• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkodër, opozita përplaset me policinë, digjet KZAZ-ja në shkollë

June 18, 2019 by dgreca

Mbështetës të opozitës, së bashku me punonjës të Bashkisë së Shkodrës dhe ish deputetë të PD-së, u mblodhën të martën mbrëma në oborrin e Shkollës se Mesme “Shejnaze Juka” të Shkodrës dhe, pas disa minuta konfrontimi me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës, ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve nga vendi i ngjarjes. E gjithë baza materiale e sjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përgatitjen e ditës së votimit u dogj.

Ish deputeti i PD, Bardh Spahija, i cili ishte mes protestuesve, tha se “Ishte vetëm fillimi i revoltës popullore, ndaj atyre që po u imponojnë shqiptarëve votime pa zgjedhje. Ishte një reagim i shpejtë i qytetarëve shkodranë. Kjo nuk është dhunë. Dhunë ishte tentativa e policisë së shtetit për të uzurpuar institucionet dhe duke iu imponuar qytetarëve të Shkodrës”.

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila drejton edhe shoqatën e kryetarëve të bashkive të djathta, tha në mbrëmje se “Janë djegur vetëm kartonat e vendvotimeve. Materialet zgjedhore janë në mënyrë të paligjshme në mjediset e shkollës që administrohen nga Bashkia e Shkodrës. Bashkia ka kërkuar zyrtarisht prej tre ditësh që godinat ku janë vendosur KZAZ-të dhe janë në pronësi të saj, të lirohen”.

Ish deputetja e Shkodrës Jozefina Topalli u distancua nga kjo ngjarje.

“Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës. E kundërta është historia e këtij qyteti. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në tri dekada. Një demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov, as ka frikë nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë pasur frikë në ‘97 kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat. Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e demokracisë. Partia Demokratike lindi si ëndërr e lirisë dhe e të drejtës me votu”, shkruan mes të tjerash zonja Topalli në facebook.

Ministri i Brendshëm Sander Lleshaj tha se kjo është një “përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD-së për të djegur një shkollë në Shkodër”. Ministri ftoi qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky “turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”.

“Asnjë drejtues bashkie, – shtoi ai, – nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”.

Incidenti në KZAZ e Bashkisë së Shkodrës u parapri nga një tjetër ngjarje në Bashkinë e Tropojës, ku një grup mbështetësish të opozitës bashkë me zyrtarë vendorë dhe deputetetin e zonës u futën me forcë në mjediset ku është vendosur Komisioni Zonal i Admistrimit të Zgjedhjeve Vendore të 30 qershorit, siç tregojnë videot e filmuara në vendin e ngjarjes.

Megjithë ndërhyrjen e forcave vendore të policisë, mbështetësit e opozitës, me thirrje kundër Kryeministrit Rama, hodhën në rrugë bazën materiale të votimit, të dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Incidentet në Tropojë dhe në Shkodër pasojnë kërkesën e kryetarëve të disa bashkive të djathta për lirimin e mjediseve të KZAZ-ve dhe qendrave të votimit. Përmes kësaj kërkese, bashkitë e djathta dhe mbështetesit e opozitës po synojnë pengimin e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ndërkohe që të majtët vazhdojnë të vendosur fushatën elektorale.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një deklarate për mediat u shpreh pas incidentit të Tropojës se kërkesa e disa kryetarëve të bashkive për lirimin e menjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur Vendet e Numërimit të Votave dhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në mjediset në administrim dhe pronësi nga këto bashki, është në tejkalim të kompetencave dhe detyrave të njohura nga Ligji “Për vetëqeverisjen vendore”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se po vazhdon punën për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe paralajmëroi se çdo cenim i këtij procesi përbën vepër penale të ndëshkueshme.

Filed Under: Politike Tagged With: Shkoder-Opozita-Policia-Digjet KZAZ

VOTAT SHQIPTARE….Rroftë o rroftë Ed kazani!

June 18, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nuk e di se çfarë është publikuar deri më sot, a janë të mjaftueshme për shqiptarët për të kuptuar se sa poshtërsisht është shpërdoruar sistemi i votës. Se…, e frikshme është jo dhuna e sekserëve, jo shitja e votës për 50 mijë lekë etj., por penetrimi i pushtetit dhe atij që ka lekun drejt frymëmarrjes sociale të një vendi. Nuk e di nëse e bëni dallimin midis përdorimit që i bën pushteti shoqërisë për të kuptuar përfundimisht se sa mish për top e bën vendin një grafoman i dështuar, një politikan pjellë e propagandës. Një shallvarexhi që akoma ju kërcënon duke ju përmendur Amerikën dhe Europën. Ju thotë pa pikë turpi se kush pengon votimet e 30 qershorit, Amerika u bllokon vizat, kurse Europa ua heq. E para është një matufepsje shallvarexhiu se i nxjerr kallpin vetvetes kur nuk bën dot dallimin midis zgjedhjeve dhe votimeve. Dhe e dyta, nuk iu mbush mendja akoma se shqiptarët nuk kanë nevojë për viza, nuk i mbajti dot Enver Hoxha me telat me gjemba, jo ky me shallvare. Shqiptarët i kanë të hapura shtigjet në male, po ashtu edhe gomonet, trailerat, vizat fallco, bashkimet familjare, identitetet e rreme etj. Shqiptarët të gjitha i kanë dhe të gjitha epitetet e mundshme i kanë marrë përsipër. Dhe i kanë pranuar se edhe i kanë merituar, qofshin ato me bojë të zezë qofshin me bojë floriri. Të gjitha i kanë merituar, veçse qeveritë e vendit të tyre jo, jo…, veçmas këtë të shallvarexhiut. Megjithatë një gjë duhet të dini botërisht, që ky këtë zanatin e vjedhjes së votës nuk e ka mësuar sot. Dhe a e pyesni veten se kështu mund të ketë marrë e mbajtur edhe bashkinë e Tiranës?! Nuk ka si shpjegohet ndryshe. Ne nuk durojmë babain të na qeverisi në shtëpi për një vit, e jo më një qeveritar për 16 e kusur vjetë?! Eshtë pak e çuditshme, por aty janë të gjitha. Dhe nga ana tjetër duhet me i thënë vëllezërve socialistë, mos e ulni kokën…, por përbuzeni me të njëjtën forcë që përbuzni Saliun. Ju kanë përdorur deri në asht sa për inat të Saliut u shqyet deri bythësh për një grafoman si ky shallvarexhiu, pa e besuar asnjëherë se një padrino më i keq se i pari nuk po mashtronte vetëm ju për një vend pune, një pension me të mirë a për ca lehtësime rimbursmesh në ilaçe, por një vend të tëre.  Ju futi në lojë të tillë që bar të hani dhe veç Saliut mos t’i dëgjoni emrin. Dhe jeni gati edhe sikur 50 vjetë tjera t’ju shtrydhi, prapë Saliut mos t’i dëgjoni emrin. E kishte zërin të kulluar dhe nuk ishte e vështirë fare për ta njohur. Si tha ai vlonjati i liruar, është lyrë shkopi me mut nga të dy krahët djema. Aty e keni dëgjojeni dhe kuptoni se sa shumë jeni përdorur, për të ndjerë edhe përdorimin që i bëjnë prostitutave në semaforët e europës, premtimi elektoral  që ju e prisni si dhuratë nga shallvarexhiu. Ky rasti i përgjimeve është një lloj skandali që do mbahet mend. Një lloj si skandalet në vende të ndryshme të botës. Më vjen keq që edhe vendi im u bë pjesë e listave të zeza. Ashtu siç më vjen keq që akoma që një i çmendur qeveris dhe psall duke akuzuar shtypin e lirë të një vendi si Gjermania. Por ju e dini e bënte edhe Enver Hoxha në kohë me Amerikën, BRSS, Kinën dhe vendet fqinje. Kur të drejtohem ty socialist, dua të të lë të kuptosh se çfarë dëgjon, dëgjoje drejt, pa turp, dhe shënoje si bombën më të madhe dhuratë, a greminën ku e katandisi rilindasi shallvarexhi partinë tënde socialiste. Nuk ka kimikat që t’ia heqi njollën e përgjimeve. Dhe nëse vërtetë Shqipëria do të ishte në shinat e shtetit ligjor, kjo parti do të ishte sot e jashtëligjëshme. Në një vend normal do t’i kërkonte ndjesë publike shoqërisë dhe vendi do kish shkuar me kohë në zgjedhje të parakohëshme. Por kjo nuk ndodh aty. Megjithatë janë drama të rënies së politikës në përgjithësi, ndaj sot jemi edhe gazi i botës. Rroftë shallvarexhiu, shakaxhiu i përparimit shqiptar, tifozi i Juves, lideri i rajonit.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja- Votat- Kazani-Rama

PËR NJOHJEN E KOSOVËS NGA IZRAELI

June 16, 2019 by dgreca

NGA AKRI ÇIPA /*
Shtatorin e kaluar, deklarata e Hashim Thaçit, Presidentit të Kosovës, se ai do të hapte ambasadën në Jeruzalem nëse Izraeli do e njihte Kosovën si një shtet sovran u shpërnda gjerësisht nga mediat izraelite. Deklarata e Presidentit Thaçi ishte vetëm një nga disa përpjekje të zyrtarëve kosovarë për të bindur Izraelin të tejkalojë hezitimin e deritanishëm dhe të njohë shtetin më të ri në Ballkan. Pavarësisht se ishte një pohim disi populist, sugjerimi themelor se Izraeli do të fitonte një mik duke njohur Kosovën fton për reflektim. 
Këtë vit, Kosova festoi 11 vjetorin e pavarësisë nga Serbia – pas shpalljes së njëanshme të vitit 2008. Kosova – popullsia e së cilës është mbi 90% etnikisht shqiptare, është njohur nga më shumë se 110 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe shumicën e vendeve perëndimore. Megjithatë, Serbia, e mbështetur nga Rusia, refuzon tënjohë Kosovën dhe është përpjekur në mënyrë aktive për ta bllokuar atë nga integrimi nëorganizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara. 
Izraeli është në grupin e vendeve që ende nuk e njohin Kosovën si një vend të pavarur. Dy vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare me njëra-tjetrën. Ngurrimi i Izraelit përtënjohur Kosovën është pjesërisht i motivuar nga frika se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës mund të përdoret si precedent në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez. Megjithatë, faktet tregojnë që nuk ka bazë për frikëtëtillë. 
Pavarësia e Kosovës është e bazuar në aspiratën për vetëvendosje të popullsisë së saj pas fushatës së spastrimit etnik që Serbia zhvilloi kundër këtij rajoni të mëparshëm autonom dhe që u ndalua nga ndërhyrja ndërkombëtare. Bisedimet e udhëhequra nga OKB midis 1999 dhe 2008 duke nxitur një zgjidhje përfundimtare për konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë dështuan për shkak të refuzimit serb. Nuk mund të ketë krahasim në këtë rast me konfliktin izraelito-palestinez, ku tejzgjatja e konfliktit vjen kryesisht për shkak të refuzimit në shumë raste të udhëheqjes palestineze për kompromis. 
Për më tepër, shpallja e pavarësisë së Kosovës është mbështetur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND). Në Opinionin e saj Këshillimor në vitin 2010, pas kërkesës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, GJND-ja vuri në dukje se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel asnjë ligj ndërkombëtar. Rasti sui generis i Kosovës është argumentuar herë pas herë. Megjithatë, argumenti më i pakundërshtueshëm ndaj analogjive të mundshme midis kontekstit Kosovë-Serbi dhe konfliktit izraelito-palestinez është refuzimi i Autoritetit Palestinez për pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen e qartë për Serbinë. Ky qëndrim varros në vetvete të gjitha pretendimet e mundshme që Kosova mund të përdoret si precedent për rastin palestinez. 
Faktori tjetër i rëndësishëm që ka ndikuar në qasjen e zyrtarëve izraelitë për Kosovën ka qenë plasaritja hipotetike që kjo njohje do të shkaktonte në marrëdhëniet midis shtetit të Izraelit dhe Serbisë. Por marrëdhëniet serbo-izraelite kanë pasur problemet e tyre. Në shumë raste, Serbia ka mbështetur palestinezët dhe aleatët e tyre në OKB. Vitin e kaluar, Serbia kritikoi ashpër Izraelin për pjesëmarrjen në një ceremoni në Kroaci. Por, marrëdhënia midis dy vendeve ka treguar se është e qëndrueshme dhe i ka kapërcyer këto përplasje. Njohja izraelite e Kosovës, sipas të gjitha gjasave, do jetë po aq e kapërcyeshme për marrëdhëniet izraelito-serbe. Në fund të fundit, shumica e vendeve demokratike perëndimore e njohin dhe mbështesin në mënyrë aktive pavarësinë e Kosovës dhe Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie miqësore me ta. 
Së fundmi, njohja e Kosovës do të përbënte një mik të shtuar për Izraelin. Përveç deklaratave zyrtare, shqiptarët në përgjithësi kanë një simpati të thellë për bashkësinë hebraike dhe shtetin hebre, i cili manifestohet edhe në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe shtetit të Izraelit. Kjo marrëdhënie mes shqiptarëve dhe hebrenjve u forcua në tragjedinë e Holokaustit, kur shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë refuzuan t’i dorëzonin anërarët e komuniteteve lokale hebreje te Italia fashiste dhe Gjermaninënaziste; ndërkohë që ndihmuan shumë refugjatë hebrenj që iknin ngaEvropa Qendrore dhe Jugore duke u ofruar atyre ushqim dhe strehim. Dhe kjo lidhje u përforcua në vitin 1999kur,gjatë spastrimit etnik të kryer në Kosovë nga Serbia, Izraeli mirëpriti refugjatët shqiptarë. 
Këtë javë, më 11 qershor, Kosova festoi kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e saj nga Kosova. Ky kapitullim bëri të mundur që një milion refugjatë që ikën nga Kosova gjatë luftës, duke përfshirë ataqë përkohësisht gjetën strehë në Izrael, të kthehen në shtëpi. Por, në të njëjtën kohë, ishte momenti përcaktues që i vuri në lëvizje rrotat e historisë dhe çoi në realitetin e ri të pavarësisë së pakthyeshme të Kosovës. Nëse ka diçka që edhe kritikët e tij gjithmonë e pranojnë, kryeministri Benjamin Netanjahu e ka udhëhequr Izraelin përmes një qasjeje realiste dhe pragmatike drejt zgjerimit të listës së miqve të Izraelit në arenën botërore. Duke njohur Kosovën tani, Izraeli jo vetëm që do të bënte drejtësi ndaj realitetit, por do të shtonte edhe një emër në atë listë. 
 
Shkrimtari është një ekspert për çështjet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Shkrimi ështëbotuar fillimisht nëanglisht në Jerusalem Post https://www.jpost.com/Opinion/The-case-for-Israels-recognition-of-Kosovo-592627.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Cipa- Kosova- Izraeli- Njohja

Gazetari Lekë Zherka, ndërroi jetë në moshën 56 vjeçare

June 15, 2019 by dgreca

Lekë Zherka e filloi karrierën e gazetarit në vitin 1985 në Radio Televizionin e Prishtinës.

Pas luftës së Kosovës ai ishte drejtor i Radio Kosovës, ndërsa më pas ishte drejtor shumëvjeçar në Kohavision.I ndjeri Zherka deri në fund vazhdoi punën në Radiotelevizionin 21.Kolegët e miqtë e tij u shprehën të pikëlluar më vdekjen e tij duke e cilësuar atë një humbje të rëndë për gazetarinë shqiptare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i pikëlluar me lajmin për vdekjen e parakohshme të gazetarit dhe drejtuesit të shumë medieve në Kosovë, Lekë Zherka. “Ai dha një kontribut shumë të madh në zhvillimin e mediave dhe gazetarisë profesionale. Në këto momente të vështira, bashkëndjejmë me familjen Zherka dhe komunitetin e gazetarëve”, shkroi ai në rrjetet sociale. (VOA)

***

Kryeparlamentari Veseli ngushëllon familjen Zherka

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Zherka, me rastin e vdekjes së gazetarit të njohur Lekë Zherka. 

“Me trishtim dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur dhe shumë të dashur, Lekë Zherkës.Vdekja e hershme këtij emri të njohur të gazitarisë shqiptare, është humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për Ju, për miqtë dhe gazetarinë tonë, të cilës Leka i kontribuoi për disa dekada me shumë pasion dhe profesionalizëm.

Profesionist i mirëfilltë, shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë.Me punën e tij ai kontribuoi në ngritjen dhe zhvillimin e shumë mediave në Kosovë, në edukimin e kuadrove duke ndjekur gjithmonë standardet më të larta të gazetarisë.Shëmbëlltyra e tij do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa vepra e tij do të mbetet e pavdekshme.Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeparlamentarit Veseli.(Dielli)

Filed Under: Politike Tagged With: Lek Zherka-nderroi Jete

Nebaet Kollçinaku – shpirti dhe shtati që nuk iu bjerrën hiret prej internimit

June 13, 2019 by dgreca

Nga Shpend Sollaku-Noe’/

Plagët e thella herë-herë heshtin, edhe për një kohë të gjatë. Por  pikërisht atëherë kur i mendon të shëruara, mjafton një ashkël e një kujtimi të dhimbshëm, për t’i bërë të kullojnë gjak rishtazi. Më ndodhi edhe mua, ndërsa shkruaja për të ndriturin Kostaq Stefa dhe të shoqen e tij, të mbivuajturën Eleni. In primis nuk kish sesi të mos më lëndohej plaga kurrë e patharë e familjes time, jeta e sime mëje me gjashtë famijë, me shtëpi të sekuestruar në të cilën futën qeraxhinj, të cilën u desh ta paguajmë edhe njëherë për dhjetra vite, që të mos bëhej e shtetit.

Është kjo fazë e jetës në të cilën na u desh të luftonim urinë, përçmimin, imitimin e prangave me duar, nëpër cepa rrugësh, nga bijtë e atyre që na kishin dënuar babanë me akuza që i besuan vetë ata lloj zvarranikësh, diferencimin që u kulmua me mosdhëninen e të drejtës për të studiuar në universitet, me dërgimin në baltrat e Ndërnenasit, mes llumrave të rrezikshme – mbetje të metalurgjisë, me sakrifikimin e tri viteve të tjerë të rinisë mes shkëmbinjve te Sazanit.

Në kësi rastesh shqiptarët qesin në pah virtutet e tyre më të spikatura. Sidomos të liga. Nuk dua të përmend  drejtorët që nuk mbahet mend sa herë më kanë propozuar për të më përjashtuar nga shkolla. As edhe sekretarët apo instruktorët e devotshëm të rinisë që na qepeshin pas për një “basetë” pak më poshtë se kocka e partisë, apo për një palë pantallona të jashtëligjshme. Këta kishin brenda të gjithë vrerin e mundshëm, aq sa ndokënd që nuk kish kockë të fortë mund edhe ta kishin lënë pa frymë ashtu si pickimi i nëpërkës që poshtë gurit.

Shtysë për këto rreshta u bë një grua e hirshme, një grua shtalartë, një grua inteligjente dhe aq e mirë në shpirt saqë është mëkat që brezat të mos e kujtojnë.

Quhej Nebaet Kolliçinaku. E mira Nebaet ishte e internuar në Plug në atë periudhë.

Nënën time, në fillim e kishin pushuar nga puna si të padenjë për të edukuar fëmijët e komunistëve. Shkoi në dreq gjithë veprimtaria e saj illegale gjatë luftës, gjithë lufta e saj për zhdukjen e analfabetizmit në Myzeqe për vite të tëra, duke filluar menjëherë pas 1944-ës, përpjekjet dhjetravjeçare për ngritjen dhe konsolidimin e arëmit në Lushnje, sidomos të atij parashkollor.

Pas një periudhe papunësie, Shadien time  e lejuan të jepte mësim, por e emëruan mes baltrave të Myzeqesë, pikërisht atje ku njohu Nebaetin. U bënë aq mikesha ato dy gra saqë, siç tregon djali i saj – Gazmir Kollçinaku – nëna ime shpesh shoqëronte Gazin e vogël në shtëpi, sepse gjoja ishte pa qejf. Kështu mund të shkonte në atë familje të të internuarve pa probleme.

Siç edhe e kam përmendur më parë, familja jonë nuk do të kish mbijetuar pa ndihmën e dajallarëve në Lushnje, por edhe të kushërinjve të babait në Berat, nga të cilët nuk mund të lë pa parmendur të ndjerin Gani Duro – djalë i tezes së babait tim. Shpesh ndihmat jepeshin si borxhe, që ime më ia arriti t’i shlyente deri ne qindarkën e fundit, kur fëmijët e saj u rritën dhe nisën të punonin.

Ndër ndihmëdhënësit e familjes tonë ishte edhe Nebaeti, zonjë e vërtetë edhe mes baltrave të Plugut.

Nuk mund të harroj sidomos një Vit të Ri, kur shoqërova mamanë nga Lushnja, në muzg, nëpër shi, bubullima e llucë, deri në Plug, tek mikesha e saj, për të kërkuar borxh. Në shtëpinë tonë nuk kish mbetur asnjë lek edhe për të blerë ca portokalle!  Për festime të tjera as që ëndërronim. 

Falë shpirtit të gjërë të Kollçinakëve, edhe ne bëmë një farë feste atë Vit të Ri.

Eh, Nebaet, Nebaet. Ku është strehuar në qiell zemra jote e madhe? Cili prej zotave ai arriti të të ketë pranë? I mendoj si tani ndërsa grindeshin. “Është e imja, është e imja!”

Filed Under: Politike Tagged With: Shpend Sollaku Noe'

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 419
  • 420
  • 421
  • 422
  • 423
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT