NGA ALFONS GRISHAJ/
Për dyzet e shtatëvjetë,udhëhoqi parku zoologjik.Këmborat tundeshin nga ujqërit dhe derrat e kuq. Ujqërit, ishin mendimtarë dhe gjykatës, udhëheqës dhe Zot. Derrat e kuq propagandues dhe ekzekutues…Dashnorë entuziastë të Zarathustrës (Niche) , anti-Krisht e anti-Zot , shkatërruan Kisha e Xhamia (Tash kanë fillu me shemb kullat e dragojve , por nji ditë , flaka e shpirtnave të tyne ka me i ba shkrumb e hi!”). Këmbanat i grabitën me ceremoni duke i kthyer në çanga zboresh. Ndonjë që kishte përqindje ari më tepër , u nda për stoli. Zilet i kolektivizuan dhe ua dhanë shkollave nga një , me racion për të përgjumur dhe zgjuar fëmijët. Hommo Sapiens mbeti sklla . Vrapoi në miniera , fusha e kodra, malet i bëri fusha, sa, po të vazhdonte me atë temp,nuk do të mbetej më një mal për be, për t’u mbrojtur nga “agresori perëndimor”. Megjithëse kafshëria kishte menduar për mbrojtje , duke bërë 700 000 mijë këpurdha qerpiçi, që zogjtë ndiheshin më rehat të glaconin brenda, sa , kur bëhej ndonjë stërvitje karkalecësh me yll, “yjet” që dilnin nga këpurdhat, me nderë u vinte erë …
Gjatë dyzeteshtatë viteve ç’nuk i punoi aleanca , Ujk-Derr, Hommo Sapiensit, i cili pothuajse u pendua që ishte kthyer nga majmuni në hommo …
Pra , për një gjysëm shekulli, parku zoologjik nuk njihte as luanë , as xhirafë, as ari , biles, as dhelprën moreee ! Se dhelprat mbetën, luanët i patën ekzekutuar …
Siç shihet këmbora (Zilja , Këmbana) tundej nga kafshëria, që njëra ushqehej me gjak dhe tjetra çfarë t‘i dilte përpara…Erdh’ një ditë që këto egërsira u mundën nga Hommo Sapiens. Këmbana u mor nga sapiensët, por nuk kaloi shumë dhe ujku bëri mblesëri me hommon . Parku zoologjik i tradhëtuar u disorientua sa , erdhi koha të përziheshin bashkë predatorë e viktima. Këmbana tundei herë nga njëra palë e herë nga tjetra. Simboli i ziles (këmbanë) u zhvesh .
Historikisht, zilja, këmbana, janë jehona e të vërtetës. Kjo është dhe simbolika në tradicionet e kristianëve, budistëve, islamistëve, indianëve. Për kinezët, këmbana (zilja) simbolizon harmoninë kozmike, bindjen … Për izraelitët, zilet e vogla që stolisin veshjet simbolizojnë shenjën e virgjërisë …
Tingujt e këmbanës (ziles) përhapen në hapësirë duke trumbetuar harmoninë e së vërtetës.… Për Kristianët , këmbanat tregojnë dhe kohën e lutjeve, por jehona e tyre largon dhe djajt …!
Po a është e vërtetë se, jehona e këmbanave largon djatë që ndërrojnë format ? Mitologjikisht, po. Nga përvoja e kaluar, jo! E tashmja është dhe më e hidhur…
Aspak rastësi që në shekullin XXI , ujku grabiti përsëri këmboren dhe e vuri në qafë me vullnetin e gjakut. Atëherë këmbana u ndie e mundur, e tradhëtuar.Në shenjë proteste shurdhoi vetveten …!
Dashi që printe kopenë kundërshtoi ashpër këmboren në qafë të ujkut , jo vetëm se ishte padrejtësi dhe paradoks , por dhe dhunë , injorim për këmboren tradicionale. Me këtë akt, u vra tradicioni dhe u varros virtytit . Përreth qafës së tij nuk ishte më lajmëtari,e vërteta, por zinxhiri dhe kalbëzimi. Shkapërcimi logjik e udhëhoqi në vërvitje brinash mbi shkëmbinj e shkurrre , duke harruar se këmbora i ishte vënë në qafë nga sapiens dhe brirët nuk mund t’a çlironin. E po , dash është ai, dhe nuk i vihet shumë faj se, kur qe qingj, blegërinte dhe ai si të tjerët, pa këmborë.
Cjapi i mërzitur shumë , në shenjë proteste kërceu shkëmb mbi shkëmb si atlet i regjur për t’a çliruar qafën nga zilja, që tanimë i përkiste dhe ujkut. Më këtë veprim mendonte të asgjesonte këmboren e konvertuar në djall, pra djallin vetë, por dhe të çlironte ankthin e dis’harmonisë së elementit…
Lepujt ngritën veshët kartona jeshil, nuhatje intime në unison me çakajt,aleatë në strofullën e ujkut : “Më mirë një superujk gjaksor se sa një Kryelepur pathetic!” (Refreni i Sadit)
E keqja e madhe është se, lopa nuk ka më qumësht. Gjinjtë i kanë shterrë prej kaut të vjetër xheloz, që pat mbyllur shtegun e kullotës me terrin e shpellës qorre . Dreq o punë , e pamundur të merresh vesh me kafshët !!!
Me peshqit, është kollaj të kuptohesh; ata rrëshqasin në ujë, nuk të bezdisin në tokë. Biles, nuk kanë nevojë as për këmbora, për stalla kulture , për kurthe shpellash , se kanë hapësirë oqeanike. Kurrë nuk kanë dëgjuar çfarë do të thotë internacionale, dhe , pse ujqiërit e tradhëtuan himnin , duke e konvertuar në rock and roll. Derri i kuq , dirigjent dhe piktor virtuoz,ia kaloi shkallën e tërbimit të jatit budalla , duke vjellur frakun jeshil Benxhaminit amerikan, tak fak ndau gjysmën plaçkë me Kryeujkun , që grabiti këmboren e urtësisë.
Ujku egërsirë, mbasi kish bërë kasaphanë në të dalë të Prillit , arriti të marrë pjesën e luanit…Kështu e kanë kafshët , ai që gjakos më shumë u prin predatorëve.
Në rrathët olimpikë të kafshërisë rozë hyjnë dhe qentë , kompromisësit e çdo oferte lehin në fillim dhe pastaj mbesin në fund të karvanit , jo pse nuk kanë dhëmbë të fuqishëm, por lehjet krijojnë një ritual frenetik të bezdisshëm . Ata jargaviten dhe heshtin kur marrin racionin e kockave. Karvani i egërsirave gjithnjë mblesëron zhabat me ëmbëlsirën tradicionale të kënetës (propaganda stuzzicadenti), kori i tyre ndihet në prag të datimit final.
Pëllumbat dhe mjelmat , shpirti i paqes shpendore , gjirojnë flladin delikat të shpresës , por fshesat e shtrigave grackojnë webin e tyre jetik në kungujt e halloweenëve.
Paradoks i pafund…
E pra , kjo është një luftë e paprinciptë, e pabarabartë : shtriga , derra të kuq , ujqër , qentë e pabesë, lepuj vitrinash e zhaba… Kolazhi megadeath nuk është në gjendje të funksionojë as si ide abstrakte, as si vizion zhvillimi, as si parajsë pylli , as si shpresë ndryshimi, vetëm si kafshëri ! Kështu , hijet e sapienësve rreshtuar pranë lumit me shporta në duar për të kulluar ar , në vend të metalit të çmuar , marrin gurë , baltë dhe plumba . Kjo është paga e Kopshtit Zoologjik …
Hommo Sapiens, i lodhur , i dëshpëruar , i tradhëtuar , me shpresë kompromisi human me kafshën , ende beson dhe vrapon pas imazhit holografik : “ Republika ime !”
Gjethi është i bukur në pemë , kur bie në tokë , arzohet në mënyrë romatike , por vdes i kalbëzuar në prag të dimrit !