• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RAPORTI:ÇFARE PO NDODH NE ALEPPO?

December 15, 2016 by dgreca

Për Iranin, fitorja e Assadit në Alepo është fitore kundër SHBA-së/

1-aleppo-51-okay-aleppo4-aleppo1-aleppo-te-vrare2-ok-aleppo-1

Presidenti iranian, Hassan Rohani e ka telefonuar homologun e tij sirian, Bashar al Assad, që ta urojë për mundjen e forcave rebele në qytetin e Alepos. Për iranianët, beteja për këtë qytet është një fitore kundër Shteteve të Bashkuara.“Fitorja në Alepo…paraqet një fitore të madhe për popullin sirian kundër terroristëve dhe atyre që i kanë përkrahur ata”, i ka thënë Rohani liderit sirian mbrëmjen e 14 dhjetorit, sipas faqes së internetit të presidentit iranian.Thirrja telefonike është kryer derisa konservatorët në Iran fitoren në Alepo e konsiderojnë si fitore kundër SHBA-së.Kjo është parë edhe nëpër pano të vendosura nëpër kryeqytetin iranian, Teheran ku shkruan: “Lufta kundër Shteteve të Bashkuara edhe njëherë është shpaguar. Alepo është çliruar”.Rohani ka thënë se Irani do të vazhdojë ta përkrahë Assadin derisa ai të mund të gjithë kundërshtarët e tij, disa prej të cilëve e kanë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara.“Irani mbetët në anën e Sirisë derisa të bie terroristi i fundit”, ka thënë ai.

3-aleppo-2ok3-ok-aleppo2-aleppo3-alepo

Irani dhe Siria, të gjitha grupet që janë ngritur kundër tyre, përfshirë edhe ata që e kanë përkrahjen e perëndimit i quan si “terroristë”.Rohani gjithashtu i ka kërkuar Assadit që të lëjojë korridore humanitare për qytetarët e Alepos, derisa ka ofruar ndihmë për këtë përmes Kryqit të Kuq iranian.Lideri sirian thuhet se ka deklaruar se Irani ka qëndruar “në anën e popullit dhe qeverisë siriane në momentet më të vështira, dhe ne këtë nuk do e harrojmë kurrë”.Sidoqoftë, festa e kësaj fitoreje është bërë në kohën kur një zyrtar i lartë i OKB-së ka thënë se Assadi dhe aleatët e tij me gjasë kanë kryer “krime lufte” duke vrarë qindra civilë në betejën brutale për rimarrjen e kontrollit mbi Alepo.Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid bin Raad Zeid Al Hussein, ka thënë se Siria dhe aleatët e saj, Rusia dhe Irani sipas të gjitha gjasave kanë shkelur ligjin ndërkombëtar të luftës dhe ndoshta kanë kryer krime lufte gjatë bombardimeve të fundit ndaj civilëve të cilët shpresonin të evakuohen nga Alepo lindore.Reagimet ndërkombëtare për bombardimin e Alepos dhe krimet që dyshohet se po kryhen atje kanë vazhduar pandërprerë. Kryeministri francez, iu është drejtuar dhomës së ulët të parlamentit francez duke folur për situatën në qytetin sirian.

“Ne nuk do të pranojmë që bombardimi dhe luftimet të arrijnë një nivel të tillë të barbarizmit. Një luftë kjo e deklaruar nga regjimi i Bashar al Assadit, me përkrahjen e Rusisë, kundër popullit të vet”, ka thënë kryeministri francez, Bernard Cazeneuvenë parlamentin francez.Mirëpo, megjithë paralajmërimet ndërkombëtare, situata në Alepo shihet krejt ndryshe nga Irani.Fakti se në Alepo ka mbetur vetëm një zonë e vogël nën kontrollin e rebelëve, konservatorët në Teheran thonë se ofensiva për këtë qytet sirian e tregon rritjen e ndikimit të Iranit në rajon.“Koalicioni në mes të Iranit, Rusisë, Sirisë dhe Hezbollahut ka çuar deri te çlirimi i Alepos, ndërsa tani do e çlirojë Mosulin”, ka thënë Jahja Safavi, këshilltari kryesor për politikë të jashtme i liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Safavi, ish udhëheqës i Gardës Revolucionare Islamike, nuk e ka përmendur që fushata për çlirimin e Mosulit nga Shteti Islamik merr përkrahje të madhe nga sulmet ajrore amerikane dhe forcat këshilldhënëse që SHBA-të i kanë në tërren në Irak.

Safavi ka thënë se fitorja në Alepo dërgon mesazh të qartë për presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili është zotuar për të mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Iranit.“Presidenti i ri amerikan duhet ta pranojë realitetin se Irani është fuqia udhëheqëse në rajon”, ka thënë Safavi sipas faqës së internetit të Gardës, “Sephanews”.Irani nuk e ka përfshirë ushtrinë e saj të rregullt në konfliktin e Sirisë, por Grada Revolucionare e saj e ka luajtur një rol të rëndësishëm koordinues.Mijëra vullnetarë iranian, shumica e të cilëve të motivuar nga dëshira për të mbrojtur vendet e shenjta shiite në Siri, besohet se po luftojnë në vijën e frontit.

Alepo: Hyn në fuqi armëpushimi i ri, aktualizohet evakuimi/

Raportohet se të shtënat me armë në Alepo janë ndalur, derisa palët e ndryshme në konfliktin në Siri, janë pajtuar për një marrëveshje të re për evakuimin nga pjesa e fundit e qytetit Alepo, që ishte nën kontroll të kryengritësve.Marrëveshja e mëparshme për armëpushim dhe për evakuimin e luftëtarëve kryengritës dhe civilëve, e ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, ishte shkelur dje pasi ka pasur luftime.Por, burime të kryengristësve thanë se armëpushimi tashmë është fuqizuar dhe evakuimet mund të kryhen gjatë ditës së sotme.Burime nga ushtria e Sirisë dhe lëvizja proqeveritare myslimane shiite Hezbollah, thanë se përgatitjet për evakuim janë në zhvillim e sipër.Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, më vonë ka thënë se konvoji i parë i njerëzve që kërkonin kujdes mjekësor ka filluar të largohet nga pjesa lindore e Alepos.Njëherësh, sipas urdhërave të presidentit Vladimir Putin, Qeveria e Rusisë tha se ushtarët e saj ishin përgatitur për t’i udhëhequr luftëtarët kryengritës, për tu larguar nga Alepo.Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se autoritetet e Sirisë u kanë garantuar siguri kryengritësve dhe familjeve të tyre, që do të evakuohen kah qyteti Idlib, në veriperëndim të Sirisë.Kjo ministri tha se ushtarët rusë do të përdorin aeroplanë pa ekuipazh për monitorimin e transportimit të tyre me 20 autobusë, të shoqëruar nga 10 autoambulanca, nëpër një korridor humanitar.Nga zhvillimet e tjera lidhur me Alepon, duhet përmendur bisedën telefonike të presidentit të Iranit, Hassan Rohani, në të cilën ai e uroi presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, për fitoren kundër krynegritësve në betejën për qytetin Alepo. Këtë trimuf në Alepo, iranianët e festojnë si fitore kundër Shteteve të Bashkuara.“Fitorja në Aleppo…paraqet trimuf të madh për popullin e Sirisë kundër terroristëve dhe atyre që i mbështesin ata”, i tha Rohani Assadit, gjatë bisedës së djeshme telefonike, informon faqja në Internet e presidencës iraniane.Kjo thirrje telefonike u bë derisa pjesëtarët e linjës së fortë në Iran, fitoren në Alepo e shohin si triumf kundër Shteteve të Bashkuara, derisa parullat dhe mbishkrimet e kanë përfshirë kryeqytetin Teheran. Në to shkruan “luftimi kundër Shteteve të Bashkuara edhe njëherë ka dhënë rezultat dhe Alepo është çliruar”.Presidenti Rohani tha se Irani do të vazhdoj ta mbështes regjimin e Assadit, derisa ai u ka shkaktuar disfatë të gjithë kundrshtarëve, disa prej të cilëve ishin mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.“Irani mbetet në anën e Sirisë deri në rënien përfundimtare të terroristëve”, tha Rohani.Irani dhe Siria u referohen si “terroristë” grupeve kryengritësve, që janë bashkuar kundër regjimit të Sirisë, dhe atyre grupeve kryengritësve që mbështeten nga perëndimi.Derisa ka uruar për fitoren në Alepo, zoti Rohani ka kërkuar nga Assadi që ta lejojë hyrjen e ndihmave humanitare për shtetasit në Alepo, duke ofruar ndihmë nëpërmjet gjysmëhënës së kuqe të Iranit.Lideri sirian raportohet se është përgjigjur se Irani ka qëndruar “në anën e popullit dhe qeverisë së Sirisë në momentet më të vështira të tyre” dhe se kjo nuk do të harrohet kurrë.Derisa Teherani dhe Damasku kanë festuar, zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se Assadi dhe aleatët e tij me gjasë, kanë kryer krime të luftës, duke i vrarë qindra civilë në luftën e tyre brutale për ta rimarrë Alepon.

Komisionari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Rupert Colville, tha se bombardimet, me shumë gjasë, paraqesin “krime të luftës”.

“Mendoj se kur ju e shihni këtë lloj të intensitetit të bombardimeve, në një hapësirë të vogël të mbushur me mijëra e mijëra civilë, është gati e sigurt se kjo paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe me shumë gjasë përbën krime të luftës që janë kryer tash, pasi ju nuk mund t’i dalloni luftëtarët nga civilët, në këto rrethana, kur ata të gjthë gjenden shumë afër njëri-tjetrit së bashku”, tha Rupert Colville.

Ai tha se është obligim i qeverisë së Sirisë dhe aleatëve të vet që të lejojnë evakuimin e njerëzve.

Bota mat muskujt në Alepo

Lajmet e fundit nga Alepo janë se forcat qeveritare kanë përparuar në rikthimin e territorit, të kontrolluar për një kohë të gjatë nga rebelët. Por, beteja kryesore rreth qytetit, në fakt, zhvillohet jashtë territorit të tij. Seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me debate të ashpra midis fuqive botërore, shpërfaq sesa larg shkon rëndësia e këtij qyteti.

Sarajeva solidarizohet me Alepon

Qindra njerëz u mblodhën në qendër të Sarajevës, në shenjë solidarizimi me civilët e rrethuar në Alepo të Sirisë. Banorët e kryeqytetit të Bosnjë dhe Hercegovinës mbajtën pankarta në mbështetje të popullit të Alepos.((REL))

Filed Under: Politike Tagged With: NE ALEPPO?, RAPORTI:ÇFARE PO NDODH

TMERRI NË ALEPPO-on PESEMIJËVJECAR

December 15, 2016 by dgreca

Mediat raportojnë se ka akoma  edhe të paktën pesëdhjete mijë njerëz të pa armatosur që kërkojnë të largohen nga Alepo, por që rusët dhe asadistët u kanë mbyllur shtegun e terheqjes të përcaktuar në një marrveshje ndërkombëtare  armëpushimi provizor. Qëllimi i mbylljes së këtij shtegu është që edhe ata të mos dalin të gjallë, packa se janë civilë dhe konventa ndërkomëtare”  i  mbron” ato. Shkurt, perendimorët dështuan, beteja e Alepo-s i jep fund kësaj drame siriane dhe pas kap ditësh do të shohim në tryezat  diplomatike: asadët, rusët, erdoganët, sauditët, iranianët…etj duke folë për paqen pas milionave të vrarëve./

4-aleppo   3-alepo 2-aleppo  5-aleppo   2 asllani 34 (2)

NGA ASLLAN BUSHATI/Pamjet e stacioneve TV gati të të gjithë botës, ishin shokuese me ato që përcillnin në kohë reale nga Alepo-ja . Qyteti  i vjetër i kulturës,shkencës, tregtisë e i trashgimnisë  lashtë e modern , më shumë se pesëmijëvjecar e me një popullatë me më shumë se dy million e gjysëm  banor ( para fillimit të konfliktit sirian). Dridhëshëm , pamë live (direct) fëmijë të vrarë ose të plagosur rëndë në duart e  të afërmvë të tyre, gra, të moshuar, njerëz të pa armatosur dhe të pa fajshëm,terror mbi popullatën civile. Pamë një fëmijë të vetmuar (vajzë) që doli nga rënojat e duke ecur  në rrugë  midis  bombardimeve e  trupave të pajetë të na  thoshte të gjithëve, pa zë , por me qëndrimin e saj stoik:” O ndyrësira të kësaj bote  a keni ndienja, a keni shpirtë? A ky është qytetërimi  juaj? Në djall shkofshi ju dhe qytetërimi juaj shkatrrimtar”. Një mësues i gjuhës angleze që apelonte për ndihmë duke thënë:”Shpresoj të bëni dicka sot për jetën tonë… kjo është dita e fundit e jetës tonë…Rusia nuk do që ne të dalim gjallë prej këtej…”  Gjithë ditën e natën pamë një Alepo  të vrarë dhe të shtrirë përdhe , me mure, rrugë e pallate të bëra copë e cikë nga  raketat e bombat e aviacionit rus e asadist, e poshtruar rëndë nën  këmbët e kriminelit Asadit dhe mikut  të tij  Putinit ,me ndihmën e shumë lakejëve për rreth dhe në sytë e mender OKB-së.E them mender OKB-së (për të mos thënë ndonjë fjalë më të rëndë), sepse ky organizëm botëror i të ashtuquajturës siguri kolektive globale e futi  Sirinë në këtë rrugë pa krye dhe i këtheu shpinën njerëzve të pa armatosur në mes të furtunës bombarduese.. Thirrjet në  U-Tube se “mos e besoni më OKB-në… Ne jemi njerëz të lirë e kjo duhet pranuar hapur e padroje…”, janë para së gjithash një thirrje për reflektim për cdo qytetar të ndershëm  të këtij rruzulli.

Mediat thonë se ka akoma  edhe të paktën pesëdhjete mijë njerëz të pa armatosur që kërkojnë të largohen nga Alepo, por që rusët dhe asadistët u kanë mbyllur shtegun e terheqjes të përcaktuar në një marrveshje ndërkombëtare  armëpushimi provizor. Qëllimi i mbylljes së këtij shtegu është që edhe ata të mos dalin të gjallë, packa se janë civilë dhe konventa ndërkomëtare”  i  mbron” ato. Shkurt, perendimorët dështuan, beteja e Alepo-s i jep fund kësaj drame siriane dhe pas kap ditësh do të shohim në tryezat  diplomatike: asadët, rusët, erdoganët, sauditët, iranianët…etj duke folë për paqen pas milionave të vrarëve.

Po pse dështoi perendimi në Siri? Që në kohën e Luftës së Ftohtë ky vend, perfshihej në agjendat strategjike ruse dhe perendimore. Rusët ishin të pranishëm aty edhe në kohën e Asadit të vjetër, por ishin vetëm si një avanpost pa një mbeshtetje të madhe, kurse fuqia ushtarake perendimore në Mesdhe, rajon e më gjërë  ishte diktuese. Kur “pranvera arabe” shpertheu, perendimorët (amerikanë, britanikë, francezë,gjermanë, kanadez,italianë,spanjollë etj), menduan se do të ishte e  lehtë ne Siri si në vendet e tjera. Por ky  rezultoi të ishte një gabim i rëndë në vlerësimin e forcave, sepse aty nuk prekeshin vetëm interest e Asadit, por mbi të gjitha ato ruse. SHBA-ja cfaqi mendjelehtësi që në fillim  duke menduar se cdo gjë e kishte nën kontroll dhe pastaj  mbështeti me gjysëm zëri “rebelët” ( forcat kundër qeveritare vecanërisht kundërasadistët por dhe kundër ISIS). Në 2013-tën, Presidenti Obama deklaroi vijën e kuqe, por  që  ai nuk insistoi fort mbi të duke e paraqitur atë si një strategji perendimore mbi të cilën nuk do të bëheshin lëshime.  Më pas prania e formacioneve te ISIS-it ( dhe të tjerëve)  u bë e rrezikëshme dhe e komplikoi shumë problemin ,  në këtë situatë  amerikanët mbështetën zonën e ndalim fluturimit. Pas përzierjes së shumë palëve në konflikt hapur a fshehtas   ( asadistët , rusët, turqit, sauditet, iranianët, emiratët,kuvajtasit, izraelitët në hije etj.), amerikanët  pothuaj u tërhoqën tërësisht.  Beteja  për to u cvendos në planin diplomatik duke e lënë në heshtje betejen ushtarake, sa më 13 Dhjetor  2016, Ambasadorja e SHBA-së ne OKB duke ju drejtuar rusëve afërsisht ju tha:”Me atë që po bëni në Alepo a keni ndopak turp?…a keni keqardhje për fëmijët e vrarë?… kjo duhet t’ju turpërojë…”

Rusët  me shumë intensitet vazhduan sulmet  ushtarake ne frontin sirian të Alepos, me aviacionin e tyre dhe me raketat e aeroplanmbajtjes “Kuznjecov” në Mesdhe,  dhe në të njejtën kohë shtuan dozat e sulmit diplomatik në OKB sa Curkini tha”..Ju këtu po flisni si Nënë Tereza…  a e dini ju vetë se cfarë keni bërë?…”duke kërcënuar hapur amerikanët.

Disa media me të drejtë kanë vënë theksin se në konfliktin e Sirisë, vetëm viktimat dhe populli i pa armatosur janë të pa fajshëm, kurse gjithë të tjerët janë fajtorë e deri  terroristë. Them terroriste sepse asadistët dhe rusët hapur kanë qëlluar mbi popullsinë civile duke bërë krime lufte.

Ky  konflikt, krahas shumë politikanëve, ushtarakëve,diplomatëve, analistëve, gazetarëve,  opinionistëve, më ka shqetësuar shumë edhe mu si  ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptarte. Madje kam patur rastin të shprehem  me opinionin tim hapur në shtyp  në favor të betejës ushtarake kundër forcave të ISIS-it. Betejë të cilen e kam paramenduar  si  betejë tokësore nisur nga fronti  irakian dhe turk me mbështetje të aviacionit dhe forcave detare. Këto të fundit vetëm për neutralizimin e objektivave strategjik si shtabe komanduese, aeroporte , grupime artilerie dhe objektiva logjistike të rëndësishme. Betejat e rëndësishme  në mendimin tim  do të ishin  disa, por më vendimtaret në Alepo e Mosul , pra në qytetet kryesore. Këtu natyrisht  më parë duhej bërë  cvendosjen e popullsisë civile e më pas duke përparuar nga lagja në lagje, nga rrugica në rrugicë, nga pallati në pallat, nga shkalla në shkalë e deri ne cdo apartament e shtëpi të vecantë sipas metodës së luftës klasike në qendra të banuara. Kjo metodë do të  bënte të mundur ruajtjen e popullatës, ruajtjen e objekteve të rëndësishme historike, shkencore, fetare etj  dhe asgjesimin e forcave terroriste të ISIS-it. Por ajo që pashë në TV për  Alepo-n  ishte e pa krahasueshëm me asgjë shkatërrim tjetër. Ishte gjenocid i koheve të sotme, fytyra e vërtetë e turpit për Asadin dhe rusët, por edhe për gjithë komunitetin ndërkombëtar.Cfarosje në masë e popullsisë së pa armatosur  dhe sheshim i  objekte pesëmijë vjecare nga më të rëndësishmet e këtij qytetërimi. E gjitha kjo tragjedi  u bë  për të ruajtur karrigën e një njeriu të vetëm i cili e ka emrin   Bashar El Asad,  këtij  filorusi e qen roje i tyre , por që s’ka të bëjë aspak me interesat  e   popullit sirian.

Si  qytetar e përkrahës i perendimit për cdo gjë, si shtetas shqiptar dhe amerikan , si intelektual dhe opinionist , ndiehem  shumëfish i zhgënjyer me dramën siriane dhe tragjedinë  e Alepo-s. E konsideroj dështim të plotë të  perendimit dhe mbi të gjitha të Administratës Obama. Shpreoj në një rizgjim të ndergjegjes qytetare perendimore, në një sensibilizim të opinionit publik dhe në gjetjen e një zgjidhje të drejtë e afatgjatë. Ne se kjo nuk ndodh , në kujtim të atyre që nuk jetojnë më dhe të ndergjegjes time qytetare, dëshiroj t’ju them atyre që e shkaktuan këtë tragjedi: meritoni cdo sharje edhe cdo epitet negativ .

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati, PESEMIJËVJECAR, TMERRI NË ALEPO-on

ARROGANCA, VETËKËNAQËSIA , VETËIZOLIMI DHE PUSHTETARI

December 14, 2016 by dgreca

‘ Ese’ në shërbim të demokracisë/1-filip-guraziuNGA FILIP GURAZIU/*Dy konceptet e mësipërme, arroganca dhe vetëkënaqësia   bashkjetojnë së bashku duke formuar një unitet deri ne simbiozë, i treti, vetëizolimi, përceptohet si pasojë e dy të parëve.

Po le ti analizojmë sipas radhës duke filluar nga përkufizimet që i gjejmë te  fjalori i gjuhës shqipe:  arroganca;  ‘ Sjellje e vrazhdë, e pakulturuar; qëndrim përbuzës e mospërfillës kundrejt të tjerëve, trajtimi i të tjerëve me mendjemadhësi e në mënyrë fyese.’ , kurse vetëkënaqësia; ‘ Kënaqësia e veçantë që ndien dikush për atë që ka bërë a që ka arritur; prirje e dëmshme për t’u kënaqur me atë që kemi bërë dhe për të mos luftuar për arritje të mëtejshme; të qenët i kënaqur me vetveten.’

Një pushtetar arrogant dhe i vetëkënaqur dallohet lehtësisht në mënyrën si sillet ai në punë,  shoqëri dhe familje.

  1. Trajton të tjerët si inferiorë  në formim,  gjykim, në punë etj.
  1. Sillet në jetë me krenari dhe mendjemadhësi, populli me tallje këtë kategori e cilëson si ‘dija e pambarueme’
  2. Edhe kurë merr pjesë në diskutime të fushave që nuk i përkasin formimit profesional të tij, “ai gjithënjë jep mënd” dhe përcakton vijën e diskutimit duke përcaktuar konkluzionin.
  1. Merr vëndime pa kolegjialitet, sepse është i bindur në supremacinë intelektuale të tij .
  2. Dëshiron të rrethohet nga njerëz mediokërr dhe servilë, sepse me to “ndihet mire”.
  3. Duke patur besim të pamasë në aftësitë e tija emëron në detyra të rëndësishme personazhe  të klanit të tij, por që nga profesioni nuk kanë apak lidhje me detyrën që mbulojnë.
  4. Akuzon te tjerët  pa patur fakte, sepse ka besim të pamasë te intuita e tij…
  5. Është xheloz për ato që kanë vlera intelektuale dhe për këtë arësye  nuk i afron dhe nuk bashkëpunon me persona me dinjitet, që kane personalitet dhe kulturë të gjërë.
  6. Është vazhdimisht në kontradiktë me vetëveten dhe në intimitetin e tij paraqitet meskin,  frikacak dhe oportunist.
  7. Çon zërin me njerëzit e thjeshtë dhe paraqitet pamasë  i sjellshëm, i  dashur dhe servil atu ku ka interes dhe sidomos ndaj  eprorëve.
  8. Kërkon të duket gjithënjë si “shpëtimtar’  për zgjidhjet që ofron, për të cilat kërkon me këmbëngulje autorësinë.
  9. Nuk është mirënjohës ndaj shokëve të jetës  dhe kolegëve të punës.
  10. Kërkon të evidentojë, vënd e pavënd aftësitë e tija “ të veçanta”

   në të gjitha fushat…

  1. Bën çmos që  foto e tij të jetë sa më frekuente në mediat e

    shkruara dhe të shpalosë aftësitë e tija në programe televizive.

  1. I kushton një rëndësi të madhe ‘lukut’ të tij dhe për këtë bën tualet të veçantë duke angazhuar edhe profesionistët e fushës etj., etj……

Por ç’është vetëizolimi? Sipas fjalorit të gjuhës shqipe ‘ izoloj’ do të thotë Veçoj; mbaj të veçuar dikë; e shkëput krejtësisht një vend nga vendet e tjera, bëj që të mbetet i vetmuar, pa lidhje e marrëdhënie me vendet e tjera..

Pushtetari arrogant dhe i vetëkënaqur, autoizolohet ose vetëizolohet nga shoqëria e tij  që  e ka rrethuar, e ka shoqëruar dhe e ka vëndosur në pushtet si dhe nga masa e gjëre e elektoratit që e ka votuar, pa e kuptuar as ai, se si, dhe se ç’po bëhet ! Eshte vetë mënyra se si ai sillet, mendon, vepron, punon që, le te themi, automatikisht e izolon ! Me qenë se është i vetëkënaqur nga vetja si dhe nga pushteti që ushtron ndaj të tjerve i krijohet ‘bindja e rreme’ se ai ndoshta paska pasë qenë i caktuar nga “ lart, apo qiellorët ” për të drejtuar masën…!  Ky izolim dhe kjo shkëputje nga realiteti shtohet së tepërmi nga rrethi i personazheve mediokërr dhe servilë që e rrethojne  në çdo moment të veprimtarisë se tij. Në një kuptim, një pushtetar arrogant dhe i vetëkënaqur bëhet viktimë e vetëvehtes së tij, gjë që sjell izolimin nga bota që e rrethon dhe realiteti. Në këtë kontekst mbetet gjithënjë si shëmbëll dhe aktuale filozofia e veprës ‘Pallati i ëndrrave ‘ i shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Me të drejtë ndonjë lexues, mund të mendojë; more  sa hall që paska patur shkruesi i këtij shkrimi për pushtetarin e izoluar, pasi një fjalë e urtë na mëson se “koka bën, koka pëson…” ; “ dreqi pra ta hajë pushtetarin arrogant, që prej vetëkënaqësisë  vetëizolohet…!”

I nderuari lexues, problemi nuk është aq i thjeshtë sa ç’duket ! Më mirë se kushdo  ne shqiptarët e dijmë se çdo të thotë ‘vetëizolim’ të cilin e kemi vuajtur në “lëkurën tonë” për gjysëm shekulli… Në një shikim më të gjërë pushtetari me karakteristikat e mësipërme jo vetëm që dëmton vetëvehten , partinë dhe elektoratin e tij, por e keqia më e madhe është se ai dëmton  një popull të tërë, pasi me veprimet e tija pengon  zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies. Situata të tilla mbijnë dhe rriten shëndetëshëm në sistemet diktatoriale, por gjithashtu dallohen edhe në vënde me nivel të ulët ekonomik dhe  në shoqëri me demokraci të pakonsoliduar si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Turqia etj. ,

Mbetet detyrë e partive politike, shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura që të reagojnë me vëndosmëri ndaj dukurive të mësipërme. Zoti i një shoqërie demokratike është ligji, i njëjtë për të gjithë dhe në ndihmë të atyre që ndodhen në nevojë. Ligjin e bëjnë  profesionistët e kualifikuar, është detyra e tyre që me ligj,  të kufizojnë sa më tepër mundësinë që individi të  degjenerojë cilësisht aq sa të bëhet negativ për tërë shoqërinë. Individi, ka qenë, është dhe do të jetë, vulnerabël ndaj “shkarjeve ligjore”, duhet të jetë ligji, ai që ta detyrojë individin që të lëvizë sipas binarëve të demokracisë. Rrugë tjeter nuk ka ; shoqëria shqiptare dhe jo individi,  duhet të ndërgjegjësohet se është ajo që e ka  për detyrë konsolidimin e demokracisë.

Shpresoj dhe besoj që ky shkrim,  mund  të ndihmojë ( sadopak ) për të përmirësuar  opinionin dhe këndvështrimin që kemi ndaj  shumë personazheve “ te ndritur” të jetës politike.

  • E dergoi per Diellin, vete autori. Redaksia e Diellit e falenderon z. Guraziu, per bashkepunimin e vazhdueshem.

Filed Under: Politike Tagged With: ARROGANCA, Filip Graziu, VETËIZOLIMI DHE PUSHTETARI, VETËKËNAQËSIA

Shqiptarëve të Maqedonisë: Bëni shtetin që u takon!

December 14, 2016 by dgreca

….Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria faktorit politik të të njëjtit gjak në Maqedoni? Nisur së paku nga këto 26 vite pluralizëm politik? Por edhe nga hobeja e kryeministrit tonë që herë më herë, i thërret liderët politikë shqiptarë atje, sikur të ishte Putini i Ballkanit?! Eksperiencën parlamentare? Bashkëqeverisjen? Komunikimin politik të tipit perëndimor? Suksesin me theqafje të ekonomisë më informale në pellgun e Europës qëndrore?/

1-ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të vinë fare në Tiranë. Nuk e di përse e bëjnë këtë. Përse i binden shtetarëve aty. Ndofta për mirësjellje? Ndofta nga ajo ndjenja që kanë brenda vetes për atdheun amë?! Duhet të provosh fatin e tyre që ta kuptosh. Por pluralizmi politik, zhvillimet demokratike, dëshmojnë se vendi amë, Shqipëria nuk e ka arritur atë stadin e duhur për të qënë faktor bindës. A për tu marrë si model për mirë nga shqiptarët jashtë kufijeve.

Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria faktorit politik të të njëjtit gjak në Maqedoni? Nisur së paku nga këto 26 vite pluralizëm politik? Por edhe nga hobeja e kryeministrit tonë që herë më herë, i thërret liderët politikë shqiptarë atje, sikur të ishte Putini i Ballkanit?! Eksperiencën parlamentare? Bashkëqeverisjen? Komunikimin politik të tipit perëndimor? Suksesin me theqafje të ekonomisë më informale në pellgun e Europës qëndrore? Modelin ekstravagant të parlamentarizmit të tipit Braçe, Berisha, Tahiri, Balla, Paloka, Frroku etj. Çfarë? Madje situata në rajon, me shqiptarët si në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës etj. Duhet të reflektojë thellë tek politika shqiptare në shtetin amë.
Por kjo nuk ndodh. Dhe kjo dëshmon atë që, se sa e personalizuar është lufta politike karshi fatit të shqiptarëve në përgjithësi.
Shqipëria në vetvete ka një sërë problemesh që në lidhje me pluralizmin, bashkëqeverisjen, shtetin e së të drejtës, krimin e organizuar, korrupsionin etj…, i kanë çakorduar balancat midis qytetarit dhe shtetit. Ndaj sot qyetari shqiptar ka dy alternativa zgjedhje. Dy, vetëm dy… Ose të iki, ose të anëtarësohet në LSI. Demokratëve më shumë se fati i një populli të tërë. U intereson lufta e ashpër parlamentare. Socialistëve më shumë se përmirësimi i jetës së një vendi. U intereson sharmi i disa ministrave me prejardhje revoltash karshi Sali Berishës. Ata që duan të hedhin ndonjë ide ndryshe, shpallen menjëherë kundërshtarë politikë, sikterisen. Deri me përjashtim…, duke mbushur me sukses radhët e LSI-s. Po edhe aty ku shkojnë, shkojnë sa për sharm, sa për luk. Pasi përjetësia i përket baba Likes nga Tomorrica.
Çfarë mund t’i ofrojmë ne shqiptarët vëllezërve tanë në Maqedoni? Një temë që ia vlen ta ritrajtosh ditë më ditë.
Ata kanë 5 parti që në raport me popullatën është një numër më se normal. Ne kemi 136 a 138 parti që në raport me popullatën është një shifër anormale. Kemi kryetarë që rrinë si të tillë deri sa vdesin. Edhe pse nuk fitojnë sikur gjysmën e votave të duhura për të qënë deputet. Po i bashkangjiten partive të mëdha dhe vegjetojnë aty, duke u prerë rrugën shanceve të vërteta të një individi që sapo nis karrierën politike. Kështu edhe partitë e mëdha kthehen në lojra të xhaketave të vjetra. Të aleancave shterpe me braktisje bastionesh, mandatesh etj. Të paktën PDSH-ja në këto vite pluralizmi ka ndërruar dy. BDI-ja asnjë. Lëvizja Besa një parti e re. Apo tu afrojmë modelin e dorëheqjes sa për të thënë. Dhe prapë jemi ne kryetarë.
Shqiptarët e Maqedonisë sot u duhet…., e para, të kuptojnë një herë e mirë se janë pjesë e shtetit të tyre. E dyta, kanë shancin historik të luajnë rolin që u takon, bashkëpunimi me opozitën e Zaevit. Duke u bërë kështu faktor i gjallë i ekzistencës së shtetit të tyre. Por dhe e ekzistencës reale si shtetarë formues. Plot imponim e të drejta.
Lëreni Tiranën në shenjterinjë e sherreve të saja. Mbase kështu i jepni edhe një mësim të duhur politikës konfliktuale, treçershekullore të saj.
Këtë jo për ide të njërit apo tjetrit. Por si shtetarë të Maqedonisë. Dhe përgjegjës për përmisimin e jetës, apo plot të drejtave të munguara nga aleancat dhe qeverisjet e deritanishme. Nga përçarja juaj.
Gjykoni vetëm një fakt, luftën e nëndheshme të përgjimeve Gruevski. Një qeveri që u përgjon, ka marrë fund. Eshtë e sojit të hajnave. Për më tepër jepini një mësim botës se shqiptarët janë të aftë në ndërtimin e një shteti. Mjaft adhuruat atdheun e sëmurë, duke jetuar e punuar në Zvicër e Gjermani. Lartësitë e Sharrit janë si ato të helveteve. Madje më të bukura. Eshtë shanci t’i jepni vetes dhe vendit, atë që meritoni.

Filed Under: Politike Tagged With: Bëni shtetin, Ilir Levonja, që u takon

Mitrovicë-Muri te ura nuk do lejohet

December 13, 2016 by dgreca

-Ministrja për Dialog Edita Tahiri: Muri te ura në Mitrovicë do të hiqet. Kosova ka arritur t’i heq të gjitha barrikadat në veri, ishin mbi njëzetë/1-ura

-Kuvendi i Komunës Jugore të Mitrovicës është ftuar nesër në një seancë urgjente për zhvillimet në veri, me të vetmen pikë në axhendë: Situata politike dhe e sigurisë pas ndërtimit të murit matanë urës së Ibrit/

PRISHTINË, 13 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministrja për Dialog Edita Tahiri, deklaroi sot se, qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për të zgjidhur problemin e krijuar në Mitrovicë ku është ndërtuar një mur ilegal duke cenuar lëvizjen e lirë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.

“Po punojmë së bashku me Bashkimin Evropian për zgjidhjen e këtij problemi dhe ju sigurojmë se nuk do të ketë mur në qytetin Mitrovicës, ky mur do të hiqet dhe i gjithë procesi i revitalizimit të urës dhe rrugës për këmbësorë në anën veriore të qytetit do të realizohet në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit” , tha ministrja Tahiri.

Ajo përkujron se, Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe Plani për revitalizimin e urës së Ibrit që është nënshkruar në 25 gusht 2015 në Bruksel parasheh heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës nga ana e BE-së si dhe revitalizimin e rrugës kryesore të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës që sipas marrëveshjes do të jetë rrugë për këmbësor (shëtitore) që është kompetencë e komunës,  sipas ligjeve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës konsideron se ndërtimi i këtij muri ilegal është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit të datës 25 gusht 2015.

“Në lidhje me këtë zhvillim ilegal nuk kemi pasur njohuri përveç në momentin kur është shfaqur ky mur ilegal në mbrëmjen e 6 dhjetorit 2016. Pas komunikimit të menjëhershëm me Bashkimin Evropian për të ngritur shqetësimet e shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ata po ashtu kanë konfirmuar të njëjtën, se nuk kanë pasur njohuri dhe se një mur i tillë është jashtë Marrëveshjes së Brukselit”, shprehet ministrja kosovare.Më tej thekson se, qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masat ligjore për ndaljen e punimeve të cilat edhe janë ndalur që nga data 7 dhjetor 2016, kur është nxjerrë vendimi i qeverisë së Kosovës përkatësisht i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i cili i është dërguar autoriteteve lokale të Komunës.

“Po ashtu, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vazhdimisht po bënë monitorimin e situatës përmes inspektorëve të vet zyrtarë. Në të njëjtën kohë Policia e Kosovës është e angazhuar plotësisht për të ruajtur rendin dhe qetësinë duke marrë parasysh pakënaqësinë legjitime të qytetarëve për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit dhe frikën nga skenarët djallëzorë të Serbisë”, thekson deklarata.

Qeveria e Kosovës, vijohet më tej, siguron qytetarët se po punon maksimalisht së bashku me partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian, për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ju sigurojmë se nuk do të ketë mur dhe që procesi i revitalizimit të urës së Ibrit dhe rruga për këmbësorë në formën e shëtitores do të jetë plotësisht sipas Marrëveshjes së Brukselit. Ne jemi të vendosur për këtë çështje, do ta zgjidhim, mirëpo dëshirojmë të theksojmë se do ta zgjidhim me kujdesin më të madh duke marrë parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështje, por gjithnjë sipas ligjeve të Kosovës dhe duke respektuar Marrëveshjen e Brukselit. Koha e mureve, kjo dukuri negative, nuk do të lejohet në shtetin tonë i cili në Kushtetutën e vet ka vendosur themelet e shtetit demokratik, të lirive themelore dhe lëvizjes së lirë, të cilat askush nuk mund t’i cenojë”, deklarohet më tej.

 

Theksohet se, qeveria e Kosovës ka arritur që deri tani t’i heq të gjitha barrikadat në veri të vendit, që kanë qenë mbi njëzetë sosh.

“Dhe po ashtu hoqëm edhe barrikadën nga ura e lumit Ibër, duke falënderuar dialogun e Brukselit dhe qëndrimin tonë konsekuent në këtë proces. Prandaj, edhe këtë problem do të zgjidhim, pa mure dhe pa vonesa”, përfundon deklaratën ministrja Tahiri.

Kuvendi i Komunës Jugore të Mitrovicës është ftuar nesër në një seancë urgjente për zhvillimet në veri, me të vetmen pikë në axhendë: Situata politike dhe e sigurisë pas ndërtimit të murit matanë urës së Ibrit.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Mitrovicë-Muri, nuk do lejohet, te ura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 594
  • 595
  • 596
  • 597
  • 598
  • …
  • 671
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT