• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jo, ore popull i mirë, jo…

September 28, 2020 by dgreca

KAMPET E PËRQËNDRIMIT DHE DEMOKRACIA-

 Nga BAJAME HOXHA – ÇELIKU- Mjerë kush vuajti nën thundrën e komunizmit, dhe lum ai që mundi të mbijetojë me faqe të bardhë, pa u epur përballë përbindëshave të uritur për gjak njeriu. Është e lehtë të gjykosh e ta dënosh një popull vetëm se ai kërkon lirinë, dhe pse mendon më mirë e ndryshe nga ti. Tjetra: ai sistem shfrytëzues e vrastar kishte nevojë për krahun e punës falas. Prandaj, fatkeqësisht, këtë goditje e torturë, e hoqën djem, vajza, nëna shqiptare që patën forcën e shkëmbit për t’i përballuar, që më vonë mbyllën sytë në ofshama e dhimbje të mëdha torturash. Ah, sa më dhimbsen, edhe sot më pikon loti për ato nëna të mjera, që në njërën anë qanin djemtë burgjeve dhe pushkatimeve, në anën tjetër, qanin burrat e tyre kohë më parë të arrestuar e pushkatuar! Pale ne të tjerët, s’jemi fare në defter, që për 45 vjet me radhë, u tërhoqëm zvarrë internimeve nga injoranca dhe krimi. Zot, më vjen edhe më keq për popullin, që një pjesë e tyre, madje intelektualë nuk e kuptojnë gjenocidin që është ushtruar në Shqipëri. Janë shkelur ligjet, cilat ligje? Me çfarë e me cilët, përveçse të arrestuarve, do ta nxirrte kromin, me kë do të thante kënetat, me kë do të bënte fabrika e uzina e bujqësi për të cilat sot thonë: “I bëri Enveri ato mrekulli dhe i prishi demokracia”.

Jo, ore popull i mirë, jo, asgjë të mbarë nuk bëri Enveri! Enveri vetëm vrau e preu sa mundi popullin e vet. Ai i kishte mashat dhe nuk i digjte duart. Të gjitha ato, që ju i quani “mrekullitë e Diktatorit”, i ngriti i burgosuri, o popull! Ai bir nëne, që hante vetëm një pjatë supë me krimba në ditë, dhe që ishte i rrethuar nga policë kriminelë, të cilët, shpesh e flaknin nga muret e larta, ku binte i vdekur. Kur erdhi demokracia e rreme, të gjitha këto gërdalla po jepnin shpirt, ndodheshin në grahmat e fundit nga mungesa e lëndës së parë, nga ndryshku, e çdo gjë ishte e skaduar dhe e prishur. Se gati të konsumuara i sillte Kina, hekurishtet e veta, vetëm të lustruara në dukje, e nuk i rezistonin më kohës. Po e zëmë se nuk do të qenë prishur fabrikat, uzinat, kombinate etj., kush do të ishte ai budalla, që do vazhdonte të punonte pas demokracisë së rreme, për 5 euro në muaj? Apo e shtyjmë, hajde, 50 euro në muaj? Kështu ishin të destinuara të gjitha të vdisnin. Kur dallimi vetëm me Greqinë, pale shtetet e tjera, qe aq mahnitës! Pra, ishim mbrapa botës, fundi dhe mbeturina e botës, leckamanët e botës, Rroba arnuarit e botës, këmbëzbathurit e botës, Ishim turpi pafund i botës. Për fat të keq, ky popull, e piu gjithë kupën e mjerimit!

Që kur vajtën shqiptarët e parë në Francë, të mjerët u vërsulën dyqaneve ushqimore e magazinave të rrobave, si të babëzitur, ashtu si ishin dhe merrnin ashiqare. Dhe kur u sinjalizua drejtori i përgjithshëm, pyeti:

– Kush janë këta kusarë të mëdhenj?

– Janë shqiptarët e ardhur me ambasadën!

E dini si ishte përgjigjja e tij?

– Lërini të marrin sa të duan, të hanë sa të duan, gjersa ta shuajnë urinë 45-vjeçare!

Filed Under: Politike Tagged With: BAJAME HOXHA – ÇELIKU, Kampet e Perqendrimit

AT ZEF PLLUMI, FRANÇESKANI I MADH QË JETOI DHE VUAJTI “SHUMË SHEKUJ”

September 26, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA-Para 13 vitesh një emër i lartë i Kishës Katolike, një shqiptar dhe Françeskan i madh At Zef Pllumi do largohej nga kjo jetë për të shkuar në jetën e pasosur të cilën e predikoi dhe shuguroi trupin e shpirtin e tij të veçantë. At Zef Pllumi ishte qëndresa e gjallë përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës. At Zefi përfaqësonte qytetërimin perëndimorë përballë injorancës, mizorisë e halabakërisë komuniste. At Zef Pllumi ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave. Me emrin e At Zef Pllumit lidhet e gjithë historia tragjike e persekutimit të Kishës Katolike përgjatë regjimit diktatorial. Kryevepra e tij “Rrno vetëm për me tregue” është një kronologji persekutimi, dhimbje, tmerri, por edhe të një qëndrese fisnike në kushtet kur regjimi i kohës po i asgjësonte klerikët katolikë, fizikisht, institucionalisht dhe ideologjikisht. At Zef Pllumi na la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humb shpresën, besimin dhe shpirtin e tij por të qëndrojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes, dhe pas frymës së fundit. Ajo trashëgimi që na ka lënë At Zef Pllumi është një institucion atdhedashurie, feje, morali e shprese. Më 14 dhjetor 1946 në moshën 22 vjeçare At Zef Pllumi arrestohet dhe dënohet me tre vite burg. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit. Në vitin 1967 kur në Shqipëri u instalua ateizmi zyrtar,  At Zef Pllumi arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Një rrugëtim i stërmundimshëm i një njeriu të pafajshëm që ashtu si shumica e popullsisë civile në Shqipëri u persekutua në mënyrën më të pashembullt vetëm se pse deshën lirinë. Veprat testament që na la At Zef Pllumi janë: “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Ut heri diçebamus-siç i thonim dje”, dhe “Saga e fëmijnisë”. Sot si kurrë më parë, fjalët e tij tingëllojnë aq të forta dhe frymëzuese. Ajo çka na përcjell At Zefi është një kushtrim për liri, për atdhe, për dinjitet, për moral për dashuri ndaj njëri-tjetrit. At Zef Pllumi ishte heroi i dritës në terrin dhe ferrin komunist. Me dhimbje por kurrë me urrejtje, At Zefi shkroi historinë e përgjakshme të Kishës, një dëshmi tronditëse sesi bisha sllave shkallmoi me tërbim gjithçka fetare në shtetin monist. Dëshmia e At Zef Pllumit për vuajtjet dhe masakrat e komunistëve mbi shqiptarë e klerikë të pafajshëm, është një dritë e pashuar në errësirën  staliniste që sundoi në Shqipëri për 50 vjet. 

Filed Under: Politike Tagged With: At Zef Pllumi, Sokol Paja

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË (3)

September 25, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY– SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA-*

Kohët e fundit është diskutuar shumë për një ligj të miratuar nga Këshilli i ministrave mbi një amnisti fiskale për kapitalet shqiptare që aktualisht janë jashtë shtetit. Praktikisht bëhet fjalë për një ligjësim të shumave të mëdha të parave që nuk janë të regjistruara n’asnjë bankë, apo janë në banka fantazma që i shërbejnë veprimtarisë mafioze. Kjo mbulohet me një vello “bamirësie”, për t’i ardhur në ndihmë shumë shqiptarëve që kanë “kursyer” gjatë jetës së tyre e tani duan të vijnë të investojnë në Shqipëri. Po t’ishte i vërtetë ky motiv nuk do të kishte nevojë për një amnisti, mbasi paratë e fituara me punë të ndershme, janë të depozituara në banka dhe i janë nënështruar taksimit në Vendin ku kanë punuar. Pra shteti shqiptar nuk ka të drejtë tjetër t’i taksojë ato e prandaj nuk ka kuptim të shpallë një amnisti, mbasi është e drejtë e tyre e ligjëshme t’i sjellin nëse dëshirojnë. Kështjella e amnistimit si një përkrahje nga ana e tij për qytetarët e tij që jetojnë jashtë është e ngritur mbi rërë.

E vërteta është se demokratura është e interesuar jo për kursimet e shumicës, të cilët janë simbolike, po të mbahen parasysh kërkesat e familjeve për jetesën e rritjen e shkollimin e fëmijëve. Të gjithë ata që, në këto tridhjetë vite, kanë jetuar e punuar ndershmërisht jashtë Shqipërisë, kudo qoftë, e dinë mirë se sa e vështirë e me sa shumë flijime ka qënë e mundur të vihen kapitale, më së shumti kanë kursyer diçka për të mos i shtrirë dorën bijve të tyre në pleqërinë që ndoshta e ëndërrojnë t’a kalojnë në Vendin ku kanë lindur për mall, për t’u varrosur aty apo për leverdi ekonomike.

Ligji i ri, i miratuar nga qeveria, ka hasur në kundërshtimin e organizmave ekonomikë ndërkombëtarë, që e dijnë mirë se çfarë fshihet mbas tij. Hartuesit e tij mund të thonë, me të drejtë, se veprime të këtilla nuk janë dukuri vetëm shqiptare, se ndodhin edhe gjetkë e janë mënyra të ligjëshme të shtetit për të pasuruar thesarin e tij, nëpërmjet faljes së parregullsisë së disa individëve në këmbim të një takse të kripur që duhet të paguajnë ata. Sidoqoftë janë lëvizje parash, frute të shmangies së pagimit të taksave, e si të tilla, ligjërisht të diskutueshme. Mbas përvojave të financiareve e të parave të drogës masive të kanabizimit, besoj se nuk kemi nevojë për një ligj të mbytjes së tregut financiar shqiptar me kapitale të paligjëshme. Gjithmonë pasojat e këtyre dukurive bien mbi qytetarët e thjeshtë, mbasi ata që i gatuajnë e hedhin vaun pa u lagur. Ndoshta ky ligj synon të verë rregull në paratë që investohen me lehtësi vetëm në Shqipëri, ku mbyllen sy e veshë përsa i përket prejardhjes së tyre. Me siguri nuk është kjo rruga m’e mirë për përparimin e mirëqënien e shqiptarëve.

Zhvillimi i një Vendi arrihet nëpërmjet shfrytëzimit më t’arsyeshëm të mundësive ekonomike që ai premton. Çuditërisht, në gjithë këto vite, pasuritë nëntokësore që dikur ishin nga bazat më të sigurta të ekonomisë, edhe në sajë të punës së papaguar të të dënuarve politikë e jo, janë kthyer në problematika shtetërore e shoqërore, me dukuri të tilla si mungesa e t’ardhurave shtetërore nga taksat e veprimtarive të tyre ekonomike e aq më keq mungesa e pagesave të rrogave të vetë punonjësve, që detyrohen të ushtrojnë trysni mbi shtetin, për të ndërhyrë tek ndërmarrjet konçesionare duke ju kujtuar atyre se duhen paguar rrogat e punonjësve. Është e pakonceptueshme që të ketë konçesione për nxjerrjen e naftës apo mineraleve, që nuk paguajnë asnjë taksë prej 15 vjetësh. Bujari e lashtë e demokraturës shqiptare! Kjo dukuri është tregues i një politike ekonomike krejtësisht të dështuar në dhënien e konçesioneve për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, që mund të kenë luhatjet e veta, por është e papranueshme që të tkurren në zero përsa i përket përfitimit të veprimtarisë ekonomike. Është shëmbull domethënës i papërgjegjshmërisë së klasës drejtuese të demokraturës, në të gjithë përbërëset e saj dhe i trajtimit të pasurisë së përbashkët si pasuri që nuk i përket askujt e në të cilën mund të verë dorë kushdo. Është tregues i diletantizmit marramendës me të cilin mbarështohet ekonomia, e përfaqësuar në organet e saj drejtuese nga njerëz krejtësisht jashtë fushës e kompetencave. Janë dëshmi të kësaj keq-qeverisjeje faktet e heqjes e tani të rivendosjes së kazinove, të marrjes së vendimeve që mbas ankimimeve në organizmat e Drejtësisë evropiane e detyrojnë shtetin shqiptar të paguajë dhjetra  miliona euro si dëmshpërblim për ndërmarrjet apo individët e goditur, faktet e panumurta të dhënies së tënderave për ndërtime rrugësh apo objektesh të tjera shtetërore me një farë çmimi të përcaktuar me marrëveshje e më pas të miratohen çuditërisht të tjera shtesa financiare, krejtësisht të paligjësuara. Të gjitha këto parregullsi që i kushtojnë humbje shtetit e qytetarëve, kalojnë në heshtje ose shumë shumë shkaktojnë ndonjë ndrrim vendi apo shkarkim të ndonjë ministri, pa shpjeguar asnjëherë se ku qëndron e vërteta e shkarkimit e sa janë përgjegjës n’atë të vërtetë kryeministri apo zëvendësi i tij. Në këtë drejtim demokratura përcjell shëmbujt që vijnë nga diktatura, përsa i përket shpërndarjes së përgjegjësisë, edhe se nuk zbaton kriterin e saj sa i takon dënimit të njerëzve.  

Sot i gjithë synimi i strategjisë së zhvillimit të Vendit përqëndrohet te turizmi. Është një synim i arsyeshëm, sepse mbështetet në nismat vetiake e familjare, duke mobilizuar në sendërtimin e tij një sasi banorësh, të cilët me punën e tyre mund t’i japin një vlerë të shtuar vetë përfytyresës së Shqipërisë në fushën e turizmit. Por ky zotim nuk përjashton edhe investimin e kapitalit të madh në destinacione luksoze që mbeten objekte pushimi e dëfrimi të mjerëzve të pasur, të huaj apo vendës, tepër larg nivelit mesatar të përgjithshëm të shoqërisë. Duket se demokratura është mjaft e ndjeshme ndaj kësaj veprimtarie, duke e ndihmuar në të gjitha mënyrat e mundëshme e duke e quajtur një përparësi të zhvillimit, ndoshta dhe t’interesave të saj lëndore. Kjo fushë e re duhet të synojë t’a kthejë Vendin në një objekt të stërmadh turistik që të jetë tërheqës në të gjitha stinat e vitit, falë shumllojshmërisë së mjediseve natyrore që janë të pranishëm në Shqipëri.

Por turizmi duhet të ketë edhe bazën e furnizimit me produkte ushqimore të kultivuara në vend (agroturizëm) që të vlerësojnë traditën tonë të lashtë, sa i përket larmisë së ushqimeve e të gatimit të tyre, të cilat janë nga përbërësit më të rëndësishëm të vetë veprimtarisë turistike. Ky lidhet me bujqësinë e gjëndjen aspak të kënaqëshme, në të cilën ajo është zhytur në këta tre dhjetëvjeçarë. Ka nisma vetiake të lëvdueshme e përfundime shpresandjellëse n’atë drejtim, por nuk ka një strategji shtetërore që të ndihmojë investitorët dhe punonjësit e bujqësisë në punën e tyre.  

Nga komunizmi trashëguam një bujqësi jo shumë të përparuar, por t’organizuar në ndërmarrje shtetërore e kooperativa bujqësore. Krahas tyre plotësonin kuadrin ndërmarrjet e ujitjes e të bonifikimit, të mekanikave bujqësore e të grumbullimeve të prodhimeve. Në sajë të bashkërendimit të veprimtarive të këtyre formave të organizimit shtetëror, bujqësia ishte njëra nga përbërëset më të rëndësishme të vetë ekonomisë. Nxjerrja jashtë veprimit apo shkrirja e plotë e tyre krijoi një zbrazësirë që ende sot nuk po mbyllet e që nuk po gjen asnjë alternativë të vlefshme për zëvëndësimin e funksionit të tyre në dobi të gjithë ekonomisë bujqësore. Bujqësia bashkëkohore, e aftë të përballohej me tregjet e huaja, mbeti një ëndërr të cilën edhe mbas tridhjetë vitesh po e shohim me sy hapur.

Është për t’ardhur keq, por demokratura shqiptare nuk pati asnjë ide të qartë për të ndihmuar zhvillimin e kësaj pjese t’ekonomisë që, në shekuj, ka qenë baza e jetesës së shqiptarëve. Kjo mungesë idesh vazhdon edhe sot. Është e vërtetë se tjetërsimi i sistemit detyronte kthimin e pronës në duart e fshatarëve, por atyre askush nuk i tha se në fazën e re të marrjes së tokave në zotërim, ishte i domosdoshëm një organizim mbi baza vullnetare të miqësive a të lidhjeve familjare, për të krijuar ekonomi më të mëdha që do t’ishin në gjëndje të ishin, për shumë arsye, konkuruese në treg. Si pasojë e këtij organizimi të ri do të kishte më shumë prodhim, më shumë pasuri për vetë punonjësit e tokës, më pak toka djerrë e më pak njerëz të papunë.

Nëse sot ka në Shqipëri ekonomi bujqësore, blegtorale a të pemtarisë, që janë vepruese e rentabël, kjo i detyrohet krejtësisht nismave të lëvdueshme të vetë fshatarëve shqiptarë, e deri diku edhe përvojës së fituar jashtë, kryesisht në Itali e Greqi, Vëndeve ku më së shumti mërguan shqiptarët, duke përsëritur dukuri të shekujve të shkuar, të viteve të para të pushtimit osman. Por nëse nismave të individëve apo familjeve do t’i ishte përgjigjur një strategji krijuese e bashkëkohore e klasës drejtuese, përfundimet do të kishin qënë shumë më të mira në shumë drejtime. Madje jo vetëm kjo strategji është e paqënë, por në të kundërt ka tregues që dëshmojnë mungesën e plotë të organeve qeveritare në gjithë këto vite, për t’i ardhur në ndihmë kësaj dege të rëndësishme t’ekonomisë. Është i paligjërueshëm fakti i çmimeve shumë të larta të naftës që zbatohen në Shqipëri. Nafta është një nga përbërësit kryesorë të kostos së një veprimtarie ekonomike, për më tepër bujqësore. Dihet se çmimi  i shitjes të saj, më shumë se sa vlera e blerjes varet nga sasia e taksave që ngrenë në qiell atë. Janë demagogji e pastër premtimet e ndryshme të kastave drejtuese për të ulur taksat nëse nuk ndërhyhet në ato të tërthortat, që janë TVSH apo taksat e naftës.

Shtator 2020 VIJON

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, ne demokrature 3, nga diktatura

Karakteri ne Lidership !

September 23, 2020 by dgreca

Shkruan:Iris HALILI*-

Sa here duam te sjellim nje shembull akti heroik, mendja na shkon tek mitet. Sa here duam te bejme percaktimin e liderit frymezues dhe realizues mendja serisht na shkon tek heronjte mitik. Ata mbeten te tille jo vetem per nga forca dhe bukuria trupore, por se pari per nga forca e karakterit qe u drejton trupin dhe mendjen. Heronjte mitik i bashkon nje tipar i perbashket: Forca e karakterit!  

Cfare eshte karakteri ?

Origjinen e fjales karakter e gjejme tek Greqishtja e vjeter “kharassein” qe do te thote “te gdhendesh, te skalitesh”. Aristoteli do t’a konsideronte karakterin si nje proces qe lind se pari ne mendimet tona, me pas fillon e shfaqet ne veprimet tona deri sa kthehet ne hobi qe na drejton totalisht ne cdo hap qe hedhim. Edhe studimet moderne mbeshteten kryesisht tek Aristoteli dhe e shikojne karakterin si nje proces ne zhvillim te panderprere qe do ta quanim- te skaliturit e vetvetes,  nje rrugetim  “gdhendje dhe “skalitje” vlerash tek individi. Ne kete proces bashkohen dhe nderthuren  emocionet, intelekti dhe morali. Cdo person eshte unik fillimisht per nga pamja dhe personaliteti i tij, por me se shumti ai pranohet apo refuzohet ne mjedisin social per nga karakteri qe zoteron, dhe kjo pasi te gjitha marredheniet njerezore perfundojne ne thelb ne marredhenie te karakterit.  “Talenti eshte dhurate, por karakteri eshte zgjedhje” na keshillon John Maxwell. 

Kur themi – ka karakter apo eshte me karakter, ne mendje na vijne te gjitha ato vlera qe e dallojne nje karakter te mire. Mes tyre rreshtojme: ndershmerine, besnikerine, mirenjohjen , kurajon per te thene e vepruar  drejt, tolerancen, empatine, pergjegjesine, aresyen, respektin ndaj rregullave dhe respektimin e tyre, mendjen e hapur dhe pa komplekse, mos perdorimin e njerezve per perfitim personal, koherencen mes fjaleve dhe veprave, altruizmin, perkushtimin ne pune e dije, perkujdesjen pa interes, te mosberit keq askujt dhe ne asnje rrethane etj etj.

Cdo individ qe ka keto vlera eshte pa dyshim nje karakter i shkelqyer. Cdo karakter i shkelqyer mund te drejtoje shkelqyer veten dhe te tjeret rreth tij. Prandaj, mes gjithe tipareve te lidershipit, karakteri eshte dhe mbetet paresori. Sic theksonte John Mac Arthur:“Virtualisht, cdo tipar qe vertet e kualifikon nje person ne lidership eshte direkt i lidhur me karakterin” !

Lideri me karakter gezon besim total dhe imponon respekt !

Lidershipi eshte nje forme e shfaqjes se marredhenieve njerezore. Cdo forme e shfaqur dhe ushtruar lidershipi eshte nje forme e shfaqur dhe ushtruar karakteri. Kur duam, admirojme apo percmojme nje lider ne ne fakt me se shumti duam, admirojme apo percmojme ne thelb karakterin e tij. Kur ndjekesit fillojne te shikojne mangesi karakteri tek lideri ata natyrshem e braktisin ate se pari emocionalisht. Ketu fillon edhe shembja e marredhenies lider- ndjekes.

Lideri me karakter eshte nje nder dhuratat/sukseset me te rendesishme qe nje shoqeri mund te kete. Asnje lloj vlere, qofte kjo vlere personaliteti, intelekuale, inteligjente, fetare apo ushtarake nuk mund te kompensoje vleren e karakterit. Eshte kjo vlere qe i jep liderit me se shumti forcen e bindjes tek ndjekesit; e ben ate te besueshem dhe imponon respektin duke i mbajtur keshtu te dyja palet te lidhura fuqimisht. “Aftesite mund te cojne ne maje, por duhet karakteri qe te mbetesh  aty”, nenvizonte  John Wooden .

Lideri eshte ne prove karakteri qe nga casti qe ka vendosur te udheheqe deri ne castin qe ka vendosor te dorehiqet.  Shekspiri na iluminon : “Vlera me e madhe e nje njeriu shfaqet kur ka ne dore te bej keq dhe nuk e ben”. Fatekeqesisht, jo rralle here historia e njerezimit ka ndeshur lidere qe fitoren e kane konsideruar personale dhe te gjitha aktet e mevonshme i kane mbeshtetur ne mbrojtje te pushtetit personal.

Lideri me Karakter eshte si Perseu !

Ashtu sikunder Perseu ne mitin Grek qe me inteligjence e strategji arriti t’i prese koken monstres Medusa e me pas ia coi ate pikerisht Athines qe i kish dhene fuqine dhe strategjine, lideri me karaker cdo fitore ja dedikon ndjekesve. Ai kthehet ne nje lider transformues qe synon fuqizimin e ndjekesve duke leshuar perdite e me shume pushtet personal!

Lideri me Karakter eshte si Sizifi !

Sizifi ne mitin Grek i kishte premtuar njerezimit heqjen e vdekjes. Perendite e Olimpit te inatosura per kete akt te Sizifit e denuan ate te mbaje pafundesisht nje gur te rende mbi shpine, gur qe do te duhet ta shpinte ne maje te malit; Fatekqesisht sapo e vendoste ne maje, guri binte dhe Sizifi duhej t’a ngarkonte serisht ne shpine e t’a ngjiste serisht ne maje ne ate rrugetim te veshtire qe ishte percaktuar te mos rreshtete kurre. Miti na sjell nje Sizif te paperkulur dhe ne vetmohim per te arritur premtimin e mbajtur njerezve. Ne arritje te misionit ai kishte besim se nje dite do te mund te bente realitet endrren, ndaj per gjate gjithe kohes ne shohim nje Sizif me shprese dhe nje Sizif ne veprim. Sikur thote Albert Camy: “Ne duhet t’a perfytyrojme Sizifin te lumtur ”. I lumtur, pasi edhe nese deshtoi ne mision ai kurre nuk deshtoi ne karakter.

Lideri me karakter eshte si Sizifi. Karakeri i tij vihet ne prove ne momente te veshtira. Ai nuk dorezohet kurre ne mbajtje te premtimit, ka gjithmone shprese dhe besim ne arritje te tij dhe kthehet vete ne nje shembull integriteti, optimizmi dhe aksioni te panderprere.

Lideri me karakter eshte si Prometeu !

Te drejtosh me karakter do te thote gjithashtu te mos tradhetosh asnje cast kauzen e ndjekesve, edhe atehere kur pushteti personal mund te lekundet, edhe atehere kur vete jeta mund te te vihet ne rrezik. Prometeu ne mitin Grek kurre nuk e tradhetoi kauzen te cilen i kishte premtuar njerezimit, dhurimin e zjarrit.  Trupi i tij pervelonte nga dhimjet e plageve e ai serisht rezistoi duke u kthyer ne simbol te sakrifices eterne. Ai u dhuroi njerezve flaken, dhe u be heroi etern i tyre.

Ndonese ky mit apo dhe te tjeret e permendur duken shume larg  realitetit qe hasim rendom ne lidership, fatmiresisht njerezimi ka pasur lidere qe kane sakrifikuar cdo gje ne emer te misionit te premtuar dhe natyrshem vepra e tyre ka bere histori. George Washington, Gandi, Martin Luther King apo Mandela jane shembujt reale dhe shembelltyra te verteta te liderve me karakter. Fitorja qe ata na dhuruan e beri njerezimin dhe boten me te mire, pasi demonstroi se rruga e pershkruar me karakter con gjithmone ne fitoret me jetegjata dhe te vlefshme. 

Lidershipi ne vetvete eshte nje nderthurje e strategjise me karakterin, ku cdo fitore duhet te kete ne themel nje strategji te arrire dhe nje karakter te mire, por ashtu sikunder nenvizonte gjenerali Amerikan Norman Schwarzopf : “Neqoftese do te duhet te mbeteshim pa njeren nga keto, le te mbetemi pa strategjine”! Kjo do te thote se fitorja mbetet e tille vetem kur fiton karakteri. 

Lideri me karakter nderton nje shoqeri me karakter !

Karakteri i liderit merr rendesi paresore pasi eshte ky qe  formeson karakterin e mjedisit ku drejton. Heroi yne kombetar Gjergj Kastriot Skenderbeu ndertoi per me shume se nje cerek shekulli nje komb krenar dhe te pamposhtur si vete karakteri i tij.  Karakteri i erret i Enver Hoxhes ndertoi nje Shqiperi po kaq te erret. Demoni qe ai kishte brenda vetes krijoi nje shoqeri te ngjashme ku njeriu humbi cdo vlere humane ne emer te vlerave partiake.

Lideret e epokes post – komuniste do te duhej te perballeshin me normat e demokracise dhe te anashkalonin modelin e  autokracise apo diktatorshipit me te cilin ishin rritur dhe edukuar sipas te vetmit model qe kishin pasur. Ne nje proces te veshtire transformues, mund te themi se ato vazhdojne te perballen me kete sfide karakteri. Nderkohe dramatikisht vazhdojne te perpeliten edhe me sfiden tjeter ku do te duhej te rezistonin pa kushte – grykesine.

Lideri pa karakter eshte tipik!

E cilesoj tipik pasi ai i ngjan kaq shume personazhit tipik ne letersine e realizmit socialist, i pershkruar por jo i ndertuar  me vlera te larta fizike e morale, por i vendosur skematikisht dhe me ngjarje klishe dhe fund te paraditur. Sado ta shtrydhim kujtesen zor se ne mendje na ka mbetur ndonje nga keta tipiket e asaj letersie, dhe kjo sepse ata ishin krijuar te tipizuar por jo karaktere natyrale, ata duhet te shkonin tek fundi i paracaktuar ku gjthmone fitonin por asnjehere duke u zhvilluar apo rritur ne ngjarje( ata ne fakt as nuk krijonin dot ngjarjen), pasi ngjarja ishte skeme dhe ata gjthmone do te dilnin fitimtare pak rendesi kishte se cfare do te  ndodhte!!

Po keshtu dhe lideri tipik nuk eshte karakter; ate e drejton qellimi dhe jo vlera, pasi paresor per te eshte pushteti personal. Zhvillimi dhe ngjarjet ne lidershipin tipik jane skeme – cdo gje justifikohet ne arritje dhe mbajtje te pushtetit. Sikunder tipiket ne letersine e realizmit socialist, lideret pa karakter jane te gjithe nje prerje, protagoniste te ngjashem ne situata qe perserisin vetveten dhe fokus vetem tek pushteti personal, fuqizimi i ketij pushteti me cdo mjet e kusht. Edhe ata lider tipik qe bejne prapagande dhe duket sikur punojne ne funksion te ndjekesve, ne fakt nuk e bejne per interesat e ketyre te fundit por thjesht per te cimentuar pushtetin personal. Rasti me fatlum eshte kur interesat e ndjekesve realizohen dhe ne te njejten kohe kjo krijon natyrshem forcimin e pushtetit te liderit. Shume here ata shfaqen aq pasionant ne sherbim te ndjekesve sa pasioni i tyre i fshehur per pushtet trajtohet gabimisht si sherbim ndaj ndjekesve. Tipik ne veprime,  ne  arritje te pushtetit keta lloj lideresh jane ne gjendje te behen lideret me frymezues,  por jane pikerisht keta qe e humbin kontrollin dhe etiken, behen arrogant,  nervoz dhe te paparashikuar pikerisht ne castin qe ndiejne t’u lekundet pushteti. Eshte e pritshme qe aktet e tyre mund te kthehen nga me ekstremet. Shume lidere te tille i kemi pare te behen autoritare dhe diktatore.  Eshte pikerisht ky momenti kur duhet te shfaqet me shume se kurre fuqia e ndjekesve dhe vihet ne prove karakteri i nje shoqerie te tere.  Ne pergjithesi shoqerite e shendosha i kuptojne qe ne fillesa, i luftojne pa kompromis dhe i largojne nga qarkullimi lideret pa karakter, ndersa shoqerite e dobeta manipulohen, hutohen e me pas dorezohen.  Ne momente krizash eshte karakteri i liderit por edhe ai i ndjekesit qe vihet ne prove. Ndaj eshte shume e rendesishme qe ndjekesit te mos bejne kompromise kur diktojne shenjat e para te mungeses se karakterit tek lideri. Ata kurrsesi nuk duhet te bien ne apati e renkojne fatin e keq duke u mjaftuar me psheretimat  :“Ah sikur te kishim nje lider me karakter”. Ne te kunderten ata duhet te veprojne fuqishem, dhe ti drejtoje motoja : “Nuk ka shprese pozitive nese mungon ne krye lideri me karakter”.

Ne perfundim,  mund te shtojme se kur merret ne shqyrtim lidershipi diskutimi per ndikimin e karakerit ne te eshte ndoshta me i gjeri. Kjo pasi lidershipi eshte pike se pari veprim dhe cdo veprim njerezor percaktohet thellesisht nga karakeri. Duket sikur mes te gjithe faktoreve qe ndertojne apo krijojne fatin e lidershipit, qofshin keta faktor personal apo social, historik, rrethanor apo natyror, asnjeri nuk mund te krahasohet me peshen qe luan karakeri. Te gjitha studimet mbi kete debat kane nje perfundim te provuar ne realitet: “99% e deshtimeve ne lidership jane deshtime te karakterit”.

*Iris Halili ka perfunduar studimet ne USA per Master ne Lidership si dhe programin  e Doktorates per Lidership dhe Zhvillim Organizatash. Ne Shqiperi ka punuar Pedagoge e Letersise se Huaj ne Departamentin e Letersise prane Fakultetit Histori -Filologji , UT si dhe Shefe Kabineti e Presdentit te Republikes  (2002 ne 2005).  Prej viit 2009 jeton dhe punon ne Florida , USA.

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili, Karakteri i Lidershipit

MEMORIAL SERVICE FOR SULEJMAN GASHI IN KOSOVA

September 21, 2020 by dgreca

“An inspiration and an example particularly for the younger generation of journalists.”-
by Rafaela Prifti-
On September 18, a memorial ceremony was held in Kosova’s capital to honor the life and work of Sulejman Gashi, one of the best known and respected Albanian-American professional journalists whose career stretched over two decades, who passed away at 61. A week earlier from the service, Drilon Gashi, surviving son, announced the passing of his father, stating that the burial will take place in his home country, Kosova. Four years ago, while on a contracting assignment in Salt Lake City, Utah, Sulejman suffered a cardiac arrest and slipped into a coma. His departure saddened relatives, colleagues, friends, community members around the world.

On behalf of the Pan-Albanian Federation of America Vatra, Executive Council, Board of Directors, branches and all members, President Elmi Berisha expressed condolences to the Gashi family. He said that Sulejman Gashi was an exemplary reporter, intelligent mind and patriot who loved his country dearly.  

As per Drilon’s announcement, the burial of Sulejman Gashi took place in his native Kosova, and the memorial service was held a few days later. Government officials, public figures, colleagues, relatives, representatives of religious communities gathered to remember his lifework. In his remarks, Kosova’s Prime Minister Hoti  praised his efforts aiming towards an independent state of Kosova: “Sulejman Gashi was a well-known name in journalism in Prishtina, especially in Radio Television of Prishtina, and later as a RTK correspondent from the United States of America. I and all of us, especially remember his reporting from New York, covering the news from Washington, and round the world. Thus, he belonged to the generation of journalists, publicists and intellectuals of a specific time for Kosovo who took on the burden of the journey of creating an independent state of Kosovo, initially facing the Yugoslav regime violations of rights and freedoms of Albanians in the former Yugoslavia. Those were extraordinary circumstances and Syla, together with the colleagues of that time, knew how to best  articulate the interests of the Albanians in Kosovo and to defend them before the democratic centres all over the world.” In the end, Prime Minister Hoti made a pledge of fulfill” as soon as possible, the goals of Sulejman and his generation, for a fully integrated Kosovo in the large family of advanced countries of Euro-Atlantic civilization.”  
Drilon’s touching eulogy described how his father’s voice and image came on the TV screen as a war reporter and how people in coffee shops and public places would freeze to watch him. The quality of his reporting and its delivery were Sulejman’s gift to us. Drawing on his decades long substantive work, the Speaker of the Assembly Vjosa Osmani called Mr. Gashi “the voice of hope from the place of hope”. Other speakers remarked that Sulejman will be an inspiration and an example for the younger generations, especially for those who inspire to be journalists.

Albin Kurti, leader of LVV, noted that “he was known by three names: Sulejman Gashi, Syla, Sal Gashi, one for each of his functions: a professional, a dear friend and colleague, and devoted Albanian-American patriot. Just as learning does not happen without a teacher, and any trade requires a master, so did our first US tour need a mentor, Syla was our guide.” For years, Sulejman alternated journalism work with State Department linguistic contracting. In his tribute, Albin Kurti called Sulejman “a de facto ambassador of our country and our people. He will always “be the Albanian in America overseas and also be America inside his Albanian heart. “
 The Association of Kosova Journalists honoured the colleague’s work and contribution to the profession. Through the end of 1990s , Mr. Gashi was a correspondent for Bujk, Kosova Information Center and other outlets His reporting career at TV Prishtina was interrupted, as well as many of his Albanian colleagues there, when the Serbian authorities shut down the medium and Rilindja newspaper in July 1990.  He and his family migrated to the United States.  A year later, Sulejman Gashi was a founding journalist and editor of “Illyria” newspaper launched with two main commitments: independence for Kosova and democracy for Albania. His legacy will be the love for his family, his homeland and humanity in general. 

Filed Under: Politike Tagged With: FOR SULEJMAN GASHI, MEMORIAL SERVICE, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 335
  • 336
  • 337
  • 338
  • 339
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT