• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jam pro, jo kundër plehrave!

September 20, 2017 by dgreca

Shqiptarë- Pastroni dhe mbronin token tuaj, se është ashtu si e tha Konica dikur. ”Shqipëria është një vend i bekuar me mijra bukuri, por e shkelur nga një turmë që e urrejnë bukurinë”!/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

 1) Aty nga shtatori i vitit 2013, pozita e sotshme anulloi një ligj për riciklimin e mbetjeve urbane. Atë botë kam shkruar një artikull rreth domosdoshmërisë së riclikimit. Qe një koiçedencë teksa shfletoja një botim të Universitetit Internacional Florida-ës, (FAU), katedra e edukimit, më mbeti në mendje eseja me titull, Mjaft e mbuluam tokën tonë me plehra. (We have to stop covering our land with garbage).

Ajo kureshtia e pedagogjisë, më shtyu të gjurmoja se si intepretohet sot në Amerikë një tekst gazetarie. Apo eseja, zhanri im i preferuar, në auditorët e këtushëm. Por edhe një fakt vizual i ca kodrave që hasja nëpër shtetin e Floridës, thuajse identike, për çdo distrikt (sistemi i administrimit të pushtetit lokal, ku përfshihen deri në pesë qytete). Florida është e gjitha fushë, ndaj më bënin përshtypje këto kodra. Më vonë mësova se janë, artificiale, të krijuara nga mbetjet, apo plehrat siç na pëlqejnë t’i quajmë ne. Por edhe impiante të energjisë së gjelbër. Ku aktualisht zenë rreth 5% të prodhimit të energjisë. Një përqindësh i vogël por që ka rëndësi jetike të barabartë me 95%-shin e mënyrave të tjera të prodhimit të saj.

Një e kam këtu përballë, i kam bërë foto e ja kam çuar edhe qeveriut. Sidomos darkave është një mal i bukur dritash. Eseja në pak fjalë i referohet një konsumi të llahtarshëm të letrës që harxhohet në reklama. Dhe asaj zhvatjes së përditëshme që u bëhet burimeve nëntokësore minerare a naftës etj. Me qartësinë se është diçka që e marrim e që nuk e kthejmë. Dhe tokës do t’i duhen mijra vjet për ta ribërë.

2) Krejt natyrshëm brenda atij paradoksit tone, ndodhi ai ndryshimi i pozitave dhe platformave politike, apo programeve politike. Tashmë Edi Rama nga një kundërshtar i zjarrtë. Nga një anullues publik, firma e pare si kryeministër, është sot promovues i riciklimit. Ose tashmë ribërjes së ligjit të plehrave siç na pëlqen ta quajmë ne. Dhe opozita, ajo së cilës ky ia anulloi ligjin, është kundërshtare.

Një lloj absurdi që më shumë se kujdo duhet t’i dhëmbi votuesve të Ramës. Ashtu sikur edhe suportuesve të opozitës, për këtë lojë pa kokë në lidhje me ricklimin.

Në 4 vjeçarin e pare qeverisës Edi Rama nuk e miratoi dot këtë ligj. Pati një kundërshti nga ambjentalistët dhe opozita e Bashës, por të jeni të sigurtë, që pengesë reale qe LSI-ja, jo këta.

Në 4 vjeçarin e dytë (që duket se do ta mbaroj me qetësi) nuk e ka më këtë pengesë. Ka plot vota. Edhe pse është rekordmen i bojkotit, (shtatëqind e shtatëdhjetë ditë, pa e çuar skuadrën e tij në Kuvend), një opozitë çadrash, krokodilësh, shkurt si me u thënë shqiptarëve se mund të paguhesh pa asnjë problem edhe pse nuk shkon në punë. Pra mori shumicë maksimale. Kësisoj nuk e ka problem ta votoj këtë ligj. Megjithëse vura re se dje pati një tërheqje, me sqarimin se do kaloj në instancën popull. Parimisht nuk ka gjë më të mrekullueshme se sa vota popullore. U takon shqiptarëve të vendosin. Dhe nëse ata janë pro, vulnneti i popullit as që diskutohet. Rrëzon me frymë çdo pretendim partie.

Por se sa do realizohet, kjo mbetet për t’u pare!

3) Ajo që më bëri përshtypje në gjithë këtë katrahurën e plehrave, mbetjeve, kancerin e botës etj. Se çfarë nuk po thuhet aty, aq sa plot njerëz po solidarizohen edhe me këto që i quajmë cover up-e në fejsbuk, stop mbetjeve, solidariteti i disa ish aleatëve të Ramës si Koço, ish koordinatari i qeverisë se pare për Jugun e vendit. Ose iniciatori i legalizimit të bimëve narkotike etj. Nuk e kam me Koçon drejtpërdrejtë, pasi aty 70% janë si ai. Sonte me këtë e nesër me atë… por tek dukuria absurd. Zhurma…

A është dhe kjo një zhurmë e sajuar, e radhës, apo Shqipëria e ka të domosdoshëm riciklimin?

Unë them se më shumë se cilido vend tjetër i rajonit, Shqipëria është e para që ka më se imediate, ricklimin.

Sot webet janë me qindra ku përmes tyre shohim se thuajse në të gjithë Shqipërinë, njerëzit ankohen për fushat e përpunimit të mbetjeve urbane. Mënyrën më arkaike të asgjesimit të tyre.

Nga ana tjetër, qytetet janë në masë një Kazan i madh plehrash. Sidomos periferitë. Të ha të gjallë lëforja e shalqinit, miza, kutërbimi, shishet plastike, kanaçet e të tjera ngordhësira.

Ka plot pamje djegiesh masive që shpërndajnë cigma mikrobesh kancerogjene. Dhe ku gjithkush ngre dorën lart si i pafaj.

Porf natyrisht ligji kërkon edhe një adaptim me vendet e rajonit për tregtimin e mbetjeve si lëndë e pare e ricikliueshme. Veçse një gjë të jeni të qartë, çdo shtet i rajonit ka ligjet e veta. Dhe ajo që dominon të tërësi është ndalimi i daljes së mbetjeve të pa kontrolluara nga territori i tyre. Eshtë njësoj sikur sot Shqipëria nuk lejon me ligj tregtimin e drograve, po prej nesh dalin përditë tonelata me kanabis sativa etj.

Kjo i përket rigorozitetit se sa e zbaton ligjin. Se sa e mbron atë. Ashtu si shumë çështje të tjera, kontrabanda, klandestineti do vazhdojnë. Por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me riciklimin si akt i domosdoshëm për pastrimin dhe ruajtjen e vendit tend.

Një grimcë në universin e madh.

Që t’i kthehem filllimit, pra ese-së së plehrave, ne shqiptarët jo vetëm që po i marrim dyfish nëntokës, por edhe dyfish po e mbuojmë vendin.

Jepini rrugë riciklimit Aq sa mund të thuash se për momentin në Shqipëri ka vetëm një stinë, pranvera e plehrave.

Pastroni dhe mbronin token tuaj, se është ashtu si e tha Konica dikur. ”Shqipëria është një vend i bekuar me mijra bukuri, por e shkelur nga një turmë që e urrejnë bukurinë”.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Jam pro, jo kundër plehrave!

Kur shteti bëhet nga Parku Zoologjik

September 18, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj

NGA ALFONS GRISHAJ/

Për dyzet e shtatëvjetë,udhëhoqi parku zoologjik.Këmborat tundeshin nga ujqërit dhe  derrat e kuq. Ujqërit, ishin mendimtarë dhe gjykatës, udhëheqës dhe Zot. Derrat e kuq  propagandues dhe  ekzekutues…Dashnorë entuziastë të  Zarathustrës (Niche) , anti-Krisht e anti-Zot , shkatërruan Kisha  e Xhamia (Tash kanë fillu me shemb kullat e dragojve , por  nji ditë  , flaka e shpirtnave të  tyne  ka me i  ba  shkrumb e hi!”). Këmbanat i grabitën me ceremoni duke i kthyer në çanga zboresh. Ndonjë që kishte përqindje ari  më tepër , u nda për stoli. Zilet i kolektivizuan dhe ua dhanë shkollave nga një , me racion  për të përgjumur dhe zgjuar  fëmijët. Hommo Sapiens  mbeti  sklla . Vrapoi në miniera , fusha e kodra, malet i bëri fusha, sa, po të vazhdonte  me atë temp,nuk do të mbetej më një mal për be, për t’u mbrojtur nga “agresori perëndimor”. Megjithëse  kafshëria kishte menduar për mbrojtje , duke bërë 700 000 mijë këpurdha qerpiçi, që zogjtë  ndiheshin më rehat të glaconin brenda, sa , kur bëhej ndonjë stërvitje karkalecësh me yll,  “yjet” që dilnin nga këpurdhat, me nderë u vinte erë  …

Gjatë dyzeteshtatë viteve  ç’nuk i punoi  aleanca , Ujk-Derr, Hommo Sapiensit, i cili  pothuajse u pendua që ishte kthyer nga majmuni në hommo …

Pra , për një gjysëm shekulli, parku zoologjik nuk njihte as luanë , as xhirafë, as ari , biles,  as dhelprën moreee ! Se dhelprat mbetën, luanët i patën  ekzekutuar …

Siç shihet këmbora (Zilja , Këmbana) tundej nga kafshëria, që njëra ushqehej me gjak dhe tjetra çfarë  t‘i dilte përpara…Erdh’ një ditë që këto egërsira u mundën nga Hommo Sapiens. Këmbana u mor nga sapiensët, por nuk kaloi shumë dhe ujku bëri mblesëri me hommon . Parku zoologjik i tradhëtuar u disorientua sa , erdhi koha të përziheshin bashkë predatorë e viktima. Këmbana tundei herë nga njëra palë e herë nga tjetra. Simboli i ziles (këmbanë) u zhvesh .

Historikisht, zilja, këmbana, janë jehona e të vërtetës. Kjo është dhe simbolika në tradicionet e  kristianëve, budistëve, islamistëve, indianëve. Për kinezët, këmbana (zilja) simbolizon harmoninë kozmike, bindjen … Për  izraelitët, zilet e vogla që stolisin veshjet  simbolizojnë shenjën e virgjërisë …

Tingujt e këmbanës (ziles) përhapen në hapësirë duke trumbetuar harmoninë e së vërtetës.… Për Kristianët , këmbanat  tregojnë dhe kohën e lutjeve, por jehona e tyre largon dhe djajt …!

Po a është e vërtetë se, jehona e  këmbanave largon djatë që ndërrojnë format  ? Mitologjikisht, po. Nga përvoja e kaluar, jo! E tashmja është dhe më e hidhur…

Aspak rastësi që në shekullin XXI ,  ujku  grabiti përsëri këmboren dhe e vuri në qafë  me vullnetin e gjakut. Atëherë këmbana u ndie  e mundur,  e tradhëtuar.Në shenjë proteste shurdhoi vetveten …!

Dashi  që printe kopenë  kundërshtoi ashpër këmboren në qafë të ujkut , jo vetëm se ishte padrejtësi dhe paradoks , por dhe dhunë , injorim për  këmboren tradicionale. Me  këtë akt, u vra tradicioni dhe u varros  virtytit . Përreth qafës së  tij nuk ishte më lajmëtari,e vërteta, por zinxhiri dhe kalbëzimi. Shkapërcimi logjik e udhëhoqi  në vërvitje brinash mbi shkëmbinj e shkurrre , duke harruar se këmbora i ishte vënë në qafë nga sapiens dhe brirët nuk mund t’a çlironin. E po , dash është ai, dhe nuk i vihet shumë faj se,  kur qe qingj,  blegërinte dhe ai si të tjerët, pa këmborë.

Cjapi  i mërzitur shumë , në shenjë proteste kërceu shkëmb mbi shkëmb si atlet i regjur  për t’a  çliruar qafën nga zilja, që  tanimë i përkiste dhe ujkut. Më këtë veprim  mendonte  të asgjesonte këmboren e konvertuar në djall, pra  djallin vetë, por dhe të çlironte ankthin e dis’harmonisë së elementit…

Lepujt ngritën veshët  kartona  jeshil, nuhatje intime në unison me çakajt,aleatë  në  strofullën  e ujkut : “Më mirë një superujk gjaksor se sa një Kryelepur pathetic!”  (Refreni i Sadit)

E keqja e madhe është se,  lopa nuk ka më qumësht. Gjinjtë i kanë shterrë  prej  kaut të vjetër  xheloz, që pat mbyllur shtegun e kullotës  me  terrin e shpellës qorre . Dreq o punë , e pamundur  të merresh vesh me kafshët !!!

Me peshqit, është  kollaj të kuptohesh; ata rrëshqasin në ujë, nuk të bezdisin në tokë. Biles, nuk kanë nevojë as për këmbora, për  stalla kulture , për kurthe shpellash , se kanë hapësirë oqeanike. Kurrë nuk kanë dëgjuar çfarë do të thotë internacionale, dhe , pse ujqiërit e tradhëtuan  himnin , duke e konvertuar  në rock and roll. Derri  i kuq , dirigjent dhe piktor virtuoz,ia kaloi shkallën e tërbimit  të jatit  budalla , duke vjellur frakun jeshil Benxhaminit amerikan, tak fak ndau gjysmën  plaçkë me  Kryeujkun , që grabiti këmboren e urtësisë.

Ujku egërsirë,  mbasi kish bërë kasaphanë në të dalë të Prillit , arriti të marrë pjesën e luanit…Kështu e kanë  kafshët ,  ai që gjakos më shumë u prin predatorëve.

Në rrathët olimpikë të kafshërisë rozë   hyjnë dhe qentë , kompromisësit e çdo oferte  lehin në fillim dhe pastaj mbesin në fund të karvanit , jo pse nuk kanë dhëmbë të fuqishëm, por lehjet krijojnë një ritual  frenetik të bezdisshëm . Ata  jargaviten dhe heshtin kur marrin  racionin e kockave. Karvani i egërsirave  gjithnjë mblesëron  zhabat me ëmbëlsirën tradicionale të kënetës (propaganda stuzzicadenti), kori i tyre  ndihet në prag të   datimit final.

Pëllumbat dhe mjelmat , shpirti i paqes shpendore , gjirojnë  flladin delikat të shpresës , por fshesat e shtrigave  grackojnë  webin e tyre jetik në kungujt e halloweenëve.

Paradoks i pafund…

E pra , kjo është një luftë e paprinciptë,  e pabarabartë : shtriga , derra të kuq , ujqër , qentë e pabesë, lepuj vitrinash e zhaba… Kolazhi megadeath  nuk është në gjendje të funksionojë as si ide abstrakte, as si  vizion  zhvillimi, as si parajsë pylli , as si shpresë ndryshimi, vetëm si kafshëri ! Kështu ,  hijet e sapienësve   rreshtuar  pranë lumit me shporta  në duar  për të kulluar ar , në vend të metalit të çmuar , marrin gurë , baltë  dhe  plumba . Kjo është  paga e Kopshtit Zoologjik …

Hommo Sapiens, i lodhur , i dëshpëruar , i tradhëtuar , me  shpresë  kompromisi human  me kafshën  , ende  beson dhe vrapon pas imazhit holografik : “ Republika ime !”

Gjethi është i bukur në pemë , kur bie në tokë , arzohet në mënyrë romatike , por   vdes  i kalbëzuar në  prag të dimrit !

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Kur shteti bëhet, nga Parku Zoologjik

Shqiperia, organizatore e Konferences se Shefave te Shtabeve te NATO-s

September 16, 2017 by dgreca

1 NATO TIRANESot ne Tirane filloi punimet konferenca e Shefave te Shtabit te NATO-s. Është hera e parë që Shqipëria bëhet mikpritëse e takimit të Shefave të Shtabeve të vendeve anëtare të Aleancës në formatin e Konferencës së Komitetit Ushtarak, i cili është autoriteti më i lartë ushtarak i kësaj Aleance.
tema kryesore e ketij takimi eshte diskutimi i çështjeve të rëndësishme që lidhen me mjedisin e sigurisë në kufijtë e aleancës dhe përtej tyre.
Në sesionin e hapjes së kësaj konference mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili shoqërohej nga Ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka.

konferenca2

Fillimisht u mbajt një minutë heshtje në nder të trupave të rënë në krye të detyrës në operacionet e NATO-s, Gjeneral Pavel, i cili në emër të të gjithë aleatëve, shprehu mirënjohjen për angazhimin e fuqishëm të Shqipërisë ndaj aleancës, si dhe për kontributin në misionet, operacionet dhe aktivitetet e NATO-s, përkatësisht misionet në Afganistan dhe Kosovë.

Gjeneral Pavel vlerësoi rolin e Shqipërisë në përkrahjen e bashkëpunimit dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por edhe në luftën kundër të ashtuquajturit ”Shteti Islamik”, siç tha ai “duke kontribuar me mjete e pajisje në koalicionin global kundër ISIS dhe trajnuesit e Forcave Speciale në Irak”.

Në fjalën e tij, gjeneral Pavel përmendi edhe këmbënguljen e Shqipërisë për ngritjen e një Qendre Ekselence të NATO-s në vendin tonë, e cila do të trajtojë fenomenin e “luftëtarëve të huaj”.
Konferencën  e përshëndeti dhe Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, i cili shprehu kënaqësinë që Shqipëria mirëpret për herë të parë këtë takim duke theksuar vendosmërinë e vendi tonë për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin si vend anëtar i NATO-s.” Ne jemi të bashkuar në angazhimet e Aleancës në një nivel mbiprofesional. Misionet e Shqipërisë në NATO nuk kanë marrë asnjë votë kundër në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesëmarrja jonë nuk ka qenë e lehtë për shkak të resurseve të kufizuara të vendit, por prania jonë do të fuqizohet me shtimin e shpenzimeve për Mbrojtjen, ashtu sikurse Forcat tona të Armatosura do të jenë prezent në çdo front ku të thirren. Edhe në të ardhmen ne do të japim kontributin tonë për angazhimet e NATO-s”.

Duke u ndalur në situatën në rajon, Kryeministri Rama ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë pro politikës së dyerve të hapura për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.” Ne besojmë fort se vetëm integrimi i plotë i vendeve të mbetura jashtë, është rruga për stabilizimin e Ballkanit dhe vetë Evropës. Ne e dimë se as mundemi as na kërkohet punë e madhe, por ka një spektër kapacitetesh që ne japim kontribut të rëndësishëm për Aleancën”, u shpreh Kryeministri Rama.

Gjatë zhvillimi të punimeve të konferencës, Shefat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s do të informohen, diskutojnë, shkëmbejnë ide e vendosin për çështje që lidheshin me mjedisin e sigurisë, misionet dhe operacionet e aleancës dhe adaptimin e strukturave të aleancës në kontekstin e sfidave, rreziqeve e kërcënimeve.

Në sesionin e parë Shefat e Mbrojtjes të vendeve të aleancës do të diskutojnë për konceptin e Projektimit të Stabilitetit duke u fokusuar në arritjen e objektivave strategjikë afat-shkurtër dhe afat-gjatë. Në fokus të konferencës do të jetë koherenca e aktiviteteve të Aleancës, progresi në luftën kundër terrorizmit, iniciativa për Ndërtimin e Kapaciteteve të Mbrojtjes në Irak, si masat implementuese për funksionimin e strukturës (qendrës) për Jugun. Një vëmendje të veçantë do të marri dhe situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Në sesionin e dytë Shefat e Mbrojtjes, do të ndjekin brifingjet e Komandantëve te Komandave Strategjike të Aleancës, respektivisht për Operacionet dhe për Transformimin, mbi përshtatjen nga pikëpamja strukturore të  NATO-s. Shefat e Mbrojtjes në këtë takim do të ofrojnë udhëzime shtesë mbi rishikimin e Strukturës së Komandës së NATO-s, përpara ministerialit të Mbrojtjes që do të mbahet në Nëntor.

Misionet i NATO-s në Afganistan (Resolute Support Mission) dhe atë në Kosovë, KFOR do të jenë në fokus të sesionit të tretë të konferencës. Per kete Shefat e Mbrojtjes do të informohen nga Komandanti i Mbështetjes së Përgjithshme, Gjenerali Nicholson dhe Përfaqësuesi i Lartë Civil, Ambasadori  Cornelius Zimmermann në Afganistan, mbi Misionet Mbështetëse të Rezolutave, ndërsa Komandanti i KFOR-it, do të informojë në lidhje me Forcën e Sigurisë në Kosovë. Më tej, do ofrohen rekomandime për të dy misionet bazuar në situatën në terren.
Në përfundim të takimit, me daten 17 shtator, Shefat e Mbrojtjes së NATO-s, do të zgjedhin Kryetarin e ardhshëm të Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili e merr detyrën në vitin 2018. {SH.K}.

Filed Under: Politike Tagged With: NATO, Shefat e Shtabeve, Shefqet Kercelli, Shqiperia organizatore

“BETEJA KUNDËR RUÇIT – FUNDI I ANTI-KOMUNIZMIT”!

September 14, 2017 by dgreca

….problemi kryesor, në mendimin tim nuk është emërimi i Z. Ruçi në vetvete si një person që ka shërbyer në ish-sistemin monist – por është sistemi post-komunist i 27-viteve të fundit, pjellë e dy partive kryesore politike të vendit, që ndonëse me shembjen e komunizmit, shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa/

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Ish drejtor i Divizionit të  Euro-Azisë  në  Zërin e Amerikës/

Ky ishte titulli i një programi televiziv ditët e fundit në Shqipëri, duke iu referuar emërimit të Z. Gramoz Ruçi si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.   Nuk e di nëse drejtuesja e programit kishte në mend, që me të ftuarit në studio, dëshironte të pasqyronte qendrimet pro dhe kundër emërimit të Z. Ruçi në karrigën e Kryetarit të Kuvendit, a po të nënvijonte shpresën e saj (wishfull thinking) se me emërimin e tij në detyrën numër dy të shtetit shqiptar, më në fund, do u mbyllet goja njëherë e mirë, anti-komunistëve mbrenda vendit, megjithse është vështirë të përcaktohet se kush janë sot “anti-komunistët”në Shqipëri, ose nëse ekziston një shtresë e tillë — me përjashtim të disa ish-të përndjekurve të regjimit komunist — që kanë mbetur ende gjallë.   Këto 27 vitet e fundit të jetës politike në vend, kanë dëshmuar se as në radhët e pozitës dhe as në radhët e opozitës, nga njëra qeveri në tjetrën, nuk ka patur “anti-komunistë”.   Kështuqë reagimet ndaj emërimit të Z. Ruçi në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nuk përbëjnë një “betejë” dhe as nuk po ndërmerret një “betejë” e tillë nga “anti-komunistët” në radhët e kësaj politike, pasi të tillë nuk ekzistojnë, në asnjërin krah.   Prandaj të nderuar panelistë të programeve televizive, merrni frymë lehtë dhe mos u shqetësoni as për fillimin dhe as për mbarimin e antikomunizmit, sepse antikomunizëm dhe “antikomunistë” nuk ka në radhët e klasës politike shqiptare të periudhës post-komuniste.   Mendoj gjithashtu se as opozita e sotëme nuk e ka seriozisht kur kritikon emërimin e Z. Gramoz Ruçi në detyrën e lartë shtetërore.…Në fund të fundit, opozita e sotëme, që ishte pozita e djeshme, e ka patur Z. Ruçi aty për 27-vitet e fundit.…Për më tepër, është hipokrizi dhe nuk i takon opozitës të ankohet për këtë emërim, pasi edhe në radhët e saj, në të kaluarën por edhe sot, ka patur dhe ka protagonistë të ish-regjimit komunist, në një nivel ose një tjetër, përgjegjësie.   Për më tepër, çfarë bëri opozita e sotëme kur ioshte në pushtet për të zbardhur krimet e komunizmit dhe çfarë masash mori që shoqëria shqiptare të përballej me këtë histori të errët, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të lindjes?

Për mua Gramoz Ruçi nuk është problemi kryesor. Pa marrë parasyshë të kaluarën e tij politike, nuk mund të thuhet se emërimi i tij sot si Kryetar  Kuvendi nuk është legjitim, pasi ai është votuar  nga zgjedhësit në zonën e tij elektorale dhe u votua me vota të lira të shumicës parlamentare dhe me disa vota të opozitës në Kuvendin shqiptar. Por, emërimi i Z. Ruçi në atë detyrë mund të konsiderohet nga disa, si një vendim që nuk është menduar mire nga udhëheqja socialiste dhe Kryeministri Rama, sepse në çdo shoqëri tjetër një emërim i tillë do të reflektonte një mungesë ndjeshmërie ndaj krimeve ndaj viktimave të komunizmit të gjallë e të vdekur.   Prandaj, problemi kryesor, në mendimin tim nuk është emërimi i Z. Ruçi në vetvete si një person që ka shërbyer në ish-sistemin monist – por është sistemi post-komunist i 27-viteve të fundit, pjellë e dy partive kryesore politike të vendit, që ndonëse me shembjen e komunizmit, shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa – por ndryshe nga mbarë Evropa ish-komuniste – klasa politike shqiptare e çerek shekullit të kaluar, nuk dënoi kurrë krimet e regjimit komunist dhe as nuk u përballua me të kaluarën komuniste, madje as nuk kanë caktuar minimalisht një ditë në kujtim të viktimave të komunizmit, ashtu  siç kanë bërë vendet ish-komuniste të bllokut sovjetik.   Caktimi i një dite për të përkujtuar viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk nevojitë fonde as debate, por në përputhje me vendet e tjera ish-komuniste, kërkon vetëm kurajo dhe përgjegjësi morale   Për më tepër, nuk mbahet mend asnjë debat serioz në Kuvendin e Shqipërisë, asnjë projekt-ligj ose rezolutë që të jetë paraqitur e miratuar nga cilado palë ose parti politike në raport me diktaturën e egër komuniste dhe mbi pasojat e saj që gjithnjë ndjekin fatin e kombit shqiptar sot.   Njihen mirë nga të gjithë dokumentacioni, rezolutat dhe ligjet evropiane mbi nevojën e domosdoshme për tu përballuar me krimet e komunizmit dhe për marrjen e masave për të ç’rrënjosur një herë e mirë trashëgiminë e regjimit komunist në kontinentin evropian.   Deri, më tani, Shqipëria nuk e ka bërë këtë, prandaj të nderuar panelistë, mos humbni kohë duke debatuar simptomat e sëmundjes së vërtetë të jetës politike dhe parlamentare të Shqipërisë, por merruni me trashëgiminë politike të ishs-regjimit komunist dhe me nevojën e madhe për tu përballur me krimet e ati sistemi.   Një debat i tillë nuk kërkon dhe nuk duhet të ketë hakmarrje, pasi kundër hakmarrjes janë shprehur shpesh edhe ata që kanë vuajtur më së shumëti nga komunizmi, ish-të përndjekurit politikë, por kërkon kurajo civile dhe morale nga kjo klasë politike — si pozitë ashtu edhe opozitë — për tu ballafaquar me krimet dhe me të vërtetën historike të së kaluarës.   Fatkeqsisht, deri më tani një gjë e tillë nuk ka qenë prioritet për asnjerën pale në Shqipëri.

Prandaj, sado që të dëshirojnë disa analistë e komentatorë “fundin e anti-komunizmit” në Shqipëri, fundi i anti-komunizmit të vërtetë nuk do të realizohet as me një debat në televizion as me emërimin e një protagonisti të lartë, të ditëve të fundit të pushtetit komunist, në detyrën e Kuvendit të Shqipërisë.   Por anti-komunizmi do të marrë fund në Shqipëri, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet ish-komuniste të lindjes, kur klasa politike shqiptare të lënë mënjanë arrogancën politike dhe hipokrizinë dhe të vendosë me pjesën tjetër të Evropës se ,“Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar qoftë, ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”, siç është shprehur Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding.

 

Filed Under: Politike Tagged With: “BETEJA KUNDËR RUÇIT – FUNDI, Frank shkreli, I ANTI-KOMUNIZMIT”

“Rama 2” që preu në besë Çështjen Çame

September 12, 2017 by dgreca

1-arben-llalla-250x299

Nga Arben Llalla/

Kryeministri Edi Rama paraqiti programin katër vjeçar për qeverinë e tij 2017-2021. Ajo që bie në sy është se “Rama 2” nuk ka asnjë projekt për shqiptarët jashtë Shqipërisë që jetojnë në trojet e tyre etnike, për Diasporën e vjetër dhe të re.“Rama 2” nuk ka asnjë plan për hapjen e konsullatës shqiptare në Manastir-Bitola të Maqedonisë, në qytetin e Kongresit të Alfabetit, ku ndodhen sot rreth 17 konsullata të huaja, por konsullatë të Republikës së Shqipërisë nuk ka dhe as që është në mendjen e qeverisë “Rama 2”.

Por, më tragjikja e qeverisë moniste “Rama 2” është se në agjendën e saj nuk ka në asnjë rresht për zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame, të pronave të shqiptarëve në Greqi.

Kjo tregon se i gjithë ai zë i Edi Ramës në qeverinë e kaluar pro çështjeve kombëtare është bërë nga presioni i ligjvënësve të PDIU-së, të cilët e mbështesnin Ramën, vetëm pasi ky garantonte se do mbështesë gjithnjë çështjet delikate kombëtare, në veçanti atë Çame.

Koha tregoi se Edi Rama sapo kalojë lumin e nëmi kalin. U shau kalin atyre që u turrën shtëpi në shtëpi për të mbledhur vota për Gramozin dhe Edin në Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë. Tani u duhet të mbajnë gishtin në gojë, sepse Gramozi dhe Rama e kaluan lumin për katër vite dhe as telefonin nuk do jua çelin, madje ua kanë harruar emrin dhe fytyrën e jo më të vënë ujët në zjar për Çështjen Çame.

Megjithatë, edhe pse kanë ndodhur shumë gjëra të errëta me thika pas shpine ndaj atyre që gjithnjë kanë punuar dhe mbështetur pa asnjë interes personal çështjet kombëtare, përsëri ka djem dhe vajza që do dinë t’ja dalin në krye që Çështja Çame të mos vdesë, mos të heshtet për këtë problem sa delikat dhe garantues për një fqinjësi të sinqertë dhe miqësore greko-shqiptare.Por, “Edi Rama 2” si për ironi dhe për t’ua larë kokën me akull shqiptarëve që u përvëlohet shpirti për çështjet kombëtare themeloi një ministri pa portofol duke e quajtur Ministria e Diasporës dhe në krye të saj vendosi Pandeli Majkon me mendimin se ky Pandi gëzon simpati tek shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Diasporës. Por, historia ka lënë gjurmë, sepse ky Pandeli Majko për të treguar besnikërinë e tij ndaj Greqisë e pagëzoi vajzën e tij në kishën greke të Athinës dhe jo në kishën ortodokse të Shqipërisë. (Shpresojmë që pagëzuesi të mos ketë qenë ai ministri antishqiptar i PASOK-ut). Ky ministri i shtetit që ka vendosur “Rama 2”, Majko më mirë di vallen greke se ato shqiptare, të Osman Takës, sepse vallen greke ia ka mësuar Papulias në Sotiras.

Pandeli Majko për luftën e shqiptarëve të Maqedonisë në vitin 2001 ka deklaruar se është një dosje e zezë dhe për këtë deklaratë e tij pati shumë reagime, pa folur për epitetin “njerëz me maska” që i etiketojë disa vite më vonë ish-ushtarët e UÇK-së.

Prandaj “Rama 2” dhe ministri i shtetit pa portofol Majko nuk kanë në programin e tyre çështjet kombëtare, atë Çame, për të hapur shkolla shqipe në Greqi, Turqi, Ukrainë, e gjetkë, atje ku ka shqiptarë, por mendjen e kanë vetëm tek votat e emigrantëve të rinj që punojnë dhe jetojnë pas viteve 1990 në Itali dhe Greqi. I gjithë projekti “Rama 2” për ministrin Majko ka për qëllim thithjen e votave të emigrantëve dhe jo për ruajtjen e dinjitetit, kulturën e gjuhën shqipe.

Filed Under: Politike Tagged With: “Rama 2” që preu në besë, arben llalla, ceshtjen came

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 524
  • 525
  • 526
  • 527
  • 528
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT