




Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të Kryeqytetit, u mirëpritën në Prishtinë dy figura të spikatura të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Presidenti i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Dr. Elmi Berisha, dhe veprimtari i mirënjohur z. Ekrem Bardha.
Vizita e tyre nisi me homazhe në varrin e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për të vazhduar me nderime në Varrezat e Dëshmorëve dhe pranë memorialit të heroit Zahir Pajaziti – duke shprehur respekt të thellë për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Pas ceremonive përkujtimore, në ambientet e Kuvendit Komunal të Prishtinës u mbajt një seancë e jashtëzakonshme për nder të kësaj vizite dhe të kontributit të jashtëzakonshëm që diaspora shqiptare në SHBA ka dhënë në periudhat më të vështira për vendin tonë.
Në këtë kuadër, u përurua edhe Parku “Bardha” – një hapësirë e re publike që mban emrin e z. Ekrem Bardha, si shenjë mirënjohjeje për gjithë jetën e tij në shërbim të çështjes shqiptare dhe përpjekjeve të tij për mbështetjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Gjatë ditës, z. Berisha dhe z. Bardha u pritën zyrtarisht nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili vlerësoi thellësisht rolin dhe përkushtimin e tyre ndër vite, duke theksuar se këto aktivitete janë organizuar me qëllim nderimi për diasporën dhe ruajtjes së lidhjes së saj të pazgjidhshme me vendlindjen.
Kjo vizitë e veçantë përforcon mesazhin se kontributi i diasporës mbetet jetik për zhvillimin dhe afirmimin e mëtejshëm të Kosovës.