• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diana Çuli, mos dil më në publik!

March 15, 2017 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/Nju Jork/4Ilir-Harshova-600x400-300x237

Përmes Agron Tufës, i cili nuk la të zhvillohej një shfaqje letrare organizuar nga Ministria e Kulturës, kushtuar Diana Çulit, kësaj gruaje që ka dhënë ndihmesën e vet në vrasje njerëzish, u bë e para protestë publike ndaj një figure, përfaqësuese e shumë figurave të tjera, që i shërbyen me mish e me shpirt regjimit komunist, madje segmenteve më kriminale të tij dhe sot, në pas komunizëm, kërkojnë të jenë përsëri në qendër të vëmendjes, në krye të shoqërisë dhe politikës, të përfitojnë prej tyre dhe të japin mësime morali, kulture, lirie e demokracie. Për moslejimin e këtij imoraliteti, Agron Tufa dhe njerëzit që e ndihmuan meritojnë çdo mbështetje dhe lëvdim.Mbas kësaj ngjarjeje, televizioni Top Channel organizoi një bisedë me Diana Çulin dhe dy mbështetëse të saj dhe me Agron Tufën dhe dy mbështetës të tij. Arrita të ndiqja pjesën e dytë të atij programi dhe pashë, atë që shihet rrallë: fytyra engjëllore që i dilnin përkrah krimit dhe imoralitetit. Mbrojtja e krimit prej tyre do të thoshte  pjesëmarrje e tyre në krim.

Diana Çulit iu kërkua nga hetuesia politike e kohës një recensë për poetin Genc Leka, recensë që u paraqit si provë fajësie në gjyqin që iu bë atij dhe poetit tjetër Vilson Blloshmi, gjyq që i dënoi të dy me vdekje në vitin 1977.Ndaj kritikave që iu bënë, Diana Çuli, së bashku me mbështetëset e saj, u justifikuan duke thënë pak a shumë se recensa që kërkoi hetuesi për poetin Genc Leka ishte një detyre shtetërore dhe Diana duhej ta kryente; se Diana u gjend para dilemës ta bënte apo të mos e bënte recensën dhe se, po të mos e bënte, mund të kishte pasoja, të humbte punën dhe karrierën si shkrimtare ndërsa, nga ana tjetër, po të mos e bënte Diana, do ta bënte dikush tjetër; se recensa e Dianës nuk e çoi në plumb Genc Lekën, sepse Genc Leka kishte edhe akuza të vjedhjes dhe sabotimit; sepse nuk ishte dënuar njeri me vdekje për shkak të shkrimeve; se kritika letrare ideologjike i ishin bërë edhe Xhevahir Spahiut dhe Kasem Trebeshinës dhe këta nuk ishin dënuar me vdekje; se Diana ishte një punonjëse e re në redaksinë e gazetës “Drita” dhe atmosfera e asaj periudhe ishte tepër e frikshme e të tjera si këto.

“Erdhi hetuesi në zyrë, – thotë Diana, –  dhe më tha për të bërë një analizë të poezive. Ishte detyrim ligjor për ta bërë”. Dhe Diana iu bind detyrimit ligjor.Në gjyqet që iu bënë kriminelëve nazistë mbas lufte, ata e deklaruan veten të pafajshëm. Pse? Sepse vetëm kishin zbatuar urdhrat dhe zbatimi i urdhrave, sipas tyre, ishte meritë dhe jo krim. Njeriu gjatë jetës së tij merr urdhra nga jashtë, por merr edhe  urdhra nga brenda. Ai duhet të zbatojë vetëm ato urdhra nga jashtë të cilat nuk bien ndesh me urdhrat e brendshme, me urdhrat e ndërgjegjes. Për Dianën, urdhrat e hetuesisë politike komuniste nuk binin ndesh me ndërgjegjen e saj. Gandi thoshte “Mosbashkëpunimi me të keqen është po aq detyrë sa dhe bashkëpunimi me të mirën.” Por a e kuptonte Diana se po bashkëpunonte me të keqen? Nuk e besoj. Duhet thënë që në fillim se regjimi komunist nuk shkonte ashtu kot, kapte një njeri dhe e detyronte të thoshte apo të bënte atë që donte ai. Ai i zgjidhte njerëzit dhe zgjidhte ata që kishte siguri se do ta mbështesnin, dhe Diana dukej se ishte e përshtatshme, se ajo jo vetëm do ta kryente detyrën që i ngarkohej, por do ta kryente ashtu siç do të ishte më mirë për hetuesin.Nuk është e vërtetë se nuk mund të kundërshtoje në komunizëm një detyrë që ta kërkonte partia shtet, siç thotë Diana. Ka plot raste të njerëzve që u janë shmangur detyrave të vëna nga partia dhe organet e saj, natyrisht jo ashtu hapët, por me mënyra të tërthorta, sepse partisë nuk i prishej ndonjë punë e madhe po të mos e kryente dikush punën e saj. Kishte plot të tjerë që mezi pritnin ta bënin atë punë, madje, me entuziazëm.Diana vazhdon shfajësimin: “Nëse nuk bëja unë, do ta bënte dikush tjetër.”Në Talmund jepet ky tregim: Një person u urdhërua nga guvernatori i një krahine për të vrarë një person tjetër dhe u kërcënua se, në qoftë se nuk do të kryente ai atë vrasje, do të vritej nga guvernatori dhe detyrën e tij do ta kryente dikush tjetër. Ai shkoi e u këshillua me rabinin e tij për mënyrën se si të vepronte. Rabini i tha: “Le ta vrasë atë dikush tjetër, le të të vrasë ty guvernatori, ti nuk duhet të vrasësh.”Justifikuesit e Dianës thonë se poetët nuk i vrau Diana Çuli me recensën e saj, sepse ata kishin edhe akuzën e vjedhjes dhe sabotimit. Në të vërtetë, ata nuk i vrau as recensa e Diana Çulit dhe as akuza e vjedhjes dhe sabotimit. Ata i vrau regjimi kriminal komunist. Kur ai regjim të kishte vënë në shënjestër për të të goditur, të vishte njëqind akuza të pavërteta. Edhe atyre poetëve u vuri akuzën e vjedhjes dhe sabotimit dhe atë të poezive jo socialiste. Por kjo nuk ndryshon asgjë për Dianën, ajo e dha kontributin e vet në atë vrasje.

Diana thotë se ishte e trembur nga atmosfera politike e asaj periudhe, se ishte një redaktore e re e gazetës “Drita” dhe se po mos të bënte ashtu siç iu kërkua, mund të  humbte vendin e punës dhe karrierën e saj si shkrimtare. Ta shikosh këtë punë me karakter tërësisht moral në këtë mënyrë, është njëlloj si ta shikosh atë në terma të humbjes dhe fitimit, ta shikosh si një tregtar matrapaz. Asnjë justifikim moral, asnjë keqardhje, asnjë pendesë. Të tjerë, mbështetës të saj, jo vetëm përsërisin justifikimet e Dianës, por thonë se gjëra të ngjashme kanë bërë edhe shkrimtarë të tjerë. Pra, kur një të keqe e bëjnë edhe të tjerë, ti nuk mban përgjegjësi për të keqen tënde, përgjegjësia shpërndahet.

Justifikimi se kritika u ishin bërë nga kolegët e tyre shkrimtarë edhe Xhevahir Spahiut dhe Kasem Trebeshinës dhe ata nuk ishin dënuar me vdekje, pra kritikat letrare nuk ishin vdekjeprurëse, nuk qëndron. Ka një ndryshim të madh këtu. Ndërsa këtyre shkrimtarëve kritikën ua kërkoi ta bënin Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Diana Çulit kritikën ia kërkoi hetuesia politike.

Regjimi komunist, ashtu siç përkëdhelte një lukuni shkrimtarësh dhe poetësh që i bënin atë punë që as i ati i Diana Çulit, si oficer sigurimi, nuk ia bënte dot, ashtu dënonte tepër rëndë edhe ata pak shkrimtarë a poetë që mendonte se i kishte kundër.

Mbrojtëset e Dianës thonë se Diana ka qenë në dilemë për ta bërë apo jo atë punë. Diana vetë nuk e thotë këtë dhe këtu ajo tregohet më e ndershme se mbrojtëset e saj. Por ne mund të themi: përse të mos mendojmë se ajo jo vetëm nuk ka qenë në dilemë për ta bërë apo jo atë punë, por e mirëpriti, se ajo e ka parë detyrën që po i ngarkohej si një nder, si një besim që tregonte partia ndaj saj, si një mundësi për autopromovim dhe, mbase, e ka vënë edhe në ato që në ato kohë quheshin autobiografi, me të cilën njerëzit mburreshin kur shkruanin se si e kishin ndihmuar pushtetin popullor.

Mbështetësit e Diana Çulit habiten me njerëz që i sulen një shkrimtareje, një “zonje të letrave”, duke nënkuptuar se shkrimtarët dhe poetët na qenkan një racë në vete, një racë me gjak blu gjë, që po të analizohet si duhet, del krejt ndryshe.

Në gazetën  “Telegraf” të datës 25 maj 2011, jepen këto kujtime të ish-hetuesit të kohës së komunizmit Dilaver Bengasi mbi hetuesinë që bëri ai ndaj një prej të paktëve shkrimtarë jokonformistë e disident shqiptarë, ndaj Kasem Trebeshinës:

Pyetje: “Çfarë ndodhi gjatë arrestimit të tij?

Përgjigje: Asgjë. Ne shkuam tek shtëpia e tij pranë ekspozitës “Shqipëria sot,” dhe i njoftuam vendimin. Pastaj gjatë seancave hetimore unë e kuptova se kisha të bëja me një kolos dhe gjithashtu me një njeri të pafajshëm. Dhe për këtë gjë kërkova disa herë në bazë të dispozitave dhe hapësirave ligjore ta lironim. Por pati disa reaksione nga shkrimtarët.

Pyetje: Çfarë reaksionesh?

Përgjigje: Ata vinin me radhë në hetuesi dhe dëshmonin njëri pas tjetrit kundër Trebeshinës. Dhe kjo e rrezikonte problemin.

Pyetje: Çfarë thoshin shkrimtarët?

Përgjigje: Thoshin se Kasemi kishte sharë qeverinë në librat e tij, por edhe gjatë bisedave të përditshme. Madje, nxirrnin edhe bisedat që ai i kishte bërë në tavolina, për probleme të librave.

Pyetje: Sa ishte numri i dëshmitarëve në gjyq nga Lidhja e Shkrimtarëve kundër Trebeshinës?

Përgjigje: Jashtëzakonisht shumë. Madje ishin pjesëtarë nga ajka e letërsisë së asaj kohe. Mbaj mend se gjatë një ballafaqimi në hetuesi Kasemi e goditi me pëllëmbë njërin prej tyre, i cili në thelb po shpifte kundër tij. Dhe unë i ndava. Por dua të shënoj këtu se në gjyq pjesa më e madhe e dëshmitarëve ishin shkrimtarë. Aty e pashë se sa e dobët dhe e pabesë ishte raca e shkrimtarëve dhe e poetëve shqiptarë të asaj kohe që ishin gati të spiunonin shokun e tyre qoftë edhe për një shaka që mund të kishte bërë më parë.

Diana thotë se vrasjen e dy poetëve e mori vesh në vitin 1994. Unë e besoj plotësisht. Me çfarë indiference kishte nënshkruar ajo verdiktin e saj për poetët! As nuk u interesua të merrte vesh se si kishte ndikuar recensa e saj në dënimin e tyre. E ç’rëndësi kishte për të se ç’u kishte ndodhur reaksionarëve, kulakëve, armiqve të klasës? Për të, ata ishin insekte. A mund të mbajë në mendjen një njeri se kishte shkelur një insekt?

Diana nuk është e vetme në kësi punësh, madje nuk është edhe më fajtorja. Ka plot me mëkate më të rënda se të Dianës, por Diana u bë objekt sulmesh sepse donte të ishte person publik me rëndësi në një kohë që komunizmi kishte rënë, duke harruar se ç’kishte bërë në atë kohë, apo duke e konsideruar atë si një gjë të normale: u bë deputete në Kuvendin e Shqipërisë nga partia e Skënder Gjinushit, përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kryetare e Federatës të Grave të Shqipërisë, aktiviste e shoqërisë civile, anëtare jurish për çmime të kulturës. Të gjitha këto e nxorën në pah dhe e bënë tabelë qitjeje. Shokë e shoqe të Diana Çulit duhet të ulin kokën e të mos lëshojnë më hije në këtë tokë, por njerëz të tillë as që kuptojnë se ç’kanë bërë.

Mbështetësit e Diana Çulit në atë emision kërkuan që të hapeshin dosjet, se, me demek, në dosje Diana do të dilte e pafajshme. Dosjen e Dianës, mbështetësit e saj e kishin të gjallë para syve, por nuk u pëlqente, e donin dosjen në letër. Çfarë hipokrizie!

Mua më duket se fajet e Dianës janë më të mëdha sot, se atëherë. Ajo nuk shpreh asnjë lloj pendese dhe nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie, ajo vetëm përpiqet të justifikojë veprimin imoral të saj. Ajo thotë: “Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk e quaj veten përgjegjëse. Unë nuk e ndjej veten aspak fajtore për akuzat.”

Rregulli i parë i moralit: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të ta bëjnë të tjerët.”

Rregulli i dytë i moralit: “Bëji tjetri atë që do që të tjerët të ta bëjnë ty.”

Rregulli i tretë i moralit: “Bëji tjetri atë që do që të tjerët të ta bëjnë ty, por bëja plot dashuri.”

Diana Çuli nuk futet dot te rregulli i parë, te më i lehti. Ajo është krejt jashtë.

Diana Çuli, je fajtore, mos dil më në publik, shiko punët e familjes tënde!

Dhe tashti, më në fund, krahasoni, ju, të dashur lexues, që lexuat këto reshta, këtë shoqe, Diana Çulin, socialdemokrate me orientim komunisto-lindor, shkrimtare e veprimtare, që për karrierë ndihmoi të çonte drejt vdekjes një person tjetër pa e çarë fare kokën, me zonjën socialdemokrate me orientim demokrate perëndimore, përsëri shkrimtare e veprimtare, Musine Kokalrin, që sakrifikoi gjithë jetën për parimet e saj, që u ngrit mbi veten, që u përpoq ta bënte këtë Shqipëri një vend më të mirë për të gjithë, që u përpoq të jepte një shembull morali për meskinët, edhe për Diana Çulin (edhe pse në kohën e saj nuk u lejua njeri që ta njihte), që njerëzit të shihnin sot njëri tjetrin me dashuri dhe respekt dhe jo me keqdashje dhe urrejtje!

Mars, 2017, Nju Jork

Filed Under: Politike Tagged With: Diana Culi, Ilir Hashorva, mos dil më në publik!

Thaçi: Rajoni është i kërcënuar, Kosovës i duhet ushtria

March 14, 2017 by dgreca

Themelimi i ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Këto komente, presidenti Thaçi i bëri sot gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, në lidhje me procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës.“Transformimin e bëjnë të nevojshme edhe zhvillimet në rajon dhe nevoja që Kosova t’i forcojë mekanizmat mbrojtëse të vendit. Kurse ngurrimi i Bashkimit Evropian që të përshpejtojë integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, u ka hapur rrugë ndikimeve tjera në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Thaçi.

“Këto ndikime tjera, janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, prandaj është urgjente që FSK të avancojë në misionin dhe detyrat e saj”, ka thënë Thaçi.

Formimi i ushtrisë, sipas tij, bëhet për ngritur kapacitetet dhe për t’u mbrojtur nga kërcënimet e ardhshme për Kosovën dhe rajonin.“Pavarësisht dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e ruan armiqësinë e saj në raport me Kosovën”, tha Thaçi.Presidenti Thaçi tha edhe këtë herë se Serbia ka plane për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, ngjashëm me veprimet e Rusisë në Krime.“Serbia ka plan për ndarjen e Kosovës, për aneksimin e pjesës veriore, sikurse Rusia Krimenë. Kjo është e vërtetë. E ka planin. Këtë plan e dinë edhe ndërkombëtarët. Unë nuk po them ta bëjmë ushtrinë dhe të përgatitemi për luftë, por ta bëjmë ushtrinë, të jemi më të fortë për paqe, stabilitet dhe natyrisht t’i dalim zot vendit tonë”, është shprehur Thaçi.Po ashtu, Thaçi përsëriti se transformimi i FSK-së në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese është bërë i pamundur, për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe, e cila përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me 11 deputetë.

Thaçi tha se kundërshtimi i Listës Serbe është i ndërlidhur me qëndrimin dhe vullnetin politik të Beogradit.

Andaj, si zgjidhje alternative, Thaçi tha se ka vendosur që transformimi nga misioni civil në atë ushtarak, të bëhet përmes ligjit.

Por, shndërrimi i FSK-së në forcë ushtarake përmes ligjit, nuk është mbështetur nga NATO- dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të dyja, kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, Thaçi tha se i garanton partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky transformim, shtoi Thaçi është në përputhshmëri me politikat e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

“Propozimi për themelimin e ushtrisë, apo Forcave të Armatosura është në përputhshmëri me orientimet e administratës së re të presidentit Trump i cili thotë se shtetet e pavarura e sovrane duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë tha se “Kosova duhet ta ketë edhe ushtrinë edhe përkrahjen ndërkombëtare”. Njëherësh, ai e ngriti si çështje edhe arritjen e konsensusit të brendshëm politik, sidomos ndërmjet forcave politike shqiptare. Përderisa për komunitetin serb, Ramadani tha se tash për tash nuk mund të llogaritet në mbështetje.

Me projektligjin e ri, Forca e Sigurisë së Kosovës merr përgjegjësi të reja ushtarake, tha presidenti i Kosovës. Një forcë e tillë, vijoi ai, do të jetë e gatshme për angazhim në funksion të paqes në rajon dhe më gjerë.Projektligji për FSK-në është ende në duart e Qeverisë së Kosovës. Aktualisht, mendimin për këtë projektligj e ka dhënë Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës.Ministria për FSK-në ka shprehur pajtimin e plotë dhe ka thënë se mbështet miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky transformim, sipas kësaj Ministrie, do të rezultonte me krijimin e bazës ligjore me qëllim të përmirësimit dhe ndërtimit të një sistemi të mbrojtjes dhe sigurisë me kapacitetet e nevojshme shtetërore, në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave shtetërore, si dhe përmbushjen e synimeve për integrime euro-atlantike.Pritet që mendimet e tyre për këtë projektligj, ta japin edhe Ministria e Financave si dhe ajo e Integrimeve Evropiane.Më pas, Qeveria e Kosovës do të vendosë nëse do ta procedojë atë për në Kuvendin e Kosovës, ku do t’i nënshtrohej procedurave të shqyrtimit dhe miratimit. (Zijadin Gashi REL)

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Presidenti Thaçi, Rajoni, Ushtria

Forca e Sigurisë së Kosovës do jetë faktor i paqes dhe stabilitetit

March 14, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi mori pjesë në debat të hapur me shoqërinë civile për Ushtrinë e Kosovës/1 Thaci FSK

-Serbia ende nuk është një partner konstruktiv/2 FSK Gaz

PRISHTINË, 14 Mars 2017-B.Jashari/Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në debatin e hapur me shoqërinë civile në tryezën me temën “Misioni ushtarak për FSK-në, rruga përpara”, e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë.Presidenti Thaçi tha se debati i sotëm vjen në kohën e duhur, sepse në kuadër të transparencës dhe gjithëpërfshirjes e kemi për detyrë edhe të informojmë saktë dhe drejtë qytetarët e Kosovës me hapat që do të ndërmerren për arritjen e këtij qëllimi.3 Thaci FSKPresidenti tha se është e rëndësishme të sqarojmë të gjitha fazat e vendimmarrjes, deri në përmbylljen me sukses të kësaj iniciative ligjore, e cila për nga rëndësia shtetërore konsiderohet të jetë e interesit thelbësor për funksionimin demokratik të shtetit tonë.“Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë faktor i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon, por ajo do të jetë e gatshme të kontribuojë edhe përtej rajonit, në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të kontribuojë. Transformimi i FSK-së bëhet në bazë të analizës së përpiluar në kuadër të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë që e përcakton transformimin e FSK-së si objektiv me prioritet”, u shpreh presidenti Thaçi.

 

Ai theksoi se në grupet punuese për hartimin e dokumentit bazë kanë qenë të angazhuar të gjithë protagonistët e sektorit të sigurisë në Kosovë.

 

“Aspiratën për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës e kemi bërë të njohur për të gjithë që një kohë të gjatë. Këtë aspiratë tonën e kanë përkrahur edhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi presidenti Thaçi.

 

Që nga themelimi i FSK-së, NATO dhe shtetet tjera mike të Kosovës, si SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe shtete tjera, presidenti Thaçi tha se kanë bashkëpunuar me FSK-në për të ngritur nivelin e përgatitjes së saj në një forcë profesionale të standardeve të NATO-s.

 

“FSK-ja i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe detyrat që i jep korniza e tashme ligjore që rregullon funksionimin e saj. Tani janë krijuar kushtet që ajo të lëvizë tutje në rritjen e saj. FSK tani është e gatshme për transformim, që të bëhet ushtri”, u shpreh presidenti Thaçi.

 

Rruga jonë e preferuar e transformimit të FSK-së, ajo për të cilën kemi punuar tërë këto vite, presidenti Thaçi tha se ka qenë dhe mbetet ajo përmes ndryshimeve që përfshijnë edhe amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por, sipas presidentit, deputetët e Listës Serbe e kanë bërë të qartë shumë herë se janë të penguar nga Beogradi që të përkrahin transformimin e FSK-së.

 

“Deri sa i gëzohemi mundësisë që të konsultohemi dhe të koordinohemi me të gjitha palët në Kosovë, megjithatë nuk mund të pranojmë që të konsultohemi dhe të koordinohemi për çështjet e interesit strategjik dhe të sovranitet të vendit tonë me Serbinë. Edhe pse kemi nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe jemi duke kërkuar që ky proces të marrë kualitet të ri, që do ta kthejë në proces për pajtim, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, megjithatë Serbia ndaj Kosovës ruan të njëjtat politika që kanë shkaktuar luftë dhe gjenocid”, tha presidenti Thaçi.

 

Ai shtoi se Serbia ende nuk është një partner konstruktiv, qoftë me Kosovën, qoftë me rajonin, por është burim i nacionalizmit që përjetohet si kërcënim për tërë rajonin.

 

“Dëshmi të fundit për këtë janë provokimi me tren, ai me murin në Mitrovicë, manovrat ushtarake afër kufirit me Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi.

 

Sipas tij, këta janë hapa krejtësisht në kundërshtim edhe me synimet e bashkësisë ndërkombëtare në rajonin tonë dhe nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë, madje as me arsyetimin se Serbia është në fushatë elektorale.

 

“Unë jam krejtësisht i vetëdijshëm se siguria dhe ruajtja e sovranitetit të Kosovës në rend të parë varet nga bashkëpunimi ynë i ngushtë me Aleancën Veriatlantike, pra NATO-n. Mirëpo, gjithashtu e kemi për detyrë kushtetuese që të ndërtojmë kapacitetet e domosdoshme mbrojtëse për të ruajtur sovranitetin tonë”, shtoi presidenti Thaçi.

 

Ai theksoi se Kosova do të ruajë me çdo kusht partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht partneritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Ky partneritet, sipas presidentit Thaçi, është ndërtuar mbi interesat e përbashkëta për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, mbi vlera e parime të njëjta që ndajmë me SHBA-në dhe me BE-në.

 

Presidenti Thaçi u shpreh se transformimi i FSK-së do të jetë proces që do të zhvillohet gradualisht dhe ashtu siç jemi koordinuar deri tani, deri në detaje, me bashkëpunëtorët dhe përkrahësit tanë, të njëjtën do të vazhdojmë të bëjmë edhe tani dhe në të ardhmen.

 

“Unë si president e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova të thellojë bashkëpunimin me NATO-n, sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllim thelbësor i yni. Për më tepër, e kam për detyrë që të thellojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tonë të përbashkëta. Prandaj, kam kërkuar mirëkuptimin e plotë të partnerëve tanë për këtë proces, i cili nuk është bërë njëanshëm, por është iniciuar në mënyrë krejt të natyrshme dhe transparente”, theksoi presidenti Thaçi.

Ashtu sikurse ka pritur, presidenti Thaçi tha se projektligji për ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe të shtetit tonë.

 

Në fund, presidenti Thaçi shprehu bindjen e tij se të gjithë protagonistët politikë të përfshirë në këtë proces do të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim do të bëjnë punën e tyre për përmbylljen me sukses të këtij procesi.

Filed Under: Politike Tagged With: faktor stabiliteti, FSK, Thaci

Ndryshime në qeveri – ikën Ministrat Tahiri, Çuçi, Klosi, Beqaj

March 12, 2017 by dgreca

Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi janë 4 Ministrat që kanë lënë kabinetin qeveritar për t’iu përkushtuar fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 18 qershorit.Pas mbledhjes një oreshë me të gjithë koordinatorët e qarqeve, 8 prej të cilëve janë anëtarë të kabinetit qeveritar, Kryeministri vendosi që vetëm 4 prej tyre të lënë postet dhe të përqëndrohen në forcimin e Partisë Socialiste në qarqet që përfaqësojnë në funksion të rezultatit të zgjedhjeve. Në vend të tyre Rama emëroi: Fatmir Xhafa-Ministër i Brendshëm, Olga Manastirliu-Ministre Shëndetësie, Olta Xhacka-Ministre e Punëve Sociale dhe Eduard Shalësi-Minsitër i pushtetit Vendor.

Saimir Tahiri ka lënë Ministrinë e Brendshme si koordinator i qarkut më të madh në vend, Tiranës.

Largimi i tij u përfol që të premten në mbrëmje si dhe pas takimit të së shtunës në Kryeministri me shefin e qeverisë.

Blendi Klosi pas 23 muajsh në krye të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, e ka lënë këtë detyrë për tu fokusuar në qarkun e Beratit.

Një nga Ministrat më të sulmuar të kabinetit Rama, Ilir Beqaj i Shendetësisë, është një nga Ministrat që ka të lënë qeverinë për tu përqëndruar në qarkun e Kukësit.Mësohet se Beqaj do ti bashkohet edhe qarkut të Dibrës ku aktualisht koordinatore është Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Dhe së fundi, Ministri i Pushtetit Vendor nuk është më  më Bledi Çuçi, pasi do të jetë koordinator i qarkut të Gjirokastrës.

Këto lëvizje kryhen 3 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe Ora News mëson se vendimi i Kryeministrit kërkon të forcojë më shumë qarqet ku Partia Socialiste nuk i ka Bashkitë dhe ku aleatët e saj janë të fortë në elektorat.Ndërkohë ende nuk dihen zëvendësuesit e këtyre Ministrave, por burime për Ora News kanë thënë se do të jenë njerëz politikë të Partisë Socialiste që do të angazhohen me kohë të plotë në aktivitetin qeveritar.Edhe pas këtyre ndryshimeve, opozita ka deklaruar se nuk tërhiqet nga protestat që vijojnë prej 23 ditësh.

Kryedemokrati Basha deklaroi  se mbetet e panegociueshme kushti i tyre për qeveri teknike që do garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Filed Under: Politike Tagged With: Çuçi, Klosi, Ndryshime në qeveri - ikën Ministrat Tahiri

Rama shkarkon Ministrin e Brendshëm Tahiri?

March 11, 2017 by dgreca

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama i ka komunikuar sot largimin nga detyra ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Për këtë vendim, nuk ka patur ende asnjë njoftim zyrtar, sikundër dhe për motivet. Por burime qeveritare kanë shpjeguar se kjo lëvizje pritet të pasohet dhe me largimin e disa ministrave të tjerë. Opozita e cila prej më shumë se tre javësh këmbëngul në krijimin e një qeverie teknike, i mëshoi sërish pasdte këtij kushti duke u shprehur se protesta nuk mjaftohet me “koka turku”, ndonëse e cilësoi si fitore të saj, shkarkimin e ministrit Tahiri.

I porsa kthyer nga vizita zyrtare në Gjermani, kryeministri Edi Rama ka thirrur në zyrën e tij ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për t’i komunikuar largimin nga detyra. Burime si pranë qeverisë ashtu dhe pranë vetë ministrit, e konfirmuan këtë lëvizje të papritur. Ndonëse ka qenë në qendër të kritikave, vecanërisht nga opozita, ministri Tahiri është marrë gjithnjë në mbrojtje të hapur nga kryeministri dhe është lëvduar prej tij për punën e bërë.

Ende nuk ka asnjë asnjë njoftim zyrtar për motivet e kësaj lëvizje, e cila duket se do të pasohet dhe me ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar. Të paktën sipas burimeve pranë qeverisë, të hënën kryeministri Rama pritet të mbledhë kryesinë e partisë socialiste, për të diskutuar lëvizjet e mundshme në kabinetin e tij.

Largimi i ministrit Tahiri dhe ndryshimet e pritshme, vijnë në një moment kur opozita po kërkon me këmbëngulje krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershorin e ardhshëm. Opozita ka akuzuar qeverinë për lidhje me trafikun e drogës, për shkak të përhapjes së fenomenti të kultivimit të marijuanës, duke këmbëngulur se me paratë e pista nga narkotrafiku, qeveria do të blejë votat e shqiptarëve. Dhe ministri Tahiri, është njeriu që sipas saj, është përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar.

Pas tre javësh protesta para selisë së Këshillit të ministrave, dje mbi 20 parti opozitare njoftuan se nuk do të rregjistrohen në zgjedhje, pa u arritur më parë krijimi i një qeverie teknike. Lëvizjet e kryeministrit duket se për momentin nuk do të kenë ndonjë efekt në qëndrimin e ardhshëm të opozitës. Në fjalën e tij sot pasdite kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi se “nuk jemi mbledhur këtu për koka turku, por për të siguruar për shqiptarët sot e mot dhe brezat që vijnë për të garantuar standartin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe zgjedhje të lira e të ndershme me një kryeministër garant të krimit e drogës nuk mund të ketë. Ndaj, çfarëdo prapraskenash dhe thashethemesh të kurdisin, mesazhi ynë është një e i pandryshuar. Qëndresa jonë është e vendosur deri në krijimin e një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike që do të bëjë detyrat para shqiptarëve dhe para Europës”.

Megjithatë, lajmin e largimit të ministrit të Brendshëm, zoti Basha e quajti një sukses të protestës. “Sido që ta shtjellin e përcjellin lajmin, fakti është se për më shumë se 3 vite opozita ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm për shkak të lidhjeve të tij me krimin në mënyrë institucionale dhe Rama nuk ka dëgjuar. Prej më shumë se dy vitesh ja kërkon dhe partneri në koalicion, ky jo vetëm që nuk ja vuri veshin por i hoqi dhe ministrinë e Drejtësisë. Prej më shumë se 6 muajsh ja kërkuan dhe partnerët tanë strategjik e ky u tall e tallet me ta. Dhe nëse është i vërtetë largimi i Tahirit, kjo është fitorja vetëm e juaja dhe e bashkimit qytetar dhe prova e qartë se forca e vetme e ndryshimit është bashkimi qytetar dhe kjo lëvizije popullore”, u shpreh zoti Basha në fjalën e tij para disa qindra protestuesve që qëndrojnë në çadrën e ngritur para kryeministrisë.

Largimi i zotit Tahiri, është i shtati, në radhën e ministrave që kanë lënë kabinetin e kryeministrit Edi Rama. I pari ka qenë ministri për marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi i cili dha dorëheqjen në gusht të vitit 2014 për arsye personale, ndërsa pak javë më parë ishte ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i cili u shkarkua nga detyra.(Kortezi: VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: Ministrin e Brendshëm, Rama shkarkon, tahiri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • 576
  • …
  • 671
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!
  • Lideri i opozitës në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha u takua me shqiptarët e Amerikës
  • Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
  • Një udhëtim në kohë me Rita Orën
  • Labor Day në shekullin XXI: Punëtori amerikan përballë frikës nga AI
  • SHKOLLA SHQIPE NË WUPPERTAL, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI
  • E mira dhe e keqja…
  • Legacy of Light: Commemorating Mother Teresa’s Spirit of Humanity
  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT