• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHEMBUJ TË QYTETARIT GLOBAL

September 20, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të martën, më 20-shtator, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon hapi debatin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës duke u bërë thirrje udhëheqsve botërorë të mbledhur në New York që, “Të jeni në shërbim të popujve tuaj.  Mos përmbysni demokracinë.  Mos vidhni dhe mos keqpërdorni burimet ekonomike të vendit tuaj.  Mos burgosni dhe mos torturoni kritikët tuaj.”   Fjalë të ashpëra këto të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ës drejtuar udhëheqsve të vendeve anëtare në fillim të punimeve të mbledhjes së 71-të të Asamblesë së Përgjithshme. Por megjith problemet që ekzistojnë anë e mbanë botës, Ban Ki Moon u tha përfaqsuesve botërorë se, “Duke punuar së bashku, duke vepruar në unitet, ne mund t’ia dalim”, shtoi ai, duke u përballur drejtë për drejë me sfidat botërore së bashku, ndërsa u kujtoi delegatëve të organizatës botërore fuqinë që posedon çdo individ për të ndryshuar botën.

Në kuadër të mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York —  Instituti “Atlantic Council” me qëndër në Washington, e që merret me studimin e çështjeve ndërkombëtare në fushën politike, ekonomike dhe intelektuale – dekoroi të hënen me çmimin vjetor “Global Citizen”, qytetarit global, tre individëve të dalluar, “lidershipi i të cilëve”, sipas këtij enti,  “ishte shembullor në përballimin e tyre me sfidat globale dhe në mbështetje të unitetit” ndërkombëtar.  Fituesit e këtij çmimi prestigjoz ishin Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe dhe muzikanti dhe kompozitori amerikan Wynton Marsalis.

Në darkën vjetore shtruar në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrale në New York për nder të fituesve të këtij çmimi morën pjesë rreth 500 udhëheqës qeveritarë, tregtarë, ushtarakë, mediatikë dhe përfaqsues të shoqërisë civile nga e mbarë bota, përfshirë edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili i dorëzoi Çmimin e Qytetarit Global, Kryeministrit italian, Matteo Renzi.

Kryetari i Atlantic Council, Jon M. Hunstman në fillim të darkës, theksoi rëndësinë që ka uniteti botëror në mbështetje të kauzave të përbashkëta, në përpjekje për të përmirësuar në përgjithsi gjëndjen në botë dhe për tu përballur me sfidat historike të kësaj kohe, me objektivin, shtoi ai, “që të krijojmë një botë më të lirë, më të hapur dhe më të begatë”, për të gjithë.

Duke i dorëzuar dekoratën e lartë Kryeministrit italian Renzi, personi më i ri nga mosha në atë detyrë,  Sekretari Amerikan i Shtetit Kerry iu drejtua pjesëmarrësve duke thënë se pa marrë parasyshë se nga vimë ose çfarë profesioni kemi, secili prej nesh si individë dhe të gjithë ne si grup, e konsiderojmë vetën atlanticistë.

Unë, shtoi kryediplomati amerikan, jam këtu sonte për të nderuar së bashku me ju kontributin e një udhëheqsi dinamik por edhe të një udhëheqsi gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën e kontinentit europian.  Ai e cilësoi udhëheqsin e ri italian si një, “Reformator të guximshëm në vendin e tij dhe si një zë të fortë në fushën e sigurisë së përbashkët.”

Në fjalimin e tij kushtuar Kryeministrit italian, Z. Kerry përmendi Luftën e parë dhe të dytë Botërore, si edhe sundimin komunist anë e mbanë Europës për 50-vjetë, duke theksuar se para-ardhësit tanë, shtoi ai,  kishin arsye që themeluan Bashkimin Europian dhe organizatën e Atlantikut Verior, NATO.  Si rrjedhim, nënvijoi ai, “Kishte arsye që udhëheqsit vizionarë, duke filluar nga Çurçilli e Rusvelti e deri tek Adenauri e De Gasperi, u përpoqën të krijonin një komunitet transatlantik që do të shërbente si një platformë e qëndrueshme në mbështetje të stabilitetit, begatisë dhe paqës ndërkombëtare”.  Të gjithë ne — e sidomos personat që po nderojmë sonte shtoi ai — jemi mbledhur këtu si ruajtës dhe mbështetës të atij vizioni, tashëgimi e të para-ardhësve tanë europianë dhe amerikanë.

Kryediplomati amerikan foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet e “mrekullueshme” që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, ndërsa përmendi njëkohsisht lidhjet e ngushta familjare, historike dhe kulturore që ekzistojnë  midis dy vendeve, dhe të cilat theksoi Z. Kerry, janë të çimentuara në vlerat tona të përbashkëta.

Këtu në Amerikë —  një vend dhe një kontinent i emëruar pas emërit të një biri tjetër të Firencës (Amerigo Vespucci) përfundoi Z. Kerry – jemi të kënaqur që Italia qeveriset sot në drejtim të duhur nga një udhëheqës guximtar dhe në përputhje të plotë me lidhjet dhe vlerat trasatlantike.

Nga ana e tij, duke pranuar dekoratën, Kryeministri italian foli mbi rëndësinë e udhëheqjes globale dhe shtoi se, “Qytetaria globale nuk është një çmim ose dekoratë në vetvete, por është një përgjegjësi që duhet të ushtrohet nga të gjithë.  Ne nuk mund të humbasim vlerat tona duke mos respektuar dinjitetin e çdo personi”, u shpreh udhëheqsi italian Matteo Renzi duke pranuar dekoratën e Këshillit të Atlantikut. Duke mbrojtur dinjitetin e secilit person, “Mund të humbasim disa vota”, përfundoi ai, “por ne nuk mund të humbasim vlerat njerëzore”, në këtë proces.

Këshilli i Atlantikut dekoroi edhe Kryeministrin e Japonisë, Z. Shinzo Abe për shërbimin e tij të gjatë publik dhe për udhëheqjen e tij të jashtzakonshme për sigurimin e paqës rajonale dhe për angazhimin e tij të vendosur në përforcimin e ekonomisë japoneze.

U dekorua gjithashtu edhe muzikanti i famshëm amerikan, Wynton Marsalis, i njohur botërisht jo vetëm për muzikën xhezë (jazz), por edhe si ambasador kulturor i cili i ka kushtuar gjithë jetën arteve dhe edukimit në fushën e arteve anë e mbanë botës dhe i cili me veprimtarinë e tij ka zhdukur pengesat midis artistëve dhe muzikantëve në të dy anët e Atlantikut.   Marsalis pranoi dekoratën e “Qytetarit të Botës”, duke u thënë të pranishmëve se, “Kur politika dhe financat humbasin rrugën e duhur, atëherë ne duhet t’u këthehemi rrënjëve tona – tek kultura.” .

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Ban Ki Moon u tha udëheqsve botërorë të martën se ndonëse një botë e përfeksionuar mund të duket shumë larg në horizont, mundësitë për realizimin e një bote të tillë ekzistojnë në secilin prej nesh, po të duam të veprojmë në të mirën e përbashkët dhe në unitet me njëri tjetrin.   Të tre të dekoruarit nga Këshilli i Atlantikut – Kryeministri i Italisë Matteo Renzi, Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe dhe muzikanti i njohur amerikan Wynton Marsalis – në mënyrën e tyre modeste dhe individuale janë shembuj të “qytetarit të botës” për tu ndjekur edhe nga të tjerët anë e mbanë botës.

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, SHEMBUJ TË QYTETARIT GLOBAL

Wesley Clark, tri vjet pret licencë për operim në Kosovë

September 20, 2016 by dgreca

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, një javë më parë, i kanë kërkuar Ministrit të Financave Avdullah Hoti, që në komision të sjell sqarime rreth një kompanie kanadeze e cila ka tri vite që ka aplikuar për marrjen e licencës për hulumtimin e mineraleve energjetike në Kosovë.Kompania “Envidity Energy Kosova” e cila udhëhiqet nga gjenerali tashmë në pension Weslye Clark, i cili kishte udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s, mbi objektivat serbenë vitin 1999, ka shprehur interesim për gazifikimin nëntokësor të qymyreve të Kosovës dhe prodhimit të gazit sintetik, diellit dhe kerozinës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një mbledhje të Komisionit, u ka kërkuar anëtarëve të Komisionit që te merret një vendim në favor të këtij projekti, me të cilin sipas tij, konstatohet interesi publik nga lëshimi i kësaj licence.

Në një përgjigje për mes postës elektronike, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “herën e parë Komisioni e ka shqyrtuar këtë propozim dhe është vendosur që të trajtohet edhe njëherë së bashku me komentet e pranuara nga anëtarët tjerë të Komisionit” .

Më tutje, ministri ka shkruar se “Ministria e Financave, me ketë rast ka kërkuar vlerësimin e këtij projekt propozimi nga aspekti ligjor, teknik dhe financiar” thotë Hoti.

Edhe pse anëtarët e Komisionit, janë shprehur në favor të investimeve të jashtme, ata kanë kërkuar që projektet e propozuara të jenë më të definuara më saktësisht.

Blerim Grainca, anëtar i këtij Komisioni, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë ministri duhet të sjell prova të reja, që lidhet më performancën e kompanisë, sigurinë financiare, dhe hapësirën e shfrytëzimit gjatë hulumtimeve, në mënyrë, siç thotë ai, një vendim i tillë të jetë në përputhshmëri më ligjet të zbatueshme në Kosovë.

“Edhe pse Ligji mundëson përjashtime të caktuara, deputet e kanë të drejtën të kërkojnë shpjegime sepse po flasim për një kompani që kërkon hulumtim në 30 për qind të territorit të Kosovës. Prandaj, çdo kërkesë e deputetëve lidhur më këtë çështje është e arsyeshme dhe konform të drejtave dhe autorizimeve që kanë deputetët.”

Për këtë projekt , por për një sipërfaqe shumë më të vogël të shfrytëzimit të nëntokës, thuhet se ka aplikuar edhe kompania e çimentos “Sharr Cem”.

Edhe zyrtarë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, (KPMM) i thanë Radios Evropa e Lirë, se në vitin 2013 Kompania “ENVIDITY” ka aplikuar në këtë Komision për tre licenca, sipërfaqja totale e të tri kërkesave ka mbi 3 mijë e 400 kilometra.

Por, Azem Rexhaj, anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar përmbajtjen e ligjit.

“Ligji për Miniera dhe Minerale e ka rregulluar qe licencat për minerale energjetike fillimisht duhet te miratohen nga Qeveria dhe Kuvendi. Ndërsa, pas miratimit në Kuvend,kompania aplikon për licence ne KPMM. Pasi qe kompania të ketë plotësuar kriteret e parapara më Ligjin për Miniera dhe Minerale atëherë KPMM bënë miratimin e licencës”, ka thënë Rexhaj.

Për t’i dhënë mundësi investimeve të kësaj kompanie në Kosovë, në muajin gusht qeveria e Kosovës, kishte miratuar vendimin më të cilin aprovohet kërkesa e Komitetit për Partneritet Publiko – Privat për konfirmimin e interesit publik nga lëshimi i licencës për projektin e kompanisë ”Envidity”.

Kurse në vitin 2013, është ndryshuar edhe një nen i Ligjit për Miniera dhe Minerale me të cilin thuhet, veç tjerash, “nëse, për shkaqe që ndërlidhen drejtpërdrejtë me nevojën për të siguruar sigurinë e furnizimit energjetik në Kosovë, Qeveria nxjerr vendim me të cilin konstaton se ka interes të rëndësishëm publik në lëshimin e kësaj Licencë për një shoqëri të caktuar tregtare e cila operon me kapacitete të rëndësishme të prodhimit energjetik në Kosovë”.

Ndryshe, projekti i kompanisë inkurajon futjen në përdorim të teknologjive të përparuara dhe është në pajtim me standardin mjedisor. Investimet në fazën e parë thuhet se do të jenë 15 milionë dollarë, kurse deri në fazën e tretë investimet do të arrijnë deri në pesë miliardë euro.

Sipas propozimit të kompanisë, fillimisht thuhet se do të krijojë 100 vende pune kurse më pas numri i të punësuarave do të arrijë në 300. Por, sipas prezantimit të kësaj kompanie në vitin 2015, në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1200 barel derivate në ditë, kurse në fazën e dytë 20 mijë barel derivate për ditë.

Ekspertë për këtë çështje, vazhdimisht kanë ngritur nevojën e hulumtimeve shtesë gjeologjike në basenet ekzistuese të linjitit.

Basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse janë: Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës.

Edhe në Strategjinë minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2010- 2025, thuhet se Kosova ka një potencial të konsiderueshëm të mineraleve të dobishme me vendburime të nivelit Evropian, me rezerva të mëdha të qymyrit (linjitit) dhe të plumbit, zinkut dhe argjendit.

Qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike.Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t’u shfrytëzuar. (Kortezi: Nadie Ahmeti, REL- Foto ilustrim-arkiv)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Kosove, pret licence, Tri vjet, Wesley Clark

MINISTRI I JASHTEM BUSHATI, TAKIME NE BOSTON

September 19, 2016 by dgreca

Z. Ditmir Bushati, Minister i Jashtem i R. Sh. dhe z-nja Floreta Faber, Ambasadore e R. Sh në Washington DC erdhën nëBoston MA/
OLYMPUS DIGITAL CAMERA
Pergjegjesja e Bibliotekes’Fan S. Noli, prane Katedrales “shen Gjergjit” ne Boston, Neka Doko, duke dorezuar per Muzeun Kombetar, origjinalin e Shtampes se Faik Konices.

Nga Thanas L. Gjika/ Boston/

Më 18 shtator erdhën në Boston MA z. Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm i R. Sh. i shoqëruar prej bashkëshortes dhe z-njës Floriana Faber, Ambasadore e R. Sh. në Washington DC.
Ata morrën pjesë në tre ceremoni:Në ora 11:00 AM shkuan në kryekishën e Shën Gjergjit, ku mbas ceremonisë së meshës, At Arthur Liolini organizoi në sallën e pritjes ceremoninë e dorëzimit të shtampës së Faik Konicës “EX LIBRIS F. K.”, e njohur si “vula e Faik Konicës” me të cilën ai stamposte gjithe librat e bibliotekës së tij personale. Ky relik muzeal ishte sistemuar prej skluptorit Ndriçim Bejko dhe zonjës Neka Doko në një korrnizë ku ishin vendosur krahas shtampës origjinale dhe disa fragmente dorëshkrimesh të rilindësit erudit Faik Konica.
Këtë shtampë e kanë studiuar dhe vlerësuar dy studiuesit e jetës dhe veprës së Konicës, z-njtë Fotaq Andrea dhe Agron Alibali.
Pra, Kryekisha e Shën Gjergjit i dhuroi këtë objekt muzeal Republikës së Shqipërisë përmes dorëzimit të tij z. Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Së shpejti kjo relikë kulturore do të vendoset në Arkivin Qendror të Shtetit , ose në ambjentet e Muzeut Kombëtar në Tiranë, si një dhuratë e diasporës shqiptare të Amerikës.
Në ora 13:00 PM, z. Bushati, z-nja Faber dhe grupi që i shoqëronte morrën pjesë në një takim në Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar (Center for International Devellopment) në Kennedy School of Governement, Harvard University, Cambridge MA., ku u prit prej z. Ermal Frashëri, S. J. D., drejtues i këtij institucioni.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin Harvard e organizuan këtë takim me titull SHQIPERIA DHE DIASPORA NJE KOMUNIKIM I RI. Për organizimin e këtij takimi ndihmoi dhe z. Mark Kozmo, drejtues i shoqërisë MassBesa me qendër në Boston MA. Nga Shqipëria kishte ardhur dhe z-nja Alma Jani, drejtuese e Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (ONM), Tiranë.
Pas prezantimit të tematikës së takimit prej z. Frashëri, foli z-nja Jani duke treguar përvojën e institucionit të vet dhe disa përpjekje që janë bërë për krijimin e lidhjeve midis Organizatës Ndërkombëtre për Migracion dhe diasporës shqiptare në botë.
Më tej foli z. Kozmo, i cili vuri në dukje se në shtetin Massachussets sot ka 75.000 shqiptaro-amerikanë kurse në mbarë ShBA-të ka rreth 500.000 shqiptaro-amerikanë. Komuniteti shqiptar në Amerikë ka ardhur duke u forcuar mbas vitit 1991. Sot ky komunitet bie në sy si një komunitet i suksesshëm për shkollimin e lartë, për blerje shtëpish dhe regullimin e tyre shumë mirë, për hapje bisnesesh të ndryshme të cilat i ka shpënë përpara me sukses, etj.
Më tej foli z. Bushati, i cili theksoi nevojën e madhe që ka atdheu për aktivizimin e diasporës në plane të ndryshme ekonomike, kulturore, shkencoe, artistike, etj. Ai vuri në dukje se tashmë institucionet janë dhe bashkëpunimi duhet forcuar. Mos prisni që atdheu t’ju ftojë, ju duhet të tregoheni më aktivë për afrim e bashkëpunim.
Më tej u kalua në pyetje. Prof. Thanas Gjika pyeti për saktësinë e evidencave të shqiptarëve në diasporë dhe sidomos të të rinjve që po diplomohen e po mbrojnë tituj e grada shkencore në universitete të botës. A ka evidenca se sa të diplomuar jashtë kanë ardhur në Shqipëri për të aplikuar për punë dhe sa prej tyre janë punësuar atje?
Z. Bushati tha se evidenca të sakta nuk janë bërë ende, por ne na gëzon fakti që shqiptarët e diasporës së sotme dallohen për shkollimin e tyre të lartë dhe shpresojmë që së shpejti të realizojmë disa punësime të reja.
Z. Frank Zdruli kërkoi që shteti shqiptar të njohë pronat e shqiptarëve të diasporës, sepse deri sot në këtë drejtim nuk është bërë gjë.
Në fund Prof. Arben Malaj tha se lidhjet e shqiptarëve të disaporës me atdheun në rrugë zyrtare është një proces që paraqet vështirësi dhe do të kërkojë kohë që të arrihet në evidenca të sakta dhe marrëdhënie të shumanshme, por ardhja e vetë ministrit Bushati këtu tregon se ka filluar një proces i mbarë.
Më tej u kalua në ambjente të tjera ku pati një koktej të pasur dhe bisedat u zhvilluan në grupe të vogla.
Nga qyteti i Worcester-it MA, ku ka një komunitet prej rreth 20.000 shqiptaro-amerikanë, kishin ardhur për të marrë pjesë z-njtë Gregori Steffon, prof. Thanas Gjika, prof. Dhimitër Skende, John Lito (kryetar i ardhshëm i degës së Shoqërisë Vatra që po krijohet në këtë qytet) dhe Frank Zdruli, kryetar i shoqërisë “Djemtë e Shën Marisë”. Në takim me z-njën Faber ata i vunë në dukje se komuniteti shqiptar i qytetit të tyre ka një histori mbi 100-vjeçare dhe Ambasada jonë duhet të marrë pjesë në veprimtaritë kryesore të këtij komuniteti, si është psh festivali shqiptar që organizon Kisha “Fjetja e Shën Marisë” çdo dy vjet.
Z-nja Faber premtoi se do të vijë për të marrë pjesë në festivalin e ardhshëm, në qershor 2017.
Më tej iu tha z-njës Faber se amabsada duhet të ndjekë rregullisht gazetat Dielli dhe Illyria ku duhet të ndjekë krijimtarinë e shumanshme të elementëve të shquar të diasporës sonë dhe t’i afrojë të tillë elementë pa dallim bindjesh politike.
Kurse z. Steffon tha se mundësitë e diasporës shqiptare të Amerikës për të ndihmuar atdheun janë të shumta, por së pari duhet që të jetë kuadri ligjor i kompletuar dhe i garantuar se pronat u përkasin pronarëve të vërtetë dhe se nuk do të ketë më rrezikim të jetës së bisnesmenëve që vijnë nga jashtë.
 Mbas këty dy ceremonive z. Bushati dhe z. Faber shkuan në ambjentet e shkollës shqipe në Boston, ku shoqëria MassBesa organizon mësimin e gjuhës shqipe me fëmijë të moshave të ndryshme…

Filed Under: Politike Tagged With: MINISTRI I JASHTEM BUSHATI, TAKIME NE BOSTON, Thanas L Gjika

SHQIPËRIA, KOLUMBIA E EUROPËS

September 17, 2016 by dgreca

Nga Bedri HOXHA/Deputet i Qarkut të Dibrës/*
 Ndryshimet e propozuara nga qeveria në Ligjin nr. 8750 , datë 26.3.2001. “ Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope , të ndryshuar “ vjen për miratim në Kuvendin e Shqipërisë në një situatë mjaft kritike për vendin.
 Ku mafia dhe qeveria janë bërë një , ku bandat e drogës dhe kanabisit kontrollojnë cdo qelizë të shtetit, ku Shqipëria është shndërruar në Kolumbinë e Europës si vend prodhues dhe tranzit i të gjitha llojeve të narkotikëve .
Ndaj dhe ndryshimet ligjore të propozuara , nuk do të përmirësojnë aspak situatën në parandalimin dhe luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike .
E gjithë kjo për arsyen e thjeshtë se ky trafik miliarda dollarësh kontrollohet nga Edi Rama , Sajmir Tahiri , drejtorët e policisë dhe shefat e komisariateve që në shumicën e rasteve janë nga Tepelena me lidhje të drejtpërdrejta me Ministrin e Brendshëm .
Sot kjo maxhorancë ka hyrë në vitin fundit qeverisës , vetëm 9-muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2017 dhe padyshim arritja më e” madhe “ e saj është kultivimi i kanabisit në të gjithë vendin nga Vermoshi në Konispol.
Nuk ka qytetarë sot në vend , vecanërisht në zonat rurale që të mos kenë parë sipërfaqe të tëra të mbjella me hashash . Batrinjtë nëpër fshatra e kanë të pamundur të kullosin bagëtitë në male , pasi përballen cdo ditë me banda të armatosura që mbrojnë parcelat e tyre .
Dhe e gjitha kjo bëhet me bekimin e drejtuesëve të policisë së shtetit .
Gjatë qëndrimit në Dibër për zgjedhjet vendore të 11 Shtatorit pata rastin të shoh sipërfaqe të tëra të mbjella në zonën e Muhurit dhe banorët që kishin frikë të ankoheshin për shkak të prezencës së bandave kriminale në atë zonë. Në fshatin Mustafaj parcelat me kanabis dalloheshin deri në Fushë –Cidhën nga të gjithë banorët, vetëm policia e shtetit nuk i dallonte dhe pse kultivuesit kishin ngritur stan dhe kishin dërguar energjinë elektrike deri atje . Madje gojët e liga thonin se atë zonë e kontrollonte djali i njerit prej deputetëve socialist jo nga Qarku i Dibrës. E njëjta situatë është sot kudo në Shqipëri.
 Shqiptarët nuk kanë harruar se me ardhjen në pushtet të kësaj mazhorance avionet e drogës filluan të ulen lirshëm në aeroportet ushtarake për të transportuar kanabis , të gjithë i shihnin vetëm Qeveria Rama Jo , derisa mbetën në bregdetin e Divjakës.
Ne si opozitë kemi denoncuar me prova të pa kundërshtueshme lidhjet e ministrit të brendshëm me bandat më të rrezikshme në vend që kontrollojnë trafikun e drogës . Shullazi , Habilët dhe Balilët eksponentë të njohur të botës së krimit dhe narko trafikut e zhvillonin aktivitetin e tyre pa më të voglin shqetësim si rezultat i lidhjeve të drejtpërdrejta me Ministrin e Brendshëm.
Sot numri i përdoruesve të drogave të lehta dhe të forta ka marrë përmasa të frikshme vecanërisht tek të rinj në të gjithë gjimnazet e vendit .
Dhe kjo ndodh se ky është modeli dhe filozofia që Kryeministri dhe qeveria e tij u ofron të rinjve shqiptarë .
Sipas këtij modeli shkollimi i të rinjve, edukimi dhe formimi profesional nuk janë rruga e duhur për një të ardhme të begatë. Puna e ndershme nuk vlen .
Ne nje vend ku vet kryeministri është akuzuar nga bashkëpuntorët e tij si përdorues droge dhe ai vet nuk e ka hedhur poshtë një akuzë të tillë gjërat do shkojnë keq e më keq .
Dje ai ishte në Dibër për të kurorzuar fitoren e rradhës në zgjedhjet e 11 Shtatorit. Shkoi të uronte fitoren e bandave dhe mercenarëve që ai kish dërguar në Dibër për ta fituar me çdo çmim këtë bashki, siç u shpreh edhe zoti Majko në një nga takimet me strukturat e Partisë Socialiste në Dibër .
Uroj që kjo fitore të mos jetë si ajo e Pirros . Nga kjo betejë elektorale të gjithë janë të humbur, socialistët e ndershëm demokratët pa diskutim të gjithë qytetarët e Dibrës pa përjashtim .
Të fituar do të jenë bandat dhe trafikantët e drogës, të paaftët dhe dallkaukët që ndrrojnë parti sipas nevojës .
Në Dibër të gjithë e dinë se kush do të qeverisë ! Rama i vogël do të jetë kukulla e rradhës në poltronin e Kryetarit të Bashkisë .
Zgjedhjet e 11 shtatorit dëshmuan edhe një herë se kjo qeveri dhe ky Kryeministër nuk mund të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rastet e blerjës së votave të bëra publike ditët e fundit nga gazetarë ivestigativ vërtetojnë më së miri skemën perfekte të blerjës së votave . Shuma marramendëse parash u paguan në cdo zonë të Dibrës për të blerë varfërinë e tyre .
Shantazhi dhe represioni ndaj administratës shtetërore ishte i jashtëzakonshëm . Mësuesit detyroheshin me telefon të merrnin pjesë në takimet elektorale të kandidatit të PS . Të gjithë administratës shtetëror i është kërkuar fotografimi i votës në favor të Muharrem Ramës në të kundërt do largoheshin nga puna.
Administratorët e njësive vendore dhe punonjesit e asistencës sociale trokitën në cdo familje perfituese duke i kërcënuar se po nuk votuan Rremin do tu hiqej asistenca apo pensioni i invalititetit .
Për këtë disponojmë prova dhe dëshmi nga shumë qytetarë të shantazhuar.
E gjithë makineria shtetërore në kundërshtim të hapur me ligjin u vu në dispozicion të kandidatit të majtë. Makinat e doganave shqiptare të drejtuara nga banditë , lëviznin në cdo skaj të Dibrës duke shantazhuar qytetarët .
Kjo fushatë elektorale vërtetoi edhe një herë se ligji i dekriminalizimit për Edi Ramën nuk ka asnjë vlerë dhe as që ka ndërmend ta zbatojë . Këtë rradhë njerëz të botës së krimit nga gjithë Shqipëria u instaluan në Dibër .
Kësaj here ata nuk ishin në lista për t’u votuar , por në ushtrimin e profesionit të tyre si banditë .
Mediat kanë publikuar me pamje filmike prezencën e ish-deputetëve të larguar nga parlamenti për shkak të ligjit të dekriminalizimit , si gjatë fushatës edhe në ditën e votimit .
Të gjitha strukturatë e policisë së shtetit ishin vënë në shërbim të blerjes së votave .Shefi i komisariatit të Dibrës person i perdorur në mënyrë të vazhdueshme nga PS në fushata zgjedhore nuk lanë formë dhe mekanizëm pa përdorur për të shantazhuar qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve motorike .
Oficerë, të anti trafikut thirren të gjithë poseduesit e parcelave me hashash duke i kërcenar se do të përfundonin në burg nëse nuk fiton Muharrem Rama në zonat ku ata operonin se bashku në këtë veprimtari të pa ligjshme.
Deklaratat diskriminuese të ministrit Gjiknuri se nëse nuk votoni Muharrem Ramën, Dibrës nuk do ti akordohet asnjë fond janë të pa pranueshme dhe të denja vetëm për vende diktatoriale. Por kjo është filozofia juaj qeverisëse . Ju e konsideroni shtetin pronën tuaj ndaj dhe mund të bëni ctë doni .
Faktet që publikohen cdo ditë nga media dhe ato të publikuara gjatë fushatës elektorale në Dibër nga Partia Demokratike , vërtetojnë edhe një herë se zgjedhjet u blenë me një skemë perfeket në cdo qendër votimi. Në njësinë administrative Fushë –Cidhën kandidati i majtë realizoi vetëm një takim në fillim të fushatës duke mos denjuar të takonte asnjë nga banorët e fshatrave të kësaj njësie duke mos premtuar asgjë .
Skema ishte e qartë, i vetmi shërbim qe mund t’u bëhej banorëve ishte blerja e votës me 20 apo 50 mijë lekë .
Partia Demokratike i ofroi Dibrës si kandidat të saj një personalitet të padiskutueshëm ,si prof. Sherefedin Shehu, as nga e majta nuk u tha asgjë , nuk u ngrit asnjë akuzë për korrupsion ndaj tij edhe pse kishte një karrierë të gjatë dhe të vyer në administratën shtetërore dhe Kuvendin e Shqipërisë . I vetmi shqetësim i tyre ishin flokët e zbardhura të tij .
Kandidati i së majtës në Dibër Z. Muharrem Rama dallohej për një cilësi si kirurg, nuk u kishte bërë pazare pacienteve para se të hynin në operacion . Paratë ua kish marrë pas përfundimit të punës edhe pse spitali i Dibrës është shtetëror dhe Rama i madh në 2013, u premtoi shqiptarëve shëndetësi falas.
Ne e humbëm një betejë , por lufta jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të reshti . Ne do ta fitojmë këtë betejë ,edhe pse e vështirë.
Zgjedhjet e 11 shtatorit provuan edhe një herë se me Edi Ramën kryeministër dhe kartelin e tij të drogës zgjedhjet e lira janë të pa mundura .
Në periudha të ndryshme historike në vende të zhvilluara si ShBA , Itali ,etj. segmente të shtetit janë kontrolluar nga mafia dhe kartelet e drogës për një moment, pa mundur ti gjunjezojnë ata për arsyen e thjeshtë se në themel të shtetformimit të tyre qëndron vota e lirë dhe demokratike .
Situata bëhet më e rrezikshme kur shteti , mafia bota e krimit dhe e narkotrafikut janë një ,sic ndodh sot në Shqipëri , ku kryetar i kësaj bande është kryeministri i vendit.
Ndaj dhe beteja jonë si opozitë me frontin e së keqes bëhet më e vështirë . Ne nuk do të përkulemi së bashku me qytetarët derisa në këtë vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme , dhe shteti të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo botës së krimit.
 Faleminderit!
 _____________________
 *Falenderojme deputetin qe pati miresine ta ndante opinionin e tij me lexuesit e Gazetes”DIELLI”.
*Fjala në Kuvend e Shqipërisë, më 16 shtator 2016 .

Filed Under: Politike Tagged With: Bedri HOXHA, Deputet i Qarkut të Dibrës, kolumbi e Erurpes, shqiperia

Bisedohet zbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi

September 16, 2016 by dgreca

– Kryeministri Isa Mustafa takim me shefen e re të Zyrës së BE-së /përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, zëvendësshefen e Misionit të OSBE-së, Paivi Nikander dhe Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie/

PRISHTINË, 16 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar sot një takim me shefen e re të Zyrës së BE-së /përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, zëvendësshefen e Misionit të OSBE-së, Paivi Nikander dhe Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie.
Njoftimi i dërguar nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare thekson se, gjatë takimit, u bisedua për procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga BE-ja në Bruksel.
Në takim, u theksua përkushtimi i Republikës së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve dhe u vlerësua se ditëve të fundit është krijuar një atmosferë pozitive në këtë proces.
Gjatë takimit, po ashtu, u bë e ditur se është kompletuar Ekipi Menaxhues, i cili në bashkërendim me insititucionet e Republikës së Kosovës, OSBE-në, BE-në dhe me përkrahjen e Ambasadës Amerikane, do të punojë në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, në harmoni të plotë me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Kosove-Serbi, Mustafa, Natalia Apostolova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 607
  • 608
  • 609
  • 610
  • 611
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT