• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KLAJDI BREGU, NJË SHQIPTAR PROFESOR EKSELENT NË UNIVERSITETIN E INDIANËS

October 29, 2021 by s p

Klajdi Bregu doktor i shkencave në ekonomi eksperimentale në Universitetin e Arkansasit në Fayetteville, aktualisht profesor i ekonomisë në Universitetin e Indianës në South Bend – USA, i vlerësuar për mësimdhënie ekelente në tre vitet e fundit, analizon ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, modelin ekonomik të Shqipërisë, politikat në zhvillim të ekonomisë, krizën e energjisë dhe të rritjes së çmimeve, shpopullimin e Shqipërisë, votën e diasporës dhe rolin që duhet të ketë diaspora shqiptare për ndryshimin e Shqipërisë. Me Dr. Klajdi Bregun bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

QEVERISË NË SHQIPËRI I MUNGON VIZIONI I QARTË SE SI FUNKSIONON NJË EKONOMI TREGU

Qeverisja në mandatin e trete po vazhdon në atë drejtim që ka qënë tetë vitet e kaluara, dhe në disa drejtime po rëndohet edhe më shumë. Si ekonomist, unë do të fokusohem kryesisht në vlerësimin e qeverisë nga aspekti ekonomik. Në këtë aspekt unë shoh që qeverisë shqiptare i mungon vizioni i qartë se si funksionon një ekonomi tregu dhe si pasojë shumë nga politikat e ndjekura janë të gabuara. Përveç kësaj qeveria duket e pashqetësuar edhe pse ne kemi mungesë të një sistemi drejtësie funksional dhe të pakorruptuar dhe jemi vendi më i korruptuar në Europë. Në mungesë të një sistemi drejtësie funksional dhe të pavarur problemet tona të lidhur me administrimin e shtetit do të vazhdojnë dhe me shumë gjasa do rëndohen. Të gjitha këto probleme por edhe shumë të tjera do të reflektohen direkt në rritjen e ekonomisë, pra në mirëqënien e popullit. Qeveria në programin e saj pretendonte se do të kishim rritje prej 4.5 përqind të PBBsë në katër vitet e ardhshme, tani ata e kanë ndryshuar parashikimin për vitin 2022 në më pak se katër përqind. Ajo që ne duhet të kemi parasysh është se edhe një rritje prej 4.5 përqindësh është e ulët për një vend në situatën tonë. Pra edhe parashikimet optimiste të qeverisë nuk janë në atë nivel që ekonomia jonë mund dhe duhet të rritet. Përsa i përket rritjes së çmimeve besoj se duhet të ndajmë faktorët globalë që po ndikojnë kudo nga faktorët lokalë. Pra pjesërisht rritja e çmimeve vjen nga trendi global dhe si e tillë është e paevitueshme, por prandaj fokusi jonë duhet të jetë tek faktorët lokalë të cilët janë të evitueshëm. Ne në Shqipëri për arsyet që i përmenda më lart, por edhe për arsye të tjera, që i kam diskutuar edhe ne kanalin tim të YouTube, nuk kemi konkurence në ato nivele që duhet. Mungesa e drejtësisë dhe mosmbrojtja e pronës private ashtu si duhet janë dy nga shkaktarët kryesorë e kësaj mungese konkurence. Në mungesë të konkurencës rritjet e çmimeve janë më të larta sepse bizneset e kanë më të lehtë t’i kalojnë këto rritje tek konsuatorët. Pra, në gjykimin tim, qeveria jonë është përgjegjëse për të paktën një pjesë të rritjes të çmimeve. Përtej kësaj qeveria aktuale dhe të gjitha ato para saj janë fajtore për nivelin e varfërisë ku vendi e gjen veten gjë që e bën edhe më të rëndë situatën e rritjes të çmimeve.

MUNGESA E DREJTËSISË DHE MOSRESPEKTIMI I PRONËS PRIVATE SJELLIN MODEL TË DOBËT TË EKONOMISË TË TREGUT

Shqipëria ka një model të dobët të ekonomisë të tregut kryesisht për shkak të mungesës të një sistemi drejtësie funksional dhe të pavarur dhe problemet që kemi me mosmbrojtjen e pronës private, por edhe shumë probleme të tjera që rrjedhin nga këto dy probleme themelore. Termi i duhur për të përshkruar modelin tonë ekonomik është “crony capitalism.” Pra, një sistem ku pasurohen ata që kanë lidhje me pushtetin dhe kanë aftësi ta përdorin atë ose për të përfituar direkt ose për të eliminuar konkurencën. Në gjykimin tim, pa u zgjidhur këto probleme, ekonomia shqiptare nuk mund ta arrijë potencialin e saj të vërtetë. Pothuaj çdo problem tjetër në ekonominë tonë, vjen si pasojë e mungesës së drejtësisë dhe mosrespektimit të pronës private. Për shembull, mungesa e investimeve të huaja në industritë e prodhimit është pasojë direkte e kostove të larta me të cilat bizneset e huaja përballen në Shqipëri.Kosto këto që vijnë kryesisht nga mosfunksionimi si duhet i institucioneve të shtetit tonë. Pra, edhe pse ne nuk kemi taksa të larta këto kosto indirekte e bëjnë të papërshtatshm vendin tonë për të tërhequr investime të mëdha të huaja.

VOTA E SHQIPTARËVE NË DIASPORË, NJË MASHTRIM PREJ DEKADASH

Ajo që unë shoh është që këto 30 vite nuk ka pasur vullnet politik për ta realizuar votën e diasporës dhe shikoj se kjo ende qëndron. Arsyet për këtë mungesë vullneti janë patjetër të shumta por në gjykimin tim, problemin që qeveria ka është se ata do kenë më pak kontroll në ndikimin e votës të diasporës. Ne që jetojmë jashtë nuk kemi nevojë për vende pune apo shuma monetare nëpërmjet të cilave politikanët mund të blejnë votën dhe kjo i është nuk është gjë e mirë për ata që duan ta kontrollojnë votën tonë. Megjithatë, unë mendoj se nëse ne jemi të bashkuar si diasporë dhe e kërkojmë këtë me ngulm do ta arrijmë. Personalisht, i jam bashkuar lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë, e cila gjatë vitit të fundit ka marrë hapa të rëndësishëm për të ndikuar dhe ndihmuar në realizimin e votës të diasporës. Unë do të ftoja këdo që jeton jashtë vendit të na bashkohet ose të paktën me çfarë të munden të ushtrojnë presion mbi politikanët në atdhe në mënyrë që kjo e drejtë e jona kushtetuese të realizohet sa më parë.

DIASPORA SI POTENCIAL PËR TË KONTRIBUAR DHE NDRYSHUAR ATDHEUN

Diaspora shqiptare ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në themelimin e shteti shqiptar, dhe unë gjykoj që edhe sot ka shumë për të dhënë. Kontributi jonë mund të varijojë nga investimet direkte në vend, në sjelljen e eksperiencës të fituar jashtë vendit në biznese apo në politikëbërje. Shumë nga ne kanë bërë arritje të ndryshme jashtë vendit, qoftë në biznese, në politikë apo në fusha të tjera. Nëse ne Atdhe do të krijoheshin kushtet për rikthimin e një pjese të diasporës do të përfitonim shumë jo vetëm nga ana ekonomike por edhe ajo sociale dhe politike. Diaspora është dhe duhet të jetë një pjesë e pandarë e zhvillimit të vendit.

DIASPORA SHQIPTARE NË SHOQËRINË AMERIKANE

Është shumë e rëndësishme që ne si diasporë të bashkohemi dhe të luajmë një rol më të rëndësishëm në shoqërinë amerikane. Nëse jemi të bashkuar do kemi mundësi ndikojmë që të përmirësojmë jetën tonë këtu në SHBA,por pse jo të ndikojmë edhe në politikat e shtetit amerikan në lidhje me Shqipërinë. Në dijeninë time lobi shqiptar në SHBA nuk është në nivelin që duhet dhe ne kemi pak mundësi të ndikojmë në politikën e SHBAve në interes të vendit tonë. Nëse ne do të kishim më shumë organizim dhe do të bashkoheshim kjo mund të ndryshonte dhe ne mund të jepnim një kontribut në përmirësimin e situatës në Shqipëri.

IKJA E TË RINJVE NGA SHQIPËRIA, NJË PROBLEM SOCIAL, EKONOMIK DHE POLITIK

Ajo që po ndodh me largimin nga vendi e të rinjëve është me vërtetë shqetësuese. Problemi këtu nuk është thjesht tek ulja e numrit të popullsisë por tek problemet sociale, ekonomike dhe politike që ky largim sjell. Ne kemi hyrë një një rreth vicioz ku gjendja e keqe në vend sjell largimin e popullit, ndërkohë largimi i popullit rëndon gjendjen në vend, dhe krijon më shumë emigrantë. E keqja është se ky largim jo vetëm që është pasojë direkte e politikave të ndjekura nga klasa politike e këtyre 30 viteve, por ky largim i ndihmon ata të vazhdojnë sepse bie presioni për të ndryshuar. Duhet pasur parasysh se ata që largohen janë ata që janë të pakënaqur nga qeveria,pra pikërishët ata që mund të shtonin presionin kundër qeverisë. Kjo situatë nuk është e re për ne, vendi ynë ka 30 që përballet me emigrmin, por ajo që po ndodh sot është që ata që po largohen janë njerëz të edukuar dhe me profesione të mira. Kjo ndodh kryesisht sepse një pjesë e mirë e shqiptarëve ka humbur shpresa dhe nuk shikon më të ardhme ne vendin tonë. Për më shumë, një pjesë e madhe e atyre që ikën me rënien e sistemit komunist, kishin si synim të ktheheshin. Ndërkohë, sot pjesa më e madhe e atyre që ikin nuk mendojnë se do të kthehen në një të ardhme të afërt. Kjo e bën edhe më të rëndë situatën ku Shqipëria është sot. Në gjykimin tim pa u bërë ndryshime rrënjësorë në jetën politike në Shqipëri kjo situatë me emigrimin do të vazhdojë. Klasa politike e këtyre 30 viteve ka dështuar totalisht të krijojë kushte të përshtatshme që ne të mos largohemi. Për këtë arsye unë mendoj se për aq kohë sa kemi këtë klasë politike është vështirë të kemi ndryshimin që duhet për të ndaluar emgrimin masiv të popullit. Problemi është se për të arritur këtë ne duhet të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë në parti ashtu si kemi qënë këto 30 vite. Vetëm nëse ne vemë interesat e përbashkëta mbi partitë mund ta ndryshojmë këtë situatë ku ndodhet vendi.

KANALI NË YOUTUBE (ALBANIAN ECONOMIST), JU FLET PROFESORI ONLINE

Para afërsisht një viti unë vendosa të krijoj një kanal në YouTube (Albanian Economist) nëpërmjet të cilit të kisha mundësi të shpërndaja njohuri rreth ekonomisë për të gjithë ata që janë të interesuar. YouTube sot përdoret kudo në botë në shumë mënyra, dhe një nga këto është edhe fusha e edukimit. Duke pasur këtë prasysh edhe faktin që në Shqipëri në dijeninë time nuk ka shumëmateriale që mbulojnë ekonominë unë vendosa të krijoj kanalin tim. Nëpërmjet këtij kanali unë kryesisht shpjegoj tema të ndryshme të ekonomisë që prekin jetën tone të përditshme. Qëllimi im është të krijoj sa më shumë materiale rreth ekonomisë të cilat janë të shpjegura sa më thjesht, për ti bërë ato të kuptueshme për të gjithë dhe jo vetëm studentët e ekonomisë. Kohët e fundit këtij kanali i kam shtuar edhe faqen në Facebook Albanian Economist nëpërmjet të cilës kam mundësi të kem një tjetër mënyrë për të komunikuar me ata që kanë interes rreth fushës të ekonomisë apo problemeve të ndryshme ekonomike.

KUSH ËSHTË KLAJDI BREGU, FORMIMI, KARRIERA, PUNËSIMI

Jeton në SHBA prej 13 vitesh. Për momentin është profesor ekonomie në Universitetin e Indianës në South Bend. Para se të fillonte punë ka mbaruar doktoraturën në ekonomi eksperimentale në Universitetin e Arkansasit në Fayetteville, në Gusht të vitit 2017. Gjithashtu, para një viti i është bashkuar “Center for Market Education” si partner (fellow). Dr. Klajdi Bregu në Universitetin e Indianës në South Bend, jap disa lëndë të ekonomisë në nivel Bachelor dhe Master (MBA). Përveç mësimdhënies kryen kërkime në fushën e ekonomisë eksperimentale dhe disa nga kërkimet e tij janë publikuar në revista të ndryshme të fushës të ekonomisë. Disa nga këto revista janë, Journal of Behavioral and Experimental Economics, Journal of Economic Dynamics and Control, Southern Economic Journal, dhe The Geneva Risk and Insurance Review. Gjatë kohës si profesor në Universitetin e Indianës në South Bend është vlerësuar për mësimdhënie ekelente në tre vitet e fundit. Gjithashtu si student doktorature në vitin 2017 ka marrë çmim për mësimdhënie ekselente dhe në vitin 2016 ka qënë një nga studentët e përzgjedhur për të dhënë prezantim nga “Southern Economic Journal” në konferencën e atij viti. Në vitin 2016 ka marrë cmimin Dr. Yien-I Tu si studenti më i mirë i doktoraturës në fushën e ekonomisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Klajdi Bregu, Sokol Paja

KRIZA IDENTITARE E EUROPËS, FRENUESE E PROCESEVE EURO-INTEGRUESE TË BALLKANIT

October 29, 2021 by s p

Ende ka një konflikt në mes të gjeografisë dhe historisë, ku viktimë është e ardhmja dhe kjo po ndodhë për shkak të pafuqisë së Evropës për të tejkaluar krizat e veta identitare.

Nga Skender ASANI

Boshti tematik i konferencës së sotme, implikon shumë ide e mendime të cilat  kanë një emërues të përbashkët: Ballkani dhe sfidat integruese të tij, në kushtet kur rajoni ynë ende nuk është liruar pltësisht nga hijet e së kaluarës. Ende ka një konflikt në mes të gjeografisë dhe historisë, ku viktimë është e ardhmja dhe kjo po ndodhë për shkak të pafuqisë së Evropës për të tejkaluar krizat e veta identitare.  Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sidomos pas përfundimit të Luftës së ftohtë, u krijuan disa parakushte që edhe popujt e vegjël t’i kenë shtetet e tyre të pavarura, por kjo tendencë nuk i mirëprit nga forcat hegjemoniste të Ballkanit, prandaj sot ende vazhdon të konsiderohet si projekt i papërfunduar BeH, si pasojë e efekteve negative që prodhoi Marrëveshja e Dejtonit, për të vazhduar me Kosovën dhe Malin e Zi, ku në fuqi janë dy rryma të kundërta: njëra që paraplqen sovranitetin e shtetëror në frymën evropiane dhe rryma tjetër retrograde, e cila e përdor Kishën dhe komunitetin serb si instrumente për të destabilizuar këto dy shtet të rajonit.

Në Ballkan ekzistojnë disa modele të tejkalimit të kontesteve dhe mosmarrëveshjeve. Maqedonia disa vite pati probleme me Greqinë sa i përket kontestit të emrit, por ky problem u tejkalua në saje të kompromosit dhe mekanizmave të frymës evropiane që aplikuan në Marëveshjen e Prespës,  lidershipet e të dyja vendeve.

Me Bullgarinë ende ka probleme të hapura, për shkak të pretendimeve historike e kulturore të Sofjes zyrtare ndaj identitetit maqedonas. Këto probleme ende nuk e kanë gjetur modalitetin e përshtatshëm të tejkalimit të mospajtimeve, ndonëse që në start është zgjedhur metodologjia e gabuar. Në vend që të krijohet një komision i përhershëm politik qeveritar, Shkupi dhe Sofja zgjodhën  si aleat historinë për t’ua zgjidhur kontestet, dhe rezultoi se komisioni i përbashkët i historianëve jo vetëm që nuk solli kurrfarë kompromisi, por ai krijoi edhe më shumë animozitet dhe ftohje në mes të dy shteteve. Maqedonia dhe Bullgaria duhet të gjejnë rrugën e përbashkët evropiane të tejkalimit të mosmarrëveshjeve, duke krijuar parakushte që problemet e pazgjidhura t’i tejkalojnë në kuadër të një procesi afatgjatë, e jo me receta historike të shekullit  19.

Një problem që vazhdon të prodhojë krizë rajonale është edhe çështja e problemeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në Beograd ende mbisundon fryma e ideve hegjemoniste dhe për rrrjedhojë rajoni vuan pasojat e një politike që të ardhmen ende e sheh me syzet e së kaluarës. Ky pozicion i Beogradit  kundrejt Kosovës, duke ia mohuar kësaj të fundit shtetësinë dhe sovranitetin territorial, paraqet tani për tani kërcënimin më serioz të stabilitetit rajonal dhe kjo mund të tejkalohet vetëm nëse diplomacia amerikane imponon një trysni më të madhe ndaj zgjiedhjeve politike që po negocohen në Beograd.

Ballkani ka nevojë për paqe, sepse është stërngopur me trazira dhe konflikte.  Paqa iu konvenon të gjithë popujve që duan prosperitet ekonomik dhe bashkëpunim kulturor, përpos oligarkive politike të cilat nën petkun e krimit fshihen pas parullave populiste dhe në këtë mënyrë duan të ushtrojnë njëfarë trysnie mbi proceset demokratike. 

Ballkani ka nevojë për tregje të hapura dhe jo për getoizim, dhe kjo mund të vie në shprehje sidomos tani kur po ballfaqohemi me një proces shqetësues migrimi të të rinjëve. Ky proces mund të parandalohet vetëm nëse elitat politike punojnë në projekte zhvillimore, ku popujt do të gëzonin  mundësitë për të shfyrtëzuar resurset vendore të zhvillimit ekonomik e social.

Duke qenë gjithmonë në hap me tendencat evropiane të zhvillimit të mendimit dhe projektimit të ideve konkrete, edhe ITSHKSH përmes kësaj konferеnce shkencore synon të nxjerr në pah aspektet humane të përafrimit në mes të popujve, duke nxjerrë në treg konkurrencën e dijes dhe hulumtimit shkencor. Deri më tani, përmes departamenteve tona si dhe përmes botimeve e aktiviteteve të ndryshme, ne si Institut jemi munduar të sjellim një qasje të re dhe krejt origjinale në tejkalimin e kontradiktave në mes të shoqërive, popujve dhe shteteve.

Uroj që edhe Konferenca e sotme të sjell frymën e kësaj qasjeje kurse pjesëmarrësve u dëshiroj sukses në elabоromin e tezave e ideve të tyre.

(Fjalë rasti në hapjen Konferencë shkencore ndërkombëtare: “Ballkani midis integrimit evropoian dhe bashkëpunimit rajonal”, mbajtur në ITSHKSH, Shkup, më 28 tetor 2021)

Filed Under: Politike Tagged With: Prof.dr. Skender ASANI

Ç’PUNË KANË TAKSAPAGUESIT AMERIKANË ME PROMOVIMIN E KULTURËS OTOMANE NË SHQIPËRI!?

October 28, 2021 by s p

                                     Nga Frank Shkreli

See the source image

Ministria e Kulturës

October 22 at 1:59 PM  · 

“Qeveria shqiptare miratoi sot, në mbledhjen e saj më të fundit, shpronësimin e banesës së Toptanasve, për t’ia rikthyer atë kulturës.”

May be an image of 1 person, standing and indoor

                   

Elva Margariti

October 22 at 1:20 PM  · 

“📌Sot mori fund saga e banesës së Toptanasve, njohur edhe si “Sarajet”, ish-ndërtesa e bibliotekës së parë shqiptare, monument kulture i kategorisë I, që këtë verë u përpoqën që ta zhduknin me zjarr.

Qeveria shqiptare mori vendimin e shpronësimit të pronarëve të kësaj ndërtese për ta restauruar, rijetëzuar e kthyer në një hapësirë kulture, dedikuar librit, për ngritjen e së cilës jemi në bisedime me qeverinë e SHBA-ve.”  

Ky ishte njoftimi (22 tetor, 2021) nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë!  PYETJA IME ËSHTË: Ç’PUNË KANË TAKSAPAGUESIT AMERIKANË ME PROMOVIMIN E KULTURËS OTOMANE NË SHQIPËRI!?

Ndërkaq, saga e shtëpisë ku ka jetuar at Gjergj Fishta vazhdon.  Shtëpia e Fishtës, e mbyllur/ e restauruar por askush nuk mund ta vizitojë – e rinovuar me fonde private — jo, jo as me fonde të qeverisë shqiptare as me fonde të qeverisë amerikane – por me fonde private! 

Pse Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë nuk e shpronëson edhe shtëpinë e At Gjergj Fishtës pasi është monument kulture e kategorisë së I?  Edhe për shtëpinë e Fishtës, Ministria ka thënë, vazhidmisht, se ka probleme pronësie. Ku qëndron e vërveta sa i përket hapjesë së shtëpisë së Fishtës, sidomos në këtë 150-vjetor të lindjes së tij dhe pse nuk shpronësohet edhe ajo?

NË 150-VJETORIN E LINDJES, QEVERIA SHQIPTARE, MINISTRIA E SAJ E KULTURËS, E HARRUAN AT GJERGJ FISHTËN E ALFABETIT SHQIP  – GJENIUN E LETRAVE SHQIPE! NË 150-VJETORIN E LINDJES, AT GJERGJ FISHTA VAZHDON TË JETË PA VARR, PA SHTËPI DHE PA KUJTESË NGA SHQIPËRIA ZYRTARE DHE NGA SHQIPTARËT!  

Ai nuk ka nevojë për ne, por Shqipëria dhe shqiptarët, kudo, kanë më shumë nevojë sot për të.  Dashuria e tij për Shqipërinë nuk shuhet kurrë…pa marrë parasysh trajtimin e tij në këtë 150-vjetor — nga Shqipëria dhe shqiptarët. Edhe ashtu At Gjergji, na thotë: veç të jeni mirë ju dhe Shqipëria – edhe pa mua Shqipëria “kjoftë e rrnoftë”, për jetë!

“Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po, po: rrnoftë Shqypnija!

E porsi krypa n’Dri,
E porsi krandja e that n’nji flakada,
U shoftë me arë, me farë, me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!..”
“Çohi t’dekun” – (Gjergj Fishta)

See the source image

Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishtës e mbyllur me çels – s’ka nevojë për koment!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Zbulohet portreti i Skëndërbeut në Muzeun e Fermos, në Itali

October 27, 2021 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Një portret i panjohur i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, është zbuluar në Muzeun e qytetit të Fermos në Itali. Portreti është shumë i vjetër në moshë, i përket një periudhe 471 vjeçare. Sipas një dokumenti, portreti i është dhuruar Muzeut të Fermos, nga një prift në vitin 1550. Portreti i heroit tonë legjendar, prijësit të Arbrit, është zbuluar nga studiuesi i mirënjohur, z.Mark Palnikaj, i cili shkoi për një vizitë studimore në Bibliotekën Komunale “Romolo Spezioli”. Ajo që të bën  përshtypje në këtë portret ndryshe nga çka e kemi parë, është se hunda me kurriz të dalë nuk paraqitet e tillë; Skëndërbeu paraqitet në një moshë shumë të re, me mollëza të dala, dhe mendohet sipas studiuesve, që i përket periudhës së Rilindjes Europiane, pasi nuk ka autor, dhe kjo është tipike e kësaj periudhe. Zbulimi i këtij portreti tregon qartë marrëdhëniet e ngushta miqësore të prijësit të Arbrit, udhërrëfyesit, strategut legjendar, Skëndërbeut, me Italinë. Pas krijimit të shtetit të Arbërit, në 1448, Skëndërbeu ishte i pari që vendosi marrëdhëniet diplomatike me shtetet e tjera. Heroi legjendar forcoi marrëdhëniet miqësore me Vatikanin dhe Mbretërinë e Napolit, gjë që e ndihmoi me ushtri dhe financa. Pra, nuk është e rastit, zbulimi i një portreti të tillë. Studiuesi Mark Palnikaj është mjaft i apasionuar me figurën e Skëndërbeut. Siç dihet, ai është autor i librit “Skënderbeu, letërkëmbimet me sulltanët”, i mbështetur në dokumente të zbuluara nga vetë ai, nga Arkivi i Bibliotekës Kombëtare të Napolit dhe nga Arkivi Sekret i Vatikanit. Bashkëpunimi i z.Mark Palnikaj me arkivat italiane, është i kahershëm. Palnikaj vijon të studiojë dokumente të vjetra që i përkasin historisë së Shqipërisë dhe pritet që së shpejti të vijë me zbulime të mëdha.  

-Z.Mark, si u ndeshët me portretin e heroit tonë kombëtar, Skëndërbeut, në Muzeun e qytetit të Fermos, në Itali?

Me datë 11 deri 14 tetor shkova për një vizitë studimore në Bibliotekën Komunale “Romolo Spezioli”, në Arkivin Dioqezan dhe në Muzeun e qytetit të Fermos në Itali. Kjo vizitë më solli një befasi të këndshme, që nuk e kisha imagjinuar. Në murin e sallës së muzeut, krahas dhjetra portreteve të personaliteteve të ndryshme nga Italia dhe nga vende të tjera, ishte i ekspozuar edhe një portret i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skendërbeu. Ky portret ndoshta do të më kishte shpëtuar pa e parë, por ishte një rastësi se si ndodhi që unë munda ta shikoja. Midis librave që unë i kam dërguar si dhuratë bibliotekës dhe arkivit, ishin edhe libri im “Skendërbeu, letërkëmbimi me Sulltanët” dhe disa albume mbi Skendërbeun. Kur unë i dorëzova Kryetarit të Provincës së Fermos, Paolo Calcinaro, një album me ngjyra për Skendërbeun shkruar në gjuhët shqipe dhe angleze, ai më falenderoi dhe u shpreh se në muzeun e qytetit kemi të ekspozuar një portret të Skendërbeut. Unë menjëherë kërkova që të më mundësonin ta shikoja.

-Cilës periudhë i përket ky portret, dhe si ka ardhur në Muzeun e Fermos?
 

Kryetari më shoqëroi në sallën e madhe të mbledhjeve të muzeut ku ishte i ekspozuar portreti. Në murin përballë derës hyrëse, në rreshtin e parë, ky portret ishte i vendosur i dyti midis disa dhjetra portreteve të tjera. Ishte i rrethuar me një kornizë druri shumë të vjetër dhe të shkruar në anën e poshtme me gdhendje shenimi; “SCANDERBERG GIORGIO 1414 + 1467”. Reagimi im ishte i menjëhershëm për datën e lindjes dhe të vdekjes së heroit, që sipas meje, ishin të shënuara gabim që të dyja. Punonjësit e muzeut, krejtësisht të qetë më dhanë sa mundën spjegimet e tyre mbi këtë reagim timin. Menjëherë më sollën një katalog me ngjyra, ku ishin të botuara fotot e të gjitha pikturave me një shpjegim të shkurtër për secilën prej tyre. Në katalog, poshtë fotos së portretit në fjalë, ishin të shënuara me korrektësi, sipas njohurive që kisha unë, data e lindjes dhe e vdekjes, 1405 dhe 1468. Kur pashë katalogun u binda menjëherë që ndërhyrja ime ishte e panevojshme dhe nuk u zgjata më në këtë diskutim. Ata me shumë mirësjellje më shpjeguan se ky portret ishte dhuruar, sipas dokumentit që ata kishin, nga një prift në vitin 1550, pra 471 vjet, më parë dhe ky ishte një objekt historik mbi të cilin nuk duhej dhe nuk kishte kuptim të vihej dorë. I falenderova për pritjen dhe për shpjegimet që më dhanë, dhe u largova i kënaqur që shikoja një portret të Heroit tonë Kombëtar, që nuk e kisha parë ndonjëherë. Në vijimësi, mësova se ekziston në një muze tjetër edhe një portret i Skendërbeut me rroba kombëtare të zonës fushore të Shqipërisë së Mesme. Kur i pyeta se në cilin vend ndodhej, rezultoi që ishte 500 kilometra larg dhe unë në këtë vizitë nuk munda të shkoja ta shikoja. Jemi marrë vesh që do të kryej një tjetër udhëtim të planifikuar në Itali, posaçërisht për këtë portret sapo të jetë e mundur. Sipas konsultave me specialistët e pikturës, ky portret ka mjaft veçanti që e bëjnë shumë interesant qoftë në aspektin historik, qoftë në aspektin artistik si një portret i punuar me teknika shumë të veçanta.

Ja çfarë thotë piktori i njohur nga Mirdita, Pjetër Marku: 

Nuk e kam hasur ndonjë herë këtë portret dhe është i panjohur edhe nga unë në gjithë njohjet e mija të pikturave kushtuar Skënderbeut. Portreti nuk ka autor dhe si duket autori nuk e ka nënshkruar siç ka ndodhur jo rrallë në periudhën e Rilindjes Europjane. Piktura është një portret i mirëkompozuar, një arritje kjo e periudhës së Rilindjes. Piktorët atë periudhë i kushtonin shumë kujdes vendosjes së pikturës në telajo si një gjuhë e veçantë komunikimi. Madje ishte kthyer në kanun kërkesa për kompozimin e veprës në telajo. Piktorët përllogaritnin saktësisht vendosjen e figurës si edhe hapësirat brënda dhe për rreth saj. Ky portret është vendosur mirë sipas atyre kërkesave dhe eksperiencave të kohës. Së dyti, vizatimi i portretit është i ngjeshur saktësisht i vizatuar me kërkesë profesionale. Autori duhet të ketë pasur eksperiencë pune të gjatë pasi ka ruajtur fort mirë raportet kokë – tors. Ana piktorike. Bie në sy sfondi i pikturës i errët gjë që është bashkëkohor i periudhës klasike italiane, dhe trajtimi koloristik ka profesionalizëm. Në vështrimin tim, ky portret paraqet interes si vepër kushtuar Skendërbeut , ndërsa përsa i përket trajtimit koloristik është në zhvillimet e pikturës së kohës. 

-Çfarë ju bën përshtypje në këtë portret të zbuluar nga z.Palnikaj?

Përshtypja ime është trajtimi i veshjeve në kontrast më fytyrën. Piktori në mbajtjen e mbulesës së kokës ose kapeles si edhe në veshje, ruan një raport profesional. Mbi kokë ka një kësulë të kuqe shumë të pikturuar impresive, por që lejon portretin të evidentohet si plan i parë ashtu si edhe veshja e Skendërbeut mes atyre të errtave dhe evidentohen lehtë. Pa hyrë në portretin, kam bindjen se autori ka qënë me eksperiencë të gjatë pune si piktor. Në portret apo fytyrë kemi një gjendje tjetër. Klasikët ndriçonin idenë themelore të veprës, ato kryesisht i shihnin me dritë dhe ngjyrat të thjeshta pa shumë kolorit, por komunikuese me vizitorin. Te portreti sido që ka kujdes të madh në vizatim është mbajtur thuajse monokron, pa shumë kolor, dhe në një gamë larg gamës së veshjeve. Por duhet parë me syrin e piktorit. Ai është një portret me psikologji optimiste, sytë i qeshin figurës. Ai krijon një portret imagjinatë të përafërt me këtë pikturë. Në pamje të parë duket i thjeshtë , komunikues, me kolor të përmbajtur, që vjen nga përvoja krijuese e autorit. Autori e shpreh Skendërbeun shumë njerëzor, si një qytetar më shumë se një luftëtar. Nuk përdor atë përkrenarën dhe veshjen e hekurt që jemi mësuar ta shohim në portretet e tjera të Skendërbeut. Siç duket, autori kishte në veprat e tij psikologjinë e njerëzve të thjeshtë pa sforcime historike e luftëtari. Unë e shoh në tërësinë e vet këtë portret një vepër tjetër unike kushtuar Gjergj Kastriot-Skendërbeut. Dhe duhet të jetë e fundit të shek XV apo mesi i shek XVI. Gjithnjë duke njohur vepra të asaj periudhe, mosha e kësaj pikture është e madhe. Për mua ardhja e një portreti tjetër nga arkivat Italiane për Skenderbeun tregon miqësinë njerëzore të Skënderbeut me Italinë. Vetë fakti se merret edhe një piktor tjetër ndër shumë piktorë me figurën e tij kjo ka domethënie të madhe. Gjithësesi gjendemi para një vepre arti me vlera historike të herëshme artistike dhe kontribut në historiografinë e artit figurativ kushtuar Skënderbeut.

Reagimi i studiuesit Fotaq Andrea

Studiuesi i njohur, Fotaq Andrea, duke analizuar këtë portret është shprehur:

Të falenderoj ngrohtesisht që më dërguat portretin e Skendërbeut zbuluar këto dit

nga Z. Mark Palnikaj në muzeun e Fermos si dhe shkrimin shoqërues për këtë portret.

 I shpreh me këtë rast, përgëzimet e mia Z. Palnikaj për botimin e veprës së tij “Skenderbeu dhe letërkëmbimi me Sulltanët”, i cili për fat të keq ende nuk më ka rënë në dorë, si dhe për zbulimin e vyer që ai ka bërë në Fermo të portretit aq të veçantë të Skenderbeut, të cilin ma derguat me dashamirësi. Pa dyshim, ky portret është i Shkolles Italiane të fillimit të shekullit XVI dhe menjëherë bie dukshëm në sy pozicioni me profil nga e djathta e personazhit, që është shfaqur për herë të parë në medaljonin e v. 1467-1468 botuar në koleksionin e Pietro Voltalinës dhe studiuar me imtesi nga prof. Lutfi Alia. Po ashtu, bie në sy edhe etiketimi SCANDERBERG GIORGIO 1414 + 1467, dëshmi e hershme e një emërtese me ndikim franko- flamand kur mbaresa BERG shpreh një origjine fisnikërore të familjeve të mëdha të Perëndimit dhe që e gjejmë për herë të parë tek emertesa “Pirgu i Scanderbergut” në Savojë të Francës me 1448, si dhe më vonë tek botimi i veprës së Barletit në gjermanisht, ilustruar nga Jorg Breu i Riu me 1533. Për këtë mbaresa SCANDER – BERG ka tërhequr vemendjen që heret Faik Konica tek Albania e tij e famshme. Sa për datën e lindjes me 1414, dihet se ky variant i pasigurt ka qarkulluar që heret në shekullin XVI e që lidhet me moshën e marrjes peng të djaloshit Skendërbe (studiuesi Hammer këmbëngul për v. 1414 si vit lindjeje i Skendërbeut), kurse viti 1467 i vdekjes, dihet që jepet sipas kalendarit të vjetër venecian.

– Çfare bie në sy konkretisht te ky portret i Skendërbeut?

Duhet të jetë i periudhës kur është pikturuar edhe portreti i Skendërbeut mbi portën e shtëpise ku ka bujtur në Romë, duke parë midis dy portreteve njëfarë analogjie pozicionale dhe veshjeje, sidomos te tipari i hundës që na jepet disi e drejte, pa kurriz, por me majën disi të rënë, krejt ndryshe nga portreti në ksilografi te Barleti i v. 1510, që e shfaq Skendërbeun “legjendar” me hundën e theksuar akiline, një sajesë kjo àla Barletiane.. Është sigurisht me veshje veneciane, por fundi i shamisë shfaqet i plotë nën kapele, më e lartë kjo nga kapa e zakonshmja ku KryeHeroi shqiptar na shfaqet në portretet origjinale. Mosha e Heroit jepet më e re, me mollëz të dalë kockore dhe me fytyrë muskulore disi të tërhequr, ku bie në sy hunda edhe buza e poshtme hollake, krejt ndryshe nga “Skenderbeu” i Altissimo-s apo nga “Skenderbeu” i Pinakotekës së Palermos, por që ngjan shumë me portretin e Skendërbeut të shek. XVI referuar nga F. Kenner, me dallimin se bebja e syrit te “Skenderbeu” i Fermos nuk shfaqet e plotë, gjë që le njëfarësoji për të dëshiruar, nëse i besojmë fotografimit që na dhuron publikisht Z. Palnikaj. Ndriçimi i faqes, dhe po ashtu i pjesës së ballit dhe të hundës është i ëmbël dhe kontraston dukshëm me krejt pjesën e pasme të errët të imazhit dhe të sfondit, ku është harmonizuar po ashtu edhe e bardha e shamisë nën kapele si dhe mustaku dhe mjekra e shkrifët dhe e derdhur. Një vëzhgim i ngulët tek pjesa e mjekrës dhe e mustakut, si dhe tek pjesa e gëzofte na shfaq një punë mjeshtërore artistike, ku i është kushtuar kujdes detajit, për ta dhënë sa më të natyrshme, me njëfare ndikimi nga Van Dyk-u. Këto mund të them në përgjithësi nga një shikim i parë i këtij portreti të ri të Skenderbez ut realizuar me porosi nga një fisnik i lartë tek një piktor mjeshtër i shkollës ndoshta napolitane, që fakteqësisht mbetet hëpërhe anonim…”.

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jacaj, Mark Palnikaj

RIVALITETI MIDIS IRANIT, SHBA-VE DHE TALEBANËVE NË AFGANISTAN

October 26, 2021 by s p

* Dritan Demiraj, Ph.D. Ish ministër i brendshëm dhe autor i librave: “Al-Qaeda Tri Dekada Terror” (2020), “10 Komandat Strategjike të Al-Qaedës në Botë”, “Al-Qaeda në Afganistan-Pakistan” (2021), “Forcat Speciale dhe Lufta Asimetrike” (2021), “Afganistani-Një Paqe e Vështirë” (2014), “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik” (2017), “Nëpër Labirintet e Shtetit Islamik” (2015), “Al-Qaeda në Siri” (2019), “Al-Qaeda në Irak” (2019).

Ndërkohë që Kabuli ra krejtësisht nën kontrollin e Talebanëve, presidenti i vendit Ashraf Ghani u largua në Taxhikistan së bashku me zv/presidentin Amrullah Saleh dhe 30 milionë dollarë kesh, kaosi ka mbërthyer gjithë vendit, një krizë e madhe ekonomike, sigurie dhe refugjatësh duket se sapo ka filluar dhe zgjidhja duket e pamundur. Por si erdhëm në këtë situatë, kush është i interesuar për këtë situatë dhe cilat janë interesat dhe konseguencat e vendeve fqinje me Afganistanin? Qeveria afgane e përkrahur nga SHBA-të, ka qenë në pushtet në Afganistan prej pushtimit amerikan në dimrin e vitit 2001. Që nga ajo kohë, Talebanët kanë fituar kontroll të madh në disa pjesë të vendit dhe sipas marrëveshjes së nënshkruar mes SHBA-ve dhe Talebanëve në Doha në muajin shkurt 2020, të gjitha forcat e huaja duhet të largoheshin nga Afganistani deri në fund të muajit maj të vitit 2021, në këmbim të garancisë për siguri nga ana e grupit të Talebanëve. Këto negociata u urdhëruan nga ish Presidenti amerikan Donald J. Trump, i cili që në mesin e vitit 2020 kishte kërkuar që të përshpejtohej procesi i tërheqjes së trupave amerikane, duke deklaruar se dëshironte që ata të ktheheshin në shtëpi për festat e Krishtlindjeve.Ky konflikt në Afganistan gjatë dy dekadave ka krijuar rivalitet në marëdhëniet midis SHBA-ve dhe Iranit, Pakistanit, Indisë dhe Kinës. Armiqësia e Iranit ndaj SHBA-ve ka shërbyer si një katalizator për Iranin për të bërë një lojë të dyfishtë në Afganistan. Irani fillimisht mbështeti ndërhyrjen ushtarake të SHBA-ve kundër Talebanëve dhe luaji një rol të rëndësishëm në krijimin e qeverisë së parë të Afganistanit, por njëkohësisht më pas në mënyrë të fshehtë vazhdoi mbështetjen e Talebanëve afganë gjatë viteve pasuese kundër misionit të ISAF-it. Irani ndodhet në perëndim të Afganistanit, ndan me të 901 km vijë kufitare dhe ka lidhje të rëndësishme fetare, kulturore me popullin e tij. Pas rënies së regjimit të Talebanëve, qeveria e Afganistanit e ka cilësuar Iranin si: “Vëllezër dhe partnerë që na kanë ndihmuar shumë”. Të dyja vendet kanë njohur rritje të bashkëpunimit ekonomik nga fundi i vitit 2001, duke e bërë Iranin eksportuesin e dytë më të madh në vend pas Pakistanit. Por marëveshjet bilaterale për sigurinë midis Afganistanit dhe SHBA-ve janë kundërshtuar me forcë nga Irani, pasi prania e trupave amerikane dhe të NATO-s në “oborrin” e tyre konsiderohej e papranueshme. Në mënyrë të vazhdueshme Irani ka bërë thirrje për largimin e amerikanëve nga Afganistani.Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, e cila rrëzoi një regjim 26 vjeçar të Pahlavit shënoi përfundimin edhe marëveshja e CENTO-s, duke filluar një konflikt të gjatë midis Iranit dhe SHBA-ve, i cili vazhdon edhe sot në mesin e vitit 2021. Të dyja vendet vazhdimisht akuzojnë njëra tjetrën si eksportues të terrorizmit, ndërkohë që SHBA-të e quajnë Iranin si “Boshti i së keqes”, Irani e quan SHBA-në “Shejtani i Madh”. Revolucioni Islamik qetësoi marëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Sovjetik, megjithëse pushtimi i Afganistanit në vitin 1979 nga ana e Bashkimit Sovjetik shikohej si një kërcënim për Iranin. Gjatë këtij konflikti, Irani nuk ishte shumë aktiv në lidhje me mbështetjen e muxhahedinëve nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe Pakistani. Kjo për shkak edhe të përplasjeve si pasojë e pushtimit të Iranit nga Iraku gjatë konfliktit 1980-1988 dhe mbështetjes së SHBA-ve për Sadam Hysein-in. Pas tërheqjes së Sovjetikëve nga Afganistani në vitin 1989, Irani filloi të angazhohej më shumë në rajon, duke vazhduar të mbështesë me mjete financiare dhe armatime aleatët e saj të Aleancës së Veriut, të cilët kishin lidhje fetare dhe të vjetra me Iranin, duke i mbështetur fuqishëm nga vitet 1992-2001 nëpërmjet njësive të forcave speciale al-Quds nën drejtimin e gjeneralbrigade Qasim Sulejmanit. Irani e zgjeroi përfshirjen dhe mbështetjen e komunitetit Shia Hazara në Afganistan dhe të grupeve muxhahedine që përfaqësonin ata. Kur në vitin 1994 u shpall lëvizja e Talebanëve dhe shumica e vendit ra nën kontrollin e tyre, atëherë Irani filloi mbështetjen e Aleancës së Veriut që drejtohej nga gjenerali i famshën Afgan me origjinë nga Taxhikistani Ahmad Shah Masoud. Kjo do të përbënte, bërthamën më të fortë të rezistencës anti-talebane nga viti 2006-2001. Pakistani me ndihmën e parave të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe ndihmoi në krijimin e Talebanëve Afganë, duke bërë që të tre këto vende të sfidonin influencën Shia të Iranit në Azinë juglindore. Në kohën kur Talebanët vranë tetë diplomatë dhe një gazetar iranian në qytetin verior të Mazar-e-Sharif-it në vitin 1998, ushtria e Iranit dislokoi rreth 120.000 trupa në kufirin me Heratin, e gatshme për një pushtim të Afganistanit. Irani e përshëndeti pushtimin e Afganistanit nga SHBA-të, pasi ky pushtim ndryshoi balancën e fuqisë në interes të Iranit. Pas rrëzimit të regjimit të Talebanëve, Irani-India-Rusia filluan të bashkëpunojnë me qëllim krijimin e një qeverie të re në Afganistan. Influenca e Iranit tek Aleanca e Veriut ishte shumë e rëndësishme për krijimin e qeverisë së Hamid Karzait. Presioni diplomatik i Iranit gjatë bisedimeve të paqes për krijimin e qeverisë i zhvilluar në Bonn të Gjermanisë, bëri që të arrihej një marëveshje për ndarjen e pushtetit në Afganistan. Qeveria e re i ofroi shumë pozicione ministrash Aleancës së Veriut dhe me këtë rast duke rritur influencën e Iranit në të ardhmen e Afganistanit. Për të forcuar ndikimin e tij, Irani përdori fuqinë e butë me qëllim ruajtjen e influencës në Afganistan, duke kundërshtuar në mënyrë të fshehtë SHBA-të dhe Talebanët gjatë gjithë kohës. Një nga mjetet e vazhdueshme që Irani ka përdorur në Afganistan, ka qënë fuqia e butë nëpërmjet përdorimit të mediave, duke harxhuar rreth 100 milionë dollarë në projekte civile, media sociale dhe ndërtimin e shkollave Shia. Në vitin 2002, Irani premtoi 570 milionë dollarë dhe rreth 100 milionë dollarë të tjera në vitin 2006 për procesin e rindërtimit të Afganistanit, shumica e të cilave u bënë realitet. Në vitin 2008, ata premtuan edhe 50 milionë dollarë të tjera dhe 300 milionë dollarë kredi për tre vitet e ardhshme (2009-2011). Gjatë viteve 2012-2013, sasia e tregtisë midis dy vendeve i kalonte 2 miliardë dollarët, duke e pozicionuar Iranin në rreth 35-40 për qind të sasisë së përgjithshme të tregtisë që Afganistani realizonte me vendet e tjera. Si Irani dhe SHBA-të ndajnë disa qëndrime të njëjta rreth Afganistanit. Të dy vendet dëshirojnë një qeveri të qëndrueshme me qëllim që të parandalojë kthimin e qeverisë së Talebanëve dhe të al-Qaedës në pushtet. Me marëveshjen e fundit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, me sa duket kjo qasje do të ndryshojë. Marëdhëniet e tyre u përkeqësuan shumë kur presidenti Bush iu referua Iranit në vitin 2002 si “Boshti i së keqes” dhe në vitin 2003 kur u zbulua se Irani po ndërtonte fabrika për energji nukleare dhe përdorim ushtarak. Më pas, rivaliteti midis këtyre dy shteteve e vështirësoi shumë marëdhënien nga njëra anë me një shtet që ishte kundër Talebanëve dhe nga ana tjetër e një fqinji të rëndësishëm. Në kohën kur qeveria e Afganistanit firmosi një marëveshje strategjike me SHBA-të në vitin 2005, Irani kërkoi nga qeveria e Afganistanit që të firmosnin një marëveshje që SHBA-të nuk do të përdornin territorin e tyre për të realizuan operacione ushtarake kundër Iranit. Por SHBA-të i ushtruan presion Afganistanit që të mos e firmosnin një marëveshje të tillë. Në vitin 2012, Departamenti Amerikan i Thesarit i kërkoi me forcë sistemit bankar të Afganistanit dhe organizatave të biznesit që të mos bënin biznes me Iranin, pasi do të bëheshin objekt i sanksioneve të SHBA-ve. Megjithatë, Afganistani refuzoi që të ndalonte biznesin me Iranin. Një nga ngjarjet më të rëndësishme sa i përket marëdhënieve midis Iranit dhe Talebanëve është vizita e delegacionit të Talebanëve, me kërkesë së qeverisë së Iranit në Teheran në muajin qershor 2013. Pas këtij takimi, disa takime të tjera u realizuan përsëri me Iranin. Qëllimi i këtyre takimeve ishte normalizimi i marëdhënieve midis Talebanëve dhe Iranit. Gjatë këtyre takimeve, Teherani kishte shfaqur shqetësimin e tij rreth popullsisë Hazara në Afganistan, ndërkohë që Talebanët i kërkuan Iranit që të mos mbështesnin më kundërshtarët e tyre pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 268
  • 269
  • 270
  • 271
  • 272
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT