• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RREZIKU AKTUAL NGA ARMËT BËRTHAMORE

September 6, 2017 by dgreca

Asllani Portret-66

 

NGA ASLLAN BUSHATI/Kohët e fundit veprimet e Koresë Veriut e kanë tensionuar situatën politico-ushtarake  jo vetëm në lindjen e largët , por në të gjithë botën. Kulmin e tij tensionimi  e arriti me provën e bombës me hidrogjen të Koresë Veriut, të  datës 3 Shtator 2017 , e cila shkaktoi  lëkundje  të tokës  në një hapsirë të madhe dhe në përmasat e një tërmeti 6.3 ballë të shkalës Rihter. Por ajo shkaktoi “tërmet” edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në qendrat e mëdha vendim-marrëse  të planetit. Në këto kushte, pyetja më e thjeshtë  shtrohet  se : pse erdhi situate deri në prag të luftës bërthamore?  Shpiegimet mund të jenë të shumta, e nga këndshikime të ndryshme. Por  pikpamja ime si ish ushtarak i lartë , specialist i fushës së mbrojtjes nga armët e dëmtimit në masë (ADM) dhe ish drejtues i kësaj veprimtrari për një kohë relativisht të gjatë në Ushtrinë Shqiptare, është se ajo nuk  erdhi  si  shkreptimë( rrufeje) apo qoftë edhe   brenda ditës , javës  a  muajit. Jo . Ajo  është gatuar ngadalë-ngadalë dhe është e qëllimëshme .

Periudha pas “Luftes së Ftohtë” është një tranzicion që  gradualisht për gati një cerek shekuli  solli një disekuilibër ekonomik, politik dhe ushtarak në shkallë botrore. SHBA-të kanë qenë e janë në qendrën e kësaj stuhije ( të  dukshme e të padukshme), në fushën e ekonomisë, armatimit, inteligjencës njerzore e kibernitike për ta minosur qenien  e saj si lider i vetëm botëror. Fuqitë e reja e të vjetra  ekonomike, kërkojnë ndryshimin e ndarjes së pasurisë botrore. Kërkesa për tregje të reja ekonomike në kurris të atyre amerikane,  ka bërë që kontradiktat të cfaqen në qëndrimet politike e diplomatike  kundërshtuese dhe në demostrimin e “muskujve” ushtarak.

Situata e viteve të fundit në Irak, Siri, Libi, Afganistan etj,( dhe disa politika ditore e dritshkurtëra),  i kanë mbajtur   amerikanët  si të  lidhur (fokusuar në këto rajone) , duke mos qenë të lirshëm  e  veprues në rajonet e tjera. Madje këto politika ( ndonjëherë  jo të  menduara mirë),  kane bërë cfaqen  edhe të  disa  raporte jo të  këndëshme edhe me vendet e  BE-së, (aleati kryesor i SHBA-së), vecanërisht për problemin e refugjatëve. Shto këtu pushtimin e Krimesë nga Rusia, nxitjen e luftës në lindje të Ukrahinës, ndërhyrjen për destabilizimin e situatës në Gadishullin Ilirik (Ballkanik), ndërhyrjet e vazhdueshme me agjenturë e kibernitikë si dhe trysninë e Kinës për hapsira të reja  ekonomike e detare e bëjnë  tabllonë  të rrezikshme shumë komplekse.

Ka politikanë, diplomatë, shtetar të ndryshëm,  (edhe këtu në SHBA) senator, kongresmenë , njerëz të medias ,qe besojnë se Kina dhe Rusia mund të luajnë një rol  të rëndësishëm në uljen e tensionit në gadishullin Korean. Unë absolutisht nuk besoj në një ide të tillë. Sepse në gjykimin tim, Kina si  në situatën e tanishme dhe në planin afatgjatë, lufton vetëm  për interesat e saj  strategjike për tu bërë superfuqi e vetme botrore. Ajo aktualisht po pushton të gjitha tregjet me mallrat e teknologjinë e saj  ekonomike e ushtarake, përfshi edhe Korenë e Veriut. Në gjykimin tim, ajo është e interesuar që konflikti  Korean të përshkallëzohet (se ka shumë përfitime) ,por duke ditur  mirë rrezikun e  armëve bërthamore, dëshiron që konflikti me këto armë të mos  zhvilohet pranë saj. Pra shkurt situatën e tensionuar e pëlqen por pa përdorimin e armëve bërthamore . Kina gjithashtu, është e interesuar për dobësimin  e gjithanshëm të SHBA-së, vecanërisht dobësimin  e përgjithshëm ushtarak  të saj e  mbi të gjitha  të kontigjenteve  në Lindjen e Largët. Prandaj unë nuk besoj në ndonjë ndihmesë të Kinës   në konfliktin koreano-verior  me SHBA-në.

Kurse Rusia e ballafaquar me sanksionet  ekonomike amerikane, jo vetëm nuk mund të luaj një rol pozitiv, por përkundrazi  unë mendoj se ajo vendos “mina” cdo ditë në situatën e krijuar. Presidenti rus Putin ashtu  si Kina e dëshiron përshkallëzimin e situatës për të dobsuar amerikanët, por pa përdorimin e armëve bërthamore, madje edhe sanksionet e OKB-së  kundër Koresë veriut, i konsideron jo dobipruese kur thotë se:”Konflikti do të jetë katastrofë globale… edhe pas sanksioneve mendohet se Peniani nuk do ta braktis vijimin e provave bërthamore”. Pra i inkurajon ata të vazhdojë rrugën e provave në kundërshtim me idetë amerikane.

Ka qarqe të caktuara  anti amerikane, që e shtyjnë Presidentin Koreanoverior Kim Jong Un, jo vetëm të vazhdojë provat bërthamore, por ta përshkallzojë situatën, duke i bërë elozhe se je me të vertëtë “ trim”, dhe i vetmi që “ e ke mundur Amerikën” në sytë e gjithë botës. Madje qarqe të tilla  ndoshta e shtyjnë atë të ndërmarrë avanturën  e përdorimit i pari të armëve berthamore sepse i thonë se je më i avantazhuar. Kjo është tërësisht  cmenduria më e madhe e kohës që po jetojmë. Ky qytetërim në përfundim të Luftës Dytë Botërore  i provoi armët bërthamore mbi Hiroshima e Nagasaki më 6 e 9 gusht 1945, ku mbetën të vdekur 106 mijë vetë, 98 mijë të plagosur dhe mijra të tjerë të vdekur më pas nga rrezatimi mbetës.

Por edhe europianët (përfshi ne shqiptarët), e kanë një përvojë shumë negative nga aksidenti i 1986-tës në  centralin bërthamor të Cernobilit në Ukrahinë. Sot askush nuk e din se sa ka qenë numuri i të vdekurve me kanser nga rrezatimi mbetës i këtij aksidenti. Por për kujtesë më lejoni të jap disa shifra. Para aksidentit niveli i rrezatimit natyror në Shqipëri  ishte 4-6 zbërthime në minut për centimeter katror. Më 9 maj 1986 (në kohën e aksidentit) ,në Malin e Moravës në Korcë ishte  1280 zbërthime në minut për centimetër katror. Kjo situatë radioaktive  ishte afërsisht në të gjithë teritorin e Shqipërisë. Kurse dhjetë vite pas aksidentit (në 1996) niveli i rrezatimit në Tiranë ishte 14-17 zbërthime në minut për centimetër katror. Tani  më lejoni  të pyes  sejcilin lexues  se :sa nga të afërmit tuaj kanë vdekur me kanser në 27.4 vitet pas aksidentit, pra deri në 2003-2004 ? Po përgjigjem unë për familjarët e mi : gjatë kësaj periudhe kam humbur vëllain, dajon, dy burrat e motrave, kurse bashkshortja ime dy prindërit, dy dajot, djalin e dajos , burrin e tezes. Po ju  të tjerët..? Pra shtruarja  e mendimit se armët bërthamore edhe mund të përdoren në raste specifike, është një absurditet i pa krahasueshëm me agjë tjetër.

Fenomeni  koreanoverior, mund të hap( si një reaksion zinxhir), një problem të madh të sigurisë botrore , duke zhvilluar iden e vetmbrojtjes kombtare nga armët bërthamore (të të tjerëve),  me zhvillimin e arsenaleve bërthamore të shumë vendeve të kërcënuara.  Nën pretekstin e të qënit i  rrezikuar nga armët koreane (ose dikujt  tjetër), në këtë rrugë mund të hyjnë: Koreja e Jugut, Japonia, Indonezia, Malajzia dhe Australia. Në kushtet e këtij reaksioni do të fillonin nga puna si të  kërcënuar: Gjermania, Italia, Turqia, Irani ,Arabia Saudit, Afrika e Jugut , Brazili etj etj. Pra shpejt do të kishim një kaos të vërtetë dhe siguria globale dhe ky qytetërim do të shkatërroheshin nga politikanë të pa përgjegjeshëm por edhe nga  gabime njerzore e teknike.

Në situatën e krijuar në Gadishullin Korean (por edhe më gjërë), një rol të dorës parë duhet të luante OKB-ja me mekanizmat e saj. Por në gjykimin tim ky organizëm është bërë i pa manovrueshëm dhe disa herë  destruktiv. Do të ishte një gjë e mirë gjetja e një forme më të përshtatëshme  organizimi  botëror , por deri atëherë kjo që është ,duhet të bëjë shumë më shumë se deri tani.

Jam i mendimit se edhe një plan politik duhet shtruar NJË TEZË  në tryezat e politikbërësve botëror.  E them këtë se që  nga viti 1953 kemi dy Kore, kur  atje është një popull një komb me  një gjuhë. Nuk do të ishte herezi  tu thuhesh koreanoveriorëve se kalimi nga diktatura e proletariatit në demokraci shumë partiake, do të ishte një parakusht për të hedhur hapin e parë drejt bashkimit të dy Koreve në një shtet të vetëm  demokratik. Kjo  ide mund të duket  sot si cmenduri , por më besoni se është një opsion më shumë në situatën e rrezikëshme që ekziston atje.

Dhe së fundmi do t’ju lutesha  strategjistëve në Uashington, të rishohin opsionet e së ardhmes në dritën e problemeve dhe dukurive të kohës që po jetojmë. T’ju bëhet me dije politikanëve të të dy krahëve të politikës,  rreziku që ekziston dhe se të qënit e Amerikës e fortë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nuk është vetëm  nje ceshtje krenarie amerikane, por është domosdoshmëri në mbajtjen e ekuilibrave botëror. Është domosdoshmëri  për  ruajtjen e  trazhgimnisë së deri tanishme botrore dhe lënien e tyre të sigurtë breznive që do të vijnë. Lereni  Presidentin Trump me administratën e tij, të bëjë detyrën që ka të përcaktuar me Kushtetutë, dhe zotimet që ka marrë para popullit amerikan. Lerini presidentët e therë që do të vijnë ta mbajnë e ta bëjnë Amerikën “great  again”.

Filed Under: Politike Tagged With: ARMËT BËRTHAMORE, asllan Bushati, RREZIKU AKTUAL NGA

NENE TEREZA:Kush eshte Jezusi per mua?

September 4, 2017 by dgreca

Kush eshte Jezusi per mua?/

auto_71503597248

Nga Nene Tereza*/

Jezusi është Fjala e Mishëruar./

Jezusi është Buka e Jetës./

Jezusi është viktima e ofruar për mëkatet tona në Kryq./

Jezusi është sakrifica e ofruar në Meshën e Shenjtë/

Për mëkatet e botës dhe të miat.

Jezusi është Fjala – për ta folur.

Jezusi është e Vërteta – për t’u thënë.

Jezusi është rruga –  të ecësh.

Jezusi është Drita – të ndizet.

Jezusi është Jeta – për të jetuar.

Jezusi është Dashuria – ta duash.

Jezusi është gëzimi – për t’u shperndarë.

Jezusi është Sakrifica – që do të ofrohet.

Jezusi është Paqja – që do të jepet.

Jezusi është Buka e Jetës – për t’u ngrënë.

Jezusi është i urituri – për t’u ushqyer.

Jezusi është i eturi – per t’i dhëne uje .

Jezusi është i zhveshuri –   ta veshësh.

Jezusi është i pastrehuari – për t’u marrë brenda.

Jezusi është i sëmuri – për t’u shëruar.

Jezusi është i vetmuari – per t’u dashur.

Jezusi është i padëshiruari – për t’u deshiruar.

Jezusi është Lebrozi – për të larë plagët e tij.

Jezusi është Lypësi – t’i jepet atij një buzëqeshje.

Jezusi është pijaneci –  per t’u dëgjuar.

Jezusi është i ngadalësuari – për ta mbrojtur atë.

Jezusi është i Vogli – ta përqafosh atë.

Jezusi është i verbëri – ta udhëheqësh atë.

Jezusi është memeci – të flasësh për të.

Jezusi është i Gjymtuari – të ecësh me të.

Jezusi është i varur nga droga – për t’u shoqëruar me të.

Jezusi është prostituta – për ta hequr nga rreziku dhe për t’u bërë miq te sinqerte.

Jezusi është i burgosuri – për t’u vizituar.

Jezusi është i plaku – për t’u shërbyer.

 

Për mua –

Jezusi është Zoti im.

Jezusi është bashkëshorti im.

Jezusi është jeta ime.

Jezusi është dashuria ime e vetme.

Jezusi është gjithçka  e imja ne te gjitha.

Jezusi është gjithçka  e imja.

 

Jezusin e dua me gjithë zemrën time,

me gjithë qenien time.

Unë i kam dhënë atij  gjithcka,

madje edhe mëkatet e mia,

dhe ai më ka përkushtuar ndaj vetes me butësi dhe

dhe dashuri. Tani dhe për jetën unë jam bashkëshortja e bashkëshortit tim të kryqëzuar. Amen! Lutja e marrë nga “Jezusi është gjithçka ime në të gjitha: duke u lutur me” shenjtin e Kalkutës….Përktheu nga anglishtja: Merita B. McCormak

Filed Under: Politike Tagged With: Jezusi per mua?, kush eshte, Merita B McCormack, Nene Tereza

Për figurën e Skënderbeut dhe seriozitetin tone të munguar

September 3, 2017 by dgreca

1 akri Cipa

Nga Akri Çipa/Nju Jork/

Çështja e trajtimit të figurës së Skënderbeut, e ngritur rishtazi në diskursin publik për arsye të ndryshme dhe shpeshherë të palidhura me njëra-tjetrën, megjithëse mund të duket anakronike në pamjë të parë, është tejet e rëndësishme për Shqipërinë e ditëve tona. Pikërisht prej këtij fakti ajo është një çështje që duhet trajtuar me seriozitet dhe, mbi të gjitha, përtej patetizmave nacionaliste dhe ndasive artificiale.

Skënderbeu është figura më përbashkuese e një populli të vogël por me diferenca të mëdha. Ndërmjet shqiptarëve ekzistojnë diferenca të theksuara kulturore ndërmjet atyre që jetojnë në Shqipëri dhe atyre që jetojnë në Kosovë. Ekzistojne ndasi ndërmjet veriut dhe jugut të vendit. Ekzistojnë diferenca të qënësishme në bazë të përkatësisë qytetare, bindjeve politike, historive familjare. Sikurse, në kohët e fundit, ka filluar të theksohet edhe diferenca fetare. Por, përtej këtyre elementëve përçarës, jemi një komb që ka ditur të qëndrojë bashkë, qoftë edhe në kohërat më të errëta. Dhe aftësinë për të qëndruar bashkë nuk e kemi fituar vetvetiu, por e kemi si pasojë e një procesi të gjatë formues dhe përbashkues.

Në këtë proces përbashkues elementët më dominantë janë gjuha shqipe dhe, jam i bindur për këtë fakt, figura e Skënderbeut. Gjuha për arsye se, që në gjenezë të kohërave, është ura e komunikimit ndërmjet individëve me njëri-tjetrin dhe me komunitetin. Figura e Skënderbeut për shkak se pozicionon një histori të përbashkët dhe identitare ndërmjet shqiptarëve të të gjitha krahinave, evidenton një filiz identiteti europian në një periudhë ku historia e rajonit mëtonte drejt shtypjes së këtij identiteti dhe është një gurthemel i qënësishëm i trajtëformimit të shtetit shqiptar duke përbërë rastin më të shkëlqyer të tejkalimit të tribalizmit.

Duke mos patur çfarë t’i bëjnë gjuhës shqipe, anonimë tastierash, por edhe persona me peshë në diskursin tonë shoqëror, kanë shënjestruar shpeshherë figurën e Skënderbeut për të vënë në pikëpyetje identitetin shqiptar. Problemi i çmitizuesve të figurës së Skënderbeut është se gjithmonë e anashkalojnë faktin që vlera e tij është tek figura. Për shkak se nuk dëshirojnë ta sulmojnë direkt figurën e tij, revizionizmin e tyre e nisin tek jeta e Gjergj Kastriotit. Kështu, kanë vënë në dyshim origjinën e tij, synimet strategjike të tij, vërtetësinë e luftës së tij ndaj Perandorisë Osmane dhe kanë mëtuar të ngrejnë hipoteza të rrezikshme për të supozuarën luftë fetare.

Gjykoj që popujt duhet të kenë gjithmonë guximin të përballen me të vërtetat historike. Por, në këtë rast, nuk bëhet fjalë për një lloj të vërtete që do të na bëjë të lirë. Zhurmnaja që ngrihet herë pas herë është ose rezultat i provokatorëve dhe historianëve auto-didaktë, ose kryqtarëve çmitizues të figurës, të cilët nuk nisen me idenë e gjetjes së të vërtetës historike, por me qëllimin e vetëm të demontimit të figurës.

Që figura e Skënderbeut është glorifikuar mbi figurën reale të tij, kjo është e pamohueshme. Përtej Marin Barletit dhe biografëve të hershëm të Skënderbeut, rilidasit u kujdesën për këtë fakt. Por, ky mitizim, nuk ka qënë ndonjëherë i dëmshëm. Përkundrazi, sikurse e thashë dhe më parë, ishtë një lartësim që ndikoi në themelimin e shtetit shqiptar. Të gjitha lëvizjet shtetformuese në Ballkan dhe më gjerë kanë shfrytëzuar lartësimin e figurave historike për të pasqyruar bashkimin kulturor dhe historik të krahinave të ndryshme brenda një elementi të unifikuar shtetëror.

Skënderbeu nuk duhet të ketë dhe nuk ka nevojë për kult. Por, bashkë me Ismail Qemalin, ai mbetet figura më përcaktuese e shtetit shqiptar. Më shumë se aq: Skënderbeu i jep një dimension historik Shqipërisë. Një dimension të cilin vendet përreth nesh përpiqen dëshpërimisht ta krijojnë në mënyrë fiktive. Ndërkohë që Shqipëria e ka në mënyrë të patjetërsueshme. Në fakt, edhe vetë revizionistët e historisë nuk e mohojnë dot figurën dhe dimensionin historik që Skënderbeu përfaqëson dhe prandaj përpiqen thjesht të deformojnë elementë të vegjël karakterizues dhe e kontekstualizojnë në mënyrë dashakeqe.

Në vazhdën e këtij serioziteti të munguar ishte dhe debati i ngjallur prej raportimit të mediave online për mbulimin e statujës së Skënderbeut ditën e djeshme. Thuajse të gjithë besimtarët myslimanë të gjendur në atë shesh nuk e vënë në dyshim qënësinë e Skënderbeut si hero kombëtar dhe mëvetësine unitare të figurës së tij. Fatkeqësisht, në debatin e ngritur, qoftë në mënyrë naive, qoftë në mënyrë tendencioze, ky fakt u vu në dyshim. Ajo çfarë duhej diskutuar realisht në atë situatë, ideja nëse elementët përbashkues dhe laikë ishin mbuluar për shkak të riteve fetare, u la në harresë. Sikurse pritej, gjithë trumpetuesit online dhe jo vetëm e futën debatin në hulli sa qesharake, aq edhe destruktive.

Sikurse e thashë në fillim, trajtimi i figurës së Skënderbeut nuk ka nevojë për patetizma. Ai nuk ka nevojë për të patur një vit të përkushtuar ndaj tij. Ai nuk ka kurrfarë nevoje. Jemi ne si shoqëri të cilët kemi nevojë të ndërgjegjësohemi për vlerën identitare që përfaqëson Gjergj Kastrioti. Nuk mund t’u fshihemi të vërtetave historike dhe duhet të përballemi me to. Por, të vërtetat historike nuk vijnë nga provokatorë të rëndomtë. Ndaj këtyre individëve duhet të sillemi me indiferentizmin që meritojnë. Fatkeqësisht, ngaqë nuk kemi ende një diskurs të shëndoshë publik, shpenzojmë tepër kohë duke ndjekur rrjedha fiktive dhe, mbi të gjitha, të padobishme dhe të pavlera të cilat thjesht na largojnë nga e vërteta. Kjo është mungesa e seriozitetit që duhet ta tejkalojmë.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, dhe seriozitetin, Për figurën e Skënderbeut, tone të munguar

HISTORIA DHE SIMBOLET TONA KOMBËTARE, TË PAPREKSHËM

September 2, 2017 by dgreca

21277769_10211973821215154_917012060_o1 Flamuri shqiptar1 nene Tereza shenjte

HISTORIA JONË DHE SIMBOLET TONA KOMBËTARE JANË TË PAPREKSHME, TË  PATJETËRSUESHME,  DHE I PËRKASIN TË GJITHË SHQIPTARËVE PA DALLIM FEJE/

1 Kola_AzetaShkruan: Dr. Azeta Kola/SHBA/

Judaismi, Kristianizmi dhe Islami janë tri fetë Perëndimore, të cilat lindën në botën e pasur Mesdhetare në të cilën Shqipëria bën pjesë. Ndër këto, Krishterimi, dmth feja Katolike si feja më e hershme që u përhap në Mesdheun Lindor (pas paganizmit që në shekullin e parë të erës sonë) u fut herët në tokat e saj dhe Islami erdhi shumë më vonë me pushtimet Otomane në Balkanin Perëndimor (shekulli i katërmbëdhjetë). Tokat shqiptare për shekuj me rradhë janë gjendur në mes të feve të Krishtera (Katolicizmit dhe fesë së Krishterë-Ortodoksë) dhe fesë Islame. Pra nuk është aspak një koincidencë e rastit që populli shqiptar ka besimtarë te këtyre tri feve sot e kësaj dite.

Shqipëria moderne është shtet i pavarur e laik me një kushtetutë e cila garanton këtë pavarësi dhe laicitet. Po ashtu, kushtetuta e shtetit shqiptar garanton edhe lirinë fetare të gjithë qytetarëve të saj, të cilat ishin mohuar nga diktatura komuniste për një gjysëm shekulli. Duke u nisur nga kjo garanci ligjore, është e papranueshme që gjatë faljes së Bajramit, statuja e Skënderbeut u mbulua në qendër të Tiranës me tabela absurde një ditë më parë.

Simbolet tona kombëtare si Gjergj Kastrioti apo Nënë Tereza, Ismail Qemali apo Fan Noli, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Avni Rrustemi, Papa Kristo Negovani, Shtjefën Gjeçovi e Luigj Gurakuqi (si dhe shumë e shumë të tjerë qe u vranë e helmuan përgjatë historisë sepse punuan për çështjen Shqiptare) i përkasin të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje. Ato janë burim krenarie kombëtare, janë shembuj të sakrificës, atdhedashurisë, dhe ndërgjegjes kombëtare të cilat sot më shumë se kurrë na duhen për të rikujtuar e ringjallur ato ndjenja patriotike të cilat duket se janë në krizë të thellë në gjirin e shqiptarëve e në mes të kryeqytetit.

Nëse sot besimtarët myslimanë ndjehen te fyer nga figura e Gjergj Kastriotit i cili mbrojti identitetin tonë të krishterë dhe lirinë e tokave shqiptare, ata duhet të kërkojnë thellë në vetvete arësyen përse ndjehen kështu. Ekziston nje çoroditje mendore dhe morale e proporcjoneve gjigande midis shqiptarëve sot, e cila është krijuar qëllimisht për të mbjellë pakënaqësi dhe përçarje. Mediat, televizioni, librat si dhe mbledhjet publike kanë lejuar një degjenerim të kualitetit të lajmeve të cilat vërshojnë të pa filtruara dhe të cilat keqinformojnë e helmojnë publikun shqiptar çdo ditë. Për shembull, historiani Turk, Talha Uğurluel, agjenda anti-shqiptare e të cilit është e qartë, arriti të shtrembërojë historinë dhe të fyejë hapur heroin tonë kombëtar ditën me diell, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. (Intervista në Telegrafi.com publikuar 04/07/2016 gjendet në këtë link http://telegrafi.com/historiani-turk-skenderbeu-nuk-beri-lufte-por-plackitje-video/)

Zoti Uğurluel e cilësoi Gjergj Kastriotin tradhëtar, sepse sipas pseudo-historianit, ai “nuk bëri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur.” Këto opinione absurde të lejuara nga entet tona shtetërore dhe të publikuara në shtypin shqiptar kanë ndikuar në krijimin e një opinioni kryekëput të gabuar ndër besimtarët shqiptarë të fesë Islame. Ky misinformim i mbështetur në nxirjen e asaj që është e bardhë, dmth të fakteve historike, mund të shërbejë për të filluar e kuptuar përse komuniteti Mysliman shqiptar (jo pjesa e shëndoshë e tij, jam e sigurtë) e sheh statujën e prijësit të krishterë në mes të Tiranës si ofendim. Më falni, por si historjane më duhet të ndërhyj e te ngre zërin në mënyrë që të bëj të qartë se në historinë e vërtetë, të mbrosh tokat e gjyshërve e stërgjysherve të tu nga okupimi i një force të huaj nuk quhet tradhëti në asnjë pjesë të rruzullit tokësor, dhe nga asnjë njeri me ose pa diplomë universiteti. Çdokush me mendje të shëndoshë e pranon se të luftosh për të mbrojtur çfarë është e jotja, është e drejtë e pamohueshme, heroizëm, e integritet. Në të kundërt, historia e vërtetë dhe e patjetërsueshme na rrëfen se ishin ekspeditat ndëshkimore dhe masakrat e panumërta të hordhive otomane në tokat shqiptare ato që vranë, prenë, dogjën, përdhunuan, skllavëruan e çvendosën me qindra e mijëra shqiptarë ndër shekuj, dhe të cilët e shndërruan përbërjen kulturore e fetare të tokave tona. Megjithë këtë dramë kombëtare dhe njerëzore, ne shqiptarët ditëm të ruajmë karakterin tonë shqiptar ndër shekuj, karakter i cili është sot në pikëpyetje. Paradoksi i historisë sonë, dmth gjeneza e Krishterë dhe konvertimi në fenë e pushtuesit otoman nuk duhet të fyejë askënd sot në shekullin e njëzetenjë kur flitet për integrim të Shqipërisë në EU. Ai duhet te nxisë respekt dhe jo mungesë të tij, dashamirësi e jo përçarje, zgjidhje te mençur te dilemës historike te shqiptarët e të tri besimeve fetare.

Mbulimi i statujës, ky veprim i mendjeve të shkurtra e të influencuara negativisht dhe të keqinformuara nga ana intelektuale e fetare, jo vetëm që lëndon identitetin tonë shqiptar, mohon historinë tonë, dhe na bën qesharakë në sytë e të huajve, por edhe bie ndesh me tolerancën fetare me të cilën Shqipëria dhe shqiptarët mburren nëpër botë. Nëse ne vetë si shqiptarë do të lejojmë të kalojnë si normale akte të tilla përçudnimi të historisë sonë, mungese të hapur tolerance me rrënjë në injorancë dhe dogmë fetare, si dhe papërgjegjësi të theksuar nga ana e qeverisë lokale dhe shtetërore, atëhere rrezikojmë pa diskutim që të hyjmë në një qorrsokak nga i cili dalim vetëm me vëllavrasje dhe humbje te identitetit si komb i pavarur. Jo më kot rilindasit tanë te shquar në shekullin e nëntëmbëdhjetë luftuan për bashkim mbarëkombëtar me anë të ringjalljes së vetëdijes kombëtare dhe ruajtjes së gjuhës e traditave tona të lashta. Për ta “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria.” A nuk tingëllojnë aktuale vargjet e Vaso Pashë Shkodranit sot?

O Moj Shqypni 

“…çonju, o shqyptarë, prej gjumit çonju,

të gjithë si vllazën në nji besë shtrëngonju

dhe mos shikoni kisha e xhamia,

feja e shqyptarit asht Shqyptaria…”

 

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Azeta Kola, HISTORIA DHE SIMBOLET TONA KOMBËTARE, TË PAPREKSHËM

Paradoks qeveritar: Emigrantët të vërtetojnë çdo 7 muaj në se janë gjallë

September 2, 2017 by dgreca

Shqipëria, vendi ku emigranti emërtohet GJALLESË dmth-në KAFSHË dhe i duhet të provojë çdo 7 muaj që ende s’ka vdekur/

pirro-dollani-dielli.al_-600x400

Nga Pirro Dollani/

Në këtë realitetin tonë të çmendur, ku karreristë, arrivistë, injorantë, hajna, sigurimsa dhe enversta janë konvertuar në burra shteti, deputetë, ministra, priftërinj, hoxhallarë; në këtë realitetin ku analfabetët hartojnë tekste, hajdutët kodet morale, ku edhe nëpunësi më i thjeshtë të trajton sikur të jesh kriminel kur shkon për të marrë një shkresë të thjeshtë dhe ta nxjerr shpirtin deri sa të hapësh kuletën e t’i japësh bakshish; në këtë shëndetësi tonën kur shkon te mjeku dhe i thua më dhëmb gjoksi, ai të shikon, së pari, duart nëse “ke gjë apo janë bosh”. Ti shkon të vizitohesh në poliklinikë dhe mjeku të thotë, “hajde mbasdite në klinikën time private që të vizitohesh”, pasi nuk i mjafton ai bakshish që i jep nën dorë atje në institucionin shtetëror ku paguhet për punën që bën; ti shkon të marrësh pensionin në bankën që ke kërkuar që pensioni të kalojë, që të kesh mundësi të paguash edhe dritat e ujin kur je larg shtëpisë, por arkëtari të thotë: “llogaria juaj bankare është bllokuar, pasi kanë kaluar 6 muaj nga dita që nuk keni bërë asnjë veprim me bankën, si rrjedhim, as dritat e as uji s’janë paguar”. Dhe ty o njeri, që mund të jesh ndoshta emigrant, nëse nuk do që të bllokohet llogaria bankare, të duhet që brenda 6 muajsh të vish nga Amerika, Australia, Zelanda e Re, Hëna a Marsi për të marrë jo ndonjë shpërblim apo dhuratë nga shteti, por pensionin tënd, atë përqindje qesharake të kontributit 30-40 vjeçarë që ke bërë gjatë jetës tënde si punonjës! Me atë të ashtuquajtur pension “që s’je në gjendje të jetosh as 4 ditë!” Sipas rregullave e procedurave që ky shtet “demokratik” ka nxjerrë për “t’ua lehtësuar jetën njerëzve” nëse kanë tejkaluar 6 muaj nga dita që janë paraqitur për herë të fundit në bankë, atyre u duhet të plotësojnë një shkresë që të vërtetojnë se janë gjallë.(!?!) Ty o  njeri, që nuk jeton në këtë vend të çuditshëm, të duket shaka, dhe i thua punonjësit të bankës “që s’më sheh që jam i gjallë e jam ndë jetë dhe i tregon Kartën e Identitetit.” Por punonjësi i bankës qetësisht të thotë se duhet të plotësosh shkresën me titull: “Deklaratë e Gjallesës së Pensionistëve”( (!?!) Deklaratë e gjallesës?!? Për këtë palo shtet, ti o emigrant nuk je as NJERI, por GJALLESË, dmth-në “KAFSHË”! Sipas “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” kuptimi i fjalës “gjallesë” është: “Qenie e gjallë që lëviz, gjë e gjallë, kafshë,”. Pra, ky shtet jo vetëm që të konsideron “kafshë”, por edhe të vdekur!!! Dhe ti je i detyruar që po kaluan 6 muaj pa tërhequr pensionin tënd nga banka e Shqipërisë, duhet të provosh se je gjallë. Dhe prova se je gjallë e jo fantazmë edhe pse shfaqesh në bankë me kartën e identitetit në dorë, është që të ulesh e plotësosh “Deklaratën e Gjallesës së Pensionisteve”, këtë shkresë IDIOTESKE, si vetë mendja e atyre që e ka shpikur!!! Pastaj nis pritja e gjatë e munduese me ditë, javë që Sigurimet Shoqërore të ç’bllokojnë llogarinë tënde bankare, për të marrë ato thërrime parash, ose më saktë, për të marrë atë përqindje të vogël të kontributit që ke bërë për 30-40 vjet në punë.(Autorit të këtij shkrimi iu desh të priste afro 3 muaj, pasi plotësoi Deklaratën fyese të Gjallesës!) Këto rregulla absurde, munduese e torturuese nëpër të cilën i duhet të kalojë çdo ditë qytetari i thjeshtë janë shumë më tronditëse se sa peripecitë që heq “njeriu i zi” në romanin “Procesi” i Franz Kafkës. Madje, as Franz Kafka nuk mund të përfytyronte skena të tilla poshtëruese, që për shoqërinë tonë shqiptare janë bërë kaq normale, saqë edhe kur dikush i vë në dukje në media, ka plot njerëz që jetojnë në Shqipëri e që kalojnë çdo ditë nëpër këtë realitet absurd, të flasin si në kohën e diktaturës: “ju që vini nga kurbeti, po na e nxini realitetin”, por ti lumturohesh se të paktën në fund të fjalës mungon epiteti “socialist”, epitet që këta njerëz e kanë të shenjtë dhe e mbajnë, siç mbahen gjërat e shenjta: brenda gjoksit të tyre. Në të vërtetë s’ka më “zi e nxi” sesa ky realitet me këto rregulla e procedura kafkiane! Është përtej absurdes që jo vetëm t’i bllokosh çdo 7 muaj llogarinë bankare një emigranti, që ndoshta vjen në atdheun e tij vetëm për ca ditë për t’u çmallur me vendin, familjen, miqtë dhe t’i kërkosh që për të tërhequr paratë e tij nga banka, ai duhet të provojë që s’ka vdekur dhe, për këtë, i duhet të sorrollatet me ditë, javë për të tërhequr paratë e tij, paçka se shfaqet me mish, gjak e frymë para punonjësit të bankës! Me lejoni të jap një shembull nga Amerika, vendi ku jetoj prej 23 vitesh. Ka me mijëra amerikanë që jetojnë prej dhjetëra vitesh jashtë Amerikës, në Evropë, në Amerikën Latine, etj. dhe pensioni prej dekadash u derdhet rregullisht drejtpërdrejt në bankë, pa u kthyer fare në Amerikë, apo pa provuar qoftë edhe në distancë se ata “janë gjallë e janë ndë jetë”. Kështu veprohet në vende që janë qindramilionëshe, p.sh. në Amerikë ka mbi 320 milionë banorë, ndërsa në Shqipëri, që është më e vogël se lagjja më e vogël e një qyteti si Nju Jorku”, të duhet të provosh se “je një gjallesë, dmth-në një kafshë dhe që ende nuk ke vdekur”(!?!). Dhe kur, tani,s në shekullin XXI ku nëpërmjet Internetit punonjësit e administratës mund të gjejnë në çast información të hollësishëm për çdo individ, qoftë edhe në cepin më të  largët të botës. Pse duhet të keqtrajtohet kështu çdo qytetar i Shqipërisë dhe veçanërisht ata që janë larg, emigrantët, që sipas vetë kryeministrit Edi Rama, në një bisedë me popullin më 27 dhjetor 2016 thotë shprehimisht kështu:  “Emigracioni e ka shpëtuar Shqipërinë e pas rënies së diktaturës, pa emigrantët dhe kontributet e tyre në ekonominë familjare e kombëtare, vendi ynë s’do kishte  qëndruar dot në këmbë. Po ashtu, si kudo në vend tjetër, në kohëra të ndryshme, emigracioni e ka ndihmuar Shqipërinë të jetë më e ditur e më e pasur në eksperienca. . .” Nëse vërtet mendon se është kështu Z. Kryeministër, përse administrata juaj i trajton emigrantët sikur të jenë “gjallesa, dmth-në “kafshë” dhe të vdekura” dhe u duhet të ecin nëpër ferrin e proçedurave tuaja absurde për të kryer një veprim të thjeshtë bankar?

Filed Under: Politike Tagged With: çdo 7 muaj, në se janë gjallë, Paradoks qeveritar: Emigrantët, Pirro Dollani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 527
  • 528
  • 529
  • 530
  • 531
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT