Shpetim Idrizi: Bashkimi kombëtar do të jetë busulla politike e PDIU
TIRANE, 22 Maj/ Me përfundimin e procesit të numërimit në të gjithë Shqipërinë, Shpëtim Idrizi është rizgjedhur kryetar i Partisë, Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ai mori 72.4% të votave nga 27.6% që mori kandidati tjetër Halil Hyseni. Menjëherë pas mbylljes përfundimtare të procesit të numërimit, Idrizi u shpreh para anëtarëve të PDIU-së, se bashkimi kombëtar dhe zgjidhje e çështjes çame do të jetë busulla e tij.
“Bashkimi kombëtar do të jetë busulla jonë politike e pandrysheshme, zgjidhja e çështjes çame do të jetë objektivi ynë i palëkundur. Prej dje unë, ne të PDIU-së, ndjehemi më të fortë për t’ia rinisur betejave të reja për këtë objektiv, me busullën e Kombit që na tregon hartën e rrugës sonë”, tha Idrizi pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Gjithashtu Idrizi u shpreh se PDIU është një familje e vërtetë politike, me prani në të gjithë vendin. Ndërsa Halil Hyseni, i cili mori 27.6% të votave tha se vendimi i anëtarësisë duhet respektuar.
Në total për kryetarë të PDIU-së votuan 19634, ose 81.5 për qind të anëtarëve.
LDK: DECANI NUK ESHTE PASHALLEK I DAUT HARADINAJT
Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj përpjekjes së zotit Daut Haradinaj, që duke etiketuar kryetarin LDK-së, njëherësh kryeministrin e Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafën, të bëhet protagonist dhe të faktorizohet në këto ditë të turbullta për opozitën.
Sa i përket asaj që zoti Haradinaj ka thënë, i bëjmë me dije se LDK-ja nuk i jep llogari atij pse dhe kur lideri i saj e viziton Deçanin, pasi që Deçani nuk është “pashallëk” i tij.
Ndërkaq, për hir të informimit i bëjmë me dije opinionit se sot në Deçan kryeministri Mustafa ka qenë për të përkujtuar 26 vjetorin e themelimit të LDK-së dhe aty është pritur nga qindra deçanas të mrekullueshëm, të cilët kanë ardhur në këtë manifestim me vullnetin e tyre të lirë, pa kurrfarë presioni apo kuponi.
Sa i përket frikës nga protestat, LDK-ja dhe kryeministri Mustafa e kanë dëshmuar se nuk i frikësohen as “protestave të molotovëve”, e as presioneve dhe kërcënimeve të tjera me të cilat janë përballur që nga themelimi.
Sa për keqpërdorimin e përvjetorëve të masakrave të tmerrshme në Qyshk, Zahaq e Pavlan… nuk i bën nder zotit Haradinaj që të manipulojë me këto sakrifica epike të popullit tonë për përfitime politike, aq më shumë kur dihet se për të gjitha kategoritë që kanë sakrifikuar dhe kontribuar në mënyrë të veçantë gjatë luftës, sot më shumë se kurrë ka përkujdesje dhe përkrahje institucionale.
Ndërkaq, se kush, ku ka qenë në kohë të vështira, kjo mund të merret vesh nga aktakuzat që janë ngritur nga regjimi serb që në fillimvitet ‘90 dhe se insinuata të tilla si këto i janë atribuuar edhe Presidentit Historik Ibrahim Rugova, por koha i ka sqaruar të gjitha.
Sa i përket filozofisë, çfarë mund t’i thuhet zotit Haradinaj për filozofinë, fundi i fundit, çka kanë të përbashkët Dauti dhe filozofia!?
Lidhur me përfundimin e kohës së komunizmit, LDK i bën me dije zotit Haradinaj se kryeministri Mustafa ka qenë sot pikërisht në përvjetorin e 26-të të partisë e cila e rrënoi atë komunizëm, ndërkaq që LDK-së aktualisht i mbetet që të rrënojë “filozofinë” e mediokritetit dhe injorancës.
Andaj, zoti Daut Haradinaj, më mirë se t’i nxjerr njerëzit në rrugë për qërim hesapesh me ish-partnerin opozitar, bën mirë që të jetë pjesë e përkushtimit të përbashkët për arritjen e sukseseve të njëpasnjëshme madhore, të cilat po i përjetojmë këto ditë
26 VJET LDK,Isa Mustafa në Istog dhe Deçan
Kryetari Mustafa: LDK-ja po e vazhdon rrugën shtetndërtuese të arkitektit të pavarësisë, Ibrahim Rugova/
Prishtinë, 14 maj 2016/ Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë të shtunën në shënimin e përvjetorit të 26-të të themelimit të degëve të LDK-së në Istog dhe Deçan.
Në këto dy manifestime morën pjesë qindra aktivistë dhe qytetarë të Istogut dhe Deçanit, duke konfirmuar mbështetjen e gjerë për LDK-në dhe veprimtarinë e saj shtetndërtuese politike.
Para të pranishmëve në tubimin e mbajtur në Istog, kryeministri Mustafa ka folur për fuqinë e pakontestueshme politike dhe rolin e LDK-së në zhvillimin e gjithanshëm të Istogut.
Kryeministri Isa Mustafa tha se Dega e LDK-së në Istog është një degë shumë e qëndrueshme, një degë e cila pareshtur i ka fituar zgjedhjet që nga paslufta.
“Dega e LDK-së e ka edhe simbolikën e vet, sepse është vendlindja e Presidentit Historik Ibrahim Rugova. Kjo degë, me fuqinë e saj gëzon respektin më të madh pasi që po e vazhdon veprën e Rugovës këtu”, tha kryetari.
Kryetari Isa Mustafa, po ashtu, foli për përkushtimin dhe punën e veprimtarëve të LDK-së në progresin konkret që po arrihet në këtë Komunë.
“Janë njerëzit punëtorë të cilët po e ndërtojnë komunën e tyre në mënyrën më të mirë, po i përplotësojnë detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe po tregojnë se janë koshient për përgjegjësinë të cilën e kanë marrë para qytetarëve të Istogut, por edhe para Kosovës. Sot në këtë 26 vjetor, përkujtohet vepra e të gjithë atyre që kanë punuar por edhe të rinjve që janë kyçur në LDK më vonë dhe zotimet se do të punojnë në interes të vendit”, tha kryetari Mustafa.
Ndërkaq, para të pranishmëve në shënimin e 26-vjetorit të Degës së LDK-së në Deçan, kryetari Isa Mustafa ka përkujtuar të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë kontribuar për LDK-në, që kanë vënë bazat e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës.
“E përkujtojmë në rend parë Presidentin Historik, Ibrahim Rugova, njeriun i cili i ka meritat kryesore për Kosovën por edhe për demokracinë në regjion dhe më gjerë, njeriun të cilin e pranuan zyrat më të mëdha evropiane dhe botërore, njeriun i cili i hapi rrugën Kosovës dhe të vërtetës për Kosovën. Prandaj, ajo që sot kemi ne të gjithë, ajo që ne sot mburremi është pavarësia, themelet e të cilës i vuri Ibrahim Rugova si kryetar i LDK-së dhe si President i parë i Kosovës. Ne e kemi për detyrë ta vazhdojmë atë rrugë, ta qojmë këtë vend përpara. Por detyrat tona natyrisht së ndërrojnë edhe në kontekstin e kohës sepse problemet me të cilat ne sot po ballafaqohemi nuk janë problemet e viteve të 90-ta, janë probleme tjera, janë problemet e një konkurrencë të ashpër politike, probleme të një konteksti tjetër ekonomik, social dhe ndërkombëtarë, por gjithsesi në ballafaqimin tonë në këtë ambient ne po bëjmë përpjekje maksimale që të ndjekim rrugën e LDK-së, që partinë tonë ta zhvillojmë si parti e qendrës së djathtë dhe që ta thellojmë bashkëpunimin me partitë tjera evropiane të qendrës së djathtë”, tha kryetari Isa Mustafa.
Ai më tutje tha se fitorja që u realizua me rekomandimin për liberalizimin e vizave, për MSA-në dhe sukseset tjera që janë arritur së fundi janë rezultat edhe i kontribut tejet të madh që kanë dhënë Partitë Popullore Evropiane, familja e partive evropiane, pjesë e të cilës është LDK-ja.
Kryetari Mustafa, po ashtu, ka folur për qeverisjen e vendit duke theksuar po mbahen premtimet e dhëna, duke përmendur përparimet e rëndësishme në zhvillimin ekonomik, ku është arritur norma më e lartë e zhvillimit në rajon.
“Kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, në këtë mandat Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe ka krijuar kushte që qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të barabartë me gjithë qytetarët e tjerë evropianë. Kemi arritur të anëtarësohemi në organizatat më të rëndësishme botërore të sportit, këtë rast futbollit, dhe përmes tyre të jemi në metropolet kryesore të botës si Kosovë, me emblemën tonë shtetërore, me flamurin tonë, me dinjitetin tonë, me kulturën tonë. Ne po i shpërthejmë kufijtë të cilët i kemi pasur të mbyllur deri më tani”, tha kryetari Mustafa.
Kryetari Isa Mustafa më tutje ka thënë se do të punohet shumë dhe do të respektohet vota dhe besimi i qytetarëve dhe aktivistëve të LDK-së, që LDK-ja të zgjerohet, të rinohet, të ketë sa më shumë gra dhe të zhvillohet një konkurrencë e brendshme.
“Asnjë partie në qeverisje deri më tani, në këto vitet e pas luftës, nuk i është bërë destruksion i tillë i qeverisjes ashtu siç është na është bërë ne. Mund të ju them se jo 100 ditë, por ne si kemi pas as 100 orë normale të punës si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe në këto kushte ne kemi arritur që ta bëjmë punën tonë, kemi arritur që ta realizojmë programin tonë qeverisës dhe do ta arrijmë që ta realizojmë më shumë se sa kemi planifikuar deri më fund të këtij mandati”, tha kryetari Isa Mustafa.
Kosovë-PDK-së i bashkohet Fraksioni Plus
PRISHTINË, 10 Maj 2016/ Një fraksion i dalë nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekti më i madh opozitar kosovar, iu bashkua sot Partisë Demokratike të Kosovës, më të madhes kosovare, e cila, siç paralajmëroi kryetari i ri, Kadri Veseli, do të ketë edhe ardhje të reja.Në një konferencë shtypi përkrah tij, Ajnishahe Halimi deklaroi se, “Fraksioni Plus nga sot bashkohet me Partinë Demokratike të Kosovës, do jetë pjesë e saj”. Ajo ka qenë edhe udhëheqëse e Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Skënderajt, ku është këshilltare e Asamblesë Komunale.Në konferencën për shtyp ishin edhe anëtarë tjerë të Fraksionit Plus, Arben Gecaj dhe Fatos Aliu. “Jemi para një akti solemn për përqafimin e PDK-së nga grupi i Fraksion +. Ky është një bashkim i konceptit të përbashkët politik i së ardhmes, nuk është bashkim i njerëzve të pakënaqur, por i atyre që dëshirojnë ta fuqizojnë vendin”, ka thënë Veseli me këtë rast.
Gjithashtu ai u shpreh se PDK do të ketë edhe ardhje të tjera, nga intelektualë, mjekë e ekspertë të profileve tjera. “Duke pasur parasysh punën e PDK-së në shtetformim dhe shtetndërtim, ky është qëllimi që të bashkohemi dhe të gjejmë hapësirë për të kontribuar në ndërtimin dhe formimin e këtij shteti. Kjo bashkëngjitje nuk është artificiale, por do të ketë një proces gradual”, ka theksuar Halimi.
Fundjavën e kaluar, Partia Demokratike e Kosovës mbajti Konventën e VII-të të Jashtëzakonshme Zgjedhore, ku Veseli me unanimitet dhe kandidat i vetëm është zgjedhur krytar.Zëdhënësi Blerand Stavileci dje në një konferencë shtypi paralajmaroi se se së shpejti do të organizohet edhe Konventa e Gruas Demokratike dhe Konventa e Rinisë Demokratike të PDK-së, si dhe do të zhvillohen takime me anëtarët e simpatizantët nëpër të gjitha degët në vend./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 621
- 622
- 623
- 624
- 625
- …
- 667
- Next Page »