• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veseli: Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta

August 12, 2019 by dgreca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se beson që Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta, meqë për të “është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes”.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Veseli ka thënë se lirimi i parakohshëm i ish-pjesëtarit të njësisë “Akrepat”, Miodrag Sholaja, nga autoritetet e Serbisë, është një akt i turpshëm.

“Kosova nuk duhet të lejojë që historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin”, ka shtuar ai.

Javën e kaluar është bërë e ditur se Miodrag Sholaja, i dënuar për masakrën ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë më 1999, është liruar me kusht, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit të tij.

Gjykata e Apelit në Beograd, në vendimin e datës 31 korrik, ka marrë vendim për lirimin e tij, tre vjet para përfundimit të dënimit, pasi ka kryer 12 nga 15 vjetët sa ishte i dënuar me burgim.(Europa e Lire)

Sholaja ka qenë i dënuar për pjesëmarrje në masakrën e Podujevës, në mars të vitit 1999, ku pjesëtarët e njësisë “Akrepat” qëlluan për vdekje 14 civilë shqiptarë, shtatë fëmijë prej moshës dy deri në 15 vjeç, dhe shtatë gra.

Përveç tij, Veseli ka përmendur edhe lirimin e një viti më parë të Sasha Cvjetanit, i cili po ashtu ishte liruar pa përfunduar dënimin e tij me burgim.

Cvjetan ka qenë një tjetër anëtar i njësisë “Akrepat” i dënuar me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në masakrën e vitit 1999 në Podujevë.

Ndaj këtij vendimi, në emër të dy familjeve Duriqi dhe Bogujevci pati reaguar e mbijetuara e masakrës, Saranda Bogujevci.

“Kjo na bënë të kuptojmë si familje që Serbia nuk është e interesuar sa i takon drejtësisë. Nuk është e interesuar që t’i dënojë dhe të mbajë dënimin për kriminelët e luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe nuk janë duke e marrë seriozisht këtë çështje. Si familje jemi shumë të zhgënjyer e të mllefosur dhe është e papranueshme që një person të lirohet për krimet të luftës”, pati thënë Bogujevci.

“Akrepat” fillimisht u krijuan si një formacion paramilitar në territoret e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Filed Under: Politike Tagged With: Kadri Veseli-Bashkimi Europian

“NARKOTIKA” DHE PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË NË BOTË

August 11, 2019 by dgreca

“Mjerë ai brez në të cilin gjykatësit meritojnë të gjykohen”- Talmud (Kodi i lashtë i ligjeve hebraike)/

Nga Eugjen Merlika/

            Më 7 gusht, para mesnatës, TV shtetëror italian Rai 3 përcolli në ekranin e tij një film dokumentar të titulluar “Narkotika”. Ishte një bashkëpunim i i televizionit me Rojen e financës dhe Autoritetin e kundër drogës.Filmi trajton problemin e mprehtë të përhapjes së drogës n’Evropë e në botë, të burimeve të saj, të industrisë së prodhimit, të mënyrës së shpërndarjes, të fitimeve financiare e të bashkëpunimit të organeve të ndryshme gjyqësore e policore të Vendeve të ndryshme në luftën kundër prodhimit e përhapjes së saj.

            Shqipëria nuk ishte objekti i vetëm i shtjellimit të kësaj dukurie të përbindëshme me pasoja rrënuese për miliona qënie njerëzore e për familjet e tyre. Por Shqipëria , është njëri ndër Vendet kryesore ku ishte përqëndruar vëmëndja e kamerave të prodhuesve të filmit. Ishte një shfaqje tepër e dhimbëshme dhe e shëmtuar për cilindo që ndjen sado pak shqetësim  për fatet e Vendit tonë. Nuk e  di nëse e kanë parë atë film ata njerëz që për gati tridhjetë vjet, në nivele të ndryshme, kanë qenë në drejtimin e tij e, për më tepër ata që, drejt për së drejti, mund të quhen përgjegjës për anë të ndryshme të dukurisë, për të mos folur për ata, jo të pakët, që kanë përfituar e përfitojnë çdo ditë nga kjo mynxyrë njerëzore.

            Përfytyresa që krijon filmi është ajo e një Vendi që është kthyer në një depo të stërmadhe të lëndëve narkotike që vijnë nga prodhuesit më të mëdhenj si Kolumbia, Meksika, Afganistani etj. Në këto Vende, simbas autorëve të filmit, veprojnë drejt për së drejti banda shqiptare të organizuara deri në përsosje, për të cilat nuk ekziston asnjë skrupull moral, të inkuadruara tashmë organikisht në krimin global, madje duke ngjitur me shpejtësi shkallët drejt qëllimit të zotërimit të tij me mënyrat më të sofistikuara. Filmi vë në dukje fuqinë e veprimit të bandave shqiptare të drogës në Hollandë, n’Angli, në Itali e gjetiu.

            Njëri ndër personazhet e intervistuar në film është gjykatësi i kundër drogës italiane Nicola Gratteri i cili, ndërmjet të tjera vështirësive që paraqet lufta kundër trafikut botëror të narkotikëve, thekson si pengesë kryesore për dukurinë shqiptare faktin se “ata nuk luftohen në Vendin e tyre”. Mendoj se është ky pohimi më i rëndësishëm e më emblematik në kontekstin e asaj dukurie. Ai ngre para opinionit publik të huaj dhe atyre që shqyrtojnë kërkesën shqiptare për të filluar bisedimet për antarësi në Be një mal pikëpyetjesh që mund të dëmtojë të gjithë proçesin. Ai pohim ve në diskutim gjithë punën e organeve shtetërore që, gjatë të gjithë këtyre viteve, kanë qenë të ngarkuara të luftojnë dukurinë, duke hedhur një hije të errët mbi vetë shtetin shqiptar.

            Nëse bashkëpunimi i organeve përkatëse shqiptare me organizmat e antikrimit botëror, në këtë rast italian, lë aq për të dëshiruar sa që të krijojë jo thjesht dyshime, por bindje se shqiptarët nuk e luftojnë krimin në Vendin e tyre, tregon se kemi arritur në pikën e vlimit e duhet një kthesë rrënjësore për të ndryshuar drejtim. Një gjë është e sigurtë: ata që kanë drejtuar Shqipërinë në njëzet vitet e fundit e që, qëllimisht apo për negligjencë, kanë lejuar të arrijë sistemi në këtë gjëndje majisjesje e kutërbimi duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe të përgjigjen para dikujt. Se çfarë natyre do ketë ajo llogaridhënie nuk mund të përcaktohet me hamëndje gazetareske, por duhet të jetë, ndërmjet të tjerash, madje në krye të tyre, lëndë për organet e reja të drejtësisë që pritet të ngrihen si pasojë e reformës së saj. Ndërsa në planin politik pasojat duhet të jenë në përfundimet e votimeve të cilat, për arsye të ndryshme përfshirë edhe teka të drejtuesve politikë, janë bërë për shqiptarët “mollë e ndaluar”.

            Filmi flet mjaft për Lazaratin, duke pohuar se të ardhurat prej kanabisit që kultivohej aty arrinte shumën prej 2 – 3 miliard euro, sa një e katërta e PPB të gjithë Shqipërisë. Ai nuk shtjellon se si e ku mbarështoheshin këto shuma marramendëse në kohën e qeverimit PD e PD – LSI, por tregon se si kjo veprimtari u ndërpre mbas ardhjes së “rilindjes” në pushtet më 2013. Në të flitet, nëpërmjet intervistave me banorët e fshatit, se si u zhvillua ndërhyrja e forcave të rendit në Lazarat e madje përmend edhe vrasjen e një oficeri te policisë. Por gjithashtu pohon se fundi i përvojës së Lazaratit, dikur “strategjike”, nuk qe fundi i dukurisë që madje mori përmasa shumë më të mëdha me qeverinë e vitit 2013.

            Në film flitet për ish minstrin Tahiri, të paditur për bashkëpunim me trafikantët e drogës, por për të cilin, deri tani, organet hetuese nuk po krijojnë dot një impiant padije bindëse për gjykatën. Paaftësi e organeve hetuese, përfshirë dhe e atyre italjanë, fshehje me mjeshtëri e gjurmëve të krimit, prirje për t’i mbuluar ato, apo mungesë e plotë e tyre? Fakti që prej disa vitesh opinioni publik shqiptar përpëlitet në këtë mëdyshje tregon se ka shumë gjëra që nuk shkojnë si duhet në sistemin e drejtësisë, një tjetër sinjal ky që forcon tezën e filmit.

            Ky i fundit çuditërisht nuk përmend një tjetër fakt dëshmues të padisë së tij, atë të ish ministrit Xhafaj që strehonte në familje vëllanë e tij, edhe se kishte një kërkesë nga drejtësia italiane për ekstradim, si pasojë e një dënimi për trafik droge përtej Adriatikut. Nuk duhet të harrojmë trajtimin që i u bë një tjetër trafikanti të drogës nga shteti shqiptar,Klement Balilit. Qindra policë, për muaj e vite vinin vërdallë pa mundur të gjenin strehën e tij brënda Shqipërisë, deri sa i kërkuari me një mandat ndërkombëtar nga gjykata greke, në mënyrë qesharake, “u dorëzua” vetë në dorën e shefit të përgjithshëm të policisë së shtetit, për t’u dënuar në një proçes të përshpejtuar e për të marrë një dënim, për të thënë pak, bujar.

            Filmi ve në dukje edhe një tjetër dukuri. Nga vrojtimet ajrore të Rojes së financës italiane vihej re se në vitin 2018 ishte pakësuar shumë toka e mbjellë me kanabis, por në këtë vit ishte shtuar përsëri deri në rreth 20 % të sipërfaqes. Si shpjegohet kjo luhatje e ndjeshme nga një vit në një tjetër i kultivimit të narkotikëve? A ka dorë shteti për mirë apo për keq në këtë dukuri? Cila është përgjegjësia e tij në këtë rast? Apo ai mund të shkarkojë përgjegjësinë, si gjithmonë, duke mohuar faktet e dhëna?

            Filmi “Narcotika”, në thelbin e tij, nuk përbën diçka të re e të padëgjuar, mbasi bëhet fjalë për dukuri të njohura, të cilat janë objekte të padisë publike mes dy krahëve të politikës shqiptare, kryesisht nga ana e Opozitës jashtë parlamentare. Por ai, që shikohet nga italianë apo evropianë, i ve si qëllim vetes të japë një radiografi të dukurisë botërore të drogës, të shtrirë në të gjithë sistemin e saj të arterieve e kapilarëve të ndërlikuar. Fakti që Shqipëria është një nga arteriet më të rëndësishme të këtij organizmi infernal e të stërmadh, është një goditje e fuqishme përfytyresës së saj në botë, është një grusht fytyrës së qindra mijra e milionë shqiptarëve të ndershëm në botë e në atdhe, që jetojnë me djersën e ballit e që në të voglën e tyre e nderojnë emrin e tij. Shqetësimi me të cilën përcolla deri në fund atë film më solli ndërmënd shumë bashkatdhetarë që ndoshta shikonin të njëjtin spektakël e provonin të njëjtat ndiesi e kishin të njëjtat mendime si ata që shpreha në këtë shkrim.

            Por filmi trajtoi edhe një tjetër vështrim të realitetit shqiptar, për të cilin flitet pak ose aspak në jetën e përditëshme, i lënë në heshtje krejtësisht nga politika. Është problemi tejet i dhimshëm i njerëzve të ngujuar vite me rradhë në shtëpitë e tyre, kryesisht në fshatrat e Shqipërisë së Veriut, si pasojë e gjakmarrjes. Si gjithmonë shpjegimi për evropianët gjindet te ligji i lashtë i malësive, kanuni, pa u munduar të thellohen në thelbin e dukurisë që është ngadalësia apo mungesa e drejtësisë shtetërore, si hallka më e rëndësishme e zinxhirit kriminal të gjakmarrjeve.

            Kjo plagë e hershme e shoqërisë malsore shqiptare, për të cilën u munduan t’a zvogëlojnë apo t’a shmangin fare prej kohësh klerikë e shqiptarë të mëdhenj në shpirt, sado e kufizuar në territore të caktuara, përbën sot një problem madhor që duhet të shqetësojë opinionin mbarëshqiptar. Për të liruar qindra shqiptarë nga ngujimi disavjeçar, për të kursyer jetët e qindra djemve të vegjël që rrezikojnë ngujimin në një moshë të re, për të sjellë normalitetin në jetën e qindra familjeve, duhet një zotim i madh në nivel të përgjithshëm, në rradhë të parë të organizmave shtetërore, por do të ishte një mision i lëvdueshëm për të gjithë kombin. Nuk duhet të jetë “Narkotika” që të na e kujtojë atë detyrë të madhe.

            Figura e mësuese Lilianës që, me lotë ndër sy, flet për nxënësit e saj të vrarë apo të  ngujuar, me çiltërsinë e dhëmshurisë e të ndjenjës, mbetet figura më e dashur për spektatorin, një përfaqësuese e denjë e Shqipërisë fisnike e të traditës, e braktisur nga një kohë shumë e gjatë lufte kundër saj.

            Filmi është një pasqyrë që na vihet para sysh si shoqëri e si shtet, për t’u vetëdijësuar për problemet tona, por është dhe një fletë llogarie që na vjen mbas 28 vitesh demokracie, një bilanc me të cilin duhet të ballafaqohemi në botën në të cilën duam të bëjmë pjesë. Nuk është ende një gjyq me vendim të pakthyeshëm, por nëse nuk do të jemi në gjëndje në pak kohë të ndryshojmë kursin e ecjes sonë 180°, rrezikojmë të përfundojmë me një përjashtim fatal nga proçeset evropiane me pasoja rrënuese edhe për brezin e ardhshëm.            Gusht 2019               

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika- Narkotika-Shqiperia

HAVZI NELA…

August 10, 2019 by dgreca

Në përvjetorin e ekzekutimit/Nga Reshat Kripa/

 10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të jetonte i lirë dhe nuk e linin as për të jetuar.

            Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas njëmbëdhjetë vitesh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

            24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosin dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

            Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek, në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar lexues.

            Megjithatë vargjet e tij  mbijetuan. Ato  vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

A e dini çfarë kam hjekë,

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: – Ai urreu mizorin! –

Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!

            Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

            Brenda vetes time ndjej një revoltë. Dua të thërras, dua të çirrem. Askush nuk më jep përgjigje. Heshtja sundon kudo. Më dhemb zemra për këtëpoet të madh që Atroposi i preu fillin e jetës. Ndaj pyes:

            –    Deri kur do t’i kemi mbi krye vrasësit e poetëve? Deri kur?

Kjo pyetje kërkon përgjigje. 

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat Kripa-Havzi NELA-Pervjetori

SHTETI, QË FYEN POETIN MARTIR HAVZI NELËN

August 10, 2019 by dgreca

Nga Besim Ndregjoni/

      31  VITE MË PARE VAREJ POETI I LIRISE  HAVZI NELA  /  

Sot mbushen 31  vite që poetidisident , martir i lirisë, ndahet tragjikisht dhe fizikishtë nga Kollovozi e Kukësi nga Shqipëria atdheu i tij i dashur që i kushtoi jetën e tij në mbrotje të  lirise dhe dashurise njerzore.  Cdo vit   përkujtimor, përveç ritualit  të  kujtesës mbi ata që nuk janë më midis nesh e që u a morën jetën pa të drejtë  e ka të pashmangshëm edhe bilancin e ndërgjegjes sonë mbi ta, refleksionin e marrëdhënieve tona me ta, përderisa i kemi pranuar si pjesë e pandarë e kuptimit të ekzistencës sonë.
Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht, e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria, jashte  politikës , është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij,  janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën  çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë. Kukësi ia ka bërë nderimet , duke i vënë emrin e tij nje shkolle gjimnazi. Dhe mbas 31  vitesh i ban nje bust dhe e vendosen para gjimnazit që mban emrin e tij, dhe jo aty ku ishte varur ne litar. Presidenti, e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. të propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me  nderimin e  poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë.  Por nuk është aspak kështu për poetin që shkruante nga katakombet komuniste për “Frymën e Helsinkit”.  Poezi hym, edhe sot mbas dhjetra vitesh. Nuk është aspak kështu, sepse atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet,  për poetin që vargjet i shkruante qelive,  duke sfiduar xhelatët e  diktaturës , për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë, për këtë poet, pra, shteti ynë e paska të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e ka fyer  kujtimin e tij duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës. Shteti nuk nderon Havziun , por ata që vrane lirine e Havziut..

Drejtësia e shtetit tonë nuk ka  marrë mundimin për këta 31  vjet të hapë një proces penal për të gjithë ata që ideuan, organizuan dhe përmbushën me gjakftohtësi, si në skenat mesjetare, varjen e poetit në litar më 10 gusht 1988, duke shënuar rekordin e turpit dhe të së keqes në krejt globin tokësor.  Të gjithë ata persona që ishin pjesë  e krimit, ishin dhe janë ende gjallë. Çfarë u bë me ta, vallë? Me ata të gjithë? Me ata një e nga një ? Ekzekutorët e tij  patën të gjithë karrierë të lavdishme politike e profesionale                          

Së paku tre prej tyre që kanë hedhur firmat në aktin e dënimit me varje të Havzi Nelës, dihen. Ish-Presidenti diktator komunist Ramiz Alia, të cilin shteti e përcolli zyrtarisht me një ceremoni funerale si një hero, në shtrat të topit dhe për të cilin, të nesërmen u shkrua nëpër gazeta me lavde e superlativa dhe politikanët  tanë e pagëzuan si politikan të matur, të qetë e liberal, një lloj Gorbaçovi  shqiptar që shmangu gjakderdhjen, duke e lënë krejt në harresë faktin se të gjitha aktet e pushkatimeve i firmoste po ajo dorë kriminale “ që druhej mos derdhë gjak”(!). Dy personat e tjerë që firmosën dokumentin janë gjallë. Ata kanë njohur kulmin e karrierës politike e administrative në shteti demokratik shqiptar. Njëri, ish-deputet, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i dekoruar më 8 janar 2004 me urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa tjetra, ish-kryetare e I. l D.P, e dekorurar me po këtë titull në vitin 2009 nga Presidenti tjetër i radhës. Nuk është vetëm rasti i Havzi Nelës, por edhe i martirëve të tjerë. Po njësoj janë dekoruar më parë xhelatët që vranë Trifon Xhagjikën, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin. Logjika është e thjeshtë: nëse shteti, me segmentet e politikës, pranon, nëpërmjet dekorimit të martirëve, të na i bëjë ata pjesë të vetëdijes sonë qytetare, atëherë, për të shmangur kontradiktën dhe pafytyrësinë duhet të ndëshkojë, të gjithë ata që çuan në vrasjen e poetëve. E pakta moralisht duhej të bênte  pezullimin e këtyre vrasësve nga postet e rëndësishme shtetërore e politike.  Standardi i këtij shteti demokratik  është i dyfishtë, kriminal, hipokrit fyes, si për kujtimin e viktimave, ashtu dhe për ndërgjegjen tonë qytetare tani që e kemi mësuar të vërtetën. Shteti demokratik   me  këto nderime jep  shembullin më të keq: të nderojsh  viktimat si martirë nga njëra anë, dhe njëkohësisht, t’u hapësh  mundësi për karrierë marramendëse vrasësve të tyre në të gjitha nivelet e administratës deri në Parlament.  Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tone.  Nderimi nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm. Cdo ditë shtypi shqiptar boton jetshkrimet e udhëheqëve komunist. Mbushen faqet e gazetave me tituj bombastikë e emisione televizive, se si Nexhmija i kushtonte kujdes Enverit që mos të na vdiqte nga seksi natën. Dhe në faqet e shtypit dhe emisionet televizive nuk ka kohe e mundësi për Hvziun, Pjetër Meshkallën, për Fishtën, e Visarin me herojt e Spaçit dhe Burrelit. Shtypi gjerman shkruan në Shqipëri nderohet diktatori nëpër Muze dhe përbuzen viktimat… Ismail Kadareja bën një sugjerim  ne 20 vjetorin e varjes poetit.. “Poeti është  në botë e  amshuar, por shoqeria shqiptare  a është e qete.”. Në rrugëtimin tone  drejt përparimit dhe Europës, është  shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandiente “Frymën e Helsinkit” kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin. Pikërisht , politika  shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të verteten e krimit komuniste. Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet. “Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës, Vilsonit dhe Gencit, thjesht sepse ata ishin njerëz realë, se litari, plumbat e togës dhe vdekja e tyre qe reale dhe se vepra e tyre letrare vazhdon të jetë reale, të dëshmojë për ta. Europa si ëndërr, së cilës po i sillemi vërdallë, frymoi për së pari si ajër i vjedhur lirie në Kollovoin e Havzi Nelës,  e në  Bërzhezhdën e Vilsonit dhe Gencit,  nëpërmjet vargjeve të poetëve martirë. Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist  shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me  Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashte Europes se ajo nuk na pranon me vrasesit e poeteve por me matirizimin e poeteve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët: Vdekja për liri nuk më tremb aspak. Si e duron robninë zemra e një trimi?Kështu shkruane një vit para vdekjes poeti ynë Havzi Nela.

Besim Ndregjoni

Filed Under: Politike Tagged With: Besim Ndregjoni-31 vite- Varja e Havzi neles-Shttei

Havzi Nela në revoltën e Spaçit

August 9, 2019 by dgreca

Nga:Msc. Florin Zyberaj/

Abstrakt:Revolta e Spaçit është organizuar nga të burgosurit politik në datat (21-23) maj 1973. Kjo revoltë, është trajtuar gjithmonë në korniza të trasha, pavarësisht së përbën një ngjarje madhore dhe shënon një qëndresë të fortë kundër regjimit komunist.
Megjithatë, shqyrtimi i këtij fenomeni historik është i mangut për nga trajtesa nga njëra anë, dhe nga ana tjetër nuk është plotësisht shterues apo i plotë, pa u ballafaquar dhe sinkronizuar me dokumentacionin arkivor. Në këtë kontekst, për përgatitjen e këtij shkrimi kam përdorur dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit që administrohen nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, artikuj në gazeta (material përkujtimor e dosier) dhe një studim historik kushtuar Havzi Nelës.
 
Hyrje
Shkrimet kushtuar mësuesit Havzi Nela në shtypin shqiptarë dhe në portalet online, në shumicën e rasteve janë të karakterit publicistik dhe propagandistik. Në shumë pak shkrime gjejë elemente studimore rreth figurës së tij. I them atij mësues, pasi në asnjë dokument arkivor në AQSH, AMPB, apo në AIDSSH, nuk përmendet emiri i tij si poet. Po kjo situatë më rezulton edhe në shkrimet e para viteve ‘90-të. Havzi Nela, si poet u njohë vetëm pas viteve ‘90-të, me daljen në dritë të fletoreve me poezi që ai i kishte shkruajtur fshehurazi nëpër kampburgjet e sistemit komunist. Sa herë që përkujtohet dita kur u ekzekutua, emri i tij përmendet shpeshherë jo për të nderuar atë, por për të kritikuar dhe sulmuar emra kryesisht politikë. Kjo situatë aspak e denjë ndodhë, sepse nderimi, përkujtimi, vlerësimi i figurës së tij merr dimension tjetër vetëm nëse ka mbështetje nga propaganda politike.
Persekutimi i tij politik zë fill, kur ai kundërshtoi të deleguarit partiakë, ku evidentuan apo shtruan tri aksione politike si: 

1.    Hyrja në kooperativën bujqësore; 

2.    Prishja e objekteve të kultit; 
3.    Ndërrimi i veshjes nga veshja tradicionale në atë bashkëkohore.
Për sa i përket këtyre reformave në Shishtavec të Kukësit, më 20 prill 1967 u zhvillua një mbledhje me iniciativë të përfaqësuesve të PPSH-së në Kukës, si kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Mëhill Doçi etj., ku merrnin pjesë kuadro të zonës, mësues të lokalitetit si dhe banorët e fshatrave të Shishtavecit, Novosejt, Shtrezes, Kollovozit etj.
Më 24 prill 1967, në orën 1330në shkollë u zhvillua mbledhja e këshillit pedagogjik në Topojan ku punonte edhe vetë Havzi Nela. Kjo njihet ndryshe si “Mbledhja e Topojanit”. Mësuesi Nela refuzoi të bënte autokritikë dhe të kërkonte falje gjoja se kishte folur keq në mbledhjen e Shishtavecit në dëm të Partisë e pushtetit popullor. Nën trysnin në rritje të ushtruar ndaj tij, ai u detyrua të arratiset. Dhe arsyeja e vërtetë e largimit të tij nga atdheu së bashku me bashkëshorten e tij për në Kosovë (Jugosllavi) është kërcënimet me burgim dhe dërgim në kampin e Bulqizës që u bënë në këtë mbledhje nga të deleguarit partiak, si drejtori i shkollës etj. Arratisja e tij qe afatshkurtër. 
 
Me 6 maj 1967 pala jugosllave i dorëzon tek autoritetet shqiptare, në postën kufitare, në Morinë. 
Menjëherë pas gjyqit të 22 majit 1967, ku u dënua me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, Havzi Nelën e dërguan në burgun e Tiranës. Nga burgu i Tiranës, e çuan në kampin e Elbasanit. Dënimin prej 11 muajsh, Havziu e vuajti në kampin e Elbasanit. Dhe nga Elbasani më vonë e kanë transferuar në kampin e Vlorës, ku ka qëndruar deri më 26 shtator të vitit 1970. Nga viti 1970 e transferuan në Spaç, ku punoi në nëntokë (në galeri) deri në fundin e vitit 1974.
Revolta e të revoltuarëve
Urrejtja e akumuluar në kampin e shfarosjes së Spaçit shpërtheu si “vullkan” më 21 maj 1973, pas refuzimit të ushqimit dhe derdhja e kazaneve me gjellë nga ana e të burgosurve politik. E quajnë kamp i shfarosjes pasi Spaçi ndodhet në fundin e një grope dhe ku lart shihet vetëm qielli dhe asgjë tjetër. Në këtë gropë jetonin qindra të burgosurish politikë me vite të tëra. Të burgosurit, ishin  thjeshtë dhe vetëm skllevër të galerive dhe vegla që mernin frymë.Kjo revoltë në fillim nisi si një protestë nga të burgosurit kundër keqtrajtimit të shokut të tyre, Pal Gjergj Zefi në regjim biruce, e vazhdoi në një protestë që tronditi regjimin komunist.Pas gjendjes alarmante të raportuar brenda kampit, në mëngjesin e datës 22 maj, në kamp mbërriti zv/Ministri i Brendshëm Feçorr Shehu. Pasi zbardhi dita, bëhet e ditur se rojet kishin vënë re, se në katin e tretë të burgosurit kishin ngritur një flamur të kuq, me shqiponjën në mes dhe pa yllin e kuq komunist. Sipas të dhënave që u mblodhën më pas, bëhet e ditur se shqiponjën mbi flamur e kishte përgatitur i burgosuri Mersin Vlashi. Po me 22 maj, rreth orës 1200në mensën e burgut sipas dokumentave ishte mbajtur një mbledhje, e cila quhej “Mbledhja e Këshillave Krahinorë”. 
Në këtë mbledhje u caktuan nga një individ për çdo krahinë. Për rrethin e Kukësit, u caktua mësuesi Havzi Nela si një drejtues vizionar i cili qëndronte më lartë nga individët e tjerë nga kjo krahinë. Ai ishte shumë i vendosur, dhe me karakter të fortë në qëndrimet dhe idealet e tij. Gjendja psikologjike dhe fizike nuk qe aspak në favorin e tij në këtë kohë. Por sidoqoftë me gjithë vështirësitë e xhelozitë për caktimin e tij në mbledhjen krahinore ai mori pjesë. Një aktivist si gjithë të burgosurit e tjerë politik. Duhet theksuar se H. Nela, pak kohë më parë i shpëtoi një atentati të bërë ndaj tij në Spaç, ku një i burgosur tentoi ta qëllonte me thikë atë. Në këtë mbledhje morën pjesë të dënuar nga gjithë krahinat që vinin të burgosurit, ku u diskutua për moblizimin dhe vazhdimin e revoltës. Më këtë mbledhje ata vendosën: 
1) Të këshillohen personat që nuk marrin pjesë në mbledhje që të qëndrojnë të vendosur në revoltën që filluan ;
2) Të thuhet që revolta lindi e rastit, shkaktarë ishte operativi me nënoficerët që lidhën Palin ;
 3) Të mos pranonte asnjë i dënuar të futej në galeri etj.
Havzi Nela i mëshoi pikës së tretë ku kërkoi jo vetëm lirimin e të burgosurve, por që të mos punonin më në galeri. Situata doli jashtë kontrollit, mori një dimension tjetër. 

(Faksimilja e personave që morën pjesë në Revoltën e Spaçit. Havzi Nela rënditet i 75-ti)
Kështu që pushtetin në dorë e morën të revoltuarit e diktaturës komuniste. Kampi menjëherë ishte rrethuar nga katër anët me ushtarë të cilët ishin urdhëruar edhe të qëllonin kundrejt të burgosurve. Në këto rrethana shpërtheu kjo revoltë, që në histori njihet me emrin “Revolta e Spaçit” ose “Revolta e të burgosurve politik në Spaç”.
 
Parullat që u hodhën në këtë revoltë qenë të shumta si: “poshtë diktatura”, “poshtë komunizmi dhe Enver Hoxha”.“Ja vdekje ja liri” “Ne nuk punojmë as sot as mot”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”, “Do t’ju djegim si Stalini” “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi” “Poshtë komunistët” “Poshtë komunizmi”, “Ushtarë hidhni armët”, “Populli është me ne”, “Kooperativa u pret”, “Bashkohuni kundër qeverisë”, “Po jam armik dhe kështu do vdes”, “Flamuri pa yll”, “Poshtë Enver Hoxha”, “Poshtë partia”, “Këtë që po bëni ju nuk e ka bërë as nazizmi” etj.
Në arkivin e Autoritetit mbi Infofmimin mbi Dokumenta e Ish-Sigurimit të shtetit evidentohet një ekstrakt i përzgjedhur nga agjentura brenda kampit që drejtohej nga punëtori operativ Fejzi Liço. Në rrjetin sekret bënin pjesë këto bashkëpunëtorë: “Zjarri”, “Shpata”, “Planeti”, “Kaike e bukur”, “Shigjeta e kaltër”, “Bakri”, “Zjarri” (2), “Pushka”, “Libri”, “Stilografi”, “Pisha”, “Vigjilenti”, “Qarri”, “Semani”, “Besa”, “Vullnetari”. Më poshtë një ekstrakt i përzgjedhur dhe sistemuar nga raportimet e bashkëpunëtorëve. P.sh: “Planeti”raportonte: “….Dervish Bejko tha se e kanë bërë sakat e nuk do më jetën […] Latif Haxhiu i tha zëvendësministrit (Feçor Shehu): “Po na mbani nga 25 vjet në burg more të poshtër”. I dënuari Havzi Nela ka bërë agjitacion e propaganda […] ka kërkuar lirimin dhe të mos punonin më në minierë. 
Pas shtypjes së revoltës, mësuesi Nela u denoncua nga të burgosurit e tjerë që ndodheshin në Spaç. Pikërisht këto denoncime u shfrytëzuan nga regjimi i kohës për ta dënuar atë edhe me 8 vjet të tjera (vendvuajtja e dënimit do ishte Rrësheni). I burgosuri Naim Uka dhe Zenel Balliu raportuan sidomos mbi ngjarjen e ndodhur në revoltë. Më konkretisht ata shprehen
Naim Muhamet Uka, para hetuesit tregonte se: “… Havziu më tha se këto (Komunistët –shënimi im) u trembën nga ato 600 burra që bënë revoltën këtu në Spaç që ishin edhe pa armë dhe mblodhën ushtrinë për të shuar atë, e jo më të mos kenë frikë nga të huajt, se këto e kanë keq edhe nga konferenca e Sigurimit Europina (KSBE sot OSBE – shënim) dhe kur të marrë fund ajo, edhe këto do të marrin fund së qeni etj që tani nuk i mbaj mend. Unë Havziun e kam parë edhe në revoltë duke bërë thirrje për kundër pushtetit e partisë, por ky nuk u dënua me këtë rast”.Zenel Haqif Balliu, pohonte: “…Kam për të thënë se kur ndodhi revolta e Spaçit, unë jam ndodhur këtu brenda dhe e kam parë Havziun se ky ishte nga më aktivistët aty duke hedhur parulla kundër pushtetit e partisë, ka marrë pjesë në mbledhjen krahinore të dënuarve nga Rrethi Kukës që u bë gjatë revoltës”.
Epilogu
Përleshja trup më trup zgjati tri ditë dhe tri netë. Luftonin herojtë e lirisë për një Shqipëri të lirë e demokratike, pa bukë dhe pa ujë, me forcat speciale të regjimit. Nga kjo revoltë, prej organeve të Sigurimit u rregjistruan 93 pjesëmarrës aktiv, mes tyre edhe Havzi Nela. U zhvilluan 5 procese politike, u dhanë shumë vite burg dhe u pushkatuan katër persona. Revolta u shtyp në trysninë e armëve, por ajo hyri si një thikë në zemrën e dikturës komuniste. Jehona e revoltës kaloi kufijt e Shqipërisë politike të rrethuar me tela e gjëmba.
Referenca:
·      
Agim Musta, Kujtime rrënqethëse nga burgu i Spaçit: si u organizua dhe u shtyp revolta historike, Gazeta Republika, 21 maj 1998.·      
AIDSSH, F. 140 ,V.1962, D. 5925-A.  ·      
AIDSSH, F.1, V.1967, D. 9912/2-A.·      
AIDSSH, F.1, V. 1975, D. 9912/3-A.
· Bedri Myftari, Revolta e Spaçit, gazeta Kosova, 1 shtator 1991.
·     Florin Zyberaj, Havzi Nela martir i fjalës së lirë/studim (Tiranë: M & B, 2019).
·      Kastriot Dervishi, 1973/Revolta e Spaçit, 93 persona me të dhëna agjenturiale-operative, 4 të pushkatuar,Gazeta “55”, 20 maj 2019.
Kastriot Dervishi, Revolta e Spaçit e spiunuar nga brenda, Gazeta “55”, 17 maj 2019.·      
Marenglen Kasmi, 45 vjet nga Revolta e Spaçit, Gazeta Dita, 20 maj 2018.

(Faksimilja e dëshmisë ku bëhet e ditur kërcënimi që iu bë Havzi Nelës)

Filed Under: Politike Tagged With: Florin Zyberaj-Havzi Nelaj-Revolta e spacit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 393
  • 394
  • 395
  • 396
  • 397
  • …
  • 655
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT