• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lahuta në UNESCO dhe ç’ka po thotë Gjergj Fishta ?

December 6, 2018 by dgreca

1 Lahuta e Malcis

Shkruan: Gëzim Llojdia/

1.Lajmi se lahuta kjo vegël muzikore e përdorur në veri të vendit është njohur nga UNESCO, jo si pasuri më qartë jo si vegël muzikore  e shqiptarëve,cuditërisht dhe e vërtetë , por e serbëve ,po na bën të dyshojmë për shumë gjera që ndodhin ,kur të tjerët nxitojnë të marrin mallin tonë ,ta shesin si produkt të gatshëm të tyre.Ata ardhacakët  diku nga Karpatet ,falsifikuan historinë kur shqiptarët këmbëkryq rrihnin gjoksin se këtyre burrave, s’ka kush me ua hedh  treguan edhe një herë se  c’farë janë në gjëndje të bëjnë, kur fqinjët ende vijojnë të tregojnë legjenda dhe balada historike rreth trimërisë së tyre, ndërsa serbët ua shkojnë ndën hundë   sa herë që kanë dashur ta bëjnë.E kujt është përgjegjësia?Duhet kuptuar se UNESCO, nuk e futi,shtetin e Kosovës në gjirin e saj, dhe se  pasuriae arkeologjike  e këtij shteti gjëndet ende nëpër muzeumet serbe është një fakt për të kuptuar ,se puna nuk është kaq e thjeshtë.Fqinjët ardhacakë vepruan kështu kur më parë penguan Kosovën në këtë organizatë me lobimet e tyre dhe pas kësaj vendosin, lahutën veglën, që i kanë kënduar kahmotit shqiptarët si  të tyren por edhe ballkanas të tjerë.

2.N.qs  flasim për UNESCO duhet kuptuar se megjithëse Shqipëria është  aty prej 30 e kusur vjetësh ,ajo nuk ka mundur dot të fusë në listen e ruajtjes jo më shumë  se dy site.ja se se cfarë ka të regjistruar në listën ku përfshihet Shqipëria.Albania:

Cultural (2)Butrint (1992,1999).Historic Centres of Berat and Gjirokastra (2005,2008)

Si dhe  në listën e pritjes jo më shumë se site:Les tombes de la Basse Selca (1996)

L’amphithéâtre de Durres (1996),The Ancient City of Apollonia (2014),The Castle of Bashtova (2017).

Le të shikojmë Serbinë.

Rreth 5 site :Cultural (5)Gamzigrad-Romuliana, Palace of Galerius (2007)

Medieval Monuments in Kosovo (2004,2006) Monumentet mesjetare në Kosovë

Stari Ras and Sopoćani (1979),Stećci Medieval Tombstone Graveyards (2016),Studenica Monastery (1986).

Si dhe  në listën  e pritjes  rreth 12 site.

Cdo sqarim është i tepërtë.Ne jemi më të hershëm, po të lexosh në sitin e UNESCO  nga antarsimi dhe pasardhja e konvetës ,mirëpo fqinjët edhe pse ardhur më vonesë edhe këtu, janë kanë dalur të  vendosin jo më pak  5 site  si dhe rreth 12 site në listën e pritjes,karshi 4 të shqiptarëve që edhe në këtë fushë janë të parët në hyjre dhe të fundit në dalje.

3. Po të dëgjonte këtë gjëmë poeti kombëtar Gjergj Fishta do të rrotullohej në varr, mirëpo duke ditur, që poeti ynë  s’ka varr dhe shqiptarët ende e kanë lënë edhe pa një shtëpi muze ,  cfarë mbetet të themi.Rreth 32 vjet punoi Fishta , për të nxjerr në dritë kryeveprën e tij :” Lahuta e Malcís”  e shkroi në 1902 e botoi  në 1905,variant i fundit është i vitit     1937.Edhe pse e mohuan për 50 vjet ,vet titulli i këngëve epike të Fishtës është kuptimplote. Jo vetëm këtu por krejt cikli I Krshnikëve dhe më tej e emë gjerrë është kënduar me lahutë .Lahuta  thotë R.Sokoli në veprën e P. Bogdanit “Cuneus Prophetarum”: ‘..ata që kënduekshin ndë mjedis të vashzavet e rasa të laudeve…ka edhe dëshmi të tjera për përdorimin e saj në Kosovë. Dardan Lajçi, shkruan:” Lahuta përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian. Lahuta është e ngritur edhe në shkallë kulti. Kulti i lahutës në familjen shqiptare është i përhapur, ashtu siç ekziston një respekt shenjtërues për këngët e kreshnikëve. Lahutarët i këndojnë këto këngë në dasma, në gazmende, në festa dhe në raste të tjera gëzimi, si dhe në mbrëmje, kryesisht gjatë stinës së dimrit. Dëgjuesit kanë respekt të veçantë për lahutarin, sidomos kur ai këndon. Qetësia është në shkallë të lartë, e kur lahutari e përfundon këngën, e urojnë e përgezojnë me fjalët “ Goja të lumtë!” ose “Djalit ia laç!” dhe ky është shpërblimi i vetëm dhe më i madhi për ta. Në lahutë vendosen zburime me karakter kombëtar si dhe figura si përkrenarja e Skënderbeut, koka e kalit, koka e gjarprit, flamuri dhe portrete të heronjëve shqiptar.

Dhe duke paralajmëruar harresën ndaj saj ky socilog  nga Rugova thotë : Megjithatë, brezi kufitar i Shqipërisë me Kosovën, Mirdita lart, fisi Kelmend, aty-këtu po e përdorin. Lahuta, megjithatë, do të mbetet ndër instrumentet më popullore në traditën më të madhe ndërshqiptare, sepse përmes tingullit të saj është ngjallur historia shqiptare. Këngët shqiptare të Eposit të Kreshnikve janë monument i kuturës shpirtërore të shqiptarët.Prof Ramadan Sokoli thotë:Në Shqipërinë Veriore lahutë quhet një vegël muzikore me një kordë,prej qimesh kali,së cilës i bihet me hark; ndërsa në Shqipërinë jugore llahutë quhet një vegël tjetër e gjinisë kordofone,e pajisur me katër palë tela,të cilëve u bihet me pendëz. Pra,pavarësisht nga emri i përbashkët,kemi të bëjmë me dy vegla të ndryshme si për ndërtimin e tyre,ashtu edhe për mënyrën e përdorimit, veçoritë e tingëllimit,prejardhjen ose historikun e tyre etj. Pa u zgjatur rreth burimit dhe ndryshimeve që ka pësuar ky emer gjatë kalimit të kohës,në këtë shkrim do të ndalemi kryesisht rreth lahutës së Shqipërisë veriore.Malësorët tanë e përdorin me ëndje këtë vegël dhe e dëgjojnë me vëmendje kur shoqëron këngët e trimërisë nga epika jonë historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare. Lahuta përdoret në ato krahina të Shqipërisë Veriore ku këndohen këngët e kreshnikëve,domethënë nëpër trevat mbi lumin Drin. Nepërmjet shtegëtimeve blegtorale të malsorëve tanë kjo vegël ka zbritur deri në jugun e Lezhës. Kurse nepër krahinën e Matit e të Dibrës nga njëra anë deri në rrethin e Krujës e nepër malësitë e Tiranës nga ana tjetër, përdoret një variant i lahutës (“laurija”) me dy,tre ose katër tela,të cilët nxjerrin tinguj nëpërmjet fërkimit me hark. Një vegël e tillë përdoret gjithashtu nga arbëreshët e Greqisë.Përhapja gjeografike e këtyre dy veglave nuk është e kufizuar vetëm nepër krahinat e Shqipërisë Veriore dhe verilindore.

Pa u zgjatur më tej përse sërbet na e morën  dihet, por përse nuk u mbrojt kjo pasuri e jona duhet gjetur faji?

Filed Under: Politike Tagged With: Gezim Llojdia, Gjergj Fishta, Lahuta në UNESCO dhe ç’ka, po thotë

FIGURA VIGANE E SKENDERBEUT

December 3, 2018 by dgreca

BOTUAR 40 VJET MË PARË NË GAZETËN- DIELLI, 15 SHKURT – 16 MARS, 1978/

1 Idrizi

NGA IDRIZ LAMAJ/

        Në veren e vitit 1977 u mbushen 115 vjet qekur poeti dhe shkrimtari i njohur maqedon, Grigor Perliçev, kurorëzoi veprimtarinë e tij letrare me një poemë të shkelqyer historike prej afër 3800 vargjesh.  Poema mban titullin “Skenderbeu” dhe ka ngel e panjohur deri me 1950, kur dorëshkrimi i saj, origjinal në gjuhën greqisht, iu dorëzue Bibliotekës shtetërore “Vasil Kollarov” në Sofje të Bullarisë.

Edhe pas zbulimit të këtij dorëshkrimi me rëndësi të veçantë, kaloi një kohë e gjatë derisa i hyri punës serioze, shkrimtari i njohur bullgar, Hristo Konov, i cili bëri përkthimin e parë të kësaj vepre në gjuhën bullgare. Më vonë, vepra në vetvete zgjoi kureshtje për përkthim edhe te studiuesit e kritikës letrare maqedone, në republikën e Maqedonisë në Jugosllavi.

Me këte vepër të rrjedhshme poetike, e cila provon qendresën heroike dhe  rritjen historike të Kombit shqiptar me Skenderbeun në krye, Grigor Perliçev mori pjesë në konkursin për poemën më të mirë në gjuhën greqisht, me 1862.

Por, “…plot nëntdhjetë vjet mbeti i panjohur fati i kësaj poeme, e plotë një shekull brendësia e sajë…”, shkruen paraqitësi dhe përkthyesi i poemës në bullgarishtë, Hristo Konov.

Një shkrimtar tjetër bullgar, kritiku dhe letrari i njohur Aleksander Milev, njohës i thellë i jetës dhe veprave të Perliçevit, në një koment që i bëri poemës “O Armatollos”, e cila fitoi çmimin e parë në një konkurs letrar me 1860, lenë për të kuptur se poema “Skenderbeu” nuk e fitoi çmimin në konkursin e vitit 1962 për arsye politike. Poema “O Armatollos”, njëra prej veperave poetike më të përsosura letrare të Perliçevit, bënë fjalë për Serdarin e njohur maqedonas, Kapidanin Kuzman, të cilin e vranë kaçakët e Gegëris.

Dy kritik dhe përkthyes të njohur maqedon, Gregori Stalev dhe Mihail Petrusevski (ky i fundit thonë se ka bë një përkthim dinjitoz të poemës “Skanderbeu” në gjuhën maqedone), shkojnë edhe më larg.

        Të dytë mendojnë se poemen “Skenderbeu”, poeti e paraqiti në konkurs në një kohë jo të favorshme, sepse në atë kohë,  kleri shovenist i Kishës greke “…bënte propagandën e deshprimit për helenizimin e të gjithë Ballkanit…”. Prandej, një vepër e tillë si kjo (është fjala për poemen “Skenderbeu”, IL.), jo që ishte e pamundur të fitonte çmimin e merituar, por “ishte e pamundur të shihte dritën e botimit”. (Shih: Greogri Stalev, Grigor Perliçev “Serdarot”, Misla, Skopje 1973, kapitujtë, “Perliçev vo svoeto vreme” , dhe “Makedonija vo vremeto na Perliçev”).

Sidoqoftë, zbërthimi i kësaj çështje kërkon një studim të veçantë shkencor. Sepse, bullgaro-maqedonët që janë marrë me komentimin e kësaj vepre kanë bërë edhe “punën” e tyre politike. Asnjëri nuk na thotë: Çfarë e shtyri Perliçevin të merret me botën shqiptare? Në çfarë rrethanash është shkruar poema “Skenderbeu”? Si dhe nga e njofti Perliçevi popullin shqiptar dhe pse kishte aq dashuri e respekt për Skenderbeun?

Fundi i fundit, kjo dihet nga të gjithë: Grigor Perliçev lindi me 1831, u rritë, jetoi dhe vdiq (me 1893) në qytetin e Ohrit të Shqipërisë Etnike, ku masa dërmuese e atij qyteti ishin  shqiptar.

        Tani, le të shohim në vija të përmbledhta përmbajtjen madhështore të poemës në fjalë. Që në fillim, ashtu si këngtarët në këngët tona  popullore kreshnike, poeti i tërhjek vrejtjen lexuesit, të përcjell me vemendje secilen lëvizje të ngjarjeve, të cilat zhdërvillen si vargoj, njëra pas tjetrës.

Ky poet gjeni, i paisur me mësimet e poetëve mjeshtër të klasicizmit bizantin, nuk e len lexuesin pezull, përkundrazi, në vargun e dytë, në fillim të poemës e cila është afër 3800 vargjesh thotë:

        “Po bëhem gadi t’iu kendoj për t’famshmin Skenderbeg”.

          Dhe, kështu e fillon këngën e tij me një hyrje të gjatë. Kjo hyrje e gjatë, e gjall dhe e gërzhitshme, pasohet me këngën e parë e cila përputhet historikisht me jetën dhe gjendjen e heroit tonë – me levizjet energjike të Skenderbeut, me vendosmerinë e shqiptarve –“zmiata luta” – shlliga të idhta, dhe me trimrin e kapidanëve, aleat të Krytrimit të Krujës.

Nga një herë, ndjenjatë shpirtërore të poetit dhe relacioni i njohjes së tij me realitetin historik, duket se zbutin e vargun poetik:

        “Filloje ti këngën e muzës gojëmbel, virgjiresh”,

por papritmbas, aty përaty e urdhëron muzën  nevrikisht:

“Këndoj ata trima që tashi kanë me u përlesh”.

          Me elemente homerike, me vargje të rrjedhshme 15 rrokshe, pa i dhënë rëndësi rimës, poeti na sjell në ball të 20 mijë ushtarëve turq Ballaban Pashën, para mureve vigane të Kështjellës së Krujës.

Por, sa arrinë ushtria turke, akoma pa u vendosur nëpër çadratë plisverdha, komandanti i tyre, satrapi renegat Ballaban Pasha, e nis korierin e tij, Eminin,  për në Kështjell të Krujës, me i dërgue Skenderbeut dhuratat dhe me marrë hetime mbi pozitën strategjike të fortifikatës legjendare të Krujës.

Mbrenda mureve të  Kështjellës, Emini pritetë bujarishtë nga sherbyesitë. Ai mbetet i mahnitur nga pritja e shqiptarëve në një lloj ceremonie fetare ku ishte edhe Skenderbeu me  shokët dhe miqët e tij. Pas ceremonisë, Prijsi Shqiptar (kryeheroi i poemës), me anën e Dimkos i dërgon Ballaban Pashës “dhuratat” e veta: Drapnin, kazmën dhe umin e parmendës jetike, që t’i sjell në mend  rrjedhen e gjakut të tij.

        Nga qendrimi i Skenderbeut, Ballaban Pasha tërbohet prej inatit. Në mënyrën më mizore, duke e ngulur në hu, e mbyt  Dimkon e shkret, megjithëse këshilltari plak i Ballabanit u përpoq t’ia mbronte jetën duke i thënë: “Është turp dhe falimentim politik me e vra të dërguarin e Skenderbeut në besë”. Këtë krim të pandërgjegjshëm e mbështeti edhe Jakubi, krahu i djathtë i tij. Ai me fjalë fyese hidhet kundër këshilltarit të mençur osmanli. Në atë ndërkohë ia beh në kamp të ushtrisë turke perç-gjati Sinan, i cili përngjet në një gogol të llahtarshëm. Atë e kishte dërguar Sulltani si pararoje kundër Krujës. Sinani i tregon Ballabanit për masakrimin e tmerrshëm të ushtrisë së tij, në ndeshjen e përgjakshme me shqiptarët, ku kishte pësuar disfatën e plotë. Sinanit në fushën e betejës i kishte mbet edhe i vëllai.

Me një fines prej poeti mjeshtër, Përliçevi përshkruen fatkeqsinë e ushtrisë turke, tronditjen dramatike të shpirtit të Sinanit dhe zemrimin e pakufi e të çmendur të Ballabanit. Ballabani vendos qysh në agim të sulmoj me të gjitha forcat e veta Krujen e Skenderbeut.

        Sipas poemës, muzgu i mbrëmjes bjenë përtokë, ushtria turke është në dieni të plotë që të nesërmen porsa të shkrep dielli, të gjithë si një trup i vetëm do të hidhen mbi muret e trasha të Kryeqytetit të Arbëris. Megjithëse duket një farë shqetësimi në fytyratë e tyre të zbehta si gëlqere, shihet edhe një lloj optimizmi për “fitoren e sigurtë”. Numëri i madh i ushtrisë dhe oficerët trima me Ballabanin në krye i japinë zemër dhe shpresë edhe ushtarit më frikacak.

Në tjetrën anë,  mbrenda Kështjellës të Krujës të rrethuar me mure dhe hendek, mbretëron qetësia, nuk shihet asnjë shqetësim. Skenderbeu ka shtruar një darkë madhështore, me mish të pjekur në hell dhe verë të kuqe, për aleatet e vet. Në darkë është i pranishëm edhe Emini i  cili përpiqet me i mbush mendjen Skenderbeut dhe kapidanëve të tjerë për vendosmërinë dhe suprioritetin  e ushtrisë turke.

Sipas versionit të poetit, ende pa mbaruar darka, njëri prej besnikëve të Skenderbeut, tregon publikisht për vrasjen e shemtuar të Dimkos nga Ballabani. Eminit i dridhet zemra, i zgurdullohen sytë dhe i zbehet fytyra e i bëhet myk. Ai frikohet prej hakmarrjes, por Skenderbeut as që i shkon në mend  një gjë e till. Përliçevi, poeti i Ohrit, tamam si të ishte vet arbëror, i drejtohet Eminit të frikësuar për vdekje:

 

        “Çlirohu dhe uli t’rrahurat e zemrës Emin i pahshëm,

          Dhe qetësohu lirisht si t’ishe në shtëpinë tënde.

          Se ti je në tryezë dhe n’bukë të shqiptarëve të ndershëm,

          Të cilët për besë e nderë s’largohen kurrë prej vdekje”.

        Domethënë, hakmarrja nuk vjenë në vështrim. Eminit i bënë përshtypje të thellë shpirtmadhësia e shqiptarëve, gjakftohësia e komandantit të tyre dhe maturia e çdo bisede. Ai vendos të mbetet bashk me shqiptarët në Kështjell të Krujës por iu lutet që mos t’a detyrojnë të lyejnë duert e tij me gjakun e vëllzërve të vet.

        Egërsohet nata nga të ftohtit, përveç stuhisë gjëmojnë malet e larta të Krujës kreshnike. Ballabanin, që ishte shtri për një sy gjum, e mbulon një djerës e ftohët, e kaplon një ankth i çuditëshëm, një ënderr e keqe i paralajmëron ndeshjen e afërtë dhe kobin e zi.  Gëdhin mengjezi i bardh, rrezet e diellit fillojn me përbi lagështirën e natës, Ballaban Pasha përgaditet për sulm. Ushtria e tij e veshur me çelik është regjimentuar, burizanët e ushtrisë lajmërojnë gadishmërinë.

Ndërkaq, Skenderbeu me shpatë ngjesh dhe pelerinë krahëve, pasi përshendet të shoqen dhe të birin; shaluar mbi gjog të mejdanit, si një shkëmb i gjall, vëhet në ball të ushtrisë shqiptare. Për të dy anët e krahëve të tij janë rreshtuar trimat në zë si Andre Topia, Lek dhe Pal Dukagjini, Tanushi, plaku – Komnen Arianit dhe tok me ‘ta Despoti i Malit të Zi, Cernojeviqi, tmerri i turqëve, i cili kishte lidhur fatin e Principatës të vet me të famëshmin Skenderbe.

        Të dy ushtritë qendrojnë ball përball me njëra-tjetrën. Ushtria shqiptare numerikisht më e vogël, ec me hapa të matur dhe të ngadalshëm drejtë armikut.  Ushtria e madhe turke nxiton hapat drejtë kundërshtarit. Të dy palët zbatojnë përpikërishtë urdhërat e gjeneralëve të tyre.

Por, sa afrohen  në një afërsi që dallon trimi – trimin, del Jakubi nga turma e ushtrisë turke, dhe me një zë të çjerr i kërkon mejdan Skenderbeut.

        Të shpejtë si dy rrufe prej qielli, Tanushi shqiptar dhe Crnojeviqi malazez, i çveshin shpatat për t’i dal në mejdan Jakubit, por Skenderbeu, më i shpejt se rrufeja, goditë me thember të hekurtë gjogun e mejdanit, vërsulet si shigjeta, dhe brënda një afati të shkurtë i qeron hesapet me Jakubin; me një të rën shpate, Ai e hedh për tokë  krahun dhe  kokën e  trimit anadollak – krahun dhe kokën e Jakubit.

        Fillon përleshja e përgjakshme. Ball përball, gjokës përgjokës,  çelik për çelik ndeshen burratë. Ballabani i tërbuar për vrasjen e Jakubit, hiqet me dal në dyluftim me Skenderbeun por nuk e lejon këshilltari plak, sepse vrasja eventuale e tij do të  demoralizonte ushtrinë turke. Nga të dy palët vritën një mori trimash, fusha e mejdanit mbushet me kufoma të këltitura në gjak. Fati luftarak kalon nga njëra anë në tjetrën. Skenderbeu pasi shtrin përdhe edhe Halilin si herkul, duke pre koka armiqësh për të dy anët, si tigër i tërbuar hynë në zemër  të  ushtrisë të armikut.

Ballabani që ruhet prej Skenderbeut, një çast gjëndet para tij. Duke shpresuar se mund t’i shpetonte nga tehu i shpatës, ai nis me ikë, por Skenderbeu me shpjetësi vetëtime kap një gur të madh dhe e qellon. Kështu, i turpruar, aspak trimërisht, humb jetën satrapi mizor Balllaban Pasha.

        Me vrasjen e tij vendoset fitorja e shqiptarëve. Ushtria turke shpartallohet keq, merret nëpër këmbë të ushtrisë shqiptare dhe korret literalisht nga shpatatë e tyre. Përleshjen e hatashme dhe disfaten fatale të turqëve, poeti e përshkruan hollësishtë në disa faqe të librit. Ai e përfundon poemën duke iu lutë Zotit që të mëshirojë ndaj fatit të robëve të luftës dhe i nderpren luftimet.

Në këtë mënyrë përfundojnë edhe  vepratë pavdekshme të Homerit e të Virgjilit. Në veprën e  Perliçevit, figura e Skenderbeut ngritet në olimpin e heronjëve më të mëdhenjë. Heroi i jonë vëhet në ball të njerëzve më të virtytshëm dhe më të drejtë, njëkohësisht edhe në vargun e trimave më të njohur në ç’do kohë.

Duke lexuar “Skenderbeun” e Përliçevt, lexuesit i kujtohen heronjët e Iliadës të Homerit dhe të Këngëve të Rolandit. Ai harron se është duke lexuar për ndeshjen e përgjakshme te  Bedemet e Krujës, dhe i fluturon mendja te ndeshjet e tmershme fyt-përfyt rreth mureve të Trojës dhe të Saragosës; apo, te ndeshjet vigane të Lekës Madh me Darin e Persisë.

Epokën e Skenderbeut, të mbushur me lufta të shumta heroike, e nderoi çdo shekull me vepra historike dhe letrare.

Në qoftë se krahasojmë, si është lartësuar figura e Skenderbeut nga autorë të ndryshëm, duhet shfletuar e komentuar edhe poema e Grigor Perliçevit. Kur të bëjmë krahasimin, padyshim vijmë në përfundim se vepra e tij radhitet në vargun e veprave më të njohura poetike që u janë kushtuar figurave të shquera legjendare Europiane.

Kjo vepër iu bën jehonë ngjarjeve historike të asaj kohe, dhe për më tepër,  vesh famën e Skenderbeut, siç thotë kritiku letrar bullgar – Konov,  me petkun e simbolit të ethnicitetit arbëror.

Filed Under: Politike Tagged With: e Skenderbeut, FIGURA VIGANE, Idriz Lamaj

NIKO KIRKA, PATRIOTI DHE VEPRIMTARI I SHQUAR

December 3, 2018 by dgreca

In Memoriam/

1 Kirka 6

NGA PELLUMB KULLA/

Të Dielën, 2 Dhjetor,  në Nju Jork, në moshën 92 vjeçare mbylli sytë, Niko Kirka, miku im i shtrenjtë, një personazh vërtet i rrallë, shok i këtyre viteve amerikanë.
Nikoja pat lindur në truallin amerikan. Ishte bir i një patrioti shumë të fismë, Kristo Kirkës, njërit nga etërit e Vatrës, krahu i djathtë i Nolit, aktivist i shquar në emigracion sikurse dhe në atdhe pas kthimit familjarisht. Babai i Nikos shërbeu si përfaqësues në parlament dhe në detyra të ndryshme administrative, caktuar nga mbreti. Nuk u largua me ikjen e pushtuesve të huaj. Pagoi vetbesimin e tepëruar se meritat patriotike dhe e kaluara pa njollë ishin kredenciale serioze që do ta mbronin nga keqtrajtimi i mundshëm i “bijve të Stalinit” që erdhën në pushtet. dhe që Kristo Kirka, ashtu si edhe Fan Noli, i njihte mirë. Besim i kotë! Që në ditët e para komunistët atë e burgosën dhe plaku i shquar mbylli sytë në burgun famëkeq të Burelit.
Nuk e kalova masën me një jetëshkrim më tepër, teksa u ula të bëj homazh për birin e tij, Nikon. Por është dicka e veçantë, diçka e rrallë edhe kur tregon për shokun e tij të burgut. Babë e bir u bënë vërtet shokë burgu, sepse që në moshën 19 vjeçare, njeriut që u nda sot nga ne, iu hodhën hekurat. Nga burgu Niko Kirka doli pas katërmbëdhjetë vjetësh. La atje qelinë tok me babanë e tij të varrosur në humbëtirë dhe kaloi një jetë të mundimshme shtrënguar në punë të rënda në kanalet e komunales dhe vështruar shtrembër për ato që pat hequr prapa hekurave.
Nuk gjen dot kollaj një individ që të ketë sjellë kaq shumë histori kombëtare poshtë thinjave të tij të bukura. Në shoqërinë e tij të çmuar, miqtë e tij të ngushtë ku bëja pjesë edhe unë vetë, kemi mësuar më shumë se nga tërë librat e shkruar për vatranët, për autoqefalinë e Kishës Ortodokse, për Bostonin dhe “Diellin”, për pafundësinë e konflikteve shqiptaro-shqiptare mbi truallin e këtij vendi. Ky njeri të mahniste me kujtesën e tij fenomenale, me citimet e sakta me zhdërvjelltësinë e përmendjes së emrave të shumtë, datave të pagabuara që sillte ai në tregimet e tij. Ishin të shumtë njerëzit, që e vërenin me zili, siç e vëreja edhe unë, kulturën e tij historike, atë atdhetare, kulturën letrare dhe kulturën politike.
Niko Kirka është ndjerë i gjallë dhe i shqetësuar për shumë çështje që solli sidomos mënjanimi i komunizmit dhe transformimet që duhet të sillte tranzicioni. E kemi parë atë shumë luftarak, debatues dhe të papajtueshëm në qendrimin ndaj politikave paskomuniste për të përndjekurit, për mosdëshirën në rikthimin e pronave të grabitura, për mbajtjen kyçur pa skrupuj e pa shpjegim të dosjeve me mëkate, për dyfaqësinë e partive kryesore, pasardhëse të asaj enveriste…
Shëmbullor ishte angazhimi i tij pasional në kundërshtimin e përpjekjeve për të dëmtuar trashëgiminë e Peshkop Nolit dhe për mjegullimet e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Dhe në shkrimet e Kirkës, (përmbledhur në vëllimin e tij dinjitoz “Për Mëmëdhenë”) lexuesit mund të venë re zhdërvjelltësinë e argumentimit, elegancën e shprehjes, gjuhën letrare dhe figurshmërinë si pajë e edukimit të shëndetshëm që mori ai në Liceun e Korçës. Aty çdokush shquan lehtësisht konseguencën e tij antikomuniste, përbuzjen ndaj inskenimeve katoviciane dhe keqardhjen për varfërinë e idealizmit, që Kirka nuk rreshtëte pa e nënvizuar edhe në intervistat e tij mbresëlënëse televizive dhe artikujt e mëvonshëm që i janë publikuar rregullisht.
Atdhetarizmi i këtij njeriu ka qenë gjithnjë i pashuar dhe frymëzues për ata që qarkonin rreth tij. Është interesant një episod në një takim me të ndjerin Ibrahim Rugova. Duke biseduar, Nikoja, pa kurrfarë bubullime, i rrëfeu atij se edhepse ishte korçar, e deshte Prishtinën po aq sa edhe Korçën. Rugova e falenderoi. “Falenderimi nuk shkon,” nuk iu ndënj pa thënë Kirkës, “Zotrote të më falenderoje po të isha francez!”
Presidenti Rugova e përqafoi dhe i kërkoi falje. Kjo dashuri e këtillë, shfaqur në brigjet e Nju Inglandit në sytë e të Parit të Kosovës e rriste personazhin tonë në përmasat e një dinosauri.
Dhe nuk kishte si të mos ishte Niko Kirka, një dinosaur nga ata që lindën në viset e Bostonit, nga ata që e morën atdhetarinë me qumështin e gjirit, dhe panë historinë e vendit, një herë që andej, pastaj nga dritaret e Liceut të Korçës, që prapa hekurave të burgut, nga fundi i kanaleve të komunales së Durrësit, nga grumbullimet plot ovacione të ndryshimeve sociale që solli fundi i shekullit… Me lirinë e fjalës si atribut i një njeriu të edukuar ashtu, i janë pranuar, herë me durim dhe herë me pezm, gërnjat kundër të metave të Vatrës së sotme, kundër Janullatosit, kundër figurave madhore shtetërore aktuale, edhepse kjo lloj drejtpërdrejtësie nuk i bënte hiç mirë interesave të tij të përditshme, atyre të këtushme dhe atyre në vendin ku lindi.
Por dinosaurët janë prehistorikë dhe duken pak të marrë, po aq sa dhe démodé duke qenë të rrallë dhe me vlera të padiskutueshme.
Ky dinosaur i vyer na la të pikëlluar me largimin e tij nga kjo jetë. Kolonia e shqiptarëve të Amerikës humbi një nga figurat karizmatike, që do të kujtohet gjatë si shëmbull për t’u ndjekur, si patriot që do të frymëzojë brezat e rinj të shqiptarëve që jetojnë fizikisht larg atdheut, por shpirtërisht nuk ndahen kurrsesi nga trualli arbëror dhe aspirojnë begatinë dhe prosperitetin e tij.
I qoftë dheu i lehtë këtij shqiptari të madh!

Filed Under: Politike Tagged With: Inmemoriam, Niko Kirka, pellumb Kulla

KERKESA TE SHUMTA PER T’U BERE PJESE E DARKES SE FLAMURIT ME VATREN

November 26, 2018 by dgreca

-E Premte, 30 Nentor 2018, ne Oren 6.00 PM, ne ROYAL REGENCY HOTEL, YONKERS/
1 Vatra Darke
KERKESA TE SHUMTA PER T’U BERE PJESE E DARKES SE FLAMURIT ME VATREN/
 
Jante te shumta kerkesat e komunitetit per t’u bere bashke me Vatren ne Darken e Flamurit, te Premten me 30 nentor ne Royal Regency Hotel ne Yonkers. Dega e Vatres ne Queens deri tani njofton se ka prenotuar 4 tavolina me nga 10 veta dhe ka gati te pesten, Dega e Vatres se Michiganit ka prenotuar tavolinen me 10 veta, Legalistet I mbushen dy tavolina, Cezar Ndreu me dibranet i prenotoi dy tavolina, Asllani Bushati I ka prenotuar 3 tavolina, po ashtu kane prenotuar tavolina, z. Harry Bajraktari, Motrat Qiriazi, Shoqata Rugova, Keshilli Shqiptaro-Amerikan, Albanian American Open Hand Association INC, Besa-Besa nga Bostoni, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Akademia Shqiptaro-Amerikane me qender ne Nju Jork dhe shpqata te tjera. Po ashtu shume anetare et Kryesise se Vatres dhe anetare te Keshillit kane prenotuar tavolina ne kete mbremje tradicionale, qe Vatra i organizon qe prej 106 vitesh.

Filed Under: Politike Tagged With: 30 Nentor 2018, Vatar-Darka e Flamurit

DHUNA KUNDËR FEMËRAVE – NJË PROBLEM I MADH BOTËROR

November 25, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

“Për derisa gjysma e popullësisë botërore, e përfaqësuar nga gratë dhe vajzat, nuk jeton e lirë nga frika, nga dhuna dhe nga pasiguria e përditëshme, ne nuk mund të themi, me bindje, se jetojmë në një botë të barabartë.”  (Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres)

Në dhjetor të vitit 1999, Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka caktuar 25 Nëntorin si “Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave”.  Në deklaratën e OKB-së, dhuna kundër grave dhe vajzave përcaktohet si një, “Akt dhune drejtuar kundër femërave, që përfundon, ose ka të ngjarë të përfundojë në dëmtime fizike, seksuale ose psikologjike ndaj femërave, përfshirë kërcënime për akte të tilla, si detyrim me forcë, mohim lirie, që ndodhin në publik ose në jetën private.”

Tema e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave për fushatën Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së për këtë vit, është, “UNiTE to End Violence against Women – Orange the World: #HearMeToo” — Të bashkohemi për t’i dhënë fund dhunës kundër femërave.  Dita Përkujtimore kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave shënon fillimin e një periudhe aktivizmi kundër dhunës bazuar në gjini, me qëllim për të filluar një fushatë globale për të shtuar numërin e personave dhe të enteve qeveritare dhe jo-qeveritare që punojnë për të parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave kudo në botë.

Dhuna kundër grave dhe vajzave është një manifestim i një mungese themelore respekti ndaj tyre, është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, António Manuel de Oliveira Guterres.  Ai e cilësoi dhunën kundër femërave si një problem të madh global, “Një fyerje morale ndaj të gjitha grave dhe vajzave, një turp për të gjitha shoqëritë dhe një pengesë të madhe ndaj zhvillimit gjithë përfshirës dhe të barabartë për të gjithë.”  Dhuna ndaj grave, shtoi udhëheqsi i OKB-së, përbën gjithashtu edhe një, “Dështim nga ana e burrave për të njohur dhe pranuar barazinë dhe dinjitetin e grave dhe të vajzave.  Është një çështje e të drejtave të njeriut”, theksoi ai, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për zhdukjen e dhunës kundër grave dhe vajzave.  Dhuna kundër femërave, nënvijoi Z. Guterres, jo vetëm që “Dëmton individin e prekur nga kjo dhunë, por ka pasoja të rënda edhe për familjet dhe për shoqërinë, në përgjithësi.”  Dhuna ndaj grave, u shpreh udhëheqsi botëror, është në thelb edhe një çështje politike.   “Dhuna kundër grave është e lidhur me çështje më të përgjithëshme të ushtrimit të fuqisë dhe dominimit politik në shoqëritë tona.  Ne jetojmë në shoqëri të dominuara nga meshkujt”, tha ai në mesazhin e tij me këtë rast.  Mesazhi për të gjithë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës kundër grave dhe vajzave, porositi Z. Guterres, është se, “Për derisa gjysma e popullësisë botërore — e përfaqësuar nga gratë dhe vajzat — nuk jeton e lirë nga frika, nga dhuna dhe nga pasiguria e përditëshme, ne nuk mund të themi, me bindje, se jetojmë në një botë të barabartë, për të gjithë.”

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Michael Pompeo, duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, theksoi gjithashtu në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Femërave, se edhe nga pikëpamja amerikane, dhuna kundër grave dhe vajzave është një problem botëror që prekë miliona gra e vajza, anë e mbanë botës.  Kryediplomati amerikan tha se çdo grua dhe vajzë duhet të ketë një jetë të lirë nga dhuna.  Shtetet e Bashkuara, vazhdoi ai, janë të angazhuara që të promovojnë barazinë midis gjinive dhe të parandalojnë dhunën, ndërkohë që do t’u përgjigjen të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave, kudo në botë.  “Zhdukja e dhunës kundër femërave është detyrë e të gjithë neve”, nënvijoi Z. Pompeo, një përgjegjësi “E qeverive, e sektorit privat, e shoqërisë civile dhe organizatave fetare”.  Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara janë krenare të shënojnë këtë ditë ndërkombëtare kushtuar zhdukjes së dhunës kundër grave kudo në botë, tha ai në deklaratën e botuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj femërave. Për më tepër, “Shoqëritë që u bëjnë të mundur grave dhe vajzave pjesëmarrjen e plotë në jetën politike dhe ekonomike të vendit ku jetojnë, ato janë vende më të begata dhe më paqësore”, ka përfunduar mesazhin e tij Kryediplomati amerikan, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të zhdukur dhunën kundër Grave dhe Vajzave.

Siç venë në dukje jo vetëm deklaratat e Kombeve të Bashkuara dhe e Sekretarit Amerikan të Shtetit, por edhe prononcimet e qeverive dhe enteve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Zhdukur Dhunën kundër Grave dhe Vajzave — dhuna kundër grave dhe vajzave është një fenomen serioz dhe tepër i dukëshëm dhe mjaft i pranishëm edhe në shoqërinë shqiptare – qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë dhe mbarë trojeve shqiptare.  Radio Evropa e Lirë në shqip, me ketë rast transmetoi një kronikë me titull, “Dhuna detyron gratë t’i shtojnë kërkesat për strehim në “Shtëpinë e sigurt”. Në raport  citohet Sakibe Doli, konsulente e strehimores “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, të ketë thënë se numri i grave që kërkojnë strehim nëpër shtëpi të sigurta në gjithë Kosovën, është 10 për qind më i madh, krahasuar me vitin e kaluar.  Sipas saj, arsyeja pse po ndodh kjo, mund të ndërlidhet me frikën që kanë për jetën e tyre gratë që përjetojnë dhunë.  Radio Evropa e Lirë citon gjithashtu zyrtarë institucionalë që merren me të drejtat e grave në Kosovë, se dhuna në familje po e mposhtë drejtësinë.   Sipas tyre, ndonëse në vazhdimësi janë raportuar rastet e dhunës nga ana e grave, drejtësia nuk e ka kryer punën e vet, theksohet në raportin e Radios Evropa e Lirë.   Ndërsa Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe e shënoi Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër grave dhe vajzave me një raport nga Tirana mbi përpjekjet për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare ndaj fenomenit të dhunës ndaj femrëave, duke filluar nga të rinjtë në shkolla.  Si një shembull, VOA shqip pasqyroi përpjekjet që po bëhen — për ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare — në shkollën “Sami Frashëri”, në Tiranë e cila ka ndërmarrë një seri veprimtarishë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.  Në këto takime po marrin pjesë edhe prindërit, të cilët po japin ndihmesën e tyre në këtë proces, theksohet në raportin e VOA-s shqip.

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave edhe sivjet po shënohet si një përpjekje për t’i kujtuar botës se dhuna, e cilës do natyrë qoftë kundër grave dhe vajzave, është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre njerëzore, me pasoja të tmershme fizike, seksuale dhe mendore për vet femërat e prekura nga ky krim, por me pasoja negative edhe për familjet, shoqërinë dhe për vendin në përgjithësi, ku ndodhë dhuna kundër femërave.  Sensibilizimi i shoqërisë ndaj këtij fenomeni të rëndë shoqëror është shumë i rëndësishëm për parandalimin dhe për zhdukjen eventuale të dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke filluar madje edhe nga bankat e shkollës, siç është rasti i Shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë. Por sfida e madhe në luftën kundër dhunës ndaj femërave në shoqërinë shqiptare kudo, mbetet gjithnjë mungesa e zbatimit të ligjeve në fuqi, siç raporton Radio Evropa e Lirë nga Kosova.  E vërteta është se ashtu siç ndodhë në mbarë botën, as në Shqipëri dhe as në Kosovë — megjithë ligjet në fuqi — nuk po bëhet mjaft nga organet kompetente qeveritare për të parandaluar dhe për të zhdukur këtë pikë të zezë të shoqërisë shqiptare — dhunën kundër grave dhe vajzave anë e mbanë trojeve shqiptare.

Por, përpjekjet e organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve, përfshirë aktivizimin, në këtë fushë, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, fatbardhësisht, kanë dalur deri diku me sukses që parandalimi dhe zhdukja e dhunës kundër grave dhe vajzave, të pakën, të tërheq vëmendjen e autoriteteve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare kushtuar veprimtarive kundër dhunës ndaj Femërave dhe Grave, më 25 Nëntor.

Filed Under: Politike Tagged With: Dhuna kunder grave, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 447
  • 448
  • 449
  • 450
  • 451
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT