• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“E vërteta” e Ekrem Bardhës, një dëshmi jetësore që lidh përvojën personale me fatin kolektiv të një kombi

May 24, 2025 by s p

Ambasador Flamur Gashi*/

Është një nder dhe përgjegjësi e madhe për mua të flas sot para jush, në këtë promovim të jashtëzakonshëm, i cili nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një akt simbolik – një përulje para jetës, veprës dhe përkushtimit të një njeriu, siç është, z.Ekrem Bardha.

Në këtë libër që promovojmë sot, “E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, ne nuk kemi përpara një autobiografi të zakonshme, por kemi një dokument historik. Një dëshmi jetësore që lidh përvojën personale me fatin kolektiv të një kombi. Kemi përpara nesh një libër që mund të lexohet si atlas i sakrificave, hartë e përpjekjeve dhe testament shpirtëror për lirinë e një populli.

I. Historia që rrëfehet me zë të fortë

Që në faqet e para të librit, ku z. Bardha përshkruan ikjen nga Shqipëria komuniste, njeriu kupton se ky rrëfim nuk është udhë personale, por një shteg që e kanë ndjekur shumë shqiptarë të përndjekur në Shqipërinë komuniste por edhe në Kosovë dhe trojet e pushtuara shqiptare nën ish Jugosllavi.

Ajo që e dallon z. Bardha nga të tjerët është se ai e ktheu përvojën e tij në një motor të veprimit, në një mision të përjetshëm për të qenë zëri i atyre që nuk mund të flisnin dot. Ky libër nuk është një përpjekje për të glorifikuar një jetë të suksesshme në emigrim. Është një përpjekje për të rrëfyer para kombit: se çfarë mund të bëjë një individ, një qytetar, një shqiptar me vetëdije kombëtare, kur nuk e harron kurrë se nga ka ardhur dhe për çfarë lufton.

II. Amerika dhe shqiptaria – një aleancë e shenjtë

Një nga boshtet qendrore të librit është raporti i z. Bardha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – vendin që i hapi dyert si refugjat, por që ai e bëri pjesë të idealit të tij patriotik. Në çdo faqe te librit ne ndjejmë respektin e tij të thellë për vlerat amerikane – lirinë, demokracinë, të drejtën për të jetuar me dinjitet – por në të njëjtën kohë, ai nuk e ka parë Amerikën vetëm si strehë, por si partner në përmbushjen e një misioni kombëtar. Nëpërmjet kontakteve me shtatë presidentë amerikanë, dhe shumë kongresmenë e senatorë, si dhe drejtues të tjerë ushtarak e politik në SHBA, z. Bardha krijoi një rrjet të fuqishëm mbështetjeje për Kosovën. Ai ishte një “ambasador informal” i shqiptarëve, një njeri që me përulësi, por me këmbëngulje, shkoi derë më derë për të kërkuar drejtësi, jo për vete, por për një popull të shtypur dhe të robëruar.

III. Mërgata shqiptare në SHBA – Forca e heshtur e çështjes shqiptare, një ushtri pa armë, por me vizion të qartë

Një tjetër vlerë madhore e këtij libri është se ai i jep zë një aktori shpesh të anashkaluar në histori: Mërgatës shqiptare në SHBA – kësaj Force te heshtur te çështjes shqiptare, kësaj ushtrie pa armë, por me vizion të qartë. Në faqet e librit përshkruhen me detaje mobilizimet, protestat, lobimet, kontaktet me senatorë e kongresmenë. Dhe në qendër të kësaj vale përkushtimi, qëndron vetë z. Bardha – si një figurë bashkuese, si një strateg që e dinte mirë se opinioni ndërkombëtar nuk formësohet vetëm në terren, por edhe në tryeza, në salla kongresi, në media.

Kur Kosova përjetonte tmerrin e luftës, kur shtypja serbe arrinte kulmin, mërgata nuk qëndroi indiferente. Falë figurave si Ekrem Bardha, ajo u shndërrua në një ndërgjegje të gjallë, në një mbështetje konkrete që u shtri nga ndihmat financiare, deri tek përfaqësimi politik, por edhe pjesëmarrja me armë në dorë për lirinë e Kosovës.

Nëse z. Bardha do të kishte zgjedhur të shijonte suksesin e tij në SHBA si biznesmen i suksesshëm, askush nuk do ta kishte gjykuar. Por ai zgjodhi diçka edhe më të vështirë – zgjodhi të bëhet urë lidhëse mes shqiptarëve dhe Amerikës, mes një kombi të shtypur dhe një superfuqie botërore. Ai nuk e harroi kurrë se ishte nga Kolonja e Korçë, dhe ai nuk nuk e harroi kurrë Kosovën. Në fakt, e bëri Kosovën pjesë të përditshmërisë së tij – në biseda, në lobime, në organizime, në çdo hap të tijin. E pa çlirimin e Kosovës si mision personal dhe i vuri të gjitha energjitë në shërbim të këtij ideali. Në këtë libër, që nuk është thjesht autobiografi, por dokument historik, ne lexojmë përpjekjet e një individi që nuk e shihte veten si të ndarë nga fati i kombit. Dhe ky individ vjen nga një vend i thellë i Shqipërisë jugore – nga qyteti i Ersekës – por zemra dhe vepra e tij rrahin për të gjithë shqiptarët, pa dallim treve, krahine, besimi fetar apo dialekti.

Z. Bardha, ndonëse lindur në jug të Shqipërisë, shpreh gjithmonë një dashuri të thellë, të sinqertë e të pazëvendësueshme për veriun e trojeve shqiptare, për Kosovën dhe më gjerë. Ai është mishërimi i atij ideali të madh të bashkimit kombëtar që nuk njeh kufij gjeografikë, por njeh vetëm një gjuhë – gjuhën e përkushtimit ndaj kombit. Z.Bardha nuk ishte i vetëm në këtë rrugëtim. Përkrah tij, vepruan dhe kontribuuan edhe shumë figura të shquara të mërgatës shqiptare në SHBA, të cilët sidomos që nga vitet ’80 e deri më sot kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për kauzën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe për projektin e bashkimit kombëtar shqiptar. Kjo mërgatë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte përkrahësja me e madhe e liderit historik të Kosovës, Presidentit dr.Ibrahim Rugova dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte palca e shtyllës kurrizore të rezistencës kombëtare!

Koha nuk na lejon t’i përmendim të gjithëve me emër, dhe me siguri do bëja gabim dhe do të leja pa përmendur shumë emra meritor dhe kontribuues të mëdhenj të çështjes kombëtare nga mërgata jonë në SHBA, pasi ata janë të shumtë, ata përfaqësojnë ndërgjegjen kolektive të një mërgate që ndonëse fizikisht larg, ka qenë gjithmonë afër me shpirt e zemër. Ata janë dëshmi se mërgata nuk është vetëm një komunitet që dërgon remitanca (para), por një faktor strategjik në diplomacinë kombëtare shqiptare.

Përulje dhe respekt për të gjithë mërgatën kombëtare shqiptare në SHBA, dhe sidomos për ata që kontribuar dhe dhanë çdo gjë të tyre për çështjen tonë kombëtare, duke lënë rehatin e tyre në Amerikë dhe duke shkuar për të luftuar me armë në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

IV. “Illyria” – fjalët që bënë dallimin

Në vitin 1991, patrioti Harry Bajraktar themeloi gazetën “Illyria”, një akt që më shumë se sa një sipërmarrje mediatike, ishte një lëvizje strategjike. “Illyria” u bë më shumë se një gazetë – ishte një tribunë kombëtare në zemër të Amerikës. Ajo informoi, ndërgjegjësoi, mobilizoi dhe përçoi të vërtetën per Kosoven dhe mbi Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kohën e izolimit të Kosovës, gazeta “Illyria” ishte si drita që ndriçonte tunelin. Ishte media që nuk mbante anë politike, por mbante anën e kombit. Z. Bardha e kuptoi herët se fjala ka fuqi. Se opinioni publik amerikan formësohet nga faktet, nga rrëfimet njerëzore, nga vërtetësia. Dhe ai zgjodhi ta ushqente atë opinion me të vërtetën e shqiptarëve – përmes këtij mediumi që vazhdoi ta drejtoi me përgjegjësi të lartë qytetare dhe në shërbim të kombit për rreth tetë vite, në kohën kur Kosova ishte në luftë dhe pastaj në liri (1998-2006), kur Kosova akoma kishte nevojë për përkrahje, për njohjen e pavarësisë së saj nga SHBA dhe shtetet e tjera të botës. Që nga koha e Harry Bajtaktarit, Ekrem Bardhës dhe Vehbi Bajramt, gazeta “Illyria” u bë zëri i arsyes së Kosovës në SHBA.

V. Ky libër – Frymëzim për brezat e rinj

Ky libër nuk është vetëm për historianët, studiuesit apo politikanët. Ky libër është një pasqyrë që duhet të mbahet në bibliotekat e çdo të riu shqiptar dhe familje shqiptare. Ai është një dëshmi e qartë se suksesi personal nuk ka vlerë nëse nuk përkthehet në shërbim për bashkësinë, për kombin tënd. Është një leksion për idealizëm, për përkushtim, për modestinë me të cilën duhet ti shërbesh kombit pa kërkuar asgjë në këmbim.

Le ta lexojnë këtë libër brezat e rinj dhe le të kuptojnë se kombi ynë ka pasur njerëz të jashtëzakonshëm.

Le ta kuptojmë se nuk ka nevojë për tituj zyrtarë që të ndryshosh rrjedhën e historisë – mjafton vullneti, vizioni, ndershmëria dhe atdhedashuria. Në një botë ku ndonjëherë vlerat relativizohen, ku interesat personale mbizotërojnë mbi interesat kombëtare, figura si Ekrem Bardha janë të rralla. Por janë të domosdoshme. Sepse na kujtojnë se ideali nuk është një fjalë e zbrazët. Se patriotizmi nuk është retorikë, por punë konkrete, e përditshme. Se përkushtimi ndaj kombit nuk matet me fjalë, por me vepra. Le të mos harrojmë se ky libër është dëshmi e veprave, është një frymëzim edhe për mërgatën për sot!

VI. Nderim dhe thirrje

Të nderuar të pranishëm,

Sot nuk po promovojmë vetëm një libër, por po nderojmë një jetë të tërë në shërbim të kombit. Një jetë që është model për të gjithë ne. I themi faleminderit z.Ekrem Bardha për guximin, vizionin, këmbënguljen dhe besimin se një popull mund të jetë i lirë nëse ka bij si ai. Le të marrim frymëzim nga kjo vepër. Le të kujtojmë se pavarësia është e shenjtë, por është edhe një detyrë. Le të mos harrojmë së historia e një kombi nuk shkruhet vetëm nga politikanët, por edhe nga qytetarët që nuk dorëzohen kurrë.

Të dashur miq,

Ishte një nder dhe përgjegjësi që të flisja sot para jush në këtë promovim që përmbledh më shumë se një jetë – përmbledh një epokë. Një epokë sakrifice, përpjekjeje, bashkimi dhe mbi të gjitha – një epokë lirie. E gjitha kjo e mishëruar në një njeri, z.Ekrem Bardha. Në këtë moment solemn, le të bëjmë një thirrje të ndershme dhe të sinqertë, por të domosdoshme, ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës:

Është koha që puna, përkushtimi dhe sakrifica e mërgatës shqiptare, të mos mbesin vetëm në faqe librash dhe fjalimesh. Ato duhet të gdhenden në kujtesën institucionale të shtetit. Emra si Ekrem Bardha, Harry Bajraktari, Jim Xhema, Jozef Dioguardi, Din Derti, Bruno Selimaj dhe shumë e shumë të tjerë, meritojnë të përjetësohen në rrugë, sheshe e monumente publike në Kosovë. Ata janë pjesë e historisë sonë. Ata janë dëshmitarë dhe kontribuues të drejtpërdrejtë të lirisë sonë. Kosova duhet të ndërtojë një Memorial Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, që jo vetëm të nderojë këto figura, por të frymëzojë brezat që vijnë qe të kuptojnë se liria është produkt i një përpjekjeje kolektive që nuk njeh kufij.

VII. Përmbyllje – Një thirrje për bashkim dhe për përgjegjësi

Vëllezër dhe motra,

Sot nuk promovojmë vetëm një libër, por një ndërgjegje. Një vepër jetësore të një njeriu që u bë shtyllë për lirinë. Një shqiptar që bëri shumëçka për ne dhe për kombin tonë. Nëse duam të nderojmë Ekrem Bardhën me të vërtetë, nuk mjafton vetëm duartrokitja. Duhet të bëjmë tonën filozofinë e tij: punën e heshtur, përkushtimin pa kushte, unitetin pa paragjykime.

Le të mos harrojmë se beteja për lirinë nuk mbaron me pavarësinë. Ajo vazhdon çdo ditë – për drejtësi, për demokraci, për mirëqenie, për vlera, dhe mbi të gjitha për bashkim kombëtar. Kosova dhe kombi shqiptar ka djem dhe vajza si Ekrem Bardha me shokë dhe bashkëveprimtar. Le të jemi bij të denjë të kësaj historie, të këtij kombi krenar.

Zoti e bekoftë Amerikën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!

Zoti i dhentë jetë të gjatë dhe të lumtur z. Ekrem Bardha!

*Fjala e mbajtur në promovimin e librit të z.Ekrem Bardha: “E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, 23 maj 2025, Kisha “Shën Pali”, Michigan – SHBA.

Filed Under: Politike

Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II

May 22, 2025 by s p

Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të diplomatit të shquar amerikan, mikut madh të kombit shqiptar Ambasadorit të ndjerë Frank G. Wisner II. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë krahas kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, kryetarit të Prishtinës z.Përparim Rama, atdhetari Jim Xhema, patrioti Harry Bajraktari dhe familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore e atdhetare të cilët nderuan figurën dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme të Ambasador Wisner.

Në këtë ceremoni solemne, u theksua roli i pazëvendësueshëm që diplomati Wsner pati në mbështetjen e çështjes shqiptare dhe në procesin e shtetformimit të Kosovës.

Kontributi i Ambasadorit Wisner në Kosovë ishte i gjithanshëm dhe me ndikim afatgjatë. Ai ndihmoi në ndërtimin e themeleve të shtetit të ri, përkrahu zhvillimin e institucioneve demokratike dhe punoi pa u lodhur për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës në vitin 2005, ai luajti një rol kyç në negociatat që çuan në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Përkushtimi i tij ndaj parimeve të lirisë, drejtësisë dhe paqes ishte i palëkundur, dhe ai mbrojti me vendosmëri të drejtën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Në mesin e të pranishmëve, në shenjë mirënjohjeje për të nderuar jetën dhe veprën e Ambasador Wisner kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dëshmoi mirënjohjen e thellë që populli i Kosovës ndjen për Ambasadorin Wisner i cili do mbetet përgjithmonë në kujtesën kombëtare si një mik i çmuar dhe një mbështetës i palodhur i kauzës shqiptare.

Federata Vatra me rastin e 110 vjetorit të themelimit e nderoi dhe vlerësoi me “Mirënjohje” ambasadorin Frank G. Wisner për veprimtari të jashtëzakonshme e kontribut në shërbim të kombit shqiptar.

Filed Under: Politike

Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës

May 22, 2025 by s p

“Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve të Kosovës”.

Sot kujtojmë me dhimbje Masakrën e burgut të Dubravës, njërën prej masakrave më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Në majin e vitit 1999, brenda mureve të burgut të Dubravës ndodhi krimi makabër: për pesë ditë rresht, regjimi gjenocidal i Serbisë, vrau mizorisht 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik si dhe plagosi 300 të tjerë.

Ata u vranë vetëm pse u angazhuan për të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e tyre. Në vend që të mbroheshin, u bënë cak i një krimi sistematik, një krimi që sot, 26 vjet më vonë, ende kërkon drejtësi.

Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Nderim i përjetshëm për të rënët e Dubravës!

Drejtësi për viktimat dhe kujtesë historike e përhershme!

Filed Under: Politike

Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë, pikë kthese strategjike për sigurinë rajonale dhe integrimin Euro-Atlantik

May 21, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Ka filluar të spekulohet shumë rreth këtij zhvillimi tëjet të rëndësishën për rajonin dhe Kosovën, e kjo vije nga mendjengushtësia si rezultat i varfërisë profesionale dhe paaftësisë për të menduar institucionalisht dhe vlerësuar strategjikisht. Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane për Ballkanin në Kosovë është një ndër vendimet më të rëndësishme gjeostrategjike që ka ndodhur në dekadën e fundit në rajon. Ky zhvillim nuk është vetëm një akt teknik ushtarak, por përfaqëson një mesazh të qartë politik e strategjik se Kosova është pikë kyçe në arkitekturën e sigurisë perëndimore dhe aleanca me SHBA-në është garanci për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Ky zhvillim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është i një rëndësie strategjike dhe është një mesazhi i qartë politik.

Kjo komandë, e vendosur në kuadër të strukturës së U.S. Army Europe and Africa, është përgjegjëse për koordinimin e veprimtarive ushtarake amerikane në rajon dhe për monitorimin e zhvillimeve të sigurisë në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Vendimi për ta vendosur atë në Kosovë është rezultat i një procesi të gjatë bashkëpunimi strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përforcuar me marrëveshje të veçanta në fushën e mbrojtjes, trajnimit dhe shkëmbimit të të dhënave.

Kjo e bën Kosovën jo vetëm një partnere të besueshme të SHBA-së, por edhe një nyje të sigurisë së NATO-s në rajon. Vendimi u parapri nga intensifikimi i marrëdhënieve strategjike Kosovë–SHBA, përfshirë marrëveshjet në fushën e mbrojtjes të nënshkruar më herët dhe pjesëmarrjen gjithnjë më të madhe të FSK-së në misione ndërkombëtare si pjesë e proceseve të standardizimit me NATO-n.

Ky zhvillim është përforcon e rrugën e FSK drejt NATO-s.

Për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kjo është një mundësi unike. Prania e përhershme e trupave amerikane dhe ngritja e një strukture komanduese sjellin përfitime të shumëfishta si:

– Standardizimi sipas praktikave të NATO-s;

– Trajnime të avancuara me trupat elitare amerikane;

– Qasje në teknologji dhe doktrina moderne ushtarake;

– Rritje të kapaciteteve në sigurinë kibernetike, logjistikë dhe ndërveprim ndërkombëtar.

Kjo do ta përshpejtojë integrimin e Kosovës në programin Partnership for Peace (PfP), i cili konsiderohet fazë e domosdoshme drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Prania e SHBA-së i jep fund paqartësive dhe frikësimit nga Serbia, duke e pozicionuar Kosovën si një aleat të pandashëm të perëndimit.

Është me rëndësi të theksohet se ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe sistemi i sigurisë dhe mbrojtjes po zhvillohet me asistencë teknike, profesionale dhe politike të SHBA-ve, përkundër sjelljes shpesh refuzuese dhe të pakoordinuar të qeverisë aktuale të Kosovës ndaj nismave amerikane.

Kjo përfshin veprime që çuan në përjashtimin nga stërvitja ndërkombëtare “Defender Europe 2023” dhe vendosjen e masave sanksionuese nga BE, me aprovim të heshtur nga SHBA.

Megjithatë, angazhimi amerikan vazhdon, sepse Kosova është pjesë e gjeostrategjisë amerikane për rajonin dhe siguria e SHBA-së mbrohet në çdo skaj të botës. Prandaj, ky zhvillim nuk është meritë ekskluzive e qeverisë apo përfaqësuesve të saj politik, por rezultat i një kursi të gjatë partneriteti strategjik të ndërtuar me besim të ndërsjellë ndër vite.

Ky zhvillim po ashtu, është i një rëndësie të veçantë për sigurinë rajonale dhe imunitetin nga tendencat për cenimin e saj.

Pra, vendosja e Komandës në Kosovë është një element dekurajues për çdo ambicie destabilizuese në rajon – qoftë nga Serbia, Rusia apo rrjetet hibride të ndikimit lindor.

Ky pozicionim e bën Kosovën një zonë të paprekshme për veprime armiqësore apo ndërhyrje të drejtpërdrejta.

Kjo rrit sigurinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, vende që shpesh janë në shënjestër të ndikimeve të jashtme joperëndimore.

Gjithashtu, kjo e bën kufirin Kosovë–Serbi të pa demarkuar as ratifikuar ndërkombëtarisht, një vijë të mbrojtur nga vetë prania amerikane, duke i dërguar një mesazh të qartë Beogradit, se çdo përpjekje për destabilizim do të përballet me kundërpërgjigje strategjike të SHBA-së dhe NATO-s.

Përfitimet që pritët të ketë për Kosovën janë:

1. Garanci për siguri afatgjate dhe imunitet nga konflikti i ngrirë;

2. Forcim i pozitës ndërkombëtare në kuadër të aleancës perëndimore;

3. Zvogëlim i ndikimit të shteteve mosnjohëse në procesin e integrimeve;

4. Hapësirë për zhvillim ekonomik në sektorin e sigurisë dhe teknologjisë;

5. Rritje e besueshmërisë politike në procesin e shtetndërtimit.

Nga kjo mund të konkludojmë se: vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë është një fitore strategjike për shtetin tonë.

Ajo përbën një transformim të qartë të realitetit të sigurisë në Ballkan.

Nga një vend i trajtuar si zonë e konfliktit potencial, Kosova po kthehet në qendër të stabilitetit.

Por kjo kërkon gjithashtu përgjegjësi dhe rritje të kapaciteteve shtetërore, profesionalizim të FSK-së dhe një politikë të jashtme që ruan kursin euroatlantik pa devijime taktike.

Kjo komandë nuk është thjesht ushtarake. Është një vulë e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe një mesazh i qartë për të gjithë, se Kosova është këtu për të qëndruar, si shtet, si aleat, si faktor stabiliteti.

Foto: telegrafi.com

Filed Under: Politike

Gegnishtja – mallkimi dhe lavdi i Camajt

May 20, 2025 by s p

Behar Gjoka/

“Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten” – thotë Martin Camaj, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit. Tekstet letrare/joletrare, gjuhësore/studimore, pa asnjë përjashtim, M. Camaj, i realizoi në gegnishte, pra në variantin letrar më të hershëm të historisë së gjuhës shqipe. Përveçse këtij varianti në krijimtarinë e gjerë dhe të larmishme letrare dhe studimore, kemi të pranishme një mori fjalësh të arbërishtes, një variant tjetër i hershëm dhe bashkëkohor i ligjërimit të shqipes. Madje, mund të themi se ky ligjërim, pra në gegnishten e përpunuar, shoqëruara me leksik të arbërishtes, kaq i shtrirë dhe funksional në veprën e tij, përveçse shenjë e vetëdijes autoriale, është dëshmi e ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe në harkun kohor të bashkëkohësisë. Prania e gegnishtes dhe arbërishtes, me ngjyresa shprehëse dhe sendërtuese, pasuruese dhe përplotësuese të shkrimit në gjuhën shqipe, figuruese dhe plasuese të teksteve letrare, ka ndikuar në shpalimin e një realiteti letrar të mëvetësishëm dhe unik, vetjak dhe origjinal. Në këto dy koine, padyshim më të hershmet letrare, ku gegnishtja promovohet me Mesharin e Buzukut, e shoqëruar edhe me praninë e stilemave ligjërimore të arbërishtes, e cila e ka nisur shtegtimin me E Mbasme e Kërshtenë të Matrëngës, zë fill shkrimi i gjuhës shqipe, pamëdyshje edhe shkrimi letrar, andaj vijimi i lëvrimit të tyre në kushtet e ndalimit me ligj të pashpallur, por edhe në mungesë të atdheut dhe të shqiptimit të gjuhës amë, ndikon për ta parë kryekëput vetëm si një dukuri të vetvetishme dhe unike të letrave shqipe.

Unike si gjuhëshkrim dhe shqiptim letrar, e ngjizur me vetëdije dhe dëshirë kreative, veçmas si më e spikatun për harkun kohor të lavrimit dhe shpalimit modern të shqipes, të ngjeshur më shumë, me sprova të dështuara, të shkrimit si shërbesë dhe antishërbesë joletrare, por edhe me eksperimentin e pandërprerë të sendërtimit të artit të fjalës. Aq më tepër, që me veprën letrare të Martin Camajt, kemi të bëjmë jo vetëm me një zgjedhje autoriale, por edhe me një vetëdije shkrimore, shkencore dhe artistike, gjuhësore dhe letrare, të dëshmuar në morinë e kaq shumë teksteve letrare, ku gjejmë të lavruar të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, mbase me faktin e një përgjegjëshmërie të lartësynuar shkrimore/letrare të mbajtjes gjallë dhe në lartësinë e merituar të këtyre dy varianteve të hershme të shkrimit letrar, pra të gegnishtes dhe arbërishtes, si një gjurmë ligjërimi e pashkëputshme, po kaq e evoluimit të thellë të gjuhës shqipe. Martin Camaj e lëvroi gegnishten dhe arbërishten, porse si pak të tjerë shkrimtarë të letrave shqipe, e pa letraren si një proces të shumëfishtë dhe si një proces eksperimental:

– Që përfshin brenda vetes njohjen e përvojës së mëhershme, të letërsisë së përbotshme dhe asaj të shkruar në gjuhën shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, çka dëshmohet me tepri në përthithjen e shumicës së teksteve të shkruara prej tij.

– Që përmbledh në vetvete praninë e eksperimentit letrar dhe gjuhësor, të gjerë dhe të përfunduar në shumicën e teksteve, si një akt që shkatërron rregullat fikse dhe njëherit shpik të tjera, ku do të majftonte sjellja në vëmendje e teksteve poetike Nema, Buelli dhe Palimpsest, si dhe teksti më natyrë sinkretike letrare, ku janë bashkëlidhur në një situatë të pashqitshme, poezia me prozën, pra Dranja ose kryevepra e shkrimtarit, siç e përcaktojnë lexuesit dhe studiuesit.

– Që mbetet tekembramja vetëmse një akt shkrimor autorial, që i mbishtresohet arritjeve të letrares në të gjithë pentagramin e vet ekzistencial, gjë që preket sidomos nga lëvrimi i gegnishtes dhe prania e arbërishtes, gjithnjë në rrethanat e ndalimit të tyre, tashmë vetëm si akt letrar i pastër. Prania dhe roli i tij si autor specifik dhe i papërsëdytshëm në letrat shqipe, si letrare dhe gjuhësore, sidomos i formatit të bashkëkohësisë, madje si një nga rastet e vetëdijshme kur dëshiron dhe aspiron, që ta zbulojë universin letrar të sendërtuar jo rastësisht me variantet e gegnishtes dhe arbërishtes, porse edhe si një fakt dhe dëshmi e kërkimit të vazhdueshëm të sprovës dhe eksperimentit letrar, që pa asnjë përjashtim përfundon me kualitet. Pohimi i bërë nga vetë shkrimtari, pamëdyshje në një çast dëshpërimi dhe vetëdije të plotë, më tepër ngjan me një thirrje dhe klithmë të mbrame të Martin Camajt, si një lajm dhe kumt i rrezikut të kanosur, sjell në fokus gjithë situatën e sipërmarrjes së ligjërimit, letrar dhe gjuhësor, studimor dhe të kritikës letrare, pikërisht në këto dy variante, por edhe të qasjes për t’i përkushtuar gegnishtes, por jo më pak edhe arbërishtes, në të gjithë jetën, si dhe në të gjitha aspektet e shpërfaqjes së tyre.

Këtë rrethanë e sqaron J. Lankshi, ish-student dhe përkthyes i disa teksteve të shkrimtarit, kur shkruan: Puna s’âsht që nuk e njihte gjuhën e unjisueme. Ai i njihte fort mirë të gjitha varietetet e gjuhës shqipe. Nuk do kishte pasë telashe me shkrue tosknisht apo unjisuemisht. As nuk shkruente gegnisht për shkak të njifarë komoditeti ose të të kenët i mësuem me gegnishten. Camaj e përdori gegnishten në bazë të nji vendimi dhe vullneti të kjartë e të vetëdijshëm – me luftue për gegnishten. Pra, arbërishtja dhe gegnishtja, sidomos kjo e fundit, gjithnjë simbas Joakim Lankshit, është përjetuar dhe projektuar nga shkrimtari si një aspiratë dhe betejë në mbrojtje të gjuhës dhe kulturës shqiptare, në mbrojtje të hershmërisë dhe mbijetesës së vlerave të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Këtu më tepër se gjithkund tjetër, në qasjet jo dhe aq të shumta ndaj autorit dhe veprës së tij, portretizohet figura madhore, letrare dhe gjuhësore e Martin Camajt, si dhe vetëdija e shpallur për të shkruar në këto variante letrare, e jo në gjuhën e njësuar. Po kaq rëndësi, në këtë kontekst dhe më gjerë se sa kaq, merr edhe pohimi i bërë prej tij, gati në mënyrë të drejtëpërdrejtë, që në fakt rreket të zbulojë tiparet më thelbësore të shkrimit të gegnishtes, si ligjërim shkencor dhe letrar të autorit, teksa shkruan: Duhet theksue se lufta e Camajt për gegnishten nuk ishte nji luftë qorre, për gegnishten e kohës së Fishtës.

Camaj angazhohej për parimin jo të divergjencës, por të konvergjencës së gegnishtes me “gjuhën e njësuar », si një arsye më e fortë, që e zbulon realitetin dhe rrethanat e ndalimit, por i tipareve të ndryshme shkrimore, letrare dhe gjuhësore, krahasuar me shkrimin e Fishtës, patriarkut të poezisë epike shqipe, e mallkimit dhe sqarimit të mos përfshirjes së veprës së gjerë dhe përplot laryshi të Camajt, në meritën që bart letrarja e sendërgjuar prej tij, në vetmi dhe angështinë e mungimit të atdheut dhe njerëzve të dashur, ende sot e gjithë ditën, në panteonin e letrave shqipe. Në mbështetje të kësaj teze, që nuk ka gjasa të lihet përanash debatit përmbi gjuhën dhe letërsinë për shumë kohë, në njëfarë mënyre është edhe A. Klosit, ku spikatet thënia e tij: Vepra e një jete me produktivitet të pazakontë mund të ndahet në veprim letrar, veprim filologjik, veprim kulturor.

Ndërsa të parit i rri kurorë mbi krye poezia, veprimi filologjik përshkohet fund e krye nga rezistenca gjuhësore, shprehur në ruatjen e gegnishtes letrare për brezat më të rinj, që në fakt e zbulon kontributin e tij në prekjen e shenjave të gjithanshme dhe përfaqësuese të veprës dhe të figurës së shkrimtarit, si dhe hedh piketa të qarta të trajtimit dhe verifikimit të kreatives, letrare dhe gjuhësore të sendërtuar prej autorit. Lankshi, në një pohim tjetër, në pamje të parë krejt si një rast i zakonshëm, në fakt zbulon dhe shenjon pengimin kryesor të teksteve të tij në marrëdhënie me lexuesin e sotëm, kur nënvizon: Gjuha e Martin Camajt mund të jetë nji si pengesë tjetër në përceptimin e veprës së tij e cila nga shumëkush apostrofohet si ikonë e lashtë dhe e vyer, por njihet bukur pak. Gjuha e kësaj vepre, ndonëse âsht nji gegnishte mjaft e moderueme, prapëseprapi e ballafaqon lexuesin jo vetëm me pasuninë e pazakontë të frazeologjisë së gegnishtes, por në radhë të parë edhe me jo pak lekseme pak të njohuna a të panjohuna – kjoftë nga leksiku i letërsisë së vjetër shqiptare, sidomos i asaj të arbëreshëve të Italisë, apo kjoftë edhe neologjizma të krijuem nga vetë Camaj.

Përcaktime të këtilla, sugjeruese dhe shpjeguese, tipizuese dhe karaketrizuese, sa i përket natyrës së letrares së lëvruar nga Camaj, pra duke vijuar me vetëdije dhe magji shkrimi lavrimin e gegnishtes, si ligjërimi letrar dhe studimor, porse duke marrë dhe futur në tekstet e tij edhe shenja të përfillshme të arbërishtes, që në fakt jo vetëm në distancë kohore, por edhe në vijimësinë e qëndrimit të mbajtur ndaj tij, janë mallkimi dhe lavdia e shkrimtarit. Ligjërimi i gegnishtes, padyshim dhe përngjitazi me të, i shenjave të arbërishtes, përbën një rast specifik dhe unik në harkun kohor të letërsisë bashkëkohore shqipe, madje të vetmin akt të konsekuencës dhe koherencës për të ligjëruar me anë të tyre, edhe në mërgim, madje në kushtet e ndalimit të kthimit në dheun amë, por edhe të braktisjes absurde dhe pa një shpjegim logjik, të ligjërimit të gegnishtes edhe në Kosovë. Këtu, ndoshta me ndonjë përjashtim të vogël, siç ka ngjarë fillimisht me tekstet në prozë të Anton Pashkut, të cilat u shkruan dhe lavruan në gegnishte, porse dikur-dikur, mbase trusuar nga rrethanat e pazakonta të standartizimit të ligjërimit letrar dhe gjuhësor, mjerisht si mënyrë funksionimi më tepër në nivelin e një rregulloreje të njësuar, pjesërisht ato tekste u përpunuan në situatën e ligjërimit të njësuar të gjuhës shqipe. Shkrimi letrar, në variantin e gegnishtes, me shenja të arbërishtes, përbën një akt dhe dëshmi të cilën lexuesë dhe studiuesë të ndryshëm e përjetojnë dhe trajtojnë në linja, shpesh krejt të përkundërta, midis tyre:

A – Linja zyrtare e të dy anëve të kufirit, pra qofshin profesorat dhe akademikët e Shqipërisë (të lëmit të studimeve letrare dhe gjuhësore), po ashtu ato të Kosovës, faktin e shkrimit të gegnishtes dhe arbërishtes e përjetojnë si një akt i ndryshëm, madje krejt i përkundërt me zhvillimin normal, që ka marrë gjuha dhe letërsia shqipe, fill mbas kodifikimit të saj, me norma dhe rregulla të një standardi detyrues (sa gjithnjë e më shpesh të përkujton një rregullore të mirëfilltë ushtarake, e cila në rrethanat e lirisë së shprehjes përfaqëson një pengojcë për shpërfaqejn e diversitetit gjuhësor dhe letrar) për gjuhën e komunikimit të gjerë, tipik në shkolla dhe administratë, në media dhe në mjediset shoqërore, por mjerisht me funskione unifikues për gjuhën e letërsisë.

Pasojë e këtij gjykimi dhe qëndrimi, thelbësisht përjashtues dhe ngushtimi të hapësirave të ligjërimit letrar, madje me mangësi shkencore në marrëdhënie me realitetin ekzistencial të gjuhës shqipe, pra që nuk e vë në lëvizje idenë e diversitetit (ndryshueshmërisë) gjuhësor dhe letrar, patjetër si shenjë e përfaqësimit të qenies, ndonëse e pa shprehur hapur, jo prej padijes së tyre, por më shumë prej hipokrizisë së heshtjes bizare (nënkuptohet të botëkuptimit ideologjik dhe sociologjik), janë faktet e një formulimi të habitshëm të natyrës së krijimtarisë së shkrimtarit Martin Camaj, pra kryesisht si autor i së kaluarës, e më liksht ende si poet vetëm i gegnishtes, e jo i shqipes (sikur gegnishtja nuk i përket gjuhës shqipe), si poet cilësor dhe jo si prozator dhe dramaturg i letërsisë shqipe, pra gjithnjë duke ia mohuar ose harruar qëllimisht një pjesë të përfillshme të vlerave letrare të krijuara praj tij. Linja e mallkimit dhe ndalimit të Camajt, si emër dhe vepër gjuhësore dhe letrare, për faktin e lëvrimit të gegnishtes, si dhe më jo pak shenja leksikore të arbërishtes, përpos tjerash ka të bëjë, më tepër:

– Me përjashtimin nga hierarkia letrare, e variantit më të hershëm të letrave shqipe, pra të krijimtarisë së Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit etj. , si dhe e kundrimit të këtij formati të ligjërimit parak dhe zanafillor të shqipes, nga një masë e përfillshme e studiuesve të zyrtarshëm, e tyre si vetëm me vlera gjuhësore dhe historike, pra duke ia mohuar praninë e vlerave letrare. Për shqyrtuesit zyrtar të letërsisë shqipe, letërsia e mirëfilltë zë fill me De Radën dhe N. Frashërin, që i përkasin shekullit të XIX, ku vetëkuptohet se kemi një shpikje të radhës, me termin letërsi e mirëfilltë. Prej këtu merret vesh se pjesa e mëhershme, duke mos qenë e mirëfilltë, gjithnjë simbas studiuesve të zyrtarshëm, nuk i përket letrares që do të duhet të lexohet dhe konsiderohet si e tillë.

– Me shpërfilljen e ligjërimit të gegnishtes (po kaq të variantit të arbërishtes, porse me një fakt të shpërdorimit të saj diç më tepër, sepse ajo tashmë është përkthyer në shumicën e vetë, e pothuajse është zhdukur gjuha e autorit) edhe më përtej sinoreve zyrtare, para dhe mbas lirimit të vendit nga pushtuesit e radhës, që të shpien krejt natyrshëm tek moti jo fortë i largët 1972, që kodifikoi njësimin e gjuhës shqipe, por bashkë më të realizojë, në mënyrë të fshehtë dhe të pashpallur me ligj, edhe ndalimin e ligjërimit të letërsisë me variantet e mëparshme, pra në gegnisht dhe arbërisht, që në fakt ligjërimin letrar të shqipes, nga me shumë ngjyresa, e unifikoi deri në shterpësi shprehëse, saqë shkrimtarët e periudhës unifikuese ngjajnë si të ishin vëllezër siamez dhe pa asnjë nuancë dallimi të ndërmjetshëm.

– Me pikësynimin e realizuar, tashmë në fshehtësi dhe pa asnjë rezultat me vlerë kodifikimi të shkrimit letrar, për përkthimin në gjuhën e njësuar të shumicës së teksteve të shkruara në variantin e arbërishtes (të De Radës, Serembes, Darës, pra jo transliterim i teksteve të tyre, por ndryshim vargjesh dhe konceptesh), ndërsa ka shpëtuar Z. Skiroi, thjesht dhe vetëm nga fakti sepse ka qenë anëtar i partisë fashiste (çka bëri që të përzihej për shumë kohë nga panteoni i letrave shqipe), por edhe të ndonjë teksti në gegnishte, rrekje të cilat mbetën në zgrip për shumicën e shkrimtarëve.

– Me ngritjen e nivelit gjuhësor, letrar dhe shkencor, veçmas të tjerëve, nga shkrimtaria e Camajt, një ligjërim letrar modern dhe një eksperiment i pandërprerë në të gjithë gjinitë dhe llojet letrarë, madje duke dëshmuar kështu qartësisht, me tekstet të shumta dhe të larmishme, se koineja letrare e gegnishtes, natyrisht pa harruar atë të arbërishtes, jo vetëm nuk ka vdekur, por ka të gjitha shanset e mbijetesës dhe të ligjërimit letrar në vijimësi, madje si një gjasë e përtrimjes së tij, në rrethanat e lirimit prej detyrimit zyrtar, pengues dhe përjashtues.

Kuptohet se kjo linjë, e pranishme si nëntekst i mos shqyrtimit, pra duke e lënë më tepër si të nënkuptuar faktin e ligjërimit letrar dhe shkencor në variantin e gegnishtes (me jo pak fjalë nga arbërishtja), e sheh këtë fakturë artistike nga më origjinalet e ligjëratës letrare në gjuhën shqipe, sidomos të harkut kohor të letërsisë bashkëkohore, si një mallkim dhe pengesë për t’u përfshirë realisht në rrjedhat e letrave shqipe, e veçmas për t’u përfshirë në to si risim dhe eksperiment, që e mbajti të ndezur kandilin e ligjërimit letrar edhe në variantin e gegnishtes, po kaq edhe të arbërishtes. Në mënyrë fare absurde, gjithnjë sipas gjasash më shumë të shpaluara me nëntekst dhe heshtje paradoksale, Camaj duke shkruar me këtë dialekt (variant letrar të hershëm dhe bashkëkohor), kinse ka shkuar kundër prirjes së unifikimit të gjuhës letrare shqipe, çka në fakt është e vërtetë vetëm në kuptimin rapsodik dhe jashtëgjuhësor të vështrimit të fatit të gjuhës shqipe. Porse, në mënyrë djallëzore dhe aspak shkencore, harrohet dhe nuk përfillet enkas, në këtë rast specifik të shkrimit letrar në gjuhën shqipe, posaçërisht në koinenë e gegnishtes dhe me praninë e leksikut dhe të trajtave ligjërimore të arbërishtes, fakti i shkrimit të letrares si gjuhë e autorit, e cila përgjithësisht i vë në dyshim dhe i rrëzon rregullat e shpikura të njësimit, dhe njëherit shpik dhe formaton disa mënyra të reja të shkrimit artistik, tashmë vetëm si gjuhë e letërsisë.

Pra, duke mos i përfillur këto shenja, sidomos në nivelin e shkrimit letrar (poezi, prozë dhe dramatikë) rregullat e shkrimit të njësuar të letrares, ka gjasa që Camaj ta ketë vetëpërjashtuar veten nga panteoni i letrave shqipe, pra ai ka hyrë dhe me gjasë do të mbetet si shkrimtari jashtë kohe, jashtë rrjedhave të ligjërimit letrar, madje edhe jashtë hapësirës së trojeve shqiptare, gjithnjë simbas optikës së pa artikuluar qartësisht dhe publikisht, së paku deri më tani, por të mirëmenduar nëpër vite nga studimtaria zyrtare. Kjo mençuri dritëshkurtër dhe pa perspektivë, mjerueshëm edhe e titujmbajtësve të shkencave letrare, akdemik dhe profesora, (të cilët rrëmojnë më kot nëpër letërkëmbime dhe thkellinat e biografizmit vulgar, me shpresën se do të zbulojnë atë që në fakt e bartin tekstet letrare, pra magjinë letrare), përgjithësisht dhe veçmas nuk ka lidhje me shkrimin e letrares, gjithnjë simbas teorive letrare, klasike dhe moderne, si gjuhë e letërsisë dhe gjuhë e autorit, dy tregues të vlertë të shenjimit të letrares, pavarësisht gjinisë apo llojit letrar. (Pjesa e parë).

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT