• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË TAKIME DHE BISEDA ME LASGUSHIN

December 10, 2019 by dgreca

(Kujtime)/

Nga Thanas L. Gjika/

         Me Lasgushin te Petro Martini dhe tek Instituti i Historisë dhe Letërsisë/

         Petro Martini ishte një nga intelektualët e vjetër më fatkeqë që kisha njohur në Tiranë. Ishte i verbër, kurse gruaja e tij zvicerane ishte e paralizuar, shumë e dobët si një skelet. Ata nuk kishin fëmijë, sepse e shoqja kishte dështuar disa herë me dashjen e saj. Gjatë viteteve të luftës të dy kishin vendosur ta linin punën e fëmijëve pasi të mbaronte lufta. Mirëpo pas luftës ndodhi përmbysja e madhe: shteti ua konfiskoi të vetmen pasuri që kishte kjo familje, shtëpinë me dy kate e me dy hyrje anës rrugës Bardhyll tek Unaza afër spitalit. Ky pallat i vogël ishte përfunduar më 1942 prej specialistëve italianë dhe quhej Pallacina Martini. Kishte tetë apartamente që ishin lëshuar me qira. Gruaja e Petros ishte tmerruar nga arrestimet, burgosjet dhe internimet e shumë shokëve dhe kolegëve të Petros. E mbetur pa shtëpi e pa të ardhura, zonja zvicerane vendosi të mos bënte fëmijë, duke menduar se nuk duhej të krijonte fëmijë fatkeqë…

         Petroja kishte vetëm një vëlla më të madh, Sotir Martinin. Ky kishte qenë një nga oborrtarët e Madhërisë së Tij Zogut të I dhe ishte larguar nga Shqipëria bashkë me familjen mbretërore pas 7 prillit 1939. Këta dy vëllezër ishin me origjinë nga Borova e Kolonjës. Ishin larguar herët nga fshati si kurbetllinj në Bukuresht. Aty, krahas punës kishin kryer dhe shkollën e mesme. Sotiri ishte kthyer në Shqipëri, kurse Petroja kishte shkuar në Zvicër ku kishte kryer studimet për drejtësi në Zurih (Zurich), kantoni ku flitej gjermanisht. Gjatë jetës studentore ky ishte dashuruar dhe martuar me një vajzë vendase, një bjonde e bukur. Kishin ardhur të dy në Shqipëri aty nga viti 1937. Petroja kishte hapur një zyrë private avokatore të cilën e mbajti hapur edhe disa vjet pas ardhjes në fuqi të partisë komuniste, kur i filloi verbimi nga glaukoma. Gruaja kishte qenë gjithnjë shtëpiake. Duke qenë se asnjëri nuk kishte punuar në punë shtetërore, ata nuk merrnin pension, por shteti u jepte të dyve nga një asistencë prej 1.000 lekësh të asaj kohe. Vëllai i tij nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe nuk u dërgonte dot ndihma. Njerëzit e gruas u dërgonin dy ose tri herë në vit nga një pako me veshje, të cilat Petroja ua shiste komshinjve. Ky çift fatkeq jetonte me qira në katin e dytë të një shtëpie privare te Rruga e Barikadave karshi gjimnazit “Sami Frashëri”.

         Fisi Martini, që jetonte në Borovë, ishte shuar gati i gjithi gjatë masakrës që kryen forcat gjermane si përgjigje ndaj aksionit sulmues të forcave partizane. Petroja me bashkëshorten jetonin të vetmuar, ishin pa farë e fis, madje dhe shokët e pakët e kishin braktisur, por nuk e kishte braktisur Lasgushi, me të cilin ishte njohur gjatë emigracionit në Bukuresht.

         Në shtator të vitin 1965 nëna ime dhe unë e njohëm Petron prej gruas së një kushëriri të tim eti, e cila punonte si shitëse buke afër shtëpisë ku banonte ky çift hallemadh. Nëna ime ishte fetare e përkushtuar dhe kur njihte ndonjë rast të tillë përpiqej ta ndihmonte me sa mundej. Këtë frymë ishte përpjekur të na i kultivonte dhe ne fëmijëve të saj. Kështu, kur vinte nëna jonë në Tiranë, tek apartamenti i Viktorit, ku banoja dhe unë, më merrte me vete dhe i bënim nga një vizitë çiftit Martini. Kur nëna kthehej në Korçë unë i vazhdoja vizitat te Petroja. Më tërhiqte enciklopedizmi i tij, urtësia, mosankimi për gjendjen e rëndë, etj.

         Pikërisht në atë dhomën e palyer prej kushedi sa vitesh, ku jetonte Petroja, me zonjen e paralizuar, e takova Lasgushin dy herë.

         Herën e parë e ndjeva veten si në ëndërr. Takoja nga afër njërin nga tre poetët e adhuruar. Deri atëhere, ishte dimri i vitit 1965-1966, adhuroja, Lasgushin, Fan Nolin dhe Migjenin. Prej dy të parëve dija përmendësh disa poezi, kurse prej Migjenit nuk dija plotësisht përmendësh asnjë poezi.

         Kisha nja 15 minuta që dëgjoja Petron. Ishte koha e Rankoviçit, prandaj Petroja më fliste  për persekutimin e shqiptarëve në Jugosllavi, sipas lajmeve dhe komenteve që kishte dëgjuar nëradiostacionet zvicerane në gjuhën gjermane. Midis tjerash më tha me një farë pesimizmi se mesa po kuptonte ai, problemi i Kosovës nuk do të zgjidhej shpejt, madje do të zgjidhej kur kufijtë e shteteve nuk do të kishin më rëndësinë që kishin kur po bisedonim.

         E shoqja e Petros rrinte shtrirë dhe nuk fliste. Ndonjëherë Petroja i drejtohej gjermanisht për ta pyetur se mos kishte ndonjë nevojë. Te shkallët u dëgjua trokitja e një shkopi: pam, pam, pam.

         “Erdhi Lasgushi, kështu troket ai me një shkop që e le prapa portës” – tha Petroja. Unë nuk e dija se ata ishin shokë e miq të vjetër. Lasgushi hyri si në shtëpinë e tij dhe pasi i dha dorën Petros, përshëndeti bashkëshorten e tij gjermanisht. Pastaj më dha dorën mua pa u prezantuar se kush ishte dhe pa më pyetur se si quhesha. U soll sikur të ishim njohur që më parë. Më pyeti vetëm se a isha mirë me shëndet. Mendova se Petroja do t’i kishte folur Lasgushit për mua në ndonjë takim të mëparshëm.

         Unë isha student në vitin e katër të degës për letërsi dhe gjuhë shqipe. Poetin më të madh lirik të viteve të paraluftës, në vend që ta takoja e njihja gjatë ndonjë ore mësimi në Fakultet, ku duhej të na e prezantonin pedagogët e letersisë, erdhi rasti ta njihja në këtë dhomë të vogël, të nxirrë nga tymrat e sobës.

         Lasgushi nuk e hoqi pallton, u ul te karrikja tjetër. Pas pak filloi biseda. Lasgushi filloi të tregonte sesi në vitet e Mbretit Zog shqiptarët i kishin qilarët plot me zaire, butet plot me verë, njerëzit mund të shkonin jashtë shtetit, etj. Ai fliste pa bërë asnjë koment nga ana e tij. Kur fliste nuk më shikonte në sy, shikonte nga dritarja. M’u duk sikur nuk fliste me mua, por sikur meditonte. Pas ndonjë ore u largova, pa kuptuar nëse Lasgushi fliste me nostalgji për kohën e rinisë kur kishte arritur apogjeun e tij si poet, apo donte të më thoshte se tani në kohën e partisë, populli shqiptar bënte një jetë më të varfër, pa zairera, pa bute me verë, një jetë të izoluar nga bota.

         Një kryqëzim në rrugë. Pas ca kohe, aty nga pranvera e vitit 1967, sa kisha dalë nga dyqani i madh MAPO dhe kisha marrë kthesën e po ecja në Rrugën e Barikadave. Pas pak më doli përballëLasgushi me dy vajzat e tij. Të madhen e mbante për dore, kurse të voglën po e mbante kalakiç, si thoshim nga Korça kur dikush e mbante fëmijën mbi zverk. Fillova ta shikoja drejt e në sy për ta përshëndetur, por ai as më pa fare dhe kaloi me një farë nxitimi. Mendova se po shkonte te dyqani MAPO, për të blerë veshje të reja për vajzat.

         Herën e dytë e takova Lasgushin te Petroja në pranverën e vitit 1970, kur kisha filluar të punoja në “Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë”, i cili dy vjet më vonë u nda në dy institute në “Institutin e Historisë” dhe në “Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë”. Lasgushi sa mori vesh se ku kisha filluar punën me tha: “Kam dy dokumente me vlerë për historinë e letërsisë dhe të gazetarisë shqiptare. Kam një poezi të Asdrenit të shkruar me dorën e tij dhe numërin e parë të gazetës ‘Shqipëtari’ të Nikolla Naços. Ky numër është botuar me bojë të kuqe, sepse ishte numër special.”

         U gëzova dhe i thashë se të tillë dokumente me vlerë është më mirë t’i ketë shteti, i cili i ruan më mirë se çdo privat. Lasgushi nuk e zgjati, po më tha se do të vinte në Institut të bisedonte.

         Kësaj radhe dolëm bashkë nga shtëpia e Petros dhe ishim duke ecur në rrugë kur i thasë se më vinte shumë keq për gjendjen e shokut të tij. Ai m’u përgjigj:

         “Petroja me të shoqen nuk donin të kishin fëmijë. Perëndia u dha disa herë fëmijë, por ajo zvicerania shkonte e i dështonte. Tani nuk ka kush t’u japë një gotë ujë. Kurse unë me Nafien për shumë vjet nuk mundëm të bënim dot fëmijë, por u interesuam te doktorët për të realizuar bërjen e fëmijëve. Dhe ja, edhe pse me vonesë, i bëmë dhe i kemi dy vajza si drita që na e mbushin shtëpinë dhe zemrën me gëzime.”

         Kur u ndamë e kujtova që të vinte në institut për të biseduar për ato dokumentet.

         Tek Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Lasgushi erdhi pas disa javësh pikërisht te zyra ku punoja unë me disa kolegë, midis të cilëve ishte dhe zv.shefi i sektorit të letërsisë, i ndjeri Jorgo Bulo. Me Jorgon, Lasgushi ishte njohur që më parë, sepse Jorgua e kishte gruan nga Pogradeci dhe kalonte atje pushimet e verës. Lasgushi nuk deshi të ulej te një kolltuk që kishim për vizitorët. Po rrinim të tre në këmbë dhe unë e hapa me njëherë bisedën për dokumentet që ruante Lasgushi. Jorgua i tha se do të ishte nder për institutin tonë që t’i kishte ato dokumente në arkivin e tij. Lasgushi e pyeti:

         “Sa paguani ju për sejcilin nga këto dy dokumente? Jorgua u ndje ngushtë dhe i tha se instituti nuk kishte mundësi të paguante, prandaj ai i mirëpriste dokumentet si dhuratë.

         “Kanë kaluar mbi 25 vjet dhe akoma ky shtet nuk ka pare të paguajë për dokumente me vlerë kombëtare”? – Pyeti Lasgushi duke e parë Jorgon me ato sytë e tij që dukej sikur lëshonin shkëndia. Pastaj shtoi: “Po kur do të kini pare për të tilla vlera”? Jorgua ngriti supet. Lasgushi u largua pa thënë gjë…

         Te shtëpia e Lasgushit në Tiranë

         Në vitin 1972, gjashtë vjet pasi kisha mbaruar fakultetin dhe kisha punuar në Radio Tirana dhe në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, m’ u dha në krah të majtë të lumit Lana një apartament me një dhomë e një kuzhinë. Që nga viti 1967 që filloi puna vullnetare për ndërtim pallatesh, ky ishte i gjashti, ku kisha derdhur djersën. Ky ishte një pallat pesë katësh anës Unazës përballë gjimnazit Ismail Qemali, në lagjen Ali Demi.

         Një ditë tetori kisha dalë në ballkonin nga ana e lumit dhe po shikoja malin e Dajtit, i cili me ngjyrat vjeshtake dukej dhe më i bukur. Kur papritur anës Lanës pashë Lasgushin veshur me pallton dhe kapellën e tij të zezë duke ecur me qenin e tij të vogël të bardhë. E kishte nxjerrë për shëtitje. Ai e mbante dhe e trajtonte konkën e vet si në Europë, jo si shqiptarët e tjerë. E mbante brenda në shtëpi si pjesëtar të familjes, i fliste me emër dhe qeni e kuptonte dhe reagonte sipas urdhrave që i jepte ai. Marrëdhëniet e Lasgushit me qenin e tij përbënin një aspekt europian të jetës së tij, por unë gabimisht e mendoja si një teke lasgushiane. Pas ndërrimit të regjimit edhe shumë shqiptarë filluan të mbanin qenër dhe konka brenda shtëpive të tyre, madje dhe brenda apartamenteve të ngushtë, duke i trajtuar si pjesëtarë të familjes dhe jo si më parë, që i linin jashtë shtëpive thjesht si kafshë mbrojtëse.

         U kujtova për dorëshkrimin e poezisë së Asdrenit dhe për numërin e parë të gazetës Shqipëtari të Nikolla Naços. Pasi pyeta se ku banonte poeti, mësova se ai e kishte shtëpinë aty pranë te rruga Asdreni. Në vijë ajrore ishim nja 200-250 metra larg njëri tjetrit. Shtëpia e tij ishte një vilë e vogël me tulla të kuqe një kat e gjysëm e rrethuar me avlli. Kishte një oborr të vogël përpara dhe shumë pak tokë rreth e rrotull. Modeli i saj ngjante me disa shtëpi që kisha parë në Pogradec.

         Shkova dhe trokita te porta, të cilën ma hapi një vazë e re, e gjallë, e qeshur me sy të mëdhenj dhe fytyrë ovale. Ishte vajza e vogël, ajo që e kisha parë kalakiç mbi zverkun e babait te rruga e Barikadave. Flokët e saj ishin bjonde në gështenjë. Më ftoi të hyja brenda. Qeni ishte në oborr, lehu pak dhe kur Marieja i bëri një shenjë, heshti. Ishte pasdite e një të djele vjeshte dhe bënte pak ftohtë. Vajza e madhe Kostandina e tërhoqi nga brenda derën e shtëpisë duke thënë: “urdhëroni”. Kjo ishte krejt bionde me fytyrë rrumbullake, e qeshur gjithashtu. Hyra në një sallon të madh dhe me lartësi mbi tre metra, që shërbente si dhomë ndënje dhe pritje. Apartamentet tanë nuk kishin asnjë nga dimensionet e këtij ambjenti. Lasgushi u ngrit nga divani dhe më dha dorën. Kishte pamje ëgjëllore, me dy mollza të kuqremta dhe sy gjithë dritë. Kurse zonja Nafie pasi më përshëndeti dhe qirasi me karamele, kaloi në një nga dhomat matanë duke ngjitur nja tre shkallë, sepse dhomat dhe banja ishin mbi nivelin e sallonit. Ajo nuk doli më. Kisha dëgjuar se ajo ishte rreth 20 vjet më e re, por në pamaje të parë m’u duk vetëm nja tre a pesë vjet më e re se bashkëshorti. Sjellja e saj më dha të kuptoja se duke shkuar pa lajmëruar po bëja një vizitë të papërshtatshme.

         Për të mos e zgjatur hyra drejt e në temë. I kujtova Lasgushit ato dy dokumentet dhe iu luta që të ma vinte në dispozicion sa për ta lexuar numërin e parë të gazetës Shqipëtari / Albanezul të Nikolla Naços. Doja të mbaja disa shënime që të shkruaja një artikull. Në Bibliotekën Kombëtare nuk kishte asnjë numër të kësaj gazete. Numëri i parë i saj kishte dalë shqip e rumanisht më 16 korrik 1895. Ky numër ishte me vlera historike sepse shënonte daljen e gazetave shqiptare të Rilindjes. Mirëpo Lasgushi më tha se këtë dokument dhe të tjera i ruante te shtëpia e tij në Pogradec dhe se ato nuk i kishte të sistermuara dhe kushedi se kur mund t’i gjente.

         Pastaj filloi të tregonte për vajtjen e tij në Bukuresht kur ishte djalë e ri. Tregoi se shkoi te një kushëriri i tij që shiste birra në një kafene-birrari. Për të fjetur kushua i shtroi disa plaçka në një gade birre bosh që rrinte shtrirë te një qoshe e dyqanit. I hodhi diçka për mbulesë dhe vijoi punën. Mirëpo Lasgushin, edhe pse ishte i lodhur, nuk po e zinte gjumi. Nuk ishin bisedat dhe zhurmat e njerëzve që e pengonin të flinte, por pozicioni me këmbë shumë të mbledhura.

            “Tërë natën u përpëlita duke u kthyer sa majtas djathtas, por nuk fjeta dot”, tha Lasgushi dhe sqaroi: “Njeriu nuk fjetka dot po të mos i shtrijë këmbët.”

         Pas këtij rrëfimi u ngrita dhe ika duke ia dhënë dorën me ngrohtësi. Deshi të delte te porta, por unë i thashë se bënte ftohtë dhe nuk ishte e nevojshme të më përcillte. Më pa me ato sytë e tij që të zhbironin dhe u kthye te divani. Vajzat erdhën deri te porta dhe pasi u përshëndetëm, e mbyllën portën.

         Jam mjeshtër i poezisë, si im atë – usta i punimit të bakrit

         Një herë tjetër shkova te Lasgushi bashkë me Julian. Ishte pranvera e vitit 1977 ose 1978. Julia kishte shkruar një poezi dhe donte t’ia recitonte. Ishte një poezi peisazhi. Lasgushi, pasi e dëgjoi, nuk e kritikoi faktin se poezia nuk kishte varg të rregullt dhe rimë, por theksoi: “Ambjentin e ke përshkruar mirë, por mungojnë lëvizjet. Peisazhi poetik pa lëvizje, pa jetën e gjallë, është i vdekur.”

         Menjëherë më erdhi në mend poezia e tij “Poradeci”:

“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir.

Po përhapet dal-nga-dalë një pluhùrë si një hije.

Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb i natës që po bije,

Dyke sbritur që nga qjelli përmbi Fshat po bëhet fir…

E kudo krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në katund kërcet një portë… në liqer hesht një lopatë…

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…

Futet zemr’ e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…

Zotëroi më katër anë errësira…

Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes në Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.”

         Kështu ishin plot jetë edhe poezitë e tjera të peisazhit të tij si “Kroi i fshatit tonë”, etj. ku peisazhi ishte i mbushur me jetë njerëzore, me lëvizjet e njerëzve dhe të qenieve të gjalla.

         I thashë: “Ke të drejtë, Lasgush.”

            “Kam të drejtë sepse jam mjeshtër i poezisë, unë e di si krijohet poezia dhe askush nuk mund të më kritikojë pse e kam shkruar në këtë ose atë formë një poezi.” – tha me një farë krenarie dhe shtoi: “Im atë ishte usta i mbaruar si punues i bakrit. Unë nuk mund t’i bëja atij asnjë vërejtje sesi i kishte krijuar tenxheret, kusitë, tepsitë, pjatat prej barkri të cilat pasi u jepte format e duhura i kalliste nga brenda dhe i lyente nga jashtë me një ngjyrë të errët. Im atë ishte usta i punimit të bakrit, kurse unë u bëra usta, mjeshtër i poezisë.”

         M’ u kujtua sesi një herë, kur u ndodha në zyrën e Dionis Bubanit te revista Hosteni ra zilja e telefonit. Në telefon fliste Lasgushi. Dionisi i drejtohej jo me emër as me formën e respektit “zoti Lasgush”, por me fjalët: “Po mjeshtër…, mjeshtër të lutem”, etj.” Dionisi e kishte kryer shkollën e mesme në Bukuresht dhe dinte ta vlerësonte Lasgushin si e meritonte, kurse unë me kolegët e mij, të diplomuar në Universitetin e Tiranës, i drejtoheshim këtij poeti të shquar thjesht me emrin e tij, Lasgush, sikur të ishte shoku ynë. Dionisi më tha se Lasgushi ishte i vetmi poet në Shqipëri që kishte gradën shkencore Doktor në Flozofi, pra PhD, si e shkruajmë sot. Lasgushi, si dhe Eqrem Çabej, ishin njerëz të thjeshtë në sjellje dhe biseda. Ata nuk i përmendnin titujt, veprat dhe arritjet e tyre, por në sjelljen e tyre fisnike ndjehej krenaria e të qenit njerëz të shquar, njerëz të formuar në botën Perëndimore. Dhe ku, në Austri.

         Shkollim marrin të gjithë, por kulturë hiç fare

         Një herë tjetër shkova përsëri me Julian. Lasgushi ishte në oborr bashkë me Ing. Petraq Kolevicën. Sapo ishin ngritur nga karriket. Petraqi i dha dorën dhe u bë gati për të dalë. Unë kisha qejf të rrinte dhe ky intelektual i shquar e poet, që ta dëgjonim së bashku mikun tonë. I bëra shënjë me dorë, por gjestit tim iu përgjigj me ngritjen e dorës së djathtë duke treguar orën, pra i kishte vajtur ora për një punë a takim tjetër.

         Petraq Kolevica kishte qenë një nga ata nxënësit e shkëlqyet (exelence) që kishte nxjerrë gjimnazi i Korçës që nga vitet kur kishte qenë Lice Francez dhe deri më 1990. Të gjithë këta ishin shquar më vonë në fusha të ndryshme. Petraqi e tregoi veten intelektual i shquar në disa drejtime si arkitekt, shkrimtar, poet, përkthyes dhe pastaj si botuesi i librit me shënime “Lasgushi më ka thënë”, punë të cilën duhej ta kishim bërë një nga ne studiuesit e letërsisë shqiptare të së kaluarës. Por ne luftonim të realizonim planin që na ngarkonte drejtoria, kurse për ndonjë punë jashtë planit, si mbledhje kujtimesh nga Lasgushi, Ali Asllani, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, etj as na shkonte në mend. Nuk na shkonte në mend sepse ishim punonjës shkencorë pa shkëndia dhe të patalentuar…

         Pasi hymë brenda, pas disa bisedash, Lasgushi tha duke qeshur:

         “Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: ‘Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik’.”

         “Të lumtë se e ke qëlluar, i thashë unë që e njihja Skënderin nga afër dhe shtova: “po për profesor Eqrem Çabejn a mund të japësh ndonjë karakterizim?”

         “Pa tjetër, tha Lasgushi dhe duke u drejtuar, sikur do të recitonte, deklaroi: “Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti.”

         E duartrokitëm ne dhe vajza e tij, Maria, që ndodhej aty. Për ta ngacmuar e pyeta:          “Po vetes a i njeh ndonjë të metë?”

         Lasgushi qeshi dhe tha: “Mos kujtoni se jam engjëllush. Jam Lasgush, por dhe djallush.”

         Qeshëm të gjithë. Pastaj ra biseda për shkollat dhe shkollimin masiv të popullit. Ai menjëherë tha: “Sot Shqiperia është mbushur me shkolla, shkollim merret nga të gjithë, ama kulturë, shqiptari nuk ka hiç fare.”

         Këtë shprehje kritike ndaj gjendjes së ulët të kulturës sonë ai e përsëriti edhe një herë tjetër disa vjet më vonë, kur i shkova për vizitë bashkë me mjekun dhe shkrimtarin Misto Marko dhe me ish-shokun tim të fakultetit, Kristaq Nanushin.

         Ne që u diplomuam prej shkollës socialiste nuk na vjen mirë ta dëgjojmë këtë thënie të Lasgushit, por koha pas ndërrimit të regjimit tregoi dhe po tregon se sa kulturë të dobët kishim dhe kemi, të gjithë ne që nga pushtetarët e deri tek qytetarët me diploma të shkollave të mesme e të larta.

         Te Biblioteka Kombëtare

         Lasgushi vinte rallë te Biblioteka Kombëtare, te godina e re përballë xhamisë qendrore. Mirëpo ndodhi që një herë, kur isha duke kërkuar të dhëna për një libër te skedari i katit të parë, pashë që po hynte Lasgushi. Iu afrova. U përshëndetëm dhe si e kishte zakon, nuk u zgjat në bisedë, por nisi të më thosh një lajm, që më çuditi:

         “Po të më dërgojnë mua në Zvicër për kërkime bibliografike, unë jam në gjendje të gjej në një bibliotekë të atjeshme një libër shqip të botuar para “Mesharit” të Gjon Buzukut.”

         “Po ç’ pret, i thashë, pse nuk vete tek Aleks Buda, kryetari i ‘Akademisë së Shkencave’ dhe t’i kërkosh një shërbim”.

         “Aleksi do dërgojë mikun e tij Dhmitër Shuteriqin, jo mua. Prej meje do kërkojë vetëm të dhënat dhe aq.” 

         Nuk e zgjati më dhe kaloi më tutje, kurse unë u ktheva te skedari. Të nesërmen i thashë nëndrejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Prof. Koço Bihikut, mirëpo ky e mori si një shaka lasgushiane dhe nuk e ndoqi çështjen.

Filed Under: Politike Tagged With: Thanas L Gjika-Kujtime- Takime me Lasgushin

Ra ky tërmet si kismet për Edi Ramën

December 8, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Me mbylljen e firmave piramidale dimrin e viteve 1997-’98, njeriu më i njohur i kaosit social u bë Farudin Arapi. Mund të ndaloje kë të doje në rrugë dhe ta pyesje se a njeh këtë person, menjëherë do të pohonte se po, është kumbara i lekëve. Atë kohë qeveria e Fatos Nanos ngriti një grup pune për menaxhimin e fondeve të bllokuara dhe e caktoi zotërinë në fjalë si mbikëqyrës të këtyre parave. Afërmendsh një veprim i drejtë pasi kryeministri duhet të lirohet dhe të ndjekë axhendën e shtetit me një performancë 100%. Njeriu më i publikuar në televizion, thuajse në të gjitha lajmet, ishte pikërisht Farudini. Gjithkund tema e lekëve, kaosi i ditës. Kaos është edhe sot, por nuk njeh ndokush ndonjë Farudin të emergjencave civile. E kam fjalën që dil dhe ndalo dikë në rrugë dhe ta pyesësh se kush është mbikëqyrësi i tërmetit, i emergjencave civile etj. A njihni ndonjë si ai Farudini i lekëve dikur etj? Me siguri që do të thonë Edi Rama ose Erion Veliaj, por asesi emrin e zotërisë që mbulon këtë post. Kjo jo për faj të tij pra personit përgjegjës për emergjencat civile, por për shkakun e qëllimshëm, uzurpimim e gjithçkaje nga kryeministri i vendit. Ai që të çan sytë kudo në televizione është Farudin Rama, një masiv që di gjithçka, që bën gjithçka, gjithkënd, mbikëqyrësin, sizmologun, inxhinjerin, psikologun etj. Do mendoni se po lavdëroj Fatos Nanon…, jo vetëm ai, por të gjitha qeveritë e deritanishme, sado firove të korrupsionit, kishin pak sharm demokracie sidomos në ndarjen e sundimit a balancimin e pushteteve. Në fund të fundit edhe partitë vendosnin forumet, vendimet në një masë të konsiderueshme ishin kolegjiale, jo vula me forcë të njëshave. Në mos gaboj një ditë para tërmetit, në shpalosjen e ligjit për KÇK në versionin one man show, Edi Rama u tha anëtarëve të partisë në sy të shqiptarëve se kush nuk e voton këtë ligj është i përjashtuar nga partia. Ky është rasti më flagrant që shqiptarët e kalojnë në heshtje, po ashtu edhe milituesit brenda një force etj., por definitivisht ka përcaktuar publikisht lindjen e liderit one man rule, një person vendos dhe vulos për gjithçka dhe jo forumet. Dhe tërmeti, kthejeni si të doni, me gjithë dhimbjen e rasteve si familjet e shuara, ku plot humbën shtëpinë a gjakun e djemve në kurbet, e ku plot të tjerë humbën jetën pasi të dalësh nga shtëpia është njësoj sikur ke humbur jetën…, kthejeni nga të doni Edi Ramës i erdhi si kismet nga qielli. Gjithçka e ka kthyer në një fushatë përkujdesje elektorale duke na parashtruar po publikisht sikur të jemi të gjithë anëtarë të rilindjes, atë që nëse nuk bëjmë e pranojmë atë që thotë ai jemi të përjashtuar nga Shqipëria. Shkurt vendi im sot ka një model të përkryer të Hosni Mubarakut, Sadam Huseinit, Gedafit, Bashar al Asadi, Llukashenkos, Rexhep Taip Erdoganit etj. Të gjithë modele liderësh të lindjes, nga fushat e rërës dhe opiumit, jo andej nga militon shoqëria shqiptare, perëndimi. Sot webet Edi Ramës po çahen me lajme nga Stambolli, dy siamezët u takuan. Turqia, më falni jo Turqia se Turqia është tjetër gjë, por Erdogani dhe binjaku i tij masivi Edi, do ndërtojnë disa lagje me nga 500 shtëpi, por afërmendsh edhe nga një xhami midis. Ta gëzoni ndihmën me pykë se xhamitë na duhen, jo shkollat.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Ra ky tërmet- si kismet- për Edi Ramën

Përtej diellit të qelqët apo mallit për fisnikërinë

December 8, 2019 by dgreca

Nga Nue Oroshi /Malli i fisnikërisë përballë jetëngjitjes në timonin e besnikërisë që drejtohët prej mallëngjimit për ecjakët e drejtpeshimit të trupit i cili dirigjohet nga mendja e lëvizjeve përtej diellit të qelqet,sillet në valvitjen e valëve të jetës.

Në kohën e peshëngritjeve pranë trullosjes së mendjës sillen vërdallë fushnaltat me një vijë gjarpërore që ndan fushat nga detrat me një pjellshmëri gjigante dhe ujit të njelmët i cili shëron plagët shpuese. Rreth diellit dhe qiellit sillen me fletezat e këputura në mes kohëzgjatjet e panteonit magjik i cili në përballjen në mes të diellit dhe hënës arriti t´iu marr rrokaqiejeve dritën e syrit para se të vërbohet bota me djallëzinë dhe babëzinë.

Në kohën e mjegullnajave politike kam mallë për fisnikërinë dhe besnikërinë.Dy tipare shqiptare që janë harruar dhe janë zëvëndesuar me rrahagjoksin dhe thyerjen e fjalës së thënë.Përtej diellit të qelqët apo mallit për fisnikërinë sillen dhe pështillën edhe hutia për të pabërat apo mbajtja në thellësinë e shpirtit për të pathënat. Ndikimet dhe qoroditjet që ndodhin në kohën qe po e jetojmë ju ngjajnë dëshmive satanike për ta mbuluar rrethrrotullimet e vijave të përhmta që më shumë i kushtojnë kujdes satanikës dhe djallëzores se sa njerëzorës dhe fisnikërisë.

Muzat kanë heshtur për faktin e përzierjes së temperaturave që sillen rreth mendjes ku mendja bëhet herë-herë akull e ftoftë e herë herë merr një zjarmi përvëluse.E në mes të zjarmisë përvëluese dhe akullit të fortë të mendjës muzat kanë mbetur pezull dhe nuk bëjnë asnjë lëvizje qoftë edhe ato lëvizje të thjeshta që janë të brumosura në mes të  diellit të qelqët dhe zërit të fisnikërisë dhe besueshmërisë. E derisa muzat e kanë ndalur shikimin në skenë dalin portretët që rendisinë fjalët dhe shkarravinat që janë të rënditura sikurse janë humbur në errësirën e mendjës pa dëgjuar deshirën e ecjakjeve përpara.

Edhe pse dielli në këtë kohë dimri shkëlqen shumë rrallë ai sikur na bën me dije se shkëlqimi i tij do të mbetët gjithmonë i freskët kurse rrezët e tij edhe pse nuk janë përvluese na paralajmërojnë se toka pa diell është e shkretë ashtu siç është e shkretë edhe jeta pa fisnikëri e besueshmëri.Parimet e njerzisë duhet ti kthehën shqiptarisë sepse ato janë të nevojshme sikur buka, uji, ajri, qielli e dielli.

Filed Under: Politike Tagged With: Nue oroshi-Pertej diellit te qelqte

PUSHO NE PAQË LUFTËTAR I LIRISË, RESHAT KRIPA!

December 5, 2019 by dgreca

Shuhet Reshat Kripa, një nga luftëtarët e palodhur të rezistencës antikomuniste shqiptare, një punëtor i palodhur për Lirinë dhe demokracinë, një veprimtar i pakompromis kundër komuinzmit dhe mbetjeve të tij. Zemra e Reshat Kripës pushoi në moshën 83-vjeçare. Ai ishte nga figurat e njohura antikomuniste në vend, ish-burgosur dhe i përndjekur politik, q ëprovoi burgun dhe torutrat që në moshë të re. Federata VATRA dhe gazeta e saj DIELLI, ngushëllojnë familjen dhe miqtë. Reshat Kripa ishte dhe një publicist i njohur dhe gazeta Dielli pati fatin që ta kishte bashkëpunëtor të saj. Pena e Reshat Kripës nuk u lodh së denoncuari falsitetion e demokratizimit të vendit dhe luftoi pa kompromis riaktivizimin e komunistëve të nomenklaturës, përgjegjësve të krimeve të diktaturës, ish hetusëve sadist. Ai denoncoi pa frikë, me kuarjo. Media shqiptare humbi një publicist kurajoz.

Sot nëpër rrjetet sociale dhe mediat online janë përcjellë mesazhe dhimbjeje e ngushëllimi.

Kryetari i Shoqatës të Përndjekurëve Politik, gazetari Nebil Çika, shkroi: Me pikëllim të thellë njoftojmë se ndërroi jete Resht Kripa ish i burgosuri politik antikomunist, anëtari i kryesisë kombëtare dhe themelues i Shoqatës ,shkrimtar e publicist ,aktivist i te drejtave civile.

Shoqata Antikomuniste e te Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes ,miqve dhe bashkëvuajtësve të tij dhe u ndodhet pranë ne ketë momente te vështira ! 

Qofsh i Parajsës miku dhe bashkeluftetari yne i nderuar ! 

Varrimi bëhet neser datën 06.11. 2019 ora 12.00

Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha shkroi:Mësova me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të z. Reshat Kripa, pinjoll i një nga familjet më të njohura të Vlorës dhe një luftëtar i paepur kundër diktaturës dhe për lirinë e individit.

Z. Kripa e njoha fillimisht nga librat që flisnin për rezistencën ndaj diktaturës komuniste, ku Reshati, që në moshën 15 vjeçare, bashkë me dy shokë të tij, shpërndante thirrje-trakte për rrëzimin e diktaturës. “Duke pasur flamurin kuq e zi të Skënderbeut të ngrihemi që të gjithë të luftojmë për lirinë e grabitur”, thuhej në njërin nga traktet e 15-vjeçarit Kripa. “Për Shqipëri, për liri, për flamurin kuq e zi”.

Firmosur nën pseudonimin “Atdhetari”, kjo veprimtari e hershme e Reshat Kripës do të shënjonte në fakt të gjithë jetën e tij. Në burgun e hershëm për minorenët, e më vonë në burgjet e gulagët e diktaturës, Reshati nuk e pranoi kurrë rreshtimin e Shqipërisë përkrah diktaturave komuniste.
Edhe pas rrëzimit të Perdes së Hekurt, Reshat Kripa mbeti Atdhetari që kish qenë, një luftëtar i rangut të parë kundër çfarëdolloj tentative për restaurimin e pushtetit të nomenklaturës. Ai së bashku me të motrën, aktoren e paharruar Drita Pelinku (Kripa), u angazhuan pa u lodhur në betejën e demokracisë së re të Shqipërisë për respektimin e të drejtave të njeriut.

Reshat Kripa ishte themelues i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë dhe një aktivist i pashoq në betejën për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e drejtë të ish-të përndjekurve politikë. Në këtë sfidë të dytë të jetës së tij pata fatin ta njoh personalisht Reshat Kripën dhe të ndaja me të energjinë e angazhimit për një kauzë të drejtë.

Me largimin e tij, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, por aktivizmi i tij politik, publicistik e shoqëror do të mbeten trashëgimia e tij më e vyer për bashkëvuajtësit, si dhe të gjithë shqiptarët që ndanin me të aspiratën për ta parë sa më shpejt Shqipërinë një anëtare të denjë të familjes europiane. U prehtë në paqe!

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat Kripa- Nderroi Jete-83 vjeç

VATRA- VAZHDOJNË KONTRIBUTET PËR FUSHATEN E TËRMETIT

December 2, 2019 by dgreca

Edhe gjatë ditës së sotme shumë bashkatdhetarë kanë telefonuar dhe kanë shprehur solidaritet me fushatën e Vatrës duke nisur ndihma në adresën e saj. Telefonata të tilla janë bërë në zyrën e Vatrës jo vetëm nga shtete të ndryshme të Amerikës, por edhe nga Zvicra dhe Kanadaja. Vlerësojmë çdo kontribut, pavarësisht shumës që dërgohet. Secili kontribuon me aq sa mundet. Ne, do t’i bëjmë publike Listat emërore sapo të arrijnë të gjitha premtimet  e deklarauara. Vetëm gjatë ditës së sotme sollën e kontributete tyre:

1- Avokati Fatos Dervishi $500.00

2- Alfons Grishaj $500.00

3- Zef Balaj $ 1000.00(ditën e fushatës ishte në Detroit)

Po ashtu kontribuoi edhe studuesi Idriz Lamaj,Muhamet Omari, Zija Lepenica etj., ndërkohë që bashkatdhetari Esat Likaj nga Zvicra, i anëtarësuar në degën e Vatrës Hudson Vally, NY, derdhi në llogarinë e Vatrës $1000.00 për fushatën e Tërmetit.

Ju lutemi të gjithë atyre që duan t’i bashkojnë kontributet e tyre me Vatrën, le ta dërgojnë chekun në adresën e Vatrës:

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

Vatra që ka përvojë 107 vjeçare në dërgimin e kontributeve në Atdhe ju garanton transparencë dhe korrektësi.

Faleminderit të gjithë kontributorëve.

Filed Under: Politike Tagged With: Vatra- Termeti-Fushata vazhdon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 388
  • 389
  • 390
  • 391
  • 392
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT