• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË FAJËSONTE DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË

December 27, 2019 by dgreca

KUR KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË FAJËSONTE DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË PËR MUNGESË PLATFORME STRATEGJIKE KOMBËTARE/

                                         Nga Frank Shkreli/

Duket se “minishengeni ballkanik” që po promovohet me entuziazëm nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, e ka ngritur kaosin e rëndë të politikës kombëtare në një nivel tepër të rrezikshëm për interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi.  Kjo politikë e ndjekur nga Kryeministri Edi Rama, me të drejtë po kritikohet ashpër nga udhëheqsit dhe nga populli i Kosovës, por jo vetëm – si një politikë që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendosë përsëri Beogradin në qëndër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re” e cila i hapë dyertë edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës. 

Si përfundim i kësaj politike, të cilën Kryeministri Rama e rivërtetoi dhe e mbrojti me këmbëngulje edhe njëherë në mbledhjen e fundit të udhëheqsëve të vendeve anëtare të “minishengenit” të ardhëshëm ballkanik që u mbajt në Durrës – ngriti mospajtimin kombëtar midis shqiptarëve, në një nivel tepër të rrezikshëshm, sa nuk është parë ndonjëherë më parë.  Nuk jam i sigurt nëse vet Kryeministri Rama, qeveria e tij ose mbështetsit e Kryeministrit shqiptar kudo qofshin ata, janë të vetdijshëm për rreziqet që paraqet një politikë e tillë për interesat politike, ekonomike dhe ushtarake afat shkurta dhe afat gjata, jo vetëm për Shqipërinë por për Kombin shqiptar në përgjithësi.  Kjo politikë, nëqoftse vërtetë vazhdohet të mbrohet kështu deri në marrëveshje përfundimtare me Beogradin, është një politike e rrezikëshme, seriozisht e dëmshme, një kërcënim aktualisht i pranishëm, një politikë që urgjentisht duhet të bërtasë me të madhe për kufizmin e menjëhershëm të kompetencave të Kryeministrit për tu marrë me këtë subjekt, në krye të vet, i vetëm, si një individ, pa u këshilluar me asnjë prej institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë parlamentin – ose e me udhëheqsit legjitim shqiptarë të Repiublikës së Kosovës për të gjetur një gjuhë dhe qëndrim të përbashkët, për një çështje kaq madhore për interesta kombëtare.

Mungesa e këshillimeve në radhët e udhëheqësve shqiptar për një politikë aq me rëndësi për interesat kombëtare, jo vetëm është skandaloze por mund të jetë edhe kriminale ndaj interesave kombëtare. Në shtator të vitit 2018, Kryeministri i Shqipërisë, (SHIKO ARTIKULLIN TIM MË POSHTË, BOTUAR më 24 Shtator, 2018), gjatë një interviste në programin televiziv të Blendi Fevziut, Z. Rama ngarkoi me faj diasporën shqiptare në Amerikë për mungesën e këshillimeve.  “Ku është diaspora shqiptare në Amerikë”, bëri ai një pyetje retorike duke folur për lajmet e atëhershme për “ndryshim kufijsh” midis Serbisë e Kosovës, gjë për të ciën pretendoi se ai nuk ishte këshilluar as informuar nga Prishtina zyrtare.  Një vit më parë, Kryeministri shqiptar bënte thrirrje “për një proces”.  Ku është sot “procesi” për “minishengenin”, Z. Kryeministër?  Cili është Rama i vërtetë?   Ai i vitit të kaluar, a po ky i sodit?  Cila është strategjia kombëtare e platformës tuaj për “minishengenin” ballkanik, Z. Kryeministër” dhe ku janë këshillimet me institucionet përkatëse të dy shteteve shqiptare?  Z. Kryeminsitër, nuk është roli i diasporës shqiptare në Amerikë të përpilojë platforma strategjike kombëtare por e udhëheqësve politikë shqiptarë në të dy anët e kufirit, në konsultim me institucionet përkatëse qeveritare dhe shtetërore të bëjnë një gjë të tillë – sidomos për ëçshtje me rëndësi siç është “minishengeni” ballkanik.  Fatkeqsisht, ju me këshilltarët tuaj po silleni “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”, një akuzë kjo që ju ia drejtuat të tjerëve, një vit e ca më parë.

————————————————————————————————-

ÇKA PO NDODHË KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE

24 Shtator, 2018

Ka disa javë që flitet seriozisht tani për shkëmbime territoresh, ndreqje kufijsh, korrigjim ose për diçka krejtësisht tjetër, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, varësisht reagimeve se kush e thotë dhe kur e thotë.  Sot e kësaj dite askush nuk e di dhe askush nuk thotë se si dhe pse, ky subjekt filloi të diskutohej për herë të parë publikisht, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Sot, jemi për shkëmbim territoresh, nesër për ndreqje kufijsh, ose diçka tjetër.  Kriza e parë e pas luftës në Kosovë, në nivel kombëtar, i gjen udhëheqësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të papërgatitur, të zbuluar, krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide dhe pa asnjë strategji politike-kombëtare se si duhet shkuar përpara.  Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa asnjë marrëveshje ose vizion të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht.  E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare. Ekziston pra-një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa dëgjojmë komentet e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Prishtinë dhe në Kosovë, është e qartë se në radhët e tyre – në lidhje me këtë çështje – ekziston një hendek i madh, një pështjellim i madh idesh, pa rregull e pa organizim, një gjendje kaotike, të cilës nuk mund i gjendet filli. Kjo gjendje kaotike vihet re nga komunikimet dhe komentet e udhëheqësve të Kosovës, drejtuar prej së largu ndaj njëri tjetrit, mbi shkëmbimin e territoreve ose ndreqjen e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës – në një kohë, që ju siguroj, se Serbia është e bashkuar për ato që kërkon dhe çfarë pret si përfundim i këtij procesi, siç duket, i planifikuar mirë dhe i promovuar prej saj prej kohësh, pikërisht, në këtë moment – për qëllimet strategjike afatgjata të Beogradit dhe padronëve të tij rusë, në Kosovë dhe në Ballkan. Në këtë kaos politik kombëtar dhe konfuzioni, fatkeqësisht, bën pjesë edhe Tirana zyrtare, të pakën ky është mendimi im pasi dëgjova pjesë të komenteve të Kryeministrit Edi Rama në emisionin televiziv shqiptar, “Opinion”, para disa ditësh, ku kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk di “asgjë” për këtë çështje, kur u pyet nga gazetari, nëse kishte dijeni se ç’po ndodhte. Pyetjes, nëse “Presidenti Thaçi ju ka informuar për këtë çështje, Kryeministri Rama u përgjigj: “Jo. Kur them jo, them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin, që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet dhe të bëj komente.”  Çështja e kufijve të Kosovës, tërësia e saj territoriale, pavarësia dhe sovraniteti i saj si shtet, janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, e sidomos për Tiranën zyrtare.

Është pak e çuditshme që udhëheqësi shqiptar shprehet, se nuk di gjë për këtë çështje, ndërkohë që përdor një mjet publik të informimit të komunikojë prej së largu në lidhje me këtë temë – ndonëse e vështirë dhe e ndërlikuar – me udhëheqësit e Kosovës, Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, në vend që të takohet me ta, me qëllim që të arrijnë në një qëndrim të përbashkët kombëtar midis tyre, në bashkërendim me aleatët perëndimorë të shqiptarëve, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë. Ndërkaq, nëpërmjet programit “Opinion”, Z. Rama u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që për këtë çështje të “krijojnë një proces”, përfshirë edhe një “konsultim me diasporën shqiptare në Amerikë”. “Tani pse nuk shkojnë ta pyesin diasporën shqiptare të Amerikës sot? Ku është diaspora shqiptare e Amerikës? Të gjithë ata kontributorë të pavarësisë së Kosovës, që lanë pasurinë për të blerë armë për Kosovën, sot janë viktima njësoj si ju, s’po fus veten time, që bëjnë diskutime dhe nuk kemi një proces. Ku janë njerëzit që merren me historinë? Që do të thotë, ne na duhet një proces”, është shprehur kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në TV Klan. Më herët, Kryeministri Rama kishte pranuar me të drejtë në programin “Open” të televizionit Top Channel se,”Për dialogun Kosovë – Serbi mungon një platformë strategjike kombëtare”. Absolutisht e vërtetë, por kush duhet ta përpilojë këtë strategji, Z. Kryeministër? Kjo duhej të ishte bërë shumë më herët nga Prishtina dhe Tirana zyrtare dhe jo nga “Diaspora në Amerikë”. Ky nuk është roli i diasporës shqiptare, pasi falë nderës Zotit sot i kemi dy shtete shqiptare legjitime, të njohura ndërkombëtarisht, të cilat duhej të kishin përpiluar një strategji kombëtare me kohë, jo vetëm për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por për shumë çështje të interesit kombëtar. Udhëheqësit shqiptarë, në Tiranë dhe në Prishtinë– sipas orekseve të momentit – kanë deklaruar gjysmën e botës si vende strategjike të Shqipërisë dhe të Kosovës, por nuk kanë përpiluar një strategji kombëtare dhe ky nuk është faji i Diasporës shqiptaro-amerikane.

     E vërtetë se Diaspora shqiptare e Amerikës, është këtu, Z. Kryeministër. Sot më pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, fatkeqësisht, falë edhe politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e Diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara. Ky proces për një strategji kombëtare për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin me të drejtë ju bëni thirrje dhe që është tepër i nevojshëm, nuk i takon Diasporës shqiptare në Amerikë që ta fillojë, por udhëheqësve legjitimë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët, falë votës së shqiptarëve, ua kanë besuar atyre fatin e Kombit. Ky moment historik, siç e cilësuat edhe ju Z. Kryeministër, kërkon një bashkim idesh dhe një qëndrim mbarë-shqiptar për bisedimet me Serbinë dhe jo vetëm, ashtu që të mos dukemi para botës, siç u shprehët edhe ju në programin Opinion”, “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”. Është një fakt i njohur tanimë, se komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka luajtur dhe duhet të luajë edhe sot rolin që i takon, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në trojet e veta, pranë enteve më të larta qeveritare dhe jo qeveritare, si dhe publikut dhe medias amerikane këtu në Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë, gjatë dekadave – atëherë kur shqiptaro-amerikanët konsideroheshin si “armiq” të Shqipërisë nga regjimi komunist enverist dhe kur Kosova pësoi të këqija e mundime nën fashizmin serb – ky komunitet ka luajtur rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica fillim shekullin e kaluar e deri në kohët moderne. Komuniteti shqiptaro-amerikan, e kishte të qartë misionin e vet gjatë shekullit të kaluar dhe në fillimin e këtij shekulli. Shembjen e komunizmit në Shqipëri, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga zgjedha shekullore serbe, duke siguruar mbështetjen amerikane për të drejtat e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në Ballkanin Perëndimor. Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje politike, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në të kaluarën jo të largët. Edhe organizimi më efikas i Diasporës shqiptare në Amerikë dhe gjetiu duhet të jetë pjesë e një platforme strategjike kombëtare, që ka përmendur Z. Rama, por diaspora nuk i ka as mjetet, as njerëzit dhe as organizmin për të qenë një nismëtare e një procesi të tillë. Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry duke iu drejtuar përfaqësuesve të diasporës në Amerikë, tre vjet më parë, është shprehur se, “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtme më gjithëpërfshirëse. Komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe përfaqësuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”. Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në qoftë se Tirana dhe Prishtina zyrtare dëshirojnë të konsultohen për angazhimin e Diasporës për marrëdhënie më të mira me to, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që gëzonte dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë. Dekadat e viteve ’80 dhe ’90, të shekullit të kaluar konsiderohen si periudha e artë e unitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një kauze të shenjtë dhe një udhëheqësi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të shqiptaro-amerikanëve pa dallim –por si rrjedhim – Presidenti Rugova siguroi shpejt edhe respektin e zyrtarëve më të lartë amerikanë – si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore. Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit. Kjo, fatkeqësisht, nuk është më! Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë viteve ’80 dhe ’90, si dhe në fillim-shekullin e ri në të cilin jemi, është zëvendësuar tashti me pagesa jo transparente ose gjysmë transparente, prej qindra mijëra dollarësh, dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqësit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend.

Nevojitet pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq, për një partneritet të vërtetë alla-Rugovian me Diasporën shqiptare, pasi përpjekjet e deritanishme për të organizuar më mirë Diasporën shqiptare në përgjithësi, kanë dështuar, me gjithë krijimin e Ministrive të Diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë. Roli dhe angazhimi i Diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos në fushën e politikës së jashtme, jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës Euro-Atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Konsultimet e Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare me Diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara do të ishin në rregull, por Diaspora shqiptare në Amerikë nuk e ka shkaktuar kaosin aktual në politikën kombëtare shqiptare dhe nuk është e drejtë që tani t’i kërkohet asaj ndihmë që t’ia gjejë fillin. Dikur kjo Diasporë ishte shumë efektive në ekspozimin – para Washingtonit zyrtar dhe popullit amerikan – të krimeve dhe shkeljeve të drejtave të bashkëkombësve tanë, anë e mbanë trojeve shqiptare, nga fqinjët djallëzorë, por është tepër e vështirë për diasporën, që para miqve tanë amerikanë të drejtojmë gishtin e akuzës ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare e politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë dhe më gjerë.

Filed Under: Politike Tagged With: Diaspora ne SHBA, Frank shkreli

Kosovë-30 vjet LDK: Për Liri, Pavarësi, Demokraci

December 23, 2019 by dgreca

-Lidhja Demoratike e Kosovës-LDK shënon sot 30 vjetorin e themelimit/

-Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë/

-Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”/

-Nga arkivi: Shqiptarët Vatranë nga Amerika aty ku u themelua LDK…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2019/ Shënon sot 30 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Ishte koha kur po para 30 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugovau zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në jubileun e 30 vjetorit të themelimit, Lidhja Demoratike e Kosovës sot në mesditë mbanë një manifestim festiv, ndërsa paradite Kryesia bashkë me strukturat e partisë i bëjnë homazhe themeluesit – Presidentit historik Rugova.

Para 14 viteve, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, të fundit që Rugova e shënonte, ai ritheksonte se partia që e drejtonte që nga fillimi “objektiv qendror e ka njohjen e pavarësisë më të shpejtë të Kosovës nga miqtë tanë”.  Atëherë, me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, Rugova priti kryetarët e degëve të partisë në Kosovë dhe diasporë në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 116 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.

Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

NGA ARKIVI-6 Gusht 2016: VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA – aty ku u themelua LDK…/

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

*Per me shume fotografi shihni fb dielli vatra

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, LDK 30 vjet

“Mini-Shengeni” i Ram-ziut dhe serbomadhit Vuçiç, ku shpaloset dhe harta e Jovan Cvijiçit (1865-1927)…

December 21, 2019 by dgreca

“Mini-Shengeni Ballkanik”, Durrës 1912- Durrës 21 dhjetor 2019/

Nga Dritan DEMIRAJ/

Terminologjia mini-shengen Ballkanik ishte një truk Ballkanik për t’ia hedhur popullit shqiptar dhe shqiptarëve në të gjitha hapësirat Ballkanike.

Në gjykimin tim është për tu përshëndetur vendimi i Presidentit të Kosovës z. Thaci, Kryeministrit në detyrë z. Haradinaj dhe Kryeministrit të zgjedhur z. Albin Kurti kundër çdo përpjekje për krijimin e Jugosllavisë së re. Padyshim që kjo nismë që mbështetet vetëm nga antishqiptarët, nuk është nismë rajonale por është nismë serbe. Çdo nismë ku nuk është prezente Republika e Kosovës, është nismë anti-shqiptare dhe nuk i shërben bashkëkombasve tanë.

Kjo nismë është në vazhdën e nismave të kaluara të Presidentit Vuçiç (ish ministrit të kasapit të Ballkanit Milosheviç) propozimi i së cilës është shprehur që në vitin 2016, ku ai shprehte hapur rikrijimin e Jugosllavinë e vjetër, plus Republikën e Shqipërisë.

Kjo nisëm është një “armë” e vyer në duart e politikanëve sllavë për të vënë në zbatim projekte strategjike “pushtuese” të kamufluara pa përdorimin e forcës! Prandaj, nuk duhet të befasohemi për “Mini-Shengenin” e Ram-ziut dhe serbomadhit Vuçiç, ku shpaloset dhe harta e Jovan Cvijiçit (1865-1927), gjeograf serb i cili propagandonte se me vendimet e Kongresit të Berlinit, “Serbia është një vend i rrethuar dhe se ajo patjetër duhet të dalë në det (Durrës) për të fituar pavarësinë”.

Paradoksi është se këto plane po tenton t’i realizojë Vuçiçi nëpërmjet “patriotit” të kazanit propagandistik rilindas nesër në Durrës. Ky “pseudo patriot poturaxhi”, atletexhi, megaloman, karagjoz dhe shakaxhi shqipfolës, i pabesë, që si gramofon i prishur përsëriste në takimin e Ohrit me koshiencë tezat e akademikëve serb në vite, duket se po vazhdon të integrojë Shqipërinë në “Neo-Jugosllavi”!

E kam thënë dhe në shkrime të tjera se një projekt i tillë është më shumë se një dinakëri e Serbisë dhe e Vuçiçit për të provuar që përmes kësaj metode të butë (soft power), Republikën e Kosovës ta fusë nën kopetencat dhe urdhërat e veta, e kamufluar në një llogjikë komerciale të tregjeve, ku pas fshihen investimet shumë dimensionale Ruse dhe Kineze.

I them Ramës dhe të gjithë atyre që e mbështesin këtë tradhti kombëtare, që të gjithë shqiptarët që jetojmë në SHBA (nuk flas në emër të atyre që ke emëruar që të përfaqësojnë diasporën dhe që nuk kanë asnjë lidhje me përfaqësimin e Shqiptarëve në diasporë, të larguar nga krimet makabre të komunizmit dhe nga keq narkoqeverisja e Ramziut) do të bëjmë ç’është e mundur që të prezantojmë në administratën amerikane rreziqet dhe kërcënimet dhe ta pengojmë realizimin e kësaj nisme anti-shqiptare, e cila në fakt është edhe anti-amerikane.

Ëndrra e vetme e Shqiptarëve është integrimi në Bashkimin Europian, përfaqësimi i popullit në parlament dhe në qeveri nga njerëz të ndershën dhe me dinjitet, zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, zbatimi i ligjit, largimi dhe përballja me drejtësinë i qeveritarëve të korruptuar.

D.D.
20 dhjetor 2019.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan Demiraj-Minishengeni- Ram-Ziut

PER ANTISHPIFJEN E RILINDJES SE SHPIFUR TE EDI RAMES DH TE TJERA*

December 20, 2019 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/*

Të  nderuar miq. Në shkrimet e  opinoinet e mia, sinqerisht përpiqem  kudo e kurdoherë të jemë i drejtë në radhë të parë  me veten, por medoemos edhe me të tjerët, duke mos i rënë në qafë padrejtësisht askujt. Përpiqem të jemë i matur e i ekulibruar në gjykim, pavarsisht se pikpamjet e mia politike janë të përafërta me qendrën e djathtë. Dhe në të shumtën e rasteve mendimet, para se ti hedh në letër dhe në opinion i diskutoj me shokët dhe miqt e mi. Ndonjëherë  ata (miqt)  dhe të afërmit më kanë kritikuar për një lloj hidhtësie  ose edhe teprije në qëndrimet kritike  ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe stafit të tij qeveritar.

Po si të mos jemë i tillë të nderuar miq, kur vetëm në një  ditë të vetme  (18 dhjetor 2019)  kam marrë nëpërmjet medias informacione tronditëse si: Në Parlamentin e pushtuar nga Edi Rama, me fuqinë e kartonave  të “rilindjes” miratohet e ashtu quajtura  “paketa  anti shpifje”, kur gjithë korpusi i gazetarve ishte kundra . Jo vetëm kaq, por opozita e vërtetë dhe organizmat ndërkombëtar, po ashtu ishin kundra. Pra Edi Rama e “rilindja”shkurt  bënë një puc kundër fjalës së lirë. Sepse ata nuk duan oponencë, nuk durojnë kritikat e medias dhe në se nuk i binden  dëshirave e mendimeve të tyre, kushdo do të ndëshkohen deri në faliment. Dëshiroj dhe shpresoj se Presidenti Ilir Meta  nuk do të bjerë në nivelin e Parlamentit të tanishëm, dhe nuk do ta dekretojë  këtë instrument  vrasës të fjalës së lirë  të tipit “alla Rama-rilinase”.

Po ashtu mësova se gjyqtari  Artan Gjermeni dënoi me një vit burg ish deputetin e PD-së Zotin Salianji dhe gjashtë muaj burg gazetarin ivestigativ Zotin  Olldashi, sepse ata kishin denoncuar ( me fakte të pakundërshtueshme ) një aferë të trafikut të drogës. Në qendër të kësaj afere  ishte vëllai i ish Ministrit të Brendëshëm i cili pas  denoncimit  shkoi të kryente dënimin në Itali.

Me këtë i thuhet opinionit se po preke (atakove, padite etj), familjarët dhe bashkpuntorët e  sërës time,  përfundon vetë  prapa hekurave të burgut. Kurse gjyqtari Artan Gjermeni nuk do të futet fare në veting (se është shumë i “pastërt”), por do të inkuadrohet  së shpejti  në radhët e “rilindjes” si i motivuar për të cuar punët e saj përpara.

Kjo drejtësi  ka  emrin, fytyrën dhe vulën e Ramës e “rilindjes” së tij, sepse në këtë aferë, janë përfshirë në transformimin e fakteve e provave shumë zyrtarë të lartë të shtetit duke bërë krim të dyfishtë. Por nuk përfundon këtu  problemi,  se  ajo do të shkojë deri në Gjykatën e Strasburgut, dhe atje ska më  gjermenër. Drejtësia atje është e shenjtë. Ajo do tju jepet atyre që denoncuan strukturat kriminale të drogës, por do të jetë  me kosto jo të  vogël për taksapaguesin shqiptar, sic ka ndodhur me shumë vendime të tjera të Strasburgut.

Sikur të mos mjaftonin këto dy ngjarje të shëmtuara, u desh  që në të njejtën ditë, të shtohej edhe shkarkimi nga detyra në Bankën e Shtetit Shqiptar të Prof. Arben Malajt, ish drejtues i PS-së dhe Ministër i Financave disa vite. Dhe pse? Sipas ramaxhinjëve , ky profesor paska dhënë opinione politike në kundërshtim me statusin e tij, duke kritikuar Edi Ramën e qeverinë e tij. Po pse more, a ka mbetur ndonjë njeri me pak mend në kokë, në Shqipëri që të mos ketë kritikuar Edi Ramën, veprimet e qëndrimet e tij  dhe të të ashtuquajturës  “rilindjes” që ai drejton?

Edi Rama e ka mbushur kupën me gjithfarë pisllëqesh që i ka bërë me vetdije e për interesa  korruptive të tij dhe të njerëzve rreth tij. Vetëm brenda një dite të vetme u sanksionuan tri ngjarje të shëmtuara  për një shtet që aspiron të bëhet anëtar i BE-së. Duhen gjetur të gjitha format, mekanizmat dhe mjetet demokratike që ai të largohet sa më parë. Largimi i tij tashmë  është bërë domosdoshmëri dhe  në interes të publikut.

 Dëshiroj dhe shpresoj që edhe  SPAK-u, ta fillojë punën  me të dhënat tronditëse të Kontrollit të Shtetit dhe tenderat e ppp-ve. Atëherë Edi Rama do ta shoh veten prapa hekurave  të burgut me shumë shokë e miq të tij.

Edhe ju të nderuar miq e shokë të mitë, lutem,  mos më qortoni më  për hidhtësi e tepri ndaj Edi Ramës se i meriton, madje shumë më shumë se kaq.

*Titulli i redaksise

Filed Under: Politike Tagged With: Antishpifja-Kryeministri Rama, asllan Bushati

“Impeachment” ndaj Presidentit Trump: Gjithëçka që duhet ditur

December 19, 2019 by dgreca

Nga Faton Bislimi*/

Sot në orët e herëshme të mëngjesit, mediat ndërkombëtare e kanë dhënë lajmin e ditës mbi vendimin e Dhomës së Përfaqësuesëve të SHBA-ve për t’i aprovuar “Nenet e Akuzës” apo “Articles of Impeachment” ndaj Presidentit Trump.  Ajo që të bën më shumë përshtypje ështëë një korelacion jo i drejtë mbi këtë veprim të Dhomës së Përfaqësusëve të Kongresit të SHBA-ve dhe vendimit për shkarkim të Presidentit amerikan.

“Impeachment” është një proces kushtetues në SHBA që i mundëson Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit që të akuzojnë në mënyrë zyrtare cilindo nga zyrtarët e lartë shtetëror duke përfshirë këtu edhe vet Presidentin e SHBA-ve, për krime te larta duke përfshirë tradhëtinë dhe korrupsionin (ryshfetin). Kushtetuta e SHBA-ve, për të mos lënë në duar të jurisë apo gjyqeve të rregullta akuzën, gjykimin, dhe dënimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë të zgjedhur apo emëruar, ia ka dhënë të drejtën e “impeachment” vetëm Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit. Realisht, ajo që ka ndodhë dje mbrëma në SHBA, është e barasvlefshme me atë që në zhargonin tone të jurispodencës do të njihej si “konfirmim i aktakuzës” ndaj presidentit Trump. Kjo nënkupton se pas disa muajsh hetimesh të zhvilluara nga Komisioni Legjislativ i Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit të SHBA-ve, të kryesuar nga Kongresisti dhe Kryetari i këtij Komisioni Jerry Nadler, dje mbrëma nën udhëheqjen e Kryetarë së Dhomës së Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi, kongresistët krejtësisht të ndarë në vija partiake votuan për të “konfirmuar aktakuzën” ndaj Presidentit Trump.  Për t’u bërë i plotëfuqishëm akti i “impeachment” apo konfirmimi i aktakuzës, nevojitet vota e shumicës së thjeshtë të Dhomës së Përfaqësuesëve dhe këtë democratët e kanë, andaj edhe aktakuza u konfirmua në të dyja nenet e veta – neni një që akuzon Presidentin për keqpërdorim të pushtetit të tij (apo detyres zyrtare) dhe neni dy që akuzon Presidentin për pengim të punës së Kongresit.

Sipas procedures kushtetuese amerikane, fakti që dje mbrëma i është konfirmuar aktakuza Presidentit Trump në asnjë mënyrë nuk nënkupton as shkarkim nga detyra e as ndonjë kufizim tjetër të ushtrimit të detyrës së tij. Realisht, të qenurit “impeached” apo me aktakuzë të konfirmuar, mund të cojë në shkarkim nga detyra zyrtare edhe Presidentin, por vetëm atëherë kur pas një gjykimi, ai do gjendej fajtor sipas aktakuzës në fjalë.

Tani, pasi që Dhoma e Përfaqësuesëve në të cilën democratët kanë shumicën (232 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesëve janë demokratë, 198 janë republikanë, 1 është i pavarur, dhe 4 karriga janë vakante, nga 435 anëtarë gjithësej sa ka Dhoma e Përfaqësuesëve), e ka konfirmuar aktakuzën në dy nenet e lartëcekura, sipas procedures kushtetuese amerikane, rasti përcillet në Senat.

Senati është i obliguar që të gjykojë secilin rast të “impeachment” pra secilin zyrtar të lartë shtetëror ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesëve ka vendosur të konfirmojë aktakuzë për ndonjërin nga krimet e parashikuara me procedurën e “impeachment” sic janë krimet e larta ndaj shtetit, tradhëtia, apo marrja e ryshfetit. Nëse i akuzuari në fjalë është Presidenti apo Zëvendës Presidenti i SHBA-ve, atëherë gjykimi në Senat udhëhiqet nga Kryesuesi i Gjykatës Supreme të SHBA-ve, jo nga Kryetari i Senatit sic do ndodhte per cilido zyrtar tjetër.  Aktakuza e konfirmuar nga Dhoma e Përfaqësuesëve ndaj Presidentit Trump thirret në “abuzim të pushtetit” dhe “pengim të Kongresit” të cilësuara si krime të larta në kuadër të procedures se “impeachment.” 

Andaj, në momentin që aktakuza e konfirmuar i dërgohet Senatit të SHBA-ve, ata e kanë për obligim ligjor e kushtetues që nën udhëheqjen e Kryesuesit të Gjykatës Supreme të SHBA-ve (gjykatës më të lartë në vend), të gjykojnë rastin në fjalë dhe të shpallin verdiktin, pra të vendosin nëse i akuzuari, ne këtë rast Presidenti Trump është fajtor apo jo.

Për të dhënë verdikt të fajsisë, pra për të gjetur fajtor Presidentin Trump sipas aktakuzës në fjalë, dy-të-tretat e Senatit duhet të votojnë “për” apo “pro” verdiktit të fajsisë. Senati ka 100 anëtarë, dhe në këtë legjislaturë, nga këta 100 anëtarë, 53 janë republikanë, 45 demokratë, dhe 2 të pavarur. Pra, për të gjetur fajtor Presidentin Trump, jo vetëm se do duhej të votonin të gjithë demokratët dhe të pavarurit, por të paktën edhe 20 republikanë ashtu që të arrihej shumica e kërkuara e dy-të-tretave, pra të arrihej numri i 67 votave të domosdoshme për të shpallur aktgjykim fajsues për Presidentin Trump. E, në rast se kjo do të ndodhte, pra dy-të-tretat e Senatit do të votonin për një verdikt fajsues ndaj Presidentit Trump, atëherë ai do të largohej nga posti i Presidentit.

Sidqofotë, kur dihen ndarjet e thukta në këtë temë sipas vijave partiake, dhe kur kihet parasysh fakti se në Senat, republikanët kanë shumicën e anëtarëve, duket realisht krejtësisht e pamundur që një verdikt fajsues për Trumpin do të arrihet.

Andaj, të gjithë ata që me nguti e shpallën aktin e konfirmimit të aktakuzës ndaj Presidentit Trump nga Dhoma e Përfaqësuesëve të Kongresit si “shkarkim” ose “procedure për shkarkim” duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të kuptojnë drejtë këtë procedure. Në fund të fundit, dihet postulati kryesor i drejtësisë “të gjithë janë të pafajshëm deri sa të mos jenë gjetur fajtor me verdikt gjylues.” E në rastin e Presidentit Trump, mundësia që të arrihet një verdikt gjykues që atë e gjenë fajtor është pothuajse zero.

*Faton Bislimi është anëtar bordi dhe coordinator për politika në Ballkan i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe anëtar i Këshillit për Diplomaci Qytetare të German Marshall Fund of the US në Washington, DC.

Filed Under: Politike Tagged With: Fation Bislimi, Impeachment

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 386
  • 387
  • 388
  • 389
  • 390
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT