Nga Behlul JASHARI
-Flamuri i NATO-s, shprehje falënderimi e mirënjohje përjetësisht, ngritur edhe në gjithë ndërtesën kryesore të Qeverisë së Kosovës/
-Kosova 20 vjet Liri. 2019-ta Vit i NATO-s në Kosovë, shpallur nga Presidenti i Republikës/
-Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë/
-Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë KFOR nga pranvera e vitit 1999/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 30 Mars 2019/ Një Flamur i madh i Aleancës Veriatlantike – NATO-s, shprehje falënderimi e mirënjohje përjetësisht, është ngritur në gjithë ndërtesën kryesore të Qeverisë së Kosovës te Sheshi Gjergj Kastrioti – Skenderbeu në Prishtinë.
Në 8 Janar të këtij viti, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur 2019-tën Vit të NATO-s në Kosovë.
“Në këtë vit shënohet 20 vjetori i intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, intervenim ky që kishte ndodhur pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe pas dështimit të përpjekjeve diplomatike botërore për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën”, theksonte njoftimi i dërguar nga Presidenca.
Përkujtohej se, në 24 Mars 1999, forcat ajrore të NATO-s e kishin nisur fushatën e bombardimeve kundër caqeve të shtetit serb, që kishte zgjatur gjithsej 78 ditë, duke ndalur gjenocidin dhe sjellë lirinë për Kosovën.
“Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, theksonte Presidenca.
Këtë javë, në 26 Mars 2019, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i cili do të udhëhiqet nga ish-presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
Në Këshill do të përfaqësohen Zyra e Presidentit, Zyra e Kryeministrit, Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Protokolli i Shtetit të Kosovës.
Këshilli do të organizojë, koordinojë dhe hartojë planin e aktiviteteve të jubileut të 20 vjetorit të NATO-s në Kosovë. Me propozim nga udhëheqja e Këshillit themelohet edhe ekipi për zbatimin e planit të aktiviteteve i cili do të marr detyrat nga Këshilli Organizativ dhe do t’i raportojë këtij Këshilli.
Kryeministri Ramush Haradinaj, të enjen e 28 Marsit, në takim me ish-Presidenten, Atifete Jahjaga, u dakorduan që përkujtimi i çlirimit të vendit të fokusohet në trajtimin e ecjës së Kosovës drejt aspiratës së saj Veriatlantike, në 20 vjetorin e hyrjës së trupave të NATO-s.
Në këtë vit – 2019-tën, festohet 20 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filluan të hynin në Kosovë pas ndërhyrjes me aviacion duke nisur në 24 Mars 1999 fushatën ajrore 78 ditëshe të bombardimeve të caqeve të forcave kriminale serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë edhe duke i dërguar e groposur në Serbi apo duke i djegur në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve dhe dëbuar rreth një milion, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri.
Edhe pas përfundimit të luftës para 20 viteve Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
KFOR, INSTITUCIONI MË I BESUESHËM NË KOSOVË
-Presidenti Thaçi dhe komandanti i KFOR-it flasin për gjendjen e sigurisë/
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, këtë javë – në 28 Mars 2019, ka takuar komandantin e KFOR-it, Lorenzo D’Addario, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
“KFOR-i mbetet institucioni më i besueshëm në Kosovë, për të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa, komandanti i KFOR-it, Lorenzo D’Addario, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës.
Në këtë takim është konstatuar se gjendja e sigurisë është e mirë, thekson njoftimi i dërguar nga Presidenca e Kosovës.KFOR është forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë nga pranvera e vitit 1999.