• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit

January 27, 2026 by s p

U.S. Embassy Tirana/

🇦🇱 Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ne nderojmë gjashtë milionë viktimat hebreje të Holokaustit dhe ritheksojmë përgjegjësinë tonë të përbashkët për të kujtuar të kaluarën dhe për të punuar drejt një të ardhmeje pa dhunë dhe urrejtje.

Siç ka thënë Sekretari Rubio, “Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë”. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizmin dhe shtrembërimin e Holokaustit. Ne e njohim historinë e veçantë të Shqipërisë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim, falë guximit të shqiptarëve të zakonshëm. Ne mirëpresim partneritetin e vazhdueshëm të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi i saj vitin e kaluar i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, të cilat çojnë përpara drejtësinë dhe kompensimin për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit.

🇺🇸 On International Holocaust Remembrance Day, we honor the six million Jewish victims of the Holocaust and reaffirm our shared responsibility to remember the past and work toward a future free from violence and hatred.

As Secretary Rubio has said, “Antisemitism has no place in this world.” The United States remains committed to confronting antisemitism and Holocaust distortion. We recognize Albania’s unique history as one of the few Nazi-occupied countries where Jews found refuge, thanks to the courage of ordinary Albanians. We welcome Albania’s continued partnership in combating antisemitism, such as its endorsement last year of the Best Practices for the Washington Conference Principles on Nazi-Confiscated Art, which promote justice and restitution for Holocaust-era cultural property.

https://www.state.gov/…/best-practices-for-the…

Filed Under: Politike

Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve

January 26, 2026 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Në periudhën që pasoi shpërthimin e Revolucionit Grek, një shqetësim i madh për Portën e Lartë ishte dyshimi rreth besnikërisë së krerëve shqiptarë. Sipas disa dokumenteve,krerë shqiptarë të Toskërisë dhe veçanërisht Ismail Beu i Vlorës, dyshoheshin për lidhje dhe aleanca me revolucionarët grekë, 

Që nga fillimi i pushtimeve osmane, shqiptarët trajtoheshin si mercenarë të zakonshëm, që luftonin për para dhe pushtet, pa një angazhim të vërtetë për kauzat e tyre etnike. Ky mentalitet vazhdoi edhe në periudhën kur në Ballkan shpërthyen lëvizjet për pavarësi. Megjithatë, rast pas rasti, osmanët e kishin njohur si forcën dhe aftësitë ushtarake, ashtu dhe besnikërinë shqiptare që mund të kthehej në tradhti, për shkak të përfitimeve personale. Sidoqoftë, gjatë luftës për pavarësinë greke, kur Qeveria osmane ndodhej nën kërcënimin e lëvizjes kombëtare greke dhe kaosin që ajo shkaktoi, filloi ta perceptonte një grup të veçantë krerësh shqiptarë si një rrezik të mundshëm për unitetin e Perandorisë, pasi ata mund të ishin lidhur jo vetëm me interesa lokale, por edhe me një ideologji kombëtare, që minonte rendin osman. 

Ndërsa grekët po luftonin për pavarësinë e tyre, disa krerë shqiptarë me ndikim, mund të ishin të shqetësuar për të njëjtën ide të autonomisë dhe lirisë. Mendohet se ata kishin mundësi të ndikonin mbi popullin e tyre, për të zvilluar ato ndjenja që do të çonin në një “komplot kombëtarist”, duke përdorur të njëjtën gjuhë dhe ideologji me atë të grekëve. Ky ishte një zhvillim i papritur për osmanët, të cilët nuk mund ta mendonin se shqiptar kishin ambicie kombëtare të ngjashme me grekët.

Pas shpalljes së revoltës greke nga Alexander Hypsilantis, disa liderë shqiptarë si Ali Pashë Tepelena u dhanë mbështetje grekëve, ndërsa të tjerë preferuan të nxirrnin përfitime prej një lufte të tillë, për të forcuar pozitat e tyre personale. Duke pasur shumë lidhje me shqiptarët, Kollokotroni, një nga komandantët më të njohur arvanitas të Greqisë, ndërtoi marrëdhënie të veçanta me krerët shqiptarë, duke i cilësuar ata “vëllezër” dhe duke kërkuar besnikëri prej tyre. Një letër e Kollokotronit drejtuar krerëve shqiptarë, ku kërkonte besën dhe bashkëpunimin e tyre, shfaqte një lidhje të mundshme midis qëllimeve të grekëve dhe interesave të shqiptarëve për autonomi. Ai, duke qenë vetë arvanit, kishte ndjenja të natyrshme afërsie me shqiptarët dhe e shfytëzoi afërsinë për t’i mobilizuar shqiptarët kundër Perandorisë Osmane. Ai ishte bërë vëllam me Ali Farmaqin. Teodor Kollokotroni dhe Ali Farmaqi shkuan edhe në Arbëri dhe grumbulluan mbi 3000 mijë ushtarë myslimanë shqiptarë, që i sollën në Greqi, për të luftuar kundra osmanëve turq. Të dy ata kishin menduar të luftonin për realizimin e një mbretërie të bashkuar greko-shqiptare, me flamurin e përbashkët me gjysmë hëne dhe kryq. Duke marrë dijeni për ngjarje të tilla, autoritetet osmane nisën të shfaqnin një dyshim të madh ndaj shqiptarëve. 

Në letrën, që Mehmed Reshit Pasha e dërgoi në Stamboll, ishte shprehur se “shqiptarët mund të kenë aspirata për autonomi ose pavarësi”. Ky duket si një pohim i ri për kohën, sepse deri atëherë Perandoria Osmane ishte mjaft e fuqishme në kontrollin e territoreve shqiptare. Deklarata e Pashës reflektonte një perceptim se shqiptarët kishin filluar të zhvillonin një ndjenjë të vetëdijes kombëtare dhe një dëshirë për të patur një formë qeverisjeje që ishte më e pavarur nga osmanët. Kjo ishte shfaqja më e hershme e një lëvizjeje kombëtare, e cila do të ishte më e dukshme pas shumë dekadash. 

Pas luftës greke, për shkak të ndikimit të nacionalizmit dhe kërkesave për autonomi, shumë udhëheqës shqiptarë mund të kenë parë mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar të pavarur, duke shfrytëzuar boshllëkun që kishte krijuar lufta e grekëve për pavarësi. Në atë klimë dyshimesh, marrëdhëniet mes udhëheqësve shqiptarë dhe Perandorisë Osmane u bënë gjithnjë e më të tensionuara. Për osmanët, lufta greke për pavarësi shërbeu si një moment kyç për të formuluar politikën e tyre ndaj shqiptarëve. Osmanët e panë këtë periudhë si një mundësi për të pastruar çdo dyshim mbi besnikërinë e krerëve shqiptarë dhe për të ruajtur integritetin e Perandorisë. Raportet zyrtare që përcillen në Stamboll tregojnë një ndjenjë të vazhdueshme të frikës nga përhapja e nacionalizmit në Shqipëri dhe mundësinë e shpërthimit të një lëvizjeje të ngjashme me atë greke.

Në vitin 1822, pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës, Ismail Pashë Vlora filloi të udhëhiqte përpjekjet për të fituar më shumë autonomi për shqiptarët. Ai kërkoi që shqiptarët të kishin më shumë kontroll mbi territorin e tyre, duke u larguar nga autoriteti i Portës së Lartë, duke shfrytëzuar lëvizjen greke si mundësi për të forcuar pozitat e tyre. Krijimi i një mendimi politik shqiptar konsiderohej rrezik për Perandorinë Osmane, e cila e mendonte këtë si një përpjekje për të krijuar një shtet të pavarur. Nga një deklaratë e Mehmet Reshid Pashës,del se shqiptarët kërkonin një lloj vetëqeverisjeje, madje pavarësie. Edhe pse është e vështirë të vlerësohet sa e vërtetë ishte kjo akuzë, mjafton për të kuptuar se osmanët shqetësoheshin për mundësinë e një lëvizjeje separatiste, të ngjashme me atë që po ndodhte në Greqi. Është e qartë se osmanët po e kuptonin rrezikun që mund t’u vinte nga shqiptarët me zhvillimin e ndjenjave të tyre kombëtare. Ky shqetësim për identitetin dhe aspiratat shqiptare është tregues i rëndësishëm i zhvillimeve të mëvonshme të kombit shqiptar dhe i lëvizjes për pavarësi. Edhe pse ata mund të mos i shihnin ende në mënyrën e sotme të nacionalizmit modern, përpjekjet e Kollokotronit dhe të tjerëve, për të krijuar një aleancë me shqiptarët, ky veprim ishte një hap drejt një ndjenje afrie, që do të çonte në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar. 

Në periudhën kur përpjekjet për shtypjen e kryengritjes greke po vazhdonin, Mehmet Reshit Pasha kritikon sjelljen e krerëve shqiptarë, të cilët, sipas tij “ishin të interesuar më shumë për përfitime personale dhe për pozita të larta, sesa për mbrojtjen e Perandorisë”. Kjo është një vërejtje e rëndësishme, sepse ajo reflekton një ndjenjë të thellë të zhgënjimit dhe ndoshta frikës që kishin autoritetet osmane ndaj shqiptarëve. Sipas raportit të tij dërguar Portës së Lartë “një marrëveshje e fshehtë ishte arritur në mes të liderëve shqiptarë dhe grekëve, nëpërmjet Shahin Beut të Delvinës dhe Kontit Kapodistria. Kjo marrëveshje sekrete dhe ndarjet që po formoheshin mes shqiptarëve dhe osmanëve tregon një rënie të besnikërisë ndaj Perandorisë, që mund të ishte shenjë e fillimit të një procesi të gjatë të krijimit të vetëdijes kombëtare shqiptare”. 

Sipas Everest Beqirit “Ismail Bej Vlora, i emëruar nga qeveria osmane për të luftuar revolucionarët grekë, kundërshtoi të luftonte kundër grekëve dhe shqiptarëve, duke u tërhequr nga fronti dhe duke marrë rreth 4 000 ushtarë me vete”. Ky akt rebelimi solli dy fermanë nga Sulltani, në vitin 1822, një që parashikonte internimin dhe një tjetër që kërkonte ekzekutimin e tij e të vëllait Beqir Bej Vlora, në rast se ata nuk dorëzoheshin. Në vitin 1827, vëllai i Kapodistrias, udhëheqës i shtetit grek, hyri në bisedime me Ismail Bej Vlorën, për të trajtuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj kryengritjes greke. Pas këtyre bisedimeve, u arrit një marrëveshje që garantonte respektimin e paprekshmërisë territoriale të njëri-tjetrit. Everest Beqiri shkruan: “Më pas, në vjeshtën e vitit 1828, udhëheqësit shqiptarë të Toskërisë, nën drejtimin e Ismail Bej Vlorës, u mblodhën në një kuvend në Berat, ku diskutuan për rikthimin e të drejtave të klasës udhëheqëse shqiptare nën sundimin osman. Kuvendi i Beratit, që u mbajt nga 6 deri më 8 nëntor 1828, themeloi “Lidhjen Shqiptare” me Ismail Bej Vlorën në krye. Kjo organizatë kundërshtonte pushtetin e centralizuar të sulltanit dhe punonte për të forcuar ndikimin e saj në krahinat e tjera të Shqipërisë”. Pavarësisht rëndësisë historike, kjo ngjarje është nënvlerësuar nga historiografia zyrtare shqiptare. Ismail Bej Vlora e tregoi veten se ishte më i qartë se krerët e tjerë toskë në situatat e reja që u krijuan pas pavarësisë greke. Në një letër që ai dërgoi për bejlerët e Labërisë, jepte disa porosi që lidhen me strategjinë dhe pozitat e tij. Ai kërkonte mbështetje dhe përkrahje për emërimin si guvernator i Vlorës, qytetit të tij të lindjes, si një hap për të forcuar pozitat e tij në trevën e Toskërisë dhe për të bashkëpunuar më ngushtë me autoritetet osmane. Ky veprim ishte një përpjekje për të ruajtur ndikimin e tij në atë territor dhe për të siguruar pozita të forta politike ndaj rivalëve të tij. Në këtë kontekst, Ismail Bej Vlora u mundua të sigurojë që, përmes mbështetjes nga bejlerët e Labërisë, të mund të krijonte një koalicion të fuqishëm që do të ndihmonte forcimin e pozitave të tij në frontin e brendshëm dhe në raport me pushtetin osman. Kjo lëvizje ishte parë me dyshim nga osmanët. Mehmet Reshd Pasha mendonte se “ky plan i Ismail Beut i detyronte autoritetet që, për të forcuar pozitat osmane në Janinë, të dërgojnë ushtarë për të ruajtur kontrollin mbi zonat e rëndësishme”. Sipas tij, “përveç kërkesës për emërimin si guvernator, Ismail Beu po luante një lojë të dyfishtë, për të realizuar qëllimet e tij personale dhe për të ruajtur njëfarë autonomie në kuadër të administratës osmane”. 

Pas një periudhe të gjatë tensioni, Stambolli urdhëroi ekzekutimin e Ismail Beut dhe të disa liderëve të tjerë shqiptarë, me synimin për të parandaluar një shpërthim të mundshëm të separatizmit te shqiptarët. Ky akt do të shërbente si një mesazh i fortë për liderët e tjerë shqiptarë, që mendonin të kundërshtonin autoritetin e Portës. Raporti i Mehmet Reshid Pashës që trajtonte rrethanat e ekzekutimit të Ismail Bej Vlorës është një nga momentet kyçe që ndihmojnë për të kuptuar tensionet politike në mes të shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, gjatë periudhës së luftës së pavarësisë greke. Reshid Pasha, i shqetësuar nga mundësia që Ismail Bej Vlora të realizonte planet e tij dhe të provokonte një komplot të madh në Shqipëri, vendosi të vepronte kundër tij. Ai urdhëroi ekzekutimin e Ismail Beut dhe, në një letër dërguar Stambollit, e paraqiti këtë veprim si një arritje të madhe. Mehmet Reshidi shprehu gëzim dhe lavdim për këtë akt, duke theksuar se “nëse Zoti do të mundësonte eliminimin e individëve të tjerë të ngjashëm, gjendja në Shqipëri mund të përmirësohej”.

Ismail Bej Vlora, u vra pabesisht në “Masakrën e Janinës”, me 5 janar 1829, së bashku me 18 shoqëruesit e tij, nga Mehmet Reshid Pasha. Pas vrasjes, në trupin e tij u gjet një dokument i rëndësishëm, kopja e një letre që Ismail Beu u kishte dërguar disa krerëve shqiptarë në frontin e Mesolongjit, ku ai kërkonte që ata të shkaktonin trazira, me pretekstin e pagesave të papaguara. Letra tregonte qëllimet e tij dhe të aleatëve të tij, që ishin ruajtja e autonomisë dhe mbrojtja e interesave të Shqipërisë, pas luftës greke të pavarësisë. Ky dokument pasqyron shqetësimet e krerëve shqiptarë për sigurinë e vendit të tyre në të ardhmen, si dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur një status autonom, në raport me Portën. Dokumenti, edhe pse i shkurtër, ndihmon për të kuptuar disa aspekte të rëndësishme të situatës politike të kohës. Ai tregon se besimi i shqiptarëve ndaj Perandorisë Osmane ishte i pakët dhe i dyshimtë, pasi ata e shihnin ushtrinë osmane si pushtuese. Sipas asaj letre, tërheqja e ushtrisë osmane nga Shqipëria duket se pritej të ndodhte. Por duhet theksuar se aty nuk flitet për ndonjë aleancë me grekët, por për përpjekje për ta përdorur kryengritjen greke për interesat e krerëve shqiptarë, ndërkohë që refuzonin idenë që ushtarët shqiptarë të rekrutoheshin si pjesë e ushtrisë së rregullt osmane. Për herë të parë në këtë letër, një udhëheqës shqiptar fliste për konceptin e “atdheut” (vatan), duke theksuar se ai e shihte Shqipërinë si një njësi të bashkuar, pavarësisht ndarjeve gjeografike, fetare dhe krahinore. Pra Ismail Bej Vlora bën thirrje për unitet kombëtar si shenjë e besnikërisë ndaj atdheut të tij. Përpjekjet e tij e të krerëve të tjerë shqiptarë, gjatë periudhës së Luftës për Pavarësinë Greke tregojnë shenjat e para të vetëdijes kombëtare që po shfaqej në Shqipëri. Pavarësisht kundërshtimeve dhe mbështetjes për interesa lokale, këto lëvizje të para të shqiptarëve për autonomi dhe bashkim kombëtar ishin shenja të një procesi të ngadaltë, por të sigurt, të formimit të identitetit kombëtar shqiptar.

Filed Under: Politike

RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR

January 25, 2026 by s p

– Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani janë tmerri i Serbisë hegjemoniste.

Nga Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i LQSHA

Fitorja mbresëlënëse e Kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte një goditje e rëndë për Serbinë raciste, fashiste dhe hegjemoniste. Miliona dollarë të shpenzuara për lobim në Amerikë dhe miliona të tjera për blerjen e shtypit dhe spiunëve në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare, i shkuan huç.

Nëse kjo fitore kurorëzohet me rizgjedhjen e znj. Vjosa Osmani si Presidente, dështimi serb do të shndërrohet në një arritje të madhe për Kosovën. Kombinimi i dy liderëve të mëdhenj, Osmani dhe Kurti, është një goditje serioze për ambiciet e sëmura serbe për t’u kthyer në Kosovë dhe për iluzionin e të ashtuquajturës “bota serbe”.

Për këtë arsye, politikanët serbë, të udhëhequr nga shovinisti Vuçiq, janë kapluar nga paniku. Ata tani kanë përqendruar të gjitha forcat e tyre në pengimin e rizgjedhjes së saj.

Këtë e dëshmon angazhimi i shërbëtorëve të tyre kundër Presidentes Osmani në të gjitha Trojet shqiptare. Ndër të parët doli njëfarë Shqiprim Arifi nga Lugina e Preshevës, për të shpifur kundër saj, duke u përpjekur t’a fajësojë ate për gjendjen e vështirë të popullit shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes, të drejtat e të cilëve shtypen në mënyrë mizore nga Serbia.

Diplomatët serbë nuk marrin dot frymë në praninë e Presidentes Osmani në forumet ndërkombëtare. Këtë e përjetoi edhe krye-krimineli serb Aleksandar Vuçiq në seancën e Kombeve të Bashkuara. Fjalët e Vjosës e goditën atë si shigjeta. Ballafaqimi me viktimat e gjenocidit serb e la të gjykuar dhe të poshtëruar para mbarë botës.

Vetëm ky fakt i vetëm do të mjaftonte që “Zonja e Hekurt”, Vjosa Osmani, të rizgjidhet Presidente edhe për një mandat tjetër.

Kohët e fundit janë bërë shumë propozime për kandidatë të ndryshëm potencialë për President. Disa janë serioze, por shumica janë krejtësisht të gabuara, naive dhe nganjëherë edhe qesharake. Të gjitha janë plotësisht të panevojshme.

Kosovës i duhet një Presidente e aftë dhe e fortë, që nuk i nënshtrohet askujt, me mbështetje të gjerë popullore si Znj. Vjosa Osmani – jo një President i zgjedhur përmes pazareve dhe manipulimeve partiake.

Sigurisht, një kandidat për president është mirë të jetë unifikues. Kjo është një dëshirë apo një fjalë e bukur që nuk duhet keqpërdorur për të refuzuar votimin e presidentit. Unifikimi i të gjithëve është i pamundur. Është veçanërisht e vështirë të bashkosh ata që nuk duan të bashkohen. Pastaj, nuk mund të ketë bashkim me elementë shkatërrues dhe armiqësorë si “Lista Serbe” dhe mbështetësit e saj.

Gjëja më e rëndësishme janë kualifikimet e kandidatit. Në asnjë rrethanë Kosova nuk duhet të ketë President, Kryeministër apo Ministër të Punëve të Jashtme që nuk flet mirë gjuhën angleze. Koha e komunikimit përmes përkthyesve në takimet ndërkombëtare ka kaluar. Njohja e disa gjuhëve të huaja është e mirëpritur.

Përgatitja arsimore, anglishtja e rrjedhshme, shprehjet e qarta, përvoja politike, përkushtimi, vendosmëria, guximi, aftësia për të depërtuar në qarqet ndërkombëtare, krijimi i lidhjeve të reja, forcimi i marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe vendet partnere, respekti nga figurat udhëheqëse ndërkombëtare, qasja demokratike institucionale dhe mbështetja e gjerë popullore e bëjnë znj. Vjosa Osmani një kandidate të pakontestueshme.

Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti ishin dhe mbeten liderë të shpresës, ndryshimit dhe shpëtimit të Kosovës. Liderët me aftësi të mëdha dhe karakter të fortë si ata nuk i nënshtrohen askujt. Ata janë politikanë ndryshe, të pakorruptuar, që interesat e shtetit i vendosin mbi interesat personale. Arritjet e tyre janë të përbashkëta. Ata tashmë janë bërë frymëzim edhe për vendet e rajonit dhe për demokracitë perëndimore.

Natyrisht, ata nuk janë plotësisht të pagabueshëm, por gabimet e tyre kurrë nuk i kanë dëmtuar interesat shtetërore dhe kombëtare. Për të vazhduar sukseset e tyre, ata duhet të afrojnë dhe të angazhojnë shumë kuadro të aftë, të arsimuar, profesionalë dhe të pakorruptuar.

Bashkëpunimi i ngushtë i Presidentes me Kryeministrin, qeverinë dhe institucionet shtetërore për interesat e shtetit është krejtësisht normal dhe i domosdoshëm. Natyrisht, ajo duhet të bashkëpunojë edhe me partitë opozitare sipas nevojës. Preferencat dhe simpatitë pa anim të theksuar janë të kuptueshme. Por nuk mund të pritet prej saj të bashkëpunojë me ata që punojnë kundër interesave të popullit dhe të shtetit.

Vazhdimi i shumë punëve të mira dhe përfundimi i proceseve tashmë të nisura në interes të shtetit e bëjnë të pashmangshme nominimin e znj. Vjosa Osmani për Presidente nga Kryeministri Albin Kurti. Këtë e pret me padurim edhe shumica absolute e popullit të Kosovës.

Rizgjedhja e saj është në interes të shtetit dhe të kombit, por edhe të të gjitha partive politike nëse i shohin gjërat me mençuri. Përgjegjësia për të votuar Presidenten Osmani u takon të gjithëve, jo vetëm partisë fituese. Do të ishte një gabim i madh që deputetët e opozitës të bllokonin procesin normal të votimit duke braktisur vendet e tyre të punës në Parlament. Ky do të ishte një veprim antidemokratik dhe antishtetëror.

Nëse opozita vazhdon me bllokada me shpresën se do të përfitojë nga krijimi i kaosit institucional, ajo do të bëjë një gabim katastrofal. Populli është lodhur nga zgjedhjet e panevojshme. Dërgimi i vendit në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme do të ndëshkohet rëndë nga populli. Kështu, Kosova rrezikon të mbetet me një opozitë shumë të dobët ose edhe pa opozitë fare.

Kjo do të dëmtonte edhe marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht me Amerikën, e cila padyshim ka preferenca për znj. Osmani. Si do ta arsyetonte opozita prishjen e marrëdhënieve me miqtë, kur nuk ka pushuar kurrë së akuzuari Kurtin për të një gjë të tillë?!

Katër njohjet e reja gjatë vitit të kaluar dhe zgjedhja e saj në Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti Trump e bëjnë të pamundur pë cilindo politikan normal të bllokojë rizgjedhjen e saj.

Votimi për Presidenten Osmani do të ishte shenja e parë që do t’u tregonte qytetarëve se partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK i kanë kuptuar gabimet e së kaluarës dhe do të ndryshojnë për mirë. Vetëm atëherë mundësitë e tyre për të fituar votat e popullit në të ardhmen do të bëheshin reale.

Formimi i institucioneve shtetërore, miratimi urgjent i buxhetit dhe i marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, si dhe rizgjedhja e Presidentes Osmani pa vonesa dhe pa probleme, janë detyra urgjente të cilat e vendosin Kosovën në një pozitë shumë të favorshme.

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti plotësojnë njëri-tjetrin në mënyrë të përkryer në udhëheqjen e shtetit, secili nga pozita e vet. Populli me të drejtë pret shumë prej tyre në këtë mandat, si në zhvillimin e brendshëm ashtu edhe në politikën e jashtme.

Me aftësitë, përvojën dhe punën e tyre të përkushtuar, gjasat janë shumë reale për një Kosovë të zhvilluar, të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht. Anëtarësimi në NATO dhe hapja e rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian gjatë këtij mandati mund të bëhen realitet.

Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë Kosovën tonë Dardane në rrugën e saj të shenjtë të lirisë dhe pavarësisë, drejt bashkimit kombëtar. Amaneti i heronjëve dhe dëshmorëve të rezistencës shekullore për liri duhet të përmbushet.

Filed Under: Politike

Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?

January 24, 2026 by s p

Nga Evarist Beqiri/

“Historia është gjykatësi suprem, para të cilit të gjitha sekretet dalin përfundimisht në dritë.” – Ismail Qemal Vlora (24 janar 1844, Vlorë, Shqipëri – 26 janar 1919, Peruxhia, Itali)

Ismail Qemal Vlora në këtë 182-vjetor të lindjes nuk ka nevojë për lavdinë tonë. Ne kemi nevojë për trashëgiminë e tij. Figura e Ismail Qemal Vlorës në historinë e Shqipërisë, mishëron vrullshëm idenë e shtetit, dinjitetit kombëtar dhe vizionit europian. Ai nuk ishte vetëm njeriu që ngriti flamurin në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Ai është arkitekti i shtetit shqiptar të pavarur të orientuar drejt Perëndimit.

Sipas fjalëve të burrështetasit të shquar grek nga familja e njohur Levidis, ish-kryeparlamentari, autori dhe oratori i mbiquajtur “bilbili i parlamentit” grek Nikolaos D. Levidis (1848-1942): “Është mysliman nga feja, por armik fort fanatik i turqve. Ka të rritur në vehte, në gradën më të lartë, ndjenjën e rracës së tij. Ëndërron komb shqiptar me lidhje dhe vëllazërim me kombin grek. Ismail Qemal beu, greqishten e flet si grek intelektual, meqenëse ka studiuar në shkollën “Zosimea” të Janinës. Është politikan i dorës së parë, figurë politike me rëndësi të madhe, që di tërë çështjet që i interesojnë Ballkanit.”

Por më shumë se një shekull më pas, pyetja që shtrohet vetvetiu është se çfarë ka mbetur nga trashëgimia e tij?! Ismail Qemal Vlora nuk e shikonte shtetin shqiptar si një zgjatim të Perandorisë Osmane, as si një krijesë të brishtë ballkanike, e cila mbijeton mes fqinjëve grabitqarë. Përkundrazi, ai e konceptoi Shqipërinë si një komb modern, të aftë të ndërtojë institucione, të garantojë liritë qytetare dhe të bëhet pjesë e rrjedhës së qytetërimit perëndimor.

Ai ishte i vetëdijshëm për rreziqet e pangjermanizmit e pansllavizmit, për intrigat e fqinjëve dhe për fragmentarizimin e brendshëm shqiptar. Por, ai nuk pa aty arsye për dorëzim. Ai pa aty detyrimin për bashkim. Sot, kur shohim realitetin shqiptar, vërejmë një kontrast të dhimbshëm. Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike dhe në ngatërrimin e ditëlindjes çdo vit!

Nuk ekziston asnjë vend tjetër që ta ketë trajtuar “Atin Themelues”, në të njëjtën mënyrë si ne. Realiteti tregon se, sot që po flasim nuk ekziston asnjë muze në Shqipëri që të kremtoj jetën e themeluesit të shtetit modern shqiptar. Kjo sepse, historikisht në Shqipëri përvjetorët e Pavarësisë janë shfrytëzuar më tepër për të kremtuar kultit të individit të rradhës, sesa për të nderuar veprën e rilindësve.

Në këto 114-vite Shqipëri, vendosja e portretit të Themeluesit në zyrat e shtetit shqiptar në vitin 2013, është akti më vlerësues ndaj veprës së tij. Ndërkohë, vlonjati më “durim-madh” që ka njohur historia jonë, pret prej 114-vitesh ngritjen e një monumenti dinjitoz në kryeqytetin e shtetit të themeluar prej tij. Ndërkaq edhe rrugët apo sheshet e çdo qyteti apo fshati shqiptar, do të ishin më të nderuara po të mbanin emrin e tij. Sepse, Ismail Qemal Vlora ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri.

Ne shqiptarët kemi vuajtur boll këto 114-vite nga sindroma “që gjithçka fillon nga mua”. Sot, ne duhet të shkëputemi prej saj. Me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje të begatë ne duhet që t’i edukojmë brezat nën shembullin e njerëzve të mëdhenj. Nëpërmjet lidershipit të Ismail Qemal Vlorës, ne mund të kuptojmë se si mund të ndërthuret më së miri racionaliteti dhe empatia në zgjidhjen e problemeve të kohës tonë. Sikur të gjithë ata që e kanë drejtuar Shqipërinë në këto 114-vite, do ta kishin pasur si “Yll Polar” trashëgiminë e Ismail Qemal Vlorës, ju garantoj që ne sot do të kishim një Shqipëri shumë më të begatë.

Institucionet tona nuk po arrijnë akoma që të pasqyrojnë idealin e tij të shtetit të së drejtës. Demokracia jonë shpesh ngjason më shumë me një lojën e mbijetesës politike sesa me kulturën e lirisë. Europa mbetet horizonti ynë. Por, shpesh kjo keqpërdoret si slogan. Në vend që të kemi udhëheqës që frymëzohen nga guximi i Ismail Qemal Vlorës, ne shohim politikanë të thyer përpara interesave të ngushta vetjake.

Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës është Bibla dhe Kurani i shqiptarizmës. Trashëgimia e tij është udhërrëfyesi ynë politik e moral. Aty ne duhet të mësojmë, kurajën për të menduar shtetin mbi interesin personal. Vullnetin për të ndërtuar institucione e jo për t’i shkatërruar ato. Orientimin perëndimor si zgjedhje strategjike e kombit, jo si mjet propagande. Kulturën e kompromisit kombëtar përballë interesave të ngushta personale.

Sot, kur vendi përballet me largimin masiv të të rinjve, me dobësinë e institucioneve, me polarizimin politik dhe pabarazinë sociale, trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës na fton që të reflektojmë. A kemi bërë ne gjithçka për ta ndërtuar Shqipërinë sipas ëndrrës së tij?!

Ismail Qemal Vlora nuk kërkonte nderime. Ai kërkonte që Shqipëria të jetonte me dinjitet mes simotrave të saj europiane. Detyra jonë sot nuk është thjesht të kujtojmë “Themeluesin”. Detyra jonë është që të ringjallim vizionin e tij në politikë, në shoqëri dhe në institucione. Sepse nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës, mbetet vetëm aq sa ne jemi në gjendje që ta mbajmë gjallë me vepra, jo me fjalë.

Ka 114 vite që Shqipëria lindi si shtet, dhe emri i Ismail Qemal Vlorës mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me themelin e saj politik, institucional e diplomatik. Ai nuk ishte thjesht Shpallësi i Pavarësisë, por krijuesi i një vizioni për shtetin modern shqiptar, të ndërtuar mbi ligjin, dinjitetin dhe përfaqësimin kombëtar.

Por sot, a e kemi ruajtur ne thelbin e kësaj trashëgimie?! Apo kemi ngecur tek simbolika e thjeshtë, ndërkohë që shpirti i vizionit të tij harrohet?! Sa herë kemi guxuar ne që ta matim veten me standardin e tij?

Ismail Qemal Vlora jetoi me bindjen se Shqipëria nuk mund të mbijetonte pa institucione të forta dhe pa një elitë që i shërbente kombit, jo vetes. Sot, ne shumë shpesh, shohim të kundërtën, institucione të dobësuara nga korrupsioni, politika të zhytura në konflikt interesi, dhe një shoqëri që largohet gjithnjë e më shumë nga besimi tek shteti.

Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës nuk është vetëm Pavarësia. Është ideja se shteti duhet të jetë i denjë për qytetarët e vet. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është e thjeshtë, a kemi ne sot guximin dhe karakterin që ai tregoi në kohën më të vështirë të kombit tonë?! Apo jemi bërë thjesht konsumatorë të historisë, duke harruar misionin e saj?

Zgjedhjet tona janë pasqyra e shpirtit tonë. Një dhunti kjo e falur nga Zoti. Nëse duam ta nderojmë me të vërtetë trashëgiminë e Ismail Qemal Vlorës, duhet që të rindërtojmë besimin tek shteti. Të përforcojmë institucionet. Të vendosim meritën përpara klientelizmit. Të vendosim të mirën e përbashkët përpara interesit vetjak. Vetëm kështu trashëgimia e tij mund të shndërrohet në një kujtesë të gjallë të Shqipërisë që ai ëndërroi. Një shtëpi e denjë për qytetarët e saj.

Filed Under: Politike

SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara

January 23, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Bota ndodhet sot në një moment historik tranzicioni të thellë sistemik. Rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Ftohtë po e humb gradualisht funksionalitetin operacional, ndërkohë që arkitektura e re globale ende është në fazën e konsolidimit institucional dhe strategjik. Në këtë realitet të ri gjeopolitik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me demokracitë e avancuara perëndimore, kanë marrë përsipër përgjegjësinë historike për ruajtjen e paqes globale, stabilitetit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e rendit demokratik botëror.

Kjo nuk përfaqëson thjesht një orientim të ri politik. Ajo përbën një mision diplomatik global, të ndërtuar mbi parimin e përgjegjësisë strategjike dhe lidershipit institucional ndërkombëtar.

Diplomacia amerikane si arkitekt i stabilitetit ndërkombëtar

Gjatë dekadës së fundit, diplomacia amerikane ka kaluar nga një model reaktiv i menaxhimit të krizave drejt një doktrine preventive strategjike, e cila synon:parandalimin e konflikteve përpara përshkallëzimit të tyre,uljen e tensioneve gjeopolitike strukturore,ndërtimin e mekanizmave të rinj të koordinimit shumëpalësh,dhe forcimin e boshtit të partneriteteve demokratike.

Krijimi i një Bordi të Ri Strategjik për Paqen Globale përfaqëson një instrument diplomatik të nivelit të lartë, që synon sinkronizimin e politikave të sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë ndërkombëtare në funksion të stabilitetit afatgjatë.

Ky mekanizëm reflekton evolucionin e diplomacisë moderne nga menaxhimi episodik i krizave drejt arkitekturës së qëndrueshme të paqes.

Rendi i Ri Ndërkombëtar: Projekt strategjik i demokracive të avancuara

Rendi i ri që po ndërtohet nuk është projekt hegjemoni, por një projekt i stabilitetit ndërkombëtar të balancuar. Ai mbështetet në katër shtylla themelore diplomatike dhe strategjike:

1. Multilateralizëm funksional

Institucionet ndërkombëtare janë në proces reformimi për t’u bërë më efektive, më fleksibile dhe më të përgjegjshme. Diplomacia shumëpalëshe po kthehet në instrumentin kryesor të menaxhimit të krizave globale, duke zëvendësuar unilateralizmin e fragmentuar me koordinim institucional të qëndrueshëm.

2. Demokracia si garanci strukturore e paqes

Demokracitë e avancuara e shohin demokracinë jo si eksport ideologjik, por si mekanizëm parandalues të konflikteve, sepse shtetet demokratike prodhojnë stabilitet institucional, transparencë politike dhe përgjegjësi shtetërore.

3. Siguria kolektive dhe parandalimi strategjik

NATO dhe arkitektura euroatlantike po transformohen nga struktura mbrojtëse tradicionale në mekanizma aktivë të parandalimit të agresionit. Prania strategjike nuk synon përshkallëzim ushtarak, por dekurajim të kërcënimeve dhe ruajtje të ekuilibrit të sigurisë.

4. Diplomacia ekonomike e stabilitetit

Energjia, teknologjia dhe tregtia po shndërrohen në instrumente strategjike diplomatike. Qëllimi është forcimi i rezistencës ekonomike të demokracive dhe reduktimi i varësive kritike që prodhojnë cenueshmëri gjeopolitike.

Dimensioni global: Menaxhimi i rivaliteteve të mëdha

SHBA po aplikon një diplomaci të ekuilibrit strategjik, e cila synon:parandalimin e konfrontimeve direkte ndërmjet fuqive të mëdha,vendosjen e vijave të qarta të kuqe diplomatike,mbajtjen aktive të kanaleve të dialogut,dhe ruajtjen e stabilitetit sistemik global.

Ky model përfaqëson një paradigmë të re të diplomacisë së përgjegjshme globale, ku konkurrenca gjeopolitike administrohet, jo militarizohet.

Ballkani Perëndimor dhe Kosova: Test strategjik i suksesit perëndimor

Ballkani Perëndimor mbetet një nga zonat më të ndjeshme gjeostrategjike të Evropës. Në këtë kontekst:prania amerikane dhe euroatlantike paraqet faktor kyç stabiliteti,Kosova përfaqëson shembull konkret të investimit diplomatik perëndimor në ndërtimin e shtetit demokratik,sovraniteti i Kosovës është komponent integral i arkitekturës së sigurisë evropiane.

Mbështetja për Kosovën nuk është vetëm çështje bilaterale, por interes strategjik i paqes rajonale dhe stabilitetit evropian.

Diplomacia publike: Beteja për narrativën globale

Në rendin e ri ndërkombëtar, diplomacia nuk zhvillohet më vetëm në tavolinat e negociatave, por edhe në hapësirën e opinionit publik global.

SHBA dhe demokracitë e avancuara po investojnë në:diplomaci publike strategjike,luftë kundër dezinformimit,transparencë politike,ndërtim të besimit ndërkombëtar.

Narrativa e paqes, demokracisë dhe stabilitetit është shndërruar në instrument strategjik të fuqisë së butë globale.

SHBA dhe aleatët e saj nuk po ndërtojnë një rend të ri për dominim, por një rend për paqen e qëndrueshme globale. Në një botë gjithnjë e më të polarizuar, diplomacia strategjike mbetet instrumenti më i fuqishëm për parandalimin e konflikteve madhore.

Krijimi i mekanizmave të rinj globalë dhe ndërtimi i arkitekturës së re të sigurisë përfaqëson një përpjekje historike për t’i dhënë sistemit ndërkombëtar stabilitet, siguri dhe perspektivë demokratike afatgjatë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 666
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢
  • Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe
  • Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti
  • E ARDHMJA ESHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE
  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT