• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festohet 141 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

June 10, 2019 by dgreca

-Në vitin 2003, kur festohej 125 vjetori, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  me Dekoratën Hero i Kosovës/

-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRIZREN, 10 Qershor 2019/ Në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, zhvillohen sot veprimtarit të shënimit të 141 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi. 
Vendimet e kësaj date, që u morën për vilajetet shqiptare në atë kohë, u bënë trase e rrugës tonë të deritashme dhe realizimit të aspiratës dhe të drejtës tonë shekullore”, shprehet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në 20 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme  të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

 “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 16 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

 “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë 20 vjet nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 11 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti.

 Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre nëndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.

  
  
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, janë këto personalitete:


Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.


SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.


Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.


Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.


Preshevë:

Riza Halimi.


Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi


Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.


Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.


Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari-Lidhja e Prizrenit-141 VJET

Mendjet e pushtura dhe presidenti

June 9, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-Florida/

Shënjat e një pushteti absolut janë më të frikshme se sa një firmë çdekretimi zgjedhjesh. Kjo ka të bëj me pushtetin e Edi Ramës. Nëse në kohën e Hitlerit kishte një Gebels që i paraprinte propogandës me strategjinë e pushtimit të mendjeve, në rastin tonë është vetë Edi Rama. Ky ka arritur absolutizmin aq sot një qytetar socialist është i mahnitur ta zëmë nga një ngjyerje pallati, a një shesh publik që është transformuar me para publike por pa votën a aprovimin publik, të qytetarëve aty etj., sesa me çfarë ai përfiton nga qeverisja Rama. Se kur ka konsensus me publikun as fadromat nuk dalin natën, por me çeljen e diellit. Çfarë befenices dhe çfarë pozicioni social ka të garantuar përshembull në arsimimin e fëmijëve, integrimin social dhe të ardhurash ku ai të mund të imagjinoj të ardhmen e tij. Si vendoset sistemi taksimit qytetar në bazë të së cilës të ardhur? Papunësisë, pagës informale apo të atyre që sjellin emigrantët për baballarët dhe nënat? Apo në bazë të opinioneve të iksit, përshembull të tipit Peza në studiot e televizioneve? Në bazë të kujt? Çfarë arsyetimi financiar përdor qeveria në lidhje me ty si individ se, shpesh kryeministri të quan të pakualifikuar, nuk ke zanat etj. Kur e pyet se çfarë përfitove nga qeveria Rama një qytetar, të thotë një mut, të paktën rregulluam rimbursimin e ilaçeve Luftarit, por kaq ta bësh dhëmbin Ilir Metës nuk ja jap votën. Në fakt i miri njëri harron se ishte Rama bashkë me Erion Velinë që u ulën në një tavolinë peshku dhe me filozofinë e tyre gebeliste vendosën Ilir Metën ta bënin president. Dhe e bën duke shitur po me strategjitë gebeliste të pushtimit të mendjeve, si burrin më të mirë të politikës shqiptare. Urra thatë edhe atëherë, rroftë Rama strategu i përparimit. Kësisoj Rama me vetevendosjen e tij, duke u buzëqeshur vrastarisht, duke u ledhatuar fëmijët, ashtu gjysmë i përgjumur duke ua futur të gjithëve me ndjesinë se po u bën nder. Jo se po u shërben, por e theksoj po u bën nder, pushton mëndje e mëndje dhe sundon. Por pushtimi i mendjes të bën të harrosh veteveten dhe duke besuar absolutisht në ato që thotë Rama shkon plotësisht në një theqafje individuale dhe sociale. Sa për statistikë nga praktika të tilla, Gjermania i dha Gebelsit dhe Hitlerit rreth 5 milionë ushtarë dhe gati 80% të shoqërisë që punonin ditë e natë për të prodhuar tanke e aeroplanë bombardues. Kështu ka ndodhur edhe në shumë sisteme totalitare ku padyshim Shqipëria jonë nuk ka bërë përjashtim. Mendjet e pushtura janë me shumicë aq sot të gjithë flasin në emër të popullit. Respekti karshi tjetrit ka humbur përfundimisht për më tepër ekzsitenca instutucionale. Dhe një pjesë e mirë e njerëzve pyesin sot, nëse Ilir Meta do ishte një president i zgjedhur nga populli, a do ta çdekretonte ditën e zgjedhjeve? Do dukej kështu sikur një herë i kreh bishtin njërit e një herë tjetrit? Vërtetë mund t’i fshij me një firmë zgjedhjet një president? Por kjo është një pakicë afërmendsh e vogël, por që shpesh ndikon në zgjedhjet në Shqipëri. Herë e bën blu hartën elekorale, herë të kuqe. Gjithsesi, praktika e mendjeve të mbushura ka një dominim total dhe në një farë mënyre kjo ka ndikuar nga preferencat dhe nga ai inati shqiptar karshi njëri-tjetrit. Në fund të fundit, sado nopran, mafioz, hajdut, i kërkuar i drejtësisë, apo rrugaç politik të jetë Ilir Meta, ka të drejtën kushtetuese presidenciale të dhënë nga një darkë me peshk prej Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Kaq është produkt i ”suksesit” qeverisës të mjaftistëve Rama Veliaj. Si i shkoni nga pas mëndje mbushur kur mbillni një pemë a kur lyeni me bojë një pallat, shkojinin dhe tani. Fyeni, shajeni balanconi lavdërimet karshi Metës, veç jo në emër të popullit a shqiptarëve se ju e zgjodhët, nuk e zgjodhi populli. 

Shkoni e i thyni derën Ramës dhe Veliajt përpara se të ulërisni për kohën e mbushur të Ilir Metës në postin e presidentit. Se sa hajdut është presidenti etj. Ju po zbatoni kushtetutën dhe thoni se doni zgjedhje, po kështu edhe presidenti kushtetutën po zbaton thotë se nuk ka zgjedhje.

Por e gjitha nuk është asgjë tjetër, kohë dhe pushtet që prodhon kriza për shkak të mendjeve të pushtuara.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Presidenti Meta-Mendjet-Pushteti absolut

KUFOMA POLITIKE E EDI RAMËS MBAN ERË…

June 9, 2019 by dgreca

Opinion nga Asllan Bushati/

Nga 28 prilli deri më 23 maji bëra një vizitë private  në Shqipëri. Qëllimisht nuk takova asnjë politikan (as djathtas e as majtas), megjithse kam miq  e të njohur në të dy krahët. Arsyeja ishte e thjeshtë: desha të testoj e të pjek  më tej mendimet e mija politike nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta e  personale me njerzit për problemet e kohës që po kalojmë.

Kam qenë e vazhdoj të jemë shumë i shqetësuar për situatën shumë të  rëndë e të komplikuar politike, ekonomike, shoqërore, sociale, kulturore, etike, morale , psikologjike etj, të vendit tim në këtë  tranzicioni kaq të  gjatë. Prandaj i pyeta shumë nga  dashamirët e mi se cfarë mendonin ata? Nga përgjigjet e tyre  më erdhi si rrufe në mendje një thënie e  Ramiz Alijës  se:” Shqipëria është vend i vogël dhe e mira dhe e keqja duken brenda ditës”. Kanë kaluar gati tridhjetë vjetë dhe e mira sa duket zhbëhet  nga mentaliteti dhe primitivizmi që  Ramiz Alija  dhe idhulli i tij  E.Hoxha  ngulët në mendjen e majtistëve shqiptar. Kurse e keqja është ngulur këmbëkryq jo deri në kockë por deri në palcë.

Marrë shkas nga sa më sipër, po e  përsëris për të disatën herë se pikpamjet e mija politike janë të djathta. E deklaroj këtë   se kam  krijuar bindjen e plotë se: me qeveri e administratë më të vogël,  me taksa më të ulta, me më shumë liri për biznesin, me më shumë siguri për njerëzit e  pronën, me më shumë investime në arsim e shëndetësi, me  zgjedhje të lira, shtet ligjor e demokratik, me një kooperim më të mirë me investuesit e mëdhej ndërkombëtar, vendi im do të zhvillohet më shpejt e do të jetë më i begatë.

 Por kjo nuk më pengon të them se e pranoj opsionin e së majtës si një alternativë dhe mundësi (sipas filozofisë të së majtës europiane), por aspak sipas versionit enverist  e kriminal të rilindjes së Edi Rames. Kjo filozofi allarilindase (në se mund të quhet e tillë) është shëmtia më e madhe  e asajë euro-perendimore dhe ka rezultuar madje  edhe anti kombëtare.

Sot institucionet të  pavarura nuk ka në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë janë shkatërruar, Prokuroria është shkërmoqur e vepron nën urdhërat politik të  Ramës dhe e ashtuquajtura  rilindja socialiste është kthyer në një shtet shypës e shfrytëzues brenda shtetit. Pra  Edi Rama ka gjithë shembëlltyrën e një tirani pamaskë, pa kundërshtarë, pa institucione e pa media kundër tij. Ai ka paret e taksapaguesve (por edhe të krimit) shqiptarë dhe i trajton ato si pronë personale të Kryeministrit. Individi në Shqipëri  tashmë ndiehet totalisht i pa mbrojtur, banda të hajdutëve ordiner e profesionistë bëjnë kërdinë duke vjedhur në fshat e në qytet, njerzit janë të shantazhuar nga bandat vetiake  e të lidhura me Qeverinë. Nuk ka qelizë të segmenteve të shtetit e të shoqërisë që nuk janë punësuar militantët socialist e enverist fanatikë. Realiteti shqiptar po ju a kalon edhe filmave të hollivudit.

Për Edi Ramën e bandën e tij, pretendimet e opozitës dhe përgjimet e zbardhura nga Bild, (për blerjen masive të votive në 2017-tën), nuk janë as të ligjeshme , as të vërteta dhe as nuk përbëjnë asnjë fakt që të vërtetojnë paligjëshmërinë e Qeverisë aktuale e aq më pak lidhjen e saj me botën e krimit. Turp për të gjithë ju të së majtës shqiptare që e sollët në fuqi këtë farë të keqe duke i bërë një dën shumë të madh vehtes dhe  gjithë populit shqiptar.

Edhe Ju ndërkombëtarë që punoni në Tiranë, (kush më shumë e kush më pak), keni formësuar staturën e një gjysëm guvernatori urdhër dhënës dhe keni pranuar stabilitetin-“stabilokracinë” (edhe rrënues e shkatërrimtar)  në Shqipëri si më të rëndësishëm se demokracia.  Jeni bërë njësh me Edi Ramën duke mbyllur sytë e veshët edhe për veprimet kriminale e skandaloze të tij. Jeni bërë shtypës të zërit opozitar duke mbërritur deri atje sa i keni thënë hapur Lulzim Bashës se :”po shtove edhe një presje në dokumentin (në 2017-tën) që po ju servirim për firmë do ta konsiderojmë refuzim”. Cdo ditë thoni përralla e gjëra të ditura  edhe nga adoleshentët e barinjë në mal si: e hëna vjen para të martës, nënta para dhjetës, gushti pas korrikut, parlamenti është vendi i diskutimeve etj, sikur ne shqiptarët nuk dimë asgjë. Jeni  treguar krejt të njëanshëm e thjeshtë proqeveritar dhe tashmë jeni edhe të pabesueshëm. Turp edhe për ju. Historia do t’ju gjykojë si të pa ndershëm.

Opozita e tanishme, kam binjen e plotë se do të hyjë në historinë e Shqipërisë, si një mekanizëm që bëri e bën luftë primore për demokraci e shtet ligjor. Si një forcë që projektoi e udhëhoqi luftën kundër kriminelve në parlament e në segmentet e shtetit. Që e vuri reformën në drejtësi në binarë kushtetues dhe që pranoi edhe sakrificë sublime për votën e lirë si baza e themeli i një shteti demokratik. Lulzim Basha e Oert Bylykbashi me shokë,  ju mësuan shqiptarëve e ndërkombëtarve se cdo me thene mendim juridik bashkohor europian e demokratik.

Me qetësi, prudencë e largpamësi, udhëheqja e PD-së dhe e opozitarëve afër saj, udhëhoqën revolten popullore e cila medoemos  do të cojë  në rrëzimin e diktaturës së rilindjes së Edi Ramës, fundi i së cilës nuk është i largët. Edi Rama është tashmë në pikiadë të pandalëshme. Ai është një kufomë politike që mban erë të keqe në cdo cep të Shqipërisë dhe në cdo segment të jetës.

Tani që Presidenti Ilir Meta, ja hoqi Edi Rames 30 qershorin si mundësi përplasje e premise për një konfrontim civil, duhet pritur që një mendje e sëmur si e tija të pjellë ndonjë idiotësi tjetër për të mbajtur pushtetin edhe  me dhunë e gjakderdhje. Opozita lypset të jetë e përgatitur që të shmangi me cdo kusht një konfrontim civil.

Edi Rama zgjedhjet e parakohëshme i quan herezi , jo normale  dhe poshtruese personale. Ky është mentaliteti i diktatorit, por socialistët e vërtetë duhet të kuptojnë se ndryshimi i sistemit  në Shqipëri është domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen. Të gjithë duam një Shqipëri për të gjithë , demokratike, ligjore “si gjithë Europa”.

Filed Under: Politike Tagged With: Asllan Bushati-Kufoma politike-Edi Rama

New York, bashkëpunim me Policinë e Kosovës

June 7, 2019 by dgreca

-Policia e Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Departamentin Policor të New Yorkut (NYPD)/

NEW YORK, 7 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga stafi i tij, në këtë rast drejtori i Departamentit të Burimeve Njerëzore Taibe Canolli, drejtori i Divizionit Kundër Krimit të Organizuar, Florie Hajra dhe zyrtari nga ICITAP-i amerikan,  Richard Staples, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë realizuar takim me Komesarin e Policisë së New Yorkut, James P. O’Neill, si dhe kanë realizuar vizita në Akademinë Policore, departamente të ndryshme, Homland Security (Doganë dhe Polici Kufitare), në muzeun memorial etj.

            Kjo vizitë disa ditore është e një rëndësie të veçantë dhe ka për qëllim vazhdimin e avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve policore me interes të përbashkët.

            Si rezultat i takimeve zyrtare dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, sot me 07.06.2019, nga drejtori Qalaj dhe komesari O’Neill u  nënshkrua një memorandum bashkëpunimi, i cili vlerësohet si i pari me vendet e Ballkanit.

            Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi synohet vendosja e bashkëpunimit sa më cilësor, në shkëmbimin e informacioneve policore, në luftën kundër krimit të organizuar, krimit trans-kufitar, parandalimin e kriminalitetit, veçanërisht në format komplekse të krimit të organizuar, krimit me elemente ndërkombëtare si dhe veprave tjera penale, përfshirë edhe shkëmbimin e praktikave më të mira policore.

           Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy vendet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të të dy policive në të gjitha fushat policore si dhe nevojën e avancimit të bashkëpunimit të mëtejmë edhe në të ardhmen./b.j/-PS: Me shume foto shihni ne Facebook- Gazeta Dielli

Filed Under: Politike Tagged With: Policia e Kosoves-Bashkepunim- Policia e Nju Jorkut

Merkel-Haradinaj, Gjermania mbështetëse e fuqishme e Kosovës

June 6, 2019 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Gjermania mbështetëse e fuqishme e rrugës euroatlantike të Kosovës/

-Kancelarja Merkel: Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat e interesit reciprok/

BERLIN,  6 Qershor  2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Berlin, është pritur në takim nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, me të cilën ka biseduar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, për zhvillimet politike dhe ekonomike, progresin dhe sfidat me të cilat po përballet Republika e Kosovës në këto 11 vjet të shtetndërtimit, si dhe për perspektivën europiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar Kancelaren Merkel për përkrahjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi, që nga paslufta deri në ditët e sotme në të gjitha fushat, me theks të veçantë për angazhimin e saj personal në procesin e Berlinit i cili është duke dhënë rezultatet në hapjen e perspektivës evropiane dhe përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. 

“Qytetarët e Kosovës dhe Qeveria do të jenë gjithmonë falënderues ndaj Gjermanisë, kancelares gjermane Angela Merkel dhe popullit gjerman për ndihmën dhe përkrahjen që i ka dhënë Kosovës në ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si në arsim,  shëndetësi, ekonomi, aspektin ushtarak, rend dhe ligj”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke theksuar vlerat e përbashkëta perëndimore që ndan populli i Kosovës me atë gjerman, kryeministri Haradinaj ka thënë se vendimi i Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës flet për vlerat civilizuese dhe demokratike të një shteti.

“Procesi i Berlinit është ndër proceset me rëndësi për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kosova është duke dhënë kontributin e saj në përmirësimin e raporteve të mira fqinjësore dhe në thellimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit”, tha kryeministri Haradinaj. 

Në këtë takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që nënkupton njohjen reciproke do t’i kontribuonte forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duke e cilësuar Kosovën si palë serioze në proceset integruese, tha se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat e interesit reciprok./b.

Filed Under: Politike Tagged With: Kryeministri Haradinaj-Takim Kancelaren Merkel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 419
  • 420
  • 421
  • 422
  • 423
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT