• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA E TROJES NE AMERIKE

April 12, 2019 by dgreca

BISEDE ME AUTOREN E LIBRIT, ELENA KOCAQI/

NGA RAFAELA PRIFTI/

Sa i rëndësishëm është për ju kredibileteti juaj si studiuese?

Kredibiliteti dhe integriteti im si studiuese janë primare për mua. Unë mbaj titullin Profesor e Asociuar – Doktor e Shkencave në Universitetin Aleksandër Moisiu dhe si profesioniste vlerësoj vetëm burimet shkencore në studimin e historisë. Si amatorizmi në cështje historike, ashtu edhe injorimi i historisë nga profesionistët japin rezultate të njëjta. Në këtë rast unë e ruaj integritetin tim profesional duke iu përmbajtur burimeve dhe autorëve antikë sepse faktet historike gjenden të shkruara aty. Tri studimet e mia të mëparshme, pjesë të doktoraturës sime, për periudhën e pavarësisë së Shqipërisë dhe rolit të Austro-Hungarisë kanë shkaktuar ‘revolucion’ në studimet historiografike. Historianët i kanë vlerësuar shumë këto studime. Por kjo periudhë njihet mirë nga studiuesit gjë që dallon nga njohja e ekspertëve për periudhën e antikitetit.   

Libri Lufta e Trojës është publikuar para disa muajve në Shqipëri. Pas botimit të tij në nëntor 2018 libri u përkthye në anglisht nga një studio përkthimi në Shqipëri në fillim të marsit. Në datën 2 prill ju mbajtët një ligjëratë në Melikian Center, ASU (Arizona State University). Cili është mendimi juaj për takimin në Universitetin e Arizonës dhe interesimi i katedrës dhe audiencës për librin?

Pyetjet dhe interesimi nga ana e profesoratit fokuseshin në tema profesionale të fushës së historisë si psh lidhja gjeneologjike midis pellazgëve dhe shqiptarëve. Mbeta shumë e kënaqur nga takimi për promovimin e mendimit historik. Një prej profesorëve u shpreh se për herë të parë marrin në dorë një libër të tillë për historinë e prejardhjes së shqiptarëve. Mendoj se Akademia e Shqiperisë, Institutet dhe universitet në Shqipëri kanë mbetur mbrapa në këtë pikëpamje.    

Sipas të dhënave që sillni ju, lufta e Trojës, e cila është e datuar rreth shekullit 12 dhe 13 para erës së re, i referohet një periudhe konflikti prej tri dekadash midis grupimeve ndërlufuese ku perfshiheshin fise dhe territore, që për nga përmasat mund të krahasohet me një luftë botërore. Ku qëndron vecoria e kësaj periudhe nga pikëpamja historike? Sa e vështirë është ndarja e miteve nga faktet?

Ky është momenti më i rëndësishëm i periudhës para antike. Në dallim nga konfliktet e tjera në periudhën e antikitetit, lufta e Trojës është ngjarja më e rëndësishme për Gadishullin Ilirik dhe Azinë e Vogël dhe një pjesë të Azisë ose Lindjes së Mesme deri në Afrikën veriore pra përfshinte tri kontinente si edhe fiset dhe popullsitë e tyre. Përpara, gjatë dhe pas luftës së Trojës ka pasur lëvizje fisesh që aty paraqiten dhe përcaktohen qartë. Dhe pikërisht aty fillon manipulimi i historisë. Së dyti, lufta e Trojës është më e dokumentuara nga luftërat e asaj periudhe për këtë territor. Është me rëndësi të kuptohet se në Antikitet shpjegimi për një ngjarje historike bëhej në dy forma: në formë mitike dhe atë historike. Autorët antikë e kanë trajtuar luftën në krijime letrare ndërsa historianët si Herodoti, Tukididi, Plutarku, Straboni e kanë trajtuar nga këndvështrimi historik.

Cilat kanë qenë zbulimet e fundit arkeologjike dhe studimet antropologjike në lidhje me luftën e Trojës? Cila ka qenë metodologjia e punës suaj studimore?

Unë nuk i jam referuar burimeve moderne por si historiane kam studiuar vetëm autorët antikë si burime të para të të dhënave historike si edhe kam shfrytëzuar dokumentet arkivale në gjuhët anglisht e latinisht. Për disa terma kam krahasuar tekste të shkruara në Koinenë antike, gjuha e antikitetit sepse në përkthimet moderne jane bërë manipulime të tilla si psh është hequr termi pellazg dhe është vënë termi grek.  Vetëm te Metamorfoza e Ovidit janë tre emërtime të gabuara. Në tekstin origjinal ekzistojnë tri terma Dana, Pellazg dhe Ake ndërsa në perkthimet e mëvonshme janë zëvendësuar me termin grek. Një shembul tjetër i pasaktësive në përkthime e kam gjetur te Eneida e Virgjilit tek shprehja “Frikësohuni nga danajt edhe kur vijnë me dhurata”. Duke krahasuar tekstin latinisht, anglisht dhe shqip kam vërejtur se emërtimi danajt është zëvendësuar me grekët. Homeri tek Iliada ka përdorur vetëm dana dhe akej, nuk e ka përdorur termin helen apo grek.  Nga të dhënat e burimeve të antikitetit, danajt dhe akejt ishin fise pellazge dhe kjo sipas autorëve historianë të periudhës antike.  

Cilat ishin njohuritë tuaja të kohës antike dhe ku e keni bazuar platformën tuaj studimore? A keni gjetur autorë të tjerë që janë të një mendimi me ju? Cilat kanë qenë reagimet ndaj pohimeve të studimit tuaj? A ka pasur kundërshtime nga studiues të tjerë dhe përkatësisht historianët grek?

Si historiane unë nuk jam orientuar për të vërtetuar ose hedhur poshtë këtë apo atë tezë të ngritur apo pranuar më herët.  Duke lexuar dhe studiuar materialin për një kohë të gjatë dhe duke mbledhur të dhënat, kam formuluar argumentin në mbrojte të tezes sime të bazuar në burimet faktike se fiset që kanë luftuar si në anën trojane dhe në atë.Akeje janë të origjinës Pellazgo-Ilire, madje të lidhur ngushtësisht me territorin historik të shqiptarëve, me ilirët kryesisht dardanët dhe frigasit.

Dikti i Kretës (Dictys of Crete) i para tri mijë e dyqind vjetëve më ka frymëzuar për të bërë studimin tim. Dhe i dyti, Dares i Frigjisë (Dares of Phrygia) që është dëshmitar autentik nga krahu trojan. Pastaj kam studiuar burime të tjera dytësore e tretësore. Në lidhje me reagimet, së pari, lajmin për daljen e librit e kanë dhënë më përpara mediat greke se ato shqiptare. Greqisë i “djeg” ky studim për arsye të manipulimit të historisë. Asnjë studiues grek nuk ka dalë ta kundërshtojë. Në histori operohet në këtë mënyrë: një historian boton studimin e vet me fakte historike, dhe një studies tjetër duhet të dal ta kundërshtojë në bazë të paraqitjes së fakteve historike. Historianët grekë kanë heshtur dhe heshtja e tyre është pranim.     

Si është pritur nga studiuesit dhe historianët brenda dhe jashtë Shqipërisë studimi juaj për fiset pellazge dhe ilire? A keni punuar me njohës të lëndës në fjalë dhe a keni pasur mbështetje nga autoritete të fushës së historisë?

Në Shqipëri nuk ka historianë të periudhës së antikitetit vetëm disa arkeolog. Madje edhe në Evropë ka shumë pak studiuesë të antikitetit. Materialet që janë pranuar si burime historike janë shkruar nga studiues të Greqise në shekujt e fundit. Studimet antike historike për këtë pjesë janë të njëjta pra burimet nuk ndryshojne por interpretimi i tyre ka pësuar ndryshime kryesisht në Greqi.

Lufta e Trojës është libri juaj i tetë, të cilin jeni duke e promovuar në Amerikë gjatë dy javëve. Cili ka qenë itinerari juaj? Kush e ka organizuar vizitën tuaj ketu?

Turi ka qenë shumë i mirë. Ka filluar nga Cikago, pastaj Arizona, Florida, Uashington DC. Ka pasur interesim nga amerikanët edhe nga shqiptarët. Nju Jorku është vendi i parafundit, dhe turi do mbyllet me takimin në datën 13 prill në Boston.  

Vizitën time në Amerikë e ka organizuar një grup shqiptarësh. Aty hyjnë Shkolla Shqip e Arizonës drejtuar nga Dr. Elonia Lasku, Kjo shkollë njihet tashmë edhe si Albanian Civic Center of Arizona dhe bashkëpunon ngushtë me Albanian-American Cultural Center, Eagle of Arizona. Drejtoreshë, manaxhere dhe administratore e gjithe turit tim, z. Elonia Lasku dhe zonja Merita Kraja, në bashkëpunim me Vatrën dhe degët e saj në Florida, Uashigton, selia në Nju Jork ku do shkoj sonte dhe Boston. I falenderoj drejtuesit e Vatrës për përkrahjen e tyre si institucion sepse mbështetja e shoqatave është e rëndësishme. Vatra ka një vend të vecantë në historinë tonë për shkak të rolit të saj në shpëtimin e Shqipërisë vecanërisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Për pjesën e vizitës në Cikago dua të falenderoj përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në Illinois, z. Zhaneto Arusha, i cili ishte përgjegjës për organizimin e takimit atje.

Pas intervistës sonë ju do të keni takimin në selinë e Vatrës në Bronks. Bisedën tonë e mundesoi Dr. Elton Mara, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues të Vatrës dhe vatran i brezit të tretë. Cili ka qenë roli i tij në vizitën tuaj të parë në Nju Jork dhe njohjen me komunitetin shqiptar këtu?

Dr. Mara është përgjegjës për qëndrimin tim në Nju Jork dhe është kujdesur për gjithë aspektin logjistik të vizitës. Kjo është hera e dytë që vij në Amerikë pasi kam vizituar Arizonën vjet, por kjo është vizita ime e parë në Nju Jork. Mendoj se shoqatat dhe mediat në komunitetin shqiptar mund të jenë më të koordinuara dhe më aktive në veprimtaritë e tyre.  
Ju falemnderit dhe mirupafshim në takimet e ardhshme!       

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti-Eleni Kocaqi

Kaosi dhe pervesiteti qeverisës “Ha, Grabit, Ik”! 

April 12, 2019 by dgreca

Nga Dritan Demiraj/

Siguria kombëtare është arsyeja e parë e ekzistencës së Shtetit. Grabitja me datën 9 Prill 2019 në Aeroportin e shenjëtores “Nënë Tereza”, tregoi se ku është katandisur Siguria Kombëtare e Republikës së Shqipërisë si anëtar i NATO-s, duke marrë një goditje fatale besimi tek partnerët tanë perendimor dhe jo vetëm. 

Është sfiduar, turpëruar, sfilitur dhe shpartalluar një nga vendet më të sigurta në vend, ku çdo vend i pavarur pasqyron elementet e sigurisë dhe prezencën e funksionimit të shtetit serioz. Kjo ngjarje me siguri do të ngelet sërisht pa përgjegjës real, por do të mjaftohet me ndonjë “kokë turku” duke shpall një “armik”, apo ta përcjellë fajin diku gjetkë tek koncesionari dhe vetë mjaftohet të justifikohet si gjithmonë dhe për çdo gjë, se “shteti reagoi dhe ne nuk jemi si të tjerët…”, “kemi bërë shumë, por kemi akoma më shumë për të bërë” siç ishte rasti i skandalit tek unaza e re….!!! 

Pra mesa duket, Qeveria Pink u paska dhanë kinezëve me konçesion, jo vetëm aeroportin, por edhe Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë.
Kjo është realisht fatkeqësi, ku Siguria Kombëtare është dhënë me koncesion nipërve të Mao Ce Dunit, duke kujtuar kohët e paraardhësve të këtyre që na qeverisin, për të na mbrojtur nga imperialistët e revizionistët, “motrën e vogël” Shqipëri!! 

Në rastin e qeverisjes së socialistëve këto vite të demokracisë, ka rënë poshtë dhe teoria e propabilitetit, pasi nuk janë rastësi që sa herë qeverisin kjo “racë politike”, përveç krimeve, korrupsionit shtetëror, ndodhin vjedhje galopante shtetërore dhe kriminale si psh vjedhja e thesarit të bankës qëndrore, vjedhje 5 herë në zonat më të sigurta të vendit nëpërmjet kompanive të sigurisë private ku pronarët e tyre janë në nivelet drejtuese më të larta të PS-së si Safet Gjici etj…, të cilët kanditohen për t’u zgjedhur dhe shpenzuar parat e vjedhura për të blerë votën e fukarenjve në mënyrë mafioze. Këto skenar do t’i kishte zili edhe Holliwoodi, por regjizori Rama, skenaristë ministrat e tij të brenshëm dhe producente Kodheli, kanë ndërmend të ngrenë lart emrin e kinematografisë “Shqipëria Pink”!!! Këta janë fanatik dhe pasionant te thënies të Leninit; “Një horr mund të jetë i dobishëm për partinë edhe duke qenë horr. Në polikë morali nuk ekziston; nuk ekziston asgjë përveç arritjes së rezultatit”.

Siguria e Aeroportit nuk është vetëm detyrë e koncesionarit që mundohen të përcjellin tellallët e qeverisë, por përgjegjësi reale të një shteti të përgjegjëshëm nëse do të kishim! Mirëpo në Shqipëri nuk ka qeveri të përgjegjshme, ka banda që grabisin në çdo vend, por ka edhe banda që përfaqësohen në qeveri! Nga tellallët qeveritar në momentin kur nënshkruan kontratën me koncesionarin ishin “Azgan”, ndërsa sot ku është zënë ngushtë qeveria nga skandali janë “pehlivan”, duke u mburrur se do marrë masa nga më ekstremet për kompaninë koncesionare, pasi tani “nuk mban më ujë pilafi kinez”, thua se nuk kishte raste të tjera për të marrë masa!!! Nuk kuptohet se kujt duhet ti ankohen në këto momente kjo qeveri e papërgjegjshme! 

Shqiptarët ju kanë “votuar” që të qeverisni dhe jo të “qyravisni” në këto momente ku siguria kombëtare e Shqipërisë ka performancën e “brekëve të Shukriut dhe Shukrinjëve”!!! 
Në datën 2 Shkurt 2011, Qeveria Shqiptare ka ngritur Komitetin Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, i cili është i ngarkuar edhe për sigurinë e Aeroportit “Nënë Tereza”. Me Vendim të Kryministrit Rama Nr.752, datë 13.12.2017, ka qenë i emëruar jashtë detyrës funksionale z. Sandër Lleshi si Kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe shumë titullarë të institucioneve shtetërore.

Pse ky Komitet Kombëtar nuk bën transparencën e dokumentave që vërtetojnë problematikat, rekomandimet dhe informimin e institucioneve kushtetuese për gjendjen e sigurisë?. Paradoksi është se, ai sot ndodhet në detyrën e Ministrit të Brendshëm, si ish-Këshilltar për Sigurinë i Kryeministrit dhe megjithëse sipas tyre janë njohur me problematikat, nuk morën masa nëpërmjet kopetencave ligjore funksionale të zbatoheshin detyrimet nga koncesionari dhe Policia e Shtetit, apo eksperienca e mëparshme me rastin e kanabizimit të të gjithë vendit, i kishte bërë më të vetëdijshëm që të justifikonin urdhërat e “sulltanit” ?!! 

Por realiteti është se lidershipi i MPB po e transformon Policinë e Shtetit në një trupë që i shërben propagandës politike duke zbatuar çdo urdhër që i jep “Sulltani shtatlartë” pavarësisht kostos! Merr kurrajon e tepëruar dhe etiketon opozitën si parti antiparlamentare dhe parapolitike si dhe protestuesit si të verbër!!!

Prioriteti i punës së Policisë në këtë kohë është: përgjimi dhe ndjekja e eksponetëve të opozitës, krimet kundër popullsisë civile të cilët mbrojnë pronat dhe djersën e 29 viteteve emigracion, të cilët kanë ndërtuar një “kasolle” për të jetuar, përdorimi i gazit helmues kundër fëmijëve, grave shtatzëna, pleqve dhe çdo njeriu që shpreh një pakënaqësi kundër horrave qeverisës, mbrojtja dhe fshehja e bandave dhe krimit të organizuar si dhe ruajtja dhe sigurimi i tregut e parcelave me kanabis që kanë filluar të rimbidhen në çdo vend të Shqipërisë! 

Titullarëve të policisë kanabiste, u duhet bërë e qartë që do të shkojnë në burg nesër me veprimet dhe operacionet e paligjshme kriminale që po ndërmarrin, kur në Shqipëri të zbatohet ligji i ndëshkimit për gjithë këto “zombie”. 

Gjithmonë kam shprehur respekt, mbështetje dhe inkurajim për të gjithë antarët e ndershëm të Policisë së Shtetit të cilët me përkushtim e ndershmëri, të keqpaguar, të keqpajisur dhe me halle të mëdha familjare përballen çdo ditë me elementë kriminal, të cilët kanë mbështetjen politike të bandës kryesore kriminale politike “Rilindje”.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

PROF.DR. ELENI KOCAQI, TE ENJTEN NË VATËR

April 9, 2019 by dgreca

PROF. DR. ELENI KOCAQI DO TË PREZANTOJË NË VATËR LIBRIN ” LUFTA E TROJES,LUFTE PELLAZGO-ILIRE” 

Njoftojmë vatranët dhe Komunitetin se të Enjten, 11 Prill 2019, në Orën 6 .P.M. në Vatër do të jetë e pranishme për të vizituar Vatrën Prof. Eleni Kocaqi, e cila do të prezantojë librin e saj “Lufta e Trojës, Luftë Pellazgo-Ilire”, që deri tani është prezantuar në disa shtetet të Amerikës së Veriut, ku jetojnë shqiptarët dhe pas Nju Jorkut do të vijoi me shtete të tjerë.

Libri është interesant dhe tenton të hedhë dritë mbi Luftën e Trojës nga konteksti historik, duke u bazuar tek të dhënat që japin autorët antik.  Lufta e Trojës është trajtuar nga të gjithë autorët antik, te cilët e kanë konsideruar një ngjarje të tillë, si absolutisht të padiskutueshme. Por cfarë të rejash sjell Kocaqi? Ejani të Enjten në VATËR.

Filed Under: Politike Tagged With: ELENI KOCAQI

AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT KTHEN PËRGJIGJET E TË INTERESUARËVE NË VATËR

April 8, 2019 by dgreca

– Kush pret përgjigje për formularë e plotësuar ose kush është i intersuar për plotësim formulari, mund të vijë të Martën, 10 Prill 2019, në Orën 10.A.M. në VATËR.

        Sot, e Hënë 8 Prill 2019, Drejtori i Drejtorisë së Informacionit z. Selami Zalli në Institucionin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, ishtë në zyrat e VATRËS dhe u takua me të interesuar për informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të shtetit për vete dhe të afërmit e tyre. Disa nga personat që kishin plotësuar formularët për informim dhënë nga Autoriteti i Dosjeve në takimin e përbashkët të organizuar nga Vatra me 27 Nëntor 2018 në Royal Regency në Yonkers, i morën sot përgjigjet e firmosura nga Autoriteti i Dosjeve:

Zonja Gentiana Sula-Kryetare

-Altin Hoxha-Anëtar

Marenglen Kasmi-Anëtar

Simon Miraka -Anëtar.

 Sot morën zarfat me materialet e informimit : Sokol Paja, Mark Mrnacaj dhe Editori i Diellit, Dalip Greca.

Po ashtu u paraqit për informim edhe zonja Drita Carcani dhe persona të tjerë.

Z. Selami Zalli njofton të interesuarit se ai do të jetë sërish nesër që nga Ora 10.00 A. M. në Vatër për të kthyer përgjigjet që ka sjellë nga Tirana.

Po ashtu njoftohen të interesuarit që kërkojnë të plotësojnë formulaër për t’u informuar për afërmit e tyre ose veten , apo Formular për qëllime kërkimore-shkencore,(Media ose studiues) mund të vijnë t’i plotësojnë nesër, e Martë, 10 Prill 2019, që nga ora 10.00 A.M.

Filed Under: Politike Tagged With: SELAMI ZALLI

GAZETA “DIELLI”, NJËQIND E DHJETË VJET, NJË EPOKË PËRTEJ SHEKULLIT

April 3, 2019 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI*/

Gazeta “Dielli ” u themelua nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra” në Boston më 1909, kur Shqipëria ende ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Gazeta “Dielli” është dhe mbetet gazeta me jetëgjatësi më të madhe nga të gjitha gazetat dhe publikimet tjera të botuara në gjuhën shqipe në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare. Një gazetë që i dha frymë shqiptarizmit, aq sa është jeta e saj sot. Vetë emri i saj simbolizon dritën, kundër errësirës.

          Sivjet kjo gazetë po kremton 110 vjetorin e saj në rrethana krejt tjera nga atëherë kur u  botuan numrat e parë të saj nga dy intelektualët më të mëdhenj atëherë e sot, Fan Noli dhe Faik Konica.

Gazeta “Dielli”, si organ i “VATRËS” që në fillim të daljes së saj në dritë, u bë zë i fuqishëm i atdheut dhe i shqiptarëve kundër pushtimit të Perandorisë Osmane, duke nxitur e motivuar shqiptarët të bashkoheshin në një kauzë të përbashkët për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. Nga Bostoni i SHBA, kjo gazetë ringjalli fuqishëm idetë e Rilindjes Kombëtare në një kohë ku në atdheun tonë mbretëronte një terr i plotë dhe ishte ndaluar çfardo letre e publikuar në gjuhën shqipe.

Kontributi i “Diellit”, përmjet shkrimeve të Fan Nolit, Faik Konicës, Çekrezit, Panaritit dhe intelektualëve të tjerë që vepronin në Boston, ku ishin të përqëndruar shqiptarët e ardhur nga atdheu, për kohën ishte i pazëvendësueshëm që edhe shqiptarët, të fundit në Ballkan, të fitonin lirinë dhe pavarësinë. Kjo ëndërr e hershme e shqiptarëve, u realizua në vitin 1912, kur në Vlorë u ngrit Flamuri ynë i bukur dhe Shqipëria filloi të bëhej. Kjo ëndërr e madhe e shqiptarëve u përgjysmua në Konferencën e Londrës më 1913, ku jashtë Shqipërisë, mbetën gjysma tjetër e territoreve shqiptare bashkë me Kosovën që sot ka pavarësinë.

          Gazeta “Dielli”, si organ i VATRËS, kishte reaguar ashpër kundër fuqive të mëdha rreth copëtimit të Shqipërisë, ku tokat shqiptare pa të drejtë iu kishin dhuruar shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Kjo gazetë kishte luftuar për çdo pëllembë tokë të krahinave të shumta shqiptare, duke ngritur zërin edhe në Konferencën e Versajës më 1919, kundër projektitimit famkeq, sidomos të Rusisë, që edhe Shqipëria Londineze të copëtohej dhe t’u jipej serbëve dhe grekëve. Këtë tragjedi të projektuar kundër shqiptarëve, e shpëtoi presidenti i SHBA,  Thomas Woodrow Wilson.

 Në këtë kontekst dëshiroj t’ them dy fjalë për mikun tim, biznesmenin dhe veprimtarin e VATRËS dhe të gjithë shqiptarëve, z. Anthonio Athanas, i cili ishte edhe bashkëpuntor i Nolit e Konicës.  Zoti Athanas ka qenë një figurë shumë e respektuar nga të gjithë shqiptarët në Amerikë, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet tona, si dhe nga shumë amerikanë. Ka ndihmuar Shqipërinë në të gjitha krizat e saj.  Ka mbështetur edhe Kosovën, kur u hap çështja e saj për liri dhe pavarësi. Restoranti i tij ka qenë një Ambasadë shqiptare, derë e hapur për miqtë tanë. Ai, ishte njëurëlidhës me administratën në Washington dhe kishte influencë në qeverinë amerikane, nga që kishte një lidhje të ngushtë me presidentin Kennedy dhe vëllezërit e tij.

Restorantin e tij e kanë vizituar edhe shumë kryetar e personalitete të vendeve të ndryshme të botës.

 Anthonio Athanas ishte edhe mentor i imi.

          Gazeta “Dielli” dhe gazeta “Illyria”, kjo e fundit e themeluar në vitin 1991 kanë ngajshmëri, ndonëse janë themeluar në kohë, kushte dhe rrethana të ndryshme. Këtu ka një koincidencë, e para doli vetëm tri vjet para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ndërkaq e dyta 8 vjet para se Kosova të fitonte lirinë në luftën e fundit në Ballkan.

Siç dihet gazeta “Dielli” ushtroi influencë të madhe në afirmimin e çështjes kombëtare për liri dhe pavarësi dhe njëherësh nuk la anash imperativin e konsolidimit të të shtetit demokrtik shqiptar, i cili kaloi nëpër një rrugë tejt të vështirë krizash.  Në këtë mënyrë ishte edhe me gazetën Illyria, e cila u parapriu ngjarjeve të bujshme deri në fitimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kundër Serbisë. Roli i të dyjave ka qenë i pazëvëndësuseshm për krijimin e opinionit tek administrata amerikane dhe populli amerikan.

Këto dy gazeta shërbyen si një urë lidhëse në mes shqiptarëve të Amerikës dhe shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Gjithashtu kontribuan edhe në forcimin e marrëdhënieve të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit me administratën amerikane.

 “Dielli” ka demaskuar ideologjinë komuniste dhe ka ndihmuar rrëzuarjen e diktaturës së Enver Hoxhës që për 50 vjet kishte groposur Shqipërinë. Ka mbështetur parezervë pluralizmin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.

Vlerat e gazetës “Dielli” dhe kontributi i saj në ngritjen e çështjes kombëtare dhe të kulturës shqiptare për 110 vjet të shkuara, nuk kanë karahasim me ndonjë publikim tjetër në gjuhën shqipe as në atdhe dhe në diasporën shqiptare, sepse kjo u mbijetoi të gjitha furtunave që për mendimin tim është një mrekulli e rrallë që do t’i kishin lakmi edhe komunitetet tjera të shumta në SHBA. Kjo mbijetesë e kësaj gazete është meritë e komunitetit tonë, atëherë para 100 vjetësh dhe sot pas 100 vjetësh, me VATRËN si organ i saj.

          Gazeta “Dielli” përmjet editorëve të saj ka përcjellë idetë kombëtare të një brezi tek brezi tjetër, duke ruajtur kontinuitetin e saj deri në ditët e sotme, me editorin e tashëm, Dalip Greca, i cili  me punën e tij ka vazhduar traditën e saj kombëtare, fizionominë dhe mos lënien në harresë të figurave intelektuale që vepruan në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan për këto 110 vjet.

Kur filloi të dalë gazeta “Dielli” ishim në luftë për të krijuar Shqipërinë, e sot pas 110 vjetësh kemi dy shtet shqiptare: Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe një konsolidim të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.

          Emëri i Ekrem Bardhës që ka jetë të gjatë në SHBA lidhet me të gjitha Lëvizjet kombtare që u organizuan në komunitetin tonë. z. Bardha pas meje mori në dorë botimin e gazetës “Illyria” dhe mund të them se ka qenë dhe mbetet një figurë e rëndësishme në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. Ai, për 60 vjet me radhë, ka dhënë një kontribut të çmueshëm për çështjen kombëtare, me veçanti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me z. Bardha, Anthonio Athanas dhe me një grup të shqiptarëve të Amerikës, menjëherë pas luftës vizituam Kosovën e lirë. Ky fakt flet për atdhedashurinë e madhe të tyre. Me ne ishte edhe kongresmeni amerikan, miku ynë Eliot Engel.

Do të doja dua të përshendesja edhe botuesin e sotëm të gazetës “Illyrias”, Vehbi Bajramin që vazhdon ta mbajë këtë gazetë, e cila po bën jetë prej tri dekadash.

Shkrimin tim, me rastin e 110 vjetorit të gazetës “Dielli”, do ta përfundoja me një konstatim: “Dielli” ka një biografi shumë të pasur, me një histori të gjatë kombëtare dhe me një thirrje të përhershme që së bashku të veprojmë për interesin e përgjithshëm të atdheut, ashtu si bënë Rilindasët tanë.

*Autori është biznismen dhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria

Filed Under: Politike Tagged With: harry bajraktari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 431
  • 432
  • 433
  • 434
  • 435
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT