Nga Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi /Historikisht pushtimet dhe aneksimet janë shoqëruar me konflikte e luftëra të pandërprera. Por Beogradi ka gjet një mënyrë të re aneksimi e pushtimi të Kosovës. Ndërtojnë një mur ndarës?! Kaq u mjafton atyre që “të mbrohen nga shqiptarët”! Serbët me ndihmën e Beogradit kanë filluar prej dy ditësh të ndërtojnë një mur të madh ndërmjet veriut dhe jugut të Mitrovicës. Lumi Ibër është i përshtatshëm për ta që të ndërmarrin akte të tilla të ndarjes së territorit të Kosovës me dhunë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Edita Tahiri thotë se ky akt bie në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, por sa kohë që Brukseli bën sehir dhe lejon një mur në kontinentin e vet, le të kuptojë se Bashkimi Europian është një utopi e skicuar në disa dokumente, të cilat askush nuk i merr seriozisht, përveç elitave të korruptuara në Ballkanin Perendimor dhe banorët e varfër të tij. I merr seriozisht edhe Edita Tahiri në Prishtinë dhe Majlinda Bregu në Tiranë. Një mur betoni në mes të një qyteti, i cili deri në vitin 1999 banohej në shumicë dërmuese nga shqiptarët etnikë. Një mur i projektuar me ndihmën e KFOR-it francez dhe disa hajnave në drejtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas qershorit 1999, kur veriu I Mitovicës u spastrua etnikisht nga shqiptarët me dhunë, vendin e të cilëve e zunë serbët e shpërngulur nga zonat e brendshme të varfëra të Serbisë. Muri etnik ekziston te lumi Ibër prej gati 18 vitesh, atëherë kur gjeneralët dhe oficerët francezë nuk lejonin gazetarët shqiptarë as të fotografonin urën e bllokuar të këtij lumi. Thaçi e Mustafa kanë folur aq shumë në Bruksel e vende të tjera me Daçiçin e Vuçiçin për këto çeshtje sa ia kanë mbushur mendjen vetes se këta të dy udhëheqësit e Beogradit janë “pro Kosovës së pavarur”, por që “nuk kanë mundësi të veprojnë, sepse nacionalistët ekstremistë nuk do t’i mirëkuptonin”. Udhëheqësit serbë të Beogradit u thonin liderëve shqiptarë të Prishtinës e Tiranës se “Pse mërziteni ju, Kosova është e pavarur. Këtë ne e dijmë, por çdo gjë ka kohën e vet”. Dhe këta matufët tanë kënaqeshin me mashtrimin e madhe e të përsëritur të Serbisë, derisa erdhi pun ate aneksimi me dhunë I territorit të Kosovës. Daçiç e ka luajtur lojën politike me Brukselin dhe Prishtinën më mirë sesa të luante në telat e violinës në ditëlindjen e udhëheqësit botëror, naltgjatësisë së tij, kryeministrit tonë të nderuar, Edi Rama! Derisa erdhën te muri i betonit dhe moskokëçarja e askujt në botë për atë që po ngjet në zemër të Europës. Në fakt Beogradi dhe serbët e veriut të Kosovës e dijnë se çfarë bëjnë. Pse elita politike shqiptare e Kosovës është, pse drejtuesit e ekzekutivit shqiptar bëjnë lojën e Beogradit me shfaqjen e shtirur të ekstremizimit verbal, kjo nuk e ngarkon me përgjegjësi udhëheqjen politike në Beograd, madje as presidentin Nikoliç e as ekstremistin e shfajësuar në Hagë, Shejshel. Përgjegjësia për çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë është e institucioneve dhe liderëve të Kosovës, përfshi opozitën “nacionaliste”, e cila prej tri ditësh hesht para një akti të tillë, i cili cënon rëndë integritetin territorial të Kosovës. Përgjegjësia është gjithashtu e liderëve të shtetit shqiptar, të cilët prej gati tri vite punuan fort për ta rehabilituar lidershipin serb përballë komunitetit ndërkombëtar, duke i dhënë mundësi atij që para botës të paraqitet si elitë politike “e përgjegjshme, e gatshme për kompromise dhe për pajtim me shqiptarët”. Nesër Edi Rama mund të bëjë një konferencë shtypi e të thotë se “kryeministri i Serbisë më preu në besë”, çka do të evidentonte risinë e kundërt në rastin e Ahmet Zogut, aq shumë të anatemuar për “tradhëti” dhe “marrëveshje” me Nikolla Pashiq nga ana e së majtës shqiptare, të cilën e udhëheq me “shpatë në dorë”, nga dështimi në dështim lideri ynë global. Së paku Pashiq plasi prej marazi nga “tradhëtia” që i bëri Ahmet Zogu, po Edi Rama do të përpiqet që të shfajësojë veten përballë “tradhëtisë” që ia bëri miku i tij i ngushtë, Aleksandër Vuçiç. Ajo që po ndodh në veri të Kosovës, aty ngjit me Urën e Ibrit, aty ku prej 18 vitesh qyteti është i ndarë, ka zbuluar mashtrimin e madh të liderëve të Kosovës, të Brukselit dhe të Tiranës zyrtare të sotme për të ashtuquajturin “Proces të pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve” si dhe “normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Ura e Ibrit është sinonimi i Urës së Drinos në Bosnjë, për të cilën ka shkruar Ivo Andriç, por ajo që shkruan Andriç nuk e shqetëson Beogradin, ndërkohë që e frymëzon liderin tonë kryeministër. Ky mashtrim i madh nuk justifikohet me deklarata si ato të kreut të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kur thotë se “muri nuk ishte i planifikuar”. Eshtë idiotësi të presësh që Beogradi t’ia shpalosë planet e veta Agimit, Thaçit apo Mistafës. Mundet që se humta Edi Ramës e Baton Haxhiut t’ia kenë përshpërit në një farë mënyre aksionin që sot Beogradi zyrtar ka ndërmarrë në këtë territor. Por jo më shumë se kaq. Edhe në Bruksel ka mundësi që dikush të ketë pasur njohuri për planet serbe të ndërtimit të një muri të tillë si ai i Gazës dhe në Cisjordani. Njësoj si atje, në rastin e murit te Ura e Ibrit agresorët serbë, ndërtojnë urë “për t’u mbrojtur” nga viktimat e veta, shqiptarët. Si gjithmonë, miti dhe loja e viktimizimit është burim i nxitjes së nacionalizmit serb e njëkohësisht burim i një konflikti të ri në Ballkan. Ndoshta zotit Rama i konvenon një ndërmarrje e tillë nga ana e Serbisë dhe e serbëve, sepse do të ketë një aset më shumë në dorë për ta “frikësuar’ Angjela Merkelin dhe për t’i bërë asaj presion që në takimin e pas disa ditëve të krerëve të shteteve e të qeverive të vendeve të Bashkimit Europian, kur aty të shqyrtohet dosja shqiptare e integrimit dhe raporti i KE-së për hapjen e negociatave, të shprehet pozitivisht për “sukseset madhështore” të qeverisë së kryeministrit shqiptar. Serbët prej vitesh propagandojnë se ata janë “viktimat” e shqiptarëve, njësoj si në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Beograd të vitit 1986, kur vetëplagosjen e serbit Martinoviç e shitën si akt dhune barbarizmi të shqiptarëve kundër serbëve. Prandaj dhe në përgjigjen që do t’i japin Europës do t’i thonë asaj se “po mbrohen prej shqiptarëve”. Ndërsa shqiptarët prej 1999-ës e këtej u sollën si “fitimtarë”, duke heq dorë nga realiteti i hidhur i të qenit viktimë reale e agresionit, dhunës e terrorit serb në Kosovë. Ndërsa ndarjen faktike të Veriut të Kosovës e realitivizuan, duke krijuar një frymë euforie të pabazë, aq sa vunë në gjumë veten dhe komunitetin ndërkombëtar. E njëjta psikologji e politikë në Prishtinë e në Tiranë dhe i njëjti mentalitet hoxhist po ashtu në Shqipëri e në Kosovë. “E natyrshëm” tash Beogradi është në pozitë të favorshme përballë komunitetit ndërkombëtar. Ndryshe nuk do të kish ndërmarrë atë veprim banditesk që ndërmori para dy ditësh me fillimin e ndërtimit të murit ndarës midis shqiptarëve dhe serbëve. Tashmë aksioni serb i pushtimit të territoreve shqiptare ka nisur. Ndërsa shqiptarët bëjnë sehir. Bëjnë sehir ata që mburren se “kanë bërë luftën”, kur u thua se “Luftën e bëri NATO”. Dhe NATO nuk ka ndërmend të ndërhyjë edhe për t’u dhënë një mësim këtyre mburracakëve tanë shqiptarë. Bëjnë sehir ata që nuk morën pjesë në luftë, edhe pse nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të dëshmuar në Perendim mosreformimin dhe mosgatishmërinë e Beogradit për vendosjen e paqes e të sigurisë në rajon. Bën sehir opozita “nacionaliste”, edhe pse është një opozitë “trimëreshë” dhe e “pamposhtu” në luftën kundër institucioneve të Kosovës. Më në fund bëjnë sehir qytetarët e Kosovës, sepse politika i ka çuar në atë terexhe, që të mos kenë më forcë për të reaguar edhe kur kërcënohet jeta dhe territori. Nga Tirana nuk ka prit ndonjëherë Kosova, që të presë tani, nëse nuk i marrim serizosht nostalgjikët hoxhistë, të cilët nuk e kanë mendjen te mbrojtja e territorit të vendit, por te mundësia për t’i thur kënge, lavde dhe ngritur monumente diktatorit Hoxha. Ne merremi me të kaluarën, luftojmë njëri-tjetrin me biografitë e shkuara, ndërsa serbët merren me të tashmen e të ardhmen. Ne bëhemi copë-copë me njëri-tjetrin për një karrige pushteti e një grusht para, serbët bashkohen edhe me djallin që të na shkoqin e të na bëjnë copë-copë. Ne vrasim vëllain për një copë arë, ndërsa bëjmë sehir për 20 përqind të territorit të shtetit të Kosovës, të cilën po e merr me hir ose pahir Serbia. Ne “luftojmë” me Malin e Zi, e ndërkohë “flemë në një krevat” me Serbinë. Ne jemi ata që nuk duhet të jemi. Dhe më e keqja, ne kurrë nuk mbushemi me mend. Edhë ndonjë të mençëm që kemi pasur si Ibrahim Rugovën ose mund ta kemi (nuk jam i sigurt se mund të gjendet ndonjë, edhe po u gjend ai është në izolim “në çmendinë), e gjuajmë me gurë. Ne jemi shkaku kryesor i aksionit më të fundit të Serbisë për aneksimin e territorit të Kosovës dhe ne jemi fajtorët e vetëm para brezave që do të vijnë. Pastaj është Europa e At Gjergj Fishtës e më në fund mund ta çojmë zingjirin deri te ndikimi gjeopolitik i Vladimir Putin. Por ky i fundit ndersa ka rihyrë në vathën e shqiptarëve, nuk kemi pse presim të dalë nga vatha e serbëve. Gjithë sa shkrova është një elegji vaji për atë çfarë përfaqësojmë e çfarë jemi si komb e si rracë e deformuar nga mosntra të regjimeve të shkuara dhe politikanë sharlatanë të kohëve të sotme moderne. Megjithatë asgjë në këtë botë nuk mund të shihet pa rrugëdalje e pa zgjidhje. Eshtë koha që rinia ta marrë në dorë fatin e kombit, fatin e shteteve tona shqiptare, fatin e e vetevetes. Po pati vullnet dhe bashkim gjithçka është e mundëshme. Po të bashkohemi si shqiptarë pa dallim, atëherë muri serb i Mitrovicës bie për 24 orë. Mjafton një organizim modest dhe të krijohet fryma e përgjegjësisë për t’i dalë zot atdheut! Asgjë më shumë! Diaspora ndoshta ka fuqi që edhe njëherë të bëhet zot i atdheut të vet të nëpërkëmbur shumëfish nga tanët e fqinjët tanë.
Shqiptarët do të votojnë të dielën e 18 qershorit 2017
Presidenti Nishani dekreton datën e zgjedhjeve të reja/
Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani dekretoi sot datën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Për përbërjen e parlamentit të ri nga do të dalë dhe qeveria e katër viteve të ardhshme shqiptarët do të votojnë të dielën e 18 qershorit 2017.Ndonëse që prej muajit mars parlamenti votoi për ngritjen e Komisionit të Reformës zgjedhore, deri më tani nuk është bërë thuajse asgjë. OSBE-ja por dhe organizata të ndryshme joqeveritare të specializuara për zgjedhjet, kanë bërë thirrje të përsëritura për realizimin e ndryshimeve në Kodin elektoral.
Zgjedhjet e fundit në Shqipëri ishin ato të 2015 për pushtetin vendor. Vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE/ODIHR-it paraqitën në përfundim të tyre 23 rekomandime që lidhen me aspekte të ndryshme të procesit, që nga përbërja e komisioneve të votimit, te veprimtaria e KQZ-ës, rregjistrimi i kandidatëve, financimi i fushatës dhe rolin e mediave.
Maqedoni-Në mungesë të ofertave, partitë me retorikë nacionaliste

Ne Foto:Gruevski gjatë fushatës parazgjedhore/
Por, kreu i Lidhjes Social-demokrate të opozitës, Zoran Zaev, retorikës së tillë të Gruevskit i është përgjigjur me vendosmërinë e tij për të nxjerr para drejtësisë të gjithë zyrtarët e inkriminuar. Zaev ka thënë se akuzat e Gruevskit janë përpjekje për të ikur nga shpërdorimet e bëra.
Njohësit e çështjeve ndëretnike thonë se retorika e tillë nacionaliste është si pasojë e mungesës së ofertave konkrete për zgjidhjen e problemeve të shumta, me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë.
“Është evidente që partitë çdo herë gjatë cikleve zgjedhore paraqiten me retorikë nacionaliste. Unë habitem se pse edhe gjatë këtij cikli zgjedhor kjo përsëritet, por si duket partitë ende nuk kanë kuptuar se vota apo fitorja në zgjedhje nuk mund të arrihet me nxitje të tilla nacionaliste, që tanimë janë të lexuara nga populli dhe si të tilla nuk kalojnë”, thotë Vllado Dimovski, drejtues i Qendrës për Tolerancë Ndërentike.
Ne Foto:Ai Ahmeti i BDI gjatë fushatës zgjedhore/
Arsim Sinani, analist dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se viteve të fundit, partitë si platformë kryesore kishin integrimin euroatlantik dhe tani pas dështimit të këtij premtimi, por edhe shumë premtimeve tjera, ata janë orientuar në retorikën nacionaliste, e cila gjithmonë u ka shërbyer për shpërqendrimin e vëmendjes së elektoratit.
Ne Foto:Dr Zijadin Sela gjatë fushatës parazgjedhore/
“Retorika nacionaliste përdoret në mungesë të ofertave. Ky nacionalizëm përdoret për të vendosur në gjumë elektoratin, për ta mahnitur dhe për t’ia humbur toruan që të votojë për partinë e caktuar politike. Nacionalizmi maqedonas është nacionalizëm idilik, i cili tenton t’i fsheh të metat e veta. Në mungesë të Evropës, në mungesë të integrimit euroatlantik, normal që do të ofrojnë nacionalizëm që pastaj do t’i bëjë të rehatshme për të qeverisur parti të caktuara politike”, thotë Arsim Sinani.
Raportet ndëretnike në Maqedoni janë të mira dhe retorikat e tilla nuk do të mund të ndikojnë në përkeqësimin e tyre, thotë Vllado Dimovski , drejtues i Qendrës për Tolerancë Ndëretnike.
“Për momentin, sipas vlerësimeve të mija, por edhe sipas hulumtimeve që bëjmë si qendër, ne kemi raporte shumë të mira ndëretnike në 10-15 vitet e fundit. Vlerësoj se partitë, këto ditë që kanë mbetur deri në mbylljen e fushatës, duhet ta ndërpresin gjuhën e urrejtjes dhe të prezantojnë platformat e tyre programore, se çfarë ofrojnë për qytetarët”, thotë Dimovski.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni mbahen të dielën, më 11 dhjetor, dhe bazuar në krizën e thellë politike në të cilën ndodhet tani dy vite, këto zgjedhje vlerësohen si më të rëndësishme që nga pavarësia e saj 25 vite më parë. (REL)
MITI I KASTROS DHE REALITETI I MOHUAR
Shkruar nga Pierluigi Battista/
Përktheu për Dillen: Eugjen Merlika/ Në zemrat e adhuruesve të tij të Perëndimit Fidel Kastro nuk ishte një qënie njerëzore me mish e kocka, por një mit, një idhull, një figurë ëndërrash. Ishte Utopia e Karaibeve, Rousseau në fuqi, poezia e socializmit tropikal, fantazia e “njeriut të ri”, që mishërohet mes ujrave të koraleve dhe rërës së bardhë. Ishte kufiri i ri i një ëndrre revolucionare tërheqëse dhe gazmore, jo zymtësia e kobshme e kazermës sovjetike e dalë nga miti, apo asketizmi monastiror i varfërimit të përgjithshëm maoist. Thonte Alberto Ronchey se Kastro “nuk shkruan, mban fjalime të gjata në të cilët shkrin mendimet e problemet. Nuk i beson pothuaj asnjëherë mjetit gutenbergian, i le të rrjedhin fjalët me tingujt e tyre”. Fjala e shkruar i ngrin mendimet, i bën të maten me ashpërsinë e së vërtetës. Romantizmi i kastristëve nuk përfill realitetin. Lihet të përqafohet nga rrjedhja hipnotizuese e fjalëve. Po të matej me realitetin do t’ishte i shtrënguar të zbulonte se socializmi i Tropiqeve ishte një burg nën qiellin e hapur dhe ekzotizmi një perçe për të fshehur mizoritë e diktaturës.
Shkrimtarët dhe intelektualët që janë kapur nga fantazia kastriste e kanë mënjanuar realitetin për të adhuruar mitin e tyre. Disidentët në burgje janë bërë të paqenë. Të arratisurit që, madje, kishin qënë në krah të Fidel Kastros, në kohën e Sierra Maestras, ishin lënë në një qoshe. Carlos Franqui, një revolucionar i madh që nuk ka patur të drejtë të mos ishte në një mëndje me shtërngesat përndjekëse të regjimit, u detyrua të mërgojë e në rrethet përparimtare të botës u zhduk emri i tij (vetëm socialistët e Betino Kraksit dhe Radikalët n’Itali janë kujtuar për të). Gabriel Garcia Marquez, Susan Sontag, Jean-Paul Sartre e të tjerë më pak të njohur, nderoheshin në manifestimet e Havanës, por nuk harxhuan asnjë fjalë solidariteti për shkrimtarët e përndjekur. Shkruante Hans Magnus Enzensberger, i cili bënte pjesë në sërën e dëndur të “pelegrinëve politikë”, që e kishin zgjedhur Kubën si synimin e privilegjuar të turizmit revolucionar : “Në Havanë takonja disa komunistë në hotelet e të huajve që nuk kishin as më të voglën ide se në lagjet e puntorëve popullsia duhej të mbante rradhën dy orë për një copë picë, ndërsa turistët në dhomat e tyre diskutonin mbi Lukasc-in”. Kur një i burgosur politik, Orlando Zapate Tamayo, vdiq në burg mbas 85 ditësh greve urije për të protestuar ndaj kushteve çnjerëzore në të cilët regjimi i Kastros i mbante kundërshtarët e tij, asnjë fjalë mëshire nuk u ngrit nga përkrahësit e ekzotizmit socialist në Kubë. Më 2005, në fund të një gjyqi farsë, nga ata me të cilët diktaturës i pëlqente të kryente “spastrimet” e saj, grupet e sejmenëve të regjimit e kaluan natën duke rrahur gjithë disidentët që protestonin. Gianni Vattimo pati paturpësinë të shkruante se “populli i zemëruar nga vepra tradhëtie kaq të pacipa, ndërhyu me shprehjen e zjarrit atdhetar”. Asnjë n’Itali nuk u revoltua për këto poshtërsi.
Rreth figurës së Kastros, ndërmjet intelektualëve, artistëve, shkrimtarëve, u krijua një rrymë mrekulluese që shumë shpesh ngjyente pendën në retorikën e sprovuar të kultit të personalitetit. Për Sartr-in Kastro e Che Guevara, të lëshuar drejt parajsës së socializmit për t’u sendërtuar, ishin gjithmonë zgjuar e në gatishmëri : “Fjetja ishte për këta njerëz një zakon nga i cili, pak a shumë ishin çliruar”. E diçka nga kjo pagjumësi revolucionare duhej t’ishte e vërtetë, mbasi edhe vetë Paolo Spriano, gjatë një udhëtimi në Kubë, në të cilin madje nuk kurseu shprehje kritike të tërthorta për një revolucion, në të cilin Internacionalja po “kthehej në një ritëm vallzimi”, kishte shkruar : “Këtu nuk fle asnjëri, thuhej”. Në epopenë kastriste janë për t’u mbajtur mënd filmat e propagandës së Michael Moore, intervistat e pafund të Oliver Stone e të Gianni Minà në të cilat Kastro mund të shfrente në tubimet e tij lumore, Norman Mailer që shihte tek Kastro “vërtetimin se ka heronj në botë”, “rrjedhjen e jetës në damarë”, “a thua se fantazma e Cortes-it ishte dukur në shekullin tonë, duke kalëruar mbi kalin e bardhë të Zapatës”.
Po e vërteta ? Nuk duhej t’ekzistonte. Nëse burgosej si kundërevolucionar poeti Hebert Padilla, që për t’u liruar duhej të nënëshkruante një “rrëfim”, në të cilin pranonte se kishte patur pjekje me K.S.Karol, një komunist guximtar e i ndershëm që padiste hapur përndjekjen e regjimit, shkrimtari Garcia Marquez nuk hiqte dorë nga ceremonitë e tij me Kastron. Edhe se dënonin me 19 vjet burg Armando Valladares, apo regjizorin Amaro Gomez, të dënuar me tetë vjet burg sepse kishte gjetur një kopje të Arqipelagut Gulag të Sollzhenicinit. Dhe nuk ekzistonin as në mit ”maricones”, homoseksualët “imoralë” të mbyllur në kampet e punës së detyruar, të pagëzuara nga fantazia guevariste Njunp, Njësi Ushtarake të Ndihmës së Prodhimit. Miti kastrist nuk lejonte pretime të tilla të bezdisëshme të së vërtetës. Hasta siempre. (Gjithmonë me fitore).
Marrë nga “Corriere della Sera”, 27 nëndor 2016
Shënim i përkthyesit
Sot, më 30 nëndor, po i njëjti autor boton një shkrim tjetër të titulluar “Një arrogancë prekëse që nuk mund të ngadalësojë një proçes të pakthyeshëm”.
Njoftimi i gazetës, nëpërmjet gazetarit të mirënjohur Pierluigi Battista i referohet këtij fakti :
“Gazetares sonë, Sara Gandolfi, autoritetet kubane i kanë mohuar vizën si gazetare. Thonë autoritetet se mohimi është një formë ndëshkimi për informacionin “jo të barazpeshuar” që Corriere ka dhënë në këta vite mbi Kubën. Mund të qëndrojë në Havanë, por si turiste.”
Pa sjellë gjithë komentin e sotëm po mjaftohem me këtë fragment nga shkrimi :
“Sot Kuba, mbas vdekjes së Fidel Kastros, është në qendër të një vëmëndjeje mediatike dhe ndërkryerja për kontrollin dhe veçimin e virusit të informacionit merr vështrime që mund të kalojnë kufirin e paranojës, me dyshimin se mbas çdo kompiuteri fshihet një rrezik, një armik, një “sabotim”. Historia e informacioneve “jo të barazpeshuara” nuk qëndron në këmbë. “Jo e barazpeshuar”do të thotë thjesht jo e njëjtë, jo e gatëshme për të injoruar hijet. Mbi të gjitha për të mos mbajtur parasysh teknikat e makinës shtypëse që regjimi kastrist ka lubrifikuar në këta dhjetëvjeçarë kundër vetë qytetarëve të tij….”
“Nuk do të jetë një vizë e munguar t’i ndalojë Corriere della Serës dhe gazetarëve të saj për të zhvilluar punën e tyre. Me skrupull. Si gjithmonë.”
Kjo është Kuba e sotme, një Vend kundrejt të cilit në vitin që po mbyllet ka patur një “hapje” të konsiderueshme nga SHBA dhe Vatikani. Ndryshimet në këtë Vend janë më shumë të karakterit ekonomik por, sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, lehtësimit të “luftës së klasave” kubane, lirimit të të burgosurve politikë e masa te tjera të kësaj natyre, përparimi është tepër i ngadaltë. Në këtë drejtim udhëheqësi i vdekur para pak ditëve ka qenë një pengesë e madhe e shpresa mbetet në premtimin që vëllai i tij, Raul Kastro, udhëheqësi aktual i Kubës, ka shprehur duke paralajmëruar se nuk do të ketë një mandat të tretë të tij në drejtimin e Vendit.
Episodi i gazetares italiane nuk është i vetmi në panoramën mediatike të Havanës së këtyre ditëve. Fatin e saj e ka pësuar edhe i dërguari i së përditëshmes gjermane Bild, Peter Tiede dhe dy gazetarë të një televizioni argjentinas. Protestave të tyre autoritetet kubane i u përgjigjën me shprehjen :”Një dhunim i shëmtuar i lirive të shtypit ? Ky është mendimi juaj prej perëndimorësh”. Një vëzhgues i paanshëm dhe i vjetër i marrëdhënieve mes botës komuniste dhe botkuptimit të lirë të shoqërive perëndimore, gjatë dhjetëvjeçarëve të shkuar, do të shprehej kështu : “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, duke perifrazuar titullin e famshëm të romanit të Remarkut. Ndryshimi qëndron se gazetarët mund të qëndrojnë si “turistë” në Kubën e zisë 9-ditore për vdekjen e Fidelit. Edhe ai është një farë përparimi, në krahasim me kohën kur nuk lejoheshin të hynin, apo përcilleshin në aeroport, mbasi kishin kaluar disa orë në zyrat e organeve të policisë politike e kishin dorëzuar gjithë materialet e regjistruara.
Ndoshta këtë shpejtësi breshke në reformat e kuptoi, pak me vonesë, edhe presidenti Obama, që vendosi mos të përfaqësojë Vendin e tij, në nivele të larta, në ceremoninë mortore të diktatorit të Kubës.
Dhjetpor 2016 Eugjen Merlika
LDK pret fitoret në zgjedhjet lokale e nacionale
-Kryeministri i Kosovës e kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në Kuvendin e Shtatë Zgjedhor të Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Me ju në LDK i presim të sigurt fitoret në zgjedhjet lokale në vitin e ardhshëm dhe në zgjedhjet nacionale në vitin 2018. Me gra kryetare të komunave, me më shumë gra në asambletë komunale dhe me më shumë gra deputete dhe qeveritare/
-Delegatet e pranishme kanë zgjedhur Këshillin e Përgjithshëm si dhe i kanë dhënë besimin për një mandat të ri 4 vjeçar në krye të FG të LDK-së, kryetares së deritashme, Lirije Kajtazi/
PRISHTINË, 4 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Kryeministri i Kosovës e kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, foli sot për qeverisjen aktuale të vendit, ku, si tha ai, partia që drejton po luan një rol shumë përgjegjës. “Është një rol i rëndë, në një situatë shumë delikate dhe të ngarkuar me probleme e pakënaqësi. Por është një shans dhe përgjegjësi që t’i ndihmojmë vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkushtimin për të ndjekur rrugët më të mira të bashkëpunimit me qytetarin, me anëtarët e LDK-së dhe me miqtë ndërkombëtarë.
Njoftimi i dërguar thekson se, më tutje, Mustafa ka folur për rezultatet e mëdha të koalicionit qeveritar, përkundër kundërshtimeve shpeshherë të dhunshme me të cilat është ballafaquar. 
“Në këtë aspekt, kryeministri përmendi vetëm disa nga dhjetëra sukseset e mëdha që janë arritur siç janë nënshkrimi i MSA-së dhe marrëveshjes për qasje në programet e BE-së, plotësimi i kritereve dhe marrja e rekomandimit për liberalizim të vizave, stabilizimi dhe zhvillimi makroekonomik, arritja e normës më të lartë të rritjes ekonomike në regjion dhe në Evropë, reformimi i sistemit fiskal, avancimet e mëdha në ambientin e bërjes së biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja, ulja e ndjeshme e papunësisë dhe e varfërisë, rritja e pensioneve kontributdhënëse, stabilizimi i Buxhetit të vendit”, citon njoftimi.
Mustafa foli në Kuvendin e Shtatë Zgjedhor të të Forumit të Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku 346 delegatet e pranishme kanë zgjedhur Këshillin e Përgjithshëm si dhe i kanë dhënë besimin për një mandat të ri 4 vjeçar në krye të FG të LDK-së, kryetares së deritashme, Lirije Kajtazi.
Duke folur për Forumin e Gruas së LDK-së, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke iu referuar edhe fjalëve të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, tha se ky Forum i sjellë më së miri në shprehje vlerat e vërteta të LDK-së, duke theksuar gëzimin që në këtë proces zgjedhor, FG i LDK-së ka tubuar në radhët e saj më shumë vajza e gra sesa kurdoherë tjetër. “Me ju, Lidhja Demokratike i ka vlerat e saj të vërteta. Me ju në LDK i presim të sigurt fitoret në zgjedhjet lokale në vitin e ardhshëm dhe në zgjedhjet nacionale në vitin 2018. Me gra kryetare të komunave, me më shumë gra në asambletë komunale dhe me më shumë gra deputete dhe qeveritare. Kjo duhet të jetë pasqyrë e përkushtimit tonë për Kosovën demokratike dhe proseperuese”, tha kryetari Mustafa.
Punimet e Kuvendit i kanë përshëndetur edhe kryetarja e FG të LDK-së, Lirije Kajtazi, si dhe përfaqësueset e forumeve të grave të partive politike nga rajoni.Të pranishëm në pjesën hyrëse të Kuvendit ishin edhe mbi 500 mysafirë nga Kosova, si dhe të ftuar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova Lindore.
- « Previous Page
- 1
- …
- 596
- 597
- 598
- 599
- 600
- …
- 671
- Next Page »



