• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTYPI:QEVERIA E KOSOVËS VOTOHET PAS TAKIMEVE SERBE NË BEOGRAD

September 9, 2017 by dgreca

ZGJEDHJA E QEVERISË SË KOSOVËS SI E PËRCAKTON KUSHTETUTA/

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për zgjedhjen e e Qeverisë shkruan:/

“Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë] 1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. 2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. 3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. 5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. 6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj”.

SHTYPI I PRISHTINËS: QEVERIA E KOSOVËS VOTOHET PAS TAKIMEVE SERBE NË BEOGRAD

Sipas shtypit të Prishtinës, ka shumë gjasa që edhe  seanca e ftuar për të shtunën e Kuvendit të Kosovës të zvarritet, së paku për disa orë, për shkak se deputetët e Listës Serbe, që po ashtu pritet të jenë pjesë e kabinetit qeverisës të Haradinajt, nuk kanë shumë gjasa që të mbërrijnë me kohë për fillimin e seancës në orën e caktuar.

“Lista Serbe, siç edhe ka paralajmëruar, para votimit të Qeverisë do të qëndrojë në Beograd për takime konsultuese me zyrtarët atje. Dhe janë takimet e caktuara në Beograd ato që duket se do ta pamundësojnë prezencën e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës në orën 16:00.

Sipas një njoftimi të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë, drejtuesi i kësaj zyre, Marko Gjuriç, do të presë kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, dhe deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës, në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë të shtunën në orën 13:00. Pas takimit, Gjuriç dhe Rakiç do të mbajnë një konferencë për gazetarë, në orën 14:00”, shkruan në numrin e të shtunës gazeta Koha Ditore me titullin “Qeveria e Kosovës votohet pas takimeve serbe në Beograd”.

Filed Under: Politike Tagged With: Beogradi, Media e Kosoves, qeveria

Një ditë me fushatën e kandidatit Mark Gjonaj në Bronks

September 8, 2017 by dgreca

NGA ILIR IKONOMI/ Zeri i Amerikes/

1 Mark GjonajMark Gjonaj, anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork është shqiptari i zgjedhur në postin më lartë politik në Shtetet e Bashkuara.Zoti Gjonaj, me origjinë nga Ulqini, po kandidon tani si demokrat për Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut në distriktin 13 të Bronksit, një zonë ku tradicionalisht demokratët fitojnë. Është një zonë ku banojnë edhe shumë shqiptarë, raporton Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës, i cili ishte në Bronks për të ndjekur një ditë fushate të zotit Gjonaj.

Të martën këtu zhvillohen zgjedhjet paraprake brenda demokratëve dhe fushata ka hyrë në fazën më intensive.

Punonjësit e fushatës shkojnë shtëpi më shtëpi për të bindur njerëzit të votojnë për Mark Gjonajn.

“Pa ju, – u thotë atyre zoti Gjonaj, – kjo nuk do të kishte qenë e mundur. Ju jeni fytyra dhe zëri im. Ju bëni ndryshimin në këtë fushatë dhe unë nuk do ta harroj kurrë këtë.”

Fushata mes kandidatëve demokratëve ka hyrë në fazën përfundimtare.

“Është shumë vështirë. Duhet të kesh një zell, një pasion dhe një dedikim të jashtëzakonshëm,” thotë Vera Mjeku, drejtore e komunikimit të fushatës.

Beteja për Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut është e ndërlikuar edhe pse kjo nuk duket shumë nga jashtë, sepse për të fituar, duhet të kesh mbështetjen e politikanëve të njohur apo të sindikatave, por sidomos duhet të njohësh komunitetin.

Marku është marrë prej vitesh me biznesin e pronave të patundshme dhe e njeh mirë zonën ku kandidon.

“Ai gjithmonë ka qenë shumë i përfshirë në të gjitha gjërat që kanë ndodhur në këtë komunitet, ku shumica janë italianë, hispanikë ose të tjerë,” thotë zonja Mjeku.

Kur e pyesim se çfarë e motivon, Mark Gjonaj thotë se Amerika ka bërë shumë për atë dhe familjen e tij dhe se ka ardhur koha që ai t’i kthejë borxhin:

“Është në natyrën tonë t’ua shpërblejmë të tjerëve, është pjesë e traditës sonë. Ne jemi njerëz shumë bujarë, bëjmë më shumë për të tjerët sesa për veten tonë,” thotë zoti Gjonaj.“Prindërit e mi kur imigruan këtu nuk dinin gjuhën, nuk kishin arsimin e duhur e megjithatë ata gjetën kushtet për të punuar dhe për t’u beguatuar në këtë vend të madh. Ata investuan në të ardhmen time dhe në arsimimin tim, më dhanë mua shansin, nga i cili unë përfitova.”

Në Distriktin 13 ku konkurron Marku ka mjaft shqiptarë.

“Kam 20 vjet që kam ardhur këtu dhe e njoh Markun, thotë biznesmeni Gac Hanxhari. Është shumë njeri i përgjegjshëm, punon shumë për komunitetin shqiptar, gjithmonë ka dhënë. …. Ai e meriton gjithçka, sepse është një nga shqiptarët, duhet me thënë të rrallë këto kohët e fundit, që ka kontribuar për komunitetin.”

Marku është ndër shqiptarët e pakët në Amerikë që kanë patur sukses në politikë. E ka arritur çdo gjë vetë, me durim dhe punë.

“Nuk është e mjaftueshme që të përparojmë vetëm për veten tonë, të shkojmë në shkollë, të gjejmë një punë. Komuniteti ka ardhur në një shkallë që duhet të kërkojë përfaqësim. Marku nuk është vetëm vetvetja, nuk përfaqëson vetëm veten e tij, por një zë i munguar për komunitetin shqiptar dhe është politikani i vetëm shqiptar i zgjedhur në poitikën amerikane,” thotë zonja Mjeku.

Në komunitetin shqiptar ka një dëshirë për të nxjerrë më shumë politikanë.

“Politika, – shpjegon zoti Gjonaj, – është shkalla e fundit, kur stabilizohesh dhe ke bërë diçka për vete, për familjen dhe komunitetin. Shpresoj se së shpejti do të ketë shumë më tepër shqiptarë të suksesshëm në politikë.”

Marku e ka mësuar shqipen në Amerikë dhe me shqiptarët bisedat i bën gjithnjë në shqip.

“Ne shqiptarëve na ka bërë krenar Mark Gjonaj, sepse është i vetmi shqiptar që po prin,” thotë Lekë Lumaj, i cili gjithashtu banon në Bronks.

Por Marku ka shumë dashamirës të tjerë në të gjithë distriktin. Kur shkuam në një treg të vogël lagjeje, vumë re se ai hynte lehtë në bisedë me njerëzit e të gjitha etnive.

“Ai ka një zemër të mrekullueshme, – thotë Edith Blitzer. Kur humba burrin një vit më parë ai erdhi në ceremonitë e përmortshme, erdhi në shtëpinë time. Për çfarëdo që të kisha nevojë, ai mu gjend pranë. Falenderoj Zotin që nuk pata ndonjë nevojë, por ai më ofroi ndihmë.”

Në një aktivitet lagjeje ku banojnë edhe shqiptarë, Marku i njeh thuajse të gjithë, pavarësisht nga etnia.

“Ai e di se çfarë duam ne dhe e arrin atë që ne duam…” tha Laurene Tauber, banore e lagjes.

Nëse zgjidhet në këshillin bashkiak, Mark Gjonaj do të ketë më shumë rast për të ndihmuar komunitetin, sepse në nivel lokal do të jetë më afër njerëzve.

Kur e pyetëm nëse qëllimi i tij përfundimtar është të sigurojë në të ardhmen një vend në Kongresin amerikan, Gjonaj u përgjigj:

“Aspak. Unë kam një plan në mendje: ta ndihmoj këtë komunitet për t’u bërë më i fortë, më i shëndetshëm dhe më i begatë. Ne kemi nevojë të zgjidhim çështjet lokale, na duhet një qendër komunitare, na duhet të ndihmojmë të moshuarit. Na duhet një program që të ndihmojë për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nuk e di se ku do të çojë rruga e politikës, por kemi shumë punë në nivel lokal.”

Në Sheshin Uestçester të Bronksit, ku Marku dhe të tjerë po mbanin një aktivitet që quhej Dita Ndërkombëtare e Familjes, shihje mes të tjerash edhe flamurët e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Disa nga politikanët që po mbanin fjalime ishin kolegë të Markut: Michael Benedetto, përfaqësues në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut dhe Jeffrey Klein, senator në Asamblenë e këtij shteti. Që të dy e mbështesin fort kandidaturën e Markut për në Këshillin e Nju Jorkut.

Është kohë dreke, njerëzit që kanë ardhur nuk janë shumë, por ata shkojnë e vijnë.

Fushata e zotit Gjonaj kishte sjellë një grup valltarësh me kostume shqiptare që krijuan gjallëri në shesh.

“Mark Gjonaj është ndër zyrtarët e zgjedhur më të papërtuar që kam takuar ndonjëherë. Ai interesohet thellësisht për komunitetin, për larminë etnike në Broks. Ai është nga ata të cilët e jetojnë çdo ditë me arsyen e thjeshtë për të sjellë një ndryshim në jetët e njerëzve,” tha Jeffrey D. Klein, Senator në Distriktin e 34 të Bronksit.

Nga ana e tij, Mark Gjonaj tha se ka një mesazh të thjeshtë për shqiptarët:

“Vazhdoni të punoni fort, mos e harroni vendlindjen, mos e harroni jetesën e vështirë që kemi patur. Ta bëjmë këtë botë më mirë sesa e kemi gjetur.”(Vidion mund ta shihni ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Ikonomi, Mark Gjonaj, me fushatën e kandidatit, në Bronks, nje dite

Skënderbeu, 2017: “Marrëzinë nuk jua solla unë, atë e gjeta mes tuaj”

September 8, 2017 by dgreca

1 Ermir_Hoxha-500x281-e14292618973441-347x2331-364x245111-347x233-347x233-1-1-347x233-1-1-1-1-1-347x233-1NGA ERMIR HOXHA/

Një debat mbi “Skënderbeun e mbuluar” që zotëroi këto ditë hapësirat sociale dhe mediatike shqiptare,  e çon thënien e pretenduar të heroit tonë kombëtar nga “Lirinë nuk jua solla unë, por atë e gjeta mes tuaj”, që të adaptohet në kushtet e sotme si “Marrëzinë nuk jua solla unë, por atë e gjeta mes tuaj!”.

Sepse deri më sot, nuk ka patur debat më të marrëzishëm. Dhe mjaftojnë pak kampionë për ta kategorizuar si të tillë. E para, termi “i mbuluar”. Për të gjithë ata që lexuan e dëgjuan për herë të parë lidhur me mbulimin e heroit ditën e Kurban Bajramit, pa e parë realisht se çfarë kishte ndodhur, u krijua përshtypja e krijuar se një beze gjigande i ishte hedhur monumentit për ta bërë atë inekzistent për do orë. Dhe vulën kësaj idiotësie ia vuri presidenti Thaçi, që deklaroi se “asnjë pëlhurë nuk e mbulon dot…”(!). Pra, kreu i shtetit kosovar ishte ende tek bezja, në një imagjinatë jo krejtësisht naive, por në një bindje tërësisht të trashë në raport me ditët që kanë kaluar kur pothuajse për çdokënd me dy pare mend në kokë është bërë e qartë gjithçka, më kryesorja që kishim të bënim me një “budalla që hedh një gur në lum, e ku futen njëqind (po aq budallenj), e që s’e nxjerrin sot”.

Prej tyre pati sosh që shihnin tek “mbulimi” (ka shumë arsye për ta futur në thonjëza), një konspiracion mes Erjon Velisë dhe Muhamed Kalasë (vëreni me kujdes: Ahmed Kalasë, gjithsesi një figurë e njohur publike si imam i njohur i një xhamie të njohur në Tiranë, ia shkruan emrin Muhamed(!)), dhe ky që ia servirte opinionit zbulimin e madh të konspiracionit anti-Skënderbe mes kreut të Bashkisë dhe një prijësi fetar në kryeqytet, vetërenditet tek të lëçiturit, të iluminuarit, moralistët, të shembshurit për fatet e kombit.

Mes tyre, me më shumë peshë fjale, ishte dhe Artan Lame. E nëse të gjithë janë të falur si pjesëmarrës e kontribuues në marrëzi, mes tyre Flutura Açka dhe Agron Gjekmarkaj, të njohur tashmë për angazhimin e tyre publik në gjetjen e ndonjë ceni tek besimi i shumicës shqiptare për ta bërë më pas qimen-tra, nuk vlen kjo për Artan Lamen, njeriu që aq shumë ka investuar tek vetvetja për të mos qenë pjesë e berihajit, e që atë ditë ngjau me një shqiptar të rëndomtë e të papunë facebook-u, duke u bërë njësh me marrëzinë, e madje dhënë një dorë të mirë asaj në një gjallim të çmendur disaditor.

Por le ta shohim dhe njëherë ftohtësisht se ç’ndodhi atë ditë:

Në fakt nuk ndodhi asgjë. Të paktën në shesh. Ndodhi më e zakonshmja që ka ndodhur çdo kremtim Bajrami. Një podium, një ekran pas – sigurisht, falë avancave teknologjike – vendosur në pozicion simetrik përballë masës së besimtarëve. Madje është vetë simetria, ky detaj gjeometrik, që shpartallon çdo aluzion se e gjitha kishte të bënte me atë agregat të bronxtë pas, pra Skënderbeut mbi kalë.

Por dhe nëse do ishte vërtet kështu, nuk ka asgjë penalizuese në këtë mes, gjersa askush nuk është marrë me Skënderbeun, as me dorë e as me fjalë. Organizatorët, KMSH-ja në këtë rast, i është përgjigjur vetëm kërkesave estetike-skenike, pa patur ndonjë udhëzues të veçantë kushtëzues, ligjor apo etik, në përgatitjen e dekorit festiv. Dhe këtu mbyllet gjithë debati. Të lirë për ta vijuar atë, në pamundësi për t’i penguar, janë vetëm masat e të papunëve në rrjete, delirantëve gjithashtu, ku dallon dhe ndonjë që në pamundësi për t’u bërë gazetar i njohur tek “vendi i qenit” – terreni – zgjedh të bëhet në facebook.

Pjesa tjetër e marrëzisë gjendet dhe tek masat e besimtarëve muslimanë, që lehtësisht tërhiqen për hunde duke rrëshqitur  e zhvendosur me një lehtësi naive drejt debatit mbi statusin historik apo fetar të Skënderbeut. Me një mungesë të theksuar urtësie që buron nga tradita profetike, së cilën mëtojnë se e ndjekin, kjo masë bie me një lehtësi të papërballueshme në karemin që i ofrohet, sidomos nga “peshkimi” mediatik. Veçohet në gjithë këtë lojë, lloji i përzgjedhjes që bëhet për panele debati televiziv, mbi figura “përfaqsuese” komunitare që në realitet kanë një reputacion minimal “brenda llojit”.

Për më tepër se kaq, një komuniteti me shumë probleme të brendshme, i cili ende nuk ka të konsoliduar tiparet bazë të vetëdijes së lartë fetare në disa terma socialë, ku përfshihet dhe komunikimi në një shoqëri diverse, nuk i shkon që të jepet me aq nerv e energji në çështje që nuk i ka parësore, referuar modelit profetik me formulën kohë/moment/pozitë.

Dhe në fund, ndonëse është herët të flitet, KMSH nuk ka pse kompleksohet nga gjithë çka ka ndodhur këto ditë, duke u tërhequr nga prishja e simetrisë së vendosjes së podiumit, apo dhe e uljes së lartësisë së ekranit, Bajramet e ardhshme.

Skënderbeu është në vendin e vet, siç janë dhe besimtarët në organizimet e tyre festive. Për mendjet e kthjellëta, Shqipëria është madhe aq sa ka vend për të gjithë. Ndaj nuk duhet t’jua lëmë atë mendjeshthurrurve që me iluzionet e tyre optike e bëjnë të vogël, të ngushtë, të sikletshme, siç janë dhe vetë të tillë. /tesheshi.

Filed Under: Politike Tagged With: 2017, Marrezine, nuk ua solla une, Skenderbeu

Kosovë- Presidenti Hashim Thaçi mandaton Ramush Haradinajn për kryeministër

September 7, 2017 by dgreca

1 Thaci-Haradinaj

PRISHTINË, 7 Shtator 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit mandatoi liderin e AAK Ramush Haradinaj për kryeministër.“Sapo pranova propozimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, i cili ka siguruar shumicën e votave në Parlament, për caktimin e mandatarit të ri të qeverisë së Kosovë.

Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, përmes një dekreti kam caktuar z. Ramush Haradinaj mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, i propozuar nga ky koalicion”, shkruan Thaçi në ‘facebook’.Në fjalën e tij, në përfundim të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës sot pasdite, i saporizgjedhur kryeparlamentar Kadri  Veseli paralajmëroi për të shtunën seancën për zgjedhjen e liderit të AAK Ramush Haradinajt  kryeministër dhe qeverisë së Kosovës, e më parë mandatimin.

Koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma është fituesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.Në një paralajmërim të dërguar sapo njoftohet se sot në orën 16:30 kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe mandatari për krijimin e qeverisë, Ramush Haradinaj mbajën konferencë shtypi.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Kryeminister Haradinajn, mandaton, Presidenti Thaçi

Kushtet e Listës Serbe frenojnë formimin e institucioneve

September 6, 2017 by dgreca

1 Ramushi4

Lista Serbe është e gatshme që të jetë partner konstruktiv në institucionet e ardhshme të Kosovës dhe të punojë për përparimin e pozitës së të gjithë qytetarëve, e në veçanti të serbëve në hapësirën e Kosovës, thonë zyrtarët e Listës Serbe.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe dhe zëdhënës i këtij subjekti politik , thotë për Radion Evropa e Lirë se para se të arrihet çfarëdo marrëveshje me subjektet politike shqiptare, Lista Serbe do të konsultohet me Qeverinë në Beograd dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ne nuk kemi bashkëpunëtor më të mirë, mik dhe dikë që mendon më mirë për serbët në Kosovë, se sa Qeverinë tonë dhe Presidentin tonë”, ka thënë Simiq.

Ai ka theksuar se Lista Serbe konsideron që është mirë që Kosova po lëvizë drejt formimit të institucioneve të reja, prej kur koalicionit PAN, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i është bashkangjitur edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë theksuar se janë duke u koordinuar me Listën Serbe për marrëveshjen lidhur me formimin e Qeverisë së re, por, ata nuk kanë dhënë detaje se mbi cilat kushte synohet një marrëveshje e tillë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke biseduar me Listën Serbe. Ndërkaq, lidhur me kushtet e kësaj të fundit, ai ka thënë se ato janë të njëjtat që kanë qenë edhe në mandatin e kaluar legjislativ dhe ekzekutiv.

“Ju i mbani mend nga seancat paraprake pozicionet e tyre. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim”, ka thënë Haradinaj.

Igor Simiq ka thënë se Lista Serbe do të jetë e hapur për bisedime pasi që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pasi që do të dihet emri i mandatarit për formimin Qeverisë së Kosovës.

“Lista Serbe e ka prezantuar programin e saj dhe për të e ka marrë mbështetjen e qytetarëve. Kushdo që dëshiron të bisedojë me Listën Serbe duhet të tregojë respekt ndaj interesave të popullit serb në hapësirën e Kosovës, por edhe ndaj nesh si përfaqësues të serbëve”, tha Simiq.

Lidhur me bisedimet e koalicionit PAN me Listën Serbe, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar edhe Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ramush Haradinaj, mund të jetë njëri prej politikanëve më të sinqertë e më bujar që ka njohur Kosova ndonjëherë. Por kjo nuk nënkupton që bujaria e tij mund të shkojë deri aty, sa që ai mund të pranojë të jetë i kushtëzuar nga çfarëdo grupimi politik, shqiptar apo me shumicë serbe në Kuvendin e Kosovës. Ai për hir të një stabiliteti politik, ka bërë kompromise të mëdha në dëm të partisë që e drejton, por këtu përfundojnë të gjitha kompromiset e tij”, ka thënë Nitaj.

Ndryshe, Simiq ka theksuar se për Listën Serbe nuk janë të rëndësishme funksionet në kuptimin e numrave, por fakti se a do të jenë në gjendje njerëzit që do t’i kryejnë funksionet që ta forcojnë serbët në mënyrë institucionale dhe që ta përmirësojnë jetesën e tyre.

“Për interesin e serbëve në Kosovë mund të luftojnë vet serbët. Gjithçka varet prej nesh. Nuk dëshirojmë të diskutojmë për pozitat ministrore, nuk duam që të apostrofojmë se çfarë është ajo që duam dhe çfarë është ajo që nuk duam. Por, ajo që mund ta them në këtë moment është që ne nuk do të merremi me spekulime dhe se interesi i popullit serb është parësor në luftën politike”, tha Simiq.

Sipas tij, Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, është kurora e kërkesave të Listës Serbe. Në anën tjetër, siç thotë ai, deputetët e këtij subjekti brenda Kuvendit të Kosovës do të luftojnë që zgjidhjet ligjore që sillet për çështje të ndryshme, të sillen në pajtim me interesat kombëtare serbe.Bisedimet e përfaqësuesve të koalicionit PAN me Listën Serbe ende janë duke vazhduar dhe deri më tash, nuk ka ndonjë rezultat konkret për marrëveshje eventuale.(RFL)

Filed Under: Politike Tagged With: Kushtet, Lista Serbe, Ramush Haradinaj, vonon institucionet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 526
  • 527
  • 528
  • 529
  • 530
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT