• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHEKULLI ËSHTË PREMTUES, POLITIKA NË NGËRÇ

April 29, 2017 by dgreca

Mendime për veprën “Pushteti i korruptuar – protagonistët dhe viktimat” të R. Qosjes/1 pushteti viktimat

Nga Thanas L. Gjika/Akademiku Rexhep Qosja, ka një gjysëm shekulli që shkëlqen në botën shqiptare me veprën e tij shumëdimensionale si studiues i letërsisë, shkrimtar, kritik letrar, analist, politolog e mendimtar elitar. Leximi i veprave të tij është një kënaqësi intelektuale për çdo shqiptar. Vitin e kaluar, viti i 80-vjetorit të tij, ai shkroi e botoi studimin “PUSHTETI I KORRUPTUAR – PROTAGONISTËT DHE VIKTIMAT” TOENA, Tiranë 2016, 232 f.

Në 19 kapitujt e veprës shpalosen shqetësimet e kritikat e këtij qytetari guximtar për gjendjen e rëndë politike të dy shteteve shqiptare. Si askush tjetër Qosja e shikon dhe e analizon botën shqiptare si një të vetme. Ai e vlerëson drejt shekullin XXI për ne shqiptarët me rrethana të jashtme shumë optimiste e premtuese, për të fituar kohën e humbur gjatë shekujve të kaluar, në ecurinë e proceseve demokratike. Mirëpo jemi ne shqiptarët, pushtetarë dhe popull, të majtë e të djathtë, që nuk po ecim në rrugën e mbarë dhe po pengojmë veten si inaçorë të pajustifikueshëm, duke e shfrytëzuar demokracinë për interesa të ngushta personale, grupi, ose partie. Me pak fjalë autori zbulon fatkeqësinë tonë: “Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se i ashtuquajturi pluralizmi partiak, kushti i parë i ndërtimit të demokracisë, do t’u bëjë të mundshme prijësve partiakë që në disa raste ta shtojnë shumë, pamatshëm shumë, me çka duhet e me çka s’ duhet armatën e tyre partiake, me të cilën do të sundojnë, do të shfrytëzojnë, do të frikësojnë, do të shantazhojnë, të fajshëm e të pafajshëm, të dijshëm e të padijshëm, të vegjël e të mëdhenj, besnikë të pasigurt, e mospajtues të padyshimtë”(f. 10). E kështu shumë lehtë e shumë shpejt, thekson ai, u prish aq shumë lënda e quajtur “njeri politik”.

Fatkeqësia jonë, si në Shqipëri e Kosovë, tregon autori, qëndron në disa dukuri negative si: partitë dhe prijësit e tyre janë të gjithmonshëm, pushtetarët e sotëm mënjanojnë dhe shpërfillin të përndjekurit e vërtetë të regjimeve të kaluara dhe hiqen vetë si të përndjekur. Këta shpërdorojnë zgjedhjet me anë të të cilave zgjidhen jo deputetë të popullit por deputetë të partive të cilët e kanë kthyer demokracinë në demokraci totalitare, ku politika e ka pushtuar çdo anë të jetës sonë ekonomike, shoqërore, të medies, etj duke krijuar një feudalizëm partiak, një sundim despotik sulltanor dhe sundim oligarkik rural. Kjo gjendje është krijuar prej kryefeudalëve partiakë me anë të shërbimit të verbër të disa njerëzve servilë, që gjenden lehtë për dy arsye: “e para, sepse të tillë  të dëgjueshëm ka krijuar vetë historia jonë me pak vite pavarësie dhe me shumë e shumë shekuj robërie dhe e dyta, sepse të tillë të dëgjueshëm e të tillë të panënshtrueshëm, krijojnë dhe vetë privilegjet që të shquarve të tyre u sigurojnë firmat e quajtura parti politike shqiptare” (f.43).

Në një kohë që në Shqipëri e Kosovë ka një numër shumë të madh njerëzish me diploma të shkollave të larta, madje dhe me tituj shkencorë dhe profesorë e akademikë, studiuesi vë theksin se shoqërisë sonë i ka munguar e i mungon elita intelektuale. Elita e vërtetë ka vlera shoqërore për shkak të pavarësisë së të menduarit dhe të sjelljes. Eshtë identiteti yt mendor e moral ai që të bën të quhesh intelektual, kurse nënshtrimi i interesave të përgjithëshme ndaj leverdive vetiake të përjashton nga të qenit intelektual, pa le pastaj intelektual elitar. Elitë intelektuale në Shqipërinë diktatoriale nuk ka qenë sipas tij as shkrimtari i talentuar Ismail Kadare, i cili me krijimet letrare, me publicistikë, me funksione politike e shtetërore, i shërbente diktaturës komuniste. Elitë, thotë ai, ishte Martin Camaj, i cili për shkak të mospajtimit me atë diktaturë, iku një herë në Jugosllavi e mandej në Gjermani, ku krijoi veprat e veta dinjitoze. E pas emrit Ismail Kadare, lexuesi nuk ka pse të mos rendisë edhe armatën e shkrimtarëve, artistëve, studiuesve etj, që ishin më poshtë për nga vlerat qytetare se Kadareja, të cilët as sot nuk kanë kërkuar të falur për veprat pro regjimit, si kërkoi Kadareja duke e pranuar epitetin “poet i oborrit” që më 1992. Kurse pas emrit të Martin Camajt si intelektualë elitarë, lexuesi nuk ka pse të mos sjellë në mendje edhe intelektualët e tjerë  të arratisur Arshi Pipa e Sami Repishti, si dhe emrat e krijuesve të burgosur si Mitrush Kuteli, Petro Marko, Jorgo Bllaci, Visar Zhiti, etj; të poetëve të pushkatuar Genc Leka e Vilson Blloshmi, poetit Havzi Nelaj, të cilin e varri shteti diktatorial shqiptar.

Duke e shtrirë këtë dukuri dhe në Kosovë, studiuesi shton se nuk ishin elitë Sinan Hasani, Enver Gjergjeku, Rahman Dedaj, Azem Shkreli, të cilët gojarisht dhe me shkrim përkrahnin politikën e Sërbisë ndaj shqiptarëve dhe njëheresh dënonin si kundërrevolucionare demonstratat e sudentëve që kërkonin Kosovën Republikë. Elitë ishte në Kosovë Adem Demaçi, i cili me vepra dhe me shumë vite burgu ishte ngritur kundër pushtimit sërb e politikës antishqiptare të Jugosllavisë. Po kështu ai ve përballë pushtetarëve të sotëm të Kosovës veprimtarët e Lëvizjes Vetvendosja, të cilët shprehen në Kuvendin e Kosovës e në protesta kundër korrupsionit qeveritar dhe për ardhmërinë e popullit e të shtetit shqiptar si shtet vërtet i pavarur.

Njeriu është qenie interesi dhe në veprimet e veta mban parasysh interesin e tij e të familjes së vet, por ky proces duhet të kryhet sipas disa normave morale që i ka pranuar shoqëria e legjislacioni. Kurse në jetën e Shqipërisë pas fitores së pluralizmit dhe në jetën e Kosovës pas fitores së pavarësisë, shihet një dukuri qesharake dhe e rrezikshme: njerëzit për interesat e tyre vetiake e kanë ndërruar shpejt e shpesh lëkurën e janë shpallur nga të majtë në të djathtë, nga të matur në të nxituar, nga fjalëpakë në fjalëshumë e fjalëpandalshëm, nga frikacakë në trima, dhe nga të varfër u bënë të pasur. Dhe këtë turavrap autori e mbyll me shprehjen: “Ishin çka ishin e u bënë çka nuk do të jenë gjatë”(f. 58).  Sepse duke shpallur “logjike” gjithça praktike dhe të leverdisshme, prodhohet pandershmëri dhe servilizëm i neveritshëm, të cilët nuk jetojnë gjatë.

Mendimtari e analisti Qosja e vlerëson thënien e shkrimtarit francez të kohës së Komunës së Parisit, Moris Zholi: “Për të qenë të lumtur popujve më tepër u duhen njerëzit e ndershëm sesa njerëzit e talentuar” (f. 66). Duke përqafuar këtë mendim ai e dënon korrupsionin e gjithanshëm të qeveritarëve të të dy shteteve shqiptare duke përmendur raste konkrete ministrash etj. Ai sulmon privatizimet e padrejta të pasurisë së populit, kërkon zbatimin sa më parë të dhënies llogari (Vetingut). Sulmon nepotizmin, emërimin në poste drejtuese të njerëzve të farefisit e të grupit, arsimin e mesëm e të lartë që ka sasi por jo cilësi. Kritikon ashpër shpërfilljen e kulturës prej shumicës së partive politike, sidomos në Kosovë, gjë që ka sjellë si pasojë vlerësime të padrejta, pandjeshmëri ndaj atyre që u përket e drejta, populizëm folklorizues të djathtë neofashist, elitizëm i shtirë e i rrejshëm, ky më i dukshëm në Shqipëri. Bashkë me këto është shfaqur hapur dhe rikthimi i censurës dhe i vetëcensurës sidomos në disa stacione televizivë si Televizioni publik i Kosovës, TV Klan i Shqipërisë e i Kosovës, TV ABC në Tiranë etj. Pa kulturë, thekson autori, nuk mund të ecet në asnjë fushë të jetës, madje as në luftë, si ka thënë W. Çurçilli.

Më tej Profesor Qosja ndalet në çështjen e fesë e qëndrimit ndaj saj. Ai vlerëson “Biblën” e “Kuranin” si vepra madhështore mendimore, etike, fetare, zakonore, poetike dhe pastaj dënon ashpër terrorizmin fetar islamik xhihadist, si një dukuri shkatërimtare e dhimbjeprurëse, që është e shkëputur prej islamit të vërtetë. Qosja bashkohet me humanistin e madh Papa Franceskun për dënimin e ISIS-it dhe dallimin e tij prej islamit: “Nuk është e drejtë të flasësh për një islam të dhunshëm. ISIS-i nuk është islam” (f. 127). Autori del në mbrojtje të Kosovës e popullit shqiptar të atjeshëm. Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë me ISIS-in, deklaron ai me krenari, kundër disa xhepaxhinjve e çerekintelektualëve që e gjynaqepsin Kosovën e popullin shqiptar si bastion të ISIS-it.

Duke e mbyllur çështjen e fesë, studiuesi Qosja shpall dhe qëndrimin e vet ndaj besimit: “isha, jam e mbetem njeri i deklaruar vetëm për besimin e quajtur shkencë dhe art, domethënë krijimtari shpirtërore, i vetëdijshëm se ai njeri, ajo specie e quajtur njeri, vetëm në saje të krijimtarisë shpirtërore, vetëm në saje të shkencës, është aftësuar për të njohur natyrën, për të humanizuar veten e shoqërinë, për të ndërtuar jetën e denjë, kolektive, në organizimin që i thonë Shtet etik” (f. 128).

Në libër kritikohet edhe sistemi mjekësor i Kosovës dhe i Shqipërisë, sepse këtu autori vë re se ndërsa mjekët janë shumë të zotë, mjekësia është e dobët, për shkak të politkës së qeverive e qeveritarëve të pandërgjegjshëm, që nxisin një politikë mjekësore pa shkencë, që rrezikon shëndetin trupor, atë shpirtëror e moral dhe shëndetin shoqëror të popullit. Kjo gjendje është krijuar sepse shteti, sidomos ai i Kosovës, nuk bën investimet e duhura. Të dy qeveritë kanë shpallur e shpallin tendera për përfitime të disa individëve, të lidhur me pushtetarët. Reforma e sistemit mjekësor që tashmë ka filluar në Shqipëri, thekson autori, duhet të bëhet sa më shpejt edhe në Kosovë. Në fund të këtij kapitulli autori, përsëri shpall “fajtor jemi ne, sovrani”, i cili rri gojëkyçur e nuk e ngre zërin e nuk kërkon me ngulm të drejtat e veta, ashtu si për problemet e tjera edhe për shëndetësinë.

Një problem tjetër ku është ndalur mendimtari, është provincializmi, si mendësi që shfaqet në kritikën letrare, artistike, filmore e shkencore, e cila ka sjellë shpërfytyrim në vlerësimin e veprave të ndryshme; dhe posaçërisht në politikë ku ka sjellë pasoja më të rënda shoqërore e shtetërore.

Provincializmi në politikë ka shkaktuar lindjen e idesë provinciale të krijimit të kombit kosovar, një ide feudale jashtë kohe. Së pari këtë ide e sajuan politikanët sërbë gjatë regjimit titist për të shuar idenë e pavarësisë së Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë. Sot disa politikanë provincialë të Kosovës e kanë gjallëruar këtë ide për interesa të ngushta vetiake. Ata “nuk duan ta dijnë se Shqipëria dhe Kosova ishin një, se Kosova ishte pjesë e Shqipërisë, dhe meqenëse ishin Një gjatë historisë, pashmangshëm do të jenë Një edhe gjatë ardhmërisë” (f. 154).

Ideja e kombit kosovar, është ide e sajuar dhe e mbrojtur prej ideologëve sërbomëdhenj, thekson autori, është e komprometuar vetvetiu sepse është ide  e vjetëruar, reaksionare e kundërkombëtare. Ajo është ide anakronike, reaksionare, kundërkombëtare, sepse popullin shqiptar të Kosovës e kanë njohur në shekuj dhe e njohin edhe sot si pjesë të popullit shumëshekullor shqiptar, që ka një një gjuhë të tij të veçantë, një kulturë të përbashkët, një histori të veçantë, qytetërimin e tij të njohur që nga Antikiteti, të cilat prej gjithë shqiptarëve dhe të huajve janë njohur e quhen “popull shqiptar, komb shqiptar, gjuhë shqipe, histori shqiptare, kulturë shqiptare, qytetërim shqiptar” (f. 154). Bashkësia e këtyre vlerave madhore gjuhësore, historike, kulturore, shpirtërore e qytetëruese e ka bërë popullin tonë të mbijetojë në shekuj në territoret e veta dhe të ketë njohje europiane dhe botërore. Sot ky popull me përkrahjen e dy aleatëve të fuqishëm SHBA-të dhe BE, ka një të ardhme gjithnjë e më premtuese, prandaj, thërret autori, duhet t’i luftojmë ata individë e grupe që e mbështesin idenë monstuoze të kombit kosovar, që përkrahet prej një Sektori të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës e disa anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kapitull të rëndësishëm përbën dhe kritika ndaj politikës së jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, ku studiuesi nxjerr në dukje dy mite të rremë që e dëmtojnë këtë politikë. Njëri mit është ai sipas të cilit presidenti W. Willson paraqitet vetëm si mbrojtës i Shqipërisë së pavarur në Konferencën e Paqes në Versajë më 1919. Dhe tjetri është ai sipas të cilit Europa paraqitet me servilizëm vetëm si mbrojtëse e lirisë së Kosvës dhe së ardhmes së saj, pa asnjë notë kritike.

Autori u është mirënjohës SHBA-ve, shtetit të përbërë nga emigrantët e gjithë botës, për faktin se ky shtet tregon interesim politik në mënyrë aktive e vepruese ndaj çdo populli e shteti të planetit tonë, interesim, të cilin ai e quan të ligjshëm, sepse pa të Bota do të zhytej në kaos politik dhe luftarak, që do të rrezikonte mjerëzimin. Ai u është mirënjohës SHBA-ve për faktin se ato kanë luajtur rolin kryesor për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në njohjen çështjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe sidomos në ndihmën e armatosur për përfundimin e suksesshëm të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qershor të vitit 1999, për kthimin e shqiptarëve të dëbuar me dhunë prej tokave të veta prej regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Për të gjitha këto autori e quan plotësisht të arsyeshëm në të gjitha pikpamjet përkushtimin e popullit shqiptar dhe të dy qeverive shqiptare ndaj SHBA-ve, si shteti që ka luajtur rolin e jashtzakonshëmhistorik në fatin e popullit shqiptar. Por ai nuk le pa kritikuar një rast historik, rastin kur presidenti W. Willson në Konferencën e Paqes në Versajë më 1919 u pajtua me qëndrimin e kryeministrave të Anglisë, Francës e Italisë për njohjen e pushtimit italian të Vlorës dhe të protektoratit italian mbi Shqipërinë e vitit 1919. Nga kjo lëkundje presidenti amerikan u largua pas presionit të madh që i bënë disa delegatë shqiptarë të konferencës dhe telegramet e  shqiptarëve të kolonive. Qosja ngul këmbë se presidenti W. Willson gaboi atëhere edhe për faktin se ai nuk luftoi të zbatohej e drejta e popujve për vetvendosje edhe për popullin shqiptar të mbetur nën zgjedhën sërbe, malazeze e greke që nga viti 1912-1913, padrejtësi të cilën ai e njihte dhe që po e kërkonin në atë konferencë disa delegatë shqiptarë. Këtë fakt e kanë vënë në dukje para studiuesit Qosja edhe dy studiues të tjerë: Beqir Meta në librin “Federata Panshqiptare Vatra 1912-1920” GLOBUS Tiranë 2002, f. 222 dhe hartuesi i këtyre radhëve në monografinë “Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931” DDS Durrës, 2012, f. 150. Mirëpo historiografia shqiptare, e cila ecën pikërisht në rrugën e mitizimit nuk i ka marrë parasysh këto vëzhgime dhe nuk ka dashur e nuk do që të përmendet kjo lëkundje e këtij presidenti. Kështu që politikanët shqiptarë të të dy shteteve vijojnë pa të drejtë të ushqejnë mitin e presidentit W. Willson vetëm si mbrojtës i popullit shqiptar, mit prej të cilit duhet të çirohen, sepse ky qëndrim servil nuk sjell asgjë pozitive, vetëm prish punë. Profesor Qosja shkon edhe më tej, ai shpreh guximshëm mendimin e vet se amasadorët e SHBA-ve në Shqipëri e Kosovë disa herë kanë gabuar në qëndrimet ndaj grindjeve të pozitës e opozitë dhe e shpall të paarsyeshëm, madje “të pajelueshëm vendimin e ish ambasadores amerikane në Kosovë për t’u bërë flamuri i Kosovës ashtu si është bërë: pa atë pulën, si e quante ajo shqiponjën në flamurin kombëtar shqiptar” (f. 160).

Së fundi ai ngul këmbë se SHBA-të nuk kënaqen me politikë e retorikë servile shtetërore, ato kënaqen po të ndjekim një politikë të drejtë, vërtet demokratike, të lirë prej të këqiave politike, ekonomike, gjyqësore, arsimore, shëndetësore, kulturore, morale, prej të cilave politika shqiptare vuan sot.

Miti tjetër i politikës së jashtme shqiptare është miti për Europën, vijon Qosja. Që nga Rilindja e këtej shqiptarët i kanë qenë dhe i janë mirënjohës qytetërimit europian për kulturën, arsimin, letrërsinë, kushtetutën demokratike, etj, gjë që e frymëzoi Naim Frashërin të shpallte: “dielli lind andej nga perëndon”! Sot të gjithë e dijnë se populli shqiptar ka jetuar dhe jeton në kontinentin që quhet Europë, prandaj, shton autori, të thuash se shqiptarët janë popull europian me patos e retorikë, siç e thonë demagogët politikë e letrarë, është si të thuash: “njeriu jeton duke thithur ajër, duke pirë ujë dhe duke ngrënë bukë” (f. 163). Në po këtë faqe autori shton se Presidenti i Shqipërisë, u bë qesharak, kur shpalli me seriozitet shtetëror se “shqiptarët janë komb që kanë në ADN-në e tyre orientimin perëndimor” Domethënë, shton studiuesi, orientimin e shqiptarëve nuk e caktojnë politika dhe interesat kombëtare, por ADN-ja! Marrëzi”! Të mirat europiane sot janë bërë mbarëbotërorere dhe nuk kanë lidhje me ADN-në e popujve. Pastaj nuk duhet të harrojmë, shton Qosja, se krahas të mirave të mëdha që kanë krijuar mendjet e njerëzve më të shquar europianë, që e kanë kuptimësuar e lehtësuar jetën e njeriut, kanë qenë po bij të Europës edhe ata që prodhuan kolonializmin, imperializmin, fashizmin, nazizmin (ne do të shtonim dhe diktaturën komuniste e luftën e klasave), racizmin e asimilimin etnik e fetar të popujve të kontinenteve të zbuluar. E për këtë arsye duhet që politika e jashtme e shteteve shqiptare nuk duhet të jetë servile, nënshtruese dhe mitike ndaj Europës, por ta dojë, ta respektojë atë duke ruajtur dinjitetin dhe identitetin e vet. Kështu politika e jashtme e Kosovës nuk ka pse të mos ia përmendë Europës faktin se po gabon duke nxitur Gjykatën e Veçantë, e cila si gjykatë me juristë ndërkombëtarë njëetnike, do të merret me dënimin e çlirimtarëve të Kosovës, ushtarëve të UÇK-së, “që mund të kenë rahur ndonjë tradhëtar bashkëkombas, ose ndonjë kriminel sërb gjatë luftës, por nuk po kërkon zbulimin dhe dënimin e kriminelëve sërbë që kanë bërë masakra ndër shqiptarët civilë të paramatosur në Dubravë, në Krushevën e Madhe e të Vogël, në Abrisë, Nagavs, Bellaqevc, Prekaz, Reçak, Celinë, Poklek, Rezallë, Leçinë, Raushiq e në shumë fshatra të tjerë” (f. 167)!

Konkluzioni është i thjeshtë: Duhet të luftojmë për t’ia ngushtuar hapësirën shprehjes së servilizmit, sepse kështu ia zgjerojmë hapësirën shprehjes së dinjitetit tonë.

Edhe më ashpër shprehet ky politolog kundër politikanëve servilë pa dinjitet personal që dalin nëpër tribuna e podiume për të përsëritur mendime të drejtuesit të tyre. Në qendër është z. Lulzim Basha një kiç politikan që gjoja ka zëvendësuar Sali Berishën dhe nuk ka sjellë asgjë të re në politkën e Partisë Demokratike si parti opozitare. Sulmet e profesor Qosjes ndaj tij ndonëse janë formuluar në verë të vitit 2016, tingëllojnë sikur janë shkruar sot, mbasi z. Basha kundërshtoi bisedimet me z. Rama e Meta dhe shpalli bojkotin e zgjedhjeve, duke e lënë Shqipërinë pa opozitë në këto zgjedhje, pra vetëm e vetëm se lufton për të shpëtuar kokën e Sali Berishës e të tijën prej Vetingut.

Si filolog i shquar, autori di të kapë e zbulojë se çfarë fshihet pas gjuhës fyese të përçudnuar të politikanëve shqipratë të Shqipërisë e Kosovës, qofshin deputetë, ministra a kryeministra, të cilët shajnë e fyejnë kundërshtarët politikë pavarësisht nga mosha, pozita, gjinia. Mbi të gjithë këtu ai shënon kryeministrin e sotëm të Kosovës dhe ish kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha. Me fyerjet e tyre këta politikanë fyejnë jo vetëm kundërshtarët politikë, ata fyejnë demokracinë shqiptare, fyejnë atdhetarizmin shqiptar, fyejnë Shqipërinë e Kosovën Shtet. Ata fyejnë dhe vetë popullin shqiptar, “me të sotmen e tij, me të kaluarën e tij, me traditat e tij, me venomet dhe zakonet e tij, me besën, burrërinë dhe gjithë virtutet e tij, me etikën e tij, të njohur e të çmuar në Europë e në Botë” (f. 207).

Këta politikanë e shokët e tyre me të tillë gjuhë cënojnë imazhin e popullit tonë në Europë duke e paraqitur atë si një popull primitiv, kur dihet fare mirë sesa i përgjegjshëm ka qenë populli ynë në shekuj me bisedat publike në odat e miqve, të cilat kanë çuditur të huajt si baronin Franc Nobça, i cili njëqind e ca vjet më parë shkroi: “Malësori shqiptar është fisnik. Po ta veshësh me frak, atë mund ta fusësh në çdo parlament të Europës, ai të nderon”.

Mirëpo pushtetari ynë malësor i kohës së pasdiktaturës e turpëron popullin e vet, sepse është i ndryshëm nga malësori i hershëm, ky është pjellë e sistemit komunist, është një njeri me moral të shkatëruar, egoist, lavdidashës, pushtetdashës, i korruptuar e korruptues, që e ndërdor edhe medien për interesat e veta pa pyetur për pavarësinë dhe dinjitetin e shtypit.

Në fund të librit, autori pasi shpalos mendimin e vet se gjatë këtyre 25 vjetëve janë provuar ndaj popullit shqiptar dy lloj pushtetesh, ai i mbisunduar prej një njeriu dhe ai i mbisunduar prej një oligarkie, të dy të maskuar me një demokracie totalitare, i bën thirrje popullit të shfaqë mospajtimin e tij:

“Që Shqipëria e Kosova të mos jenë më shtete partiake, siç ishin deri sot e siç janë sot.

Që Shqipëria dhe Kosova të jenë jo shtete me demokraci totalitare, që funksionon si demokraci skllavopronare, por shtete me demokraci të parimeve demokratike, demokraci moderne.

Që Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete të së drejtës, në të cilat do të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve, ku çdo qytetar do të trajtohet, siç nuk trajtohet sot, i barabartë si çdo qytetar a milioner” (f. 227).

Kur shkruhej kjo vepër nuk ishte formuluar fjala “Veting”, prandaj autori e ka formuluar me fjalët e tij domosdoshmërinë për kalimin e nëpunësve në një kontroll për pasuritë dhe bëmat e tyre, me qëllim që të dënohen gjithë shpërdorimet e pasurisë së popullit, të gjitha krimet politike, ekonomike, financiare. E mbi të gjitha, ai kërkon që populli shqiptar i të dy shteteve të ndërgjegjësohet maksimalisht që të sjellë në pushtet me anën e votës njerëz të ndershëm e atdhetarë, të cilët të krijojnë një strategji për të ardhmen e këtyre dy shteteve drejt bashkimit, që nuk është aspak shkelje, si duan ta quajnë disa politikanë të huaj, por korrigjim i padrejtësisë që iu bë popullit tonë më 1912-1913, si e shprehu vetë ish kryeministri anglez, z. Tony Bler me 1999.

Të shkruash një artikull kritik për probleme të ndryshme, njerëzit që kritikohen, preken shumë, sidomos ne shqiptarët, kalojmë deri në zemërime e armiqësira. Mirëpo të shkruash një vepër të plotë ndaj dobësive, gabimeve dhe krimeve të pushtetarëve shqiptarë të të dy shteteve, shkruar me aq patos kritik dhe me talentin letrar të spikatur si ka shkaur Profesor Rexhep Qosja, kuptohet se lexuesit e përmendur në të, do t’i zemërohen dhe do t’i mbajnë mëri. Por kemi shpresë se shoqëria jonë dhe qeveritarët tanë, pas zemërimit, do të fillojnë të ecin në rrugën e përmirësimit, sepse kininat edhe pse janë të hidhura, e ndihmojnë të sëmurin për t’u shëruar. Pushtatarët që do të emërohen pas procesit të Vetingut dhe Reformës në Drejtësi duhet ta lexojnë këtë libër me vëmendje për të mësuar sesa poshtë kishin rënë kolegët e tyre deri në vitin 2017, nivel ku ata nuk duhet të bien më kurrë..

Filed Under: Politike Tagged With: “Pushteti i korruptuar - protagonistët dhe viktimat”, rexhep qosja, Thanas L Gjika

Rexhep Qosja rikthehet te opsioni i Dobrica Qosiç për Kosovën?!

January 22, 2017 by dgreca

1-enver-Bytyci-1

Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/

Mediat e Kosovës kanë transmetuar një intervistë të akademikut shqiptar, Rexhep Qosja, në të cilën shkrimtari i njohur dhe i vetëshpallur si “babai i kombit” shpalos një projekt të tijin për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Sipas tij “Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën”. Më tej ai vazhdon: “Në vizionin tim, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Si do të zgjidhet problemi i veriut dhe Luginës së Preshvës varet nga ne dhe këmbëngulja, mencuria jonë. Por ne do të bashkohemi. Kjo nuk është vetëm në të mirën tonë, por në të mirën e të gjithë Ballkanit” Dhe këtë lloj projekti e arësyeton kësisoj: “Tash për tash pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve është utopik dhe i pamundshëm. Në Serbi gjithmonë ka pasur një unitet të fuqishëm mes kishës dhe politikës. Në festat e Krishtlindjes, kleriku kryesor tha: “Në Kosovë kemi trupin dhe shpirtin dhe Kosova do të jetë serbe”.

Po ia paraqes lexuesit fjalë për fjalë kërkesën dhe arësyetimin e akademikut Rexhep Qosja marrë nga gazeta e Prishtinës “Express”, me qëllim që të mos lë asnje fije dyshimi e mos krijoj asnjë dilemë edhe te fansat e akademikut për autorësinë e propozimit të tij. Ndërsa arësyetimi që do të parashtroj në kundështi të projekt-propozimit të zotit Qosja ka të bëjë thjesht me mendimin tim.

Rexhep Qosjen si emër, si shkrimtar, si patriot të servirur nga regjimi komunist në Shqipëri, e njoh që para viteve ’90. E njoha fillimisht nga romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Më vonë kam lexuar dhe libra të tjerë, sidomos të kritikës letrare, si “Panteoni i rralluar” e të tjerë. Ndërsa në tri volumet e përmbledhjes për kërkesat e shqiptarëve të botuar më 1990 nga Ramiz Alia, Rexhep Qosja zinte një vend të veçantë. Më vonë kemi mësuar diskursin e guximshëm të Ibrahim Rugovës në Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë apo në mediume të ndryshme, pasiqë në Shqipëri Rugova eklipsohej prej Rexhep Qoses asokohe. Aq shumë e vlerësoja akademikun Qose, sa kur në korrik 1990 më ran ë dorë një gazetë “Rilindja” dhe pashë një replikë të Arben Popocit me të, m’u duk pak e çuditshme. Pas dy-tri vitesh Arben Popoci do vinte në Tiranë e do të punonte te gazeta “Republika” e prej tij mësova shumë të vërteta.

Kjo njohje si dhe deklaratat e Rexhep Qosjes në “Zëri i Amerikës” na bënë asokohe që të ishim idhtarë të tij edhe ne në Shqipëri. Na dukej si njeriu i urtë, që transmetonte mençurinë popullore me këshillat që jepte. Edhe qëndrimet e tij na dukeshin të ekuilibruara, aq sa u pranua plotësisht edhe prej antikomunistëve në Shqipëri dhe partia e parë opozitare. Madje gazeta e Partisë Demokratike mori emrin “Rilindja” të rekomanduar prej tij. Ishte një kohë kur kërkohej një fije bari për t’u kapur e për t’u kthyer shqiptarëve shpresën. Uji ishte turbulluar dhe sytë tanë nuk shihnin bregun për t’i shpëtuar rrjedhës. Prandaj u prirëm të kapeshim pas myshqeve dhe gurëve për t’i shpëtuar asaj. Një prej këtyre fijeve të barit, rezultoi më vonë të ishte akademik Rexhep Qosja.

Rexhep Qosja u pa fillimisht si shpresë, por shpejt mori anë dhe në vend të na fundoste ne, fundosi vetëveten. Ia hoqi vetes shumë shpejt aureolën e prijësit të fshatit të madh shqiptar, sepse iu kundërvu me të gjitha mjetet demokracisë dhe u shfaq hapur në mbrojtje të ideve neokomuniste, duke shkuar shpesh herë më larg se neokomunistët e duke promovuar diktatorin Hoxha.  Dalëngadalë akademiku Rexhep Qosja i bindi shqiptarët vetë se nuk është ai akademiku i projektuar në mendjen tonë. Ndërsa në Kosovë e kishin njohur më mirë. Shqiptarët e Kosovës nuk ia dhanë kurrë ndonjëherë rol prijësi këtij akademiku fodull e arrogant jo vetëm në sjellje, por edhe në ide dhe mendimet e tij.  Ai u bë skajshëm i neveritshëm dhe tani me rekomandimet e tij për ndarjen e Kosovës shfaqet njëkohësisht shumë i rrezikshëm. Po jo më pak të rrezikshme janë mediat që promovojnë idetë e tij shkatërruese për kombin shqiptar. Nuk e di përse nuk e lënë të japë intervista në gazetat e mediat e Beogradit, pasiqë idetë e Qoses dhe akademikut serb, Dobrica Qosiç janë identike, pa asnjë dallim me të njëjtin objekt: Ndarjen e Kosovës.

Rexhep Qosja ndarjen e veriut të Kosovës dhe kthimit të kësaj pjese të territorit shqiptar Serbisë e justifikon dhe motivon në mënyrë krejt të gabuar. Me demagogjinë dhe sofizmin e bashkimit kombëtar, ai elaboron humbjen e territoreve shqiptare, madje të pjesës më vitale dhe më të pasur të territorit të Kosovës e në të gjithë Ballkanin Perendimor. Ai e di se ka një numër të madh shqiptarësh, të cilët e duan bashkimin kombëtar, dhe këta nuk janë në gjendje të arësyetojnë bilancin e humbjeve dhe të asaj që fitojmë ne. Prandaj spekullon me idenë e bashkimit kombëtar. Siç spekullon Tv që e interviston si dhe shefi I ekzekutivit shqiptar në Tiranë.

Nëse keni vënë re, prej disa vitesh jam shprehur dhe shprehem se bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është alternativë e këtij moment, të cilin ne e kalojmë. Dhe këtë e bëj jo se jam kundër bashkimit, porse një bashkim me humbje të territoreve, të cilat sot i kemi në administrim, do të ishte një katastrofë e dytë kombëtare e shqiptarëve, pas asaj që ndodhi me vendimet e Konferencës së Londrës. Kushdo që pajtohet me humbjen e territoreve në emër të bashkimit kombëtar, siç bën akademiku Rexhep Qosja, ose është i rrjedhur ose është i shitur te djalli. Nuk ka asnjë arësye tjetër që dikush ndër shqiptarët, kushdo qoftë ai, të trembet nga ekzistenca e dy shteteve shqiptare dhe t’i qajë hallin botës se “nuk mundka të menaxhojë dy shtete”, siç shprehet Qosja në intervistën e tij te televizioni “Klan Kosova”.

Shtetet shqiptare duhet ta menaxhojnë veteveten. E nëse ne menaxhojmë veten, duke bashkëpunuar, bashkëvepruar, bashkërenduar politikat e zhvillimit, si dhe politikën e diplomacinë ndërkombëtare, nuk ka nevojë t’i ofrojmë Serbisë pasuritë e territoret tona që të na përkdhelë ambicjen qosjane të bashkimit kombëtar. Në fund të fundit Serbia është shprehur shumë qartë. Po citoj Daçiçin: “Për ne nuk ka rëndësi se bashkohen ose jo shqiptarët në një shtet të vetin, nuk ka rëndësi në sa shtete jetojnë ata, për ne ka rëndësi të bashkojmë serbët”. Nuk besoj se ka më qartë se kaq. Atë që thotë Qosja e thoshte fjalë për fjalë Dobrica Qosiç, por e thotë gjithashtu ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç. Kësaj skeme i shërben në ditët e sotme muri në veri si dhe provokimi me trenin nacionalist serb. E në javët në vazhdim do të shohim provkime të tjera për ta realizuar idenë e ndarjes së Kosovës, ide të cilën elaboron akademiku shqiptar, Rexhep Qosja. Kështu Qosja i bashkohet provokimit të Serbisë kundër Kosovës. Nuk ka lajthitje më të rrezikshme se kjo.

Mua më bën përshtypje se si është e mundur që akademiku i shndërruar në idol në periudhën 1989-1992, akademiku Rexhep Qosja, të konvergojë në të njëjtën tezë serbe, t’i bëhet patericë programeve të Serbisë për ndarjen e territorit të Kosovës dhe të kërkojë humbjen e territoreve tona?! Si është e mundur që një profesor, shkrimtar shqiptar, revokon idetë më regresive të së ardhmes së kombit shqiptar?! Si është e mundur që ky njeri t’i japë vetes të drejtën e faljes së tokave të shqiptarëve?! Nga i buron kjo ide, kush ia mëkon ende sot në këtë moshë të thyer?! Pleqtë tanë na thonin se “Burri ka gjithmonë kohë me u korit”! Mesa duket Rexhep Qosja nuk po don ta kalojë pleqërinë e tij pa u lënë shqiptarëve shijen e hidhur të “koritjes” në ekstrem, me tregëtinë e trojeve të vendit!

Por duket se idetë e Qosjes për ndarjen e territorit të Kosovës nuk vijnë kaq thjeshtë në vëmendjen e tij. Idetë e Rexhep Qosjes për gjoja shkëmbimin e territoreve, përveçse ide të Beogradit, vijnë gjithashtu në pajtim me idetë e drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiut, si dhe të të gjithë atyre që predikojnë “pajtimin (vëllazërimin) shqiptaro-serb”, pra edhe të Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë. A keni dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe kur Serbia po provokon ndarjen e Kosovës me dhunë, të flasë kryeministri ynë për këtë çeshtje?! E kemi lexuar në Tëiter të shkruajë përralla se “Ushtria serbe do të vijë si turiste në Prishtinë”. Po nuk thotë se si vjen ajo në veriun e Mitrovicës?! Nuk shprehet aspak kryeministri shqiptar për këtë çeshtje, madje nuk e përmend as angazhimin e Prishtinës zyrtare për të ndalur provokimet me trena dhe provokimet me mure në veri të Kosovës. Nuk thotë asnjë fjalë për deklaratat luftënxitëse të kryeministrit dhe presidentit të Serbisë, madje e promovon homologun e tij serb si “një kryeministër tolerant, të moderuar dhe proeuropian”.

Zoti Rama flet në emër të një opcioni serb me mbështetje te qarqet antishqiptare në Europë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb dhe të njëjtën gjë bën edhe Rexhep Qosja. Të dy e shohin zi zgjidhje ndarjen e territorit të Kosovës. Në emër të pajtimit, çka bie mirë në sy në deklaratën e Qoses, ata duan të shkohet te humbja e territoreve. Të dy, njëri pa zë e tjetri me zë e me figurë, predikojnë zgjerimin e territorit të Serbisë dhe ngushtimin e territoreve shqiptare të Kosovës! Çfarë komedie, e cila nëse nuk lexohet qartë nga ana e autoriteteve dhe qytetarëve të Kosovës mund të shndërrohet në një tragjedi për ta.

Nuk po elaboroj qasjen e Qosjes për bashkimin kombëtar, sepse këtë e kam bërë në shumë komente e analiza të miat. Nuk po ndalem në çeshtjet që hapin iniciativa të tilla në rajonin tonë. Dhe nuk dua ta besoj se një akademik shqiptar si Qose, është i gatshëm të shkatërrojë shtetin e Maqedonisë, pse këtë shkatërrim e duan serbët, grekët dhe bullgarët! Nuk dua ta besoj se Qosja dhe Rama duan gjithashtu shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës! Eshtë e pabesueshme që në Prishtinë dhe në Tiranë të ketë akademikë që rekomandojnë krijimin e Serbisë së Madhe dhe krijimin e një shteti minor shqiptar në territore të ngushtuara. Eshtë e paimagjinueshme se si akademikë shqiptarë, si Qosja, të kërkojnë t’i falin Serbisë ende sot pas 105 viteve, kur u copëtuan shqiptarët, territoret më të pasura si dhe qytete të mëdha shqiptare në Ballkan.

Nëse e vini re fjalën e cituar në fillim, akademiku Qosja në opsionin e tij për ndarjen e Kosovës i referohet patriarkut serb, Irinej, duke e cituar atë të thotë se Kosova është zemra e shpirti i Serbisë. Dmth, nëse Irinej, Nikoliç, Vuçiç, Shejsheli, Daçiçi, flasin për Kosovë e Metohi, atëherë ne duhet t’i japim zgjidhje kësaj dileme serbe dhe Kosovën ta mbajmë për shqiptarët e Metohinë t’ia dhurojmë Serbisë?! Nuk ka asnjë kuptim tjetër “zemërgjerësia” e Rexhep Qosjes për ta ngushëlluar e kompensuar patriarkun ultranacionalist të Serbisë me territoret shqiptare të veriut të Mitrovicës!

Do të doja të besoja se Rexhep Qosja tashmë ka rrjedhur, pra nuk dua të besoj se ai me vetëdije kërkon të shkatërrojë ëndërrën e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por nuk e shoh si një fenomen dhe rrezik të izoluar. Po aq i rrezikshëm është në këtë rrjedhje energjish tona kombëtare TV Klan Kosova dhe drejtuesi i saj, Baton Haxhiu. Sa kohë që këta “gjuajnë” të promovojnë ide, skema dhe opsione antishqiptare e proserbe, do të jenë një rrezik permanent yni. Dhe në fund, më i rrezikshmi ndër të rrezikshmit është dhe mbetet me aventurat e tij shefi i Baton Haxhiut në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!

Këta nuk i shëron asgjë, as ndarja e Kosovës, as krijimi i Serbisë së Madhe. Këta punojnë që shqiptarët të përçahen, të kenë një perspektivë të mjergullt, të mos dijnë se çfarë do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre. Lerini shqiptarët të besojnë te e ardhmja dhe ta shohin atë pa syzet e këtyre njerëzve, të cilët përveç përçarjes, mbjelljes së dëshprimit dhe amullisë, nuk dijnë të bëjnë tjetër!

Filed Under: Politike Tagged With: Dobrica Qosic, kosova, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, rexhep qosja

STUDJUES DHE KRIJUES NGA KOSOVA-Kujtime për Profesorin Rexhep Qosja

August 2, 2016 by dgreca

Doli në Tiranë libri i prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika “Mosdënimi i krimit është krim i ri” (OMSCA-1 2016, 452 f.). Aty ka shumë artikuj e studime për vepra të I. Kadaresë, V. Zhitit, P. Kullës, S. Repishtit, M. Bungos, H. Kostrecit, F. Konicës, F. Nolit, etj, disa ese për veprimtarë të kulturës e shkencës që janë shquar këto 25 vjetët e fundit si E. Mërlika, L. Pervizi, Ilia S. Karanxha, Fotaq Ll. Andrea, etj, si dhe kujtime  për disa personalitete të shquar të shkencave albanologjike si profesorët E. Cabej, R. Qosja, E. Sedaj, S. Fetiu, A. Vinca, etj. Meqenëse ky vit është viti i 80-vjetorit të prof. Qosjes, po riprodhojmë këtu pjesën ku jepen kujtimet e Thanas Gjikës për të. Këto kujtime botohen për herë të parë./

(Kujtime për disa stujues e krijues të Kosovës)/

Nga prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/

Gjatë kohës që punova në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (më vonë u quajt Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) nuk m’u dha rasti të shkoja në Kosovë. Kisha rënë në sy si një studjues i pasionuar i historisë së Shqipërisë që kaloja në shpërthime të zjarrta romantike kur hapej biseda për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi. Ndoshta këto shpërthime dikush i kishte përmendur në drejtori dhe më kishin hequr nga lista e atyre që duheshin dërguar në Kosovë, ku dërgoheshin kolegët e mij për kërkime bibliografike e arkivale, ose për të mbajtur ndonjë leksion. Kjo mundësi nuk m’u dha edhe pasi përfundova monografinë Mihal Grameno publicist demokrat, mars 1979 dhe as pasi e botova, korrik 1980. Mirëpo jam i kënaqur se në vitet 1972-1981 pata rast të shoqëroja disa grupe stujuesish që vinin nga Kosova. Njohja dhe bisedat me ta më ndihmuan të krijoja një ide disi të qartë për Kosovën e kosovarët e asaj kohe dhe të krijoja bindjen se shpirti shqiptar i tyre ishte në lulëzim dhe i patjetërsueshëm. Ata ishin në përgjithësi djem azganë nga trupi dhe trima nga mendja, nga përkushtimi ndaj albanologjisë dhe çështjes kombëtare. Në pak vite ata e morrën formimin e nevojshëm shkencor dhe shkruan e botuan vepra që ne të Shqipërisë nuk i kishim shkruar e nuk mund t’i shkruanim. Përmes bisedave me ta dhe leximit të veprave të tyre krijova bindjen se Jugosllavia e Titos e kishte humbur Kosovën. Gjendja e mirë ekonomike dhe politika e hapur kishte mundur të gënjente disa shqiptarë, por jo elitën intelektuale dhe as masat e gjera të popullit.

Në Kosovë po lulëzonte një sasi e madhe me intelektualë që shquhej për përkushtim të lartë ndaj studimeve shkencore, për aftësi interpretimi të problemeve albanologjike dhe mbi të gjitha për dashuri ndaj atdheut mëmë. Përveç bijve të vetë Krahinës Autonome të Kosovës aty ishin grumbulluar dhe po vijonin të grumbulloheshin dhe shumë shqiptarë që kishin lindur në republika të tjera të Jugosllavisë. Përbërja 90 përqind e popullsisë shqiptare dhe përkushtimi i saj atdhetar ishin faktorët që në Jugosllavinë e asaj kohe, Kosova po quhej prej vetë sllavëveShqipëri e Vogël.

Unë pata rast të njihja në takime të ndryshme ose gjatë kohës që i shoqërova për t’i ndihmuar në Bibliotekën Kombëtare, etj, disa studjues si Rexhep Qosja, Isak Shema, Sadri Fetiu, Rexhep Ismajli, Engjëll Sedaj, Mark Krasniqi, Masar Stavileci, Ali Aliu, Agim Vinca, Zekirja Canaj, Anton Çeta, Isak Shema, Mahmut Hysa, Salajdin Mehmeti, Abdullah Zymberi, Abdyl Kadolli, etj dhe poetët Enver Gjergjeku e Azem Shkreli. Disa të tjerëve ua kam harruar emrat, prandaj ju lutem të më falin.

Më ka mbetur merak që nuk pata rast të njihja nga afër të urtin Ibrahim Rugova, largpamësin Fehmi Agani, historianin e shquar Ali Hadri, autoritetin e gjuhësisë Idriz Ajeti. Njoha shumë pak studjuesen e sjellshme Emine Arifi (Bakalli), por nuk njoha dhe as e takova studjuesen shumë simpatike e të kulturuar Resmie Kryeziu…

Natyrisht nuk kam kujtime që vlejnë të shkruhen për të gjithë, prandaj do të riprodhoj vetëm kujtime për profesorët Rexhep Qosja, Sadri Fetiu, Agim Vinca, Engjell Sedaj dhe poetin e përkthyesin Mazllum Saneja.

MË I TALENTUARI I TË GJITHËVE

(Kujtime për Profesorin Rexhep Qosja)

Në vitin 1970 erdhi në Shqipëri studjuesi i parë nga Kosova për të mbledhur materiale për jetën dhe veprën e Asdrenit. E quanin Rexhep Qosja. Drejtoria e institutit vuri studjuesin Jorgo Bulo për ta shoqëruar disa ditë në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e Shtetit, si dhe në bibliotekën dhe arkivin e Institutit të Historisë e të Gjuhësisë. Unë kisha disa muaj që kisha filluar punën në këtë institut. Pikërisht në sallën e bibliotekës së institutit pata rastin ta shikoja nga afër studjuesin e parë që kishte ardhur nga Kosova. Rexhepit i kishin vënë mbi një tavolinë një grumbull me libra që do t’i merrte me vete. Unë hyra në atë sallë rastësisht për të kërkuar ndonjë revistë ose libër. E pashë mikun, por Jorgua nuk na prezantoi.

Më bëri përshtypje pamja e tij prej malësori tipik. Atë vit ai do të mbushte 34 vjet, por dukej më i ri. Kishte trup të gjatë dhe elegant, kishte fytyrë të gjatë. Kur fliste me Jorgon fliste ngadalë dhe me zë të ulët. Sivjet në qershor, pas 46 vjetësh nga ai takim, ai do të mbushë 80 vjet, por ka vite që fytyra i ka marrë pamjen e një shenjti, të kujton fytyrën e Jeronim De Radës. Me jetën dhe veprën e tij Rexhep Qosja është kthyer në një ikonë madhështore e mbarë botës shqiptare.

Më vonë Jorgua, shoku im i zyrës, më tha se ky studjues kishte ardhur për të mbledhur materiale për jetën e veprën e Asdrenit, sepse do të hartonte një studim me të cilin do të mbronte gradën Doktor i Shkencave. Sipas porosisë që i ishte dhënë ai nuk tha asgjë lidhur me përgatitjen e tij dhe as për tre veprat shkencore që kishte botuar. Më vonë mora vesh se Universiteti i Prishtinës, kur ai kërkoi për të mbrojtur Magistraturën, i kishte marrë parasysh tre veprat e tij dhe i kishte dhënë të drejtën të mbronte menjëherë gradën Doktor i Shkencave. Ai kshte shkuar për të mbledhur materiale dy herë në Bukuresht, dy herë në Beograd, një herë në Sarajeve dhe pastaj kishte ardhur në Shqipëri, ku mbodhi materialet e fundit.

Nga fundi i marsit 1970 në Prishtinë u organizua Java e filmit shqiptar. Rexhep Qosja i kishte lënë tim vëllai, regjisorit Viktor Gjika përshtypjen e një intelektuali erudit. Gjatë bisedave të tij për filmat shqiptarë dhe letërsinë shqipe, Rexhepi e kishte mahnitur me mendimet e tij për romanin Kështjella të Kadaresë. Në fund ai e kishte mbyllur bisedën me fjalinë: Më vjen mirë që kultura shqiptare ka jo vetëm një Ismail Kadare në letërsi, por edhe një Viktor Gjika në kinematografi. Viktori i kishte thënë se kinematografia shqiptare ishte e re dhe ishte shpejt për krahasime të tilla. Rexhepi i kishte dhënë dorën si shënjë respekti për këtë shfaqje të modestisë.

Nga vjeshta e vitit 1972, Instituti Albanologjik i Prishtinës dërgoi në bibliotekën e institutit tonë monografinë Asdreni Jeta dhe Vepra 500 faqshe. Me të Rexhep Qosja kishte mbrojtur Doktoratën. Ishte një punë madhore. U habitëm me shpejtësinë e hartimit e të botimit, me nivelin e lartë shkencor, analizat e zhdërvjellta, gjuhën e pastër e të pasur, aparatin shkencor të sistemuar saktë, nivelin e lartë të botimit nga ana tipografike, etj. Ishte një model për ne. Askush prej profesorëve tanë të Tiranës nuk kishte hartuar e nuk mund të hartonte një vepër me cilësi të tillë dhe për më tepër në një kohë kaq të shkurtër. Për hartimin e një vepre të tillë ne studjuesve të rinj të Tiranës do të na duheshin të paktën 8-10 vjet punë.

Ky studjues tregoi se përveç pasionit të madh ishte i pajisur dhe me talent të fuqishëm, formim shkencor solid dhe mendje pjellore. Që herët atë e kishte tërhequr ideja për t’i dhënë dimensionet e vërteta jetës dhe veprës së Asdrenit, këtij poeti të begatë por pak të studjuar. Brenda tre vjetësh e shkroi të gjithë disertacionin e tij dhe e botoi. Studimi monografik i Rexhep Qosjes për jetën e veprën e Asdrenit tregoi se ne studjuesve të Tiranës na mungonin talenti dhe formimi i tij shkencor, si dhe metoda e tij aq prodhimtare. Jorgo Bulua studjonte Naim Frashërin, Klara Kodra Zef Sermben, Floresha Haxhiaj (Dado) Çajupin dhe unë Mihal Gramenon. Ne ishim porositur që ta copëzonim studimin e jetës e të veprës së autorit që na ishte ngarkuar në disa kapituj e nënkapituj. Gjatë një viti duhej të kryenim grumbullimin e materialit dhe hartimin e një kapitulli, ose nënkapitulli. Vitin tjetër grumbullonim material e shkruanim kapitullin / nënkapitullin tjetër, e kështu me radhë. Kjo metodë pune e zgjaste kohën e grumbullimit e të hartimit të krejt monografisë për shumë vjet. Asnjëri prej nesh nuk ishte dërguar e as u dërgua në vendet ku kishin jetuar e ku ishin formuar këta autorë.

Ne ishim përgatitur në Fakultetin Histori Filologji të Universitetit të Tiranës për të punuar si mësues të gjuhës e të letërsisë shqipe. Formimin shkencor po e merrnim ngadalë gjatë viteve të punës në institut duke dhënë provime plotesuese herë pas here, duke dëgjuar seminaret teorike prej shefave tanë e duke diskutuar artikujt e njëri tjetrit. Pasi i mbaronim së shkruari veprat tona procesi i mbrojtjes së gradës shkencore vononte dhe një vit tjetër, po aq dhe procesi i botimit të tyre në shtypshkronjë. Për ne, shpejtësia e hartimit dhe e botimit të veprës së Rexhep Qosjes, ishte një shpejtësi marramendëse.

Me studimin për Asdrenin dhe veprat e tij madhore Kritika Letrare (1969), Vdekja më vjen prej syve të tillë (roman 1972), Panteoni i Rralluar (përmbledhje studimesh 1973), Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi (vol. I-II 1984 dhe vol. III 1986), Porosia e Madhe (monografi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, 1986) dhe me disa drama, etj, etj, Rexhepi u shfaq si personaliteti më i shquar midis studjuesve të mbarë botës shqiptare. Ai na mahniti me talentin e tij të rrallë si studjues dhe shkrimtar. Veprat e tij polemike Morfologjia e një fushate dhePopull i ndaluar, lexoheshin me kënaqësi si të ishin poema. Ai u bë profesori im i admiruar dhe jo vetëm i imi. Leximi i veprave të tij më shërbente si një shkundje nga klishetë dhe kërkesat standarte të shkencës zyrtare të asaj kohe. Leximi i këtyre veprave ishte një nga kënaqësitë e mia më të mëdha, e njëjtë me kënaqësinë që më jepte dhe leximi i veprave të Ismail Kadaresë. Në vitin 1972 profesor Qosja u emërua drejtoir i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe pas kësaj erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Unë pata rast të ulesha në një tavolinë me të te kafeneja e Pallatit të Kulturës, ku ai zhvilloi një bisedë me profesorët Koço Bihiku e Dhimitër Shuteriqi.

Dy profesorët tanë ngulnin këmbë se periodizimi që ata kishin bërë për letërsinë shqipe prej Rilindjes e deri në ditët tona, ishte një periodizim shkencor e i saktë. Ata e kishin ndarë letërsinë e kësaj kohe në katër periudha:

Letërsia e Rilindjes Kombëtare, shtrihej në vitet 1878 – 1912.

Letërsia e pavarësisë, shtrihej në vitet 1912-1939.

Letërsia e Luftës Nacional – Çlirimtar, shtrihej në vitet 1939-1944.

Letërsia e Realizmit Socialist, shtrihej nga viti 1945 e këtej.

Profesor Qosja dha sqarimet e veta duke treguar se ky periodizim ishte bërë mbi kritere historike politike, pra mbi kritere jashtëletrare. Ky lloj periodizimi nuk mbështetej në tiparet e krijimtarisë letrare, në tiparet e shkollës letrare së cilës i përkisnin veprat më të mira të sejcilës periudhë. Ai tha shkurt disa nga parimet metodologjike të periodizimit dhe dha emra të rinj për çdo periudhë:

Romantizmi.

Mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit.

Letërsia sociale.

Realizmi integral.

Këto koncepte ai i shtejlloi plotësisht në veprën Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne. Me të tillë periodizim të letërsisë shqipe, profesor Qosja aplikonte në shkencën shqiptare të letërsisë koncepte të shkencës europiane. Ky studjues aq i ri në moshë diskutoi me kompetencë shkencore dhe i rëzoi mendimet e dy profesorëve tanë të moshuar. Natyrisht ata nuk e pranuan konceptin e tij, sepse në mendësinë e tyre sundonte politizimi.

Ishte kënaqësi për mua të shkruaja një recension për përmbledhjen me studime të këtij kolosi që u botua në Tiranë. Ai recension u botua në revistën Studime Filologjike. Simpatia ime për Rexhep Qosjen u rrit edhe më mbasi lexova veprat Fjalori demokratik dhe Popull i ndaluar si dhe disa shkrime me përmbajtje politike e shoqërore, ku ai ka shpalosur më gjerë e më hapur fizionominë e një qytetari të shqetësuar që nuk arratiset nga aktualiteti, por lufton guximshëm. Ai është shprehur shpesh për çështjen kombëtare shqiptare dhe për gabimet e proceseve demokratike në Shqipëri.

Në fillimet e lëvizjes demokratike tek ne, të rinjtë, duke pasur konsideratë të lartë për të dhe për Ismail Kadarenë, dolën me fotografitë e tyre nëpër rrugë të disa qyteteve, për të kërkuar që të tillë personalitete të viheshin në krye të kësaj lëvizjeje. Unë, pasi u botua numëri i parë i gazetës Rilindja Demokratike, shkova te Frok Çupi, kryeredaktor i saj dhe i sugjerova që t’i kërkonte këta dy intelektualë të vinin në Tiranë për të mbajtur leksione e biseda mbi demokracinë. I dorëzova dhe një artikull ku sqaroja pse u bëra anëtar i PD-së. Artikulli im nuk u botua dhe as Ismaili e Rexhepi nuk u ftuan në Shqipëri. Mesa dukej, njerëzit që do të jepnin ndihmesën e tyre për zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri ishin paracaktuar…

Në muajt e parë të vitit 1991 me sugjerimin e disa politologëve europianë u hodh mendimi që populli shqiptar i Shqipërisë, si popull i vogël e me problemin kombëtar të pazgjidhur ende, duhej të ecte në proceset për demoktratizimin e vet në rrugë paqësore, pa shkaktuar hakmarrje e viktima. Për këtë arsye duhej zhvilluar procesi i pajtimit kombëtar midis forcave politike.

Me dëshirën e mirë për të ndikuar në ecurinë e proceseve demokratike e të pajtimit kombëtar, erdhi nga Kosova dhe profesor Qosja. Mendimet e tij u mirëpritën prej drejtuesve të partive e shoqatave politike. Përjashtim bënë Shoqata e të Përndjekurve Politikë, Partia Demokratike që drejtohej prej Sali Barishës dhe Partia Republikane, që drejtohej prej Sabri Godos. Sali Berisha ish-komunist prej 20 vjetësh dhe Sabri Godo ish-oficer i Sigurimit të shtetit, ishin futur në lëvizjen demokratike prej Ramiz Alisë. Ata i urrenin intelektualët demokratë dhe i mbanin sa më larg. Sali Berisha nxiti Bujar Hoxhën, ndihmësin e tij, një ish-sigurims, që të shpifte ndaj profesor Qosjes gjëra të paqena. Kundër këtyte shpifjeve doli në shtypin e kohës profesor Jorgo Bulua, kurse ne të tjerët heshtëm. Na kishte rrëmbyer entusiazmi i antikomunizmit dhe ishim trullosur prej propagandës zhurmëmadhe të Partisë Demokratike…

Sigurimi i shtetit gjatë diktaturës, duke luajtur rolin e shpatës së mprehtë të partisë shtet kishte lënduar e plagosur mbi 75 përqind të familjeve. Prandaj mund të pranohej vetëm mendimi iShoqatës së të Përndjekurve Politikë që kërkonte në ato momente para se të kalohej te pajtimi kombëtar duhej të dënoheshin bëmat vrastare të diktaturës komuniste, duke dënuar kupolën drejtuese të PPSH-së dhe duke përjashtuar disa nga deputetët socialistë, që kishin pasur funksione gjatë diktaturës.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: DHE KRIJUES NGA KOSOVA-Kujtime, për Profesorin, rexhep qosja, STUDJUES, Thanas L Gjika

DITËLINDJA E 80–të E AKADEMIKUT REXHEP QOSJA

June 23, 2016 by dgreca

Më 25 qershor të këtij viti Rexhep Qosja mbush plot 80 vjet/

Shtëpia Botuese “Toena”, si botuese e veprës së tij dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit, që ka nderin ta ketë një prej 5 anëtarëve të Bordit Drejtues të tij, i urojnë jetë të gjatë e të shëndetshme, mendje të ftohtë e penë të fortë për krijimin e veprave të reja për lexuesin, kulturën dhe shkencën shqiptare!

Të skicosh profilin e një personaliteti të shumanshëm si Ai  është një punë e vështirë, aq më tepër brenda caqeve të kufizuara të një shkrimi në një rast jubilar si ky.

Me jetën dhe veprën e tij prof. Rexhep Qosja dëshmohet si një personalitet i shquar, një nga figurat më të shquara të shkencës dhe të kulturës bashkëkohore shqiptare, si njëri prej protagonistëve të realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, figurë poliedrike e shkencëtarit, prozatorit, dramaturgut dhe kritikut letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtarit dhe pedagogut, intelektualit atdhetar dhe qytetar, që e ka lidhur jetën dhe krijimtarinë e tij me fatet e vendit dhe të kombit të tij, të kombit tonë një dhe të pandarë.

Vepra e shumanshme e Rexhep Qosjes është një pasqyrë e kontributit të tij për zhvillimin e shkencës, të arsimit dhe letërsisë shqipe; ajo ka luajtur një rol themelor në proceset e emancipimit dhe të ngritjes së ndërgjegjes atdhetare, qytetare e morale të popullit të vet, e afirmimit të aspiratave të tij, për rritjen e prestigjit të shkencës dhe të kulturës kombëtare të shqiptarëve në mbarë botën shqiptare dhe përtej saj.

Studimet për procesin historik të zhvillimit të letërsisë shqipe të shekujve të shkuar, gjykimet për zhvillimet e saj aktuale dhe shkrimet polemike të ngjeshura me argumente historike, për çështjen kombëtare të shqiptarëve, përbëjnë fondin kryesor të veprës shkencore të krijuara në një hark kohor pesëdhjetëvjeçar.

Ajo është shprehje e ndërgjegjes intelektuale të epokës kur për këtë popull proceset e njësisë dhe të lirisë, të zhvillimit mendor e shpirtëror, janë pjesë dhe kusht i qenies sonë dhe i ardhmërisë sonë, në vorbullat e kohëve të trazuara që kemi kaluar e kalojmë, ende të kërcënuar prej rreziqesh që vijnë nga anë të ndryshme, por jo rrallë edhe prej vetvetes. Në këtë mes Rexhep Qosja, me veprën e tij voluminoze ka kryer rolin e një institucioni.

Në gamën e gjerë të veprimtarisë intelektuale të R. Qosjes, vendin kryesor e zë shkenca, studimet në fushën e historisë së letërsisë sonë kombëtare, që i vënë vulën profilit të tij shkencor. Letërsia jonë kombëtare, në prerjen e saj diakronike dhe sinkronike, në truallin mëmë të Shqipërisë gjuhësore dhe në diasporë, problemet dhe proceset bashkëkohore të jetës letrare, kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve, të zhvillimit të gjuhës shqipe dhe të rolit të shkrimtarit në këtë mes, albanologjia dhe në mënyrë të veçantë një nga degët më të reja të saj, historiografia letrare, probleme dhe aspekte metodologjike të zhvillimit të saj dhe të kulturës, gjithçka që ka të bëjë me progresin shpirtëror, mendor e shoqëror të popullit të vet dhe u shërben përpjekjeve për të mbrojtur identitetin etno-kulturor të kombit, nuk është e huaj për interesat intelektuale, për ndërgjegjen shkencore dhe qytetare të R. Qosjes.

Letërsia artistike, një nga monumentet e mëdha të gjalla të kulturës së kombit, dëshmi e gjenisë së tij krijuese, është për prof. Qosjen edhe “dëshmi e dinjitetit sovran të kulturës shqiptare”. Në kushtet e një politike të egër shoviniste dhe të një gjenocidi edhe kulturor që ushtrohej ndaj shqiptarëve në shtetin tashmë të shpërbërë jugosllav, puna e albanologut e sidomos e historianit të kulturës shqiptare, nuk ishte thjesht një profesion, por një mision, për të mbrojtur dhe afirmuar vlerat identitare të kombit. Me vetëdijen e këtij misioni, R. Qosja, si shumë intelektualë të tjerë të brezit të vet, iu kushtua kësaj fushe të dijes. Ai, midis të tjerave, i hyri projektit për një histori të letërsisë kombëtare duke shkrirë në studimet e tij talentin e rrallë, erudicionin dhe pasionin shkencor e qytetar, duke i dhënë jetë një biblioteke të pasur veprash shkencore. Midis tyre mjafton të përmendim veprën madhore “Historia e letërsisë shqipe”, të projektuar në shumë vëllime prej të cilëve deri më sot janë botuar tri vëllimet e para për romantizmin (1984, 1986), monografinë me titull “Porosia e madhe” (1986) kushtuar veprës së poetit kombëtar, Naim Frashërit, monografitë “Asdreni dhe vepra e tij” (1972), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979) dhe “Tri mënyra të shkrimit shqip” (2004), përmbledhjet me studime e kritika “Dialogje me shkrimtarët” (1968), “Kontinuitete” (1971), “Panteoni i rralluar” (1973), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975, 2005) etj.

Kontributi që sjell R. Qosja me këto vepra është një kontribut themelor për historinë e letërsisë dhe të kulturës kombëtare, sidomos për institucionalizimin e historiografisë letrare si disiplinë e mirëfilltë e pavarur shkencore, për ngritjen e prestigjit të saj dhe për konstituimin e shkollës shqiptare historiko-letrare.

Tipar i profilit shkencor të R. Qosjes është fusha e gjerë e pamjes së tij si historian i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Me vizionin e tij të hapur historik ai ka rrokur universin letrar shqiptar në ato përmasa që rrallë ka mundur ta bëjë studiues tjetër, madje dhe në një kontekst më të gjerë ballkanik dhe evropian. Por rëndësia e kontributit të R. Qosjes në studimet letrare nuk qëndron thjesht në rrethin e gjerë të çështjeve që ka bërë objekt studimi, por në radhë të parë në thellësinë dhe në metodën e trajtimit të tyre, në risinë metodologjike dhe në mjeshtërinë e analizave të formës e të poetikës së zhanreve letrare, në pasurinë e ideve dhe të zgjidhjeve shkencore që jep ose të tezave të reja që shtron, të cilat i hapin rrugë zhvillimit të mëtejshëm të mendimit shkencor.

  1. Qosja, duke iu përmbajtur një koncepti shkencor historicist, e sheh letërsinë si një proces të kushtëzuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm. I gjendur midis dy skajeve: trajtimit të letërsisë “si pasqyrë e realitetit shoqëror, si shprehje besnike e tij, si strukturë e drejtuar kryekëput prej rrjedhave shoqërore, domethënë prej makrostrukturës historike”, nga njëra anë, dhe trajtimit të letërsisë “si një strukturë plotësisht e pavarur prej rrjedhave shoqërore dhe historike”, nga ana tjetër, ai parapëlqen ta shohë veprën artistike “si një tërësi, si një totalitet të strukturuar sipas ligjësive të veta specifike, të kushtëzuara prej natyrës së saj specifike dhe, njëkohësisht heton edhe lidhjet e ndryshme që ka me strukturat jashtëletrare, prej të cilave asnjë formë e aktivitetit intelektual dhe imagjinar nuk mund të jetë plotësisht e pavarur”. Me këtë synim të qartë studiuesi i hyn labirintit të procesit letrar duke propozuar dhe një skemë të re periodizimi që merr në konsideratë të gjithë faktorët, tekstin dhe kontekstin, evolucionin e stileve, ndryshimet në sistemin e zhanreve dhe këmbimin e rrymave e të shkollave letrare.

Koherenca e metodës shkencore që ndjek R. Qosja në studimet e veta fiton një vlerë e rëndësi të veçantë në kushtet e eklektizmit metodologjik, ose të krizës metodologjike, që mundon sot e kësaj dite historiografinë dhe kritikën letrare. R. Qosja nuk ndjek modat dhe studimet e tij mund të mos jenë “në modë”, por janë moderne.

Studimet e R. Qosjes, të realizuara mbi bazën e një njohjeje të thellë të objektit, të një erudicioni dhe informacioni shkencor bashkëkohor, të frymëzuara nga ndjenja e thellë e kulturës shqiptare dhe e gjallërisë së saj, janë rezultat i kërkimit këmbëngulës të së vërtetës shkencore, të çliruar nga idealizimet romantike nacionaliste dhe nga komplekset e inferioritetit, në mos të nihilizmit, që ndjekin shpesh kulturat e popujve të vegjël.

Një shkencëtar që ia ka kushtuar jetën artit të fjalës njerëzore nuk mund të jetë indiferent ndaj magjisë së gjuhës. R. Qosja e ndien thellë forcën dhe bukurinë e fjalës dhe çmon krijimtarinë gjuhësore të shkrimtarëve që në kohën e tyre i japin jetë të re fjalës, duke pasuruar e lëvruar gjuhën e kombit. Me këtë lidhet vëmendja që u kushton ai, në studimet e tij, zhvillimit të gjuhës së letërsisë artistike të Rilindjes, aspektit gjuhësor të stilit të shkrimtarit, formave të ligjërimit dhe funksionit të tyre artistik. Po me këtë lidhet edhe përkushtimi ndaj çështjeve të zhvillimit të gjuhës letrare të njësuar e të kulturës së gjuhës, preokupimi për përgjegjësinë gjuhësore të shkrimtarit dhe të çdo punëtori të letrave, të kritikut, të publicistit dhe të shkencëtarit.

Rexhep Qosja e kërkon fjalën e bukur, shprehjen e çlirët dhe të përpiktë edhe në shkrimet e tij. Me kujdesin e mjeshtrit që skalit gurin ai punon të skalisë gjuhën e shkrimeve të veta të cilat shpesh të rrëmbejnë me forcën dhe bukurinë e stilit. Për veprën e tij është karakteristike edhe stili i rreptë shkencor dhe stili polemit i pasionuar, fryma objektive dhe patosi ironik; ana racionale dhe emocionale janë shpesh të shkrira në një të vetme në studimet, kritikat dhe esetë e tij.

Përmasa e vërtetë e personalitetit të Rexhep Qosjes nuk mund të kuptohet pa angazhimin e tij për çështjen kombëtare. Studimet, artikujt dhe polemikat e tij kushtuar problemit kombëtar dhe pozitës së shqiptarëve në Jugosllavinë e djeshme, me argumente historike, politike e kulturore, e kanë trajtuar zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve si një të drejtë legjitime dhe si një synim historik ende të parealizuar. Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë dhe njësisë kombëtare kalon përmes aksionit të vetëdijshëm kombëtar, me shkrimet dhe studimet e veta të përmbledhura në librat “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Paqja e përgjakshme”, “Tronditja e shekullit”, “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe të tjera, pjesë integrale e veprës së tij shumëvëllimëshe, Rexhep Qosja e shtron problemin edhe në perspektivë historike, duke përvijuar një program për zgjidhjen e tij, dhe duke përcjellë një mesazh historik. Ky mesazh që përshkon tejendanë këtë pjesë të veprës së Qosjes, i ka dhënë lexuesit kohën të provojë se mendësia e nënshtrimit dhe e pritjes pafund mund të çojë në zhburrërimin e substancës njerëzore kombëtare, dhe ka ndihmuar të ndërgjegjësohet jo vetëm faktori kombëtar, por edhe faktori ndërkombëtar, për drejtësinë e aksionit çlirimtar të një populli që kërkon të jetojë i lirë në truallin e vet.

Por Rexhep Qosja nuk mund të kuptohet as pa angazhimin e tij intelektual dhe qytetar për çështjen kombëtare dhe për pozitën e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë kufijve politikë të shtetit të sotëm shqiptar. Ai me argumente historike, politike e kulturore e trajton zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve si një të drejtë legjitime dhe si një synim historik ende të parealizuar. Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë kombëtare kalon përmes qëndresës dhe aksionit të vetëdijshëm kombëtar, me shkrimet dhe studimet e tij të përmbledhura në librat “Populli i ndaluar” (1990) dhe “Ligjërime paravajtëse” (1996), R. Qosja e shtron problemin në perspektivë historike, duke përcjellë mesazhin e moralit të kurajës, të dinjitetit dhe të qëndresës.

Vepra e krijuar prej Rexhep Qosjes është para së gjithash rezultat i një përkushtimi e mundi mbinjerëzor dhe i një disipline pune e organizimi të admirueshëm të kohës. Ai nuk ka kaluar asnjë ditë të jetës së tij të ndërgjegjshme pa bërë asgjë, ndërsa gjithë jetën ka bërë pikërisht atë që duhet të bënte, i është kushtuar kulturës, studimit shkencor dhe çështjes së kombit të vet.

Në profilin shkencor të R. Qosjes kanë lënë gjurmën e tyre parimet e moralit të tij njerëzor. Njeriu, siç shkruan ai, në çdo punë të vetën vë dhe një pjesë të nderit të tij. Ky parim i etikës shkencore është një nga veçoritë e punës së këtij dijetari me mendim të pavarur, me temperament e shpirt antikonformist, të këtij shkencëtari dhe intelektuali të shquar, ndërgjegjja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnjë kompromis e diktat që i bën dhunë të vërtetës dhe vë në pikëpyetje objektivitetin, nderin dhe ndershmërinë shkencore e njerëzore.

Profili i Rexhep Qosjes si krijues bashkon në një shkencëtarin dhe artistin, shkrimtarin që me veprën e tij letrare, spikat si një zë i veçantë në zhvillimet e letërsisë shqipe, me ndikim të veçantë në proceset e zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë e në Shqipëri, të emancipimit të saj prej trysnisë që bënin mbi të faktorët jashtëletrarë politikë e ideologjikë.

Është e njohur ndjeshmëria dhe angazhimi i tij intelektual dhe qytetar ndaj dukurive negative që pengojnë funksionimin normal të një shteti normal të së drejtës në Shqipëri dhe Kosovë, ose angazhimin e prof. Qosjes për mbrojtjen e një prej vlerave më të mëdha të kulturës sonë shpirtërore, gjuhës letrare të njësuar, të gjendur kohët e fundit para një përpjekjeje sistematike për të fabrikuar një të ashtuquajtur “neostandard”, përkrahur fatkeqësisht, jo për arsye të brendshme gjuhësore, por si shprehje të një mendësie të ngushtë regjionaliste të bartësve të saj, që nuk arrijnë të shohin përtej rrezes së katundit të tyre, ose të minares së xhamisë të bajrakut të tyre.

Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë, njësisë kombëtare dhe demokracisë, kalon përmes aksionit të vetëdijshëm kombëtar e shoqëror, Rexhep Qosja e shtron problemin edhe në perspektivë historike, duke përvijuar një program për zgjidhjen e tij, dhe duke përcjellë një mesazh qytetar. Ky mesazh, që përshkon tejendanë veprën e Rexhep Qosjes, i ka dhënë kohë lexuesit të provojë se mendësia e nënshtrimit, e pritjes pa fund, e indiferencës dhe e heshtjes, mund të çojë në zhburrërimin e substancës njerëzore e kombëtare.

Parimi i etikës shkencore, është një nga tiparet e punës së këtij intelektuali me mendim të pavarur, me temperament dhe shpirt antikonformist, të këtij shkencëtari të shquar, ndërgjegjja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnjë kompromis e diktat që i bën dhunë të vërtetës dhe vë në dyshim objektivitetin, nderin dhe ndershmërinë intelektuale e njerëzore.

Një vend të veçantë në veprën e prof. Qosjes zë angazhimi i tij intelektual dhe qytetar për çështjen kombëtare. Duke mos qenë një soditës i rrjedhave historike që mund ta çonin fatin e kësaj çështjeje ose drejt zgjidhjes ose drejt humbjes së shansit historik, por një protagonist aktiv në përpjekjet për zgjidhjen e saj, Rexhep Qosja, jo vetëm me librat e tij për çështjen kombëtare, por edhe me ditarët e tij, hedh dritë në anë të njohura dhe të panjohura të këtij procesi, duke mbajtur gjithmonë anën e atyre forcave dhe zhvillimeve që shprehnin tendencën historike, si një të drejtë legjitime të një populli për të cilin, sipas pikëpamjes së Rexhep Qosjes, bashkimi kombëtar është një synim historik ende i parealizuar, por absolutisht jo i dënuar si ireal për shkak të mendimit politik konjuktural.

Vepra e shumanshme e prof. Qosjes është shprehje e ndërgjegjes intelektuale dhe qytetare të kësaj kohe, kur për shqiptarët, proceset e lirisë, të njësimit kombëtar, të emancipimit të përgjithshëm dhe të ndërtimit të një shoqërie demokratike, janë pjesë dhe kusht i qenies sonë dhe i ardhmërisë sonë, në vorbullat e kohëve të trazuara që kemi kaluar e kalojmë, ende të kërcënuar prej rreziqesh që vijnë nga anë të ndryshme, por jo rrallë dhe prej vetvetes.

(Ky material është përgatitur nga Botimet Toena dhe ILP, bazuar në studimet e prof. Jorgo Bulo (1939 – 2015), akademik, ish kryetar i Bordit Drejtues të Institutit të Librit dhe Promocionit mbi veprën e Akademikut Rexhep Qosja).

Irena Toçi

Drejtore e Përgjithshme

Botimet Toena

dhe Drejtore ekzekutive

Instituti i Librit dhe i Promocionit

Filed Under: ESSE Tagged With: DITËLINDJA E 80–të, E AKADEMIKUT, Irena, rexhep qosja

Rexhep Qosja: Jo Gjykatës Speciale, shqiptarët s’duhet ta dënojnë vetveten

June 6, 2015 by dgreca

Akademiku i njohur Rexhep Qosja i bën apel politikës shqiptare në Kosovë të mos votojnë themelimin e Gjykatës Speciale.
“Shqiptarët nuk do të duhej, në asnjë mënyrë, ta dënojnë vetveten, nuk do të duhej të vetëdënohen” thotë Qosja në një intervistë botuar sot në gazetën e Kosovës “Epoka e re”.
Rexhep Qosja: Për mua është me rëndësi politike dhe etike, është me rëndësi historike, është me rëndësi kombëtare, që atë Gjykatë të mos e themelojnë vetë shqiptarët. Shqiptarët nuk do të duhej, në asnjë mënyrë, ta dënojnë vetveten, nuk do të duhej të vetëdënohen”
Duke folur në këtë intervistë edhe për dënimin me burgim të ish-komandantëve të UÇK-së, Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe bashkëluftëtarëve të tyre, Qosja ka thënë se këto janë dënime të frymëzuara prej motiveve politike e të bëra për qëllime politike.
Duke folur për kuvendin e fundit zgjedhor të LDK-së, zgjedhjen me Isa Mustafës kryetar, Qosja e ka krahasuar me bolshevikët e Stalinit e fashistët e Musolinit.
Qosja komenton dhe ngjarjen në Kumanovë. Sipas tij është shkaktuar prej politikës nacionaliste të Nikolla Gruevskit dhe bën me përgjegjësi edhe dy partitë shqiptare, BDI-në dhe PDSH-në.
Katër ngjarjet që do të ndikojnë në politikën e Kosovës dhe Shqipërisë
Rexhep Qosja: “Kohët e fundit politikën kosovare e kanë shënuar ato katër ngjarje -ndonjëra prej tyre e pritur e ndonjëra e papritur. Dhe këto katër ngjarje janë: 1. Sulmi blickrig i Qeverisë së tanishme të Maqedonisë ndaj lagjes shqiptare në Kumanovë, në të vërtetë ndaj kundërshtarëve të asaj qeverie, që ishin vendosur në atë lagje; 2. Dënimi i komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, dhe i disa pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; 3. Mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës për miratimin e ligjit mbi themelimin e Gjykatës së Veçantë për trajtimin dhe dënimin e krimeve eventuale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; dhe 4. Kuvendi i Tetë Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilin kryetar i kësaj partie u rizgjodh Isa Mustafa. Këto katër ngjarje jehuan, cila më shumë e cila më pak, në jetën kombëtare shqiptare në përgjithësi, kurse tri prej tyre patën dhe do të vazhdojnë të kenë jehonë edhe ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto katër ngjarje do të jenë me ndikim edhe në politikën e ardhshme të Kosovës e të Shqipërisë, por dy prej tyre edhe në politikën e faktorëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës dhe, mund të jetë, ndaj Shqipërisë”

Filed Under: Interviste Tagged With: Jo Gjykates Speciale, rexhep qosja

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT