• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY VITE SHKËLQIM PËR ANSAMBLIN NACIONAL NË KRYE ME SHKODRAN TOLAJN

November 13, 2021 by s p

Emin Azemi/

Siç thoshte Tony Robbins se “njerëzit e suksesshëm nuk janë me fat por ata janë të aftë të bëjnë dicka ndryshe nga të tjerët” , Shkodran Tolaj me modestinë dhe përkushtimin e tij, me ide dhe kreativitet origjinal dhe të pakopjueshëm duke marrë përsipër edhe udhëheqjen menaxheriale edhe artistike ka arritur të jetë model sukses

Plot 2 vite me shkëlqimin e Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV dhe sukseset e drejtorit Shkodran Tolaj i cili shquhet si tenor dhe një artist i rrallë i përmasave kombëtare që ka marrë përsipër barrën dhe përgjegjësinë jo të lehtë të  udhëheqjes së këtij institucioni me rëndësi jetike për shqiptarët në RMV. Figura e tij prej drejtuesi lidhet me shprehjen e famshme “Durimi, puna dhe shpresa” janë tre elemente që përbëjnë formulën e suksesit dhe si duket këto më së miri gërshetohen tek ai. Është ndër të rrallët që mos themi i vetmi drejtues i cili për dy vite nuk ka munguar asnjë ditë të vetme në punë,nuk ka marrë asnjë ditë pushimi dhe nuk ka lënë asnjë obligim për të nesërmen edhe në kohën më të rëndë të pandemisë globale. Mishërimi i tij me këtë institucion ka bërë që Ansambli të ngritet shpejtësi institucion dhe ky proces i sendërtimit institucional është më i vështiri po vetëdija se ky institucion duhet të rritet cdo ditë artistikisht sepse institucionet e vonuara të shqiptarëve duhet të arrijnë të ecin në hap me të tjerët ka sjellur dinamikë të punës që për shumkë mund të jetë e paimagjinueshme.

Siç thoshte Tony Robbins se “njerëzit e suksesshëm nuk janë me fat por ata janë të aftë të bëjnë dicka ndryshe nga të tjerët” , Shkodran Tolaj me modestinë dhe përkushtimin e tij, me ide dhe kreativitet origjinal dhe të pakopjueshëm duke marrë përsipër edhe udhëheqjen menaxheriale edhe artistike ka arritur të jetë model suksesi. Si artist i përmasave mbarëkombëtare, i rritur në Evropë ku diciplina është mbi të gjitha ka bërë që ky institucion të frymojë me një klimë të hapur dhe vizione të qarta jashtë kufizimeve lokale. Kjo dëshmohet me një numër të madh të realizimeve artistike që do përmendim. Në fillim të mandatit nëntor 2019 ishte pjesë e realizimit të  koncerteve në Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Kërcovë, Strugë (16-24 nëntor) të cilat koncerte tashmë kanë kaluar në tradicionale dhe mbahen cdo nëntor.

Shkodran Tolaj duke u nxitur nga një shkollë e mirëfilltë e klasikëve të cilët institucionet i ngritën mbi bazën e vlerave të së kaluarës ka arritur që të arkivojë dhe rikthejë me koncerte premierë: 1.Musa Piperkun nga Dibra dhe tërë krijimtarinë e tij të suksesshme të viteve 70-80 –koncert premierë me 22 gusht 2020 mbajtur në sallën e tv 21 Shkup dhe transmetuar në të gjitha rrjetet e këtij televizioni ,2.Trio Zajazin nga Kërcova- dhe këngët më të bukura të këtij grupi legjendar folklorik –koncert premierë 10 tetor 2020, mbajtur në sallën e tv 21 Shkup dhe transmetuar në të gjitha rrejtet e këtij televizioni, 3. Lorenc Antonin nga Shkupi- kompozitorin e parë nga Maqedonia dhe  veprat premierike si “Skenderbeu ngadhnjimtar”, “Malësorja” e e shumë të tjera- koncert premierë dhënë në sallën e Armatës në Shkup me 1 nëntor 2020 transmetuar ne Televizionin e Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe” 4. Shaban dhe Enver Stafaj nga Gostivari të cilët krijuan kulturën qytetare muzikore në RMV- koncert premierë i mbajtur me 08.10.2021 në Filharmoninë e Maqedonisë, transmetuar në Televizionin e Maqedonisë, program në gjuhën shqipe.

Koncerte të sukseshme dedikuar festave kombëtare e që kanë bërë bujë të jashtëzakonshme janë :1. Koncerti i Pavarësisë së Kosovës dhe udhëtimi i parë i Ansamblit në Kosovë më 17 shkurt 2020- u transmetua në të gjitha rrjetet e Televizionit 21, 2. Koncerti i28 nëntorit 2020 në Shtëpinë e Armatës dhe Sheshin Skenderbeu transmetuar në Televizionin e Maqedonisë dhe Televizionin 21 në të gjitha rrjetet, 3.Koncerti i 60 vjetorit të këngëtarit të muzikës epike Ilir Shaqiri që u mbajt me 17 shkurt 2021 për Pavarësinë së Kosovës në Filharmoninë e Maqedonisë- I transmetuar direkt në televizionin e Maqedonisë, program në gjuhën shqipe dhe në Radiotelevizionin shqiptar.

Të tilla koncerte kanë vënë bazamentet e identifikimit të Ansamblit Nacional dhe tashmë kanë krijuar një arkivë të pasur të këngëve dhe programeve të cilat janë të xhiruara dhe konsiderohen si pasuria më e madhe institucionale.  Koncertet tradicionale vjetore që u mbajtën nëKërcovë (16 tetor 2020) Gostivar (12 dhjetor 2020) Kumanovë (16 dhjetor 2020), Tetovë (18 dhjetor 2020), ishin evenimete që publiku i priti me dashamirësi posaqërisht pas një periudhe pandemike dhe nevojës së madhe për art e kulurë ndonëse Ansambli ka rezultuar të jetë  i pari institucion me programe online duke punuar edhe në kohën më të rëndë të mbylljes globale për të sjellur dhjetëra realizime artistike kurajuese për jetën dhe senzibilizuese për gjendjen në të cilën kalonte njerëzimi. Në atë kohë posaqërisht kishte sukses projekti “Triumfi I jetës” realizuar nga këngëtarët dhe orkestra e ansamblit. Paralelisht me sukseset brenda vendit ansambli numëron këto festivale ndërkombëtare : 1. pjesëmarrje në Mal të Zi me 8 mars 2020, 2.Pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar nëEmiratet Arabe 18-25mars20213.Pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar në Veliko Tarnovo, 25-31 korrik 2021  4.Pjesëmarrje në festival ndërkombëtar në Spanjë, 2-12 gusht 2021.

Sa i përkest sektorit të valleve aty është bërë një konsolidim i jashtëzakonshëm dhe kjo falë emrave të koreografëve që kanë punuar. Instalimi i shkollës së vallëzimit shqiptar të Sadik Batkut punuar me profesorin Artan Ibershimi konsiderohet si hapi më i duhur në ngritjen profesionale të vallëtarëve. Falë një pune të jashtëzakonshme sivjet u arrit të realizohet një valle tejet e rëndë teknikisht vënë në skenë nga Robert Nuha “Vallja e paqes” e cila e paraqiti ansamblin në dimension tjetër, bashkëkohor dhe kombëtar. Një punë e tillë e Nuhës bashkë me kompozitorin Valton Beqiri kanë bërë që artistët tanë të sjellin dinamizmin, energjinë, plastikën dhe gjithcka që i duhet një vallëtari profesionist. Kjo valle u vu në skenë në koncertin për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit me 08.08.2021 në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup. Shumë shpejtë do të jepet  premiera e valles me motive nga Reka që do të paraqesë një fillim gjurmimi të rrënjëve shqiptare, inskenuar nga koreografi Dilaver Kryeziu dhe vallja e Prespës me kostumet origjinale dhe elementet tejet specifike qëështë punuar nga koreografi Genc Kastrati. Nga vallet e sukseshme të repertorit janë  Vallja e Kërcovës, vallja e parë e menduar koreografikisht dhe profesionalisht që i dedikohet kësaj zone fare të paprekur dhe  shëndërrimi i suitës orkestrale “Malësorja”të Lorenc Antonit në koreografi të Artan Ibershimie cila edhe është xhiruar edhe si videoprojekt. Së shpejti adhuruesit e muzikës së mirëflltë kombëtare do të kenë në duar3 AudioCD, 1. Cd të Trio Zajazit, 2. Cd të Lorenc Antonit dhe Musa Piperkut dhe 3. Cd me program të autorëve të ndryshëm. Më këto regjistrime të bëra në studion më profesionale në Maqedoni e më gjerë dhe prodhimin e CD-ve do të arkivohet plotësisht programi artistik dy vjecar edhe në aspektin audio-material përvec atij video që e posedojnë mediat dhe ansambli në arkivën e vet.

Pra për dy vite falë një pune kolosale janë realizuar plot 4 koncerte tematike dedikuar personaliteteve të shquara nga Maqedonia, 3 audio Cd që kanë përmbledhur tërë programin dy vjecar, 6 koncerte premierë për shënimin e datave të rëndësishme kombëtare e shtetërore, 5 valle premierë,  9 koncerte tradicionale në qytete, 5 pjesëmarrje  jashtë shtetit dhe 1 cmim të parë në festival ndërkombëtar.

Gjithsejt plot 32 projekte të suksesshme të cilat duan përkushtim të jashtëzakonshem pa përmendur punën kolosale në ngritjen e institucionit në pikëpamje administrative duke vendosur rend në stafin artistik e administrative me krijim të normativave dhe rregulloreve të punës dhe realizim të punësimeve të reja në sektorin e administratës dhe artistëve Për punën e bërë ansambli ka marrë dy cmime brenda dhe jashtë vendit 1. Cmimi “The best of the best” në spektaklin “Grand prix” që organizoi Televizioni 21 me 27 shjetor 2020- çmim ky për Shkodran Tolaj që vlerësohet si drejtori më i suksesshëm nga të gjithë drejtorët e  institucioneve kulturore në RMV për vitin 2020 2. Çmimi i parë për Ansamblin shqiptar nga juria profesionale në festivalin ndërkombëtar në Veliko Tarnovo ku morën maksimum të pikëve për prezantimin artistik (311 pikë), 31 korrik 2021. Më e rëndësishmja është që drejtori Tolaj me mbështetje të institucioneve përkatëse ka arritur të sigurojë adresë dhe hapësirë për administratën e Ansamblit dhe tashmë ky institucion ka “tapi” dhe adresë të përhershme që është një hap drejt realizimit të ëndrrës për posedimin e hapësirave vetanake edhe për stafin artistik. Shkodran Tolaj udhëhiqet nga motoja “ngritja institucionale dhe Ansambli janë mision kombëtar i shenjtë dhe përkushtimi ndaj një detyre të tillë është përgjegjësi dhe krenari njëkohësisht”. Kjo qasje padiskutim ka sjellur dy vite shkëlqim për Ansamblin Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV . Prezantimet e radhës të cilat vecse janë pregatitur janë premiera “Nëntori i Alfabetit” që do të shfaqet me rastin e 113 vjetorit të Kongresit të Manastirit me 22 nëntor në Manastir  dhe premiera “Nëntori i flamurit” që do do të shfaqet me rastin e 109 vjetorit të shtetit shqiptar në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup.

Filed Under: Politike Tagged With: Emin Azemi

Ministri Mehaj: Kosova e vendosur fuqishëm në rrugën e demokracisë perëndimore dhe orientimin e qartë të saj euroatlantik

November 12, 2021 by s p

Me ftesë të homologut të tij kroat, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, mori pjesë në konferencën vjetore të Kartës së Adriatikut-SHBA, në nivel të ministrave të mbrojtjes, të mbajtur më 9-10 nëntor, në Split të Kroacisë.

Paraprakisht, ministri Mehaj përveç takimit me ministrin kroat të Mbrojtjes, Mario Banozic, realizoi takime edhe me: zv.ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi, Nathaniel Adler, zv.ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Bashkim Hasani dhe drejtorin e Politikave të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Malit të Zi, gjeneral major Rajko Pesic.

Gjatë punimeve të konferencës, në sesionin kryesor “Sfidat e reja të sigurisë-nxitje për bashkëpunimin e zgjeruar të sigurisë dhe mbrojtjes së A-5”, ministri Mehaj në ekspozenë e tij foli për nevojën e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si në rastin e pandemisë me Covid-19 si dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi për rimëkëmbjen rajonale post-covid.

Ai gjithashtu u fokusua edhe për shqetësimin në rritje nga ndërhyrjet e huaja në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë atë të Rusisë dhe Kinës, përmes Serbisë.

Ministri Mehaj potencoi të pranishmëve rrezikun e madh të këtyre kërcënimeve ruse dhe rolit destabilizues të Serbisë si në rastet e fundit në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe tentimit për krijimin e tensioneve në kufi me Kosovën, duke rikujtuar tragjeditë e shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.

Lidhur me synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ministri Mehaj ftoi të gjitha vendet anëtare të Kartës së Adriatikut që të pajtohen me kërkesën e Kosovës për anëtarësim të plotë në këtë iniciativë të sigurisë rajonale.

“Anëtarësimi ynë në Kartën e Adriatikut-SHBA do të na ofronte një mundësi më të madhe për të kontribuar drejtpërdrejtë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë”, theksoi ndër të tjera ministri Mehaj.

Filed Under: Politike Tagged With: kosova

DITA BOTËRORE E LIRISË DHE KUJTIMI I VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT BOTËROR NË AMERIKË, 2021

November 11, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image Çdo vit këtu në Shtetet e Bashkuara shënohet 7 Nëntori — data e Revolucionit Bolshevik rus më 1917 — si Dita Kombëtare e Viktimave të Komunizmit botëror, në kujtim të rreth 100-milion personave të vrarë, shekullin e kaluar, nga regjimet komuniste, anë e mbanë botës, përfshir masakrat dhe barbarizmat komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri. Pa harruar edhe ato sllavo-bolshevike – si masakra e Tivarit — dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë komuniste — atje ku janë regjistruar disa prej krimeve më të tmershme që ka njohur njerëzimi, përfshir disa prej krimeve më mizore, të regjimit terrorist serb kundër popullësisë së pafajshme shqiptare në Kosovë.  Disa prej këtyre viktimave të komunizmit në Shqipëri ishin edhe 38 martirë të Kishës Katolike Shqiptare, të shpallur të lumtur, në Shkodër me 5 Nëntor, 2016.  Kisha Universale Katolike, por në veçanti Kisha Katolike Shqiptare në trevat shqiptare dhe në diasporë, shënuan 5 Nentorin si ditën e kujtimit të 38 Martirëve të lumë, të përsekutuar dhe të vrarë, barbarisht, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kjo ditë është cilësuar si një ditë e madhe për Kishën Katolike dhe një ditë e shënuar gjithashtu edhe për Kombin shqiptar duke i kujtuar këta “Martirë, pishtarë drite, që ndriçojnë në qiellin e njerëzimit”, jo vetëm për Kombin të cilit ata i përkasin, por si shembëll qendrese për liri e demokraci, për mbarë njerëzimin. Njëri prej tyre ishte Kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Vinçenc Prenushi.

Djathtas, At Vinçenc Prenushi, që kryeson listën e gjatë të priftërijnve katolikë të vrarë, të vdekur e të masakruar nga regjimi komunist shqiptar, me të Madhin At Gjergj Fishta, në vitin 1937.

Vinçenc Prenushi, klerik i lartë katolik, drejtor i shtypshkronjës françeskane, drejtor i Kolegjit Françeskan, Guardjan i Kuvendit, drejtor i «Bijave të Marisë», drejtor për gati njëzet vjet i revistës «Zâni i Shna Ndout», Provincial i Françeskanëve (1926-1936), Ipeshkëv i Sapës (1936-1940), Kryeipeshkëv i Durrësit (1940), Primat i Kishës, poet, folklorist, përkthyes, Martir i Kishës, i Lumë. Vdiq në spitalin e burgut të Durrësit, më 19 mars 1949, sipas Profesor Arshi Pipës, shokut të tij të qelisë, “Mbasi ishte torturuar në mënyrën më të dhimbshme, duke e rrokullisur në një pëlhurë të mbushur me gjilpëra, derisa sipërfaqja e trupit ishte çjerrë”. (Kujto.al) — A mund t’a marrë me mend lexuesi nëse nuk kishte shkuar në jetën e amëshuar At Gjergj Fishta para se të vinin në fuqi talebanët komunistë të Enver Hoxhës – se si do e kishte pësuar ai në duartë e xhelatëve komunist, siç ishte i ashtuquajturi prokuror i regjimit komunist, Arianit Çela!?  Një sistem që mbijeton edhe sot në “demokracinë shqiptare” mbeturinat e të cilit edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, mund të gjënden aty këtu në detyra të larta të qeverisë e të shtetit e sidomos në sistemin e “reformuar” të drejtësisë shqiptare, “post-komuniste”, para syve të ndërkombëtarëve. Ndryshe nga bota perëndimore, në Shqipërinë” demokratike” as nuk bëhet fjalë për kujtimin e viktimave të komunizmit, as dje, as sot dhe siç janë duke shkuar punët, as nesër.

Ndërkaq, këtu në Shtetet e Bashkuara 9 Nëntori kujtohet si Dita Botërore e Lirisë, një festë federale e zyrtarizuar si e tillë nga ish-Presidenti Xhorxh W. Bush në vitin 2001, për të kujtuar shembjen e Murit të Berlinit, atij simboli të shëmtuar të komunizmit botëror, që ndau familjet dhe komunitetet anë e mbanë kontinentit evropian dhe më gjërë, për pothuaj një gjysëm shekulli. https://www.federalregister.gov/documents/2001/11/15/01-28804/world-freedom-day-2001. Por shembja e të cilit, më në fund, për një pjesë të madhe të Evropës, fatbardhësisht, ka shënuar fillimin — pas pothuaj një gjysëm shekulli robëri komuniste — e ngritjes së demokracisë dhe të lirisë si dhe shëmbjen e komunizmit zyrtar në Evropën Lindore dhe Qëndrore. “Shembja e Murit të Berlinit më 9 Nentor, 1989 shënon një pikëkëthesë në Luftën e Ftohtë dhe një pikë referimi tepër domethënse të fitorës së lirisë, mbi tiraninë”, është shprehur ish-Presidenti republikan, Xhorxh Bush në deklaratën e tij 20-vjetë më parë, duke shtuar se, “Muri i Berlinit ishte një simbol i shëmtuar që ndante njerëzit e lirë dhe ata që jetonin nën regjimet shtypëse komuniste.  Ne nderojmë frymën, vendosmërinë dhe guximin e të gjithë atyre që luftuan për liri, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por  të gjithë ata që kanë jetuar nën regjimet diktatoriale komuniste”, thuhej në deklaratën e ish-Presidentit republikan të Amerikës, Z. Xhorxh Bush, kur përcaktoi 9 Nëntorin,  si festë federale të Shteteve të Bashkuara, në vitin 2001.

20-vjet më vonë këtë javë, më 9 Nëntor, 2021, Presidenti aktual, demokrati Xho Bajdën shënoi këtë ditë me një deklaratë në të cilën thotë se ishin aspiratat e qytetarëve të Evropës Lindore e Qendrore për liri e demeokraci, ato që shëmben Murin e Berlinit. A Proclamation on World Freedom Day, 2021 | The White House
“Ishin aspiratat për liri të njerëzve të Evropës Qendrore dhe Lindore, ato që, përfundimisht, rrëzuan Murin e Berlinit dhe që mposhtën përpjekjet e Bashkimit Sovjetik për t’a mbajtur Evropën të ndarë, me forcë.  Në Ditën Botërore të Lirisë, ne përkujtojmë këtë ngjarje historike dhe nderojmë të gjithë ata, që në mënyrë paqësore, u ngritën dhe kërkuan lirinë e tyre, por edhe të gjithë ata që vazhdojnë atë trashëgimi duke punuar, paqësisht, për t’i dhënë fund tiranisë dhe shtypjeve edhe në botën, në të cilën jetojmë sot. Që nga shembja e Murit të Berlinit në vitin 1989, kemi parë përparime të mëdha në avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike në vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, por edhe në mbarë botën” ka thekësuar Z. Bajdën.

“Megjithatë, demokracia është ende e brishtë dhe në shumë vende ajo mbetet nën kërcënim”, u shpreh Presidenti Bajdën. “Liderë autoritarë kanë vendosur pushtetin e tyre mbi të drejtat e qytetarëve të tyre dhe në mbarë botën ne shohim autokratë që shkelin sundimin e ligjit, sulmojnë lirinë e shtypit dhe minojnë pavarësinë e gjyqësorit”, shprehet Presidenti Bajdën në deklaratën e tij me rastin e Ditës Botërore të lirisë, 2021.  Presidenti Bajdën tha mëtej në deklaratën e tij se, “Përballë ringjalljes së autoritarizmit dhe të sulmeve ndaj të drejtave të njeriut në mbarë globin, Shtetet e Bashkuara po punojnë në mbështetje të një rendi demokratik dhe të qëndrueshëm brenda dhe jashtë vendit. Mbetet po aq e rëndësishme sa kurrë më parë për t’iu kundërvënë një sërë kërcënimeve ndaj demokracisë, paqës dhe stabilitetit”, theksoi Z. Bajdën, “ përfshirë shtypjen, në nivel ndër-kombëtar, të drejtave themelore të njeriut si dhe korrupsionit, sulmeve kibernetike, dezinformimit, autoritarizmit dixhital, pabarazisë dhe padrejtësisë, shkeljen e të drejtave të votuesve dhe shanatazhimit ekonomik”, theksoi ndër të tjera, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajdën, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë, në kujtim të shembjes së Murit të Berlinit. Z. Bajdën e përfundoi mesazhin e tij me një thirrje drejtuar popullit amerikan, që në këtë ditë, “Të kujtojë shpresën që simbolizon shembja e Murit të Berlinit dhe të ritheksojmë së bashku dedikimin tonë ndaj lirisë dhe demokracisë.”

Ndërkohë, Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington, duke filluar nga 7 Nentori i këtij muaji organizon, zakonisht, ceremoni përkujtimore dhe konferenca akademike, ku marrin pjesë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ekspertë dhe historianë të dalluar në këtë fushë të ardhur nga Evropa dhe Amerika. Për më tepër, ka filluar një lëvizje në Amerikë për të kujtuar 7 Nentorin — Ditën e fitores së Revolucionit Bolshevik rus — si Ditë Kombëtare për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, anë e mbanë botës. 15 shtete amerikane kanë miratuar tanimë, ose janë në proces të miratimit të 7 Nëntorit, si Ditë Kombëtare në Kujtim të Viktimave të komunizmit në botë, me qëllim për të mësuar të vërtetën, për të kërkuar drejtësinë dhe për të ruajtur kujtesën për viktimat e pafajshme të komunizmit anë e mbanë botës, përfshir viktimat e komunizmit shqiptar dhe atij sllavo-aziatik, sipas Fondacionit Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit në botë. Po Shqipëria dhe Kosova kur do ti bashkohen Shteteve të bashkuara dhe Evropës, përfshir ish-shtetet komuniste, për të kujtuar viktima shqiptare të komunizmit?! “Ata që të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”. (Abraham Linkolni)

Frank Shkreli     

See the source image
A picture containing text, shark

Description automatically generated

See the source image

A person in a suit smiling

Description automatically generated with low confidence

Presidenti Xhorxh W. Bush               Presidenti Xho Biden nënshkroi deklaratën

shpallli 9 Nëntorin, Dita Botërore      e këtij viti, kushtuar Ditës Botërore të Lirisë

e Lirisë, më 9 nëntor, 2001

A person with a beard

Description automatically generated with medium confidence

     Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1861-1865) Abraham  

     Linkolni: “Ata që të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Kosova ka mbështetje të fortë nga administrata e Presidentit Biden

November 10, 2021 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmanizhvilloi takime në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit/

10 Nëntor 2021- Gazeta DIELLI/ 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr.Vjosa Osmani, u takua me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Shteteve të Bashkuara si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Në Këshillin e Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, Presidentja Osmani takoi zëvendës këshilltarin për siguri kombëtare, Jonathan Finer, drejtoreshën e lartë për Evropën në këtë Këshill, dr. Amanda Sloat, si dhe drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dr. Robin Brooks.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të fuqishme Kosovë-SHBA dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm për harmonizim të mëtjemë të prioriteteve të përbashkëta strategjike për forcimin e sundimit të ligjit, sikurse edhe sigurimin e paqes e sigurisë së qëndrueshme në rajonin tonë. Presidentja Osmani theksoi po ashtu rëndësinë e kësaj aleance disa dekadëshe dhe ndikimin pozitiv që ajo ka pasur tek qytetarët e Kosovës, duke thënë se sukseset e Kosovës erdhën si rezultat i vullnetit të fortë dhe qëndrueshmërisë së popullit të saj, por edhe shkaku i investimit të rëndësishëm të SHBA-ve dhe përkushtimit ndaj demokracisë.

Zyrtarët e Këshillit të Sigurisë theksuan se presidenti i SHBA-ve është personalisht i përkushtuar ndaj Kosovës dhe se Kosova ka mbështetje të fortë nga administrata e Presidentit Biden. Ata shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për Republikën e Kosovës që ka pritur afganët dhe për faktin që është vendi i parë në botë që e ka bërë këtë.

Presidentja Osmani u takua dhe me Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin kryesor, Dereck Hogan.

Në takim, të dyja palët vlerësuan lartë raportet Kosovë-SHBA si dhe partneritetin e thellë mes dy vendeve. Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një prej sukseseve kryesore të politikës së jashtme të SHBA-ve. Duke qenë gjithnjë të udhëhequr nga vlerat dhe parimet e promovuara nga SHBA-të, ajo konfirmoi se institucionet në vend janë të përkushtuara për promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë si dhe zhvillimin ekonomik, i cili do të krijojë perspektivë për qytetarët e Kosovës.

Mëtej, Presidentja Osmani vuri theks edhe në zhvillimet e fundit në rajon, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe prezencën gjithnjë e më të rrezikshme të Rusisë e Kinës. Në këtë aspekt, ajo bëri thirrje për mbështetje të SHBA-ve në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Për më tepër, Presidentja theksoi përkushtimin e plotë të Kosovës për angazhim aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, i cili siç është thënë edhe nga Presidenti Biden, duhet të jetë i përqëndruar në njohjen e ndërsjellë.

Presidentja Osmani theksoi se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës mbetet përherë objektiv strategjik, ndaj  potencoi se në këtë drejtim Kosova sërish ka nevojë për mbështetjen e SHBA-ve drejt konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës.

Ajo mori konfirmim për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe përkushtimin aktiv për arritjen e synimeve të përbashkëta.

Në vazhdën e takimeve të ditës së sotme, Presidentja Osmani do të takohet edhe me nënsekretaren e shtetit, znj.Victoria Nuland si dhe me zyrtarë të tjerë të Departmentit  Amerikan të Shtetit, thekson njoftimi i dërguar sot nga Presidenca e Kosovës.

Filed Under: Politike

A DO TË TOLEROJË AMERIKA BOSNJIZIMIN E KOSOVËS?

November 9, 2021 by s p

Analistë usharakë dhe diplomat të karrierës në Perendim tash më e kanë të qartë se konfliktet në Ballkan dirigjohen direkt nga Moska dhe mbështetet nga Pekini. Dhe të gjitha këto po ndodhin në kufinjt e NATO-s, aty ku siguria kolektive e rajonit do të duhej të garantojë sovranitetin e shteteve anëtare. Shfrytëzues i kësaj sigurie është edhe Kosova, mirëpo ajo ende nuk është anëtare e NATOs, prandaj në të ardhmen mbetet seriozisht të shqyrtohet kjo mundësi edhe nga politikanët tanë, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.   Vetëm një Kosovë në NATO garanton stabilitet jo vetëm për vendin tone, por edhe për gjithë rajonin.

Nga Mehmet PRISHTINA

Se si do të jetë e ardhmja e Kosovës sipas skenarit serb, mjafton të shikoni çka po ndodhë aktualisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, paralajmëroi në fillim të javës që shkoi se marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga SHBA-ja e nënshkruar në fund të luftës, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit,  rrezikon të shembet nëse nuk ndërmerren veprime për të ndaluar separatistët serbë që po shkojnë drejt shkëputjes.
“Synimet e rrezikshme” të Dodikut kërcënojnë paqen. Kështu i vlerësojnë analistët njoftimet për anulimin e njëanshëm të ligjeve shtetërore të Bosnje-Hercegovinës në territorin e Republikës Srpska. Milorad Dodik, udhëheqësi serb në presidencën kolektive të Bosnjë dhe Hercegovinës, po fut legjislacione që do të ndante Republika Srpska nga institucionet e përbashkëta të shtetit siç janë forcat e armatosura dhe organet gjyqësore.
Javë më parë Serbia filloi të ndërtoj një bazë ajrore jashtë kufijve të saj, në një shtet tjetër, dhe konkretisht një aeroport të madh ndërkombëtar në qytetin e vogël të Trebinjës, që ndodhet në pjesën e të ashtuquajturës “Srpska Republika” në shtetin e Bosnje-Hercegovinës. Në 30 gusht media e Bosnje-Hercegovinës “Sarajevo Times”, me titullin “Qeveria kroate po i kërkon shpjegime Bosnje-Hercegovinës për aeroportin e Trebinjes”, njoftonte se “aeroporti i Trebinjës ta tërhequr vëmendjen e autoriteteve kroate, të cilat po i kërkojnë tani shpjegime Bosnjë-Hercegovinës që të sqarojë se çfarë është planifikuar ekzaktësisht të ndërtohet në atë zonë kufitare me Kroacinë”. 

Ky përbindësh serb nuk mbiu si këpërdhë, por ai ishte i ideuar në detaje nga estabilshimenti politike e ushtarak i Beogradit.  Ana Bernabiç, në një fjalim në Nova Topola në 13 nëntor 2020  aeroportin në Trebinje e cilësoi “projekt i ri dhe i madh strategjik, që ju do ta ndjeni fuqinë e Serbisë këtu në “Srpska Republika”.

Beogradi po synon ta dekompozojë shtetësinë e BeH, duke gllabëruar territore të saj në emër të zgjerimit të idesë hegjemoniste të Serbisë së Madhe. Kjo po ndodhë ende pa u tharë plagët e masakrave të kryera në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, siç ishte ajo e Srebrenicës me 8 mijë viktima (11 dhe 22 korrikut 1995),  dhe ende pa kërkuar falje askush nga krerët serbë për gjithë këta lumej gjaku. Madje disa prej tyre,  siç është Milorad Dodik, janë irituar së tepërmi nga futja e fundit e një ligji nga zyra e Komisionerit të Lartë që mund të japë dënime me burg për këdo që mohon kryerjen e gjenocidit. Duke kontestuar ligjin, Dodik pat thënë: “Kjo është gozhda në arkivolin e Bosnjës… Republika Srpska nuk ka zgjidhje tjetër veçse të fillojë… shpërbërjen”.

A mund të inskenohen skenarë të njejtë në Kosovë, sipas modelit serb  në Bosnjë e Hercegovinë?

Nëse i vërejmë disa zhvillime që kanë ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë dhe pretendimeve serbe në Kosovë, nuk është vështirë të konstatojmë se janë të njejtat metoda, por me mjete tjera, që po përdoren për të defaktorzu shtetësinë e Kosovës perms një projekti i quajtur Bashkësia e komunave me shumicë serbe.

Edhe në Bosnje kështu kishte filluar. Së pari ishte formuar Bashkësia e komunave me shumicë serbe, pastaj si rrjedhojë logjike, kishte ardhur Republika Srspka.

Në Bosnjë po kontestohet Marrëveshja e Dejtonit, kurse në Kosovë Serbia nuk ështl e kënaqur me Pakon e Ahtisarit dhe synon përtej kësaj të krijoj një entitet të ri që do të ishte nën kontrollë të Beogradit. Bashkësia e komunave me shumicë serbe, sipas planeve të Serbisë, nesër mund të shkojë rrugës nga po shkon Republika Srpska dhe në këtë mënyrë, Kosova nga një shtet me sovranitet të plotë, me Asociacioni bëhet një eksperiment që prodhon një sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit.

Historia e ekspansionizmit serb njeh vetëm pushtime të tokave të huaja, kuptohet në bashkëveprim edhe me aletatët tjerë ballkanik. Kështu ndodhi edhe me rastin e nënshkrimit të traktati të fshehtë të aleancës ndërmjet Serbisë dhe Greqisë, ku përveç Kosovës (Serbia e Vjetër), Serbia kishte kërkuar edhe Shqipërinë veriore. Rritja territoriale e synuar, nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si rritje e shtetit serb. Ky objektiv, do të përmbushej pjesërisht nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, ku nga 37.7 mijë km2 territori i Serbisë u rrit në 52.7 km, në kurriz të vendeve fqinje, sidomos kundrejt territoreve shqiptare. Ky traktat, sikundër dihet, erdhi si rezultat i fitores së Rusisë në luftën me Perandorinë Osmane, e cila me kushtet që i imponoi kundërshtarit kërkoi t’i vinte përpara faktit të kryer Fuqitë e Mëdha, duke e kthyer disfatën tërësisht në interes të politikës së saj në Ballkan. Në këtë periudhë çështjet kombëtare të vendeve ballkanike do të vendosen sërish përball njëra-tjetrës, ashtu si edhe në të shkuarën, interesat ekspansioniste të Perëndimit dhe Lindjes, duke vënë në pikëpyetje ekuilibrin e forcave.

Me pjesëmarrjen në Traktatin e Shën Stefanit, Serbia orienton vektorët e saj politikë drejt Lindjes, ku identifikonte edhe përkatësin e saj etnike, si pasojë e ndikimit të fortë të Kishës Ortodokse. Megjithatë, ky orientim gjeopolitikë drejt Lindjes nuk do të ishte I plotë. Përkatësia territoriale në Evropë dhe ndikimi i Fuqive të Mëdha në rajon do të bënte që Serbia të dyzohej në orientimin e saj. Ky dyzim do të vazhdojë deri më sot dhe do të njihet si politika e Beogradit me “një këmbë në Lindje dhe një në Perëndim”. Nga ana tjetër, Perëndimi nuk mund të qëndronte indiferent ndaj kësaj lëkundjeje dhe thirri Kongresin e Berlinit për rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit, ku synohej rivendosja e ekuilibrit të forcave, duke u mbështetur mbi parimin e legjitimitetit – një synim që nuk u realizua për shkak të vetë qëllimeve ekspansioniste të fuqive kryesore të kohës, të cilat binin në hapësirën e interesit të vendeve të Ballkanit. Traktati i vitit 1881, parashikonte se në rast se “Serbia do të ishte në gjendje të fitonte territore në drejtim të kufirit jugor, Austro-Hungaria nuk do të kundërshtonte një shtrirje të tillë”, madje “do të përpiqej pranë Fuqive të tjera me qëllim që të merrej një qëndrim i favorshëm”. Edhe njëherë, Serbia do të aspirojë drejt territorit shqiptar. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë, me një vijë bregdetare të gjatë që siguron tregti dhe kontakt të shpejtë me Perëndimin është lakmuar nga Serbia, fuqia e së cilës kufizohet pikërisht nga gjeografia e saj kontinentale pa dalje në det. Kongresi i Berlinit u pasua nga 35 vjet paqe të qëndrueshme, por antagonizmat mes Fuqive nuk u shuan.
Krijimi i një shteti me hapësirë territoriale që përfshinte të “gjithë serbët” në një njësi politike dhe përmbushte gjithë nevojat e kombit do të vazhdojë të përvijojë politikën serbe dhe rezultat i saj do të jenë krijimi i dy formacioneve politikoshtetërore, ku Serbia do të luaj rol qendror dhe do të synoj dominimin politik, duke e identifikuar veten si lider i popujve sllavë dhe zemra e shteteve sllave të jugut.
Në rrethanat e sotme, pavarësisht kushtëzimeve të rendit ndërkombëtar, Serbia vazhdon të shfaq këtë tendencë ekspansioniste në mënyrë më të moderuar, duke kërkuar të ndikojë në shtet fqinje ku ka popullsi serbe: rastet më tipike janë Republika Srpska dhe Kosova, të cilat Serbia i sheh në kuadër të një projekti madhor për realizimin e idesë së Serbisë së Madhe. Kjo, mbase, është edhe arsyeja se pse Beogradi po ngutet të fus në dy binarë paralel politikën e saj ekspansioniste – në njërën anë duke ushtruar trysni në BeH për shkëputje  përfundimtare të Republika Srspska dhe në Kosovë për të Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe në anën tjetër, duke lancuar ide gjoja integruese, siç është “Open Ballkan”, gjë që nuk është asgjë tjetër pos një ballon provues i Beogradit i mbushur me gasrat e mbetura nga mesjeta e “botës serbe”.

BE është tepër inerte ndaj zhvillimeve të fundit në Ballkan. Brukseli po e negzhizhon së tepërmi ndikimin e krizës së BeH në hapësirat tjera të Ballkanit. Por analistë e vëzhgues të ndryshëm janë shprehur të shqetësuar se ky ndikim është i pashmangshëm. Jasmin Mujanoviq, autor i librit “Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in the Balkans”, tha se do të ishte një “katastrofë për Bashkimin Evropian dhe komunitetin Atlantik më gjerësisht, pasi do të ishte një krizë tjetër e sigurisë në një gjendje jashtëzakonisht të paqëndrueshme në juglindje të Evropës”. Ai vuri në dukje se me krizat e sigurisë tashmë ekzistuese në Ukrainë, Bjellorusi, Siri dhe Afganistan “një përkeqësim i rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës është diçka që BE dhe SHBA vështirë mund ta përballojnë”.
Këto dridhje tektonike që pritet të shkundin  edhe më tepër hapësirën ballkanike nuk mund të mbetet pa impakt edhe më të ku pashmangshëm mund të pritet ndikimi i Rusisë dhe Kinës. Në anën tjetër diplomatët dhe mediat me ndikim në Evropë tash më e kanë shprehur hapur keqardhje për dështimin historik të Perëndimit, sidomos të BE-së,për të vendosur sanksione ose për të vepruar ndryshe kundër atyre që nxisin konflikte në Bosnje-Hercegovinë. 

Është hera e dytë që BeH, pas masakrës së Srebrenicës,  po e pëson rëndë nga neglizhenca e Evropës dhe shqetësimi bëhet më i madh nëse kjo neglizhencë vazhdon të trimërojë Serbinë edhe në rastin e Kosovës.
A thua Amerika  do të tolerojë që të bosnjizohet Kosova?

Analistë usharakë dhe diplomat të karrierës në Perendim tash më e kanë të qartë se konfliktet në Ballkan dirigjohen direkt nga Moska dhe mbështetet nga Pekini. Dhe të gjitha këto po ndodhin në kufinjt e NATO-s, aty ku siguria kolektive e rajonit do të duhej të garantojë sovranitetin e shteteve anëtare. Shfrytëzues i kësaj sigurie është edhe Kosova, mirëpo ajo ende nuk është anëtare e NATOs, prandaj në të ardhmen mbetet seriozisht të shqyrtohet kjo mundësi edhe nga politikanët tanë, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.   Vetëm një Kosovë në NATO garanton stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë rajonin.

Prishtinë, 9 nëntor, 2021

Filed Under: Politike Tagged With: Mehmet Prishtina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 265
  • 266
  • 267
  • 268
  • 269
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT