• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENERAL ABAZ KUPI E GJETI VETEN NE FILOZOFINE E MBRETIT ZOG PER SHTETFORMIM

January 12, 2020 by dgreca

NGA HAKIK MENA/*/

Nuk ka gja ma te mire se sa me perkujtu e  nderu jeten e bamat e Abaz Kupit ne keto dite rrapulline ne te cilat kalon raca shqiptare, rrapullime e shkaktume prej ideologjise coroditese te cilen ai me mish, shpirt, pushke e mergim u mundua t’ia parandaloje Shqipnise.

Kemi fole me vite te tana dhe tashma populli I din, per ato qe dojne me dite, se c’ka qe e bani Gjeneral Abaz Kupi.

Zogismi si thelb te filozofise se saj ka shtetformimin. Kriteri i vetem te cilin kjo filozofi perdori per te mbledh njerzit rreth saj ishte kontribut i gjithanshem ne kete shtetformim. Po te analizojme perbamje njerzore te kesaj filozofie aty gjejme Shqipnine e vertete.  Aty gjejme te shkollumin dhe te paditunin, gegen edhe tosken,  kosovarin dhe camin. Ajo ashte filozofi gjitheperfshirse dhe jo perjashtuese. Ajo nuk asht filozofi Elitash apo te ashtequjtura elita. Aty asht gjithsecili qe e ndjen se shqiptareve u duhet nji shtet. Pikerisht per kete  Abaz Kupi e gjeti vedin ne ate filozofi qe dalengadale u personifikua me te.

Pjesmarrja ne xhandarmarine e famshme shqiptare, qe karakterizohej nga besnikeria e larte ndaj shtetit, ia rriti atij reputacionin ne shkalle vendi. Ai kontriboi me pushke ne dore per shkaterrimin pa meshire te levizjeve te Shales, Mirdites, Delvines dhe Fierit, te cilat jane te miredokumentuara si levizje te frymezuara nga shtete keqdashese ndaj Shqipnise per kohen. Habiten njerzit se si ia arriti Ahmet Zogu qe te bante qe te deshtonin te gjitha keto levizje antishtet, kurse shtetaret e Shqipnise se 1997-es, me gjithe ate ushtri e armatim nuk arriten me i tregu vendin Zani Caushit me shoke? Pergjigjja asht krejt e thjeshte! Jane keto burra si Abaz Kupi qe i munguan dhe vazhdojne t’i mungojne ketij shteti motra e vellazen.

Fakti qe Mbreti Zog ia besoj qendresen ne portin e Durresit ne ate kohe Major Abaz Kupit, na tregon shume gjana rreth Mbretit, Abaz Kupit dhe Shqipnise se kohes. Kolonel Selmani e analizon shume bukur ne librin e tij kete fakt. Mbreti nuk kishte besim te ushtria, meqe ajo kishte dhane sheja ne levizjen e Delvines dhe Fierit se ishte nen inflencen e Italise, vend ku shumica e oficereve ishin shkollu. Kjo nuk do me thane se Ahmet Zogu nuk kishte ushtrine me vedi, por se per faqe te zeze te disa oficereve, ashtu si dhe shume te tjereve qe hangren buken e turpit mbas 7 prillit te 1939, pranonin ma mire qe si mbret te kishin Viktor Emanuelin e Italise se Ahmet Zogun e Burgajetit. Perseri  Zogizmi, me pragmatizmin qe e karakterizon, u mbeshtet tek besnikeria ndaj shtetit, nderi e burrnia. E natyrisht besimi iu shperblye me Epope. Po, po Epope. Ajo cka Abaz Kupi dhe Ushtaret dhe Xhandaret e Mbreterise Shqiptare bane ate dite asht epopeja ma e lavdishme dhe e randesishme e shtetit shqiptar. Ajo defacto na rreshtoi ne krahun e Aleateve kunder Boshtit. Ne kujtimet e tij Ambasadori Grand na e shpjegon qarte se Mbreti e kishte te qarte se do te kishte nje lufte boterore, nga e cila do te dilnin fitues aleatet. Ai me bindje e rreshtoi Shqipnine drejt perendimit. Por, jetsimi  I ketij vendimi te zogizmit drejt Perendimit u krye nga epopeja e Abaz Kupit me shoke.

Ashte e vertete se cka bani Abaz Kupi me 7 Prill na flet per trimnine e burrnine e tij. Por, ajo qe ai bani pas kesaj dite per Shqipnine e Zogizmin na tregon shume per karakterin dhe filozofine e tij ne jete. Ishte kollaj me I qendrue Mbretit e Zogizmit besnik ndersa mbretnonte ne Shqipni, por ishte sacrifice dhe vetmohim me vazhdu ne ate rruge tuj u ende maleve te Shqipnise e kontinenteve te Botes.

Si pjese e planit aleat qe nepermjet Mbretit Zog te krijohej nje front antipushtim  Abaz Kupi u kthye ne Shqipni pas nji emigrimi te shkurter. Fisher e pershkruan keshtu arsyen pse  British Special Operation Executive (SOE) iu afruan dhe e angazhuan Abaz Kupin ne organizimin e rezistences kunder Italianeve: 1. Ai kishte nje force te konsiderueshme njerzish ne zona te caktuara: 2. Si lider I forcave zogiste ai kishte rreth tij te vetmet forca qe kishin njefare pergatitje ushtarake per kohen ne Shqiperi. Pra Abaz Kupi  I vuni pushken dhe nuk e priti me lule pushtimin italian, as I thirri clirimtar, apo bani sehir. Mbretnoret vazhduan, ne koordinim me aleatet te banin organizimin e rezistences, sidomos ne Veri. Pra u luftua ndaj pushtuesve, per aq sa ishin mundesite, gjate 1939, 1940, 1941 dhe 1942. Deri me  1942-in komunistat nuk e kishin qite as edhe nje pushke. Abaz Kupi iu pergjigj pozitivisht thirrjes se komunistave per mbledhjen e Pezes. Ai iu bashkua Frontit. Fakti qe Abaz Kupi iu bashku Frontit I hoqi komunistave armen e propagandes kunder nacionalistave. Imagjinoni se cila do te kishte qene propaganda e tyre kundrejt zogistave sikur Abaz Kupi te mos merrte ate vendim. Nga ana tjeter qendrimete tij ndihmuan dhe historine tone qe te mund te lexojne qendrimet e Aleateve ndaj nacionalizmit ne Shqipni. Une them se Abaz Kupi I ka ba nderet me te medha Zogizmit gjate Luftes se Dyte Boterore, biles personalisht e coj deri aty sa pa dyshim them se nuk e lejoi me vdeke. Qendrimet e tij gjate kesaj Lufte ia cjerrin masken propagandes komuniste ndaj nacionalizmit e Zogizmit. Kjo ishte arsyeja qe Enver Hoxha me shoke  donin me e vra me cdo kusht.

Ideali I Shqipnise Etnike ishte vija ndarese mes nacionalizmit dhe internacinalizmit shqiptar. Ne Mukje, ai pa se Shqipnise i bahej nder me luftu komunizmin njisoj si pushtimin. Ai e kuptoi se ngadale Shqipnise po I bahej gati nji pushtim edhe ma I zi. Zogizmi zyrtarisht I vuni pushken komunizmit ate shtator te 1943. Kete lufte ai se pushoi deri sa vdiq. Kesaj lufte I sherbej edhe krijimi I Levizjes se Legalitetit, edhe pjesmarrja ne Komitetin Shqipnija e Lire. Ai bani te pamundunen per Shqipnine, fatet e se ciles ishin percaktu tjeter kund. Edhe pse u ndje I tradhtum nga aleatet, te cileve u ndejti gjithmone besnik, perseri per hater te zogizmit, nderit e burrnise, per hater te Mbretit reagoi me fisnikeri. Kujtimet e Xhuljan Emrit jane nje ilustrim I shkelqym I atyne diteve te trazume.  

Ne kete dite duhet me fole edhe per ato qe ai la ne Shqipni.  Vujtjet e tyne filluan me 11 prillin e 1939. Zogistat I kan fillu internimet dhe vuajtjet ne prillin e 1939. Qe nga ajo dite dhe deri diten qe iken nga internimet e Lushnjes ne vitet 90 nuk e pane nje dite te mire. Dhe pse? Sepse baba dhe gjyshi I tyne deshti dhe mbrojti Shqipnine, sepse baba  dhe gjyshi I tyne deshti qe Shqipnija te rreshtohej nga Aleatet, sepse baba dhe gjyshi I tyne deshti Shqipnine Etnike, sepse baba dhe gjyshi I tyne ishte besnik I Mbretit te Shqiptareve, besnik I Shqipnise. Shqiptaret I kane borxh nje “Na falni” te madhe kesaj familje e shume te tjerave.

Uroj qe Zoti i paste fale parajsen Abaz Ages!

Uroj qe familjes Kupi Zoti t’ua shperbleje vuajtjet.

Uroj qe shqiptareve tu ndricohen mendjet qe me nderue herojt e vet!

Falemnderes

*Fjalimi i kryetarit te Partise Levizja e Legalitetit per SHBA ne diten e perkujtimit te Gjeneral Abaz Kupit, organizuar me 11 Janar ne Queens, NY

Filed Under: Politike Tagged With: Hakik Mena-Abas Kupi-Perkujtim

Fotografi që flet sa një mijë fjalë…

January 10, 2020 by dgreca

-një bisedë imagjinare në atmosferën e Mini Shengenit Ballkanik/

Bisedë imagjinare në atmosferën e Mini Shengenit Ballkanik. Influenca Ruso-Turko-Serbe, tubacioni Moskë-Ankara për zhvlersimin e “TAP” , shitja e Kosovës, përccarja nga Tirana zyrtare, “vëllai i shqiptarëve” dhe armiqt historik të Kombit/

Nga Frank Shkreli*/

\“Vëllai i shqiptarëve” në takim me “miqtë” historikë të Kombit shqiptar/

Vuçiç, Erdogan, Putin në një takim në Turqi, ditët e fundit, për të inauguruar tubacionin e ri të gazit midis Rusisë dhe Turqisë – një shenjë tjetër kjo e një afrimi gjithnjë e më të madh midis Moskës dhe Ankarasë, jo vetëm në fushën energjetike, por edhe në fusha të tjera, përfshirë edhe bashkërendimin midis tyre, të politikave të përbashkëta për shtrirjen e influencës së tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor – përballë projektit për krijimin e një Mini Shengeni Ballkanik, propozuar nga Beogradi, i mbështetur nga Shqipëria, por jo nga Republika e Kosovës.

Në një bisedë imagjinare midis tyre, për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjatë atij takimi në Turqi, Erdogani i siguron miqtë e tij Vuçiç dhe Putin se shqiptarët, jo vetëm që nuk do të jenë pengesë për krijimin e të ashtuquajturit Shengen Ballkanik, madje Tirana zyrtare dhe kryeministri i atij vendi do të jenë mbështetësit më të zellshëm të kësaj nisme aq me rëndësi për interesat strategjike të gjithë nesh rreth kësaj tryeze, u ka thënë mysafirëve udhëheqsh turk, megjithëse Kosova nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij projekti.

Erdogani: “Kosova është Turqi. Ndërsa Shqipëria e konsideron Turqinë si vend strategjik të saj, pasi shqiptarët janë deklaruar si vëllezërit tanë, por edhe ne i konsiderojmë ata si vëllezër. Miku im i ngushtë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama më ka siguruar se Shqiptarët, jo vetëm që nuk do të kundërshtojnë, por do të mbështesin Mini Shengenin Ballkanik, siç u pa edhe në takimin e fundit në Durrës. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk ka nismë më të mirë se ky projekt, që të shtojmë influencën tonë të përbashkët në trojet shqiptare dhe t’i largojmë shqiptarët sa më shumë nga influencat perëndimore, duke marrë parasysh, natyrisht edhe interesat tona ekonomike dhe politiko-ushtarake që sjell Mini Shengeni Ballkanik për të gjithë ne rreth kësaj tryeze, në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, Erdogani falënderoi Vuçiçin për nismën dhe për miqësinë e tij me Kryeministrin shqiptar për ta bindur atë që jo vetëm të bëhet pjesë e këtij projekti por edhe për mbështetjen e tij të fortë që ai i ka dhënë kësaj nisme — sepse, sipas Erdoganit, pa pjesëmarrjen e Shqipërisë Mini Shengeni Ballkanik nuk do të ishte i plotë dhe, madje mund të dështonte krejtësisht.

Vuçiç: “Pikësëpari, të falënderoj nga zemra miku im Erdogan për mbështetjen e vendit tim gjatë viteve, sidomos për investimet e mëdha dhe strategjike që vendi yt ka derdhur në Serbi vitet e fundit si dhe për miqësinë tuaj me mua personalisht. Por, sidomos, të jam mirënjohës për përkrahjen që i kini dhënë këtij projekti, për të cilin unë kam punuar në heshtje dhe pa bujë, për aq shumë vjet, si një objektiv strategjiko-historik për rivendosjen e influencës, jo vetëm ekonomike serbe në Ballkan – që disa e cilësojnë si rithemelimi i ish-Jugosllavisë – por nga i cili do të përfitojmë të gjithë ne, pasi me këtë projekt, ne shërbejmë si derë e hapur edhe për ju të shtrini influencën tuaj në rajon. Por, më vjen keq të them se me gjithë sigurimet e Kryeministrit Rama që Kosova do të bëhej pjesë e kësaj nisme, fatkeqësisht, udhëheqësit e Kosovës kanë vendosur të pozicionohen kundër këtij projekti, tani për tani, që t’i bashkohen pra këtij projekti, por kam besim se miku ynë i përbashkët, Erdogan, si të qetësohet diçka atmosfera politike në Prishtinë, do të luajë kartat e nevojshme në Kosovë, ku siç e dimë të gjithë, ai gëzon edhe përkrahje të konsiderueshme atje.”

Ndërkaq, Putini, si një dhelpër e vjetër e dëgjon me vëmendje bisedën dhe bën sikur nuk është aq i interesuar – megjithëse i pëlqejnë shumë ato që thanë Vuçiçi e Erdogani, dhe brenda vetes kënaqet, kur të tjerët bëjnë punën e tij dhe të ish-KGB-së, anëtar i të cilës ishte dikur, si mjeshtër për të përfituar nga ujërat e turbullta politike kudo e, sidomos, në Ballkan, kur punën e bëjnë të tjerët në dobi të Rusisë. Në sipërfaqe, Moskovi, ashtu me durim e gjakftohtësi nuk tregon ndonjë shqetësim alarmues për përçarjet, për të cilat folën më përpara Erdogani e Vuçiçi, midis shqiptarëve në Tiranë dhe në Prishtinë. Përkundrazi, brenda vetes ndihet i kënaqur për mosmarrëveshjet midis shqiptarëve, jo vetëm për sa i përket projektit të Shengenit Ballkanik, por edhe për një mori çështjesh të tjera ndër shqiptare që duket se po keqësohen dita ditës. Për të cilat, fatkeqësisht, përfaqësuesit politikë shqiptarë –në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar–duket se nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për të vepruar në interesin madhor të Shqipërisë e të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta.

Më në fund ndërhyri edhe Putini: Mos u shqetësoni për mosmarrëveshjet dhe grindjet midis shqiptarëve, miqtë e mi! Në qoftë se shikoni historinë e tyre, kështu kanë qenë këta gjithmonë. Ju e dini edhe historinë tonë me ta. Madje edhe Stalini, para se të bëhej mik idhull i Enver Hoxhës, i kishte thënë jugosllavëve se për sa i përket atij, Shqipërinë ju mund ta hidhni në det. Kështu që, ne as sot as kurrë gjatë historisë nuk kemi pasur ndonjë interesim për shqiptarët, me përjashtim kur kemi mbrojtur interesat e vëllezërve tonë ortodoksë serbë. Kështu që edhe sot, politika e Rusisë ndaj shqiptarëve është si politika serbe ndaj shqiptarëve! Kur flas për historinë, miku im Erdogan e di këtë më së miri duke marrë parasysh periudhën 500-e ca vjeçare të okupimit otoman të trojeve shqiptare. Është kjo një traditë nga e cila shqiptarët ende as sot nuk janë shkundur. Ju duhet ta dini se, në qoftë se Shqiptarët, do të ishin vërtetë të bashkuar rreth interesave të tyre kombëtare, ata do të ishin pengesa më e madhe për realizimin e qëllimeve tona të përhapjes dhe të forcimit të influencës tonë në atë pjesë të Evropës. Prandaj, miqtë e mi, Erdogan e Vuçiç,mos derdhni lot për përçarjet midis shqiptarëve, duke pretenduar se gjoja doni edhe Kosovën të bëhet pjesë e Shengenit Ballkanik. Në të vërtetë, për realizimin e objektivave tona të vjetra në Ballkan, ne kështu na duhen shqiptarët: të ndarë e të përçarë. Prandaj mos u shqetësoni miqtë e mi! Ne i kemi sot shqiptarët, ekzatësisht, aty ku na duhen dhe si na duhen të jenë,për realizimin e interesave tona në Ballkanin Perëndimor, që një ndër to është ëndrra e Serbisë për të dalë në det.. Ju ndoshta nuk mund ta merrni me mend këtë, por Shqiptarët, ashtu siç janë sot të përçarë, madje edhe kur kemi të bëjmë me interesat më jetike kombëtare të tyre, të mirë e të këqij, shqiptarët janë tanët. Si të tillë, ne i shesim dhe i blejmë shqiptarët si të na teket dhe kur të na teket”, ka përfunduar Putini bisedën imagjinare midis tre udhëheqësve “miq”të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndërsa presidenti bullgar si pjesëmarrës në atë takim, i habitur për ato që dëgjoi në kurriz të interesave shqiptare në rajon, nga goja e gjoja miqve të shqiptarëve strategjikë, nuk tregoi ndonjë interesim që të merrte pjesë në këtë bisedë (imagjinare), pasi vendi i tij është tanimë anëtar i Bashkimit Evropian dhe plotësisht i integruar në organizmat euro-atlantike. Për më tepër, Bullgaria, ndryshe nga vendet e përfaqësuara nga udhëheqësit në takimin e mësipërm që u mbajt në Turqi ditët e fundit, ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë dhe Kosovën, në funksion të zhvillimit dhe orientimit të tyre euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Pasi dëgjoi këtë “bisedë”imagjinare midis trojkës së lartë përmendur, udhëheqësi bullgar falënderoi Zotin që vendi i tij është pjesë e një enti tjetër ekonomiko-ushtarak euro-atlantik, ku vendi i tij ka të drejta dhe përgjegjësi të barabarta me të gjitha vendet e tjera anëtare. Por, duke i thënë vetes se me “miq të tillë strategjikë”, shqiptarët nuk paskan nevojë për armiq, u largua nga ajo bisedë (imagjinare) shumë i shqetësuar për shqiptarët, duke menduar se sa keq na qenkan punët e shqiptarëve.

Është ky një shënim imagjinar për një bisedë imagjinare që mund të ketë ndodhur ose jo. Por, në të vërtetë, përshkruan një situatë mjaft reale, në marrëdhëniet aktuale midis udhëheqësve të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës – ndërsa, njëkohësisht, pasqyron debatin e ditëve dhe javëve të fundit në lidhje me projektin e ashtuquajtur Mini Shengenit Ballkanik të mbështetur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një debat ky që siç duket ka ndarë e përçarë shqiptarët si rrallë herë në historinë e tyre.

Na ka mbetur të shpresojmë se fatin e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë, ta ketë Zoti në dorë, për inat të armiqve që shtihen si miq të shqiptarëve, por edhe për “Inat të Djallit dhe të vet Shqiptarëve”, siç është shprehur dikur At Gjergj Fishta.

  • Ish Drejtor i VOA-s për Euroazinë*

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Fotografi qe flet-Nje mije fjale

Yuri Kim bën betimin si ambasadore e SHBA në Shqipëri

January 9, 2020 by dgreca

Yuri Kim bëri të enjten betimin si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Zonja Kim, u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Ajo ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim ka thënë gjithashtu se do të inkurajojë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi. Ajo është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Zonja Kim pritet gjithashtu të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.(VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: Yuri Kim-betohet-Ambasadore Shqiperi

ËSHTË KARRIGE SHUMË E LARTË AJO KU DIKUR JANË ULUR NOLI E KONICA …

January 8, 2020 by dgreca

Nga Marjana BULKU/*

– Vendimet e vështira kërkojnë njerëzit e duhur pranë, ata që dijnë ta ruajnë dhe mbrojnë nderin me NDER dhe jo me VRER./

– Ata janë diku në veprat e tyre të përditëshme pa zhurmë e bujë e që Vatrën e bëjnë po aq të përjetëshme sa edhe historia e saj duke e dashur, shkruar dhe respektuar sistematikisht për të, madje edhe pa pretenduar ta drejtojnë atë./


Pyeta një njeri të madh ( intelektual dhe patriot i mendimit dhe veprimit) mbi zhvillimet e fundit në Vatrën Pan-shqiptare si dhe mbi opsionin e kandidimit të tij si kryetar i kësaj Federate, më të vjetrës dhe jetëgjatës në historinë shqiptare brenda  dhe jashtë kufijve ku jetojnë shqiptarët, e cila këto ditë janari pritet të zhvillojë zgjedhjet e radhës .Dhe përgjigja e tij ishte e thjeshtë:

 “Jo, është një karrige shumë e lartë ajo ku dikur janë ulur Noli e Konica.”

E mora  këtë përgjigje jo thjeshtë si një “Jo” por si një reflektim mbi situatën e pazakontë që krijojnë ambicjet e vogla të cilat i shndërron në konflikte dhe akte aspak të këndëshme pikërisht mos reflektimi i thellë për çka duan ti ofrojnë kësaj Zonje qindravjeçate që na ruajti nderin si komb në ditët më të vështira dhe historinë si pasqyrë e realiteteve të njohura e të panjohura, të lashta e të reja.

Ajo “JO” e prerë e njeriut që nuk reshti kurrë së shkruari për Vatrën edhe pse detyrat dhe angazhimet e shumta e tejkalojnë normalen, m’u duk si një thirrje e fortë pêr të parë dhe kuptuar thellë brenda vlerave tona, atyre që nuk thërrasin, shajnë, ngrejnë zërin apo rebelohen, ato janë të shkruara në vepra e akte , ngjarje e ndodhi të nxitura nga vullnete të jashtzakonshme të cilat prodhojnë individualitete që nuk ke rast ti takosh rëndom. Ky lloj protagonizmi intelektual dhe patriotik, njerëzor dhe mendimtar sistematik i bën ballë çdo lloj protagonizmi karrierist,  konfliktual që sot është bërë i përditshëm në media, politikë, shoqëri dhe kudo.

Ajo -Jo – e prerë nuk është pafuqi as joshpresë as kapitullim ndaj progresit apo udhëkryqeve plot sfida me të cilat arena shqiptare po përballet si brenda Shqipërie po ashtu edhe jasht saj por një thirrje për maturim dhe urtësi e pse jo debat të hapur të arsyjes ku arsyjes i duhet lënë gjithmonë vend. Ishte një thirrje për të vënë në krye të Vatrës, në mos jo një korife, si Noli e Konica, të paktën një shqiptar që bota e njeh pak më përtej lagjes së vet.

Ka disa jo refuzuese që të fusin në mendim përballë po-ve që u bien gjokseve në vetën e parë dhe rrjeshtave pro atyre kundër e ku të gjithë humbasim, kohën, vlerat.

Se ç’mu kujtuan sot ( pêr dreq) kreshnikët e Shqipërisë së veriut që netëve të gjata të dimrave të egër matnin arsyetimin, jo me votë por me thellësi mendimesh e veprimesh. Vendimet e vështira kërkojnë njerëzit e duhur pranë, ata që dijnë ta ruajnë dhe mbrojnë nderin me NDER dhe jo me VRER.

Ata janë diku në veprat e tyre të përditëshme pa zhurmë e bujë e që Vatrën e bëjnë po aq të përjetëshme sa edhe historia e saj duke e dashur, shkruar dhe respektuar sistematikisht për të, madje edhe pa pretenduar ta drejtojnë atë. Në fakt Vatra më shumë se askujt tjetër është e atyre dhe ata më shumë se askush tjetër janë Vatranët e vertetë.

  • Marjana Bulku eshte anetare e Kryesise se Vatres.

Janar 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Marjana Bulku-Për nder të Vatrës

ERVIN DINE: VATRA E SHEKULLIT XXI DUHET TË KRIJOJË HAPSIRA PËR RININË

January 6, 2020 by dgreca

Debatet destruktive nuk i shërbejnë Vatrës dhe interesave të shqiptarëve./

  • Me dorëheqjen e z. Mishto, nuk ka alternativa të tjera përveç Kuvendit të 19 Janarit. Alternativat e dyta dhe të treta janë humbje kohe për Vatrën dhe trojet Shqiptare. Ne duhet të punojmë fort për ta bërë Vatrën një zë të fortë për të gjithë shqiptarët, zërin kundërshtar të padrejtësisë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi./

          Këto dy vitet e fundit në Vatër janë afruar disa të rinj, të cilët premtojnë se do ta çojnë më tej atë punë kombtare që bënë paraadhësit tanë ndër vite. Edhe pse këta të rinj erdhën në kohë debatesh e mllefesh, kur disa po luajnë zhurmuesin për t’ia errësuar të tashmen Federatës, këta nuk janë stepur, por po vazhdojnë të punojnë dhe të ruajnë qetësinë. Një ndër këta të rinj është Ervin Dine, i biri i të burgosurit politik të diktaturës komuniste shqiptare, Dine Dine, i lindur në kampin e internimit në Gjazë-Lushnjë. Ervini është pjesë e Komisionit të përgatitjes të Kuvendit të Vatrës që i zhvillon punimet me 19 Janar 2020 në Michigan.I diplomuar në akademinë Ushtarake ‘Valley Forge Military Academy’ në Pennsylvania, si dhe në Shkenca Politike në Columbia University, New York, një menaxher i zoti, që prej 6 vitesh drejton Shtetin e Conncecticut për Enterprise Holdings, Ervini ka se cfarë t’i japë Vatrës. Po cfarë mendon ai për të sotmen dhe të ardhmen e Vatrës, për debatet e dy viteve të fundit, për Kuvendin e Vatrës? Ndiqeni intervistën që i mori editori i Diellit, Dalip Greca.

      ***

DIELLI- A mund të prezantoheni për lexuesit e Diellit: Kush është Ervini?

ERVIN DINE – U linda në kampin e internimit në Gjazë të Lushnjës. Në moshën një vjeçare, babai im u dënua me burg me akuzën për agjitacion dhe propagandë. Jam rritur nga nëna ime dhe gjyshërit. Në vitin 1990, pas rënies së regjimit komunist, emigruam familjarisht në Romë, Itali, ku kërkuam azil politik për në SHBA. Pas aprovimit të kërkesës, në Maj të 1991, emigruam në SHBA. Aktualisht kam mbaruar akademinë Ushtarake ‘Valley Forge Military Academy’ në Pennsylvania, si dhe jam diplomuar në Shkenca Politike në Columbia University, New York. Për sa i përket karrierës sime profesionale, prej 6 vitesh drejtoj Shtetin e Conncecticut për Enterprise Holdings, ndërsa synoj pozicionin e Zv. Presidentit. 

DIELLI-  E kujton largimin nga Shqipëria?

E. DINE- Momenti i largimit nga Shqipëria është një episod sa i vështirë aq edhe i dhimbshëm në jetën time. Ishte një perzierje e kureshtjes dhe dëshirës së ikjes drejt vendeve të reja, boshllëkut të largimit nga vendi im dhe dhimbjes për lënien pas e njerëzve të dashur. Ende e ruaj në kujtesë momentin kur hipa për herë të parë në avion, gëzimin prej fëmije dhe një vorbull ndjenjash të destinuara për të mos u shuar kurrë. Gjatë jetesës sime prej 20 vitesh në SHBA, më ka shoqëruar ndjenja e boshllëkut dhe mungesës së vendit tim. Shqipëria mbetet për mua vendi ku robërohet shpirti, një mall fisnik.

DIELLI-  Ju jeni lindur në kamp internimi. Çfarë ruani në kujtesë?*

E. DINE – Unë u linda i cilësuar si armik, i dënuar të rritem pa babanë pranë, mes torturave fizike e psikologjike. Gjatë gjithë fëmijërisë sime më kanë shoqëruar etiketime si: “kulak” dhe “armik”, por kurrë nuk kam arritur të kuptoja arsyen. Gjithmonë jam përpjekur të gjeja diferenca midis meje dhe njerëzve që më rrethonin për të kuptuar arsyen se, përse njerëzit dhe instancat na trajtonin si qenie që nuk i përkisnim atij vendi. Do të doja të shkëpusja një moment nga periudha ime në shkollë, në klasën e katërt. Ishte periudha kur bëheshin demaskimet në kinemanë e sektorit. Realisht, nuk e kuptoja se çfarë ishte demaskimi, por duke dëgjuar nga familjarët, e dija që nuk ishte gjë e mirë. Atë ditë në kinema do demaskonin Frida Sadedinin, e cila ishte mike e familjes sime. Mësuesja na porositi: “kur të dali kjo armike duhet ta pështyjmë në fytyrë”. Duke e ditur se, një gjest i tillë do të zemëronte nënën time, vrapova jashtë kinemasë për në shtëpi. Kur shkova ditën tjetër në shkollë, mësuesja po më priste tek dera dhe filloi të më godiste para klasës duke thënë: “ky djalë armiku nuk e pështyu atë armiken tjetër”. Fatkeqësisht, unë nuk isha i vetmi fëmijë që përballej me skena dhe tortura të tilla. Kujtoj kohën kur të moshuarit shkonin në apel se ishin të detyruar, ndërsa unë shkoja se ndihesha i rritur, një fëmijë i rritur nga sfidat e sistemit. Për fat të mirë ruaj në kujtesë edhe momente nga njerëzit lokal të Gjazë dhe Savër, të cilët na trajtonin me respekt. I tillë ishte mësuesi Sif Davidhi, i cili ishte miqësor dhe më çlironte nga ndjesia e të cilësuarit armik. Përtej gjithë momenteve të vështira me të cilat njerëzit e asaj kohe u përballën, ruaj një konsideratë të veçantë për mënyrën dinjitoze që ata rezistuan. Ndër ta ishin xhaxhallarët e mi, të cilët nuk iu përulën sistemit pavarësisht sfidave. Këta njerëz fisnikë i rezistuan një ndër sistemeve më të egra në botë, rritën fëmijët e tyre me dinjitet dhe dashuri për vendin. 

DIELLI. Babai juaj, ish i burgosur politik, në romanin e tij “Mbi Varkën e Karontit”, të përmend tek skena e Gjyqit. Natyrisht ju ishit fare i vogël, por si e përjeton sot tek lexoni librin e atit tuaj?

E. DINE – Nuk mbaj mend ndonjë gjë nga ajo skenë, pasi nuk kam qenë as një vjeç, por vite më vonë kujtoj rrugët drejt burgjeve me nënën time. Një ndër momentet e vështira ka qenë koha kur në Qaf Bari duhet të flinim në korridor, sepse nuk na jepnin dhomë hoteli për shkak të biografisë së keqe. 

DIELLI: Shtresa e ish të përndjekurve politik është ndër më të zhgënjyerat nga klasa politike në këto 30 vjet pluralizëm. Ju ç’mendim keni?*

E. DINE – Së pari, mendoj se nuk ekziston diçka e tillë siç është shtresa “ish të përndjekurve”. Të përndjekurit politikë vazhdojnë të jenë po aq të përndjekur sa kanë qenë 30 vite më parë. Mendoj se, në Shqipëri nuk ka ndodhur asnjëherë një integrim i të përndjekurve politikë në shoqëri. Do të veçoja këtu disa personazhe të cilët kanë arritur pozita të larta politike dhe kanë përfituar nga politika, ndërsa pjesa tjetër e të përndjekurve vazhdojnë të vuajnë në gjendje të mjeruar. Veçanërisht, debatet e fundit politike të kujtojnë luftën e klasave. Çfarë vendi mund t’i jepet një të përndjekuri, kur një tip si Spartak Braho jo vetëm që brohoret broçkulla si në diktaturë, por mban dhe postin e deputetit?! Nuk mund të kemi integrim të të përndjekurve pa pasur dënim të krimeve të komunizmit. Qeveria Rama jo vetëm që nuk ka dënuar krimet e komunizmit, por me marrjen e të gjitha strukturave qeveritare po shkon drejt diktaturës.

DIELLI-  Ju keni shërbyer edhe në Ushtrinë Amerikane. Ç’mund të thuash për atë përvojë?*

E. DINE – Kam shërbyer për 8 vjet në United States Marine Corps. Për mua ishte një eksperiencë e veçantë, e cila më ka shërbyer si në aspektin shpirtëror po ashtu edhe për të krijuar lidhje vëllazërore të cilat vazhdojnë edhe sot. 

Shërbimin ushtarak në Amerikë e kam parë si një mundësi më shumë për karrierë politike. Vendimin për të shërbyer në ushtrinë Amerikane e mora me synimin për t’u kthyer dhe ndjekur një karrierë politike ne Shqipëri. Në atë kohë, në moshën 20 vjeçare, mendoja se eksperienca ushtarake dhe shkolla në Columbia University do të më hapte shumë dyer në vendin tim. Pas eksperiencës së fundit e kuptova se, mendimet e mia prej një të riu naiv dhe idealist, ishin larg realitetit shqiptar.

DIELLI:  Keni shërbyer edhe në Kosovë, diçka më shumë rreth qëndrimit atje.

E. DINE – Eksperienca në Kosovë ka qenë ndër më të bukurat. Ishte si një rikthim në vendin tim, por këtë herë me një mision të madh. Në ato gjashtë muaj shërbim në zonën malore të Kaçanikut jam ndier më tepër si ushtar në shërbim të vendit tim, se sa si ushtar i Marinës Amerikane. Pavarësisht vuajtjeve nga lufta dhe vështirësive ekonomike, Shqiptarët e Kosovës na pritën si pjesëtarë të familjes. Ata edhe një herë risollën në vëmendje traditat dhe zemrën bujare të shqiptarëve.

DIELLI: Keni studiuar Shkencat Politike në Columbia University. A nuk ju ndihmoi ky fakt për të fituar në garën elektorale në Shqipëri? Ç’mendon për rregullat e lojës elektorale atje?

E. DINE – Ashtu si e përmenda më sipër, të paturit avantazh në një garë politike, sepse zotëroj diplomë nga një ndër universitetet më me emër në botë, ishte një ide naive, pasi realiteti në Shqipëri është i ashpër. Me sa duket atje vlerësohet më tepër dinakëria dhe veset se sa intelekti dhe inovacioni. Mendoj se partitë e vogla janë në disavantazh pa filluar ende gara. Sistemi elektoral është i thyer dhe i korruptuar, veçanërisht me qeverinë e sotme dhe paratë e drogës. Vjedhja e votës është dëmi më i madh që mund të ndodhë në një sistem politik që synon të shkojë drejt demokracisë. Është e qartë që me sjelljen qeveritare Shqipëria po shkon në drejtimin e gabuar. 

 DIELLI- Ju keni 2 vjet që jeni afruar në Vatër, përse tani, dhe jo më parë?

E. DINE – Më tepër se arsye, do t’i quaja kushte jo të favorshme. Së pari, ka qenë pamundësia fizike për të marrë pjesë për shkak të shërbimit ushtarak. Së dyti, kur isha në universitet, kisha dëshirë që të organizoja një seksion rinor të Vatrës, gjë e cila pas prezantimit si ide kaloi në heshtje pa një përgjigje. Kur z. Mishto u bë kryetar, të cilin nuk e kam njohur personalisht më parë, më tërhoqi dëshira e tij për të angazhuar rininë në Vatër. Z. Mishto i ka dhënë Vatrës energjinë e munguar. Kjo duket qartë nga rritja e anëtarësisë dhe mbushja e sallës për evente të ndryshme që ka organizuar federata. Për këto arsye, bashkë me z. Agustin Mirakaj, jemi angazhuar me dëshirë këto dy vitet e fundit.

DIELLI- Po vazhdoni rrugën e babait tuaj, i cili sapo erdhi në SHBA u bashkua me Vatrën dhe është ende pjesë e strukturave të Vatrës. Si e ka pritur babai afrimin tënd me Vatrën?  

E. DINE – Pas ardhjes në Amerikë, babi gjeti një shtëpi të dytë në Vatër, duke u angazhuar kështu në mbledhje dhe evente. Angazhimin tim aktiv ai e shikon në aspektin pozitiv të vazhdimit dhe rritjes së Vatrës, si përgjegjësi e jona. Po ashtu e shikon negativisht, pas trazirave të fundit, ku dhe është i mendimit për mospërfshirjen time në debate që nuk i shërbejnë Vatrës dhe interesave të shqiptarëve të Amerikës. 

DIELLI- Çfarë vizioni keni për Vatrën e shekullit të dytë?* 

E. DINE – Së pari, do të doja të shprehja mirënjohjen dhe vlerësimin tim për ata idealistë dhe patriotë, të cilët kanë mundësuar vazhdimësinë e Vatrës deri në ditët e sotme. Po ashtu, do të sugjeroja konsultimin dhe hapjen ndaj risive si pjesë e vazhdimësisë së mëtejshme. Duke qenë se jemi në kohën e internetit, Vatra duhet të futet këtë shekull si organizatë në aspektin teknologjik, financiar dhe politik. Për të realizuar këtë, duhet të krijojmë hapësira për të rinjtë, të cilët zotërojnë njohuri intelektuale, teknologjike dhe profesionale në fusha të caktuara. Po ashtu duhet të jemi më të hapur ndaj debateve konstruktive-jodestruktive. Unë mendoj se, me angazhimin dhe energjinë e rinisë, konsultimin e atyre, dhe me eksperiencën aktuale në Vatër, Vatra do të bëhet më e fortë se kurrë. 

DIELLI: A po i ndiqni debatet e dy viteve të fundit në Vatër, veçanërisht këto kohët e fundit? Cili është gjykimi juaj dhe mesazhi?

E. DINE – Ashtu siç e përmenda më lart, mendoj se debatet në Vatër janë destruktive dhe nuk i shërbejnë Vatrës dhe interesave të shqiptarëve. Vatra dhe të gjithë vatranët duhet të shërbejnë si një shembull për Politikën Shqiptare dhe jo të bëhen pjesë e saj. Trajtimi i disa vatranëve dhe sjellja e tyre ndaj z. Mishto dhe familjes së tij lënë për të dëshiruar. Sulmet ndaj tij kanë filluar që javën e parë mbas kuvendit, pa i lejuar kështu hapësirë për të punuar. Edhe pse jetojmë në SHBA, nuk jemi të aftë të ndjekim shembullin e qeverisë Amerikane. Në fushatë mund të thuhen shumë gjëra, ndoshta edhe fyese, por kur zgjidhet presidenti, ai që ikën për hir të Amerikës nuk e kritikon të riun. Po ashtu, ekzistojnë shembuj se disa ish presidentë, (Bush – Clinton) janë bashkuar për akte bamirësie. 

DIELLI: Si e mendoni Kuvendin e 19 Janarit në Michigan?*

– Si pjesë e komisionit për kuvendin, mendojmë se do të bëhet një kuvend i rregullt. Me dorëheqjen e z. Mishto, nuk ka alternativa të tjera përveç kuvendit. Alternativat e dyta dhe të treta janë humbje kohe për Vatrën dhe trojet Shqiptare. Ne duhet të punojmë fort për ta bërë Vatrën një zë të fortë për të gjithë shqiptarët, zërin kundërshtar të padrejtësisë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

DIELLI- Faleminderit për intervistën. Ishte kënaqësi që biseduam.

Ervin Dine: – Faleminderit Juve. Kënaqësia ishte imja.

INTERVISTOI:DALIP GRECA

Filed Under: Politike Tagged With: Ervin Dine- Vatra-Kuvendi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 384
  • 385
  • 386
  • 387
  • 388
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT