• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISH URDHERVRASËSIT TANË JANË NË KRYE

November 23, 2016 by dgreca

Në kuadrin e 70 vjetorit/

 *Këto nuk duhen harruar: ish vrasësit tanë, ata që urdhëronin kryerjen e masakrave nga më të tmerrshmet apo pinjollët e tyre të jenë në krye të politikës dhe shtetit shqiptar. Ata kanë zaptuar  kreun e disa institucioneve gjoja të pavarura, si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe gjithë rrjetin e drejtësisë në vend. /

1-reshat-kripa

Nga Reshat  Kripa/*Jemi mbledhur sot në këtë tubim, për të nderuar emrat e pavdekshëm të martirëve të lirisë dhe demokracisë, ekzekutuar nga klika diktatoriale komuniste më 22 nëntor 1946.      Jemi mbledhur për të përkujtuar emrat e tyre, por  njëkohësisht edhe për të mos harruar. Me keqardhje konstatojmë se ende në Shqipëri, ish vrasësit tanë, ata që urdhëronin kryerjen e masakrave nga më të tmerrshmet apo pinjollët e tyre të jenë në krye të politikës dhe shtetit shqiptar. Ata kanë zaptuar  kreun e disa institucioneve gjoja të pavarura, si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe gjithë rrjetin e drejtësisë në vend.  Ata i gjen pothuajse në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, në parlament, në administratën shtetërore,  madje edhe në disa shoqata që veprojnë në vendin tonë.      Ne nuk jemi për hakmarrje personale ndaj kriminelëve që na vranë dhe burgosën, nuk duam më gjak se boll është gjaku që kemi derdhur ne gjatë kaq viteve,  por kërkojmë që drejtësia të thotë fjalën e saj dhe të mos heshtë sikurse ka bërë gjatë këtyre njëzetetegjashtë viteve. Le të hapen pa hezitim dosjet e ish sigurimit të shtetit, por më parë krahas tyre duhet të hapen edhe ato të punonjësve të diktaturës komuniste, të drejtuesve të komitetetve të partisë komuniste, të shefave të kuadrit nëpër ndërmarrje dhe kooperativa bujqësore, të këshillave popullore të lagjeve dhe fshatrave si dhe gjithë institucioneve të tjerë të dhunës  politike. Hapja e tyre do të pastrojë politikën shqiptare nga llumi ku e kanë futur këta bastardë të sistemit të përmbysur.                              Ne duam të harrojmë të kaluarën e errët të vendit, për të parë drejt së ardhmes botërore të planetit tonë, që retë e zeza të së kaluarës na e pengojnë. Një gjë të tillë na e kërkojnë të rënët tanë midis të cilëve janë edhe këta martirë për të cilët jemi mbledhur sot, eshtrat e të cilëve akoma nuk dihet se ku ndodhen. Ata kërkojnë një varr dinjitoz, ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot, apo të vendosin një tufë me lule. Një gjë të tillë na e kërkojnë edhe fëmijët tanë, që nëpër shkolla vazhdojnë të mësojnë ato që serviri propaganda komuniste për gati pesëdhjetë vjet.           Kjo është Shqipëria jonë sot.  Një vend ku nuk merret vesh se kush ishte paditësi dhe kush i padituri, kush ishte krimineli dhe kush viktima. Pothuajse të gjithë hiqen “të paditur” dhe “viktima”. E pra, janë pikërisht lakejtë e komunizmit ata që sjellin këtë kaos ku ndodhet vendi.

Ishte 8 nëntor 1946, ora 9:30, ditë e premte. Në sallën e kinemasë “17 Nëntori”    ( ish-“Nacionali”) ndodheshin shumë të pranishëm “të zgjedhur” në sallë. Fillon gjykimi kundër gjashtëmbëdhjetë anëtarëve të “grupit sabotator për tharjen e Kënetës së Maliqit”. Ishte “ditë e madhe, feste të madhe”. Ishte pesëvjetori i themelimit të një partie “të madhe”, që kërkonte kurban të madh. Mjerisht, ishte edhe fillimi i një tragjedie të dhimbshme e të përgjakshme, që do të vazhdonte gjatë… Altoparlantët përcillnin me gjithë fuqitë e tyre atë që ndodhte brenda. Flitej për një “krim të madh”, që do të merrte një ndëshkim gjithashtu edhe më të madh. Procesi zgjati dhjetë ditë. Sipas medies e shtypit, u ndoq në të gjithë Shqipërinë, madje dhe nga popujt fqinjë (ishim të rrethuar me Jugosllavinë socialiste motër) Trupi gjykues, argumenton akuzën e ngritur nga prokurori Nevzat Haznedari dhe jep vendimin: Dy me varje në litar, pesë me vdekje me pushkatim, disa të tjerë me burgim të përjetshëm e më poshtë. Natyrisht, ishte vetëm grupi i parë, se më pas do të vazhdonin pafundësisht arrestimet, vdekjet në tortura, pushkatimet e raprezaljet e familjeve të të gjithë atyre që kishin kryer shkollën amerikane të Fulcit dhe që sipas drejtësisë mjerane të diktaturës ishin prekur nga virusi i spiunazhit anglo-amerikan, ishin bërë agjentë të tyre. Po si qëndronte e vërteta?                                                                                                    Ja si është paraqitur ajo sipas vete Harri Fulcit dhënë në kujtimet e veta  përmes  së  bijës, Xhoanës.

“Gjykimi për gjoja tharjen e kënetës së Maliqit filloi pesë ditë para largimit të misionit amerikan nga Shqipëria. Dy nga të ekzekutuarit ishin ish-studentë të Shkollës Teknike, që u arrestuan për këto arsye:  Vinin nga familje patriotike të Vlorës, prandaj duheshin trajtuar si armiq të klasës. Të dy kishin vëllezër që kishin  shpëtuar  duke  ikur  ne  Itali  (Ymer  Sharra,  vëlla  i  Abdylit,  ishte gjithashtu ish-profesor i vjetër i shkollës teknike që në themelimin e saj). Duhej gjetur një kokë turku për të justifikuar dështimin e tharjes së kënetës, që me mburrje ishte premtuar se do të bëhej brenda tetë muajve. Gjyqi duhej të shërbente për diskreditimin e Fulcit dhe për të shmangur ndikimin e prestigjit amerikan e të Shkollës Teknike në pragun e kthesës që do të bëhej në të ardhmen.

 Kush martirizohej?…

Kujtim Beqiri, 30 vjeç nga Velça e Vlorës, bir i një familjeje patriotike (i ati pjesëmarrës aktiv në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920). Në vitin 1932 kryen Shkollën Teknike (dega elektrike). Në vitin 1940 përfundon me medalje të artë inxhinierinë civile, rruga-ura në Universitetin e Vjenës. Në korrik 1946 dërgohet në punimet e Maliqit. Pa kaluar as 3 muaj, fillojnë arrestimet, që nisin më parë me teknikët (Hans Vala, Mirush Përmeti, Pandeli Zografi, Eugjenio Skaturio, Mario Guernieri). Vijojnë me dorën e dytë: Mihal Stratobërdhen, Jani Vasili, mjeku italian Anastasio Riçio, për të përfunduar me inxhinierët Vasil Mano me të shoqen Zyrakën, Abdyl Sharrën e Kujtim Beqirin.

Si mund t’i shpëtonte Kujtim Beqiri skenarit, edhe pse nuk kishte as tre muaj në detyrë? Kishte qenë student i shkëlqyer në Vjenë dhe kishin kërkuar ta emëronin si pedagog atje. Për të vetë drejtori i Shkollës Teknike, Harri Fulc, duke shprehur simpatinë e madhe, i thoshte se “ti do të bëhesh si Benjamin Franklini”. Ishte ai që në vitin 1976 do të ishte i 22-ti “Yll i Universitetit të Vjenës” (në çdo 50 vjet zgjidhej një nga studentët e shkëlqyer), por mjerisht kishte 30 vjet që ai ishte varur nga bashkatdhetarët e tij këtu në Shqipëri. I vëllai, Skjarrim Beqiri, kujton:

 “Në atë kohë i them Kujtimit se «po arrestojnë shumë njerëz këtu dhe mund të të kapin edhe ty… Ka rrezik të të vrasin për të justifikuar mostharjen e kënetës në afatin e kërkuar». Ai m’u përgjigj: «Unë punoj 18 orë në ditë dhe s’kam pse të kem frikë. U ktheva në Shqipëri. Për sa i takon sabotimit që ti thua, mbaje mend mirë se asnjë teknik kurrë nuk e saboton veprën e tij, se në të ai ka nderin, dinjitetin, aftësinë e vet.”.

Pas dhënies së dënimit me varje në litar, më 19 nëntor, dëshmitarët tregojnë: “Pas dënimit me varje i shkon në birucë djali i xhaxhait, Saliko Sulua, dhe e pyet: «Si veprove kështu?» Kujtimi i përgjigjet: «Nuk kam bërë asnjë faj, por e dija se kam për të vdekur dhe desha të vdes si njeri e jo si qen». Po fjala e tij e fundit para varjes? “Fajin tonë do ta tregoj historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë flamuri!” Thonë se e shtyu vetë karrigen dhe litari u zgjat deri në tokë, por prokuror Haznedari shpejtoi dhe, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare,   e vari për së dyti.

Abdyl Sharra, 35 vjeç, nga Vlora. Kryen shkollën teknike të “Robert Kolegjit” në Stamboll dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Romë me medalje ari. Emërohet kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit dhe pas tre muajsh arrestohet si “armik i popullit, si iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”. Sipas akuzës mjerane, kryeinxhinieri udhëzimet i merrte nga Fulci dhe raportimet i bënte përmes Zyraka Manos… Po vetë Zyraka Mano? “Ngrini sytë nga qielli të na shikojë Zoti, se Ai dhe ne e dimë që jemi të pafajshëm”, – do t’i thoshte ajo të shoqit, Vasil Manos dhe Eugjenio Skaturos ndërsa shkonin drejt vendit të pushkatimit. Mos harroni1 Në atë kohë Zyraka ishte shtatzanë. Mjerisht, nuk mund të ndalemi më gjatë në kuadrin e një kumtese, por nuk mund të mos përmendim shkrimet e mashtrimet letrare të realizmit socialist që vijuan më pas. “Armiqtë” do ta titullonte romanin e tij Fadil Paçrami, i dënuar më pas edhe vetë si armik. “Këneta” do të titullohej romani i Fatmir Gjatës, që do të studiohej me dhjetëra vjet  ndër shkollat shqiptare. Vijonin në masë edhe arrestimet, torturat, dënimet e pushkatimet e të tjerëve nën akuzën tashmë standarde të sabotimit të kësaj kënete famëkeqe të Maliqit.

Po Mirush Përmeti, 34 vjeçari nga Manastiri, biri i doktorit Bedri Përmeti, që në moshën 70-vjeçare do të lutej:“Djali im e ka thënë që është i pafajshëm. Të gjithë shpresën e kam varur te ky djalë i vetëm që kam. Kam besim të madh se ky apel nuk do mbetet pa u dëgjuar.” Mjerisht, besimi ishte i humbur, sepse i arrestuar më 29 nëntor 1946, më 3 dhjetor do të dilte vendimi i Gjykatës së Lartë, i miratuar nga vetë komandanti suprem gjeneralkolonel Enver Hoxha për vdekje pushkatim edhe për Mirushin, djalin e doktorit, i cili në pritje të pushkatimit gjente mundësinë të nxirrte nga burgu shkrimin për të shoqen, ku e porosiste:“Kujdes gjithmonë ti do të kesh të dy fëmijtë. Pas dore kurrë të mos i lësh. T’i rrisësh për Shqipëri sido që të jetë fati ynë. Ndër mend të kesh gjithnji se i pafajshëm isha gjithmonë. Punova për Shqipëri.           

Ky ishte mesazhi fisnik i Mirushit, që përcolli në emër të të gjithë martirëve që përkujtojmë. Mesazhi fisnik i të gjithë atyre që dhanë gjithçka për Shqipërinë, por vetë Shqipëria i vrau. Ishin pikërisht projektet e këtyre inxhinierëve të shquar që bënë të munduar tharrjen e kënetës së Maliqit dhe kënetave të tjera më vonë. Por për fatin e keq të kombit autorët e tyre nuk ishin më gjallë. Diktatura komuniste i kishte ekzekutuar. Sigurisht, ishte koha e një diktature që sapo niste një rrugë të gjatë mjerane, por fatkeqe e të përgjakshme për vete Shqipërinë e shqiptarët. Ishte mesi i një shekulli që, mjerisht, do ta sillte ndryshimin vetëm në fundin e tij. Deri atëherë numri i martirëve do të ishte i shumtë, lista e gjatë, e pafund, por pa dyshim vendin e tyre në piedestalin e demokracisë shqiptare do ta zinin përjetësisht edhe martirët e kënetës famëkeqe të Maliqit, ata që nga katakombet e hekatombet përkujtohen edhe sot mbas shtatëdhjetë vjetësh.

Le të hapen pra dosjet! Le të hapen dhe të publikohen të gjitha dosjet e sistemit totalitar. Është e drejta e qytetarëve të mësojnë mbi gjithçka që ka lidhje me to. Le të hapen dosjet për të mos lejuar që vendet në parlamentin shqiptar, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore dhe vendore të zihen nga të korruptuarit e sistemit të përmbysur. Kështu do të kemi një parlament të pastër, një qeveri të pastër, një drejtësi të pastër, një administratë të pastër, një shtet të pastër. Në rast se sot flitet për një shtet të korruptuar, kjo vjen edhe si rezultat se në të bëjnë pjesë edhe të korruptuarit me dosje që sjellin frymën korruptive të sistemit që i degradoi deri në atë gjendje.                                                                                                                                   Le të hapen dosjet që të mos kemi më në krye  njerëz që ruajnë në ndërgjegje gjynahet e kohës së përmbysur.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më gazetarë, analistë, komentatorë e të tjerë që me artikujt, analizat dhe komentet e tyre shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat e këtij kombi.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më mësues e këshilltarë gjynahqarë që helmojnë ndërgjegjen e fëmijve tanë apo të mbarë popullit.

Le të hapen dosjet të gjitha dhe të përlyerit të hiqen nga detyrat shtetërore që mbajnë. Këtu nuk bëhet më fjalë për ndëshkim, pasi tani është shumë vonë për këtë. Një gjë e tillë duhej të ishte bërë shumë vite më parë, kur ishin gjallë një pjesë e mirë e fajtorëve të katastrofës së kaluar. Vetëm atëherë do të kemi një Shqipëri të pastër, një Shqipëri dinjitoze. Vetëm atëherë do ta meritojmë të jemi vend anëtar i Bashkimit Europian, të jemi të barabartë me kombet e tjerë.

Së fundi le të hapen dosjet edhe për të ashtuquajturit “të përndjekur politik” që u dënuan për vjedhje apo përdhunime të familjarëve të tyre dhe shteti komunist u shtoi edhe nenet tentativë arratisje apo agjitacion e propagandë për t’i dënuar më tepër dhe që që natë e ditë i dëgjojmë të dërdëllisin për heroizmat e tyre. Këtu dua të shtoj se, për fat të keq, kemi midis nesh disa ish të përndjekur politike që kanë haruar rrugën nga e cila kanë ardhur dhe prejardhjen e tyre familjare dhe janë bërë palë me ata që na vranë, që na burgosën, që na internuan, duke arritur poste të larta në hierarkinë e sundimtarëve të sotëm.

Jemi i vetmi vend i Europës Lindore që nuk i kemi hapur dosjet. Jemi me shumë vonesë, por një fjalë e urtë thotë: “Më mirë vonë, se kurrë!” Mos u mundoni të kopjoni modelin gjerman. çek apo të ndonjë vendi tjetër pasi asnjë prej atyre vendeve nuk mund te krahasohet me krimet e kryera ne Shqipëri. Shqipëria ka një specifikë të veçantë në lidhje me vendet e tjera të lindjes. Ajo ishte vendi që pësoi genocidin më të egër në krahasim me vendet e tjera.

Por a do të happen me të vërtetë dosjet? Personalisht mendoj se kjo është një lodër politike e sundimtarëve të sotëm të shtetit shqiptar.

Ndaj nuk duhet të harrojmë. Nuk duhet të harrojmë të rënët tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i vranë. Nuk duhet të harrojmë të burgosurit tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i burgosën. Nuk duhet të harrojmë të internuarit tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i internuan.

Këto nuk duhen harruar!

*Kumtesë mbajtur në konferencën përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të pushkatimit të martirëve  të të ashtuauajturit “Grupi sabotator i kënetës së Maliqit”

 

Filed Under: Politike Tagged With: ISH URDHERVRASËSIT TANË, JANË NË KRYE, reshat kripa

Letër të Hapur Edi Ramës për Samitin e Diasporës

November 23, 2016 by dgreca

Z. Kryeministër Shqiponjën e Artë për Alb Info e shitët si shërbim politik/

1-edi-elida-bucpapajNga Elida BUÇPAPAJ/

I nderuar Z.Kryeministër,/

po ju shkruaj në lidhje me Samitin e Diasporës./

T’ju themi të drejtën në fillim e mirëpritëm ftesën tuaj, por duke ndjekur rrjedhën e organizimit, hoqëm dorë nga ardhja.Mosardhja binte ndesh me dëshirën tonë për të qenë aty, por refuzimi ynë ishte në kontekstin për të mos qenë pjesë e një show politik me skenar të parapërgatitur. Nuk do të vinim t’ju falenderonim por t’ju kritikonim, jo kritika personale ndaj jush, por ndaj gjithë regjimit të postdiktaturës këta 25 vjet tranzicion prej ferri, sepse shteti ka ndjekur kundër diasporës politikën e Mërgatës së Qyqeve, kur e gjithë mërgata është shqipe e gjallë, ndërsa politika shqiptare e përbërë prej qyqesh dhe qyqanësh.

Gjithsesi ideja për të mbedhur çdo vit Diasporën është i domosdoshëm dhe ju e nisët i pari këtë praktikë, që duhet përgëzuar në parim. Po ashtu prania e zotit Mark Gjonaj, edhe atyre shqiptarëve që morën pjesë.

Ne si gazetarë shqiptaro-zvceranë me një qëndrim dhe veprimtari tashmë më tepër se 20 vjeçare ne Zvicër kemi botuar herë pas here shkrime për diasporën zvicerane, të cilës shteti helvetik i jep rëndësi aq të madhe sa e quan Zvicra e Pestë, krahas Zvicrës frankofone,  gjermanofone,  italianofone dhe asaj romanche. Pra shteti zviceran e sheh diasporën si pjesë integrale të së tërës dhe natyrisht me të drejtë vote.

Zvicra e di me statistika të sakta dhe të përpikta se sa shtetas të saj jetojnë jashtë territoreve. Sipas këtyre statistikave që i përgatit Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, ku Voal është i akredituar, jashtë Konfederatës Helvetike ndodhen 746 885 zviceranë ndërsa në Shqipëri 76 syresh!

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përveçse ka detyrë që të ketë të dhëna të sakta për shtetasit e saj jashtë dhe të organizojë votimet, po ashtu drejton edhe Organizatën e Zviceranëve Jashtë – Organisation of the Swiss Abroad (OSA) që këtë vit festoi 100 vjetorin e krijimit! Po ashtu çdo vit në Zvicër, po nën drejtimin e Ministrisë së Jashtme, diaspora organizon Kongresin e saj nëpër kantone të ndryshme. Këtë verë u shënua Kongresi i 94-të i diasporës zvicerane!

Merreni me mend, Konfederata Helvetike, si shtet zyrtarisht kujdeset për shtetasit e saj jashtë prej vitit 1916. Kjo ndodh sepse këtu mbretëron shteti i së drejtës ndërsa në vendin e shqiponjave ende jo.

Diktatura i ka përndjekur shqiptarët, ndërsa postdiktatura i injoron sipas teorive të tipave si Baton Haxhiu, një ish i shitur i vjetër.  Dhe ju, i nderuar Zoti kryeministër, jeni bërë vegël e Baton Haxhiut. Dhe më vjen shumë keq. E them me sinqeritet.

Po vazhdoj me Organizatën e Zviceranëve Jashtë. E dini ju se me çfarë merret veç atyre që përmenda më sipër?

Po jua them. OSA përfaqëson në Zvicër interesat e shtetasve të saj jashtë. Përmes organizmave të saj përfshi edhe mass mediat i informon qytetarët dhe po ashtu është në shërbim të tyre, duke bashkërenduar dhe unifikuar veprimtaritë e 750 organizatave, shoqatave e institucioneve zvicerane në të gjithë botën.  Po ashtu ka edhe një revistë të saj në pesë gjuhë që e shpërndan në 190 shtete për t’iu ardhur në ndihmë gjithmonë shtetasve të saj sidomos rinisë!

E kuptoni se sa larg që jemi! Jemi 100 vite larg. Gjithsesi është mirë që e filluat, por duhej ta fillonit larg ndikimeve politike, larg skemave dhe injorancës së Hashim Thaçit, që ju përdori si të ishit nxënës i tij dhe ai mësuesi juaj. Ju e kthyet Shqipërinë krahinë të Kosovës. Hashim Thaçi është aplikuesi i metodave barbare. Ai e ka vendosur gjithë shtetin, diplomacinë dhe të gjithë shtypin për t’i injoruar dhe ekskomunikuar kundërshtarët e tij!

Duke ndjekur Ditët e Samitit të Diasporës, vura re, se të gjitha tryezat e rrumbullakta e të gjithë ata që folën ishin pjesë e ingranazheve të politikës. Por mos harroni, se sado e madhe të jetë PS në numër, me gjithë enturazhin e klientëve të saj, ajo është shumë e vogël në krahasim me numrin e shqiptarëve jashtë, qoftë parti maxhoritare, ju jeni minorancë përpara diasporës shqiptare e cila është totalisht e paorganizuar, ose ka si organizim çorganizimin prej partive në shtetin amë, Kosovë, Maqedoni etj.

Sikur e dini, Diaspora shqiptare është e integruar në Europë, SHBA, Kanada, Australi, zelandën e Re, e kudo ku gjallon, si selfmade.  Ajo jeton me djersën e ballit. Nuk është pjesë e sistemit klientelist, nepotik dhe të korruptuar që ekziston në shtetet nga vijnë. Ajo ka mbetur pjesa idealiste e kombit, sepse beson ende se edhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni ka mundësi të ndertohet shteti i së drejtës, ku të funksionojë meritokracia dhe jo shitjablerja, sepse politika shqiptare vetëm shet e ble me tentakulat e saj që arrijnë deri në diasporë.

E kam fjalën për trofeun e Shqiponjës të Artë dhënë nga shteti shqiptar portalit Albinfo, si një fait accompli e shitblerjeve, një portal, nën kostumin e një organizmi jo qeveritar, por që mbahet nga politika kosovare për të plotësuar interesat e saj të ngushta. Politika kosovare e paraqet portalin përpara shtetit zviceran se i përmbush atributet për të marrë mbështetje financiare.  Jo më kot në bordin e saj, fillimisht kur u krijua, kishte si anëtar ambasadorin e Kosovës në Zvicër, po ashtu edhe bashkëshorten e tij e më the e të thashë. Pra ky portal nuk mbijeton me punën e tij, por sepse gllabëron miliona. Tani me trofeun e Shqiponjës të Artë, ju i krijuat një shans të ri për të gllabëruar të tjera! Ju lumtë!

Disa ditë më parë një gazetar nga Kosova, Leonard Komani, botonte një shkrim tek Zëri, ku Albinfo vihej në qendër, si një portal grantezhvatës, pra parezhvatës, sepse, sikur të mos i mjaftojnë parezhvatjet në Zvicër, ky portal zhvat edhe paret e granteve të Kosovës! Sigurisht në Kosovë grantet i përfitojnë njerëzit e Hashim Thaçit.

Kësisoj trofeun e  Shqiponjës së Artë qeveria e Shqipërisë ia dhuroi një portali grantezhvatës, pra që nuk i ka dhënë vendit sipas formulës të John Kennedy-it, por vetëm i ka zhvatur, pa e përmbushur assesi misionin e gazetarisë.

Siç mund ta dini, bashkë me Skënderin jemi botues të portalit Voice of Albanians. Në Zvicër e ushtrojmë profesionin e gazetarit prej gati dy dekadash, nën sulmet underground apo injorimim total të politikës shqiptare, por të vlerësuar nga shteti që na është bërë Atdheu ynë dhe po ashtu të respektuar nga publiku të cilit i përulemi, sepse ky publik na ka dhënë forcë duke na bërë që të jemi portali shqiptar më i suksesshëm jo vetëm në Zvicër, por në gjithë diasporën shqiptare në botë.

Dhe kjo nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë më e vështirë se rruga që përshkoi Odisea për t’u kthyer në Itakë. Gjithçka e kemi bërë vetë, duke patur pas krahëve sulmet barbare të politikës shqiptare plus puthadorët e saj parezhvatës, por në fund, na e kanë marrë të keqen, megjithëse na kanë dëmtuar, na kanë lodhur, na i kanë shkatërruar nervat, sepse na i kanë bërë të 99-tat, me hakera, me zagarë, me sorranë, me qyqanë, por ne prapë nuk jemi dorëzuar, jemi bërë më të fortë sepse kemi patur me vete opinionin publik që na ka besuar. Falë kredos tonë për të mbrojtur të vërtetën, Voal sot është webfaqja më e lexuar në diasporën tonë. Albinfo ka llukse, ka pare, ka përfitime, ka trofe, ka shqiponja të arta, ka miq Hashimin , ka mik, mikun e Hashimit, por kjo e zhyt në mospërmbushjen e misionit që duhet të ketë çdo medium i fjalës të lirë i botës.

Meqë në këtë letër i jam referuar statistikave, duke iu referuar Global Rank tek alexa.com, sipas këtyre statistikave Voal zë vendin e parë, në krahasim me albinfo, dialogplus, gazetën Illyria dhe Dielli në SHBA, bile edhe në krahasim me Zërin e Amerikës.

Mund të na hakerojnë prapë, mund të na fusin prapë viruse, mund edhe t’ia arrijnë qëllimit e të na bëjnë të heshtim, por ne kemi çerek shekulli që mbrojmë të vërtetën, çerek shekulli shumëzoje për dy, bën gjysmë shekulli,  ne kemi krijuar shkollën tonë duke e ruajtur integritetin përmes punës dhe shkrimit, që është pasuria jonë e patundëshme, sikur thotë latini, verba volant –  fjalën e merr era, por e shkruara mbetet – scripta manent. Ne luftojmë për ta shprehur të vërtetën, ne nuk shitemi, por as nuk pranojmë që trofetë me emblemën e shtetit shqiptar të shiten tek klientët e politikës.

Shqiponjat e Arta i meritojnë ata që japin vendit pa i marrë, i meritojnë ata që kanë ideale, që janë idealistë, ata që janë të motivuar, ata që kanë kredo të ardhmen e rinisë shqiptare dhe ata që kanë besim se do të të ndërtojnë shtetin ligjor dhe shtetin social në Shqipëri, Kosovë etj.

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, kryeminstrit, leter e hapur, SAMITI I DIASPORES

Mikrofoni i fikur i Samitit, apo diaspora si streha e fundit e kryeministrit Rama

November 22, 2016 by dgreca

1-petrit-kucanaNga Petrit Kuçana/Drejtor i gazetës “The Albanian” Londër/ “Nëse ju nuk ju pëlqen ambasadori, atëherë që në këtë moment unë e anuloj takimin”. Kjo ka qenë përgjigja e prerë që u erdhi njerëzve të Ramës disa vite më parë në Britaninë e Madhe, ndërsa u orvatën t’i mbushnin mendjen Lord Dubs, që në takim të mos e merrnin ish-ambasadorin Berisha, pasi “nuk e kishte në qejf” kryeministri. Fisnikëria e Lordit britanik, përtej buzëqeshjes dhe pritjes së ngrohtë ndaj kryeministrit shqiptar, kurrsesi nuk e kaloi atë që quhet procedurë, protokoll, (të qenurit shtet). Nuk ishin të paktë ata që u befasuan kur e panë kryeministrin Rama siç e do zakoni përkrah Ambasadorit Mal Berisha…

Ky incident të kujtohej ndërsa merrje ftesën me firmën elektronike “Miqësisht Edi Rama” për Samitin e Diasporës dërguar muaj më parë.  Vërshimi i reagimeve nga mërgimtarët shqiptarë në  të katër anët e botës, ku u refuzua në masë një ftesë e tillë duke filluar nga “Vatra” e Amerikës e deri tek shoqatat që “nuk i kishin punët mirë” me ambasadat, bëri që kryeministri të kalonte në planin B; aplikimet online. (Madje atyre që kishin konfirmuar pjesëmarrje iu kërkua që të dërgonin biletën, për t’u siguruar që do të vinin)

Shkurt e shqip çdo emigrant (dhe jo vetëm) mund të aplikonte në webin e hapur për samitin, për të siguruar një ftesë formale me qëllimin e vetëm mbushjen e sallave. Ishte krejt normale që në samit të takoje njerëz bie fjala që kanë ikur prej vite e vitesh nga Londra dhe ishin si përfaqësues “të emigrantëve” të Londrës, pa përfshirë ata që as vetë nuk e dinin se pse ishin aty.  Besohet se edhe vetë kryeministri është i vetëdijshëm se Samitit së paku nuk ishte përfaqësues, por për organizuesit do të mjaftonte mbushja e sallave, ku patjetër ishte e rëndësishme që pamja vizuale.

Diaspora u përça

Me dhjetëra shkrime paralajmëruan dështimin e të ashtuquajturit samit,  organizuar nën kujdesin e kryeministrit Rama, por mbushja e sallave, (nuk kishte vend për të hedhur një kokërr kumbulle në pallatin Mbretëror tha kryeministri).  Kryeministri Rama arriti të mbushë sallat, ashtu si mjerisht suksesshëm, arriti të përçajë më mënyrën më të paparë që nga vitet e pas luftës së dytë botërore. Çfarë do të ndodhte nëse këtë samit do ta organizonte bie fjala ndonjë institucion i parlamentit si Komisioni i Jashtëm Parlamentar, në bashkëpunim me institucionin e Presidentit të republikës?

Aq e madhe ka qenë kjo ndarje, saqë kërkimi i faljes nga kryeministri, (mbase hera e parë që kërkon falje si kryeministër) nuk shërbeu për asgjë, thjesht ishte një show mediatik, pasi që në krye të herës ka qenë i vetëdijshëm për këtë. Caktimi i  diskutantëve apo përfshirja e disa zyrtarëve të Kosovës apo të trojeve të tjera shqiptare, të shoqëruara me fjalimet e ngjyrave të thekshme folklorike, duke ngacmuar edhe nervin e pastër dhe idealist të mërgimtarëve,  ishin thjeshtë një tentativë për të fshehur plagën e madhe që u hap në diasporë, “delegatët e Ramës” dhe “refuzuesit e Ramës”.  Në shumë shkrime dhe komente u cilësua edhe si “Mukja e dytë” apo “Asambleja e Partisë Socialiste”, “Diaspora e Ramës” etj etj, dhe nuk dihet se kush do të mendonte ndryshe, kur në këtë organizim jo vetëm që  opozita u mënjanua tërësisht dhe sidomos institucioni i Presidentit të Republikës dhe gjithkush e vinte re nga fjalët me superlativa që i shkonin Ramës, e deri tek pyetjet të stisura dhe të përgatitura.  Çdonjëri që beson ndryshe do t’i mjaftonte të dëgjoje të ashtuquajturin “bashkëbisedim me Ramën”, për të kuptuar se aty nuk ishte diaspora. Kurrsesi. Ishin thjeshtë disa idealistë të pandreqshëm dhe ithtarë të kryeministrit.  “Zanati ynë na detyronte të ishin të pranishëm, për të përcjellë këtë aktivitet.  Mbase nuk është e rëndësishme për të përshkruar të ashtuquajturat debate nëpër konferencat e ndryshme, sesa i bashkëbisedimit me kryeministrin.

Lufta për mikrofonin

Ishte më tepër se tragji-komike kur shikoje “shpërndarësit e mikrofonit” me kufje që merrnin udhëzime nga lart, nga ndonjë regji qendrore, por u ndjeva i lumtur që u gjenda së bashku me disa miq të mi nga Londra, jo thjesht të majtë, por edhe drejtues të degës së këtushme të Partisë Socialiste . Me patjetër që donim të flisnim dhe të pyesnim, por “djali i mikrofonit” shmangej largohej me gjithë insistimin tonë të vazhdueshëm. Thjesht kërkuam ndihmën e miqve rreth e rrotull, që mund të kërkonin mikrofonin, por djali i mikrofonit vazhdonte të shkonte gjithandej vetëm tek neve jo. Mbi dhjetë veta në grupin tonë, duke përfshirë edhe miqtë tanë të majtë insistuam, por mikrofoni nuk vinte. Një ndër shqiptarët e suksesshëm të Britanisë z. Renis Gjoka  mundohej që të insistonte për marrjen e mikrofonit, por “djali me kufje” i mikrofonit megjithëse konfirmonte se do të na sillte mikrofonin, largohej për të shkuar gjithandej, vetëm tek ne jo. Kur shikon se ka kaluar rreth një orë  që insiston për marrjen e atij dreq mikrofoni, vë një bast me Renisin, jo të vogël, £5000 paund që nuk do na sjellin mikrofonin. U kërkojmë të gjithëve që ta ngrenë dorën, Ermirit që kërkon të hapë një Universitet në Shqipëri, një shqiptari të Turqisë, një vajze bukuroshe që nuk dinim nga cili shtet ishte, se mbase do ia ndryshonte mendjen “djalit me mikrofon”

Për mua do të mbeten të paharrueshme skenat, kur miku im inxhinier i suksesshëm, Elsion Bajrakurtaj kryetari i FRESH- Londër, pas insistimit për sjelljen e mikrofonit përdori humorin anglez me theksin e bukur të Shkodrës “Mos hajde këtu, dil jasht e jepja ndonjë burri” dhe deri tek gjesti shqiptar që nxjerr portofolin duke i kërkuar sjelljen e mikrofonit në shkëmbim të parave… Asnjë nga këto nuk funksionoi, ndërkohë që tronditeshim nga pyetjet që bëheshin, me “i nderuar zori kryeministër i të gjithë Shqiptarëve” tek sygjerimi për të kontribuar me 10 dollarë, tek shkrimtarët që kishin probleme për botimin e librave të tyre e dreqi i mallkuar nuk e merrje vesh se si bëheshin ato pyetje… Kjo ishte diaspora?!!! Trup e faqja e zezë. I rikujtoj mikut tim Renisit shumën e £5000 paundëve dhe pas një lufte e merr mikrofonin nga një i pranishëm që foli. Ngrihem të pyes kryeministrin por mikrofoni ishte i fikur. Regjia lart nuk e pa “të arsyeshme që ne të mos pyesnim” dhe më tepër se nervozizmi në ato raste, të kujtoheshin reagimet e ndryshme, kur të mohohet e drejta e fjalës; të qëlloje me këpucë orkestruesin, regjizorin, të përplasje mikrofonin dhe të ikje në mënyrë demonstrative?

Më shumë keqardhje ndjeja për shqiptarin e mirë Elsion Bajrakurtaj që është edhe kryetari i FRESH-it në Londër, sytë e pafajshëm të Renisit që habitej se si mund të ndodhte kjo, sesa për kryeministrin që më shikonte tek kërkoja fjalën në këmbë me mikrofon të fikur… dhe ndërmend të vinin fjalët e Arben Manajt se Samiti ishte një farsë…

Monologu i kryeministrit

Cila mund të jetë fjala më e përshtatshme në shqip, që mund ta përshkruajë atë samit, apo atë bashkëbisedim me kryeministrin?Marre, turp, faqja e zezë, turp e faqja e zezë, u koritëm, u marruam… ata janë diaspora? Kurrsesi. Ishte thjeshtë pasqyrim i të ftuarve të Ramës, “kryeministrit të kombit” dhe ato pyetje kurrsesi nuk përfaqësonin diasporën. Rama thjesht poshtëroi diasporën, u tall në mënyrën me të skajshme, më cinike. Ku ishin me qindra mijëra profesorë e doktorë që ligjërojnë në universitetet britanike dhe në ato në botë? Ku ishim artistët e sipërmarrësit, ata që kanë shërbyer dhe shërbejnë si ambasadorë të shkëlqyer të vlerave më të mira shqiptare? Ku ishin ata qytetarë të thjeshtë që t’i thonin kryeministrit se nuk dëgjuam asgjë nga ty, qoftë edhe një kërkim fjale për mosmbajtjen e premtimit që ka dhënë me zë dhe me figurë, për të drejtën e votës?

Si nuk e pyeti askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar se që në tre vite e gjysmë nuk e ka përmendur (qoftë edhe përmendur) tre herë fjalën diasporë apo të ngrinte probleme  që lidhen drejtpërdrejt me emigrantët kur bie fjala aeroporti i Rinasit është me i shtrenjti në rajon dhe më gjerë, dhe që Mali i Zi  që ka pak më shumë banorë se gjysma e Tiranës dhe ka dy aeroporte?

Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar përpara diasporës, ku me gjithë ato miradi fjalësh që foli për ta, nuk shpjegoi se kush e ka qenë ai bir…nëne që e ka penguar atë që në këto tre vite e gjysmë, të hapte së paku një ministri për diasporën si Kosova, ta pyeste se cilin model shteti kishte ndjekur qeveria e tij për këtë çështje, se si është e mundur që biznesmenë të suksesshëm shqiptarë nga Londra apo më gjerë, nuk guxojnë të investojnë në Shqipëri?

Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar, që nuk i tregon diasporës bie fjala se sa është minimumi jetik, konkretisht sa para i duhet një qytetari shqiptar për të mbajtur frymën gjallë, para këto që paguhen nga diaspora, pasi janë mbi 400 mijë frymë që mbijetojnë për kafshatën e gojës?

Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar që në vend të ambasadorëve më të mirë shqiptarë nëpr botë, profesorë, doktorë etj etj, zgjodhi kriminelë dhe i futi në parlament e që disa prej tyre kanë përfunduar në burg, duke e kthyer parlamentin shqiptar në strehë kriminelësh?

Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama ndjehej i turpëruar, që e ktheu Shqipërinë në vendin e shpresës së munguar, ku ikja mbetet e vetmja shpresë, apo t’i bëntë një pyetje të sinqertë, se si është e munguar që një mërgimtar që punon në perëndim e ka rrogën mesatarisht dy herë më të madhe se një ministër, por nuk ka arritur të ketë vila në bregdet, apo pasuri të paimagjinueshme? Si nuk e pyeste askush nëse kryeministri Rama, nëse ndjehej i turpëruar se si “kryeministër i të gjithë shqiptarëve”, nuk ka bërë asgjë përveç fotografive dhe demagogjisë dhe se nuk ka një rezultat konkret pas dy mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive të dy shteteve shqiptare, dhe që vazhdon të tundë si sukses unifikimin e një abetareje?

Si nuk e pyeti askush se si është e mundur që prej tre vite e gjysëm nuk u kujtua njëherë për diasporën dhe u kujtua vetëm pak muaj para fillimit të fushatës elektorale, ndonëse disa e lavdëruan pë idenë e gruas,(kaq serioze!!!).  Si nuk i kërkoi askush, qoftw edhe nga ata qw donin tw besonin se ishte iniciativw e mirw qw kryeministri Rama t’i numëronte vetëm tre gjëra që ka bërë për diasporën, në tre vite e gjysmë të qeverisjes së tij?

Diaspora si streha e fundit… e kryeministrit

Po me patjetër që dikush duhej ta lavdëronte kryeministrin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për diasporën, shtimin e numrit të saj. Dikush duhej t’i tregonte se vetëm në Britani të Madhe nga janari në shtator të këtij viti sipas  BBC-së (që nuk është media kazani) janë regjistruar 706 fëmijë shqiptarë, katër herë më shumë se sirianë dhe se ne nuk dimë si t’u përgjigjemi miqve tanë britanikë kur pyesin se çfarë po ndodh në Shqipëri. E mbase me patjetër do të konsideroheshin si shumë politike shumë pyetje të këtilla, por të paktën dikush ta pyste krejt sinqerisht, se a ka ndonjë strategji kryeministri për të ndihmuar ata shqiptarë që u detyruan të largohen, pasi nuk mund të paguanin faturat e milionëshe të energjisë elektrike, ato pesë mijë eurot për një vend pune etj etj, (dhe që të paktën në Britani tashmë janë në mbijetesë, që janë mbi 18 vjec dhe nuk guxojnë të rregjistrohen). Dikush duhej t’i thoshte kryeministrit se burgjet e Britanisë po mbushen me shqiptarë…

Por këtë kryeministri Rama e dinte, prandaj fasada ishte e rëndësishme, me drita e ngjyra, me banderola në sheshin Skënderbej,  e me çmime e lajka, se kështu do të hyjë në histori… që pas Ismail Bej Vlorës ishte Rama që mblodhi diasporën… dhe me patjetër sulmi ndaj Greqisë dhe folklori kuq i zi do i çonte peshë qoftë edhe për një moment, zemrat idealiste të shqiptarëve në çdo truall ku jetojnë, apo edhe në diasporë… Por ata që ishin të pranishëm në këtë samit, qoftë edhe ithtarët me të flaktë të tij, që jo domosdoshmërisht ndjekin zhvillimet politike në Shqipëri, thellë thellë e besojnë se Diaspora shërbeu si streha e fundit… e kryeministrit Rama.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: apo diaspora, Edi Rama, Mikrofoni i Samitit, Petrit Kucana, streha e fundit

Samiti i Diasporës në Tiranë

November 20, 2016 by dgreca

Në pritje nuk morën pjesë presidenti shqiptar Bujar Nishani dhe as kreu i opozitës Lulzim Basha, ndonëse sipas organizatorëve ata kishin patur ftesë për të qenë në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigatave./

2diaspora

Në Shqipëri do të nisi dje  Samiti i Parë i Diasporës shqiptare, takim i cili ka mbledhur në Tiranë afro 1 mijë përfaqësuesë nga gati 40 shtete të botës. Mbrëmë të gjithë ishin të ftuar në pritjen e organziuar nga kryeministri Edi Rama, me praninë edhe të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Në pritje nuk morën pjesë presidenti shqiptar Bujar Nishani dhe as kreu i opozitës Lulzim Basha, ndonëse sipas organizatorëve ata kishin patur ftesë për të qenë në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigatave.

“Diaspora shqiptare me njëmijë vështrime, njëmijë histori personale dhe kolektive, është rrënja e një trungu të lartë eksperiencash fantastike, të mundësuara pikërisht nga liria dhe dituria. Dhe duke u afruar më shumë me diasporën dhe duke bërë më shumë për diasporën, Shqipëria dhe Kosova mund të bëhen trualli ku eksperiencat fantastike të diasporës të lulëzojnë edhe në dy shtëpitë tona, me liri dhe me dituri”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij, duke shtuar se “pa diasporën, Shqipëria është më e cunguar se një territor i copëtuar në mijëra pjesë. Pa secilin prej jush dhe atyre që ju përfaqësoni këtu, ne jemi një bashkësi e papërmbushur, e paplotë dhe e pazhvillueshme në potencialin e saj”.

Duke theksuar rolin dhe angazhimin e diasporës shqiptare ndër vite, zoti Rama u shpreh se “po të shohim se çfarë ata që kanë ikur, kanë bërë për Shqipërinë, duket sikur Shqipëria ka qenë më shumë e tyrja sesa e jona, në dashuri, në përkushtim dhe në besnikërinë e pakushtëzuar ndaj saj. Nuk është turp, por është një ngushëllim jo i vogël të thuash se prej jush, prej mënyrës sesi ju veproni, sesi ju jetoni, sesi ju e përjetoni atdheun, ne duhet të kuptojmë këtu në Shqipëri, sesi dhe sesa më shumë akoma mund dhe duhet ta duam vendin tonë”, tha zoti Rama duke ju drejtuar të ftuarve të shumtë.

Për kryeministrin “synimi ynë për këtë Samit është i thjeshtë, sepse është i drejtpërdrejtë. Ne nuk kemi një recetë të parashkruar, nuk kemi as një projekt të bërë gati dhe nuk duam që samti të jetë një teatër ku ne të bëjmë sikur u mblodhëm, sikur folën, sikur vendosëm dhe në fund fare, ju largoheni pa lënë pas gjurmën e eksperiencës suaj. Jo, ne duam që të ulemi, të flasim hapur, ta shikojmë njëri-tjetrin në sy, për të kuptuar më mirë se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku dhe natyrisht, për të planifikuar më mirë sëbashku, atë që mund të investojmë në dije dhe në para për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë edhe gjatë këtyre dy ditëve, edhe në vazhdim”.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati theksoi se “një marrëdhënie deri tani njëkahshe, ku shteti vetëm priste nga Diaspora ose Diaspora vetëm priste nga shteti, duhet shndërruar në një ndërveprim të dyanshëm. Dëshira për të dhënë kontributin tuaj në ndërtimin e themeleve për një të ardhme më të mirë dhe vullneti ynë për t’ju krijuar kushtet optimale për dhënien e këtij kontributi, përbën thelbin e Samitit që po nis punimet sot”.

Presidenti i Kosovës Thaçi i mëshoi peshës që diaspora ka patur qysh nga koha e rilindjes kombëtare duke qenë “një prej shtyllave kryesore të përpjekjeve të kombit tonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Përpjekjet njëshekullore të popullit shqiptar për lirinë e Kosovës ishin gjithmonë të mbështetura nga diaspora, si përmes lobimit politik në qendrat vendimmarrëse botërore, po ashtu edhe me përkrahjen financiare, logjistike dhe njerëzore që kulmoi në përkrahjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ai.

Zoti Thaçi u shpreh se “si dy shtete kemi obligim që të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës sonë dhe t’u shtrijmë atyre dorën e ngrohtë të shteteve tona”. Sipas tij, ekziston nevoja që diaspora të jetë edhe më shumë e përfshirë në jetën institucionale të vendit, “prandaj, në këtë frymë, në kuadër të punës për reformën zgjedhore, do ta trajtojmë edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për të përcaktuar një numër të vendeve të rezervuara për diasporën”, paralajmëroi presidenti i Kosovës.

Gjatë dy ditëve të punimeve, Samiti i Diasporës synon të trajtojë një sërë temash dhe t’I japë përgjigjeve shumë pyetjeve mbi mënyrën e bashkëpunimit mes institucioneve dhe shqiptarëve që jetojnë kudo në botë. Për këtë arsye ai është parashikuar të zhvillohet në disa grupe sipas tematikave të ndryshme.

“Zhvillimi ekonomik në Atdhe dhe roli i Diasporës”

Paneli synon të sjellë në vëmendje rolin që Diaspora mund të luajë në zhvillimin ekonomik të vendit përmes diskutimeve rreth kushteve për investime nga diaspora në Shqipëri, mekanizmat e nevojshëm që duhet të ngrejë qeveria, sektorët që duhet të zhvillohen në të ardhmen, apo dhe format më efikase dhe me dobi shoqërore nëpërmjet të cilave diaspora mund të kontribuojë në zhvillimin e vendit.

“Turizmi shqiptar, realiteti dhe perspektiva”

Diskutimi në këtë panel synon të bëjë nga njëra anë një pasqyrë të detajuar të kontributin ekonomik që turizmi sjell në shoqërinë shqiptare, dhe nga ana tjetër të përqëndrohet në rolin që mund të luajë në zhvillimin e këtij sektori një bashkëpunim më i mirë dhe më i ngushtë me Diasporën. Turizmi atdhetar në Shqipëri është më se i përhapur, por për të kaluar në një fazë më të zhvilluar ku Shqipëria të ofrojë më shumë sesa oportuniteti i takimit me familjarët dhe rrethet shoqërore, do të diskutohet se cilat janë mundësitë aktuale dhe perspektivat e të ardhmes.

“Kultura, hapësira jonë e përbashkët pa kufi. Arti dhe Kultura pasaporta jonë”

Paneli për kulturën do të jetë një takim i hapur për të shkëmbyer idetë se si kultura shqiptare mund të shërbejë për të hapur skenën kombëtare përtej kufijve, apo dhe se si trashëgimia kulturore si një potencial i jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik duhet të promovohet nga shqiptarët kudo që janë.

“Dija mbi të gjitha: Të ruajmë gjuhën dhe identitetin”

Eshtë parashikuar që të bëhen disa prezantime të cilat do të synojnë njohjen me disa praktika dhe përvoja të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, analizën e mundësive për vendosjen e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe frytdhënës mes atdheut dhe diasporës shqiptare, për të shfrytëzuar sa më mirë kapacitetet dhe mundësitë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar.

“Të ndërtojmë rrjetin ndërshqiptar të aftësive”

Çdo vit në Shqipëri dhe jashtë saj dyert e shkollës nxjerrin mijëra studentë të cilët përballen me vështirësitë e tregut të punës. Përmes eksperiencave personale të panelistëve, diskutimi do të synojë të trajtojë e t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla si: A mund të ndërtojmë një regjistër të aftësive brenda e jashtë vendit? A mund të krijojmë platforma bashkëpunimi profesionale efikase të cilat lehtësojnë shkëmbim informacioni dhe eksperience? Çfarë duhet të mësojmë nga eksperienca të vendeve të tjera? Çfarë angazhimesh konkrete mund të marrin si Qeveria ashtu edhe Diaspora për të vendosur praktika pune bashkëkohore në interes të dyanshëm?

“Sipërmarrja e të rinjve – the start up culture”

Diskutimet do të synojë të trajtojnë çështje të tilla si: cilat janë shembujt nga bota që flasin për krijimin e kushteve të duhura për stimulimin e sipërmarrjes? Ku ndodhen oportunitetet dhe pengesat për rritjen e sipërmarrjes? Nga cilat vende mund të tërhiqet talenti i duhur? Si mund të lidhet Shqipëria me rrjetet e profesionistëve dhe sipërmarrësve? Kemi shembuj suksesi në Shqipëri? Si mund të ndihmojë diaspora për intensifikimin e sipërmarrjes?

“Organizimi i Diasporës dhe roli i saj në zhvillimin e Atdheut: Eksperienca nga bota”

Komunitetet shqiptare kanë treguar në mënyrë konkrete se janë në gjendje të mbrojnë më sukses interesat e tyre dhe ato kombëtare në tërësi. Megjithatë, për të rritur më tej ndikimin, për të pasur një zë më të fuqishëm dhe një rol më të rëndësishëm, si në vendin ku jeton ashtu edhe për të marrë pjesë në zhvillimet politiko-shoqërore në Atdhe, Diaspora ka nevojë të jetë më e strukturuar, më e organizuar, më e lidhur, më ndërvepruese. Paneli do të diskutojë mbi nevojën për të filluar një proces të organizmit të Diasporës, mundësitë, format dhe mënyrat më praktike për të arritur një organizim më bashkëkohor, në mënyrë që Diaspora të jetë më e fuqishme, më përfaqësuese dhe në atë mënyrë, më e përfshirë në zhvillimet në Atdhe.(Kortezi: Zeri i Amerikes)1-diaspora

Filed Under: Politike Tagged With: nisi ne Tirane, Samiti i Diaspres

NJE LETER PUBLIKE NGA BRUKSELI PER KRYEMINISTRIN RAMA DHE SAMITIN E TIJ

November 17, 2016 by dgreca

-EDHE DIASPORA HISTORIKE SHQIPTARE NE BELGJIKE I THOTE “JO” SAMITIT TE EDI RAMES/1-ramadan-gjanaj*Injorim dhe mohimi i të drejtave themelore të “diasporës” nga ana e autoriteteve shqiptare, nuk mund të ketë arsye tjetër përveçse diferencës së frikshme në botëkuptim, vlera, referenca, koncepte, standarde e kritere bazike midis shqiptarësh brenda dhe jashtë shtetit-amë për sa i përket Shtetit, Kombit, lirisë dhe drejtësisë./

*Prandaj, duke u nisur nga këto vlerësime e në pritje që Shteti shqiptar të përafrojë veprimet me deklaratat zyrtare nëpërmjet korrigjimit të kursit ndaj mërgatës politike (gjithnjë në raport me pritshmëritë tona të sipërpërmendura), unë personalisht nuk mundem të marr pjesë, për dekor apo kontorno, në këtë “Samit të Diasporës”, dhe madje as ta konsideroj këtë mbledhje si të tillë./

NGA RAMADAN GJANAJ/ Kryetar i National Albanian European COUNCIL/

Bruksel, me 16 Nëntor 2016/

SH.T. Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama/

Lënda: Samiti i Diasporës Tuaj/

I nderuar Z. Kryeministër!/

Para 3 muajsh mora një ftesë nga ana Juaj, për të marrë pjesë në Samitin e parë kushtuar “Diasporës Shqiptare”, që do të tubohet në Tiranë në datat 18-20 nëntor 2016. Fillimisht kjo iniciativë më gëzoi pa masë, ndaj dhe u përgjigja pozitivisht pranë ambasadores së Shqipërisë në Bruksel, Zj. Suela Janina. U përgjigja pozitivisht ngaqë ky eveniment përkonte edhe me 60-vjetorin e ardhjes në Belgjikë të refugjatëve politikë shqiptarë, në mënyrë masive dhe të organizuar, teksa ishin larguar nga atdheu dhe trojet e të parëve nën trysninë e plumbave dhe terrorit të diktaturës famëkeqe sllavokomuniste.

Jam i prirur të besoj se gjatë fazës përgatitore të këtij “samiti”, njerëzit Tuaj këtu në Belgjikë ju kanë bërë me dije për zanafillën e mërgatës shqiptare të Belgjikës, e cila është vendosur në këtë vend mikpritës qysh në vitet të para pas LDB, si pasojë e persekutimit në vendlindje për shkak të bindjeve politike antikomuniste dhe kombëtariste, për një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe demokratike.

Edhe pse shumica e këtyre mërgimtarëve politikë kishin marrë rrugën e një ekzili të vështirë dhe të mundimshëm, duke braktisur gjithçka për të shpëtuar jetën, nderin dhe dinjitetin, ata nuk i braktisën asnjëherë gjuhën, kulturën, traditat më fisnike shqiptare, bindjet dhe vlerat morale të mbartura brez pas brezi, si dhe besimin se një ditë historia do t’u jepte të drejtë.

Në shërbim të këtyre bindjeve nacionaliste dhe patriotike ata nuk rreshtën kurrë së vepruari denjësisht në dobi të çështjes kombëtare dhe të atdheut, duke organizuar aktivitete politike për rrëzimin e diktaturës komuniste, vendosjen e demokracisë, rifitimin e lirisë dhe pavarësimin e të gjithë trojeve etnike, edukimin e brezave për trashëgimin e vlerave dhe referencave kombëtariste si qëllim madhor.

Ndryshimet e fillim-viteve ‘90 ngjallën shumë shpresa tek emigracioni politik shqiptar dhe trashëgimtarët, që gjithmonë e kanë konsideruar vehten si pjesë e pandarë e kombit dhe popullit shqiptar, e fateve dhe halleve të vendit, duke ndarë gëzimet dhe hidhërimet me bashkatdhetarët.

Por sot, 26 vite pas ndryshimeve pluraliste parademokratike në Shqipëri, bilanci i ndryshimeve për mërgatën politike shqiptare dhe trashëgimtarët tanë, është i papërfillshëm:

  • Asnjë nga persekutorët dhe xhelatët që kryen krime dhe terror gjatë diktaturës nuk u dënua!
  • Asnjë dosje e shefave dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit famëkeq nuk u hap!
  • Lustracioni duket sikur pritet qëllimisht të kryhet vetëm nga natyra dhe Zoti!

Madje krimet të llahtarshme nuk u dënuan as simbolikisht, qoftë edhe me ndonjë rezolutë formale të Kuvendit të Shqipërisë, prej të cilit në të gjitha legjislaturat paspluraliste u injoruan edhe shqyrtimi, miratimi dhe zbatimi i rezolutave të ndryshme të Këshillit të Europës!

Përkundrazi, simbolet e regjimit gjakatar komunist vazhdojnë të ruhen me kokëfortësi dhe fanatizëm por edhe duke u shfaqur gjithkund, sipas agjendave dhe nevojave politike, ndërkohë që pushtetet dhe qeveritë i përdorin për qëllime klienteliste, teksa heshtin me vetëkënaqësi triumfuese, ose brohorasin për të mbuluar me zhurmë mosveprimin e tyre formal.

Viktimat e djeshme të diktaturës vuajnë ende pasojat e një diskriminimi perfid apo të hapur, dhe për këtë arsye kur flasim për një Samit të diasporës, nuk mund të lemë pa përmendur se pinjollët dhe bijtë e mërgatës politike edhe sot e kësaj dite nuk gëzojnë asnjë të drejtë, madje kalohet në heshtje nga Shteti shqiptar edhe vetë ekzistenca jonë.

Kjo e vërtetë e dhimbshme konstatohet edhe në dokumentet zyrtare dhe websitin e MPJ shqiptare, por edhe në websitin e Kryeministrisë dhe të platformave të ndryshme kushtuar këtij Samiti, ku edhe pse flitet për “diasporën”, nuk gjendet i shkruar asnjë rresht i vetëm për mërgatën politike në pasazhet dedikuar “historisë” së të ashtuquajturës diasporë.

Madje si dëshmi e këtij realiteti absurd dhe të papranueshëm, sot në Shqipëri janë akoma në fuqi një mori ligjesh antikushtetuese që pengojnë dhe diskriminojnë trashëgimtarët e mërgatës politike nga fitimi vetiu i shtetësisë shqiptare dhe, për rrjedhojë, edhe i të drejtave dhe detyrimeve respektive, si çdo shtetas tjetër.

Shumica e të mërguarve politikë, fatkeqësisht, kanë humbur pronat dhe pasuritë e trashëguara, të cilat edhe sot e kësaj dite ndahen me tapi tek të tretë aspak hallexhinj të papronë, por zaptues e përfitues si klientelë politike e për qëllime elektorale, në garën pompoze e mburrjet butaforike se cila forcë politike dhe qeverisje ka ndarë më shumë tapi mbi pronat e pronarëve legjitimë!!?

“Diaspora”vuan plot dhimbje realitetin shqiptar të shkeljes nga skalionet politike katoviciane të të gjitha parimeve dhe standardeve të gjithëpranuara të Kartave ndërkombëtare dhe konventave ku Shqipëria është nënshkruese dhe palë.

Zhvillimet aktuale e kanë përjashtuar realisht mërgatën politike dhe mbarë “diasporën” nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur me votë demokratike e për të kontribuar me përfaqësim politik për drejtimin dhe zhvillimin e vendit, apo për investime me lehtësira e bonuse, sikurse ftohen investitorët e huaj joshqiptarë, që joshen me insistim me anë të praktikave preferenciale administrative e ligjore.  

Ky injorim dhe ky mohim të drejtash themelore të “diasporës” nga ana e autoriteteve shqiptare, nuk mund të ketë arsye tjetër përveçse diferencës së frikshme në botëkuptim, vlera, referenca, koncepte, standarde e kritere bazike midis shqiptarësh brenda dhe jashtë shtetit-amë për sa i përket Shtetit, Kombit, lirisë dhe drejtësisë.

Prandaj, duke u nisur nga këto vlerësime e në pritje që Shteti shqiptar të përafrojë veprimet me deklaratat zyrtare nëpërmjet korrigjimit të kursit ndaj mërgatës politike (gjithnjë në raport me pritshmëritë tona të sipërpërmendura), unë personalisht nuk mundem të marr pjesë, për dekor apo kontorno, në këtë “Samit të Diasporës”, dhe madje as ta konsideroj këtë mbledhje si të tillë.

Kam bindjen e thellë e të patundur se një qëndrim imi i ndryshëm do të kuptohej vetëm si një përkrahje apo mbështetje ndaj ndonjë agjende politike momentale, në mos më keq, si një mohim, prej meje, i vlerave dhe idealeve të trashëguara nga të parët.

Duke shpresuar në mirëkuptimin Tuaj, uroj që me këtë “Samit” t’i realizoni agjendën dhe synimet e planifikuara.

Me respekt

Ramadan Gjanaj

Kryetar

Cc: Z. Ferid Hoxha, Director General of Political and Strategic Issues, MPJ

Zj. Suela Janina, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë

Filed Under: Politike Tagged With: Edi Rama, Leter per Kryeministrin, Ramadan Gjanaj, SAMITI I DIASPORES

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 595
  • 596
  • 597
  • 598
  • 599
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT