• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Kosovës, Rezolutë: Lirim pa kushte Ramush Haradinajt

March 9, 2017 by dgreca

Kuvend-Kosove-Rezoluta-per-Ramush-Haradinajn-9mars2017-Katërmbëdhjetë projektligje e një projekt-kod janë në axhendën 19 pikëshe të vazhdimit sot të seancës së Kuvendit të Kosovës, të nisur e të ndërprerë në 2 mars/Kuvendi-Kosove-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-11

PRISHTINË, 9 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës në fillim të seancës plenare sot diskutoi dhe miratoi një rezolutë të propozuar nga grupi parlamentar i AAK-së lidhur me ndalimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ne Francë , ku kërkohet që “lirimi i pakushte të ndodhë sa më shpejtë dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore” dhe që të “pezullohet dialogu me Serbinë deri në lirimin e tij”.

Seanca e Kuvendit të Kosovës nisi me mëse një orë vonesë, ndërsa shkoi në pushim pas propozimit të rezolutës dhe qëndrimeve të shprehura në debat të grupeve parlamentare që u dakorduan për harmonizim të tekstit të rezolutës nga përfaqësuesit e tyre, që u mblodhën në takim. Pas pushimit, rezoluta u miratua me 78 vota pro, 1 kundër e asnjë abstenim.

Katrëmbëdhjetë projektligje e një projekt-kod janë në axhendën 19 pikëshe të vazhdimit sot të seancës së Kuvendit të Kosovës, të nisur e të ndërprerë në 2 mars.

Seaca që po vijon sot, në ditën e fillimit javën e kaluar u ndërpre ndërkohë që opozita kishte braktisur sallën plenare të seancës që vazhdonte edhe pas kërkesës së grupit parlamentar të AAK-së që të ndërpritet në shenjë pakënaqësie lidhur me vendimin e gjykatës në Francë që të shtyjë për më shumë se një muaj – deri në 6 prill vendimin në lidhje me rastin liderit të partisë, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili në 4 janar 2017 është ndaluar në Aeroportin e Baselit sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Grupi Parlamentar i AAK-së kishte njoftuar vendimin që ta bojkotojë Kuvendin e Kosovës deri me datë 6 prill 2017 “të pakënaqur me angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, Presidentit, Qeverisë por edhe Kuvendit në përpshpejtimin e lirimit të Ramush Haradinajt”.

Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme në 10 janar nuk ka arritur të miratojë rezolutë nga debati parlamentar në lidhje me mbajtjen në arrest të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë, ku kërkohej lirimi i menjëhershëm.

Seanca ishte ftuar me nismën e partisë së liderit Haradinaj, Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e 43 deputetëve, ndërsa pas debatit me replika e mospajtime,  u nxorën në votim dy projektrezoluta të propozuara dhe asnjëra nuk kaloi.

Në Kuvendin 120 anëtarësh, projektrezoluta e grupit parlamentar të opozitës, AAK-së, u votua nga 36 deputetë të pranishëm në seancë, prej të cilëve 28 ishin pro, 3 kundër dhe 5 abstenuan. Ndërsa projektrezoluta e propozuar nga dy partitë e maxhorancës, PDK-LDK, u votua nga 47 deputetë, nga të cilët 38 ishin pro, 6 kundër e 3 abstenuan.

Arrestimi në Francë është i dyti për kryetarin e AAK-së, Haradinaj, pas të parit në Slloveni, brenda dy viteve me të njëjtën aktakuzë.

Në 17 qershor 2015, Haradinaj u ndalua në Aeroportin e Lubjanës dhe u lirua më vonë, por duhej të qëndronte në Slloveni deri sa të përfundonin procedurat për verifikimin e urdhërarrestit.

Atëherë, Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë të jashtëzakonshme një ditë pas arrestimit, në 18 qershor dhe miratoi rezolutën trepikëshe ku kërkohej që Haradinajt “pa asnjë kusht dhe menjëherë t’i kthehet pasaporta diplomatike dhe t’i lejohet kthimi në Kosovë”, që “qeveria e Kosovës të kërkojë urgjentisht nga Brukseli pastrimin e menjëhershëm të listave, respektivisht të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia për ish-ushtarët e UÇK-së” si dhe “drejtimi i notës së protestës shtetit slloven nga institucionet e Kosovës”. Në debatin e djeshëm në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kishte deklarata sipas të cilave po të realizohej kërkesa e dytë e asaj rezolute nuk do ndodhte arrestimi në Francë i Haradinajt.

Para 12 vitesh, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, derisa ishte afër të mbushë 100 ditëshin e parë nga zgjedhja në 3 dhjetor 2004.

Nga Tribunali i Hagës Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor 2012. “Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.

 

REZOLUTA E KUVENDIT TË KOSOVËS E MIRATUAR NË SEANCËN PLENARE TË 9 MARSIT 2017:

Lidhur me ndalimin e ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj në Francë.

Lirimi pa kushte i ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj, të ndodh sa ma shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore.

Të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj.

Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga BE-ja, që ta detyron Serbinë për t’i anuluar të gjitha aktakuzat dhe fletë arrestete lëshuara nga Serbia, përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës.

Qeveria dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës obligohen që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që të informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se, “…refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë”, dhe konform kësaj të kërkojë lirimin e ish-Kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, e Kuvendit te Kosoves, Lirim i Haradinajt, Rezolute

Dy vendimet e fundit të Opozitës për protestën

March 8, 2017 by dgreca

-PROESTA E OPOZITES HYNE NE DITEN E 20-të/

1 Basha 6Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është treguar i prerë  me qeverinë duke thënë se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.Gjatë bashkëbisedimit me gratë në çadrën e lirisë pasditen e sotme, Basha u shpreh se zgjedhje fasadë nuk do të ekzistojnë.Duke marrë shkas edhe nga simbolika e 8 Marsit, kryedemokrati Basha bëri me dije se opozita ka marrë dy vendime.E para ka të bëjë me organizimin e Kuvendeve Qytetare në gjithë vendin për zgjedhje të lira dhe vendimi i dytë është se në Shqipëri nuk do të organizohen më zgjedhje fasadë.

Fjala e plotë e kryetarit të PD Lulzim Basha/

Sot në 8 Mars, duke marrë kurajo nga kurajo e grave shqiptare, opozita e bashkuar ka marrë një vendim. Ky vendim që po kështu ka filluar të spinohet në forma dhe mënyra të ndryshme është i thjeshtë dhe i qartë. Vendimi përbëhet nga dy pjesë. E para; organizimin në të gjithë territorin e Shqipërisë të Kuvendeve Qytetare për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme. Këto kuvende do të jenë hapësirat e lirisë ku do të bashkohen qytetarë, do të bashkohen punëdhënës dhe punëmarrës, të papunë, të rinj e të reja, intelektualë, akademikë, artistë, sportistë, fermerë, pensionistë, për ti dhënë thellësi dhe qendresë qëllimit tonë madhor, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike. Këtu do të marrë formë përmes kontributit të çdo shqiptari Republika e Re, republika e vlerave europiane, republika e barazisë së qytetarëve para ligjit, republika e kufizimit të pushtetit për politikanët dhe fuqizimit të pushtetit politik dhe ekonomik për qytetarët.

Në këto forume, gjithkush ka mundësinë, është i mirëpritur dhe i thirrur të jetë pjesë e hartimit të këtij projekti të madh kombëtar. Nuk është e nuk mund të jetë kurrë, as monopol i Lulzim Bashës, as monopol i Partisë Demokratike dhe as monopoli i opozitës, Republika e Re është është që nga gjeneza, kërkesa juaj e do të jetë projekti i çdo shqiptari.

Vendimi i dytë i opozitës së bashkuar nuk është bojkoti i zgjedhjeve. Jo more zotërinj, nuk do tia hidhni kaq lehtë. Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur. Rezistenca civile, mosbindja civile, armata e republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë. Ua kemi dhënë paralajmërimin nga ky shesh me 18 Shkurt. Ua përsërisim ditë për ditë, e natë për natë. Ngule mirë në mendje. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më në Shqipëri.

Ndaj i ke bërë hesapet pa popullin, ose siç thotë populli pa hanxhinë. Populli është këtu, vendimi është marrë, zbrit me këmbë në tokë. Shqiptarët nuk i dorëzohen më dëshpërimit. Askush nuk do të vrasë më veten për gjëmat e qeverisjes tënde. Të gjithë bashkë, do të vrasim republikën e vjetër, siç kemi vrarë frikën. Dhe do ti japim shqiptarëve atë që duan dhe meritojnë, Republikën e Re ku ka vend për të gjithë. Ata njerëz, burra, gra të rinj e të reja që duan një Shqipëri europiane të votës së lirë, të ligjit të barabartë për të gjithë, të drejtësisë së vërtetë që nuk mbron, por ndërshkon krimin dhe korrupsionin. Këto janë vlera të përbashkëta europiane. Këto janë vlera esenciale perëndimore. Ky është edhe themeli i demokracisë më të madhe në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim përkrahje dhe mbështetje pa kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sonte dua të risjell në vëmëndje dhe të falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që përmes mesazheve, letrave, telefonatave, bisedave të drejtpërdrejat me mua apo me përfaqësuesit e nderuar të koalicionit tone, siç është z Mediu që sapo u kthye nga Uashingtoni, Kanë mbështetur dhe mbështesin këtë beteje, si; kongresmenët: Dan Lipinski, Randy Hultgren, Richard Hudson, Louie Gohmert, John Moolenaar, Thomas Suozzi, Jeff Fortenberry, Trent Kelly dhe Robert Aderholt. Si dhe senatorët Lamar Alexander, James Lankford, Mike Enzi, Luther Strange, Susan Collins, Jim Inhofe, Tom Cotton, Roger Ëicker, Mike Rounds dhe Ted Cruz.

Gratë e dhunuar nga qeveria rrëfejnë historinë në çadrën e lirisë/

1 grate ne cader

Në sheshin e lirisë, nëna, profesioniste, vajza të arsimuara, dëshmuan persekutimin që qeveria u ka bërë, duke i larguar nga puna me pa të drejtë. Madje largimet ishin edhe më tro?nditëse ku shumë nëna u larguan nga vendi i tyre i punës pa paralajmërim, gjatë lejes së lindjes, apo edhe në rastet  kur fëmijët e tyre vuanin nga sëmundje të rënda. Të gjitha këto rrëfime tronditëse ishin pjesë e bashkëbisedimit sonte me kryetarin e Partisw Demokratike Lulzim Basha.

Juvina, tregoi historinë e saj ku u largua nga puna teksa kishte marrë lajmin e hidhur se djali i saj i mitur kishte lindur me një sëmundje agresive.

“Kërkuan largimin tim edhe pse djali im ishte diagnostidikuar me paralizë cerebrale. Ata nuk donin t’ia dinin. Isha e diplomuar në dy fakultete dhe sapo kisha nisur masterin shkencor. Kërkoj largimin e kësaj qeverie për shkak se dua që nënat me fëmijë me nevoja të veçanta të mbështeten nga një qeveri e re”.

Eda Grimci u largua nga puna pak ditë pasi kishte lindur fëmijën e saj të dytë. Ajo u njoftua për largimin nga puna nga Ministria e Mbrojtjes ku ushtronte profesionin e saj si juriste, vetëm me një telefonatë gjatë kohës që sapo kishte lindur dhe ishte ende në spital.

“U largova nga puna nga një ministre femër. Nuk u lejova të hyja në institucion pasi ishte dhënë urdhër. Largimi im nga puna nuk erdhi si pasojë e shkeljeve që unë kisha bërë, jo, isha demokrate. I kërkoj zotit Basha që të premtojë të zbatojë vendimet e gjykatave për rikthimin në vendin e punës të të gjithë atyre që janë hequr me pa të drejtë nga kjo qeveri”.

Në çadrën e lirisë bashkëshorti i Brunildës, e cila tragjikisht vrau veten në qytetin e Korçës, 3 vite më parë pasi u pushua nga puna, theksoi se bashkëshortja e tij kreu këtë veprim, për shkak të largimit nga puna.

“Vazhdojnë të na persekutojnë, edhe pse jemi familje e thjeshtë dhe e ndershme. Brunilda ishte e vetmja që punonte dhe mbante familjen”, tha ai.

Humbja e jetës së një pacienti nga mungesa e ilaçeve në spitalin e Lezhës, u rrëfye nga bashkëshortja e tij Dila. Ajo dëshmoi gënjeshtrën që ministri i shëndetësisë Beqaj u thotë shqiptarëve.“Bashkëshorti im humbi jetën pasi nuk gjendej ilaçi për sëmundjen që ai kishte”, theksoi ajo.Një tjetër rast i shkarkimit pa asnjë motiv, ishte ajo e zonjës Rina Istrefi, arsimatare, me 25 vite punë.“Më hoqën për bindje politike. Ku është portali mësues për Shqipërinë? Profesionistët janë jashtë sistemit arsimor. Persekutimi është i jashtëzakonshëm. Sfidova problemet e mia shëndetësore sepse e dua këtë profesion. U shpikën testime pa bazë ligjore. Fyejnë rëndë inteligjencën shqiptare. Arsimtarët janë aty por janë flakur jashtë sistemit arsimor zonja ministre. Flakni tej frikën politike në arsim, ngrini zërin dhe kërkoni të drejtat tuaja. Guxova më tepër se të tjerët, ndaj jam jashtë sistemit arsimor. Zonja ministre në asnjë moment nuk tregove se je grua, nënë apo arsimtare. Largohu zonja Ministre. Ti ke ngelur në klasë”, tha mësuesja e gjuhës dhe e letërsisë.Violeta Geca, e hequr nga puna me dhunë nga Erjon Veliaj, tha se ai ka hedhur në rrugë të madhe një familje prej 7 anëtarësh. “Unë fitova gjyqin dhe duhet të rikthehem”, tha ajo.Hariklla Zoto paralajmëroi ngujim përpara Ministrisë së Mbrojtjes pas një problemi me pronën e saj.“Policët më kanë tërhequr zvarrë në katër të mëngjesit, teksa unë prisja një përgjigje nga Ministrja e cila sot ka shkuar me pushime. Isha në të drejtën time”.

Lulzim Basha tha se megjithë vuajtjet dhe persekutimet, dhe përvojat tronditëse, gratë janë kthyer në model të qëndresës e rezistencës për drejtësi e dinjitet.

“8 Marsi është ditë proteste, është ditë proteste dhe qëndrese dhe sot me 8 Mars 2017 gratë e pranishme në sheshin e lirisë i vunë vulën europiane 8 Marsit, jo ditë feste, ditë proteste! Sonte dëgjuam disa nga dëshmitë e grave, nënave, vajzave të pranishme këtu në këtë shesh të lirisë. Këtu ka dhe shumë burra, besoj se ndajmë të njëjtin mendim se ajo që dëgjuam ishte në rradhë të parë tronditëse dhe rrënqethëse, tha Basha, duke shtuar se në radhë të dytë, me gjithë vuajtjet, persekutimin, nëpërkëmbjen, sakrificat e jashtëzakonshme që këto gra dhe qindra e mijëra si ato anembanë Shqipërisë kanë hequr e po heqin nën këtë qeverisje të pashpirt, sërish me qëndresën që kanë bërë me forcën dhe kurajon që kanë demostruar, ato janë bërë heroinat tona, heroinat e çdo shqiptari”.

Duke u ndalur tek modeli i Edi Ramës, Basha tha se: “Ky model nuk ka të bëjë me ideologjitë, nuk është model i djathtë kurrsesi, sepse e djathta bazohet tek familja, tek vlerat familjare, tek respekti i ndërsjelltë midis bashkëshortëve, tek ngritja në piedestal dhe barazia e vërtetë midis gruas dhe burrit në familje dhe në jetë, por nuk është as model i majtë. Edi Rama me sjelljen e tij dhe pasojat e rënda ndaj grave shqiptare përfaqëson vetëm modelin e krimit, modelin e drogës, modelin e trafikantëve që i bëri deputetë dhe kryetarë bashkish”.

Për Bashën, dhuna që ushtrohet ndaj grave sidomos në zgjedhje do të ndalet, do të marrë fund. Basha siguroi se lëvizja popullore që ka nisur nuk ndalet deri në fitore, deri në garantimin e votës së lirë e të ndershme.

“Sot, Shqipëria gjendet para një udhëkryqi me pikëpyetje të mëdha. Kriminelët, trafikantët e drogës, që morën për veshi kandidatët për kryetarë bashkish në vitin 2015 e deri në zgjedhjet e pjesëshme të Dibrës në vitin 2016, e kanë treguar fare mirë se çfarë ndjejnë dhe se çfarë respekti kanë për qytetarët shqiptarë në tërësi dhe për gratë në veçanti. Me dhjetra me qindra dëshmi gjatë proceseve zgjedhore faktuan dhunën verbale, kërcënimet me jetë dhe dhunën fizike të këtyre horrave të veshur me pushtet ndaj grave në zonat elektorale. Të gjithë e mbani mend rastin e 18 vjeçares nga qyteti i Vorës, e cila me lotë në sy denoncoi në ekranin e Blendi Fevziut se ditën që priste të festonte të drejtën e saj për herë të parë si qytetare e Republikës, për të votuar, u mbyll 24 orë në shtëpi duke qarë sepse banditët e veshur me pushtet kishin kërcënuar nënën dhe babain e saj se do ti hidhnin në erë dyqanin nëse do të dilte të votonte. Ky është realiteti i krimit të lidhur me pushtetin dhe pushtetit që mbështetet te krimi. Përsëri krimi i bërë njësh me pushtetin kërcënon të drejtat tona themelore”, tha Lulzim Basha.

Kryetari i opozitës dënoi faktin se mediat vazhdojnë të diktohen dhe nuk I kushtojnë rëndësinë që meriton Shqipërisë reale.“Ditë për ditë e natë për natë ky shesh ka dëshmi tronditëse të Shqipërisë së vërtetë dhe ditë për ditë e natë pë natë ekranet qeveritare bëjnë gjithçka, transmetojnë gjithçka përveç Shqipërisë së vërtetë. Sa herë që ekranet e kapura nga qeveria censurojnë Shqipërinë e vërtetë, drejtohuni Facebook-ut, aty do të gjeni të vërtetën e pacensuruar, të vërtetën troç, siç thuhet, haptazi në këtë shesh të lirisë”.1 Mediu

Kongresmeni amerikan: SHBA ju mbështet në kauzën për zgjedhje të lira/

Kongresmeni amerikan Trent Kelly ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend dhe mbështet kauzën e opozitës që kërkon zgjedhje të lira dhe demokratike.

1 Letra

Përmes një letre dërguar kryetarit të Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, kongresmeni Kelly thekson shqetësimin për kultivimin e drogës në vend, krimin e organizuar dhe frikën e manipulimit të votave.

“Sot jam i shqetësuar për situatën e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s. Informacione zyrtare dhe media kanë denoncuar kultivimin dhe trafikimin e drogës. Kjo përbën rrezik për demokracinë dhe shtetin ligjor. Zgjedhjet parlamentare janë parashikuar të mbahen më 18 qershor. Në dijeninë time, nuk është ndërmarrë asnjë nismë për rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Unë mbështes fuqimisht qytetarët shqiptarë dhe kauzën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në kauzën e tyre të drejtë për lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet ndër të tjera në letrën e kongresmenit amerikan dërguar Bashës dhe Mediut.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Dy vendimet e fundit, për protestën, të Opozitës

Transformimi i FSK-së, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës

March 8, 2017 by dgreca

Thaçi: Transformimi i FSK-së do të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës/

unnamed (1)-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg/

PRISHTINË, 8 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftohet në faqen zyrtare të Presidences së Kosovës.Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, presidenti Thaçi e ka njoftuar se transformimi i FSK-së do të bëhet hap pas hapi, në mënyrë të koordinuar dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Deklaratë e presidentit Thaçi pas bisedës telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s:
Sot pranova një telefonatë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e falënderova për vizitën e tij në Kosovë, në fillim të muajit dhe për diskutimin konstruktiv që patëm, por diskutuam edhe për ndryshimet ligjore që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrë kompetenca të shtuara në sektorin e sigurisë në Kosovë.
Në bisedë me sekretarin Stoltenberg theksova edhe një herë se përpjekjet dhe aspiratat e Kosovës që FSK-ja të transformohet në Armatë të Kosovës janë të njohura për partnerët tanë ndërkombëtarë.
Gjithashtu, shtova se tash e tri vite jemi përpjekur t’i bindim serbët që të jenë pjesë e procesit dhe ta përkrahin themelimin e Armatës së Kosovës. Por, ata kanë deklaruar se nuk do të votojnë kurrë dhe se janë direkt të dirigjuar nga Serbia, nga Beogradi.
Sekretarit Stoltenberg i tregova se ne do të dëshironim që transformimi i FSK-së të bëhet me ndryshimet kushtetuese, por është e pamundur për shkak se serbët e Kosovës janë drejtpërdrejtë të dirigjuar nga Serbia dhe sikur bashkësia ndërkombëtare të ofronte garanci se serbët do të votojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë ne do të kishim qenë të gatshëm që t’i presim.
Por, ne nuk mund të mbesim peng i vullnetit politik të Serbisë.
Gjithashtu, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s i tregova se FSK-ja do të mbetet e njëjtë, por do të ketë kompetenca të reja dhe mision të ri dhe kërkova që NATO-ja të vazhdojë bashkëpunimin me FSK-në.
Në bisedën telefonike me sekretarin Stoltenberg shpreha mirëkuptimin për shqetësimet e disa anëtarëve të NATO-s dhe qëndrimet e shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të cilave megjithatë u jemi mirënjohës për punën e mrekullueshme që kanë bërë në Kosovë dhe për qëndrimin e vazhdueshëm konstruktiv karshi Kosovës.
Për transformimin e FSK-së, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s e njoftova se kjo do të bëhet hap pas hapi, siç është planifikuar me Rishikimin e Sektorit të Sigurisë që është bërë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare.
Çdo gjë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që janë përpiluar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe Forca e Sigurisë e Kosovës do të mbetet forcë shumetnike dhe do të promovojë multietnicitetin si vlerë. Prandaj, ndryshimi i misionit të FSK-së nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.
Sekretarin Stoltenberg e sigurova se do ta respektojmë çdo marrëveshje të deritashme me NATO-n dhe se ndryshimi i misionit të FSK-së nuk do të ketë asnjë ndikim në rolin dhe misionin e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë.
Nuk do të ndryshojë as përkushtimi i Kosovës për të vazhduar dialogun me Serbinë.
Duke shprehur bindjen se çështja e transformimit të FSK-së është rritur pa nevojë, sekretarit Stoltenberg ia rikonfirmova se i tërë procesi do të jetë transparent, i koordinuar dhe jo i njëanshëm./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Kushtetuta, Ligjet e Kosoves, Thaci, Transformimi i FSK-së

Senatori Mauro: Mbroni lirinë, qeveria bojkot demokracisë!

March 7, 2017 by dgreca

1 Seantori MarioSenatori italian, Mario Mauro dhe një nga personalitetet politike jo vetëm të Italisë, por edhe të Europës së bashkuar deklaroi dje mbështetjen e Partisë Popullore Europiane për lëvizjen popullore në Shqipëri për të garantuar zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike dhe në të njëjtën kohë denoncoi qeverinë se, “është ajo që e ka bojkotuar demokracinë”. “Kam lexuar në shumë gazeta europiane se qeveria shqiptare, po akuzon opozitën që po bojkoton Parlamentin. Nga këndvështrimi im, qeveria po bojkoton demokracinë, pra ajo që po bëhet në këtë tendë nuk është vetëm e bazuar dhe e legjitimuar në Kushtetutë, por edhe politikisht është e vetmja gjë që mund të përbëjë një garanci politike për të siguruar lirinë e votës”, tha Mauro.
Fjala e senatorit italian është pritur me ovacione të shumta në çadrën e protestës.
Senatori italian Mario Mauro, ish-ministër i Mbrojtjes në Itali, ish-zëvendëspresident i Parlamentit Europian, ishte dje në sheshin e lirisë ku bashkëbisedoi me qytetarët mbi vlerat e lirisë, të votës së lirë, të luftës ndaj drogës, krimit, dhe mbi standardet demokratike të një vendi. Mauro u shpreh se e mbështet plotësisht lëvizjen popullore për votën e lirë, duke e quajtur atë një kauzë të drejtë.

Senatori italian: Përse erdha në çadrën e lirisë

Senatori Mauro që në fillim të fjalës së tij ka shpjeguar se përse vendosi t’i bashkohet protestës së opozitës. “Unë jam sot këtu për të dhënë mbështetje maksimale nga Partia Popullore Europiane, për kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike. Dua të jem i qartë. Nuk jam këtu se jeni një parti që është pjesë e Partisë Popullore Europiane, por jam këtu sepse ju po bëni edhe luftën tonë për demokracinë dhe lirinë. Jemi ne që duhet t’i themi faleminderit Partisë Demokratike shqiptare. Unë kam ardhur këtu për t’u thënë faleminderit. Pse e them, që ju po mbroni demokracinë dhe lirinë?!
Miqtë e mi. Shteti ka për detyrë të mbrojë lirinë e qytetarëve të vet. Shteti është mbrojtësi i lirisë dhe jetës së qytetarëve dhe jo pronari i tyre.
Sot të gjitha partitë thonë që mbrojnë liritë. Por unë dua që ne të kujtojmë diçka. Kur në vitin 1989 ra sistemi sovjetik, të gjitha partitë komuniste në Europë ndryshuan emrin e tyre. Të gjitha partitë komuniste në Europë, u bënë socialiste. Dhe të gjithë u bënë ‘europianistë’.
Dua të them se ne jemi këtu për t’i thënë njerëzve çfarë është Europa e vërtetë. Europa e vërtetë është historia dhe dashuria e popullit shqiptar për lirinë dhe vendin e tij. Europa e vërtetë ka nevojë për Shqipërinë”, tha Mauro.
Senatori italian ka bërë disa krahasime thumbuese për qeverinë, duke i kujtuar në ditën e 7 marsit se një qeveri nuk mund të bëjë shumë për arsimin në një kohë që mbështetet tek droga dhe krimi.
“Ju sot kujtoni 130-vjetorin e shkollës së parë shqipe. Miqtë e mi, çfarë do të thotë të arsimohesh?! Të arsimohesh do të thotë që të bësh dallimin mes të mirës dhe të keqes. Dhe cila është ajo qeveri që mund të arsimojë dhe edukojë, qeveria, e cila nuk kupton që droga është e keqe e që bën dëm?! Cila është ajo qeveri që mund të arsimojë dhe të ndihmojë në arsimimin e brezave, ajo që nuk kupton luftën kundër kriminalitetit dhe nuk e zbaton atë maksimalisht?!
Dhe cila është ajo qeveri që mund ta çojë Shqipërinë në Europë dhe që është e aftë që të mbrojë këto vlera?! Ua them unë, se cila do të jetë ajo qeveri. Qeveria e Lulzim Bashës”, tha senatori Mauro.

Nuk do të lejojmë të ktheheni në epokën sovjetike

Senatori Mauro i bëri një thirrje të hapur drejtuar të gjithë shqiptarëve për të qenë më të vendosur se kurrë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë dhe se qytetarët shqiptarë duhet të kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Pikërisht sot kur projekti europian kalon vështirësitë e veta përgjegjësia është akoma edhe më e lartë. Projekti politik i Europës së bashkuar është projekti që i ka lejuar Europës të jetojë në paqe për 70 vjet. Nëse vëreni historinë tonë, gjendja normale e jetës tonë, nuk ka qenë paqja, por lufta. Pa këto vlera dhe pa këtë vizion, ka konflikt dhe vetëm konflikt. Dhe për këto arsye, është shumë e rëndësishme që të luftojmë për lirinë dhe demokracinë.
Sepse mjafton në një vend që liria dhe demokracia të jetë e nëpërkëmbur, më tej në të gjithë Europën vlen e njëjta gjë. Dhe për këtë arsye, populli shqiptar duhet të jetë më i vendosur se kurrë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sepse zgjedhjet e lira në Shqipëri, çojnë përpara projektin e Europës së bashkuar, sepse kjo bën që Europa të jetë vetvetja, toka e lirisë dhe e demokracisë. Në të kundërt, do të kthehej në një Bashkim Sovjetik dhe këtë nuk do ta lejojmë”, tha senatori Mauro.
Senatori italian është shprehur se zëri i protestuesve në tendën e lirisë është zëri i popullit shqiptar dhe është ky zë që do e çojë Shqipërinë në fitore. Senatori me përvojë të gjatë politike ka bërë edhe një deklaratë tjetër mjaft kuptimplotë mbi historinë dhe ata që harrojnë krimet e diktaturës duke iu referuar Polonisë: “Kush nuk ka kujtesë për të shkuarën e vet, nuk ka të drejtë për liri”, tha ai.
“Miq të dashur, dua ta mbyll fjalën time me një situatë që unë e kujtoj çdo ditë.
Shumë vite më parë, kur unë isha 19 vjeç shkova në Poloni, një vend që ishte nën diktaturën komuniste. Isha student në universitet dhe qëllimi ishte të merrnim shkrimet, librat e shkrimtarëve polakë e t’i nxirrnim jashtë Polonisë që të njihnim gjithë Europën me vuajtjet dhe eksperiencat e këtij vendi.
Në vitin 2005, si zëvendëspresident i Parlamentit Europian u ktheva në Poloni në 25-vjetorin e Lëvizjes së Solidarnosit. Në kantierin e ndërtuar, polakët kishin ngritur një ekspozitë të madhe, e cila shërbente për të celebruar 25-vjetorin e Lëvizjes së Solidarnosit dhe për t’i kujtuar popullit polak se cila ishte diktatura komuniste.
Ishin 25 foto të mëdha tek ky shesh dhe në këto foto shfaqeshin tanket, telat me gjemba, trupat e të vrarëve, të plagosurve, nga sistemi. Në këto foto, nga ana bardhezi ishin ngjarjet e 25 viteve më parë, ishin fotografi të luftës për liri dhe demokraci të popullit polak. Nga ana tjetër, ishin 25 foto me ngjyra. Ishin foto me të rinjtë, djem dhe vajza 25-vjeçare të lindur pikërisht në ato rrethana, në atë periudhë. Dhe çdo të riu i bëhej një pyetje, çfarë ishte diktatura, çfarë ishte komunizmi? Dhe përgjigjja ishte ‘nuk e di, nuk e mbaj mend, nuk ma kanë shpjeguar’.
Fotoja e fundit ishte krejtësisht e zezë, ku ishte shkruar në shumë gjuhë ‘kush nuk ka kujtesë për të kaluarën e vet, nuk ka të drejtë për liri’.
Për këtë arsye jemi këtu në këtë shesh. Ja përse jemi këtu në këtë tendë sepse kjo tendë është zëri i popullit shqiptar dhe është ky popull që do çojë Shqipërinë në fitore”, tha senatori italian.

Më 27 janar, PPE mbështeti projektin e Bashës për protesta

– Çfarë mendimi keni ju për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri, a do të realizohen ato ndonjëherë?
Kam lexuar në shumë gazeta europiane se qeveria shqiptare, po akuzon opozitën që po bojkoton Parlamentin. Nga këndvështrimi im, qeveria po bojkoton demokracinë, pra ajo që po bëhet në këtë tendë nuk është vetëm e bazuar dhe e legjitimuar në Kushtetutë, por edhe politikisht është e vetmja gjë që mund të përbëjë një garanci politike për të siguruar lirinë e votës.
Më 27 janar, ne u bashkuam të gjitha Partitë Popullore dhe votuam në unanimitet dhe në solidaritet një dokument ku i japim mbështetje strategjisë së Partisë Demokratike. Ky dokument është i disponueshëm në internet dhe ju mund ta qarkulloni mes jush. Ju duhet të jeni të qetë dhe të sigurt sepse nuk jeni vetëm në këtë betejë!(Kortezi:RD)

Filed Under: Politike Tagged With: bojkot demokracisë!, Mario Mauro:, Mbroni lirinë, qeveria

Ivanov i ankohet BE-së, NATO-s dhe… Turqisë për Platformën Shqiptare

March 7, 2017 by dgreca

Ivanov i shkruan SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe Turqisë – kërkon të dënohet platforma shqiptare/

epa05332161 Macedonian President Gjorge Ivanov addresses the nation during a press conference in Skopje, The Former Yugoslav Republic of Macedonia, 27 May 2016. Ivanov decided to revoke the abolition of 22 out of 56 judicial cases that he announced on 12 April 2016. The abolitions related to the big wire-tapping scandal invoked massive protest, dubbed 'the colorful revolution' in the capital and other cities of Macedonia. The crisis started in 2015 when opposition SDSM started to publish illegally recorded wire-tapped phone conversations of the highest Governmental officials claiming they show financial crime and eventual evidences of electoral frauds of the ruling conservative VMRO-DPMNE party of then PM Gruevski. Gruevski denied everything saying 'foreign intelligence services' are trying to topple his Government he was administrating from 2006. EPA/NAKE BATEV
Ne Foto: Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov/
 Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka kërkuar nga SHBA-të, BE-ja, NATO-ja dhe Turqia që të dënojnë dhe ta hedhin poshtë platformën e partive shqiptare për shkak të siç ka thënë “përmbajtjes së saj të rrezikshme për shtetin maqedon”.

Në një letër dërguar presidentit amerikan Donald Trump, kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov tha se dënimi i kësaj platforme është mënyra, sipas tij, më e mirë për kapërcimin e krizës politike.

Platforma shqiptare, veç tjerash parasheh rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, e pranuar edhe nga LSDM-ja opozitare, e cila ka arritur marrëveshje koalicionimi me partitë politike shqiptare.

“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga kriza pa rrugëdalje në të cilën ndodhemi. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinës, para se gjithash reformat prioritare, stabilizimin politik, uljen e tensionet e ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka shkruar Ivanov.

“Platforma është një dokument paszgjedhor i arritur në shtet të huaj, në kabinetin e një kryeministri të huaj. Më këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Maqedoninë në pozitën e varshmërisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë me të cilën rrezikohet karakteri unitar i shtetit. Platforma rrënon Marrëveshjen e Ohrit, e cila rregullon marrëdhëniet mes bashkësive etnike me Maqedoninë”, ka shkruar Ivanov duke kërkuar gjithashtu dënimin, e siç ka thënë, përzierjes së shteteve fqinje në punët e brendshme të Maqedonisë.

“Pres që të dënoni përzierjen flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë të dy shteteve fqinje të Maqedonisë, aspirantë për anëtarësim në BE. Pres që më në fund të dërgoni mesazh të fuqishëm për paprekshmërinë e kufijve të Ballkanit dhe të riafirmoni perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit”, ka thënë Ivanov.

Letra e Ivanovit vjen pas mbledhjes së të hënës së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, të cilët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Shefja e diplomacisë Federca Mogherin bëri thirrje për shfrytëzimin e të gjitha instrumenteve për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni, e cila siç tha ajo mund të shndërrohet në krizë ndëretnike.

Filed Under: Politike Tagged With: Be, Ivanov, NATO, Platforma Shqiptare, Turqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 555
  • 556
  • 557
  • 558
  • 559
  • …
  • 652
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT