ekzistojë besimi pa hetime që zbulojnë natyrën e plotë të pjesëmarrjes shqiptare në këtë histori?

Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që shohim Edi Ramën, në një situatë të tillë. Disa vite më parë, një tjetër “mik” i tij, përsëri nga New Jersey, pagoi 80,000 dollarë për bileta çift, për një darkë fondmbledhëse me kandidatin për President Barack Obama. Në vend të gruas mori me vete dhe futi në darkë Edi Ramën, i cili bëri një fotografi me Obamën, të cilën e shiti si provë bashkëpunimi në fushatën e tij të zgjedhjeve në Shqipëri.

Për mënyrën se si u bë, në SHBA ishte shkelje ligji. Ligji amerikan nuk lejon kontributet nga jashtë vendit në fushatat zgjedhore. Dhënia e parave, pjesëmarrja e mbarë procesi është i hapur dhe patrullohet rreptësisht. Shqiptari në fjalë u dënua me burg, ndonëse me kusht, në 2017, kurse një amerikan që i kishte ndihmuar të dy për kontributin e paligjshëm u dënua me katër muaj burgim shtëpie. 

Gjykata u tregua në fakt shumë dorëlëshuar. Të gjithë rrezikonin disa vite burg. 

Precedenti dëshmon një prirje nga zoti Rama për të shkelur ligjin apo vepruar në skajet e tij. Kryeministri ka thënë se hetimi në SHBA mbaroi dhe kush dyshohej për shkelje ligji është paditur. Por, hetimi në SHBA nuk merret me shkeljet e ligjit shqiptar, as me abuzimin e zyrës. Këto janë prerogativë të drejtësisë shqiptare.

Kam pritur më kot këto ditë për një deklaratë nga organet e drejtësisë në Shqipëri për anën e tyre të punës, për Ramën apo për këshilltarin e tij.

Një koment nga Ambasada Amerikane gjithashtu duhej të kishte dalë në media. Ambasadorja Yuri Kim ka qenë shumë e angazhuar me drejtësinë dhe ka premtuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Tani është rasti për ta provuar këtë. 

Hetojeni Edi Ramën dhe sigurojuni që nuk ka shkelje ligji nga ana e Shqipërisë si po bën edhe SHBA nga ana e saj.

Përndryshe populli do ta humbë besimin te institucionet ende pa mbaruar mirë reforma e drejtësisë.  

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Filed Under: Politike

Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

February 6, 2023 by s p

New York, 6 Shkurt 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA shpreh ngushëllimet më të thella për jetët e humbura në tërmetin shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë dhe lutet për shërimin sa më parë të të gjithë të plagosurve. Përshpirtjet, mendimet dhe lutjet tona qëndrojnë me të gjithë të prekurit e kësaj tragjedie shkatërrimtare. Zoti ju dhashtë forcë për të kaluar këtë moment të tmerrshëm. Zemrat tona qëndrojnë krah zemrave të lënduara e shpirtrave në pikëllim.

Me dhimbje dhe pranë jush

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Politike

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), mbi marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë

February 6, 2023 by s p

Tiranë, 4 Shkurt 2023/

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) po i përcjell nga afër zhvillimet rreth dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndër-shtetërore në mes tyre.

KASH thekson se, burimi i problemeve dhe tensioneve në marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është fakti se, Serbia mban një qëndrim armiqësor dhe agresiv ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.

KASH shpreh bindjen se, normalizimi i marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është parakusht për zhvillimin normal të të dyja vendeve dhe në interes të mbarë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të bëjë të qartë se, asnjëherë nuk do të ketë marrëdhënie normale as në mes të Republikës së Shqipërisë me Republikën e Serbisë dhe as në mes të kombit shqiptar dhe atij serb, përderisa Beogradi nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Angazhimi aktiv dhe parimor i BE-së dhe SHBA-së është i domosdoshëm për të përmbyllur me sukses procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Të dy palët në dialog duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe secila palë duhet të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga dialogu.

KASH shpreh qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut duhet të trajtohen dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë.

Është shqetësues fakti se Republika e Serbisë asnjëherë nuk ka zbatuar marrëveshjen për shuarjen e strukturave të saj institucionale ilegale në Kosovë, si dhe disa marrveshje të tjera. Siç jemi dëshmitar në mënyrë të përsëritur, strukturat kriminale të drejtuara nga Serbia në Kosovë kërcënojnë paqen dhe sigurinë në veri të Republikës së Kosovës dhe ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj të gjithë banorëve të asaj pjese të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie.

Edhe më shqetësues është tolerimi e madje në disa raste edhe mirëkuptimi që qarqe dhe emisarë ndërkombëtarë tregojnë ndaj këtyre strukturave ilegale dhe sponsorëve të tyre në Beograd.

Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, KASH sjell në vëmendje se themelimi i kësaj Bashkësie ka mbetur çështje e hapur nga viti 2015 dhe kjo ka ndodhur për shkak të druajtjes së arsyeshme në Prishtinë se ai entitet mund të shndërrohet në instrument të Serbisë për të minuar sovranitetin shtetëror dhe funksionalitetin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Për të shmangur një rrezik të tillë, çdo veprim apo proces eventual lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të ketë për bazë tri parime themelore:

Së pari, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të cënojë parimet themeltare kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është sovraniteti, epërsia e kushtetutës dhe karakteri unitar i Republikës së Kosovës.

Së dyti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të jetë strukturë një-entike dhe as pushtet i ndërmjetëm në mes të nivelit qëndror dhe komunave të caktuara.

Së treti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të trajtohet e shkëputur nga marrëveshja përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende sovrane dhe të pavarura që e njohin njëra tjetrën si të tilla.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e plotë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, do të sillet si shtet i përgjegjshëm, që ruan interesat shtetërore dhe aleancat strategjike, i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe integrime Euro-Atlantike. Ndërkohë që e vlerësojmë si jo parimor dhe kundër produktiv faktin që presioni ndërkombëtar ushtrohet vetëm ndaj Kosovës dhe vetëm lidhur me një marrëveshje, nga më shumë se 30 që janë nënshkruar.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë dhe të ofrojë mbështetje pa rezervë ndaj Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të mos qëndrojnë pasive dhe indiferente ndaj proceseve historike nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës dhe populli i saj dhe që kanë ndikim afatgjatë në paqen, sigurinë dhe zhvillimet në të gjithë rajonin tonë.

https://www.albanianambassadors.al/…/keshilli-i…/
https://www.albanianambassadors.al/council-of-albanian…/

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 176
  • 177
  • 178
  • 179
  • 180
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT