• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vrapi pas zgjedhjeve dhe heshtja për zgjidhjen

August 31, 2019 by dgreca

Nga Nue Oroshi/

Turravrapi i partive politike shqiptare në Kosovë në prag të zgjedhjeve i ngjanë një mozaiku me shumë ngjyra ku secila mundohet të rrezatoj edhe pse në të vërtetë shpeshherë këto ngjyra nuk janë ngjyra natyrore por janë ngjyra artificiale që ju humbë rrezatimi me të përfunduar të zgjedhjeve më, 6 tetor 2019.

E njëjta gjë ndodhë edhe me buzëqeshjet artificale të politikanëve tanë që nuk janë buzëqeshje natyrore por vetëm buzëqeshje artificiale që përfundon me përfundimin e zgjedhjeve.Vrapi i partive politike për të marrë pushtetin i ngjanë vrapit të vrapuesit amaterë i cili në fakt nuk  është atletë dhe as vrapues profesionistë por që mundohet ta japë edhe frymën e fundit që të arrijë qëllimin e caktuar.Në këtë garë kemi së paku katër politikanë dhe një politikane që e ënderrojnë vetën kryeministër pas 6 tetorit. E nga ky ëndërrim vetëm njëra apo  njëri prej tyre do të jetë kryeministër apo kryeministre e Kosovës.

Një faktë është mjaftë interesant në këto zgjedhje.Është shumë vështirë të përcaktohet fituesi, për faktin se katër parti politike apo koalicione janë në garë për ta marrë vendin e parë dhe diferenca në mes të këtyre partive politike nga vendi i parë deri në vendin e katërt do të jetë shumë e ngushtë diku 5 deri 6%. Partitë apo koalicionet që po garojnë për vendin e parë që në një mënyrë apo tjetër thonë se do të jenë fituese të zgjedhjeve janë LDK,Vetëvendosje,PDK,AAK kurse Nisma Socialdemokrate do të kalon pragun zgjedhor dhe do të jetë shumë e kërkuar për koalicion paszgjedhor për faktin e arritjes së numrave.

Një gjë është pozitive në këto zgjedhje që Partitë politike shqiptare pesë prej tyre e kanë mundësinë e matjes së tyre me njëra-tjetrën.Një përparësi të lehtë në këtë drejtimë e ka LDK për shkak të faktit se kandidate për Kryeministre të Kosovës e ka një femër intelektuale dhe mjaftë e adhuruar tek masa popullore siç është Vjosa Osmani.Nëse Vjosa Osmani arrin dy gjëra: që ta zgjon elektoratin e fjetur të LDK-së dhe  të rikthej elektoratin e zhgënjyer të kësaj partie atëherë LDK mund ta këtë një fitore të lehtë karrshi partive tjera.Por kjo varet edhe nga fakti se sa është aktiv partia në terën.

Vetëvendosja me Albin Kurtin është një parti e cila dita -ditës po fiton terën dhe mbështetje tek rinia e zhgënjyer  e Kosovës dhe kohëve të fundit ju kanë bashkuar edhe disa intelektualë. Por kjo parti ka edhe zbrazësitë e saja se nuk dihet se sa pasoja i ka lënë ndarja për faktin se 35 % të deputetëve që kanë lënë partinë nuk janë pak.Një gjë të tillë e ka përjetuar edhe LDK-ja në të kaluarën kur u nda në dy krahë dhe pas shumë viteve doli partia e dytë.PDK-ja me kandidatin e saj Kadri Veseli i ka ra reputacioni për tokë.

Ajo për momentin shikohet si partia më e urryer dhe si fajtorja kryesore për këto degradime e shkatërrime që iu kanë bërë Kosovës.Por kur e dijmë faktin se elektorati i Kosovës nuk është një elektorat stabil dhe kjo parti përdorë mënyra e metoda të shumta për të fituar votat edhe kjo parti nuk mundet të jetë pa rezultate dhe mundë të jetë në mesin e katër partive të mëdha.Kjo parti shumë më tepër vota do të kishte marrë sikur kandidat i saj për kryeministër të ishte ish ministri i financave Bedri Hamza.Shumë interesantë do të jetë rezultati i koalicionit në mes të AAK-së dhe Partisë Socialdemokrate.

Dhe kjo për dy çështje:e para rritja e reputacionitë të ish kryeministrit Ramush Haradinaj për faktin e këmbëngulsisë i cili dha dorëheqje dhe nuk pranoj shfuqizimin e taksës kundër Serbisë si dhe për faktin se është partia e parë që ishte në koalicion me PDK-në e që arriti ta rrëzoj PDK-në nga pushteti pa dëshirën e saj se paku në ato momente.Si dhe fakti i dytë është se ende nuk dihet se sa vota do të tërheqin deputetët e Partisë Socialdemokrate që u shkeputën nga Vetëvendosja.

Kurse Nisma Socialdemokrate nuk pretëndon që do të jetë në mesin e katër partive të para por që pas zgjedhjeve do të jetë një parti shumë e kërkuar për koalcione paszgjedhore.

Një gjë e cila e mundon çdo qytetarë të Kosovës është fakti se këto zgjedhje a do te prodhojnë zgjidhje.Zgjidhje është kur ndalet korrupsioni,hajnia e kriminaliteti.Zgjidhje është kur ndalen ndikimet e shteteve antishqiptare siç janë Rusia,Serbia,Turqia e shtetet arabe që dita-ditës janë duke e shtrirë ndikimin e tyre në trojet shqiptare e në veçanti në Kosovë.

Zgjidhje është sjellja e bizneseve serioze nga Evropa e hapja e fabrikave dhe prodhimeve të ndryshme që i sigurojnë rinisë qëndrimin në Kosovë dhe jo ikjen kah sytë-këmbët.Partitë politike shqiptare janë duke vrapuar shumë për të fituar zgjedhjet.Por ato janë duke heshtur se si do të bëhët zgjidhja pas zgjedhjeve që Kosova të fillon të ecë kah e mbara.

Filed Under: Politike Tagged With: Nue Oroshi-Vrapi pas zgjedhjeve, Nue Orosho-Vrapi pas zgjedhjeve

MIKU I MADH I SHQIPTARËVE, DIPLOMATI HERMAN BERNSTEIN

August 30, 2019 by dgreca

Opinion rreth librit monografik të autorit Mal Berisha /

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/

E lexoja librin e diplomatit Mal Berisha për një tjetër diplomat, madje edhe të një tjetër kohe, Herman Bernstein, dhe më sillej nëpër mendje ajo shakaja e Henri Kizingerit, kur thosh se: “Më telefonoi  ministri i Punëve të Jashtme të Amerikës Heig dhe më ngarkoi me misionin t`u shpjegoj politikën e jashtme të qeverisë sonë kinezëve, secilit më vete”. Natyrisht që ky nobelist që afroi politikisht vendin e tij me Kinën dhe Vietnamin e dinte më mirë se kushdo, se detyra e një diplomati, e ca më shumë ajo e një ambasadori, është nga më të vështirat dhe më seriozet. Është njëkohësisht një detyrë që përveç ndershmërisë, kërkon edhe vlera të veçanta intelektuale dhe sidomos përkushtim. Duke i pasur këto cilësi si rrallë kush, brenda frakut të tij diplomatik, ish konsulli ynë i Përgjithshëm në Stamboll dhe më pas si ambasador në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe në Irlandë, Mal Berisha, në morinë e librave të tij mjaft të mirëpritur, kësaj here ka zgjedhur të trajtojë një figurë emblematike, por paradoksalisht, pak të njohur, si ajo e amerikano – hebreut Bernsteinit, i cili nga periudha 1930 deri në vitin 1933 kreu detyrën e ambasadorit të SH.B.A. – ës në Shqipërinë e mbretërimit të A. Zogut. Shekspiri diku ka thënë se: “Jeta është e shkurtër, por e vërteta rron shumë dhe arrin larg”. Dhe ja tek e kemi kaq pranë dhe kaq të qelibartë (siç e thotë ky mbiemër), veprën e një miku të shquar si ky njeri, i cili kur u largua nga vendi ynë meritoi dekoratën më të lartë “Kordoni e Madh të Urdhrit të Skënderbeut” dhe cilësimin nga shtypi i kohës si “…një prej pionierëve të botës së re.” Është shumë domethënëse e vërteta historike se gati të gjithë vizitorët që kanë ardhur në Shqipëri, jo vetëm janë mrekulluar nga bukuritë natyrore dhe mikpritja e popullit tonë tejet të varfër, por dhe janë dashuruar me Shqipërinë dhe janë bërë apologjetë të çështjes tonë kombëtare. Ne u detyrohemi shumë atyre. Dhe këtë bën edhe autori Mal Berisha me librin e tij, i cili nuk përqendrohet vetëm te vitet e protagonistit në Tiranë, por rrok gati gjithë veprimtarinë e tij si poet, prozator, publicist, përkthyes, gazetar, politikan, atdhetar e mik influent i shumë e shumë personaliteteve që ndikuan në historinë botërore, duke na e dhënë të plotë portetin e tij. Vetëm kështu mund të kuptohet sesa rëndësi i vinin vendit tonë, dhe sa respekt kishin për popullin tonë, presidentët e nderuar të Amerikës si Roosevelt, Wilson dhe Hoover, për të vazhduar deri në ditët tona. Janë disa momente që do të shërbejnë përjetësisht si gur themeli në miqësinë me SH.B.A. – në, si ajo deklarata e Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 – tën, për moslejimin e coptimit të vendit tonë, vendosja e marrëdhënieve diplomatike, ndihma për çeljen e shkollave emërmëdha, përkrahja e luftës nacional – çlirimtare, trajtimi mëse njerëzor i emigrantëve tanë në Amerikë, ndriçimi i mendjeve të shqiptarëve për rrezikun komunist, ardhja e zotit Bejker pas shembjes së diktaturës, më 23 qershor të vitit 1991, vizita e presidentit George W. Bush, pas të cilës u anëtarësuam në NATO, ndërhyrja ushtarake për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe e Millosheviçit etj. etj. Kur Bernsteini mbërriti në Shqipëri, situata ekonomike, politike e sociale ishte aspak e mirë. Por ai ishte i prirur ta gjente të mirën dhe të bukurën edhe duke parë nga dritarja e selisë së tij. E përshkruan atë me  një romantizëm të ëmbël, e quan atë pamje magjepsëse dhe të çuditshme, tek e cila sheh një peizazh të jetës shqiptare me tërë format dhe ngjyrat e saj të larmishme. Ai ua përshkruan lexuesve amerikanë, që s`kanë asnjë dijeni për këtë vend e këta njerëz, me shumë ngrohtësi dhe me besim se shumë shpejt do të bëhet i zhvilluar si tërë popujt e qytetëruar të Evropës. Ai i fton ata ta vizitojnë këtë vend pa konflikte fetare, se po u vonuan, do humbasin shumë. Duhet ta njohin mikpritjen proverbiale dhe kostumet e bukura e të habitshme. U thotë atyre që të shpejtojnë se shumë nga magjia e këtij vendi po zhduket, pasi po hyn e reja e jetës moderne. Dhe është po ky mik i yni që teksa kërkon nga qeveria e tij ndihmë për arsimin dhe bujqësinë tonë, me shumë dashuri i drejtohet në një relacion presidentit të tij me këto fjalë: “Shqiptarët janë njerëz të tillë që më mirë vdesin, sesa të kërkojnë, më mirë mbarojnë në dëshpërimin e vet, sesa të qahen… Ata janë popull tragjik, por një racë heroike…” Dua të besoj se edhe vetë udhëheqësit shqiptarë, nuk mund të flisnin më me entuziazëm për popullin e tyre. Ky ambasador i njihte mirë dhe kurrë nuk i kapërcente detyrat e tij. Mal Berisha, ky shqiptar i kulluar, dhe me kulturë superiore, ka hulumtuar gjatë rreth kësaj figure kaq interesante dhe ka gjetur mjaft materiale nëpër arkiva që tregojnë se Herman Bernsteini ishte një mbrojtës i palëkundur i aspiratave tona për liri e pavarësi. Vlen të theksohet qëndrimi i tij ndaj çdo lloj synimi për ta pushtuar, shfrytëzuar apo për të përfituar nga mundësitë që Shqipëria kishte. Ai, mban qëndrim tepër të drejtë dhe demaskues, veçanërisht ndaj planeve djallëzore të Musolinit. Ai në tërësi, e shpall dyshimin e tij për tendencat aneksioniste të fashizmit dhe të Hitlerit, aventurat e të cilëve do ta çojnë botën në një luftë tjetër botërore. Mesa duket të çmendurit e Evropës, ende nuk kanë nxjerrë mësime nga kasaphana e Luftës së Parë Botërore. Edhe diplomatët italianë e ndjekin si hije çdo lëvizje dhe çdo qëndrim të tijin. Mali, na i ka dhënë në ligjeratë të drejtë, raportimet e tyre për këtë ambasador që ata e quajnë të shqiptarizuar dukshëm në çdo veprim të tijin. Madje, aq sa i gëzohen largimit të tij, aq edhe i tremben faktit se ai duke qenë me ato talente, pra me botime librash, artikujsh, novelash dhe mundësi politike, do të vazhdojë të përkrahë këtë vend dhe të mbështesë me këshillat e tij si shpëtimtar mbretin Zog. E për më tepër, sipas tyre, ky njeri që hapi shkollën teknike, dhe atë të Golemit e Kavajës, ka mundësi të sjellë edhe ndihma të qenësishme ekonomike. Kapitull më vete në libër, autori i kushton marrëdhënieve të sinqerta dhe mjaft të përzemërta me vetë mbretin. Për më tepër, ai nuk mjaftohet me vlerësimet dhe largpamësinë e këtij burri shteti, por edhe i kërkon dhe shkruan të parën biografi të tij. Sa baltë e helm është hedhur mbi figurën e A. Zogut nga komunistët. Por si ka mundësi që një burrë kaq inteligjent, një njohës i shkëlqyer i historisë, një diplomat me përvojë, një njeri i lirë në mendime, një njeri që nuk i kursen kritikat për askënd, flet për të me aq konsideratë? Mbi të gjitha, ai vëren një mprehtësi mjaft hollë në vështrimin e problemeve si me fqinjët, ashtu edhe kur diskutohen farsa ndërkombëtare. Është me mjaft domethënie vetëm analiza që A. Zogu i bën propozimit Briand për parandalimin e militarizimit dhe për pasojë edhe të vetë Luftës së Dytë Botërore. Ja si shprehet Zogu në bisedë me ambasadorin: “Unë kam vënë re se në këto konferenca problemet më të vështira janë ato që mbeten për t`u zgjidhur në mbledhjen e ardhshme e kështu me radhë dhe pastaj fillon akumulimi i problemeve dhe brengave më të vështira, të cilat nuk mund të zgjidhen dhe as të rregullohen, pasi vërtetë që aty nuk ka dëshira për t`i zgjidhur ato dhe për shkak se secili prej burrështetasve që shkojnë në ato konferenca është i përkushtuar t`i zgjidhë këto probleme sipas interesave të tij dhe jo nga pozicioni i mbarëvajtjes së përgjithshme. Kjo është arsyeja përse unë mendoj se shtetet e Bashkuara të Evropës, siç i propozon Briandi, do të mbeten vetëm një ëndërr boshe, një gjest madhështor, i ndërmarrë me qëllim që Franca, kur të vijë ajo ditë, të realizojë përpjekjet e saj për të bashkuar Evropën, me qëllim që të sjellë paqen.” Asnjëherë H. Bernstein nuk harron të theksojë se shqiptarët janë pasardhës të Skënderbeut, dhe që edhe sot e kësaj dite ata vishen me të zeza për vdekjen e këtij heroi të papërsëritshëm. Ai thekson se për të, në vitin 1873 ka shkruar edhe vetë poeti amerikan, pedagogu i Harvardit Henri Uodsuërth Longfellou: “Ti dorën nuk e zgjate drejt skeptrit njollagjak, / As i trishtë nuk kërkove të shprishurën kurorë, / Përballë i dole që vetë të merrje hak, / Ndaj atij tirani djemrrëmbyes e idhnak, / Që dheun tënd kishte shtënë në dorë.”  Mal Berisha vë në dukje se qëllimi i shkruarjes së këtij libri ka qenë të ndërthurrë tri shtete, pra tre popuj, që kupton veç atij shqiptar dhe amerikan edhe popullin hebre që aso kohe kishte mjaft probleme, pasi jo vetëm luftohej paturpësisht, por edhe bënte përpjekje të jashtëzakonshme për t`u organizuar si gjithë shtetet e popujt e tjerë të botës. Kjo popullsi semitike me Abrahamin në krye, ishte vendosur në Palestinë tetëmbëdhjetë shekuj para lindje së Krishtit dhe ende persekutohej e përndiqej. Kishte ardhur koha që vepra e Mojsiut për bashkimin dhe organizimin e tyre të përsëritej. Herman Bernstein vërtetë ka lindur më 21 shtator të vitit 1876 në Vladislavov të Lituanisë dhe ka gjetur atdheun e tij të dytë qysh nga mosha gjashtë vjeçare në Amerikë, por e di mirë fatin e trishtë të popullit të tij, dhe bën çmos të japë ndihmesën e vet. Dhe ka të drejtë që ndihet krenar se është pasardhës i atij populli sa të zgjuar aq edhe trim. Lexoja pasazhet e këtij libri, kushtuar si mbrojtjes nga shqiptarët dhe qeveria e tij kur nazistët me shokë i terrorizonin, ashtu edhe veprës së Bernsteinit në favor të tyre dhe më kujtohej ajo që na sjell historiani Jozef, kur tregon për ngjarjen e Masadës. Konsulli romak Flaviusi në krye të 8 – 9.000 mijë ushtarëve e rrethon kështjellën në kodër ku ishin 960 banorë hebrej, nga të cilët vetëm 200 ishin ushtarë. Duke e ditur se ata do të luftonin deri në fund, romakët ngritën dheun gjashtëdhjetë metra me qëllim që të mundësonin përdorimin e dashit për të shpartalluan portën e kështjellës. Kur e panë se nuk kishin shpëtim, për të mos u turpëruar duke u dorëzuar, hebrejtë vendosën të vdisnin; ndaj dhjetë prej tyre i vranë ushtarët e shtrirë para grave dhe fëmijëve, pastaj si shtinë shortin, njëri vrau nëntë të tjerët dhe veten e tij. Thuhet se vetëm dy gra shpëtuan gjallë, duke ikur me gjithë fëmijë, nëpër kanalet e ujësjellësit poshtë pallatit, si për të treguar heroizmin që kishte ndodhur. Edhe ne shqiptarër duhet të ndjehemi mirë për gjithë sa bëmë për ta, dhe që kjo vepër u njoh dhe u propagandua nga vetë Bernsteini. Sië e përmenda më sipër, mendoj se ka qenë një zgjidhje mjaft e mirë që autori M. Berisha ka përfshirë diçka nga krijimtaria, intervista dhe korrespondenca e Bernsteinit, pasi kjo e plotëson rëndesën që figura e tij kishte. Ndofta nuk është vendi të ndalemi posaçërisht në të, por duhet theksuar se ai qe një shkrimtar i mirëfilltë, që nuk e ndau detyrën si diplomat nga taleni letrar e gazetarsk, por duhet vënë në dukje se gjithçka ai shkroi që nga Ajnshtaini, Drajzeri, Weizmani, Cecili, Trocki, Papa Benedikti XV – të, Moisiu, Andrejevi, Rodeni, Ellisi, Bergsoni, Meçnikovi, Show, e deri te Leon Tolstoi, pa folur për të tjerë, më kujtojnë atë që dikush thosh për markezin e akuzuar si zhirondin Mari Zhan Antuan Kondorse: “Dashuria për njerëzimin gjallon dhe zbukuron çdo faqe të shkrimeve të tij”. Dhe jam i lumtur që këtë e konstatoj edhe te diplomati dhe njeriu i mrekullueshëm dhe tepër i ditur, modesti Mal Berisha, që jep shembullin sesi duhen nderuar të gjithë ata që bënë sa mundën për Shqipërinë dhe shqiptarët.    

Filed Under: Politike Tagged With: Shpend Topallaj- Ambasadori Herman Bernstein-Mal berisha

NJË LAMTUMIRË PËR MASAR KRASNIQIN

August 29, 2019 by dgreca

– Në vitin 2002, me propozim të Qeverisë Zelandeze, Mbretëresha Elizabeth, i dha Medaljen “QUEEN’S SERVICE MEDAL”, që ishte një nderim i madh për Masarin, familjen e Tij, e çdo shqiptar.

-Masari arriti të bashkohet me shumë grupe të ndryshme të Diasporës Shqiptare në Zelandën e Re, Australi e kryesisht në Amerikë, ku personalitetet kryesore të Shoqërisë VATRA organizonin aktivitete të vazhdueshme në lidhje me Çështjen Shqiptare, përfshi atë të Kosovës. Ai pati bashkepunim edhe me kongresistin me gjak shqiptar, arbereshin Joseph DioGuardi.

Shkruan: Dr Zekri Palushi-Gold Coast, Australia / Gazeta “Dielli”

Besoj se kushdo që e ka njoftë, apo ka ndigjue për kët burrë të urtë e fisnik, do të dëshprohet nga ky lajm i hidhur. Masar Krasniqi ndrroj jetë me 8 gusht 2019, në një nga  spitalet ma të sofistikume e modern të Gold Coast-it, në Australi.  

Megjithse në mëgrim, -88 vitet e jetës së Tij,  Masar Krasniqi ja përkushtoj atdheut të Tij, e Çeshtjes Shqiptare.

 Ai e la Kosovën, -ku lindi, në duart e komunizmit Sllav, dhe Shqipërinë -Nanë, në duart e komunizmit barbar,-Sllavo-Shqiptar, ku Enver Hoxhës ju garantue posti ma i lartë në Partinë Komuniste Shqiptare, nga zyrat e Beogradit, ashtu siç edhe Ali Pash Tepelenës,që ju pat garantue Pashallëku nga Otomanët. Këto qenë dy rastet ma të keqia në Historinë e Shqipërisë, që megjithse kanë ndodhur në  rreth 200 vjet distancë kohore, -kanë një ngjajshmëri të madhe, -kushtet që pranun kto dy kriminelë shqiptar për t’i “merituar” këto poste,  ishin pothuajse të njëjta: – “Terror t’vazhdueshëm mbi popullin Shqiptar”. Për t’ushruar praktikisht këtë terror, Enver Hoxha përdori taktikat ma të egra komuniste, të diktuara nga Stalini dhe Jugosllavët e Titos. Motot komuniste,- “Përça dhe Sundo”, dhe “Lufta e Klasave”, – qenë mjetet më të përshtatshme për t’arritur qëllimet e caktuara si: shkatërrimni dhe zhdukjen e historisë, kulturës, folklorit, zakoneve, identitetit, integritetit, patriotizmit, krenarisë dhe pamvarësisë kombëtar, të cilat nuk mund t’eleminoheshin plotësisht pa eleminimin e shkatrrimin e plotë të atyre burrave e grave shqiptare që dalloheshin për një patriotizëm t’veçantë, kishin kryesisht një edukim perëndimor, dhe kishin luftuar shumë për zbulimin, dokumentimin, publikimin dhe ruajtjen e ktyne vlerave.

Terrorin, -komunistët e kishin filluar herët, nëpërmjet guerrileve të tyre, por CELEBRIMET zyrtare të “Fitores” mbi Shqiptarët, i filluan me terrorizime në fusha të ndryshme, menjëherë, pas kësaj “fitorje”, më 29 Nandor, 1944. Sigurisht, kto terrorizime ishin shumë ma “mirë” t’organizuara, “të rregullta”, e cdo-ditore. Ndër të tjera, ç’varrimi i eshtrave të t’ Madhit,-  Patër Gjergj Fishta,-këtj gjigandi t’kulturës, fjalës e mendimit shqiptar, -ishte një paralajmërim tepër ogurzi e i tmerrshëm, që do t’i përcjellte shqiptarët në përgjithësi, përgjate 50 viteve të pa- mbarimta.

 Pra, – në këto kushte të jashtzakonshme, e tepër të rrezikshme, -Masar Krasniqi, u detyrue të largohej me zemër të plasur nga vendlindja, njerëzit, dhe Atdheu i Tij i dashur, -por jo pa provue turturat që ja kishte ba një nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit, në Portin e Durrësit….  

               Zelanda e Re,-ky vend i bukur, ju ba Masarit, atdheu i Tij i dytë. Ai e deshti, e rrespektoi dhe e nderoi deri në fund të jetës së Tij,- këtë vend të bekuar, ku Masari shijoi plotësisht, dhe vlerësoi në maksimum,- Lirinë dhe demokracinë e vërtetë që ky vend demokratik i ofronte të gjithë qytetarëve të tij, pa përjashtim. Por edhe Zelanda e Re e nderoi dhe respektoi ndershmërinë, sinqeritetin, punën e palodheshme, dhe kontributin e madh që Masari ja përkushtoj këtij vendi, për ma shumë se 50 vjet, kështu, në vitin 2002, me propozim të Qeverisë Zelandeze, Mbretëresha Elizabeth, i dha  Medaljen “QUEEN’S  SERVICE MEDAL”, që ishte një nderim i madh për Masarin, familjen e Tij, e çdo shqiptar.

Masar Krasniqi që në ditët e para të arritjes në Zelandën e Re, nuk priti që ti jepeshin Ndihma Sociale nga Shteti, Ai iu nënshtrue punëve të ndryshme, dhe Mësimeve të Jetës, -krijoj familjen e Tij, dhe e mbajti vlerat shqiptare që i percolli edhe tek fëmijët e Tij, të cilët flasin rrjedhshëm gjuhën Shqipe, adhurojnë popullin dhe traditat shqiptare dhe ndjehen krenarë për babën e tyre të mrekullueshëm, dhe trashëgiminë Shqiptare që ai u la.  

Me punën e tij të pa lodhun, Masar Krasniqi krijoj një jetë të ndershme e të rahatshme për familjen e tij, por njëkohësisht Ai nuk kurseu djersën e Tij për të sensibilizue Botën Perëndimore në lidhje me krimet barbare të Serbëve në Kosovë, dhe Komunizmit të Enver Hoxhës në Shqipëri.

Jo pa mundim, përkushtim, urtësi e shpenzime personale, Masari arriti të bashkohet me shumë grupe të ndryshme të Diasporës Shqiptare në Zelandën e Re, Australi e kryesisht në Amerikë, ku personalitetet kryesore të Shoqërisë VATRA organizonin aktivitete të vazhdueshme në lidhje me Çështjen Shqiptare, përfshi atë të Kosovës.  

Masari ishte një nga aktivistat, organizuesit dhe sponsorizuesit kryesorë të ksaj Lëvizje, Ai shfrytëzoj pozitivisht miqësinë personale me ish-kongresmenin Amerikan me origjinë Arbëreshe,- Joseph DioGuardi, -i cili në vetvehte, kishte trashëguar, dhe ruante një atdhedashuri të largët për Shqipërinë dhe shqipëtarët. Pra, personaliteti, lidhjet dhe njohjet e DioGuardit, në nivelet ma të larta zyrtare Amerikane e ndërkombëtare, u përdorën si një levë e rëndësishme në sensibilizimin dhe publikimin gradual të “Sëmundjes Kronike Shqiptare”,- që zente fill që nga pushtimi Otoman (për t’mos thanë, që nga dyndjet sllave), -me kulminim, -pushtimin komunist të Shqipërisë, -shoqëruar me atë të aneksimit dhe pushtimit komunisto-Serb të Kosovës.

Nëpërmjet kësaj pune “t’pa dukshme”,-Masar Krasniqi, me shumë atdhe-dashamirës të tjerë të Vatrës, ishin në kërkim të vazhdueshëm të gjetjes së një “mjekimi”, që do të mund të shëronte, si Nanën Shqipëri, ashtu dhe bijën e saj,- Kosovën. Si rezultat i kësa pune dhe të këtij aktiviteti shumë-vjeçar, u ba e mundur, që shumë udhëheqës të Kosovës dhe Shqipërisë (si Ibrahim Rugova, Sali Berisha…), të takoheshin e bisedonin drejt-përsëdrejti, me autoritetet ma të larta të shtetit,–përfshi edhe Presidentin Amerikan.

Shpesh kam bisedue me këtë Burrë Krenar e të Urtë Shqiptar, në lidhje me rrjedhjet e ngjarjeve;- pas 1991 në Shqipëri, dhe pas,- 1999 në Kosovë, …., dhe gjithmonë i mbyllnim bisedat me dashamirësi, -duke konkludue se “Prap asht ma mirë se ka qenë”.  

Unë kam pas rastin fatlum për t’u njoft personalisht me këtë Njeri të Mirë, pas Fitores së Partisë Demokratike,- në vitin 1992, kur unë punoja si Këshilltar i Kryeministrit të Shqipnisë. Lëvizjet e Tij trupore, fytyra, sytë dhe buzëqeshja e tij e kandshme, -në një harmoni të plotë,- shprehnin një gëzim t’pa masë për Fitoren e Demokracisë, si dhe flisnin shumë për personalitetin e Tij të sinqertë dhe vlerat njerëzore që përcjellnin. Nga ajo ditë, ne mbetëm miq të përjetshëm. Patëm rastin të gëzoheshim së bashku në manifestimet e 80 vjetorit të Pamvarësisë që u organizue në Vlorë me 28 Nëndor 1992, – ku patëm edhe rastin që të shoqëroheshim e bisedonim pak, edhe me Presidentin e Parë të Shqipërisë Demokratike, -Sali Berishën.

 U takuam përsëri në Tiranë, në vitin 1993, kur Papa Gjon Pali dhe Nanë Tereza vizituan Shqipërinë, e çuditërisht, Nanë Terezës ju kujtue fytyra e tij, dhe e pyeti se ku e kishte pa. Masari ju përgjigj: ‘Nanë, m’ke pa në Zeland të Re, në vitin 1972’.

 Në vitin 1995, për arsye personale, dhe me inkurajimin e Masarit, unë me familjen time emigrum në Australi, dhe që nga ajo kohë e deri në frymën e fundit të këtij burri fisnik, -ne mbetëm miq të ngusht personal e familjar.  

Kujtimet e shumta, respeti i veçantë, dhe atdhedashuria e këtij Njeriu t’shkëlqyer, do të na ngacmojnë gjithmonë memorjen tonë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Zekri Palushi- Lamtumire-Masar Krasniqi

NËNË TEREZA,NËNË E DASHURISË

August 28, 2019 by dgreca

Nga Gani VILA/

Vite dhe shekuj do të kalojnë dhe pasardhësit tanë në gjithë globin me siguri do të shprehen me admirim e do të ndjehen krenarë e të privilegjuar para gjithë njerëzimin sepse kanë jetuar në kohën kur Nënë Tereza ishte gjallë. Veçanërisht

kombin shqiptar e gjithë bota do ta nderojë dhe respektojë gjithmonë në nivelet më të larta të kohërave që do të vinë, pasi nga gjaku i këtij populli të lashtë lindi Gonxhe Bojaxhiu të cilën Zoti e thirri dhe me misionin e saj ajo u bë Nënë e mbarë Botës.

Sigurisht që ne nuk do të jetojmë aq gjatë por para se te largohemi nga kjo botë e kemi një shans, kemi kohë, nevojë, mundësi dhe energji pozitive që të ndryshojmë sado pak zemrën, shpirtin dhe veprimet tona t’i ushqejmë me dashurinë në veprim, që këto cilësi mirësie të trashëgohen shëndetshëm në brezat e rinj. Për këtë duhet që në jetën tonë të përditshme të imitojmë sado pak Nënë Terezën në mënyrë individuale, familjare, fisnore e gjithë shoqëria shqiptare dhe mbarë bota. Të hysh në botën e Nënë Terezës nuk arrihet menjëherë edhe pse ekziston mes nesh vullneti, duhet të bëjmë shumë kujdes pasi edhe pse na duket si e lehtë për ta kuptuar dhe për të vepruar në praktikë si Nënë Tereza, në jemi shumë larg saj, sepse veç Jezu Krishti e askush tjetër nuk e di të vërtetën e botës të brëndshme dhe fuqinë e misionit të saj.

Por Zoti bën mbrekullira dhe mundësitë për t’ju afruar sa më afër misionit të Nënë Terezës  i kemi të gjithë, pasi krahas vlerave mistike fetare të lidhjes të saj me Zotin, ajo si asnjë  njeri tjetër në botë ,karakterizohet edhe nga prakticiteti i vlerave e virtyteve të pafundme njerezore qe natyrshem i vuri ne sherbim te njerezimit.Ishin këto veprimtari të përditëshme praktike të saj, më të sëmurët,me të uriturit,me të varfërit, kundra luftës, për paqe në botë, me ndihmat,bamirësitëe, faljet, pendesat,dashurinë në veprim etj. cilesi këto mendoj se përfaqësojnë vetëm pamjen e jashteme të misionit të saj pasi vlerat e vërteta të thelbit të cështjes

Nënë Terez përbëhen nga elementë të padukshëm njerezor që përmbajnë pafundesi vlerash thesare njerezore që jetojnë në zemrat dhe shpirtërat e njerëzëve por që t’i gjesh ato e t’i vësh në shërbim të njerezimit duhet celsi që gjeti Nënë Tereza që fliste si shënjt dhe vepronte si Nënë e kështu e ngriti dashurinë në institucion të përhershëm.

Nëse i referohemi shtresave të shoqerisë njerezore që ekzistojnë sot ne botë jo nga pikpamja numerike, por si fenomene shoqerore e sociale të varfërit të vuajturit të sëmurët të pushtuarit si shtresa në nevojë janë më afër thelbit të Misionit të Nënë Terezes. Edhe pse këta njerez nuk kanë mundësi të flasin atje ku duhet,ata natyrshem janë pjese e misionit të saj.Në praktikën e përditeshme, të bërë publike për Nëne Terezën,institucionet shteterore,fetare dhe mediatike,njerezit e pasur ekonomikisht, por fatëkeqesisht edhe një pjese e konsiderueshme e intelektualeve në botë, janë shumë larg  njohëjes të misionit të saj.

Kjo mosnjohje e Misionit të saj vjen jo për mungese  vullneti, por për shkak të pamundësisë për të kuptuar misticizmin e fuqisë të këtij misioni të ngritur në institucion.Në vitet e fillimit të aktivitetit të Misionit të saj edhe vetë Vatikani, që tani e shenjtëroi, ishte i rezervuar.Por këtë here dua të tërheq vëmëndjen me këtë shkrim për shqiptarët dhe institucionet që i përfaqësojnë ata se sa  e kane njohur ,kuptuar e vleresuar këtë mision të shenjtë.

Nënë Tereza dhe Misioni i saj i Dashurisë është dashuri pa fund në veprim për mbarë njerezimin pa dallime feje race kombi ngjyre prirje politike etj. Këtë mision

në fillimin e tij, vec Jezu Krishtit për shumë vite dhe në vazhdim jo të gjithë e kanë kuptuar, e kanë vlerësuar dhe e kanë respektuar ashtu si e meritonte.

Kjo vrejtje ekziston për gjithë botën mbarë pasi skepticizmi që ekzistonte tek njerzit në atë kohë ju kishte zënë sytë për të parë atë yll që për herë të parë doli në horizontin e qiellit pa fund e që rezatonte dashuri. Nënë Tereza me gjithëse ishte vlerësuar me cmimet më prestigjoze të botës megjithse ishte vlera më e madhe e njerëzimit në shekullin e kaluar e në vazhdim shteti shqiptar ateist në atë kohë e përcmonte dhe nuk e lejonte të vizitonte Shqiperinë dhe familjen e saj.

Shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe në Maqedoni ,që fenë e kishin të lejuar e megjithëse Ajo i vizitonte më shpesh, se kuptonin misionin dhe rëndësinë e saj.Kishat Katolike shqiptare që për fatë të mire ekzistonin në këto treva, me gjithë respektin dhe pritjen që tregonin ndaj saj,për mungese informacioni,njohje apo vizioni,nivelin e trajtimit të Nënë Terezes e bënin kryesisht si murgeshë.Përsëri nuk do të ishin shqiptarët ,por era e ndryshimeve të mëdha që po frynte në botë,që në gusht të vitit 1989  i dha mundësinë Nënë Terezës  të  vizitojë  për herë të parë Shqiperinë.

Nënë Tereza në Tiranë u prit me protokoll, por nën një hije të zbehtë mediatike të TVSH si Televizioni i vetëm që ishte në atë kohë.Krahës vizitës që ajo bëri në varrezat e familjareve  të saj,”Pushtetarët e Gjunjëzuar”të asaj periudhe e detyruan Nënë Terezën që të vendoste një tufë me lule edhe tek varri i diktatorit Enver Hoxha,vizitë kjo që vazhdon të interpretohet keq edhe sot e kësaj ditë në

botë.Dhe e dini përse ndodh kjo ? Sepse edhe sot shteti shqiptar nuk prononcohet publikisht ashtu si ka qënë e vërteta e protokollit më qëllim për të shmangur komentet dhe abuzimet.

Kur i referohesh jetës dhe veprës të Nënë Terezës për studim,vecanërisht marredhenieve të saj me Shqipërinë edhe pse është e dhimshme, duhet ta themi troc,se në vitin 1990 u rrëzua sistemi dhe strukturat e shtetit komunist, por nuk u zhduk mentaliteti i tij nga mendja e njerezve.

Kjo që po ju them është e thjeshtë për ta kuptuar sepse shteti shqiptar dhe qeveritë e tij edhe mbas viteve 1990 i kishin plotesisht mundestë që të tregonin përkujdesjen e duhur institucionale e shtetërore për Nënë Terezën dhe misionin e saj.Për vec se t’i kërkonin falje e t’i krijonin kushte favorizuese pune ,duhet t’i caktonin të paktën një mini personel të përbërë nga historianë, gazetarë, kameramanë, etj.që të merreshin me studimin,administrimin dhe pasqyrimin e vlerave të këtij misioni të shënjtë  dhe vecanërisht aktivitetin e përditshëm të saj.Përse nuk udhëtoi asnjë gazetar për në Kalkutë apo në vënde të tjera ku ajo kishte motrat e saj ? Nëse diktatorin Enver Hoxha e pengonte “ateizmi “të njihte këtë dritë universal këtë pasuri të pakrahasueshme në botë po pushtetarët shqiptarë të mbas viteve 1990 kush i pengon….?

Unë duke vazhduar llogjikën e mendimit që shpreha më sipër dua të plotësoj se emërtimet e shtresave të shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat dhe aspektet e saj; si ndarjet në parti termat very-jug përkatësia fetare traditat në breza etj.që të

gjithë në veprime dhe në jetën e përditshme,në shpirtin e tyre janë njëlloj,shqiptarë,të dashur,mikëpritës,bujarë,etj,cilësi e virtyte të mira këto por kur marrin një detyrë si të zgjedhur apo të emëruar menjëherë c’fisnikërohen, janë të pa aftë për të administruar vlerat tona kombëtare shqiptare. Ishtë fat i madhë që Nënë Tereza erdhi disa herë për vizitë në Shqipëri mbas viteve 1989 por fakti që nuk ka asnjë intervistë nga Televizioni Shtetëror apo inisiativa private në këtë fushë tregon se përkujdesja institucionale e shtetit dhe e shoqerisë shqiptare ka qënë zero. 

Por edhe institucionet e asaj periudhe në Kosove e Maqedoni dhe vecanërisht kisha katolike në atë periudhë kanëpërgjegjësin e tyre që nuk i kanë qëndruar më afër dhe me profesionalisht vlerave të saj hyjnore dhe vecanërisht atyre njerëzore.Kështu më këtë tabllo të varfër mbyllen marredhëniet e NënëTerezës me institucionet shqiptare edhe mbasi ne kemi fituar demokracinë.

Por takimet e Nënë Terezës me shqiptarët në Kosove dhe në Maqedoni lanë gjurmën e tyre dhe inspiruan ndjenjat e meshtarëve të shkëlqyer shqiptarë të cilët filluan të mendojnë dhe të punojnë ndryshe për Nënë Terezën.Kështu një ndër ta ishte Dom Lush Gjergji që nga kontaktet e para që ka patur me Nënë Terezën e deri në ditën e shenjtërimit të saj, ka botuar 16 libra kushtuar Nënë Terezës,të përkthyera në shumë gjuhë te botës.

Po ashtu Pater Pashko Gojcaj, famullitar në Kishën e Shën Ndout në Tuz dhe zv.Ipshkevi i Tivarit , në vitin 2003 i kushton Nënë Terezës  librin me poezi “ Sytë e shenjtëneshës”,si dhe shumë individë të tjerë  të cilët kanë shkruar apo kanë

kënduar me përkushtim të madh  për këtë Nënë të madhe.Por ajo që është me e rëndësishme për marredheniet e Nënë Terezës me botën shqiptare i përketë kohës para viteve 1990,kur regjimi diktatorial i Enver Hoxhes ne Shqipëri e kishte të ndaluar me ligj të dëgjoje Radion e Zerit të Amerikës, institucion mediatik që në ato vite mbante peshën më të madhe  të luftës së drejtpërdrejtë kundër sistemit komunist në Shqipëri dhe në botë.

Pikërisht në këto vitë Radio Zëri i Amerikës nëpërmjet gazetarit të saj e bashkëatdhetarit tonë, patriotit të nderuar z.Gjek Gjonlekaj, në takimin që pati me Nënë  Terezën në Qershor të vitit 1988 regjistron lutjen e saj të bërë në gjuhën tonë shqipe.Zëri original i Nënë Terezës në lutjen që Ajo bëri për popullin shqiptar, është një rast i vetëm dhe me shumë vlerë për binomin Nënë Tereza – Shqiperi. Prandaj mediat historianët, biografët dhe shteti shqiptar duhet ta administrojnë si një pasuri me vlerë të madhe kombetare veca rishtë për të ardhmen. 

Nëse studiojmë ndjeshmërine njerezorë të botës shqiptare lidhur me  figurën dhe suportin e Nënën Terezës, pjesa e popullsisë shqiptare që i përket Malësisë së Madhe  në Mal të Zi të cilët kanë emigruar në SHBA, kanë qënë të parët në kontaktet me Nënë Terezën dhe kanë gjetur zgjidhjen e qytetëruar nëpermjet shtatoreve për të nderuar këtë figurë.Aktualisht, në këtë zonë për të cilën po shkruaj, janë ndërtuar 3 shtatore të Nënë Terezës;në Tuz,në Vuksanlekaj dhe në Kojë.Vëllezërit hotianë Lek dhe Pashko Gojcaj  kanë ngritur shtatoret e Nënë Terezës pothuajse në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë; nëTuz , Prishtinë, Mitrovicë, Maqedoni,në kishat katolike Zoja e shkodres,  në New York,në Kishën e

Shën Palit e të Zonjës Pajtore në Michigan, etj si dhe kanë dhuruar shumë buste e portrete të saj.

Marash Nucullaj, nga Koja e Malësisë, ka sponsorizuar dhe ngritur dy shtatore të Nënës Terezë një në Sarajeve dhe një në Vuksanlekaj të Malësisë së Madhe. E megjithë atë kaq sa ka bërë deri tani shoqeria shqiptare është shumë pak Ndërsa shteti shqipëtar deri tani që une po shkruaj nuk është interesuar fare peër thelbin e misionit si vlerë njerëzore dhe për figurën e Nënë Terezës si shqiptare. Të vjen turp t’i përmendësh veprimet qesharake të qeverive shqiptare duke i dhënë Nënë Terezës vleresime të karakterit simbolik të cilat po jua rendis si më poshte:

 Aeroportit të Rinasit i vendoset emri i Nënë Terezës i shoqeruar me një shtatore, Sheshin para Universitetit të Tiranës ku partitë shqiptare bëjnë mitingje e emërtuan me emrin Nëne Tereza, Spitalin QSUT Tiranë e emertuan me emrin Nënë Tereza. Kur thashe më sipër se janë vlerësime simbolike kam parasysh se këto emertime nuk kanë investime të shtetit dhe as lidhje me misionin e Nënë Terezës. 

Shteti shqiptar dhe qeveritë e tij si dhe ai kosovar deri në ditën e shenjtërimit të saj,nuk kanë pregatitur asnjë film dhe asnjë dokumentar zyrtar,pra akoma nuk e kanë zyrtarizuar figurën e saj.

Bile edhe biografia që ndodhet në Wikipedia, nuk është korrekte,nuk është e plotë,mungojnë shumë pika elementare por të rëndësishme të jetës së saj e për

rrjedhojë nuk është pasqyruar me dinjitet e me përmasat e vlerave të saj edhe në Historinë e popullit shqiptar.Nënë Tereza dhe misioni i saj nuk i përket vetëm Kishës Katolike dhe Vatikanit,ndaj është detyrë immediate që jo vetëm shteti shqiptar por gjithë bota mbarë të nderojë dhe të vendose figurën e Nënë Terezës në nivelet më të larta që e meriton.Vatikani gjatë jetës dymijevjecare ka shenjtëruar mbi 10.500 personalitete të fesë katolike.Në vazhdën e këtyre vlerësimeve Papa Francesku  me 4 Shtator 2016 e shpalli Nënë Terezën “ Shenjta Nënë Terezë e Kalkutës “ dhe menjëherë Ai tha se unë e shpalla me këtë emër,por bota do ta thërrasë gjithmonë edhe në të ardhmen NËNË TEREZË.Kjo deklarate e menjehërshme  e Papa Franceskut  verteton së Nënë Tereza mori cmimin e radhës dhe se Shenjtërimi i saj është një stoli që e zbukuron me shume figuren e saj,pasi Misioni i Nënë Teresës është  përtej përmasave të Vatikanit.

Nënë Tereza shquhet për thëniet e saj profetike njerëzore dhe praktike që karakterizohen nga dashuria në veprim. Deklarimi i vullnetshëm i Nënë Terezës para gjithë mediave prestigjoze boterore se” Me gjak jam shqiptare “i shërben bashkimit tonë kombëtar dhe detyron të gjithë shqiptarët që jo vetëm se duhet të krenohemi me Nënë Terezën por duhet edhe ta përjetojmë e ta imitojmë Atë në cdo hap të jetës sonë. 

Po si e vlerësuan shtetet   dhe qeveritë shqiptare e kosovare Shenjtërimin e Nënë Terezës? Pak shpenzime nga ana e Qeverisë së Kosovës një vizitë turistike në

Romë udhetim special hotele luksoze pak nxehtë ditën e shenjtërimit në sheshin e Shën Pjetrit kthehen në Shqipëri dhe në Kosove si heronj marrin rroga dhe djeta pluse se kanë udhëtuar dhe kanë marrë pjesë në cremoninë e shenjtërimit të njeriut më të madh të globit si simbol i të varfërve. Çfarë paradoksi.

Gjatë punës mediatike që Televizori i Shqiptarëve të Amerikës ( ALBTVUSA )bëri ato ditë në Vatikan nga data 2 deri më  6 Shtator 2016,ne pamë se organizatorët e Koncertit kushtuar Nënë Terezës që u mbajt në Balizika e Shën Palit në Romë te drejtuar nga Imzot Dodë Gjergji,kishin bërë një punë shumë serize,profesionale e cila ishte një vlerë e madhe kombetare që u realizua në nivele të larta për të pranishmit në koncert dhe u trasmetua për gjithë botën në parametrat bashkëkohore.Por më datën 4 shtator 2016 që ishte dita e  shenjtërimit të Nënë 

Terezës nuk ndodhi ajo që pritej. Shqiptarët si kurrë ndonjëherë ishin kombi më i pa organizuar. Pjesëmarrja në këtë eveniment e shqiptarëve nga Shqipëria nga Kosova nga Mali Zi dhe Maqedonia ishte shumë e ulët, pra nuk kishim një organizim institucional. 

Ndaj duhen falenderuar përsëri inisiativat e individëve e kryesisht të diasporës shqiptarë që mundësuan pjesëmarrjen e tyrë në këtë eveniment historik për popullin tonë.Shqiptarët edhe pse ishin pak na përfaqësuan  në Sheshin e Shën Pjetrit me flamurët e kombit tonë,por kjo nuk ishte e mjaftueshme pasi më  4 Shtator 2016 Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan duhej të ishte mbushur plotë e përplot me shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.Sheshi i Shën Pjetrit atë ditë duhet të fliste vetëm shqip dhe mbas kthimit të udhëheqsave të

shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë duhej të festohej shenjtërimi i saj,jo vetëm me meshat e Kishës Katolike, por nga i gjithë populli shqiptar;të krishterë,bektashinjë,myslimanë,katolikë,nga Shqiperia e  Kosova,nga shqiptarët në Maqedoni e Mali Zi si  dhe nga  diaspora,ashtu së bashku si gjaku i Nënë Terezës.Këto nuk ndodhën dhe tani shtetit shqiptarë i vjen për shtatë shprehja popullore se: “ kurre nuk është vone”.

Shteti Shqiptar dhe ai Kosovar duhet ta vendosin me dinjitet në Historinë e Popullit Shqiptar figurën dhe kontributin e Nënë Terezës.Të krijojnë Institucionet përkatëse për të studiuar ulumtuar dhe përgjithësuar veprat e Nënë Terezës.Literatura e Nënë Terezës që bën fjalë për edukimin dhe formimin e dashurisë njerëzore të futet në tekstet shkollore.

Të dimë c’ka ka thënë Nënë Tereza gjatë jetës së saj të paktën për ne shqiptarët është detyrë por të bëjmë Ne cfar Nënë Teteza bënte është progres dhe mirësi. Qëndroni sa më afër Nënë Terezës me mendje dhe vepra pasi Ajo është suksesi dhe pasuria me e madhe e kombit shqiptar dhe një celës i artë për të gjithë ne të cilin duhet ta përdorim me dashuri dhe mencuri kombetare.

Gani Vila

Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës

Michigan 26 Gushtë 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Gani Vila- Nena e Dashurise-Shen Tereza

NJË SQARIM I NEVOJSHËM PËR DOSJEN E VATRËS

August 26, 2019 by dgreca

– Tërheqja e Dosjes së Vatrës nuk ka synim as të diskretitojë kënd dhe as të përçajë Vatrën apo të hedhë baltë mbi Vatrën e vatranët, as të shuaj kurreshtjen e bisedave nëpër kafene, por të nxjerrë në dritë të Diellit planet, shantazhet, intrigat, kurthet e Diktaturës komuniste përmes Sigurimit të Shtetit-

– Fatmirësisht planet operative, agjenturore të Sigurimit të Shtetit me Misionin Shhqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, që ishte kthyer në një çerdhe agjenturore e spiunazhi, kanë dështuar dhe Vatra & Dielli i mbijetuan çdo kurthi e plani ogurzi…-

-Disa nga ata te Misionit Shqiptar prane OKB-se, qe firmosen raporte e hartuan plane kunder Vatres “reaksionare”…., “vegel e zbulimeve amerikane”, kane marre status qytetarie amerikane…

Publikimi i informacionit në Gazetën Dielli online dhe rrjetet sociale se Vatra ka tërhequr Dosjen e Sigurimit të Shtetit nga AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTETE E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT, ngjalli diskutime, hamendje, qëndrime pro dhe kundër, pse Jo edhe shqetësim se mos tash do të nis një luftë e re në Vatër. Mendoj se nuk ka vend për shqetësim e keqinterpretime kafenesh. Edhe më parë është shkruar për luftën e ndërhyrjen e Sigurimit në punët e Vatrës, ka 30 vjet që shtypi i Tiranës shkruan e hamendëson. Dosja e tanishme është një përmbledhje e detajuar e asaj çfarë ka bërë realisht kundër Vatrës Sigurimi me strukturat e veta. Kjo Dosje është tërhequr sipas ligjeve në fuqi dhe do të respektohen deri në fund kërkesat ligjore. Publikimi i lajmit nuk ka synim as të diskretitojë kënd dhe as të përçajë Vatrën apo të hedhë baltë mbi Vatrën e vatranët. Fatmirësisht planet operative, agjenturore të Sigurimit të Shtetit me Misionin Shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, që ishte kthyer në një çerdhe agjenturore e spiunazhi, kanë dështura dhe Vatra & Dielli i mbijetuan çdo kurthi e plani ogurzi.Vetë qëndresa stoike e Vatrës dhe Gazetës së saj DIELLI, dëshmon fitoren mbi Sigurimin dhe dështimin e planeve të organizatorëve. Në Dosjen e Vatrës realisht ka pseudonime, ka kode shifrorë, por jo emra, kështu që çdo interpretim se Dosja do t’i kthehet në bumerang Vatrës, nuk ka baza dhe nuk ka për të ndodhur.

        Askush nuk ka pse friket se Vatra dhe Dielli tash do të bëjnë gjueti shtrigash dhe do të merren me çkodimin e pseudonimeve apo me shuarjen e kurreshtjes së njerëzve nëpër kafene. JO, Qëllimi është që vatranët të mësojnë se çfarë është bërë në shpinë të tyre, si planifikoheshin planet prej drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Brendshme, si thurej rrjeta e merimangës në Mision, si shfrytëzoheshin pakënaqësitë e brendshme, si injektoheshin konfliktet mes vatranëve të vjetër dhe vatranëve të rinj,si ngriheshin kurthet, si krijoheshin përplasjet mes emigracionit politik dhe emigrantëve ekonomik, si nxiteshin konfliktet mes organizatave politike të Diapsorës me njëra tjetrën dhe mes tyre e Vatrës, si u krijuan dy fraksione me nxitjen e Sigurimit, pro dhe kundër Tiranës, si u interpretua dhe si u nxit pakënaqësia kundër Zonjës së Vatrës Nexhmije Zajmi pas vizitës në Tiranë etj. etj. Që nga vitet ’50 e deri në prill 1991 Vatra cilësohej si reaksionare dhe agjente e Zbulimit Amerikan, ndërsa Dielli si gazetë fashiste dhe fletushkë që diskretitonte regjimin e Tiranës.

Interesant është fakti se për Vatrën dhe Diellin hartoheshin plane operative dhe agjenturore të kohëpaskohëshme, që nga planet 6 mujore e deri tek ato vjetoret. Sigurimi ndiqte lëvizjet e udhëheqjes së Vatrës dhe Editorëve të Diellit,hartonte plane se si të mos zgjidhej kryetar apo editor x apo Y, si të ngjallshin pakënaqësi ndaj editorëve të Diellit, që kritikonin Tiranën, duke u kundërvënë atyre njerëz me influencë, apo duke publikuar në shtypin e Tiranës shkrime demaskuse apo duke shpërndarë ndër vatranë letra anonime. Të gjitha Kuvendet e Vatrës ishin në Lupën e Sigurimit të Shtetit, pas çdo kuvendi kërkohej lista e të zgjedhuërve që përcillej deri tek udhëheqësit e lartë të Shtetit komunist sipas hierarkisë përmes shënimeve rekomanduese, kërkoheshin Listat e kryetarëve të degëve të Vatrës si dhe emrat e vatranëve për çdo degë, me qëllim që të shantazhoheshin sipas një plani të detajuar e të miratuar. Çdo aktivitet i paralajmëruar i Vatrës, përfshi Kuvendet, festimet e 28 Nëntorit, Seminaret, e ngrinin në këmbë Sigurimin dhe hatroheshin plane kundërvënse. Edhe Seminari i 60 vjetorit të Diellit e shqetësoi shumë Sigurimin sepse po bashkohej Diaspora e Amerikës me Arbëreshët dhe emigracionin politik shqiptar të Italisë, se gjoja Vatikani po kërkonte të fuste nën komandë Diasporën Shqiptare, dhe Sigurimi u përpoq t’i kundërvërë Vatrës Organizatën Pro regjimit të Tiranës” Shqipëria e Lirë” ndërsa Diellit u përpoq  t’i kundërvejë gazetën”Liria”, revisten e ilustruar Shqiperia e Re dhe Radio-Tiranën.

Këto dhe të tjera do të jenë realisht objekti studimor i Dosjes së VATRËS për të zbërthyer platformën përçarëse dhe përndjekëse të Sigurimit të Shtetit komunist, përfaqësues të spikatur të të cilit kanë marrë edhe qytetarinë amerikane dhe jetojnë këtu, packa se dikur e raportonin Vatren si reaksionere dhe vegel e Zbulimeve amerikane!!(Editori)

Filed Under: Politike Tagged With: Sqarim-Dosja e Vatres-dalip Greca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 390
  • 391
  • 392
  • 393
  • 394
  • …
  • 655
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT