
Prof. dr. Begzad Baliu
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”/
Në historinë e kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX është një numër, në dukje të parë krejt simbolik, por tepër përmbajtjesor i studiuesve, intelektualëve, krijuesve dhe ambasadorëve të botës shqiptare në Lindje e në Perëndim të Europës dhe madje në Azi, i cili ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme për krijimin e pamjes sa më të plotë dhe sa më relevant i historisë dhe të sotmes së shqiptarëve në ato vende dhe më tej. Pjesa më e madhe e tyre sot kanë perënduar apo janë në moshë të tretë. Për shkak të krijimit të situatave të vështira në jetën shqiptare në fund të shekullit XX (Lufta për çlirimin e Kosovës dhe tranzicioni i gjatë i kalimit nga diktatura në demokraci, në Shqipëri), nderimin për ta e për kontributin e tyre ende nuk e kemi bërë në kontekstin që e meritojnë dhe në përmasat për të cilat obligohemi.
Kjo ka ndodhur në mënyrë të veçantë për ata intelektualë, të cilët vinë nga shtetet me ndikim të vogël në ish-Lindjen komuniste (Rumania, Polonia, Sllovakia etj.), për disa studiues e intelektualë që vinë nga Rusia (kryesisht nga radhët e albanologëve) dhe të tjerë që vinë nga shtete me ndikim jo shumë të madh në rrjedhat politike e strategjike ndërkombëtare (Bullgaria, Greqia, Holanda, Suedi, Libani, Turqia etj.). Kjo mund të thuhet në mënyrë të veçantë për albanologun, shkrimtarin, përkthyesin, intelektualin, publicistin e ambasadorin e çmuar të shqiptarëve në Suedi, Z. Ulmar Qvick, përkushtimi i të cilit për shqiptarët, historinë e tyre, zhvillimet politike dhe gjendjen e sotme kap rrafshe shumëdimensionale në kontekstin historik dhe komplementar në kontekstin përmbajtjesor.
I shquar për një kohë të gjatë angazhimesh ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, në vendin e tij, në kulturën shqiptare, me mërgatën shqiptare dhe me fatin e tyre në kohë diktature (Shqipëri) e pushtimi (Kosovë), në kohë tranzicioni demokratik (Shqipëri) e lufte (Kosovë e Maqedoni të Veriut), në fushë të traditës kulturore e të gjendjes së sotme, ai, si rrallë të tjerë bashkëkohës të tij, ka kurorëzuar atë traditë albanologësh suedezë të tre shekujve të fundit nga Prof. Dr. Erik Hans Tunman (shekulli 18), te “Anna Lindh, Dag Selander, Göran Wassenius, Lars Leijonborg, Ulla Gustafsson, Örjan Storesjö dhe shumë të tjerë”. (13) Nuk është e rastit prandaj pse me emrin e tij lidhen disa vëllime veprash për Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët dhe fatet historike e bashkëkohore të tyre, për gjuhën, letërsinë, kulturën, përkthimin dhe dimensione të tjera të paraqitjes së tyre. Pra, me botimin e veprave të tij personale dhe me përkthimin e botimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Suedi e më tej.
Ky vëllim sjell një përmasë tjetër të portretit të tij, të bëmave e ndihmesave të tij. Si rrallë ndonjë tjetër deri më tash, ky vëllim përfaqëson një përmbajte të pasur tekstesh nga më të ndryshmet, përkushtuese e të përkushtuara për autorin dhe për të tjerët, prandaj jo rastësisht është bërë një përpjekje fatlume e autorit të veprës Z. Fetah Bahtiri, që brenda librit të bëjë një sintezë paraprake të tyre, në kontekstin hapësinor (gjeografik), në raport me zhvillimet historike (kronologjike) dhe në raport me pasurinë përmbajtjesore të teksteve të përfshira (sintetike).
Sikur mund të shihet, vëllimi hapet me një Parathënie dhe mbyllet me Biografinë e autorit të vëllimit, ndërsa brenda tij tekstet janë sintetizuar në dymbëdhjetë kapituj. Në kapitullin e parë është sjellë një histori e shkurtër e disa prej personaliteteve shkencore, politike e kulturore, pa të cilët nuk mund të shkruhet historia e gjuhës së popullit shqiptar dhe historia politike e kulturore e çështjes shqiptare në Shqipëri e në Kosovë. Disa prej tyre këtu sillen me nga një biografi përfaqësuese, si: Anna Lindh (21), Dag Selander (24), Prof. Dr. Erik Hans Tunman (26), Göran Wassenius (28), Lars Leijonborg (30), Margareta Viklund (32), Ulla Gustafsson (34), Örjan Sturesjö (35). Me këtë kapitull, Z. Fetah Bahtiri, besojmë se ka hapur një kapitull të ri në kërkimet shkencore në hapësirën suedeze, duke filluar me profesorin e shkollës gjermane, indoeuripanistin Tunman, të cilin dikur e kishim referencë te vepra e Profesor të madh Eqrem Çabej, te pasardhësi i tij Nelson R. Çabej, te sintezat e Profesor Shaban Demiraj, te projekti fundamental i historianit të albanologjisë Profesor Jup Kastrati (i cili në Historinë e albanologjisë (I) këtij personaliteti i ka kushtuar pesëmbëdhjetë faqe), te studimet e Skënder Gashit në Kosovë e të tjerë.
Një kapitull më vete merr biografia e pasur dhe e paraqitur këtë në përmasa shumëdimensionale, në raport me formimin e tij, familjen, kohen, hapësirën dhe jetën e veçantë të tij. Në vazhdim sillet po kaq e plotë edhe veprimtaria me interes për individualitetin e tij dhe botën shqiptare, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te veprat dhe bëmat kryesore të tij: ditari i zemrës, gramatika suedeze, përkushtimin ndaj Kosovës, angazhimin e tij në lëvizjen kombëtare shqiptare, si dhe tekstet bashkëkohësve të tij shqiptarë, Riza Sheqiri, Liri Loshi, Shefki Oseku etj., me të cilat është nderuar puna e tij, po edhe tekstet e tij në fushë të komunikimit, përkthimit të krijimtarisë së tij, tekstet për Ismail Kadarenë, Antonio Belushin etj.
Në kreun e katërt janë përfshirë tekstet kërkimore, historike dhe analizat e studiuesit Ullmar Qvickut, formësuar në dy rrafshe: Suedinë dhe suedezët në veprat e shkrimtarëve shqiptarë, si dhe shqiptarët, gjuhën shqipe dhe fatin e disa personaliteteve shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Madje mund të themi në këtë rast se tri janë rrafshet kërkimore të këtij kapitulli, pavarësisht numrit të madh të temave dhe pavarësisht gjuhës në të cilën janë shkruar disa prej tyre. Suedia dhe suedezët në letrat shqipe, fati tragjik i intelektualit Anton Harapi pas Luftës së Dytë Botërore dhe historia e njësimit të shqipes standarde, me referencë zhvillimin e saj gjatë gjithë shekullit XX: Kongresin e Manastirit, Komisinë Letrare të Shkodrës dhe Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Edhe në kapitullin vijues pothuajse është ruajtur kohezioni tematik i temave, por tashmë ato marrin përmasa më gjithëpërfshirëse qoftë në rrafshin gjeografik të etnisë (fatin e shqiptarëve jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, përkatësisht gjendjen politike të Shqiptarëve në Maqedoni), qoftë në rrafshin tematik të përmbajtjeve, sikur është aktiviteti në fushë të arsimit dhe pretendimi për krijimin e një Katedre të Albanologjisë në Suedi, në një kohë që emigracioni i shqiptarëve atje përfaqëson një elitë të rëndësishme kulturore, intelektuale e shkencore.
Ngritja e institucioneve arsimore akademike e shkencore atje do të sillte një dimension të rëndësishëm të zhvillimit të tyre, jo vetëm në kontekst të socializimit brenda hapësirës suedeze po edhe në shërbim të atdheut prej nga kanë ardhur. Nuk është e rastit që ky kapitull mbyllet me një shembull të përvojës së tij.
Një vend të rëndësishëm në këtë vëllim të pasur e domethënës zënë artikujt publicistikë dhe diskutimet e tij mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe, në një periudhë shumë të rëndësishme për zgjidhjen e fatit të Kosovës, përkatësisht marrëveshjeve shqiptaro-serbe përmes gjuhës së armëve dhe dialogut politikë. Ata që i kanë dëgjuar këto diskutime dhe ata që do t’i lexojnë ato në këtë vëllim, do të mund të kuptojnë ligjërimin paravajtës së këtij personaliteti dhe vërejtjet e tij dhënë personaliteteve e grupeve të caktuara serbe në lidhje me Kosovën, si një proces i pakthyeshëm politik në pavarësinë e saj.
Një kapitull më vete përbëjnë tekstet shumë domethënëse të vlerësimit të dhjetëra autorëve shqiptarë për Kvikun. Në radhë të parë kemi të bëjmë me dy vepra përfaqësuese të jetës dhe bëmave të tij. Fjalën e kemi për librin e studiuesit Ulmar Kvik Më shumë heroizma se sa grurë, përkthyer në gjuhën shqipe nga Hajdin Abazi dhe për monografinë Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick, me autorë Fetah Bahtirin, i cili me punën e tij të shumanshme e ka ridimensionuar plotësisht kontributin e këtij studiuesi, intelektuali e ambasadori të shqipes e shqiptarëve në Veri të Globit. Të kësaj natyre janë edhe një numër simbolik i intervistave të përfshira këtu, nga ato intervista të shumta, të cilat ai ia ka dhënë radios, televizionit e mediave të tjera të shkruara, prej të cilave mund të krijohet një pamje mjaft e pasur e angazhimeve të tij në jetën kulturore, arsimore, shkencore e sidomos politike. Po kështu mund të thuhet edhe për angazhimet e tij me artikuj për radiot në hapësirën suedeze, radiot ndërkombëtare e sidomos radion shqiptare. Nëse në fillim intervistat e tij kishin karakter personal e përcaktues, artikujt e botuar në vazhdim përfaqësojnë një fushë me interes për kulturën e komunikimit dhe historinë e radios në një periudhë historikisht të gjatë dhe gjeografikisht të hapur ndërkombëtarisht.
Vepra mbyllet me dy kapituj pasionesh të Ullmar Qvickut. Pasionin prej koleksionisti të pullave postare, dhe interesimin për insektet. Nëse koleksionistët e pullave postare përgjithësisht nuk janë të rrallë, interesimi i tij për insektet përfaqëson një individualitet të veçantë dhe gati të panjohur e të habitshëm në botën shqiptare, gjë që, besoj, nuk mund të them edhe për hapësirën suedeze. Në rastin e parë kapitulli mbi interesimin e tij për pullat postare pasurohet edhe me dy artikuj mjaft me interes, ai për natyrën e letërkëmbimit me Kosovën, prej nga sillet një histori e këndshme komunikimi, si dhe tjetri mbi pasionin fëmijëror të Ismail Kadaresë për pullat postare.
Vepra e studiuesit Fetah Bahtiri, Ulmar Qvick – Albanolog Plus, ndoshta mund të quhej Ulmar Qvick – më shumë se një albanolog, mbyllet me disa opinione të miqve të tij për Ullmar Qvickun, personalitetin dhe veprën e të cilit e kanë vlerësuar jo njëherë dhe e kanë nderuar shumë herë e në shumë raste angazhimi prej qytetari, intelektuali, studiuesi, përkthyesi, gjuhëtari e albanologu. Fjala është për vlerësimin e Hysen Ibrahimit, Sokol Demakut, Hamit Gurgurit, Bedri Pacit etj., të cilat në këtë rast nderojnë jo vetëm jetën dhe veprën e Ullmar Kvikut po edhe punën dhe veprën e mikut të tyre Fetah Bahtirit, të cilën po e përurojmë, këtu ku frymon më mirë se askund tjetër, në Kosovë, në të vërtetë në Mitrovicë.