• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kemi akoma në oborr strategjinë e luftës karshi armikut të klasës

December 18, 2019 by dgreca

– Dimrin e kaluar po këto kohë studentët dolën në protesta dhe shoqëria civile kënaqej nga kafenetë. Opozita heshte…, nga ana tjetër një tërësi intelektualësh postonin në internet foto tavoline me drekë bërxollash e birra, pa e kuptuar asnjëherë se e vetmja qenie që i gëzohet ushqimit është kafsha. Edhe sot opozita heshti megjithëse në mënyrë demagogjike nënshkroi një pakt se do e rizhvlerësonte të ashtuquajturin ligjin e shpifjes.

Nga Ilir Levonja*

Askush nuk ka shpifur më shumë gjatë këtyre viteve në faqet e portaleve se sa Edi Rama sot nga foltorja e kuvendit të Shqipërisë. Sado sado të ”llapin” nëpër internet zëra a emra të ndryshëm nuk e kanë barazpeshën e fjalës së një burri shteti. Arsyeja është e thjeshtë, nuk e kanë vëmendjen që ka goja e një kryeministri. Mund të shihen aty për aty dhe dikush mund të qeshi a t’ia transmetojë dikujt tjetër dhe aq, aty mbetet. Por është tjetër efekti i drejtpërdrejtë nga goja e qeveritarit të parë, për më tepër në një kohë piku transmetimesh dhe me një gjendje të nderë sociale për shkak të një kundërvënie a protestë nga grupi interesit. Dhe akoma më shumë në një gjëndje sociale pas tërmeti ku Shqipëria humbi 51 qytetarë. Fakti që ai kaloj në emra konkretë ka domethënien e një lufte personale dhe ne e kemi akoma në oborr strategjinë e luftës karshi armikut të klasës. Nuk ka ligj në botë që i vlen vendit a të nesërmes së tij duke u konkretizuar në luftë personale emërore etj. Dhe në të gjithë këtë hori gjoja portalesh janë pikërisht inatet dhe mëritë personale. Duke e ditur këtë, Edi Rama ka të drejtën e plotë të vrasi e të presi, pasi teknikisht ka devijuar nga problemet jetike të shoqërisë, informaliteti. Sot ky kungull përpara se të cilësoj me pullë a pa pullë të kuqe iks apo ypsilon person, flet për tragjedinë e Thumanës duke e cilësuar se do ta ribëj ashtu sikur nuk ka qënë, ashtu sikur shqiptarët nuk e kanë patur kurrë më parë. Eshtë karakteristikë e kungullit që ta gjej vetë rrugën e rrokullisjes për një fakt të thjeshtë, ka gjashtë vjet në pushtet dhe nga tërmeti i parë deri tek ky i dyti, dikasteri përkatës nën hyqmin e tij ka fjetur. Kjo është një vepër e pastër penale, por nën hyqmin e tij tespiexhiu që ka rënë në dashuri me kuranin, skandali dhe veprat normale janë frymë organike. Megjithatë ai ka arritur qëllimit bash kulmet e skandaleve i përthyen me një pordhë dhe e zhvendos vëmendjen qytetare nga njëri zjarr në tjetrin. Ai sot ka hallin se si e quan ta zëmë iks njeri i fjalës atë, pallosh apo pallavesh, edhe pse vet është kampion i poronomeve, se sa hallin e jetimëve të Thumanës, Madje po luan tespihesh me jetën e tyre, ashtu siç ka gjashtë vjetë që luan po tespihesh me jetën e katër të vrarëve në bulevard më 21 janar 2011. Megjithatë ngjarjet që pasojnë njëra-tjetrën dhe ai vret e pret, bërtet, kërcënon dhe e lartëson unin e tij. Ajo që trishton sot, është mungesa e solidarizimit social me grupimin mos na i prek fjalën. Vimë nga një kulturë ku fjalën gjoja e donim baraz me lirinë tonë pasi më të shumtën e kohës e kemi pëshpëritur se sa thënë atë. Por nuk qenka kështu, vendi jonë është tabloja e përkryer e një falciteti social. Dimrin e kaluar po këto kohë studentët dolën në protesta dhe shoqëria civile kënaqej nga kafenetë. Opozita heshte…, nga ana tjetër një tërësi intelektualësh postonin në internet foto tavoline me drekë bërxollash e birra, pa e kuptuar asnjëherë se e vetmja qenie që i gëzohet ushqimit është kafsha. Edhe sot opozita heshti megjithëse në mënyrë demagogjike nënshkroi një pakt se do e rizhvlerësonte të ashtuquajturin ligjin e shpifjes. Ndërkohë që duhej të vuloste mosmiratimin e tij sot, aty në shesh tek grupimi mos ma prek fjalën. Duhej t’i mbyllte gojën plot shpifje shpifësit më të madh të kohëve të reja, gogolit të shqiptarëve. Nuk e bëri dhe kjo e shton akoma më shumë fallcitetin social a mbi përgjegjësinë qytetare tonën. Të përçarë e ndarë në disa grupe interesi parti dhe militantë. Një shoqëri që po ta konkretizosh sot me një fakt historik si dita e emigrantit, ka afro 40% të sajën në emigrim. Në një vendimmarrje të sajën Organizata e Kombeve në vitin 1990, vendosi që 18 dhjetori të përkujtohet si dita e emigrantëve. Shqipëria ka një çartisje të madhe në këtë aspekt ajo çfarë e ka bërë qytetarin e saj të braktisi vendin është një tërësi minusesh, këto nga dështimi i politikës. Ka qënë ekonomia, liria e fjalës, lufta e klasave, kërcënimi i jetës etj. Po ta shohësh sot ka një popullatë të moshuarish që rrinë në dritare, mbushin sheshet e Ramës, edhe pse janë krejt të vetmuar. Nuk mbushin dot sheshet e grupimit mos na i prek fjalën, grupimit të studentëve etj.Por edhe prindër që presin me sytë nga fëmijët në kurbet. Ekonomia e tyre janë fëmijët që ropaten në kapitalizëm, kurse morali sëmundja e propagandës e qeverisë së Ramës. Këto janë subjekte të gjalla që do ia kishin bërë në kokë Edi Ramës, por kujt t’ia thuash. Na e solli duarsh dita e emigrantit. Janë subjekte sociale të gjalla, që frymojnë e bëjnë sehir me moral të kuq. Janë prindër që na kanë mësuar postulate të tilla që, për inat të sime vjehrre do shkoj me mullixhiun e fshatit etj… A ka të drejtë Rama të talli menderen me ne, ka sa nuk e luan topi.

* Titulli i redaksise se Diellit, titulli origjinal: Edo bjeri më të lumtë dora!

Filed Under: Politike Tagged With: te lumte dora

TËRMETI NË SHQIPËRi – TËRMET NË ZEMRAT TONA

December 15, 2019 by dgreca

Shkruan: Prof.  Sami Repishti/

  “ Shkodër,/
Në degëz të mallit tand,/
Luhatet e varun zemra e ime….” /
                                                                 (Poeti në mergim: Anton Çefa)/

Ridgefield, CT- Sot, me të njajtën dhimbje e mall për atdhe, kujtojmë Nanën Shqipëri dhe katastrofën që e ka plagosë randë! Ngushëllimet tona për viktimët.
      Agjensitë e lajmeve shqiptare dhe nderkombëtare njoftojnë se me datën 26 nandor 2019, në territorin e Shqipërisë u ndigjue nji lëkundje e fortë si rezultat i nji termeti në shkallë 6.4 Richter, me epiqendër në qytetin-port të Durrësit dhe në veri të qytetit, zona e Thumanës, dhe qyteti Lezhë. Kjo fatkeqsi ngjau vetëm dy ditë para festimit të programuem për 107 vjetorin e Pavarësisë shtetnore të Shqipërisë. Termeti dhe tragjedia e randë njerëzore përmbysën këto programe dhe vemendja e popullisisë dhe e Qeverisë u përqendrue në marrjen e masave urgjente për ndihmë viktimave të damtueme. Shqipëria ka nevojë të madhe për ndihmë!
    Lajmet që erdhën nga Shqipëria treguen gjanësinë dhe intensitetin e termetit që shkakton, zakonisht, viktima njerëzore dhe dame materiale, kryesisht në banesët e vjetra ose të ndertueme pa plane dhe pa inspektim. Deri tashti, numri i viktimave të vdekun ka arrijtë shifrën 51 (pesëdhjetë e nji) dhe ma shumë se 950 të plagosun, disa prej tyne të plagosun randë. Në disa raste urgjente viktimët jenë transferue në spitale italiane, ku mjeksia e këtij vendi mik ka marrë përsipër detyrën humane të sherimit të tyne. Ndërsa për damet materiale vlerësohen të arrijnë në mijëra pallate dhe banesa private. Rreth 9.000 banorë kanë lëshue shtëpitë dhe kërkojnë strehim kudo që gjindet, pranë individëve ose nga Qeveria. Deri tashti, ata janë strehue në çadra (tenda) të përkohëshme, por me keqësimin e motit vjeshtak gjendja e tyne bahet e padurueshme dhe ka marrë karakter urgjence.
   Shtypi amerikan, dhe sidomos gazeta prestigjioze The New York Times ka shkrue tre ditë me rradhë për termetin dhe damet e tij. Nji rast i rrallë! Televizioni amerikan ka tregue skena të frikëshme të rrenimeve të pësueme.  
    NJi element inkurajues në këte atmosferë deshprimi të justikfikuem ashtë fakti se nji rrymë solidariteti të përgjithëshëm ka lindë dhe ashtë zhvillue në këto ditë zije kombëtare. Mbrenda dhe jashtë Shqipërisë nji popull i tanë ashtë prekë thellë nga përpjestimet e termetit dhe ka fillue fushatën e ndihmës.  “Shqiptaret nga Tirana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Prishtina në Europë, nga Tetova, Ulqini, Lugina e Preshevës kontribuan në fondet e solidaritetit. Me dhembje të papërshkruar për jetët e humbura, për shkatërrimin apokaliptik në disa zona, kërkoi që të bashkoheni në këte udhëtim të dhimbshëm….” deklaronte KM Rama në konferencën e investitorëve në Turqi. Nji element tjetër ky inkurajues – fryma e solidaritetit nga bota e jashtëme, ndihma nga vende, shoqëni e grupe që kanë bashkënda dhimbjen me fatin e viktimave. Këto kohët e fundit edhe Banka Botënore premtoi nji ndihmë financiare serioze për rindertimin e zonave të damtueme.
     Ashtë nji fenomen i mirëpritun gjesti i fqinjëve tonë italianë, grekë dhe serbë që ofruen ndihmën e tyne që në ditën e parë të katastrofës. Nji qendrim i këtill mendohet se do të jetë nji ogur i mirë për të ardhmen e vendeve tona dhe të marrëdhanjeve ma miqësore në këte zonë të Ballkanit perëndimor. Edhe shtete tjera europiane si dhe disa vende të Lindjes së Afërme kane ofrue ndihmë. Nga ky qendrim solidar lindë edhe shpresa se përkrahja e tyne nuk do të vonohet.
     Nga SHBA, aleatja historikisht strategjike e Shqipërisë, “Zëri i Amerikës” në emisionin e 28 nandorit lajmëron se :” Sot, ashtu si në kohët tjera të vështira, SHBA ashtë në krah të Shqipërisë”. Departmenti i Shtetit Amerikan deklaroi se :” Sot, ne lutemi për familjet e viktimave, si dhe për ata që janë lënduar. Në emër të popullit amerikan, urojmë të gjithë atyre që janë prekur sherim të shpejtë. Shtetet e Bashkuara janë për krah miqëve tonë në Shqipëri….Miqësia SHBA-Shqipëri ekziston si një shtyllë e qendrueshme paqe dhe stabiliteti, dhe ne shpresojmë për shumë vite  tjera miqësie dhe bashkëpunimi, “ përfundon deklarata.
     Gazeta The New York Times e datës 29 nandor, në nji shkrim dedikue termetit në Shqipëri që zen ma shumë se dy të tretat e faqes A8 tregon se punohet intensivisht me shpëtue jetët e viktimave të mbetuna nen rrenojat, megjithëse toka pëson akoma dridhje që frikësojnë. Nji lëkundje ma e fortë se zakonisht, shkalla 5.1 Richter, detyroi pushimin e punës, ndërsa rrugët e qytetit të Durrësit u mbushën me popullsi që lëshojshin banesat nga frika. Shumë ndërtesa u ngritën pa kujdes dhe pa rregull gjatë periudhës së nji tranzicioni të ashpër dhe shpesh herë jo-ligjor, në demokraci që nga viti 1990. Qyteti ka pamjen e rrenimeve mbas nji beteje”.
    Tashti, Qeveria po kujdeset me sigurue strehim të përkohëshëm për viktimët. Personeli teknik i kontrollit të gjendjes së ndertimeve mungon, dhe Qeveria kerkon ndihmë nga bota e jashtëme. Shumë vende europiane, si dhe organet e Bashkimit Europian kanë ofrue ndihmë. “E gjithë kjo, shkruen gazeta e masipërme, ngjet në nji nga vendet ma të vorfëna të Europës, nji vend ku korrupsioni dhe krimi i organizuem mbetet nji problem endemik, dhe termeti vjen në një moment politik të lëkundshëm.” Ashtë fjala për protestat e “opozitës demokratike” që nga mueji shkurt i kaluem, abandonimi i Parlamentit dhe demonstratat masive (të PD-së) që synojshin rrëzimin e Qeverisë së KM Edi Rama, shpesh të shoqënueme me akte dhune të pajusifikueshme, refuzimi nga Bashkimi Europian me hapë diskutimet me Shqipërinë për pranim në këte organizatë, dhe tjera. KM Rama kërcënoi se nji refuzim i këtill mund të shkaktojë trazime në Ballkan, rritjen e nacionalizmit lokal izolacionist, dhe ngritjen(sic!) e problemit të bashkimit kombëtar (Kosovë e Shqipëri) nji aspiratë shekullore e të gjithë shqiptarëve.
     Në Shqipëri dhe në “Shqipërinë lindore” sidomos në Kosovë ashtë krijue nji atmosferë e fortë solidariteti kombëtar që ka afrue dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Skuadra ndihmëse të shteteve fqinj bashkëpunojnë me skuadrat shqiptare në operacione për shpëtimi e jetëve sidomos në ditët e para të katastrofës.
     Megjithate, këto përpjekje nuk janë në gjendje me ndryshue situatën për të gjithë ata që kanë humbë gjithçka nga termeti. Për fatin e tyne, nji valë e fortë solidariteti, e pa pame ma parë, u ngrit në Kosovë. “Për Nanën Shqipëri” deklarojnë qytetarët e Kosovës, me sensin e obligimit moral të ndihmës që ata gjetën në Shqipëri, në pranverën e verën e vitit 1999, kur agresioni serb i Millosheviqit dëboi ma shumë se nji miljonë Kosovarë Shqiptarë nga banesët e tyne, jashtë Kosovës, ma të shumtën në Shqipëri. Këtu, në atdheun nanë, ata gjetën strehim e përkrahje deri në ditën e fitores, qershor 1999. “Nana Shqipëri” ashtë thirrja ma emocionale e çdo shqiptari në Shqipëri, në Kosovë, dhe kudo që flitet gjuha e nanës, gjuha shqipe. “Nana Shqipëri” ashte lidhja shpirtënore ma e fortë e ‘dy Shqipërive’ të ndame padrejtësisht.
    Deshmitarë okularë tregojnë për vargjet e gjata kosovare të veturave, kamioneve, dhe paisjeve mekanike që ofruen ndihmë dhe që sherbejnë në punimet e zbulimit e ndihmës  që hyjshin në Shqipëri, shumë prej tyne me flamuj të mëdhej  shqiptarë –kuq-e-zi –  Ndihma të menjiherëshme arrijtën nga Kosova,  Shtypi i vendit njoftoi se nji kosovar bujar ofroi $100.000 dollarë ndihmë, Nji tjetër kosovar dergoi 12 kamionë me ushqim për popullsinë e damtueme. Katastrofa kosovare e vitit 1999 dhe ajo e sotme e vitit 2019 janë dy fenomene negative për natyrën e tyne, por që kanë ringjallë frymën e solidaritetit kombëtar shqiptar; ato janë edhe tregues konkret të unitetit kombëtar shqiptar. Ky solidaritet ashtë hapi i madh drejt afrimit tonë të ndërsjellë dhe të pa evitueshëm kombëtar!
    Nuk ashtë e nevojshme me qenë “andrrimtarë” as të shitemi si “magjistarë” me parapa nji bashkim kombëtar politik të të gjithë shqiptarëve në hapësinen ballkanike. Unë kam bindjen se nji bashkim i këtill ashtë nji eveniment i paevitueshëm historik. Hapi i parë do të jetë pranimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan –Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës – si anëtarë të Bashkimit Europian. Në kuadrin e nji Europe të bashkueme, paqësore, të lirë dhe demokratike, afrimi politik i dy republikave paraqitet si nji proces që jo vetëm nuk mund të pengohet, por duhet të përkrahet me qellim që të evitohen konsekuenca të padëshirueshme në Ballkanin Perëndimor. Afrimi ekonomik ekzistues pakëson rolin e sotëm të kufinjve shtetnor. Bashkimi kultural i ngushtë eliminon “ndryshimet” që sot kundërvihen, dhe me kohë përfundon në nji shoqëni shqiptare me synime dhe vlera shoqënore të përbashkëta simbas nevojës së kohës. Koha ashtë në favorin e shqiptarëve. Në nji atmosferë të këtillë, bashkimi politik kombëtar shqiptar nuk paraqet kercënim për fqinjtë, as për Bashkimin Europian. Nji perspektivë e këtillë  konfirmohet edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e vitit 1998: 
  “Ne, Populli i Shqipërisë….me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…” (Parathanje)(Theksi im)
     Historikisht shqiptarët nuk kanë pasë nji “perandori” mesjetare të tyne me shtrimje territoriale që përfshinte tokë të hueja, prandej ata nuk reklamojnë “tokët” që kanë humbë gjatë shekujve, dhe nuk aspirojnë në formimin e nji “perandorie” të humbun….si ashte rasti i fqinjëve tonë grekë dhe serbë.
    Nji shenim personal: rreth vitit 2003, me inisiativen e kongresistit amerikan Elliot Engel, (D.N.Y.) nji personalitet politik amerikan që ka studjue pozitën e shqiptarëve në Ballkan dhe ka përkrahë kërkesat e tyne, u organizue nji takim në mes të Z. Andreas Papandreou, Ministër i Punëve të Jashtëme të Greqisë, dhe nji grupi të vogël shqiptaro-amerikanësh të interesuem në përmirësimin e marrëdhanjeve shqiptaro-greke. Njeni nga pjesëmarrësit isha edhe unë. Ministri grek ishte i shoqënuem nga dy ambasadorë grekë. Bisedimi u zhvillue në nji atmosferë të qytetnueme dhe miqësore. Z. Papandreou spjegoi se njeni nga ambasadorët grek (Amb. Londos ?) posa ishte kthye nga nji udhëtim eksplorues në Kosovë, ku kishte takue udhëheqsit kosovarë me qellim eksplorimi të mundësive për kapitalin dhe eksperiencën greke me fillue investimet greke në Kosovë. “Ne i kemi të gjitha, tha ai, kapitalin dhe eksperiencën, dhe jemi gati të ndihmojmë Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik.”
    Z. Papandreou na impresionoi të gjithëve për qendrimin e tij mirëdashës dhe për bindjen e tij se duhen përmirësue marrëdhanjet shqiptaro-greke. Ai shtoi: Na e dimë se ky ashtë shekulli shqiptar në Ballkan. Serbia dhe Greqia, vazhdoi ai, plotësuen kërkesat e tyne gjatë shekujve 19 dhe 20. Shqiptarët u zgjuen ma vonë, Tani ata përpiqen të plotësojnë kërkesat e tyne. Kur shikoi ngjarjet e fundit në ish Republikën e Maqedonisë, nuk kuptoj pse kjo republikë nuk jep të drejta të plota për popullsinë shqiptare në atë vend. Ashtë nji e drejtë që ata e meritojnë….. Ma në fund, ai pyeti në se kishim diçka për të thanë. Unë kërkova heqjen e Ligjit të Luftës të vitit 1940 që akoma ruhet në Parlamentin grek. Ai u përgjegj pa hezitue se kemi nji problem me Parlamentin, dhe se ai na siguronte që mbrenda nji viti Ligji do të anulohet. Unë e falënderova. Kolegët e mi shqiptarë vazhduen me pyetje të ndryshme shumica me karakter ekonomik, dhe atmosfera u kthye në nji dialog të hapun për të gjithë.
    Për fat të keq, qeveria greke ra, dhe ministri humbi postin e tij. Sot, ai Ligj absurd ashtë akoma në fuqi dhe nji nga pengesat e mëdha në marrëdhanjet shqiptaro-greke. (Kërkesat tona për ngritjen e problemit çam nuk u inkurajuen….!)
                                              ***
    Ka shumë arsye për inzistim në ngritjen e frymës së solidaritetit tonë kombëtar. Por nji frymë e këtillë kërkon vullnet të mirë dhe zbritjen e tensionit partizan në vendin tonë. Edhe nji fatkeqsi e randë, siç ishte ajo e termetit te 26 nandorit, nuk ushtroj presionin e duhun psikologjik tek “baballarët e kombit” që vazhdojnë avazin e tyne me nji qellim të vetëm: marrjen dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit qendror. Kjo ka shkaktue vonesën e ndihmës aty ku duhet dhe ka rritë ankesat e popullsisë së damtueme.
   Në fillim, udhëheqsi i PD-së Lulzim Basha dha instruksione për zyrtarët e PD-së që u ngarkuen me dhanë ndihmë për të damtuemët, që të ndihmojshin pa theksue partizaninë e tyne në PD-në. Jam prekë nga ky gjest politikisht korrekt dhe moralisht i detyrueshëm. Në raste të këtilla katastrofësh kombëtare, të gjithë ne, jemi pa përjashtim vetëm argatë të kauzës që sherbejmë. 
    Më lindi pyetja pse Z. Basha akuzonte KM Rama për “150 miljonë dollarë për oligarkët t’i kalohen të damtuemëve nga termeti” simbas shtypit shqiptar. Nji akuzë e këtill nenkupton nji akt kriminel që duhet dënue me ligjë. Në se ashtë e vertetë, Z. Basha duhet të nxjerrë faktet që e provojnë akuzën, dhe ligji duhet zbatue. Në se jo, ai vetëm diskrediton veten dhe humbë kredibilitetin e popullsisë.
    Në të njajtën kohë, nji gazetar shqiptar shkruen: “Termeti që po themelon diktaturën” e cila deri dje ishte e nëndheshme, tani doli krejt në sipërfaqe me përmbajtjet e saja të plota falë arrogancës së (KM)Ramës….(Panorama 6.XII.2019)
    Ndërsa nji koleg i imi nga Tirana, mendimin e të cilit unë çmoj, shkruen: “Si familje nuk patem dam, por edhe ne përjetuam një dramë jo të vogël pa siguri, dhe në pasiguri jetojmë akoma. Në zonat e prekura nga termeti dëmet janë shumë të mëdha. Doli në dritë korrupsioni i shfrenuar i ndertesave, i zyrtarëve që dhanë lejet e ndertimit pa asnjë kriter, ingjinierë zbatues etj. Ndoshta një ditë do të gjejmë qetësi….”përfundon ky mesazh pikëllues që vajton nji gjendje që nuk gjen rrugëdalje!
     Lojë fjalësh! KM Rama i drejtohet edhe nji herë kreut të opozitës, ndërsa shkruen se refuzimi i tryezës së përbashkët nga Lulzim Basha “është një gabim i madh”. Njikohësisht, KM Rama konfirmon se platform e PD-së me 5 pika për të nxjerrë nga kriza bizmenët e damtuem nga termeti në Durrës përkojnë me propozimet e hartuara nga Këshilli Kombëtar i Rindërtimit dhe Ministria e Financave”. “Sot, shkruen nji tjetër gazetar mendje-hapun, “ma parë se gjithçka  ne kemi nevojë për duar të bashkuara për t’i dhenë besim kujdo që e don këte vend” Lindë pyetja: kush ashtë përgjegjës për këte konfuzion të panevojshëm dhe shkatërrimtar?
    Federata Panshqiptare VATRA ka mbledhë dhe dergue nji shumë të mirë të hollash për ndihmë. Nuk kam pa ende as edhe nji rresht të vetëm  falënderimi për këte gjest të bashkatdhetarëve tonë në SHBA. Qendrim që dekurajon.
   “Sepse, ekzistojnë probleme të këtilla si kapja e shtetit, korrupsioni i thellë, si dhe ajo që është evidentuar nga shtypi nderkombëtar, siç është ekzistenca e një narko-shteti….”.  shkruen nji ish ambasador me emën të mirë.
    Jemi para nji kaosi të vertetë në këto ditë katastrofe të vertetë. Nji spjegim që më ndihmoi me kuptue këte situatë e gjejmë në analizën e Z Afrim Krasniqi dhanë Zërit të Amerikë, me 13 tetor 2019 mbi dekriminalizimin. Ai deklaroi:
    “Individët të cilët kanë patur rekorde kriminale kanë axhenda politike, dhe se dinë ku fitohet më shumë, dhe luftojnë për të kapur poste ku fitimet janë më të mëdha. Eshtë shumë interesante se si munden indidvidët që kanë kryer vepra penale në të kaluarën, të kenë kurajo që të kandidojnë për poste të larta drejtuese, dhe si është e mundur që këta fitojnë dhe janë njerëzit e preferuar të udhëheqjes politike…?”
    Përballë nji gjendje të këtill, mendjet e ndrituna duhet të mobilizohen për zgjidhjen e kësaj situate frikësuese!
————-
* Autori ashtë i merguem politik që nga viti 1959.
—————————————————————-

Filed Under: Politike Tagged With: Prof. Sami Repishti- Termeti-Shqiperi- ne zemrat tona

VATRA me hijen e rándë të Nanës së Madhe

December 14, 2019 by dgreca

 Shkruan: Valentin Lumaj*/

 “Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr”. (Faik Domenik Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 391)./

            Sigurisht, Konica shprehej kështu për zjarrin në vatrën e shtëpisë së shqiptarit si mjet të shenjtë jetese. Por si në çdo vatër edhe në Vatrën tonë Pan-Shqiptare, egziston një zjarr, pa të cilin fjala Vatër nuk do të kishte kuptim. Por cili zjarr po djeg më shumë në Vatrën tonë të përbashkët, zjarri i ndokujt si mjet jetese, zjarri çakmakëve që po nuk u shua të djeg gjithë shtëpinë, apo zjarri i atdhedashurisë që na ngroh zemrat dhe na mbledh të gjithëve përreth si një familje e madhe.  

            Secili në Vatër t’a bëjë diferencën dhe të pyes veten se cilit zjarr po i fryn. 

Patriotizmi dhe nacionalizmi ishin “ashket” që ushqyen këtë zjarr qysh nga shkëndija e parë. Këto ndjenja tëzjarrta të atdhedashurisë bashkuan shqiptarët rreth Vatrës. Prandaj, si dikur, ashtu edhe sot, ajo çfarë i bashkoi, duhet dhe t’i mbajë bashkë shqiptarët e Amerikës.  

            Vatra është krijuar dhe egziston si nevojë kombëtare, jo si luftë për pushtet. I vetmi pushtet dhe forcë e Vatrës është uniteti. Të gjithë duhet t’a kuptojmë se Vatra nuk funksionon ndryshe. Etërit e Vatrës, Noli dhe Konica, kishin kundërshti jo te vogla në mes tyre, por në drejtimin e Vatrës treguan klas.

            Vatra është një asset i çmuar kombëtar, aq i çmuar sa ç’është Flamuri apo Pavarësia.  Vatra nuk është dhe nuk duhet te konsiderohet nga askush shtojcë e ndonjë  qeverie, partie, kompani biznesi, për të bërëkarrierë apo si trampoline. Sigurisht që mund të ketë ndonjë që mendon se në Vatër mund të marrë pak vlerëapo të bëjë pak emër. E kundërta duhet te ndodhi; kushdo që aderon ne Vatër, sidomos ata që kanë ambicje për të qenë në krye të saj, në qendër apo degë, duhet që me personin e vet, t’ja shtojnë vlerën Vatrës. Kështu ka qenë, kshtu duhet të jetë.

             Vatra nuk është personifikim i një individi. Mendoni Vatrën me një njeri… një vetmi e madhe. Vatra nënkupton bashkim, bashkëpunim, mirkuptim dhe paqe. Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u arritur, nëqoftë se tek njeri-tjetri ne shohim anët positive dhe jo negative. Duhet që të na bashkojë e mira ndër ne dhe jo të kërkojmë të keqen ku të jetë e ku mos të jetë që të na ndajë. Në këtë tregim metaforik më poshtë, një nënëkishte dy djem, njërin bojaxhi dhe tjetri shiste çadra. Nëna e shkretë kurre nuk kishte gëzim; kur binte shi ankohej, “e mjera unë se me mbeti bojaxhiu pa punë”,  kur kishte diell: “e mjera unë se çadraxhiu nuk shet çadra”. Normalisht po ta shikonte nëna nga një këndvështrim ndryshe, do të gëzohej si për shi edhe për diell. Prandaj, edhe ne e zgjedhim vetë të jemi pozitivë apo negativë, të vlerësojmë apo të paragjykojmë, të shohim te mirën apo të keqen tek njëri-tjetri. 

            Po marr si shembull Vatrën e viteve te fundit. Dr. Gjon Buçaj, një njeri i ndershëm, patriot dhe figurë respektuar në Diasporë, e drejtoi për 8 vite Vatrën, e cila pati rritje dhe aktivitete të shumta në shërbim të kombit. Po ashtu, z. Dritan Mishto, një djalë i shkëlqyer, intelektual dhe aktivist me eksperienca pozitive të gjithanshme, drejtoi Vatrën në dy vitet e fundit, e cila po ashtu njohu vetëm suksese. Do të ishte e ndershme për ne që t’ua vlerësojmë dhe t’i falenderojmë shumë për punën e vyer vullnetare që kanë bërë. Po a patën të dy ndonjë gabim, patjetër që patën, që sidoqoftë është njerëzore. Aty ku punohet edhe gabohet. Asnjë nga ne nuk është perfekt apo hyjnor. Rëndësi ka që Vatra ka ecur përpara.

            Rigjallërimi dhe ringritja e Vatrës në vitet e fundit erdhi me përhapje të gjerë të degëve Amerikë dhe Kanada. Shtimi i degëve dhe i anëtarësisë solli për rrjellojë edhe shtimin e mendësive, ambicjeve the lakmive tëndryshme, gjë që në prizmin demokratik është normale. Konkurenca dhe debati i brendshëm është i nevojshëm dhe i shëndetshëm. Anormalja fillon nëse dikush vjen me axhenda te tjera, jashte moralit original të Vatrës, jashtë etikës apo kur konfliktet dhe  inatet personale infektojnë grupin dhe kthehen në probleme kolektive. 

            Harxhohen shumë energji në drejtime të gabuara dhe çështje të vogla. Duam të gjejmë gjipërën në kashtë, bërtasim ujku, ujku, ndërsa në Shqipëri çakejtë bëjnë kërdinë. Detyra jonë si Vatranë është, që vetem në kohë zgjedhjesh të shpallim idetë, kritikat dhe ambicjet tona, të garojmë ndershmërisht, me kulturë dhe paqësisht të presim rezultatin. Pas zgjedhjeve të gjithë duhet që t’i shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit, t’i bashkojmë rradhët rreth kryetarit dhe kryesisë së re, që për dy vitet në vazhdim, t’ua bëjmë rrugën të lehtë e të mbarë në shërbim të kombit.

            Diaspora dhe atdheu kanë shumë çështje ku ne duhet që t’i përqëndrojmë energjitë tona:

  -Degradimi i ekonomisë dhe i të drejtave të njeriut në Shqipëri, kriminalizimi i tejskajshëm i mënyrës sëjetesës, korrupsioni që ka kapur çdo segment të administratës shtetërore, emigrimi dhe dëshira në masë e shqiptarëve për t’a braktisur atdheun përgjithmonë apo siç thirret ndryshe vrasja e shpresës. 

  -Mbështetja ndaj shtetarëve të Kosovës për të mos lejuar ndarjen e saj, mbështetja në fazat e saj integruese nëBE apo bashkimi kombëtar me Shqipërinë. 

  -Përfshirja në program e një plani, platforme apo rregulli të veçantë per hapjen e shkollave shqipe në të gjitha degët saj. Forcimi ekonomik i shqiptarëve në Diasporë, po të gërshetohet me një vullnet te mirë të Kryesive të degëve, do t’a mundësonte plotësisht hapjen e klasave të gjuhës shqipe. 

  -Rritja e anëtarësisë me anë të thithjes së rinisë studentore, dhe elementit të ri. Rinia gjithmonë sjell frymë të re, që nganjëherë është vështirë të adoptohet. Sidoqoftë gërshetimi i elementit të ri me përkrahjen e veteranëve, mirënjohja dhë respekti ndaj “të vjetërve” do t’a çonte Vatrën në një standart të ri zhvillimi dhe emancipimi. 

  -Hartimi i një strategjie, që Vatra te jetë përfaqësuësja dinjitoze, legjitime dhe e vetme, jashtë çdo dallimi krahinor, fetar apo politik, (përpos ideologjive nazi-fashiste apo komuniste) për të gjithë shqiptarët e Amerikës së Veriut. Egzistojnë dhjetra grupime dhe shoqata atdhetare, krahinore, fetare, kulturore, intelektuale etj., tëcilat  veprojnë veçmas ne Amerikë. Ky numër kaq i madh reflekton dëshirën e madhe të shqiptarëve për t’u organizuar, për të vepruar, për të bërë diçka të mirë. Duhet të përshëndeten shqiptarët për këto organizime dhe normalisht edhe një vepër e vogël në shërbim të komunitetit apo atdheut është një vepër e mirë. Por një vepër e madhe është edhe më e mirë. Veprat e mëdhaja kërkojnë njerëz mendjendritur dhe vizionarë, kërkojnëbashkim. A është komuniteti shqiptar në Amerikë i bashkuar. Unë mendoj se jo. Shumica e festave apo traditave të nivelit kombëtar organizohen veçmas.

Për shembull, festa e Flamurit muajin që shkoi u festua bujshëm në New York, Michigan e gjetkë, por të ndarë në grupime e “principata”. A nuk është ky Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili bashkoi principatat 575 vite më parë?! Një festë e Flamurit e përbashkët, padyshim do të ishte një vepër më e mirë, do të tregonte forcë dhe unitet.

            E mora këtë shembull për të shpjeguar sa i nevojshëm është bashkimi i shqiptarëve në Diasporë. Nevoja për një njësim të Diasporës është më ë madhe se kurrë. Situatat e reja gjeostrategjike që po kalojnë shqiptarët në tokën amë në ballkan kërkojnë këtë bashkim. Vatra mund dhe duhet që t’a kryej këtë rol, më e vjetra, më e mira dhe me një histori të lavdishme. 

            Vatra ka hijen e rándë tē Nanës së Madhe. Shqiptarët e Amerikës duhet të unifikohen me Vatrën.

Valentin Lumaj

Michigan më 13 Dhjetor 2019.(Autori eshte anetar i Keshillit te Vatres)

Filed Under: Politike Tagged With: Valentin Lumaj-Vatra-Hija-Faik Konica

KUVENDI I VATRËS DO TË MBAHET ME 19 JANAR 2020 NË MICHIGAN

December 12, 2019 by dgreca

– U zhvillua mbledhja e radhës e Kryesisë së Federatës Pan shqiptare të Amerikës VATRA/

-Kryetari përsëriti vendimin e tij për të mos rikandiduar, gjë e shprehur vazhdimisht në strukturat e Vatrës, që në Mars 2018, me arsyetimin se qarkullimi i elitës drejtuese është procesi më i rëndësishëm për Federatën, dhe se i jep fund praktikës së drejtimit me vite të tëra. /

— Ftohen Kandidatet qe duan te kandidojne per postin e Kryetarit te paraqesin kandidaturat me shkrim prane ketij Komisioni, deri ne 10 Janar 2020./

  • Te gjithe Kryetaret e degeve kane kohe deri me 31 Dhjetor te shlyejne kuotat e anetaresive. Vetem mbi bazen e ketij treguesi do te llogaritet numri i delegateve per ne Kuvend.

Më 11 Dhjetor 2019 u mblodh Kryesia e zgjeruar e Federatës Pan shqiptare të Amerikës VATRA. Fillimisht, kryetari Dritan Mishto paraqiti një raport të zgjeruar të punës së Federatës për vitin 2019, fjalim i cili do të botohet i plotë. Kryesia e zgjeruar dhe shumica e degëve i kërkuan unanimisht disa herë z. Mishto rikandidimin e tij në Kuvendin 2020. Kryetari përsëriti vendimin e tij për të mos rikandiduar, gjë e shprehur vazhdimisht në strukturat e Vatrës, që në Mars 2018, me arsyetimin se qarkullimi i elitës drejtuese është procesi më i rëndësishëm për Federatën, dhe se i jep fund praktikës së drejtimit me vite të tëra.  

Kryesia, mbi bazën e një konsultimi me Komisionin e Garancive Kanunore dhe me shumicën e degëve vendosën:Kuvendi i Federatës Panshqiptare VATRA do të mbahet në datën 19 Janar 2020 në Michigan. (Kjo në bazë të traditës së mëparshme për mbajtjen e kuvendeve në shtete të ndryshme, sic ishte Kuvendi i Floridës 2015, Kuvendi i Nju Jorkut 2017).

Komisioni i Vatrës për Kuvendin 2020 është:

Agim Rexhaj – Kryetar

Bashkim Musabelliu – Komisioni i Garancive Kanunore

Mehmet Kadria – Komisioni i Garancive Kanunore

Kujtim Porja – Komisioni i Garancive Kanunore

Nazo Veliu, Marjan Cubi, Marjana Bulku, Besim Malota, Zef Balaj, Pashko Camaj, Agustin Mirakaj, Ervin Dine, Mark Mrnacaj, Koordinator- Valentin Lumaj

Ftohen Kandidatet qe duan te kandidojne per postin e Kryetarit te paraqesin kandidaturat me shkrim prane ketij Komisioni, deri ne 10 Janar 2020-adresa:

VATRA

2437 Southern BLVD

Bronx, NY 10458

Te gjithe Kryetaret e degeve kane kohe deri me 31 Dhjetor te shlyejne kuotat e anetaresive. Vetem mbi bazen e ketij treguesi do te llogaritet numri i delegateve per ne Kuvend.

Filed Under: Politike Tagged With: Vatar-Kryesia-Kuvendi-Dritan Mishto

NJË LETËR PËR VATRËN NGA WASHINGTONI…

December 10, 2019 by dgreca

  • …DHE NJË MESAZH PËR ATDHEUN SI DHE 500 DOLLARË PËR FUSHATËN E TËRMETIT/

– Ju falenderojmë për Misionin ndritues, atdhetar e humanist të VATRËS përgjatë më shumë se një shekull, për nismën Tuaj fisnike dhe për misionin historik në ballë të mbrojtjes dhe lartësimit të emrit, vlerave të Atdheut Shqiptar….

                   Në postën e sotme arriti në Vatër një letër prekse nga bashkatdhetari ynë, i njohur nga Komuniteti, jo vetëm ai i Uashingtonit,- si një ndër veprimtarët e devotshëm të cështjes Kombëtare, Ferhat Ymeraga(Ferhat Ymeri) dhe Ana Fontaine, në të cilën shkruhet:

E nderuar VATËR

Duke shprehur dashurinë, mirënjohjen dhe admirimin tonë për Misionin ndritues, atdhetar e humanist të VATRËS, gjatë më shumë se një shekulli, po ju dërgojmë këtë kontribut(500 dollarë), në fushatën tuaj të fisme për mbledhjen e ndihmave për vëllezërit dhe motrat tona të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Ju falenderojmë për nismën Tuaj fisnike dhe për misionin historik të VATRËS në ballë të mbrojtjes dhe lartësimit të emrit, vlerave, dhe Atdheut Shqiptar.

MESAZHI

Dashuria ndaj Atdheut është e pakusht, e përhershme dhe gjithëpërfshirëse.

Është forcë që të tërheq, kudo që të shkosh, si Graviteti!

Jemi me ty Shqipëri!-në ditë të mira e të vështira!

Jemi me gjithë vëllezërit dhe motrat që vuajnë!

Kurajo, shpresë e besim, se Shqipëria do të ngrihet si Feniksi nga hiri i vet!

Dashuria e shqiptarit për Shqipërinë, duke huazuar fjalët e poetit Rumi,-“nuk është vetëm një pikë në Oqean…Por dhe tërë Oqeani me një pikë.”

Të duam Shqipëri me dashuri të pafund!

We Love You Albania, terra mirabilissima, With eternal Love!

Ferhat Ymeraga dhe Anne Fontaine,

E martë 3 dhjetor 2019, Kent,Washington

FALENDERIM

Falenderim të përzemërt Ferhat Ymeraga & Anne Fontaine për fjalët vlerësuese për Vatrën, për solidaritetin për të dëmtuarit nga Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri dhe për kontributin e dhënë! Zoti Ju ruajtë!

Po ashtu falenderojmë dërguesit më të fundit, të mbërritura sot, të kontributeve për fushatën e Tërmetit të 26 Nnëtorit:

1- Ferhat Ymeri $ 500.00

2- Jimm(Gjin) Balaj $ 200.00

3- Qani Korreshi $100.00

4- Aristotel MICI $100.00

5- Arli Adem      $50.00

6- Qemal Agaj $ 50.00

Ju lutemi të gjithë atyre që duan t’i bashkojnë kontributet e tyre me Vatrën, le ta dërgojnë chekun në adresën e Vatrës:

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

Vatra që ka përvojë 107 vjeçare në dërgimin e kontributeve në Atdhe ju garanton transparencë dhe korrektësi.

Faleminderit të gjithë kontributorëve.

You are welcome to be part of Vatra’s donation campaign by sending a check to the address:

2437 Southern Blvd

Bronx, NY 10458 

Filed Under: Ekonomi, Politike Tagged With: Letra nga Washingtoni- Ymer ferhataga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 387
  • 388
  • 389
  • 390
  • 391
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT