• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse duhet mbështetur Ramush Haradinaj nga VV dhe LDK?

September 11, 2017 by dgreca

-Lista serbe nga ana e saj nuk është përfaqësuese e qytetarëve serbë të Kosovës, por është përfaqësuese e vullnetit politik të Beogradit, të Kishës së Serbisë si dhe të qarqeve nacionaliste në Serbi./

-Kur lista serbe bllokon vendimmarrjen në parlamentin e Kosovës, atëherë këtë ngerç duhet ta zhbllokojnë VV dhe LDK, edhe pse janë në opozitë. Ndërkohë ky vendim i LDK-së, ose Vetëvendosjes, ose të dyjave bashkë, duhet bërë publik që tani/

1 Ramushi4

Shkruan: Enver Bytyçi/

Kosova e mbylli një process problematik për formimin e institucioneve të saj. Ky proces prodhoi një qeveri të kryesuar nga Ramush Haradinaj, i cili në rendjen pas postit të kryeministrit nuk i respektoi gjithnjë rregullat e moralit politik në demokraci. Megjithatë tashmë Kosova ka një qeveri të drejtuar nga zoti Haradinaj dhe ky realitet nuk ndryshohet. Eshtë gjithnjë lajm pozitiv që në Kosovë të formohen dhe veprojnë institucionet e qeverisjes. Do ishte mrekulli që këto institucione të formoheshin me kuota të larta qëndrueshmërie dhe kualiteti. Por gjithësesi tashmë kemi një qeveri, e cila për nga përmasat i ngjan qeverisë kineze 1.4 miliardëshe. Eshtë thënë vazhdimisht se një qeveri e kushtëzuar nga lista serbe është një qeveri e varur, e diktuar, e pasigurt dhe nuk do të kishte sukses. Interesi ynë është që kjo qeveri, si të gjitha ato që do të vijnë pas saj, të ketë sukses, të dëshmojë vendosmëri për të kryer reformat e mëdha dhe për ta forcuar shtetin e shtetësinë e Kosovës. Jemi para një realiteti, të cilin nuk e ndryshojmë, deputetët shqiptarë nuk bëjnë shumicën parlamentare dhe kjo shumicë plotësohet me deputetët e listës serbe. Lista serbe nga ana e saj nuk është përfaqësuese e qytetarëve serbë të Kosovës, por është përfaqësuese e vullnetit politik të Beogradit, të Kishës së Serbisë si dhe të qarqeve nacionaliste në Serbi. Ajo nuk mendon dhe vepron, as voton sipas ndërgjegjës së saj, përkundrazi vepron e voton sipas diktatit të qeverisë dhe presidentit të Serbisë, bazuar ende në Mitin për Kosovën, një mit i cili ka shkaktuar për shekuj gjakderdhje në Ballkan. Në këto kushte lista serbe do t’i bllokojë disa ligje të rëndësishme për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj, përfshirë dhe qytetarët e pakicave, ligje të cilat do ta forconin shtetësinë si dhe karakterin unitar të shtetit. Do të bllokojë psh modifikimet që mund t’i bëhen marrëveshjes për krijimin e asosacionit, bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjuriq ka paralajmëruar bllokimin e shndërrimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. Lista serbe do të bllokojë proceset e privatizimit sidomos të kompanivë publike që veprojnë edhe në veri të vendit. Trepça është në shënjestër të presionit politik të saj. Por nuk besoj se ajo ka ndonjë interes për të bllokuar vendosjen e vijës së kufirit me Malin e Zi. Megjithatë Prishtina dhe Beogradi kanë interesa të kundërta e të ndryshme në Kosovë. Në këto kushte Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të kryenin një veprim patriotik, që do të vlerësohej prej shqiptarëve në Kosovë dhe jo vetëm, në mbështetje të qeverisë të kryesuar nga zoti Haradinaj, gjithnjë nëse lista serbe bëhet pengesë për marrjen e vendimeve të rëndësishme, që lidhen me të sotmen dhe të ardhmen e shtetit, me zhvillimet ekonomike e financiare si dhe me çeshtjet politike të brendshme. Këto dy parti opozitare mund ta çojnë opozitarizmin e tyre deri te mosdëmtimi i interesave kombëtare. Kjo do të thotë se kur lista serbe bllokon vendimmarrjen në parlamentin e Kosovës, atëherë këtë ngerç duhet ta zhbllokojnë VV dhe LDK, edhe pse janë në opozitë. Ndërkohë ky vendim i LDK-së, ose Vetëvendosjes, ose të dyjave bashkë, duhet bërë publik që tani, me qëllim që deputetët serbë të mos lodhen për të bërë plane se si duhet ta bllokojnë dhe dëmtojnë qeverisjen në Kosovë. Shumë kush nuk pajtohet me këtë opsion. Disa prej tyre fillojnë e numërojnë padrejtësitë që PDK i ka bërë LDK-së. Disa të tjerë tregojnë patriotizmin e Vetëvendosjes për të mos bërë kompromis “në dëm të interesave të Kosovës”, pasiqë qeveritë në pushtet përceptohen si “të korruptuara” e për pasojë vjen arësyetimi se “nëse i ndihëmon këto qeveri, atëhere ke vepruar kundër Kosovës”! Por qëndrime të tilla, në vend që ta ndihëmojnë e dëmtojnë interesin e Kosovës, sepse nuk është fjala që opozita të marrë pjesë në qeverisje e të “ndajë tepsinë” me mazhorancën. Nuk ka të bëjë ç’bllokimi që i bën opozita qeverisë e mazhorancës kur ajo bllokohet prej listës serbe me mos angazhimin në luftën kundër keqqeverisjes si dhe kundër korrupsionit, krimit të organizuar e të tjera fenomene, të cilat fatkeqësisht janë shumë prezent në qeverisjet tona në të dy shtetet shqiptare. Fjala është që t’i pritet çdo shpresë Beogradit se mund ta intimidojë dhe kushtëzojë qeverisjen në Prishtinë. Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se ky vendim i opozitës në Kosovë shkon në dëm të interesave të serbëve të Kosovës. Përkundrazi, opozita mund të mbështesë dhe komprmiset parimore midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, kur ato janë në interes të vendit e të qytetarëve. Pra, bërja publike e një vendimi si ky në mbështetje të qeverisë Haradinaj në kushte të caktuara nuk ka nevojë të shihet dhe interpretohet si nacionalizëm, e më pas liderët e partitë të vrapojnë për të marrë flamurin e fitores. Bërja publike e këtij vendimi duhet bërë si shprehje e kulturës demokratike në një vend normal e me qeverisje normale. E gjitha kjo kërkon krijimin e raporteve të besimit midis palëve, mazhorancës dhe opozitës, gjë për të cilën zoti Haradinaj ka njësoj përgjegjësi sa edhe liderët e opozitës, aq më tepër kur ky besim është cënuar nga veprime politike të papërgjegjshme më parë. Nëse do të ndodhë kjo, nëse VV dhe LDK do të shpallin një qëndrim politik në mbështetje të qeverisë për vendime të cilat kundërshtohen prej listës serbe, atëhere do të rritet fryma e besimit edhe te qytetarët e Kosovës. Midis sistemit politik të qeverisjes e institucioneve të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës do të krijohet një lidhje harmonike e ndërsjelltë dhe kjo lidhje do të bëhet burim i mobilizimit të përgjithshëm të të gjitha palëve për përparim dhe zhvillim.

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Qeveria Haradinaj, VV dhe LDK

Amerika kujton 11 shtatorin

September 11, 2017 by dgreca

11 shtatori
Donald Trump, për herë të parë si president do të udhëheqë vendin sot në ceremonitë përkujtime me rastin e sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington në vitin 2001.

Presidenti Trump do të shënojë 16 vjetorin e aktit në të rëndë terrorist në tokën amerikane me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, me një minutë heshtje në orën 8:40, kohën kur avioni i parë i rëmbyer nga terroristët e al-Kaidës u përplas në Qendrën Botërore të Tregëtisë në Nju Jork. Avioni i dytë goditi kullën e dytë 23 minuta më pas dhe rrokaqiejt e mëdhenj u shembën në flakë dhe tym pak më vonë.

Presidenti Trump do të marr pjesë gjithashtu në një ceremoni përkujtimore sot më vonë në Pentagon, që u godit dhe u dëmtua rëndë nga një avion tjetër komercial i rrëmbyer në atë ditë famëkeqe. Herët në mëngjes, një flamur amerikan u shpalos në anë të ndërtesës.

Nënpresidenti Mike Pence do të udhëtojë në Shanksville të Pensilvanisë, ku një tjetër avion i rrëmbyer u përplas në një fushë. Besohet se pasagjerët u përpoqën të rimerrnin kontrollin e avionit kur e kuptuan se rrëmbyesit e tij të armatosur me thika kërkonin ta drejtonin avionin drejt Uashingtonit për një tjetër sulm, duke synuar Kapitolin ose Shtëpinë e Bardhë dhe se rrëmbyesit e rrëzuan aeroplanin në vend që të dorëzoheshin.

Të gjithë pasagjerët në bordin e katër avionëve të rrëmbyer humbën jetën më 11 shtator, 2001. Përfshi viktimat massive në Nju Jork dhe humbjet e jetëve në Pentagon, sulmet e 11 shtatorit vranë gati 3,000 njerëz.

Militanti islamik i quajtur nga hetuesit amerikan si “arkitekti kryesor” i sulmeve të vitit 2001, “Khalid Sheikh Mohammed”, u kap në Pakistan në fillim të vitit 2003 dhe mbahet në burgun ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos në Kubë. Sulmet ishin miratuar paraprakisht nga udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden, i cili u qëllua për vdekje nga komandot amerikane në maj të vitit 2011, gjatë një bastisjeje në një kompleks të rrethuar me mur në Pakistan, ku ai fshihej.(Sipas Zerit te Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: amerika, kujton 11 shtatorin

Gramoz Ruçi zgjidhet Kryetar Kuvendi me 80 vota

September 9, 2017 by dgreca

1 Kuvendi i shqipGramoz Ruçi do të jetë kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë për një mandat 4-vjeçar. Pas votimit të fshehtë në sallën e Kuvendit, Ruçi mori sot 80 vota pro.

Ndonëse deputetët e LSI kanë qenë në sallë, ata nuk votuan për Ruçin, qëndrim që e kishin shprehur edhe më herët.

Kryetari i Komisionit të votimeve, Anastas Angjeli, thirri emrat e deputetëve të LSI, siç ishte edhe Monika Kryemadhi.Në momentin që Angjeli thirri emrin e Monika Kryemadhit, nga vendi kjo e fundit tha: Nuk marr pjesë në votim. Në këtë linjë ka qëndruar edhe deputetja e LSI-së, Nora Malaj.

Kjo e fundit pohoi se nuk do të marrë pjesë në votim. Sakaq, PD mori pjesë në votim, pavarësisht se votat e saj kanë qenë kundër Ruçit.

Ruçi ka qenë propozimi i vetëm për postin e kryetarit, i bërë nga 55 deputetë të grupit parlamentar socialist.

Pas betimit të 140 deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit, ka nisur procesi i votimit që është bërë në mënyrë të fshehtë, me fletë votimi.

Procesi është menaxhuar nga një komision prej 5 anëtarësh, 3 të mazhorancës dhe 2 të opozitës. Në fund votat për Ruçin kanë rezultuar 80 pro, 40 kundër, 1 abstenim, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë në votim.

Filed Under: Politike Tagged With: Gramoz Ruci, me 80 vota, zgjidhet Kryetar Kuvendi

Kosovë-Kuvendi zgjedh qeverinë e re të kryeministrit Ramush Haradinaj

September 9, 2017 by dgreca

1 Behluli

-Pas intonimit të Himnit Shtetëror të Kosovës kabineti qeveritar i sapozgjedhur dha betimin/

2 Behluli Kuvend

Ne Foto;Raporton nga Kuvendi Gazetari Behlul JASHARI, Korrespondenti i Gazetes “Dielli” ne Prishtine/

PRISHTINË, 9 Shtator  2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme zgjodhi qeverinë e re të vendit me  62 vota pro, sipas konstatimit të kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Pas intonimit të Himnit Shtetëror të Kosovës kabineti qeveritar i sapozgjedhur dha betimin.Më pas Veseli pas reagimeve sqaroi se nuk ishin 62 vota pro, por 61 vota pro, ndërsa 1 ishte abstenim.

Pas falënderimit të kryeministrit Ramush Haradinaj seanca u përmbyll nga kryetari i Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës braktisën seancën, derisa i mandatuari për kryeministër Ramush Haradinaj nisi të prezantojë kabinetin qeveritar dhe pa praninë e tyre u zhvillua votimi.

VV dhe LDK  paralajmëruan të mbledhin nënshkrime për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme për debat rreth programit qeveritar.

Ramush Haradinaj në seancën e sotme u zgjedh kryeministër i Kosovës me votat e koalicionit PDK-AAK-Nisma-AKR dhe të komuniteteve pakicë, ashtu si u zgjedh të enjten kryetari i Kuvendit. Kuvendi i Kosovës ka gjithësej 120 deputetë.

Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës edhe më parë rreth 100 ditë.

Në 3 dhjetor 2004, pas zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës me vota të hapura zgjodhën kryeministrin dhe kabinetin qeveritar. Pasi më parë Presidenti Ibrahim Rugova para deputetëve nominoi në këtë post Ramush Haradinajn nga AAK-ja, ai mori votëbesimin e Kuvendit dhe u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës si dhe 11 ministrat nga radhët e koalicionit. Për kabinetin qeveritar votuan 72 depuetë, kudnër ishin 2 dhe pesë abstenuan.

Atëherë, në 3 dhjetor 2004, në prezantimin e përbërjes së Qeverisë së Kosovës u tha se, kryeministri që mori votëbesimin, “Ramush Haradinaj ka lindur më 3 korrik të vitit 1968 në Gllogjan të Deçanit. Ka mbaruar Fakutetin Juridik në Prishtinë. Në krye të AAK-së si kryetar, ai është që nga themelimi i saj, në qershor të vitit 2000.

Gjatë luftës, Ramush Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, ndërsa pas luftës, deri në kalimin e tij në politikë dhe me themelimin e AAK-së, ka qenë zëvendëskomandant i SHP të TMK-së në Prishtinë.
Në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka qenë deputet dhe anëtar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar”.

1 Qeveria Haradinaj

PO KUSH ESHTE KABINETI I QEVERISE HARADINAJ?

Kryeministër: Ramush Haradinaj

Zëvendëskryeministra: Behgjet Pacolli (AKR), Enver Hoxhaj (PDK), Fatmir Limaj (Nisma), Dalibor Jevtiq (Lista Serbe) dhe Dardan Gashi.

Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës: Rrustem Berisha (AAK)

Ministria e Infrastrukturës: Pal Lekaj (AAK)

Ministria e Financave: Bedri Hamza (PDK)

Ministria e Shëndetësisë: Uran Ismaili (PDK)

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit: Kujtim Gashi (PDK)

Ministria e Integrimeve Evropiane: Dhurata Hoxha (PDK)

Ministrja e Drejtësisë: Abelard Tahiri (PDK)

Ministria e Inovacion dhe Ndërmarrësisë: Besim Beqaj (PDK)

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale: Skender Reçica (Nisma)

Ministria e Arsimit: Shyqeri Bytyqi (Nisma)

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë: Bajram Hasani (Nisma)

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik: Valdrin Lluka (AKR)

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor: Albena Reshitaj (AKR)

Ministria e Diaspora dhe Investimeve: Dardan Gashi

Ministria për Kthim dhe Komunitete: Delibor Jevtiq (Lista Serbe)

Ministria e Pushtetit Lokal: Ivan Teodosijeviq (Lista Serbe)

Ministria e Bujqësisë: Nenad Rikalo (Lista Serbe)

Ministria e Zhvillimit Rural: Rasim Demiri (Vakat)

Ministria e Administratës Publike: Mahir Jagxhillar (TDP)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi, Ramush Haradinaj, zgjedh Qeverine

KOSOVË-KUVENDI, SOT SEANCË PËR QEVERINË E RE

September 9, 2017 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës,sot në seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së re/

1 haradinaj

-Ramush Haradinaj në 100 ditëshin kryeministër, në intervistë ekskluzive Gazetës Rilindja në fundvitin 2004: Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve. Pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike/
2 ramush-Cilat janë kompetencat e Qeverisë e të Kryeministrit, që i përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës/

1 behlul ramush

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 9 Shtator 2017/ Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës sot në orën 16:00 është pika e vetme e axhendës së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit kosovar, i cili seancën konstituive të nisur në 3 gusht e përfundoi dje, afër 3 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.

Kandidati i koalicionit fitues të zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, menjëherë pas seancës konstituive të Kuvendit, nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti te premien me 8 shtator mbledhjen e parë për Legjislaturën VI, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar.

Kryesia shqyrtoi kërkesën e 45 deputetëve nënshkrues për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Kryesia vlerësoi se kërkesa i plotëson kushtet formale-juridike dhe njëzëri vendosi që konform kësaj kërkese, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të shtunën, më 9 shtator, në orën 16:00, me pikën e vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thekson njoftimi zyrtar i sapodërguar nga Kuvendi sot pasdite.

Në përfundim të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, dje pasdite, i saporizgjedhur kryeparlamentar Kadri Veseli paralajmëroi për të shtunën seancën për zgjedhjen e liderit të AAK Ramush Haradinajt  kryeministër dhe Qeverisë së Kosovës, e më parë mandatimin.

Derisa vononte konstituimi i Kuvendit që pasohet me zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, qeveria e zgjedhjeve të para tre viteve zhvilloi në 30 gusht 2017 mbledhjen e 154-të, të tetën të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të nëntën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi.

Në 10 maj, një muaj para zgjedhjeve të parakohshme, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat ishin poashtu të parakohshme.

Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës edhe më parë rreth 100 ditë.

Në 3 dhjetor 2004, pas zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës me vota të hapura zgjodhën kryeministrin dhe kabinetin qeveritar. Pasi më parë Presidenti Ibrahim Rugova para deputetëve nominoi në këtë post Ramush Haradinajn nga AAK-ja, ai mori votëbesimin e Kuvendit dhe u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës si dhe 11 ministrat nga radhët e koalicionit. Për kabinetin qeveritar votuan 72 depuetë, kudnër ishin 2 dhe pesë abstenuan.

Ramush Haradinaj në seancën e nesërme pritet të zgjedhet kryeministër i Kosovës me votat e koalicionit PDK-AAK-Nisma-AKR dhe të komuniteteve pakicë, ashtu si u zgjedh dje kryetari i Kuvendit.

Gjatë 100 ditëve të qeverisjes, në kohën kur Kosova prej disa vietesh e lirë shkonte drejt shpalljes së pavarësisë, kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë që kam zhvilluar për gazetën tradicionale kosovare Rilindja shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike, derisa fliste edhe për bisedimet për statusin final.

“Ne bisedat i konsiderojmë si punë e mëtejme për t’i shpjeguar bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithëve edhe vendeve të rajonit se njohja apo  pranimi i vullnetit politik të popullit të Kosovës për pavarësi, pra njohja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhja e vetme dhe që siguron ose shënon edhe më tej ndihmesë në stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit”, theksonte Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehej optimist se Kosova do të arrijë me sukses e me kohë në cakun e caktuar për mesin e vitit 2005 për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës.

“Dinamika jonë, angazhimi ynë, reflekton edhe te UNMIK-u dhe mund të them se sigurt do të arrijmë suksesshëm në maj, pra në gjysmën e vitit që vjen me vlerësimin pozitiv. Veç tani ka sinjale të një sigurie të këtillë edhe nga pala ndërkombëtare duke vërejtur seriozitetin me të cilin ne po angazhohemi për zbatimin e standardeve për Kosovën”, theksonte Haradinaj.

Ai deklaronte edhe se me pavarësinë e Kosovës krijohet rrethanë e re për pozitë më të mirë edhe për pakicat.

“Pozita e pakicave sot, pozita e serbëve e cila nuk është e mirë në këtë rast nuk mund të përmirësohet pa ndryshime, pa e ndryshuar pozitën edhe të shumicës. Me pavarësinë e Kosovës krijohet rrethanë e re për pozitë më të mirë për serbët, pra unë besoj se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që i preokupojnë pjesëtarët e pakicave, por edhe shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike”, theksonte Haradinaj.

Ai shprehej se, “Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës kanë treguar dhe janë të vendosura që t’i japin rëndësi thellimit të bashkëpunimit me vendet fqinje dhe në rajon. Në këtë rast edhe me Beogradin. Ky qëndrim yni do të jetë vazhdimisht i këtillë dhe do të jetë edhe synim që të thellojmë bashkëpunimin në rajon me të gjitha vendet dhe me Beogradin. Besoj se pala serbe do ta vërtetojë se është edhe në dobi të rajonit që edhe ata të marrin pjesë me një vullnet, do ta quaja tonin, e që është shumëpalësh, pra që edhe Serbia të veprojë njëjtë si vendet e tjera fqinje sikurse Maqedonia, Mali i Zi e Shqipëria që kanë shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm”.

Intervista ekskluzive me kryeministrin Haradinaj u zhvillua në pasditën e 30 dhjetorit të vitit 2004, ndërsa u botua të nesërmen me titullin “Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve” në numrin festiv  të Rilindjes të Vitit të Ri 2005, në të cilin gazeta tradicionale e Kosovës kishte jubileun e 60 vjetorit. Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj në zyrën e tij në ambientet e Qeverisë së Kosovës priti për intervistë kryetarin e Këshillit Drejtues e kryeredaktorin e Gazetës  Rilindja, Behlul Jashari, tash korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI.

Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall  i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.Në 10  korrik 2014, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte  pjesë e regjistrimit të deputetëve të Legjislaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, para seancës konstituive të 17 korrikut.

“Pas 10 vjetësh, sot u çertifikova për herë të dytë në mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Sigurisht se ishte përjetim i veçantë, pas një periudhe të gjatë, me plot sfida, që kaluam unë, familja dhe Kosova. Ky moment shënon edhe një pikënisje të re për të gjithë ne, në rrugën dhe synimet e përbashkëta për Kosovën evropiane”, shprehej me atë rast Haradinaj.

Ai vlerësonte se, “Kosova ka shënuar të arritura, është shtet i pavarur, por shtetit dhe pavaresisë sonë i duhet rend, ligj, zhvillim, sovranitet dhe integrim”.

Në Kuvendin e Kosovës me gjithësej 120 deputetë, prej tyre 100 shqiptarë e 20 të komuniteteve pakicë, për zgjedhjen e qeverisë së re duhen së paku 61 vota.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për kompetencat e Qeverisë e të Kryeministrit shkruan:

Neni 93 [Kompetencat e Qeverisë] Qeveria ka këto kompetenca: (1) propozon dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit; (2) mundëson zhvillimin ekonomik të vendit; (3) propozon Kuvendit projektligje dhe akte të tjera; (4) merr vendime dhe nxjerr akte juridike ose rregullore, të nevojshme për zbatimin e ligjeve; (5) propozon Buxhetin e Republikës së Kosovës; (6) udhëzon dhe mbikëqyr punën e organeve të administratës; (7) udhëzon veprimtarinë dhe zhvillimin e shërbimeve publike; (8) i propozon Presidentit të Republikës së Kosovës emërimet dhe shkarkimet për shefa të misioneve diplomatike të Kosovës; (9) propozon amendamentimin e Kushtetutës; (10) mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese; (11) ushtron edhe funksione të tjera ekzekutive, të cilat nuk u janë caktuar organeve të tjera qendrore ose vendore.

Neni 94 [Kompetencat e Kryeministrit] Kryeministri ka këto kompetenca: (1) përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë; (2) siguron që të gjitha Ministritë të veprojnë në pajtim me politikat qeveritare; (3) siguron zbatimin e ligjeve dhe të politikave të përcaktuara të Qeverisë; (4) ndërron anëtarët e Qeverisë, pa pëlqimin e Kuvendit; (5) kryeson Këshillin e Sigurisë të Kosovës; (6) emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës; (7) këshillohet me Presidentin e Republikës së Kosovës mbi çështjet e Inteligjencës; (8) së bashku me Presidentin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë; (9) këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit; (10) kryen edhe punë të tjera, të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, KOSOVË-KUVENDI, PER QEVERINE E RE, SOT SEANCË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 525
  • 526
  • 527
  • 528
  • 529
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT