• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Trump në West Point = Apel krenarisë hynore të Amerikanëve”

June 14, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Pothuaj një javë më parë Presidenti i USA, Donald Trump u ngjit triumfalisht në podiumin e West Point, ku dhe mbajti një fjalim të zjarrtë me moton: ʺme krenari hyjnore dhe besim të çeliktë për Amerikën e mdhe”. Fjalimi i Tij ishte një përzierje Shakespiriane e Henry V-ërt: “Betejat janë të pashmangshme, por fitorja është e sigurt”, që ngriti peshë jo vetëm zemrat e kadetëve që diplomoheshin oficerë të ushtrisë së USA.

Fjala e Tij ishte e mbushur me anekdoda motivuese dhe kritika ndaj administratave të kaluara, por dhe për rolin e ushtrisë në mbrojtjen e kufijve kombëtarë. Plot emocione dhe krenari, Trump i’u drejtua kadetëve të West Point: “ju jeni luftëtarët dhe fitimtarët e Amerikës së pakonkurrueshme dhe të pamposhtur“, duke nënevizuar rolin kritik në modernizimin e fuqisë ushtarake të SHBA-ve.

“Ju jeni gjenerata e Amerikës së Artë“. Fjalimin e filloi si një valë e ngadaltë, por që rrezatonte besim dhe fuqi në çdo fjali. Me timbrin e Tij të pazëvëndësueshëm: “një përzierje midis një tregtari të vjetër të Manhattanit dhe një Strategu të luftës”, iu drejtua djemve dhe vajzave të ushtrisë së Amerikës si një baba/Mbret i moshuar që jep mësimet e fundit para se ata te nisen në betejën hyjnore: “Ju jeni fituesit. Çdo njëri nga ju është fitimtar. Nga sot ju bëheni pjesë e rrugës së lavdisë Amerikane, rruga që ka përshkruar Eisenhower, Patton, Schwarzkoph, etj”!  

“Ju zgjodhët një jetë në shërbimi ndaj atdheut“. Ju mund të kishit shkuar në Wall Street, por zgjodhët çizmet dhe uniformat”, duke shtuar se: “ ky është shërbimi më i lartë ndaj atdheut. “Duajeni atë që keni zgjedhur të bëni. Nëse nuk e doni, nuk do të jeni të suksesshëmʺ. Ai vuri në dukje edhe sukseset akademike dhe të klasës 2025, duke evidentuar 26 studentë me arritje ekselente dhe 4 shkencëtarë të nivelit Rhodes.  

“Ushtria jonë është dhe do të mbetet më e fuqishmja në historinë e njerëzimit”. Presidenti Trump shprehu krenarinë për buxhetit ushtarak (1 Trilion $ në 2025), më i madhi në historinë e SHBA.  Ai vlerësoi se gjithësesi mbeten kritike investimet në teknologji, raketat hipersonike, dronët, inteligjencën artificiale, si dhe sistemet/kupolën e mbrojtjes raketore (Golden Dome). “Raketat hipersonike? ne i shpikëm. Por na i vodhën. Dhe e dini kush? Rusët”. Por pastaj, me një buzëqeshje fitimtare, shtoi: “Por tani, ne po i ndërtojmë ato përsëri. Dhe do të jenë më të shpejta, më vdekjeprurëse, dhe më të pamposhtura”! 

“Ushtria nuk është për SHOW as për vallëzim, ajo është për të mposhtur armikun“. “Ushtria jonë nuk do të jetë kurrë një laborator ideologjik, pasi Ajo ka për mision: “të dominojë, të shkatërrojë, të fitojë”. Ai kritikoi ashpër administratën paraardhëse dhe ideologjitë që e largonin ushtrinë nga misioni i saj.

“Kur humbet momentum-i, humbet gjithçka“. Trump solli në kujtesën e Kadetëve që lavdia është si një kalë i egër që duhet kapur për freri. “E dini historinë e Bill Levitt? Një herë ai ishte mbreti i ndërtimeve dhe gratgrataçielave. Por më vonë humbi gjithçka. Pse? Sepse humbi momentin, i cili është gjithçka, miqtë e mi. Mos e humbni kurrë atë.”  Merrni përsipër rreziqe, të jeni krijues dhe të bëheni ndryshe, sepse historia nuk është shkruar asnjëherë nga të bindurit verbërisht, ishte mesazhi i Tij.

“Ricky McMahon dhe unaza që lidh brezat“. Kulmi emocional ishte kur Trump ju drejtua Kadetit Ricky McMahon, i cili mbarte me vete një trashëgimi të rëndë lavdie: “Ju do të trashëgoni më tej kujtimin e atyre që ranë për Amerikën e madhe” – i tha Presidenti Rickit. “Babai yt ra martir në Afghanistan. Tani, unaza e klasës së tij është shkrirë bashkë me 87 të tjerat, për të formuar unazat tuaja. Kjo unazë nuk është thjesht metal. Ajo është kujtimi i atyre që ranë që ju të mund të qëndroni fort” …!. “Kurrë mos u dorëzoni. Kurrë mos u përkulni. Nëse bëni këtë, Amerika do të jetë më e fortë se kurrë.” 

Kritikë ndaj politikave të kaluara. Trump i sheh kadetët jo si vetëm si ushtarë, por si fitimtare të një epoke që Ai e quajti “Epoka e Artë”. Dhe me një gjest teatral, i ftoi ata të ngrinin dorën e djathtë dhe të betoheshin: “Kurrë mos u dorëzoni”, çka ishte një mesazh përmbyllës, betim dhe një urdhër Suprem në të njëjtën kohë.

Episodi që ngjalli të qeshura, ishte një gjetje simbolike ndaj dështimeve njerëzore, një mesazh që edhe më të fortët shpesh dështojnë dhe kanë nevojë për një fillim të ri. “Secili e meriton një shans të dytë”, tha ai. Si epilog, Trump e përdori West Pointin si skenë për të promovuar një vizion të fuqisë ushtarake duke kombinuar krenari kombëtare, si dhe duke perseritur edhe më qartë: “Amerika e para, sepse do vijojë të ketë fuqinë ushtarake me të pakonkurrueshme dhe të pamposhtur“.  Në përmbyllje, si një aktor që e di se si të largohet nga skena, Trump përfundoi me një shaka: “Tani po kthehem në Washington për tu marrë vesh me Rusinë dhe Kinën. Dhe e dini çfarë? Ne do t’ia dalim”. Pra, nuk ishte thjesht një adresim ceremonial. 

Më poshtë edhe 5 mesazhet kryesore që mund të nxjerrim nga ky fjalim historik në West Point:

Mesazhi nr. 1: Ky fjalim mbart vizionin dhe vendosmërinë e SHBA-ve që Presidenti Trunp do të konfirmoje në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Hagë në 24-26 Qershor: “NATO nuk do të jetë kurrë më një klub diplomatësh por një fuqi e vdekjeprurëse, për paqen, sigurinë dhe interesat Auro-atlantike”, duke ju rikujtuar Homologëve të 31 vendeve   të NATO-s “qasjen e fortë” për peshën (burden sharing), si dhe presionin për të rritur buxhetin e mbrojtjes nga 2% në 3% të GDP apo edhe më shumë! 

Mesazhi nr. 2: “Neo-Stalinistët, Kim-Jong, Shtetet apo Organizatat Terroriste, jo vetëm vijojnë të kërcënojnë sovranitetin e Ukrainës martire, paqen në Lindjen e Mesme, por edhe rendin global, kohezionin, kufijtë, vlerat demokratike si dhe interesat dhe fuqinë e Aleancës Euroatlantike (SHBA/NATO/BE)”. 

Mesazhi nr. 3: Paqja, stabiliteti demokratik si dhe axhenda e integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor mbeten të kërcënuara jo vetëm për shkak të luftës neo-naziste në Ukrainë; jo vetëm për shkak të interesave të Moskës, por për shkak të demokracisë fasadë, politikanët dhe pushtetarët (Dodikët) e korruptuar, mungesa e kohezionit mes vendeve të BE dhe rikthimi i frikshëm te gara e armatimeve në Rajon.

Mesazhi nr. 4: përfshi/përtej arsyeve të sipërpërmëndura edhe RSh ka nevojë kritike të modernizojë konceptin, strukturat, kapacitetet dhe aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura. Por rritja e buxhetit të mbrojtjes nga 2% në mbi 3% deri 2030 nuk është kurrësesi “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump as për ti bërë qoka-sulltanate familjes së Tij”; por mbi gjitha një domosdoshmëri për të modernizuar kapacitetet dhe fuqinë/efiçencën e Institucioneve, Agjencive të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në përmbushje të misionit kushtetues, pra: “për të mbrojtur integritetin territorial (neni 5); zhvilluar interesat gjeopolitike të RSh në Rajon si dhe për të “merituar me dinjitet karrigen” në tavolinën e NATO-s.

Mesazhi nr. 5: reformat për modernizimin e Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare (SS&MbK) kanë domosdoshmëri jetike për gjithëpërfshirje, konsensus sa më të gjerë, harmonizimin demokratik të pushteteve kushtetuese si dhe kohezionin e mbarë- shqiptarëve ndaj interesave kombëtare.

Fatkeqësisht zgjedhjet e 11 Majit, me 140 deputet e emëruar në borderonë e kuvendit, blinduan Sulltanatën e Kryetarëve të Madhërishëm duke përdhosur pluralizmin, besimin te vota e qytetarëve, demokracinë, Institucionet, balancat demokratike të pushteteve si dhe p’shurrur Republikën Parlamentare. Nga ana tjetër e Kombit, mos-zgjedhja e krizës politike, pra e Kryetarit Kuvendit mbas 25 raundesh (?!?), për shkak të këmbënguljes bollshevike dhe përdredhjes marksiste rreth një Emri, e vendos në pikëpyetje kritike në mos qesharake stabilitetin demokratik si dhe përpjekjet shtet-formuese të Republikës së Kosovës !  

Gjithësi, në kapacitetin e angazhimeve për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe euroatlantike të RSh, j’u bej thirrje jo “kamikazëve të Kryetarëve fuqiplotë”, por arsyes fisnike të faktorëve mëndjehapur të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare, që: “asnjë grosh nuk vlejnë as dalldisja bolshevike nga mbajtja për 16 vjet e pushtetit dhe as dëshpërimi demokrate/ëve nga humbja mëkatare e radhës” por vetëm dashuria ndaj vendit; përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave mbarë Kombëtare; “besimi dhe bekimi” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n si dhe axhendën e integrimit në BE” !

* Autori është Gjeneral ® Piro Ahmetaj: 

Senior Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, 
Zv/President i Këshillit të Atlantikut; dhe ish: 
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, 
Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA, 
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO. 

Filed Under: Politike

HOMAZH NDERIMI PËR NJË BIR TË MADH TË KOSOVËS – DR. BUJAR BUKOSHIN

June 13, 2025 by s p

Nga Dr. Elmi Berisha

Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” – New York/

Me dhimbje të thellë, por me krenari dhe nderim të lartë, bashkohem me gjithë shqiptarët kudo që janë, për të përkujtuar jetën dhe veprën e njërit prej burrave më të mëdhenj të historisë moderne të Kosovës – Dr. Bujar Bukoshin. Ndërroi jetë një njeri i urtë, një lider me vizion, një mjek i përkushtuar dhe një atdhetar i pakompromis – por la pas një trashëgimi që do të jetojë përgjithmonë në memorien historike të popullit tonë.

Dr. Bukoshi nuk ishte thjesht një emër në radhën e figurave të rëndësishme të kombit – ai ishte një gur themeltar i Republikës së Kosovës, Kryeministri i parë i saj, i cili për nëntë vite rresht udhëhoqi qeverinë në ekzil, në kohërat më të vështira për fatin e popullit tonë. Ai ishte zëri dhe zemra e rezistencës politike shqiptare në një kohë kur vendit i mungonte gjithçka, përveç vullnetit për liri. Nga zyrat modeste të qeverisë në mërgim e deri në takimet me liderë botërorë, Dr. Bukoshi mbeti përfaqësuesi dinjitoz i një populli që kërkonte drejtësi dhe shtet.

I edukuar në frymën e dijes, i diplomuar për mjekësi dhe i përkushtuar ndaj shëndetit të njerëzve, ai ndërroi drejtimin e jetës së tij për të shëruar plagët e një kombi të tërë. Themelues i LDK-së, bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Dr. Bukoshi ishte përfaqësuesi më autentik i frymës institucionale të rezistencës paqësore, dhe një arkitekt i hershëm i shtetësisë së Kosovës.

Ai ishte jo vetëm një strateg i zgjuar politik, por edhe një zë i kthjellët që ftoi gjithmonë për bashkim, maturi dhe pjekuri kombëtare. Kontributi i tij për organizimin e shërbimeve të shtetit të Kosovës të arsimit dhe shëndetësisë, mekanizmave dhe institucioneve të tjera, ishte themelor për mbijetesën e shoqërisë sonë në vitet më të errëta të okupimit serb.

Në mërgatë, veçanërisht në diasporën shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr. Bujar Bukoshi gëzonte një respekt të thellë. Ai ishte simbol i përkushtimit institucional, i përpjekjes për njohje ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha, një lidhje e fuqishme e diasporës me kauzën e Kosovës. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” kishte fatin dhe nderin ta ketë mik, bashkëpunëtor dhe shpesh, partner në përpjekjet tona lobuese për çështjen kombëtare.

Sot, kur arkivoli i tij pushoi përfundimisht në tokën e Kosovës së lirë – asaj për të cilën ai punoi një jetë të tërë – ne përulemi me respekt dhe mirënjohje para veprës së tij. Jeta e Dr. Bukoshit është një testament i përhershëm i idealit të lirisë dhe i sakrificës për të.

Kombi ka humbur një figurë që e mbajti gjallë shpresën kur errësira mbulonte gjithçka. Mërgata ka humbur një njeri që e kuptoi më mirë se kushdo rolin jetik të saj në fatin e kombit.

Por historia shqiptare ka fituar një shtyllë më shumë në themelin e saj. Emri i Dr. Bujar Bukoshit do të mbetet i shkruar me germa të arta në librin e lavdisë kombëtare, krahas emrave të njerëzve që nuk jetuan për veten, por për popullin.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij të dashur, bashkëpunëtorëve, popullit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë.

U prehtë në paqe, në dheun që aq shumë e deshi dhe e nderoi.

Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Bujar Bukoshit!

Filed Under: Politike

Çlirimi i Kosovës – 12 Qershor 1999: Një kthesë historike drejt lirisë dhe shtetndërtimit

June 12, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Më 12 qershor 1999, kujtohet një ndër ngjarjet më monumentale në historinë e shqiptarëve të Kosovës – dita kur përfundoi sundimi shtypës serb dhe nisi një epokë e re drejt lirisë, vetëvendosjes dhe ndërtimit të shtetit. Ky çlirim nuk erdhi si një akt i befasishëm, por si kulmim i një rezistence të gjatë dhe të shumëformshme: politike, kulturore dhe ushtarake, që përfundoi me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s pas një varg ngjarjesh tragjike që shënuan përgjithmonë memorien historike të këtij populli.

I. Rrënjët e shtypjes dhe rezistenca paqësore

1. Shfuqizimi i autonomisë (1989)

Në vitin 1989, presidenti serb Sllobodan Millosheviq, me masa të dhunshme dhe antikushtetuese, shfuqizoi autonominë e Kosovës, duke e vendosur atë nën kontroll të drejtpërdrejtë të Beogradit. Mijëra shqiptarë u larguan me forcë nga puna në institucione publike, administratë, shëndetësi dhe arsim. Universiteti i Prishtinës u vendos nën administrimin serb, ndërsa mësimi në gjuhën shqipe u ndalua në mënyrë sistematike.

2. Rezistenca paqësore (1990–1998)

Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, u ngrit një sistem paralel institucional që synonte ruajtjen e identitetit kombëtar dhe organizimin e jetës politike e shoqërore në kushte pushtimi. U zhvilluan zgjedhje për një kuvend paralel, ndërsa arsimi në gjuhën shqipe u zhvillua në shtëpi private – një formë rezistence paqësore që për vite me radhë mbajti gjallë aspiratat për liri.

II. Kalimi në rezistencë të armatosur dhe reagimi serb

1. Krijimi i UÇK-së

Me përkeqësimin e kushteve të jetës dhe mospërfilljen e kërkesave paqësore, në vitin 1996 doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila synonte çlirimin e vendit përmes luftës së armatosur. Fillimisht e stigmatizuar si “organizatë terroriste” nga qarqe ndërkombëtare, UÇK fitoi shpejt mbështetje masive nga popullata shqiptare dhe u bë faktor vendimtar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

2. Masakra e Prekazit (mars 1998)

Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan dhe sulmuan kompleksin e familjes Jashari në Prekaz, duke vrarë mbi 50 anëtarë të saj, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Adem Jashari, komandant i njohur i UÇK-së, ra bashkë me familjen e tij në një akt që u kthye në simbol të rezistencës kombëtare. Kjo ngjarje shënoi një pikë kthese në luftën për çlirim.

III. Lufta dhe kulmi i dhunës (1998–1999)

1. Eskalimi i dhunës dhe masakrat e organizuara

Masakra e Reçakut (15 janar 1999): Në këtë fshat afër Shtimes, forcat serbe ekzekutuan 45 civilë të paarmatosur. William Walker, shefi i misionit të OSBE-së, e cilësoi masakrën si “krim kundër njerëzimit”, duke nxitur reagim ndërkombëtar të menjëhershëm.

Masakra e Krushës së Madhe (25–27 mars 1999): U ekzekutuan mbi 240 civilë shqiptarë, kryesisht burra dhe djem të ndarë nga familjet, në një ndër masakrat më të mëdha të luftës.

Masakra e Mejes (27 prill 1999): Gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga zona e Gjakovës, mbi 300 civilë u ekzekutuan dhe u varrosën në varre masive.

Masakra e Poklekut, Drenas: 53 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, u dogjën të gjallë në një shtëpi të rrethuar nga forcat serbe.

IV. Ndërhyrja e NATO-s dhe fushata e bombardimeve

1. Dështimi i negociatave në Rambuje

Në shkurt–mars 1999, në Rambuje të Francës u zhvilluan negociata që parashihnin autonomi për Kosovën dhe praninë e forcave ndërkombëtare. Serbia refuzoi marrëveshjen, duke i hapur rrugë ndërhyrjes ndërkombëtare.

2. Fillimi i fushatës ajrore të NATO-s (24 mars 1999)

NATO nisi bombardimet kundër caqeve ushtarake dhe infrastrukturore serbe në Kosovë dhe Serbi. Kjo ishte hera e parë që Aleanca Atlantike ndërhynte ushtarakisht për arsye humanitare pa një mandat të drejtpërdrejtë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

3. Spastrimi etnik

Gjatë bombardimeve:

-Rreth 1000,000 shqiptarë u detyruan të largohen në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.

-Rreth 150,000 shqiptarë u zhvendosën brenda Kosovës.

-Mijëra shtëpi, shkolla dhe objekte fetare u dogjën apo u shkatërruan.

V. Çlirimi i Kosovës – 12 qershor 1999

1. Marrëveshja e Kumanovës (9 qershor)

Pas 78 ditësh bombardime dhe presioni ndërkombëtar, Serbia nënshkroi marrëveshjen për tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore nga Kosova.

2. Hyrja e trupave të NATO-s

Më 12 qershor, trupat e KFOR-it hynë në Kosovë:

-Trupat britanike, nën komandën e gjeneralit Mike Jackson, hynë në Prishtinë dhe rivendosën rendin.

-Trupat gjermane u pritën me entuziazëm në Prizren.

-Në qytete si Pejë, Gjakovë, Suharekë dhe Ferizaj, qytetarët dolën rrugëve me flamuj dhe lot gëzimi për të pritur aleatët.

VI. Pas çlirimit: Ndërtimi i paqes dhe institucioneve

1. Vendosja e UNMIK-ut dhe KFOR-it

-Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) mori përgjegjësinë për administrimin civil të Kosovës.

-NATO vendosi një forcë shumëkombëshe prej mbi 50,000 trupash për të garantuar sigurinë dhe kthimin e refugjatëve.

2. Rindërtimi institucional

-U ngritën institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes.

-Arsimi dhe shëndetësia kaluan në duart e autoriteteve vendore.

-Filloi procesi i identifikimit të viktimave dhe hapja e varrezave masive në Kosovë dhe Serbi (si Batajnica, Petrovo Selo dhe Rudnica).

VII.Trashëgimia e 12 qershorit

Dita e çlirimit nuk është vetëm një moment historik, por një simbol i triumfit të vlerave njerëzore ndaj dhunës dhe gjenocidit. Ajo përfaqëson fitoren e drejtësisë, dinjitetit dhe të drejtës për të jetuar të lirë.

Trashëgimia e saj na kujton përherë:

-Të nderojmë sakrificën e dëshmorëve.

-Të ruajmë me përkushtim lirinë e fituar me gjak.

-Të ndërtojmë një shtet demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Në këtë përvjetor, Kosova përkulet me respekt para të rënëve, para bashkëpunimit ndërkombëtar që mundësoi lirinë, dhe para idealit që mbajti gjallë një popull në dekada robërie – lirinë që kurrë nuk duhet shpërdoruar.

Filed Under: Politike

Nga diaspora në atdhe: Homazhe dhe përurime në Prishtinë për nder të 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës

June 11, 2025 by s p

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të Kryeqytetit, u mirëpritën në Prishtinë dy figura të spikatura të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Presidenti i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Dr. Elmi Berisha, dhe veprimtari i mirënjohur z. Ekrem Bardha.

Vizita e tyre nisi me homazhe në varrin e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për të vazhduar me nderime në Varrezat e Dëshmorëve dhe pranë memorialit të heroit Zahir Pajaziti – duke shprehur respekt të thellë për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Pas ceremonive përkujtimore, në ambientet e Kuvendit Komunal të Prishtinës u mbajt një seancë e jashtëzakonshme për nder të kësaj vizite dhe të kontributit të jashtëzakonshëm që diaspora shqiptare në SHBA ka dhënë në periudhat më të vështira për vendin tonë.

Në këtë kuadër, u përurua edhe Parku “Bardha” – një hapësirë e re publike që mban emrin e z. Ekrem Bardha, si shenjë mirënjohjeje për gjithë jetën e tij në shërbim të çështjes shqiptare dhe përpjekjeve të tij për mbështetjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gjatë ditës, z. Berisha dhe z. Bardha u pritën zyrtarisht nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili vlerësoi thellësisht rolin dhe përkushtimin e tyre ndër vite, duke theksuar se këto aktivitete janë organizuar me qëllim nderimi për diasporën dhe ruajtjes së lidhjes së saj të pazgjidhshme me vendlindjen.

Kjo vizitë e veçantë përforcon mesazhin se kontributi i diasporës mbetet jetik për zhvillimin dhe afirmimin e mëtejshëm të Kosovës.

Filed Under: Politike

147 VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT – NGJARJE MADHORE QË VURI NË BINARËT HISTORIK PAVARËSINË KOMBËTARE

June 10, 2025 by s p

Nga Jusuf BUXHOVI /

Paqja e Shën Stefanit dhe realitetet e krijuara prej saj, të cilat më së shumti qëllonin Shqiptarët dhe interesat e tyre, shtruan nevojën për një veprim të përbashkët të të gjitha forcave shqiptare, pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve që kishin rreth të ardhmes së Perandorisë Osmane, në mënyrë që përfundimisht të faktorizoheshin sa në raport ndaj Perandorisë Osmane dhe karshi faktorit ndërkombëtar të vendosjes. Në këtë gjendje, Shqiptarët kishin përpara disa rrethana që mund t’u shkonin për shtati për t’u vu në veprim, meqë krahas osmanëve, Paqja e Shën Stefanit, kishte për kundështarë edhe fuqitë e mëdha europiane, pa përjashtim, të cilat ndonëse luftën ruse-osmane e përcollën me njëfarë indiferencë, me të shpejtë kërkuan që marrëveshja të anulohet në tërësi.

Në këto rrethana, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën Stefanit, ishte edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë tokësore të atdheut. Kështu, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore edhe për faktin se ajo ishte në përputhje edhe me qëndrimet e Perandorisë Osmane, e cila në këtë mënyrë ishte e interesuar që kongresin e ardhshëm europian, i cili do të mbahej në Berlin, ta shfrytëzonte sa më shumë për t’i riparuar dëmet e luftës dhe paqes me Rusët, por këtë herë me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha europiane, të cilat njëherësh, si kundërshtare të Rusisë dhe planeve të saj, shfaqeshin edhe si mbrojtëse të saj. Kjo gjendje, pra, duhej shfrytëzuar me të gjitha mjetet dhe me të madhe. Andaj, çfarëdo proteste dhe çfarëdo programi, qoftë ai edhe luftarak me moton e mbrojtjes së vatanit, siç shfaqej ai i Shqiptarëve, me ç’rast kuptimi i “vatanit” mund të shikohej edhe i atdheut, pra i etnisë, siç ishte rasti me mbrojtjen e katër vilajeteve shqiptare, identifikohej me atë të përgjithshmin, gjë që kjo i shkonte për shtati edhe Perandorisë Osmane. Për herë të parë nacionalizmi dhe osmanizmi, ndonëse për pak kohë, shkonin bashkë, gjë që kjo ishte motivues.

Për t’i anashkaluar përçarjet mbi rrymat e ndryshme ( atyre që kërkonin mbrojtjen e tokave shqiptare por nën flamurin e Kalifatit, të atyre që kërkonin një vilajet të përbashkët shqiptar dhe të tjerëve që kërkonin njëfarë Shqipërie Osmane si kalimtare deri te pavarësia), Komiteti i Stambollit, vendosi që përpjekjet për thirrjen e një lidhjeje shqiptare t’i bëjë nën thirrjen e kundërshtimit të Traktatit të Shën Stefanit, duke u shprehur se ishte e gatshme që jetësimi i tij të ndalej edhe me anën e luftës që do të bëhej me moton e mbrojtjes së vatanit nga copëtimi, ku do të merrnin pjesë që të gjitha rrymat pa dallim. Kjo njëherësh ishte edhe porosi që i shkonte Kongresit të Berlinit, i cili duhej të mbahej së shpejti dhe ishte më se e qartë që për pikënisje do të kishte anulimin e Traktatit të Shën Stefanit.

Në këtë frymë ishin edhe disa prononcime të liderëve të Komitetit të Stambollit në mediet europiane drejtuar opinionit europian por edhe fuqive të mëdha, siç ishte ai i Abdyl Frashërit në “Messagerde Vienne”. Frashëri argumentonte të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar me arsyetimin se nuk kërkon tjetër veçse të jetojë i liri, të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të qytetëruara të Europës.

Meqë koha po afronte dhe duhej dalë me një formë organizative para se të fillonte Kongresi i Berlinit, në mënyrë që Fuqive të Mëdha Europiane t’u tregohej se çfarë kërkonin në të vërtetë Shqiptarët dhe cilat ishin pozicionet e tyre politike, Komiteti i Stambollit, mori vendimin për t’u thirrur Kuvendi i Lidhjes. Bëhet e ditur se nga fundi majit, në Stamboll u zhvillua një takim i personaliteve më të dëgjuara të jetës politike nga vilajeti i Kosovës dhe ai i Shkodrës (Iliaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Ymer Prizrenin, Ahmet Korenicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafë Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe të tjerë, e ku merrte pjesë edhe Abdyl Frashëri, Mehmet Ali Vrioni, si përfaqësues i Komitetit të Stambollit dhe deputetë në parlamentin osman) me përfaqësuesit e lartë të pushtetit osman. Në këtë takim u tha se shqiptarët ranë në ujdi për një reagim të fuqishëm në mbrojtje të trojeve të rrezikuara”.

Andaj, jo rastësisht si vend u caktua Prizreni. Sepse, Vilajeti i Kosovës, si pjesë ku prekej drejtpërdrejt nga copëtimet serbo-malaziase, prej kohësh ishte kthyer në një qendër të protestave të mëdha të të gjitha shtresave: nga ato feudale, të moderuara dhe të klerikëve, me ç’rast prej të gjithëve ishte pranuar formula e “mbrojtes së vatanit”, që nënkuptonte mbrojtjen e atdheut dhe mbrojtjen e Perandorisë njëherësh.

Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni dhe Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Korenica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare Ali bej Gucia (më vonë Ali pashë Gucia), feudal vendor dhe kundërshtar i madh i Tanzimatit.

Kuvendi i Lidhjes u hap më 10 qershor 1878 në Prizren, në metresën e Mehmet Pashës, pranë Bajrak-Xhamisë. Edhe data e mbajtjes nuk ishte e rastësishme, meqë ajo duhej të mbahej para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit që ishte caktuar të mbahej më 13 qershor. Nga të dhënat e tanishme, të cilat janë të pakta, meqë është ruajtur vetëm një pjesë e protokolleve të mirëfillta të mbledhjes, merret vesh se në Kuvend kanë marrë pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të shumë krahinave shqiptare, por ku mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës (nisja e të cilave thuhet se ishte penguar nga intrigat e valiut turk Hysen Pasha, por që arsyet janë pak më të thella). Ndërsa nga Vilajeti i Janinës mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Megjithatë, nga këta 110 emra që gjenden dhe shumica vinë nga Vilajeti i Kosovës, kryesisht janë personalitete që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ndër të cilët shquhen Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Korenica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, SulejmanVokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Në kuvend morën pjesë si delegatë disa feudalë boshnjakë dhe sulltanistë nga viset e Bosnjës-Hercegovinës. Aty mori pjesë edhe mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu bashkë me disa përkrahës së linjës sulltaniste, që bazuar në raportet e konsujve të pranishëm në Prizren, ishte mjaft aktiv. Kjo demanton pohimet se Lidhja u mbajt “fshehtë” dhe pa dijen e Portës.

Në bazë të dokumenteve me mangësi të shumta, megjithatë, kuptohet se Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz pashë Dibra, ndërsa aty foli Abdyl Frashëri, jo në cilësinë e “kryetarit” e as “të kryesuesit” të Lidhjes, siç është shënuar nga një pjesë e mirë e historiografëve Shqiptarë, por si përfaqësues i Komitetit të Stambollit, paçka se nga disa burime mohohet fare pjesëmarrja e tij në Kuvend. Madje edhe nga ajo pjesë e ruajtur e asaj që kishte folur Abdyl Frashëri, siç ishte se “qëllimi i Kuvendit ishte që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” , më shumë paraqet një thirrje patriotike se sa që shfaqej program politik. Atmosfera patriotike, jashtë ndonjë programi politik, bëhet e ditur sipas burimeve të konsujve të huaja nga Kuvendi, me ç’rast thuhet se kjo atmosferë manifestohej pa dallim se nga cili “krah” vine ajo.

Ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me faktin se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfshirë në Kuvendin e Prizrenit.

Kuvendi themeloi edhe organet e larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iliaz pashë Dibra. U formua edhe Komiteti Qendror i Lidhjes i përbërë nga tri komisione: komisioni i punëve të jashtme me përgjegjës Abdyl Frashërin, komisioni i punëve të brendshme i drejtuar nga Haxhi Shabani dhe komisioni i të ardhurave financiare i drejtuar nga SuljemanVokshi.

Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).

Kararnameja (Akti themelor) kishte gjashtëmbëdhjetë pikë, me të cilin mund thuhej se sanksionohej formimi i Lidhjes si organizatë politike (pika 16) dhe përcaktonte detyrat e saj më të ngutshme. Në pikën 1 theksohej karakteri mbrojtës, ndaj çdo qeverie, përveç asaj të Portës së Lartë, të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet për të mbrojtur integritetin e vendit. Në nenin 4 kur thuhet se “me ligjet e lara të sheriatit, ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë të besimit jomysliman, ashtu si për vete”, bën të ditur për ruajtjen e karakterit islamik, gjë që si formulim në ato rrethana ishte edhe i pashmangshëm.

Në të vërtetë, frymën kombëtare nga e cila ishte e privuar më 10 qershor ditën e hapjes së Kuvendit dhe veçmas nga kërkesat për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, që ishte një formë e autonomisë, me të cilën sigurohej mbrojta e vendit nga copëtimet e mëtutjeshme që kërcënonin nga të gjitha anët, Lidhja filloi ta animojë qysh në Kuvendin e Përgjithshëm, në Prizren, më 1 korrik 1878.

E kompletuar me 96 delegatë nga Kosova dhe me delegatët nga Shkodra (26 sish) dhe Vilajeti i Janinës (me 20), pas një diskutimi të gjerë, Kuvendi miratoi një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapat e rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes. Sepse, Kanuni i ri, e shpalli botërisht organizatën e themeluar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin i saj qendror e quajti Komiteti Kombëtar. Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishte pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare shqiptare dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ajo i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nën-komitete të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare, me çka mund të thuhet se Lidhja kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie.

Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon një fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman.

(Shkëputje nga libri “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878”, botoi “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifa Publishing” – Houston, 2012).

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT