• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politika dhe propaganda naziste….

November 30, 2016 by dgreca

…si shembull për politikën dhe propagandën komuniste shqiptare/1-ilir-harshova-600x400-300x237NGA ILIR HASHORVA/*

Duke paraqitur disa aspekte të politikës dhe propagandës naziste, do të kuptojmë se sa ngjason komunizmi shqiptar me nazizmin gjerman. Nga të parat institucione që krijoi Hitleri kur erdhi në fuqi, ishte Ministria e Propagandës, më 13 mars të vitit 1933. Në krye të kësaj ministrie ai vendosi Josef Gëbelsin, një nga udhëheqësit nazistë më të kultivuar. Detyra kryesore e asaj ministrie ishte të vinte me mjeshtëri nën kontroll të gjitha aspektet e jetës shpirtërore, kulturore dhe intelektuale gjermane. “Sekreti i propagandës është të depërtojë te njeriu tek i cili synon, pa e kuptuar fare ai. Natyrisht, propaganda ka një qëllim, por qëllimi duhet të mbulohet me aq zgjuarsi dhe virtuozitet, saqë njeriu të mos e vejë re fare” – thoshte Gëbelsi për propagandën.

Më 25 mars, Gëbelsi përcaktoi detyrën e ministrisë si “mobilizuese shpirtërore” e popullit për rikrijimin e qëndrueshëm të shpirtit të ri gjerman në mënyrë që “populli të fillojë të mendojë si një, të reagojë si një dhe të vërë veten me gjithë zemër në shërbim të regjimit”. Gëbelsi donte jo vetëm të paraqiste regjimin dhe politikën e tij në mënyrë krejt pozitive, por edhe të paraqiste të gjithë popullin gjerman si mbështetës të bindur të atij regjimi. Hebrenjtë duheshin mënjanuar nga të gjitha aspektet e jetës kulturore gjermane.

Më 22 shtator të vitit 1933, brenda Ministrisë së Propagandës, u krijua Dhoma e Kulturës së Rajhut e cila do të kishte shtatë seksione: atë të literaturës, të teatrit, të muzikës, të radios, të filmit, të arteve të bukura dhe të shtypit. Të gjitha këto, këtej e tutje, do të viheshin nën kontrollin e shtetit.

Nga punët e para që bëri Ministria e Propagandës, ishte vendosja e festave të reja në kalendarin e festave publike. Kështu, u vendos 20 Prilli, si ditëlindja e Hitlerit; 7 Nëntori, si dita e puçit nazist të vitit 1923 dhe 1 Maji, Dita Kombëtare e Punës. Në 1 Majin e parë, kolona të gjata punëtorësh parakaluan me formacione ushtarake duke kënduar himnin nazist “Këngën e Horst Veselit”. Në mbarë Gjermaninë u ndërruan emrat e rrugëve, duke i zëvendësuar me emrat e heronjve të rinj nazistë.

Personaliteti i Hitlerit u bë kudo mbizotërues. Nga marsi i vitit 1933, filloi një garë midis qyteteve për ta bërë Hitlerin qytetar të tyre të nderit. Në gati të gjitha qytetet, shesheve kryesore iu vu emri i Hitlerit. Në ditëlindjen e Hitlerit, qytetet zbukuroheshin me flamuj, parulla e lule. Për të bëheshin dokumentarë të posaçëm filmi që e paraqisnin atë si gjeninë që Perëndia ia kishte dhuruar Gjermanisë.

Një sektor shumë i rëndësishëm propagandistik ishte letërsia. Më 10 maj të vitit 1933, studentët gjermanë organizuan kudo mbledhje kundër shpirtit jo gjerman në letërsi. Ata hartuan një listë të librave që nuk i shërbenin nazizmit, i mblodhën ato, i bënë pirg në sheshe publike dhe iu vunë flakën. Në Berlin, në djegien e librave qe i pranishëm edhe Gëbelsi që, me atë rast, tha: “Çdo libër apo vepër arti që vepron në mënyrë subversive mbi të ardhmen tonë, apo godet rrënjët e mendimit gjerman, të shtëpisë gjermane, apo të forcave lëvizëse të popullit tonë, duhet të digjet”. U dogjën edhe librat e Hanrih Hajne-s, i cili pat thënë: “Aty ku digjen librat, në fund do të digjen edhe njerëzit”. Për djegien e librave të tij, Frojdi tha: “Të paktën u dogja me shokë të mirë”,  ndërsa  Cvajgu – : “E pashë më shumë si një nder, sesa si një turpërim që u lejova të kisha të njëjtin fat me shkrimtarë të tillë të shquar si Tomas Mani, Hainri Mani, Verfeli, Frojdi, Ajnshtaini dhe shumë të tjerë, veprat e të cilëve i çmoj më lartë se të miat”.

Shkrimtarët që nuk shkruanin, apo që nuk kishin shkruar ato që u vinin për shtat nazistëve, u sulmuan. Një numër prej tyre u larguan nga Gjermania, Shkrimtarët që ngelën, ose u kthyen në vegla të nazizmit, ose u burgosën.

Bibliotekat dhe libraritë vëzhgoheshin me kujdes për libra të padëshiruar nga agjentët e Policisë Kriminale, nga Gestapoja, nga Ministria e Brendshme, nga “Rinia e Hitlerit”, nga organizata të studentëve nazistë, nga trupat SA si dhe nga një qendër që quhej “Autoriteti Suprem i Censurës për Literaturë të Ndyrë dhe të Pavlefshme.”

Shtypi u vu i tëri nën kontrollin e shtetit. Gazeta e Partisë Naziste ishte “Vëzhguesi Racial”. Të abonuar në të ishin veçanërisht mësuesit, të cilët e përdornin atë gazetë për të ilustruar mësime në klasë.

Një sulm frontal kundër ndikimeve të huaja në kulturën gjermane filloi me sektorin e filmit. Zyra e Filmit do të kishte nën mbikëqyrje të gjithë industrinë e filmit. Prej industrisë së filmit u larguan të gjithë punonjësit hebrenj, qofshin ata artistë, teknikë apo inxhinierë. Kinematografia gjermane u vu tërësisht në ndihmë të luftës dhe nazizmin, duke luftuar bolshevizmin dhe hebraizmin.

Një sektor tjetër i rëndësishëm për propagandën ishte radioja. Ministria e Propagandës filloi menjëherë spastrimet nga të gjithë elementët e padëshirueshëm: nga hebrenjtë, liberalët dhe socialdemokratët. Për Gëbelsin, radioja ishte instrumenti më modern dhe më i rëndësishëm për ndikimin te masat. U prodhuan radiot e lira, Volksempfanger (Radiomarrës të Popullit), në mënyrë që në çdo shtëpi gjermane të kishte një radio. Radiot e Popullit merrnin vetëm stacione të afërta, në mënyrë që ata që banonin pranë kufirit, të mos mund të dëgjonin stacione të huaja. Fjalimet e Hitlerit zakonisht transmetoheshin me altoparlantë të mëdhenj të vendosur në sheshe publike, në qendra ndërmarrjesh e fabrikash, në shkolla, në restorante etj. Lajmërimet për grumbullim dhe dëgjim në raste të tilla bëheshin me sirena, njerëzit linin punën dhe grumbulloheshin pranë altoparlantëve apo radiove.

Në Ministrinë e Propagandës u krijua edhe Dhoma e Muzikës e Rajhut. Një sulm i vërtetë filloi ndaj muzikës. Trupat SA dhe SS-e futeshin në sallat e shfaqjeve dhe ndërprisnin programet muzikore.

Nuk ishte e vështirë për nazistët të sulmonin këtë apo atë lloj muzike kur kompozitori ishte hebre, apo kishte lidhje me hebrenjtë, por nuk ishte e lehtë për ta, të përcaktonin se cila do të ishte muzika e pranueshme për Rajhun e cila jo. Nuk pati ndonjë muzikë me karakteristika naziste.

Duheshin eliminuar të gjitha ndikimet e muzikës së huaj, sidomos ato të xhezit, për të cilën thuhej se ishte dëshmi e kulturës raciale inferiore, e afro-amerikanëve. Muzikantët nazistë e kritikonin “muzikën neger” si seksualisht provokative, imorale, primitive, barbare, jo gjermane dhe tepër subversive, e prodhuar nga inferiorë racialë, nga afro-amerikanët dhe nga hebrenjtë. Për ta, ajo shprehte degjenerimin amerikan. Ndër veglat muzikore dënohej veçanërisht saksi për tingujt e tij “dalldisës” dhe, ndër kompozitorët kritikoheshin ata hebrenj amerikanë: Irving Berlin dhe Xhorxh Gërshuin. Xhezi nuk transmetohej nga asnjë lloj radioje. Megjithatë, ishte pak e vështirë të kontrollohej  muzika që luhej në salla vallëzimi, në klube nate, në bare të hoteleve etj. Megjithatë, duke marrë parasysh edhe dëshirën e madhe të dëgjuesve të radiove, në emisione të vona të natës, Gëbelsi lejoi të transmetohej pak muzikë me motive xhezi e suingu. Ai lejoi njëherë të luhej një shfaqje me muzikë nga Gërshuini, por revista ultranaziste “Der Stürmer” e kritikoi aty për aty.

Në artet pamore u hoqën pjesët abstrakte e moderniste të cilat u quajtën të degjeneruara. Në to, rol me rëndësi luajti shija e vetë Hitlerit. Për të, duhej të kishte një art të ri gjerman. Arti duhej të reflektonte shpirtin arian të popullit. Ideja se arti ishte ndërkombëtar duhej hedhur poshtë si dekadente dhe si shpikje hebreje. Artistët hebrenj u larguan menjëherë nga punët, po ashtu, u larguan artistët e artit abstrakt, artistët e krahut të majtë, në përgjithësi artistët që kishin njëfarë njohje ndërkombëtare si dhe artistët që në të shkuarën kishin krijuar vepra jo në pajtim me frymën nacionalsocialiste. Të gjitha galeritë e arteve e muzetë si dhe koleksionet personale artistike do të pastroheshin nga “krijime monstruoze e të degjeneruara” të cilat do të konfiskoheshin pa pagesë.

Në verën e vitit 1933, nazistët shpërbënë të gjitha organizatat e rinisë, me përjashtim të asaj katolike. Tashti, vajzat dhe djemtë duhej të bashkoheshin me “Rininë e Hitlerit”. Djemtë futeshin në atë organizatë në moshën 6 vjeçare, por anëtarësia e plotë dhe stërvitja sistematike fillonte në moshën katërmbëdhjetë vjeçare dhe përfundonte në moshën 18 vjeçare. Prej të rinjve kërkohej bindje e plotë dhe mësimi me vështirësitë.

“Rinia e Hitlerit” shkonte rregullisht në kampe verore ku stërvitej fizikisht e ideologjikisht si dhe mësonte të parakalonte në parada. Të rinjtë kishin për detyrë të raportonin para eprorit të tyre çdo gjë që dëgjonin në familje e që ishte në kundërshtim me vijën naziste.

Terrenet sportive ishin vetëm për Të Rinjtë e Hitlerit. Në vitin 1939, “Rinia e Hitlerit” kishte 8.7 milion anëtarë, gati aq sa ishte popullsia që përbëhej nga grupmoshat 10-18 vjeç. Të gjithë anëtarët e “Rinisë së Hitlerit” bënin një betim personal për besnikëri ndaj Hitlerit. Këngët që këndonin ishin këngë naziste, librat që lexonin ishin libra naziste. Propaganda naziste për të rinjtë bëhej në shkollë. Në çdo klasë shkolle duhej të ishte vendosur fotografia e Hitlerit. Mësuesit dhe nxënësit përshëndeteshin në çdo fillim dhe mbarim mësimi në mënyrë naziste. Të gjitha fjalimet politike dëgjoheshin përmes altoparlantëve nga të gjithë nxënësit në shkollë. Të gjithë mësuesit duhej të ishin anëtarë të Ligës Nacionalsocialiste të Mësuesve dhe nxënësit – anëtarë të “Rinisë së Hitlerit”. Tekstet e historisë silleshin rreth konceptit se heroizmi në formën e tij gjermane lidhesh me idenë e udhëheqësit. Detyra e historisë ishte t’u mësonte nxënësve se jeta dominohej nga beteja, nga lufta, se raca dhe gjaku ishin në thelb të gjithçkaje të ndodhur në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen dhe se udhëheqja përcaktonte fatin e popujve. Tema qendrore të mësimit ishin kuraja në luftë, sakrifica për një çështje të madhe, admirimi i pakufishëm për udhëheqësin dhe urrejtja për armikun e gjermanëve – për hebreun.

Temat e hartimeve të nxënësve do të lidheshin me nacionalsocializmi dhe me Hitlerin. Ja një pjesë hartimi nga një nxënës: “Si fëmijë, Hitleri nuk ishte prej atyre që qëndronin në shtëpi. Ai pëlqente të ndeshej jashtë me fëmijë të tjerë. Një ditë ai qëndroi jashtë më gjatë se herë të tjera. Nëna u shqetësua, shihte orën dhe po mendonte se mos i kishte ndodhur gjë djalit. Disa orë më parë e kishte parë atë tek ikte me disa shokë të tjerë më të mëdhenj…. Më pas dera u hap, Hitleri i vogël hyri me kokën me bullunga e me fytyrën të gërvishtur, por me sy që i shkëlqenin. Nëna u frikësua, por ai bërtiti: “Nënë, shokët sot më bënë gjeneralin e tyre”.

Stërvitja fizike ishte e detyrueshme. Edukimi fizik përfundonin me stërvitjen dhe shërbimin ushtarak. Disiplina ushtarake, theksimi i forcës fizike, theksimi i garës, i bëri fëmijët të bëheshin të dhunshëm dhe agresivë.

Nga të rinjtë e universiteteve u krijua “Liga Naziste e Studentëve. Të gjithë ata që mbaronin shkollën e mesme, duhet të bënin njëfarë stazhi pune para se të fillonin studimet në universitet. Gjatë kohës së studimeve, studentëve u kërkohej të bënin dhjetë javë punë në kampe pune, ku do të punonin në ndërtime rrugësh, në tharje kënetash, apo në bujqësi.

Nazistët inkurajuan me të gjitha mundësitë lindjen e sa më shumë fëmijëve, në mënyrë që fuqia ushtarake e Gjermanisë të shtohej dhe popullsia të ishte kryesisht e re, gjë që do të ishte esenciale për shëndetin kombëtar. Emancipimi i gruas do të sillte dashje pa dashje uljen e numrit të fëmijëve të lindur, prandaj nazistët kërkuan që vendi i gruas të ishte në shtëpi, te fëmijët, te familja. Nazistët udhëzonin që çdo grua të lindte një herë në dy vjet dhe gjatë jetës së saj të kishte mundësi të lindte deri në pesëmbëdhjetë fëmijë. Për shtimin e numrit të lindjeve, nazistët jepnin inkurajime materiale e morale. Kryetarja e Grarisë Nacional Socialiste ishte Gertrud Sholtz-Klink, e cila ishte krenare që kishte lindur njëmbëdhjetë fëmijë. Në vitin 1934, për nënat u caktua një ditë feste që quhej Dita e Nënës. Në Ditën e Nënës në vitin 1939, tre milion grave që kishin lindur mbi katër fëmijë, me ceremoni të posaçme të mbajtura kudo në Gjermani, iu dha titulli “Nënë e Rajhut”. U shtypën medalje të posaçme të quajtura “Kryqe Nderi të Nënës”, që ishin prej bronzi për nënat me katër deri pesë fëmijë, prej argjendi për nënat me gjashtë deri shtatë fëmijë dhe prej ari për nënat me tetë ose më shumë fëmijë. Nënat që mbanin këto medalje mund të blinin pa radhë në dyqan dhe anëtarët e Rinisë së Hitlerit ishin urdhëruar t’i përshëndetnin në rrugë. Nënat që kishin lindur dhjetë e më shumë fëmijë kishin një nder më shumë, pasi Hitleri do të bëhej nun për fëmijën e dhjetë që, po të ishte djalë, do të quhej Adolf.  Përpjekjet të mëdha u bënë për të përjashtuar gratë nga puna. Për Hitlerin, ideja e emancipimit të femrës ishte hedhur nga hebrenjtë dhe ishte në thelb jo gjermane. Në Gjermani, deklaronte Hitleri, bota e burrit është shteti, ndërsa e gruas është burri i saj, familja e saj, fëmijët e saj dhe shtëpia e saj.

Emblemat naziste, fjalët dhe konceptet, mbushnin jetën e përditshme. Jo vetëm filmi, radioja, gazetat, revistat, skulpturat, pikturat, letërsia, arkitektura, muzika i shërbenin idealit nazist, por edhe çdo mjet tjetër përdorej për të mbytur ndjenjat dhe mendimin individual dhe për t’i kthyer gjermanët në një masë unike, të vetme, të bindur e të disiplinuar.

Më 27 shkurt të vitit 1933, u dogj godina e parlamentit gjerman, Rajhshtagu. U arrestua një komunisti danez dhe, ndonëse u vërtetua se ai kishte vepruar vetëm, shteti filloi një sulm kundër të gjithë komunistëve. Mijëra telegrame i shkonin gjoja qeverisë nga populli i cili kërkonte masa të forta kundër komunistëve.

Më 20 mars të vitit 1933, në një fabrikë të braktisur në periferi të Munihut, në Dahau, nisi terrorin kampi i parë i përqendrimit. Këtu do të mbylleshin të burgosur politikë.

Më 24 prill të vitit 1934, filloi punën gjyqi special, “Gjyqi i Popullit”, që do të merrej me shpejtësi me “krimet’ politike. Fillimisht, dy gjyqtarë të këtyre gjyqeve ndihmoheshin nga tre persona të tjerë: një nga SS-ët, një nga trupat SA (Sturmabteilung – trupat e sulmit, këmishë kafet, organizatë paramilitare aktive) dhe një nga Partia Nacionalsocialiste.

Informacione për ata që do të konsideroheshin si armiq të regjimit merreshin kryesisht nga agjentë të partisë si dhe nga populli në përgjithësi. Raportet shkonin nga njerëz të kafeneve, pijetoreve, restoranteve, hoteleve, nga kolegë pune, nga berberët, nga njerëz që kishin dëgjuar ndonjë bisedë në rrugë, nga fqinjët, nga njerëz të familjes. Spiunllëku u përhap gjerësisht. Raportet në Gestapo ishin të pafundme, saqë ajo nuk mund t’i përballonte dhe t’i përpunonte të gjitha. Shumica e denoncimeve kishin motive personale, apo s’kishin fare motive. Nxënësit apo studentët shpesh spiunonin profesorët e tyre, zyrtarët spiunonin shefat të cilëve donin t’u zinin vendin, tregtarët spiunonin tregtarë të tjerë konkurrentë. Sipas Ligjit të Thashethemeve, mund të dënoheshin dhe të burgoseshin ata që thoshin se nazistët po kufizonin lirinë e njeriut, se nëpunësit civilë paguheshin më mirë, se revista naziste antisemite “Der Stürmer” po turpëronte kulturën gjermane, se të burgosurit rriheshin në kampe, se Hitleri ishte një dezertor austriak, se figura me rëndësi të Rajhut të Tretë ishin të korruptuara, për shakara të ndryshme që lidheshin me politikën etj.

Qeveria filloi të vëzhgonte jo vetëm kundërshtarët, disidentët dhe të pakënaqurit, por edhe ata të cilët nuk tregonin entuziazëm për Rajhun e Tretë dhe politikën e tij. Në çdo bllok banimi ishte vënë një “Roje blloku”, detyra e të cilit ishte të vëzhgonte se kush hynte e dilte në shtëpitë e bllokut, të shihte e të vëzhgonte se mos ndonjëri nuk vendoste flamurin në ditë feste, apo se nuk shkonte në parada a mitingje. Çdo degë lokale e partisë  kishte nën komandë tetë qeliza, çdo qelizë kishte 15 blloqe dhe çdo bllok kishte nën vëzhgim rreth 50 familje. Në fillim të luftës, rojet e bllokut arritën në rreth 2 milionë vetë. Ata që denonconin fqinjët, kontaktet e para i kishin me kryetarin e bllokut. Një organizim i ngjashëm funksiononte edhe në ndërmarrjet e prodhimit. Vëzhgimet ishin veçanërisht të ashpra në ditë zgjedhjesh dhe plebishitesh. Zgjedhjet dhe plebishitet ishin si njëfarë stërvitje në propagandë, në të cilat qeveria mobilizonte elektoratin me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion për të shfaqur pamjen e një sistemi legjitim. Në këto lloj zgjedhjesh asnjë nuk guxonte të mos votonte dhe asnjë nuk guxonte të thoshte “Jo” për Partinë Nacionalsocialiste. Të gjithë kishin frikë se i përgjonin kur votonin dhe të gjithë e dinin se votimet do të dilnin ashtu si i dëshironte qeveria. Ata që në mënyrë demonstrative refuzonin të votonin, arrestoheshin. Prania e nazistëve dhe trupave SA në qendrat e votimit e shtonte presionin ndaj qytetarëve për të votuar për regjimin dhe për të votuar pa u futur në kabinat e fshehta të votimit. Në disa raste kabinat e fshehta të votimit hiqeshin fare, ose para tyre qëndronin trupa SA me pankarta ku shkruhej  “Vetëm tradhtarët futen këtu”, ndërsa kutia e votimit vendosej jashtë. Për të sëmurët dhe për ata që lëngonin në shtrat ishin krijuar qendra të lëvizshme votimi që u shkonin në shtëpi. Kundërshtarë të njohur të regjimit arrestoheshin paraprakisht para zgjedhjeve dhe mbaheshin ashtu deri sa kalonte dita e votimit.

Me ligjet që dolën në vitet 1934 dhe 1935, kërkohej që çdo punonjës të kishte librezën e tij të punës, ku do të shënoheshin punët e bëra, specializimet, karakteristikat dhe vërejtjet për punën e kryer të cilat e kishte për detyrë t’i vinte qendra e punës. Librezat e punës i mbante qendra e punës. U nxorën ligje që punonjës të padëshiruar të largoheshin nga punët që kishin dhe të çoheshin në vende të tjera.

Veprimet e para antisemite naziste filluan me shpronësimin e hebrenjve dhe me likuidimin e supertregëtoreve (supermarketet) të cilat ishin krijuar në Gjermani që në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Shumica e atyre që i kishin hapur këto supertrgtore ishin hebrenj. Trupa SA rrinin para këtyre dyqaneve me pankarta në duar në të cilat thuhej se ata që hynin në to ishin tradhtarë të racës gjermane. Me kalimin e kohës ato dyqane u mbyllën.

Për të filluar zgjidhjen e problemit të papunësisë, në mars të vitit 1933, Hitleri nisi programin “Ndihma për fshatin.” Sipas atij programi, të rinjtë e papunë të qytetit do të shkonin të punonin në fshat, ku do t’u sigurohej banesa, të ngrënit dhe njëfarë pagese. Deri në gusht, në këtë mënyrë u punësuan 145000 të papunë.

Më 7 prill të vitit 1933, u nxor ligji për “Rivendosjen e Shërbimit Civil Profesional”. Sipas atij ligji, largoheshin nga punët të gjithë ata që nuk kishin formim profesional të përshtatshëm, ata që nuk ishin me origjinë ariane, apo që kishin bashkëshortin jo arian, si dhe të gjithë ata që aktiviteti politik i mëparshëm i bënte të pabesueshëm për shtetin e ri. Drejtues jo nazistë të niveleve të ndryshme, ose detyroheshin të jepnin dorëheqjen, ose të futeshin në parti. Për të ruajtur vendin e punës, shumë nëpunës u bënë anëtarë të Partisë Naziste.

Më 14 korrik të vitit 1933, u dha ky njoftim për likuidimin e sistemit demokratik në Gjermani: “ Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë përbën të vetmen parti politike në Gjermani. Cilido që orvatet të mbajë strukturat organizative  të një partie tjetër, apo të formojë një parti të re, do të dënohet me rreptësi”. Gjermania u kthye në diktaturë njëpartiake. Të gjitha institucionet u vunë nën kontrollin e nazistëve.

Nga 5000 profesorë universitetesh që ishin deri në vitin 1934, 1600 profesorë u pushuan nga punët. Ishin vetë studentët që, në bashkëpunim me profesorët nazistë, dëbuan profesorët dhe studentët hebrenj. Në këtë kohë, 960 profesorë, duke përfshirë edhe filozofin Haideger, bënë deklarata publike në mbështetje të Hitlerit, regjimit nazist dhe të politikës së tyre për arsimin.

Nazistët treguan interes të veçantë për nazifikimin e arsimit. Arsimtarët u deklaruan shërbyes civilë, iu kërkua të aderonin në Ligën Nacional Socialiste të Mësuesve dhe të betoheshin për besnikëri absolute ndaj Hitlerit.

Brenda partisë së tij, Hitleri forcoi kontrollin dhe eliminoi rivalët. Brenda pak më shumë se një viti, nga marsi i vitit 1933 deri në gusht të vitit 1934, Hitleri mori fuqi të plotë. Ai përvetësoi makinerinë e shtetit, mbyti opozitën dhe partitë e tjera, vuri autoritetin e tij kudo në parti dhe në ushtri, u bë president, kancelar dhe kryekomandant i ushtrisë. Ai do të thirrej Fyrer, pra udhëheqës, komandant.

  * Shënim: Materiali i këtij shkrimi është marrë kryesisht nga libri im ende i pabotuar: “Antisemitizmi – Nga zanafilla fetare te Holokausti nazist”.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe propaganda naziste, Ilir Harshova, Politika

Gjergj Fishta si kurban

October 16, 2016 by dgreca

1 Ilir Hashorva

NGA  ILIR HASHORVA/ Nju Jork/

Pra pak ditësh, në disa gazeta, u botua një letër e Gjergj Fishtës, e zbuluar prej Nasho Jorgaqit, të cilën Fishta ia dërgonte një miku të tij, një oficeri fashist, këtu e më se 75 vjet më parë. Mjaftoi kjo letër që Fishta menjëherë të quhej fashist dhe të anatemohej nga komunistët ashtu siç dinë ata, kur i vënë tjetrit epitetin fashist, ndonëse Fishta nuk ka qenë asnjëherë as fashist me bindje dhe as fashist i organizuar se, po të kishte qenë, do të kishte bërë, së paku, një poemë a një vjershë për Beniton a fashizmin, ashtu siç bënë poetët tanë komunistë për Enverin dhe partinë. Por jo. Fishta nuk i këndoi kurrë fashizmit. Do të kishte qenë me shumë vlerë, po të ishte bërë ndonjë studim i paanshëm për të krahasuar fashizmin italian me komunizmin shqiptar, prej nga të dilte se cila prej këtyre dy diktaturave kishte qenë më totalitare, më shtypëse dhe më e dëmshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe, rrjedhimisht, cilët do të duhej të kritikoheshin më shumë: komunistët apo fashistët.

Disa shkrime të tjera po në gazeta si dhe komente të lexuesve, krijuan atmosferën e viteve të para të pasluftës, kur Enver Hoxha u ngrit i pari për të denigruar dhe masakruar poetin e madh kombëtar Gjergj Fishtën, këtë poet që i këndoi vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe, pas Enverit, të gjithë larot, me demek shkrimtarë e poetë, pasuan me një sulm të përgjithshëm e të larmishëm kundër tij, ca nga smira, e ca nga dallkaukllëku. Enver Hoxha e denigroi dhe e masakroi Gjergj Fishtën, për hir të jugosllavëve, sepse pa denigruar dhe pa masakruar atë, pa e bërë kurban atë, nuk mund të krijonte ato marrëdhënie me Jugosllavinë e Titos të cilat mund të arrinin deri aty sa Shqipërinë t’ia bashkonte Jugosllavisë.

Pa dyshim, lind pyetja: ç’u kujtua shtypi shqiptar, që të rilindte një fushatë antifishtë pikërisht sot, kur kishte filluar një rehabilitim i ndrojtur i tij, kur kishin filluar t’i botoheshin veprat, kur kishte filluar vlerësimi i tyre, kur edhe Ismail Kadareja, dikur një nga kritikët më të mëdhenj të tij, tha se kritikën nuk ia kishte bërë për ta luftuar, por për ta mbrojtur!? Rastësisht doli letra e Nasho Jorgaqit sot kundër poetit më antisllav e më pro shqiptar, letër  për të cilën nuk thuhej as se kur dhe ku ishte zbuluar dhe as nuk jepej faksimilja e saj?

Në këtë botë ka shumë gjëra që duken si koincidenca apo rastësira. Në të vërtetë prej tyre koincidenca dhe rastësira janë fare pak dhe ato që konsiderohen rastësi, shpesh janë ligjësi. Në qoftë se do të shohim periudhën kur rilindi fushata antifishtë sot, do të vëmë re se ajo u zhvillua njëkohësisht me vizitën e kryeministrit tonë Edi Rama në Serbi si dhe me botimin aty në serbisht të librit të tij “Kurban”. Edi Ramës i duhej një atmosferë e brendshme proserbe që të bëhej më i besueshëm prej serbëve në bisedimet që do të zhvillonte me ta dhe për t’i larë borxhin atyre për botimin e kurbanit të tij. Kështu, në Shqipëri Fishta u bë kurban për herë të dytë.

A mund të ishte Edi Rama orkestruesi i asaj fushate, apo për të kanë punuar edhe qarqe të tjera okulte, apo, e thënë shqip, proserbe? Nuk mund të thuhet me siguri se cilët e orkestruan, por me siguri mund të thuhet se ajo fushatë i shërbeu Edi Ramës dhe, po qe se ishte e orkestruar prej tij, ishte si një dhuratë personale që një mbret i çon një mbreti tjetër, kur kërkon favore prej tij.
           Nju Jork, 15. 10. 2016                                                    

Filed Under: Komente Tagged With: Edi Rama, Gjergj Fishta, Ilir Harshova, si Kurban

NËNË TEREZA NË NJË SHKOLLË AMERIKANE NË NJU JORK

September 7, 2016 by dgreca

” MEGJITHATË” …./

1-ilir-harshova-600x400NGA ILIR HASHORVA/

… Kur takohesh me Nënë Terezën, nuk mund të mos ndiesh inferioritet-  Indira Gandi/

Këtu e trembëdhjetë vjet të shkuara, pata bërë shkrimin e mëposhtëm për Nënë Terezën i cili, duke parë drejtimin e shtrembër moral që ka marrë shoqëria jonë sot, më duket më aktual se atëherë.Ne ceremoninë që u zhvillua në shkollën  e mesme “Teodor Ruzvelt” në Jankes, në Nju Jork, me rastin e mbarimit të vitit shkollor në vitin 2002, shkollë prej së cilës mbaroi  vajza ime, mora pjesë edhe unë si prind. Gjatë asaj ceremonie, e cila u zhvillua e bukur dhe serioze, diku nga mesi i programit, një prej drejtueseve, pasi thirri një nxënëse në skenë, filloi të recitonte: “Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë”, dhe nxënësja, e thirrur pranë saj, vazhdoi: “Ji i ndershëm dhe i sinqertë, megjithatë”. “Të kujt janë këto mendime?”, pyeti drejtuesja. “të Nënë Terezës” iu përgjigj nxënësja. “Pa dyshim”, tha drejtuesja. Dhe, më pas, ato, së bashku, recituan të gjithë poemën e shkurtër të Nënë Terezës, “MEGJITHATË” e cila u duartrokit nxehtësisht. Poema ishte vërtet  një koncentrat mendimi e urtësie i shkallës më të lartë. Ajo përmblidhej në tetë rreshta dhe kishte të bënte me sjelljen e njeriut të mirë në një botë të keqe.

Nuk e kisha dëgjuar më parë atë poemë, ndonëse dija vargje të tjera të ngjashme, apo gjerdane maksimash, po të Nënë Terezës, me titull “JETA” dhe që në Tiranë i kisha vendosur në xhamin e bibliotekës sime të punës.

Pasi  dëgjova atë mbasdite poemën e Nënë Terezës, u interesova të mësoja diçka më shumë për të. Dhe ja se çfarë mësova:

Origjinën ato vargje duhet ta kenë nga feja e lashtë indiane Xhain, e cila është një fe, ndonëse jo shumë e përhapur (për shkak të rregullave shumë të forta që i imponon besimtarit), me parime shumë interesante, ndërmjet të cilave edhe parimin e  Ahimsa-s, që do të thotë “pa dhunë”, dhe që ka frymëzuar lëvizje të mëdha botërore të shekullit që lamë pas, duke përfshirë atë të Gandit në Indi dhe të Martin Luter Kingut në Amerikë. Në citatet që jepen për të njëjtin subjekt nga ajo fe, përveç vargjeve të ngjashme me ato që përmbahen në poemën e Nënë Terezës, janë edhe  dy vargje të tjera që nuk ndodhen në thëniet e saj. Ato janë: ” Njeriu më i lartë me idetë më të shquara, goditet nga njeriu më i ulët me idetë më të errëta – Përpiqu të bëhesh i lartë, megjithatë” si dhe  “Në qoftë se mendon ndryshe, mund të kritikohesh nga të tjerët – Përpiqu të mendosh ndryshe, megjithatë”. Mundësinë  më të madhe të prejardhjes ato vargje duket se e kanë pikërisht nga kjo fe, por Nënë Tereza u dha atyre një përhapje dhe njohje universale.

Në vitin 1966 një nga udhëheqësit kryesor të studentëve amerikanë, Kent Keith, shkroi një pamflet për udhëheqës të tjerë të studentëve të asaj kohe të cilin e quajti “Revolucioni i qetë”. Në këtë pamflet u paraqitën disa maksima që u quajtën  “Urdhëresa paradoksale “. Janë gati të njëjta me ato të Nënë Terezës. Në vitin 2001 ato u riparaqitën në librin e tij “Urdhëresa paradoksale: të gjeturit e kuptimit personal në një botë të çmendur “. Në këtë libër tetë mendime janë si të Nënë Terezës, një është personal dhe një është si ai i fesë Xhain.

Fillimisht Nënë Tereza ato vargje i kishte vendosur në një mur të shtëpisë së të vegjëlve jetimë, Shishu Bhaven, në Kalkuta, por sot ato vargje gjenden të vendosura kudo nëpër botë: në mure, në zyra, në dyer frigoriferi, në dollapë, kudo. Ndikimi i tyre në edukimin moral të njerëzve, duket se është shumë i fuqishëm. Uein Daier (Waine Dyer) i quan ato vargje ” “Plani me tetë pika për dendotizim” i Nënë Terezës.

Më poshtë është poemthi i Nënë Terezës, “MEGJITHATË`”

MEGJITHATË

 Njerëzit janë të paarsyeshëm, të palogjikë dhe egoistë                                                

Duai ata, MEGJITHATË

 Kur bën mirë, të tjerët të akuzojnë se nise nga egoizmi                                                              Bëj mirë, MEGJITHATË                                                                                           Në sukses fiton miq të rremë dhe armiq të vërtetë                                               

Përparo, MEGJITHATË

Të mirën që bën sot, do të ta harrojnë nesër

Bëj mirë, MEGJITHATË 

Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë

Ji i ndershëm dhe i sinqertë, MEGJITHATË

 Atë që ndërton me vite, mund të ta shkatërrojnë brenda natës

Ndërto, MEGJITHATË 

Njerëzit duan ndihmë, por mund të të godasin, po t’i ndihmosh

Ndihmoi njerëzit, MEGJITHATË

Jepi botës më të mirën që ke dhe ajo do të të thyejë dhëmbët

Jepi botës më të mirën që ke, MEGJITHATË

Nuk duhet që Nënë Tereza të na shërbejë vetëm si një zbukurim të cilin e demonstrojmë sa herë që duam t’u tregojmë të huajve se ajo është jona. Ajo duhet bërë pjesë e kulturës dhe shpirtit tonë. Nuk mjafton  të shqetësohemi, kur nga indiferenca jonë, Nënë Terezën na i marrin të tjerët. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur harrojmë t’i përkujtojmë asaj ditëlindjen apo përvjetorin e vdekjes. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur kujtohemi që asaj nuk i është ngritur një bust a një përmendore për të qenë, ashtu siç e meriton, në atdheun e saj, në Shqipëri, pikërisht sepse ai vend u tregua aq i padrejtë dhe aq mizor ndaj saj.

Nuk di nëse mendimet e Nënë Terezës, apo moralistëve dhe humanistëve të tjerë të ngjashëm me të, mësohen apo jo në shkollat tona, por, në qoftë se nuk mësohen, apo nuk mësohen siç duhet, aty duhen kërkuar edhe rrënjët e një pjese të shkaqeve të gjendjes së mjeruar morale të popullit tonë sot.

            Nënë Tereza dhe moralistët dhe humanistët e tjerë, të cilët nuk janë vetëm shpirtra të mëdhenj, por edhe mendje të ndritura, duhen futur urgjentisht kudo: në kopshte fëmijësh, në shkolla, në universitete, në spitale, në burgje, në gjykata, në politikë, në pushtet, në ministri, në kryeministri e kudo. Dhe, po të bëhet kjo, me siguri Shqipëria do të ndryshojë dhe do të ndryshojë për mirë; po qe se s’bëhet kjo, të tjerat janë formalitete të karakterit hipokrit. 

Nju Jork, korrik 2003                                     

Ilir Hashorva

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Ilir Harshova, Megjithate, Nene Tereza, Nju Jork, shkolle amerikane

Sali Berisha dhe kartolina

December 7, 2015 by dgreca

Berisha ne replike me Taulant Ballën: : “Atë që u bëra etërve tuaj nuk ua ka bërë kush ndonjëherë”….

* ** “Etërit” e tyre i eliminoi vetë koha dhe mosha. Por, ai bëri, ai bëri shumë, kundër atyre që u persekutuan nga “etërit” e tyre: kundër ish-pronarëve, kundër ish- të persekutuarve, kundër njerëzve të ndershëm dhe atdhetarë. Ai nuk ktheu pronat, ai nuk ndihmoi financiarisht, moralisht dhe politikisht të persekutuarit e komunizmit, ai nuk hapi dosjet. Të gjitha këto ai mund t’i bënte fare lehtë, pa i thënë kush se përse i bënte, të gjitha këto ishin hapat e parë që duheshin bërë për t’u larguar nga komunizmi.

Opinion nga   ILIR HASHORVA-New York/’

  Më 4 dhjetor, 2015, pasi Taulant Balla lexoi në Kuvendin e Shqipërisë një kartolinë që Sali Berisha i dërgonte plot dashuri dhe respekt nga Parisi në vitin 1979 Hysni Kapos dhe Vito Kapos, me rastin e lindjes së një nipi në familjen e tyre, u ngrit Sali Berisha për replikë. Në vend që të përqendrohej te kartolina, iu drejtua Edi Ramës me një fjalim gjysmë poezi e gjysmë prozë, çdo strofë apo paragraf të të cilit e fillonte, duke përsëritur një herë apo disa herë, fjalën: Edi Rama. Fjalimi që mbajti ishte përgatitur, me sa duket, kohë më parë për ta përdorur kur t’i a lypte nevoja, sepse ai nuk kishte kurrfarë lidhje me kartolinën, pra me çështjen që diskutohej. Nga fjalimi i Sali Berishës që zgjati 4 minuta shkëputa këtë frazë: “Atë që u bëra etërve tuaj nuk ua ka bërë kush ndonjëherë”.

…   Sali Berisha, në të vërtetë nuk u bëri asgjë “etërve” të tyre, ndonëse me fuqitë që pati dhe me përkrahjen e popullit të asaj kohe, mund dhe duhej t’u bënte diçka, qoftë edhe të vogël. “Etërit” e tyre i eliminoi vetë koha dhe mosha. Por, ai bëri, ai bëri shumë, kundër atyre që u persekutuan nga “etërit” e tyre: kundër ish-pronarëve, kundër ish- të persekutuarve, kundër njerëzve të ndershëm dhe atdhetarë. Ai nuk ktheu pronat, ai nuk ndihmoi financiarisht, moralisht dhe politikisht të persekutuarit e komunizmit, ai nuk hapi dosjet. Të gjitha këto ai mund t’i bënte fare lehtë, pa i thënë kush se përse i bënte, të gjitha këto ishin hapat e parë që duheshin bërë për t’u larguar nga komunizmi.

Sali Berisha rrahu barbarisht ish-pronarët kur ata u futën në grevë urie. Ai rrahu barbarisht ish-të përsekutuarit kur ata u futën në grevë urie, madje i detyroi edhe të vetëdigjen, ai nuk hapi kurrë dosjet, por i përdori ato për qëllimet e veta të trembjes së njerëzve dhe të mbajtjes së pushtetit. Ai, në vend që disa parti historike antikomuniste dhe atdhetare si Balli Kombëtar e Legaliteti t’i përkrahte e t’i kishte aleate të forta, i shpartalloi duke u futur farën e përçarjes, i ndau në dy ose më shumë pjesë e i shndërroi, ashtu siç janë sot, në kufoma. Ai po këtë gjë bëri edhe me të persekutuarit politikë të komunizmit: ua ndau shoqatën e tyre në shumë shoqata, duke i vënë nga prapa shoqatës që i shkonte mbas dhe cilësorin “demokrate” dhe “antikomuniste”, a thua se grupet e tjera nuk qenë demokrate dhe ishin komuniste.

Dhe nga këto probleme që duhej t’i zgjidhte jo vetëm si çështje drejtësie, por edhe si çështje pushteti, ai e humbi pushtetin. Ai e humbi pushtetin jo se ata që e morën ishin më të mirë, por sepse ai gaboi rëndë: në vend që të mbante pranë njerëzit që trumbetonte se përfaqësonte, pra të persekutuarit e komunizmit, antikomunistët dhe jokomunistët, intelektualë të ndershëm me personalitet, me integritet dhe me guxim, ai e rrethoi veten me servilë pa asnjë lloj vlere, me njerëz me lidhje të forta me komunizmin, madje edhe me spiunë dhe persekutorë të tij, duke menduar se ashtu do ta mbante më mirë pushtetin.

Ai nuk u ndesh kurrë në kuvend me opozitarët e tij për çështje të një rëndësie të veçantë për të gjithë vendin dhe popullin si, për shembull, për çështjen e pronave, të dëmshpërblimit të të persekutuarve të komunizmit, të hapjes së dosjeve, të zvogëlimit të privilegjeve të deputetëve etj. Jo, për këto ai nuk u ndeshe kurrë, madje ka qenë në pajtim të plotë me kundërshtarët e tij, me ata që pretendon se u ka bërë namin etërve të tyre, se atë që ua ka bërë ai nuk ua ka bërë kush. Por, ai ndeshet përditë, për jetë a për vdekje, me ta për çështje që nuk kanë asnjë rëndësi të vërtetë dhe kjo i gënjen kundërshtarët e komunizmit dhe e bën atë popullor midis tyre. Megjithatë, pas shumë kohësh, sado demagogji të përdorë për t’i kamufluar sjelljet e tij, dhe më duhet të pranoj se është mjeshtër i demagogjisë, njerëzit kanë filluar ta kuptojnë.

Ah, sikur atë fjalim pasionant që mbajti gjoja për kartolinën, ta mbante për çështjet e rëndësishme që përmenda më lartë! Të ishte i sigurt se pushtetin, ëndrrën dhe pasionin e tij më të madh, do ta kishe përjetë dhe historia do t’i siguronte një vend nderi. Ai këto tashmë i ka humbur dhe nuk ka gjasa t’i fitojë më. Me politikën që ndoqi rilindi pikërisht bijtë e “etërve” që pretendoi se i shkatërroi, rilindi kundërshtarët e tij.

Nju Jork, dhjetor 2015 – Ilir Hashorva

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe kartolina, Ilir Harshova, opinion, Sali berisha

Të dekriminalizohet kuvendi!

June 2, 2015 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA,New York/
Ç’do të thotë të dekriminalizohet kuvendi?
“Të largohen apo të mos mund të bëhen dot deputetë disa persona me të shkuar kriminale, disa persona me veprimtari si të Al Kapones,” – është mendimi i përgjithshëm. Por, në qoftë se do të largohen apo do t’u pengohet hyrja në kuvend këtyre personave, vërtet do të përmirësohet ai kuvend, vërtet do të dekriminalizohet?
Mendoj se të kuptuarit e çështjes në këtë mënyrë është shumë e cektë. Kriminel nuk është vetëm ai klasiku, ai që të ngul thikën para apo pas shpine; ai që të vjedh apo të grabit në kundërshtim me ligjin; ai që të rrëmben, të mban peng apo të përdhunon; por është edhe ai që, pa shkelur ligjin, madje, në emër të tij, pa e kuptuar edhe ti vetë, të dëmton dhe të dëmton rëndë.
Kur Ali Pasha ishte ende në mal, kur vidhte e grabiste, kur vriste e përdhunonte, një ditë, pasi kishin vjedhur një cjap së bashku me bashkëluftëtarin e tij, Sulon, pasi e poqën dhe filluan ta hanin, nisën një bisedë:
– Sulo, kështu do të hamë përditë, prit sa të marrim kryen e vendit.
– Po atëherë, nuk do të vjedhim dot, se do të na shohin e do të jetë turp.
– Do të vjedhim Sulo, do të vjedhim e nuk do të na shohin, do të vjedhim me ligj.
Të dekriminalizojmë vërtet kuvendin, do të thotë që ai kuvend të paraqesë, të diskutojë dhe të miratojë ligje të drejta e morale; do të thotë që kuvendarët, para se të miratojnë një ligj, të mos pyesin: “ç’përfitoj unë nga ky ligj?”; do të thotë që kuvendarët të mos miratojnë ligje që u vinë në ndihmë kusarëve, grabitësve e mashtruesve se, po bënë kështu, bëhen të gjithë ata vetë kriminelë dhe kuvendi mbetet i kriminalizuar.

Nuk ish gjë hajduti malit,
 ai vidhte atje ku kish,
 por hajduti brenda gardhit, 
 të thyen brinjë e kërbisht, – thotë populli.

Dhe kuvendi ynë, që nga ai i pari i vitit 1992, ka miratuar disa ligje që në vetvete janë kriminale dhe është për t’u habitur se të gjithë: “të majtë” e të “djathtë”, edhe pse për ligje të tjera krejt të parëndësishme kacafyten keqas me njëri tjetrin, për këto ligje (po të përdorim një neologjizëm të Edi Ramës) janë në “dakordësi” të plotë.
Disa prej këtyre ligjeve po i rendis më poshtë.
Një kuvend që ka miratuar ligjet e pronave që kemi, është kuvend kriminal. Të vendosësh që pronën e X-it, që ia ka marrë apo grabitur Y-i, t’ia ligjërosh Y-it dhe t’i thuash X-it se po ia “kompenson” financiarisht, ke hartuar dhe ke miratuar një ligj të pastër kriminal. Përse? Së pari, se ke promovuar vjedhjen dhe grabitjen dhe ke vrarë ligjshmërinë, ke mbrojtur shkelësin e ligjit dhe ke dënuar respektuesin e ligjit. Së dyti, ç’të drejtë ke ti që të marrësh paret e taksapaguesve shqiptarë dhe, në vend që t’i shpenzosh ato në dobi të vendit, në dobi të përgjithshme, shkon e ua jep atyre të cilëve u ke marrë pronat për t’ua dhënë të tjerëve? Së treti, vetë pronaret, të cilëve u ke marrë pronat, nuk duan shuma qesharake parash kompensimi, para që shumica nuk do t’i marrin në jetë të jetëve. Ata duan pronat e tyre. Së katërti, metoda e kompensimit financiar nuk është krijuar për të dëmshpërblyer vërtet në njëfarë mënyrë të gjithë ata të cilëve u janë grabitur pronat, por për të ngushëlluar me pak para një grusht të vogël ish-pronarësh të afërt me pushtetin si dhe për të shpërblyer një numër zyrtarësh, përsëri të lidhur me pushtetin, të cilët e shfrytëzojnë postin e tyre për të marrë ryshfete prej atyre të cilëve u akordojnë njëfarë kompensimi. Ka edhe aspekte të tjera shumë negative që lidhën me tjetërsimin e pronave, por edhe kaq mjafton për ta karakterizuar ligjet e pronave si kriminale dhe kuvendin tonë që ka miratuar ato ligje si kriminal. Të mos harrojmë se ligjet e pronave janë hartuar që në vitin 1992. Që në këtë kohë kuvendi mori fytyrën e një institucioni kriminal dhe që në këtë kohë u ka dhënë të drejtën kryetarëve të qeverive, por edhe zyrtarëve të rangjeve më të ulëta, që të dalin e të mburren lart e poshtë nëpër Shqipëri, duke shpërndarë vërtetime pronësie për pronësi të grabitura, madje të futen edhe në garë për numrin e vërtetimeve që ka lëshuar njëri apo tjetri dhe të lënë dyerve të zyrave të shtetit dhe të gjykatave që prej 25 vjetësh ata të cilëve iu grabitën pronat. Ç’interes kanë për këtë? Ata përdorin pronat e grabitura për të blerë votat.
Një kuvend që miraton ligje për të shtuar herë pas here pagat dhe privilegjet e anëtarëve të tij, në një kohë kur niveli i jetës së shtetasve ulet e taksat ngrihen, është kriminal. Anëtarët e kuvendit janë bërë nga njerëzit më të pasur të këtij populli të varfër. Që në vitin 1992, nga ligjet e para që miratoi kuvendi, ishte ai i pagave dhe i privilegjeve të deputetëve. Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, ua ktheu mbrapsht kërkesën deputetëve dhe një deputet i zemëruar i asaj kohe, tha: “Vetëm zogu knon pa lekë”. Sipas tij, fjalët që thonë deputetët në kuvend janë perla e kaluar perlave që duhen paguar dhe duhen paguar mirë. Kuvendi e miratoi ligjin për përfitimet e deputetëve dhe që nga ajo kohë ato përfitime u shtuan herë pas here.
Një kuvend që, në vend që të merret me ideimin dhe hartimin e ligjeve të mira e të drejta për popullin dhe vendit, merret me grindjet rrugaçësore midis anëtarëve të tij, është kriminal. Ja një grindje e kohëve të fundit e zhvilluar në kuvend:
Koço Kokëdhima: “Fillimisht dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time për z. Ristani, i cili u zgjodh të përdoret nga Saliu në këtë seancë kundër meje. Ristani është nip në fshatin tim. Gjyshi i Ristanit ishte Pllatua. Pllatua ishte kushëri i parë me gjyshin tim. Pllatonin e kishte bërë Baxhia, motra e Mitros. Mund të kishte zgjedhur Saliu një burrë tjetër për ta përdorur kundër meje. Kam një këshillë për ty Ristan, se të ndoqa me vëmendje atë natë në Komisionin e Mandateve. Ishe i dehur në atë Komision. Ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tri herë. Një herë si nip në fshatin tim, njëherë si kushëri i imi dhe një herë si deputet i opozitës” (të gjithë anëtarët e shumicës në parlament gajasen).
Arben Ristani: “Për sa i përket marrëdhënieve të mia me Kokëdhimën m’u kujtua një shprehje e të parëve të mi që thoshin: “Në fshat ka qenë një rregull që mos të bënin krushqi me Kokëdhimat”. Tani që po e shikoj Kokëdhimën, e kuptoj se pse ata kishin të drejtë” (të gjithë anëtarët e pakicës në parlament gajasen).
Në vend që deputetët të vlerësohen nga idetë që hedhin dhe nga mbrojtja e atyre ideve, vlerësohen nga sharjet që shkëmbejnë midis tyre kur grinden, nga ato që quhen “batuta” e që janë thjesht budallallëqe e banalitete. Për këto marrin ato paga të larta dhe sigurojnë një mori privilegjesh të tjera, të gjitha të paguara nga populli i varfër shqiptar.
Një kuvend që vendos të ketë 140 përfaqësues në një vend të varfër me më pak se 3 milionë banorë, dhe këta t’i mbajë me të gjitha të mirat, është kriminal. Vende shumë më të mëdha me popullsi se Shqipëria dhe me shumë më shumë probleme reale se Shqipëria, kanë shumë më pak përfaqësues. Përveç kësaj, mbi gjysma e deputetëve janë thjesht parazitë, janë thjesht mumie që, as nuk japin dhe as nuk marrin, as nuk flasin as nuk dëgjojnë, as rrinë e as ikin. Edhe të tjerët që flasin jo se kanë ndonjë mendim personal, ata thjesht shquhen në zotësi për të mbështetur ato që thotë i pari i tyre.
Një kuvend që miraton ligje për financimin e partive politike si dhe të fushatave të tyre zgjedhore tepër të kushtueshme, është kuvend kriminal. Përse duhet të paguajnë shqiptarët para për të mbajtur ato farë partish politike? Përse duhet të paguajnë shqiptarët fushatat zgjedhore të atyre partive të cilat mbledhin dhe paguajnë mijëra njerëz që të dëgjojnë e t’u bëjnë dekor disa injorantëve që mbajnë gjoja fjalime në të cilat përsërisin pa pushim budallallëqe e banalitete të neveritshme? Dhe, të mos harrojmë: financimi i partive politike shtohet nga viti në vit, ashtu siç shtohen dhe pagat dhe privilegjet e deputetëve. Partitë të vetëfinancohen nga anëtarët e tyre dhe të mos marrin asnjë lek nga buxheti i shtetit, nga paratë e popullit, përndryshe, parlamenti mbetet kriminal.
Një kuvend që nuk është në gjendje të nxjerrë një ligj për të qenë për të zbuluar krimet dhe kriminelët e komunizmit, është vetë kriminal. Ka 25 vjet që flitet për hapjen e dosjeve, për gjënë më të lehtë që mund të bënte shoqëria shqiptare, për të zbuluar dhe për t’u ndarë me të shkuarën mizore komuniste dhe kuvendi nuk e bën.
Për deri sa kuvendi do të vazhdojë në këtë mënyrë, sado Mark Froqër të largojë apo të fusë në burg, ai është dhe do të mbetet kriminal.
Nju Jork, 26.05.2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Harshova, Kuvendi, Të dekriminalizohet

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT