• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ad hominem dhe një teori konspiracioni

December 27, 2016 by dgreca

Si të kuptojmë debatin Rama –Blushi?/

1-floqi-raf2

Nga Rafael Floqi/Michigan/ Sulmi Personal ndaj personit dhe jo mendimeve te tij, nuk është një dukurie e re për qeniet njerëzore, dhe raportet me tyre, dhe besoj se është theksuar qysh nga koha, kur “homos politicus” doli në faqen e dheut.   Ad hominem (latinisht do te thotë sulm ndaj “të njeriut” ose “sulm ndaj personit” .  Ad hominem, është një ide e gabuar logjike me argumente qe synojnë te hedhin poshtë akuzat e një personi, duke sulmuar karakterin, motivimin, apo ndonjë atribut tjetër të personit, duke e bërë atë argumentin e sulmi ndaj vetë atij personi, në vend të paraqitjes të kundërargumentit apo të sulmit ndaj thelbin të vetë argumentit.Njerëzit mund të argumentojnë për çdo gjë. Ata që debatojnë mbi politikën dhe të përpiqen për të gjetur zgjidhje. Ata që flasin për shfaqet në TV apo muzikën, sportin janë ata që duan që të nxisin e të kundërvihen njeri-tjetrit. Diskutimi në vetvete mund të jetë edhe kënaqësi si edhe një mundësi për të mësuar. Debati i shëndetshëm sfidon supozimet tona. Një argument i mirë mund të ndryshojë edhe mendjen tuaj. Shumë njerëz mbështeten në sulmet personale, si një mënyrë për të fituar një argument. Kjo nuk është një argument që të bind, edhe nëse i ve nofka të bukura kundërshtarit. Sulmi personal në vend të një argumenti të vërtetë përcaktohet si argument ad hominem. Ai nuk është arsyeja e vërtetë për të fituar debatin, ai bazohet vetëm në faktin, se kush mund të hedhë baltë më shumë, apo të bëjë maksimumin e ndotjes të tjetrit me akuza. Një argument ad hominem përpiqet  të bindë dikë duke e baltosur kundërshtarin. Në fakt, opinionet dhe idetë veçohen e qëndrojnë më vete, pa marrë parasysh se kush i bën ato.Debatet ne parlamentin shqiptar, me këtë nivel që ka arritur, natyrisht janë ekstremisht tej argumenteve të logjikës formale. Por le të vlerësojmë rastin e debatit Rama –Blushi në parlament si debat mes dy njerëzish me dhunti oratorie. Ky është një nga ato raste, kur në Kuvend nuk kishte vetëm një përballje mes Kryeministrit dhe një deputeti, por mes dy ish-miqve që sot nuk ia kursejnë njeri-tjetrit akuzat.Shtatë deputetë të Kuvendit i kishin dorëzuar një kërkesë për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama. Kërkesa ishte firmosur nga Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Ben Blushi. Deputetët shprehin shqetësimin për shtyrje me afate të panjohura të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe për këtë qëllim kërkonin sqarime urgjente nga kreu i qeverisë.  Në emër të deputetëve që përfaqësojnë grupime të ndryshme politike foli në seancë Ben Blushi.  Që kur Blushi zgjodhi të ndahej nga Partia Socialiste dhe të krijonte forcën e re politike LIBRA, në Partinë Socialiste ka pasur një urdhër politik të Kryeministrit për të shmangur komentet mbi largimin e Blushit. Strategjia është ajo që PS-ja ka ndjekur sa herë që ka pasur krisje brenda radhëve të saj, të sillej, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Fjalimeve të ashpra të Ben Blushit në Kuvend, Kryeministri Rama u është shmangur vetëm me ndonjë batutë ironike pa e përmendur emrin direkt emrin e Blushit. Por kjo indiferencë në dukje synonte ta nënvleftësonte dhe ta injoronte Blushin. Kështu ai tashmë donte një përballje live me ish-mikun e tij Rama dhe . interpelanca me procedurë parlamentare ia krijonte këtë mundësi. Rama nuk mund t’i shmangej më Ben Blushit, duke lëshuar ndaj tij Taulant Ballën apo zhurmues të tjerë.  Kryeministri ishte i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve të deputetit për çështjet e ngritura. Por edhe kësaj here Rama iu shmang thelbit, duke zgjedhur sulmet mbi personin dhe jo argumentet arsyetuese. Akuzat e Blushit qëllonin në një pikë nevralgjike, që krijon një situate sureale në mes të angazhimit, qoftë dhe formal të Ramës dhe qeverisë, me procesin e Vettingut , dhe në kufizimin e propagandës dhe të gjuhës të partisë së tij vetëm në këtë argument, duke mbuluar praktikën e kritikuar nga opozita, të përdorimit të inkriminuarve dhe të ashtuquajturit “kriminalizim” të politikës.Sulmi i Blushit ishte i drejtpërdrejtë, argumentues dhe faktik. Deputeti dhe themeluesi i LIBRA-s, Ben Blushi e akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka mbushur Kuvendin, qeverinë dhe ministritë e tij me njerëz të inkriminuar. Duke folur për personat e inkriminuar, Ben Blushi ka folur vetëm për rastin e fundit, atë që prej 7 muajsh nuk është arrestuar Klemend Balili. Po pse nuk shkarkohet kryetari i inkriminuar i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi , apo si ka mundësi që kryetari i Bashkisë së Durrësit lëshon certifikatë virgjërie për kriminelin autorin e 7 vrasjeve Lulzim Berisha.  “Po të marr rastin e fundit Klemend Balili. Nuk qenka urgjencë që ai nuk arrestohet prej 7 muajsh. Çfarë nevoje ka për të përkthyer 10 mijë faqet e DEA-s amerikane. Pse nuk arrestohet? Sepse është i LSi-së dhe nëse ai arrestohet koalicioni cenohet dhe bie. A ka qeveri në Evropë që thotë nëse një kriminel arrestohet na bie qeveria. Kjo është qeveria e Elvis Roshit dhe Kelmend Balilit. Votat e tua nuk mjaftojnë për të të mbajtur në pushtet, këta të sigurojnë vota. Në Shkodër, dihet kush janë kriminelët. Dy prej tyre janë në burg, në Lezhë”, është shprehur Ben Blushi gjatë fjalës së tij në Kuvend.Është fakt, që Rama nuk lëshoi asnjë sqarim në lidhje me argumentin , por përdori një sulm personal duke e quajtur atë “dembel”. Unë nuk di se sa punëtor është Blushi dhe çfarë kupton Rama me “dembel”. Por kjo akuzë nuk thotë asgjë për faktin e akuzës, sidomos në këtë Kuvend ku fjala “kriminel”  duket si përkëdheli.  

Kur një deklaratë sfidohet, duke bërë një sulm personal ndaj autorit, është e rëndësishme të bësh një dallim, nëse thënia në fjalë, ishte një cilësi e personit akuzues që vë në dyshim akuzën, pra, nëse është një argument, apo një fakt, një dëshmi që e dobëson akuzën. Në këtë rastin e fundit, kredibiliteti i personit akuzues  është  thelbësor. Të akuzuarit për “dembel” nuk e bën Blushin gënjeshtar, as jo kredibël.Të marrin palën tjetër,  Blushi tentoi të prekte nervin, duke e quajtur Ramën “frikacak”, nuk di sa e vërtetë është kjo për Ramën, por të dy ata njihen mirë. Dhe ndoshta, dhe Berisha nuk e akuzon më kot Ramën për një farë paranoje.  Megjithatë ekziston një anekdotë urbane, e përhapur nga badigardët e Ramës në kohën kur ishte kryetar bashkie i Tiranës. “Në apartamentin, ku atëherë jetonte Rama, siç ndodh shpesh në Shqipëri, ikën dritat. Ai duhej të shkonte shpejt në një mbledhje. Por “trimi” Edi Rama, nuk zbriti nga pallati, gjersa erdhën dritat edhe pse kishte 4 badigardë”.Këtë paranojë, ndoshta ia di dhe Berisha, ndaj kur Taulant Balla po merrte pozita prokurori, dhe kërcënonte do ta sjell Berishën me policë në komision, i lëshoi një mesazh të koduar, papritur në Top story të Sokol Ballës “duke thënë po të kishte avancuar më shumë në 21 Janar Rama, sonte nuk do të ishte gjallë”.  Kjo deklaratë e bërë në këtë kohë, duket si një mesazh i koduar për Ramën. Por le t’i kthehemi debatit.   

Rama iu përgjigj Blushit, duke bërë të vetmen referencë për akuzën, duke synuar ta zhvlerësojë atë para shqiptarëve, apo më shumë socialistëve të parlamentit,  duke e quajtur kopje të Saliut. Në këtë mes, nëse akuzat e Ben Blushit dhe të opozitës përkojnë, kjo gjë nuk e zhvlerëson akuzën ndaj qeverisë,  përkundrazi e përforcon atë.“Nardi e kuptoj që ke të drejtë të zhgënjehesh. Ju mund të çuditeni unë jo. Një pyetje dua t’iu bëj juve dhe atyre që na dëgjojnë. Sikur të mos kishit figurën dhe zërin, çfarë dallimi kishte nga Saliu nga zoti Beni. Saliu ka gjithë jetën që thotë frikacak, por Beni shkoi dhe më përpara. Përdori atë shprehjen jua them unë. Kur i ngecte mendimi bënte e pra, ja pra. Një gjë është për t’u sqaruar. Në fakt dembel i kam thënë vetëm Benit. Të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është mizore. Këtu prap janë njësoj si Beni si Saliu. Do kishte qenë më mirë origjinali se sa kopja . Reformat tona ia dhanë Shqipërisë statusin”, u mbrojt Rama.Dhe kundërpërgjigja e Blushit u mbështet po, në tre argumente ad hominen , e para, qesharak, e dyta, i bllokuar nga krimi, dhe i paaftë për të qeverisur si edhe një kundërpërgjigje për akuzën ndaj tij si dembel.« Ishe qesharak sot. Çështja e integrimit është themelore dhe nuk dua të humb kohë duke bërë shaka me ty. Integrimi është themelor dhe vetëm një maxhorancë amatorësh mund ta marrë kaq pak seriozisht. Integrimi është bllokuar për shumë arsye, krimi, korrupsioni, varfëria, mjerimi, emigracioni, cenimi i gjykatave nga politika. Çdo qeveri bën një bilanc. Ti ke vetëm bilanc gallatash. Çfarë ka bërë, si e ka gjetur vendin dhe si po e lë? Ka më pak kanabis apo ka më shumë? Ti je totalisht i paaftë për të qeverisur. Aftësia jote është vetëm për të bërë miq si Elvisi, Vangjushi.  Ti në fakt, ke shumë probleme po edhe në të gjitha ato bashkë, je dembel dhe nuk ke arritur dot të firmosësh aq shumë shkresa sa të kam shkruar libra unë”.

Në fakt, argumentet e Blushit ishin më racionale. Ai përpiqej që ato të ishin faktike, por përsëri ishin argumente ad hominen, të cilat, sidoqoftë, ftilloheshim me argumente e faktet përkatëse. Nëse Blushi e quan Ramën “frikacak”, kjo nuk ka të bëjë me cilësi personale, por me akuzën se “ai nuk e kap “Escobarin e Ballkanit” pasi bie qeveria, e cila nuk jeton dot pa simbiozën me krimin që e mbart LSI-ja.Në klasat e filozofisë mund të jetë përmendur si një ide e gabuar përdorimi i argumenteve ad hominem, por avokatët të thonë që në një debat, të gjitha mënyrat janë po ashtu efektive.  Shumë shembuj të sulmeve ad hominem mund të nxirren nga sallat e gjyqit. Kur një avokat thotë se dëshmitarit akuzues për një plaçkitje nuk mund t’i besohet, pasi a ka gënjyer më parë, kjo është një sulm ad hominem.  Por avokatët e përdorin atë, sepse ai punon, se thotë diçka mbi karakterin e personit. Njerëzit, jo gjithmonë i vendosin gjërat me anë të logjikës. Sulmet personale nuk janë argumente logjike. Ta zemë se Blushi me të vërtetë është dembel. E çfarë ka kjo të bëjë me akuzën e Blushit? Asgjë. Nxirrja e figurës të personit me të cilin argumenton dhe kur i vesh atij epitete negative është një dëshmi e një mbrojtje të dobët. Dje Vangjush Dako që ka qenë në qendër të akuzave të Ben Blushit gjatë ditëve të fundit, ka gjetur rastin që t’i përgjigjej ish-deputetit socialist në asamblenë e kësaj partie.  Gjatë fjalës së tij, Dako u shpreh se Blushi mori një mandat deputeti në PS “qyl” pa dhënë asnjë kontribut duke shtuar se akuzat ndaj tij vinin pasi nuk i plotësonte favoret që ish-deputeti i kërkonte për njerëz të afërm të tij.”

Doug Walton, një akademik dhe autor kanadez, ka argumentuar se arsyetimi ad hominem nuk është gjithmonë e gabuar, dhe se në disa raste, çështjet e sjelljes personale, karakteri, motivet, etj, janë legjitime për të hedhur poshtë qëllimin, p.sh. kur demaskoni  hipokrizinë, dhe veprimet që janë në kundërshtim me fjalët e subjektit.

Duke e parë debatin si një debat mes dy akuzash të dobëta,  “dembel” dhe “frikacak” të krijohet ideja e dy ish-miqtë , “mishin ia hanë, por kockën ia ruajnë” njeri-tjetrit. Dhe të forcohet përshtypja e ndonjë teorie konspiracioni, se “Libra” mund të jetë një instrument parazgjedhor i PS-së, dhe se Rama dhe Blushi, përtej hatërmbetjeve janë një. Se Rama po e përdor Blushin, ashtu si Berisha, dikur para zgjedhjeve të kaluara, përdori kuqezinjtë e Kreshnik Spahiut, si një modus operandi, për t’i marrë votat e majta LSI-së.  

Dhe po të jetë ashtu, si “frikacaku: dhe “dembeli” s’po bëjnë gjë tjetër, veçse po imitojnë Saliun.

 

Filed Under: Politike Tagged With: ë debatin, Rafel Floqi, Rama –Blushi?, Si të kuptojm

Presidenti uron shqiptarët për Krishtlindje

December 25, 2016 by dgreca

Nishani:: Të mposhten urrejtjet, vlerat njerëzore të mbizotërojnë kudo/

presidenti-i-republikes-bujar-nishani-1-300x2004-300x2008-300x200

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Festës së Krishtlindjeve.“Me rastin e Festës së shenjtë të Krishtlindjes, kam kënaqësinë dhe privilegjin të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ndodhen! Një ditë e tillë aq e veçantë që përkujton lindjen e Krishtit, shënon një ngjarje të madhërishme për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, e cila për nga veçantia e saj i ka përcjellë mbarë njerëzimit për më shumë se dy mijë vjet mesazhin e ripërtëritjes së shpresës për një të ardhme më të mirë e më të sigurt në paqe dhe në begati.

Si çdo vit, edhe sivjet, ky kremtim i shenjtë përjetohet e festohet nën tingujt e ëmbël të kambanave, në dritën flakëruese të qirinjve si dhe përmes lutjeve të përdëllyera të besimtarëve si zanafilla e një të ardhmeje më të shndritshme e më optimiste, e cila u jep jetë fryteve të dashurisë njerëzore e shpirtërore, të paqes, të durimit, të besimit, të vëllazërisë e të dhembshurisë për më të pafatët e të vobektit. Këto virtyte dhe qëllime të mira njerëzore si dhe paqja e bekimet e Perëndisë dhe të Birit të saj gjenden me shumicë edhe në zemrat e besimtarëve shqiptarë. Në këtë ditë feste të veçantë, në cilësinë e Kreut të Shtetit uroj që ato të triumfojnë jo vetëm në kisha dhe vende të shenjta apo në jetën tonë të përditshme, por edhe anembanë botës me qëllim të mposhten urrejtjet e pajustifikuara, ekstremizmat e ndasitë fetare të pabaza, në mënyrë që besimi tek Zoti si dhe tek vlerat më të pastra e të përdëllyera njerëzore të mbizotërojnë kudo e të na ndriçojnë rrugëtimin tonë shoqëror!

Ju uroj nga thellësia e zemrës një Festë Krishtlindjeje sa më të mbarë, shëndet, mbarësi dhe çfarë t’ju dëshirojë e bardha zemër! Gëzuar dhe përshumëvjet Krishtlindjet!”

Filed Under: Politike Tagged With: per Krishtlindje, presidenti Nishani, uron shqiptaret

Një Leter nga SHBA për Kryeministrin Edi Rama

December 22, 2016 by dgreca

Për sa kohe nuk  keni kthyer pronën e  grabitur tek pronari i ligjëshëm, nuk mund të pretendoni për demokraci./

Nga LORO STAJKA/ Fredericksburg, Virxhinia, SHBA/

I  nderuar zoti Kryeministër/

Quhem Loro Stajka, dhe ju shkruaj nga  Fredericksburg, VA  SHBA.  Informohem për gjendjen në  Shqipëri nëpërmjet shtypit që lexoj në internet. Në SHBA dhe në çdo shtet demokratik të Europës zbatohet me  rigorozitet e drejta e pronës. Në gazeta të ndryshme kam lexuar  deklarimin tuaj për zgjidhjen përfundimtare të  problemit të anarkisë së pronave nëpërmjet kompensimit dhe tani, pritet arsyetimi nga Gjykata Kushtetuese. Ajo Gjykatë nëse nuk është e shitur, me siguri do të saktësojë se kur dhe  cila pronë duhet kompensuar. Ambasadore e BE znj Romana  Vlahutin dhe ambasadori  i SHBA z. Donald Lu, e dijnë se në vendet ish komuniste, komunizmi çrrënjoset dhe zëvendësohet me sistem demokratik vetëm kur prona e grabitur i  kthehet  të zotit dhe jam në pritje që ata ta thonë  qartë këtë parim që në Shqipëri nuk po zbatohet.  Në vitin1991 u përmbys busti i diktatorit, me Kushtetutë  u shpall sistemi demokratik dhe detyrimi i shtetit për të  kthyer pronën e grabitur tek i zoti, detyrimi për të zbatuar konventat ndërkombëtare. Këto  nuk janë bërë dhe sistemi komunist nuk u çrrenjos por u modifikua siç i interesoi oligarkise se re. Zoti Sali Berisha mbas 23 vjetesh në drejtim të politikës deklaroi se kishte gabuar me pronarët, por kurrgja me tepër. Mendoj se Berisha, pasi ka  kuptuar gabimin, i takon të jetë shumë aktiv për zgjidhjen e problemit. Heshtja  pas asaj   deklarate, tregon mosdashjen e të mirës së vendit.  Prona tek i zoti është parimi, eshte fjala dhe premtimi i pambajtur prej Sali Berishës dhe politikanëve Shqiptarë.

E rikujtoj Berishen, Lulzim Bashen dhe ju që sot drejtoni  maxhorancën, se i keni të gjitha mundësitë të korigjoni  paudhësitë që mbajnë gjallë planin e Katovices, anarkinë dhe korrupsionin me pronat. Të gjithë kryeministrat dhe presidentët e pas vitit 1991  e kane shkelur betimin e tyre se do të mbrojnë detyrimet  kushtetuese, të  drejtat e njeriut dhe këtë e tregon qartë mos realizimi i  të drejtës së pronës, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Këtë e provon fakti se në vend të kthimit fizik të pronës tek i zoti  ju veproni me legalizime dhe kompensime edhe për ato prona që në bazë të nenit 41 dhe 181 te Kushtetutes, duhet ti te kthehen fizikisht të zotit. Ju e keni  mundësinë ta shpëtoni demokracinë në Shqipëri por dijeni mire se nëse nuk ndryshoni nga plani i Katovicës do vazhdoni shkatërrimin. Ju them publikisht  zoti Kryeministër, se politika shqiptare e postkomunizmit është në rrugë të gabuar, pikërisht për shkak të anarkisë së pronës. Pas opinionit ”as mish e as peshk” nga  Komisioni i Venecias zgjidhja nëpërmjet kompensimit, është shkatërrim jo vetëm për Shqipërinë por për krejt Kombin Shqiptar.  Tuj shikue keta vij ne perfundim se nuk ka nji moral politik dhe atdhetar ne drejtesin  e soteshme ne vendin tone. Zoti kryeminister me rrena nuk ndertohet demokraci dhe nuk shkohet gjatë.

Fort i nderuemi ambasador Donald Lu e tha qartë :” Korrupsioni ne drejtesi jo vetem qe i lejon gjyqtaret dhe politikanet te mbushin xhepat , por ai po shkaterron jeten e qytetareve te ndershem”. Nuk besoj se  do ju ecin gjate se vazhdimisht mashtrime të paturpshme.Vjedhja e pasunise  te vendit , korrupsioni, grabitja e prones, krimi jane burim dhe shkak vrasjesh.

Ju personalisht ne keto tre vjet Kryeminister, ku i keni dhe si po i zbatoni parimet e  demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Për sa kohe nuk  keni kthyer pronën e  grabitur tek pronari i ligjëshëm, nuk mund të pretendoni për demokraci. Duhet dhe kompensim por vetëm ashtu siç thonë detyrimet kushtetuese, siç thotë e drejta morale dhe ligjet e pashkruara të zbatuara ndër  qindra breza, prandaj duhet te shprehet dhe Gjykata Kushtetuese. Mos vallë me disa lekë apo

dollare që do ti jepni shqiptarëve për pronat që kanë përvetësuar politikanët e  katovicës kujtoni se e zgjidhët përfundisht problemin ? Nëse mendonoi kështu gaboni. Kryeministrat dhe presidentët e periudhes postkomuniste nuk kanë asnjë  të drejtë që ta trajtojnë Shqipërinë si pronë private në interes të familjes  dhe të klaneve që mbëstesin për të mbajtur  pushtetin.

Në gazetën Tema të dt. 21.12. 2016, lexova për  projektligjin per institucionin e presidentit, për privilegjet që duhet t’ju  akordohen nga shteti pas lënies së detyrës ish presidentëve. Në parim respekti per ish presidentet është i drejtë, por a i meriotojnë dhe a mundet ti pretendojnë këto privilegje, presidentët e Shqipërisë ? Këtë le ta deklarojë  vetë secili.

Dëshiroj të shkëmbej publikisht mendime me ju dhe politikanët e tjerë, per problemet që më shqetësojnë mua por mendoj se shqetësojnë dhe gjitha ata që mendojnë për të mirën e demokracisë në Shqipëri.Jam i  moshuar, jetoj në  Fredericksburg, VA  SHBA, por vendlindjen time Shirokën dhe Shqipërinë e kam çdo çast në mendje dhe në zemër. Kam shkruar dhe ma parë artikuj per pronen dhe mendoj se do të gjej mirkuptim dhe do të kem pergjigje publike nga ana juaj.

Në pritje të përgjigjes tuaj.

Filed Under: Politike Tagged With: Leter Kryeminstrit Rama, Loro Stajka, prona

Mosfunksionimi i Ballkanit – A mund të mbijetojë kuadri pas-jugosllav?

December 21, 2016 by dgreca

1-timothy

Nga Timothy Less/Foreign Affairs*/

2-lindita-komani

Në shqip: Lindita Komani/

Kuadri politik në ish-Jugosllavi është duke u zhbërë. Në Bosnjë, shteti më i dobët në rajon, si serbët ashtu edhe kroatët, po zhvillojnë një sfidë të koncertuar ndaj marrëveshjes së paqes së Dejtonit, në vetvete një tërësi delikate kompromisesh që e mban bashkë vendin. Në Maqedoni, personalitetet politike nga minoriteti i gjerë shqiptar po bëjnë thirrje për një federalizim të shtetit sipas vijave etnike. Në Kosovë, minoriteti serb po insiston në krijimin e një rrjeti të enklavave të vetëqeverisura me pavarësi efektive nga qeveria qendrore. Në luginën e Preshevës në Serbi, shqiptarët po përpiqen për autonomi më të madhe. Në Mal të Zi, shqiptarët kanë kërkuar një entitet vetëqeverisës. Dhe në Kosovë dhe Shqipëri, ku shqiptarët e kanë pavarësinë, nacionalistët po shtyjnë drejt një shteti shqiptar të unifikuar.

Është e lehtë që ta zbosh gjithë këtë nga mendja, si e nxitur nga politikanë oportunistë. Por do të ishte gabim të injorohej vullneti i elektorateve të cilët vazhdimisht kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre lidhur me status quo-në multietnike dhe po kërkojnë ndryshim. Zgjedhja me të cilën perballen politikëbërësit perëndimorë është ose të njohin legjitimitetin e këtyre kërkesave dhe të ndryshojnë në mënyrë radikale përqasjen e tyre ose të vazhdojnë me politikën aktuale dhe të rrezikojnë një konflikt të ri.

NJE IDE E BUKUR

Kur Jugosllavia ra në fillim të viteve 1990, nuk pati asgjë të parashikuar lidhur me çka do të vijonte. Një mundësi ishte ngritja e shteteve komb, të krahasueshme me ato kudo në Europë. Një mundësi tjetër ishte krijimi i shteteve multietnike bazuar në kufij të brendshëm administrativë. Në fund, Perëndimi vendosi për natyrën e kuadrit pas-Jugosllav, duke njohur pavarësinë e republikave të vjetra jugosllave brenda kufijve ekzistues. Duke vepruar kështu, ata drejtoheshin jo vetëm nga besimi se kjo do të promovonte drejtesinë dhe sigurinë, por gjithashtu edhe duke u bazuar në bindjen ideologjike se nacionalizmi ishte burimi i paqëndrueshmërisë në Europë. Multietniciteti u pa si princip organizues i mundshëm, madje i dëshirueshëm.

Fatkeqësisht ky vendim qe kundër interesave më bazike të grupeve të minoriteteve, të cilët e panë veten të dënuar me statusin e qytetarëve të dorës së dytë në shtetin e dikujt tjetër. Në vitet ’90 shumë prej tyre morën armët për të siguruar ndarje formale. Si pasojë, kudo ku dështuan, minoritetet janë përpjekur të sigurojnë sa më shumë autonomi që të jetë e mundur brenda shteteve që i kanë adoptuar. Duke parë rezistencën e grupeve të shumicës lidhur me fragmentimin e qeverive të tyre, këto përpjekje për ndarje kanë krijuar tension në vetë sistemin nervor të shteteve të shumta multietnike në rajon.

Si rezultat, Perëndimi ka qenë i shtrënguar që për dy dekadat e fundit të detyrojë ketë kuadër të caktuar mbi ish-Jugosllavinë përmes misioneve civile të drejtuara nga OKB dhe trupave të NATO-s si policë rajonale. Si fillim, Uashingtoni mori drejtimin, por pasi Shtetet e Bashkuara e pakësuan praninë e tyre në Ballkan përgjatë dekadës së fundit, përgjegjësia primare për mbajtjen në këmbë të kuadrit pas-Jugosllav i kaloi Bashkimit Europian. Bashkimi Europian zëvendësoi pushtetin e fortë të ushtrisë amerikane me pushtetin e butë të zgjerimit të vet. Supozimi i tyre ishte që vetë akti i përgatitjes për anëtarësi në BE do t’i transformonte shtetet e varfra autoritare në shoqëri me prosperitet, demokratike e që respektojnë ligjin, në të cilat minoritetet e prekura do të ishin të kënaqura të jetonin.

Për një periudhë të shkurtër drejt fundit të dekadës së shkuar, politikat dukej se po funksiononin. Megjithatë, shqetësimi i minoriteteve e bëri të qartë që përqasja e BE-së nuk i zgjidhte dot problemet e krijuara nga multietniciteti. Përfytyrimi kryesor i gabuar ishte që minoritetet do t’i jepnin prioritet më të lartë reformës politike dhe ekonomike sesa ankimeve që ata kishin për territorin dhe sigurinë, e të cilët nuk do të ishin më temë pas hyrjes në BE. Kjo gjë kishte kuptim për europianët që jetonin në parajsën e tyre pas-historike, por nuk kishte lidhje me minoritetet e vendosura në botën hobesiane në Ballkan, që nuk kishin mundësinë të plotësonin edhe nevojat e tyre primare – sigurinë e tyre, të drejtat dhe prosperitetin. Përkundrazi, çështjet e qeverisjes dhe ekonomisë, deri edhe çështje më periferike si edukimi dhe mjedisi u shtynë mënjanë, ndërkohë që institucionet polike u bllokuan nga çështjet e vështira të territorit, identitetit dhe balancës mes pushtetit qendror dhe rajonal. Për çdo ditë, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia u zhytën në mosfunksionim politik, stanjacion ekonomik dhe korrupsion institucional, madje dhe kur fqinjët e tyre më homogjenë, sikurse Shqipëria, Kroacia dhe deri edhe Serbia, filluan të përparojnë.

Politika komplikohet edhe më tej nga Euroskepticizmi tashmë shtrirë anembanë në Europë, i cili kërcënon shpresën e mbetur që integrimi mund të çojë në stabilizim. Sipas një sondazhi Eurobarometri të vitit të shkuar, vetëm 39 përqind e shtetasve të BE janë pro zgjerimit dhe 49 përqind e tyre e kundërshtojnë atë. Më herët këtë vit, votuesit në Hollandë vendosën në një referendum që të bllokojnë integrimin e Ukrainës në BE. Në fakt ishte një votë kundër zgjerimit. Qeveri të mëparshme në Austri dhe Francë kanë kërkuar kushtëzimin e zgjerimit të ardhshëm me referendume në nivel kombëtar.

Si rezultat, procesi i zgjerimit është ndalur. 13 vjet pas lançimit të tij në samitin e Selanikut, katër nga gjashtë shtete jo të BE-së në rajon duhet ende të hapin negociatat për anëtarësim në BE. Serbia ka filluar si në tentativë, dhe Mali i Zi që është shteti më i përparuar i rajonit, katër vite pas fillimit të punës ka mbyllur përkohësisht dy nga 35 kapitujt e negociimit. (Në kontrast me këtë, vendet e Europës Qendrore e kanë përfunduar krejt procesin e negociimit brenda të njëjtit kuadër kohor.)

Si për t’i komplikuar çështjet, Rusia po përdor influencën e saj për të prishur procesin e integrimit, duke inkurajuar minoritetet e pakënaqura si serbët e Bosnjës që të eskalojnë kërkesat e tyre për ndarje dhe duke kërcënuar qeverinë pro-integrimit në Malin e Zi. Turqia po jep mbështetje për myslimanët e prekur, si boshnjakët dhe shqiptarët e Maqedonisë. Dhe Kina po jep fonde për qeveritë anembanë në rajon, për investime në infrastrukturë, duke dëmtuar përpjekjet e Perëndimit që të promovojë reformat e brendshme duke lidhur me kushte dhënien e fondeve apo përparimin drejt BE-së.

Debati mbi Ballkanin ka qenë i dominuar për një kohë shumë të gjatë diplomatët dhe akademikët perëndimorë të cilët mohojnë atë që është e qartë për thuajse këdo në terren: që multietniciteti në rajon është një ide e bukur dhe një realitet i mjerueshëm.

Thuajse çdo shtet ka përjetuar në kohët e fundit trazira serioze ndërkohë që njerëzit kanë humbur besimin në fuqinë e BE-së për t’i larguar ata nga gjendja e tyre e mungesës së shpresës, varfërisë dhe korrupsionit. Duke shkuar përtej këtyre tensioneve, minoritetet po përpiqen të marrin fatin e tyre në kontroll duke kërkuar të drejtën për një territor të ndarë në vende ku qeveria qendrore i jep pashmangshëm prioritet interesave të grupit të shumicës. Ky kombinim faktorësh është tashmë duke destabilizuar Ballkanin dhe për pasojë duke kërcënuar rrëzimin e kuadrit pas-Jugosllav.

Për momentin, aftesia e BE-së për të ruajtur status quo-ne në Ballkan nuk është shuar krejtësisht, kjo për shkak të vetos kolektive mbi ndryshimin e kufijve në rajon. Ndërkohë, Brukseli po vazhdon të shtrydhë çdo grimcë influence nga politika e tij e integrimit. Në vitet e fundit ka shtyrë gjithë vendet e prapambetura të rajonit si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova, një hap më pranë anëtarësisë.

Por BE po mundohet fuqimisht që të imponojë autoritetin e saj. Diplomatët europianë nuk qenë të aftë që të zgjidhnin krizën politike dyvjeçare në Maqedoni që filloi kur partitë qeverisëse të cilat sapo fituan zgjedhjet e parakohshme, ishin përfshirë në regjistrime që zbulonin korrupsion madhor dhe kriminalitet të hapur. BE gjithashtu dështoi në përpjekjen që të arrinte një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. (Në fakt, marrëdhëniet mes dy qeverive janë duke u përkeqësuar.)

Ndoshta si më serioz shfaqet rasti i Republikës Srpska në Bosnjë, e cila procedoi më tej me zhvillimin e referendumit të diskutueshëm në tetor, pavarësisht protestave të BE-së, për mbajtjen e ditës së pushimit të festës kombëtare, gjë të cilën Gjykata e Lartë e Bosnjës e konsideroi si diskriminuese ndaj jo-serbëve dhe për të cilën diplomatët perëndimore thanë që shkeli kushtetutën e Dejtonit që e mban Bosnjen bashkë. Paaftësia pasuese e BE-së për të dënuar drejtuesit serbe të Bosnjës përmes sanksioneve, mund t’i trimërojë ata më tej drejt organizimit të një referendum pavarësie.

NJE REALITET I MJERUESHEM

Çfarë do të ndodhë më tej, sigurisht që është një çështje spekullimi. Me gjithë gjasat, kuadri pas-Jugosllav do të vazhdojë të qëndrojë ligjërisht. Por grupe separatiste mund të fitojnë një lloj pavarësie funksionale duke mohuar autoritetin e qeverisë qendrore, në pritje për rrethana më të favorshme si kolapsin e BE-së, për të formalizuar ndarjen. Mbetur jashtë kontrollit, gjendja rrezikon të shkasë drejt një konflikti të ri, teksa popullatat shumicë do të luftojnë për të ruajtur integritetin e shteteve të tyre.

Nëse ky është rreziku, atëherë si duhet të përgjigjen politikëbërësit? Konsiderimi kyç për t’u bërë është që politika ekzistuese e stabilizimit përmes integrimit, në atë masë që funksionoi, e ka kryer krejt ciklin e vet, duke pasur parasysh fundin efektiv të zgjerimit të BE-së. Duke punuar më tej me një politikë të kotë që bazohet në një shpërblim të pakapshëm dhe pa pasur në dorë sanksione ndaj mospërmbushjes së kushteve, Perëndimi po ia kalon pushtetin e nismave revizionistëve lokalë dhe sponsorëve të tyre të jashtëm, si Rusia dhe Turqia, që ndjekin politikat e tyre me interesa vetjake që shkojnë kundër objektivave të Perëndimit.

Disa argumentojnë që politika ekzistuese mund të vihet në funksionim nëse Brukseli do të përpiqej pak më shumë duke mbështetur premtimin e saj për anëtarësim në BE me më shumë përpjekje per promovimin e bashkëpunimit rajonal, demokracisë, transparencës, zhvillimit ekonomik, e kështu me radhë. Megjithatë, kjo mbetet vetëm dëshirë. Premtimi i anëtarësimit në BE është thyer dhe çdonjëra nga këto nisma është provuar e riprovuar në 20 vitet e fundit.

Të tjerë, veçanërisht grupe të shumicës në terren, argumentojnë që Europa duhet të bëhet e rreptë me politikanët që lobojnë për separatizmin, sikurse Uashingtoni ka bërë në të shkuarën. Kjo mund të funksionojë nëse Europa është e gatshme të ndërhyjë në rajon për një kohë të pacaktuar. Por konteksti politik ka ndryshuar në mënyrë radikale përgjatë dekadës së fundit. Askush nuk do një mision tjetër civil, dhe të kërcënosh një grup si serbët e Bosnjës do të thotë që t’i shtysh ata me dëshirë në krahët e hapur të Rusisë.

Për këtë arsye kërkohet një përqasje e re radikale që të farkëtojë paqe të qëndrueshme duke adresuar burimin e paqëndrueshmërisë në Ballkan: mospërputhjen mes kufijve politikë dhe kombëtarë. Eksperimenti dydekadësh me multietnicitetin ka dështuar. Nëse Perëndimi dëshiron që t’i qëndrojë qëllimit të vet afatgjatë të ruajtjes së paqes në Ballkan, atëherë çasti ka ardhur që të vendosë në rang të parë pragmatizmin përballë idealizmit dhe të planifikojë një tranzicion gradual drejt shteteve-kombe, popullatat e të cilëve mund të plotësojnë interesat e tyre bazike politike.

Duke pasur parasysh ndarjet në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e nevojshme që të behen përpara dhe të kontrollojnë procesin. Në periudhë afatshkurtër, Uashingtoni duhet të mbështesë fragmentimin e brendshëm të shteteve multietnike ku minoritetet e kërkojnë një gjë të tillë – psh, duke pranuar kërkesën e shqiptarëve për federalizimin e Maqedonisë dhe kërkesën e kroatëve për një entitet të tretë në Bosnjë. Në periudhë afatmesme Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të lejojnë që këto territore të ndryshme të krijojnë lidhje politike dhe ekonomike me fqinjët e tyre me të mëdhenj, si psh përmes lejimit të shtetësisë së dyfishtë dhe krijimit të institucioneve të përbashkëta, ndërkohë që mbeten ende formalisht pjesë e shteteve ekzistuese.

Në fazën përfundimtare, këto territore do të mund të ndaheshin nga shtetet ekzistuese dhe të bashkoheshin me vendin amë, ndoshta fillimisht si rajone autonome. Një entitet kroat në Bosnjë do të shkrihej me Kroacinë; Republika Srpska dhe veriu i Kosovës do të shkriheshin me Serbinë; Lugina e Preshevës, Maqedonia Perëndimore dhe shumica e Kosovës do të shkriheshin me Shqipërinë. Ndërkohë Mali i Zi, i cili mund të humbë enklavat e vogla shqiptare, mund të mbetet ose i pavarur ose të bashkohet me Serbinë e zgjeruar. Duke ndjekur këtë plan, Shtetet e Bashkuara nuk do të shkelnin territor të ri, por thjesht do të ringjallnin vizionin e Uilsonit të një Europe që përmban kombe vetëqeverisëse – por këtë radhë në atë pjesë të kontinentit ku ky vizion nuk është aplikuar ndonjëherë.

Padyshim qe do të ketë vështirësi dhe rreziqe, ndonëse jo aq serioze sa ato ekzistuese që rriten brenda përqasjes politike aktuale të dështuar. Serbia do të duhej të hiqte dorë nga Kosova minus veriun e saj, por kompensimi do të përbënte realizimin e një shteti-komb serb në territorin e të cilit mbizotërojnë serbët. Shqiptarët gjithashtu do të duhej të hiqnin dorë nga Kosova e veriut. Më problematikë janë rastet e boshnjakëve dhe maqedonasve, të cilët do të duhej të pranonin humbjen e territorit me të cilin janë të lidhur sentimentalisht pa një kompensim domethënës në territore. Në të vërtetë, ky skenar do të ishte thjesht formalizimi i realitetit ekzistues. Por Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Europa do të duhej të lehtësonin tranzicionin duke investuar fort në zhvillimin e tyre ekonomik dhe duke përfshirë një tërësi partnerësh ndërkombëtarë për të marrë përsipër sigurinë e tyre, përfshi këtu Turqinë, Rusinë dhe shtetet kyče të rajonit, Shqipërinë, Kroacinë dhe Serbinë.

Por ky do të ishte një angazhim i përkohshëm, ndryshe nga vendosja aktuale e nevojshme për të mbajtur një status quo jolegjitime e 4300 trupave në Kosovë, duke përfshirë rreth 600 trupa nga SHBA, si dhe 600 trupa në Bosnjë. Në fund të fundit, është më e lehtë të detyrohet ndarja sesa një bashkëjetesë e bërë pa qejf. Këto sugjerime mund të shokojnë ata që kanë investuar fort në politikën aktuale të multietnicitetit. Por debati mbi Ballkanin është dominuar për një kohë tepër të gjatë nga diplomatët dhe akademikët perëndimorë të cilët mohojnë atë që është e qartë për thuajse këdo në terren: multietniciteti në rajon është një ide e bukur por një realitet i mjerueshëm.

Nuk ka dyshim që zhbërja e kuadrit ekzistues do të ishte e komplikuar. Megjithatë, një proces i manaxhuar i ndarjes së grupeve me interesa të ndryshme kombëtare, më shumë se një bashkëjetesë e detyruar për hir të qëllimit ideologjik abstrakt, do të eliminonte rrezikun më serioz me të cilin përballet rajoni, e pikërisht, dezintegrimin e pakontrolluar dhe një konflikt të ri. Në një këndvështrim afatgjatë, ky process do t’u jepte edhe vendeve si Bosnja dhe Kosova një mundësi më të mirë për t’u zhvilluar. Kjo është jashtëzakonisht më e parapëlqyer sesa status quo-ja.

Pas shumë viteve të humbura kot, Perëndimi duhet të ketë besimin në vetvete që të përqafojë një përqasje të re e cila rrëzon supozime të ngurtësuara. Administrata e re tashmë ka një mundësi të paprecedent për të rimenduar politikën që ka qenë e metë që nga gjeneza vetë. Në një akt përfundimtar në shërbim të Ballkanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfundojnë punën e nisur kaq shumë kohë më parë, këtë radhë njëherë e përgjithmonë.

*(Publikuar në Foreign Affairs, 20 dhjetor 2016)

Solli në shqip: Lindita Komani

Filed Under: Politike Tagged With: kuadri pas-jugosllav, Timothy Les- A mund të mbijetojë

Diplomacia e Kosovës synon shtrirjen globale

December 21, 2016 by dgreca

 

1-dipl-enver1-diplomacia-glob1-veseli-dip2-diplo-glob3-dip-huti

-Konferenca e Ambasadorëve vazhdoi sot në Prishtinë, në ditën e tretë: Në adresën e shtetit të Kosovës kanë ardhur 113 njohje nga 183 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Duke i parë të gjitha mundësitë e saja, Republika e Kosovës ka një shtrirje jo të vogël të diplomacisë së saj, ku këtu mund të përmendim 25 misionet diplomatike, 27 konsullata dhe disa seksione konsullore të cilat i mbulojnë edhe 24 shtete tjera jo-rezidente/

PRISHTINË, 21 Dhjetor 2016-B.Jashari/ Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vazhdoi sot në Prishtinë, në ditën e tretë, punimet e Konferencës së Katërt të Ambasadorëve, ku u theksua se diplomacia kosovare  synon shtrirjen globale. Panelistë të shumë kanë diskutuar  sot për njohjet diplomatike, mësimet e nxjerra dhe pritjet, diplomacinë multilaterale, përfitimet nga anëtarësimet dhe aplikimet e reja, rolin e diplomacisë parlamentare në promovimin e vendit dhe diplomacinë e qyteteve, intensifikimin e kontributit.Sa i përket njohjeve diplomatike, zëvendësministri kosovar i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj ka theksuar se shtrirja globale e shteteve që e kanë njohur dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës, pavarësisht faktorëve të ndryshëm interferues, ka pësuar rritje që nuk guxon të nënvlerësohet.“Në adresën e shtetit të Kosovës kanë ardhur 113 njohje nga 183 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Duke i parë të gjitha mundësitë e saja, Republika e Kosovës ka një shtrirje jo të vogël të diplomacisë së saj, ku këtu mund të përmendim 25 misionet diplomatike, 27 konsullata dhe disa seksione konsullore të cilat i mbulojnë edhe 24 shtete tjera jo-rezidente”, ka thënë zëvendësministri Demaj.Për faktorizimin e shtetit të Kosovës ka folur edhe ish presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu.  Ai ka theksuar nevojën e intensifikimit të diplomacisë kosovare me qëllim të mposhtjes së propagandës serbe karshi politikës së jashtme të Kosovës.Njohja e diplomatike e Kosovës  është vlerësuar proces me sfida  edhe nga ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu. Ai ka thënë se  sa më shumë njohje që të kemi presioni do të jetë më i madh tek vendet që e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.Nga ana tjetër ish ambasadori i Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Dimitris Moschopoulous është shprehur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet që nuk e kanë njohur ende, duke e përfshirë edhe Greqinë, do të ishte një e mirë e përgjithshme.Për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën ka folur edhe Milan Nic, drejtor i Programit për Evropë – Instituti Globsec për Politika në Sllovaki. Ai ka theksuar se mosnjohja e Kosovës nga këto pesë shtete është çështje e brendshme e politikës së shteteve përkatës. Por, ka shtuar se pavarësisht kësaj Kosova përmes krijimit të raporteve të bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme si kulturë, medie sociale, shoqëri civile mund të avancojë në raportet ndërmjet shteteve.Në panelin e radhës është diskutuar për diplomacinë multilaterale, përfitimet nga anëtarësimet dhe aplikimet e reja. Me këtë rast zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj ka theksuar se qëllimi ynë është si ta vendosim Kosovën në një pozicion më të avancuar, më të njohur në glob dhe më të respektuar. Për rolin e diplomacisë në promovimin e vendit pikëpamjet e tij i ka paraqitur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Duke folur për rolin e diplomacisë parlamentare në promovimin e vendit, Veseli ka theksuar se nga viti në vit Republika e Kosovës është duke e konsoliduar, zgjeruar dhe profesionalizuar diplomacinë e saj. Por ka thënë se, “duhet të punojmë edhe me më shumë përkushtim që vendi ynë të marrë vendin e merituar në bashkësinë e shteteve të lira dhe sovrane”.Për këtë çështje kanë diskutuar edhe ish ministra dhe deputetë nga vendi, Republika e Shqipërisë dhe Kroacia. Punimet e konferencës për ditën e sotme janë mbyllur me diskutimet e kryetarëve të komunave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia ku është folur për intensifikimin e kontributit të qyteteve në marrëdhëniet me jashtë.Ministria kosovare e Punëve të Jashtme ka hapur në mbrëmjen e 19 dhjetorit në Prishtinë punimet e Konferencës së katërt të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila do të zgjasë deri në 23 dhjetor, në angazhimet që të ketë koordinim, kontinuitet dhe koherencë në atë se çfarë duhet të ndiqet në vitin 2017.

 

 

 

 

 

Diplomacia edhe për mbështetjen e Kosovës në dialogun e Brukselit/

-Ministrja për Dialog, Edita Tahiri: Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë se dialogu i Brukselit duhet të përfundojë me njohjen reciproke mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, para pranimit të tyre në Bashkimin Evropian, rezultat ky që duhet të mbështetet nga të gjitha vendet e anëtare të Bashkimit Evropian, me qëllim të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë/

1-diplomacia

PRISHTINË, 21 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI/ Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, tha se diplomacia është shfrytëzuar edhe për marrjen e mbështetjes ndërkombëtare për qëndrimet e qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, mes Prishtinës dhe Beogradit.“Bashkëpunim të veçantë kemi zhvilluar me qeverinë amerikane dhe ambasadën amerikane në Kosovë, pastaj me Gjermaninë, Austrinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë vende tjera”, theksoi ajo.Qeveria e Kosovës, vijoi ministrja, ka bërë të qartë se dialogu i Brukselit duhet të përfundojë me njohjen reciproke mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, para pranimit të tyre në Bashkimin Evropian, rezultat ky që duhet të mbështetet nga të gjitha vendet e anëtare të Bashkimit Evropian, me qëllim të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë.“Dialogu nuk ka qenë i kursyer nga obstruksionet e Serbisë. Ky dialog nuk po mund t’ju shpëtoi edhe ndikimeve të axhendave gjeopolitike që po vijnë nga shtete joperëndimore e në veçanti nga Rusia, e cila është shfaqur shumë agresive në këtë drejtim”, tha Tahiri.Sido që të jetë, vijoi ministrja, qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e kanë pranuar këtë dialog për disa arsye.“Së pari në çdo proces pas luftës vjen paqja, derisa luftën e bëjmë vet për çlirim e pavarësi, paqen duhet bërë me armikun, e ky nuk është vetëm shembull për Kosovën por me të gjitha vendet që kanë kaluar luftën”, tha Tahiri duke theksuar si shembull rastin e Gjermanisë dhe Francës. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, foli në panelin me temën “Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e vështira me Serbinë” në Konferencën e Katërt të Ambasadorëve të organizuar në Prishtinë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Diplomacia e Kosovës, synon shtrirjen globale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 592
  • 593
  • 594
  • 595
  • 596
  • …
  • 671
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT