• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zonja Mogherini, ju lutem shkoni në shtëpi!

November 23, 2018 by dgreca

1 Bucpapaj Mogherini

Nga Elida Buçpapaj/

Qeveria e Kosovës të mërkurën vendosi masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala e mbështeti menjëherë Kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu i menjëhershëm ishte reagimi nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini që kërkoi tërheqjen e menjëhershme e kësaj takse. Mogherini tha se “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.” Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nga ana e tij, nënvizoi se për “Një kohë të gjatë Kosova është penguar në transport se CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Vendimi i qeverisë së Kosovës erdhi një ditë pasi Serbia festoi triumfuese fitoren që kishte arritur lobimi i saj diplomatik për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku kanë votuar kundër edhe të paktën tre shtete anëtare të BE-së!

Shefja e diplomacisë së BE-së nuk shprehu asnjë lloj qendrimi kur Kosova, për shkak të ndërhyrjeve të Serbisë, humbi për të tretën herë mundësinë e anëtarësimit në INTERPOL. Ndërsa reagoi sa hap e mbyll sytë kur iu cënuan interesat ekonomike të Serbisë.

Zonja Mogherini, ju i trajtoni serbët si bijtë tuaj të privilegjuar, ndërsa si njerkë shqiptarët, kur do të duhej të ishit Nënë e mirë edhe për serbët edhe për shqiptarët, në të mirë të gjeneratave të reja dhe të integrimit të Kosovës e Serbisë në BE!

Ju jeni një njerkë si tek përralla e Hirushes – Cinderella – apo si Madam Thénardier tek romani Të mjerët e Victor Hygoit!

Kam shkruar përpara disa vitesh se Kosova është si geto në zemër të Europës, sepse ka mbetur e braktisur nga BE-ja, e mashtruar, e nëpërkëmbur, e trajtuar si shtet i dorës së dytë apo të tretë si ato plaçkat që shiten lirë në treg! Ju kujtoj se Srebrenica ka ndodhur nën hundët e indiferencës së zyrtarëve të lartë të llojit tuaj, që nuk meritojnë kurrësesi të jenë në krye të BE-së!

Jeni një burokrate me zemër të akullt, paçka se keni lindur në një vend me plot diell që është pjesë e NATO-s dhe Perëndimit, që ka marrë vendimet deçizive për Kosovën e të ardhmen e saj e rajonit, që padyshim nuk janë zvarritja dhe tërheqja zvarrë e proceseve.

Ju mbani qendrime favorizuese ndaj njërës palë dhe diskriminuese ndaj palës tjetër, pa marrë parasysh se Kosova është shteti viktimë; ju vononi integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE, sepse ushqeni iluzionet mitomane serbe për aneksim të Kosovës që e kallën rajonin në flakë .

Duke vepruar kësisoj, me papërgjegjshmëri për rolin që keni, sikur thotë Ilir Deda, deputeti i Parlamentit të Kosovës, ju e keni humbur krejtësisht kredibilitetin tek institucionet dhe tek Populli i Kosovës! Ja si shkruan deputeti Ilir Deda për ju: “Mogherini kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë dhe thotë që është në kundërshtim me “frymën” e MSA-së? Eh po ne, dhe jo vetëm ne në Kosovë, qe 5 muaj po kërkojmë që Mogherini të prononcohet kundër ndarjes së Kosovës; të reagojë kundër Serbisë që po punon në mënyrë agresive kundër Kosovës duke e shkelur “frymën” e normalizimit të marrëdhënieve; dhe po, po kërkojmë që BE t’i përmbushë obligimet e saj ndaj Kosovës. Çuditërisht ajo vetëm ka heshtë, mos të them që i ka injoruar këto kërkesa. Kështu e ke kur Mogherini e humbë kredibilitetin”, ka thënë Deda.”

Pa kredibilitet nuk mund të qendroni në postin e Përfaqësueses të Lartë të BE-së!

Sepse keni përfituar vetëm të mirat dhe privilegjet e postit, pa përmbushur detyrimet!

Nuk e keni prishur asnjëherë gjumin për hallet dhe problemet që e shqetësojnë popullin e Kosovës, ndërkohë që hidheni si shigjetë kur Qeveria e Kosovës ndërmer një veprim reaksion – ndaj armiqësisë që tregon hapur qeveria e Serbisë e cila kurorëzoi me shampanjë lobimin e saj për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Sepse ju e dini se – Ad ogni azione corrisponde una reazione uguale e contraria – ! Pa mendoni sikur ju të mendonit për të mirën shqiptaro-serbe, që të festonin me shampanjë edhe njëra palë dhe tjetra njëherësh!

Ku ishit ju Përfaqësuese e Lartë e BE-së që drejtoni dialogun më absurd në botë, kur i kërkoni vetëm njërës palë të përmbushë detyrime, ndërsa palën tjetër e mbështesni kur i shkel detyrimet më sinjifikative të fqinjësisë të mirë midis dy vendeve!

Si qendroni ju indiferente ndaj lobimit që bëri Serbia për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL?

E dini ju se çfarë do të thotë dialog? E dini ju se dialogu vendoset mbi themelet e barazisë, reciprocitetit dhe interesit bilataral në respekt të integritetit territorial të seicilit vend! Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon kundër shtetit të Kosoves, pavarësia e të cilit u vendos nga Perëndimi që e ka njohur Kosovën shtet, pas një konflikti të egër me viktima të pafajshme, që detyroi një milionë shqiptarë të largohen nga banesat e tyre dhe që përfundoi vetëm me ndërhyrjen e trupave të Aleancës Verio-Atlantike.

Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon që shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të heqin dorë nga kjo njohje?!

A nuk e kuptoni se ky është një proces prapaktheu?

A nuk e kuptoni që ky proces i kthen shqiptarët dhe serbët drejt konfliktit?

Natyrisht që e kuptoni se nuk jani as injorante dhe as analfabete! Jeni vetëm e njëanëshme, në kundërshtim me parimet themelore të humanizmit europian ku mbështetet liria dhe demokracia! Prandaj nuk e meritoni të jeni kryediplomate e BE!

Zonja Përfaqësuese Lartë e BE-së ka ardhur koha të shkoni në shtëpi sepse qendrimet tuaja nuk janë të pavarura ndaj palëve; nuk janë në të mirë të paqes dhe stabilitetit afatgjatë të rajonit; nuk janë në të mirë të pajtimit dhe bashkekzistencës rajonale dhe as të integrimeve të shteteve të Serbisë e Kosovës në BE!

Dialogut bizar që drejtoni ju i kam dedikuar edhe një poezi:

Antidialog

Poezi nga Elida Buçpapaj

Dialog në erë
dialog në ferr
arbitri dirigjon
në Bruksel

ti dhe viktima
sy për sy
në hije dhe diell

dialog në erë
dialog në terr
arbitri dirigjon
në Bruksel

dialog në log
dhëmb për dhëmb
që urat shemb

dialog i qorrtë
dialog i lodhtë
dialog i ngordhtë

ti me dhëmbë çeliku
të implantum
viktima
me dhëmbë
të thymë, të coptum

dialog në terr
viktima në hell
arbitri dirigjon
në Bruksel

viktima vikat
ka hak
ti veshët
me dyll i mbush
Brukseli hepohet
pro teje për fushë

vikama e viktimës
shpirtin përtej e shpon
Brukseli baketën
e dirigjentit
e hedh në hon

edhe pastaj gjithë ovacion
këlthet
rrofte dialogu
dialogu asht mbret!

 

antidialog poezi nga elida buçpapaj

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Haradinaj, kosova, Mogherini

Dështon takimi Thaçi- Vuçiç

September 7, 2018 by dgreca

– Mogherini pret që Thaçi e Vuçiq të takohen në fund të muajit-

1 Moheri delega Kosoves

Ka dështuar mbajtja e takimit ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Shkak i mos mbajtjes së takimit, sipas sqarimit të delegacionit nga Serbia ishte mungesa e lejes nga autoritetet e Kosovës, që presidenti serb Vuçiq, gjatë qëndrimit të planifikuar në Kosovë, të vizitonte edhe Liqenin e Ujmanit.

Në vend të takimit të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka zhvilluar vetëm takime të ndara me të dy presidentët.

Pas këtyre takimeve, Mogherini ka bërë të ditur se takimi i planifikuar do të shtyhet për në fund të këtij muaji. Ajo ka shprehur bindjen se megjithatë, të dy presidentët do të tregohen të përkushtuar në arritjen e marrëveshjes paqësore dhe ligjërisht të obligueshme.

Ndonëse kishte udhëtuar në Bruksel, Presidenti i Serbisë, Aleksanadar Vuçiq nuk ka pranuar të takojë sot presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha se sot nuk do të ketë takim, ndërkaq kur do të mbahet takimi i radhës, ai theksoi se nuk e di këtë gjë.

Sipas tij, Vuçiq ka vendosur kështu për shkak të, siç tha ai, “kërcënimeve, sulmeve, shantazheve, si dhe tentimeve që t’i ndalohet vizita në veri të Kosovës dhe te Liqeni i Ujmanit” nga ana e autoritete të Kosovës. Për më shumë, sipas tij, mbetet pikëpyetje nëse bisedimet do të vazhdojnë fare edhe më tej me Prishtinën.

Gjithashtu, Gjuriq ka theksuar se janë të papranueshme tentimet e që të zhvlerësohen bisedimet në Bruksel dhe tentimet, siç ka thënë ai, që Presheva, Mdvegja dhye Bujanoci, të paraqiten si pjesë e territorit të Kosovës.

“Çështje e vetme e pazgjidhur, territori i vetëm për të cilin bisedohet dhe kontestohet është çështja e territorit të Kosovës. Gjithçka tjetër, nuk shërben për asgje tjetër, përveç që ta shembë gjithë procesin”, ka thënë Gjuriq.

Siç ka theksuar ai, presidenti i Serbisë, do t’i drejtohet opinionit të premten në mbrëmje, ku edhe do ta bëjë të ditur nëse do ta realizojë vizitën në Kosovë, të paralajmëruar më herët.

THAÇI: VIZITA E VUÇIQIT SIPAS ITINERARIT TË LEJUAR

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se në takimin me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini është diskutuar për mundësinë e arritjes së përparimeve. Por, dita e sotme, sipas tij, dëshmon se vështirësitë po shtohen kur është në pyetje arritja e marrëveshjes me Serbinë.

“Gjërat po bëhen edhe më të vështira, sepse mospajtimet po thellohen, kurse dallimet po shfaqen, edhe pse sot kemi diskutuar vetëm përmes zonjës Mogherini. Por, këto dallime të mëdha kanë ndikuar që sot dialogu të zhvillohet vetëm përmes Përfaqësueses së Lartë të BE-së”, tha Thaçi.

Ai tha po ashtu se arritja e marrëveshjes mbetet vetëm si një gjasë teorike, por u shpreh i gatshëm për vazhdimin e dialogut.

“Vështirësitë janë të mëdha, pengesat janë të mëdha dhe dallimet janë shumë të thella, por rrugëtimi dhe dialogu për paqe, stabilitetit e fqinjësi të mirë nuk ka alternativë”, tha presidenti i Kosovës.

Ai rikujtoi se konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka një kohëzgjatje prej një shekulli, kështu që parashikoi proces shumë të vështirë deri te arritja e marrëveshjes paqësore.

I pyetur në lidhje me vendimin e presidentit Vuçiq që sot të mos ketë takim dy palësh me lehtësimin e BE-së, Thaçi tha se nuk e sheh atë si bojkot, por që sot është vendosur që dialogu të zhvillohet përmes takimeve të ndara me Përfaqësuesen, Mogherini.

“Kosova i ka institucionet e veta kredibile. Jemi vend i pavarur e sovran dhe do të respektohet itinerari i lejuar për vizitën e presidentit të Serbisë në territorin e Kosovës. As më pak e as më shumë. Ne respektojmë secilin, nuk dëshirojmë të poshtërojmë askënd, por do të mbrojmë sovranitetin e Kosovës”, tha Thaçi.

GJURIQ: THAÇI PO GËNJEN

Në anën tjetër, Marko Gjuriq ka publikuar një letër të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës ku thuhet se Presidenti Serb Aleksandar Vuciq nuk ka leje për ta vizituar Liqenin e Ujmanit (Gazivodës).

“Ju lutem ta keni parasysh se agjenda e vizitës në Kosovë nuk është aprovuar në tërësi,” thuhet në një e-mail që eshë dërguar nga zyrtarë kosovarë dhe e publikuar në Twitter nga Gjuriq.

“Ne nuk mund t’u përgjigjemi pozitivisht lidhur me vizitën në vendin ku është diga e Gazivodës”.

Gjuriq ka thënë se kjo dëshmi tregon se Presidenti i Kosovës Hashim Thaci është duke gënjyer. “Shihet qartë se Pristina ka ndaluar vizitën në digën e Gazivodës e cila kohëve të fundit është rindërtuar nga shteti i Serbisë.”

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili po qëndron në Bruksel në kuadër të delegacionit të Kosovës atje, tha se autoritetet e Kosovës e kanë miratuar kërkesën e Vuçiqit. Ndërkaq në lidhje me interesimin e tij për të vizituar liqenin e Ujmanit, Pacolli tha se nuk sheh arsye pse insistohet në këtë vizitë, kur aty nuk ka as banorë as diçka që do të ishte në interes. Nëse me të vërtetë insiston që të shkoj te Ujmani, Pacolli tha se Vuçiq duhet ta artikulojë se përse dëshiron të shkoj atje dhe më pas autoritetet e Kosovës do të vendosin.

Përndryshe, tha Pacolli, Prishtina zyrtare i ka lejuar tashmë Vuçiqit këtë vizitë, duke përjashtuar liqenin e Ujmanit.

Sot, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, po qëndrojnë në Bruksel, ku ishte paraparë të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha para se të shkonte në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Federica Mogherini se procesi definitivisht po hyn në një fazë të re për të arritur deri te një marrëveshje historike të paqes.

***
 “Ky proces i dialogut, negociatave paqësore besoj se do të shënojë progres për Kosovën dhe Serbinë dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Thaçi, i cili nuk e kishte ende informacionin se takimi ishte anuluar.

“Jam i vetëdijshëm se do të kemi pengesa për të ecur përpara, por jam i bindur se do të kemi përparim. Kjo gjendje e konfliktit të ngrirë është e paqëndrueshme, duhet të ecim përpara drejt paqes përfundimtare, drejt të ardhmes euro-atlantike të Kosovës, por edhe të ardhmes evropiane të Serbisë, që nënkupton më pak hapësira për ideologji jo perëndimore në Ballkan”, tha Thaçi.

“Në fund, definitivisht, ky dialog dhe marrëveshja përfundimtare ka kuptim kur të ndodhë njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, nënvizoi presidenti i Kosovës.

***

Shtetësia në ‘rrezik’

Ndërkaq, i pyetur në lidhje me insistimin e tij që marrëveshja të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit të Kosovës me komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Thaçi tha se “Kosova është unike në favor të dialogut, Qeveria, Kuvendi, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat janë në favor të dialogut, marrëveshjes paqësore dhe demarkacionit të kufirit që nënkupton edhe përfshirjen e kësaj pjese”.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila po lehtëson edhe këtë takim, ka pritur fillimisht ndaras presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po shoqërohet në Bruksel edhe nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian ka postuar në Twitter pamje nga takimi me delegacionin nga Kosova.

Thaçi ka komentuar shkurt edhe në lidhje me vizitën e pralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë dy ditëve të ardhshme.

“Institucionet e Kosovës e kanë marrë vendimin e tyre. Unë e respektoj interesim e përfaqësuesve të Serbisë për të diskutuar me serbët e Kosovës dhe shpresoj që mesazhet e tyre do të jenë në funksion të paqes e stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, theksoi Thaçi.

***

Mogherini ka pritur në takim edhe presidentin e Serbisë, Aleksanadar Vuçiq. Edhe ky takim, është konfirmuar përmes rrjetit social Twitter, nga Maja Kocijançiq.

Takimi i paraparë në Bruksel, ka zgjuar interesim të shtuar pas hapjes së një debati politik dhe në media rreth mundësisë që në marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihet edhe çështja e ndryshimit të kufirit.

Po ashtu, takimi i presidentit Thaçi me homologun e tij nga Serbia vjen në kohën kur në Kuvendin e Kosovës kishte dy përpjekje, si nga Qeveria ashtu edhe opozita, për ndërhyrje në procesin e negociatave. Qeveria, provoi të formonte një ekip negociator për këtë proces të bisedimeve, përderisa opozita synonte që me anë të rezolutës të sanksiononte deri diku “lirinë” e presidentit Thaçi që në këtë dialog të hapë edhe çështjen e kufirit.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte paralajmëruar, se pas këtij takimi të shtunën dhe të dielën do të qëndronte për një vizitë në Kosovë, për të realizuar takime me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe banorët serb nga Kosova.

Dialogu ndërmjet Kosoëvs dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian ka nisur që nga viti 2011, dhe ka për qëllim normalizimin e raporteve midis dy shteteve.(Kortezi RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Deshton takimi, Mogherini, Thaçi-Vui

Mogherini… vendimin e merr Merkel në qershor…?

April 17, 2018 by dgreca

Moherini MerkelPër shumë arsye, sot në Tiranë, Frederica Mogherini dhe Hahn do të tregojnë me fjalë të bukura se Komisioni Europian do të kërkojë që Këshilli Europian që mblidhet në qershor të “hapë negociatat me Shqipërinë”.

Arsyet e vërteta të këtij qëndrimi të Mogherini lidhen më shumë me arsye gjeopolitike. Rreziku i faktorëve të tretë i ka shtyrë burokratët e Komisionit Europian të japin mendim pozitiv për hapjen e negociatave, duke lënë mënjanë të gjithë problemet e mëdha që kanë këto vende, me korrupsionin, krimin, trafiqet e drogës, mos ngritjen e shtetit ligjor, me administratën e paqëndrueshme publike, me të drejtat e njeriut, me marrëdhëniet me fqinjët, e tjerë e tjerë pafund.

Sepse Mogherini dhe të gjithë ata burokratët që punojnë në Bruksel, e dinë sa e korruptuar është qeveria Rama, çfarë lidhjesh ka kjo qeveri me krimin dhe kriminelët. Dinë me saktësi, madje më mirë sesa ne në Shqipëri se si kanë qenë e angazhuar policia dhe Saimir Tahiri në kultivimin masiv të kanabisit. Sesi Shqipëria është shndërruar në trampolinën kryesore të trafikut të drogave të forta në Europë, dinë se në ç’gjendje të rrënuar është ekonomia. E dinë me saktësi, edhe nga FMN, se PPP dhe koncesionet po e zhysin ekonominë në kolaps; se Shqipëria po grindet e nuk po bën marrëveshje me Greqinë për shkak të njërit nga faktorët e tretë; dinë se sa të korruptuar janë Ahmetaj, Gjiknuri, Beqaj; dinë se kush është Xhafaj dhe çfarë bën vëllai i tij; dinë se Rama ka një pasuri 200 milionë euro të fshehur në llogari “off shore”; dinë se sa i implikuar është vëllai i tij Olsi Rama….

Dinë gjithçka ndodh në Shqipëri dhe kanë informacion më të plotë, me fakte e prova, për situatën në Shqipëri. Deri edhe që Rama e ka quajtur popullin e tij “organ seksual që nuk ngrihet dot…”.

Por pavarësisht gjithë këtyre, Mogherini dhe Hahn, do të thonë se Shqipëria ka bërë progres, se kjo qeveri ka bërë reforma të guximshme, se ka pasur rezultate në luftën kundër kanabisit, se ekonomia po ecën në rrugën e duhur e tjerë e tjerë fjalë të bukura, më shumë që shqiptarët të jenë optimistë dhe të mos dëshpërohen e pastaj të emigrojnë. Kaq është detyra e Mogherini.

Ajo e ka të qartë se vendimi nuk është në dorën e saj, Madje ajo e ka shumë të qartë se vendimi i Merkel është ndryshe nga çfarë ajo mendon. Madje as në Italinë nga ajo ka ardhur, mendojnë ndryshe. Madje edhe ajo vetë mendon ndryshe por puna ia do të flasë sot ndryshe në Tiranë. Kjo është e vërteta. Dhe kaq.

Merkel është një politikane që zgjidhet me votat e qytetarëve gjermane, prandaj mendon dhe vendos ndryshe nga një burokrate siç është Mogherini. Po ashtu Merkel është drejtuese e shtetit më të fuqishëm të Europës e cila ka mbi kurriz të gjithë shqetësimet që vijnë edhe nga shtetet e tjera, anëtare apo kandidate të BE. Pra ajo mendon dhe vendos ndryshe edhe nga një drejtues tjetër i një vendi tjetër të BE, që nuk është po aq i madh dhe po aq i rëndësishëm në BE, sa Gjermania.

Merkel ka edhe një situatë të brendshme specifike, me koalicionin qeverisës, ku anëtarët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme për zgjerimin dhe emigrantët. Prandaj Merkel para se të marrë vendimin për Shqipërinë, pavarësisht se e një situatën në BE, në Ballkan dhe Shqipëri shumë më mirë se burokratët e Brukselit, ndryshe nga burokratja Mogherini, i peshon të gjithë faktorët pozitivë dhe negativë në një peshore farmacie.

Pastaj vendos. Dhe prandaj vendimi në këto raste i është lënë Kryeministrave të vendeve të BE të vendosin me konsensus nëse do të hapen apo jo negociatat, edhe me Shqipërinë. Prandaj shqiptarët nuk duhet të mashtrohen sot nga fjalët e bukura të Ramës apo “lëvdatat” e Mogherini. Ata bëjnë detyrën. E vërteta është ndryshe. Vendimin e merr Merkel në qershor. Vendimi i saj ka peshë vendimtare dhe gjasat janë që Merkel të jetë realiste.

Prandaj, shqiptarët duhet të presin qershorin. Që të mos thonë se Mogherini ishte e mirë, por Merkel…

Shqiptarët duhet të kuptojnë se me qeverinë Rama rruga drejt Europës është jo vetëm e gjatë, jo vetëm e vështirë, por mundet edhe dera të mbetet mbyllur…dhe nuk i ndihmojnë as fjalët e ëmbla të Mogherini dhe realizmi i Merkel.

Filed Under: Editorial Tagged With: Angela Merkel, Be, Mogherini, shqiperia

Kosova, perspektivë të qartë e të hapur evropiane

November 17, 2017 by dgreca

1 Haradinaj-Mogherini-17 11 2017

-Kryeministri i Kosovës Haradinaj u takua sot në Bruksel me Përfaqësuesen e BE-së, Mogherinin/

1 Haradina diaspora-Takim edhe me bashkatdhetarë: Diaspora në Belgjikë është lidhja e Kosovës me Evropën/

1 ok Diaspora Harad

BRUKSEL, 17 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me të cilën bisedoi për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës. Kryeministri Haradinaj theksoi se me dinamikën e përcaktuar me qeverisjen e re është përshpejtuar edhe procesi i përmbushjes së Axhendës së Reformave Evropiane dhe kriteret e përcaktuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave me BE-në. Ai tha se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes dhe përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në këtë proces dhe tha se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka nis të adresohet me fillimin e punës së Komisionit të ri shtetëror.Ai tha se gjetjet e komisionit në raportin përfundimtar do të analizohen dhe pas kësaj do të procedohet më tutje.Kryeministri Haradinaj tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të bëhet pa pengesa.Ai theksoi se Kosova është faktor stabiliteti dhe po dëshmon përkushtim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët përfshirë edhe Serbinë, me të cilën po zhvillon dialog për normalizim marrëdhëniesh.Kryeministri Haradinaj theksoi se dialogu duhet të riformatohet të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.Në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

 DIASPORA, EDHE ZHVILLIM PËR KOSOVËN

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë në Belgjikë.
Diaspora kosovare në Belgjikë është lidhja e Kosovës me Evropën dhe puna e tyre për vendlindjen është e madhe dhe e pakursyer.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se mbështetja për diasporën do ta ndihmojë zhvillimin e vendit dhe do ta forcojë rrugën e Kosovës drejt integrimeve.
“Në përgatitje për takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit këtu në Bruksel, është e pashmangshme të mos takojë edhe njerëzit tanë që e duan dhe jetojnë me atdheun e tyre”, ka thënë kryeministri Haradinaj./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, diaspora, Haradinaj takim Bruksel, Mogherini

Mogherini: Shqipëria është Europë

March 3, 2017 by dgreca

*BASHA-MOGHERINI:30 MINUTA NE “ROGNER”/

1 Nishani mogheriniMogherini- Nishani, diskutim për reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin/Presidenti Bujar Nishani u takua sot me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zv. Presidente e Komisonit Evropian, Federica Mogherini.

Presidenti Nishani i përcolli Mogherinit vlerësimin për mbajtjen lart në agjendën e BE të Shqipërisë dhe rajonit, dhe falënderoi për angazhimin e madh të të gjitha institucioneve të BE për ecurinë e reformave në Shqipëri.Kreu i Shtetit evidentoi se pas propozimit të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe konkluzioneve të Këshillit, janë të qarta fushat prioritare në të cilat vendi duhet të bëjë përparim sa më parë.

Presidenti Nishani vuri në dukje se ndërkohë që reforma në drejtësi ka patur një zhvillim pozitiv në dy vitet e fundit, tashmë ka mbërritur në një etapë të rëndësishme që kërkon krijimin e mekanizmave legjitimë, të besueshëm dhe të shëndetshëm për zbatimin efikas të saj. Në këtë kontekst ai theksoi se është tejet e rëndësishme që ky proces të ecë vetëm mbi baza kushtetuese dhe ligjore, të shmanget politizimi i tij, dhe të inkurajohet gjithëpërfshirja, si garancitë e besueshmërisë tek qytetarët shqiptarë.

Kreu i Shtetit shtoi se reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe administratës publike, pasi të tria këto dimensione lidhen me perspektivën e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.

Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, Presidenti Nishani garantoi se Shqipëria nuk ndërhyn në punët e brendshme të asnjë vendi tjetër, dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai shprehu shqetësimin e përdorimit të një gjuhe armiqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoni për qëllime që lidhen me garën politike në vend.

Presidenti theksoi se Platforma e partive shqiptare në Maqedoni është produkt i vetë këtyre partive, të cilin Shqipëria e mbështet duke e parë në frymën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke mbështetur bashkëjetesën si qytetarë të barabartë ndërmjet të gjitha etnive atje, ashtu sikurse ndjekim parimin marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

auto_1488564048fede1488565238

Mogherini: Shqipëria është Europë. BE gati për negociatat

Shqipëria është Europë! Ka qenë ky mesazhi që shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka dhënë në një takim me studentët e Universitetit të Tiranës.“Është absolutisht e qartë se Shqipëria është Europa dhe duhet të largohemi nga retorika se ju keni rrugë europiane. Ju jeni rrugës drejt BE-së”, ka deklaruar Mogherini.
Shefja e diplomacisë sw BE ka thënë se Bashkimi Europian nuk ka për të qenë i plotë derisa Shqipëria të jetë pjesë e tij, por i takon vendit tonë që të çojë përpara proceset integruese.
“Zgjerimi është një zgjedhje e përbashkët që ne po e bëjmë së bashku dhe ka të bëjë me vendime të përbashkëta që ne i ndajmë me njëri-tjetrin. Tani e ka Shqipëria në dorë të marrë hapin përpara”, ka thënë Mogherini.
Dhe në këtë drejtim, përfaqësuesja e Lartë ka nënvizuar se implementimi i reformës në drejtësi është diçka që i duhet Shqipërisë dhe jo Brukselit.
“Janë qytetarët që duan një reformë në drejtësi që shteti të funksionojë më mirë dhe jo Brukseli. Ndaj është përgjegjësi e institucioneve që ta përmbushin këtë reformë. Një sistem i pavarur i drejtësisë lufton krimin e organizuar, korrupsionin, do të tërheqë të rinjtë e interesuar për biznes dhe investitorët. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë hapat e duhura, ne nga ana jonë jemi gati të hapim negociatat”, ka thënë Mogherini.
Nuk ka mbetur jashtë fjalimit të saj edhe kriza politike në Shqipëri, për të cilën Përfaqësuesja e Lartë ka nënvizuar se problemet dhe kontestet duhen zgjidhur brenda dyerve të institucioneve.1 Basha Mogherini

BASHA-MOGHERINI:30 MINUTA NE “ROGNER”/

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim rreth 30 minuta me shefen për politikën e jashtme të BE, Federica Mogherini, të cilën e njohu me kushtet e protestës së opozitës dhe me situatën politike në vend.

Pas përfundimit të takimit mes tyre që u zhvillua në “Rogner”, Basha theksoi se diplomates së lartë të BE i bëri me dije se krijimi i qeverisë teknike është zgjidhja e vetme për organizimin e zgjedhje të lira dhe demokratike.

“E njoha konkretisht me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për krizën e rëndë politike që vendi po kalon, i dështimit për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zonja Mogherini do të shprehet vet, nuk jam këtu të bëj zëdhënësin apo zëdhënësen e saj. Por, kauza jonë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata që i duan të mirën Shqipërisë”, deklaroi kreu i demokratëve.

Lulzim Basha e konsideron kritike situatën aktuale politike, për të cilën bëri fajtor Kryeministrin Edi Rama, dhe u bëri thirrje forcave politike që t’i bashkohen kauzës opozitare.

“Shqipëria është një pacient me kancer që ka nevojë për një operacion të thellë. Qeveria teknike, që do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e vetmja zgjidhje për t’i dhënë vendit rrugëdalje”, tha kryetari i PD Lulzim Basha.

Prenoncimi i plotë i Lulzim Bashës:

“Sapo përfundova një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, znj.Federica Mogherini. Pata rastin ta njoh konkretisht me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për krizën e rëndë politike që vendi po kalon; i krimit të gjithëpushtetshëm të lidhur me pushtetin politik, i drogës dhe parave të drogës, i moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, i nxjerrjes së bandave dhe kriminelëve nga burgu me ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike të niveleve të larta, i dështimit për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2014 në Korçë, në 2015 anembanë vendit, në 2016 në Dibër, i dështimit për t’i dhënë vendit reformë zgjedhore si plotësimi i të gjitha kushteve për të hapur rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, vetëm përmes një qeverie teknike. Një qeverie të vullnetit të mirë që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke zbatuar deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke ndërmarrë një aksion energjik dhe efektiv kundër narkokultivimit, narkotrafikimit dhe parave të pista të drogës që sipas tashmë gjithë mediave botërore kërcënojnë zgjedhjet në Shqipëri, dhe duke krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pa dyshim duke i hapur kështu rrugë edhe zbatimit të reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut për të cilën Partia Demokratike dhe opozita kanë dhënë kontribut dhe janë krenar për kwtw.

Pyetje: Çfarë ju tha znj.Mogherini?

Basha: Zonja Mogherini do të shprehet vetë. Unë nuk jam këtu të bëj zëdhënësin e saj, por mund t’ju them se kauza jonë, kauza e qytetarëve shqiptarë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata të cilët i kanë dashur dhe i duan të mirën Shqipërisë. Ata që na kanë shoqëruar në 26 vite tranzicion të vështirë e kuptojnë se Shqipëria me krimin e organizuar në pushtet dhe me problemin e jashtëzakonshëm të drogës nuk është një pacient me kollë që mund të shërohet me shurup, por është një pacient me kancer që ka nevojë  për një operacion të thellë.

Ftesa ime është që faktorët e përgjegjshëm politikë të bashkohen në një pakt kombëtar për të kryer këtë operacion përmes një qeverie teknike e cila do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është në të njëjtën kohë edhe e vetmja rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë, në sundimin e krimit të organizuar për një kohë të gjatë, duke dëmtuar nw palcë interesin kombëtar dhe jetët e të gjithë shqiptarëve në vendin tonë.

Pyetje: Z.Basha do të shkoni të hënën në Parlament në seancën për ngritjen e komisioneve të Vetingut?

Basha: Nuk ka dhe nuk për të pasur Parlament tjetër përveç Sheshit të Lirisë, deri në arritjen e një pakti kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

 

Meta- Mogerini:Reforma në drejtësi të zbatohet sipas Kushtetutës, rrit besimin

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në avancimin e Shqipërisë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim dhe në veçanti për asistencën e dhënë në kuadër të reformave kyçe.

Në këtë drejtim u theksua rëndësia e avancimit pa vonesa me zbatimin e reformimit të sistemit të drejtësisë në frymën e bashkëpunimit politik e institucional dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së miratuar me konsensus.

Kreu i Kuvendit theksoi se “një reformë e bazuar në kushtetutë e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj” me qëllim që Shqipëria të ketë mundësi t’a luftojë më mirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe për të krijuar një klime më të favorshme për investimet e huaja.

Gjatë takimit, Meta dhe Mogherini diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen e përbashkët se një Shqipëri e stabilizuar dhe konstruktive i shërben më mirë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Filed Under: Politike Tagged With: Meta, Mogherini, Presidentti Nishani, Shqipëria është Europë

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT