• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUJTIM TË NJË LUFTËTARI

April 12, 2020 by dgreca

(GJON LUSH MIRAKAJ)!/

I dashtun Tonin!

Ndjeva se paska vdekë Gjon Lushi. Zoti Ju lashtë shëndosh..Më duket se Ai ishte i fundit i një grupi legjendar që ka mbajtë flamurin e qendresës antikomuniste në malet tona për 7 vjet.

Pastë dritë!

Dr.Gjon Buçaj, nën kryetar i BKI dhe ish kryetar i Vatrës. 

         ***

PROMEMORJE PER GJON LUSH MIRAKAJ

NGA LEK MIRAKAJ

Këto ditë kur coved -19, Ky armik i padukshëm i njerzimit që po merr jetë dhe po bllokon rrjedhën natyrale të gjithë njerëzimit edhe luftëtar, që shkruen faqe të lavdishme të rezistencës në Atdhe, ndaj covivid -19(komunizmi) që për gadi gjysëm shekulli mori dhe shkatëroj jetë njerzish të pa fajshëm në Atdhe, nuk i rezistuen dot këtij armiku që të gjith e ndjejmë po nuk e shohim. Edhe një luftëtar i rezistencës ndaj komunizmit i bashkohet viktimave të shumta të këtij microbi.

Këto ditë në vigjilje të Pashkëve u shue Jeta e Gjon Lush Mirakajt. Gjoni ishte më i vogli djemve të Lush Martin Mirakajt, i vrarë në përpjekje me pushtuesit shqip folës komunist,ishte vellaj i Ndues një bashkëluftëtar i rezistencës.Gjoni që i ri ju bashkue familjes dhe bashkë me pjestarët e tjerë të familjes Mirakaj Ju bashkue dhe ndoqi me besnikëri rrugën që kishte zgjedh i pari i familjes Kol Bib Mirakaj.Nuk përdor cilësorin “hero”po luftëtar,megjithse në një ambient ku titujt janë zhveshur nga çdo vlerë, Gjoni do e meritonte atë cilësor. Gjoni Ju bashkua rezistencës anti komuniste që në Nëndor të 1944 ,rezistencë që e vazhdoj me armë në dorë deri në verën e vitit 1951.Nuk po permënd këtu kujtimet e kushëririt Toninit, që kujtonte bashkëluftëtarët e tij që tregonin se Gjoni paraprinte gjithmon lëvizjet e shokve në luftime e spostime. Një aksiomë thotë”POPUJ QË NUK LUFTOJNË PËR LIRINË,NUK E MERITOJNË ATË” Populli shqiptar ka plot shembuj të rezistencës që na rradhisin ndër popujt që meritojnë lirinë.Do vijë një ditë që historia do të shkruhet nga historianë të vërtetë dhe rezistenca ndaj diktaturës komuniste do të shkruhet me shkronja të arta, atherë rezistenca e maleve tona, ku një faqe të ngritur të kësaj rezistence e ka shkrue edhe Gjoni me gjith pjestarët e familjes Mirakaj, do jetë një vlerë e shtuar e rezistencës heroike ndaj diktaturës komuniste.Në mbyllje të kësaj promemorje të shkurtët për të mirin, të pafjalin ,trimin Gjon , i shprëhim falenderime të gjith miqve e dashamirve që me fjalën e tyre na u gjetën pranë në këtë humbje.Një falenderim i veçantë i shkon popullit heroik e besnik të Pukës që mbajti ,strehoi dhe i ruejti të gjith luftëtarët e rezistencës e veçanërisht burrat e familjes tonë të Mirakajve. 

Në Foto: Katër luftëtar .Poshtë Pal Bib Mirakaj,udhëheqësi I grupit,Ndue Lush Mirakaj,larte Gjoni dhe Pashk Ademi Margjonaj nipi  i  Mirakajve ,vjehri I Fran Shkrelit 

Filed Under: Politike Tagged With: lek mirakaj

SONATA E HËNËS-SHLYERJE E NJË DETYRIMI MORAL E SHOQËROR

April 11, 2020 by dgreca

  

Thanas L. Gjika/

SHLYERJE E NJË DETYRIMI MORAL E SHOQËROR/

(Vlerësime për librin “Sonata e hënës…” të Eglantina Mandisë)/

         Musine Kokalari ka qenë e para femër shqiptare shumë dimensionale që u shqua si mbledhëse folklori, shkrimtare, gazetare, studiuese dhe politikane. Për fatin e saj të keq, dhe tonin gjithashtu, ajo vuajti burgime, internime dhe përçmime që në vitin 1946 deri sa u shua më 1983. Duke kaluar nëpër këtë kalvar, ajo nuk u la të arrinte pjekurinë e saj si intelektuale dhe krijuese. Dënimi dhe vuajtjet e saj ishin dënim dhe vuajtje të një njeriu të pafajshëm. Them se ishin dënim dhe vuajtje të një njeriu të pafajshëm, sepse, si do ta shohim më poshtë, ajo u dënua prej gjyqit ushtarak më 2 korrik 1946 me 20 vjet burg, për gjëra që nuk i dënonte kushtetuta e asaj kohe, si krijimi i Partisë Socialdemokrate Shqiptare, botimi i organit të kësaj partie gazetës “Zëri i Lirisë” dhe kërkimi i shtyrjes së zgjedhjeve të dhjetorit 1945.

         Ky dënim i pafajshëm dhe pasojat që përjetoi Musine Kokalari, kërkonin që shokët e shoqet e saj komunistë ose jo t’i delnin në mbrojtje. Disa prej tyre e pësuan si ajo në po atë kohë e të tjerët e mbyllën gojën nga frika deri në vitin 1991. Kurse të rinjtë që po shkolloheshin në shkollat e socializmit, ishin të indoktrinuar dhe të trembur. Këta vuanin nga indiferentizmi dhe nuk tregonin interes për të njohur vlerat e intelektualëve të dënuar prej partisë shtet. Shikonin si t’i shërbenin “Nënës parti” për të përfituar prej saj. Emri i Musinesë, pas dënimit të saj, nuk u zu më në gojë, vepra e saj nuk u përmend në asnjë shkrim sado të thjeshtë.

         Njohja, studimi dhe vlerësimi i jetës dhe veprës së kësaj figure të shquar mbeti si detyrë morale qytetare e pakryer prej inteligjencës shqiptare deri në korrik-gusht të vitit 1992, kur Eglantina Mandia dha një intervistë vlerësuese për të në Radio Tirana. Mirëpo komunistët donin edhe pas dështimit të sistemit të tyre t’i linin në harresë gjithë të dënuarit politikë të diktaturës. Dikush i/e fshehur pas pseudonimit “Olimbi Zalli” e sulmoi Eglantinën te gazeta “Jehona e Tiranës”, organ i Partisë Komuniste të Rrethit të Tiranës. Atëhere shpirti i Eglantinës, që, kishte vluar përbrenda nga mosshlyerja e detyrës morale, iu fut punës për të njohur dhe vlerësuar në mënyrë të plotë jetën dhe veprën e heroinës që kishte adhuruar heshtur.

         Ajo i kushtoi vite pune intensive vajtjeve në Arkivin Qendror të Shtetit, leximit dhe kopjimit me dorë të dorëshkrime nga dosjet e mbushura me kujtime, ditarë, studime, vepra letrare të daktilografuara të Musinesë. Vrapoi për të takuar ish-kolegë të saj, të përndjekur që kishin vuajtur bashkë me të, për t’u marrë kujtime dhe vlerësime për këtë heroinë. Shkoi dhe në Romë për të njohur nga afër miq të saj dhe ambjentet ku kishte jetuar studentja Musine. Pas kësaj pune cfilitëse për grumbullimin e materialit, u ul e shkroi librin më të mirë të jetës së saj, librin të cilin e shkroi me shpirt si bijë shpirtërore e Musine Kokalarit. Dhe ia dha përgjigjen “Olimbi Zajmit” me botimin e veprës “Sonata e Hënës – Rrëfim për një jetë” GLOBUS Tiranë 1995, 240 faqe. Përgjigje jo me një artikull, që mund të ngjallte kundërshtime me sharje e fyerje, por përgjigje me një vepër të plotë letrare shkencore për t’ua mbyllur gojën një herë e mirë delirantëve dhe nostalgjikëve të ish-partisë shtet.

         Kështu dijnë ta kryejnë detyrën qytetare demokratët e vërtetë, të cilët u rrijnë larg grindjeve dhe punojnë me përkushtim për të ndihmuar opinionin shoqëror e atë shkencor për njohjen e së vërtetës së mohuar.

         Duke parë pritjen e ngrohtë që iu bë veprës, autorja e ribotoi te shtëpia botuese NGJYRAT E KOHËS, Tiranë 2016, 341 faqe, me synimin që ta shpinte dhe më tej rolin e dyfishtë të kësaj vepre: nxjerrjen në shesh të shumë krimeve të PKSh/ PPSh-së dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së heroinës Kokalari, “nuses së panusëruar”. Të dy botimet janë promovuar në Tiranë dhe jashtë Shqipërisë. Për hartimin e këtij shkrimi kam pasur në dorë botimin e dytë.

* * *

         E quajta Eglantina Mandinë “bijë shpirtërore të Musine Kokalarit” sepse midis shkrimtareve shqiptare të kohës së diktaturës e deri më sot ajo i është përkushtuar letërsisë dhe publicistikës duke ndjekur e zbuluar të vërtetën. Kjo krijuese punoi e krijoi si qytetare e thjeshtë, larg servilosjeve ndaj partisë shtet për të përfituar ndonjë bursë për studime e kualifikime jashtë shtetit, ndonjë vend më të mirë pune, ose lavde e tituj.

         Shkrimtarja Mandia është bijë e një famijeje me tradita atdhetare në disa breza, e cila ka qenë mëkuar me amanetin: “Punoni mirë, Rroftë Shqipëria!” që u la pasardhësve gjyshi i saj Kamber Myrteza Bënja (1873-1916). Pikërisht ky gjysh i Eglantinës kishte shërbyer te Qeveria e Vlorës si themelues i Xhandarmërisë së parë shqiptare. Mirëpo në vitin 1916, kur ishte me detyrën e rojes së objekteve arkeologjike që zbulonin arkeologët austriakë, ai u pushkatua pas një gjyqi që u kurdis prej komandës ushtarake austro-hungarezë më 4 gusht 1916 në Apolloni të Fierit…

         Eglantina mbaroi Fakultetin Histori Filologji të UT dega Gjuhë Histori në vitin 1959. Në të tre aspektet e jetës së saj si mësuese, familjare dhe krijuese ajo u shqua për përkushtim profesional, rregull dhe pastërti morale. Pas skicave e tregimeve të para ajo kaloi në hartim veprash të mëdha si novela, drama dhe biografi të letrarizuara. Seria e botimeve të saj ka arritur në 11 libra, dy prej të cilave janë botuar dy herë.

         Për krijimtarinë e Eglantinës gjatë diktaturës shkroi vetëm kritiku objektiv Dalan Shapllo, kurse pas ndërrimit të regjimit folën e shkruan studiuesja e mirënjohur Floresha Dado, shkrimtari Mëhill Velaj, studiuesi Murat Gecaj, albanologu Ullmar Qvik, etj.

         Që nga viti 1997 ajo jeton në Kanada në qytetin Windsor ON.

         Vepër e jetës

         Librin “Sonata e Hënës…” e quaj vepër e jetës së krijuses dhe studiueses Mandia, sepse motivet e saj buluan shumë vjet në mendjen dhe zemrën e saj. Ngacmimet e para për t’u njohur me jetën dhe veprën e martires Kokarari, Eglantinës i lindën në vitet studentore, por ato fjetën në ndërgjegjen e saj deri në vitin shkollor 1959-1960 kur ishte mësuese në gjimnazin “Sami Frashëri” të Tiranës. Atë vit e tërhoqi emri e mbiemri i nxënëses Arta Kokalari. E afroi dhe mësoi se ajo ishte jetimja e vëllait të Musinesë, e Muntaz Kokalarit, njërit nga dy vëllezërit e shkrimtares që partizanët i rrëmbyen nga shtëpia pa asnjë motivacion një mbrëmje të dhjetorit 1944 dhe i pushkatuan pa gjyq.

         Nga ky informacion në mendjen e Eglantinës u krijua një vatër e fshehtë, ku ajo filloi të mbidhte e të ruante të dhëna për jetën e Musinesë. Mbështetur në disa prej tyre ajo dha intervistën e fillimvitit 1992. Këtyre 30 vjet buisjesh të heshtura deri në vitin 1991 iu shtuan dhe vitet e punës këmbëngulëse deri më 1995, kur autorja botoi veprën e plotë. Për kohështrirjen që ka zënë në laboratorin krijues të Eglantinës libri “Sonata e Hënës…” e quaj “vepra e jetës” së saj.

         Jeta e heroinës ndërtohet duke e ndjekur ecurinë e asj që nga lindja në Adana të Turqisë më 1917, te fëmijëria në Gjirokastër, shkollimi në Tiranë e Romë, puna në Tiranë, burgimi në Burrel, internimi në Rrëshen, ku kaloi dhe vitet e jetës së lirë si punëtore krahu e pensioniste deri sa u shua prej sëmundjes së pashërueshme. Që në jetën famijare gjatë fëmijërisë e më tej në marrëdhëniet e Musinesë me shoqet e shokët e shkollës e të punës, autorja qëmton e vë në dukje karakterin kërkues e vëzhgues të saj. Mjeshtërisht e ka krijuar Mandia atmosferën familjare të Musinesë së vogël, kur kjo dëgjon me vëmendje përrallat e gjyshes dhe bën pyetje kureshtare, atmosferë që ia nguliti pasionin për krijimtarinë popullore. Këta pasion ajo e vijoi dhe kur u rrit. Vijoi të mbledhë me kujdes prej nënëmadhes, prej hanesë dhe shoqeve të saj përralla, këngë, fjalë të urta, gjë e gjëza, pa lënë t’i shpëtojë asgjë e vlefshme nga ky thesar. Edhe kur shkoi me pushime në Korçë në vjeshtën e vitit 1939 ajo mblodhi këngë prej grave të atij qyteti dhe nuk la t’i shpëtojë kënga e re që improvizoi një komshie. Ishte e sapokrijuar, nuk ishte këngë e vjetër, por Musineja i dha rëndësinë e duhur dhe e hodhi në letër. Ishte  një lutje-klithmë, një ankesë drejtuar Perëndisë. për pushtimin italian. Po sjell për ilustrim vargjet e fundit:

“Në një baltë edhe ne

nuk na gatove ti?

Pse të jemi të shkreta ne

të mos kemi liri?” (f. 132)

         Për nga lloji “Sonata e Hënës…” është një vepër letrare dhe shkencore, e ngjashme me veprën “Kur qeshnim në diktaturë” të Pëllumb Kullës, kushtuar mjeshtrit të humorit Skënder Sallaku. Karakterin letrar të veprës, Eglantina e ka ndërthurrur dhe me kërkesat e një studimi nonografik mbi jetën e veprën e heroinës që merret në shqyrim.

         Njihemi me shkrime të ndryshme të Musinesë, herë pjesë nga veprat e saj, herë copa ditari e copa kujtimesh, që janë riprodhuar si kronika, herë meditime, përshkrime të natyrës ose të njerëzve të cilët Musineja i kishte njohur gjatë jetës shkollore dhe veprimtarisë politike me të cilët ajo bashkëpunoi. Vende vende ka dhe krijim përshkrimesh e dialogjesh të Eglantisës për të realizuar zbërthimin e karakterit të Musinesë dhe të dy djemve që e dashuruan. I pari ishte një djalosh italian në vitet e studimit në Romë, prej të cilit heroina u zhgënjye kur mori vesh se ishte një aventurier e mashtrues që mbante lidhje dhe me dy shoqe të saj, për fat të keq shqiptare, të cilat Musineja i kishte ndihmuar e trajtuar si motra. Djaloshi i dytë është veprimtari politik A. XH., një intelektual, njohës i disa gjuhëve, bashkëpunëtor i saj për përgatitjen e materialeve të gazetës “Zëri i Lirisë”, i dënuar dhe ai në vitin 1946, shok i mirë që e deshi me shpirt, por që të dy nuk kërkuan t’i shtynin lidhjet e tyre përtej marrëdhënieve shoqërore në ato vite plot rreziqe. Personi historik A.XH. është një person historik, por që autorja ka ditur ta ngrerë me fantazinë e saj në nivelin e një personazhi letrar me botë të pasur e të denjë për miqësi me Musinenë. Lidhjet e tij me këtë vajzë që e dahuron fort jepen me emocionalitet të ngritur. Takimet e tij me Musinenë janë shumë prekëse që nga takimet e para e deri tek i fundit te Spitali Onkologjik Nr. 2, ku A. Xh. i shpie amanetin e studiuesit të mirënjohur R. S. (Ramadan Sokoli), një manjetofon ku ky kishte incizuar këngët gjirokastrite të kënduara, tekstin e të cilave Musineja i kishte mbledhur në rininë e vet dhe i kishte botuar në librat e saj në vitet 1941, 1944.

         Ka raste ku vepra merr karakterin e  një antologjie, sepse studiuesja duke i sjellë për herë të parë i riprodhon të plota vlerësimet kritike dhe letra të miqve të Musinesë si poeti Lasgush Poradeci, kolegia Selfixhe Ciu Broja, Drita Kosturi, Ganimet Gilani, Ministri Ernest Koliqi, shkrimtari Andrea Varfi, të bashkëvuajtseve si Ildishane Kalo, Nafije Kupi, etj.

         Mandia krijon momente prekëse kur tregon se si kur Musineja shkonte në kinema, njerezit e rreshtit ku ishte ulur ajo, largoheshin dhe i linin vendet bosh. Po kështu tregohet si pleqtë që ajo i takonte te parku i qytetit të Rrëshenit dhe u mblidhte këngët popullore, kur ajo shkonte për t’i takuar për të dytën herë si e kishin lënë me fjalë, këta burra malësorë ia bënin me shënja se nuk mund të vinin në takim, sepse i kishin thirrur në Degën e Punëve të Brendshme, ku i kishin kërcënuar. Ky zhburrnim i malësorit shqiptar e tejkalonte zhburrnimin e kohës së Migjenit. Por ka dhe më. Tronditja e lexuesit nga një dukuri e tillë arrin kulmin kur jepet fundi i jetës së Musinesë.

         Kësaj të sëmure me kancer i vonoheshin vizitat dhe seancat e kimoterapisë edhe pse ajo i kishte shkruar letra drejtorisë së Spitalit Onkologjik Nr. 2 në Tiranë, kurse kur vdiq Musineja nuk u njoftua askush për varrimin e saj, nuk u porosit as zyra e varrimeve. Vetëm komshia e Musinesë, bija e vogël e Ajet Osmanit (tjetër tragjedi jeta e dy vajzave të këtij dëshmori që e shpalli partia tradhëtar e agjent më 1961 shumë vjet pas vdekjes së tij, sepse kishte qenë shok me Teme Sejkon. E zhvarrosën dhe ia flakën vajzat nga studente të Universitetit të Tiranës në Rrëshen të internuara). Kjo komshie pas shumë të luturave mezi e bindi një shofer kamioni për ta ngarkuar në buzëmbrëmje sipër kamjonit mbi zhavor për ta shpënë kufomën deri te vorrezat.

         Figura e Musinesë ndërtohet e kompletuar si njeri me ndjenja humane, që di të mbajë ekuilibrin dhe të sillet me zotnillëk në të gjitha momentet e jetës që nga fëmijëria deri në largimin nga jeta, krenare dhe e pamposhtur ndaj mundimeve dhe së keqes, dhuruese ndaj njerëzve në nevojë. Ajo ndjen gëzim jo vetëm kur ndihmon Hamitin, vëllain e sëmurë rëndë, ose kur ndihmon shoqet studente për të kaluar vështirësitë e para, por edhe kur është vetë në varfëri ekstreme si e internuar në Rrëshen. Që ditët e para në këtë qytet, kur pa se fëmijët që jetonin për karshi ishin të zbathur e të veshur me nga një këmishë të grisur, u thurri triko dhe ua shpuri pa i njoftuar natën e Vitit të ri si dhurata të Babagjyshit.

         Ajo e ka shpirtin hambar. U tërhoq pa u grindur nga shoqëria e dy shoqeve që e kishin tërhequr në tradhëti të dashurin e saj P. P. Sa nuk iu ça zemra kur pa me sytë e saj se si ishin manipuluar prej propagandës së partisë vogëlushet e varfra, të cilat në pashkët e vitit 1967 patën shkuar plot gëzim në kishë për krezmimin e tyre të parë, por kur u rritën, njëra prej tyre, Liza, këndonte në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës këngë për partinë, kurse të rinjtë e tjerë brohorisnin me histerizëm këngët e saj edhe pse vijonin të vuanin për bukë.

         Musineja, një vajzë e brishtë e delikate në fëmijërinë e vet, gjatë pjekurisë bëhet një burrneshë e vërtetë. Inteligjenca e saj i kalonte përmasat e kohës. Vetëm me ato që kishte lexuar për gjyqet e Stalinit të vitit 1938 dhe djegiet e librave shkencorë në sheshet e Berlinit prej nazizmit, Musineja i thotë së ëmës se nuk mund të heshtëte ndaj atyre që po kryenin partizanët që morën pushtetin pas mbarimit të Luftës Antifashiste. Eglantina jep në mënyrë të përmbledhur nga ato që shkroi analistja dhe sociologia Musine në ditarin e saj më 23 janar 1946. Përmend se Musineja mendonte se nuk mjaftonte vetëm lutja ndaj Zotit që të ndalej dora e kriminelëve dhe sadistëve që po i varrosnin njerëzit së gjalli si vëllezërit e saj, që po i detyronin njerëzit të vrisnin veten, që po e drogonin popullin dhe po e kthenin në një turmë amorfe që bërtet e ulërin duke nxitur instiktet më të egra të kafshërimit. Ajo i lutet Hanushes të mos e gjykojë që po bën fli jetën, rininë e saj, sepse po të humbej edhe kjo luftë në Shqipëri do të hapeshin edhe shumë varre të tjerë (f. 258-259)

         Ajo e di, se po të gjendeshin e të lexoheshin shënimet e ditarit të saj ku përshkruante me ironi persona të pushtetit, mund të ridënohej me 7-10 vjet të tjera burg, por ndërgjegja e saj si krijuese nuk e linte që të mos e përshkruante me shpoti e tallje drejtorin e burgut të Burrelit dhe fëmijët e tij të shumtë që ishin majmur sa u ishin mbyllur sytë nga të ngrënët e tepërt të racioneve të vjedhur nga ushqimi i të bugosurve

         Karakterizimi i regjimit komunist, parashikimi i fundit të tij

         Zgjuarësia natyrale, talenti i lindur dhe përvoja e fituar nga jeta plot vuajtje e ndihmuan Musinenë të jepte analiza sociale politike për realitetin e jetës shqiptare nën diktaturë në një nivel që nuk i ariti askush deri më 1992.

         Mandia ka meritën se ka kapur dhe ka nxjerrë në dukje në të gjitha fazat e jetës së heroinës së vet momente pune cfilitëse, vuajtje të rënda, durim e qëndresë shoqëruar me reagime të guximshme ndaj së keqes. Përmes kësaj pune autorja ka shpalosur karakterin trimëror, vullnetin e pamposhtshëm të Musinesë ndaj vështirësive të njëpasnjëshme, mprehtësinë e logjikës, frymën e saj kritike ndaj së keqes.

         Në fëmijëri ndalet te këmbëngulja e vajzës për të dëgjuar përralla e këngë nga gjyshja, në vitet studentore pasqyrohen përpjekjet e saj për të kapërcyer vështirësitë që i dolën nga vajtja me vonesë dhe moszotërimi sa duhej i gjuhës italiane. Situatës së rëndë dhe nënvlerësuese për popullin tonë, që krijoi pushtimi italian, studentja i përgjigjet me botimin e librit të saj të parë më 1941 dhe me hartimin e temës së diplomës për jetën e poetit kombëtar Naim Frashërit. Studim të cilin e përdori dhe për mbrojtjen e diseracionit në universitetin “La Sapienca”.

         Që para rrëmbimit e vrasjes pa gjyq të dy vëllezërve, Enver Hoxha i vuri nga pas Musinesë për ta përgjuar e kërcënuar agjentin Enver Behuri, një informator i Sigurimit të sapokrijuar. Musineja e përshkruan në shënimet e saj me pamje të pështirë, me sy pa qerpikë si të peshkut, etj. Një ditë para se ta arrestonin, ky agjent i hyri në librari kapardisur me një palë çizme të lustruar dhe pasi pa mbi tryezë krahas librave për shitje dhe dy fotot e vëllezërve të saj mbështjellë anash me një sharp të zi respekti, ai ulëriu: “Hiqe atë sharp të zi, që e mban për dy kriminelë lufte!” Ulërimë së cilës Musineja, duke e përmbajtur veten, iu përgjigj me kurajo: “KOHA DO TA TREGOJË SE CILËT JANË KRIMINELËT E VERTETË” (f. 292-293).

         Po ky sigurims i ngritur në pozitë dhe i emëruar shef i Degës së Punëve të Brendëshme të Rrethit të Mirditës në Rrëshen, i del përpara Musinesë kur e liruan nga burgu i Burrelit dhe e dërguan në Rrëshen për të kryer dënimin e internimit. Ky emërim i Enver Behurit pikërisht në Rrëshen si shef dege nuk besoj se ka qenë i rastit. Madhështorja Musine, shton Eglantina, mendoi me përbuzje: “ kjo kafkë e zbrazët, ky i vdekur për së gjalli, do të vigjilonte mbi shpirtin e saj. Ai as që kish mundësi të kuptonte sa i lirë mund të qe një shpirt në burg, apo në internim dhe sa i burgosur ishte ai vetë, shtaza, egërsira, që s’ do të krijonte dot kurrë ekuilibrin e vetvetes” (f. 293).

         Për t’i treguar këtij shërbëtori qorr të persekutorit të madh se Musineja nuk u trembej vuajtjeve dhe nuk u nënshtrohej presioneve të tij, pasi mbaroi vitet e internimit dhe ishte e lirë të kthehej në Tiranë pranë njerëzve të familjes, ajo ndënji po në Rrëshen. Vijoi të punonte po në Ndërmarrjen e Ndërtimit ku punoi si e internuar dhe më tej akoma jetoi po aty edhe pasi doli në pension duke mbijetuar me pensionin prej 1750 lekësh të asaj kohe, deri sa u shua, pa u nënshtruar dhe përbuzëse e regjimit vrastar.

         Kulminacioni i burrnisë që u shpalos në fillimet e kalvarit me deklaratën e Musinesë gjatë vetëmbrojtjes në gjyq, ngrihet në një shkallë edhe më të lartë në shënimet e ditarit që ajo pati hedhur më 31 dhjetor 1972, në një kohë kur po frynte një frymë gjoja liberalizmi. Analistja Musine i bën autopsinë sistemit shoqëror duke treguar se dhe një brigadier degjeneron nga ai pak pushtet që ka. Brigadieri i vjedh punëtorët dhe për të mbyllur gojët e atyre që mund ta kritikojnë, u krijon privilegje për t’i kthyer në servilë.

         “Në socializëm, thonë se klasa punëtore është në fuqi”, shkruan Musineja dhe vijon, “por punëtori mbetet gjithnjë në fund , si në dituri, ashtu dhe në pagesë… Kultura, shtypi punëtor, nuk është një armë që të udhëheqë punëtorët, t’i frymëzojë ata të shprehin mendimet jashtë mureve të ndërmarrjes”.

         Si intelektuale krijuese, ajo nuk ua fal artistëve dhe shkrimtarëve hartimin e veprave në shërbim të politikës së partisë shtet: “Nuk do ta harroj kurrë sa padrejtësi bëhen në shpinë të punëtorit, sa i pakulturuar mbetet ai dhe sa pak interesim ka inteligjencia e cila shkruan reportazhe, shkruan romane, por asgjë nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit jetik të tij” (f. 309).

         Kjo akuzë e guximshme haveliane e Musine Kokalarit u ka djegur shrimtarëve dhe artistëve të privilegjuar të pushtetit komunist, prandaj ata nuk treguan asnjë interes për ta përmendur, pa lere për ta trajtuar Musinenë si heroinë në veprat e tyre të pas vitit 1991. Këtij fakti, mendoj se studiuesja duhej t’i kishte kushtuar disa paragrafë për të ndihmuan në procesin e katarsës.

         Si përfundim theksoj se Eglantina Mandia e kreu me sukses detyrën qytetare që mori përsipër. Askush, pasi të lexojë këtë vepër nuk mund të përulet dhe vlerësojë jetën dhe veprën e Musine Kokalarit.

         Me këtë vepër Eglantina u jep mundësi talenteve të tjerë që ta trajtojnë figurën e Musine Kokalrait në vepra të reja artistike dhe shkencore, sepse ajo përbën një pasuri që frymëzon e do të frymëzojë gjithnjë krijuesit e moralshëm.       

Filed Under: ESSE, Politike Tagged With: Eglantina Mandia

Një humbje si e Sanders?

April 10, 2020 by dgreca

Një opinion nga Rafael Floqi/

Berny Sander u tërhoq nga gara. Establishmenti i Demokratëve dhe pandemia e mundi. Ai dhe fushata e nuk kishte kohë të merrte veten.  Ne këto kushte fushata e tij humbi shpresat se mund të ringrihej. Megjithatë Sanders i dha zë numrit në rritje të socialistëve demokratë brenda partisë së tij, dhe fakti që ai përfundoi në vendin e dytë, bëri që idetë e tij të hyjnë në rrjedhën kryesore të politikës amerikane. 

Ka ca mençuri këtu. Sanders përfundimisht arriti të kap imagjinatën e votuesve të rinj, veçanërisht të rinjve të arsimuar me kolegje. Ndërsa përpjekja e tij për vitin 2020 shkoi shumë më  larg nga shëtitja e tij e vitin 2016, pasi një pjesë e rëndësishme e elektoratit demokrat u lidh pas tij.

Këto ditë pandemie, duke u endur me makinë në për lagjen time ende në kishte para disa shtëpive pankarta elektorale pro Sanders edhe në ditët kur ai doli nga gara. Njerëzit kishin shpresuar. Por politika e identitetit e dëmtoi.  Edhe kur Sanders arriti  një fitore prej 28 pikësh në Karolinën e Jugut këtë vit, ai fitoi mes votuesve të bardhë nën 45 vjeç me një 12 %. Mos mbështetja nga afrikano amerikanët i dha dërrmën. 

Ai u mbështet tek rinia. Ndërsa ky bllok i votuesve bëhet më i rëndësishëm për partinë, pasi mosha sjell një rritje të pjesëmarrjes, nuk është e paarsyeshme të mendosh që Sanders do të shihej, si një profet i epokës së ardhshme.  Dhe Sanders mundet që të katër apo tetë vjet më  vonë  do të jetë ai që vë në dukje emrin e trashëgimtares të tij, Rep. Alexandria Ocasio-Cortez, në nominim në Konventën Kombëtare Demokrate. 

Por si mund të shkojnë zgjedhjet këtë vit? 

Nëse Joe Biden humbet para Donald Trumpit këtë vjeshtë, që ka shumë mundësi të ndodhë, mund të ketë një revoltë masive liberale në mes demokratëve. Ashtu si humbja e Mitt Romney-t në vitin 2012 e përçau të djathtën nacionaliste, një humbje Demokrate e kësaj radhe do të hidhte tej perdet e së majtës socialiste. Në fakt, socialistët do të duan të hakmerren fshehurazi duke bërë që të humbasë Biden-i.  Votuesit e rinj kanë një problem që është se ata nuk votojnë në masën që votojnë e homologët e tyre më të vjetër. Në  Michigan, p.sh stacioni i fundit pro Sanders, 63 përqind e elektoratit[FR1]  ishte mbi 45 vjeç ose më i vjetër. 
Por problemi është se ndërsa kjo grup-moshë rritet si votues, ajo ka tendencë të ndryshojë ideologjikisht. Çështjet që kanë më shumë rëndësi dhe zgjidhjet dhe politikat që tërheqin për 25-vjeçarët, janë shumë të ndryshme nga ato të votuesve të moshës së prindërve të tyre. Prandaj shumë njerëz që janë aktualisht në demografinë së cilës i drejtohej Sandersi do të votojnë ndryshe pas 10 vjet vjetësh. Madje, nuk ka të ngjarë që pikëpamjet e tyre do të mbeten të njëjta. 

Sidomos duke pasur parasysh besimin në rritje të Partisë Republikane tek votuesit e bardhë të klasës punëtore, nuk është e paarsyeshme të mendosh që Partia Demokrate, mund të rritet më e moderuar ekonomikisht, pasi votuesit më të pasur të periferive, do t’u bashkohen radhëve të republikanëve.

Një punë e madhe që shkoi huq,

me procesin e emërimit Demokratik kësaj radhe mund të gjurmohet si  një keqkuptim i performancës së Sanders të vitit 2016. Shumica e kandidatëve dhe ekspertëve lexuan fundin e madh i Sanders katër vjet më parë, por pas kësaj kohe, kësaj here u zbulua e vërteta. Edhe kur Sanders fitoi, ai po grumbullonte turma më të vogla se sa më parë. Por kur fushata u ngushtua, u zbulua se Sanders ishte ai që kishte qenë gjatë gjithë kohës: një kandidat proteste. 

Duke pasur parasysh dështimet spektakolare të kandidatëve që përqafuan plotësisht çështjet thelbësore të Sandersit, si: sigurimin shëndetësor me një pagues të vetëm, si dhe Marrëveshjen e Re të Gjelbër, mund të besoni se do të jetë një shqetësim shumë më të madh për forcat e majta herën tjetër. Në fund të fundit, madje Elizabeth Warren do mbetej keq. Votuesit demokratë jo vetëm që hodhën poshtë Sanders, por ata hodhën poshtë edhe idetë e tij thelbësore radikale.

Por pse ? 

Kur amerikanët flasin për socializëm, ata zakonisht nuk i referohen qeverisë për të sekuestruar prona apo për të marrë në dorë kontrollin e industrisë. Përkundrazi, ato nënkuptojnë politika më agresive dhe rishpërndarëse, me më shumë rregulla dhe taksa më të larta për të financuar shërbime më bujare të Ndihmës sociale – të ngjashme me politikat e zbatuara tashmë në Evropën Perëndimore.
Ndërsa kjo rrugë është qartësisht e preferueshme nga versionet më ekstreme të socializmit, por amerikanët janë ende të kujdesshëm. Taksat më të larta dhe shërbimet më të bujshme të ndihmave sociale dekurajojnë punën dhe i ftojnë njerëzit të mbështeten tek shteti. Përvoja komunizmit shqiptar na e tregon më së miri këtë, Venezuela po ashtu.   

Vendet me kultura të forta të punës dhe përgjegjësi personale janë mbajtur gjithnjë si shembuj se si ky sistem mund të ketë sukses, por këto janë përjashtime; normat e larta të papunësisë dhe të ardhurat më të ulëta janë normë.
Amerikanët gjithashtu përballen me shqetësime unike buxhetore: Evropa ka qenë në gjendje të heqë dorë nga shpenzimet masive për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare kryesisht për shkak të rolit që luan ushtria amerikane në aleancat globale. Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë hap të tillë të garantuar. Kuptimi i shkurtimit të shpenzimeve për mbrojtje do ta bëjë jo vetëm vendin tonë, por botën, më pak të sigurt.
Po aq e rëndësishme, amerikanët duhet të marrin parasysh se si socializmi i shtetit të mirëqenies dëmton përthithjen e të ardhurave themelore të njerëzve. Evropianët vështirë se mund të shqetësohen për të riprodhuar, janë më pak bamirës, ​​kanë më pak angazhim qytetar dhe janë më pak sipërmarrës sesa amerikanët. 

Risia, marrja e rrezikut dhe angazhimi ynë themelor për ta lënë gjeneratën e ardhshme më të mirë se e fundit do të rrezikoheshin të gjitha, nëse do përqafonim socializmin evropian. Këto janë virtytet që padyshim do të na mungojnë.

Socializmi si motiv moral


Motivimi moral për një lëvizje drejt socializmit është egalitarizmi, i marrë nga John Raels ose Jezu Krishti ose Marksi. Objektivi themelor do të ishte të shfrytëzoni pasurinë e zhvilluar nga operacioni kolektiv i ekonomisë në emër të gjithë popullatës, sepse është e padrejtë që një pakicë e vogël elitare të grumbullojë një pjesë të madhe të të ardhurave dhe pasurisë ,ndërsa miliona të tjerë të jenë të varfër.
Në përgjithësi, ekzistojnë tre objektiva kryesorë të politikës socialiste që kanë kuptimin më të madh:

E para, është një gjendje e plotë e wellfare, në të cilën shteti do të kapë çdo kategori të personave që ose bien nga puna ose nuk mund të punojnë — të papunët, fëmijët, studentët, të moshuarit, invalidët, kujdestarët etj. Sapo të përfundojë, shteti i mirëqenies heq detyrimin kapitalist për të punuar me kërcënim të varfërisë dhe e zëvendëson atë kërcënim me ofertën e vendosjes së vendeve të punës, formimit dhe kështu me radhë. 

E dyta, do të ishte një treg pune rrënjësisht i transformuar, në të cilin, praktikisht, të gjithë punëtorët janë bashkuar dhe mbulohen nga kontratat e sindikatës, diferencat e pagave në mes të aftësuarve dhe të pakualifikuarve janë të tepër të vogla, dhe punëtorët përbëjnë ndoshta 33 deri në 50 për qind të vendeve të bordeve të korporatave.

E treta, është pronësia e drejtpërdrejtë shtetërore e mjeteve të prodhimit, qoftë përmes ngritjes së ndërmarrjeve shtetërore prodhuese, shtetëzimit të disa kompanive kryesore, ose shkatërrimit të një numri të madh të kapitalit korporativ dhe fondeve të pasurisë. Por kjo nuk ngjit në Amerikë.

Socializmi utopik

Sanders kandidoi me në një platformë më ambicioze radikale nga sa kanë parë shumica e votuesve amerikanë gjatë gjithë jetës së tyre, duke premtuar se do të krijojë një program kombëtar të sigurimit shëndetësor me një pagues të vetëm; do të ofrojë shkollim falas në kolegje publike dhe shkollat tregtare dhe do të anulonte borxhet e studentëve; si dhe për të filluar një Marrëveshje të re të gjelbër, e cila do të kalonte plotësisht energjinë elektrike dhe transportin me energji të rinovueshme brenda dhjetë viteve.

Shumë demokratë kanë kundërshtuar ambicien gjithëpërfshirëse të propozimeve të Sanders, si të pambështetura ekonomikisht duke pyetur nëse ato vërtet mund të kalohen dhe të zbatohen duke shprehur shqetësimet, nëse vizioni i Sanders për një shtet të mirëqenies së zgjeruar ishte në përputhje me axhendën e Partisë Demokrate. Kjo e bëri atë kandidatin më të majtë për President, që ndonjë parti e madhe e ka emëruar ndonjëherë. Por demokratët hoqën dorë nga ëndrra e një shoqërie të kontrolluar nga punëtorët dhe mendoj se edhe Bernie Sanders e ka bërë atë. Por duke e quajtur veten një socialist, unë mendoj se ai la rrugën e hapur për disa prej mbështetësve të tij që me të vërtetë duan të shkojnë në një shoqëri thjesht demokratike-socialiste.

Lufta retorike populiste 


Unë mendoj se Sanders përdori një retorikë populiste të një lloji të caktuar, pasi Trump përdor një retorikë populiste të një lloji tjetër të caktuar. Retorika populiste është në dispozicion për shumë të ashtuquajtur të huaj në politikën Amerikane. Populizmi i Bernit, natyrisht, është një populizëm i krahut të majtë, i cili flet ose për një shumicë të madhe njerëzish – “nëntëdhjetë e nëntë përqind”, të  pa diferencuar nga raca, përkatësia etnike ose origjina ose feja – kundër elitës ekonomike. Një populizëm i djathtë, si ai i Trump, flet për mesin popullsisë së bardhë kundër elitave të caktuara në krye, veçanërisht elitave kulturore, mediave dhe elitave të dikurshme qeverisëse. Por nuk ka politika populiste në mënyrën se si ekzistojnë politika socialiste.
Ndërsa Joe Biden përgatitet të zhvillojë një fushatë zgjedhore të përgjithshme bazuar kryesisht në fantazinë e kthimit në normalitet (domethënë në vitet e Obamës), Z. Sanders mbeti kritik ndaj jetës nën administrimin e kaluar. Ai pretendon se donacionet e Wall Street nga qeveria federale gjatë krizës financiare të vitit 2008, ishin një katastrofë që shpërbleu keqbërësit financiarë dhe se pasojat e recesionit, dhe vazhdojnë të shtypin amerikanët mesatarë me borxhe, varfëri dhe pagat e vogla.

 Z. Sanders nuk fitoi, në fund të fundit. Por ai kurrë nuk gënjeu, dhe ai kurrë nuk bëri sikur po e pëlqente atë që ishte kaq e neveritshme, ose nuk u përpoq të bindte ndonjërin prej nesh, që duhet të na pëlqente. 

Ai krijoi një lëvizje dhe ai besonte sinqerisht deri në fund tek ajo. Ai nuk pranoi të pajtohej me forcat që e mundën përfundimisht. Por të paktën, ka dinjitet në humbjen e tij, edhe pse qe deri diku, një humbje, apo fitore si e Pirros.


 [FR1]

Filed Under: Politike Tagged With: Biden, Rafael Floqi, Sanders

Bimët medicinale dhe alkoli ndihmojnë në situatën e krijuar

April 8, 2020 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/ Çdo njeri merr frymë 22 mijë herë në ditë duke mbushur mushkëritë me oksigjen që përcillet nëpërmjet qarkullimit të gjakut në organet tjera jetike. Sikur mushkëritë të preken, ritmi i frymëmarrjes nuk është më si më parë, prandaj është shumë e nevojshme që viruset dhe bakteriet të luftohen pa prekur mushkëritë, sepse shërimi bëhet më i vështirë… dhe propabiliteti i rehabilitimit varet sa nga antikorpet që posedon trupi i njeriut aq dhe nga aftësia ripërtëritëse që është e ndryshme tek njerëzit.

            Bota është përballur shpesh me  infeksione të rrezikshme që  janë përhapur në Europë dhe Perëndim me zanafillë prej Azisë Qendrore apo Azisë Lindore, ashtu siç ishin “Vdekja e Zezë (Bakterium yersinia pestis)” , “Gripi i Zogjve, H5N1”  dhe tani “Covid-19” që është pjesë familjes Sars. Mendimi për një luftë baktereologjike është infantil dhe paasnjë lloj baze.

            Në situatën e krijuar, njerëzit duhet të kthehen tek bimët medicinale. Mbrojtja  më e mirë në këto raste është sulmi me kombinimet e bimëve medicinale. Vite të shkuara kolera u luftua me Ferrnet Branka, një pije magjike alkoolike  zbuluar nga një prift  i cili bashkoi rreth 27 bimë medicinale. Ky liker u destilua nga Benardino Branca, ku mori dhe emrin që mban sot.

            Rrushi ka një fuqi në vete sepse është i pasur me polifenol, dhe ndër pijet alkoolike që përftohen nga distilimi i tij, në veçanti, konjaku ndihmon në mbrojtjen e simptomave  virale të ftohjes. Siç dihet, konjakun e kanë pagëzuar me emrin “pija shëruese”, e cila mban larg radikalët e lirë. Konjaku i mbajtur në fuçi arre, fiton  acid elagjik, një anti-oksidant i fortë që mbron  organizmin e njeriut. Gjatë rënies së gripit spanjoll Influenza, mbi 20 përqind e popullsisë që përdorën konjak, shpëtuan nga gripi vdekjeprurës që mori jetën e rreth 50 milion njerëzve. 

            Ajo që më shqetëson është se, përse  mjekët deri dhe të sëmurët , nuk kujtohen se,  Zoti  pas çdo fatkeqësie udhëhoqi  të urtët tek bimët medicinale që kanë një fuqi të jashtëzakonëshme shërimi?! Prej tre-katër mijë vjetësh njerëzit e ditur i kanë përdorur bimët medicinale si shpresë dhe shërim. Duke lexuar librin e “Medicinal herbs” (pregaditur nga National Geographic)  është një kapitull i tërë  që bën fjalë për barnat e përdorura për mbrojtjen e  sistemit respirator qënga lashtësia e deri më sot.  Mjekët popullorë  kanë përdorur në mënyrë efikase  bimët që mund të gjinden në formën e çajit në dyqanet e ushqimit si emrat më poshtë: Eucalyptus, Elder, Sage, Thyme, Astragalus, Echinacea, Mullein, Licoriceetj… Nuk e kam ndërmend të zgjatem çfarë të mirash sjellin këto bimë, sepse secila prej tyre ka një shpjegim të gjatë, por unë do u sjell dy foto të Echinacea dhe Eucaliptus mint, për të tjerat e lë në dorën e të interesuarve që mund t’i kërkojnë në dyqanet e afërta ose në internet. Echinacea dhe Eucaliptus(që familja ime i përdorë prej kohe), janë jetike për frymëmarrjen, funksionimin imun dhe  fytin. Këto bimë medicinale nuk kanë nevojë për sheqer apo mjaltë se janë vetë të ëmbla. Por nëse shoqërohen me multivitaminë dhe vitamin C, janë dhe më  efektive. Dikur ka qarkulluar një tregim Kinez, që titullohej :  “Daj Fu Fatsjellsi”, që përshkruante sakrificat e një mjeku popullor që  në kohë epidemie shkonte nga fshati në fshat për të shpëtuar jetë njerëzish. Ai përzinte bimët medicinale duke ua dhënë të sëmurëve në formën e çajit, prandaj dhe populli e kishte pagëzuar këtë mjek popullor me emrin “Fat-sjellsi”, ngaqë kudo që i shkelte këmba,shëronte njerëz me bimët e përzgjedhura medicinale.  Im vëlla, Eduardi, kur ishte fëmi u shërua nga mrekullia e bimëve medicinale, ndërkohë që “mjekët” kishin hequr dorë…

            Këshilla e disa mjekëve për të mos përdorur antibiotikë (në raste sulmi) më duket pak e lehtë, pa bazë, sepse pas sulmit mikrobal apo bakterial, rizgjohen vatrat e vjetra, siç është sinusi, apo mikrobi i fjetur i TBC… etj, të cilët zgjohen në mënyrë agresive në rastet akute, gjë që e bën më të komplikuar shërimin ndaj agjentëve të huaj, apo virusit aktual. 

            Një tjetër mënyrë mbrojtje dhe luftimi, është formula e përdorur prej shekujsh, përzierja e mjaltit me turmeric, qepë dhe hudër, duke i hedhur dhe limon. Kjo përzierje natyrore krijon antibiotikun dhe antibakterialin  më të fuqishëm mbi dhe. Mendohet se Turmeric vret dhe Sars-Cov-2, e nëse kjo është e saktë, njeriu nuk ka pse të ketë më  panik. Prapëseprapë, fjala i mbetet specialistëve shkencëtarë, por duke mos nënvleftësuar për asnjë moment mjekimet popullore me bimë medicinale.

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Bimet Medicinale

KUJTESË- DY VJET PA AGIM KARAGJOZIN…

April 7, 2020 by dgreca

PËR SHPIRTIN VATRAN TË AGIM KARAGJOZIT*/

Ing.Agim Karagjozi shkoi të pushojë. Në përcjelljen e fundit iu bënë të gjithë nderet që meritonte; si njeri fisnik, patriot i palëkundur, antikomunist i pa kompromis, si bashkshort, si prind, si gjysh,si qytetar amerikan, dhe si vatran shembullor;- Noli do të thoshte se ai ishte vatran i dimrit e i beharit- 60 vjet në Vatër, dy dekada Lidër i saj, 18 Vjet President i Vatrës, një mandat zv/kryetar i Vatrës. Një CV e pasur që do ta kishte zili kushdo. Ai dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës. Po po, Vatra është  Frymë, është shpirt. Është frymë Kombëtare, është shpirt  atdhetar, ai që nuk e ndjenë këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. Nuk mjafton që ta shprehësh me fjalë se je me frymën e Vatrës, apo se je i gatshëm  të përcjellësh frymën e Vatrës, jo, nuk mjafton, duhet që brenda vetes të plazmosh frymën e  Vatrës.

         Agim Karagjozi i dha Vatrës energjitë e shpirtit të tij, i dha të gjithë kohën e tij, sakrifikojë edhe familjen për Vatrën dhe Çështjen Kombëtare. Por familja e mirëkuptoi dhe i ndihu aq sa mundi. Djali i madh, Zuhdiu, që mbanë emrin e gjyshit, iu bë krah edhe në Vatër dhe u përfshi në nismat e babait në ndihmë të Vatrës. Ndërtesa e sotme e Vatrës është një nga dëshmitë-provë të kontributit të binomit babë e bir.

   Në fjalën përcjellëse  që mbajti i biri në ditën e përcjelljes, kushdo që e dëgjoi u emocionua, tek shprehu plot emocione krenarinë e birit për të Atin; mbi të gjitha ai ndjehej krenar pse babai i tij po përcillej e po vlerësohej edhe në çastet e mbrame si një patriot i paepur, si intelektual, si njeri bujar, që dha gjithçka për Vatrën Shqiptare të Amerikës. Vetë Zuhdiu e cilësoi babanë njeri vetmohues, që mbi gjithçka vuri interesin e Kombit të vet dhe luftoi për Lirinë e tij. Agim Karagjozi me brezin e  vet të patriotëve nacionalistë, ishin zotuar për t’i kthyer lirinë Atdheut. Dhe tashmë nuk është më sekret të dihet se shtetësinë amerikane, ai e mori pas shembjes së komunizmit. Vetëm përfaqësuesit e denjë të Elitës nacionaliste mund ta bënin këtë sakrificë. Agimi ishte një nga ata.

         Edhe pse Vatra nuk “lulëzoi” numerikisht në dy dekadat që e drejtoi Kryetari Agim Karagjozi, ajo do të mbahet mend për qëndresën dhe kryrjen e  obligimeve ndaj Kombit, edhe pse me pak anëtarë. Vatra ishte kudo ku e kërkonte interesi Kombëtar, ku e kërkonte Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, ishte në Washington e Tiranë, në Prishtinë e Shkup. 

Vatra me Karagjozin në krye, luftoi për sjelljen e demokarcisë dhe duartrokiti ardhjen e saj,për të cilën vatranët kishin luftuar për gati gjysëm shekulli.Rrëzimi i shtetit demokratik në vitin 1997 e pezmatoi kryetarin Karagjozi dhe ekipin e tij vatran. Qëndrimi ishte i prerë: Shteti u rrëzua me dhunë, me mashtrim pirmaidal, dhe ndihmë nga jasht, aleatët antikombëtar të socialistëve. Vatra nuk e njohu shtetin e komunistëve të rikthyer në pushtet pa “larë hesapet” me të shkuarën dhe shkaktarë të së keqes. Dhe ja si e argumentonte Kryetari i Vatrës këtë qëndrim të prerë : “Jo, nuk e njohim qeverinë komuniste që ka ndryshuar vetëm emrin.Mbetet i pakontestueshëm fakti se ajo qeveri e mori pushtetin, më 1997, me rrugë të paligjshme, me nxitjen dhe drejtimin e një tërbimi barbar, që terrerorizoi popullin, rrënoi vendin dhe e zhyti shtetin shqiptar në një anarki katastrofike sa që e çoi atë në pragun e copëtimit dhe shpërbërjes së tij. Egërsia komuniste nuk njohu kufi në krimet dhe shkatërrimin e poshtrimin e atdheut para etjes së pafrenueshme për të rihedhur në dorë kontrollin e shtetit. Ajo qeveri jo vetëm është e paligjshme, por shumë prej anëtarëve të saj janë përgjegjës për veprime kriminale kundër interesave të kombit shqiptar, për të cilat duhet të japin llogari.”

Kështu arsyetonte Kryetari i Vatrës dhe kështu vendosi Vatra. Në logjikën e kryetarit dhe ekipit që i shkonte me besim pas kjo mosnjohje prej Vatrës le të gjykohej nga historia nëse ishte në kahjen e duhur apo jo.

       “Vatra” si organizatë kombëtare me tradita gati njëshekullore mbanë përgjegjësinë t’i shohë zhvillimet politike në botën shqiptare në dritën e së vërtetës për interesat kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë, gjykonte Kryetari Karagjozi. Ajo duhet të marrë qëndrime parimore, pa bërë lojë politike dhe lëshime që do të komprometonin emrin e saj, siç do të ishte njohja e qeverisë së 97-tës. Le të mbetët e regjistruar për gjithë kohën se në këto vite, kur Shqipëria dergjet kokë-ulur, e dërmuar nga bëmat e bijve të saj bastardë komunistë dhe e indinjuar nga arbitrariteti dashakeq i ushtruar nga jashtë, “Vatra” nuk e la të shuhet zërin e protestës shqiptare. Dhe Vatar protestoi këtu në SHBA dhe në Tiranë. Në krye ishte ai, Kryetari karagjozi dhe ekipi i tij.

  Kryetari i Vatrës që kishte rrëmbyer armën për liri në radhët e Ballit Kombëtar që në rininë e hershme dhe kishte shkuar deri në Kosovë për ta çliruar, nuk mund të ndjehej i qetë në kohën kur Kosova po kallej flakë prej hitlerit të kohëve moderne, Sllobodan Millosheviçit. Mori bashkëpunëtorët e ngushtë dhe shkoi deri tek lufëtëtarët e Lirisë dhe së bashku me vatranët u dha shpresë për liri dhe u ndihu me sa mundi. Ishin kohë të vështira; në Shqipëri kaos, në Kosovë flakë, por Agimi nuk u friksua; shkoi me vatranët deri tek spitali ku luftonin për jetën me plagë në trup bijtë e Kosovës e të Shqipërisë, dërgoi ndihma mjeksore dhe dollarë të mbledhira nga vatranët. 

          Kryetari karagjozi do të mbahet mend edhe si”nikoqir” i Vatrës: ai mblodhi kurseu dollarët e fushatave të Vatrës, kryesoi fondin e banesës, kryesoi fushatën për ndiham në Kosovë, kryesoi fushatën për ndihma gjatë përmbytjeve në Shkodër etj. 

Trashëgimia e Agim Karagjozit është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi. 

          Ajo çfarë tha i biri, Zuhdiu në fjalën e tij përcjellëse, nuk duhet marrë thjesht si  vlerësim i të birit për babanë e tij, por si përcjellje mesazhi nga një gjeneratë tek tjetra. Ai tha se ikja e Agimit shënon fundin e një epoke, por varet nga ne, gjenerata e re, për ta mbajtur të fortë flakën e shqiptarizmit. Epoka e Agim Karagjozit kishte për moto:Vendosni interesin e Kombit mbi gjithçka.

Mbi të gjitha,Agimi Karagjozi, si kryetar i Vatrës, na la frymën e Bashkimit;ta ruajmë atë si vlerë të shenjtë, si egzistencë vatrane.

Ta çlirojmë shpirtin nga qejfmbetjet, grindjet, nga interesat personale, dhe të vendosim mbi gjithcka frymën kombëtare. Edhe Partitë politike janë të vogla për t’na përçarë para Kombit, le t’i mësojmë ato se VATRA do t’i nderojë kur të punojnë dhe të nderojnë Shqiptarinë. 

* EDITORIALI PERCJELLES I GAZETES “DIELLI” NE NUMRIN SPECIAL, Prill 2018

Filed Under: Politike Tagged With: 2 vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 368
  • 369
  • 370
  • 371
  • 372
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT