• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Macron: Do të bllokoj çdo përpjekje për zgjerim të BE-së

July 2, 2019 by dgreca

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se do të bllokojë çdo përpjekje për zgjerimin e Bashkimit Evropian, derisa ky i fundit të kalojë nëpër reforma të thella.Deklarata vjen pavarësisht paralajmërimeve se shtyrja e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të minojë stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

“Do të refuzoj çdo lloj të zgjerimit përpara një reforme të thellë të funksionimit tonë institucional”, tha Macron të hënën, pasi udhëheqësit e BE-së dështuan të plotësojnë pozitat e larta në bllok për pesë vjetët e ardhshëm.

Komisioni Evropian ka rekomanduar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriuttë hapin negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Por, Këshilli i ministrave BE-së, muajin e kaluar, e ka shtyrë marrjen e vendimit të tillë për në tetor.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka paralajmëruar në muajin maj se çdo dështim për të nisur negociatat së shpejti “mund të minojë stabilitetin dhe të shkurajojë seriozisht reformat e mëtejshme”.

Filed Under: Politike Tagged With: Macron-Bllokim-Zgjermit te BE

Lokalet 2019 – të bojkotuara nga opozita zhvillohen të qeta

June 30, 2019 by dgreca

Qytetarët për DW- Zgjedhim më të mirin nga ata që konkurrojnë, vota e drejta jonë. KQZ: Pjesëmarrja 21.9%/

Nga Ani Ruci/DW

Në situatën e pazakontë të bojkotit nga opozita jashtë parlamentare, e drejtuar nga Partia Demokratike (PD), më e madhja në opozitë në Shqipëri, Zgjedhjet Lokale 2019 ( 30.06.) u karakterizuan nga qetësia dhe rregulli. Sipas të dhënave paraprake të Komitetit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në votime kanë shkuar gjithsej 771863 votues, pra, 21,9% e elektoratit. Në një deklaratë për media, KQZ bëri të ditur, se “procesi i votimit ka vijuar normalisht në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 qendrat e votimit të Komisionit të Zonave të Administrimit Zgjedhor nr. 2, Shkodër ku nuk u zhvillua votim”.

Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë për DW se incidentet nuk janë mbizotëruese. Pati disa protesta sporadike në Tiranë nga mbështetës të opozitës para qendrave të votimit në mjediset e disa shkollave të mesme të kryeqytetit. U raportua për thyerje xhamash në një qendër votimi në Skrapar dhe grisje demonstrative të fletës së votimit në një qendër votimi në Kamëz. Disa protestues zgjodhën të talleshin duke dalë nëpër rrugë me muzikë dhe slogane, siç bëhej në votimet moniste të regjimit komunist.

Në këtë atmosferë të qetë, por të ngarkuar me potencial trazirash, Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ ODIHR-it ka shmangur përplasjen me protestat e opozitës. Në një njoftim zyrtar; Misioni bën me dije se kryesuesja e tij, Ambasadorja Audrey Glover, anuloi vëzhgimin e saj në qendrën e votimit të ngritur në shkollën Vasil Shanto, në Tiranë. ”Situata ishte e pafavorshme për vëzhgim, për shkak të protestave të opozitës joparlamentarë nga militantë të PD”, – thekson njoftimi.

Qytetarët për DW: Zgjedhim më të mirin ndër ata që konkurrojnë

Në ndërtesën e kopshtit publik të fëmijëve, “Nënë Tereza në Tiranë”, në qendrën e votimit 17152, në Njësinë Bashkiake nr.2, disa qytetarë kishin shkuar qysh në orën 7:00 të mëngjesit për të votuar. Bashkim Toska, banor prej 50 vitesh në këtë njësi, tha për DW se bojkoti i opozitës nuk prek të drejtën e tij për të votuar. 
“Do të votoj për atë që mendoj mes dy kandidatëve që janë në garë për të qenë kryetar Bashkie në Tiranë, për atë që unë mendoj se është më i miri. E kam të drejtën e zgjedhjes, të votës, duhet ta ushtroj. Nuk më prish punë që opozita i ka bojkotuar këto zgjedhje. Kjo është puna e saj, Po të më pyesësh mua, bëri gabim kur dogji mandatet parlamentare. Ato ia kishte dhënë populli për ta përfaqësuar, jo për t’i djegur” tha Bashkim Toska për DW.

Albanien Kommunalwahlen (DW/Ani Ruci)

Madara Vargo, një tjetër votuese në këtë qendër votimi, tha se nuk i intereson se cila parti është në pushtet dhe cila jo.     
“Pres që votimet të mbyllen pa dhunë, pa tensione, që populli të votojë për atë që mendon se e bën punën më mirë. Secili prej nesh ka pëlqimet dhe bindjet e veta politike. Duhet të votojë për bindjen e vet, jo të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe të rrijë indiferent. Shpresoj t’i jepet fund rrëmujës, kaosit, trazirave,  Dhuna nuk është e mirë për askënd. Pse nuk merren vesh politikanët me njëri tjetrin? Për interes të tyre jo për tonat. Nuk jam dakord me ata që i quajnë këto zgjedhje njëpartiake. Çdo njeri ka të drejtën e vet: të votojë ose të mos votojë. Por ama nuk ka fare, fare të drejtë të nxisë dhunën dhe bojkotin,” thotë për DW  Madara Vargo.

Albanien Kommunalwahlen (DW/Ani Ruci)

PD kundërshton shifrat e KQZ lidhur me pjesëmarrjen 

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, bëri me dije që pjesëmarrja në votime, në nivel kombëtar, deri në orën 15.00 të pasditës ka qenë 15,5 % e numrit të zgjedhësve, sipas listës përfundimtare të publikuar nga Ministria e Brendshme, prej 3,5 milion zgjedhësish. PD e kundërshtoi këtë shifër dhe dha shifrën prej 12%. Në një deklaratë për media, Sekretari i PD-së për Çështjet Zgjedhore, Ivo Kaso, fliste për “falsifikim të pjesëmarrjes në votimet njëpartiake, të paligjshme”. Por, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale njohja ose mosnjohja e zgjedhjeve nuk varet nga niveli i pjesëmarrjes. 

Opozita jashtëparlamentare, e kryesuar nga PD, konsideron 13 tetorin 2019, si datë  të ligjshme për zgjedhjet vendore 2019. Këtë e dekretoi tre ditësh Presidenti Ilir Meta, por KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor e shpallën dekretin të pavlefshëm. Por edhe pse e njeh këtë datë si të ligjshme, koalicioni opozitar ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në Lokalet 2019, pa u larguar më pare kryeministri Rama dhe pa u rrëzuar qeveria e tij. Ky kusht ka qenë motoja e protestave anti-qeveritare që nga shkurti i kaluar dhe deri para një jave. 

Filed Under: Politike Tagged With: Zgjedhjet ne Shqiperi-21 perqind pjesmarrja

Po të ndodhte kjo në vendin tuaj, do heshtnit?

June 28, 2019 by dgreca

– Mbas gjithë këtyre viteve, qeveria socialiste e Edi Rames, për herë të parë ka shkatërruar sistemin tonë kushtetues./

– Për herë të parë ne jemi për më shumë se 1,5 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Nga Sokol Bejleri/*Anetar I Kryesise se Federates Vatra/

Të nderuar anëtarë të ACRE!
Të nderuar deputetë të Parlamentit Europian!

Ç’po ndodh në Shqipëri?
Ne kemi një qeveri që drejtohet nga marrëzia, interesa kriminale dhe korruptive. Një qeveri që nuk garanton, por shkatërron zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Për herë të pare mbas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, Qeveria e Ramës, në kundërshtim me Kushtetutën, pluralizmin politik, kërkon të organizojë të dielën, në 30 qershor, zgjedhjet pa kundërshtar politik, vetëm me një kandidat.

Mbas gjithë këtyre viteve, kjo qeveri, për herë të parë ka shkatërruar sistemin tonë kushtetues.

Për herë të parë ne jemi për më shumë se 1,5 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Miqësisht do desha t’ju drejtoj një pyeteje.
Po të ndodhte kjo në vendin tuaj, do heshtnit apo do qëndronit fort për kushtetutshmërinë dhe demokracinë tuaj??
Pa dyshim që po. Prandaj unë kërkoj mbështetjen tuaj që dhe vendi im të jetë si i juaji.

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, opozita dogji mandatet në nje situatë të paprecedente. Po përse??
Për të rikthyer besimin tek sistemi politik, mbrojtja e Kushtetutës, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përballë një qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar, e cila e ka kthyer Shqipërinë në kushtet e një grushti shteti.

Mediat ndërkombëtare kanë bërë publike dosje që janë në Prokurori dhe nuk hetohen, të cilat provojnë se qeveria dhe strukturat kriminale, kanë manipuluar zgjedhjet në 2015 dhe 2017, nëpërmjet blerjes së votave dhe intimidimit të votuesve.

Blerja e votave dhe intimidimi i votuesve është përcaktuar nga Raporti i OSBE/ODHIR si problemi më i madh në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017.

Qindra qytetarë dhe deputetë të opozitës janë proceduar dhe arrestuat nga policia dhe prokuroria, sepse protestojnë kundër këtyre krimeve elektorale, ndërkohë që ata që kanë kryer krimin janë në qeveri, polici dhe në strukturat shtetërore.

Kryetarët e bashkive dhe qytetarë arrestohen dhe procedohen nga qeveria sepse kërkojnë respektimin e autoritetit që i jep ligji dhe Kushtetuta, sepse duan të respektohet dekreti i Presidentit, që ka dekretuar shtyrjen e zgjedhjeve dhe qeveria refuzon dhe përdor gjithë shtetin kundër Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve.

. Më shumë se një vit më parë Ne, së bashku, organizuam si ACRE, Samitin e Lirisë në Tiranë, ku folëm për trashëgiminë e komunizmit.
Folëm për diktaturën dhe tiraninë, e cila sot shfaqet në një formë të rrezikshme të regjimeve të korruptuar dhe kriminale që dhunojnë dhe i janë mbivendosur Jetës, Lirisë dhe mundësisë për të ndërtuar lumturinë e qytetarëve tanë.

Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së dhe këtë duam të gjithë, vetëm atëherë kur shqiptarët nuk largohen nga Shqipëria siç po ndodh në një eksod masiv, por do të kenë kushte dhe standarte Europiane në Shqipëri, për të ndërtuar lumturinë dhe mirëqenien për vehte, familjet e tyre dhe Shqipërinë.

Ju falënderoj për mbështetjen që i jepni Shqipërisë, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’ja kthyer Shqipërinë shqiptarëve.

  • Fjala e mbajtur në Keshillin e Konservatoreve europiane në Bruksel nga anëtari  nderit i Kongresit Hebraik Amerikan

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Bejleri- ACRE-Deputete Parlament Europian

PROF. NOEL MALCOLM – NJË NGA MIQTË E MËDHENJ TË POPULLIT TONË

June 24, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Një nga veprimtaritë me shumë rëndësi të organizuara nga “Vatra”, ka qenë takimi me historianin anglez, prof. Noel Malcolm, autor i veprës “Kosova-një histori e shkurtër”, që u bë me 26 maj 1999 në Columbia University, përmes “Vatra Educational Foundation”.

Gjendja tepër e rëndë në Kosovë, vlera e jashtëzakonshme e kësaj vepre në ndriçimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe momenti më se i përshtatshëm, në të cilin u botua kjo vepër, kishin tubuar një numër të madh bashkatdhetarësh nga New York, New Jersey dhe Connecticut, si dhe miq amerikanë të popullit tonë, studiues të ndryshëm, studentë universitarë, etj. Mbledhjen e drejtoi z. David Avdul, profesor në Pace University, kryetar i “Vatra’s Scholarship Fund”. Për çështjen e Kosovës, përveç prof. Malcolmit, referuan edhe zz. Branimir Anzuloviç, Hansjoerg Strohmeyer dhe Peter Witonski, duke shpallur para gjithë botës të vërtetën e madhe mbi Shqipërinë, mbi Kosovën, mbi rrënjët e konfliktit serbo-shqiptar dhe rrugët për zgjidhjen e drejtë të tij.

Duke ndjekur fjalën bindëse të autorit si dhe të referuesve të shquar, njohës të mirë dhe mbrojtës energjikë të së drejtës historike të popullit tonë, të shkon mendje si pa dashur tek sa e sa shkencëtarë të huaj, historianë e gjuhëtarë, arkeologë e gjeografë, etnografë e folkloristë, etj., që kanë njohur e gjykuar me paanësi të vërtetën rreth popullit tonë, historisë, gjuhës dhe kulturës së tij, kanë vënë në dukje e kanë çmuar vlerat e larta shpirtërore, dhe na kanë dalë krah me vendosmëri në rrugën e vështirë të identifikimit të çështjes sonë kombëtare. Janë të panumërt. Eshtë e pamundur t’i përmendësh qoftë edhe vetëm emrat e jo më veprat dhe tezat e idetë e tyre. Ja disa: J. Tunman, M. Lik, F. Pukëvil, A. Bue, H. Hekar, J.G. Han, K. Paç, K. Prashniker, F.Nopça, G. Majer, H. Pedersen, N. Jokli, E. Durham, etj., etj. Në këtë radhë të nderuar vijnë e rreshtohen edhe emrat e Noel Malcolmit, Branimir Anzuloviç, Peter Witonski dhe Hamsjoerg Strohmeyer, referues të këtij tubimi.

Vepra e vëllimshme e Malcolmit “Kosova-një histori e shkurtër”, e hartuar mbi bazën e një hulumtimi bibliografik të gjerë, e ndërtuar në mbështetje të një gjykimi sintetik objektiv dhe e frymëzuar nga një përkushtim i thellë ndaj së vërtetës historike dhe të së drejtës që buron prej saj, që nga faqja e parë deri tek e fundit dëshmon se Kosova është një identitet historik e politik, gjeografik e etnik, shoqëror e shpirtëror i përcaktuar qartë dhe i konsoliduar fort dhe, si i tillë, duhet të gëzonte të drejtën e vetëvendosjes. Ajo nuk ka të bëjë aspak me atë biçim minoriteti, siç duan ta paraqesin serbët, që nga politikanët e shtetarët si millosheviçët, që nga shkencëtarët e akademikët si vargu i pafund i çubriloviçëve e deri të serbi më i thjeshtë.

Në prag të Versajes (a nuk qe Rambuje një Versajë e dytë për fatet e kombit tonë?), qe ngarkuar gjeografi i madh francez, Jean Brunhes, të bënte një raport lidhur me Shqipërinë, të cilën ai e njihte shumë mirë sepse e kishte shkelur me këmbë. Duke mbrojtur njësinë e kombit tonë, të mishëruar tek gjuha shqipe dhe tek ndjenja e fuqishme kombëtare e shqiptarëve- ky shkencëtar, me 1919, mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe epërsinë e popullsisë shqiptare në Kosovë. Në një vepër të tijën, që me 1913, ai pati thënë se “Shqiptarët janë populli më i lashtë i Evropës dhe se Shqipëria është shteti më i ri i saj, bile aq i ri, sa s’ka mbaruar ende së linduri. Ashtu siç është edhe Kosova sot.”

Këto e të tjera si këto të kujtohen, kur dëgjon Noel Malcolmin dhe çuditesh sa mirë e ka rrokur ai çështjen shqiptare. Me argumente më se të qarta ai bind cilindo në të drejtën historike të Kosovës, të mohuar e të nëpërkëmbur prej më se një shekulli dhe rrëzon mitet e shenjtëruara serbe. (Ndër kllapa: a mund të jetë djepi i Serbisë Kosova, kur aty nuk ka qenë asnjëherë kryeqyteti i saj?). Dhe me gjithë këtë katrahurë egërsirash serbe, që u zhvillua aq përgjakshëm, bindesh edhe në faktin që  vetë pavarësia e Kosovës kushtëzon konsolidimin e parimeve demokratike e humane të kontinentit evropian, duke u bërë treguesi i saktë i shkallës së këtij qytetërimi dhe faktori përcaktues i vendosjes së paqes në Ballkan.

Kështu përsijatesh në qerthullin e këtyre mendimeve, duke dëgjuar fjalën e Malcolmit dhe të historianëve të tjerë dhe duke lexuar “Kosova një histori e shkurtër”, që nuk është më një raport i porositur si ai i Jean Brunhes, por një vepër madhore me afër 500 faqe, me më tepër se një mijë shënime plotësuese dhe me një bibliografi në rreth 12 gjuhë, e botuar pikërisht në një vepër e cila duhet të njihet nga të gjithë politikanët e diplomatët dhe nga i gjithë opinioni botëror, që synon në një paqe të qëndrueshme në Evropë.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Cefa- Noel Malcolm- Mik i shqiptareve

Provokacioni, armë e mendjeve inferiore

June 22, 2019 by dgreca


Nga Alfons GRISHAJ/ Inteligjenca e kulluar e njeriut nuk e njeh formën provokative si një mënyrë  të  marrëdhënieve në shoqëri, përkundrazi, jo vetëm që nuk e ushqen, por e lufton dhe e dënon atë si një reaktiv inferior.  
Provokimi politik është armë e mendjeve inferiore, që përdoret për të nxitur apo përshkallëzuar konfliktin mes “palëve”. Ajo është arma e preferuar e diktatorëve ose diktaturave për të bërë trysni mbi kundërshtarin, dhe nganjëherë shërben për të trimëruar  veten në situata paniku. Provokimi politik nuk është komponent i formimit estetik, sepse në thelb estetika është nëna e etikës, funksioni i së cilës është të ngrejë cilësinë e komunikimit të individit në nivelet më të larta, duke mos e lënë të bjerë në banalitete e veprime të ulëta për qëllime meskine, anakronike, diabolike që prishin ekuilibrat brenda një shoqërie, aq më tepër kur këto ekuilibra janë tejet të brishtë, siç është rasti i shoqërisë sonë kërkon të krijojë një vetësiguri dhe mbijetesë.
Gjithë këto ditë kam ndjekur me vëmendje provokacionet e një qeverie dhe një Kryeministri në panik. Qetësia e shtirë dhe batutat e dala boje, padisin shformimin e amalgamës së një klani aventurier, që është duke u vetëgremisur. Arrestimet politike janë forma më evidente e degradimit të një qeverie diktatoriale, e cila mund të arrestojë, të godasë, të helmojë dhe të shtypë përkohësisht me mjetet e dhunshme masat, por kurrë nuk mund të fitojë mbi lirinë! Çdo njeri që ka lexuar historitë e diktaturave, e di mirë çfarë është dallga e lirisë:  fundin e turpshëm të diktatorëve, mbase dhe të tmerrshëm. Një filozof  (!) thotë: “Populli që rrihet pret të ngre krye”! Këtë thënie pothuajse e ka harruar klasa e politikës shqiptare, veçanërisht “Rilindja” e Ramës. 
Pjesë e turpshme e provokimit politik u bë e ashtuquajtura “Opozita e Re”, teprica listërore që mbiu në Parlament nga fara e “Rilindjes”, e që po i shërben Ramës si helmetë për t’i ruajtur kokën. Ky formacion pa identitet, i përbërë nga individë që hiqen si të zgjedhurit e popullit dhe flasin në emër të elektoratit, megjithëse propocionalë në lista pa ballafaqim e personalitet hipotekal politik, është një tjetër dëshmi e disfunksionit të demokracisë tek ne, që tregon se sa serioze dhe emergjente është situata politike në vendin tonë.  Përveç dy anëtarëve të listës emërore të Opozitës së Re, asnjë tjetër nuk nuk ka fuqi për të kandiduar direkt pa siglën e Partisë Demokratike apo të LSI… Të gjendur aksidentalisht në Parlament, në karriget e rreshtuara në krahun e opozitës, ata flasin për një moral opozitar, që përveçse nuk është opozitar nuk është as dhe fare moral, por thjesht një prostitucion politik, që ka për qëllim të krijojë një imazh “normaliteti” të ligjvënësit, aq më tepër sot kur kauza e opozitarizmit është kryeçështja e ditës në Shqipëri. Dublimi i opozitës është gjithashtu akti më i shëmtuar politik që pas shembjes së diktaturës në Shqipëri. Asnjë ishkryeministër nuk e ka tentuar e ndoshta as që e ka çuar ndërmend këtë skenar. Ky lloj “legjitimiteti” i një Parlamenti ilegjitim, që ka humbur çdo lloj sensi logjik para një opinioni të shëndoshë, është shndërruar në një grotesk që ngjall njëherazi gaz dhe trishtim! Vallë kjo është elita e ndërgjegjes së nacionit?! Jo! Atëherë pse jemi katandisur në këtë gjendje? Epo… Shqipëri hesapi. Në Kuvend mund të shkojë gjithkush! Në traditën tonë etnike, në Kuvend shkonin vërtet të gjithë, por protagonist nuk mund të ishte gjithkush. Flisnin të urtët, trimat dhe të tjerët dëgjonin dhe bindeshin. Vendosej për të mirën e përgjithshme dhe zbatohej me vullnet nga të gjithë. Parlamenti aktual është i atillë si rezultat i devijimit nga demokracia. Sepse demokracia e vërtetë nuk definohet nga numrat. Po të ishte për numrat atëherë rekordi u përket diktaturave.  
Rasti i provokimit të Presidentit të Republikës për shkarkim është tjetër dëshmi se rendi kushtetues në Shqipëri ka rënë. Vendi ka shkuar nga republika parlamentare drejt asaj kryeministrore të tipit musolinian. Të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend, që nga policia e deri tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po i binden verbërisht urdhrave të Kryeministrit, edhe pse e dinë se veprimi i tyre është në shkelje flagrante të ligjit, ndërkohë që në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, çdo sulm ndaj institucionit të presidentit, s’është tjetër veçse grusht shteti. Vetëm kjo Gjykatë, ka të drejtë të shqyrtojë vendimet e Presidentit gjatë ushtrimit të kompetencave të tij. 
Aventurierët rozë vazhdojnë revanshin… nuk ndalen, duke matur pulsin opozitar me instrumentin kriminal të provokimit, për të parë se sa duron opozita? Tani Ramëzinjtë po pregatiten që të nxjerrin një “ligj” të ri puro komunist, sipas të cilit, njerëzve që protestojnë kundër Komisineve zgjedhore t’u ndalohet dalja jashtë atdheut për 5 deri 10 vjet. Ky është budallallëku dhe çmenduria më e madhe që mund të kem dëgjuar ndonjëherë. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut!!!
Arrestimi i mëse 190 protestuesve të opozitës, kërcënimi i Bashës me pisllëqet e teneqexhiut, arrestimi i ish-deputetit Bardh Spahia, provokon opozitën për t’i rënë trompetave deri në skajin e fundit…, që pastaj klani socialist të shfajësohet në arenën ndërkombëtare: “E shikoni nuk ishte faji jonë…!!!”. 
Në Shkodrën dhe Kavajën e demokracisë po zhvillohen përleshje midis protestuesve e policisë politike, gjithashtu dhe në qytete tjera si Tropojë, Kukës etj. Në Shkodër, Kryetarja e Bashkisë nuk i dha leje Edi Ramës për të zhvilluar mitingun në një nga sheshet kryesore të qytetit, ai e zhvillojë me dhunë (rreth një mijë forca policie ishin bërë kordon pë të bllokuar protestuesit) duke thyer ligjin. Ligjin duhet ta zbatojnë të tjerët, por ai jo?! Provokim i hapur për gjakderdhje! Voltana Aemi, Kryetare Bashkie, autoritetplotë, një zonjë e nderuar  që vjen nga një  familje e persekutuar, e cila  u shqua që më 2 Prill 1991,  si një trimëreshë antikomuniste, tani ajo hahet dhëmb për dhëmb me Ramëziun, një laraman në shpirt dhe në psikë. Rama, që deri dje mburrej për mjeshtërinë e tij në artin e provokimit, tashmë duket se ka dalë fare jashtë kontrollit. I provokuar nga kriza që ka shkaktuar vetë, ai përpiqet të kapet pas imazhit të mbështetjes perëndimore duke shfrytëzuar për këtë deri dhe axhendën e rutinës diplomatike. Mos mendon ai se ka në krah perëndimin dhe duhet t’i hipë në shpinë opozitës?! Një gjë nuk e di ai dhe diletantët politikanë dhe  nuk e kuptuan kurrë se, Perëndimi, bën rrokadon sipas situatave, biles, kur mendon se i ke fituar dhe i ke  miq… papritmas i humbet, sepse ata i kanë të shenjta parimet e lirisë dhe  nuk i shkelin kurrë. 
Provokacioni politik është lojë e mendjeve inferiore që moleps rrangun më të ulët të shoqërisë civile, politike dhe ushtarake, të cilët nuk janë kurrë në gjëndje të ngrihen në nivelin e lidershipit intelektual bashkëkohor, për t’i shërbyer filozofisë së bashkëpunimit, zhvillimit, stabilitetit dhe qeverisjes e një shteti sipas parimeve dhe standarteve të demokracisë së vërtetë. Prandaj Shqipëria zvarritet në agoni, duke kaluar nga ekstremi në ekstrem. 
Shqiptarët do i gëzojnë frytet e lirisë vetëm atëherë kur pushtetarët e tyre të kuptojnë se respekti për kundërshtarin politik është një nga vlerat më të larta që kultivon demokracia, Këtë virtyt e gëzojnë natyrisht vetëm liderët e emancipuar, por jo provokatorët e konflikteve politike, që synojnë të zgjasin pushtetin nëpërmjet zgjatjes dhe thellimit të krizës politike, e cila i ka zënë frymën mbarë shoqërisë sonë. 





Filed Under: Politike Tagged With: Alfons Grishaj- Provokimi politik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 416
  • 417
  • 418
  • 419
  • 420
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT