• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përse duhet të takohen përfaqësuesit e politikës shqiptare në Maqedoni?

December 29, 2016 by dgreca

1-arben-llalla-250x299Nga Arben LLALLA/Problemi i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni ka bërë që klasa politike të mos ketë një program koordinimi afatgjatë për zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët e këtushëm. Mëritë personale të udhëheqësve partiakë reflektohen në inate kolektive. Mëritë për unin, kryeneçësinë individuale kanë çuar në acarrime të thella mes krerëve të politikës shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë, duke bërë që shpesh herë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në Europë dhe Ballkan. Ajo çka është shqetësuese sot janë marrëdhëniet e e egra që gjallojnë midis liderëve, të cilat me dasje apo padashje përcillen tek anëtarësia e thjeshtë.

U fol e u përfol shumë takimi i disa liderëve të partive shqiptare në Maqedoni si Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Vejsel Mehmeti dhe Gëzim Ostreni për unifikimin e një programi politik shqiptar për krijimin e qeverisë në Maqedoni. Nuk ka asgjë të keqe, nëse përfaqësuesit shqiptarë takohen, diskutojnë me sho-shoqin, por duhet që në këto takime të gjithë të jenë të barabartë. Në takimin në fjalë u duk se diçka nuk ishte e barabartë, pasi Ali Ahmeti ishte bashkë me Teuta Arifin e cila prej disa motesh i qëndron mbi kokë si çekiç, ndërsa Sela, Vejseli dhe Ostreni ishin bashkë.

Do të ishte më e ndershme që në takimin e radhës mes përfaqësuesve të shqiptarëve të jenë edhe përfaqësuesit e “BESA” dhe PDSH, duke mos u bërë bisht bisedave për unifikimin e qëndrimeve kombëtare, sepse nuk është fundi i botës, nëse pinë një kafe për të diskutuar për të mirën e shqiptarëve. Kjo, pasi çdo herë pinë kafe bashkë, kur bëhet fjalë për të mirën e sllavo-maqedonasve, duke i buzëqeshur Brankos dhe Gruevskit e herë Sashenkos e Zaevit.

Çështja është që në takim të gjithë të ndihen të barabartë, ku Sela dhe Vejseli duhet të jenë vetë i dytë ashtu sikurse kishte marrë me vete Aliu çekiçin. Ndërsa prania e Gëzim Ostrenit është e tepërt, sepse partia e tij nuk ka ndonjë ulëse në Kuvendin e Maqedonisë, ndaj nuk ka pse të qëndrojë atje, sepse në politikë nuk ekziston parimi “rëndësi ka të marrësh pjesë në garë”.

Koha kërkon që drejtuesit politikë shqiptarë të Maqedonisë të  zhvishen nga paragjykimet, të jenë më seriozë, të ndahen nga padronët politikë sllavo-maqedonas. Të shohin mundësinë e krijimit të Këshillit të koordinimit të politikës shqiptare mes forcave politike, shoqatave, të iniciativave qytetare e më gjerë. Për të jetësuar të drejtat e shqiptarëve; zgjedhjen përfundimtare të çështjes së gjuhës, flamurit, invalidëve të luftës së 2001, ekështu me radhë, liderët shqiptarë në Maqedoni duhet të çlirohen nga ndikimet e Shqipërisë dhe Kosovës, por të funksionojnë në mënyrë institucionale, pra nëpërmjet funksionimit shtetëror. Në rast të kundërt injorimi i strukturave shtetërore do të shfrytëzohet nga politika përçarëse.

Ka ndonjë lider partie që çirret që është më “patrioti”, se paska luftuar me armë në tre luftëra, patriot që punon për “Shqipërinë dhe shqiptarët” e natyrisht ëndërron që një ditë emri i tij të lartohet krah burrave të shquar të kombit shqiptar si Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Faik Konicës, Frashëllinjëve, Ismail Qemalit, Adem Jasharit. Kjo është e drejta e çdokujt të mendojë si të dojë, por radhitja në listën e emrave të lartpërmendur nuk bëhet duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Duke dalë shpëtimtar i një qeverie, në momentin kur ajo është mospërfillëse ndaj kërkesave themelore të shqiptarëve.

Liderët e sotëm politikë duhet të udhëhiqen nga shembulli i etërve të Kombit, pra të jenë të bashkuar e jo të përçarë.

Meqenëse disa politikanë të këtushëm janë të ndjeshëm ndaj opinioneve të mia, të jenë të qetë e të mos shqetësohen, nëse mizën nuk e kanë nën kësulë.

Prandaj uroj që në takimi e radhës tryezës së bisedimeve t’ju shtohen edhe të tjerët sa nuk është vonë e mos të luajnë rolin e të vështirit. Të ulen e të bisedojnë të gjithë tok, sepse kjo nuk do të thotë që kanë ulur kryet përpara njëri-tjetrit, por të merren vesh njerëzishëm e të punojnë për mbarësibe e shqiptarëve të Maqedonisë.

Në këtë shkrim mund të flisja edhe me fakte më konkrete, por interesi kombëtar e kërkon që të bashkohemi dhe jo të përçahemi.

I shkruajta këto rreshta dhe mendime për ata që kanë dy pare mend e duan mend, e jo për ata që nuk kanë mend e nuk duan mend.

Filed Under: Politike Tagged With: arben llalla, ne Maqedoni, shqiptare, Takimi i politikes

A e meritojmë varfërinë!?

December 28, 2016 by dgreca

( Sipas optikës së Thomas Sowellit /

Duke kërkuar albanica në botimet amerikane/

_andon_dede_830661772

nga Dr. Andon Dede, Nju York/Si zor të ketë njeri që, sapo vetëdijësohet për statusin social ku gjendet, të mos i ketë bërë vetes një sërë pyetjesh, si këto: “Pse kjo pabarazi kaq e madhe mes njërëzve? Pse unë/ne të jem/jemi ndër më të varfërit e jo si gjithë të tjerët, në mos edhe më i/të pasur? A është faji im/ynë për këtë gjendje që po përjetoj/më apo i dikujt tjetër? Ç’duhet bërë për të dalë nga kjo varfëri e skajshme e për të jetuar dhe unë/ne, si gjithë bota? … e një sërë pyetjesh të tjera të kësaj natyre.Migjeni, agjë të mos kishte shkruar tjetër veç “Poemës së mjerimit” do të meritonte të ishte në piedestal: “Kafshatë që s’kapërdijhet asht or vlla, mjerimi, kafshatë që të ngec në fyt e të kap trishtimi…”Pra, a e meritojnë popujt apo dhe individët varfërinë apo mjermin që përjetojnë? A është ai përherë i përligjur apo, në të kundërtën, ata që rropaten më shumë shpesh vuajnë më tepër dhe e anasjellta?!Nuk është e vështirë për të gjetur përgjigjen e tërë këtyre pyetjeve, po qe se gërmon në literaturën e pasur social-politike që e gjen me bollëk jo vetëm në biblioteka e librari por dhe në Internet. Këtë u përpoqa të bëj dhe unë, sapo mora në dorë librin e fundit të autorit të njohur Dr. Thomas Sowell, i Institutit Huver, në Universitetin e Stanfordit: “Pasuria, Varfëria dhe Politika”. Kjo për dy arsye: së pari, se me këtë autor jam familjarizuar prej kohësh për shkrimet e herëpasherëshme që ka botuar në revistën periodike të Institutit në fjalë,” Huver Diggest”, ku jam pajtuar prej rreth njëzet vjetësh. E dyta dhe më kryesorja është se, siç e kam pohuar edhe në ndonjë shkrim të mëparshëm, sa herë që marr në dorë libra të kësaj natyre, gjë e parë që bëj, shkoj tek treguesi se mos ka ndonjë gjë për Shqipërinë. Edhe në këtë libër e gjeta emrin e vendit tim. Përmendej vetëm një herë, që në kapitullin e parë, si shembull i një shteti nga më të varfërit, i krahasueshëm me Ukrainën e Sërbinë e që ka GDP-në tre herë më të vogël se Gjermania, Svicra e Danimarka dhe pesë herë më të vogël se Norvegjia. (Libri në fjalë, botim anglisht, f.5).

Kjo më la një shije të keqe edhe pse e dija prej kohësh këtë diagnozë për vendin tim. Por, se si të vjen kur ta thonë të tjerët. (Sipas të dhënave zyrtare rezulton se rreth 14.3% e familjeve tek ne jetojnë në varfëri absolute, e përcaktuar në Shqipëri si numёri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë, ndёrsa, rreth 2.2% në varfëri ekstreme, ku pёrfshihen ata persona që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).

Vendet e varfra, kudo në botë, dallohen edhe për shpenzimet e larta që bëjnë për ushqime. Shqiptarëve iu merrte ky zë në fillim të këtij shekulli rreth 70 përqind të të ardhurave, ndërkohë që në vendet e tjera të Europës qe tek 15 pëqindëshi. Me gjithë zhvillimet që kanë ndodhur dhe tek ne, si kudo në botë, akoma popullit tonë ushqimet iu marrin rreth gjysmën e të ardhurave, duke ulur ndjeshëm shpenzimet për arsim e shëndetësi, dy shtyllat bazë për një zhvillim normal të vendit.

Me që nuk përmendej më Shqipëria, sikur m’u ftoh pak dëshira për ta vazhduar më tej librin, por nuk ndodhi kështu. Dhe ja sepse: vërtet që vendi im nuk përmendej më me emër por, e them pa e tepëruar se gjithë përmbajtja e librit dukej sikur qe shkruar pikërisht për ne, për të na mbushur mendjen se kjo gjendje e vajtueshme që po përjeton populli ynë, ka arsye të thella e tepër komplekse, njohja e të cilave, në gjerësi e thellësi, sikur na e lehtëson deri diku ankthin që na rëndon për gjendjen ku jemi. (si ai nxënësi që revoltohet shumë për notën e keqe që ka marrë në provimin me shkrim por, më pas, e mbyll gojën e ndjehet edhe si i turpëruar kur mësuesi i tregon gabimet që ka bërë e që ai e pat akuzuar me pa të drejtë atë). Këtë po përpiqem të bëj dhe unë, aq sa më lejojnë caqet e këtij shkrimi.

E shoh të arsyeshme të kthehem pak mbrapa në kohë, për të kuptuar edhe më mirë, gjithënjë sipas optikës së Sowellit, se rrënjët e këtij realiteti janë më të thella nga sa na duken. Ja ç’shkruan Mehdi Frashëri në librin e tij “Problemet shqiptare”: “Një i huaj kur vjen nga Europa në Shqipëri, sheh një vend mjaft të bukur; me brigje deti, me limane të mira, me fusha pjellore, me ujëra të bulbërta e të shumta, me male te egra, por piktoreske, me liqene, me lumenj, në një kënd të Evropës që përbën bregun e detit perëndimor të Ballkanit. Me gjithë këtë, sheh njerëz të zbehur nga fytyra, të venitur nga sytë, të rreckosur nga rrobat, të palarë e të parruar, faqet të thelluara midis rreshtave të nofullave nga mungesa e ushqimit; qetë e lopët, kuajt e gjithë gjëja e trashë, të vegjël e të dobët. Nuk sheh asnjë vijë udhë të hekurt, as një liman të sistemuar, as fabrika, as pallate, as universitete, as spitale që të përfshijnë kushtet shëndetësore. Gjithashtu i huaji që na viziton nuk sheh as vepra arti, të vjetra ose të reja, me një fjalë, asgjë nga ato që shihen kudo në vende të qytetëruara. Vetvetiu këtij të huaji i vjen ndër mend pyetja: Pse ka mbetur kështu ky vend? (Antologjia e mendimit shqiptar 1870-1945, botimet “Toena”. Tiranë 2003, f. 396). Pra, mendjet tona të ndritura, që nuk i kanë munguar kurrë këtij vendi, e kanë shtruar me kohë pyetjen sowelliane, në se mund ta quajmë kështu: Pse kjo gjendje?

Kthehemi tek tema që nisëm. Së pari, dy fjalë për autorin e librit, Thomas Sowell. Aktualisht merret me studime në Institutin Huver, por ka dhënë leksione për Ekonominë në disa nga universitetet më të njohura të Amerikës, si Cornell, UCLA, Amberst etj.. Është autor i dhjetra publikimeve ekonomiko-politiko-sociale. “Skandal që ekonomisti Thomas Sowell nuk e ka marrë çmimin “Nobel”, – do të shkruante për të revista autoritare “Forbes”. – Askush nga ata që jetojnë nuk i ka trajtuar problemet ekonomike me kaq gjerësi e thellësi si ai, duke i parë ato në raport me faktorët gjeografikë, socialë e politikë…”.

*  *    *

Libri në fjalë përbëhet nga pesë pjesë. Le t’i shohim ato me radhë e, sipas këndvështrimit të autorit, le të hapim ndonjë parantezë për vendin tonë.

Në pjesën e parë autori analizon faktorët gjeografikë, ku përfshin reliefin, burimet ujore, klimën, botën bimore e shtazore etj. Siç shihet janë ata faktorë që nuk varen nga njeriu por që çdo popull i trashëgon, herë për mirë e herë për keq. Por, njeriu, nuk është indiferent ndaj tyre apo pasojave të tyre, faktorë këta që autori i shtjellon hollësisht e bindshëm.

Lind pyetja: a duhet të jemi të kënaqur ne me atë që na ka dhënë Natyra apo Zoti, për gjithësa evidentuam më sipër? Edhe po, edhe jo. Kemi një terren malor, por që në brendësi ka pasur e ka thesare, tjetër punë se sa i kemi zbuluar ato e se si i kemi shfrytëzuar e menaxhuar. Mos u habitni kur t’ju them se në vendin tonë të vogël gjenden pothuajse tërë elementët e tabelës së Mendeljevit? (Sigurisht, jo të gjithë në koncetrimin e duhur për t’u shfrytëzuar, por kjo nuk e zhvleftëson atë që thamë më lart për nëntokën tonë të pasur). Po flasim për vlera relative. Por, a ju shkon në mendje se ne, gjatë Diktaturës, kemi arritur të jemi të parët në botë për prodhimin absolut të kromit, kësaj pasurie të madhe që do të na e kishin zili të gjithë?! Por, si e menaxhoi shteti ynë i atyre viteve, i ashtuquajtur “popullor e socialist” këtë shans të jashtzakonshëm? A e vlen të zgjatemi për këtë kur dihet tashmë se ç’është bërë me valutën e përfituar: mjafton të kujtojmë 700 mijë bunkerët që nuk i hynë në punë askujt.

Mirë ajo kohë e ai sistem që shkuan e vanë por ne, dhe tani po i trajtojmë pasuritë nëntokësore sikur të ishin të hasmit e jo tonat. Media na ka njohur e vazhdon të na informojë përditë për milionat në mos edhe miliardat e dollareve që fitojnë shoqëritë e huaja me naftën tonë apo dhe me mineralet e tjera.

Po burimet ujore? A e dinë vallë të gjithe se jemi ndër vendet më hidrike të rajonit apo dhe më gjerë e, megjithatë, akoma nuk kemi ujë për të pirë gjatë gjithë kohës, fakt tjetër ky tepër domethënës për të kuptuar një nga shkaktarët kryesorë të mjerimit tonë.

Po klima jonë dhe bota bimore e shtazore që gjallon në të, a janë në favorin tonë?! Do të thosha po, me të madhe. Kujtoni Zvicrën malore, kurse ne, plus asaj, kemi dhe detin. Terreni ynë kodrinoro-malor është shumë i përshtatshëm për pemtari, vreshtari e një blegtori intensive. Por, të kap tmerri kur kujton se ç’u bë në to gjatë Diktaturës, për të siguruar gjoja bukën në vend, duke shkatërruar kullota, korije e pyje shekullorë. A ju kujtohet kontrasti që vihej re sa herë kalonim kufirin, kur na u dha mundësia të dalim jashtë shtetit?! Prapë, një parantezë të vogël lidhur me sa po diskutojmë. Ja se ç’shkruan Kadareja për sa më sipër:

“Fati, ndonëse na është bërë zakon ta mallkojmë, na ka caktuar ne shqiptarëve të jetojmë në një nga zonat më të bukura të Evropës. Ne harrojmë shpesh këtë, harrojmë që ky vend, sharjet ndaj të cilit i kemi në maj të gjuhës, ky vend  pra,  i vendosur midis Venedikut, Romës e Athinës ka një përbërje  gjeografike të mrekullueshme, se ai ka një klimë të admirueshme, se ka pasuri natyrore të shumta, se ka ndoshta plazhet më të bukura të kontinentit. Ne harrojmë ç’do të thotë ankthi shekullor i vendeve që nuk kanë dalje në det, pa përmëndur vendet e izoluara në thellësi të kontinenteve, pa përmëndur trojet e gjëra të kësaj bote të mbushura me shkurre, shkretëtira e trishtim, e që mbulojnë tri të katërtat e rruzullit tokësor. Ne i harrojmë këto dhe, me qënëse jemi midis një kopshti plot me shtete pasanike, na pëlqen të qahemi që nuk jemi si ata”.

Në pjesën e dytë autori trajton faktorët kulturorë, përhapjen e Kulturës, raportet e saj me Ekonominë dhe Progresin. Siç shihet, nuk është fjala për kulturën në përgjithësi, siç jemi mësuar ta shohim ne, duke përmendur shifra e fakte se sa shkolla, universitete e institucione të tjera kemi në raport me popullsinë, por kryesisht se sa efektive është kultura që u japim të rinjve për të përballuar ekonominë e tregut ku kemi hyrë dhe morinë e problemeve që e shoqërojnë atë. Po tё shohim historinё e zhvillimit ekonomik, kudo në botë, thekson autori, vёrejmё se tё gjitha arritjet apo ndryshimet janё realizuar nё saje tё Kulturёs. Ai përmend gjermanët të cilët, kudo që kanë qënë, kanë dëshmuar aftësitë e tyre “thithëse”, kanë pasur sukses e janë bërë të pasur, jo vetëm në vendin e tyre por dhe në vende të tjera. Jo rastësisht shumë nga zbulimet në shkenccë e teknologji kanë për autorë gjermanët. Ai krahason Rusinë me Gjermaninë e Britaninë, ku mund të ketë më pak shkolla por janë më resultative në përgatitjen e kapitalit njerëzor. Pa nënvleftësar rolin e jashtzakonshëm e të pazevendësueshëm të arsimimit, ai vë në dukje se nuk është shkolla gjithçka por sa është kulturuar populli në tërësi, nga gjenerata në gjeneratë. Si shëmbull ai fillon me Edisonin e Fordin dhe përfundon me Majkëll Dellin e Bill Gejtin, shpikjet dhe zbulimet e të cilëve kanë shënuar epokë në historinë e njerëzimit, edhe pse ata nuk kishin mbaruar shkollat në ciklin e tyre të rregullt. Pra, kapitali njerëzor nuk është sinonim i shkollës por dhe i trashëgimisë  dhe i aftësive që merren përmes shumë kanaleve të tjera, jashtë sistemit arsimor. Duke marrë përsëri si shembull Rusinë e cila, sipas disave, është shquar për nivelin e lartë të shkollimit, autori vë në dukje se ajo ka treguesit nga më të ultit përsa i përket kapitalit human. Ai citon autorin Nicholas Eberstadt, i cili, në një libër për Rusinë, pohon: “Edhe me kёtё nivel tё lartё shkollimi, rreth 6 pёrqind e popullsisё me kolegje, ajo, nё vitet 1995-2008, prodhoi vetёm 1.5 përqind tё patentave nё botё, ndёrsa Gjermania 60 herё mё shumё; Japonia 200 herё; SHBA-ja 500 herё. Madje dhe njё vend i vogёl si Singapori prodhoi shumё mё tepёr patenta se Rusia e madhe. Ai e pёrligj kёtё edhe me aftёsitё asimiluese tё vetё popujve, por pa rёnё nё pozitat e racizmit por nё kultivimin tek ata, brez pas brezi, tё shprehive dhe aftёsive. Madje ai, me këtë rast, vë theksin edhe tek dështimi i determinizmit gjenetik.

Edhe sot akoma Kultura, nё kuptimin e vlerave tё brendёshme dhe qёndrimeve qё prijnё njё popullsi, vazhdon tё luajё rolin kryesor nё zhvillimin ekonomik. Autori pёrmend si shembull Nigerinё qё ёshtё e pasur nё burime natyrore por ekonomikisht tepёr e varfёr. Problemi shtrohet pra se si dhe sa arrin t’i vësh pasuritë e trashëguara nё shёrbim tё popullit. Si për të mbështetur këtë mendim të Sowellit, po citoj një pohim të Bernie Sandersit, ish-kandidatit demokrat për president, në librin e tij të botuar kohët e fundit: “Revolucioni ynë”, f. 446: ”Transformimi i Amerikës, thekson ai, është diçka më shumë se thjesht zgjedhjet. Eshtë fjala për të ndryshuar kulturën tonë”.

Sowell ndalet dhe tek thithja e informacionit, pёrmes gjuhёve e mjeteve të tjera të komunikimit masiv. Anglishfolёsit, për shembull, kanё patur, (apo edhe e kanë), pёrparёsinё qё tё bien nё kontakt shumё shpejt me arritjet mё tё fundit tё shkencёs e të teknologjisё. Mjafton tё kujtojmё Indinë: sa përparësi iu ka dhёnё anglishtja, nga qё kanё qёnё koloni e Britanisё sё Madhe. (Jam vetë dëshmitar, këtu në Amerikë, se sa shumë indianë janë punёsuar nё administratё e degё tё tjera tё ekonomisё apo shёrbimeve sociale e ku, në shumë prej tyre, kanё kapur pozicione drejtuese, nga më kryesoret, si në administratat locale ashtu edhe nё qeverinё federale). Kurse ne, apo dhe çekët, hungarezët e të tjerë, na është dashur apo dhe na duhet t’i përkthejmë në gjuhën tonë burimet e informacionit. Kohët tashmë kanë ndryshuar, falë Internetit etj. por thithja e informacionit më të avancuar mbetet një nga rrugët kryesorë për progres.

Vlen të kujtojmë këtu, shembullin tonë, me izolimin e skajshёm gjatё Diktaturёs, që na ka dёmtuar aq shumё. Kёtё e kemi ndjerë dhe vazhdojmë ta ndjejmë të gjithë ne, sa herë që ballafaqohemi me botën.

Sowell flet jo vetёm pёr dallimet midis shteteve por dhe midis grupeve sociale. Tё rinjtё e sotёm, nёnvizon ai, paradoksalisht, edhe pse kanё dekada pёrpara pёr tё jetuar, fokusohen mё tepёr tek problemet e ditёs dhe fare pak merren me tё ardhmen qё i pret e qё ka tё bёjё jo vetёm me ata por dhe me shoqёrinё ku jetojnё, nё tёrёsi.

Në pjesën e tretë të librit në fjalë autori trajton faktorët socialë duke u ndalur tek popullsia dhe aftësitë apo mundësitë mendore të popujve të ndryshëm. “Nuk ka shoqёri, citon autori Fernand Braudel-in, qё tё ketё tё gjitha rajonet apo dhe pjesёt e popullsisё tё zhvilluara njёlloj”.

Shtjellimet që bën autori në këtë pjesë janë dhe si rrjedhime të faktorëve të mëparshëm, sidomos atyre kulturorë. Por jo vetëm i atyre, po dhe i traditave shekullore që ka çdo popull, duke nisur nga e kaluara e deri në ditët tona.  Fati ynë qe i tillë që gjatë historisë, falë pozicionit tonë gjeografik, kemi qënë përherë nën kërcënimin e pushtimeve apo dhe të përdorurit të truallit tonë si fushë beteje për luftërat e të tjerëve. Kjo e ka minimizuar shumë kohën e vlefshme për t’u marrë me veten. Mjafton të kujtojmë këtu se vetëm nga fundi i shekullit të 19-të arritëm të hapim shkolla në gjuhën tonë e të botojmë gjithashtu librat e parë shqip.(mos pandehni se harrova që “Meshari” qe botuar shekuj më parë, por është fjala për botime masive e shkollore). Ne vërtet kishim të trashëguar vlera shpirtërore, si besa, mikpritja, respekti për besimet e të tjerëve etj. Por, pak jemi marrë për të kultivuar në brezat e rinj shpirtin e biznesit, përpjekjet për të fituar e mbrojtur të drejtat më elementare njerëzore etj.. Sistemi që lamë pas u përpoq të krijonte të ashtuquajturin “njeri i ri”, si në inkubator, që s’i duhej kërkujt, as vetvetes.

Në pjesën e katërt autori shtjellon faktorët politikë duke u ndalur tek roli i institucioneve politike, tek vetë politika e pluralizmi dhe tek shteti i mirëqënies. Në këtë pikë ne kemi aq shumë për të folur, por nuk na lejon koha e hapësira e këtij shkrimi. Nuk po flasim për shtetin e Diktaturës, megjithëse formalisht ai qe konsoliduar, ecte, si të thuash. Por, me pluralizmin, ne iu vumë dërrmën institucioneve sa që sot e kë vështirë të flasësh qoftë edhe një fjalë të mirë për to. Tek kjo pjesë e librit e gjen veten sidomos populli ynë me atë klasë të papërgjeshme që ka, me përdorimin e babëzitur që iu bëri institucioneve për tu vetëpasuruar, duke e katandisur shumicën e popullit në këtë gjendje të mjerueshme. Nëse ka një faktor që ne zëmë vendin e parë, në sensin negativ, janë pikërisht instutuciuonet, është politika dhe i shumëprituri pluralizëm që nuk e menaxhuam dot ashtu si të tjerët. Partitë tona politike krahasohen shpesh me grupe oligarqike apo dhe kriminale, për nga zullumet që kanë bërë e po bëjnë dhe kjo ka një kosto të madhe. Më duket kohë e humbur të zgjatem më shumë në këtë pikë, nga që lexuesi ballafaqohet me të përditë në media, ku gjallojnë tashmë jo më dhjetra por me qindra në mos mijëra burime informacioni si gazeta, radio, televizione e portale të lloj-llojshme, sa që e ke vështirë se ku të ndalesh. Por, nuk mund të rri pa theksuar se, për mendimin tim, politika dhe poltikanët kanë qënë e mbeten faktorët kryesorë të mjerimit tonë, që nga themelimi i shtetit e deri në ditët tona.

Shumë nga ata që janë shokuar, befasuar apo dhe hutuar nga pabarazitë e mëdha që ekzistojnë në mes individëve, grupeve sociale apo kombeve, janë përpjekur të gjejnë  ndonjë faktor kyç, të vetëm, si ata gjenetikë, shfrytëzues etj. për të shpjeguar pse disa janë kaq të pasur e të tjerët shumë të varfër. Siç shtjellohen në libër, faktorët janë kompleksë. Shumë nga këta individë, grupe sociale e kombe që përballen tani me këtë gjendje dhe shohin të tjerët që janë tepër përpara, tërheq vëmendjen autori, duhet të kuptojnë se faktorët që i kanë çuar në këtë gjendje nuk janë të sotëm por i kanë rrënjët dhjetra apo dhe qindra vjet përpara. Mjafton të kujtojmë, shton ai, Skocinë e shekullit të 18-të apo Japoninë e shekullit 19-të, për t’u bindur për këtë.

Në pjesën e pestë autori jep përfundimet që dalin nga gjithë sa u tha në pjesët e mëparshme. Jo rastëisht, thekson ai, nё kohё tё caktuara kanё lulёzuar vende tё ndryshme si Singapori, Hong Kongu e Koreja e Jugut, nё shekullin e kaluar. Kjo ka të bëjë pikërisht me ata faktorë që përmëndëm më lart e që iu ka mundësuar këtyre popujve të realizojnë hope cilësore. Mbi të gjitha, kjo iu dedikohet liderve politikë të këtyre vëndeve që ditën të kuptojnë kohën e t’iu krijojnë mundësi të rinjve për të çarë me sukses në biznes, teknologji, shkencë, art e kudo. Ai nuk merret me politikat që propozohen për t’i dhënë fund varfërisë e për të zvogëluar hendeqet mes të pasurve e të varfërve, përmes thirrjeve humane e iniciativave bamirëse, që i gjen me bollëk në botimet që trajtojnë temat e mësipërme por, pasi tregon shkaqet e gjendjes aktuale hedh vështrimin tek rrugët që duhen ndjekur për të dalë nga kjo gjendje. Qëllimet humanitare të këtyre propozimeve politike, thotë autori, janë shumë të rëndësishme, por pikërisht se janë kaq të rëndësishme, është vendimtare që këto sugjerime të bazohen në të kuptuarit e fakteve aktuale lidhur me shkaqet dhe pasojat e kësaj pabarazije ekonomike. Ai edhe njëherë përsërit përgjegjësitë e politikanëve vendim-marrës.

Filed Under: Politike Tagged With: A e meritojmë varfërinë!?, Andon deda

Ad hominem dhe një teori konspiracioni

December 27, 2016 by dgreca

Si të kuptojmë debatin Rama –Blushi?/

1-floqi-raf2

Nga Rafael Floqi/Michigan/ Sulmi Personal ndaj personit dhe jo mendimeve te tij, nuk është një dukurie e re për qeniet njerëzore, dhe raportet me tyre, dhe besoj se është theksuar qysh nga koha, kur “homos politicus” doli në faqen e dheut.   Ad hominem (latinisht do te thotë sulm ndaj “të njeriut” ose “sulm ndaj personit” .  Ad hominem, është një ide e gabuar logjike me argumente qe synojnë te hedhin poshtë akuzat e një personi, duke sulmuar karakterin, motivimin, apo ndonjë atribut tjetër të personit, duke e bërë atë argumentin e sulmi ndaj vetë atij personi, në vend të paraqitjes të kundërargumentit apo të sulmit ndaj thelbin të vetë argumentit.Njerëzit mund të argumentojnë për çdo gjë. Ata që debatojnë mbi politikën dhe të përpiqen për të gjetur zgjidhje. Ata që flasin për shfaqet në TV apo muzikën, sportin janë ata që duan që të nxisin e të kundërvihen njeri-tjetrit. Diskutimi në vetvete mund të jetë edhe kënaqësi si edhe një mundësi për të mësuar. Debati i shëndetshëm sfidon supozimet tona. Një argument i mirë mund të ndryshojë edhe mendjen tuaj. Shumë njerëz mbështeten në sulmet personale, si një mënyrë për të fituar një argument. Kjo nuk është një argument që të bind, edhe nëse i ve nofka të bukura kundërshtarit. Sulmi personal në vend të një argumenti të vërtetë përcaktohet si argument ad hominem. Ai nuk është arsyeja e vërtetë për të fituar debatin, ai bazohet vetëm në faktin, se kush mund të hedhë baltë më shumë, apo të bëjë maksimumin e ndotjes të tjetrit me akuza. Një argument ad hominem përpiqet  të bindë dikë duke e baltosur kundërshtarin. Në fakt, opinionet dhe idetë veçohen e qëndrojnë më vete, pa marrë parasysh se kush i bën ato.Debatet ne parlamentin shqiptar, me këtë nivel që ka arritur, natyrisht janë ekstremisht tej argumenteve të logjikës formale. Por le të vlerësojmë rastin e debatit Rama –Blushi në parlament si debat mes dy njerëzish me dhunti oratorie. Ky është një nga ato raste, kur në Kuvend nuk kishte vetëm një përballje mes Kryeministrit dhe një deputeti, por mes dy ish-miqve që sot nuk ia kursejnë njeri-tjetrit akuzat.Shtatë deputetë të Kuvendit i kishin dorëzuar një kërkesë për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama. Kërkesa ishte firmosur nga Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Ben Blushi. Deputetët shprehin shqetësimin për shtyrje me afate të panjohura të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe për këtë qëllim kërkonin sqarime urgjente nga kreu i qeverisë.  Në emër të deputetëve që përfaqësojnë grupime të ndryshme politike foli në seancë Ben Blushi.  Që kur Blushi zgjodhi të ndahej nga Partia Socialiste dhe të krijonte forcën e re politike LIBRA, në Partinë Socialiste ka pasur një urdhër politik të Kryeministrit për të shmangur komentet mbi largimin e Blushit. Strategjia është ajo që PS-ja ka ndjekur sa herë që ka pasur krisje brenda radhëve të saj, të sillej, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Fjalimeve të ashpra të Ben Blushit në Kuvend, Kryeministri Rama u është shmangur vetëm me ndonjë batutë ironike pa e përmendur emrin direkt emrin e Blushit. Por kjo indiferencë në dukje synonte ta nënvleftësonte dhe ta injoronte Blushin. Kështu ai tashmë donte një përballje live me ish-mikun e tij Rama dhe . interpelanca me procedurë parlamentare ia krijonte këtë mundësi. Rama nuk mund t’i shmangej më Ben Blushit, duke lëshuar ndaj tij Taulant Ballën apo zhurmues të tjerë.  Kryeministri ishte i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve të deputetit për çështjet e ngritura. Por edhe kësaj here Rama iu shmang thelbit, duke zgjedhur sulmet mbi personin dhe jo argumentet arsyetuese. Akuzat e Blushit qëllonin në një pikë nevralgjike, që krijon një situate sureale në mes të angazhimit, qoftë dhe formal të Ramës dhe qeverisë, me procesin e Vettingut , dhe në kufizimin e propagandës dhe të gjuhës të partisë së tij vetëm në këtë argument, duke mbuluar praktikën e kritikuar nga opozita, të përdorimit të inkriminuarve dhe të ashtuquajturit “kriminalizim” të politikës.Sulmi i Blushit ishte i drejtpërdrejtë, argumentues dhe faktik. Deputeti dhe themeluesi i LIBRA-s, Ben Blushi e akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka mbushur Kuvendin, qeverinë dhe ministritë e tij me njerëz të inkriminuar. Duke folur për personat e inkriminuar, Ben Blushi ka folur vetëm për rastin e fundit, atë që prej 7 muajsh nuk është arrestuar Klemend Balili. Po pse nuk shkarkohet kryetari i inkriminuar i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi , apo si ka mundësi që kryetari i Bashkisë së Durrësit lëshon certifikatë virgjërie për kriminelin autorin e 7 vrasjeve Lulzim Berisha.  “Po të marr rastin e fundit Klemend Balili. Nuk qenka urgjencë që ai nuk arrestohet prej 7 muajsh. Çfarë nevoje ka për të përkthyer 10 mijë faqet e DEA-s amerikane. Pse nuk arrestohet? Sepse është i LSi-së dhe nëse ai arrestohet koalicioni cenohet dhe bie. A ka qeveri në Evropë që thotë nëse një kriminel arrestohet na bie qeveria. Kjo është qeveria e Elvis Roshit dhe Kelmend Balilit. Votat e tua nuk mjaftojnë për të të mbajtur në pushtet, këta të sigurojnë vota. Në Shkodër, dihet kush janë kriminelët. Dy prej tyre janë në burg, në Lezhë”, është shprehur Ben Blushi gjatë fjalës së tij në Kuvend.Është fakt, që Rama nuk lëshoi asnjë sqarim në lidhje me argumentin , por përdori një sulm personal duke e quajtur atë “dembel”. Unë nuk di se sa punëtor është Blushi dhe çfarë kupton Rama me “dembel”. Por kjo akuzë nuk thotë asgjë për faktin e akuzës, sidomos në këtë Kuvend ku fjala “kriminel”  duket si përkëdheli.  

Kur një deklaratë sfidohet, duke bërë një sulm personal ndaj autorit, është e rëndësishme të bësh një dallim, nëse thënia në fjalë, ishte një cilësi e personit akuzues që vë në dyshim akuzën, pra, nëse është një argument, apo një fakt, një dëshmi që e dobëson akuzën. Në këtë rastin e fundit, kredibiliteti i personit akuzues  është  thelbësor. Të akuzuarit për “dembel” nuk e bën Blushin gënjeshtar, as jo kredibël.Të marrin palën tjetër,  Blushi tentoi të prekte nervin, duke e quajtur Ramën “frikacak”, nuk di sa e vërtetë është kjo për Ramën, por të dy ata njihen mirë. Dhe ndoshta, dhe Berisha nuk e akuzon më kot Ramën për një farë paranoje.  Megjithatë ekziston një anekdotë urbane, e përhapur nga badigardët e Ramës në kohën kur ishte kryetar bashkie i Tiranës. “Në apartamentin, ku atëherë jetonte Rama, siç ndodh shpesh në Shqipëri, ikën dritat. Ai duhej të shkonte shpejt në një mbledhje. Por “trimi” Edi Rama, nuk zbriti nga pallati, gjersa erdhën dritat edhe pse kishte 4 badigardë”.Këtë paranojë, ndoshta ia di dhe Berisha, ndaj kur Taulant Balla po merrte pozita prokurori, dhe kërcënonte do ta sjell Berishën me policë në komision, i lëshoi një mesazh të koduar, papritur në Top story të Sokol Ballës “duke thënë po të kishte avancuar më shumë në 21 Janar Rama, sonte nuk do të ishte gjallë”.  Kjo deklaratë e bërë në këtë kohë, duket si një mesazh i koduar për Ramën. Por le t’i kthehemi debatit.   

Rama iu përgjigj Blushit, duke bërë të vetmen referencë për akuzën, duke synuar ta zhvlerësojë atë para shqiptarëve, apo më shumë socialistëve të parlamentit,  duke e quajtur kopje të Saliut. Në këtë mes, nëse akuzat e Ben Blushit dhe të opozitës përkojnë, kjo gjë nuk e zhvlerëson akuzën ndaj qeverisë,  përkundrazi e përforcon atë.“Nardi e kuptoj që ke të drejtë të zhgënjehesh. Ju mund të çuditeni unë jo. Një pyetje dua t’iu bëj juve dhe atyre që na dëgjojnë. Sikur të mos kishit figurën dhe zërin, çfarë dallimi kishte nga Saliu nga zoti Beni. Saliu ka gjithë jetën që thotë frikacak, por Beni shkoi dhe më përpara. Përdori atë shprehjen jua them unë. Kur i ngecte mendimi bënte e pra, ja pra. Një gjë është për t’u sqaruar. Në fakt dembel i kam thënë vetëm Benit. Të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është mizore. Këtu prap janë njësoj si Beni si Saliu. Do kishte qenë më mirë origjinali se sa kopja . Reformat tona ia dhanë Shqipërisë statusin”, u mbrojt Rama.Dhe kundërpërgjigja e Blushit u mbështet po, në tre argumente ad hominen , e para, qesharak, e dyta, i bllokuar nga krimi, dhe i paaftë për të qeverisur si edhe një kundërpërgjigje për akuzën ndaj tij si dembel.« Ishe qesharak sot. Çështja e integrimit është themelore dhe nuk dua të humb kohë duke bërë shaka me ty. Integrimi është themelor dhe vetëm një maxhorancë amatorësh mund ta marrë kaq pak seriozisht. Integrimi është bllokuar për shumë arsye, krimi, korrupsioni, varfëria, mjerimi, emigracioni, cenimi i gjykatave nga politika. Çdo qeveri bën një bilanc. Ti ke vetëm bilanc gallatash. Çfarë ka bërë, si e ka gjetur vendin dhe si po e lë? Ka më pak kanabis apo ka më shumë? Ti je totalisht i paaftë për të qeverisur. Aftësia jote është vetëm për të bërë miq si Elvisi, Vangjushi.  Ti në fakt, ke shumë probleme po edhe në të gjitha ato bashkë, je dembel dhe nuk ke arritur dot të firmosësh aq shumë shkresa sa të kam shkruar libra unë”.

Në fakt, argumentet e Blushit ishin më racionale. Ai përpiqej që ato të ishin faktike, por përsëri ishin argumente ad hominen, të cilat, sidoqoftë, ftilloheshim me argumente e faktet përkatëse. Nëse Blushi e quan Ramën “frikacak”, kjo nuk ka të bëjë me cilësi personale, por me akuzën se “ai nuk e kap “Escobarin e Ballkanit” pasi bie qeveria, e cila nuk jeton dot pa simbiozën me krimin që e mbart LSI-ja.Në klasat e filozofisë mund të jetë përmendur si një ide e gabuar përdorimi i argumenteve ad hominem, por avokatët të thonë që në një debat, të gjitha mënyrat janë po ashtu efektive.  Shumë shembuj të sulmeve ad hominem mund të nxirren nga sallat e gjyqit. Kur një avokat thotë se dëshmitarit akuzues për një plaçkitje nuk mund t’i besohet, pasi a ka gënjyer më parë, kjo është një sulm ad hominem.  Por avokatët e përdorin atë, sepse ai punon, se thotë diçka mbi karakterin e personit. Njerëzit, jo gjithmonë i vendosin gjërat me anë të logjikës. Sulmet personale nuk janë argumente logjike. Ta zemë se Blushi me të vërtetë është dembel. E çfarë ka kjo të bëjë me akuzën e Blushit? Asgjë. Nxirrja e figurës të personit me të cilin argumenton dhe kur i vesh atij epitete negative është një dëshmi e një mbrojtje të dobët. Dje Vangjush Dako që ka qenë në qendër të akuzave të Ben Blushit gjatë ditëve të fundit, ka gjetur rastin që t’i përgjigjej ish-deputetit socialist në asamblenë e kësaj partie.  Gjatë fjalës së tij, Dako u shpreh se Blushi mori një mandat deputeti në PS “qyl” pa dhënë asnjë kontribut duke shtuar se akuzat ndaj tij vinin pasi nuk i plotësonte favoret që ish-deputeti i kërkonte për njerëz të afërm të tij.”

Doug Walton, një akademik dhe autor kanadez, ka argumentuar se arsyetimi ad hominem nuk është gjithmonë e gabuar, dhe se në disa raste, çështjet e sjelljes personale, karakteri, motivet, etj, janë legjitime për të hedhur poshtë qëllimin, p.sh. kur demaskoni  hipokrizinë, dhe veprimet që janë në kundërshtim me fjalët e subjektit.

Duke e parë debatin si një debat mes dy akuzash të dobëta,  “dembel” dhe “frikacak” të krijohet ideja e dy ish-miqtë , “mishin ia hanë, por kockën ia ruajnë” njeri-tjetrit. Dhe të forcohet përshtypja e ndonjë teorie konspiracioni, se “Libra” mund të jetë një instrument parazgjedhor i PS-së, dhe se Rama dhe Blushi, përtej hatërmbetjeve janë një. Se Rama po e përdor Blushin, ashtu si Berisha, dikur para zgjedhjeve të kaluara, përdori kuqezinjtë e Kreshnik Spahiut, si një modus operandi, për t’i marrë votat e majta LSI-së.  

Dhe po të jetë ashtu, si “frikacaku: dhe “dembeli” s’po bëjnë gjë tjetër, veçse po imitojnë Saliun.

 

Filed Under: Politike Tagged With: ë debatin, Rafel Floqi, Rama –Blushi?, Si të kuptojm

Presidenti uron shqiptarët për Krishtlindje

December 25, 2016 by dgreca

Nishani:: Të mposhten urrejtjet, vlerat njerëzore të mbizotërojnë kudo/

presidenti-i-republikes-bujar-nishani-1-300x2004-300x2008-300x200

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Festës së Krishtlindjeve.“Me rastin e Festës së shenjtë të Krishtlindjes, kam kënaqësinë dhe privilegjin të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ndodhen! Një ditë e tillë aq e veçantë që përkujton lindjen e Krishtit, shënon një ngjarje të madhërishme për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, e cila për nga veçantia e saj i ka përcjellë mbarë njerëzimit për më shumë se dy mijë vjet mesazhin e ripërtëritjes së shpresës për një të ardhme më të mirë e më të sigurt në paqe dhe në begati.

Si çdo vit, edhe sivjet, ky kremtim i shenjtë përjetohet e festohet nën tingujt e ëmbël të kambanave, në dritën flakëruese të qirinjve si dhe përmes lutjeve të përdëllyera të besimtarëve si zanafilla e një të ardhmeje më të shndritshme e më optimiste, e cila u jep jetë fryteve të dashurisë njerëzore e shpirtërore, të paqes, të durimit, të besimit, të vëllazërisë e të dhembshurisë për më të pafatët e të vobektit. Këto virtyte dhe qëllime të mira njerëzore si dhe paqja e bekimet e Perëndisë dhe të Birit të saj gjenden me shumicë edhe në zemrat e besimtarëve shqiptarë. Në këtë ditë feste të veçantë, në cilësinë e Kreut të Shtetit uroj që ato të triumfojnë jo vetëm në kisha dhe vende të shenjta apo në jetën tonë të përditshme, por edhe anembanë botës me qëllim të mposhten urrejtjet e pajustifikuara, ekstremizmat e ndasitë fetare të pabaza, në mënyrë që besimi tek Zoti si dhe tek vlerat më të pastra e të përdëllyera njerëzore të mbizotërojnë kudo e të na ndriçojnë rrugëtimin tonë shoqëror!

Ju uroj nga thellësia e zemrës një Festë Krishtlindjeje sa më të mbarë, shëndet, mbarësi dhe çfarë t’ju dëshirojë e bardha zemër! Gëzuar dhe përshumëvjet Krishtlindjet!”

Filed Under: Politike Tagged With: per Krishtlindje, presidenti Nishani, uron shqiptaret

Një Leter nga SHBA për Kryeministrin Edi Rama

December 22, 2016 by dgreca

Për sa kohe nuk  keni kthyer pronën e  grabitur tek pronari i ligjëshëm, nuk mund të pretendoni për demokraci./

Nga LORO STAJKA/ Fredericksburg, Virxhinia, SHBA/

I  nderuar zoti Kryeministër/

Quhem Loro Stajka, dhe ju shkruaj nga  Fredericksburg, VA  SHBA.  Informohem për gjendjen në  Shqipëri nëpërmjet shtypit që lexoj në internet. Në SHBA dhe në çdo shtet demokratik të Europës zbatohet me  rigorozitet e drejta e pronës. Në gazeta të ndryshme kam lexuar  deklarimin tuaj për zgjidhjen përfundimtare të  problemit të anarkisë së pronave nëpërmjet kompensimit dhe tani, pritet arsyetimi nga Gjykata Kushtetuese. Ajo Gjykatë nëse nuk është e shitur, me siguri do të saktësojë se kur dhe  cila pronë duhet kompensuar. Ambasadore e BE znj Romana  Vlahutin dhe ambasadori  i SHBA z. Donald Lu, e dijnë se në vendet ish komuniste, komunizmi çrrënjoset dhe zëvendësohet me sistem demokratik vetëm kur prona e grabitur i  kthehet  të zotit dhe jam në pritje që ata ta thonë  qartë këtë parim që në Shqipëri nuk po zbatohet.  Në vitin1991 u përmbys busti i diktatorit, me Kushtetutë  u shpall sistemi demokratik dhe detyrimi i shtetit për të  kthyer pronën e grabitur tek i zoti, detyrimi për të zbatuar konventat ndërkombëtare. Këto  nuk janë bërë dhe sistemi komunist nuk u çrrenjos por u modifikua siç i interesoi oligarkise se re. Zoti Sali Berisha mbas 23 vjetesh në drejtim të politikës deklaroi se kishte gabuar me pronarët, por kurrgja me tepër. Mendoj se Berisha, pasi ka  kuptuar gabimin, i takon të jetë shumë aktiv për zgjidhjen e problemit. Heshtja  pas asaj   deklarate, tregon mosdashjen e të mirës së vendit.  Prona tek i zoti është parimi, eshte fjala dhe premtimi i pambajtur prej Sali Berishës dhe politikanëve Shqiptarë.

E rikujtoj Berishen, Lulzim Bashen dhe ju që sot drejtoni  maxhorancën, se i keni të gjitha mundësitë të korigjoni  paudhësitë që mbajnë gjallë planin e Katovices, anarkinë dhe korrupsionin me pronat. Të gjithë kryeministrat dhe presidentët e pas vitit 1991  e kane shkelur betimin e tyre se do të mbrojnë detyrimet  kushtetuese, të  drejtat e njeriut dhe këtë e tregon qartë mos realizimi i  të drejtës së pronës, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Këtë e provon fakti se në vend të kthimit fizik të pronës tek i zoti  ju veproni me legalizime dhe kompensime edhe për ato prona që në bazë të nenit 41 dhe 181 te Kushtetutes, duhet ti te kthehen fizikisht të zotit. Ju e keni  mundësinë ta shpëtoni demokracinë në Shqipëri por dijeni mire se nëse nuk ndryshoni nga plani i Katovicës do vazhdoni shkatërrimin. Ju them publikisht  zoti Kryeministër, se politika shqiptare e postkomunizmit është në rrugë të gabuar, pikërisht për shkak të anarkisë së pronës. Pas opinionit ”as mish e as peshk” nga  Komisioni i Venecias zgjidhja nëpërmjet kompensimit, është shkatërrim jo vetëm për Shqipërinë por për krejt Kombin Shqiptar.  Tuj shikue keta vij ne perfundim se nuk ka nji moral politik dhe atdhetar ne drejtesin  e soteshme ne vendin tone. Zoti kryeminister me rrena nuk ndertohet demokraci dhe nuk shkohet gjatë.

Fort i nderuemi ambasador Donald Lu e tha qartë :” Korrupsioni ne drejtesi jo vetem qe i lejon gjyqtaret dhe politikanet te mbushin xhepat , por ai po shkaterron jeten e qytetareve te ndershem”. Nuk besoj se  do ju ecin gjate se vazhdimisht mashtrime të paturpshme.Vjedhja e pasunise  te vendit , korrupsioni, grabitja e prones, krimi jane burim dhe shkak vrasjesh.

Ju personalisht ne keto tre vjet Kryeminister, ku i keni dhe si po i zbatoni parimet e  demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Për sa kohe nuk  keni kthyer pronën e  grabitur tek pronari i ligjëshëm, nuk mund të pretendoni për demokraci. Duhet dhe kompensim por vetëm ashtu siç thonë detyrimet kushtetuese, siç thotë e drejta morale dhe ligjet e pashkruara të zbatuara ndër  qindra breza, prandaj duhet te shprehet dhe Gjykata Kushtetuese. Mos vallë me disa lekë apo

dollare që do ti jepni shqiptarëve për pronat që kanë përvetësuar politikanët e  katovicës kujtoni se e zgjidhët përfundisht problemin ? Nëse mendonoi kështu gaboni. Kryeministrat dhe presidentët e periudhes postkomuniste nuk kanë asnjë  të drejtë që ta trajtojnë Shqipërinë si pronë private në interes të familjes  dhe të klaneve që mbëstesin për të mbajtur  pushtetin.

Në gazetën Tema të dt. 21.12. 2016, lexova për  projektligjin per institucionin e presidentit, për privilegjet që duhet t’ju  akordohen nga shteti pas lënies së detyrës ish presidentëve. Në parim respekti per ish presidentet është i drejtë, por a i meriotojnë dhe a mundet ti pretendojnë këto privilegje, presidentët e Shqipërisë ? Këtë le ta deklarojë  vetë secili.

Dëshiroj të shkëmbej publikisht mendime me ju dhe politikanët e tjerë, per problemet që më shqetësojnë mua por mendoj se shqetësojnë dhe gjitha ata që mendojnë për të mirën e demokracisë në Shqipëri.Jam i  moshuar, jetoj në  Fredericksburg, VA  SHBA, por vendlindjen time Shirokën dhe Shqipërinë e kam çdo çast në mendje dhe në zemër. Kam shkruar dhe ma parë artikuj per pronen dhe mendoj se do të gjej mirkuptim dhe do të kem pergjigje publike nga ana juaj.

Në pritje të përgjigjes tuaj.

Filed Under: Politike Tagged With: Leter Kryeminstrit Rama, Loro Stajka, prona

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • 576
  • …
  • 651
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT