• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA- MARK GJO’MARKAGJONI

September 29, 2020 by dgreca

NGA FEDERIK RADOVANI-Ishte nëndori i 1944 kur kapiten Mikel Pjeter Prennushi, shkoi e pyeti Mikun e vet në Prefekturen e Shkodres: “Si mendon o Mark, a t’ ikim apo do të zbarkojnë Aleatët këtu?”

Kapiten Mark Gjo’Markagjoni i tha: “Jo bre, po per dy tre muej do të zbarkojnë Aleatët!”

Në gjysë të Janarit 1945 filluene arrestimet e pushkatimet deri thellë në Kelmend…

Kapiten Marku me vllaun Lleshin e shumë mirditas ishin ngujue në shpella, jo vetem tue u vra e sakatue, po edhe tue ju interrnue edhe familjet fatzeza nder kampe perqendrimi…

Një ditë aty nga nandori 1945, kur u ba një vit që komunistët kishin marrë qeverisjen dhe do të zhvilloheshin zgjedhjet, kapiten Marku i veshun oficer i sigurimit shtetit komunist, me një mik të vetin, shkon në Tiranë dhe hyn në hotel “Dajti” per me takue aty misionin anglez. Takohet rreth një orë me ata dhe bisedon per premtimin që i kishin thanë se mbas dy tre muejsh do të kthehemi prap këtu… Del nga hoteli dhe ikë në Mirditë. Porsa ka dalë forcat e sigurimit kujtohen se “Marku ishte veshë me uniformen e tyne, po kot…”

Mbas pak ditësh në Shkoder arrestohet rrobaqepsi Gasper (Lap) Tirana, e torturohet si pak kush per kostumin që kishte veshë kapiten Marku… Po, Lapi qendron e shpeton per mrekulli tue mos pranue asgja. Në fakt Lapi ia kishte qepë kostumin ushtarak Markut…

Me 13 Qershor 1946 mbyllet historia me vrasjen e kapiten Mark Gjo’Markagjonit në pyjet e Mirditës, mbas një rrethimi nga forcat komuniste. Kapiten Marku ishte djali i madh i Gjonit Markagjonit… Po, kujtimi i Tij mbeti i perjetshem se Ai, i kishte të gjitha shtigjet e hapuna per me u largue nga Shqipnia, po i “premë në besë” si qinda të tjerë, nuk u pat largue me qellim që mos me lanë pushtimin e Shqipnisë nga forcat komuniste jugosllave të Titos që, drejtonin komunistat shqiptarë PKSh… Ndersa familjet e nderueme të Tyne kaluene gjithë jeten në vuejtje, burgje e interrnime… Pak Heronjë ka pasë Shqipnia Trima si Kapiten Mark Gjo’ Markagjoni… Që dha jeten per Shqipninë e Lirë Europjane!

            Melbourne, 28 Shtator 2020. 

Filed Under: Politike Tagged With: Frederik Radovani

KQZ nis procedurat për aplikimin e të drejtës së votës së Diasporës

September 28, 2020 by dgreca

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur punën për realizimin e votimit të shtetasve shqiptarë të cilët banojnë jashtë Shqipërisë. Ditën e sotme KQZ i ka nisur dy institucioneve kryesore të përfshira drejtpërdrejt në realizmin e këtij procesi Ministrisë së Brendshme, (Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile) dhe AKSH-it, (Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit) një kërkesë zyrtare për nisjen e bashkëpunimit.

Në letrën dërguar AKSH-it, KQZ nënvizon rëndësinë e gjetjes së një modeli i cili do të garantojë sigurinë e këtij procesi.

“Mbështetja për realizimin e zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë edhe për shtetasit që jetojnë jashtë vendit kërkon aplikimin e platformave tuaja, mbi modele funksionale dhe të provuara në vende të tjera për të garantuar verifikimin e kërkesës së zgjedhësve jashtë vendit si dhe elementët e sigurisë që do të ketë procesi i votimit” shkruhet ndër të tjera në kërkesë.

Ndërsa në letrën zyrtare dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, KQZ kërkon bashkëpunim për dërgimin e informacionit për numrin e zgjedhësve  të cilët kanë të regjistruar në RKGJC (regjistrin kombëtar të gjendjes civile) adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë territorit të Shqipërisë

Gjithashtu KQZ ka kërkuar bashkëpunimin e kësaj drejtorie edhe për praktikën e ndjekur për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë vendit.

Bashkëpunimi këtyre dy institucione me KQZ është një moment rëndësishëm për realizimin e  procesit të votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, pasi do të realizojnë procesin e regjistrimit të adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë dhe regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të cilët do të shprehin dëshirën për të marrë pjesë në zgjedhjet në Shqipëri.

Me ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë fuqiplotë për të nxjerrë aktet e mënyrës së regjistrimit dhe votimit të shtetasve jashtë vendit.

Kërkesat e plota mund ti lexoni :

Kërkesa e KQZ dërguar AKSH-it (Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit)

Kërkesa e KQZ dërguar  Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile

(Kortezi-Diaspora Shqiptare)

Filed Under: Politike Tagged With: Diaspora Voton, KQZ

Jo, ore popull i mirë, jo…

September 28, 2020 by dgreca

KAMPET E PËRQËNDRIMIT DHE DEMOKRACIA-

 Nga BAJAME HOXHA – ÇELIKU- Mjerë kush vuajti nën thundrën e komunizmit, dhe lum ai që mundi të mbijetojë me faqe të bardhë, pa u epur përballë përbindëshave të uritur për gjak njeriu. Është e lehtë të gjykosh e ta dënosh një popull vetëm se ai kërkon lirinë, dhe pse mendon më mirë e ndryshe nga ti. Tjetra: ai sistem shfrytëzues e vrastar kishte nevojë për krahun e punës falas. Prandaj, fatkeqësisht, këtë goditje e torturë, e hoqën djem, vajza, nëna shqiptare që patën forcën e shkëmbit për t’i përballuar, që më vonë mbyllën sytë në ofshama e dhimbje të mëdha torturash. Ah, sa më dhimbsen, edhe sot më pikon loti për ato nëna të mjera, që në njërën anë qanin djemtë burgjeve dhe pushkatimeve, në anën tjetër, qanin burrat e tyre kohë më parë të arrestuar e pushkatuar! Pale ne të tjerët, s’jemi fare në defter, që për 45 vjet me radhë, u tërhoqëm zvarrë internimeve nga injoranca dhe krimi. Zot, më vjen edhe më keq për popullin, që një pjesë e tyre, madje intelektualë nuk e kuptojnë gjenocidin që është ushtruar në Shqipëri. Janë shkelur ligjet, cilat ligje? Me çfarë e me cilët, përveçse të arrestuarve, do ta nxirrte kromin, me kë do të thante kënetat, me kë do të bënte fabrika e uzina e bujqësi për të cilat sot thonë: “I bëri Enveri ato mrekulli dhe i prishi demokracia”.

Jo, ore popull i mirë, jo, asgjë të mbarë nuk bëri Enveri! Enveri vetëm vrau e preu sa mundi popullin e vet. Ai i kishte mashat dhe nuk i digjte duart. Të gjitha ato, që ju i quani “mrekullitë e Diktatorit”, i ngriti i burgosuri, o popull! Ai bir nëne, që hante vetëm një pjatë supë me krimba në ditë, dhe që ishte i rrethuar nga policë kriminelë, të cilët, shpesh e flaknin nga muret e larta, ku binte i vdekur. Kur erdhi demokracia e rreme, të gjitha këto gërdalla po jepnin shpirt, ndodheshin në grahmat e fundit nga mungesa e lëndës së parë, nga ndryshku, e çdo gjë ishte e skaduar dhe e prishur. Se gati të konsumuara i sillte Kina, hekurishtet e veta, vetëm të lustruara në dukje, e nuk i rezistonin më kohës. Po e zëmë se nuk do të qenë prishur fabrikat, uzinat, kombinate etj., kush do të ishte ai budalla, që do vazhdonte të punonte pas demokracisë së rreme, për 5 euro në muaj? Apo e shtyjmë, hajde, 50 euro në muaj? Kështu ishin të destinuara të gjitha të vdisnin. Kur dallimi vetëm me Greqinë, pale shtetet e tjera, qe aq mahnitës! Pra, ishim mbrapa botës, fundi dhe mbeturina e botës, leckamanët e botës, Rroba arnuarit e botës, këmbëzbathurit e botës, Ishim turpi pafund i botës. Për fat të keq, ky popull, e piu gjithë kupën e mjerimit!

Që kur vajtën shqiptarët e parë në Francë, të mjerët u vërsulën dyqaneve ushqimore e magazinave të rrobave, si të babëzitur, ashtu si ishin dhe merrnin ashiqare. Dhe kur u sinjalizua drejtori i përgjithshëm, pyeti:

– Kush janë këta kusarë të mëdhenj?

– Janë shqiptarët e ardhur me ambasadën!

E dini si ishte përgjigjja e tij?

– Lërini të marrin sa të duan, të hanë sa të duan, gjersa ta shuajnë urinë 45-vjeçare!

Filed Under: Politike Tagged With: BAJAME HOXHA – ÇELIKU, Kampet e Perqendrimit

AT ZEF PLLUMI, FRANÇESKANI I MADH QË JETOI DHE VUAJTI “SHUMË SHEKUJ”

September 26, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA-Para 13 vitesh një emër i lartë i Kishës Katolike, një shqiptar dhe Françeskan i madh At Zef Pllumi do largohej nga kjo jetë për të shkuar në jetën e pasosur të cilën e predikoi dhe shuguroi trupin e shpirtin e tij të veçantë. At Zef Pllumi ishte qëndresa e gjallë përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës. At Zefi përfaqësonte qytetërimin perëndimorë përballë injorancës, mizorisë e halabakërisë komuniste. At Zef Pllumi ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave. Me emrin e At Zef Pllumit lidhet e gjithë historia tragjike e persekutimit të Kishës Katolike përgjatë regjimit diktatorial. Kryevepra e tij “Rrno vetëm për me tregue” është një kronologji persekutimi, dhimbje, tmerri, por edhe të një qëndrese fisnike në kushtet kur regjimi i kohës po i asgjësonte klerikët katolikë, fizikisht, institucionalisht dhe ideologjikisht. At Zef Pllumi na la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humb shpresën, besimin dhe shpirtin e tij por të qëndrojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes, dhe pas frymës së fundit. Ajo trashëgimi që na ka lënë At Zef Pllumi është një institucion atdhedashurie, feje, morali e shprese. Më 14 dhjetor 1946 në moshën 22 vjeçare At Zef Pllumi arrestohet dhe dënohet me tre vite burg. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit. Në vitin 1967 kur në Shqipëri u instalua ateizmi zyrtar,  At Zef Pllumi arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Një rrugëtim i stërmundimshëm i një njeriu të pafajshëm që ashtu si shumica e popullsisë civile në Shqipëri u persekutua në mënyrën më të pashembullt vetëm se pse deshën lirinë. Veprat testament që na la At Zef Pllumi janë: “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Ut heri diçebamus-siç i thonim dje”, dhe “Saga e fëmijnisë”. Sot si kurrë më parë, fjalët e tij tingëllojnë aq të forta dhe frymëzuese. Ajo çka na përcjell At Zefi është një kushtrim për liri, për atdhe, për dinjitet, për moral për dashuri ndaj njëri-tjetrit. At Zef Pllumi ishte heroi i dritës në terrin dhe ferrin komunist. Me dhimbje por kurrë me urrejtje, At Zefi shkroi historinë e përgjakshme të Kishës, një dëshmi tronditëse sesi bisha sllave shkallmoi me tërbim gjithçka fetare në shtetin monist. Dëshmia e At Zef Pllumit për vuajtjet dhe masakrat e komunistëve mbi shqiptarë e klerikë të pafajshëm, është një dritë e pashuar në errësirën  staliniste që sundoi në Shqipëri për 50 vjet. 

Filed Under: Politike Tagged With: At Zef Pllumi, Sokol Paja

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË (3)

September 25, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY– SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA-*

Kohët e fundit është diskutuar shumë për një ligj të miratuar nga Këshilli i ministrave mbi një amnisti fiskale për kapitalet shqiptare që aktualisht janë jashtë shtetit. Praktikisht bëhet fjalë për një ligjësim të shumave të mëdha të parave që nuk janë të regjistruara n’asnjë bankë, apo janë në banka fantazma që i shërbejnë veprimtarisë mafioze. Kjo mbulohet me një vello “bamirësie”, për t’i ardhur në ndihmë shumë shqiptarëve që kanë “kursyer” gjatë jetës së tyre e tani duan të vijnë të investojnë në Shqipëri. Po t’ishte i vërtetë ky motiv nuk do të kishte nevojë për një amnisti, mbasi paratë e fituara me punë të ndershme, janë të depozituara në banka dhe i janë nënështruar taksimit në Vendin ku kanë punuar. Pra shteti shqiptar nuk ka të drejtë tjetër t’i taksojë ato e prandaj nuk ka kuptim të shpallë një amnisti, mbasi është e drejtë e tyre e ligjëshme t’i sjellin nëse dëshirojnë. Kështjella e amnistimit si një përkrahje nga ana e tij për qytetarët e tij që jetojnë jashtë është e ngritur mbi rërë.

E vërteta është se demokratura është e interesuar jo për kursimet e shumicës, të cilët janë simbolike, po të mbahen parasysh kërkesat e familjeve për jetesën e rritjen e shkollimin e fëmijëve. Të gjithë ata që, në këto tridhjetë vite, kanë jetuar e punuar ndershmërisht jashtë Shqipërisë, kudo qoftë, e dinë mirë se sa e vështirë e me sa shumë flijime ka qënë e mundur të vihen kapitale, më së shumti kanë kursyer diçka për të mos i shtrirë dorën bijve të tyre në pleqërinë që ndoshta e ëndërrojnë t’a kalojnë në Vendin ku kanë lindur për mall, për t’u varrosur aty apo për leverdi ekonomike.

Ligji i ri, i miratuar nga qeveria, ka hasur në kundërshtimin e organizmave ekonomikë ndërkombëtarë, që e dijnë mirë se çfarë fshihet mbas tij. Hartuesit e tij mund të thonë, me të drejtë, se veprime të këtilla nuk janë dukuri vetëm shqiptare, se ndodhin edhe gjetkë e janë mënyra të ligjëshme të shtetit për të pasuruar thesarin e tij, nëpërmjet faljes së parregullsisë së disa individëve në këmbim të një takse të kripur që duhet të paguajnë ata. Sidoqoftë janë lëvizje parash, frute të shmangies së pagimit të taksave, e si të tilla, ligjërisht të diskutueshme. Mbas përvojave të financiareve e të parave të drogës masive të kanabizimit, besoj se nuk kemi nevojë për një ligj të mbytjes së tregut financiar shqiptar me kapitale të paligjëshme. Gjithmonë pasojat e këtyre dukurive bien mbi qytetarët e thjeshtë, mbasi ata që i gatuajnë e hedhin vaun pa u lagur. Ndoshta ky ligj synon të verë rregull në paratë që investohen me lehtësi vetëm në Shqipëri, ku mbyllen sy e veshë përsa i përket prejardhjes së tyre. Me siguri nuk është kjo rruga m’e mirë për përparimin e mirëqënien e shqiptarëve.

Zhvillimi i një Vendi arrihet nëpërmjet shfrytëzimit më t’arsyeshëm të mundësive ekonomike që ai premton. Çuditërisht, në gjithë këto vite, pasuritë nëntokësore që dikur ishin nga bazat më të sigurta të ekonomisë, edhe në sajë të punës së papaguar të të dënuarve politikë e jo, janë kthyer në problematika shtetërore e shoqërore, me dukuri të tilla si mungesa e t’ardhurave shtetërore nga taksat e veprimtarive të tyre ekonomike e aq më keq mungesa e pagesave të rrogave të vetë punonjësve, që detyrohen të ushtrojnë trysni mbi shtetin, për të ndërhyrë tek ndërmarrjet konçesionare duke ju kujtuar atyre se duhen paguar rrogat e punonjësve. Është e pakonceptueshme që të ketë konçesione për nxjerrjen e naftës apo mineraleve, që nuk paguajnë asnjë taksë prej 15 vjetësh. Bujari e lashtë e demokraturës shqiptare! Kjo dukuri është tregues i një politike ekonomike krejtësisht të dështuar në dhënien e konçesioneve për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, që mund të kenë luhatjet e veta, por është e papranueshme që të tkurren në zero përsa i përket përfitimit të veprimtarisë ekonomike. Është shëmbull domethënës i papërgjegjshmërisë së klasës drejtuese të demokraturës, në të gjithë përbërëset e saj dhe i trajtimit të pasurisë së përbashkët si pasuri që nuk i përket askujt e në të cilën mund të verë dorë kushdo. Është tregues i diletantizmit marramendës me të cilin mbarështohet ekonomia, e përfaqësuar në organet e saj drejtuese nga njerëz krejtësisht jashtë fushës e kompetencave. Janë dëshmi të kësaj keq-qeverisjeje faktet e heqjes e tani të rivendosjes së kazinove, të marrjes së vendimeve që mbas ankimimeve në organizmat e Drejtësisë evropiane e detyrojnë shtetin shqiptar të paguajë dhjetra  miliona euro si dëmshpërblim për ndërmarrjet apo individët e goditur, faktet e panumurta të dhënies së tënderave për ndërtime rrugësh apo objektesh të tjera shtetërore me një farë çmimi të përcaktuar me marrëveshje e më pas të miratohen çuditërisht të tjera shtesa financiare, krejtësisht të paligjësuara. Të gjitha këto parregullsi që i kushtojnë humbje shtetit e qytetarëve, kalojnë në heshtje ose shumë shumë shkaktojnë ndonjë ndrrim vendi apo shkarkim të ndonjë ministri, pa shpjeguar asnjëherë se ku qëndron e vërteta e shkarkimit e sa janë përgjegjës n’atë të vërtetë kryeministri apo zëvendësi i tij. Në këtë drejtim demokratura përcjell shëmbujt që vijnë nga diktatura, përsa i përket shpërndarjes së përgjegjësisë, edhe se nuk zbaton kriterin e saj sa i takon dënimit të njerëzve.  

Sot i gjithë synimi i strategjisë së zhvillimit të Vendit përqëndrohet te turizmi. Është një synim i arsyeshëm, sepse mbështetet në nismat vetiake e familjare, duke mobilizuar në sendërtimin e tij një sasi banorësh, të cilët me punën e tyre mund t’i japin një vlerë të shtuar vetë përfytyresës së Shqipërisë në fushën e turizmit. Por ky zotim nuk përjashton edhe investimin e kapitalit të madh në destinacione luksoze që mbeten objekte pushimi e dëfrimi të mjerëzve të pasur, të huaj apo vendës, tepër larg nivelit mesatar të përgjithshëm të shoqërisë. Duket se demokratura është mjaft e ndjeshme ndaj kësaj veprimtarie, duke e ndihmuar në të gjitha mënyrat e mundëshme e duke e quajtur një përparësi të zhvillimit, ndoshta dhe t’interesave të saj lëndore. Kjo fushë e re duhet të synojë t’a kthejë Vendin në një objekt të stërmadh turistik që të jetë tërheqës në të gjitha stinat e vitit, falë shumllojshmërisë së mjediseve natyrore që janë të pranishëm në Shqipëri.

Por turizmi duhet të ketë edhe bazën e furnizimit me produkte ushqimore të kultivuara në vend (agroturizëm) që të vlerësojnë traditën tonë të lashtë, sa i përket larmisë së ushqimeve e të gatimit të tyre, të cilat janë nga përbërësit më të rëndësishëm të vetë veprimtarisë turistike. Ky lidhet me bujqësinë e gjëndjen aspak të kënaqëshme, në të cilën ajo është zhytur në këta tre dhjetëvjeçarë. Ka nisma vetiake të lëvdueshme e përfundime shpresandjellëse n’atë drejtim, por nuk ka një strategji shtetërore që të ndihmojë investitorët dhe punonjësit e bujqësisë në punën e tyre.  

Nga komunizmi trashëguam një bujqësi jo shumë të përparuar, por t’organizuar në ndërmarrje shtetërore e kooperativa bujqësore. Krahas tyre plotësonin kuadrin ndërmarrjet e ujitjes e të bonifikimit, të mekanikave bujqësore e të grumbullimeve të prodhimeve. Në sajë të bashkërendimit të veprimtarive të këtyre formave të organizimit shtetëror, bujqësia ishte njëra nga përbërëset më të rëndësishme të vetë ekonomisë. Nxjerrja jashtë veprimit apo shkrirja e plotë e tyre krijoi një zbrazësirë që ende sot nuk po mbyllet e që nuk po gjen asnjë alternativë të vlefshme për zëvëndësimin e funksionit të tyre në dobi të gjithë ekonomisë bujqësore. Bujqësia bashkëkohore, e aftë të përballohej me tregjet e huaja, mbeti një ëndërr të cilën edhe mbas tridhjetë vitesh po e shohim me sy hapur.

Është për t’ardhur keq, por demokratura shqiptare nuk pati asnjë ide të qartë për të ndihmuar zhvillimin e kësaj pjese t’ekonomisë që, në shekuj, ka qenë baza e jetesës së shqiptarëve. Kjo mungesë idesh vazhdon edhe sot. Është e vërtetë se tjetërsimi i sistemit detyronte kthimin e pronës në duart e fshatarëve, por atyre askush nuk i tha se në fazën e re të marrjes së tokave në zotërim, ishte i domosdoshëm një organizim mbi baza vullnetare të miqësive a të lidhjeve familjare, për të krijuar ekonomi më të mëdha që do t’ishin në gjëndje të ishin, për shumë arsye, konkuruese në treg. Si pasojë e këtij organizimi të ri do të kishte më shumë prodhim, më shumë pasuri për vetë punonjësit e tokës, më pak toka djerrë e më pak njerëz të papunë.

Nëse sot ka në Shqipëri ekonomi bujqësore, blegtorale a të pemtarisë, që janë vepruese e rentabël, kjo i detyrohet krejtësisht nismave të lëvdueshme të vetë fshatarëve shqiptarë, e deri diku edhe përvojës së fituar jashtë, kryesisht në Itali e Greqi, Vëndeve ku më së shumti mërguan shqiptarët, duke përsëritur dukuri të shekujve të shkuar, të viteve të para të pushtimit osman. Por nëse nismave të individëve apo familjeve do t’i ishte përgjigjur një strategji krijuese e bashkëkohore e klasës drejtuese, përfundimet do të kishin qënë shumë më të mira në shumë drejtime. Madje jo vetëm kjo strategji është e paqënë, por në të kundërt ka tregues që dëshmojnë mungesën e plotë të organeve qeveritare në gjithë këto vite, për t’i ardhur në ndihmë kësaj dege të rëndësishme t’ekonomisë. Është i paligjërueshëm fakti i çmimeve shumë të larta të naftës që zbatohen në Shqipëri. Nafta është një nga përbërësit kryesorë të kostos së një veprimtarie ekonomike, për më tepër bujqësore. Dihet se çmimi  i shitjes të saj, më shumë se sa vlera e blerjes varet nga sasia e taksave që ngrenë në qiell atë. Janë demagogji e pastër premtimet e ndryshme të kastave drejtuese për të ulur taksat nëse nuk ndërhyhet në ato të tërthortat, që janë TVSH apo taksat e naftës.

Shtator 2020 VIJON

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, ne demokrature 3, nga diktatura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 333
  • 334
  • 335
  • 336
  • 337
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT