• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Joseph J. DioGuardi letër Kryeparlamentares Nikolla: Shpëtoni Butrintin

May 11, 2022 by s p

Dr. Lindita Nikolla

Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4

Tirana

Shqipëri

Dërguar me postë elektronike Sekretarit të Kuvendit: genci.gjoncaj@parlament.al Më 22 prill 2022

Ref: Menaxhimi i Vendit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit

E nderuara Kryetare Nikolla,

Po ju shkruaj si ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara nga shteti i Nju Jorkut, 1985-1989, duke iu referuar një raporti në Zërin e Amerikës, të datës 6 prill 2022 lidhur me situatën në Vendin e Trashëgimisë Botërore UNESCO të Butrinti, të titulluar: “Qeveria shqiptare vendos menaxhimin e Butrintit nga një fondacion”, tek https://www.zeriamerikes.com/a/6517829.htmlMe sa duket, Qeveria e Shqipërisë, nën ndikimin e Fondacionit Shqiptar – Amerikan të Zhvillimit, ka ndryshuar Ligjin për Trashëgiminë Kulturore për të lejuar një fondacion privat që të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit. Më tej, nga raporti në Zërin e Amerikës mësova se një zonë e konsiderueshme prej rreth 800 hektarësh nuk do të ketë nivelin e pêrparshëm të mbrojtjes, “duke i hapur kështu rrugën zhvillimit të turizmit”.

Së fundi, mësova për shqetêsimet e thella të shprehura nga qytetarë të shquar të Shqipërisë, si p.sh. Prof. Neritan Ceka, arkeolog me famë ndërkombëtare dhe ekspert i dorës së parë për Butrintin, por të trazuar nga kjo gjë janë edhe shkencëtarë dhe ekspertë të tjerë shqiptarë.

Kam mendimin se këto zhvillime ngrenë pikëpyetje serioze për ruajtjen dhe integritetin e Butrintit, por edhe nëse një entitet i bazuar në SH.B.A., siç është Fondacioni Shqiptar – Amerikan i Zhvillimit, vepron në Shqipëri në shkelje të të politikave të qarta dhe të mirëpërcaktuara të qeverisë amerikane lidhur me menaxhimin e parqeve kombëtare.

Me të vërtetë, ju mund të keni dijeni se parqet tona shumë të vlerësuara në Amerikë menaxhohen ekskluzivisht dhe vetëm nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve {National Park Service], një agjenci brenda Departamentit të Punëve të Brendshme të Qeverisë Amerikane. Në menaxhimin e tyre nuk përfshihen as fondacone private, as partneritete publike private, dhe as ndonjë model i ri apo “hibrid”.

Përse, atëhere Qeveria Shqiptare, nën mveshjen dhe ndikimin e Fondacionit Shqiptar – Amerikan të Zhvillimit, është kaq e merakosur dhe e gatshme që të eksperimentojë një model të ri menaxhimi “hibrid” apo partneriteti privat publik?Unë kam ndërmend që këto probleme t’i ngre me agjencitë e duhura në Qeverinë Amerikane, si dhe me miqtë e mi në Kongresin Amerikan.

Por dua që të sigurohem që, meqenëse Shqipëria, të paktën teorikisht, është demokraci kushtetuese parlamentare, atëhere Anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të përfaqësojnë zgjedhësit dhe t’u përgjigjen interesave të tyre, dhe jo liderëve të partive ose pushtetit ekzekutiv.

Me të vërtetë, në përvojën time në detyrë publike qëllimi im si kongresmen ka qenë zbatimi i Kushtetutës së SHBA-së dhe përcjella e zërit, interesave dhe përparësive të zgjedhësve të mi, dhe unë mund t’ju them se kam pasur raste të panumërta kur kam kundërshtuar “vijën e partisë”, duke votuar sipas ndërgjegjes time si dhe interesit të zgjedhësve të mi.

Së fundi, Shqipëria sivjet feston 110 vjetorin e Pavarësisë. Vallë a beson ndokush se Shqpëria nuk i ka kapacitetet dhe burimet për të menaxhuar vetë Butrintin, por në vend të kësaj, është e gatshme që t’ja dorëzojë menaxhimin një fondacioni privat, të frymëzuar, të krijuar dhe të kontrolluar nga një entitet i huaj, siç është Fondacioni Shqiptar – Amerikan i Zhvillimit?

Prandaj ju sugjeroj me respekt që: Të ushtroni detyrimin tuaj kushtetues dhe të nisni pa humbur kohë procedurat parlamentare për të shfuqizuar shtegun juridik të krijuar nga nenet 171-173 të Ligjit të Trashëgimisë Kulturore 27/2018 të Shqipërisë.

Është vërtet tronditëse që të mësojmë nga një intervistë televizive e kohëve të fundit të arkeologut të shquar, Prof. Apollon Baçe, se disa nene “të ligjit [të lartpërmendur] u hartuan me ndërhyrjen e” Michael Granoff. Besoj se ju keni dijeni se Neni 1, Seksioni 1 i Kushtetutës së SHBA shpall se: “I gjithë Pushteti ligjvënës i takon Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që përbëhet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve”.” Asnjë person privat në Amerikë, madje as Presidenti i Shteteve të Bashkuara, nuk ka pushtetin për të hartuar apo miratuar ligje.

Në rast se ajo çka pretendon Prof. Baçe është e vërtetë, unë kam të drejtë të pyes se si është e mundur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që një qytetar privat i huaj t’i mveshë vetes “pushtetin e ligjvënësit” apo të fusë dispozita ligjore në Shqipëri?!

Sa përputhet ky veprim me Kushtetutën dhe ligjet e repubikës tuaj, dhe çfarë mund të bëni ju për të rivendosur dhe rikthyer dinjitetin dhe sovranitetin e Kuvendit tuaj përballë një akti të tillë arrogant dhe të hapur të një ndërhyrjeje të jashtme? Po ashtu, sugjeroj që: Të bllokoni dhe të hidhni poshtë çdo projektligj vijues që i çel rrugën këtij akti, dhe që paraqitet nga qeveria në periudhën e tashme dhe/ose në të ardhmen e afërt që do të përfundonte transferimin de facto të menaxhimit të Butrintit në duart e Fondacionit Shqiptar – Amerikan të Zhvillimit;

Të udhëzoni organizmat e duhura të qeverisë shqiptare që të shqyrtojnë mundësinë e lidhjes së një marrëveshjeje binjakëzimi me Shërbimin Kombëtar të Parqeve të SHBA-së, me qëllimin që të adoptohet përvoja, dija dhe praktikat më të mira të tij për menaximin e parqeve aq të çmuara dhe unike kombëtare të Shqipërisë, dhe kjo gjë të bëhet vetëm dhe ekskluzivisht nga populli i Shqipërisë, sikurse është edhe politika dhe tradita vijuese në Amerikë.

Për sa më sipër, mbetem. Znj, Kryetare, në dispozicionin tuaj për çfarëdo pyetje ose mbështetje tjetër për këtë çështje shumë të rëndësishme.

Sinqerisht,

Joseph J. DioGuardi

Filed Under: Politike

Në hapje të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut në Washington D.C., Presidentja Osmani takoi zyrtarë amerikanë e evropianë

May 10, 2022 by s p

Në hapjen zyrtare të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut e cila sivjet po mbahet në Washington D.C., Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani takoi zyrtarë të administratës amerikane, kongresistë e senatorë, ministra nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues të think- tanks nga Amerika e Evropa.

Në takim me këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Biden, z. Jake Sullivan,  Presidentja Osmani, diskutoi lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor pas invazionit rus në Ukrainë si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet ky rajon. Ajo falënderoi administratën e presidentit Biden për rolin kyç në mbrojtjen e demokracisë dhe sigurisë në kontinentin tonë, e mbi të gjitha për përkrahjen e jashtëzakonshme që historikisht ia kanë dhënë Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në veçanti presidenti Biden.

Presidentja takoi edhe Ministren për Çështje Evropiane të Finlandës, Tytti Tuppurainen, me të cilën diskutoi për përgatitjet e Kosovës për aplikim në organizata ndërkombëtare si dhe për reformat e ndërmarra në vendin tonë, e të cilat e avancojnë Kosovën në rrugën euro-atlantike.

Në këtë konferencë, Presidentja Osmani bashkëbisedoi edhe me ministrin Federal të Gjermanisë Wolfgang Schmidt, ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, senatorin Chris Coons, kongresisten Veronica Escobar, zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, udhëheqësin e Konferencës së Mynihut ambasadorin Christoph Heusgen, ambasadorin Wolfgang Ischinger, si dhe përfaqësues të tjerë pjesëmarrës në konferencë.

Sot Presidentja do të flasë në panelin për sigurinë energjetike si dhe në disa evente të tjera. Kjo konferencë ka bashkuar dhjetëra vendimmarrës dhe ekspertë të lartë nga të dy anët e Atlantikut për diskutuar se si partnerët transatlantikë mund të ndërtojnë një aleancë më të qëndrueshme dhe ta avancojnë bashkëveprimin dhe udhëheqjen e përbashkët në sfidat e sigurisë, duke përfshirë luftën aktuale në Ukrainë.

Filed Under: Politike

Deformimi i Shqipërisë

May 9, 2022 by s p

Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI/

Dita e çdo banori të Shqipërisë fillon dhe mbyllet ndryshe nga ajo e një banori të një vendi normal perëndimor. Në Shqipëri, njeriu sa zgjohet mund të ndodh që ngrihet dhe ska ujë për të larë sytë dhe as energji për të pare, por nëse je me fat që të kesh kushtet për t’u bërë gati, sfida fillon sapo hedh hapin e parë nga dera e shtëpisë. Në pallat mund të mos punojë ashensori sepse ndonjë i ka futur ndonjë shqelm derës ose nuk vjen disa minuta sepse dikush e mban me zor. Nëse zotëron një automjet mund të ndodh që nuk del dot nga garazhi sepse ndonjë ka parkuar natën para daljes apo se rruga e daljes është bllokuar nga makina që thuajse në të dy anët. Në momentin që provon të futesh në rrugë si këmbësor, apo edhe si drejtues automjeit, rrezikon që të marr para ndonjë makinë që lëviz me shpejtësi marramendëse edhe pse është lagje dhe fëmijët kanë nisur të shkojnë për në shkollë. Zakonisht këto makina janë me xhama të zinj dhe që kushtojnë sa qimet e kokës, por drejtohen e zotërohen nga cunakë që nuk kanë punuar kurr në jetë apo nga drejtues të tjerë që zor se dinë të shkruajnë as emrin e tyre. Pa dal më tutje përballesh me një varg makinash që kanë bllokuar rrugën sepse një “i fortë” ka ndaluar makinën dhe po bisedon me një të fortë tjetër që është kryqëzuar, apo që nga makina po ngacmon ndonjë vajzë që po kalon rrugës në punën e saj. Sapo hapet rruga mendon që ke shpëtuar, por shikon që përballë apo pas teje është futur në mes të rrugës me dy kalime një automjet tjetër që është duke lëvizur si rrufe apo një varg makinash që i janë vënë pas ndonjë ambulance apo automjeti shërbimeve të tjera urgjente të cilit sapo i ke hapur rrugën. Pa kaluar shumë minuta, jo rrall herë mund të shikosh makina që janë përplasur me njëra-tjetrën apo këmbësorë që i kanë marrë para. Sapo përfundon udhëtimi, fillon mankthi i parkimit dhe kur mendon që gjete një parkim, kujdes sepse mundet që ndërkohë që po lëviz për t’u futur në parking, dikush të futet me shpejtësi para teje dhe kjo mund të jetë një ftesë për t’u sharë, për t’u rrahur dhe madje edhe për t’u vrarë. Pasi lë makinën në parking, nëse ta mban xhepi mund të ulesh të konsumosh një kafe, por sa të ulesh do kuptosh që nuk je në kafe, por në një lokal ku muzika zakonisht pa asnjë shije artistike për të qenë, është në një volum që të çmend dhe nëse tenton t’i kërkosh një kamarieri ta ulë, përgjigja që do marrësh është, jo sepse e ka vendosur pronari dhe nuk e ulim dot. Sapo të mbarosh kafen që ta ka çuar stresin në kulm, fillon dita e punës që është tepër e veçantë. Nëse punon në shtet dhe ke fatin e keq të kesh shef, në shumicën e rasteve do të duhet të pranosh të drejtohesh nga injorantë sepse shumica e tyre të tillë janë, ndërkohë, do të duhet të jesh i vëmendshëm që të mos jesh ekzekutuesi i dëshirave të shefit për të shkelur ligjin që të mos përfundosh në burg, por ndërkohë të duhet të ruash vendin e punës. Nga ana tjetër, edhe nëse je vet shef, mund të ndodh që një ditë të bukur të zëvendësohesh nga ndonjë truthatë apo truthar apo ndonjë që s’ka fare tru, por që e ka vendosur ose partia, ose gadishmëria për të bërë gjithcka i thonë ose thjesht hiret. Ndërkohë, në privat thjesht në shumicën e rasteve punonjësi është një skllav modern. Nejse, dita vazhdon dhe nëse je me fat që ta mban xhepi mund t’i lejosh vetes një drekë apo ushqim të shpejt, por nëse do dalësh në atë kohë, do shohësh që baret dhe restorantet, janë plot e përplot me njerëz që nuk kanë kanë punuar kurr në jetë, që vijnë me automjete super lluksoze, për veshje mbajnë disa qindra apo mijëra euro dhe që sigurisht shoqërohen në çdo rast nga femra, kryesisht të reja, sharmante në maksimum, por që në shumicën e rasteve janë në rolin e koketave apo të “aksesorit” të ndonjë kaposhi të veshur me markat më të shtrenjta, me ora disa mijë euroshe, tek tuk edhe me stilin e viteve 90’ që xhinxhiret e florinjt i nxjerrin sipër bluzave, kryesisht me mjekra për të rritur peshën e pranisë së tyre dhe që porosisin shishe pijesh që kushtojnë sa gjysma apo rroga e plotë mujore e shumicës së Shqiptarëve, që pagujnë me para në dorë dhe që kujdesen që kur të pagujnë të nxjerrin në pah tufën e prerjeve të mëdha të parave të huaja apo lekëve. Nëse je me fat, dreka mbyllet paqësisht dhe thjesht pamja që pate fatin të shikosh, të bën të bësh shuma analiza mbi atë çfarë shikove, çfarë mund të ishte dhe çfarë do të doje ti të kishe parë, por tek e fundit edhe pse thonë që njeriu vuan më shumë nga fantasia e tij sesa nga realiteti, përsëri ky i fundit mund të mbyllet edhe duke qenë dëshmitarë i ndonjë atentati, ku mund të hash edhe ndonjë plumb kot nga vrasësit me pagesë që mund të vrasin edhe për qindra euro apo mund të jesh pjesë e një paketë “paguaj një dhe një e merr falas”. Ndërkohë që ngrihesh për t’u kthyer, mund të mos jesh në gjendje të mbash mend rrugën, sepse atje ku ke kaluar pak ditë më parë mund të ketë mbirë ndonjë pallat sipër ndonjë lulishtje, rruge, prone shtetërore, apo edhe ndonjë parku kombëtar. E ndërkohë, ndërsa vazhdon rrugën mund të dëgjosh edhe kalimtarë që i tregojnë njëri – tjetrit se si mund të kenë blerë vetë apo ndonjë tjetër një kat të tërë apo me shumë në këto pallatet një ditë më parë me para në dorë dhe vetë fillon e mendon për madhësinë e cantës që ka mbajtur paratë për të paguar deri në 4 apo edhe më shumë mijë euro për një metër katror. Pasi kthehesh, në zyrë mund të vij për vizitë ndonjë biznesman i ri në treg, që ka hapur një shoqëri me 100 lekë kapital para pak ditësh, por që ka marr një tendër shumë milionësh pas pak ditësh, krahas ndonjë konçesioni, konçesion i thënshin sepse çdo gjë e paguan shteti. Pasi mbaron punën, në kthim për shtëpi, kalvari i gjithçkaje përsëritet ndoshta me dozë të rritur falë edhe ngarkesës së ditës tek njerëzit dhe normalisht trafiku të shoqëron gjatë gjithë kohës edhe pasi është rritur çmimi i naftës. Thjesht, shqiptarët s’duan t’ia dinë, janë magjistarë që me paga qesharake ia dalin të mos i zbresin kurr makinës. Ritmi i javës mbetet thuajse i njëjtë, derisa vjen fundjava dhe këtu ndarja e klasave midis skllavopronarëve dhe skllevërve modern bëhet shumë më e prekshme. Qejf që vjen e fundjava, por edhe hall, sepse shumica e njerëzve nuk ia lejojnë dot vetës të prishin pagën e muajit në një fundjave, ndërkohë që nëse je me fat mund t’i lejosh vetes të hash ndonjë drekë apo darkë me familjen apo të shkosh në plazh gjatë verës. Gjithësesi, të shkosh në plazh mund të rezultojë një përvojë tepër depresive, si fillim nuk do gjesh vend në shumicën e hoteleve dhe nëse gjen, çmimi do të jetë special dhe tejet i rritur nga ankandi që do zhvillosh me paranë e pisët që derdhet vu nga tek çmimet e hotelit, tek shampanja apo tek ndonjë shezllon mbi ndonjë tarracë betoni që kushton 200 apo edhe më shumë euro, thjesht sepse ndodhet diku ku rrijnë të fortët apo të pasurit e vendit, të shoqëruar gjithmonë nga koketat e tyre të përhershme, zakonisht tek e tek, por nuk mungojnë edhe rastet kur paraqiten në formën e tufës. Normalisht, përshkrimi i këtyre deformimeve shoqërore mund të vazhdonte pafundësisht dhe kushdo që e bën këtë analizë, kupton që shoqëria jonë është tërësisht e deformuar, ku thuajse asgjë nuk është në vendin e as në kohën e duhur, si dhe nuk bëhet as në mënyrën dhe as nga njerëzit e duhur. Natyrisht, shkaqet janë të shumta dhe të gjithëllojshme, por shkaku themelor që pjell thuajse të gjithë shkaqet e tjera, është injoranca, që tani është shndërruar në një fenomen masiv që sa vjen dhe rritet vazhdimisht, si pasojë e dërrmimit të sistemit arsimor dhe braktisjes së shkollës, si dhe ndër të tjera edhe për shkak të rënies së vlerës së arsimit në marrëdhëniet shoqërore në vendin tonë. Eh në një vend ku injoranca bëhet masive, edukata, kultura e çdo fenon tjetër pozitiv bëhen gjithnjë e më të rrallë dhe vendi sa vjen e bëhet më i çuditshëm dhe më pak i banueshëm për njerëzit normal. Sigurisht, në një vend të tillë është e kotë të flasësh për demokraci, shtet të së drejtës, shtet social, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe për ndjesinë e të jetuarit si një njeri i lirë në një shtet ku gjithsecili merr atë që i takon. Tashmë, deformimet shoqërore në Shqipëri kanë arritur nivele aq të larta sa asnjë mekanizëm normal shoqëror nuk mund t’i rivendosë ekulibrat e humbura dhe vetëm një revulucion i gjithanshëm mund të ringjalli shpresën për shndërrimin në një vend normal, revolucion i cili duhet të fillojë nga arsimi. Ndërkohë, për fatin e keq, investimi në arsim, kërkon shumë vite dhe për pasojë edhe përmirësimi i gjendjes edhe nëse do të fillonte menjëherë, do të merrte shumë vite.Eh, gjithësesi, Shqipëria e deformimeve, vazhdon të mbetet vendi i Shqipeve, e pikërisht ky fakt të mban gjallë shpresën se një ditë do jemi si vendet e tjera dhe ndoshta edhe më mirë, por kjo gjë s’do të ndodh kurr derisa çdo Shqiptar të fillojë ndryshimin nga vetja e tij, nga familja e tij e kështu me radhë, që mund ta bëjmë Shqipërinë vend të njerëzve të lirë dhe krenarë për historinë e tyre!

Filed Under: Politike Tagged With: jordan daci

DEKLARATAT E PUTINIT PËR KOSOVËN DHE DILEMAT E SERBISË

May 9, 2022 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të premten e kaluar se vendi i tij “është nën presion gjithnjë e më të madh” për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ai tha se situata në Serbi “ka ndryshuar për të keq”, pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Ky i fundit, më 26 prill, e pat krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas. Rusia, ashtu si edhe Serbia, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke iu drejtuar kombit, pasditen e së premtes, Vuçiç tha se “i gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë, që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në territorin e Ukrainës”.

Sipas tij, “një numër i vogël vendesh thonë se janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “një numër në rritje kërkon njohje reciproke”. Vuçiç tha se Serbia “po paguan me çmim të lartë” edhe për faktin se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. 

Precedenti Kosovës dhe Donbasi

Presidenti rus Vladimir Putin përmendi një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën për të justifikuar Moskën, për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste ukrainase Donetsk dhe Luhansk që do të thotë se ai në fakt e njeh Kosovën si një shtet të pavarur, 

“Republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut kanë të njëjtën të drejtë për të shpallur pavarësinë si Kosova, bazuar në precedentin e vendosur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare”, tha Putin në një deklaratë në takimin e së martës (26 prill) me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres. kujton diplomati, serb Srecko Djukic, ish-ambasadori i Serbisë në Bjellorusi,  i cili është gjithashtu anëtar i Forumit të OJQ-ve të Beogradit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Në bisedime, Putin i tha Guterres se “vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së OKB-së për Kosovën, se në ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje, territori i një shteti nuk është i detyruar të aplikojë për leje për të deklaruar sovranitetin e tij ndaj vendit, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS.

“Putin në fakt tha indirekt se ai njeh pavarësinë e Kosovës dhe gjithçka që bëri Kosova me sponsorët e saj”, tha Gjukiq për agjencinë e lajmeve Beta. Sipas tij, e drejta ndërkombëtare ka krijuar një precedent, “ duhet shtuar se pala ruse i referohej precedentit të Kosovës, qysh në vitin 2008 kur Osetia Jugore dhe Abkhazia shpallën pavarësinë dhe u njohën nga Moska”. 

Serbia verbërisht në dy ose tre karrige 

Serbia ka zgjedhur sërish një rrugë të pavëmendshme ndaj interesave të fuqive të mëdha, duke u ulur verbërisht në dy ose tre karrige dhe ndjekja e kësaj politike ka rezultuar thjesht të jetë një politikë e ‘futjes së kokës në rërë, shtoi diplomati në pension. Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka sanksionuar shtetin rus, me gjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet miqësore mes Serbisë dhe Rusisë -ose thënë më mirë: Nevoja e Serbisë për mbështetje tek Rusia – ekzistojnë për shekujsh. Vetëm kaq nuk do të ishte problem, nëse qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq, nuk do të kishte ndjekur prej dekadash kultin e presidentit rus Vladimir Putin, gjë që tani bën që edhe qytetarët e Serbisë të vazhdojnë të jenë tifozë të burrit të fortë të Moskës dhe ta konsiderojnë të drejtë sulmin ndaj Ukrainës, edhe pse një vend sa sllav aq dhe ortodoks.

Plot 19 herë e ka takuar Vuçiq Putinin gjatë viteve të shkuara. Por paratë e shumë dëshiruara per Serbinë vijnë në fakt nga Perëndimi, kryesisht nga Bashkimi Europian. Deri tani Vuçiq ia ka dalë që të luajë me sukses lojën „si me ashtu edhe me” pra mes Brukselit dhe Moskës. Por tani Serbia duhet të riorientohet ‘pas kësaj tradhtie të Putinit” – dhe madje ka nisur ta bëjë këtë.

Mediat e lidhura ndaj Vuçiqit kanë filluar, të përgatisin kthesën në politikën e jashtme të presidentit. Kjo do të ishte zgjidhja me mundshme e Serbisë. Dhe mendoj, që Serbia do të bashkohet me sanksionet ndaj Rusisë. Por kjo pas viteve të propagandës pro-ruse do t’i shitej  popullsisë serbe se kjo po ndodh prej kthesës në politikën e jashtme ruse dhe nën presion dhe me dhimbje të madhe – sepse Putini e ka tradhëtuar Serbinë. Në rast se Serbia do të bashkohet me sanksionet kundër Rusisë, ruset dhe rusët nuk do ta ndiejnë aspak, por bujqve serbë do t’u mbeten të korrat në dorë, pasi zakonisht ata e shesin drithin në Rusi. 

Interesat e ndryshme ruso- serbe ndaj çështjes së Kosovës

Përveç varësisë nga energjia dhe soft power, e Rusisë shtylla kurrizore e partneritetit serbo-rus në fakt është çështja e Kosovës, pasi asgjë nuk e ka lidhur Beogradin më shumë më Moskën se sa mbështetja e Serbisë tek Rusia për veton ruse në KS të OKB-së. 

Vetë Vuçiqi pat shprehur shqetësimin se pas luftës në Ukrainë Perëndimi mund ta përjashtonte Rusinë nga Këshilli i Sigurimit

Megjithatë, interesat që e udhëheqin Beogradin dhe Moskën për çështjen e Kosovës janë shumë, por duhet të angazhohet në një politikë e zjarrtë kundër-secesioniste që duhet të arrijë një marrëveshje më të mirë për mosmarrëveshjet me Kosovën. Për arritjen e këtij qëllimi, Serbia është mbështetur Rusia. Sipas fjalëve të vetë Milovan Drecun  i cili kryeson Komisionin e Kuvendit të Serbisë për Kosovën dhe Metohi (emri serb i territorit): “Ne duhet Rusia që të na forcojë pozicionin tonë me amerikanët, sepse kur Rusia e ka peshën e saj pas nesh, Amerikanët e dinë se asnjë zgjidhje nuk mund të kalojë pa pëlqimin e saj.” Rusia, nga ana tjetër, e sheh mosmarrëveshjen për Kosovën si një mundësi për të injektuar veten në Ballkan dhe gjeopolitikën e rajonit. Duke mbështetur Serbinë, Rusia mund ta përdorë çështjen Kosovës qoftë si mjet pazaresh me Perëndimin ose për të minuar atë që ajo e percepton si të njëanshmëri e projektit të SHBA. 

Në këtë pazar hipotetik, Rusia është munduar ta shiste bashkëpunimin e saj me Kosovën me pranimin e statusit të Krimesë ose me heqjen e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Por pas luftës në Ukrainë këto predispozita kanë ndryshuar dhe fuqia e presionit të Rusisë në këtë drejtim ka rënë. Po ka një risk të ri për Kosovën se çfarëdo marrëveshje paqeje që do të mund të arrihet në të ardhshmen për Ukrainën do të ketë impakt në mënyrën, sesi do të zgjidhet edhe mbi një zgjidhje të pranueshme nga Serbia për Kosovën. 

Marrëveshja për shkëmbin teritoresh involvimi i Rusisë dhe Grenelli

Dallimet mes Serbisë dhe Rusisë mbi Kosovën filloi të shfaqej në vitin 2018 kur presidenti Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi propozuan një shkëmbim toke midis dy palëve. Megjithatë, interesat që e drejtojnë Beogradin dhe Moskën në çështjen e Kosovës janë shumë të ndryshme.

Ish- Presidenti amerikan Donald Trump i dha mbështetjen e tij të plotë për propozimin, duke dërguar një letër drejtuar si Vuçiqit dhe Thaçit që i inkurajonte të arrinin një marrëveshje përfundimtare dhe i ftonte ata ta festonin atë në Shtëpinë e Bardhë. Rusisë nuk i pëlqente ideja që mosmarrëveshja e Kosovës të zgjidhej pa pjesëmarrjen ruse dhe pa mundësinë që Rusia të përfshihej në një shkëmbim të fuqive të mëdha. Ndryshe nga SHBA, Rusia nuk shihte asnjë dobi në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kosovës, nëse Rusia nuk konsultohej edhe ajo dhe nëse Rusisë nuk i ofrohej diçka në këmbim. 

Në tetor 2019 Donald Trump emëroi Richard Grenellin,  ambasadorin e SHBA në Gjermani dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare (DNI), si i dërguari special për dialogun Serbi-Kosovë, duke treguar interesimin e Trumpit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ky interes ishte ndezur nga paaftësia e BE-së për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Kosovës dhe dëshira e Trumpit për të shënuar një fitore të politikës së jashtme përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Kur u pyet nëse Rusia mund t’i bashkohej Serbisë, në Dialogun për Kosovën, zëdhënësi i Grenellit, Dick Custin u deklarua pozitivisht, “Të gjithë ata që mund të kontribuojnë me ide për të ndihmuar stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e Serbisë dhe Kosovës janë të e mirëseardhur”. Për Rusinë, cështja e Kosovës ishte  një dhuratë që ende duhet të vazhdojë të milet. Me Çështjen e Kosovës, Rusia mundi ta fitonte me çmim të ulët një pikëmbështetje politike në Serbi dhe në Ballkan.” Në fund të fundit, pavarësisht përshtypjeve që dikush mund të kuptuar nga komunikimet zyrtare, në Moskë nuk kishte kaq shumë besim tek  më i fuqishmi burrë shteti në Serbi, Aleksandar Vuçiqi, shkruante në artikullin ” Nga Rusia me dashuri? Pritja e vakët e Serbisë për ndihmën ruse dhe implikimet e saj gjeopolitike, analisti Vuk Vuksanoviq.

Rusia gjithashtu vazhdonte t’i referohej precedentit të Kosovës në konfliktet territoriale në periudhën post-sovjetike, sidomos në rastin e aneksimit të saj të Krimesë në 2014. Ndërmjetësimi i një marrëveshjeje ku Perëndimi nuk mund të ishte një ndihmë edhe më e madhe fuqisë dhe imazhit të Rusisë në rajon. Ne kushtet e sotme kjo ballancë pas sulmit të Putinit në Ukrainë është çatrafiluar. Ekuilibri është prishur Tani pozita e Rusisë është lëkundur pas sulmit në Ukrainë ka të ngjarë të zvarritet kundërshtojnë dhe refuzojnë të bëjnë lëshime për të. Por nëse Beogradi nuk mundet të fitojë koncesione, siç po duket, nga SHBA dhe Rusia në atë pazar hipotetik, qeveria serbe do të ishte në më së shumti politikisht në pozitë e vështirë për t’u shpjeguar qytetarëve të vet dështimin e saj për të nxjerrë ndonjë përfitim me vlerë pas dymbëdhjetë vjetësh kundërshtime të Pavarësisë së Kosovës. 

Por ai beson Moska Aleksandar Vuçiqit? 

Koalicioni i udhëhequr nga Vuçiqi që ka drejtuar Serbinë e qeverisur qysh nga viti 2012 përbëhet nga ish bashkëpunëtorët e kriminelit serb  Sllobodan Millosheviq, dhe ka cuar në një rënie të ndjeshme në demokracinë serbe. Megjithatë, nëse Vuçiqi do të tregohej më bashkëpunues për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kosovës dhe për të ruajtur njëfarë stabiliteti në rajon, edhe Perëndimi do të vazhdonte t’i mbyllte sytë ndaj prirjeve të tij anti demokratike. 

Edhe pse Vuçiq po e luan kartën ruse dhe bën uvertura emocionale drejt Moskës, ai nuk është një rusofil i vërtetë, sic janë ata që e rrethojnë Vuçiqin, dashamirësia dhe preferencat e së cilëve për Rusinë janë të pa diskutueshme si p.sh ish-presidenti, Tomislav Nikolic, dhe ish ministri i Jashtëm Ivica Daçiq. Megjithatë, ndryshe nga këta të dy, Vuçiqi thjesht i përdor mediat dhe tabloidet pro-qeveritare për të kënaqur ndjenjat pro-ruse të zgjedhësve të tij. Në të vërtetë, Vuçiq e di se aftësia e tij për të qëndruar në pushtet është më shumë varur nga kryeqytetet perëndimore, sesa nga Moska. Edhe Moska është e vetëdijshme për shfaqjet politike të Vuçiqit dhe e ka shprehur pakënaqësinë e saj nëpërmjet gjesteve diplomatike provokuese, Mosbesimi ishte i pranishëm edhe gjatë kohës kur Putini bëri një vizitë teatrale në Beograd në janar të 2019-tës, kur Putin po shmangte me kujdes demonstrimin e ndonjë qendrimi pozitiv ndaj Vuçiqit. 

I pyetur nga shtypi serb, nëse do t’i drejtohej publikut serb, Putinit u ishte përgjigjur shkurt se plani i vizitës nuk përfshinte të folurit në tubim. Pas shumë zvarritjesh dhe pas lutjeve nga mikpritësin e tij, Putin iu drejtua turmës me një “Faleminderit për miqësinë” serbo – ruse ». Gjë që u pa si një “dhuratë për Vuçiqin”, duke pasur parasysh se vizita ndodhi kur Vuçiq po përballej me demonstrata antiqeveritare masive, e në të vërtetë shërbeu vetëm për të treguar se marrëdhënia mes dy liderëve nuk ishte veçanërisht e ngrohtë apo e sinqertë. Se kjo marrëdhënie nuk është aq e qetë sa besohet zakonisht. Kjo gjithashtu u bë e dukshme edhe në nëntor 2019, kur një video e vitit 2018 tregohej një oficer i inteligjencës ushtarake ruse,  GRU, e vendosur në ambasadën e Rusisë në Beograd, duke i dhënë ryshfet një ish- oficeri ushtarak serb. Më vonë në dhjetor 2019, Vuçiq vizitoi Putinin në Soçi ku të dy i riparuan dëmet e shkaktuara nga skandali i spiunazhit. Vuçiq duhej ta bënte këtë pasi ai ende atëhere e kishte nevojën e Rusisë për çështjen e Kosovës. Pasi  cdo marrëveshje që Serbia do të negocionte për Kosovën, do të ishte politike pasi publiku serb do ta perceptonte atë situatë sikur udhëheqja ruse është më e vëmendshme ndaj Serbisë dhe interesave kombëtare të saj sesa vetë liderët serbë. Putin dhe Vuçiq mbetën të lidhur një martesë interesi.

Putin dhe Vuçiq një martesë me interes

Por humbjet katastrofale ruse në Ukrainë edhe qëndrimi i Perëndimit ndaj Serbisë dhe kryesisht i BE-së, ku Serbia është kandidate për antarësim, nuk do të ndryshojë në favor të Vuçiqit në këto rrethana. Pyetja mbetet a do të shkojë kjo martesë tani drejt një divorci. A do të shkojë Vuciqi drejt Perëndimit tani që sipas tij Putini e tradhtoi Serbinë? Presioni nga perëndimi për Vuciqin do të rritet eksponecialisht. Ndaj është koha që Kosova të kërkojë të bëjë një diplomaci më inventive duke kërkuar njohjen si parakusht për bisedime. Vizita dhe takimet e Albin Kurtit në SHBA me diplomatët amerikanë synojnë përgatitjen e palës kosovare për bisedime.

Një sinjal presidenti i Serbisë e mori gjatë vizitës në Berlin më 4 maj 2022, ku kryeministri i Kosovës u prit njëkohësisht me të njëjtat nderime, si dhe ai. Një mesazh i qartë ky: në sytë e Republikës Federale të Gjermanisë Kosova dhe Serbia janë shtete të barazvlefshme.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Kurti dhe Vuçiq, që në fakt nuk donin ta takonin njeri-tjetrin u detyruan të marrin pjesë në një darkë jo zyrtare me të ngarkuarin e BE-së për Ballkanin. Ata u ulën në një tryezë të rrumbullakët të shtruar bukur duke vështruar miqësisht përpara kamerave. Por asgjë nuk doli nga ky takim. Të ngarkuarit e Beogradit dhe të Prishtinës do të vazhdojnë bisedimet më 13 maj në Bruksel. Por ky gjest do t’u ngulitet në kujtesë të dy politikanëve. 

Fjalimi i Vuçiçit që për mendëm në fillim pason qëndrimin e tij në Berlin më 4 maj. Kurti, pas takimit, ka thënë se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit të negociatave me Serbinë”. Vuçiç, në anën tjetër, ka thënë se Serbia “do të bëjë të pamundurën për të arritur një zgjidhje kompromisi”. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren. Kancelari, Olaf Scholz kërkesat e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë në Berlin i formuloi me fjalë kortezie: Nga njëra anë duhet që të dyja shtetet lidhur me çështjen e Ukrainës t’i dërgojnë të njëjtin mesazh Rusisë. 

Gjithashtu kreu i qeverisë gjermane pret nga Serbia që të jetë e prerë kundër separatizmit të serbëve të Bosnjes nën Milorad Dodikun, si dhe të respektojë shtetin ligjor dhe lirinë e shtypit në Serbi. Por para së gjithash Beogradi duhet të njohë zyrtarisht Kosovën si të pavarur dhe të mos pengojë antarësimin e shtetit të ri të Europës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. 

Me këtë Europa do t’i afrohej së paku një hap të vogël bashkimit të saj paqësor – ky do ishte një sinjal i rëndësishëm në një moment historik, në të cilin 77 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, po gjëmon sërish një luftë e re në kontinentin e vjetër edhe pse Putini po mbulohet ta mbulojë me fanfarat e 9 majit te fitores mbi nazizmin, që për ironi është dhe dita e Evropës. Rënia e mbështetjes ruse do të hiqte një karrike në lojën e karrikeve gjeopolitike të Vuçiqit. Ndaj Kosova duhet me vendosmëri ta shfrytëzojë këtë rast.

Nderkohë Serbia po e mëson mirë faktin se nuk mund të ulësh në dy karrike në një kohë kur ato janë shumë larg njera tjetrës.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi

Një vepër e shquar dhe një autor “Yiddish” nga biblioteka e hapërdárë e Akademik Aleks Budës

May 8, 2022 by s p

(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)

C:\Users\Admin\Desktop\G-folder\Aleks Buda.jpg

Akademik Aleks Buda në tryezën e tij të punës

Në letrën e 12 Prillit të vitit 1500 drejtuar mikut të vet të edukuar në Sorbonë, Jacobus Battus, humanisti i madh holandez Desiderius Erasmus mes të tjerash i shkruante: “Kur më bien pak para në dorë i shpenzoj për libra, ndërsa pjesën tjetër të mbetur për ushqim dhe rroba.” Pikërisht, një zakon të tillë humanist e kishte kultivuar qysh në vegjëli edhe akademiku ynë Aleks Buda.I rritur në një familje bibliofile dhe me një etje të pashuar për leximin, ai blinte pothuajse çdo libër të fundit të dalë në librari, aq sa biblioteka e tij personale llogaritet që të kishte mbi 15.000 vëllime.(Shumë prej të cilave të ardhura nga Italia dhe Austria) Por se çfarë ndodhi me fatin e kësaj librarie të pasur, si u hapërda ajo dhe ku përfunduan krejt ato antikuare të çmuara kjo mbetet ende një mister.

Për mua do të ishte një befasi e këndshme teksa gjatë aktivitetit hulumtues të më binte në dorë njëri prej këtyre antikuareve, i cili kishte të shkruar në brëndësi dhe në mënyrë kaligrafike emrin e zotëruesit të tij legjitim: “Aleks Buda”. Por befasia do të kthehej në habi teksa vepra në fjalë mbante një titull paksa të çuditshëm për veshin e shqiptarëve: “Dybbuk”. Por çfarë është ky “Dybbuk” dhe cili është autori i saj?! “Dybbuk” është një dramë me 4 akte, e shkruar në vitin 1914 prej shkrimtarit, aktivistit politik dhe folkloristit hebreo-rus Solomon Zanvel Rappoport ose siç njihet ndryshe me emrin e penës në rusisht Semën Akimovič Ansky.Gjatë Revolucionit të Madh të Tetorit, kur u largua prej Rusisë Bolshevike për në Poloni (1918) Anski e humbi dorëshkrimin original të kësaj vepre por falë përkthimit që kishte realizuar poeti kombëtar hebre Hayim Nahman Bialik ai u mbështet mbi këtë material dhe nisi që ta rishkruaj atë. Ansky i përket brezit të artë të shkrimtarëve klasikë në Yiddish si Mendele Moicher Sforim, Isaac Leib Peretz, Sholem Aleichem, Yankev Dinezon, Yehoshua Ravnitzky, etj. Ai ishte një shkrimtar mjaft prodhimtar dhe pavarsisht jetës së shkurtër që pati, “opus magna” e tij në këtë gjuhë është përmbledhur në 15 volume.Por “Dybbuk” mbetet më e shquara prej tyre; ajo është luajtur me dhjetra herë, është realizuar kinematografikisht dhe madje edhe kompozitori i shquar amerikan Leonard Bernstein mesa duket i tërhequr prej kësaj vepre të Ansky-t realizoi kompozimin e saj muzikor në vitin 1974, e cila u vu në skenë prej mjeshtrit të baletit të Qytetit të New York-ut, Jerome Robbins. Por ç’ka e bën këtë vepër kaq intriguese dhe njëkohësisht kaq të veçantë në të njëjtën kohë?! 

Përpara se ti japim përgjigje kësaj pyetjeje, ler të japim fillimisht disa detaje përshkruese mbi këtë kopje fizike nga biblioteka e Aleks Budës.Ajo është një botim i kësaj vepre në italisht, e realizuar nga botuesi Rocco Carabba në Lanciano, Abruzzo në vitin 1930.Titulli i veprës është: “Dibbuk: Sul confine di due mondi” dhe është përkthyer nga Rusishtja prej poetes dhe përkthyeses ruso-italiane Raissa Olkienizkaâ-Naldi. Përsa i përket formatit të tij, ai është një libërth me jo më tepër se 128 faqe dhe me përmasat 18×12 cm.Një përkthim prej Yiddishtes në Italisht i “Der Dibek: oder tsvishn tswey veltn” është bërë së fundmi nga Raffaele Esposito i Universitetit të Napolit “L’Orientale” (2012), bazuar në versionin e veprës në këtë gjuhë, të kryer nga vet  Ansky në vitin 1919.

C:\Users\Admin\Desktop\Shalom Ansky.jpg

                            “Dibbuk”: kopja fizike në Italisht nga biblioteka e Aleks Budës

Subjekti i kësaj vepre zhvillohet në një prej shtetl-ve (qytezave hebraike) të Polonisë dhe ngjarjet rrjedhin pas një premtimi apo fejese në djep (Shqipja është një gjuhë mjaft kuptimplotë) që dy miq të ngushtë, Nisan dhe Sender i bëjnë njëri-tjetrit për lidhjen martesore të fëmijëve të tyre.Por njëri prej të dyve, Nisan-babai i djalit papritur ndërron jetë dhe miku i vjetër e harron premtimin e dikurshëm që ka bërë dhe vendos që ta martoj vajzën e vet Leah me dikë tjetër; të ngritur në rang dhe pasuri.Djali, Khanan një student i varfër i Yeshiva-s (kolegj për studimin e teksteve fetare hebraike) dhe praktikues sekret i dijeve ezoterike i cili është marrëzisht i dashuruar pas Leas teksa e merr vesh këtë lajm ligështohet dhe trupin e tij e gjejnë të pajetë.Gjatë ditës së martesës, kur dhëndrri Menashe i afrohet nuses dhe i ngre velin lart patakset prej një zëri mashkullor i cili vjen kërcënues prej fytyrës së saj.Atëherë menjëherë të ftuarit kuptojnë se ajo është e sunduar nga një Dybbuk, i cili është shpirti i paqetë i Khananit të prerë në besë.Drama të mban mbërthyer me dialogët, tensionin shpirtëror dhe tektonikën emocionale, deri në  fundin e saj, me humbjen tragjike të Leas dhe bashkimin enigmatik shpirtëror të dy të dashuruarëve në botën tjetër.

Duke qënë se punoi vet si etnograf për përmbledhjen e folklorit hebraik, Ansky e përdor folklorin si taban për veprën e vet dhe e “huazon” këtë subjekt pikërisht nga një ngjarje e cila besohet se ka ndodhur në Poloninë e Shek.XVIII-XIX-të.Gjithashtu, ai përfshin në të disa elementë të Misticizmit Hebraik siç është edhe dybbuk, recitimi i pasazheve të veçanta të Torahut apo edhe ekzorcizmi prej Ba’al Shemit (Shëruesit Spiritual dhe Mrekulli-bërësit), mjaft popullore këto në Evropën Lindore dhe territoret e Lituanisë, Polonisë, Ukrainës, etj. Fillesat kjo besojmë i ka tek kabalisti i Shek.XVI-të, Rabbi Isaac ben Solomon Luria (1534-1572) dhe doktrina e tij e transmigrimit të shpirtrave (Gilgul) tek e cila ai shihte një mënyrë përmes të cilës shpirti vazhdonte realizimin e misionit të tij drejt vet-perfeksionit.Ndërsa dishepujt e vet do ti jepnin një tjetër interpretim dhe do të shkonin shumë larg me idenë e shpirtit të keq, të paqetë e të papranuar nga Vendi i Ndëshkimit (Gehinnom) apo Qielli (Shamaim) dhe të ngecur mes dy botëve (dybbuk) i cili rikthehej enkas për të pushtuar, zotëruar dhe marr në kontroll trupa të gjallë dhe jetët e tyre. 

Por çfarë rëndësie paraqet kjo vepër në bibliotekën e themeluesit të Akademisë së Shkencave (1972) Profesor Aleks Budës?! Së pari, siç e kam theksuar edhe diku tjetër ajo tregon për arsenalin kulturor, të thellë e të gjithëanshëm të intelektualëve tanë të Viteve 30-40 të cilët për nga formimi, forca e ideve apo edhe bagazhi intelektual mund të mateshin fare mirë me kolegët e tyre në Botën Perëndimore.(Mjafton të lexosh shkrimet e tyre dhe bindesh për këtë fakt) Së dyti, për nga rëndësia ideore, vepra në fjalë është një vepër mjaft emancipuese për nga pikëpamja shoqërore.Përmes saj, sipas mendimit tim Ansky stigmatizon brënda shoqërisë hebraike tre fenomene negative; 1) Martesat me premtim qysh në djep të vendosura prej Të Moçmëve, në kurriz të lirisë së Të Rinjve për ta zgjedhur vet partnerin/ partneren e tyre 2)  Konsiderimi i femrës si pronë dhe mjet përllogaritjeje ekonomike, pa marr aspak në konsideratë personin, vullnetin, pëlqimin apo ndjenjat e saj dhe 3) Besëprerja.Fenomene të tilla të cilat i kemi hasur edhe në shoqërinë, folklorin tonë apo edhe literaturën e disa autorëve shqiptarë. Dhe së fundmi, kjo vepër ngre lart devizën: “Si Qënie Njerëzore, lufto përherë për Drejtësi pasi qoftë edhe një padrejtësi e vogël mundet që ta shkatërroj Botën!” 

Këto pikëpamje të shprehura në vepër si çlirimi i femrës nga autoriteti patriarkal dhe mostrajtimi i saj si pronë apo mjet shkëmbimi, liria e të rinjve për të zgjedhur vet mbi jetën e fatin e tyre si dhe prevalimi i drejtësisë së Individit ndaj forcës së imponimit kolektiv ishin gjithashtu edhe bindjet politike të Anskit si aktivist i BUND (Partia Socialiste Hebraike) por të cilat rezononin gjithashtu edhe me bindjet Social-Demokrate të Profesor Aleks Budës.Në  jetën e vet, Buda u mundua fort që tu qëndronte besnik këtyre bindjeve politike.

Gjatë një interviste të dhënë shumë vite më parë nga historiani gjerman Michael Schmidt-Neke pyetjes së gazetares se cili është sipas tij personaliteti më i spikatur i Akademizmit Shqiptar, iu përgjigj shkurt dhe qartë: “Padyshim Aleks Buda.Një intelektual i përmasave europiane.Duhet të jeni krenar për të: Ai është ambasadori i shkencës shqiptare!”

Filed Under: Politike Tagged With: aleks buda, Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 228
  • 229
  • 230
  • 231
  • 232
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT