• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRYSNITË NDAJ LIRISË SË SHTYPIT NË RAJONIN E OSBE-ës

August 14, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

NGA FRANK SHKRELI/

harlem_desir_osceMuajin e kaluar u emërua Përfaqsuesi Për Lirinë e Medies, i Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE).Kryetari në detyrë i kësaj organizate, Ministri i Jashtëm i Austrisë, Z. Sebastian Kurz, i cili kryesoi procesin konsultativ për të identifikuar dhe për të emëruar kandidatin më të përshtatshëm në këtë detyrë, njoftoi se Këshilli Ministerial i OSBE-së kishte miratuar emërimin e francezit, Harlem Desir, si përfaqsues i ri i kësaj organizate për lirinë e medies.Në njoftimin e OSBE-ës për emërimin e Z. Desir në këtë detyrë, thuhet se Përfaqsuesi për Lirinë e Shtypit, në rolin e tij, ndër të tjera, ushtron funksionin e paralajmërimit ndaj trysnive dhe rreziqeve që mund t’i kanosen lirisë së medies në 57-vendet anëtare të OSBE-ës dhe  njëkohësisht të propozojë ndërhyrjen e shpejtë ndaj shkeljeve serioze të lirisë shtypit në rajon.   “Liria e medies përballet me trysni në rritje e sipër, përfshirë edhe rajonin e vendeve anëtare të OSBE-ës”, është shprehur në një deklaratë për media, Ministri i jashtëm i Austrisë dhe Kryetari në detyrë i OSBE-ës, Sebastian Kurz, duke thënë se, “Kjo është edhe arsyeja që më kënaqë fakti se Harlem Desir, një figurë e njohur publike, do të shërbejë si zëri i kësaj organizate për lirinë e shtypit dhe për sigurinë e gazetarëve”.

Para emërimit të tij në detyrën e përfaqsuesit të OSBE-ës për lirinë e shtypit, Harlem Desir ka shërbyer si Ministër i Francës për Çështjet Evropiane pranë Ministrisë së Jashtme të atij vendi dhe në një numër detyrash me rëndësi në parlamentin evropian.   Mandati i kësaj detyre me rëndësi kërkon që Përfaqsuesi i OSBE-ës për lirinë e medies duhet të jetë një personalitet i njohur, me reputacion ndërkombëtar, i cili posedon përvojën e nevojshme në fushën e medies e nga i cili pritet që – në vlerësimet e tija — të jetë i pa anshëm, objektiv dhe i pavarur në kryerjen e funksionit të tij.  Duket se emërimi i Z. Harlem Desir si përfaqsues i OSBE-ës për Lirinë e Medias është pritur mirë nga entet ndërkombëtare që merren me mbështjen e lirisë se medies.  Është kjo një detyrë e cila vlerësohet shumë nga gazetarët dhe nga ente dhe organizata që merren me lirinë e shtypit, sidomos për mandatin e saj për të ngritur zërin në arenën ndërkombëtare, në mbështetje të lirisë së medies, pikëspari në radhët e vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë.

Njëra nga këto organizata, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në New York, është shprehur me rastin e emërimit të Z. Desir në këtë detyrë, “Se, një kohë kur liria e shtypit është në keqësim e sipër në shumë vende të OSBE-ës – duke filluar nga Turqia, ku Presidienti Rexhep Erdogan po burgos një numër të madh gazetarësh e deri tek Rusia ku gazetarët po vriten pa asnjë ndëshkim ndaj atyre që kryejnë këto akte, ose Hugaria e Polonia ku media shtetërore kontrollohet rrept – pasja e një zëri për të ngritur shqteësimet kundër shkeljes së të drejtave të gazetarëve dhe për të mbajtur përgjegjëse shtetet që lejojnë dhe tolerojnë një gjë të tillë — është jetësore për lirinë e medies.”

Në një intervistë që Z. Desir dha javën e kaluar për Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG) u shpreh se prioriteti i tij në mandatin e detyrës së re prej tre vjetësh, do të përqendrohet pikërisht mbi tri çështje me rëndësi për gazetarët: mbi sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre në terren, me mos ndëshkimin zyrtar të atyre që shkelin dhe që abuzojnë me të drejtat e gazetarëve dhe me lirinë e shtypit në përgjithësi dhe me luftën kundër dhunës ekstremiste (“online”) në internet.  Harlem Desir theksoi se për realizimin e këtyre prioriteteve, ai pret që të bashkpunojë me autoritetet vendase, me shoqërinë civile — sidomos në vendet e OSBE-ës — për të zgjidhur problemet që rrjedhin nga sfidat dhe trysnitë me të cilat përballet sot liria e shtypit.

Në lidhje me sigurinë e gazetarëve, në kryerjen e detyrës dhe përgjegjësive të tyre, në intervistën me entin e lirisë së shtypit, KMG-ën, Z. Desir u shpreh se kjo çështje për ‘të është, “Prioriteti absolut”: siguria fizike, pra, e gazetarëve dhe ndëshkimi i krimeve   që kryhen ndaj gazetarëve, kudo qoftë në rajonin e 57-vendeve anëtare të OSBE-ës. Ai shtoi se mos ndëshkimi i atyre që abuzojnë me lirinë e shtypit, është një problem në rritje e sipër dhe nevojitet një vëmendje serioze ndaj këtij fenomeni nga ana e vendeve anëtare, pasi është një problem që vazhdon të jetë—megjithëse jo e vetmja — një prej sfidave kryesore me të cilat përballet liria e shtypit në vendet anëtare të OSBE-ës.

“Në disa vende të OSBE-ës, gjëndja e lirisë së shtypit vazhdon të keqësohet dita-ditës, duke çuar në burgosjen e gazetarëve për shkak të punës së tyre – që është një shkelje flagrante e angazhimeve që kanë marrë përsipër vendet anëtare të OSBE-ës”, nënvijoi përfaqsuesi i ri për lirinë e medias i OSBE-ës, Z. Harlem Desir dhe shtoi se, “Jemi dëshmitarë të qindra hetimeve kriminale nga autoritetet  e ndryshme qeveritare kundër zërave kritikë, ndërkohë që 150 gazetarë mbeten në burg” në rajonin e OSBE-ës, vetëm e vetëm se kanë ushtruar punën e tyre si gazetarë, ka theksuar Z. Desir në intervistën e tij me entin për mbrojtjen e lirisë së shtypit, KMG.

I pyetur se cili ishte mesazhi i tij për gazetarët dhe mbrojtësit e lirisë së shtypit kudo, përfaqsuesi i ri i OSBE-ës për lirinë e medies, u shpreh se, “Roli i gazetarit është shumë i rëndësishëm në shoqëritë tona.   Në shumë vende anëtare të OSBE-ës, gazetarët rrezikojnë jetën për t’i sjellë publikut lajmet për të cilat njerëzit kanë nevojë në jetën e përditshme, ashtuqë të jenë më mirë të informuar mbi botën që na rrrethon. Që të jemi më të angazhuar në shoqërinë tonë, që nepërmjet medies së lirë, të bëjmë të njohura nevojat tona, të gjejmë mbështetjen e nevojshme dhe që të lidhemi me njëri tjetrin”, theksoi Z. Harlem Desir.  Ai shtoi se, “Demokracitë tona bëhen më të forta nepërmjet debatit të hapët e të sinqertë, përfshirë mosmarrveshjet midis nesh dhe çështjet e vështira me të cilat përballet shoqëria”.

Në fund të intervistës, Z. Desir u angazhua duke u shprehur se, gazetarët (në personin e tij) kanë një mbështetës të dedikuar për ta dhe për punën e tyre, duke premtuar se, “Do të ngrit zërin tim për ju, kur ju ose puna juaj shumë e rëndësishme përballet me kërcënime ose me përpjekje për të shuar zërin tuaj.”

Sot, në shumë vende anë e mbanë botës, përfshirë vendet anëtare të OSBE-ës, liria e shtypit dhe liria e fjalës përballen me sfida dhe trysni serioze, ndoshta si kurrë më parë ç’prej shembjes së komunizmit.  Këto trysni, fatkeqsisht, po diktohen jo vetëm në vendet me regjime autoritare, por edhe në vendet që, në përgjithësi, konsiderohen si demokratike.  Organizatat për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të cilat ndjekin situatën e lirisë së fjalës, anë e mbanë botës, kanë venë re rritjen e dukshme në survejimin e gazetarëve, shtypjen e fjalës së lirë dhe ushtrimin e influencës nga qeveritë e ndryshme, sfida këto që, në sytë e organizatave ndërkombëtare, mbrojtëse të lirës së fjalës, përbëjnë një shqetësim serioz për lirinë e medies dhe për zhvillimin e shoqërisë civile në përgjithësi.  Fatkeqsisht, diktohet një përpjekje gjithnjë e më e madhe nga ana e qeverive të ndryshme që ato të ruajnë monopolin e tyre mbi përhapjen e lajmeve dhe të informacionit, ndërkohë që me anë të frikësimeve dhe trysnive të llojlojshme, sipas enteve të ndryshme mbrojtëse të fjalës së lirë, monitorojnë dhe bllokojnë mjetet e lira të  komunikimit.

Në një raport më heret këtë vit, organizata e të drejtave të njeriut, Freedom House u shpreh se po rritet numri në listën e vendeve evropiane ku liria e shtypit gjëndet përball një rreziku gjithnjë më të madh.  Sidomos, sipas këtij raporti, vendet në jug-lindje të Evropës, veçanërisht në Ballkan, ushtrojnë frikësime, kërcënime dhe burgosje ndaj gazetarëve, ndërkohë që monopolet mediatike janë nën kontrollin e drejtë për drejtë të qeverive, të cilat ndjekin shembullën e Rusisë dhe të Kinës.  “Dhe çfarë po bëjnë demokracitë botërore në lidhje me këto kërcënime ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit”, pyet me ironi Freedom House, duke u përgjigjur njëkohsisht se vendet perëndimore sipas saj bëjnë, “Jo shumë dhe sigurisht jo aq sa duhet”.  Freedom House me të drejtë paralajmëron se, “Nëqoftse humbasim Evropën dhe Shtetet e Bashkuara si kampione të lirisë së shtypit…ka të ngjarë se do të humbasim edhe orientimin tonë në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit në përgjithësi, ose edhe më keq, sipas saj, ka mundësi që si rezultat i krijimit të kësaj situate, të përballemi me qeveri të cilat, më në fund, pa u hy ferra në këmbë, të kundërshtojnë dhe të shkelin rregullisht të drejtat e përgjithëshme të qytetarëve të vet. Një atmosferë e tillë ndërkombëtare, ku mohohet ose shkelet liria e fjalës dhe e shtypit pa asnjë ndëshkim, nuk përbën një botë më të sigurt por një botë më të rrezikshme për të gjithë dhe jo vetëm një kërcënim, për të drejtat e njeriut në përgjithësi, por edhe për paqën dhe sigurinë botërore, në veçanti.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, NË RAJONIN E OSBE-ës, TRYSNITË NDAJ LIRISË SË SHTYPIT

Marrëveshja e Ohrit, 16 vjet pas

August 14, 2017 by dgreca

1 Shkup

Propozim ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili pritet të dërgohet për miratim në Parlamentin e Maqedonisë, konsiderohet një rezultat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit./

1 Marrveshja e OhritNga Zërijeta Hajro Jajaga/

Hazbi Lika, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Maqedonisë, për dikasterin e sistemit politik, që në fokus ka zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë për Radion Evropa e Lirë se dokumenti kornizë, nëpërmjet së cilit iu dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001, në masë të madhe ka avancuar realizimin e kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë. Megjithatë, Lika konsideron se ka ende punë për t’u bërë.

“Me një marrëveshje nuk mund të mbyllen kërkesat për realizimin e të drejtave të një kombi, populli. Ata duhet në vazhdimësi të kërkohen, jetësohen, derisa ky shtet (Maqedonia) të jetë i barbarët për të gjithë. Kështu, hap pas hapi, politika duhet të fokusohet në prioritete. Ne kemi prioritete, për momentin jemi të fokusuar në ligjin e gjuhëve”.

“Çështja e gjuhës nuk është diçka luksoze përmes së cilës kërkesë partitë politike synojnë të reklamojnë veten, por është një gjë më se e nevojshme, sepse veçanërisht të rinjtë gjithnjë e më pak e mësojnë gjuhën shqipe dhe për ta është shumë e nevojshme që administrata shtetërore t’u ofrojë shërbime edhe në gjuhën shqipe. Njëkohësisht, edhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, është çështje me prioritet për ne”, thotë Lika, ish-komandant i UÇK-së gjatë konflikt të armatosur në vitin 2001.

Lika thekson se një nga pikat kryesore të planit të qeverisë të njohur si Plani 3-6-9- për nxitjen e procesit euro-integrues të Maqedonisë është edhe jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit. Pjesa që ka të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit përmban aspektin legjislativ përkatësisht Ligjin e gjuhëve, i cili tashmë është miratuar në qeveri dhe pritet të kalojë edhe në Parlament që të mund të gjejë zbatim edhe në praktikë.

Lika thotë se Ligji për gjuhët, qytetarëve shqiptarë u mundëson të përdorin gjuhën shqipe në të gjitha institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror.

“Me ligjin e gjuhëve, të propozuar nga Qeveria, nuk mund të them se mbyllet tërësisht kjo kaptinë e marrëveshjes së Ohrit, por mendoj se qytetarëve shqiptarë me këtë ligj u ofrohet një mundësi e mirë që në administratë të shërbehen edhe në gjuhën shqipe”.

“Kështu që gjuha shqipe gjen zbatim në aspektin vertikal nga mbledhjet e Qeverisë ku gjuha shqipe gjen zbatim në të folur dhe dokumentet e shkruara deri në institucionet më të ulëta. Përderisa në aspektin horizontal, në të gjitha komunat ku shqiptarët përbëjnë 20 për qind (të popullsisë) gjuha shqipe gjen zbatim në të gjitha institucionet”, shprehet Lika.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se Marrëveshja e Ohrit ka shërbyer për sigurimin e pikëve politike për partitë politike shqiptare në pushtet.

“Marrëveshja e Ohrit në shumë raste përgjatë këtyre viteve, që nga viti 2001, është keqpërdorur për përfitimin e pikëve politike në më shumë raste kur politikanët nuk arrijnë të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për kërkesat e qytetarëve”, thekson Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e njeriut.

Najçeska thotë se dokumenti kornizë në fokus ka elementin qytetar dhe jo atë kolektiv, mbi bazë të së cilit partitë politike mbajnë peng elektoratin duke u bërë pronar i të drejtave të caktuara .

“Marrëveshja e Ohrit duhej të ndërpresë së ekzistuari, përkatësisht të jetë burim i të drejtave të caktuara në momentin që u bënë ndryshimet kushtetuese. Që në atë moment, ndryshimet kushtetuese duhej të ishin ato (përmes ndryshimit të ligjeve dhe akteve nënligjore) përmes së cilave qytetarët do të realizojnë të drejtat e tyre përderisa Marrëveshja e Ohrit duhej t’i takojë historisë si dokument, përmes së cilit iu dha fund në një moment konfliktit të armatosur në vitin 2001”, thotë Najçevska.

Ndryshe, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, më 13 gusht të 2001, iu dha fund konfliktit të armatosur atëkohë në Maqedoni, dokument ky që u arrit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, lideri Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, ai Partisë për Prosperitet Demokratik, Imer Imeri, dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferri.

Përmes këtij dokumenti kornizë, synohej avancimi i statusit juridik, politik ekonomik dhe kulturor i shqiptarëve të Maqedonisë.

Parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit ndërtohen mbi pesë shtylla kryesore: Ndërrimi i pushteteve vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike; Garantimi i sovraniteti dhe integriteti territorial të Maqedonisë; Konfirmimi i karakterit multi-etnik të shoqërisë maqedonase; Ndërtimi i shtetit demokratik; Zhvillimi i pushtetit vendor.

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se Marrëveshja e Ohrit mbetet e parealizuar edhe 16 vjet pas, pavarësisht se në segmente të caktuara janë avancuar të drejtat e shqiptarëve përmes ndryshimeve ligjore, por zbatimi në praktikë i këtyre ligjeve, lë shumë për të dëshiruar. Analistët theksojnë si problem dhe faktin seky dokument nuk arriti të ndryshojë statusin kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni.

Filed Under: Politike Tagged With: 16 vjet pas, Marrëveshja Ohrit

Kater senatore te SHBA vizite ne Shqiperi

August 12, 2017 by dgreca

1 Kater senatoret

 Ne Foto:Senatorët Blunt, Cornyn, Cotton, dhe Tillis, si dhe zv/ambasadori amerikan ne Tirane/

Tirane, 12 Gusht 2017- Një delegacion me katër senatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vizitoi sot Shqipërinë për të biseduar mbi partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çështjet e bashkëpunimit për sigurinë, mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit. Senatorët Blunt, Cornyn, Cotton, dhe Tillis u takuan me Presidentin Ilir Meta, zyrtarë të Qeverisë, dhe drejtues të Partisë Demokratike, për të nënvizuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë në stabilitetin rajonal, përpjekjet për të luftuar terrorizmin, dhe rëndësinë e zbatimit të reformave kryesore, përfshirë reformën në drejtësi.

A delegation of four U.S. Senators visited Albania today to discuss the U.S.-Albania partnership, and issues of security, defense and counterterrorism cooperation. Senators Blunt, Cornyn, Cotton, and Tillis met with President Ilir Meta, Government officials, and leaders from the Democratic Party to underscore the importance of Albania’s role in regional stability, counter-terrorism efforts, and the importance of implementing key reforms, including judicial reform.

Deklarate e Ambasades se SHBA ne Tirane. 12 gusht 2017.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Cornyn, Cotton, dhe Tillis, dhe zv ambasadori amerikan, Senatorët Blunt

GJENERALI DUHET TË FLASË

August 12, 2017 by dgreca

– 16 vjet pas masakrës së Shkupit më 7 gusht 2001 -/

1 Gezim Ostreni

Nga Kolec TRABOINI/Padyshim që gjeneral Gzim Ostreni duhet të flasë. Pastaj të nis të zbërthehet zinxhiri i tradhtisë konformë Marrëveshjes disfatiste të Ohrit, që e kishte dështimin që në embrion dhe ishte padyshim strumbullari i tradhtisë që çoi në masakrën e Gazi Babës së Shkupit më 7 gusht 2001. Tepër e rëndë është të vdesësh duke marrë mbi supe si gur varri një tradhti të tillë ku 16 vjet më parë u vranë mizorisht në gjumë 5 djem shqiptarë, luftëtarët e njësitit “Teli-69”, Ndriçim Koxhaj, Pajtim Roçi, Arben Bajrami e Abaz Beqiri, (me pas Adem Hasani), mes tyre legjendari Komandant Teli.

I kam lexuar të gjitha deponimet e Ostrenit në Hagë ku ai nuk kërkon që kjo masakër të hetohet e gjykohet. Mesaduket se do të trazoheshin shumë ujëra, do të dilnin në sipërfaqe e do zbuloheshin rrënjët e tradhtisë që nisi nga shtabi. Kemi lexuar edhe deponimet e Nazim Bushit, komandantit të brigadës 114 të UÇK-së, në Gjyqin e Hagës. Asnjë iniciativë për hapjen e procesit për masakrën e Gazi Babës. Por duhet thënë një e vërtetë. I vetmi që e ka ngritur zërin në Gjyqin e Hagës duke e cilësuar masakrën si një tradhti ka qenë Nazim Bushi.

Po e citojmë:

“Unë mendoj se vdekja e tij (Komandant Telit- shënim im) ishte rezultat i një tradhtia dhe ka një hetimi ende në vazhdim”.

Hetimi që është bërë nga Shtabi i UÇK-së me sa duket ka qenë formalisht sepse po vetë ata, më pas e kanë mbyllur pa nxjerrë asnjë përfundim se kush ua a dha forcave policore maqedone informacionin se ku ndodhej njësiti që drejtohej nga komandant Teli.

Menjëherë pas luftës, u tentua të mbyllej çështja duke vrarë një komandant të UÇK-së me atentat e më pas për ta përpunuar opinionin se i vrari ishte tradhtari. Fati deshi që Komandant Hoxha shpëtoi. E kjo e ndërlikoi akoma më shumë gjendjen e grupimit që përbën bërthamën e tradhtisë se Gazi Babës, por shtoi akoma më shumë ankthin e tradhtisë së madhe që nuk po “zbulohej”, po ashtu nuk po arrihej të mbulohej. Për ta ndihmuar Gzim Ostrenin, ish shefin e Shtabit të UÇK-së ku dihet se u krye tradhtia, për freskimin e kujtesës së plakur tashmë, po i sjellim një rrëfim të një ish ushtari të UÇK-së të dhënë për ne më 11 shkurt 2011, te cilën e kemi në dosjen tonë të kërkimeve e le të na thotë publikisht se sa vërtetë është:

 

“Në një takim me ambasadorin Batler në Shkup dhe Gilbert, F-4 shërbimi EUS, Mekarti F-4 shërbimi EUS, unë i pyeta pse nuk hetohet rasti Gazibaba. Ata më thanë: “Gzim Osdreni ka njoftuar shërbimet relevante se ka grupe të armatosura në Shkup të dala jashtë kontrollit që rrezikojnë Marrëveshjen e Ohrit. Ky ka qenë preteksti që ju kemi lënë dorë të lira forcave maqedonase – tha Ambasadori Batler, që vazhdoi – këtë informatë e kam nga NRO, Shërbimi Mbikëqyrës i Inteligjencies Amerikane.”

 

I bëj thirrje të flasë megjithëse e di se as Gzim Ostreni, as Ali Ahmeti, por as Daim Hiseni që atë natë ka qenë në Shkup (pse vallë la malet atë natë?), as Maliq Ndreca që ka deklaruar mëngjesin e 7 gushtit 2001 se Komandant Teli ishte dezertor dhe ndiqej për tu arrestuar nga policia e UÇK-së. As Faslli Veliu nuk dëshëron të flasë. Beqir Sinani që u muar me hetimin nuk ka pranuar të tregojë çfarë kanë dosjet e tij. Xhezair Shaqiri që ka pranuar të flasë mund të ndihmojë në zbardhjen e kësaj tragjedie. Ndërkohë, ani pse ka pas dijeni të plotë si pjesë e inteligjencës së Shtabit, Haruni Aliu ( Kushtrimi) heshti në të gjallë e nuk mund më të flasë se e kanë vrarë, Ridvan Neziri (Hoxha) për të njëjtën arsye.

Dikush ka qenë e vazhdon të jetë më i interesuar të zhdukë dëshmitarët, që deri diku ja ka arritur, se sa ta zbulojnë bashkëpunëtorët e masakrës. Kësisoj masakra nga tradhti kaloi në konspiracion.

Po edhe heshtja e tyre gjithsesi flet. Dhe populli di të deshifrojë këtë heshtje monstruoze në afro dy dekada. Ndërsa gjashtë luftëtarët e UÇK-së, këta bij të popullit shqiptar, gjendën në varr duke pritur të vendoset drejtësia njerëzore, ani pse brengën e vrasjes tradhtisht në gjumë, nuk ka varr që e tret.

 

12 gusht 2017

Filed Under: Politike Tagged With: duvet et flat, Gjener Ostreni, Kolec Traboini

Deputeti i PDIU Rakipi aksidentoi me vdekje një këmbësor

August 12, 2017 by dgreca

1 Rakipi

Aksidenti i mëngjesit të sotëm në aksin Vorë-Tiranë me pasojë vdekjen e një qytetari dhe ku rezulton i implikuar deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, nuk është ngjarja e parë ku një ligjvënës ndodhet në pozitën e të dyshuarit apo edhe të akuzuarit, qoftë politikisht apo edhe të opinionit publik.

aksidente

Nëse i referohemi ngjarjeve të tilla, historia e aksidenteve të shkaktuara apo ku kanë rezultuar të përfshirë zyrtarë të shtetit apo deputetë janë disa, por më pasoja të rënda si humbje jetësh rezultojnë vetëm 4, me gjithë aksidentin e mëngjesit të së shtunës.

Pavarësisht se deri më tani asnjë prej të akuzuarve, qoftë edhe politikisht si autorë aksidentesh, nuk është marrë nën hetim për të provuar ose jo fajësinë e tyre, ndoshta ngjarja e sotme mund të shënojë një pikë kthese edhe për rastet kur në ngjarje të tilla të rënda janë të përfshirë zyrtarë të shtetit.

Nëse një qytetar i zakonshëm, me automjetin e tij përfshihet në një aksident, ai nuk falet, as moralisht e as ligjërisht.

Brenda pak minutash policia publikon të dhënat, masën e marrë ndaj tij, pamjet filmike, fotot dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me ngjarjen. Ndërsa në ato raste kur të implikuar në aksidente rrugore janë zyrtarë apo ligjvënës të shtetit, gjithmonë ka një hezitim apo një përpjekje për të mbuluar me një mister atë që ka ndodhur, duke shmangur jehonën dhe duke u munduar deri në fund të ruhet anonimati i personit të përfshirë.

Kështu ndodhi edhe sot me komunikatën zyrtare të policisë, e cila jepte me iniciale si shtetasin që kishte humbur jetën, ashtu edhe drejtuesin e mjetit të përfshirë në aksident. Por vetëm kaq, pasi për të nuk thuhej as pozicioni që mban, as mosha dhe asnjë e dhënë tjetër.

Nëse ky është një standard, atëherë e njëjta praktikë duhet të ndiqet me çdo qytetar tjetër në këtë vend që sot, nesër, apo në ditët në vijim mund të përfshihet në një aksident, të cilat në Shqipëri shkaktojnë viktima më tepër sesa çdo vepër tjetër.

Çështja nuk është nëse policia po tenton sot të mbajë disi të fshehur një ngjarje të zbuluar nga mediat, por ky është një mentalitet që mbizotëron ndër vite; ndërsa aksidente të tilla ose janë denoncuar nga partitë politike ose janë hulumtuar nga mediat, por në fund të fundit, institucionet ligjzbatuese nuk kanë lëvizuar as majën e gishtit për të thënë një version mbi atë që ka ndodhur, qoftë edhe pa përcaktuar fajtorë.

Gjithçka është tentuar të mbahet larg vëmendjes, transparencës, madje duke ngritur dyshime të forta për mbylljen e çështjeve pa u hapur asnjë hetim.

Aksidentet ndër vite me pasojë vdekje

Nëse i referohemi statistikave, rastet kur në aksidente janë të përfshirë zyrtarë dhe kur ka pasur pasoja të rënda, janë të pakta.

Sokol Nako, ish-ministër i Transporteve, është përfshirë në një aksident të rëndë, ku humbi jetën një qytetar, ndërsa ai më pas dha dorëheqjen. Aksidenti, që u mbajt fillimisht i fshehtë, dhe më pas u tha se ministri i atëhershëm ishte në një inpektim rrugësh, ndodhi në aksin dytësor Tiranë-Durrës. Në atë kohë, opozita akuzoi ministrin si të përfshirë drejtpërsëdrejti në aksident, por vetëm ditë më pas pati një reagim, kur Nako dha dorëheqjen nga pozicioni ministror dhe më pas u largua nga politika. Në atë kohë çështja u mbyll, ndërsa ish-ministri i Transporteve, duket se zgjodhi rrugën për të “ndëshkuar” veten duke lënë mënjanë karrierën politike.

Rreth një vit më pas, mediat raportuan për një tjetër aksident me makinë, ku edhe sipas denoncimeve të opozitës së atëhershme (PD) akuzoheshin ish-Kryeministri Nano dhe Blendi Klosi, aktualisht deputet. Aksidenti ndodhi në shkurt të 2001-it, pranë Shkallnuerit, fshat në Durrës, ndërsa viktima ishte një shtetas 81 vjeç, që u tha se po ecte anës rrugës. Në atë kohë u raportua se trupi i pajetë i të aksidentuarit përfundoi në një kanal anës rrugës, në rrethana që nuk u zbardhën asnjëherë nga policia dhe prokuroria, por akuzat publike nga opozita fajësonin dy politikanët e lartë që kishte PS në atë kohë. Edhe në këtë rast hetimi u mbyll pa nisur mirë, me pretendimin se autorët nuk dihen, ndërsa asnjë nga emrat e akuzuar nga opozita e atëhershme nuk u thirr në Prokurori. Madje për të zbardhur aksidentin e Shkallnuerit, PD kërkoi në dhjetor të 2003-it, ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që nuk u miratua nga mazhoranca socialiste.

Një tjetër denoncim i bërë nga PD është aksidenti i korrikut 2014, ku u akuzua Kryeparlamentari Ilir Meta, aktualisht President i Republikës për fshehjen e ngjarjes.

PD akuzoi se një 19-vjeçar u aksidentua për vdekje nga eskorta e Kryetarit të Kuvendit, që drejtohej nga Ilir Meta, duke vijuar më tej se Ministria e Brendshme dhe policia po manipulonin ngjarjen.

Aksidenti ndodhi në fshatin Bilalas në Manëz, ndërsa viktima ishte kalimtar. Në atë kohë, Ministria e Brendshme, tha se oficeri i gardës që ishte përfshirë në aksident ishte arrestuar, por ai po udhëtonte me automjetin e tij, duke përgënjeshtruar akuzat e PD për një përfshirje në aksident të eskortës së Kryetarit të Kuvendit, apo fshehjen e ngjarjes prej tij.

Aksidenti i fundit që ka ndodhur me përfshirjen e një zyrtari është ai i mëngjesit të 12 gushtit 2017, ku një shtetas 53 vjeçar humbi jetën, ndërsa makina drejtohej nga deputeti Aqif Rakipi, i cili është vetëdorëzuar në polici pak minuta pas ngjarjes.

Filed Under: Politike Tagged With: Deputeti Rakipi. aksident

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 528
  • 529
  • 530
  • 531
  • 532
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT