Kosovë-Serbi, në Bruksel nisin bisedime tjera trepalëshe/
Foto:Arkiv: Bisedimet Prishtine – Beograd/
– Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar se, kjo është hera e parë në jetën e saj që për ditën e flamurit kombëtar ka vendosur të punojë në vend se të festoj siç e kanë pasur traditë familjare, mirëpo ka thënë se këtë po e bënë me kërkesën e përfaqësuesve të BE-së sipas axhendës së të cilëve këto takime janë kërkuar/
Prishtinë, 28 Nëntor 2016-B.Jashari/ Në Bruksel fillojnë nesër bisedime të tjera trepalëshe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Në këto bisedime që do të zgjasin dy ditë, në axhendë do të jenë çështjet e drejtësisë dhe kodit shtetëror telefonik për Kosovën. Në këto takime të dyja shtetet do të raportojnë për progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve për zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve”, thekson njoftimi dërguar nga qeveria e Kosovës.Bëhet e ditur se, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit ka arritur në Bruksel, ku sot do të zhvilloj takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian me qëllim që të bëhet një vlerësim për rrjedhat dhe rezultatet e dialogut gjatë këtij viti i cili po i afrohet fundit, si dhe për përcaktimin e dinamikave për përmbylljen e procesit zbatues për marrëveshjen për drejtësinë dhe për kodin telefonik shtetëror, për të cilën tashmë është përcaktuar se më 15 dhjetor 2016 Kosova do ta merr kodin vet telefonik nga ITU.“Në këtë raund të bisedimeve nuk do të bisedohet për çështjen e Asociacionit dhe për këtë çështje nuk është biseduar as në raundet e kaluara”, thekson njoftimi, ku shtohet se, “lajmet e lansuara nga pala tjetër se gjoja do të bisedohet për këtë temë janë të pasakta”.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar se, kjo është hera e parë në jetën e saj që për ditën e flamurit kombëtar ka vendosur të punojë në vend se të festoj siç e kanë pasur traditë familjare, mirëpo ka thënë se këtë po e bënë me kërkesën e përfaqësuesve të BE-së sipas axhendës së të cilëve këto takime janë kërkuar. Ajo ka përcjellë urimin më të përzemërt për Festën e Flamurit gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Në 25 nëntor, qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur pranë Bashkimit Evropian raportin periodik mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit mes Prishtinës e Beogradit, i cili përfshinë periudhën nga 16 qershori deri më 25 nëntor të vitit 2016. Ky raport paraqet vlerësimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi progresin dhe sfidat në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit. “Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet një palë konstruktive dhe serioze në dialog. Ne kemi bërë çdo përpjekje të mundshme në arritjen e marrëveshjeve dhe qëndrimin konsistent duke realizuar ato për çka jemi pajtuar. Parimi kryesor që na udhëheq është bindja se dialogu mund të ndihmoj për të transformuar marrëdhëniet armiqësore në marrëdhënie paqësore fqinjësore, për të cilën faktor qenësor është njohja e ndërsjellë mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në raportin e nënshkruar nga ministrja për Dialog, Tahiri.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012 dhe deri tash kanë zhvilluar 30 raunde, të fundit në 27 janar 2016.
Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.



PRISHTINË, 25 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Këshilli për Stabilizim Asociim në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbajti takimin e tij të parë më 25 nëntor 2016. “Ky takim inaugurues shënon një fazë të rë të rëndësishme të marrëdhënieve BE-Kosovë”, thekson komunikata nga Brukseli, dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.Bëhet e ditur se, Këshilli për Stabilizim Asociim mirëpriti hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) më 1 prill 2016. Bashkimi Evropian bëri me dije se MSA-ja është në thelbin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës. Ajo ofron kornizën kontraktuale në kuadër të së cilës BE-ja dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin dhe do të kontrollojnë zhvillimet e marrëdhënieve të tyre.“Të dyja palët mirëpritën përzemërsisht nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e Bashkimit, e cila do të ofrojë mundësi të reja për popullsinë e Kosovës, duke filluar nga hulumtimi deri te shkëmbimi i studentëve”, thekson komunikata nga BE.Gjatë takimit, pati diskutime mbi zhvillimet e fundit kryesore në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen aktuale të kritereve ekonomike, bashkëpunimit financiar dhe zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.Këshilli për Stabilizim Asociim mirëpriti lançimin e Axhendës për Reforma Evropiane në 11 nëntor, e cila do të luaj një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve të Kosovës për reforma, në fushat siç është qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrenca dhe klima e investimeve, si dhe punësimi dhe edukimi. “Kjo do t’a ndihmojë Kosovën në zbatimin e obligimeve në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”, vlerësohet në komunikatë.Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e reformave në fusha të ndryshme duke përfshirë sundimin e ligjit dhe reformat ligjore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike.“Këshilli për Stabilizim Asociim mirëpriti progresin e dukshëm të Kosovës të arritur në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. BE-ja nxit Kosovën për intensifikimin e punës në ratifikimin e marrëveshjes së kufirit më Malin e Zi dhe të vazhdojë të forcojë të dhënat mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thekson komunikata.Gjatë takimit u theksua rëndësia e progresit në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja dhe të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve tanimë të arritura pa vonesë.Takimi u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, në emër të Bashkimit Evropian. Komisioneri Johannes Hahn përfaqësoi Komisionin Evropian. Delegacioni i Kosovës është udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, përfundon komunikata.
-Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit mes Prishtinws e Beogradit: Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet një palë konstruktive dhe serioze në dialog. Ne kemi bërë çdo përpjekje të mundshme në arritjen e marrëveshjeve dhe qëndrimin konsistent duke realizuar ato për çka jemi pajtuar. Parimi kryesor që na udhëheq është bindja se dialogu mund të ndihmoj për të transformuar marrëdhëniet armiqësore në marrëdhënie paqësore fqinjësore, për të cilën faktor qenësor është njohja e ndërsjellë mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë/
