
Nga Anton Çefa/
Një nga veprimtaritë me shumë rëndësi të organizuara nga “Vatra”, ka qenë takimi me historianin anglez, prof. Noel Malcolm, autor i veprës “Kosova-një histori e shkurtër”, që u bë me 26 maj 1999 në Columbia University, përmes “Vatra Educational Foundation”.
Gjendja tepër e rëndë në Kosovë, vlera e jashtëzakonshme e kësaj vepre në ndriçimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe momenti më se i përshtatshëm, në të cilin u botua kjo vepër, kishin tubuar një numër të madh bashkatdhetarësh nga New York, New Jersey dhe Connecticut, si dhe miq amerikanë të popullit tonë, studiues të ndryshëm, studentë universitarë, etj. Mbledhjen e drejtoi z. David Avdul, profesor në Pace University, kryetar i “Vatra’s Scholarship Fund”. Për çështjen e Kosovës, përveç prof. Malcolmit, referuan edhe zz. Branimir Anzuloviç, Hansjoerg Strohmeyer dhe Peter Witonski, duke shpallur para gjithë botës të vërtetën e madhe mbi Shqipërinë, mbi Kosovën, mbi rrënjët e konfliktit serbo-shqiptar dhe rrugët për zgjidhjen e drejtë të tij.
Duke ndjekur fjalën bindëse të autorit si dhe të referuesve të shquar, njohës të mirë dhe mbrojtës energjikë të së drejtës historike të popullit tonë, të shkon mendje si pa dashur tek sa e sa shkencëtarë të huaj, historianë e gjuhëtarë, arkeologë e gjeografë, etnografë e folkloristë, etj., që kanë njohur e gjykuar me paanësi të vërtetën rreth popullit tonë, historisë, gjuhës dhe kulturës së tij, kanë vënë në dukje e kanë çmuar vlerat e larta shpirtërore, dhe na kanë dalë krah me vendosmëri në rrugën e vështirë të identifikimit të çështjes sonë kombëtare. Janë të panumërt. Eshtë e pamundur t’i përmendësh qoftë edhe vetëm emrat e jo më veprat dhe tezat e idetë e tyre. Ja disa: J. Tunman, M. Lik, F. Pukëvil, A. Bue, H. Hekar, J.G. Han, K. Paç, K. Prashniker, F.Nopça, G. Majer, H. Pedersen, N. Jokli, E. Durham, etj., etj. Në këtë radhë të nderuar vijnë e rreshtohen edhe emrat e Noel Malcolmit, Branimir Anzuloviç, Peter Witonski dhe Hamsjoerg Strohmeyer, referues të këtij tubimi.
Vepra e vëllimshme e Malcolmit “Kosova-një histori e shkurtër”, e hartuar mbi bazën e një hulumtimi bibliografik të gjerë, e ndërtuar në mbështetje të një gjykimi sintetik objektiv dhe e frymëzuar nga një përkushtim i thellë ndaj së vërtetës historike dhe të së drejtës që buron prej saj, që nga faqja e parë deri tek e fundit dëshmon se Kosova është një identitet historik e politik, gjeografik e etnik, shoqëror e shpirtëror i përcaktuar qartë dhe i konsoliduar fort dhe, si i tillë, duhet të gëzonte të drejtën e vetëvendosjes. Ajo nuk ka të bëjë aspak me atë biçim minoriteti, siç duan ta paraqesin serbët, që nga politikanët e shtetarët si millosheviçët, që nga shkencëtarët e akademikët si vargu i pafund i çubriloviçëve e deri të serbi më i thjeshtë.
Në prag të Versajes (a nuk qe Rambuje një Versajë e dytë për fatet e kombit tonë?), qe ngarkuar gjeografi i madh francez, Jean Brunhes, të bënte një raport lidhur me Shqipërinë, të cilën ai e njihte shumë mirë sepse e kishte shkelur me këmbë. Duke mbrojtur njësinë e kombit tonë, të mishëruar tek gjuha shqipe dhe tek ndjenja e fuqishme kombëtare e shqiptarëve- ky shkencëtar, me 1919, mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe epërsinë e popullsisë shqiptare në Kosovë. Në një vepër të tijën, që me 1913, ai pati thënë se “Shqiptarët janë populli më i lashtë i Evropës dhe se Shqipëria është shteti më i ri i saj, bile aq i ri, sa s’ka mbaruar ende së linduri. Ashtu siç është edhe Kosova sot.”
Këto e të tjera si këto të kujtohen, kur dëgjon Noel Malcolmin dhe çuditesh sa mirë e ka rrokur ai çështjen shqiptare. Me argumente më se të qarta ai bind cilindo në të drejtën historike të Kosovës, të mohuar e të nëpërkëmbur prej më se një shekulli dhe rrëzon mitet e shenjtëruara serbe. (Ndër kllapa: a mund të jetë djepi i Serbisë Kosova, kur aty nuk ka qenë asnjëherë kryeqyteti i saj?). Dhe me gjithë këtë katrahurë egërsirash serbe, që u zhvillua aq përgjakshëm, bindesh edhe në faktin që vetë pavarësia e Kosovës kushtëzon konsolidimin e parimeve demokratike e humane të kontinentit evropian, duke u bërë treguesi i saktë i shkallës së këtij qytetërimi dhe faktori përcaktues i vendosjes së paqes në Ballkan.
Kështu përsijatesh në qerthullin e këtyre mendimeve, duke dëgjuar fjalën e Malcolmit dhe të historianëve të tjerë dhe duke lexuar “Kosova një histori e shkurtër”, që nuk është më një raport i porositur si ai i Jean Brunhes, por një vepër madhore me afër 500 faqe, me më tepër se një mijë shënime plotësuese dhe me një bibliografi në rreth 12 gjuhë, e botuar pikërisht në një vepër e cila duhet të njihet nga të gjithë politikanët e diplomatët dhe nga i gjithë opinioni botëror, që synon në një paqe të qëndrueshme në Evropë.