
Nga Dr. Elmi Berisha
Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” – New York/
Me dhimbje të thellë, por me krenari dhe nderim të lartë, bashkohem me gjithë shqiptarët kudo që janë, për të përkujtuar jetën dhe veprën e njërit prej burrave më të mëdhenj të historisë moderne të Kosovës – Dr. Bujar Bukoshin. Ndërroi jetë një njeri i urtë, një lider me vizion, një mjek i përkushtuar dhe një atdhetar i pakompromis – por la pas një trashëgimi që do të jetojë përgjithmonë në memorien historike të popullit tonë.
Dr. Bukoshi nuk ishte thjesht një emër në radhën e figurave të rëndësishme të kombit – ai ishte një gur themeltar i Republikës së Kosovës, Kryeministri i parë i saj, i cili për nëntë vite rresht udhëhoqi qeverinë në ekzil, në kohërat më të vështira për fatin e popullit tonë. Ai ishte zëri dhe zemra e rezistencës politike shqiptare në një kohë kur vendit i mungonte gjithçka, përveç vullnetit për liri. Nga zyrat modeste të qeverisë në mërgim e deri në takimet me liderë botërorë, Dr. Bukoshi mbeti përfaqësuesi dinjitoz i një populli që kërkonte drejtësi dhe shtet.
I edukuar në frymën e dijes, i diplomuar për mjekësi dhe i përkushtuar ndaj shëndetit të njerëzve, ai ndërroi drejtimin e jetës së tij për të shëruar plagët e një kombi të tërë. Themelues i LDK-së, bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Dr. Bukoshi ishte përfaqësuesi më autentik i frymës institucionale të rezistencës paqësore, dhe një arkitekt i hershëm i shtetësisë së Kosovës.
Ai ishte jo vetëm një strateg i zgjuar politik, por edhe një zë i kthjellët që ftoi gjithmonë për bashkim, maturi dhe pjekuri kombëtare. Kontributi i tij për organizimin e shërbimeve të shtetit të Kosovës të arsimit dhe shëndetësisë, mekanizmave dhe institucioneve të tjera, ishte themelor për mbijetesën e shoqërisë sonë në vitet më të errëta të okupimit serb.
Në mërgatë, veçanërisht në diasporën shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr. Bujar Bukoshi gëzonte një respekt të thellë. Ai ishte simbol i përkushtimit institucional, i përpjekjes për njohje ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha, një lidhje e fuqishme e diasporës me kauzën e Kosovës. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” kishte fatin dhe nderin ta ketë mik, bashkëpunëtor dhe shpesh, partner në përpjekjet tona lobuese për çështjen kombëtare.
Sot, kur arkivoli i tij pushoi përfundimisht në tokën e Kosovës së lirë – asaj për të cilën ai punoi një jetë të tërë – ne përulemi me respekt dhe mirënjohje para veprës së tij. Jeta e Dr. Bukoshit është një testament i përhershëm i idealit të lirisë dhe i sakrificës për të.
Kombi ka humbur një figurë që e mbajti gjallë shpresën kur errësira mbulonte gjithçka. Mërgata ka humbur një njeri që e kuptoi më mirë se kushdo rolin jetik të saj në fatin e kombit.
Por historia shqiptare ka fituar një shtyllë më shumë në themelin e saj. Emri i Dr. Bujar Bukoshit do të mbetet i shkruar me germa të arta në librin e lavdisë kombëtare, krahas emrave të njerëzve që nuk jetuan për veten, por për popullin.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij të dashur, bashkëpunëtorëve, popullit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë.
U prehtë në paqe, në dheun që aq shumë e deshi dhe e nderoi.
Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Bujar Bukoshit!