• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

2 PRILL 1991: GJAKOSNI SHKODREN !

April 1, 2019 by dgreca

“VETËM N’ FUTA E DEGERMIA…ZBUKUROHET SHQIPËRIA !”

Kështu tha Ramiz Alia…

Nga Fritz Radovani/

Armët gjakatare të terroristëve komunistë  para se me ngordhë, dita e ditës vajiseshin me gjakun e Rinisë Shqiptare të pafajshme… E gjak ma të “shijshem” se i Shkodres nuk ka!

Të parët kanë mërrijtë tek sheshi studentët e shkollës së mesme “Jordan Misja”, që ishin të ulun karrshi komitetit PPSh në barin e lulishtës, dhe porsa Arbeni, ka ardhë aty nga rruga e qendres së qytetit.., pa u afrue mirë tek studentët, asht ndigjue krizma e snajperit që e ka goditë mu në krahun e majtë, mbi kerdhokël, tue i shkaktue vdekjen në çast… Ramja e Arben Brocit në asfalt ka dhanë sinjalin, mbas të cilit u vranë Nazmi Kryeziu, 38 vjeç; Besnik Ceka, 21 vjeç; Besnik Bishanaku 22 vjeç dhe u plagosen mbi 89 vetë, listen e të cilëve e kishte atëherë Kryesia e BSPSH Shkoder… Ndonse, askush nuk ishte dhe nuk asht as sot “vrasës”, mbasi viktimat e jo “Dëshmorët e Demokracisë” ishin Shkodranë!

Prej vitit 1944 krimet e tyne janë legale, të njohuna dhe të jashtaligjëshme ashtu si ishte vetë organi i “sigurimit të shtetit” diktator që zbatonte jashta të gjitha normave njerzore e juridike vendimet e partisë komuniste. Kriminelet e diktaturës 47 vjeçare vazhdojnë me kenë “heronjë”.., edhe me “Rilindjen” sepse, edhe Kuvendi Popullor asht dakord!

Shteti Shqiptar fuqiplotë nëse vazhdon mos me dënue kriminelët apo “meritat” shumë të njohuna zyrtarisht nga organet e paligjshme të diktaturës, tue fillue nga Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe pasuesit e tyne, domethanë se, jo vetëm që Shteti sot pajtohet me ato krime të shëmtueme të komunizmit gjakatar, por edhe asht pasues i vepres së tyne.

Sot të gjitha “misteret” janë vepra të diktaturës komuniste, që mbulohen për aq kohë sa ai sistem barbar të sundojë mbi popullin e pambrojtun, ashtu si asht Populli Shqiptar, përderisa vrasësit, torturuesit, kriminelët dhe tiranët, jo vetem nuk dënohen për krimet që kanë krye dhe vazhdojnë me ba çdo ditë pasuesit e tyne, të cilët qiten e priten ndër shtetet e Europës e që ku venë kamben krenohen për “demokracinë dhe arritjet e saja”.

Koha po tregon se “ringjallja” po nxitet dhe po afron “ringjalljen e diktatorëve” të rinjë, që nuk i lanë asgja mangut paraardhësve të vet po, edhe po ua kalojnë atyne barbarë.

Populli Shqiptar nuk duhet të heshtin e as të mendojnë kurr se “armët e diktaturës” ndryshken vetvetiu, përderisa, ai të jenë pre e atyne armëve që për 75 vjet vazhdojnë me vra Bijtë e Atij Populli, që asnjëherë nuk ka pushue luftën e vet për Liri e Demokraci!

Mbi rrenojat e krimit dhe barbarizmit gjakatar nuk ndertohet kurr Demokracia!

Demokracia nuk mund të vendoset me bijtë e tradhtarëve vrastarë të djeshem e as, me matrapazat e droguem të sotem, që per dy pare akuzojnë nanat e veta per imoralitet…

Bazat e Demokracisë në Shqipni janë vendosë me kohë nga Demokratët tanë, të cilët per të Drejtat e njeriut dhe Lirinë e Atdheut, kanë dhanë edhe jeten e Tyne…

            Melbourne, 1 Prill 2019.

Filed Under: Politike Tagged With: FRITZ RADOVANI-2 PRILLI

KOSOVA FALËNDERON NATO-N

March 31, 2019 by dgreca

Nga Behlul JASHARI

-Flamuri i NATO-s, shprehje falënderimi e mirënjohje përjetësisht, ngritur edhe në gjithë ndërtesën kryesore të Qeverisë së Kosovës/

-Kosova 20 vjet Liri. 2019-ta Vit i NATO-s në Kosovë, shpallur nga Presidenti i Republikës/

-Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë/

-Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë KFOR nga pranvera e vitit 1999/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari        

PRISHTINË, 30 Mars 2019/ Një Flamur i madh i Aleancës Veriatlantike – NATO-s, shprehje falënderimi e mirënjohje përjetësisht, është ngritur në gjithë ndërtesën kryesore të Qeverisë së Kosovës te Sheshi Gjergj Kastrioti – Skenderbeu në Prishtinë.

Në 8 Janar të këtij viti, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur 2019-tën Vit të NATO-s në Kosovë.

“Në këtë vit shënohet 20 vjetori i intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, intervenim ky që kishte ndodhur pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe pas dështimit të përpjekjeve diplomatike botërore për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën”, theksonte njoftimi i dërguar nga Presidenca.

Përkujtohej se,  në 24 Mars 1999, forcat ajrore të NATO-s e kishin nisur fushatën e bombardimeve kundër caqeve të shtetit serb, që kishte zgjatur gjithsej 78 ditë, duke ndalur gjenocidin dhe sjellë lirinë për Kosovën.

“Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, theksonte Presidenca.

Këtë javë, në 26 Mars 2019, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i cili do të udhëhiqet nga ish-presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

Në Këshill do të përfaqësohen Zyra e Presidentit, Zyra e Kryeministrit, Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Protokolli i Shtetit të Kosovës.

Këshilli do të organizojë, koordinojë dhe hartojë planin e aktiviteteve të jubileut të 20 vjetorit të NATO-s në Kosovë. Me propozim nga udhëheqja e Këshillit themelohet edhe ekipi për zbatimin e planit të aktiviteteve i cili do të marr detyrat nga Këshilli Organizativ dhe do t’i raportojë këtij Këshilli.

Kryeministri Ramush Haradinaj, të enjen e 28 Marsit, në takim me ish-Presidenten, Atifete Jahjaga, u dakorduan që përkujtimi i çlirimit të vendit të fokusohet në trajtimin e ecjës së Kosovës drejt aspiratës së saj Veriatlantike, në 20 vjetorin e hyrjës së trupave të NATO-s. 

Në këtë vit – 2019-tën, festohet 20 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filluan të  hynin në Kosovë pas ndërhyrjes me aviacion duke nisur në 24 Mars 1999 fushatën ajrore 78 ditëshe të bombardimeve të caqeve të forcave kriminale serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë edhe duke i dërguar e groposur në Serbi apo duke i djegur në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve dhe dëbuar rreth një milion, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri.

Edhe pas përfundimit të luftës para 20 viteve Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

KFOR, INSTITUCIONI MË I BESUESHËM NË KOSOVË

-Presidenti Thaçi dhe komandanti i KFOR-it flasin për gjendjen e sigurisë/

 Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, këtë javë – në 28 Mars 2019, ka takuar komandantin e KFOR-it, Lorenzo D’Addario, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

“KFOR-i mbetet institucioni më i besueshëm në Kosovë, për të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, komandanti i KFOR-it, Lorenzo D’Addario, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës.

Në këtë takim është konstatuar se gjendja e sigurisë është e mirë, thekson njoftimi i dërguar nga Presidenca e Kosovës.KFOR është forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë nga pranvera e vitit 1999.

Filed Under: Politike Tagged With: BEHLUL JASHARI-NATO-KOSOVA

AlbInfo.ch censuron ambasadorin e Zvicres

March 29, 2019 by dgreca

Një medium i financuar nga Zvicra censuron Zvicrën !

Nga Elida Buçpapaj/  Përpara disa ditësh në Gjenevë, APES organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën « Quel avenir pour le journalisme ? » – “Cila është e ardhmja e gazetarisë”. Në këtë debat morën pjesë figura shumë të njohura të gazetarisë zvicerane si Christian Campiche, ish kryeredaktori i La Tribune de Genève Daniel Cornu etj.

“Kur pyes se cila është e ardhmja e gazetarisë”, e nisi fjalën e tij presidenti i APES Jean Musy, “e kam fjalën për gazetarinë e vërtetë, e kam fjalën për ata që krijojnë lajmin, informacionin sipas Nenit.1 të Deklaratës dhe të Drejtave e Detyrave të Gazetarëve, të cilët janë të obliguar ta kërkojnë të vërtetën, për shkak të së drejtës së publikut që duhet ta njohë atë cilatdo që mund të jenë pasojat dhe konseguencat për vetë gazetarin. Dhe këtë detyrim e kanë të të gjithë gazetarët: anëtarët e një redaksie, përkthyesit e pavarur, sipërmarrësit, ata që punojnë freelance apo dhe ata gazetarë që punojnë me kontrata të përkohëshme etj.”, nënvizoi Jean Musy.

Në ndërhyrjen time në këtë debat thashë se kjo pyetje nuk ka vend për gazetarinë në Ballkan, pasi gazetarinë atje e kanë vrarë klientët e politikës, ata që financohen dhe marrin çmime e ndere nga krerët e shteteve të kapura. E kisha fjalën për klientët e politikës në Kosovë dhe Shqipëri, që e kanë transformuar gazetarinë vegël në duart e politikanëve të korruptuar. Këta “klientë -gazetarë” xhepat i kanë plot dhe kanë mbështetje të fortë nga Edi Rama apo Hashim Thaçi, në marrëdhënie krejtësisht perverse dhe antiligjore dhe duke shkelur detyrimet konstitucionale të informimit të pavarur.

Njëri prej këtyre superklientëve të politikës është edhe portali albinfo.ch me qendër në Lozanë, që ka kapërdirë miliona mbështetje dhe subvencione financiare edhe nga Zvicra duke anashkaluar konkurencën e lirë si dhe shkelur Nenin 1 të të Deklaratës dhe të Drejtave e Detyrave të Gazetarëve. Jo vetëm që nuk e ka zbuluar të vërtetën por e ka varrosur atë.

Për shërbimet klienteliste ndaj politikës albinfo.ch ka përfitur mbështetje financiare edhe nga grantet që qeveritë Perëndimore çojnë në Kosovë apo Shqipëri për lancimin e gazetarisë të vërtetë! Për shërbimet klienteliste kryeministri Edi Rama e ka (sh)nderuar albinfo.ch edhe çmimin trofe të diasporës Shqiponja e Artë.

Po ju sjell një ilustrim shumë të freskët dhe eklatant se si albinfo.ch shkon deri atje sa censuron edhe përfaqësuesit e shtetit që e ka mbështetur financiarisht për të bërë gazetari me standart profesional.

Dje në Skënderaj u inagurua një ujësjellës, projekt i qeverisë së Zvicrës me vlerë rreth 1.2 milionë Euro. I pranishëm në këtë aktivitet ishte Ambasadori zviceran në Prishtinë Jean-Hubert Lebet, i cili ishte kritikues dhe i ashpër për keqmenaxhimet e pares publike dhe ndihmave që vinë nga Perëndimi. Ambasadori zviceran në fjalën e tij tha se «Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ka të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2,5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. (…) Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë se, nëse të hollat ruhen dhe nuk financojnë veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit», nënvizoi ambasadori.

I menjëhershëm ishte reagimi kundërvënës i Kadri Veselit, i pranishëm edhe ai në takim i cili, në vend që t’i reflektonte tonet kritike të përfaqësuesit të vendit që ka shpenzuar miliarda ndihma për Kosovën dhe e ushqen Kosoven me oksigjen, pasi 200 mije kosovarët që jetojnë në Zvicër dërgojnë çdo vit 5 miliarde Euro remitanca në vendlindje, përkundrazi iu bëri jehonë luftëtarëve të UÇK-së në Skënderaj prej nga e ka origjinën edhe presidenti kosovar.

Në të njëjtë valë me Kadri Veselin ishte edhe albinfo.ch që ia censuroi tërësisht fjalën Ambasadorit zviceran. (Poshtë keni videon dhe tekstin e botuar nga albinfo.ch)

“Gazetaria censuruese” e stilit të albinfo.ch, shkel mbi të vërtetën dhe manipulon opinionin, ndërkohë që subvencionohet dhe ka carta bianca në shtetet e korruptuara nga kadri veselet, edi ramët apo hashim thaçët.

Kur censurohet përfaqësuesi i Zvicrës, shtetit që kishte financuar projektin dhe që ka financuar edhe albinfo.ch, mendoni se në çfarë degrade ndodhet fjala e lirë dhe gazetaria.

Unë e kuptoj që mediat në Kosovë e Shqipëri iu binden verbërisht regjimeve dhe partive nga marrin financimet, por e shoh skandaloze performancën profesionale të albinfo.ch këtij mediumi që e zhvillon aktivitetin në Zvicër duke përfituar miliona franga mbështetje financiare nga ky vend, përfaqësuesin e të cilit e censuron.

A mund të ketë të ardhme gazetaria kur në vend të informimit të së vërtetës mediume si albinfo.ch përdorin gërshërët e censorit për ta fshehur dhe manipuluar atë ?!

Pyetja ime është retorike!

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasadori i Zvicres, Elida Buçpapaj

FUSHATËS SË GAZETES” DIELLI” I PRINË Z. EKREM BARDHA ME $ 5,000.00

March 24, 2019 by dgreca

– BEDRI LITA  RENDITET I DYTI NË FUSHATËN E DIELLI PER 110 VJETORIN E LINDJES-, DHUROI $2,000.00, SHKËLQIM MAHMUTAJ & SEVDIJE SHEHU $700.00, UKA GJONBALAJ $ 550.00, SYLË LAJQI $500.00, QEMAL & KOZETA ZYLO $400.00…

 Fushata e 110 vjetorit të Gazetës DIELLI ka gjetë përkrahës në shumë shtete të Amerikës së Veriut. Në krye të dhuruesëve është ngjitë Konsulli i nderit i Shqipëprisë në Michigan, biznesmeni Ekrem Bardha, ish botues i Gazetës Illyria, i cili dërgoi chekun me $5,000.00(Pesë mijë dollarë). Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta DIELLI i shprehin falenderimet më të thella z. Ekrem Bardha, i cili përherë ka treguar bujarinë e tij për Vatrën dhe Diellin, ashtu si për të gjithë komunitetin.

Një dhurues tjetër për fushatën e DIELLIT është edhe z. Bedri Lita, i cili dhuroi $ 2,000.00(dy mijë dollarë) për Diellin, deri të premten e 23 Marsit, ai i printe fushatës. Z. Lita e dorëzoi dhurimin e tij gjatë mbrëmjes të 13 marsit 2019, gjatë takimit të Kryetarit të Vatrës z. Dritan Mishto me Komisionin e festimeve të 110 vjetorit të DIELLIT. Nuk është hera e parë që bashkatdhetari LITA bën dhurime për Vatrën dhe Diellin. PËRHIRIME VATRANE!

     Zonja Sevdije Shehu dhe z. Shkëlqim Mahmutaj dërguan $700.00. I falenderojmë shumë!

           Ashtu si cdo vit tjetër, si në cdo fushatë tjetër,edhe në fushatën e 110 vjetorit të DIELLIT, z. Sylë Lajqi, dhuroi $ 500.00. Faleminderit bashkatdhetar.

    Një dhurim tjetër erdhi nga vatrani Uka Gjonbalaj, i cili dhuroi këto ditë $350.00 dhe po t’i shtosh kësaj shumë dhe dhurimin prej $ 200.00 gjatë Shkurtit, shuma e dhuruar prej tij shkon në $550.00(Pesëqind e pesëdhjetë), plus $100.00 për anëtarësi.Shembulli i z. Uka Gjonbalaj, është një shembull për ata që kanë por nuk dhurojnë. Faleminderit atdhetar!

     Dhurues të tjerë më të fundit: Mondi Rakaj $250.00, Kastriot Bacuku $200.00, Selaudin Erbeli $200.00, Resmi Corbaxhi $100.

KUSH I ËSHTË PËRGJIGJË FUSHATËS QË NGA FILLIMI?

– Agim Rexhaj $500.00

– Mal Berisha $200.00

– Marjana Bulku $200.00

– Nazo Veliu $200.00

– Marjan Cubi $300.00

-Frank Shkreli $200.00

– Dalip Greca $200.00

 – Sinan Kmaberaj $200.00

– Kole Prek Cacaj $ 500.00

– Pashko Camaj $ 300.00

– Ramiz Mujaj $200.00

– Zef Pernocaj $200.00

– Asllan Bushati $200.00

-Shaqir Salihu $400.00

– Hakik Mena $200.00

-Ahmet Hoti $300.00

– Ndrec Gjergji $100.00

-Zef Berisha $200.00

-Sabri Dani $200.00

– Sokol Kupi $200.00

-Lulzim Kupi $200.00

– Tomorr Selmani $100.00

– Muharrem Xhydollari $100.00

-Krenar Xhydollari $100.00

– Aleksander NILAJ $200.00

– Qemal AGAJ $200.00

– Merita B. McCormack $100.00

-Marash Mrnacaj $ 250.00

. Mark Mrnacaj $250.00

. Pjeter Mrnacaj $200.00

– Naum PRIFTI $200.00

-Pashk Maksuti $100.00

– Zef Balaj $500.00

-Isuf Selimi $150.00

– Alfons Grishaj $300.00

-Valentin Lumaj $200.00

– Tonin Mirakaj $ 500.00 (Nick Mirakaj)

– Ibrahim Kolari $200.00

– Elvina Struga $200.00

– Sotiraq Laco $100.00

– Idriz Lamaj $100.00

– Mhill Gjuraj $200.00

MESAZHI I PERSERITUR I EDITORIT

Vatranë(Ju që ende nuk i jeni përgjigjur fushatës);është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e bukur VATRA & DIELLI.

Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës
Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.
Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!
Ju biznesmenë,që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë.

DHURONI!

Fushata ende nuk ka përfunduar. Faza e parë e saj përfundon në datën 6 Prill 2019 për të vijuar më pas me kontributorët që do të ndihmojnë  në botimin e librit për 110 vitet e Historisë së DIELLIT.

Filed Under: Politike Tagged With: EKREM BARDHA-DIELLI

NE KETE BOTEN TONE TE ÇORODITUN ……

March 21, 2019 by dgreca

Shkruan: Sami Repishti, PhD.*

             “Falemnderit o Perendia e lotëve tonë të heshtun!”(Lutje e afro-amerikanëve)

Ridgefield,CT.-  Pa dyshim jetojmë në nji botë me të paprituna të përditëshme: shumica e tyne të padëshirueshme; mjaft prej tyne me karakter tragjik dhe përpjestime masive.

    Ka shumë spjegime, ka shumë përcaktime të kësaj situate të vështirë dhe të rrezikshme. Ajo që shqetëson ma shumë ashtë përdorimi i papushim i fjalës : urrejtje – nji përbuzëje e fortë e shoqënueme me vullnet të keq e dëshirë për shkatërrim! Kudo që ngjasin trazime që na shqetësojnë gjindet nji spjegim: urrejtja. Kudo që konfliktet gjakosin masat e pafajshme spjegohen me fjalën: urrejtje Përpjekjet tona me krijue nji atmosferë ku njeriu të afrohet me njeriun si vëllau me vëlla duket sikur jane fjalë pa kuptim në këte botë të çoroditun që refuzon  të mirën, që përqafon të keqen, dhe që shkatërron dalë nga dalë, por me siguri, arritjet e qytetnimeve mijëvjeçare të të gjithë kontinenteve, tue damtue randë frymën e shpresës për nji të ardhme ma të mirë….

      Ashtë tragjedia e botës sonë bashkëkohore!

     Me 15 mars 2019, diten e premte (xhuma), ditë e shenjtë për afër 1.4 miljard besimtarë myslimanë në botë, në qytetin Christchurch, Zelanda e Re, nji burrë i armatosun dhe me “camera” në kokë për fotografim, u drejtue kah Xhamia Al Nur dhe hapi zjarri me armë automatike kundër cilitdo që shikoi ose takoi ose që rastësisht i doli para. Gjashtë minuta ma vonë, ai u drejtue kah Xhamia Linëood dhe zbrazi armët përsëri mbi besimtarët që luteshin dhe kërkojshin falje e mëshirë nga Zoti, akti ma domethanës i krijesës ndaj Krijuesit. Akti i terrorit masiv u transmetue “i lirë” për të gjithë botën me u pa në mediat e informimit.

     Numri i viktimave të vramë arrijti shifrën 50 (pesëdhetë) dhe ma shumë se 54 (pesëdhetë e katër) u plagosën gjatë lutjes fetare, e tani po shërohen në spitalet e vendit. Tragjedia e nji qyteti të vogël preku zemrat e botës mbar!

     I dyshuemi u arrestue. Ai quhet B. H. T, 28 vjeçar, ekstremist supremacist i bardhë me urrejtje për emigrantët. Video-ja e prodhueme, dokumentar prej 17 minutash, ashtë rasti i parë ku nji vrasës tregon në film aktin e tij -kriminal në esencë dhe grotesk në formë,- nji dokumentacion okular i aftësisë së njeriut me zbritë poshtë, poshtë, jashtë botës njerëzore. Inhumanity! Tue folë para Parlamentit, Kryeministri Zonja Ardern shqiptoi këte sentencë  madhështore që unë respektoj sot:

    “Ai është terrorist, është kriminel, është ekstremist. Por sa herë që do të flas, unë nuk do të përmend emrin e tij. Ju bëj thirrje që sa herë të flisni të përmendni emrat e atyre që u shuan dhe jo emrin e atij që u mori jetën. Ai mund të ketë  dëshiruar të bëhet i famshëm, por për ne, këtu në Zelandën e Re, nuk do t’ia ofrojmë këte.” (VoA)

    Monumentale! Sentencë që vlen për  kriminelët e çdo kohë dhe çdo vendi!

    Vrasësi 28 vjeçar T, qytetar australian, që udhëtoi nga Australia në Zelanden e Re, nacionalist ekstrem e i vetë-shpallun, i bardhë, sot i akuzuem për vrasjet masive…..dënon “myslimanët” dhe i quen  të gjithë “emigrantët” “pushtues”, simbas nji manifestos prej afer 70 faqesh, ku elaboron “filozofinë” e tij, të nji mendje të smurë. Nji qendrim i këtill ashtë i ngjashëm me ate të Presidentit Trump të SHBA-së që quen “emigrantët” e Amerikës latine “invadues” të SHBA-së, tue nxitë kështu urrejten kundër tyne. Në fakt, krimineli quen Presidentin Trump “…symbol i sotëm i racës së bardhë….” E pabesueshme!

     Vrasësi i 50 myslimanëve dhe plagosësi i 54 të tjerëve në dy xhamitë e qytetit Christchurch, Zelanda e Re, ka udhëtue edhe në Ballkan (2016-2018) simbas Zërit të Amerikës. Në fund të vitit 2016, krimineli ka vizitue Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen dhe Kroacinë, ku ka pa vendet e fushë-betejave historike, raporton agjensia Reuter, dhe ashtë kthye përsëri në 2018. Ai ka vizitue shumë herë edhe Turqinë, dhe ka kalue atje kohë të gjatë, deklaroi nji zyrtar i naltë i qeverisë turke. Nuk ka shenime akoma në se ka vizitue Shqipërinë dhe Kosovën.

     Qyteti Christchurch, Z.eR.. ka nji bashkësi të vogël myslimane, afërsisht 1.000 persona, Në përgjithësi, vendësit e dënuen randë këte akt agresiv e kriminal. “Na dënojmë dhunën dhe urrejtjen e çdo lloji dhe bashkohemi me të gjithë të tjerët, në Zelanden e Re duke shprehur trishtim të thellë për ata që janë damtue nga nji ngjarje e tmerrshme” deklaroi Komisioni për të Drejtat e Njeriut të Zelandës së Re.“”Nuk ka vend për urrejtje në Zelandën e Re…!”

      KM i Zelandës së Re, Zja J. Ardern, tregoi naltësinë e saj shpirtënore kur deklaroi:

     ”Ata (myslimanët) kanë zgjedhë Zelandën e Re si shtëpi të tyne, dhe kjo tokë ashtë shtëpia e tyne. Ata janë né!….. Terroristët vranë njuzelandezët!”

      Në nji shkrim të botuem në The Neë York Times (16.III.2019), shkrimtari Steve Braunias, nga qyteti Te Atatu (Z. e R.) përshkruen:

     ”….vrasjet në dy xhamitë janë diçka e re për ne, diçka që nuk përputhet me ne. Ky akt ka qenë i organizuem, i planifikuem, masakër në shkallë të gjanë kundër të pafajshmëve, masakër e kryeme nga nji vrasës o ma shumë se nji, me nji kokë të mbushun me material militantësh, zakonisht nji logjikë e supremacistëve të bardhë, me frikën dhe përbuzëjen e emigrantëve…”

     Kjo urrejtje për myslimanët u theksue sidomos mbas masakres së 9 shtatorit 2011, me shkatërrimin e dy kullave të nalta në Neë York City, me afër 3.000 viktima. Unë ruej përjetë kujtimin e pamjeve televizive të viktimave që preferuen me vdekë tue kërcye nga dritaret e kateve të nalta në pamundësi largimi, e me evitue djegjen për së gjalli nga zjarri që dogji gjithçka dhe të gjithë nëpunësit e ndërtesave madhështore. E ndjeva vetën të turpnuem nga akti i nji grupi 19 terroristësh që përdorën fenë time me djegë për së gjalli afër tre mijë persona….! Mbrenda zemrës sime, fillova të ndiej nji dallim nga “të tjerët”, dhe nji nxitje me u përmirësue edhe ma shumë që të ishe i denjë për nji qenie njerëzore me dinjitet, dhe pjesëtar i nji shoqënie pa kompleksin e fajit….Me përdorë nji shprehje te shkrimtarit Omer Aziz,”…. e gjithë kjo gjendje nuk ishte me ruejtë nji lloj politike të respektit publik, por nii akt i vetë-mohimit….”.

     Masakra në Zelandën e Re fillon me ide, e perfundon me dhunë të randë, ashtë opinioni i përgjithshëm i shprehun në shtyp. Aty lexohet se krimineli që hyni ne xhami u përshëndet me fjalët: ”Mirësevjen, vëlla!” Por muslimanët janë shpesh herë të para qitun si popull luftarak, i paqytetnuem; megjithëse, e kundërta ashtë e vertetë! Nji fe që na ka dhanë qytetnimin arab për shumë shekuj nuk mund të jetë faktor anti-qytetnues! Myslimanët kërkojnë të pranohen në vende të qeta dhe të mira, me quejtë “të bardhët” që hyjnë në xhami “vëllau i im”…dhe nuk meritojnë nji përgjigje me automatik.

    Viktimët e dy xhamive në Christchurch u likuiduen jo vetëm nga nji personë plot me urrejtje, por edhe nga idetë e superioritetit racial që ekzistojnë në vend. Kështu ngjau në Quebec, Canada, ne vitin 2017, ku myslimanët u vranë me duzina gjatë lutjeve fetare. Kështu në 2018 u vranë hebrejtë në sinagogen e Pittsburgut sepse “kishin strehue ‘emigrantët’ e Amerikës latine”. Kështu ishte në Norvegji disa vjet ma parë kur nji supremacist i bardhë vrau 77 djelm e vajza të reja në kampin veror (nji vajzë ishte shqiptare). Kështu ishte në Charleston,S.C. tre vjet ma parë kur nji supremacist i bardhë vrau 9 persona gjatë lutjes, dhe priftin e tyne. Njeriu ka përshtypjen që nji patologji e urrejtjes ashtë përhapë në të gjithë botën, dhe rrezikon jetët tona çdo ditë.

    Me dhimbje duhet të pranojmë se “Islamofobia” (urrejtja për çdo gja myslimane) nuk ashtë ma nji fenomen i rastësishëm, por nji problem i ngulun thellë në shoqëninë perëndimore. Për disa dekada të gjata, bashkësia myslimane “ umma” ka qenë e detyrueme me pranue fajin kolektiv dhe dënimin nga të tjerët për aktet e nji grupi fanatikësh të aftë për terror e dhunë.  “Ne e dimë pse e kreu këte akt. Ai e bani për hakmarrje për vrasjet me kamione që myslimanët kanë ba (në Europë)” deklaroi nji racist njuzelandez….

    Definicioni i “racizmit” nuk mund të kuptohet si duhet në se jemi të pa aftë me dallue se krimi ashte krim, qofte i kryem nga ai që lutet në xhami ose në tempullin e tij. Sot, miljona qytetarë mendojnë se problemi ashtë “Islami” si fe dhe si kulturë. Kjo ka sjellë në përfundimin: në se “Islami” ashtë problemi, atëherë duhet të kemi kujdes e të ruhemi nga 1.4 miljard myslimane. Ndiqni ata, mos i lejoni me ardhë në vendin tuej, ashtu si këshillon Presidenti Trump …..Idetë krijojnë situata të damshme, sepse merren seriozisht nga shumë qytetarë. Edhe në qoftë se vetëm nji kriminel aplikon këto ide, përfundimi ashtë nji masakër.

     Ky ashte mësimi që marrim sot nga Zelanda e Re….!

    “Në se dikush sulmon nji hebre, shkruente Hannah Arendt, çdonjeni nga ne duhet të mbrohet si hebre” Kur ju sulmoheni si mysliman, ju duhet të mbroheni si mysliman. Dhe sot të gjithë jemi myslimanë- të gjithë ne që jemi të dedikuem me mbajtë të gjallë dritën e qytetnimit tonë,tolerancën e paqën tonë, shpëtimin e shoqënisë sonë nga barbarizmi primitiv i këtyne mendjeve gjysmake dhe të helmueme .” përfundon Omar Aziz., në komentin e tij.

    Ndërkaq, popullsia e qytetit Christchurch mbetet e tronditun për jetë. Kërkesë falje ndigjohet kudo. Familja e kriminelit shpreh keqardhjen e saj për këte sulm banditesk, dhe shprehen se janë “të  tronditun thellë”. Kryeministri  Ardern u zotue se “do të bahen ndryshime në ligjët për blemjen e armëve”.  Familjarët e kriminelit u drejtuen familjarëve të viktimave: ”Jemi shumë të prekun për të gjithë të vdekunit dhe të plagosunit,” tha xhaxhai i kriminelit. ”Nuk jemi në gjendje të mendojmë ndryshe e për çdo gja tjetër. Na duem vetëm me shkue në shtëpi e me u mshehë”. Gjyshja e kriminelit, 81 vjeçare, tha:” Na e kemi humbë fare. Na nuk dimë as çka të mendojmë …” Popullsia e krishtenë e qytetit hapi fondin e ndihmës dhe grumulloi mbrenda nji dite shumën prej 638.000 dollarësh për familjet e viktimave. 

    Para nji tragjedie të këtill asnjeni nga ne gjen sot forcën e duhun me mendue qart.

    Mbeten vetëm forca e lutjes dhe ndjenja e faljes së fajit….., dy qendrime që na naltësojnë!———————————————————————————————–*  Veprimtar për të drejtat e njeriut.

Filed Under: Politike Tagged With: Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 432
  • 433
  • 434
  • 435
  • 436
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT