• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shtetet e Bashkuara do të mbeten miku i Kosovës pavarësisht nga Presidenti Donald Trump

March 20, 2020 by dgreca

nga Shirley Cloyes DioGuardi/

Më 14 shkurt të vitit të kaluar, unë si Këshilltare për Çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kam botuar tekstin “Kosova duhet të qëndrojë në kurs” në portalet nëpër botë. Aty kam deklaruar se besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i kanë kapërcyer kufijtë duke i bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë taksën e saj të importit 100 për qind ndaj Serbisë. Për më tepër, kam deklaruar se kjo është një kontradiktë për Shtetet e Bashkuara që të pretendojnë se e respektojnë sovranitetin e Kosovës, ndërsa insistojnë që Kosova të pezullojë taksën.

Unë gjithashtu kam identifikuar thirrjen e Serbisë për shkëmbim të territorit si një përpjekje për të mohuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe për të rihapur diskutimin mbi statusin e Kosovës si një komb sovran – një status për të cilin Serbia ka punuar që ta minojë qysh nga koha kur pavarësia e Kosovës u njoh nga Presidenti George W Bush në vitin 2008 dhe qysh prej fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 2011.

Perspektiva ime, së bashku me shumicën e miqve dhe mbështetësve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nuk ka ndryshuar. Unë besoj që Kosova duhet të vazhdojë të mbajë kursin e vet derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Nëse paqja, stabiliteti dhe rritja e Evropës Juglindore do të bëhen realitet, atëherë të dy vendet duhet të vijnë në tryezën e bisedimeve me kushte të barabarta

Në kundërshtim me deklaratat e disa liderëve politikë në PDK dhe LDK, marrja e këtij qëndrimi nuk e kërcënon partneritetin historik midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara. Dashuria e popullit shqiptar për Shtetet e Bashkuara është e betonuar përgjithmonë në veprimet e Presidentit Woodrow Wilson, i cili në fund të Luftës së Parë Botërore këmbënguli që të ashtuquajturat Fuqitë e Mëdha: Britania, Franca, Italia, Gjermania, Austro-Hungaria, dhe Rusia — të njohin Shqipërinë, sepse ajo ishte me një nga popujt më të vjetër të Evropës.

Bota gjithashtu e di se kur Sllobodan Millosheviqi filloi fushatën e tij gjenocidale kundër shqiptarëve kosovarë (pasi që vrau një gjysmë milioni boshnjakë), qeveria e SHBA – dhe në një masë të madhe për shkak të viteve të punës sime, Joe DioGuardit, dhe të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane – e solli Millosheviqin deri te ndalja dhe përfundimisht te gjykimi në Tribunalin e Krimeve të Luftës në Hagë. Në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara dhe shumë qeveri tjera nga gjithë bota e njohën pavarësinë e Kosovës.

Por tani jemi në një kohë tjetër të historisë së SHBA. Është vërtetuar mirë nga mediat kryesore të SHBA se Presidenti Donald Trump po përkulet ndaj makinacioneve të Rusisë dhe Serbisë dhe po vë në rrezik sigurinë e Evropës. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, nuk mund të lejojë që të përkulet ndaj insistimit të administratës së Trumpit që të kthehet në negociata me një udhëheqje serbe që refuzon ta njohë Kosovën si një shtet sovran dhe që po punon shumë për të sjellë nën kontrollin e vet veriun e Kosovës dhe komunat me serbë të Kosovës në jug të Kosovës.

Jemi me fat që Shaun Byrnes, një diplomat amerikan i pensionuar që shërbeu si Shef i Misionit Vëzhgues Diplomatik të ShBA në Kosovë prej vitit 1998-1999 ka botuar një artikull shumë të rëndësishëm në www.peacefare.net, me titull “Një marrëveshje e keqe”. Në te, Byrnes ekspozon presionin intensiv që Presidenti Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, i Dërguari Special i SHBA për Serbinë dhe Kosovën Richard Grenell dhe dhëndri i Trumpit Jared Kushner, në bashkëpunim me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, po i bëjnë kryeministrit Albin Kurti që të heqë tarifat për Serbinë. Byrnes shpjegon pse Kosova nuk duhet të pranojë këtë.

Unë besoj se konkluzionet e Byrnes në artikullin e tij të 13 Marsit 2020 janë të rëndësishme për të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e popullit shqiptar ku lexon se:

“Trumpi po kërkon një marrëveshje të shpejtë për të rritur perspektivat e tij të rizgjedhjes që po duken më të errëta për shkak të krizës ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e shoqëruar me rënien e çmimit të naftës dhe gjasat që ish Zëvendës Presidenti Biden do të jetë kandidati Demokratik.

“Nga ana e tij Thaçi … kishte dashur që të rrëzojë qeverinë Kurti për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja e Kurtit për të zhdukur korrupsionin e përhapur. Qëllimi i Thaçit është që pastaj të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përbërë nga LDK, partneri aktual i koalicionit të Kurtit dhe nga PDK, partia që e themeloi Thaçi.

“Ndërhyrja e Trumpit për të marrë përsipër dialogun i ka dhënë mundësinë Thaçit ta bëjë këtë. Ai po shfrytëzon kërcënimet për veprimin ndëshkues të SHBA si një goditje kundër Kurtit dhe po përpiqet të grumbullojë LDK dhe opozitën parlamentare për të kërkuar që tarifat të hiqen menjëherë. Në deklaratat publike këtë javë, Thaçi akuzoi se veprimet e Kurtit kërcënuan marrëdhëniet me SHBA dhe “të ardhmen e shtetit tonë”, një akuzë e papërgjegjshme.

“Përderisa lideri i LDK-së e mbështet Thaçin, tani për tani Kuvendi nuk po e mbështet Thaçin dhe situata është e bllokuar”. Vlen të përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës se asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do t’i japë fund armiqësisë së Serbisë me krahinën e saj të mëparshme. Derisa Serbia nuk e pranon se çka ka bërë në Kosovë nën sundimin e Millosheviqit marrëdhëniet e tyre nuk do të jenë as normale dhe as miqësore.

“Më shumë me rëndësi është se ne duhet t’i përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës që SHBA është dhe do të mbetet një mik i fortë dhe kjo nuk do të ndryshojë pavarësisht se çfarë mund të kërcënojnë Trump, O’Brien, Grenell, Pompeo dhe Kushner. Kosova nuk duhet të detyrohet të pranojë një marrëveshje me pasoja me një Serbi armiqësore që politikanët e saj dhe publiku i saj nuk e kanë parë për shkak të motiveve vetë-shërbyese të një politikani. “

Në një deklaratë publike në mars të vitit 2012, me titull “Ruaje Republikën e Kosovës, “Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane vërejti se: ” Ka një nënshtrim pothuajse total i klasës politike dhe publikut ndaj vullnetit të Departamentit të Shtetit të SHBA dhe të përfaqësuesve tjerë perëndimorë në Prishtinë. Gjithashtu, besimi se Shtetet e Bashkuara do të kujdesen për Kosovën, shpesh përdoret si justifikim nga ana e politikanëve dhe profesionistëve shqiptarë që të mos punojnë për të zgjidhur problemet e Kosovës, dhe kjo duhet të ndalet. “

Besimi i rrejshëm nga disa politikanë dhe profesionistë shqiptarë se administrata Trump do të kujdeset për Kosovën është ndalur me vendimin e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani që të mos përkulen ndaj kërkesave të presidencës së parë autoritare në historinë e SHBA, por të qëndrojnë në kursin e vet në emër të Kosovës.

Më në fund, të mos harrojmë mesazhin që një mik i fuqishëm i Kosovës dhe tani kandidat për President të SHBA, ZP Joe Biden, deklaroi tetëmbëdhjetë vjet më parë — në vitin 2002 në 12 vjetorin e punës së Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Hotelin Sheraton në Qytetin New York. Në fjalën e tij kryesore, Biden, në atë kohë udhëheqës i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, tha se:

“Vetë-interesi i pastër i Shteteve të Bashkuara qëndron në shekullin XXI duke filluar me një Evropë të tërë, të pandarë dhe të unifikuar”, sepse çdo herë që Evropa zhytet në kaos, “djemtë dhe vajzat tona vdesin, ekonomia jonë dobësohet, dhe ne e paguajmë çmimin. Nga kultura, historia dhe prirja, ne nuk jemi në gjendje të ndahemi nga ajo që ndodhë në Evropë. Fati i shtatë milion njerëzve shqiptarë në Ballkan … është gjithashtu thelbësor për interesin tonë të pastër. Nëse legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk njihet dhe mbrohet, të gjitha pjesët në rajon do të rrëzohen, dhe nëse nuk e stabilizojmë Ballkanin, ne do të paguajmë shtrenjtë. “

Përkthyer nga; Mire-Marku Rugova/

Filed Under: Politike Tagged With: Donald Trump, Kosove, miqesia, SHBA, Shirley Cloyes DioGuardi

SHBA-ja, Kina dhe Koronavirusi

March 20, 2020 by dgreca

Nga Analizë nga Rafael Floqi /

-Sipas informacioneve në media/

“Diçka e tillë nuk është parë në histori”. Janë fjalët e presidentit amerikan Donald Trump, që i referohen përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Shtetet e Bashkuara ditën e djeshme kanë dyfishuar të prekurit nga COVID-19, duke arritur në 13.133, me 193 të vdekur. 

Presidenti amerikan edhe dje nuk ka munguar të thumbojë Kinën, duke përsëritur termin “kinez” kur i referohej koronavirusit, dhe duke shtuar se “bota po paguan një çmim të lartë për atë që ka bërë Kina, kur ka ngadalësuar shpërndarjen e informacionit”.  

Ndërkohë sot u raportua sërish se Kina nuk ka regjistruar asnjë infeksion të brendshëm nga koronavirusi. Vdekjet janë ngadalësuar në mënyrë të ndjeshme, duke shkuar në total 3248. Në vendin e parë tashmë qëndron Italia. 

Ndërkohë që presidenti Trump po pohon këtë, media e majtë vazhdon ta quajë racist, faktin që presidenti e quan koronavirusin si “virusi kinez”, madje kësaj akuze, i bëri jehonë edhe pretendenti kryesor për President nga demokratët, Joe Baiden. 

Quajta e sëmundjes sipas vend-origjinës nuk ka asgjë raciste, dhe është praktikë e njohur për disa sëmundje infektive, si p.sh MERS ( Sindroma e frymëmarrjes e Lindjes së Mesme)- apo Ethet Malteze, Gripi Spanjoll dhe Rubella ( Fruthi Gjerman), por këtu kalohet në një nonsens, dhe një politizim ekstrem. Nga ana tjetër, sado ekscentrik është presidenti Trump, ndalimi i udhëtimeve nga Kina shërbeu si frenues i pandemisë në shkallë të gjerë në SHBA, ndërsa demokratët e akuzuan për racizëm dhe po përgatisnin një vendim në Kongres, për t’i hequr të drejtën Presidentit Tramp për të bërë ndalimin e udhëtimeve, pikërisht pak para se të deklarohej botërisht pandemia.  Italia thënien e papërgjegjshme të krye bashkiakut të Firences Dario Nardela, kur sapo u shpall epidemia në Kinë, pat deklaruar ”ku është ai djali kinez ta përqafoj”, po e vuan tani vetë ai i infektuar, ku në Firence ka 1330 të infektuar dhe numri i vdekurve në Itali ka arritur pikun me 3405, madje më shumë se vetë Kina.

Përhapja dramatike e koronavirusit, i quajtur edhe COVID-19, ka detyruar zyrtarët amerikanë me një mision të përshpejtuar, për të rikthyer prodhimin e ilaçeve për shpëtimin e jetës së njerëzve në SHBA dhe larg kontrollit të qeverisë kineze. 

“SHBA është në varësi të plotë ndaj ilaçeve nga Kina, që nuk është një model i një vendi të qëndrueshëm,” thotë Das Nobel, themeluesi dhe CEO i Shërbimit MTX Group me bazë në Nju Jork. Ai i deklaroi Fox News se  “Qeveria e SHBA-së duhet të ketë përparësi në planifikimin e saj strategjik për të nxitur, prodhimin e produkteve të ilaçeve pa recetë brenda ShBA-së dhe të ndihmojë kështu në tejkalimin e hendekut, mes së kostos së prodhimit dhe fitimit bruto nga to.” 

“Historikisht, prodhimi i ilaçeve për popullsinë amerikane është bazuar në vend. Megjithatë, në dekadat e fundit, prodhimi i ilaçeve gradualisht është shpërngulur nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është veçanërisht e vërtetë për prodhuesit e përbërësve aktivë farmaceutikë (API), ilaçet aktuale që më pas formulohen në tableta, kapsula, injeksione, etj. ” Field vazhdoi. “Që nga gushti 2019, vetëm 28 përqind e objekteve prodhuese që bëjnë këto përbërës për tregun amerikan nuk ndodheshin në vendin tonë. Në të kundërt, 72 përqind e prodhuesve të API që furnizojnë tregun amerikan vinin nga jashtë shtetit, dhe 13 përqind e tyre nga Kina. “

Tregu farmaceutik i Kinës ka qenë vazhdimisht në rritje vitet e fundit, dhe vlerësohet të arrijë në 161.8 miliardë dollarë deri në vitin 2023, duke zënë një pjesë prej 30 përqind të tregut global, shkruante në dhjetor, një ekspert i industrisë. Fu Xudong, nënkryetar i gjigantit farmaceutik global, Bristol-Myers Squibb, sipas China.org,  gjatë përfundimit të takimit botëror të Inovatorëve të mbajtur Equal Ocean, më 2019 ku deklaroi se Kina është bërë tregu i dytë më i madh farmaceutik në botë, duke ndjekur pas Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2018, tregu i saj farmaceutik arriti në 127.9 miliardë dollarë, duke u rritur 2.4 përqind në vit. Në të vërtetë, përhapja e virusit të ri, nëpër brigjet e Amerikës në javët e fundit ka nënvizuar shqetësimin e për sa i përket “mbivarësisë ” së SHBA-së në prodhimin farmaceutik kinez. Amerika në thelb për shembull e pushoi prodhimin e brendshëm të penicilinës rreth vitit 2004, e cila në atë kohë vlerësohej si një veprim pozitiv për të kursyer para, nga ilaçet gjenerike. Por në vitet më të fundit, kjo politikë ka ngjallur një kakofoni shqetësimesh. 

Siç qëndron çështja? SHBA nuk prodhon shumicën dërrmuese të ilaçeve në vend dhe me vite ka qenë e varur nga zinxhiri i lirë dhe furnizimi larmishëm që e ka origjinën e tij në Kinë. Në fakt, mbi 80 përqind e produkteve farmaceutike të shitura në SHBA,  përveç pajisjeve mjekësore të rëndësishme, vijnë nga Kina. Edhe India, e cila prodhon rreth 24 përqind të importeve të ilaçeve në SHBA, varet nga Kina në furnizimin e saj me kimikatet thelbësore të nevojshme, për prodhimin e barnave gjenerike. Madje, dhe qarqet e integruar për prodhimin e respiratorëve për koronavirusin vijnë nga Kina dhe ato janë bllokuar prej disa vitesh. Në fakt, interesi ndaj Kinës u rrit menjëherë, pasi vendi iu bashkua Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) në vitin 2000.

Duke marrë parasysh sfidën gjeopolitike dhe ekonomike me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara nga një Kinë autoritare, Pekini tani mund ta përdorë kontrollin e tij ndaj përbërësve bazë që bëjnë shumë prej ilaçeve – dhe klasave të tëra të barnave- si levë në çdo mosmarrëveshje me Uashingtonin. Një zëdhënës i qeverisë Kineze e bëri këtë deklaratë kërcënuese javën e kaluar kur deklaroi se Kina do të ndërpriste furnizimin me ilaçe për SHBA.  Në mënyrë të veçantë, Kina prodhon përbërësit e nevojshëm për pjesën më të madhe të ilaçeve që do të duhet t’i mbajnë gjallë amerikanët . Qysh nga mjetet e matjes të presionit të gjakut, antibiotikët e deri te paracetamoli, ilaçet antivirale dhe reduktuesit e etheve e të temperaturës deri tek aspirina.

Disa projektligje bipartizane, duke përfshirë “Aktin e pavarur farmaceutik të reformës së gatishmërisë afatgjatë”, aktualisht janë në pritje në Kongres me qëllimin për të nxitur dhe madje edhe detyruar prodhimin e produkteve farmaceutike brenda kufijve të  SHBA dhe larg hegjemonisë kineze. 

Presidenti Trump javën e kaluar ndërmori një veprim më urgjent për këtë çështje, duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv, për t’i hapur rrugën prodhimit të maskave dhe plotësimit të nevojave të tjera të lidhura me ventiluesit e frymëmarrjes, që duhet të jenë produkte amerikane, sidomos në kohën e mungesës së furishme dhe krizës së pandemisë. Synimi i urdhrit është që të mbyllen boshllëqet ligjore, të hiqen pengesat ligjore të FDA dhe të inkurajohen kompanitë amerikane të prodhojnë sa më shumë produkte në SHBA, sesa në Kinë. Për të shmangur aftësitë e Pekinit për të kontrolluar tregun dhe rrjedhën kritike të medikamenteve. Departamenti i Mbrojtjes ka ngritur prej kohësh shqetësimin në lidhje me një dominim kinez në prodhimin e ilaçeve të tilla në përdorim të ushtrisë amerikane, si një shqetësim i sigurisë kombëtare.

Pandemia e papritur e koronavirusit ka nxjerrë në dritë të metat e një sistem të tillë, me mbylljet e fabrikave të medikamenteve të zakonshme, duke u zvogëluar prodhimin vendas. Javën e kaluar, Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) Stephen Hahn i tha Kongresit se më shumë se 200 ilaçe ishin në mungesa në SHBA.  Ndërsa qeveria amerikane në vitet e fundit ka financuar vetëm kërkime për operacione dhe hulumtime të prodhimeve të reja në shkallë të vogël, të atyre që në fushën e mjekësisë japin më shumë para – por që janë me humbje për shkak të kodifikimit të rreptë dhe të ligjeve përkatëse. Për të adresuar më tej kostot e modelit të lëvizjes të prodhimit larg-nga-Kina, disa ligjvënës dhe analistë tani po mbrojnë idenë që në territoret e tjera amerikane dhe / ose kombet e afërt – të tilla si Porto Riko dhe Meksika – të stimulohen dhe të ngarkohen me detyrën për të marrë rolin drejtues nga duart e Kinës duke u bërë bërthama qendrore për prodhimin e ilaçeve për SHBA.

“Do të duhet të punojmë për uljen e kostove të përgjithshme për të bërë barna të tilla – ose amerikanët do të duhet të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë,” tha Harry Kazianis. “Unë besoj se nëse do ta dinin që Kina mund të ndalonte prodhimin e ilaçeve në këtë moment – ia vlen të paguajmë një kosto shtesë, pasi nëse ilaçet do të prodhoheshin në vend, ne nuk do t’i nënshtroheshin presionit të një diktature që mban miliona njerëz nën zap”.

Por BBC thotë, se ka akuza e dyshime për të dhënat zyrtare të Kinës. Duke ndjerë presionin ndërkombëtar, Pekini tani ka ndryshuar strategji. Propaganda është zhvendosur te përpjekjet për të ndaluar virusin që të hyjë nga njerëz nga jashtë. Vëzhguesit thonë se kjo është një strategji që Pekini t’i tregojë me gisht vendet e tjera si fajtore dhe t’i largojë akuzat nga vetja . Në rast se Kina arrin të bllokojë ri-importimin e rasteve nga jashtë, do të fajësojë vendet e tjera që nuk e imituan dot progresin e saj.

Në të vërtetë, përhapja e virusit të pazakonshëm, nëpër brigjet e Amerikës në javët e fundit ka nënvizuar shqetësimin konkret të “varësisë së madhe ” të ShBA-së nga prodhimin farmaceutik kinez. Amerika në thelb pushoi së prodhuari në vend penicilinën rreth vitit 2004, gjë që, në atë kohë vlerësohej si një veprim pozitiv për të kursyer para të mëdha nga ilaçet gjenerike. Por në vitet më të fundit, kjo praktikë ka ngjallur një kakofoni shqetësimesh ekonomike gjeopolitike dhe sigurie. 

Në fakt, mbi 80 përqind e produkteve farmaceutike të shitura në SHBA. – përveç pajisjeve mjekësore të rëndësishme, përfshirë dhe produkte kozmetike – vijnë nga Kina. Edhe India, e cila përbën rreth 24 përqind të importeve të barnave nga ShBA, varet nga Kina, përsa i përket  furnizimin e saj me kimikate thelbësore të nevojshme për prodhimin e barnave gjenerike.

“Do të duhet të punojmë për uljen e kostove të përgjithshme për të bërë barna të tilla me teknologji robotike ose amerikanët, do të duhet të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë,” tha Kazianis. “Unë besoj se nëse do ta dinin që Kina mund të ndalonte prodhimin e ilaçeve në një moment – ia vlen të paguajmë një kosto shtesë, pasi ne e dimë që nëse ilaçet bëhen në vend, ato nuk do t’i nënshtroheshin presionit të një diktaturë që mban miliona njerëz në zap. 

Partia Komuniste Kineze është në vështirësi me njerëzit e vet, kështu që po përpiqet të  shmangë kritikën globale dhe po përhap teoritë e komplotit se si SHBA dhe ushtria amerikane, e shpërndau virusin në Kinë. Ashtu si zjarrvënësit proverbialë që e venë vetë zjarrin, Kina po ofron ndihmë modeste për të prekurit. Ndërkohë, disa elita perëndimore po bien në grackën e propagandës së Pekinit. 

Na është thënë që pas gjithë kësaj Kina do të udhëheqë një “rend të ri botëror”. Ky është një pretendim, i pa mbështetur nga asnjë fakt apo model i njohur i sjelljes i Partisë Komuniste Kineze . Por ne e dimë se Kina nën Partinë Komuniste Kineze vështirë se mund të qeverisë vetë vendin e vet, e lëre më një rend të ri botëror. Ekonomia e saj do të vuajë edhe më shumë edhe si rezultat i kësaj krize. Dhe populli kinez i prekur nga kjo paaftësi dhe shtypje e PKK e di saktësisht se sa pozitiv është komunizmi. 

PKK ka të ngjarë të miratojë politika të reja stimuluese fiskale, të cilat do ta bëjnë gjendjen e borxhit të saj më të keq dhe do të ulin produktivitetin. Kostot reale të trajtimit të krizës shëndetësore në Kinë ka të ngjarë që të jenë me përmasa më të larta se sa raportohet. Unë nuk jam një ekspert i shëndetit publik. Po për si një laik, duket se SHBA ka bërë një seri gabimesh që datojnë me dekada. Duhet të ketë një llogari, një “mësim-nxjerrje” mbi politikën e dështuar ndaj Kinës që po vazhdon prej dekadash. SHBA duhet të mësojnë nga gabimet dhe të ndryshojnë kursin.   Sidoqoftë kjo krizë, zbulon llojin e problemeve që Kina do të paraqesë për ne në vitet e ardhshme. Ajo është tashmë një vend i fuqishëm me ambicie të mëdha imperialiste, por të paplotësuara, ndaj do të përpiqet t’i eksportojë problemet e saj, nëse ne nuk do të përcaktojmë mënyrat se si t’i bëjmë ballë këtyre kërcënimeve. Siç duket, edhe në këto kohë krize, propaganda kineze e PKK, po zbaton dy porositë e gjeneralit të lashtë kinez, autorit të “Artit të Luftës”, Sun Tzu : “Paraqituni i dobët kur jeni i fortë dhe i fortë, kur jeni i dobët.” dhe se “Arti suprem i luftës është të nënshtrosh armikun pa luftuar” . Kjo strategji në këtë pandemi po e dëshmon këtë. Sa do mundet Kina, kjo është tjetër gjë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Koronavirusi, Rafael Floqi, SHBA-ja

URDHERI ME I FUNDIT I GUVERNATORIT TE NJU JORK-ut

March 20, 2020 by dgreca

GUVERNATORI I NJU JORK-UT URDHERON EDHE MBYLLJEN E DYQANEVE TE BERBERËVE, SALLONEVE TË BUKURISË DHE SALLAVE TË TATUAZHEVE/

  • Ndalimi hyn në fuqi në orën 22.00 PM të së shtunës, 21 mars 2020

      – Guvernatorët e New Jersey, Connecticut dhe Pennsylvania nxorën aktet e ngjashme./

New Yorku vazhdon që t’i marrë masat ndaluse hap pas hapi. Pritet që coronavirusi të shtojë ofensivën në qytetin me popullsi të shumtë, dhe nuk po kursen moshat e reja.Pas mbylljes së shkollave, teatrove, klubeve, kafeneve, restoranteve, (që shërbejnë vetëm me porosi), kompanitë po i dërgojnë punonjësit në shtëpi.

      Ndër masat e reja, Guvernatori Cuomo urdhëroi që dyqanet e berberëve, sallonet e bukurisë, të mbyllen deri në mbrëmjen e së shtunës.

     Ndalimi, i cili përfshinë edhe sallat e tatuazheve, hyn në fuqi në orën 20:00 të së shtunës.

Guvernatorët e New Jersey, Connecticut dhe Pennsylvania nxorën aktet të ngjashme.

Urdhri i sapo publikuar është përpjekja më e fundit për të provuar që njujorkezët të mos grumbullohen bashkë në mjediset e lagjeve për të frenuar përhapjen e virusit ngjitës.(D greca)

Filed Under: Politike Tagged With: Urdheri me I fundit

A PO I DËGJON PRISHTINA KËMBANAT E WASHINGTONIT?

March 18, 2020 by dgreca

-Kryeministri Albin Kurti nëse do të ruajë miqësinë dhe marrdhëniet e Kosovës me SHBA-në si dhe të shpëtojë varkën e qeverisë së tij që po i mbytet pa nis lundrimin, duhet të ftillohet dhe të dëgjojë zërat që vijnë nga Washingtoni dhe ambasada Amerikane në Prishtinë…

            NGA DALIP GRECA/

Kur e gjithë bota është e alarmuar nga epidemia e Koronavirusit, në Prishtinë, qeveria e kryeministrit Albin Kurtit, provokon krizë qeveritare për shkaqe egoiste(sepse ministri përkrahu presidentin për shpalljen e gjendjes së emergjencës për frenimin e koronavirusit!).Shkarkimi i ministrit të LDK-së, pa u konsultuar me partnerin e koalicionit, ndërkohë që në marrveshjen bashkëqeverisëse është e shkruar se nuk mund të shkarkohet ministri pa bisedime paraprake, duket se i ka dhënë goditje kolacionit qeverisës. Kryetari i LDK Isa Mustafa deklaroi se po inicion mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, ku dhe partia e tij është pjesë. Duket absurde për faktin se kërkesa të tilla në fakt i paraqet opozita. Në deklaratën e tij Mustafa tha: “Kemi vendosë që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti, sepse ne nuk dëshirojmë të jemi pjesë e një qeverisje të tillë dhe po ashtu jemi të bindur se një qeveri e tillë rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të dhe prezencën ushtarake dhe paqësore amerikane këtu, prezencën e saj ekonomike dhe po ashtu përkrahjen politike që kemi pasur dhe duhet ta kemi në të ardhmen për njohje të reja, jo për çnjohje dhe për rrugën euroatlantike të vendeve tona sepse ne presim dhe synojmë të jemi pjesë e aleancës së NATO me FSK-në tonë dhe assesi që amerikanët të tërhiqen nga FSK dhe të mos kemi perspektivë ekonomike, as sociale as ushtarake”.

          Në këtë situatë konfliktuale partnerësh, Kryeparlamentarja e Kosovës, që i përket LDK, Vjosa Osmani, ka takuar sot ambasadorin amerikan Philip Kosnett. Ambasadori ka shkuar në zyrën e kryeparlamentares. Deklarata zyrtare është e koduar:” Osmani dhe Kosnett biseduan për zhvilimet politike dhe masat anti Covid-19 “. Kaq!

Në fakt dhe tërmetin e koalicionit qeverisës e ka shkaktuar Covid-19, por shkaqet janë më të thella:

Dy të parët e Kosovës, nuk po merren vesh me njeri-tjetrin. Presidenti Hashim Thaci deklaroi se do të dërgonte në Kuvend dekretin për të shpallë gjendjen e jashtzakonshme për shkak të Koronavirusit pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare me 17 mars. Mirëpo Kryeministrit Kurti nuk i pëlqeu vendimi i presidentit dhe nxori në media zv/kryeministrin Abazi, që të deklarojë se”Kosova nuk ka pse nxitohet, nuk jemi ende në emrgjencë”! 

… Nga ana tjetër, ministri i LDK Agim Veliu, doli dhe deklaroi në media se ishte kundër Kryeministrit dhe përkrahte Presidentin. Ky karshillëk nuk i erdhi për shtat Kryeministrit, i cili deklaroi se do ta shkarkonte ministrin.

     Të duket si lojë fëmijësh grindja mes kryeministrit dhe presidentit dhe pa logjikë argumentuse, por kriza qeveritare tashmë është fakt. 

          Grindja President –Kryeministër, është një imitim i keq i dualitetit kryeministër-president në Shqipëri. Është parë që në fillim se Thaci dhe Kurti bisedonin me njeri tjetrin duke pasë një mur në mes. Po si mund të merren vesh në këtë mënyrë? Dualiteti po reflekton pasoja negative dhe duhet mënjanuar një orë e më parë. Kosova nuk ka shpatulla që të mbajë mbi vete konflikte të tilla, ndërkohë që ka probleme më të rëndësishme për të zgjidhur si për anëtarësimin në organizmat ndërkombëtare ashtu edhe për njohjet që në vend të rriten po zvoglohen.Duke analizuar faktet duket se problemi është më i thellë se sa një grindje mes kryeministrit dhe presidentit. Kryeministri Albin Kurti duhet të jetë më i vëmendshëm ndaj zërave që vijnë nga Washingtoni. Presidenti duket se është më I ftilluar kur deklaron se “deri në vdekje me Amerikën”, ndërsa Kurti po duket se tenton të sfidojë Washingtonin, duke mos iu përgjigjur thirrjeve për heqjen e taksave me Serbinë dhe duke tentuar që të bëjë tifo me Evropën për inat të Thaçit. Një këmbëngulje e tillë nuk është në favor të Kosovës. Deri kur do të vazhdojë Kryeministri të neglizhojë thirrjet e Washingtonit? A i merr kryeministri sinjalet e Washingtonit apo nuk dëgjon nga ai vesh? Duket se atë nuk e lënë zilet e tij të dëgjojë këmbanat e Washingtonit, por vonesa mund të ketë kosto të lartë.Jo më larg se sot, e mërkurë 18 mars,  ambasada amerikane në Prishtinë, ia përsëriti thirrjen qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe.

Në komunikatën e ambasadës shkruhej: “në kohëra si këto, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor. Është koha për Kosovën dhe fqinjët të mënjanojnë pengesat për lëvizjen e lirë të mallrave. Sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të hedhë hapin e parë të guximshëm dhe ti heqë tarifat tani”!

        Kurti ende nuk e ka parë të arsyeshme të përgjigjet dhe duket se nuk është i vëmendshëm dhe i pa predispozuar për t’i dëgjuar thirrjet dhe për t’i kapë sinalet e Washingtonit, të cilët besoj se janë të mjaftushëm.

Ka tre sinjale të forta që Washingtoni i ka dhënë me kohë për Prishtinën:

Sinjali i parë: u përcoll lajmi se Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA (MCC) ka  pezulluar programet të cilat kanë qenë në zbatim në Kosovë, si pasojë e mosbindjes së kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës me Serbinë. Vlera e programit kapte shumën prej 50 milionë dollarë amerikan. Ky program i pezulluar ishte fokusuar në reformat e dy fushave më kritike të identifikuara si pengesa për zhvillim në Kosovë, siç janë: mungesa e qëndrueshmërisë së energjisë elektrike si dhe dobësitë dhe mangësitë reale në sundimin e ligjit. Specialistët dhe analistët e kanë interpretuar këtë tërheqje si shenjë negative në marrdhëniet mes Prishtinës dhe Washingtonit.

Sinjali i dytë: Kompania Contour Global deklaroi se tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen  me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Opozita më e madhe e Kosovës, PDK-ja e ka vlerësuar si humbje të madhe tërheqjen e kompanisë amerikane nga Kosova. Ajo deklaroi: “Kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre. Sjellja e Qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në vendin tonë është e papranueshme dhe po tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë”.

  Sinjali i Tretë, që nga radha duhej renditë i pari:- Tërheqja e Trupave amerikane nga Kosova. Me 9 Mars 2020,duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe mungesën e një vendimi nga Qeveria kosovare për heqjen e taksës, senatori amerikan David Perdue, shkroi në Twitter se në rast se Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk tregohet e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

U duk si shaka kur Donald Trump Junior, djali i presidentit amerikan, Donald Trump, e mbështeti këtë deklaratë të senatorit dhe shkroi në Twitter se “është koha që t’i kthejmë trupat në shtëpi”.

Korit të zërave të tërheqjes së trupave amerikane iu shtua si për t’i vënë vulën edhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, i cili shkroi në Twitter se e mbështeste deklaratën e senatorit Perdue. Në fakt Grenell ka kërkuar fort që Qeveria Kurti t’i shfuqizojë në tërësi masat tarifore dhe të mundësojë vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Deklarata e senatorit Perdue u mbështet edhe nga llogaria zyrtare në Twitter e Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA. 

 A i ka kapur Prishtina zyrtare këto sinjale të forta? Presidenti Thaçi është deklaruar publikisht se mbështet Washingtonin. Po ashtu edhe partneri i Albin Kurtit, Isa Mustafa me LDK-në.Edhe Opozita është me Washingtonin. Vetë Albini luan rolin e të pabindurit dhe të mosbesuesit: “Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova, përkundrazi dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën100 për qind, ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA-ja e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, tha Kurti për mediat, duke shtuar se beson që SHBA-ja do të qëndrojë në Kosovë në të gjitha format e saj shtetërore.”

      Albini nuk duhet të luajë me fjalët, beson apo jo, është punë e tij, por Amerika nuk ka kohë të merret gjatë me Kosovën sepse bota është e madhe, dhe Kosova e vogël. Shqiptarëve të Kosovës iu tha një herë në Rambuje kjo e vërtetë nga ish sekretarja Madeleine Albright.

Në këto konflikte: Qeveri-Amerikë, Kryeministër-President dhe Vetëvendosje-LDK, duket e vështirë mbijetsa e Qeverisë Kurti 1. Kryeminisitri Albin Kurti nëse do ta shpëtojë miqësinë dhe marrdhëniet me SHBA-në si dhe të shpëtojë varkën e qeverisë së tij që po i mbytet pa nis lundrimin, duhet të ftillohet dhe të dëgjojë zërat që vijnë nga Washingtoni dhe ambasada Amerikane në Prishtinë.

Ai duhet të dëgjojë edhe zërin e shqiptarëve të Amerikës që po i kërkojnë me këmbëngulje ,që ta dëgjojë me kujdes  dhe respekt Washingtonin. Marrdhëniet e Kosovës me Amerikën kanë për kumbar Shqiptarët e Amerikës dhe Albini nuk mund ta minojë miqsinë shqiptaro-amerikane.

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Kembanat

Ne nuk kemi frikë!

March 16, 2020 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/

 Sa shumë kupton mbi nivelin, natyrën dhe karakterin e njerëzve edhe nga pyetje apo biseda fare të thjeshta e të shkurtra që mund të bësh me ta!

Si gjithnjë, por më shumë sot, pyetja për frikën që ka shkaktuar koronavirusi, mbetet një nga ato më të dashurat si për gazetarët, ashtu edhe për të pyeturit, të cilët, ashtu si i gjithë populli ynë, mezi presin të tregojnë se nuk e njohin frikën. Në vend që gazetarët të pyesin për respektimin e masave të diktuara nga shteti, pyesin njerëzit nëse kanë apo jo frikë, pyesin për gjënë më të parëndësishme e për atë gjë që do të marrin si përgjigje një gënjeshtër! 

Në një stacion autobusi në Tiranë, gazetarja u bën të njëjtën pyetje disa udhëtarëve: 

“Janë konfirmuar disa raste me koronavirus, keni frikë të udhëtoni me autobus?” 

Një grua nga Kukësi përgjigjet:

“Jo s’kena frikë hiç, jemi malsor na nuk frikna, na jemi rrit me ushqime bio dhe na nuk frikna hiç”

Një burrë nga Skrapari: 

“Absolutisht jo, po mbaroi tërë Tirana, atëherë do ta marrim ne atje” dhe qesh.

Një grua që flet me dialekt verior: 

“Jo nuk kena frikë…jena shqiptarë na, nuk na gjen gja hiç, ata që janë sëmur ka për t’i shpëtu Zoti.”

Një tjetër grua me dialekt nga jugu:

“Nuk kam frikë fare për në autobus,….kushtet në autobuse si në kohën e ku thërret qametit, hajdutët të fusin duart në xhep, i rrjepin njerëzit.”

Dhe një tjetër:

“Nuk kam frikë që të udhëtoj në autobus, se koronavirusi është vetë kryeministri, kaq di me thënë, kaq them”.

Po në këtë mënyrë u pyetën dhe po në këtë mënyrë u përgjigjen dhe një numër personash të tjerë që kishin mbushur kodrat e liqenit artificial në Tiranë disa ditë më pas, kur sëmundja kishte përparuar e qe bërë më serioze dhe pasi ishin dhënë udhëzime që njerëzit të vetëmbylleshin dhe nga shtëpitë të dilnin vetëm për gjëra tepër të nevojshme.

Të gjithë thanë me mburrje se nuk kishin frikë, se ishin trima dhe, duke qenë se ishin trima, nuk kishin arsye të ishin të disiplinuar e të zbatonin masat që u diktoheshin në këto raste. Mentalitet tejet primitiv! Ata nuk kuptojnë se çështje, si pandemia e koronavirusit, nuk kanë lidhje vetëm me ato që do të bëjnë ata për të mbrojtur veten dhe nëse kanë frikë apo jo, por, sidomos, me ato që do të bëjnë ata për të mos rrezikuar edhe  të tjerët e, pra, për vetëdisiplinim. 

Në nja dy-tre raste dëgjova në televizion intervista me shqiptarë që banojnë dhe punojnë prej kohësh në Itali, të cilët pyeteshin nga gazetarët në Shqipëri se si ishte e mundur që njerëzit aty të zbatonin rregullat e, sidomos, të vetëizoloheshin nëpër shtëpi, kur ne këtu e kemi të vështirë dhe nxjerrim lloj-lloje shkaqesh të mos rrimë në shtëpi. Të gjithë ata, pa përmendur as trimëri e as zotësi, u përgjigjën se masat që u ishin imponuar nga shteti, duheshin zbatuar. Një ndryshim i plotë mentaliteti midis nesh këtu dhe atyre që kanë vite në një vend të qytetëruar të huaj!  Mentaliteti nuk është gjë e lindur si, për shembull, instinkti, ai mësohet dhe kështu mësohet dhe vetëdisiplinimi, që është kusht që shoqëria të ecë përpara. Gandi thoshte se qytetërim nuk ka të bëjë me lirinë e pakufizuar, por me kufizimin vullnetar të lirisë. Por, mjerisht, për ne këtu, ende disiplinë do të thotë kufizim i lirisë dhe shqiptari nuk mund të pranojë kufizim të lirisë! 

            Shtysa për t’u dukur hero, trim, edhe kur nuk është nevoja, për ne është gjithçka. Një njeri i qetë, i disiplinuar, i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm, që tregohet trim kur trimëria lypet, që i nënshtrohet ligjit, kur ai ligj është i drejtë, për ne nuk vlen. 

Bernar Kushner (Bernard Kouchner), Përfaqësuesi i Lartë i OKB-së në Kosovë në vitet 1999-2001 e, më pas, Ministër i Jashtëm i Francës, e ka përshkruar kështu trimërinë dhe guximin e ballkanasve, pjesë e të cilëve jemi edhe ne:

“Në Ballkan, trimëria në formën e saj arkaike, guximi heroik e i çartur, të shprehurit i pa latuar e fizik i pjesëmarrjes, gjen vend në të gjitha gjestet e njerëzve. Ballkanasit lëvizin, ecin mbi tokë, shkojnë të parkojnë makinën apo të bëjnë pazarin dhe duken sikur po i drejtohen vetësakrifikimit. Në Kosovë, thuhet se fëmijët mësohen t’i druhen vetëm një gjëje: frikës për të shfaqur frikë. Njerëzit e Ballkanit, me një psikikë të modeluar prej shekujsh të tërë luftërash, gjithmonë mundohen të tregojnë guxim, një guxim gati të sëmurë, i cili i shtyn që të jenë gjithmonë në kërkim të rrezikut, madje edhe ta krijojnë atë rrezik me anë të sfidave të pakuptimta.”                                                                   

Adhurimi i forcës, dhe vetëm asaj, vihet re kudo në Shqipëri. Në disa zona të Shqipërisë, kur lind një djalë, duhet që shpejt dikush të kapë një send prej hekuri, qoftë edhe një pirun, në mënyrë që djali të mund të bëhet i fortë si hekuri. Pak urojnë që fëmija të bëhet i drejtë, i dashur, i zgjuar, i butë, i dhembshur, bamirës e me karakter. 

Po në ato zona të Shqipërisë, kur dikush është pranë vdekjes, pavarësisht se gjithë jetën mund të jetë tërhequr zvarrë ndaj më të fortit, përpiqet të mos vdesë shtrirë. Ai duhet të bëjë çmos që, të paktën, të vdesë ndenjur, ose, siç thuhet, “të vdesë në bythë.” 

 Faik Konica, po ashtu, për të vënë në dukje llojin e padobishëm të trimërisë sonë, thotë: “Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër e shumë herë as pa ditur se përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla, ftohen dhe frikësohen po të jetë nevojë trimëria për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë të përgjithshme… Pali e Pjetri, Lami e Hasani nuk kanë frikë nga plumbi, por dridhen nga Valiu. Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së drejtës së atdheut, domethënë në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë, janë punë egërsie e kafshësie, jo trimërie.” Dhe, një herë tjetër ai shkruan se tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos vlerësuar heroizmin e bashkuar, heroizmin e popullit.

Franc Nopça, në librin e tij “Udhëtime nëpër Ballkan”, kur flet për trimërinë e shqiptarëve, thotë se trimëria e tyre e kishte bazën te sedra dhe, me zhdukjen e sedrës që po ndodhte, po zhdukej edhe vetë trimëria.

Hermann Neubacher-it, i dërguari i Gjermanisë naziste në Beograd, thotë për pjesëmarrësit kosovarë të Divizionit Nazist “Skanderbeg”: “Këta nuk njohin kurrfarë disipline, janë regjistruar sa për të marrë armën, për të cilën kanë një adhurim të veçantë… Qitja në shenjë për shqiptarin është vetëm një dëfrim.” Shqiptarët adhurojnë armën, sepse me të mburren dhe dëfrejnë, se me atë demonstrojnë trimërinë. 

Thuhet se, kur në vitin 1913 Shqipëria dërgoi një delegacion të nivelit të lartë në Londër, për të protestuar ndaj copëtimit të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve, në përbërje të delegacionit shqiptar ishte edhe Isa Boletini. Para se të futeshin për t’u takuar me ministrin e Jashtëm Britanik, Eduard Grej, rojet britanike i kontrolluan pjesëtarët e delegacionit dhe Isa Boletinit i gjetën një pisqollë të cilën ia morën, për t’ia dhënë më pas. Mbasi mbaruan bisedimet, kur ministri britanik po i shoqëronte shqiptarët në dalje, i tha Isa Boletinit me shaka se atë që nuk ia kishte bërë dot Perandoria Osmane, pra çarmatosjen, ia kishte bërë roja britanike. Isa, për të treguar burrërinë dhe zgjuarsinë e tij, zbuloi një pjesë të trupit dhe i tregoi ministrit britanik një pisqollë të dytë të fshehur. Rojet britanike kishin kujtuar se e kishin çarmatosur, por shqiptari nuk çarmatosej! 

Kjo ngjarje, që nuk dihet nëse është histori apo mit, tregohet me mburrje nga ne për të vënë në dukje njëkohësisht zgjuarsinë dhe trimërinë tonë. Nuk themi asgjë për zhvillimin e bisedimeve, që ishte detyra kryesore e atyre që shkuan në Londër, apo çfarë force intelektuale a politike demonstruam ata në ato bisedime. Jo, këto nuk kanë kurrfarë rëndësie për ne, mjafton që Isa të paraqitet trim e i zgjuar, si përfaqësuesi shqiptar i trimërisë, si shqiptari që ia hodhi “inglizit.”

Robert Papa, një kandidat për deputet nga Partia Konservatore Shqiptare për zgjedhjet e vitit 2009, shkruante në gazetën “Sot,” më 26 maj të vitit 2009: “Por ta pranojmë të gjithë, në fushatë Berisha është i tmerrshëm, i egër dhe i pa mëshirë. Fakti është fakt, e duam apo jo, ai mbeti lojtari më i fortë. Unë vij nga shkolla amerikane, ku, mbi të gjitha, i forti duhet respektuar. Robert Papa thotë se vjen nga shkolla amerikane dhe Amerika, të cilat jepen si dëshmi e pagabueshmërisë së tij. Por, ai nuk vjen nga ajo shkollë, Amerika nuk respekton të fortin, po të drejtën, ligjin, Roberti vjen nga shkolla jonë primitive e adhurimit të forcës, nga shkolla jonë e adhurimit të idhullit. Ai adhuronte Berishën, po aq saç mund të ketë adhuruar më parë Enver Hoxhën, sepse edhe Enver Hoxha i kishte ato cilësi tmerri e egërsie që kishte Sali Berisha, madje i kishte edhe më të dukshme. Për Robertin dhe për ne nuk kanë rëndësi as idetë e as morali; as e vërteta e as humanizmi; as drejtësia dhe as shërbimi për kombin e për popullin; për ne ka rëndësi forca e tjetrit, tmerri që të fut, egërsia që tregon, mungesa e mëshirës, të gjitha elemente që kanë lidhje me dhunën! 

Sipas Mustafa Nanos, në një debat në parlament, Sali Berisha iu drejtua afërsisht kështu Skënder Gjinushit: “Ti Gjinush e di mirë, se kush je! Të kujtohet kur ishe në Tropojë para ca muajsh? Të kujtohet me siguri. Ishe ulur në një lokal dhe aty erdhën ca djem të armatosur dhe të dhanë urdhër të dalësh nga lokali. Dhe ti dole. Dole pa thënë asnjë fjalë. Dole me bisht ndër shalë. Dole, e nuk të erdhi turp që dole. Ja, ky je ti Gjinush. Prandaj qepe dhe mos e hap më gojën.” A mund të flasë një drejtues i urtë i kombit në këtë mënyrë?! Çfarë mësimi u jep ky shtetasve të tij?

Trimëria jonë edhe kur shfaqet, shfaqet si trimëri primitive, si trimëri impulsive, si trimëri e çastit, si trimëri e pa kultivuar, si trimëri e terroristit, si trimëri e cubit, si trimëri e atij që të kall tmerrin sepse ka forcën, si trimëri e më të fortit ndaj më të dobëtit. A nuk është ngujimi nga gjakmarrja shfaqje e kësaj lloj trimërie, që “trimi” pasi vret, ngujohet? Trimëria jonë nuk është trimëri e shpirtit, trimëri e karakterit, trimëri e brendshme, trimëri e qëndrueshme. Ajo është trimëri e frikës, është më shumë një përpjekje e mjerë e frikës dhe e dhunës për t’u paraqitur si trimëri dhe forcë, sesa manifestim i trimërisë së vërtetë. Ajo nuk është trimëri me të cilën mund të besh punë të mëdha e të kryesh detyra të larta për vete dhe për shoqërinë. Me atë trimëri, e shumta, mund të vrasësh një njeri “pas ferrës,” apo mund të fitosh një betejë, por nuk mund të luftosh e as të fitosh në mënyrë përfundimtare e të qëndrueshme për një çështje të dobisë së përgjithshme. 

Jam i sigurt se, po t’i kërkoje ndonjërit prej të pyeturve që përmendëm në fillim të këtij shkrimi, që u tregua trim, nëse do të ishte i gatshëm të shkonte në ndonjë prej spitaleve ku ishin shtruar apo do të shtroheshin të sëmurët me koronavirus dhe të jepte aty ndihmesën e tij, ai nuk do të shkonte dhe nuk do të shkonte, përveç të tjerave, edhe pse nuk ishte trim.

Karakteristikat e trimit, ashtu siç pranohen në botën e qytetëruar, nuk lidhen me mburrjet për trimëri. Ato lidhen me bërjen e asaj që duhet bërë pavarësisht nga pasojat;  me mos epjen, përderisa të arrihet qëllimi; me qëndrimin e qetë në situata krize; me rrezikimin e vetes për të ndihmuar të tjerët; me përpjekjet për të përmirësuar shoqërinë; me të qenit i përulur dhe jo mburravec; me mospërdorimin e autolëvdatave e me mos pretendime për  lëvdata nga të tjerët. Këto veti ne nuk para i kemi parasysh e, kështu, trimëria jonë edhe pse mund të konsiderohet si trimëri prej nesh, nuk konsiderohet trimëri   nga bota tjetër.                 Nju Jork, 13 shkurt 2020     

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Hashorva, Nuk kemi frike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 372
  • 373
  • 374
  • 375
  • 376
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT