• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kulti i individit” dhe zhdukja e fesë në Shqipërinë ateiste

July 18, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Metodat që përdori kulti i individit për rrafshimin e kishave dhe xhamive, feja u shpall dogmë e pushtuesve të huaj, Shqipëria në ‘67, vendi i parë ateist në botë. 

Kulti i individit, një term i lindur kryesisht nga regjimet autoritare apo totalitare, personifikon njeriun e vetëshpallur Zot, udhëheqës të shpirtit dhe të mirave materialeve, përmes gënjeshtrës dhe propagandës, ku askush tjetër nuk ka të drejtë të dalë mbi të. Një udhëheqës i tillë, i cili vesh kostumin e pushtetit të pakufijshëm, mban nën thundërr dhe errësirë popullin e tij, duke e detyruar të besojë verbërisht se ai është Zot i tyre dhe i Natyrës. Përmes propagandës, gënjeshtrës së madhe, spektaklit, tubimeve në “gjirin e popullit”, individi-udhëheqës, i detyron qytetarët e tij të adhurojnë vetëm një Zot, i cili ka zbritur në Tokë për t’i “shpëtuar” nga çdo e keqe. Partia-shtet dhe kulti i individit mban të burgosur nën pranga njeriun, i heq shumë të drejta dhe liri themelore, e mbyll në guackën e injorancës, duke ia bllokuar shtigjet e shikimit dhe shkatërruar kujtesën, e bën të besojë se udhëheqësi i tyre është i pazëvendësueshëm. Kulti i individit përdor çdo metodë barbare mbi qenien njerëzore, si skllavërimin, punën e rëndë, dogmat partiake, shtypjen, ndrydhjen, servilizmin, spiunazhin, lëvdatat, heqjen e shumë të drejtave dhe lirive, vrasjet, torturat, errësirën, bllokadën ndaj çdo informacioni të jashtëm, për të mbuluar dështimet e pushtetit, ndërsa njeriu ta ndiejë veten të paaftë dhe të pafuqishëm ndaj përrallave të udhëheqësit të vetëshpallur Zot. Metodat barbare janë përdorur si një formë mbijetese, për të siguruar pushtet absolut dhe të gjithëjetshëm. 

                    Kulti i individit, termi i cili u bë i njohur në fjalimin sekret të Nikita Hrushovit mbi Kultin e Personalitetit dhe Pasojat e tij, në vitin 1956, ka lënë pasoja të rënda edhe në demokracinë e sotme. Është një nga arsyet përse vendet ish-komuniste kanë një demokraci të brishtë dhe të pakonsoliduar, pasi kulti i individit nuk është çrrënjosur totalisht si mendësi te liderët e rinj post komunist. Madje, studiuesi Daniel Ursprung ka dhënë një këshillë shumë të qartë, se media dhe shoqëria civile në ish vendet komuniste nuk duhet të lejojnë një lider që të bëhet shumë i fuqishëm. Kulti i individit modern shpërfaqet edhe te liderët e sotëm, por media, shoqëria civile dhe vetë populli, përmes protestave, nuk duhet të lejojnë kurrsesi që lideri të tejkalojë shumë kompetenca, duke abuzuar me pushtetin. 

                      Pas rënies së perdes së hekurt në vitin 1945, në morinë e metodave të shtypjes, heqjes së lirisë së mendimit dhe veprimit, Shqipëria do të përballej edhe me censurën e lirisë fetare. Feja u shpall dogmë e pushtuesve të huaj, ndërsa më 1967, Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë. Regjimi komunist e cilësonte fenë ideologji reaksionare, mbetje e pushtuesve të huaj, që sillte vetëm prapambetje në shoqëri. Ndonëse shumë zakone fetare janë vërtet prapanike dhe shumë të fryra, njeriu ka të drejtë morale të praktikojë çdo rit fetar, ku mendon se ai ndihet mirë, por kulti i individit qëllimin e kishte diku tjetër; njeriu të besonte dhe të adhuronte vetëm individin-udhëheqës. Me moton se feja myslimane ka qenë ideologji e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologji e shovinistëve grekë dhe feja katolike, me qendër Vatikanin, ka qenë ideologji e pushtuesve italianë, regjimi nisi rrafshimin e kishave, xhamive, teqeve, ndërsa shumë klerikë që nuk iu bindën u masakruan. Fushata kundër fesë dhe institucioneve fetare u shtri në të gjithë Shqipërinë, ndërsa udhëheqësi mbante fjalime propagandistike, duke e bindur popullin ta largonte fenë edhe nga ndërgjegja e tyre. 

                     Në vitin 1945, në gjithë territorin shqiptar kishte 1127 xhami e 17 shkolla-medrese, por më 1967 u rrafshuan pothuajse të gjitha. Mbi 60 klerikë myslimanë u persekutuan, ndër ta Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Kraja, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Sabri Koçi, etj. Në vitin 1967, Shqipëria ishte i pari vend ateist në botë, ku dëshmohej edhe në Nenin 37 të Kushtetutës: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”. Ndërkohë, Neni 55 i Kodit Penal të vitit 1977, shkruante: “Agjitacioni e propaganda fashiste, antidemokratike, fetare, luftënxitëse, antisocialiste, si edhe përgatitja, përhapja ose ruajtja për përhapje e literaturës me përmbajtje të tillë për të dobësuar ose minuar shtetin e diktaturës së proletariatit, dënohet me heqje të lirisë nga tre gjer në dhjetë vjet. Kleri i qëndroi stoik ideologjisë dhe praktikave fetare, duke u përballur me metodat çnjerëzore të njerëzimit. Shumë prej tyre janë shpallur martirë, pasi nuk iu përulën regjimit, por sakrifikuan derisa dhanë edhe jetën. 

                       Shumë priftërinj e praktikuan besimin fetar në shtypjen e regjimit. Ndër ta ishte Atë Josif Papamihali, i dënuar me burg në Maliq, ku edhe humbi jetën, i përpirë nga balta. Dom Gjergj Simoni u dënua pas 9 muajve hetuesi për agjitacion e propagandë, me 10 vjet burg, të cilat i vuajti në Ballsh, Spaç e Qafë-Bari. Dom Gjergji u dënua për poezitë e tij, të cilësuara “armiqësore”. Pas vuajtjes së dënimit me burg e punë të detyruar, më 21 prill 1991, Dom Gjergji u shugurua meshtar. Vinçenc Prenushi, lindur në Shkodër më 4 shtator 1885, më 8 maj 1993 në Durrës, u shpall “Martir i Demokracisë” dhe më 5 nëntor 2016, martir i Kishës Katolike nga Papa Françesku. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. Në 1911 botoi në Sarajevë vëllimin e parë të “Visaret e kombit”, me titull “Kangë popullore gegnishte”. Përktheu gjithashtu vepra nga Dante, Ëisseman, Slenklevicz, etj. 

                        Në 1947, Vinçenc Prenushi u dënua me 20 vjet burg, nga të cilat kreu dy vjet, pasi vdiq më 19 mars 1949. Regjimet totalitare përdorin çdo formë për të mbajtur njeriun të shtypur dhe nën guackën e injorancës, pavarëisht se njeriu ka të drejtë të besojë në çdo gjë që e bën të ndihet mirë. Kulti i individit nuk duhet të lejohet kurrsesi të praktikohet në kohët moderne, pasi marrja e shumë kompetencave, e bën liderin të ndihet i superfuqishëm, ndërsa pasojat do të jenë sërish të rënda dhe të pariparueshme, ashtu siç Shqipëria e pati fatin gjatë 45 viteve të errëta të regjimit komunist.

Filed Under: Politike

ERDHËN VILSONI ME GENCIN…

July 17, 2022 by s p

Visar Zhiti/

Në 17 korrik, në mesditë, në fshatin Bërzeshtë të Librazhit, pati veprimtari mbarëkombëtare me rastin e 45 vjetorit të pushkatimit të dy poetëve, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, në natën e gjatë të diktaturës. Të ftuarit ishin nga e gjithë Shqipëria e nga diaspora në botë. 

Ngjarja bëhet gjithnjë e më madhe, ajo është pjesë e kujtesës së popullit, mësim i historisë së tij, ndërkaq dy martirët lanë si testament poezinë e tyre, pjesë e poezisë së lirisë.

Fjala e Visar Zhitit si bashkëvuajtës burgu dhe koleg i tyre në poezi, u nis nga Çikagoja, nga Amerikë dhe mbërriti në Atdhe dhe u lexua në fshatin Bërzeshtë. Është sinteza e qëllimit dhe e kumtit të veprimtarive, është si një britmë dashurie, jehona e së cilës i kalon ato gryka e male, dhe duhet të dëgjohet kudo, ta njoha bota atë tragjedi e atë qendresë krenare, është jona dhe ato xixëllima të zjarrta poezie janë dhe nderi i moralit tonë.

Fjala e shkrimtarit Visar Zhiti.

TË DASHUR VILSON BLLOSHMI DHE GENC LEKA!

Po ju drejtohem juve së pari, se ju ndjej të gjallë gjithmonë!

TË DASHUR ENRIETA, BIJA E VILSONIT, ENKELEJDA, BIJA E GENCIT,

FAMILJARË DHE TË AFËRT TË TJERË!

BASHKËFSHATARË TË BËRZESHTËS!

TË PRANISHËM TË ARDHUR NGA KUDO,

TË NDERUAR ORGANIZATORE TË SIMPOZIUMIT,

Është me shumë rëndësi ky takim dhe vendi ku mblidhet. Na kanë thirrur dy poetë, dy heronj, në truallin e tyre, te shtëpia, të denja për këtë pelegrinazh mbarëkombëtar.

Ju jemi shumë mirënjohës, së pari që bëhet kjo veprimtari, do ta quaja dhe mision, me ngjan dhe me një meshë të shenjtë, dhe faleminderit për ftesën. Për atë që ndjeva, mbase fjala më e saktë është: U trondita. Por dhe ndjeva krenari. Dy skaje që ata të dy fare mirë i bashkojnë, si poetë dhe si heronj.

Dua të përsëris atë që thoshte një poet tjetër i madh,  europian, Senator i Përjetshëm në Parlamentin Italian, Mario Luzi: Ne jemi ajo që kujtojmë.

Ne sot jemi Vilson Blloshmi dhe Genc Leka! Dhe jo vetëm ne këtu. Dhe sa më shpejt të na bashkohen të tjerë, aq më shpejt si popull do të jemi më pranë ëndrrës dhe Europës së kulturuar. 

Jemi mbledhur për të folur për poezinë e tyre. Është e shkruar me gjak si rrallë kush tjetër nëpër botë e ka një poezi kështu. 45 vjet më parë, në 17 korrik ata i pushkatoi diktatura, më e egra në të gjithë perandorinë komuniste. I zgjodhi si më të mirët, më shpirtbukurit, se ishin poetë dhe ndillnin lirinë e munguar, se përhapnin fjalën poetike, plot dhimbje, të ndaluarën, të përshpirtshmen, ishin të parakohshëm, guximtarë.

Dhe unë guxoj të them se nuk ishin të pafajshëm, siç është zakon të thuhet nëpër përkujtimoret posdiktatoriale. Jo, ishin fajtorë hyjnorë, kundër së keqes, kundër regjimit shtypës, kundër mashtrimit, realizmit socialist pa shpirt dhe atyre që i shërbyen atij, nga radhët e të cilit dolën dhe ata që bënë akt-ekspertizat e poezisë së tyre, që, qoftë dhe pa dashje, u rënditën me skuadrën e pushkatimit.  

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka dhe sivëllezërit e tyre nuk kanë poezi të pafajshme, siç duan të thonë djallëzisht. Poezitë e tyre janë me mëkate para poemave që i këndonin sistemit vrastar, diktatorit, partisë-shtet. Poezitë e tyre janë ndryshe, në fund të fundit nderojnë poezinë shqipe. Me poezitë tona i tregojmë vetes dhe botës që ne qëndruam, u munduam të ishim njerëz, kur ishte e vështirë, madje dhe poetë, kur nuk na lejohej.  

Unë kam shkruar në librat e mi si qëndruan para ekzekutimit Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, kanë dalë fakte. Qenë të pathyeshëm. Heronj mitikë. Shpirtrat e tyre nga balta e përgjakur, e rrethuar me tela me gjëmba, shkuan menjëherë ndër yje. Dhe u bënë yje për të pikuar dritë për të ardhmen, për të treguar drejtimin.

Kur më erdhi ftesa për në Bërzeshtë, po shkoja në një vend europian për të marrë pjesë në një festival botëror poezie, në Rumani, që edhe ai vend e ka vuajtur diktaturën, burgjet, por jo nga shkaku i poezisë dhe atje nuk ka poetë të pushkatuar…  

Shkova që ta çoja poezinë tonë atje, nga ferri në lartësitë e saj olimpike. Kur shikoja poetët e mbledhur nga bota, të rinj, të moshuar, gra të bukura, mungonte poeti i Ukrainës nga shkau i luftës, më shfaqeshin mes tyre fytyrat e Vilsonit e të Gencit… por dhe të  Dom Lazër Shantoja, i pushkatuari i parë i  klerit katolik ashtu siç pushkatuan dhe Baba Ali Tomorin, bektashian, të dy poetë, m’u nepërmend dhe rebeli Trifon Xhagjika, më jepni një top t’i bie sistemit tuaj, thirri ai në gjyq, apo Havzi Nela, me të cilin isha në burgun e Spaçit, i varuri i fundit në të gjithë perandorinë komuniste.

Në burg kam njohur dhe vëllain e tyre, Bedri Blloshmin, qëndrestar, shkëmb, në Amerikë, në New York kam takuar një Blloshmi të ri, Ilir, dua të them se janë fis rrënjë-fortë, të përhapur tashmë. Madje historiani Ago Agaj, në një libër të tij, i nxjerr si pasardhës të atij që serbët e quajtën Milosh Kopiliq, atentatorit shqiptar të Sulltan Muratit të Parë në betejën e Kosovës në 1389.

Unë kam njohur dhe djalin e lirikut Genc Leka, edhe të motrën. Kam qenë nxënës, kur vajta në shtëpinë e saj në Lushnjë, ishte gruaja e një mësuesi tonin, banonin ku fillonte zona e internimeve, na mbajtën në drekën e përmortshme…

Nuk i dija ata. Por emrat e tyre tani, Vilson dhe Genc, kumbojnë si në një baladë europiane, ia thashë dhe poetit Sadik Bejko këtë dhe ai i vuri si titull të librit që shkruajti për ta, me aq vlera dhe rëndësi. Edhe bashkëvuajtësi ynë, shkrimtari Zyhdi Morva kishte botuar një roman për ta. Etj, etj.

Në festivalin botëror të poezisë në Rumani, në qytetin Craiova, m’u desh të flas para pjesëmarrësve nga bota dhe kamerave të televizonit vendas, jam  këtu, thashë, dhe për Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, ata s’mundën të vinin… i pushkatuan në moshën e Krishtit afërsisht, por ata janë gjithkund, ku është gjaku i poezisë, në çdo libër poeti, kudo ku ata mblidhen…

Kjo zemër hidhet si një zog i vrarë

Si det me dallgë shpirti me ballada…

Shkruante Genc Leka, atëhere kur s’lejohej kështu. E ka treguar fatin e tij dhe ç’mbante përbrenda.

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë, 

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur.

Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur. 

Shkruante Vilson Blloshmi. Para 17 korrikut kobzi të 1977. E si të mos shtangësh para këtyre vargjeve. Kanë sinqeritet rrëqethës, superb, dhimbje dhe pamposhtmëri, janë testament dhe epitaf, janë credo, janë dhe deri ajo që po bën dhe ky simpozium, si vazhdim i porosisë së tyre.   

Vargje të tilla duhen shkruar rrugës për në shtëpinë e tyre, mureve, kështu kam parë vargjet në shtëpinë e një poeti nobelist në Siçili, duhen futur në tekstet shkollore, duhen gdhendur gurëve, në mermer bashkë me të poetëve të tjerë e shkrimtarëve, sa rilindas dhe modernë, që bashkarisht sollëm “letërsinë tjetër” nga burgjet dhe internimet, të vërtetën dhe moralin që mungonin dhe, e theksoj, nga së bashku, me të gjithë, iu dha Shqipërisë frymë dhe dritë.

Një herë, në një festival tjetër poezie, “Ditët e Naimit”, kur autobuzi me poetë nga shumë vende të botës, që nga Tetova kaloi kufirin me Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, për të vazhduar veprimtarinë në Krujë, isha dhe unë me time shoqe dhe djalin, u lutëm që të ndalnim në Librazhd, te monumenti i tyre, një kryevepër, ato kokë të mëdha bronzi si dy planete mbi suprinën e ujit si vetë kujtesa. Kur u treguam poetëve të tjerë ç’kishte ngjarë me dy kolegë të tyre në Shqipëri, shtangën dhe s’patën më fjalë. Dhe ndoshta ndjenë më fort ç’do të thotë poet. Dhe poezi.

Vilsoni dhe Genci na thërrasin për pelegrinazh shpirtëror dhe kujtese sublime. Duhet shkuar andej nga ata na tregojnë…    

Jam i sigurtë se tubimet për Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën nuk do të jenë vetëm që t’i përkujtojë dhe nderojnë si martirë të fjalës në poezi, ata të nderuar janë për jetë, dhe as vetëm që të nxjerrin vlerat e poezisë së tyre antologjike, por dhe që të shërbejnë për të njohur veten më shumë, si popull, dhe ç’do të bëjmë për më tej. Me lirinë dhe poetët e saj. Prandaj duhet jehona… Jo thjeshtë në media. Por brenda gjithsecilit. Si frymëmarrje. Edhe pse nuk do të jemi dot të gjithë të pranishëm. Por ne aty jemi. 

Vërtet unë për shumë arsye nuk erdha dot, por për të gjitha arsyet jam aty me ju dhe po dëgjoj. Rëndësi ka se ç’do të bëhet më pas…

Së fundmi dua të përsëris ç’ka thënë një shkrimtar nobelist, i cili ka qenë në kampin shfarosës, nazist të Aushvicit, pra bashkëvuajtës, hebreu hungarez Imre Kertész.  

 Sipas tij “Holokausti, – pra përndjekja, sipas meje, – është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon… dhe …ka krijuar një kulturë”, – thotë ai, – e cila tashmë s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende, dhe letërsia e kësaj kulture mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane, – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin.

[…] Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin” (kupto: përndjekjen.) 

Në vend të emrit të nobelistit, vini emrin Vilson Blloshmi ose Genc Leka ose Arshi Pipa, tuajin, timin, plagët, lotët tanë. Se këtë porosi duhet të japë dhe Bërzeshda sot. Suksese!

Përqafime të gjithëve nga larg, nga Çikago, SHBA, por dhe nga afër, nga zemra. 

Juaji,

Visar Zhiti. 

Filed Under: Politike Tagged With: Visar Zhiti

North Macedonia’s Decision to Advance its EU Accession Negotiations

July 16, 2022 by s p

PRESS STATEMENT

ANTONY J. BLINKEN, SECRETARY OF STATE

JULY 16, 2022

The United States welcomes the decision by the parliament of North Macedonia to take the next steps on North Macedonia’s EU accession path. We recognize the difficult tradeoffs considered in this compromise, which acknowledges and respects North Macedonia’s cultural identity and the Macedonian language. This decision comes at a critical moment for North Macedonia, the Western Balkans, and Europe. A European Union that includes all of the Western Balkans, including Albania and North Macedonia, will be stronger and more prosperous. Now is the time to build momentum and work on next steps.

Filed Under: Politike

Rruga e mundimshme për zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame

July 15, 2022 by s p

Nga Arben Llalla/

Por, sa janë vetë çamët të bashkuar, të gatshëm për të realizuar ëndrën e tyre? A do e mundin unin, të kalojnë vetveten e tyre për të zgjedhur udhëheqësin ose Moisiun që zëri i tyre të dëgjohet i bashkuar për të realizuar qëllimet e tyre?

Marshi i rrugës për të bërë sensibilizimin e Çështjes Çame nisi i mundimshëm, me sakrifica në fillim të viteve 1990. Kjo rrugë filloi me krijimin e Shoqërisë politike-atdhetare “Çamëria”, e cila u themelua nga dëshira e madhe e shqiptarëve me rrënjë nga Çamëria me qëllimin e mirë për realizimin e ëndrrës për mrekullinë e rikthimit përgjithnjë në tokat dhe shtëpitë e tyre. Ka rreth 75 vite që shqiptarët me origjinë nga Çamëria synojnë rikthimin e premtuar dikur nga organizatat ndërkombëtare, Shqipëria dhe Greqia. Pra, shqiptarët nga Çamëria, kur u përzunë me dhunë nga EDES e udhëhequr nga Napoleon Zerva u quajtën refugjatë, të cilët do të rikthehen shumë shpejt në shtëpitë e tyre. Gjaku, vuajtjet, përpjekjet e parreshtura të çamëve për rikthim është rasti më unikal i një populli të Ballkanit, ndoshta edhe më gjerë. Rikthimi i premtuar çamëve ju duket sa afër dhe larg. Ata e ndjejnë erën e tokës së tyre, zgjaten për ta prekur, por nuk e prekin dot. Tentojnë ta shkelin, të vizitojë shtëpitë, varret, por nuk i lejojnë, sot, në kohërat moderne, në vitet ku i gjithë njerëzimi thërret e punon për një botë pa kufij, për botën e lirë.

Por, sa janë vetë çamët të bashkuar, të gatshëm për të realizuar ëndrën e tyre? A do e mundin unin, të kalojnë vetveten e tyre për të zgjedhur udhëheqësin ose Moisiun që zëri i tyre të dëgjohet i bashkuar për të realizuar qëllimet e tyre?

Shoqata “Çamëria”, e cila ishte i vetmi zë serioz i Çështjes Çame në vitet 1990, njohu dy suksese të mëdha, atë që Kuvendi i Shqipërisë më 1994 shpalli 27 Qershorin si ditën e genocidit grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria dhe më 8 Prill 2004 votimi i Rezolutës së Çështjes Çame, e cila ishte Rezolutë pozitive, por e cunguar në kuptimin e plotë të saj. Më tej, u themelua Instituti i Studimeve të Çamërisë, cili arriti të organizonte dy simpoziume ndërkombëtare rreth Çështjes Çame. Por, që e heshti misionin, për të cilën u themelua pas vitit 2010.

Kështu, lindi nevoja që të krijohej një grupacion politik, parti e cila si pikë kryesore do kishte zgjidhjen paqësore të çështjes në fjalë, pra sensibilizimi i Çështjes Çame. Në vitin 2011 u bë bashkimi i dy grupacioneve politike në partinë PDIU, duke shtuar fjalën kuptimplotë “uniteti”. Kjo forcë politike sapo filloi punën u përballë me tekat kundër, të cilat nuk mund ta mundnin unin, të kalonin vetveten dhe krijuan një çarje të pasuksesshme. PDIU në drejtimin e Shpëtim Idrizit arriti të rritej me shpejtësi, emgjithëse si parti asnjëherë nuk ishte në qeveri me poste ministrash. Shpëtim Idirizi arriti që Çështjen Çame ta fusë në diskutimet e Komisionit Europian duke biseduar personalisht me shumë personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare. Nga këto biseda u bë e mundur që Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn të deklaroi si çështje të diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë edhe Çështjen Çame. Më tej, ishte eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein që bëri me dije se Çështja Çame duhet të diskutohet mes dy qeverive. Këto kanë qenë ndoshta aksionet e vetme të mirëfillëta politike pas viteve 1990 që Çështjin Çame e bëri kaq të pranishme në arenën e politikës së Europës. Në këtë kohë shqiptarët me origjinë nga Çamëria që duhej të mbështesnin edhe më fort PDIU-në, e cila mbron fuqishëm çështjen e tyre, u treguan të ngurtë, egoistë duke u kthyer në hyzmeqarë të partive të tjera politike, të cilëve nuk u ka shumë ënda Çështjen Çame. Por, përkundrazi këto parti i shohin shqiptarët nga Çamëria si njerëz të huaj, të cilët në hierarkinë e posteve shtetërore të Shqipërisë nuk duhet të jenë, sepse na zemërohet fqinji, i cili disa herë ka kryer masakra mbi popullsinë shqiptare dhe herë pas here politikanët e tij deklarojnë se kanë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.

Duke u bashkuar të gjithë bashkë rreth Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU-së, ne u tregojmë të tjerëve se jemi të vendosur që Çështja Çame nuk do të harrohet, nuk do të lejojmë të sakrifikohet për kërcënimet e Greqisë. Çamët, por edhe ne shqiptarët nga krahinat e tjera duhet t’u tregojnë politikanëve dritëshkurtër se jemi gati të paguajmë me çdo çmim zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame dhe të çështjeve të tjera mbetur pezull me Greqinë. Rrugën e zgjidhjes së këtyre çështjeve me fqinjin tonë jugor i kërkojmë në bazë të rregullave, normave dhe ligjeve demokratike ndërkombëtare. Greqia dhe BE do të jenë më të qeta dhe demokratike nëse çështjet pezull me Shqipërinë zgjidhen drejtë.

Politikanët e huaj vazhdojnë të jenë spektik për Çështjen Çame, ata e shohin si një çështje të drejtash njerëzore, kur në të vërtetë bëhet fjalë për diçka më të thellë, për genocid, për padrejtësinë që i është bërë një populli, i cili jetonte në trojet e veta mijëra vjeçare dhe gëzonte statutin pakicë kombëtare në bazë të Marrëveshjes së Lozanës më 1923-1924.

Shqiptarët me origjinë nga Çamëria duhet të mësojnë nga zhgënjimi i partive të tjera, nga indiferentizmi i tyre për këtë çështje kombëtare, duhet t’i besojnë partisë që lindi nga kjo kauzë, PDIU-së. E pra, zgjidhja e Çështjes Çame kalon nëpërmjet një kalvari vuajtjesh të mundimshme, ku shumëkush mund të humbë karrierën politike, por jo vetëm kaq. Pa këto sakrifica Çështja Çame nuk mund të kuptohet kurrë. Është koha që të gjithë të rrezikojmë, nëse duam të jemi pjesë të sakrificës për Çështjen Çame, pa marrë parasysh shtigjet me rreziqe të mëdha. Njeriu nuk ngopet asnjëherë me jetë e pasuri, por në fund këto nuk vlejnë asgjë, nëse s’ke bërë diçka për kombin tënd, në rastin në fjalë për Çështjen Çame. Të gjithë një ditë i japim llogari vetëm historisë, e cila nuk korruptohet, ajo mban shënime…

Filed Under: Politike Tagged With: arben llalla

REVISTA FRANCEZE (1922) / A ËSHTË E KËNAQUR SHQIPËRIA ME VENDIMIN E KONFERENCËS SË AMBASADORËVE PËR KUFIJTË E SAJ ? – OPINIONI I MIT’HAT FRASHËRIT

July 14, 2022 by s p


Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection
Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Korrik 2022

Revista franceze “Les Cahiers des Droits de l’Homme” ka botuar, me 25 janar 1922, në faqen n°47, opinionin e atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit shqiptar, z. Mit’hat Frashëri**, në lidhje asokohe me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Korrespondencë

Në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Paris, 26 dhjetor 1921.

Zoti Sekretar i përgjithshëm,

Në letrën tuaj të datës 22, ju më pyesni nëse vendimi i Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë shqiptarë kënaq Shqipërinë dhe nëse jo, cilat janë rezervat dhe kritikat që na frymëzon ky vendim?

Shqiptarët kujtojnë, me mirënjohje të përzemërt zërin e ngritur në prill 1920 nga Lidhja Franceze për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit, dhe jehonën e favorshme që ky zë gjeti në të gjitha qarqet franceze. Në Konferencën e organizuar nga Lidhja në sallën e Shoqërisë Gjeografike, u mor një rezolutë, e cila ndër të tjera shprehu dëshirën për të parë dhënien e pavarësisë së Shqipërisë dhe kufijve të saj të vitit 1913. (Shih [Shqipëria dhe Paqja e Evropës, f. 70.])

Megjithatë, Konferenca e Ambasadorëve, duke konfirmuar sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, bëri korrigjime territoriale në tri pika të kufirit.

Një nga këto korrigjime i imponon Shqipërisë sakrificën e dhimbshme të një treve të populluar nga të paktën 40 mijë banorë, të gjithë shqiptarë nga raca, gjuha dhe ndjenjat. Është rajoni i Gorës, në jug dhe në perëndim të qytetit të Prizrenit. Ky gjymtim i imponohet Shqipërisë për asnjë arsye tjetër veçse asaj për t’i siguruar shtetit fqinj (Serbisë) një pozicion strategjik dominues, shqetësim të kotë për një vend dymbëdhjetë herë më të madh dhe më të fortë se Shqipëria.

Konferenca, ndër të tjera, parashikon dy modifikime të tjera në kufirin e Shqipërisë, njëri në veri të qytetit të Shkodrës, tjetri në anën e Dibrës, gjithmonë në dobi të shtetit fqinj. Për ndryshimin që do të sillet në Veri, Konferenca pretendon nevojën e mbrojtjes së Podgoricës, një qytet i vogël shqiptar i aneksuar në Malin e Zi në 1880; megjithatë, ky vend mbrohet mjaftueshëm nga vargmalet që e ndajnë atë nga kufiri aktual i Shqipërisë, ndërsa nëse dikush do ta shtynte këtë kufi, Shkodra do të vendosej nën mbikqyrjen e dorës (thundrës) serbe; por ajo (Shkodra) është metropoli më i rëndësishëm i Shqipërisë.

Nga ana e Dibrës, Konferenca u anua nga shqetësimi për t’i siguruar Serbisë zotërimin ekskluziv të rrugës që shkon nga Struga në Dibër, një rrugë që kalon përgjithësisht në territorin serb, por që në dy pika, kalon ndërmjet Shqipërisë, për të dalë menjëherë prej aty. Për kënaqësinë e kësaj rrugëdalje, Konferenca ka planifikuar t’i lërë Serbisë një zonë thjesht shqiptare që përfshin njëzet e pesë fshatra të shpërndara në një fushë pjellore, i vetmi cep i kultivueshëm i një rajoni tërësisht malor…

Prandaj është e nevojshme të pyesim nëse anëtarëve të Konferencës së Ambasadorëve, në Paris, a nuk iu kujtua fjala e Ungjillit, e cila përfundon kështu : “Sepse ne do t’u japim atyre që kanë, dhe atyre që nuk kanë, ne do të marrim atë pak që u ka mbetur.” Mirëpo, do të kishte qenë më e saktë të kujtohej kjo shprehje tjetër : “Kush ka dy këmisha, le t’ia japë një atij që nuk ka.”

Në këtë rast, Shqipëria është ajo që përfaqëson të varfërin, pasi asaj iu hoq gjysma e territorit dhe e popullsisë së saj në vitin 1913 dhe u lanë jashtë kufijve të saj, të gjitha qytetet, qendrat e furnizimit dhe jetës intelektuale, për kënaqësi të fqinjëve të saj.

Para Këshillit të Lidhjes së Kombeve, të mbledhur në seancën e jashtëzakonshme nga 16 deri më 19 nëntor të kaluar, delegati shqiptar bëri këtë deklaratë : “Shqipëria ka dëshiruar gjithmonë paqen. Me shpresën për ta arritur, asaj iu desh t’i nënshtrohej vendimit të Konferencës së Ambasadorëve, ashtu siç iu nënshtrua, në vitin 1913, atij të Konferencës së Londrës, e cila i privoi gjysmën e popullsisë së saj me territorin që banon. »

Shqiptarët nuk janë xhelozë ndaj dashamirësisë që Konferenca e Ambasadorëve i ka dëshmuar Serbisë; vetëm se u vjen keq që kjo mirësi ushtrohet në kurriz të Shqipërisë.

Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve ishte vendimtar për korrigjimin e Gorës; sa për dy të tjerat, nëse e keqja parashikohet, ajo ende nuk është kryer; Konferenca e pa të arsyeshme t’i linte Komisionit të Kufijve – i cili do të niset për në Shqipëri – detyrën për të prerë pak a shumë thellë mishin shqiptar.

A do të mundet ky Komision të parandalojë një padrejtësi të re ndaj një vendi të vogël, i cili tashmë ka vuajtur kaq shumë, një padrejtësi aq më mizore sa dhe të padobishme?

Ju lutem pranoni, zoti Sekretar i Përgjithshëm, garancitë e konsideratës sime më të lartë.

Një shqiptar

Filed Under: Politike Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 214
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT