• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Amerikanët frymëzohen nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës (Shën Tereza e Kalkutës)

March 19, 2019 by dgreca

“Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit” – Shën NënëTereza

Nga Klajd Kapinova

BRONX, New York. Amerikanët e vlerësojnë shumë gonxhen e shqiptarëve dhe shën Nënë Terezën e botës. Ajo ishte Qytetare Nderi e SHBA, titull i dhënë shumë vite më parë nga Presidenti republikan Roland Regan, i cili e adhuronte shumë për punën e saj fisinike në shërbim të të varfërve amerikanë dhe botës. Ajo vetëm në New York ka disa shtëpi dhe më së shumti në Bronx dhe Brooklyn…

Duke shëtitur në disa kisha katolike në Bronx, New York dhe shtete të tjera të SHBA-së, kam parë shumë piktura murale me tematikë shqiptaren e madhe të përmasave botërore, të cilat i kam fiksuar me aparat dhe ndoshta ka ardhur koha t’i bëj publike, për bashkëatdhetarët tanë në vendlindje, lexuesit dhe biografët e shën Nënë Terezës, të cilat po i ofroj të shoqëruar me shkrimin e mëposhtëm.

Ajo ishte dhe mbeti e Shenjt

Tek figura e saj humane evidentohet si element plot vlerë unisimi mes filozofisë së saj humane, përkushtimit shpirtëror, duke dhuruar kompleksin e ndjejave që quhet mirësi njerëzore si veprim, ku, karakterizohet gjithçka si përkushtim, ndjenjë dhe mesazh filozofik, shoqëror e rezatues.

Kjo strukturë vlerash, projekton Atë, jo si moralizuese, por si objekt human, që mishëron diçka më shumë. Ajo, krijoi një filozofi sociale, me një kurs tokësor, me qëllim; kujdesin tokësor dhe jo pranimin e vuajtjes në emër të shpëtimit të shpirtit me një botë tjetër.

I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa Zoti e mori në krahët mikpritës të Tij.

Butësia, buzëqeshja, identifikohen me devocion ndaj asaj shtrese më të varfër midis më të varfërve, më të përbuzur, mdis të përbuzurve, më të uritur midis të uriturve, njerëzve të braktisur si mbeturina të mbeturinave.

Ajo, u shtriu dorën e përjetshme të mirësisë. I mori në krahët e saj të ngrohtë, duke u thënë mos u merzisni, unë do t’ju mbaj me ngrohtësinë prindërore. Buzëqeshje, lumturi shpirtërore dhe ngrohtësi shoqërore u fali me gëzim përherë Nënë Tereza.

Si një mesazhere humane biblike, shenjtore e gjallë dhe e prekshme, Ajo sillte e përhapte atë gonxhe jete të mrekullueshme si vetë emri i saj, atë dashuri njerëzore kaq të zbehur gjatë shekullit XX, kur përbuzja, mjerimi, lufta e pakuptimta, kërcenin valle si në shtëpinë e tyre.

Një ushtri e vërtetë dashurie

Thjeshtësia, ishte bashkëudhëtare në jetën në shërbim të të varfërve, të sëmurëve me lëbrozë, antikapatëve, jetimëve, të moshuarëve, që padrejtësisht ishin braktisur nga aparaardhësit e tyre, fakirëve të Indisë, me të cilët gjithë jetën ndau vuajtjet e kësaj bote.

E donte thjeshtësinë, sepse njerëzit me të cilët punonte u dhuronte mirësinë me përkushtimin mbinjerëzor, duke ua dhënë me ëmbëlsi aq të dashurën fjalë të nënës – Dashurinë.

Ajo është lart në Qiellin e pavdeksisë së përjetshme, në atë banesë që e ëndrronte drejt lumturisë së pasosur në paqe. Ajo është ulur në tryezën e shenjtorëve të historisë së krishtërimit dhe po kuvendon për jetën tokësore me të cilën ajo u shkëput me dëshirë.

Në sintezë është mirë të thuhet

Është e vërtetë se shqiptarët ndër shekuj, janë ndeshur me të keqen dhe kanë dhuruar vazhdimisht mirësinë.

Për më tepër, ndër shekuj, besa, mikpritja, qëndresa, fjala, etj., si institucione të traditës popullore, mbetën kode morale, juridike, etike, kushtetuese, etj., të cilat, së bashku shpalosin veoritë e genit shqiptar, atë kumt e formulë magjike shekullore, që humbet në mugëtirat e lindjes së njerëzimit, të transmetuar nga brezi në brez, nga vitet në shekuj.

Edhe fjala, si varg konstitucional, ka me vete esencën e mëshirës, e cila në ballafaqim mendor të shqiptarit shprehet me një semantikë të veçantë, duke pohuar njëherazi bujarinë, dhurimin, dhënien e vetës, flijimin për të tjerë.

Purifikimi i shpirtit njërzor dhe mbushja e vullnetit të tij me dashurinë dhe përkushtimin për të bërë vetëm mirë, e për t’ju ndodhur pranë atij që vuan, se i kërcenohet vdekja, i është gjymtuar trupi, e turturon sëmundja, i mungon dashuria njerëzore, e tmerron braktisja e shoqërisë apo e shpërbën vetmia torturuese, janë abetare të virtytit terezian, të cilat mishëruan njerëzoren e pamëkatuar dhe bënë që hierarkia e lartë shtetërore të përkulej e të bënte apel përballë trupit të saj pa jetë, duke kërkuar një kod të ri moral.

E kësisoj, ky dhurim, kjo fjalë, ky flijim për gjakun shqiptar ka përmasa që kalon kufijtë e lindjes, duke pushtuar hapësira e vizione të reja përjetimi.

Dhe Shqipëria e vogël gjeografikisht, a nuk i dhuroi njerëzimit figura të mëdha krenarie, qofshin këto perendorë të tillë, si Konstandini i Madh me origjinë ilire, që në vitin 313 pas Krishtit, nxori Dekretin e Milanos, tek sanksionoi krishtërimin si fe zyrtare?

A nuk u përpoqën të parët e krishterë ilirë, tek të cilët kemi edhe martirët e parë të krishtërimit, si: shën Lauri, shën Flori, shën Asti (emrat e të cilëve përmenden në librin e njohur “Martyriologun romanum”, të cilët në kohën e perendorit Adrian në Ulpianë të Dardanisë, dy gurëgdhendësit (të parët shën Lauri e shën Flori) i mbysin në pus, për të mohuar fenë e Krishtit?

A nuk janë ndjekësit më të mëdhenj, në kohën, kur kisha po legalizohej si institucion shpirtëror, perandorët e gjakut ilir, në mënyrë sistematike përmes Decit, Aurelianit, Dioklecianit, bëjnë që të derdhet gjaku i fatosave të krishterë kudo?

Sa kontrast i madh!

Mirëpo kjo trevë e begatë dhe konkretisht nga Salona (Vlora), në vitin 183 mbas Krishtit, dhuron edhe një papë me emrin Gain, të pa zbardhur deri tani nga historiografët kishtar shqiptar.

E gjithsesi, bota e krishtërë dhe kisha në veanti, gjatë kësaj periudhe ballafaqohet edhe me herezi të shumta që të parë në prizmin njerëzor, kanë mundur të jenë edhe fatale. “Mirëpo, këtu shihet Provania Hyjnore dhe elementi Hyjnor i Kishës.”, -sintetizon studiuesi i shquar akademik prof.dr. Zef Mirdita, pedagor i historisë antike në Universitetin e Zagrebit.

Por historia është e lavdishme, sepse të tillë e bëjnë njerëzit në Tokë, duke kulmuar më tej me një nga prelatët më të mëdhenj të krishtërimit papa Klementi XI (Gjon Albani), i lindur nga prindërit me origjinë të trungut të mirëfiltë shqiptar në Urbino, duke qenë kësisoj i 250-i papë në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Ai, ishte përkrah papëve të famshëm, si: Gjoni XII, Gregori VII, Piu V, që kishin sukses në organizimin kishtar, etj.

Por të mos harrojmë se lutja e famshme dhe e mbarë krishtërimit “Te Deum”, është shkruar dhe kompozuar nga një peshkop shqiptar. Po shën Jeronimi ilir (340-420), që përktheu Shkrimin e Shenjtë (Bibla) në latinisht?

Kësaj radhe, Zoti me fisnkëri për Shqipërinë dhuroi plot bujari një Nënë të Madhe, që shquhej për nga forca shpirtërore deri në kufijtë e shenjtërisë.

Dhe kjo ishte Nënë Tereza e Kalkutës, e lindur në dekadën e parë të shekullit XX. Sa dorëlëshuar jemi treguar ne shqiptarët, sa shumë kemi dhuruar si komb deri aty, sa i falem njerëzimit Nënë Terezën!

Ajo u bë e famshme sa trimëria dhe vendosmëria e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit legjendar, që si Atlet i Krishtërimit, u bë mburoja e civilizimit evropian, ndërsa Nënë Tereza e Kalkutës së mjerë, u bë mburojë dhe histori e gjallë feje, përkushtimi, duke ndryshuar fytyrën e botës së mjeruar.

Nëna, jetoi në varfëri, me të varfërit midis më të varfërve, duke përjetuar tërësisht filozofinë e Krishtit. A nuk u shndërrua ajo si e tillë se qe shqiptare?

Të gjitha këto janë pyetje me përgjigje shembullore të popullit shqiptar. Një Nënë prej gjak shqiptari, që do të lindte trupvogël e imët dhe shëndetlig, do të vinte një ditë që të shpërthente si një trëndafil i mrekullueshëm, të kthehej në trëndafil të dashurisë, duke u dhuruar skamnorëve dashuri të përjetshme.

Gonxhja tronditi botën, duke i apeluar, se kjo substancë e shformuar është pjesë dhe produkt i shoqërisë së sotme, që kontraston me qytetërimin.

Në fund të shekullit XX, Ajo rizgjon imazhin e Jezusit të Nazaretit dhe aksioni i saj human mori sendertim real, duke shpalosur tipare krejt unikale.

Ku ta dinte babai i Nënë Terezës, ky tregtar i thjeshtë shqiptar, se para thjeshtësisë së bijës së Tij, do të përuleshin me respekt të thellë mbretër, presidentë, prelatë të kishës dhe të gjithë besimeve fetare në botë!

Në historinë e botës plot vuajtje të ndryshme, si i lajmëruar prej një fuqie Hyjnore, ai vuri emrin e thjeshtë, por kuptimplotë gonxhe dhe gonxhja, si një syth trëndafili, nuk mund të rrijë plotësisht e tillë.

Ajo kërkonte me ngulm dritën dhe dashurinë. Ajo është një dhuratë e Zotit për t’i shërbyer me përvujtëri vetëm Atij. Me jetën dhe veprën e Saj, na tregoi, se do gjë është e mundur me Zotin. “Mbani qetësinë e zemrave, meditoni, sepse atje do të takojmë Krishtin, sepse edhe ne mund të ecim të takojmë Zotin tonë”- i porosistë bashkëudhëtaret e “Misionit të Dashurisë” kryemurgesha Nënë Tereza. Jeta pa vepra është e kotë, se veprat pa lutje janë të papërkryera.

Ajo nuk është e shkëputur nga universi shqiptare

Mbretëresha e humanizmit, e pëllumbit të paqes tokësore, nuk kishte se si të mos ishte shqiptare. Ajo është pjesë e hershme e genit shqiptar.

Rastësia nuk e solli atë që të lindte në këto troje me tradita të pastra, në këto treva ilire të lashta, aty, ku, kanë zanafillën e tyre kozmike erërat që sollën agimin e lindjes së qytetërimeve më të lashta se sa vetë historia e kontinentit të plakur të Evropës; aty ku ngjizi miti dhe legjenda, kënga e vaji, ninulla e fosnjes mitologjike, aty ku morën udhë shtrati i besimeve dhe drita e dijeve, filozofia e jetës dhe e vdekjes.

Gonxhja erdhi në jetë, në fillim të shekullit tonë, kur ende nuk kishte shtet shqiptar politikisht të krijuar dhe u largua nga kjo botë e zhurmshme në fund të shekullit, duke i mbyllur sytë në një vend të largët nga Atdheu, por shumë të dashur prej saj, atje, ku në saj të veprës që ajo realizoi, shnderrimin e madh të vetes dhe të moralit njerëzor në përmasa të tilla tronditëse, si rrallëkush tjetër.

Në tryezën e shenjtorëve të Romës do të ftohet të kuvendojë në paqe, mirësi dhe dashuri Hyjnore edhe Nëna e të gjithë Nënave.

Ndoshta, edhe një Nënë që po shëron plagët e nipave dhe mbesave të atyre shenjtorëve, që përfaqësojnë për nga origjina shtetet ku ato kanë lindur.

Tashmë Nëna në Shqipëri, është një institucion me vlera dashurie ndaj të gjithë atyre, që kërkojnë të triumfojnë mbi kulturën e vdekjes, për t’i dhënë dritë e shpresë kulturës së jetës.

Në rrugëtimin e Saj, mbështjellë me një frymë universale, krijoi mitin e shenjtit, të profetit të luftës kundër mjerimit, të engjëllit mbrojtës, që komunikoi me botën hyjnore, të shpresës dhe të guximit për një jetë më të lumtur.

Pamteoni i njerëzve të shquar, që me veprën e tyre të shumanshme kanë manifestuar virtyte të larta njerëzore dhe forcën inspiruese për bashkësinë sociale me mungesën tokësore të Nënë Terezës, pësoi një zbrazje të thellë e të gjërë.

Kur individë të tillë unikal lënë pas një filozofi, një moral dhe një përkushtim nga dishepujt, Ata (në këtë rast) Ajo, njëherësh gjenden në majë të panteoneve të vlerave universale të njerëzimit, duke rrëzuar njëherësh pseudovlerat.

Ajo me shpirtin e paqes ka bërë mrekulli. E shpirti i mrekullueshëm qe Nënë Tereza. Dhe shpirti e njohu, jetoi me Nënë Terezën, që ishte një njeri i tillë. “Çdo njeri ka lindur shenjt, por duhet të dëshiroj dhe t’a dëshmoj”- ka përkufizuar Nënë Tereza.

Gonxhja,. besonte shumë në familje si një bërthamë solide, që duhet ruajtur nga tjetërsimi i demtuesve mëkatorë.

Familja shtonte Ajo, aty lind, krijohet dhe vazhdon t’i jepet shoqërisë, kur shpesh takohej me të rinjtë shqiptarë.

Nënë, kam etje, dua të ha, të pi, kam ftohtë…

Nënë, kam etje, nënë dua të ha, nënë dua të pi, nënë kam ftohtë, nënë jam sëmurë, nënë o NENE, i thërret fëmija, i riu, i braktisuri, plaku që rënkon nga plagët e gërbulës, në çastet e hidhërimit e të gëzimit.

Mirëpo binomi Njeri-Nënë, që kërkon ndihmë, është një nyje e pazgjidhshme në çastet e hidhërimit të madh, në vuajtje e dhimbje.

Për njerëzimin dje dhe sot nëna është një titull, një ofiq, një gradë, një mision e mbi të gjitha një mesazh jete, buzëqeshjeje, gëzimi e hareje.

Në çdo gjuhë të botës, ajo është fjalë e parë dhe më e dashur që kanë mësuar të gjithë njerëzit në këtë planet, por në shenjë dhembshurie e dashurie të pakufi, ajo ka kuptimin e oksigjenit për çdo qënie njerëzore.

Ajo, me shpirtbutësinë bujare, përmes duarve të rreshkura që kanë pritur e përcjellë për shumë dekada miliona fëmijë në buzë të vdekjes së sigurtë.

Vdekjen e të sëmurëve e ka larguar, duke mëkuar dashuri njerëzore, për ditë të tëra në krye të të lënduarve, ka lidhur miliona plagë, sikurse u ka mbyllur sytë pranë një vdekje të qetë natyrale tek i përkdhelte me uratë në dorë.

Ajo ka ofruar jetën e ka larguar vdekjen e etur për flirte mjeranësh, në çdo kënd të globit; ka dhënë frymë, duke ngrohur trupat e ngrirë në borë pa përkujdesje.

Në shtegtimin e saj të gjatë, si ikonë e gjallë që adhurohet me dashuri nga të gjithë, është ledhatuar, ndjerë nga miliona njerëz, duke ndezur qiriun e dritës së përjtshme.

Njerëzimit iu dorëzua e gjallë, duke dhuruar trupin, zemrën, mendjen, fjalën, frymën, jetën e saj dhe gjeneroi me forcë dashurinë, këtë gonxhe të mrekullueshme të fshehur thellë në skutat e shpirtrave njerëzorë.

Postulatet e saj janë të thjeshta në formulim, por janë të thekuara si ide: “Nuk ka paqe pa dashuri”, “Nuk keni bërë pak nëse keni dhuruar buzëqeshje”, “Po, dashuria është e vërtetë dhe ju takon juve!”

Duke u endur e palodhur, Nëna e botës arriti ta gjejë, ta këputë këtë gonxhe dhe ua dëshmoi si shembull jetësie, se kjo është dashuria në Hyjin dhe njeriun, që Ai vëtë krijoi për të përballuar mirësitë e natyrës që përsëri vetë i dhuroi. Njerëzorja, autentike është institucioni më i lartë, më i pastër, më human dhe se institucionet e tjera, si: shteti, propoganda, ceremonitë, janë të vonshme, e jo të sinqerta përballë humanizmit dhe dashurisë.

Kur shihte bebe të vogla, vraponte që t’i përkthelte dhe i merrte në krahët e saj të ngrohtë, duke u dhuruar dashuri me një buzëqeshje fisnike.

Gonxhja – Nënë, kishte një optikë tjetër, kur vraponte nën moton, se dhimbja e tjetrit zbutesh kur kujdesesh për te, dhe kujdesi kryehet kur vetë jeton thjeshtë e bashkë me te.

Ajo shihte frikë nga vdekja ndaj edhe jetoi gjatë. Veshja e thjeshtë dhe këmbët e zbathura me sandale, asnjëherë nuk qenë garniturë moralizuese, por sfidë stoicizmi.

E komentonte gjithnjë fjalën “Kam etje” (“I’m thirsty), për dashurinë e njerëzve, ashtu sikurse e thotë Krishti në kryq.

Ajo bëri atë që bënte me dashuri, i jepte ujë të uriturit, veshte të zhveshurit, mëkonte me ngrohtësi prindërore më të braktisurit.

Dhe këtë rit e përsëriti për shumë dekada, duke sfiduar përherë moshën e vet, sëmundjet e njëpasnjëshme që e shoqëruan kudo, dhe mbi të gjitha kohën që jetojmë.

Nënë Tereza është poezia e jetës, poezia njerëzve të varfër.

Ajo u shpall shenjtneshë, por nëse altari shpirtëror, do të mbaj në koleksionin e tij si brilant emrin Shenjt, altari i vërtetë i prekshëm tokësor, human, bartë Nënë Terezën e vërtetë, e cila duket tashmë e shpërndarë si eter në veprën e misioneve të Saj, të cilat me stoicizmin e tyre janë plazmor si specie tereziane, aq të mirëpritura e të respektuara…

Nënë Tereza në Harlem, Bronx dhe Brooklyn, New York

Në dy qytetet e mëdha të New York City, Bronx me 2.2 milion banorë dhe Brooklyn me 2.4 milion banorë, ka disa shtëpi të motrave të Nënë Terezës, që shërbejnë edhe sot për të varfërit, të pastregët, të sëmurët, të braktisurit, jetimët etj. përkujdesi i motrave është i madh e i vazhdueshëm. Ajo ka udhëtuar disa herë nga New York në Romë dhe anasjelltas edhe pse shpesh nuk ishte mirë me shëndet, sikurse tregon mjeku i Nënë Terezës, Dr Patricia Aubanel. “Pra, ne e konsiderojmë këtë si një mrekulli”.

Ajo rrezikonte shëndetin e saj të dobët duke fluturuar nëpër botë për të vizituar njerëzit e varfër në Harlem, të cilët i donte shumë. Një herë Nënë Tereza po ecte me Princeshën Diana në rrugët e Bronx-it.

Kështu ajo hapi misionin e saj të parë në vitin 1970, në East 145 St. në jug të Bronx-it.

Në vitin 1997 Nënë Tereza qëndroi në Misionin e Bronx-it për disa javë dhe gjatë muajve maj – qershor të vitit 1997 ajo u takua për herë të fundit me Princeshë Diana. Muaj më vonë, bota po mbante zi të dy ikonat, të cilët vdiqën vetëm pesë ditë larg.

Misioni më vonë e zgjeroi shërbimet e tij në Harlem, ku drejton një strehë për gratë dhe Brooklyn, ku ka një shtëpi për nënat e pamartuara.

Në vitin 1985, urdhri i Nënë Terezës hapi një shtëpi në Greenëich pacientët me AIDS dhe të shtëpi tjetër për të pastrehët në Newark (New Jersey). “Në ato ditë nuk mund t’i tregoja askujt që po merrej me njerëzit me AIDS,” kujton Gene Principe, 85 vjeç, i cili ka qenë vullnetar me misionet e Nënë Terezës që nga viti 1983.

Principe kujtoi një vizitë që ajo bëri në Harlem disa vjet para se të vdiste. Ishte pas një stuhie të madhe dëbore, dhe pastruese e borës kishin ende shumë punë hapur rrugën në Ëest 127th Street.

“Dy djem të rrugës vrapuan në makinë,” tha Principe. “Ata e kapën dhe e shoqëruan atë. Ajo që më bëri përshtypje më shumë ishte se këta djem kishin kaq shumë dashuri dhe respekt për të…” (James Keivom, New York Daily News)

Në vitin 2010, me rastin e ditëlindjes së 100-të, mbështetësit kërkuan të nderonin ikonën e ndjerë me një shfaqje të dritës së Empire State Building, por zyrtarët ndërtesës gjigande nuk dhanë aprovimin e tyre, ndezi kritika të ashpra në mëdia. Refuzimi asokohe preku shumë komunitetin e madh katolik në SHBA dhe shtetin e New York-ut.

“Si një ndërtesë në pronësi private, ESB ka një politikë specifike kundër ndriçimit të figurave fetare ose kërkesave nga fetë dhe organizatat fetare”, tregon Anthony Malkin, CEO i ndërtesës dhe presidenti i saj.

Literatura:

1. Who was Mother Teresa? 5 Facts about Mother Teresa, acton.org‎

2. Mother Teresa of Calcutta, America Magazine Jesuit Revieë‎

3. Tony Marcano, May 28, 1997, Mother Teresa Has Quiet Day At Her Convent in the Bronx, May 28, 1997,

4. Leonard Greene, Harlem, the Bronx and Brooklyn held special places in Mother Teresa’s heart, New York Daily News March 9, 2016)

5. Chelsia Rose Marcius and Larry Mcshane, Bronx man who served as a driver for Mother Teresa during her visits to New York, NYDaily News, March 15, 2016.  

6. Amanda Marinaccio, Dedication set to honor Mother Teresa, Bronx Times, October 21, 2011.

7. Allerton Ave mural of Mother Teresa inspires neighbors, New York Bronx News

Filed Under: Politike Tagged With: Klajd Kapinova

Federika Mogherini e ka rrënuar dialogun Kosovë-Serbi

March 18, 2019 by dgreca

Federika Mogherini e ka rrënuar dialogun Kosovë-Serbi sepse nuk është arbitre mbi palët,por trajnere e një Serbie mitomane

Nga Elida Buçpapaj/

Për sa kohë do të vazhdojë të drejtojë Federica Mogherini dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë dialog. Përkundrazi do të ketë krizë dhe apetite të Serbisë për të kthyer orën mbrapsht!

Që të kishte dialog midis Kosovës e Serbisë, do të duhej që jo vetëm Kosova, por edhe Serbia, pra të dyja palët, të kishin një komunikim të barabartë mes tyre. Serbia duhej të hynte në dialog duke respektuar të gjitha arritjet e mundimshme të faktorit ndërkombëtar NATO/SHBA/BE/Gjykata Ndërkombëtare mbi Kosovën dhe për Kosovën, ndërsa Zonja Mogherini si palë e tretë mbi palët, do të duhej të ndiqte mbarëvajtjen, me atributet e arbitrit.

Nëse do të shihte interesin e BE-së, Federica Mogherini, për mbarëvajtjen e dialogut do të duhej të vendoste që në krye kushte, ku duhej të ndalohej çdo tentativë e Serbisë për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në organizmat ndërkombëtare, nisur nga fakti se edhe Serbia është pretendente për t’u anëtarësuar në BE.

Federica Mogherini mund ta tregonte dashamirësinë e saj me Serbinë vetëm në rezonancë me interesat e BE-së, duke i ofruar Serbisë një shans pranimi direkt në BE, me kusht që Beogradi të njihte Kosovën, të korigjonte Kushtetutën dhe të nënshkruante një marrëveshje me BE-në, ku të përjashtonte çdo lloj vetoje dhe aktiviteti kundër interesave Kosovës! Serbia do të privilegjohej, por mes Kosovës e Serbisë të hapej një faqe e re në histori në të mirë të ardhmërisë e brezit të ri. Sikur Franca dhe Gjermania!

Por Federica Mogherini, duke shkelur obligimet e saj si zyrtare e lartë e BE-së, ka hequr dorë nga arbitrimi free and fair dhe ka kaluar hapur me Beogradin, i cili sot ka dalë me pretendime mitomane të kohës së kriminelit Sllobodan Milosheviç, çka vë në rrezik hapur stabilitetin e rajonit dhe interesat e BE-së.

E kemi dëgjuar Federica Mogherinin një milionë herë t’i kërkojë Haradinajt heqjen e taksës 100 % që Kosova ka vendosur pas minimit nga ana e Serbisë të kushteve minimale për dialog midis dy vendeve sovrane, por kurrë që t’i tërheqë vemendjen Serbisë !

A loboi zonja Mugherini pranë UNESCO-s apo pranë INTERPOLI-it, si përfaqësuese e BE-së, meqë 23 vende të BE e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që Kosova të anëtarësohej në këtë dy organizma ndërkombëtare ?

Jo!

A i bëri zonja Mogherini ndonjëherë thirrje Daçiçit që të heqë dorë nga retorika agresive dhe lufta diplomatike e Beogradit që Kosova të mos pranohet në organizmat ndërkombëtare?

Jo!

A i ka tërhequr vemendjen ndonjëherë zonja Mogherini palës serbe që Beogradi të ndalë angazhimin shtetëror për anullimin e njohjes së pavarësisë të Kosovës nga shtete që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur?

Jo!

A i ka bërë thirrje Federica Mogherini Aleksandër Vuçiçit që ta heqin Kosovën nga Kushtetuta serbe, ku rezulton të jetë ende e pushtuar nga shteti që në konfliktin 1998-1999 e humbi luftën me NATO-n dhe shtetet e BE-së !

Federica Mogherini jo vetëm që nuk ka përmbushur funksionet e zyrës që përfaqëson, por e trajton Kosovën si një shtet të dorës të tretë, duke i privuar shqiptarët e Kosovës nga e drejta e e qarkullimit të lirë, ndryshe nga pakica serbe në Kosovë e cila e përfiton këtë të drejtë prej shtetësisë të dyfishtë!

Dua t’i bëj një pyetje zonjës Federica Mogherini: Kush ishte vendi agresor që dëboi 1 milionë shqiptarë nga vatrat e tyre dhe kush ishte viktima në konfliktin e vitit 1998-1999, Kosova apo Serbia,  ?

Federica Mogherini s’ka se çfarë t’i thotë sot as Këshillit të Sigurimit, as BE-së, as vendeve të Kuintit, as NATO-s dhe as Ramush Haradinajt, sepse ajo ka shkelur obligimet që kërkon arbitrazhi i paanshëm e me integritet dhe, nga arbitre e BE-së, ka kaluar hapur si trajnere e shtetit serb dhe Beogradit, duke nxitur oreksin e Serbisë me tema eksploduese që tashmë janë mbyllur një herë e përgjithmonë nga Perëndimi!

Sovraniteti territorial i Kosovës, i cili prej 20 vitesh mbrohet nga trupat e KFOR-it, është i pacënueshëm!

Kur them Federica Mogherini është trajnere e Serbisë, nuk është fjala për trajnere të një vendi që bën një garë të ndershme duke synuar BE-në, por është trajnere e një Serbie që i është kthyer mitomanisë të së djeshmes me rreziqe për të gjithë!

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë i mirëpritur kur të ngrihet mbi themele të shëndosha, me këmbën e mbarë dhe nga arbitër që interesohen për të mirën e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve larg çdo lloj reminishence të së shkuarës. Na duhet t’i kurojmë plagët, jo t’i hapim rajonit plagë të tjera!

Për fatin e Kosovës në vitin 1998-1999 vendosi Perëndimi dhe populli i Kosovës, se Kosova është në zemër të Europës,  në respekt të së drejtës ndërkombëtare dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut, duke ndalur përmes ushtrisë së NATO-s dhe UÇK-së spastrimin etnik dhe genocidin që Serbia e Milosheviçit kishte ndërmarrë ndaj popullësisë civile në Kosovë.

Kur themi Perëndimi nënkuptojmë Madeleine Albright, Hillary Clinton, Angela Merkel, por jo Federica Mogherini!

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj

Parisi i munguar në Tiranën e shallvareve

March 17, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja

Pritshmëria për rrëzimin e Ramës sot ishte e madhe, por Rama po qësëndiset me të gjithë. Madje ri aplikoi kamerat me dron nga qielli, si e si ta zbehte protestën. Madje duke përdorur edhe webe oportunë ose as mish e as peshk.

Gjuajti me ligësi momentet a oraret. Dhe duke patur parasysh se gjatë gjithë këtyre ditëve u fol shumë për dhunë, skenarë rusë mbi destabilizimin e vendit etj., imazhin e Shqipërisë para sezonit turistik dhe çeljes së negociatave në qershor etj., me dashin amerikan dhe të tjera ambasada, duhet thënë se ia arriti qëllimit. Qe një protestë e vrullshme por që zgjati jo aq sa ajo e para. U dirigjua me kujdes farmaceutik që të shmangeshin provokimet, trazirat a të tjera, duke rënë plotësisht në pritshmërinë qeveritare. Apo policisë së sistemuar dhe kërcënuese dy herë më e fortë se në protestën e parë. Urrejtja e atyre në shesh ishte më e fortë se e liderve, megjithatë nuk triumfojë. Kushdo që mendon se ka një balancim mes lidershipit dhe protestuesve gabon, deri sa Rama ia hodhi edhe kësaj radhe. Se në raport me komunitetin europian, qytetarin e saj, Parisi i sotshëm përshembull u mbush tym e zjarr, nga jelekët e verdhë kurse Tirana nga policia e shtetit të Edi Ramës. Megjithatë tani studiot po përgatisin të nxjerrin të njëjtit surretër, të njëjtët fadroma plot xhel, të njëjtit shenjtorë të informalizmit dhe do flasin si zakonisht se a kish dhunë apo jo? Se, fitoi apo humbi Rama? Se e dënoi apo jo ambasada e iks shteti protestën, djegien e mandateve etj. Një kakoni Shqipërie të cilën kërkush tjetër pas Enver Hoxhës, si ky Edi Rama nuk e ka kthyer të gjithën në një front social demokratik. Tjetër ishte urrejtja e tyre në shesh, urrejtje faturash ilaçesh, urrejtje papunësie, urrejtje budallepsje, urrejtje sehirxhinjsh.

Megjithatë askush nuk e percepton dot Parisin, askush nuk krahasohet, askush nuk gjykon si atje, por i referohen ambasadës së pariszienëve, deklarateve të dhunshme pa bërë dhunë. I stepen aludimeve mbi skenarët rusë, i nënshtrohen unit provincial se sa ka bërë unë për ty, apo ti të ma punosh mua kështu e ashtu. Drejt një evaziviteti që i ngjan një dënimi që kurrë nuk ka për t’u zbatuar. Dhe ky jo nga Edi Rama dhe rilindja, por nga mos dakortësia e lidershipit me turmën.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja

MBËSHTETJA E FORTË AMERIKANO-GJERMANE PËR NATO-n PËRBALLË KËRCËNIMIT RUS

March 15, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli

Sipas një studimi të kohëve të fundit nga firma amerikane e sondazheve, Gallup, Inc., 52% e amerikanëve e konsiderojnë fuqinë ushtarake të Rusisë si një “kërcënim serioz” ndaj interesave jetike të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që Rusia zë vendin e parë në listën e vendeve që amerikanët i konsiderojnë si “armiq kryesorë” të Shteteve të Bashkuara.  I njëjti studim thekson, njëkohësisht, se 73% e amerikanëve kanë mendime jo të favorshme për Rusinë.  Si përfundim, thuhet në raportin e entit Gallup, Rusia është tani vendi që shumica dërmuese e amerikanëve e konsiderojnë si vendin armik numër një të interesave amerikane.  Sondazhi nenvijon se këto prirje në qëndrimin e amerikanëve ndaj Rusisë dhe politikave të saj, sidomos në fushën ndërkombëtare, janë venë re edhe para se televizioni shtetëror rus identifikoi, kohët e fundit, instalimet ushtarake amerikane të cilat do të ishin objekt agresioni në rast të një sulmi të mundëshëm bërthamor kundër tyre, nga ana e Rusisë.

Nuk është për tu habitur atëherë që në një atmosferë të tillë mosbesimi nga ana e amerikanëve ndaj Rusisë dhe qëllimeve të saja armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara, që mbështetja për Aleancën e Atlantikut Verior, NATO është shumë e lartë në radhët e amerikanëve.  Bazuar në një sondazh tjetër të firmës Gallup mbi mbështetjen që gëzon NATO-ja në Amerikë, 77% e amerikanëve mendojnë se NATO-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë, ndërkohë që 66% e amerikanëve shprehin mbështetje edhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si një ent i nevojshëm ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve botërore, sipas të njëjtit sondazh.

Dihet se Presidenti Trump kishte shprehur skepticizmin e tij për ndihmat amerikane për organizatat ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, gjatë fushatës për president dhe më vonë.  Ai kishte venë në dyshim edhe nevojën për ekzistencën e NATO-s, një qëndrim ky që në atë kohë u kritikua ashpër nga evropianët dhe nga Senati Amerikan.  Por, ky sondazh i kohëve të fundit, tregon qartë gjithashtu se edhe shumica e amerikanëve mendojnë ndryshe nga presidenti i tyre në lidhje me nevojën për ekzistencën e Aleancës më të fortë politiko-ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota dhe e cila ka ruajtur paqn në Evropë për 70-vjet, pas Luftës së Dytë Botërore.  Ndërkohë që pikëpamjet e Presidentit Trump ndaj NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara duket se kanë ndryshuar me kohë.  Ai nuk ve në pyetje më nevojën për ekzistencën e NATO-s dhe të OKB-së, por ngulë këmbë që të gjitha vendet anëtare të kontribojnë 2%, për mbrojtjen e përbashkët siç është rasti i vendeve anëtare të NATO-s dhe që vendet anëtare të OKB-së të japin kontributin e tyre për të mbajtur gjallë këtë organizatë. Realiteti në detyrën e presdientit të përballimit me zhvillimet e papritura në arenën ndërkombëtare, shpeshëherë shkaktojnë që të hidhen poshtë perceptimet e vjetra dhe të ndryshojnë pikëpamjet edeh të një preisdenti.  Në një vend demokratik si Shtetet e Bashkuara është e pamundur që një president të ndjekë dhe të mbështesë qendrime dhe politika — qofshin të mbrendëshme apo të jashtme – në kundërshtim me vullnetin e një shumicë aq dërmuese të popullit amerikan, siç është sot mbështetja e shprehur prej 77% e amerikanëve për Aleancën e NATO-s.   Sondazhi i firmës Gallup ve në dukje gjithashtu se mbështetja e amerikanëve për NATO-n është e fortë si në radhët e republikanëve ashtu edhe demokratëve, por edhe në radhët e atyre që nuk bëjnë pjesë në këto dy parti.

Studimi në fjalë thekson edhe mbështetjen e fortë të amerikanëve për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila sipas amerikanëve ajo luan gjithnjë një rol të dobishëm dhe të nevojshëm në botë. 86% e demokratëve amerikanë mbështesin OKB-në duke shprehur mendimin se roli i organizatës ndërkombëtare është edhe sot i nevojshëm, ndërsa 66% e atyre që nuk i përkasin asnjë partie dhe 49% e republikanëve amerikanë mendojnë se OKB-ja luan ende një rol të rëndësishëm.  Gallup ve në dukje se mbështetja e fortë dhe e vazhdueshme për NATO-n dhe OKB-në, madje edhe në periudhën e platformës politike, “Amerika e para” e presidentit Trump, amerikanët e të gjitha prirjeve politike vlerësojnë rolin që luajnë organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet bota. 

Ndërkaq, eshte matur mbështetja për NATO-n edhe në Gjermani.  Megjithë ndryshimet që ekzistojnë midis amerikanëve dhe gjermanëve mbi çështje të ndryshme ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet dypalëshe, ata ndajnë mendime pothuaj të njëjta përsa i përket Aleancës NATO, si dhe Rusisë e Kinës, njoftojnë Qendra Amerikane Pju e sondazheve dhe enti gjerman Korber-Stiftung. Sipas këtij sondazhi, gjermanët ashtu si amerikanët mbështesin fuqishëm Aleancën e NATO-s.  Si në Gjermani ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, sipas këtij sondazhi, mbështetja mbetet e lartë për NATO-n, madje edhe pas përplasjes midis Presidentit Trump dhe Kancelares gjermane Merkel, në lidhje me shpenzimet ushtarake dhe për influencën ruse, në takimin e Aleancës Perëndimore në Bruksel, korrikun që kaloi.  

Raporti i këtyre dy firmave të sondazheve — njëra gjermane e tjetra amerikane – rithekson faktin se mendimet e amerikanëve dhe të gjermanëve ndaj Rusisë vazhdojnë të jenë jo të favorshme dhe se pikëpamjet pozitive ndaj Rusisë, janë në nivelin më të ulët në Gjermani dhe në SHBA ç’prej vitit 2011, kur anë e mbanë Rusisë u mbajtën protestat popullore dhe pas akuzave për vjedhje të votave në zgjedhjet parlamentare të atij vendi, duke arritur një nivel edhe më të ulët, në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Moska.

Thirrjeve të Presidentit Trump për rritjen e shpenzimeve ushtarake, Gjermania u është përgjigjur pozitivisht.  Mediat gjermane kanë njoftuar muajin që kaloi se qeveria gjermane ka siguruar Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior se ka vendosur të rrisë gradualisht shpenzimet për mbrojtje, megjithë ngadalësimin e pritshëm të veprimtarisë ekonomike në Gjermani.  Ashtu si edhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të shtojë shpenzimet ushtarake me 2% të ardhurave kombëtare (GDP), në përputhje me objektivin e caktuar nga vendet anëtare të NATO-s, në vitin 2014.  Pritet që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të realizojnë angazhimin e marrë përsipër që të rrisin, gradualisht, shpenzimet ushtarake me 2% deri në vitin 2024. 

Dje (të enjtën), Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg botoi Raportin Vjetor të Aleancës politiko-ushtarake që ai drejton, një “Aleance moderne që u përgjigjet kërcënimeve të sotëme ndaj sigurisë, që u adaptohet sfidave të reja dhe e cila investon për të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në parathënien e raportit vjetor. Raporti shënon edhe 70-vjetorin e themelimit të NATO-s me një përspektivë historike të arritjeve dhe sukseseve të Aleancës ç’prej themelimit të saj në vitin 1949 e deri më sot, përfshirë antarësimin në NATO të ish-vendeve komuniste, dikur kundërshtare të saj.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Midis shekujsh kontraversial

March 14, 2019 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/
 
George Soros  është njënga filantropët më të mëdhenj në botë. Në listën e filantropëve Amerikanë radhitet i gjashti pas Bill Gate. Ndryshe me filantropët e tjerë, Bloomberg, Buffet, Zuckenberg, Sanford (duke mos përfshirë filantropët nëpër botë si, Princ Alwaeed Bin Talal apo ata të brezave më të hershëm si Alfred Nobel, John Rockfeller etj), dëshira e Soros  konsiston në skllavërimin e nevojës. Ai nuk nguron të ndihmojë, por ndihma duhet tëkanalizohet nështratin e kontraversit të pikëpamjeve të tij filozofike dhe politike. Duke qenë se, “filantropizmi” i tij ka njëdefinicion tëtillë, ka krijuar imazhin e garuzhdës në shumë vende të botës, përfshi këtu dhe vendin tim. Si urithi punon nëntokë për politikat e majta dhe pse filozofia e kapitalizmit  i solli pasurim  marramendës. Ai është  narcist dhe ksenoman, kontravers ky i rrallëqë  bën sojin e tij malignant përtej imagjinatës.
         Lindur nëHungari, por i shpallur“armik i shtetit”. Izraelit me origjinëpor gjithnjë në kundërvënie të politikës Izraelite duke propozuardy shtete atë Palestinez dhe Izraelit. Përkrahës i shpalljes së Pavarësisë të Dardanisë… nuk mungon qëcfurkun e djallit ta fusë në zemrën e politikës botërore, Amerikë. Teoricien i kapërcimit të krizave finaciare, Sorosit i numërohen edhe disa spekulime “të ligjshme” në adresë të disa monedhave europiane.
    Në kohën kur George W Bush, President i Amerikës ishte në garë për mandatin e dytë, e gjithë makina Sorosiane do të ngrihei në sulm kundër tij… Soros do ta quante“jetë a vdekje” largimin e Presidentit, dhe nëse e siguronte njeri se kjo arrihej, do e shkrinte gjithë pasurinë për këtë qëllim. Të njëjtën përpjekje të egër bëri dhe kundër Donald Trump, por padobi. Mjafton kjo paqyrëe shkurtër për t’ia hequr petkun falls të filantropit. 
       Filantropizmi është shkalla mëe lartëe ndërgjegjes dhe përgjegjësisëmorale që, si thirrje altruiste sakrifikon më tëmundshmen për humanizëm. Filantropizmi është ajo veprimtari konkrete që ushtrohet në shërbim të shtresave dhe individëve në nevojë, për të zbutur plagët që shkaktojnë varfëria, insuficienca e institucioneve, fatkeqësitë, dhe gjithashtu ndihmon inovacionet në shërbim të njerëzimit, jo si qëllim në vetvete,  kurth këmbimi i shpirtit me materien. 
      Nganjëherë Soros sillet si Shenjt, çfarë tregon kulmin e ironisëdhe fodullëkut, sepse të pasurit si ai, kanëpetkun e materies por jo shpirtin pelegrin të Shenjtit. Materia dhe shpirti nuk mund të bëhen kurrësimbiozëpermanente. Siddartha Gautama (Buddha), la mbretërinëe materies për të fituar pavdeksinëe shpirtit. Ai braktisi mbretërin e vogël për t’u bërë mbret shiprtëror i 540 milion njerëzve në mbarërruzull. 
         Vite të shkuara, kam shkruar kalimthi për Soros, i cili gjeti si djep agoninëe të majtës. Paratë e tija qarkulluan nën dhe e mbi dhe. Nën dhe…u financuan disa projekte biznesi të krahut të majtë, përfshi dhe politikën e majtë. Mbi dhe… u ndihmua ndonjë kopësht apo shkollë. Por, kontributi i tij më i dukshëm në vendin tonë është marketimi i disa figurave politike, të cilat, pasi e kanë përqafuar dhe përvetësuar sorosianizmin deri në detaje, po shesin asgjënë si produkt të cilësisë së parë, ndërsa realizimin e nganjëhershëm të detyrave rutinë si mrekulli, ndërsa pjesa dërrmuese e shoqërisë varfërohet  për ditë e më shumë. Tani Soros, ka shkuar dhe më larg!
     Fondacioni “Shoqëri e Hapur” i George Soros u akuzua nga Senati Amerikan, se ka ndërhyrë në zgjedhjet në Shqipëri dhe Maqedoni, duke sponsorizuar krahët e majtë. Siçdihet këto fondacione dhe pse janë pjesë  kapitalit fillestar dhe emërimit të Soros,  apo ndonjëtjetri si ai, mbahen me fondet e shtetit Amerikan, nëkuadrin e politikave të jashtme. Siç vërehet, Soros me shokë, paturpësisht shfrytëzojnëparatë e taksapaguesve amerikanë,  për egon dhe qëllimet e tyre delirante-destruktive.  
     Sipas mendimit tim, një njeri që del kundër vendit ku ka lindur, kundër vendlindjes dhe qëllimit të prindërve, që pështjellon njështet të adoptuar si nuova patria, Amerika, s’e ka për gjë të pështjellojëShqipërinë tonë të varfër, vend që u shtyp prej afro pesë shekujsh nga Turku…, 47 vjet nga komunizmi, dhe  që… akoma eksperimenton  me metastazat e tyre.
     Mos u habisni, miqtëe mi! Kontraversi përkund kontraversin, se nuk është faji i Soros, por faji i ksenomanisë tonë, që duke urryer njëri-tjetrin për vdekje, bëjmë pronar djallin në tokën tonë. Ne notojmë midis shekujsh kontraversial. Eksperimentet i bëjmë gjithnjë me të huajt dhe njerëzit e këqinj, duke mos i lënë kurrëshans promovimit të mirëve. Një idiotësi e tillë i ka kushtuar Shqipërisë dhe shoqërisë tonë rrezikun:  “To be,  or not to be …”  
         Dikur, Shkodranët e vjetër thonin: “ Mos e fut sherrin  nëSheriat se pagun…”, qëdo të thotë, mos e fut ngatërresën në rrugën e drejtë (në Kuran, mbrojtja e rrugës së fesë, rruga e vërtetë etj.), se e pëson. 
         Që të përparojë vendi ynë, duhet të shërohemi nga ksenomania dhe urrejtja ndaj njëri-tjetrit. Të duam vetveten, duke u larguar njëherëe përgjithmonënga pasqyra e thyer. 

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 431
  • 432
  • 433
  • 434
  • 435
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT